Shefqet Rexhepi

Randobravë, Prizren | Date: 12 maj, 2018 | Duration: 26 minuta

Ne si punëtor e kemi çu mirë jashtëzakonisht, ka pasë kombësi të ndryshme, shqiptarë, ka pasë turq, ka pasë serbë, por jemi konë si familje, nuk kemi pasë dyshime aty çka me bo […] Shëndetësia ka qenë në nivel, kemi pasë dentistin aty, do të thotë jemi konë komplet. Si me thonë, jemi konë shtet, qysh i takon shtetit qashtu jemi konë edhe na, i kemi pasë krejt në ‘Printeks’.

Marrëdhëniet me administratë i kem pasë mirë, aty ligji ka qenë, ligji ka qenë. Prej punëtorit ma të thjeshtë deri te instancat ma të larta ka qenë një ligj për të gjithë. Ish sindikata e Jugosllavisë e ka pasë që punëtori mos me u anku për kurgjo. Edhe çka kanë lyp puntorët u bo, çka kanë pasë nevojë.


Nëntore Rexhepi (Intervistuesja), Elmedina Arapi & Gencer Tatar (Kamera)

Shefqet Rexhepi u lind më 6 maj, 1952 në fshatin Randobravë të Prizrenit. Në moshën 24 vjeçare filloi të punonte në fabrikën e tekstilit “Printeks”. Rexhepi punoi në repartin e thurjes për 30 vite. Gjatë kësaj periudhe ai u trajnua, së bashku me një ekip të punëtorëve, në mbrojtje ndaj zjarri dhe u çertifikua me titullin zjarrfikës i fabrikës. Sot si pensionist jeton gjatë stinës së dimrit në New York te djali I tij, ndërsa gjatë verës në vendlindje.a

Shefqet Rexhepi

Nëntore Rexhepi: A mundeni emrin, mbiemrin?

Shefqet Rexhepi: Une jam Shefqet Rexhepi.

Nëntore Rexhepi: Po.

Shefqet Rexhepi: I lindun 6.5.52-tën këtu në fshat, në Randobravë edhe kom qenë… kom punu në fabrikën e industrisë së tekstlit “Printex” në Prizren. Punëtor i lidhun me aktet normative në prodhimin e drejtëpërdrejt, të cilën që nuk kemi pasë aty edhe, kemi…

Nëntore Rexhepi: Sa vjet i keni pasë…?

Shefqet Rexhepi: Kemi mendu edhe kemi punu aq që sa më tepër të jem drejtëpërdrejtë apo karshi kualitetit të akteve normative.

Nëntore Rexhepi: Në cilën moshë e keni fillu punën?

Shefqet Rexhepi: Moshën e kom fillu 1976 do të thotë, qashtu p’i bjen njëzet e katër vjeçar, po.

Nëntore Rexhepi: Qysh e keni marrë vesh për fabrikën që ka fillu me pranu punëtor e…?

Shefqet Rexhepi: Këto kanë qenë kërkesat edhe nevoja e jonë për m’u punësu në industrinë e tekstilt “Printex” në Prizren edhe osht’ hapë konkursi, kanë kërku punëtorë edhe kështu që kam pasë ni mirëkuptim me udhëheqësit e atëhere, të atëhershëm, të asaj kohe, atij sistemi. Edhe kom, kom fillu me punu. Mirëpo, kemi pasë tre muj ditë kemi qenë si punëtorë me përvojë, domethanë me punu për me fitu përvojën, masanena kemi fillu me…

Nëntore Rexhepi: Punëtorë të rregullt.

Shefqet Rexhepi: Po, qështu.

Nëntore Rexhepi: Vitin që u hap fabrika, a është i njëjti vit kur ju e keni fillu punën?

Shefqet Rexhepi: Ja, jo, jo. Fabrika është hap 1960-tën, 1968-tën, do të thotë “Printex” ka fillu prodhimin e vet, edhe ka fillue me punëtorë aty. Kanë qenë, reparti ka qenë i tjerrtorës, ka qenë edhe svilara1. Do të thotë edhe svilara knej ka qenë. Te svilara kanë qenë, prodhimi osht’ konë vetëm i, qysh me thonë, svila [serbisht – mëndafsh]…

Nëntore Rexhepi: Lloj i materialit.

