Galeria e shpirtërave: ku zhduket historia?

Nga Shqipe Malushi

Galeria e shpirtërave: ku zhduket historia?

Një mëngjes të hershëm me 30 Gusht 2014, zhurma e makinerive të punësuara, trazuan qetësinë dhe heshtjen e qytetarëve të posazgjuar të Gjakovës. “Çfarë po ndodhë?” pyetën ata, duke vrapuar jashtë shtëpive të tyre për të parë se ç’po ndodhte. Për çudi, shtëpia e Sylejman Beg Kryeziut, në qendër të qytetit, ishte duke u rrënuar, pa asnjë paralajmërim ose spjegim.

Përse kjo shtëpi është aq e rëndësishme që Komuna e Gjakovës duhet ta rrënojë, për ta ndërtuar një park në qytet? “Kjo shtëpi nuk i takon askujt, nuk ka asnjë përdorim dhe asnjë qellim,” thanë zyrtarët e pushtetit të ri demokratik të Gjakovës përmes rrjetit social. “S’ka askush që ta deklarojë këtë pronësi,” thanë ata.

Mirëpo, kjo shtëpi e ka një histori të gjatë. Qëndroj aty për gjenerata të tëra si një galeri e shpirtërave të heshtur, duke dëshmuar padrejtësi, e padrejtësi të drejtuara ndaj familjes Kryeziu dhe popullit të Gjakovës. Kjo shtëpi i takonte gjyshit tim Sylejman Beg Kryeziut.

Sylejman Beg Kryeziu ishte i vetmi djalë i stërgjyshit tim Myrteza Beg Jakova Kryeziut. I lindur në Gjakovë me 1893 dhe vdiq me 1961 në qytetin Izmir të Turqisë. Kush ishte gjyshi im të cilin unë kurrë nuk e takova?

Ai i takonte njërës nga familjet më patriotike të cilët ishin të inkuardruar në çështjen e pavarësisë së popullit shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri. Unë vetëm mund të rrefej ca tregime që i kam dëgjuar nga nana ime dhe tezet e mija për njeriun me zemër luani, për butësinë dhe bujarinë e njeriut modest. Ashtu siç e përshkruan nëna ime, ai posedonte kualitete të papara deri atëhere. Ai i ndihmonte të rrinjtë që të edukoheshin; ju ofronte ndihma atyre që kishin nevojë; krijonte punësim për ata që kërkonin; i përkrahte mësuesit dhe kishte një vizion të madh për lirinë, ku të gjithë njerëzit jetonin në bashkësi, unitet, paqe dhe harmoni, ku të gjitha kërkesat janë të plotësuara.

“Ishte shum i pashëm,” thoshte nëna ime, “kur ai ecte në rrugë i përshëndeste të gjithë, dhe dukej sikur mbret.” Ajo e kujton se si ai u martua me gjyshën time, “Ajo ishte vetëm 15 vjeç. Ishte e rritur nga halla, pasi i kishte vdekur nëna. Asaj i’a kishin rekomenduar babain tim, dhe ai, i veshur mirë, kaloi kah shtëpia e saj duke e mbajtur një lule në dorë. Ajo e shikoi nga dritarja dhe duke e parë sa i pashëm që ishte, vendosi të martohej me të. Kur asaj i vdiq halla, ajo e trashëgoi të gjithë pasurinë e saj. Ata ishin të pasur”.

Sylejman Beg Kryeziu, ishte kryetar i Gjakovës dhe deputet në Parlamentin e Mbretërisë jugosllave nga viti 1925 deri me 1941. Me 1937 ishte nënkryetar i pushtetit administrues regjional të Shkupit në Maqedoni. Ndërsa, nga viti 1941 deri me 1943, ishte vetëm kryetar i Gjakovës. Ai ishte kryetar i Gjakovës për 18 vite me radhë, por asnjë dokumentacion nuk mund të gjindet askund për shërbimin e tij. Si mundet kjo histori të zhduket?

Policia e konsideronte Sylejman Beg Kryeziun të rrezikshëm, ata e konsideronin atë si agjent italian, pa marë parasysh, që ai ishte deputet i Parlamentit të Mbretërise Jugosllave. Më vonë udhëheqësit komunistë të Jugosllavisë menduan se babgjyshi im kishte lidhje me rebelet të quajtur “Ballistat” [Balli Kombëtar].

