Ramazani në Prizren – Prizreni në Ramazan

Nga: Agron Shporta

Pas studimeve të gjuhës angleze dhe letërsisë në Universitetin e Prishtinës, Agron Shporta (1962, Prizren – 2014, Stamboll), kaloi gjysmën e viteve të 80-ta duke shëtitur përreth Evropës dhe duke shkruar poezi. Më vonë, punoi si gazetar në “Rilindje” dhe “Koha Ditore”, dhe në mënyrë të pavarur si përkthyes dhe përkthyes simultan në misione ndërkombëtare. Gjatë viteve ’90, ishte edhe anëtar aktiv i shoqërisë civile në Prizren. Shumica e poezive dhe eseve e tij në gjuhën angleze, serbe dhe gjuhën turke të Prizrenit kanë mbetë të papublikuara.

Agron Shporta e shkroi këtë reportazh të shkurtë me 1998, mirëpo nuk e publikoi asnjëherë.

 


Kështu që, djali i tij, Aresi, e ndau tregimin në faqen e tij në Facebook me 17 qershor 2015.

“Ky është reportazh i shkruar nga babai im Agron Shporta në muajin e Ramazanit diku para 17 viteve, në janar 1998. Është tregim interesant i Prizrenit dhe ramazanit, sepse e shfaqë shumë qytetin dhe njerëzit në ato ditë të pazakonshme. Përveç ndërrimit të regjimeve dhe shumë ndryshimeve të tjera që kanë ndodhë, në sfera Prizreni ka mbetë pothuajse i njëjtë, dhe shumë aspekte mund të adresohen edhe sot.

Viti i kaluar, meqë ishte ramazani i pare pas vdekjes së babait, unë përktheva tregimin në gjuhën angleze dhe u publikua në Kosovo 2.0, që e gjej rastin të falemnderoj për publikimin e një teksti shkruar nga dikush që për një arsye apo një tjetër publikoi shumë pak nga ato që kishte shkruar. Shpresoj që do të mund të njiheni me Prizrenin gjatë ramazanit”.

Ramazani në Prizren-Prizreni në Ramazan

PITAJKAT ME VEZË DHE CA GJËRA TJERA…
Prizren | Janar, ’98

Në muajin e nëntë të kalendarit islamik, ramazanin, Prizreni çdo vit pulson me një ritëm të vet specifik.

Diç para tetëve të mbrëmjes, nga gati tridhjetë xhami, sa i ka sot qyteti, fillon të dalë xhemahati. Kryesisht janë meshkuj. Çdo vit e më shumë të rinjë.

Tek pas teravisë, qyteti fillon të gjallërojë: njerëzit familjarë shkojnë në “zijaret” tek të afërmit (poqëse nuk janë të ftuar gjer atëherë gjetiu për iftar), të rinjët kryesisht i mësyejnë Shadërvanit, e të vjetrit preferojnë shëtinë e ngadalshme buzë kejit të Bistricës.
Edhe në Prizren ka kafene, kafe- çajtore dhe “kafiqa”. Ç’ngjan me to gjatë Ramazanit? Kafenetë, pronarët e të cilëve janë mysliman, i heqin shishet me “ujë zjarri” nga vitrinat dhe në vend të tyre vendosin shishet me gazoz (prodhimi i Prizrenit) ose ajran. Shërbehen edhe ëmbëlsirat. Kjo vlen edhe per çajtoret, ku kryesisht luhet “shesh-beshi” ose “tablla” si e quajnë ndryshe.

E kafiqet? Po, mvaret se si cila është adaptuar. Ata që nuk u lejojnë myshterinjëve që, zakonisht, pas orës 23.00 ta fillojnë “orën letrare” (është fjala për 52 letra, natyrisht), nuk mund të shpresojnë të fitojnë shumë, meqë alkooli gati që nuk konsumohet gjatë Ramazanit në Prizren. Mirëpo, a është mu ashtu?

