Pjesa e Dytë
Bahrie Kastrati Besimi: Tash po du me fillu si studente. U regjistrova. Vitin e parë i kreva provimet mrena vitit. Tepër e lumtun, tepër e gëzueshme. Çdo herë… na sʼkemi pasë telefon nʼshpi kena pasë te kojshitë. Kur e kryjsha provimin i thirrsha i thojsha, “A bon me shku mʼi lajmëru te baba se e kom kalu provimin”. Knaqësi e veçantë u kanë. Gëzim për krejt familjen. Vitin e dytë tʼstudimeve kom qenë kemi lexu literaturë mos tʼflasim, vazhdimisht kom lexu libra, romane, mësime mos tʼflas për mësime vazhdimisht edhe gazetat tʼcilat na vinin nga jashtë.
Zakonisht përmes dajës, qitij Agim Paqarizit, Avdyl Krasniqit babës së Xhevë Lladrovcit edhe tjerve aktivistëve që gjithmonë na kanë furnizu po në mënyrën ma sekrete tʼmundshme. Do të thotë në mënyrë të msheft kemi lexu, i kemi shpërnda dhe kemi vepru. Motra e madhe që ka qenë edhe jo nʼfakultet bashkë me mu na shihke tʼu lexu libra. Thojke, “Mësimet lexoj, lej këto”. Se i shihke gazetat që shkrujshin për të ardhmen qysh duhet me funksionu, qysh duhet me përparu Kosova. Siç kanë qenë Zëri i Popullit, Gazeta Liria e këto librat Titistët, Gjarpërinjtë e Gjakut.
Ka pasë romane që unë sʼmujsha mos me hy me i lexu sepse kurreshtja edhe thjeshtë këshillat e babës tem që duhesh me lexu, me lexu shumë me lexu. Ai që lexon ai përparon e ka pasë këtë filozofinë që sa ma tepër që lexon aq ma mirë është dhe e vërtetë është ajo. E saktë. Unë e kom pasë rastin me, si studente, me jetu edhe me Xheve Lladrovcin, Xheve Krasniqi realisht, Lladrovci e ka tʼburrit. Kemi vepru, kemi jetu bashkë me ni dhomë, kemi flejtë me ni dhomë.
Unë kom qenë shumë impulsive, shumë e gjallë, shumë, sʼpo di, ni fjalë si me thanë. Ajo ka qenë shumë e qetë, e qetë, e urtë, e sjellshme, e meçme. Nuk kom shprehje me, me, definu personalitetin e asaj. Gjatë kohës në vitin, para vitit ʻ81, para marsit ʻ81-shes unë jom konë tʼu e lexu ni libër “Do të jetojmë ndryshe”, Dhimitër Gjovani. Libër fund e kry ka qenë se si organizohen protestat, si
organizohen demostratat, kush e fillon, qysh e fillon, qysh duhet me brohorit, çka duhet me ba, si duhet mʼi shkru pamfletët. U kanë shumë interesant.
Gjithashtu edhe ni muj para protestave, para se me u bo protestat ʻTë drejtën kushtetueseʼ e kemi lexu shumë drejta. Bile, bile kom fletorën e asaj kohe sepse libra e kemi pasë vështirë me ble. Fletorën ja
{tregon fletorën} e asaj kohe që kom shënu vazhdimisht liritë politike që çka domethanë liria politike, çka domethanë liria e shtypit, çka domethanë liria e vetëvendosjes, liria e tubimeve publike, liria e shprehjes për kombin, liria e besimit, liria personale e shumë e shumë.
Me datën 09 shkurt ʻ81 unë i kom mësu faktikisht këto në ʻTë drejtën kushtetueseʼ. Plus këtë librën e Dhimitër Gjovanit ʻDo të jetojmë ndrysheʼ. Që isha e stëngarkune thjeshtë me njohuri edhe me gjana që mujnë me na ndihmu. Te… po kthehna në atë kohë normalisht që shumë kom pasë njohuri prej babës edhe prej pushtetit që ka qenë pushteti duhet çfare ka qenë për krejt popullatën shqiptare.
Gjithmonë baba thoshte, “Nëse mësoni edhe nëse boheni tʼzojat e vetës, e kryni fakultetin sʼkemi nevojë me rezistu kundër serbëve. Serbët vet kanë me shku, qysh kanë ardhë në Kosovë kanë me shku. Po ju mësoni edhe ju zini venin atyne. Bohuni tʼpavarura. Sa tʼmuni me msu. Si ta kryni fakultetin, si ta zini ni vend të punës e largoni ni serb”. E vërtetë fjala e tij.
Po kohën, po flas para se mʼu bo demostratat e 11 marsit, shumë kemi lexu, shumë kemi pasë takime, shumë kemi pasë shumë, qysh me thanë, ide, pse për shembull studentët e republikave tjera edhe dy krahina, Krahina Socialiste Autonome e Kosovës dhe Krahina Socialiste e Vojvodinës nuk i kemi tʼdrejtat e barabarta siç i ka Sllovenia, Kroacia, Serbia, Maqedonia. Nifarʼ forme u kanë shumë e çuditshme. Kur erdh momenti me 11 mars ka qenë e parapame mʼu mbajtë ni lojë futbolli edhe mramje zakonisht shkojshim në Mensën e Studentave mʼu ushqy. Mʼkujtohet si sot shkojshim bashkë unë edhe motra.
