Aela Bektashi: Përshëndetje Profesor, faleminderit prapë që dëshirove me bo këtë intervistë me neve, është në fakt një nder shumë i madh për neve që keni pranu dhe jemi shumë të lumtur që po mundemi me bo këtë intervistë. Qysh të tregum e kemi projektin për ndihmën që malet ja dhanë shqiptarëve në luftën e fundit por në kuadër të kësaj ne dojmë me ditë rreth jush, për jetën e juve, si u rritët, si kaluat rininë, deri në ditën e sotit, punimet e juaja shkencore, punën e juve e krejt këto. Edhe një herë po të tregoj jemi shumë falënderues që deshët të bëni këtë intervistë. Kur të dëshironi mundeni me fillu.
Nexhat Cocaj: Falënderimi më takon mu, faleminderit për interesimin. Si çdo shqiptar në periudhën e viteve 80-ta që e kemi përjetuar në atë kohë, të rinjtë kemi përjetu rënd, edhe unë në vitin 1981, kam pasë fatin të jem pjesë e demonstratave të vitit ‘81, ‘82, ‘83 dhe këtu, kjo pjesëmarrje në demonstratat e asaj periudhe kanë ndikuar negativisht te shërbimi ushtarak jugosllav dhe me të shkuar në shërbim jugosllav kam pasë probleme me sigurimin e shërbimit të armatës jugosllave dhe në atë periudhë kam qenë.
Kam pasë fatin e keq që të sëmurem përkatësisht të verbohem dhe kam qenë dy vjet i verbër. Pas intervenimeve të mjekëve kam arritur që të rikthehem në jetë faktikisht, por, duke bajtur pasoja të sëmundjes së verbimit dhe pastaj kam filluar studimet. Fillimisht kam kryer Fakultetin Filozofik, në atë kohë që ishte Filologjia, dega letërsi dhe gjuhë shqipe, ku kam kry edhe studimet pasuniversitare apo masterin e sotëm, doktoraturën në degën e etnologjisë dhe folklorit e kam përfunduar në Institutin e Antropologjisë në Tiranë.
Dhe para se të doktoroj kam filluar me krijimtari letrare. Romani i parë të cilin e kam shkruar është “Kloni” i cili është një roman i cili flet për malin e Pashtrikut, përkatësisht për mbylljen e kufirit në vitin 1948, kur përfundimisht territori i njësisë etnografike të Hasit u nda përgjysmë në dy shtete dhe pos ndarjes në dy shtete, u ndanë edhe dy fshatra përgjysmë duke mbetur disa lagje në Shqipëri dhe disa lagje në Kosovë, dhe ajo çka më integroj në këtë kohë në këtë pasi kam filluar të punoj si gazetar në gazetën e studentëve, në atë periudhë në vitin 1986 kam bërë intervista me njerëzit të cilët kanë qarkulluar nëpër mal dhe kanë ruajtur lidhjet familjare të tyre, kam bërë diku rreth 300 intervista me njerëzit që janë ndarë nga familjet që i ka nda kufiri, që i ka nda mali faktikisht, dhe kam arritur që të bisedoj me fëmijë që i kanë ndarë prej prindërve mali, kam arritur të bisedoj për shembull me çiftet ose me bashkëshortja/bashkëshorti që ka mbetur andej dhe ky është motivi ose kjo tema kryesore e romanit “Kloni” që i kam kushtuar, domethonë malit.
Por, nuk ka të bëjë me klonin, me klonimin si është fenomen shkencor, por ka të bëjë me klonin që ka qenë vija kufitare me rrymë elektrike, atë të cilët e kalojnë kufirin dmth kanë hasur në telat e elektrizuar dhe kanë mbetur në vend. Kjo nuk ka të bëjë në kuptimin shkencor biologjik me klonim ose me krijimin e një specie të njëjtë me atë, por ka të bëjë me klonin që është quajtur në atë kohë kufiri ose vija e elektrikume, kufiri që ka nda njerëzit mes veti. Dhe si gazetar interesimi im ishte në atë kohë për malin dhe frymëzimi im ishte për malin.