Kërshëria dhe një parandjenjë më shtyejnë të shkoj në një “kafiq” pronari i të cilit është serb, dhe ku e di se shqiptarët rrijnë edhe jashtë ramazanit (jo patjetër në tavolinë të njëjtë me serbët!), dhe i shoh ca të njohur. Nuk u vie mirë që i takoj aty, por më ftojnë në tavolinën e tyre, ku zhvillohej dyluftimi mes HEINIKEN-it dhe Birrës së Pejës, gjersa në prapavijë dëgjohej rep-versioni i hitit dikur të popullarizuar të Bee Gee’s “Staying Alive”. Bisedohet për dizajnin grafik dhe tendencat e reja në artin aplikativ…

Vazhdoj ecjen anës së djathtë të lumit prej Shadërvanit në Marash. Në orën 22.00 në kafiqa ka mjaft vasha të reja, por së shpejti ato do të nisen shtëpive, per t’ua braktisur qytetin meshkujve. Parmbrëmë, në një kafiq që pas 23.00ve shndërrohet në “kumarhane” (luhet zakonisht “remi” apo “zhol”), në momentin kur femra e fundit e braktisi kafiqin, nuk mundi të duroje pa u çjerrur “This is the men’s world” (“Kjo është botë e meshkujve”), nga hiti i dikurshëm i James Brown-it.

Por jo gjithkund dhe gjithnjë: mes Shadërvanit në perëndim dhe Marashit në lindje, rrëzë Kalasë në jug e buzë Bistrices në veri i shoh katër cifte të rinjësh. Puhia pranverore e Janarit dhe muzika të cilën e bën loja e ujit me gurët e lumit bën që të këmbehen pëshpëritjet dhe puthjet…

Nuk u pengoj dhe vazhdoj ecjen, duke e kaluar urën dhe duke i kujtuar fjalët e të ndjerit Gani Tada, i cili nga shumëkushi konsiderohej si Nasradin Hoxha i Prizrenit, e skaj shpisë së të cilit kaloj: “pas ngrënies së mirë, ose dyzet hapa hedh, ose në shpinë bjerr…” Ja kompleksi monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Plasaritjet serioze të ndërtesave të këtij kompleksi, errësira (po çet elektrike janë të thyera) u jep një dukje të lemerishme. Nuk do të cuditesha ta takoja këtu pari Hitchcock-un e ndjerë… Por ja kontrasti: mu perballë shihet minareja e xhamisë në Marash, që në vertikale i ka dritat që vezullojnë shkrimin “MUBAREK RAMAZAN” (për një arsye, vetëm “R”-ja në “ramazan” është e formuar nga po çet e kuqe, gjersa të tjerat janë të verdha). Maja e kësaj minareje mbi vehte mban dritat tjera shumëngjyrëshe të cilat ndizen dhe fiken në intervale të caktuara e ti nuk mund t’i ikësh nevojës ta krahasosh me bredhin e vitit te ri… Xhamitë tjera në qytet, sido që të jetë, vazhdojnë ta mbajnë dukjen më dinjitoze…

Vendosi që të bëj ca “blic” vizita numrit sa më të madh të “bibliotekave pasmesnatore” me qëllim të krahasimit të atmosferave, që sonte nuk tregohet si e realizueshme: në qajtoren e parë ku hy, i shoh ca të njohur, që e kërkojnë personin e katërt për lojë. Ulem dhe filloj t’i ndaj letrat. Luajmë “zholin” apo “14- shin” e popullarizuar. Dy të fundit paguajnë ëmbëlsira dhe lëngje që shërbehen gjatë lojës. E njëjta ngjanë edhe në tavolinat përreth…

Të rralla janë kafenetë apo edhe çajtoret në Prizren që nuk janë të lidhur me antenën satelitore, zakonisht të kthyer kah Turqia. Në ato ku rri sonte shikohet Kanal D’ja, në lajmet e të cilës tregojnë për nxënësit e një shkolle të mesme në qytetin Turk Malatja, që i paskan thikosur tre shokët e vet, ngase këta nuk axhëronin… Pasojnë komentet (ca madje edhe spirituoze) lidhur me këtë ngjarje, e pastaj flitet për politiken redaktuese të televizioneve private turke…

Në kafene hyn një tregtar dhe nga dera u bërtet shokëve të vet në tavolinë “Hë, bixhozgjinjë të mëdhenjë që ishit: po luani në puding e koka-kollë… s’po mund të bëheni as sa femrat…”. Qeshja. Aludimi ishte i drejtuar në atë që është hit-muhabet në Prizren tash sa muaj: ca gra në Prizren luajnë bixhoz në shuma të medha të hollash: flitet se njëra e kish humbur edhe banesën në letra!