Janë kanë disa zhetona ju thojshin të hekrit për me shku me hangër ushqim. Po ni zheton ke mujtë me marrë ni pjatë. Na për shkak të kushteve edhe situatës qysh e kemi pasë në familje, me ni zheton kemi hangër ni pjatë edhe unë edhe motra. Pritshim në radhë me orë. Radha… se ka pasë 30 e kusur mijë studenta janë kanë në Universitet të Prishtinës. Pritshim në radhë me marrë ushqimin. Motra në atë kohë nuk u kanë, ʻ81-shin nuk e ka zanë kushtin për studime ka qenë në Prizren, punojke vekë. Unë jom kanë aty dhe atë në atë tollovi tej mase tʼu prit nʼradhë.
Kur jemi afru me marrë ushqimin, unë po i dëgjoj disa zana mas meje mashkuj, në mesin e tyre ka qenë edhe Bajram Kosumi, Kadri Kryeziu, Jonuz Jonuzi, ky i Drenasit, Ramadan Dobra atëherë u qujke tash Gashi është, ish kryetari. Po thojnë, “Sot duhet me fillu protestën”. Po i dëgjoj unë çka po folin edhe u çudita pse e thanë këtë fjalë. Në sekond si jom ofru me marrë pjatën e ushqimit ia kom hudh, ka qenë ni serbe edhe ni shqiptare që na kanë ofru ushqimin. Nuk e di veç kom dalë prej rendit, ata veç
kishin pritë, qata grupi i tyne i Bajram Kosumit e Jonuzit e Kadriut, kemi fillu mʼi rrzu të gjitha tavolinat në mensë që janë.
Kadriu e di, mʼkujtohet Bajrami që mʼka thanë, “Ik shko në konvikt”. Krejt vajzat janë frikësu edhe kanë shku tʼu ngajtë, tʼu dalë prej dere te poshtë se u kanë në katin e dytë u ushqejshim. E vetmja unë deri tavolinën e fundit që ka qenë për me rrotullu i kemi rrotullu. Janë çudit edhe mashkujt po edhe femnat qysh po guxon, pse. Nifarʼ forme është shumë e çuditshme që as sʼkom ndje frikë. Literatura ka ndiku shumë që unë me ndiku nʼatë formë edhe atë mënyrë edhe këshillat normal të prindit tem po edhe të babës të Xhevës [Krasniqi-Lladrovci].
Avdyl Krasniqi u kanë njëri ndër akterët kryesor që na ka, gjithmonë na ka këshillu, na ka udhëzu që nuk shkon qishtu. Rinia, studentët mujnë me i bo revolucionet e mdhaja. Gjithmonë mʼu kanë kujtu fjalët e tij siç edhe tʼbabës tem. Po ai gjithmonë me këtë filozofinë që duhet me u shkollu edhe me shkollim gjithçka arrihet me shkollim, jo me fuqi, jo me dhunë. Kur kom shku me 11 mars fillum… masi u kry tollovia në mensë, kemi shku deri te komiteti poshtë, krahinor u kanë. Nʼfillim na thojshim dojmë kushte ma tʼmira, jo me prit kah dy orë, kah tri orë me marrë ni pjatë ushqim.
Kur kemi shku te komiteti na kanë rrethu policia. Nuk na kanë pranu as nuk ka dalë asni përfaqësues i institucioneve me bisedu. Na kanë largu, jemi kthy në konvikt. Në oborrin e konvikteve kemi kallë një zjarr të madh me goma, me… ka qenë tʼu maru konvikti numër pesë e na kemi qenë vajzat e konviktit numër katër. E kemi nejtë deri në mëngjes në oborr të konvikteve. Mandej jom shku në Prizren me autobus. Jemi kthy në konvikt fillimisht se po harroj edhe jemi mbledhë në dhomë, kemi thanë, “Çka do tʼbajmë ma tutje?”.
E vendosën me 26 mars prapë mʼu tubu edhe prapë me ba demostratë tjetër. Qatʼ natë unë shkova për me marrë rroba ma të trasha në Prizren edhe i thashë babës, i kallxova babë qishtu qishtu, “Kemi fillu, unë ia kom nisë e para”, “Aiii”, tha, “bre babë a tʼkom thanë duhet me mësim bre babë se nuk e dini kush oshtʼ Serbia. Ngo bre babë çka po të thom se unë nuk po du me të kritiku çka ke ba edhe nëse ia ke nisë veç Serbia nuk hiqet prej Kosovës kanë me kalu edhe 30 vjet”. Unë, “Jo, studentat krejt janë çu”. Rinia, entuziazëm, të enzuziazmun. Tha, “Ishalla baba ju del qysh po menoni po nuk është e mundur me dalë qashtu qysh po menoni”, thashë, “Me 26 na prap kemi mʼu tubu edhe me lypë çka na takon, sʼpo lypim kurgjo ma tepër”.
Me 26 në mëngjes herët me mijëra studenta, krejt oborri i konvikteve ka qenë me studentë. Aty tani kanë ardhë përfaqësuesit e tonë, do të thotë, edhe profesor edhe kanë ardhë të këshillit krahinor, strukturave politike të gjithë. Janë mundu me na bind mos me vazhdu, mʼu shpërnda. Po sʼka pasë shansë me nalë do të thotë atë entuziazmin tonë. Bile mʼkujtohet si sot Ali Lajçi, kryetar që u kanë i Pejës, ka pasë mjekërr ka qenë shumë i dobët. E patën hyp në nifarʼ sʼdi çka ka qenë kështu si binë. Aq bukur foli, aq mirë që na dha fuqi, na dha nifarʼ forme forcë. Nuk e di bre, apsolutisht asnjëni nuk ka pasë frikë. Prapë kemi fillu me dalë në qytet me protestu.