Duke e marë parasysh këtë çështje, komandanti i Divizionit për Lëvizjen Nacional Çlirimtare, propozoi që të gjithë udhëheqësit, drejtorët, kryetarët shqiptarë të hiqen nga pozitat e larta dhe të zëvendësohen me nacionalistët e besueshëm serbë. Pra, pas luftës, filloi procesi i spastrimit të Shqiptarëve. Edhe pse fashistet italianë kishin okupuar Gjakovën, në atë kohe ishte gati në mode që udhëheqësit e rankut të lartë të ishin bashkëpuntorë me okupuesit. Gjyshi im nuk ishte agjent i askujt, ai e mbronte komunën dhe popullin e tij.

Në çdo takim me autoritetet okupuese italiane gjyshi im vishej me tesha kombëtare, vetëm pse dëshironte të theksonte identitetin e tij kombëtar gjersa ishte duke i shqyrtuar urdhërat e okupuesve për ta mbrojtur popullin e vetë.

Me 1944, pasi që italianët e lëshuan Gjakovën, erdhën nazistët gjermanë. Më kujtohet tregimi nga qarqet familjare, “Një natë të gjithë ishim të ulur brenda në shtëpi, dyert e drurit ishin të mbyllura. Baba nuk ishte në shtëpi atë mbrëmje kur u dëgjua një trokitje në derë. Kur nëna shkoi për ta hapë derën, policia naziste SS, e udhëhequr nga Xhafer Deva [Një bashkëpunëtor i nazistëve] hyri brenda, duke e kërkuar babain tim. Ata kërkuan çdo vend, poshtë dhe lartë, gjersa buka ishte duke u pjekur në saq jashtë në kopsht. Nje mace e frikësuar kërceu mbi saq dhe policia u kthye dhe e vrau macën. Ne femijët ishim shumë të frikësuar.”

Gjersa unë e shkruaj këtë tregim nëna ime thotë, “ata vinin shpesh naten duke kërkuar diçka. Neve na rreshtonin përballë murit dhe i drejtonin armët kah ne. Mua me dridheshin këmbët. Ata zakonisht vrisnin gjatë ditëve të pazarit. I varnin njerëzit qe ti shihnin të tjerët, vetëm e vetëm për të na frikësuar.”

Një kujtim tjetër është që një ditë agjentët nazistë, në krye me Xhafer Devën, u kthyen në shtëpinë e gjyshit tim dhe e pyetën atë, “na trego se cilët janë komunistët në qytetin tënd? Na i jep emrat e tyre?” “Ne nuk kemi komunistë në qytetin tonë,” ishte përgjegja e gjyshit. Ata i thanë atij më mirë të mendoj dy herë para se ta refuzonte bashkëpunimin, sepse mund t’i kushtonte me jetë. Dhe pastaj shkuan. Kur u kthye në shtëpi gjyshja e kishte pyetur “Çka ndodhi?” Ai i kishte thënë asaj se çka i kishin thënë gjermanët dhe çfarë qe përgjegjja e tij. “Oh Zot, çfarë paske bërë?” kishte thënë ajo. “Ata do të të persekutojnë.” “Si mund t’ua jap emrat e tyre kur gati e gjithë rinia është kundër okupimit, ata as nuk e dijnë domethënien e komunizmit, t’i dorëzoj ata do të thotë t’i dorëzoj fëmijët e mi”, ishte përgjegjur ai.

Dajët e mi e kishin një makinë shkrimi të miqve të tyre që e përdornin për të shtypur pamflete kundër okupimit. Gjyshja ime, Emine Polloshka Kryeziu, e kishte marrë atë makinë gjatë një nate kur të gjithë ishin duke fjetur, e kishte hapur një gropë në fushë, e kishte futur aty makinën dhe e kishte mbuluar me pleh të shtazëve.