Në atë kohë bëheshin lëvizjet, po flas për vitin 1948 dhe vitin 1952 kur kanë qarkulluar lëvizjet ose pakënaqësitë në mes të dy sistemeve dhe ajo tematika e romanit ka të bëjë pastaj ndarja e një nëne, përkatësisht e një çifti, e cila ka qenë e martuar në Shqipëri dhe vjen te prindët e vet dhe andej kalon fëmijën në Shqipëri dhe këndej ka kriju familje të re, është martuar pas tetë viteve.
Dhe kryepersonazhi i këtij romani ka qenë gjallë deri para tri-katër viteve që ndërroi jetë dhe është interesant se kur vjen viti ‘90 kur lirohet kufiri, ‘91-shin për herë të parë vjen djali i personazhit kryesor, vjen nga Shqipëria, vjen në Kosovë dhe zëri është i njëjtë me djalin që ka lindë pas luftës. Dhe ai i thotë, “A u lodhe neno?” Ajo mendon se po i flet djali që ka ardhur ky tjetri dhe nuk e din që është djali i parë, po as djali nuk e din që po bisedon me nënën e vet dhe shkon në dhomën e pritjes, atje kur shkon në dhomën e pritjes i tregon se si, kush është, nga është, dhe atëherë i dëgjon dy vëllezërit duke biseduar njëri me tjetrin pa e ditë se janë vëllezër të një nëne, të një gjaku.
Dhe kjo është dmth që i ka nda kufiri, që i ka nda mali, specifikat e malit që karakterizohen. Më pastaj në lidhje me malin gjithashtu në periudhën e vitit kur u ndal çdo gjë që ka të bëjë me çështjen shqiptare, u ndalën librat, u ndalën universitetet, nëpër shtëpi private, mësimi në shtëpi private, unë në atë kohë pata filluar të punoj si mësues në shkollën fillore të fshatit. Pastaj në vitin 1994 kam filluar të punoj edhe si profesor në shkollën e mesme.
Në këtë periudhë isha student post master ose post doktoratës ose për magjistraturë dhe në këtë kohë ne filluam si grup i intelektualëve 1991 ta nxjerrim një gazetë, e cila gazetë quhej, regjionale, gazeta “Etje”. Për shkak të pamundësive dhe çmimeve të larta që ishin në Kosovë, ne kishim malin ngat, kishim Shqipërinë ngat, faktikisht si zonë kufitare dhe gazetën vendosëm me këshillën e redaksisë së gazetës “Etja”, ta botonim në Shqipëri.
Por në Shqipëri botonim nëpër mal dhe së bashku me kolegun tim, edhe ai është doktor shkence sot i shkencave të letërsisë, Besim Madri, na kur nuk ishim doktor, na kur ishim vetëm studentë të magjistraturës dhe çka është me rëndësi, për shembull, që ne shkonim në Shqipëri përmes malit dhe merrnim literaturë dhe sillnim edhe kolegëve të tjerë, sepse e kishim lehtë atëherë të kalonim nëpër malin e Pashtrikut, pavarësisht se kishte kufi, pavarësisht se ishte mali, dhe botonim gazetën në mes të Tiranës e sillnim në shpinë nëpër malet e Pashtrikut dhe e shpërndanim pastaj në Kosovë.
Është shumë interesant që gjatë asaj periudhe kur e kemi botu gazetën në Shqipëri ka qenë një mundim i madh, një stërmundim sa i përket nxjerrjes së gazetës por edhe blerjes së literaturës. Në këtë periudhë kohore, meqë e harrova të përmend, në vitin 1990 kam qenë në këshillin e pajtimit të gjaqeve dhe në organizimin e pajtimeve të gjaqeve. Tash këto ditë, për shembull, më dy maj e kemi përvjetorin e organizimit, manifestimit të pajtimit të gjaqeve ku unë isha pjesë e këshillit të pajtimit, kryesisht kryetar i këshillit të pajtimit për regjionin e Hasit, por kisha fatin që shumë afër edhe kisha njohje personale me Profesor Anton Çettën, meqë unë banoja te kryetari i shoqatës “Nëna Terezë”, te Jak Mika, dhe kishim njohje dhe e themeluam edhe ne këshillin në kuadër të këshillit të pajtimit të gjaqeve.