Polici kemi pasë rreth e përqark në të gjitha antë. As vet nuk e di çfarë ndjenje dhe çfarë situate u kanë që ato brohoritjet e pllakatat që kemi shkru, pamfletët që i kemi gjujtë nëpër rrugë, është e çuditshme qysh kemi mujtë prej datës 11 deri me 26 me qindra që kemi pregadit dhe i kemi shpërnda. Daja Agim, tash pʼe lidhi këtu, me 11 mars e kom informu që qishtu, qishtu ka ndodhë. Ka qenë, ai patʼ kry, historian është, e patʼ kry Fakultetin e Historisë, ka qenë në punë në Rahovec në gjimnaz. Ka qenë profesor i historisë në Gjimnazin e Rahovecit.
Thashë, “Me 26 kemi mʼu mbledhë”, tha, “Me 26 edhe unë do tʼjem aty”. Ai ka ardhë. Kemi qëndru tanë ditën të rrethum. Mandej kah mramja fillun me tym me na… shumë është i ranë tymi, gazsjellësi edhe na kanë shpërnda. Mandej, prej 26 marsit e deri me 1 e 2 prill që janë bo protestat, llogaritni krejt Prishtinën dhe krejt Prizrenin une e Xheva e kemi shpërnda pamfletët terr kur u boke, mas 12:00-ve e deri në ora 03:00-04:00 të mëngjesit. Po unë gjithmonë jom veshë me kapelë tʼbabës tʼbardhin, me teshat e babës edhe ata tinza ia kom marrë. Edhe Xheva ka qenë në Prizren. Po flas për Prizren se për Prishtinë nuk u kanë problem, kemi qenë në konvikt.
Apsolutisht nuk kemi pasë frikë që thojnë, as prej shtazëve, as prej qenve, as prej njerëzve. Hiç, hiç, hiç, apsolutisht. Sikur me qenë mashkuj tʼrritun që nuk frikësohet. Shpesh baba mʼthojke, “Duhet me u frikësu”, “Jo”, i thojsha, “sʼtutna. Pse mʼu tutë?” “Pse mʼu tutë?” Thojke, “se je femën. Nuk ki fuqi, nuk ki mundësi ti me dalë përballë dikujt nëse del dikush përballë”. Ai menojke për gjininë mashkullore. Çka ndodhi mas… e me 1 e 2 prill mandej fillun krejt Kosova në të gjitha antë. Se ju jeni tʼreja nuk e dini nuk muni as me imagju çka ka ndodhë [I drejtohet bashkëbisedueseve].
Pse fillojnë njerëzit nga tʼgjitha qytetet me mrri në Prishtinë edhe me ardhë me protestu edhe me dalë para tenkave edhe me dalë para njerëzve që ishin tʼarmatosur deri nʼdham me ato shlemat, me mburoja edhe pse nuk dijnë mʼu frikësu apsolutisht kjo ka ndodhë veç te shqiptartë. Vërtetë demostratat e vitit ʻ81 janë kanë kthesë, jo vetëm për neve në Kosovë që prej atëherë edhe ʻ68-tes u kanë edhe historikisht që kanë vujtë njerëzit edhe kanë vepru edhe kanë dhanë ma të shtrejtën. Po thjeshtë ju hap rruga edhe republikave të tjera të ish Jugosllavisë mʼu shpërnda, mʼu, thjeshtë mʼu ba shtete në veti dhe me funksionalizu dhe me vepru. Çka mas protestave…
Anita Susuri: Veç po du edhe diçka me ju pytë…
Bahrie Kastrati Besimi: Hajde se nashta po i harroj. Urdhnoni pytëmni shlirë.
Anita Susuri: Me 26 mars ka qenë edhe ka ardhë shtafeta…
Bahrie Kastrati Besimi: Po, shumë mirë që po ma kujton.
Anita Susuri: Po më intereson kur keni qenë nʼdhomë të konviktit kush ka qenë aty me juve edhe ma saktësisht çka keni diskutu edhe qysh keni vendosë që bash me 26 mars?
Bahrie Kastrati Besimi: Na me datën 11 mars kemi vendosë natën qaty rreth zjermit që kemi me bo protestën me 26 mars. Me 26 mars kemi thanë nëse nuk çohet edhe populli e kemi kot, po ne nuk do të ndalemi. Tashti strategjinë me bo secili në qytet. Me organizu secili në qytet me pasë protesta. Unë me Xhevën kom shku niherë mʼi shpërnda pamfletët. Thashë, “Unë e marrë Prizrenin”. Xheva ka ardhë me mu në Prizren. Me autobus kemi shku. Se e kom pasë lehtë me dalë prej shpijes se baba nifarʼ forme sʼmë ka përcjellë se sʼe ka ditë që unë do të dalë natën me shpërnda letra.