Ditën tjetër, kur Policia SS Gjermane u kthye për ta bastisur shtëpinë dhe pyetën për makinë, gjyshja u përgjigj, “Ne s’kemi asnjë makinë shkrimi, fëmijët e kanë futur në dhe, ka kohë.” Policia pastaj kërkoi nga ajo t’iu tregoj vendin se ku e kishin futur makinën e shkrimit. Ajo i solli tek vendi në fushë dhe ata filluan të groponin për ta zbuluar makinën e shkrimit. Gjyshja tregonte, “I gjithë trupi më dridhej nga frika sepse, nëse do ta gjenin, ata do ta vrisnin tërë familjen time. Por çka gjetën ata ishte një makinë e vjetër, e ndryshkur që ishte shkatërruar brenda natës.” Ata e kishin lënë atë atje dhe nuk kishin arritur të gjejnë atë çfarë kërkonin.

Emine Pollosha Kryeziu, gjyshja ime, ishte shume e shpejtë, shume inteligjente, edhe pse jo e edukuar. Ajo gjithmonë e mbronte shpinën e gjyshit dhe gjithnjë tregonte kujdes per mirëqenien e tij. Kur miqtë e babëgjyshit talleshin me të duke i thënë se ai ishte me i pashëm se grueja e tij, përgjigjja e tij ishte: “Grueja ime është e bukur përbrenda dhe është më e zgjuar se të gjithë ju dhe gratë e juaja.”

Gjyshi dhe gjyshja kishin gjashtë fëmijë, tre djemë, Sefidinin, Myrtezanë dhe Mehdinë dhe tri vajza Ifaketin (Ketin), Magbulën dhe Feriallin. Pak para se të vinte në fuqi pushteti i ri komunist, dikush u kishte thënë gjermanëve se gjyshi i kishte mbrojtur komunistët. Ata kishin ardhur dy ditë pas kërkimit të tyre të pa sukseshëm të makinës së shkrimit dhe e kishin marrë me vete pa asnjë shpjegim. Pastaj e kishin dërguar në kampin gjerman në Austri.

Pas luftës, kur erdhi pushteti i ri komunist i Jugosllavisë, e deklaruan gjyshin tim si kriminel lufte. Ai nuk do të guxonte të kthehej në Kosoveë për shkak se do të ekzekutohej sikurse u ekzekutuan dy djemtë e tij. Ne fillim shkoi ne Itali, por atje nuk gjet rehati. Pastaj shkoi në Izmir të Turqisë ku e kishte një mik të mirë, gjithashtu oficer i lartë zotin Prishtina cili e ndihmoi në hapjen e një dyqani, ku ai punoi dhe jetoi deri në fund të jetës së tij, pa e pa kurrë më familjen e vetë. “Edhe komunistët vepruan njësoj si gjermanët”, thotë nëna ime. Ata i dënonin njerëzit e pasur, dëshironin t’u mernin pasurinë. Si fëmijë, ne gjithmonë jemi frikësuar nga çdokush.”

Sefidin Kryeziu, ishte daja im më i madh, i lindur me 1922 në Gjakovë dhe i ekzekutuar nga regjimi i ri i posaardhur në fuqi me 1945. Ai ishte i pafajshëm, i vetmi faj ishte se ishte i biri i babgjyshit tim dhe ky ishte një krim i mjaftueshëm per t’u ekzekutuar në atë kohë. Sefidini ishte student i letërsisë në Universitetin e Beogradit, dhe nuk ishte kurrë i përzier në asnjë aktivitet kundër shtetit. “Ai ishte shumë njeri i dashur” thotë nëna ime. “E murën një ditë dhe pastaj ne më kurrë nuk e pamë.” Gjyshja ime shkonte para dyerve të burgut për çdo ditë, i sillte ushqim dhe pyeste për të. Por ata kurrë nuk i dhanë asnjë përgjegjje. E merrnin ushqimin dhe e përcjellnin atë me fjalë “Ai është mirë dhe do të vijë në shtëpi së shpejti.” Por, ai kurrë nuk u kthye në shtëpi dhe askush nuk dinte kur dhe ku e ekzekutuan. Atë e arrestuan Diten e Vitit te Ri me 1945. Trupi i tij kurrë nuk u gjet gjerë më sot dhe ai nuk ka varr. “Ishte shumë i bukur, oh Zot, e mbytën, e mbytën për asgjë. Sa herë vinte nga Beogradi, gjithmonë na sillte dhurata dhe luante me ne,” thotë nëna ime, gjersa unë e shkruaj tregimin. Gjyshja vazhdoi ta priste kthimin e tij duke i ushqyer rojet e burgut që e gënjenin.

