Angazhimi politik gjatë viteve të ‘90-ta: Pjesa e Dytë

Nga Shukrie Rexha

Kjo është pjesa e dytë e historisë jetësore dy-pjesëshe e Shukrie Rexhës, e treguar nga vetë ajo. Znj. Rexha ka lindur në Prishtinë më 1966, iu bashkua Fushatës së Pajtimit të Gjaqeve në fillimet e saja më 1990, shërbeu si udhëheqëse e Këshillit të Pajtimit në Prishtinë, dhe përgjatë të ‘90-tave ishte aktive në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), si dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ajo jeton në Lyon të Francës, dhe kohë pas kohe organizon panel-diskutime me tema mbi Kosovën dhe Ballkanin. 

Fotografi nga protestat për lirimin e shqiptarëve nga burgjet serbe të organizuara nga Shoqata e të Burgosurve Politik. Prishtinë, 1999. Në fotografi: Adem Demaçi, Shukrie Rexha dhe Pajazit Nushi.

Me veprimtari çlirimtare jam marrë më aktivisht prej kohës kur kam qenë studente apo edhe më herët. Në vitin 1984 kur është bërë arrestimi i veprimtarëve të Frontit Nacional Çlirimtar si Sejdi Veseli, Rrahman Bahtiri, Shemsi Veseli, Afrim Zhitia, Agim Krasniqi etj, ne kemi qenë duke e përgatitur dramën “Toka Jonë” dhe disa anëtarë të grupit u arrestuan. Arrestimi i këtij grupi ishte një goditje e madhe për Lëvizjen Çlirimtare.

Pastaj, kam marrë pjesë në demostratat e pranverës së vitit 1989 dhe në grevën studentore në mbështetje të kërkesave të minatorëve. Nga fillim-marsi i vitit 1990, kam marrë pjesë aktivisht në Lëvizjen e Pajtimit të  Gjaqeve. Po të njëjtin vit, kam qenë pjesë e themelimit të Unionit të  Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës. Mbahet mend organizimi i orës së madhe letrare të studentëve me ish të burgosurit politik në Fakultetin Filologjik. Edhe ajo ndikoi në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe në moblizimin e masave. Gjithashtu, në këtët vit, isha pjesë e themelimit të Degës së parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, dhe në dy mandatet vijuese isha nënkryetare e Degës dhe anëtare e Këshillit të Pëgjithshëm të LDK-së.  

Gjatë kësaj periudhe kohore, në mes tjerash, kujtoj me respekt dhe admirim gatishmërinë e kryefamiljarëve të lagjes “Kodra e Trimave” për t’i shndërruar shtëpitë e tyre në shkolla.Të gjitha aktivitetet ishin kryekëput atdhetare në mobilizimin e qytetarëve për rezistencë. Nga viti 1993, jam angazhuar në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Statusi im ka qenë gjysëm-ilegal. Aty kanë qenë edhe Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani tanimë Dëshmorë të Kombit, si dhe Avni Klinaku, Fatmir Humolli, Valon Murati, Liburn Aliu e të tjerë.

Ishte krejt e veçantë përgatitja dhe shpërndarja e organit të LKÇK-së, “Çlirimi”. Unë isha anëtare e redaksisë. Më 26 janar të vitit 1997, u arrestuam 20 anëtarë të grupit të LKÇK-së. Ishte dimër i egër.

Në burg, nën hetime  kam qëndruar katër muaj e katër ditë dhe jam dënuar me tre vjet burg. Gjykimi i grupit tonë kishte të veçantën tij. Më emocionon edhe sot rrjedha e gjykimit në ditën kur ne kishim paraqitjen e fjalës përfundimtare në gjykatë. Ne ishim një grup i të rinjëve që kërkonte liri dhe luftonte për çlirim, derisa akuzoheshim për terrorizëm. “Nëse lapsi, mund të konsiderohet si mjet terrorist i veprimit, atëherë ne të gjithë jemi të tillë”, ishte një pjesë e fjalës sime aty. E ndjenim se dënime të gjata dhe të rënda ishin përgatitur për gjithë grupin. Qëndresa brenda mobilizonte turmat e mëdha të qytetarëve para gjykatës dhe gjithandej trojeve të pushtuara. Në atë gjendje, me duar të lidhura, vendosa që të merrja një hap.