Me 26 ka pasë me ardhë shtafeta. Me qëllim e kemi ba që me pasë ma shumë, turma me kanë. Sepse studentat, jo vetëm studentat, po janë dalë në rrugë edhe të shkollave tʼmesme edhe tʼfillores. Krejt u kanë nifarʼ simbolike që me prit shtafetën nʼatë kohë edhe me pasë njerëz sa ma tepër. Kështu që qajo u kanë shumë interesant ardhja e shtafetës në Prishtinë. Ka qenë kjo, tash po i harroj emrat, ni femën u kanë që ka ardhë shtafetën thuhet që e ka përcjellë, e ka pru. Sanije, Sanije emrin. Mbiemri sʼpo mʼkujtohet. Sanije. Kështu fizionominë mʼduket po ia shoh, do të thotë e di cila u kanë.
Për qata kur ka ardhë shtafeta vërtetë ka pasë tollovi. Mandej ka pasë edhe keqtrajtim. Se në konvikte kur kemi hy na masi jemi kthy kanë qitʼ edhe në konvikt lotsjellës edhe secili… që tash po e lidhi sepse shumë mirë që ma kujtove. Kur na kanë fillu, prej gazit na sʼkemi mujtë me kcy prej katit të tretë e të katërt. Kur kemi fillu me dalë për dere, policia janë kanë edhe sa kanë mujtë kanë me dhunë kanë sjellë në trupat tonë deri kemi dalë prej konviktit. Bile bile unë kaniherë… unë i kom lind katër fëmijë se nuk fola për fëmitë e mi.
Anita Susuri: Vjen koha.
Bahrie Kastrati Besimi: Eh vjen koha. Më kanë rrehë edhe vija-vija e kom pasë shpinën. Me ato pendrekat janë kur ta mshon niherë ajo zgjatët edhe thjeshtë oshtʼ si lloj gome e cila është shumë e randë. Është me rëndësi ideologjia. Kur ki ideologji të pastërt edhe sidomos pas leximit, pas këshillave, pas gjitha atyne që kemi pasë paraprakisht nuk e ndjen dhimbjen, nuk tʼdhem si tʼthem. Je qaq e fortë që edhe kumeditë çka me ndodhë nuk munësh me thanë që po mʼdhem. Hiç. Ideali është ma i fortë se dhimbja. Ideali është shumë, shumë… ideologjia do të thotë e ngulitun në kokë është ma e fuqishme se dhimbja shpirtërore e dhimbja fizike në trup. Kështu që…
Anita Susuri: Këto fletushka që i keni shpërnda, ku i keni shkru? Qysh i keni shkru?
Bahrie Kastrati Besimi: Mʼi kanë pru të shkrune. Kjo do të thotë… e këta unë e di që iniciatori kryesor që ka pasë lidhje me jashtë, janë shkru në Zvicërr, janë shkru në Gjermani, do të thotë janë bartë ato dorë mas dore. Po të gjitha mʼi ka pru daja, daja Agim me shoktë e tij që tash emrat sʼpo më kujtohen. Avdyl Krasniqi baba i Xhevës edhe Kadriu. Ka ndodhë edhe Kadriu që mʼi ka pru edhe ia kemi kthy.
Na veç i kemi lexu. Për shembull ka thanë, “Lexoni”. Se revistat kanë qenë disa faqe jo të mdhaja. “Liria” për shembull, “Zëri i Popullit”, “Kushtrimi”. Ato nuk kanë pasë shumë fletë. Ka thanë, “I keni 24 orë ose 48 orë mʼi lexu se duhet mʼi kthy”. Na pa i lexu deri në fund kemi nejtë ka ndodhë deri në mëngjes. Deri në mëngjes që i kemi afru në shtrat dhe i kemi lexu.
Oshtʼ interesant, se ma herët nuk thashë, Xheva u kanë, unë motra ni kohë po mandej motra nuk e fitoj kushtin edhe ni shoqe e jemja, sʼo me rëndësi emri. Njerëzit që kanë pasë benefite prej pushtetit dhe që kanë pasë kushtet e mira e kanë dëgju gjuhën, kangtë serbe. Gjithmonë mʼka pengu mu edhe Xhevës. Ka ndodhë shpesh herë kur ka dalë jashtë shoqja jonë, se bashkë jemi kanë, Xheva e ka ndrru programin e ka qitʼ radio Tiranën. Normal që kemi pasë nganjëherë fërkime. Po thjeshtë jeta që thuhet oshtʼ interes nʼatë kuptimin në thojza logjik.
Qikjo shoqja jem gjithmonë… unë shumë jom kanë e lidhun për babën. Me kalu ni muj, dy muj mos me pa, mos me shku çmendesha. Sʼkishim të holla shumë. I planifikojshim për ushqim, për naj libër, për gjana elementare. Ajo ka ndodhë ma ka pagu biletën shpesh herë prej Prizrenit, prej Prishtinës deri në Prizren. Jom falënderuese që ma ka pagu biletën se i ka pasë kushtet. Babën e ka pasë drejtor, i ka pasë kushtet shumë ma të mira me ish sistemin. Asaj nuk i bënte përshtypje edhe asniherë nuk kom guxu me ia dhanë literaturën me lexu.