Në këtë periudhë kohore e fillum kontaktet përmes malit, gjithnjë filluam kontaktet me Radio Kukësin. Atëherë i bëja intervistat, kam bërë intervista me Anton Çettën, kam bërë intervista me Dr. Ibrahim Rugovën, kam bërë intervista me Rexhep Ismailin, me Sabri Hamitin, me Muhamet Shukriun, me disa intelektualë të kohës dhe i nxirrja në Kukës përmes kasetave dhe Radio Kukësi i transmetonte si intervista të realizuara nga intelektualët të kohës që bëheshin. Të gjitha këto intervista që i kam bërë në Kosovë i kam bartur me kaseta në Shqipëri dhe atje janë bërë botime dhe është ndryshu zëri i pyetësit që të mos merret vesh se kush bën intervistën.
Gjithsesi në këtë kohë nga viti 1991 deri tek viti po flas ‘99, diku mund të themi nëse llogariten edhe ardhjet, sepse hyrje e kufirit është edhe me dalë edhe me hy, thyerje diku 300 apo 150 herë që kemi udhëtuar në të dy drejtimet, dikur 304 udhëtime që kemi thyer kufirin prej vitit ‘91-’99. Pastaj kemi vazhduar bartjen e gazetës, siç e përmenda, ishte një moment, për shembull në vitin 1993, kur për herë të parë nisi të dalë në opinion Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në atë kohë e vetmja rrugë, e vetmja mundësi e qarkullimit të lëvizjes, jo vetëm të ushtarëve të cilët ende nuk dilnin në uniforma, por që kishin obligime të tyre për të vazhduar dhe për të komunikuar me jashtë, ishte mali.
Pjesa e komunikimit të tre intelektualëve, përkatësisht kryeatdhetarëve, bëhej përmes malit dhe nga Durrësi na i kanë dhënë edhe 18 të ardhur nga Zvicra të cilët donin të komunikonin me njerëzit, me udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga Durrësi kemi udhëhequr pastaj edhe nëpër mal, sepse në malin e Pashtrikut e kishim bë si rrugë kryesore, sikur sot autostrada, dhe shkonim nëpër mal dhe lëviznim dhe i nxorëm këndej kufiri. Të jem shumë i sinqertë, për hir të së vërtetës, unë nuk e kam ditur se kush janë ata persona, ata persona i kam marrë vesh vetëm mas luftës kush janë, që kanë qenë pjesëmarrës të Ushtrisë së Kosovës ose ndër nismëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të periudhës. Në atë periudhë nuk e kemi ditë se kush janë dhe çfarë veprojnë. Pastaj, me rritjen e numrit të lëvizjes, përkatësisht të UÇK-së në fillimet e luftës, ishte një nga kërkesat dhe një nga domosdoshmëritë për t’u bërë lufta, ishte bartja e armatimit. Bartja e armatimit fillimisht bëhej përmes maleve, po nuk kishim njohuri të gjithë dhe nuk e dinim.
Fillim ka qenë një aktivitet i cili duhej të bëhej në organizim për të bërë të pranishme në popullësi ose për t’i treguar popullit se do të ketë lëvizje, filluam të bëjmë organizimin e një kuizi të diturisë së nxënësve. Përmes të cilit ne bënim gara me nxënësit e shkollave të ndryshme të regjionit të Hasit, sepse është vija kufitare pothuajse e gjitha që e mbulon vijën kufitare në mes të Shqipërisë dhe Kosovës, ose ndarja e kombit, ndarja e një vendi, ndarja e një krahine përmes një kufiri absurd.