Shefqet Rexhepi: Po, lloj i materialit ka qenë svila e në tjerrtore ka qenë pambuku, aty ka fillu tjerrja, kanë fillu atje, qaty është përpunu ajo.

Nëntore Rexhepi: Pozita juaj që keni pasë, çka keni punu ju taman saktësisht?

Shefqet Rexhepi: Pozita?

Nëntore Rexhepi: Po.

Shefqet Rexhepi: Punëtor… sistematizimi i vendit të punës ku ka qenë thurrje, reparti thurje ka qenë, qaty kom punu unë. A masnej ma s’voni, gradualisht edhe jom diplomu, kom marrë, kom marrë diplomën e zjarrfikësit, kom dhanë provimin edhe titulli jem me diplomë është zjarrfikës, edhe kualifikimi i vendit të punës domethonë në atë industrijën aty punëtor i kualifikum, qështu.

Nëntore Rexhepi: Makineria, a po ju kujtohet e fabrikës, e kujdesi qysh u konë për makinat e këto?

Shefqet Rexhepi: A po qysh jo kemi, pasë aty edhe jemi kujdesë, ka qenë kujdes i madh do të thotë makinat që kanë qenë kanë qenë drejtpërsëdrejti qysh osht’ prodhimi ka qenë edhe maqina, ato kanë ardhë prej tjerave shtete, prej tjerave shtete kanë ardhë aty, edhe montimi është bo me ata ekspertat e atëherit.

Nëntore Rexhepi: Të makinave…

Shefqet Rexhepi: Të maqinave…

Nëntore Rexhepi: A po të kujtohet uniforma që e keni pasë, kolegët?

Shefqet Rexhepi: Po, po ka qenë kjo mbrojtja…

Nëntore Rexhepi: Mirëmbajtja…

Shefqet Rexhepi: Do të thotë, ka qenë uniforma, ka qenë çdo send ka qenë në nivel aty. Nuk ka pasë naj keqkuptim apo një mos, mos, nuk ka pasë krejt janë konë. Ato i kemi pasë edhe ato do të thotë, qysh me thanë këto rrobat që i kemi pasë setër, pantollë i kem pasë, uniformën e punës e kemi pasë. Edhe besa-besa edhe nëpër tjera reparte kanë qenë ato në vesh i kanë shti, se ka qenë vektaria2. I kemi pasë edhe ato kanë qenë këtu i shtishin {bën me dorë ka veshët} që për me mbrojt do të thotë, kemi pasë. Jashtëzakonisht kanë pasë kujdes për mbrojtjen e punëtorit.

Nëntore Rexhepi: Tjetër në fabrikë objekti, qysh keni funksionu nëpër objekt me kolegët, a po ju kujtohet qysh i keni nda ndërrimet, qysh keni shku për drekë e këto?

Shefqet Rexhepi: Po, po. Aty kur ka ardhë koha, për shembull për me hangër, m’u ushqy kemi pasë edhe restorantin tonë e kemi pasë. I thojshin atëherë, menza, i thojshin, menza i thojshin atëherë. Mirëpo ka qenë e kategorisë numër nji {tregon me gisht një}, nuk ka pasë luhatje aty që me thonë valla diçka dyshimtë këtu, jo. Ka qenë kualitet aty shumë. Edhe i kemi pasë, do të thotë kuptohet ajo ka një orë e kemi pasë të parapame pauzë e kemi pasë.

Nëntore Rexhepi: Përveç punës që e keni bo edhe që jeni shoqnu me kolegë, a keni bo edhe aktivitete tjera për shembull me shku me u bo bashkë me organizu lojëra sportive ose diçka, shëtitje?

