Ndërtesa që strehon Ministrinë e Shëndetësisë sot, dikur ishte klinika e vetme në Prishtinë dhe shërbeu si e tillë deri në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Me vendndodhje në lagjën Arbëria [Dragodan], e cila asokohe konsideohej periferia e qytetit të vjetër të Prishtinës, klinika ishte ndërtuar nga administrata osmane dhe u shërbente qytetarëve me kapacitetin e saj prej tetëdhjetë shtretërve. Mjekët me nam të asaj kohe, Dr. Tefiku dhe Dr. Pantelić kanë punuar në klinikë gjatë periudhës mes dy luftërave, në kushte shumë të vështira dhe me një staf të kufizuar. Kohë kjo, kur qyteti ishte kapluar nga sëmundje të rënda si tuberkuloza, hepatiti, tifo dhe kolla e keqe.