Në këtë kontekst, duke organizuar ose duke mbajtur takime me nxënësit, dhe u tregonim edhe atyre se do të ketë lëvizje dhe ju nuk duhet të habiteni, të çuditemi, etj., etj. Mbaj mend gjithashtu në këshillin e pajtimit të gjaqeve me Profesor Ukshin Hotin kur ishim në Kushnin, sepse Profesor Ukshin Hoti përpos aktivitetit që ka bërë për pajtimin e gjaqeve në territorin e Anadrinisë, përkatësisht në disa vise të Kosovës, ka qenë pjesë edhe e Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, dhe kur shkuam në Kushnin po na drejtohet neve studentëve në atë kohë që ishim, se duke u drejtuar nga Pashtriku: “Pajtimi i gjaqeve do të bëhet, sepse nuk duhet ta kemi shpinën të ruajtur nga vetvetja, duhet ta kemi të lirë dhe duhet të ecim përpara, dhe misioni i pajtimit të gjaqeve është të mos kemi hasmëri mes veti, se nuk na dihet kur dhe si do të udhëtojmë.” Dhe vërtet ndodhi ajo, se pajtimi i gjaqeve i parapriu lëvizjes së UÇK-së për lëvizjen e lirë.
Në vitin 1997 lëvizjet e ushtarëve filluan më tepër, vinin faktikisht me kuaj e sillnin armatimin deri në një vend të caktuar dhe pas kësaj mandej vinin dhe i merrnin me kamion, me autobus e me tjerë. Në këtë drejtim, duke qenë pjesë e kësaj lëvizjeje, se pas rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, në territorin e Hasit u themelua njësiti më 26 mars të vitit 1998, u themelua njësiti 1000-shi i cili krijoi 10-shet e veta në të gjitha fshatrat me qëllim të gatishmërisë që presim ushtarë që vinin nga vende të ndryshme.
Normalisht që mbi të gjitha duhej një njohës i kufirit, një njohës i lëvizjes, i vendit, sepse nuk mund të udhëhiqej, për shembull, një tog ose një numër i madh i ushtarëve që shkonin për armatim nëse dikush nuk e njihte kufirin. Nuk kishte mundësi dhe logjikë nuk kishte që të vinin, p.sh. prej Mitrovicës, prej Ferizajit, Prishtinës, Budakovës, ku e di unë, prej zonave të ndryshme që ishin formuar tërë njësitë për t’u furnizuar, nëse dikush nuk e dinte kufirin. Kështu që kishte njerëz të caktuar që shkonin për t’i shoqëruar ushtarët për bartjen e armatimit. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim e kanë luajtur edhe kuajt. Sepse me kuajt është bartur një pjesë e madhe e armatimit. Por pse me kuaj është bartur armatimi, vjen pyetja, ose cili është interesimi i ushtarëve?
Unë, gjatë qëndrimit ose si pjesë e UÇK-së fillimisht te njësiti 1000-shi pastaj te brigada 126, duke marrë parasysh aftësitë e kalit, pata dëgjuar por nuk e kisha provuar, se kali është një detektor i fuqishëm që nuk shkel në mina sepse e heton rrezikun, e heton barutin. Dhe e heton rrezikun larg dhe nuk ka ndodhur asnjëherë, për shembull në historinë e bartjes së armatimit, që kur kanë shkuar ose kur kanë udhëtuar me kuaj, që të bien në pritë, sepse kali i ka hetuar nga larg pritat, dhe kur është ndal kali, ka qenë urdhër, ka qenë ligj për ushtarët që të ndalohen sepse kali e ka hetu rrezikun dhe nuk ka vazhdue.
Kështu që në anën tjetër ka pasur raste sepse armatimi është bartë në periudha të ndryshme kohore, e kam fjalën për stinë të ndryshme kohore dhe bjeshka i ka edhe anët e veta, siç e ka për shembull mjegullën. Dhe kur bie mjegull në mal nuk sheh asgjë. Kali është ai që i ka orientu dhe dmth janë nisur ushtarët për bisht të kalit dhe kali e ka njohur rrugën dhe kali nuk e harron rrugën, pavarësisht, sepse sheh 10 herë më shumë se njeriu dhe e mban mend rrugën. Shumë herë ka ndodhë që kali nëpër rrugët e malit është njohësi më i mirë i rrugëve të malit, i shtigjeve të malit, dhe nëse një herë kali ka ra asaj rruge, ai më nuk e harron më atë rrugë dhe kjo ka qenë që kali, faktikisht, edhe një udhëheqës i rrugës, një strateg i rrugës për bartjen e armatimit.