Shefqet Rexhepi: Po kqyre, ajo ka qenë aty ka qenë në kolektivin e “Printex”, nuk ka qenë i vogël ai kolektiv, kanë qenë tre mijë punëtorë. E aty kemi pasë, ka shku në mënyrë diciplinore, ka shku me marrëveshje çdo send. Prej këshillit të punëtorëve, sindikata edhe nivelet ma të larta që kanë qenë ato të industrisë, aty kemi qenë edhe çka na kanë urdhnu qato aktivitetet, qëto doni me punu, ajo veç u realizu se nuk ka pasë kurrfarë keqkuptimi aty. E kështu që punëtorët si punëtorë e kemi çu mirë jashtëzakonisht, ka pasë do të thotë kombësi të ndryshme, shqiptarë, ka pasë turq, ka pasë sërbë, ka pasë muslimonë.

Por, jemi konë taman sikur ni familje, nuk kemi pasë dyshim aty që me bo kurgjo. Rrogat kanë qenë në nivel edhe janë dhonë me kohë janë dhonë. Shëndetësia ka qenë në nivel, kemi pasë ambullantën aty, kemi pasë mjekun aty, kemi pasë dentistin, do të thotë komplet jemi konë qysh me thonë, shtet {hap duart}. Qysh i takon shtetit, qashtu jemi konë aty. Nuk kemi pasë gjana të dyshimta që me thonë, ato kur na ka ndodhë diçka për shembull rastësisht me shku në Shkup apo në Prishtinë apo diku në Beograd, ato janë kon veç, e këto tjerat i kemi pasë krejt në “Printex”, i kemi pasë.

Nëntore Rexhepi: Kjo pjesa e prodhimit, a po të kujtohet qysh shkojke procedura? Për shembull prej pejve qysh u prodhojshin masnej qysh u bojshin çarçafët e këto, ngjyrosja?

Shefqet Rexhepi: Po, po, po. Aty dora e parë që ka qenë për shembull për prodhim, maqina ka qenë… në Kosovë këtu s’kemi pasë, nuk kemi pasë këtu në Kosovë ka ardhë prej jashtit. Numër nji ka qenë kur vike prej Arabisë, pamuki kur vike prej Arabijës, ajo do të thotë ka pasë tjetër tretman, ka qenë kualitet. Tani masanej këto najllonat e këto janë konë këto ish-Jugosllavia i kanë pasë që i furnizojke fabrikën me materiale.

Nëntore Rexhepi: Shpërndarja e materialeve…

Shefqet Rexhepi: Po de, ndamja e materialet e sende… por, ka qenë atëhere, une të thashë edhe në fillim që na kemi ba luftë për kualitet, qysh me bo materiali me dalë kualitet, se ka qenë nevoja e njerëzve ka qenë… qështu.

Nëntore Rexhepi: E marrëdhëniet me këta të administratës, qysh i kanë pasë punëtorët?

Shefqet Rexhepi: Mirë, e kemi pasë mirë shumë. Po ligji ka qenë, ligji ka qenë, aty nuk ka pasë… këtu ka qenë ligji, ligj. Ai jo veç për administratën për shembull, po prej punëtorit të thjeshtë e deri te instancat ma të nalta ka qenë nji ligj, dy s’ka pasë. Janë dallu ata që kanë qenë me fakulteta, që kanë kry fakultetat, normale dihet që të dallum. Mirëpo, me ligj jemi konë njo si une punëtor i thjeshtë, si drejtori nalt kanë qenë njo, nuk ka pasë shkelje të ligjit aty pse është drejtor e unë punëtor i thjeshtë, jo s’ka pasë aty kurgjo. Edhe kemi pasë marrëdhaniet e mira, marrëdhëniet e mira i kemi pasë. Çka kemi kërku prej udhëheqësve të lartë të fabrikës, po mendoj çka kanë kërku klasa punëtore ajo veç shka u realizu. Transportin e kemi pasë, mu ma pagojshin transportin prej “Printex” deri këtu e prej këtu deri në fabrikë.

Nëntore Rexhepi: Me çka udhtojshit?

Shefqet Rexhepi: Po, e kemi pasë… i pagujke fabrika këto, i ka pagu. Qështu… ligji u konë, ka qenë ligj. Nuk është se ja kemi imponu ose na kanë imponu, jo. Ligj ka qenë ajo, sindikata e ish-Jugosllavisë ka qenë qashtu që puntori mos m’u anku, mos m’u anku punëtori.