Rradhën tjetër për t’u arrestuar e kishte daja im më i ri, Myrteza Kryeziu. Myrteza Kryeziu ishte i lindur në Gjakovë me 1924 dhe u vra ne fshatin Mulliq, me 1945, nga policia sekrete e punëve të brendshme te pushtetit jugosllav. Edhe ai, sikurse vëllau i tij, ishte arrestuar për krimin që nuk e kishte bërë, dhe e kishin mbajtur në burg të quajtur Kulla e Sheremetit. Pas dy vitesh burgim, burgu ishte thyer dhe të gjithë të burgosurit kishin ikur dhe daja im së bashku me ta.

Dokumentet e gjetura ne arkivat e kushëririt tim Zamfir Kryeziut raportojnë në një monograf mbi Kryezitë e Gjakovës nga Mit’hat Begolli, që thotë se Myrteza Kryeziu ishte armik i popullit dhe anëtar i organizatës tradhtare “Ballistët” që operonte gjatë okupimit të Jugosllavisë. Ballistët vazhduan punën e tyre destruktive edhe pas çlirimit të Kosovës dhe Metohisë. Ata e formuan një organizatë sekrete në Gjakovë, në Shkurt të vitit 1945, e ashtuquajtur Komiteti Kombëtar për Çlirmin e Gjakovës.

Daja im Myrteza ishte mësues i ri dhe nuk ishte inkuadruar kurrë në asnjë aktivitet kundër shtetit. Ai ishte vrarë në fshatin Mulliq duke pirë ujë në një krua jashtë shtëpisë së mikut që e kishte ftuar si mysafir. Një nga fshatarët kishte mbledhur gjithë fshatin dhe i’a kishin djegur shtëpinë e njeriut që e kishte vrarë dajën. Pastaj kishte shkuar te gjyshja dhe i’a kishte kthyer kuletën e dajës me lajmin e vdekjes së djalit të saj. Ishte ky momenti kur gjyshja ime e kuptoi qe i kishte humbur të dy djemtë e saj. Ajo u sëmur nga kanceri dhe pas nëntë muajsh vdiq, duke i lënë fëmijët e saj jetimë.

Regjimi i ri komunist i Jugosllavise e konfiskoi gjithë pasurinë e gjyshit tim, çdo pronë, shtëpi, tokë apo gjëra tjera që ishin në emër të tij; duke i larguar fëmijët e tij në rrugë. Pushteti e shpalli Sylejman Beg Kryeziun “armik të popullit,” duke e shkatrruar evidencen e gjithë punës së tij të mirë që e kishte bërë, i fshehën të gjitha dekoratat, e zhdukën ekzistencën dhe eksperiencën e tij dhe e shpërndanë pronën e tij. Në ndërkohë Tezja e nënës Shyqyrie Tefiku i muar fëmijët në shtëpi të saj.

Tezja ime Ifakete (Keti) Kryeziu Hadri u lind në Gjakovë me 1920. Ajo u martua me Islam Hadrin, qe ishte inxhinieri i parë në Kosovë. Ifaketja ka qenë nuse e re me dy femijë të vegjël, Nedihanë dhe Enverin, kur me 1 Janar 1945, policia komuniste arrestoi burrin dhe vëllaun e saj Sefidinin. Ata e ekzekutuan burrin e saj ne Pejë, me 10 Janar 1945. Ky krim gjithashtu ishte ekzekutuar pa asnjë urdhër apo dënim nga gjyqi. Ky ishte një vendim i pushtetit partizan që ishte themeluar dhe udhëhequr nga serbët. Trupi i tij kurrë nuk u gjet.

Ifaketja vendosi të shkonte në Gjakovë për t’u kujdesur për vëllaun e motrat, nënën time Magbulen që ishte 12 vjeçe, vëllaun 15 vjeçar Mehdinë dhe motrën tetë vjeçe Feriallën. Ata vuanin nga varfëria ekstreme. Pasi që ishin rritur në një komoditet dhe luks, tani ishin të ballafaquar me uritjen. Gjyshi im u dërgonte ndonjëherë pako me ushqim dhe veshmbathje nga Turqia, por ato nuk ishin dhurata te shpeshta. Edhe ai duhej të mbijetonte si emigrant.

