Vait Krasniqi

Prizren | Date: 14 qershor, 2018 | Duration: 33 minuta

Për shembull, në vitin…n’qoftëse kthehemi ma mbrapa, në vitin ‘81, kanë qenë pikërisht në familjen time, për arsye se në atë periudhe kam qenë student, e përmenda që të gjithë kemi qenë pjesëmarrës të demonstratave, të shkrimit të parrollave, e kështu me rradhë, edhe.. u shkrujshin në atë kohë disa parrolla, ata i thojshin kundër-revolucionare, që u shkrujke parrolla ‘Kosova Republikë’, edhe kështu që kanë ardhë në fshat aty, kanë kontrollu disa shtëpi, të cilat i kanë pasë djemtë apo vajzat e tyre në shkollë, pavaresisht a kanë qenë studente apo të shkollës së mesme, kanë qenë në shtëpinë time, kanë ba bastistje, edhe.. une s’kam qenë në atë periudhë, kam qenë në Prishtinë, në fakultet, për shkak që s’kam qenë une, e kanë marrë vllaun tim, pa kurrfarë faji, dhe e kane burgosë dy muj ditë burg. E kështu që një periudhë të gjatë une nuk kom ardhë prej Prishtinës, kur kom ardhë prej Prishtines, domethanë pas tre mujve kështu, atëhere me siguri dikush i ka paralajmëruar, nuk e di tani, mandej edhe mu më kanë marrë dhe unë dy muj kom qëndru në burg, domethënë, per shkak se… vetëm pse ke qenë student… a ke qenë pjesëmarrës në demonstrata, a ke shkru parrolla, çka po kërkoni, tek po kërkoni, t’gjitha ato mundime, domethanë malltretime.


Kushtrim Thaqi (Intervistuesi), Elmedina Arapi (Kamera)

Vait Krasniqi u lind më 2 Gusht, 1960 në Vlashnjë, Prizren. Krasniqi ka mbaruar Akademinë e Arteve në Prishtinë, drejtimi muzikë, departamenti pedagogjiko-artistik. Në atë kohë ishte edhe pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981, dhe në vitin 1982 u burgos pikërisht për shkak të pjesëmarrjes në këto demonstrata. Në vitin 1987, më datën 1 Shtator, filloi të japë mësim në shkollën e mesme “Josip Sllavenski”. U largua nga puna në vitin 1991, si shumë shqiptarë të tjerë,  deri në vitin 1999 vazhdoi të ligjëronte në Prizren, në shtëpitë-shkolla të improvizuara. Sot ai jeton në Prizren ku punon si mësimdhënës në shkollën e  mesme të muzikës ‘Lorenc Antoni’ në Prizren”.