Nanushi, rrëfyesja e përrallave

Nga Nita Deda

Ballkize Bakiu u lind në Tiranë në vitin 1920. Gjyshi i saj Hasan Bakiu ishte libër-shitësi i parë shqiptar dhe osmanët e burgosën për këtë aktivitet, atëbotë illegal. Babai i Ballkizes, Zyber Bakiu, ishte përkthyesi dhe bibliografi më autoritativ i veprave të Sami Frashërit. Ballkizeja vijoi mësimin në kolegjin Madre Regina në Firencë gjatë viteve të 1930ta. Pasi që u martua me oftamologun Xheladin Deda, u vendos në Kosovë në 1948tën. Ajo lindi dy vajza dhe një djalë dhe jetoi në Prishtinë gjatë gjithë jetës së vet.

Mbesa e saj, Nita Deda e përshkruan Nanushin ashtu si e mban në mend.


Nanushi, rrëfyesja e përrallave

NANUSHI, RRËFYESJA E PËRRALLAVE
Nga Nita Deda

Mua më ka rastisë të shohë vetëm një copë të jetës së Nanushit. Pjesa e tjetër mbahet nëpër rrëfime që ajo m’i tregonte. Dhe Nanushi ka qenë tregimtarja më e mirë që kam njohur ndonjëherë. Ajo ulej në divan dhe na merrte me vete në një udhëtim rreth botës, përgjatë karakterit njerëzor dhe nëpër kohë. E shëtisnim vendlindjen e saj, Tiranën, ku shkonim për të takuar motrat dhe vëllezërit e saj, apo qytetin e saj favorit, Firencën, për të parë ekspozitën e artistit të saj të preferuar, Mikelangjelos.

Sikur shumica e fëmijëve që u rritën në vitet e 90ta në Prishtinë unë, vëllezërit, dhe kushëritë e mi ndanim një jetë tipike kosovare të kohës: një jetë në kontrast të ashpër me realitetin e përditshëm. Ne ishim fëmijë të prindërve të pushuar nga puna nga qeveria e Millosheviqit. Rutina jonë e përditshme ishte përplot sesione lajmesh, gjatë të cilave duhet të ishim super të qetë, e të cilat përcilleshin me diskutime të gjalla për politikë nga të rriturit.

Vetëm tash mund ta kuptoj plotësisht se sa të vlefshme ishin rrëfimet e Nanushit. Përmes rrëfimeve dhe përrallave të saja ne gjenim një shpëtim për në një vend magjik ku gjithçka ishte e mundshme dhe jeta ishte gjithçka përpos e mërzitshme. Ajo sigurohej të na linte mjaft hapësirë që imagjinata jonë të zbulonte gjëra të reja çdo herë që na merrte me vete në këto udhëtime. Përmes çdo tregimi ajo e sfidonte folklorin apo normat gjinore që na rrethonin për t’i bërë hapësirë vullnetit të lirë. Urtia e saj ishte dashuri, dhe dashuria kurrë s’merrte formë të një kufiri. Përmes rrëfimeve, ajo na mësoi për familje, dedikim, patriotizëm dhe dashuri.

Një nga rrëfimet e saja ishte se si ajo kishte refuzuar t’ia zgjaste dorën Mbretëreshës së Italisë Elenës në vitin 1938 si gjest proteste kundër okupimit fashist italian të Shqipërisë. “Io sono Albanese,” ishin fjalët që Nanushi kishte thënë duke refuzuar të zgjaste dorën gjatë vizitës së Mbretëreshës në kolegjin e saj, përkundër tmerrit të stafit akademik. Dinjiteti ishte qëllimi i këtij tregimi, dinjitet përkundër autoritetit para teje.

Gjyshja ime Ballkiz Bakiu ishte lindur në Tiranë në vitin 1920. Gjyshi i saj Hasan Bakiu kishte hapur një nga libraritë e para shqiptare. Shitja e librave në shqip ishte ilegale në periudhën osmane dhe Turqit e Rinj në pushtet kishin djegur librarinë dhe burgosur Hasanin dy herë. Babai i Ballkizit, Zyber Bakiu, ishte përkthyesi dhe bibliografi më autoritativ i veprave të Sami Frashërit deri më tani. Ballkizja u shkollua në kolegjin Madre Regina në Firencë në vitet 1930ta. Pastaj ajo u martua me oftamologjistin Xheladin Deda, i cili kishte studiuar në Romë dhe ishte vendosë në Kosovë në vitin 1948 duke marrë aeroplanin e fundit nga Tirana para se t’i nënshtrohej Shqipëria një izolimi të thellë dhe të dhimbshëm. Ajo kishte dy vajza dhe një djalë dhe jetoi në Prishtinë gjatë tërë jetës së vet. Familja e saj, anti-komuniste dhe një nga më të pasurat në Tiranë, vuajti nën regjimin e Enver Hoxhes. Ballkizja po ashtu ishte e përvuajtur, nuk u pa me familjen e saj për 27 vite. Megjithatë ajo vazhdoi të mbetej stoike, plot dinjitet dhe gazmore.

Kur u largova nga shtëpia për të studiuar, shoqëria ime vinin të rrinin me Nanushin. Ata e donin sepse ajo i bënte të ndiheshin që i kuptonte dhe i pranonte ata. Ajo i donte ata sepse të qenit afër rinisë ia mundësonte asaj të zbulonte risitë me habinë e një fëmijë që e zbulon botën për herë të parë. Siç ishte përherë e re, ajo do t’i kuptonte ndryshimet që vinin me kohën pa paragjykime, përkundrazi i festonte ato.

“Jeta është si koha, nganjëherë me shi, nganjëherë me diell, duhet të mësohesh që retë dhe shiu kalojnë dhe dielli shndritë sërish,” thoshte ajo. Kurrë s’do e harroj një moment të çmueshëm në shtratin e saj të vdekjes, kur më pyeti, “Pse po pikëllohesh? Ma sjell një gotë birrë dhe lësho një tango!” Përderisa vallëzonim deri në fund të botës, ndihesha krenare që bartja një copë të nurit të saj të amshueshëm nën lëkurën time.

Download PDF