Në mënyrë ideologjike nuk jemi kanë të njejtës vijë. Unë jom kanë me ideologji me Xhevën krejt tjetër, ajo ka qenë ideologji… se i ka pasë të gjitha. Ideologjia është shumë e çuditshme edhe ndoshta ndikojnë edhe tʼmirat materiale edhe gjendja ekonomike tʼshtyn edhe mendjen me mendu ndryshe. Thjeshtë ata që janë kanë tʼpunësun në kohën e ish pushtetit normalisht që sʼju ka pengu edhe kanë jetu. Mirëpo na, unë për shembull, as baba as nana në punë analfabet, fëmi shumë, varfëri shumë na kemi pasë ideologji gjithqysh me mujtë me përfitu diçka me ba në të gjitha format e mundshme.
Vërtetë ia kemi arritë se po tʼmos kish pasë njerëz që janë me ideologji ndryshimet nuk bahen, revolucionet nuk bahen. Pa sakrificë nuk vijnë tʼmirat. Duhet me sakrifiku për me prish diçka, me rregullu. Kështu që edhe unë nuk jom apsolutisht nuk pendohem krejt ato çka kom ba. Veç që thjeshtë mʼdhimet prindi jem që ndoshta i kom shkaktu thjeshtë lëndim në atë shpirtëror se ai nashta, jo nashta, po u frikësu që, “A bre babë nuk do ta krysh fakultetin. Do të ndodhin gjana të këqija tash”. Vërtetë mas protestave fillun sanksionet, fillun gjanat e këqija ndaj meje.
Në korrik, me 11 korrik 1981 erdhën e rrethun shpijen edhe policia erdh me më arrestu. Na ishim, unë e motra ishim, ora u kanë 07:00 e mëngjesit, mos ma herët. Në përfundim jemi kanë. Në 06:00 ia kemi nisë po në 07:00 kur kanë ardhë ata herët. Tʼu e fillu atë pëlhurën thuhet me marrë nëpër liqe e nëpër shpate ato fijet. Njana andej, njana këndej. Bam, bam {onomotope} nʼderë po troket. Erdh ni kojshi hyni i pari, baba e çeli derën. “O Baca Rexhë, kanë ardhë policia”, “Ani bre babë mirë se vijnë. Çka ka të re?” “Ku i ki studentët?” Tha, “Qe ku janë studentët tʼu punu”.
Kanë ardhë deri nʼballkon. Vera ishte, në korrik, dritarja çelë. Baba si sot mʼkujtohet, “Oj Bahrie, hajde bre me babën se po tʼthirrin policia”, “Po babë”. Unë u çova prej atyhit. Isha me ni blluzë me krah të shkurtë edhe me pantolla, farmerka si sot mʼkujtohet. Tha nana, “Oʼ pashë zotin vishe ni xhemper”. E kish kapë ni xhemper në dorë ma ofron. Pika e verës xhemper me vesh të dimrit. “Për çka moj nanë me veshë?” “Veshe moj nanë”. Ajo qëllimi i asaj mʼu mbrojtë. Nëse mʼrrehin me mʼdhimtë ma pak. Po mʼthotë, “Veshi ni parë pixhame nër farmerka”, “Jo moj nanë se sʼmuj mʼi veshë se nxehtë”. E ngova. Ma prejti mendja i vesha ato. Ata më morën.
Tʼu dalë… mʼi lidhën durtë. Tʼu dalë te dera e oborrit ish kanë edhe ni shqiptar në mesin e serbëve. “O mixhë”, baba me shtagë po ecë, sʼpo folë kurgjo, e dhezi ni cigare. “O mixhë veç kemi me pytë diçka”, a din, nuk kemi, nuk oshtʼ kumeditë çka. “O djal i mirë”, baba i tha, “ngo knej. A pʼe sheh Sfilenin?” Sfileni oshtʼ maja ma e lartë, bjeshka mbi Prizren. “Ishalla çika jem ka bo sa Sfileni diçka tʼmadhe për shtetin e vet, për venin e vet. Nuk oshtʼ problem o djalë i mirë. Hajt me babën”. Unë tash po hy. Ato xhipat janë kanë tʼzi, nʼkerr.
Unë po i thom, “Babë mos u mërzit, liri popullit vdekje fashizmit”. E kemi pasë atë shprehjen që jemi, qashtu jemi përshëndet. Ai ma uli dorën polici. Unë qishtu dy durtë e lidhta {tregon duart e lidhura të ngritura lartë}. Tha, “Ulu”. Foli serbisht, “Mos lëviz”. Më morën dhe me çun me ni dhomë tʼvogël, shumë tʼvogël. Ni tavolinë e vogël, ni laps, ni letër. “Merre”, tha, “shkruj çka ke ba me 11 mars”. Unë e shtyjta lapsin edhe letrën thashë, “Kurgjo sʼkom bo. Çka kom bo?” “Çka ke bo me 11 mars edhe me kond je kanë edhe kush i ka organizu protestat?” Demostrata atëherë, protesta sʼju kanë thanë, demostrata.
Thashë, “Unë jom studente”, “Shkruj”. “Jo, jo”, thashë, “sʼkom çka me shkru. Unë jam studente dhe unë normal që jom ushqy nʼatë mensë ku janë ushqy krejt studentat. Unë kom qëllu…” se tash u dufke… neve na këshillojshin Avdyli, baba, “Duhet me ditë babo mʼu mbrojtë edhe kur je nʼsituata tʼpalakmueshme nuk duhet me thanë që po valla kom bo qishtu, qishtu, qishtu”. Se na kemi ditë edhe unë edhe Kadriu edhe krejt jemi taku, kemi bisedu që mos tʼndodhë me qitʼ njani tjetrin. Sadoqoftë tortura ose çka do qoftë që ndodhë mos me thanë që po u kanë ky, e ky, e ky. Vërtetë asnjë pikë në fletore në qatʼ fletë sʼe kom ba, asni fjalë sʼe kom shkru.