Ifaketja u kujdes për motrat dhe vëllaun e saj për shtatë vite me radhë duke i rritur  edhe femijët e vetë, e duke udhëtuar nga Peja në Gjakovë. Ajo shiti gjithë pasurinë e saj personale, gjithë floririn, për të blerë ushqim për femijët ngaqë jetonin në një varfëri dhe frikë konstante, pa asnjë mbrojtje.

Më vonë, Ifaketja emigroi në Bruksel, ku edhe vdiq me 1989, një vit pasi që Policia Sekrete Serbe vrau të birin e saj Enverin, për aktivitetet për lirinë e Kosovës. Vrasësit e tij u zunë dhe u ekstraduan në Serbi vetëm e vetëm që të lirohen menjëherë pas.

Enver Hadri, nipi i Sylejman Beg Kryeziut, dhe i biri i Islam Hadrit, ishte betuar të sjellë në dritë të vërtetën mbi padrejtësinë që i ishte bërë familjes së tij, dhe mbi persekutimin dhe opresionin ndaj popullit të tij. Ai ishte aktivist, organizues i komunitetit, poet, student i arkitekturës, lider dhe diplomat që e prezantonte çështjen e Kosovës në Parlamentin Evropian në Bruksel me vite të tëra. Më kujtohen fjalët e tij që m’i thoshte, “E kemi për detyrë ta qesim të vërtetën e gjyshërve tanë në dritë. Ne nuk mund të lejojmë të na vjedhin identitetin tonë. Ata i vranë familjet tona dhe janë përgjegjës për aktet e tyre. Unë dua të gjej drejtësi”.

Sot Enver Hadri është hero kombëtar dhe busti i tij qëndron me krenari në qendër të Pejës, duke i shikuar fëmijët që lozin të lirë rreth tij. Kur unë e vizitoj Pejën, shpesh ndalem të bisedoj me të. E pyes nëse ai mendon se fëmijët e dijnë se kush është Enver Hadri dhe për çfarë vdiq ai? A do ta kujtojnë ata se si Enveri e kaloi tërë jetën e tij në përpjekje për të luftuar të padrejtën dhe fliste për drejtësinë dhe lirinë për të gjithë.

Vuajtja e Enverit para dhe gjatë luftës e shtynin atë të vazhdonte vetëm me një qëllim, të i’a kthejë dinjitetin emrit të familjes së tij, dhe të rikthejë të vërtetën për gjyshin dhe babain e tij. Unë shpesh i bashkangjitesha në këtë ëndërr, duke ëndërruar që të shkoj në Izmir për të gjetur varrin e gjyshit, per t’ia sjellur eshtrat në Gjakovë dhe për ta rikthyer atë në një kujtim të gjallë. Unë shkova në Izmir, por krejt çka gjeta në arkiva ishte çertifikata e vdekjes së gjyshit. Kurrë nuk i’a gjeta varrin.

Enver Hadri ishte i martuar me Ajshe Kastratin dhe ka lanë pas kater fëmijë, Renoarin, Ilirin, Ilirianën dhe Teutën, të gjithë jetojnë me nanën e tyre në Bruksel.

Nediha Hadri Grapci, e lindur në Pejë me 1944. Ajo është e bija e tezës sime Ifakete Kryeziu Hadri dhe babait Islam Hadri, ajo ishte motra e Enver Hadrit dhe mbesa e Sylejman Beg Kryeziut. Ajo ishte femijë kur e gjithë tragjedia i ndodhi familjes Kryeziu dhe Hadri. Ajo u rrit duke e përcjellur nënën e saj në udhëtimet në mes shtepisë së saj në Pejë dhe shtëpisë jo ekzistuese në Gjakovë. Ajo kreu Shkollen Normale dhe punoi si mësuese peër 40 vjet. Përndryshe, për shkak të historisë së familjes, kurrë nuk e lejuan te punojë në qytete. Pushteti e dërgonte në fshatra të largëta ku ajo punoi me vite. Vetëm në vitet e fundit ajo u kthye të punojë në kryeqytet, në Prishtinë.