Nëntore Rexhepi: E nëse kishi naj ankesë ose diçka, qysh i shprehshit ankesat nëse kishit dishka?

Shefqet Rexhepi: Aty shka ka pasë ankesa këto krejt kanë qenë, çdo ankesë e ka pasë arsyen e vet, “Po ankona, po kam arsye m’u anku qëtu,” edhe ajo u marrë parasysh menjëherë. Qoftë prej këshillit të punëtorëve, sindikata ka qenë e kështu. Aty qato i kanë diskutu, ato i kanë realizue. Qeshtu.

Nëntore Rexhepi: A po të kujtohet, a keni kriju shoqni mandej aty, përveç që keni nejtë në punë edhe mas punës?

Shefqet Rexhepi: Jo. Shoqnia, shoqnia ka qenë si shoqni, do të thotë kemi qenë taman me ni mirëkuptim njerëzor kemi qenë, kemi dalë prej punës, kemi, jemi relaksu. Për shembull, kemi bo ni relaksim me hi në ni kafeteri e ni kafe, ni çaj. Kështu që, kemi pasë, taman ka qenë në nivel ajo… nuk kemi pasë luhatje në mes veti.

Nëntore Rexhepi: Sa orë punojshit edhe orari këto e ndërrimet që ju bishin, qysh kanë qenë?

Shefqet Rexhepi: E ndërrimet i kemi qenë, une kom qenë vetë me katër ndërrime, i pari, i dyti, i tretë, i katërti ka qenë, aty nuk ka pasë të shtune, dille. Kur është fjala për katër ndrrime nuk ka pasë shtune, dille, vazhdimisht fabrika ka punu. Reparti qaty unë ku jom konë, aty ka qenë katër ndërrime.

Nëntore Rexhepi: Pjesa ku i bojshin prodhimet e…?

Shefqet Rexhepi: Po, plasmani është bo mrenda në Jugosllavi, ish-Jugosllavijes këtu, më pas Maqedonia ka qenë, Mali i Zi, ni pjesë e Serbisë ka qenë. Do të thotë, që ka qenë plasman, por ka qenë edhe përjashta

Nëntore Rexhepi: Ma larg.

Shefqet Rexhepi: Po, ma larg kanë çu jashtë.

Nëntore Rexhepi: A të kujtohet çka prodhojshit ma shumë, çfarë lloji të materialeve?

Shefqet Rexhepi: Po, qysh me thonë tashti, ato materiali në “Printex” do të thotë ka qenë pëlhura, pëlhura ka qenë aty, në svilare, që u qujtë ai reparti svilara. A tjerrtorja ka qenë vetëm me pamuk edhe…

Nëntore Rexhepi: Ngjyrosja?

Shefqet Rexhepi: Po, ngjyrosjen e kemi pasë na, e kemi pasë.

Nëntore Rexhepi: Si u bojke ngjyrosja?

Shefqet Rexhepi: Aty qysh ka pasë nevoja, qysh osht’ konë nevoja është bo ngjyrosja, qysh osht’ bo nevoja për shembull…

Nëntore Rexhepi: A po të kujtohet?

Shefqet Rexhepi: Po, po, qysh jo. Atëhere i thojshin finalizim, do të thotë finalizim e ka pasë ajo, edhe ajo qysh ka pasë nevojë, ku ka lyp nevoja qatje e kanë çu. Për shembull, nji pjese të Kosovës i duhet qajo ngjyrosje, qajo pëlhurë, qato e kanë çu.

Nëntore Rexhepi: Ju e dishit qysh jonë konë ata.

Shefqet Rexhepi: Po, po.

Nëntore Rexhepi: A po të kujtohet tash me krahinat qysh tregojshe ma herët qysh i kanë bo?