Një element tjetër që më ka lënë përshtypje të madhe, tash është i ndjerë Avdi Cahani, në shtëpinë e të cilit ka qenë shtabi i UÇK-së në Sahan të Shqipërisë, i cili është rrezë Pashtrikut, përkatësisht në anën tjetër të Pashtrikut. Aty ka qenë shtabi i UÇK-së ku pastaj në atë shtab, ose në atë vend, ishte edhe shtabi i operacionit “Shigjeta” dhe pati ndodhë një fatkeqësi me ushtarët, dhe Avdi Cahani më tregoi personalisht se si kali mund ta hetojë, për shembull, në ka vdekur ushtari apo është gjallë. Sepse kali nuk ecë me kufomë, kurse nëse ushtari është në koma, ose ka pasë raste të bjerë në koma për shkak të gjuajtjeve, për shkak të marrjes së trembës apo gjëra të tjera, dhe aty kam dëgju për herë të parë nga Avdi Cahani.
Thashë edhe një herë, është prej Sahanit, i cili ka ndërruar jetë para nja dy vjetësh, i cili më tregoi se si kali mund ta hetojë për shembull nëse ka vdekur apo nuk ka vdekur, sepse në majë të malit nuk ke ku me marrë mjek, nuk ka mundësi p.sh. të dish. Në majë të malit nuk jemi në gjendje që ta detektojmë vdekjen me anë të pulsit pa mjete të tjera, kurse kali ka qenë një element, ose ta quaj në thonjëza një “mjek popullor”, i cili ka mundur ta hetojë vdekjen. Në këtë mënyrë, thashë, përmes malit të Pashtrikut, po në përgjithësi pastaj kam marrë idenë që të bëj një studim për kalin në traditën shqiptare dhe të ndalem e të flas për kalin në UÇK dhe kontributin e kalit në UÇK.
Gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga Peja e deri në Strugë, gjithë zona kufitare kanë qenë në luftë, diku rreth 3000 kuaj të angazhuar për mbajtjen e armatimit dhe për çudi të çudirave, asnjëri prej kuajve nuk ka rënë në mina. Të gjitha kafshët tjera: kemi lopë, kemi dele, kemi njerëz të cilët kanë ra në mina – asnjëri prej kuajve nuk ka ra në mina, sepse ka qenë…, e ka nuhatur rrezikun. Unë nuk kam qenë i pranishëm në një rast, p.sh. ku ushtarët kanë treguar dhe unë i kam me emra që kanë tregu ushtarët, dhe kali e ka hetu që është minë në tokë dhe e ka mbajtur këmbën me orë të tëra dhe nuk e ka vendosur në minë, dmth nuk ka ra kali në minë.
Kemi pasë vrasje me plumb të kuajve gjatë kalimit të kufirit – forcat serbe nuk e kursyen as kafshën por as njerëzit të cilët kanë bartur armatim – por që të bjerë kali në minë, nuk e kam të gjetur në asnjë vend, duke filluar nga malet e Strugës, ose Prenjasi në anën e Shqipërisë. Janë bartur armatimet, sepse gjithë lufta e UÇK-së është bërë përmes maleve dhe furnizimi është bërë përmes malit, dhe lëvizjet e malit, ose mali, mund të them që për UÇK-në ka qenë bazamenti i ushtrisë, sikur sot që bëhen p.sh. poligonet e formacioneve ushtarake – për UÇK-në ka qenë kazermë mali.
Dhe dushku ose toka ka qenë shtrojë, kurse qielli ka qenë mbulojë për UÇK-në dhe kudo nëpër male e ka rëndësinë e vet sa i përket luftës së UÇK-së dhe kontributit të malit. Pastaj, gjatë ofensivave të ndryshme gjatë operacionit “Shigjeta” kemi pasur shumë raste kur predhat e artilerisë jugosllave, ose ta them jugosllave për faktin se ushtria serbe ishte në atë kohë e përbërë edhe nga ushtria e Malit të Zi, dhe shpeshherë shumica sikur e largojmë nga përgjegjësia edhe Malin e Zi, por në atë kohë ishte Mali i Zi dhe Serbia kishin një ushtri të përbashkët.