Më kanë lidh për radiatori. “Kena me tʼmytë ma mirë kape shkruje çka ke ba edhe kush u kanë aty”, “Ju mundeni me më mytë, mundeni me mʼba çka tʼdoni po me më frikësu sʼmuni. Po jom kanë në mensë, qatʼ ditë kom qëllu”, “Shkruje”, “Qe po ju kallxoj me gojë”. Jom kanë shumë e vendosun edhe vërtetë nuk kom shkru kurgjo. Vërtetë nuk kom dashtë asni fjalë… “Po thotë Kadriu, po thotë Bajrami”, po thotë ky, “që ti ia ke nisë”, “Jo sʼoshtʼ e vërtetë”. Se u dashke me thanë në qatʼ formë për mos me ra do të thotë me fillu gjanat tjera. Mʼkanë majtë qashtu 48 orë tʼu folë.
Tʼnjejtën ditë i kishin arrestu krejt. Mu në mëngjes Kadrijen në 11:00 të ditës. A din, i kanë rretheku tʼgjitha edhe këta tjertë vendet e tyne ku janë kanë se ishin pushimet. Zakonisht në pushime sʼka as ligjerata në fakultet, provimet në qershor, në korrik. Gjatë kohës kur kom qenë paraburgim ka punu ni kusheri i largët i babës ka qenë edhe ai i shkollun me shkollë tʼlartë Azem Kastrati. Paskan studiu bashkë me ish komandantin e policisë të Rajonit të Prizrenit nifarʼ Krasniqi. Qysh e patʼ emrin, nuk po mʼkujtohet emri.
I thotë, “Kusherina jote oshtʼ tʼu folë”, po bon, “Jo bre ajo oshtʼ e dy prindërve fukara, i ka çu menzi në shkollë sʼmunet me thanë diçka”. Ky i thotë dëgjo, “Unë po ju thom lëshone”, Sadriu i thotë atij, “se sʼka kurgjo prej atyne, sʼkanë lidhje”. Ai u mundu për hir se baba vërtetë ka qenë i zoti edhe e ka kuptu edhe ai i shkollun si mashkull. Çka bon? Mas 48 orëve… edhe Kadriu nuk foli edhe Bajrami edhe tʼgjithë asnjani nuk ma përmendin emrin mu për me thanë që ka qenë, ka ba kështu, jo. “Aty ka pasë me mijëra studenta nuk e dijmë që ka qenë femër ajo që e ka hudh pjatën”. Thjeshtë duke ju falënderu të gjithë grupit që kanë qenë mas meje që i kom dëgju që do tʼfillojmë demostratën sonte.
Unë kom pasë fatin… po flas mos mos tʼkisha lexu librin ʻDo të jetojmë ndrysheʼ që ka qenë krejt fund e kry me demostrata qysh duhet me fillu, qysh duhet me brohorit, çka duhet me ba. Unë ndoshta nuk kisha ditë me vepru qato veprime që i kom ndërmarrë atë ditë me 11 mars. Faktikisht mu mas 48 ore mʼlirojnë. Më përcjellin normalisht me kond po kontaktoj çka po boj se qashtu i ka pasë taktikat ish pushteti. Kadriun e dënojnë dhjetë vjet, Bajramin, Jonuzin, Ramadanin tʼgjithë do të thotë. Ali Lajçi gjithashtu ai edhe ma shumë. Tʼgjithë dënohen unë pshtoj me qata duke iu falënderu kusherinit tʼlargët të babës edhe thjeshtë gadishmërisë të atij komandantit që ai ka dhanë urdhër me liru ose me vazhdu.
Lirohna po edhe masi tʼlirohna fillojnë mandej… kom qenë bursiste e ni organizate e fijeve sintetike në Prizren për hir tʼkushteve… në të njejtën kohë unë i kom regjistru dy fakulteta, se tash po mʼkujtohet, juridikun edhe pedagogjinë. Me qëllim për me marrë… atëherë studentave ju kanë dhanë pa dallim kredi, bursa gjithë studentave. Interesant u kanë. Shkollimi do të thotë shumë i favorshëm. Jo shumë po ke mujtë minimalisht. Se na dyjat ishim, edhe na edhe motrat tʼnjejtën kohë. Fillon akuza nʼfakultet.
Ma dërgojnë ni letër në shpi për mʼu përgjigj disa pyetje. Qikjo organizata që e kisha fitu bursën thojnë që duhet mʼu përgjegjë. Shumë pytje. Pytje jo tʼmira, logjike po pytje provokuese në atë aspektin se çka je, qysh je. Tash sʼmë kujtohet saktësisht. Çka boj une? E marrë edhe e shkruj qe bile ktu shihet propozim akuza, Fakulteti Juridik. E kom rujtë, krejt rastësi është që oshtʼ rujtë prej luftës. Gjyqi disiplinor për student në bazë të nenit 45 alinia dy pika tre, a muj me lexu?
Anita Susuri: Po, po.