Shefqet Rexhepi: Po, ato. Këtu për shembull nuk kemi pasë përjashtim vetëm me zonën e Hasit, nuk kemi pasë prodhim aty se veshja e atyne ka qenë e jashtëzakonshme. Domethënë e veçantë ka qenë zona e Hasit. E knena rrafshi Dukagjinit, Kosova, Drenica edhe repubikat tjera që kanë pasë Maqedonia e Mali i Zi që kanë qenë, ato kanë qenë njajtë se qështu kanë qenë ajo prodhimi, kërkesat që janë bo.

Nëntore Rexhepi: A po të kujtohet nji lloj, na spjegojshe edhe ma herët janë konë edhe do lloje të materialeve tjera, ato fijet qysh u lidhshin, kur u krijojshin materialet e teshat që i keni maru?

Shefqet Rexhepi: Po. Ato fijet, do të thotë fijet që kanë qenë, fijet sintetike që kanë qenë ato, ato janë prodhu aty në “Printex” janë prodhu ato. Maqinat jonë konë, punëtorët jonë konë të posaçëm për to edhe jonë interesu edhe jonë prodhu edhe pi qasi fijeve u bo edhe basmja e pëlhura.

Nëntore Rexhepi: Po ato që jonë konë të ndjeshme që thojshe fijet për makinerinë që ka vazhdu nonstop me u sillë.

Shefqet Rexhepi: Po, këto prodhimi i fijeve që ka qenë, ka qenë aty në “Printex” mrena. E maqinat që prodhojshin, bojshin pëlhura edhe aty, atëhere jonë ni pjesë e kanë nalë këtu për shembull për nevojat e popullatës këtu, e tjetërkush të lypë ka shku përjashta. E fijet aty janë prodhu në repartet tona aty {tregon me gisht poshtë}. A une drejtëpërsëdrejti që kam qenë, kam qenë në maqinë në thurje, në thurje do të thotë qat’ prodhim e kam pasë une, sa vjet që kom punu qaty.

Nëntore Rexhepi: Prej krejt ktyne vjetëve që keni, i keni bo e di që kur u bo dhjetëvjetori ose njëzetë keni marrë edhe shpërblime.

Shefqet Rexhepi: Po, shpërblime merrshim. Po, po, qysh jo.

Nëntore Rexhepi: Qysh janë konë ato?

Shefqet Rexhepi: Po këto kanë shku simas stazhit të punës. Kur i bojke dhjetë vjet, atëhere i shpërblejke fabrika. Kemi pasë edhe shpërblime muj për muj, për shembull ka qenë punëtor i mirë, punëtor i mirë ka qenë edhe në mujt është dallu për shembull me të holla është dallu, edhe i pagujshin atina. Unë vetë e kam pasë rastin në qat’ muj për shembull i kom hapë sytë, kom punu, kom kqyrë, me kualitet e kam qitë normën teme, e kom qitë punën edhe masanena të shpërblejke fabrika.

Nëntore Rexhepi: E mandej qysh ka shku tani dhjetë vjet?

Shefqet Rexhepi: Tani dhjetëvjetori ka pasë, dhjetëvjetori ka qenë edhe kanë shku njerëzit, i shpërblejke edhe fabrika shkojshin edhe në deti, e shkojshin. Sindikata i çojke në deti.

Nëntore Rexhepi: Ka propozu…

Shefqet Rexhepi: Po, po. Shkojshin atje, po.

Nëntore Rexhepi: Juve qysh, çfarë u kanë për juve kur i keni mbushë dhjetë vjet, çfarë shpërblimi keni marrë?

Shefqet Rexhepi: Vallahi, me të kallxu të vërtetën, i thirrun jom konë po kom harru tash se kanë kalu shumë kohë, se me të vërtetë, edhe më kanë thirrë ata se e meritojsh qëto, po edhe në fillim të kallxova që ka kalu nji kohë, ka kalu ni kohë tashti…

Nëntore Rexhepi: Përveç punës që e keni bo, sa ka qenë e randësishme për ju fabrika si fabrikë që ka funksionu, përveç jetës që ju ka përmirësu punëtorëve, se për punëtorë u konë shumë e randësishme m’u konë punëtor i “Printex”.