Gjatë regjimit të Millosheviçit, kur shteti i ndaloi shkollat shqipe në Kosovë dhe i largoi të gjithë mësuesit dhe edukatorët nga puna, Nedihaja e mori iniciativen të krijojë Sindikaten per të Drejtat e Mësuesëve. Se shpejti ajo u desh të largohej nga Kosova me mijëra Shqipetarë të tjerë, në një eksodus për të shpëtuar nga sulmet e forcave ushtarake serbe. Ajo tani vazhdon çështjen e vëllaut të saj Enver Hadri, duke e promovuar punën e tij. Ajo është e martuar me Feti Grapcin, një specialist të agrokulturës nga Peja. Ata i kanë katër fëmijë Mirlindën, e cila jeton me burrin dhe dy fëmijët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Jetoni, Jehona dhe Vetoni jetojnë në Kosovë.

Magbule Kryeziu Malushi, e lindur me 7 Gusht 1933 ne Gjakovë. Ajo e kujton humbjen e vëllezërve të saj dhe vuajtjen e nënës gjatë rritjes së saj. E gjithe çfarë i ndodhi familjes së saj la një traumë në jetën e nënës sime. Ajo u bë e frikësuar nga çdo tingull, ajo frikësohet edhe nga jehona e fishekzjarreve, ajo është e frikësuar nga njerëzit dhe kurrë nuk gjeti paqe. Kur nëna ime ishte 19 vjeç ajo u martua me babain tim Shefqet Malushin.

Babai im ishte farmacisti i parë shqiptar në Kosovë. Pas katër vitesh të martesës së tyre ai vdiq në moshen 27 vjeçare dhe konsiderohej atëhere vdekje misterioze, duke e lënë nënën time të vejë në moshën 24 vjeçare, me tre femijë të vegjël Shqipen, Aliden, dhe Eduardin.

Nana ime kurrë nuk rreshti së biseduari për babain, nënën, vëllezërit dhe motrat e saj. Ajo gjithnjë me shtynte të kujtoj çdo gjë dhe kurrë mos të harroj atë që i ka ndodhur paraardhsëve tanë që nga Sylejman Beg Kryeziu, njeriut me vizion, qe kishte dinjitet, ishte i mençur dhe kujdesej për popullin e tij. Ai që i dha zë atyre që nuk kishin zë dhe gjithmmonë qëndroi për drejtësi dhe pavarësi. Ajo i rriti fëmijët e vetë si një nënë e vetme dhe e pavarur. Pas vdekjes së babait ajo e kreu shkollimin, u punësua në farmacinë ku babai kishte punuar dhe punoi aty per 39 vjet rresht. Ajo i edukoi femijët e saj, e ndërtoi shtëpinë në Pejë dhe më vone i’u bashkangjitë femijëve të saj që kishin emigruar në Amerikë dhe ku tani jetojnë së bashku.

Mehdi Kryeziu ka lindur në Gjakovë me 1928 dhe ka vdekur me 8 Maj, 2004. Mehdiu ishte nga gjeneratat e para që kishte filluar Normalen ne Kosovë. Ai ishte vetëm fëmijë kur familja e tij ishte shkatërruar, por kur u rritë atë e identifikuan si anëtar të familjes reaksionare. Më vonë, gjatë regjimit të Rankoviçit, Mehdiu u arrestua nën akuzën se mbante armë pa leje. Edhe ky akuzim ishte pa baza, sepse daja im Mehdiu kurrë nuk mbante e as që posedonte armë. Ai ishte njeri i paqes, ishte i përfshirë në sport dhe shumë shpesh i trajnonte të rinjtë në sporte të ndryshme. Ai ishte njeriu i parë zhytës në Gjakovë qe kërceu nga “Ura e Shejtë”. Me këtë i inicoi garat e zhytësve që vazhdojnë deri në këtë ditë.

Ai jetoi një jetë të qetë duke mos u përzier në punët e askujt. Ishte njeri i cili i deshti të gjithë. Ishte i martuar me Servete Batushën, dhe la pas tre femije birin Mustafanë, dhe dy vajzat Dianën dhe Dritën. Të gjithë femijët e dajës Mehdi jetojnë jashtë vendit me shumë fëmijë.