Bahrie Kastrati Besimi: Dhe {lexon} sipas nenit 431. të ligjit të procedurës penale lidhur me nenin 112. të statusit të Fakultetit Juridik në Prishtinë parashtroj këtë propozim akuzë kundër Bahrie Kastrati e
lindur me 05.03.1960 fshatin Turjakë komuna e Rahovecit me vendbanim të përhershëm në Prizren rruga Brahim Rexha numër gjashtë. Studente e vitit të tretë të Fakultetit Juridik për shkak se… në shkresën, qitʼ shkresën e progresit, indsutrisë së filamenteve sintetike në Prizren numër 21/81 të datës 27 prill 1981 prej nga edhe nga marrë bursë e me të cilën shkresë kjo ndërmarrje pas shpërthimit të demostratave të marsit dhe prillit të vitit 1981 ka kërkuar disa shënime nga e akuzuara. Është eksponuar në pikëpamje nacionaliste duke u përgjegjur në shkresë kështu si vijon. Unë tash qysh jam përgjegjë.
Sʼështë me rëndësi se ku kam banu. Se aty mʼkanë thanë ku ke banu gjatë… unë ju kom përgjegjë sʼështë me rëndësi ku kam banu as që dua tʼjem anëtare e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë pikëçuditëse. Deklarata ime për përkatësinë kombëtare gjatë regjimistrimit është dhe do të mbetet gjithmonë shqiptare, tri pikëçuditëse. Qysh i kom shkru unë me dorëshkrim e këta e kanë shkru njejtë. Sa i përket bursës nuk keni të drejtë për tʼma ndalur edhe nëse nuk i dërgojmë shënimet që i keni kërku. Domethanë tash edhe po përgjigjna, sʼkeni të drejtë me ma ndalë bursen.
Me çka ka kry deliktin disiplinor nga neni 101 alinea nji pika tre të statutit të Fakultetit Juridik në Prishtinë. Për këtë propozoj që pranë këtij gjyqi të caktohet seanca e shqyrtimit kryesor të cilën të ftohet prokurori disiplinor për student, e akuzuara Bahrie Kastrati ndërsa të ushtrohet shiqimi në shkresën… qatʼ shkresën çka kom shkru unë me përmbajtje sipas atyne nacionaliste, me 17.04.ʼ81. Të cilën kjo ndërmarrje ia ka dërguar të akuzuares. Të ushtrohet shiqimi i shkresës numër katër, 218 e organit të vetëqeverisjes së ndërmarrjes në fjalë në të cilën është marrë vendim mbi ndërprerjen e bursës.
Domethanë ma kanë ndërpre bursen. Ndaj të akuzuarës si dhe të ushtrohet shiqimi në shkresën e komisionit për MPB-në, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vetëqeverisjes shoqërore të kësaj ndërmarrje të datës 27 prill 1981 dhe në shkresën përkatësisht në foto. Pas përfundimit të shqyrtimit kryesor dhe nxjerrjes së provave e propozuara si dhe provat e tjera të nevojshme e pandehura të shpallet fajtore dhe tʼi shqiptohet masa e paraparë sipas nenit 98. alinea dy pika ni dhe dy e statutit të këtij fakulteti. Prokurori disiplinor për student të Fakultetit Juridik Rexhep Murati, asistent u kanë ky profesori. Ky e ka ba akuzën.
Gjyqi disciplinor me aktgjykim në bazë të dispozitave të statutit thotë, e akuzuara Bahrie Kastrati, se sʼpo lexohet, e lindur me 5 mars 1960 në fshatin Turjakë, Komuna e Rahovecit me vendbanim të përhershëm në Prizren rrugën Brahim Rexha është fajtore sepse në shkresën e progresit, qito që i lexova domethanë çka kom thanë nuk du mʼu bo anëtare e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Mos me lexu, mos me ju hupë kohë edhe për juve. Mʼlargojnë mos me regjistru semestrin tri vite, mos me pasë të drejtë. Unë këto muj me ju dhanë si forma nëse ju nevojiten.
Tash kur më largojnë, gjatë qitij procesi disiplinor në fakultet si anëtarë të komisionit ka qenë edhe i ndjeri tash Bardhyl Çaushi, profesori i të drejtës romake në Gjakovë. Unë folsha hala ma ashpër sesa
që kom shkru në letrën sepse isha në fakultet. Ai po mʼkqyrë se ishin edhe ata që ishin me pushtetin të lidhur. Nuk kish mundësi. Po mʼi hapë sytë, po mʼkqyrë. Nifarʼ forme me kuptu që sʼbon kështu. Unë hiç nuk kom pasë kurfarʼ ndrojte po gjithmonë me atë guximin tem qysh e kom pasë si fëmi edhe e rritun si studente. Realisht kanë vendosë me mʼlargu mos me pasë të drejtë me hy në provime.
Kur u kry e ka çu ni student, masi u kryn, tha, “Dil jashtë po të thirrë profesori Bardhyl”, ka thanë, “hajde në katin e gjashtë”. Si sot mʼkujtohet në fakultet në kabinet. Thashë pse po mʼthirrë. Kur shkova tha, “Dëgjo”, tha, “Bahrie. Çka tʼpunojnë prindët?” “Sʼpunojnë kurgja, analfabetë janë”, “Sa fëmi jeni?” “Nantë gjallë ni vëlla na ka vdekë”, “A pʼe din çfarë randësie ka shkollimi yt?” “Po e di”, thashë, “baba na ka leju që asni femën nuk është e mahallës as e fshatit tonë në shkollë përveç neve dy motrave”. Tha, “Ti”, tha, “edhe pse tʼkom shiku disa herë po me hi në secilin provim. Me mësu ma shumë sesa që ke mësu deri tash. Nëse eventualisht ndodhë të thotë ndonjë profesor sʼki tʼdrejtë me hy dil jashtë mos reago edhe hajde tregom”.
