FRIKA NGA VIRUSI DHE BAKTERIET ËSHTË KËTU PËR TË QËNDRUAR

Nga Njomza Gashi-Rrustolli

Fillimisht kemi qenë të tronditur sepse nuk e dinim se me çka realisht po përballemi, nuk kishim informacionin e duhur për virusin në fjalë. Ishte një situatë sa konfuze aq edhe frikësuese sepse ishte diçka e panjohur. Çdo ditë dilte një informacion i ri, i cili nganjëherë e demantonte ndonjë informacion paraprak dhe realisht më nuk dija çfarë të mendoja. Kisha frikë për familjarët sepse në fillim ishte ajo që të moshuarit dhe të sëmurët i godet më së shumti, mendimi që diçka mund të i ndodh dikujt që e kam të afërt dhe përzemër më bënte të ndjehesha shumë keq.

Pra, mund të them që pandemia më solli shumë shqetësime. Nuk kisha rehati dhe isha e shpërqëndruar sepse këto shqetësimet zinin hapësirë të madhe në përditshmërinë time. Në çdo anë dëgjoja biseda rreth COVID-19, në biseda me familjarët, në media, në çdo pjesë të përditshmërisë. COVID-19 erdhi dhe filloi të na e drejtojë jetën. Mirëpo, mësova të ballafaqohem me këto informacione dhe pas një kohe të shkurtër e pranuam me qetësi ndryshimin, i shtuam masat për parandalimin e virusit COVID-19 dhe filluam ta shijojmë afërsin dhe qëndrimin bashkë me pjestarët e tjerë të familjës. 

Pasi që kam fëmijë angazhimi rreth tyre më merrte shumë kohë, sepse u shndërrova njëherit edhe në mësuese. Përcjellja e mësimit online, detyrat, komunikimi me mësuesen, e gjithë kjo kërkonte angazhim për fëmijë por edhe për mua si prind. Në fillim ishte vështirë por pastaj u mësuam. Kur je prind nuk jeton vetëm për vete, por veten e vendos në plan të dytë, e nganjëherë disa obligime nuk mund të presin por as fëmijët nuk mund të presin dhe kjo është situata kur nuk e din se nga t’ia mban.

Kur e dërgon fëmiun në shkollë në njëfarë mënyrë e gjuan përgjegjësinë tek mësimdhënësit, ata janë aty dhe kujdesen për çdo gjë. Normalisht që i kontrolloja detyrat dhe atë çfarë mësonin fëmijët edhe kur e vijonin shkollën, por në shtëpi ishte ndryshe. Nuk mjaftonte vetëm një kontroll i detyrave por duhej të sigurohesha që fëmiu diçka po merr prej këtij mësimi online, duhej të sigurohesha që me të vërtetë po funksionon për fëmiun tim. Por, me kohë i jemi përshtatur edhe kësaj, është dashur ose të mësohemi me këtë ose të dështojmë totalisht, dhe fëmiu të mos kuptoj gjë.

Realisht kemi qenë në përgaditje për hapjën e një biznesi të ri, por pasi që e gjithë bota është në pritje të kalimit të pandemisë, edhe ne po presim sepse është e pamundur në këto kushte të mendosh për diçka të re. Sigurisht që çdo lëvizje riskante është e pamundur në këtë kohë krize, kështu që hapja e biznesit do të pres për një kohë. Disi më duket sikur e gjithë bota stopoi dhe preokupimi kryesor u bë tejkalimi i kësaj pandemie, e cila na lodhi aq shumë. Përveç problemit për ruajtjen e shëndetësisë, edukimin e fëmijëve, problem ishte dhe është ende gjendja materiale. Ne si familje duhet t’ia dalim disi, kështu që edhe kjo është një shqetësim që u shtua si pasojë e këtij virusi.

Fatmirësisht, në familjen time të ngushtë nuk ka pasur ende raste me virus. Në shtëpi e kemi rritur kujdesin e pastërtisë, po ashtu po mundohemi të mbajm distancën. Në rrugë apo në dyqane po u përmbahemi masave te cilat janë në rregullore të Ministrisë së Shëndetsisë. Gjatë kohës së karantinës, në fillim jemi marrur me rregullimin e shtëpisë, kemi pasur kohe të mjaftueshme që t’i bëjmë gjërat që nuk kemi pasur kohë më herët. Kemi ecur nëpër vende malore, ku ka pasur më pak njërëz. Jemi marrur me aktivitete sportive në kushte shtëpie, kemi luajtur lojëra bashkë më fëmijët, jemi munduar ta ruajmë pozitivitetin. Përkrah të gjitha vështirësive dhe problemeve, nuk kemi dashur të lejojmë që dikush prej neve të mërzitet dhe të ndjehet keq.

Kemi biseduar edhe me fëmijët por edhe me njëri-tjetrin. Jemi munduar të lexojmë edhe pse koncentrimi ka munguar. E kam vërejtur që gjatë mbylljes e kam humbur koncentrimin, sepse mendja ime gjithnjë bredhte, mendoja për shumë gjëra. E kisha të vështirë sepse nuk mund t’i takoja prindërit dhe familjarët e tjerë në mënyrë që të mos e rrezikojmë njëri-tjetrin. Mirëpo, lidhjet familjare janë forcuar edhe pse komunikimi ka qenë në distancë, por e kemi vlerësuar se sa të rëndesishëm janë familjarët, edhe pse në realitet nuk po kemi kohë të mjaftueshmë të shihemi ose të komunikojmë. 

Dëgjoheshim nganjëherë disa herë brenda ditës me familjarë, sepse shqetësohesha edhe për ta. Çdo ditë shfaqeshin shumë e më shumë raste të reja me virus dhe me këto raste rritet edhe shqetësimi. Ai numri i të infektuarëve na u bë obsesion, u bë temë më e rëndësishme e të gjitha bisedave. Prej krejt kësaj shqetësoheshim dhe nganjëherë as gjumë të rehatshëm nuk bënim, situata shpesh bëhej më keq se që ishte e jo më mirë dhe nuk dihej se kur do të bëhet mirë. Prandaj kur nuk ke të ardhme të sigurtë dhe nuk dinë se si do të shkojnë gjërat je gjithmonë e shqetësuar.  

Situata ende nuk po rregullohet, njerëzit kanë frikë, janë larguar, kanë krijuar distancë. Maskat na janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë. Aksesori më i rëndësishëm, pa të cilin nuk shkelim jashtë shtëpisë. Nganjëherë mendoj që pandemia do të na lërë shumë pasoja sa i përket socializim, do të na mbetet frika nga bakteriet e viruset. Por shpresoj që i gjithë globi të shërohet sa më shpejt, dhe besoj se do t’i kthehemi realitetit, me energji dhe shëndet të plotë. 


Njomza Gashi-Rrustolli u lind më 17 qershor, 1984 në Mitrovicë. Shkollën fillore dhe të mesme e përfundoi në Mitrovicë, ndërsa studimet për drejtësi i ka vazhduar në Prishtinë, në kolegjin AAB. Studimet postdiplomike i vazhdon Katedrën Civile në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë.  Gashi-Rrustolli është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve: Elsa, Ëmbla dhe Oriku. Jeton në Vushtrri, ku edhe punon në një biznes privat.

Ilustrimi nga Renea Begolli.