As qe vërehet se sa shpejtë kalon koha! Ja, është bërë 1.30 e ditës së ardhshme dhe njëri propozon të blejmë toplija në Jenimahallë, që është në pjesën e kundërt të qytetit. Kjo furrë është ndër më të vizituarat: tenxheret me përzierje të vezëve, xhizes, vajit dhe barishteve kundërmonjëse, presin rendin të hyjnë në furrën e ngrohur me drunjë. Pitajkat me vezë, këtë haje tradicionale të ramazanit në Prizren dhe “shyhret” të ramazanit, prizrenasit të huajve ua perkthejnë si “Prizren Pizza”.

Dhjetë vetë presin pitajkat e veta brenda, në ngrohtësinë që dhuron furra e hapur: prushi shpërndahet njëtrajtesisht nëpër furrën e vjetër. Në jemi jashtë, ku rreth pesëmbëdhjetë vetë të tjerë e presin “syfyrin” e ngrohtë, të ndarë nëpër grupe të vogla. Njëri komenton lajmet që i pati përcjellur më herët në “Zërin e Amerikës”. Përmenden emrat e Gjukanovicit, Bullatoviqit, Glebardit. Biseda kthehet në Kosovë. “Ne kurrë s’do të mund ta mbajmë shtetin, edhe n’e fitofshim…”, thotë njeri. Kjo e revolton tjetrin. Biseda fillon të ashpërsohet sa gati harrohen pitajkat…

Të rinjët e të rejat bëjnë korzo nëpër Jenimahallë, megjithëse kaloi ora dy pas mesnate. Sillen këtu edhe katër-pesë fëmijë. Njëri nga ta e godet në këmbë një burrë, në atë mënyrë, që ky mendoi të ketë rënë monedha e metaltë nga xhepi, e fëmijët tjerë qeshen nga qoshja e parë. Këtu duket sikur askush nuk fle para mëngjesit!

Një grup tjetër bisedon për një polic financiar i cili, pas marrjes së një shume të lartë nga tregtarët prizrenas, kish ikur diku në Serbi. Biseda pastaj lehtas kthehet në furaxhiun dhe se sa ai mundet të fitojë gjatë ramazanit…

E ndërrojmë lokalin. Restoranti familjar i shndërruar në edhe një “bibliotekë”. Tymi i duhanit, ëmbëlsirat, ajrani. Në T jipet kanali erotiko-satelitor BABYLON BLUE, por pak kush e shikon. Nga respekti për ramazan? Më shumë ngase shikimet janë të koncentruara në 14 letra që i kanë në duar.

Njëri nga shoqëria afër tregon për rastin e keqpritjes nga ana e një tekniku mjekësor në spitalin e qytetit. “Po,po, shqiptar…” Tjetri thotë se është rasti i njohur në psikopatologjinë e ramazanit si “ethet e duhanit”.

Tjetri tregon për eksperiencat e liga që i kish përjetuar së bashku më të shoqen në një dyqan tesktili. Ky i pari propozon që në hyrje të dyqaneve të vendosen mbishkrimet “KUJDES!!! Shitësi është me ramazan”…

Pason biseda që përsëritet gati çdo natë në gati cdo vend: “Ku do të prisni bajramin?”. Sivjet këtu thuhet “Bajrami erdhi në Ramazan”, duke aluduar në naten e Vitit të Ri, që pakkush e kremtoi si viteve të kaluara. Ndaj edhe pritet që bajrami i ramazanit ta hiperkompenzojë këtë humbje…

E nesër? Nesër privatistët sërish do t’i hapin dyqanet më vonë se zakonisht, do të luajnë “shesh-besh” kur nuk kanë myshteri ose të shkojnë te fqiu i parë në bisedë, sa të kalojë koha dhe të afrohet iftari. E pastaj? Pastaj çdo gjë nga fillimi… gjer në bajram…

Agron Shporta (1962-2014) ishte gazetar, përkthyes dhe poet, në mes tjerash.

Ky artikull u publikua fillimisht në faqen e internetit të Kosovo 2.0 me 14 qershor, 2014.

Download PDF