Feriall Kryeziu Zhubi, e lindur në Gjakovë me 1938. Ajo ishte e bija më e vogël e Sylejman Beg Kryeziut, dhe ajo ishte vetem 8 vjeçare kur familja e saj ishte shkatërruar. Ajo e kujton dhembjen e nënës së saj dhe zhdukjen e babait. U martua me Avni Zhubin, i cili gjithashtu ishte një nga gjeneratat e para të farmacistëve shqiptarë në Kosovë.

Ferialli dhe Avniu kishin tre femijë Afërditen, Burimin dhe Mirgjinin. Ata jetonin një jetë të qetë deri me 1998 kur lufta filloi dhe kur Gjakova ishte sulmuar nga paramilitaret serbë agresivisht. Ashtu siç e do fati, ata i arrestuan dy djemtë e Feriallit, Burimin dhe Mirgjinin, pa asnjë arsye apo akuzim, ashtu siç bënë me të gjithë rininë. Historia perseritet prapë, siç i ndodhi edhe vëllezërve të saj. Djemtë e saj u torturuan dhe qëndruan para ekzekutimit të njëjtën ditë kur amerikanët bombarduan Kosovën dhe burgjet. Ata shpëtuan minutën e fundit. Përndryshe, gjersa ishin në burg, paramilitarët e rrahën babain e tyre, burrin e Feriallit, gjer në vdekje. Ai vdiq nga plagët e rënda pa i pa djemtë e tij të liruar.

Pas vdekjes së burrit të saj, gjendja shpirtërore dhe ekonomike e Feriallit u keqësua shumë. Edhe një herë historia e luajti një lojë të padrejtë me jetën e tezës sime Feriallit, duke e bërë atë prapë “jetime” në moshën e vjetër dhe duke i’a përkujtuar asaj çmimin që ajo është dashur ta paguajë, duke i sakrifikuar të dashurit.

Çfarë mund të themi për fatin a familjes sime që dha gjithëçka kishte për të drejtën e të ekzistuarit, për privilegjin e të qenit në rolin e liderëve dhe për të qëndruarit kundër opresionit dhe të padrejtes? A është kjo një komedi e gabimeve para së gjithash? Me të gjitha pushtetet e deritashme që vazhdimisht fitojnë duke eliminuar njerëzit e edukuar, njerëzit me pasion, dhe njerëzit me dedikim ndaj lirise? Atë çka ata nuk mundën ta shkatërrojnë është shpirti i këtyre njerëzve dhe kujtimet që na i lanë pas.

Sylejman Beg Kryeziu me të gjithë anëtarët e familjes së tij, jeton në zemrat e njerëzve që janë inspiruar nga ai. Ai, si dhe të gjithë shpritërat tjerë që u zhdukën pa gjurmë, sot jetojnë në zemrat e vajzave të tij ende të gjalla, në zemrat e gjithë nipave, mbesave e stërnipave të tij.

Prandaj, sot, kur pushteti i ri demokratik i Gjakovës dëshiron të ndërtojë një park në tokën e shenjtë të mbrojtur nga ligji i trashëgimisë, duke harruar historinë vertet e mohon historinë e vetë qytetit. Të njëjtat ligje, si të të gjitha qeverive të mëparshme duket se e çojnë këtë qeveri në të njëjtën rrugë të padrejtësisë dhe diskriminimit. Ashtu sikurse gjermanet nazistë dhe regjimi komunist, tani pushteti demokrat, hecin mbi historine e shpirtërave. A mos vallë ata mendojnë që autoritetin që e kanë për të vjedhur identitetin e dikujt, apo pronën, apo të drejtat e të ekzistuarit, do të mbesin gjithmonë të tyre? A nuk frikësohen që ky pushtet gjithashtu do të kalojë dhe do t’u bëhet atyre e njejta çfarë u bënë ata të tjerve?

Një ditë drejtësia do të dalë në pah. Deri atëherë, në galerinë e rrënuar shpirtërat e paraardhsëve të mi do të vazhdojnë të sillen dhe jehona e zërave të tyre do të tingëllojë në veshët e qytetarëve të Gjakovës që e dinë të vërtetën, por nuk kanë fuqi të ngrihen për drejtësi, duke u shtirë se shpirtërat kurrë nuk kanë ekzistuar.

Download PDF