Sinagoga në Prishtinë e quajtur “Havra-Sinagoga”, ishte ndërtuar në fund të shekullit XIX, dhe kishte qenë e vendosur në pjesën jugperëndimore të Çarshisë. Ajo ishte përdorur nga komuniteti hebre për ritualet e së shtunës, që ndryshe njihen si Shabbat. Hebrenjtë që jetonin në Prishtinë ishin pronarë të shumë dyqaneve dhe shtëpive që ishin të rreshtuara përgjatë rrugës “Divan Yoli”, sot rruga “UÇK”. Në vitin 1960, ky objekt u bart në oborrin e shtëpisë së Eminxhikëve dhe është ndërtesa e fundit e mbetur nga Çarshia e Vjetër. Në mënyrë që të prezervohej pamja autentike e sinagogës, thuhet se kur është zhvendosur, çdo gurë i objekitit ka pasur një numër rendor që ka shërbyer si udhëzues për të rikonstruktuar atë në oborrin e Eminxhikëve. Sot është nën administrimin e Muzeut të Kosovës dhe gjithashtu strehon Qendrën për Art Bashkëkohor – Stacion.