Shefqet Rexhepi: Po normal, qashtu, po. Prej qasaj fabrike na e kemi mbajtë familjen, i kemi rritë fëmitë, ti i dish fëmija e mi, kemi majtë familjen, kemi majtë… sikur unë që kom qenë atje prej shtetit, qashtu kanë qenë edhe nana, baba, fëmija kanë qenë të sigurum aty. Nuk ka pasë luhatje këtu që me thonë… ka qenë në nivel, siguria ka qenë…

Nëntore Rexhepi: E në vitin, mas ni viti kur mo erdh kur ju kanë hekë edhe prej pune që janë largu, ‘97-‘98-‘99, qysh kanë ndiku trazirat e luftës për funksionin e fabrikës, për fabrikën?

Shefqet Rexhepi: Ato… Ndëgjo tashti, ato që kanë qenë ato kanë qenë ngjarje politike kanë qenë ato, ma shumë kanë qenë ngjarjet politike, aty tashti detajisht nuk muj me të thonë…

Nëntore Rexhepi: Qysh ka ndiku te ju?

Shefqet Rexhepi: Po te na ka ndiku ajo, kanë çelë kërkesat, solidarizimi ka qenë te na, prej neve për shembull jemi solidarizu me ni fabrikë, me ni objekt për shembull qysh ka qenë “Trepça”, minatorët e “Trepçës” [Greva e vitit 1989] kemi pasë solidarizime na me ta.

Nëntore Rexhepi: Qysh e bojshit?

Shefqet Rexhepi: Ata rishin atje, na rishim këtu. Në prodhim s’kemi pasë prodhim. Pak, shumë pak ka pasë prodhim. Do të thotë ka qenë solidarizimi ka qenë aty. Ka qenë njajtë, jemi solidarizu, nuk ka pasë luhatje aty në klasën punëtore.

Nëntore Rexhepi: Masi nuk keni qenë ma në punë edhe mas trazirave, a i keni taku ma shokët edhe kolegët?

Shefqet Rexhepi: Po, po. Kemi, jemi taku edhe takohemi përditë. Shumica prej tyre edhe kanë kalu në botën tjetër, kanë kalu në botën tjetër. Dikush janë në pensione e dikush, qishtu, kanë kalu, kohënat po ecë. Po se me të vërtetë, koha po e bon të veten tash. U bonën, prej ‘96-tës unë jom largu prej punës. Më kanë largu, jo që jom largu vet…

Nëntore Rexhepi: Qysh ju kanë largu?

Shefqet Rexhepi: Masat e dhunshme… jonë largu aty. Tani krisi lufta ane-knena edhe mo…

Fitore Rexhepi: A ju kanë tregu tamon pse ju kanë largu prej?

Shefqet Rexhepi: Po.

Nentore Rexhepi: Çka kanë thanë?

Shefqet Rexhepi: Masat e dhunshme, masat e dhunshme jonë edhe nuk pajtohem na me masat e dhunshme…

Nentore Rexhepi: Me kushtet e atyne…

Shefqet Rexhepi: Jo, jo. Nuk jemi pajtu kërkush, jo.

Nentore Rexhepi: Sa jeni, punëtorë jeni largu?

Shefqet Rexhepi: Sa punëtorë?

Nëntore Rexhepi: Po.

Shefqet Rexhepi: Krejt “Printex”-i, krejt fabrika, krejt fabrika. U mbyllën atëherë, u prish puna, u…

Nëntore Rexhepi: Qysh ju doke juve kur folshit për fabrikë…

Shefqet Rexhepi: Tash çka ki me bo, gjithmonë njeriu, njeriu gjithmonë duhet me kujtu edhe duhet të jetë i kënaqun me të ardhshmen, na kemi mendu gjithmonë për të ardhshmen. Se e kemi ditë na që lufta llokuma nuk na jepë, çukullada jo, gjithmonë e kemi ditë ato që do të shkojnë njerëz, do të luftojnë. Edhe i kemi përkrahë luftëtarët, i kemi përkrahë edhe ushtrinë çlirimtare, e kemi përkrahë edhe kemi me përkrahë gjithmonë edhe i nderojmë gjithmonë edhe kemi respekt, se ata kanë dhanë jetën.

