Kompleksi i Eminxhikut

I vendosur në pjesën e vjetër të qytetit, Kompleksi Eminxhiku është një ndër të rrallët që ka ruajtur pamjen origjinale. Kompleksi Eminxhiku akomodon dy shtëpi, njëra e ndërtuar në shekullin  XVIII-të kurse tjetra gjatë shekullit të XIX-të. Shtëpia e vogël në të majtë të oborrit përbëhet nga dy hyrje: njëra të shpien tek dhoma e zjarrit, kurse tjetra tek oda e mysafirëve. Ndërsa në anën e djathtë është shtëpia e madhe e cila përbëhet nga hajati dhe gjashtë dhoma me dy korridore. Çfarë i karakterizon shtëpitë e kësaj kohe janë hamamicik, apo hamamet e vogla të cilat shërbenin për higjienën e anëtarëve të familjes. Në fillim të oborrit është bartur struktura e sinagogës së qytetit, mirëpo sot nuk e ka atë funksion. Në vitin 1959, në kohën e Rankoviqit, familja e Eminxhikëve është shpërngulur në Turqi, kurse që nga viti 2006 këto dy shtëpi u shndërruan në Muze Etnologjik.