Unë në atë kohë isha në lidhje me Avni Klinakun, i cili së bashku me ne pritej të dënohej me shumë vite burg. Gjatë fjalës sime përfundimtare, shpalla fejesën me të. Nuk ishte ditë për realizimin e planeve tona, por ishte moment i bartjes së mesazhit se jeta e shqiptarëve do të vazhdojë përkundër elaborateve serbosllave për ta shuar atë. Edhe sot dëgjoj jehonën e duartrokitjeve të familjarëve që ishin të pranishëm në sallën e gjykatës, dhe më del para stepja e trupit gjykues.

Kur jam liruar nga burgu, jam angazhuar në Shoqatën e të Burgosurve Politik ku kam qenë anëtare e kryesisë. Gjatë kësaj kohe, përveç tjerash, jam angazhuar në përkrahjen e familjeve të të burgosurve politik si dhe në  përgatitjen e pakove ushqimore dhe organizimin e vizitave në burgje. Nga afër kam njohur nënat heroina të veprimtarëve si Liburn Aliu, Asllan Selimi, Enver Dugolli, Demir Limaj, Nait Hasani etj., si dhe znj. Myrvete – motrën e intelektualit dhe atdhetarit Ukshin Hoti, me të cilat kemi udhëtuar për të realizuar vizitat në burgun e Mitrovicës së Sremit. Rrugëtimi ishte i rrezikshëm dhe me të papritura. Në atë kohë Serbia mohonte se në burgje po mbante të burgosur politik shqiptarë. Si kundërpërgjigje, janë realizuar qindra intervista me familjarë dhe janë mbledhur dëshmi të keqtrajtimeve çnjerëzore të shqiptarëve që mbaheshim nëpër burgjet serbe. Një përmbledhje të këtyre fakteve i kam publikuar në librin “Në pranga” të botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politik, në vitin 1998.

Në njërën nga mbledhjet e Kryesisë së Shoqatës së të Burgosurve Politik, në vitin 1998 është marrë vendimi që me gjithë potencialin material dhe moral ta mbështesim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. E kujtoj me respekt diskutimin kuptimplotë të Prof. Sami Pejës lidhur me domosdoshmërinë e vënjes së gjithë veprimtarisë së Shoqatës në shërbim të UÇK-së. Në janar të vitit 1999, së bashku me ish- të burgosurit politik Hydajet Hyseni, Teuta Hadri dhe Ilmi Ramadani kemi shkuar në Shtabin e Përgjithshëm në Berishë, ku kemi takuar Jakup Krasniqin, Adem Grabovcin, Rexhep Selimin, Fatmir Limajn e të tjerë. Një natë e kemi kaluar aty dhe të nesërmen e kemi vizituar Radion Kosova e Lirë. Aty kemi takuar Berat Luzhën, Martin Çunin, Nysret Pllanën, Nezir Myrtajn etj.

Pas luftës si nevojë dhe domosdoshmëri e krijimit të institucioneve të Kosovës, isha anëtare e Këshillit Tranzitor të Kosovës. Në veçanti e kujtoj protestën e organizuar më 31 dhjetor 1999, në natën e ndërrimit të motmoteve, në qendër të Prishtinës, dhe pjesëmarrjen masive të qytetarëve. Në të njëjtën kohë, isha kryetare e Këshillit Organizativ të protestave të njëpasnjëshme deri në viti 2001 dhe grevës 24 orëshe të urisë për lirimin e shqiptarëve nga burgjet serbe dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Sot, në rrethana të reja, angazhimi politik dhe intelektual ka ndërruar formë, por qëllimi mbetet i njëjtë: nder dhe respekt i përjetshëm për të gjithë të rënët në fushën e nderit. Rruga e bashkimit kombëtar është e vetme dhe njëkahëshe.