Nëntore Rexhepi: Tash fabrikën qysh e kujtoni, a kujtohet si diçka që u kanë pjesë e jetës së juj…

Shefqet Rexhepi: Po fabrikën qysh me kujtu, tashti qysh me thanë, në atë fabrikë, gjysa e jetës ka shku qaty. Gjysa e jetës është da qaty. E ajo tash është qysh me thanë, është pjesë e paharrueshme se kemi kalu na, kemi kalu, jetën e kemi kalu aty. Mirëpo, tash sha ki me ba, po presim edhe ma mirë. Tash jonë nda, “Printex” u shitë, “Famipa” gjithashtu, që kanë qenë ato qysh me thanë zinxhirë që kanë qenë ato prej “Voçares”, “Printex”, kjo nër “Famipa”, para “Famipa” ajo, qysh u thirrke ajo…

Nëntore Rexhepi: “Perlonka”?

Shefqet Rexhepi: “Perlonka”, nalt po ka qenë “Perlonka”…

Gencer Tatar: “Progresi”?

Shefqet Rexhepi: A?

Gencer Tatar: “Progresi”.

Shefqet Rexhepi: “Progresi” e të gjitha ato kanë qenë, qysh me thonë zinxhirë kanë qenë. Prej jemi konë qaty, domethënë kemi qenë përkrah. E ato janë, me të vërtetë janë të paharrueshme. Po puna jonë e paharrueshme edhe osht’ për ta lavdu. Se nuk kemi qenë sallte [vetëm] na, na për shembull “Printex”, po ka qenë yhyyy {onomatope}, ka qenë… vetëm “Printex”, vetëm “Printex” lirisht muj me thonë, vetëm “Printex” që ka pas 15 mijë me siguri, 15 mijë njerëz që kanë hongër bukë vetëm prej “Printex”. Vetëm prej “Printex” që kanë hongër bukë, 15 mijë. Për shembull, une me familjen teme, pesë, gjashtë. Ai dhetë, ai pesë, ai… kur e kanë rrumbullaksue 15 mijë.

Nëntore Rexhepi: Ka ndiku në qytet.

Shefqet Rexhepi: Do të thotë, ka ndiku që kanë hongër bukë aty. Mirëpo, gjithmonë duhet me ju gzu tashmës, tashmës. Tash e kemi shtetin tonë edhe do të jetojmë në shtetin tonë. Jemi të lirë. Qashtu.

Nëntore Rexhepi: Falemnderit shumë!

Shefqet Rexhepi: Tash gjeneratat, gjeneratat e reja po shkollohen dhe na jemi të kënaqun edhe jo me qeto gjenerata për shembull sot që jemi, që jemi shkollu, po i lutna Zotit jo që ka njerëz të shkollum po flasim për Prizrenin këtu, po i lutna Zotit edhe 500 hise ma tepër mu shkollu njerëzit. Le të shkollohen, le ta marrin diplomën, amo s’ka punë. Diplomën merre, shtije diplomën në xhep. Vjen koha, vjen koha. E qështu. Juve ju falemnderit shumë e unë qekaq dita, qeto e fola, qashtu.

Nëntore Rexhepi: Faleminderit shumë!

Shefqet Rexhepi: Ato e kalumja mo ishalla nuk kthehet. Se e kemi pa, kemi përjetu. Po ajo ishalla mo nuk kthehet, as nuk propozoj për mu kthy ajo. Ajo ka kalu, ka shku, ka kalu tashti, tash do t’i gzohemi tashmës. Gjeneratat e reja qe sikur ju yhyy {onomatope çfarë lumturie, çfarë lumturie ka me qenë këtu, ka me kanë shumë lumturi e madhe këtu. Auu {onomatope}, ajo pa shybe [turqisht – dyshim], hiç pa diskutim ka mu konë ajo, e qeshtu.

Nëntore Rexhepi: Falemnderit!

Shefqet Rexhepi: Falemnderit!


1 Fabrikë e përpunimit të mëndafshit.

2 Përpunim i mëndafshit me makina përkatëse.

Download PDF