Thjeshtë që ka dashtë me mbrojtë interesin tem. Se tri vjet nëse nuk isha shku në fakultet çka kish ndodhë, isha martu najkund edhe isha stopu. Secilin provim krejt i kom dhanë. Sociologji kemi pasë, provimi i sociologjisë na ka dhanë ni profesor plak. E murʼ atë regjistrin po e kqyrë me syza edhe tha, “Ti”, tha… para studentave salla ishte plot. Përpara hishim në sallë i merrshim pytjet, tri pytje, e merrshe tiketën i kishe pytjet jo me tʼpytë pytje përgjigje. Çka bon ky i sociologjisë e sheh emrin tem aty. Tha, “Ti sʼke pasë të drejtë”, tha, “me hi me paraqit provimin”.
Unë sʼpo boj za, e dita tash thashë kumeditë çka ndodhë me mu se e re, të isha kanë sot kisha ditë qysh me reagu po atëherë… veç kah 100 parë lot po më pikin. Më tha, “Dil përjashta po prit niherë. Ju kthy studentave”, tha, “dëgjoni knej. Kjo”, tha, “e vjedhë shtetin, kjo e prishë shtetin, kjo e shkatërron shtetin”, tha, “sʼka pasë tʼdrejtë me hi në provim e ka paraqit provimin. Kjo”, tha, “oshtʼ ajo që ka dashtë me prishë Jugosllavinë”. Mu edhe ma shumë. Kur mʼtha, “Dil”, unë po dridhna. Dola jashtë drejt te profesori Bardhyli. Nuk ish kanë aty po pres te dera, erdh.
Thashë, “Profesori i sociologjisë ma murr indeksin mʼtha ty duhet me tʼpërjashtu krejt, jo mos me hi po krejt duhet me të hjekë prej fakultetit. Qishtu mʼka thanë”, “Dëgjo”, tha, “a ka afat me të pytë?” “Po”, thashë, “edhe tri-katër ditë shumë studenta jemi”. Tha, “Nesër jo, masnesër në mëngjes para se me ardhë profesori ti presësh te dera. Kur hin ai thuj, ʻMirëmëngjes kërkoj falje profesorʼ, qikaq thuj”. Qysh mʼi thanë tash përpara sʼkemi pasë atë afërsinë profesor student.
Po mʼtha qishtu, shkova. Tha, “As mos ia lyp indeksin as kurgjo mos reago. Hyn rri aty nëse duhesh me dëgju. Herën tjetër qitʼ landë pytësh vullnetarisht po kur pytë asistenti jo ky”. Asistenti u kanë tjetër. Asistentja e tina. Rektor bile u kanë. Qysh e patʼ emrin asistenti? Tash sʼpo mʼkujtohet. Tash nuk po mʼkujtohet…
Anita Susuri: Ibrahimi?
Bahrie Kastrati Besimi: Jo, jo. Ky Sadiku, Sadiku mbiemrin ka qenë edhe rektor në juridik.
Anita Susuri: Aha në juridik.
Bahrie Kastrati Besimi: Në juridik, në juridik. Herën tjetër unë, afatin tjetër tha, “Unë e marrë indeksin”. E kish marrë indeksin mas ni studenti ma ka pru në ligjeratë. Se shkojshim në ligjerata të vitit të tretë e të katërt kur ke edhe ma ka dhanë. Unë jom pytë mandej vullnetarisht te asistenti edhe e kom marrë notën shtatë. U gëzova tepër. Po i kallxova babës që qishtu, se sʼmujsha mos mʼi tregu. “A tʼkom thanë”, tha, “që nuk o mirë bre babë”, “A”, thojsha, “babë ti ke thanë unë po pajtohna me ty po unë nuk muj mʼu nda prej krejtve. Tanë jemi ni fjalë”, “Po bre babë po nuk e dini kush oshtʼ Serbia”. Shumë shpesh e ka përmend fjalën që se dini kush oshtʼ Serbia.
E roli edhe i Bacit Sadri që ka qenë… më përjashtun tani edhe prej konviktit, se harrova. Më përjashtojnë prej konviktit, më përjashtun prej fakultetit ngela as anej as anej. Daja Agim edhe Baca Sadri ma gjetën ni banesë afër fakultetit edhe bile bile tha, “Ka ndiku…” se sʼkishim. Dy studente, anej fëmitë, baba pa punë. Qysh me ia ba? Bursën ma nalën, sʼkisha kah. Ata ma kanë pagu qiranë për ni kohë. Mandej mas ksaj krejt çka ndodhi i kreva provimet nʼafat, e kreva edhe atë provim.
Tjertë profesorë nuk më kanë evidentu me thanë ti sʼke tʼdrejtë me hy sepse edhe profesorët tanë janë kanë në hall. Normal që i kanë pasë procedurat kush e respekton ish regjimin e kush jo. Ka pasë profesor që kanë punu edhe masi janë ba protestat. Ni pjesë vitet e ʻ90-ta mandej vonë që i kanë largu, ni pjesë ka qëndru ka punu. Ni pjesë ka punu në shkolla shpija, shpijat shkollë.