Mandej, mund të themi se në regjionin e Pejës, në regjionin e Gjakovës, ishin forcat e ushtrisë malazeze të cilat bënin krime të mëdha në popullsinë shqiptare. Gjatë periudhës së luftës, kur u rrezikua ekzistenca jonë – sepse duhet ta potencoj edhe këtë element – nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ishte një urdhëresë që zonat kufitare të mos rrezikohen, të mos dalin me uniforma, për shkak se ajo duhej të lihej zonë e lirë për armatim dhe nuk duhej të jetë shkak forcave serbe që të mendojnë se ka forca të UÇK-së. Dhe gjithë veprimtaria e ushtarëve të zonës kufitare ka qenë pa uniforma, me qëllim që ne të vazhdojmë, përkatësisht ta bëjmë punën tonë si ushtarë të UÇK-së, por që të mos na pengojnë.
Prej vitit 1993 deri në maj të vitit 1999 kanë funksionuar 49 kanale të bartjes së furnizimit me armatim në territorin e Pashtrikut. Vetëm në territorin e Pashtrikut, duke mos e përmendur këtu për shembull edhe malet këndej nga Opoja, mbi Brezne, në mes të Beznës e Buqës, pastaj edhe malet nga Deçani atje. Por mund të themi se unë di më tepër vetëm për malin e Pashtrikut, për 49 kanalet e furnizimit të cilat nuk janë nalë pothuajse as në ditët më të vështira të luftës – nuk janë ndalur – dhe është bartë armatim nëpërmes maleve.
…
Aldri Sopa: Atëherë profesor, a mundesh me na tregu për eksperiencën tande në njërin prej këtyre misioneve të armëbartjeve?
Nexhat Cocaj: Si pikë e parë, shtabi, siç e thashë, shtabi regjional në Nish e ka pasë për obligim të sigurojë çështjen e kufirit dhe të vëzhgojë lëvizjen e ushtarëve serbë që shkonin në kufi.
Unë në atë kohë punoja profesor në gjimnazin “Gjon Buzuku”, kisha angazhuar edhe nxënësit e shkollës së mesme të cilët i veja kujdestar, sepse isha skaj rrugës ku kalonin ushtria, dhe jepja për detyrë nxënësve që të përcillnin sa ushtarë po shkonin për kufi dhe në mbrëmje i përcillnim sa ushtarë po ktheheshin, dhe në këtë mënyrë ne e dinim për çdo ditë dhe raportonim në shtabin regjional të 1000-shit se sa ushtarë kanë shkuar në pikën kufitare në Guruzhup, sa ushtarë janë kthyer, dhe në këtë mënyrë e kemi ditur saktësisht se sa ushtarë janë në pikën e kufirit në malin e Pashtrikut, përkatësisht në zonën e Guruzhupit. Kështu që këto informacione i ka pasë shtabi regjional, pastaj ne i njoftonim p.sh. të gjitha grupet të cilat udhëtonin për bartje të armatimit.
…
Nexhat Cocaj: Në këtë mënyrë të gjitha grupet të cilat niseshin për bartje të armatimit kishin informacione se sa ushtarë të ushtrisë serbe ishin të vendosur në kufi. Dhe kjo na ndihmonte shumë dhe them që kontribut të madh kanë dhënë në këtë mënyrë edhe nxënësit e shkollës së mesme, shumë prej të cilëve pastaj prej shkollës së mesme u bënë edhe ushtarë të UÇK-së. Në këtë mënyrë ne raportet i çonim me shkrim në shtabin regjional të 1000-shit dhe në shtabin regjional ne kishim pastaj edhe lidhje me shtabet e tjera përmes komandantit të shtabit të njësitit 1000-shi.
Takimet të cilat bëheshin, bëheshin kryesisht nëpër fshatra, kryesisht nëpër lugina, kryesisht nëpër male dhe mbaj mend për shembull në këtë periudhë gjatë bartjes së armatimit, në vitin, nëse nuk gaboj, në qershor të vitit 1998, kur vinin kamionët për t’u mbushur me ushtarë të cilët binin armë deri në Gurë, në Demjan, një makinë na përcillte çdo herë dhe ne dyshonim se mos është dikush që do të na tregonte dhe do të na prishte planin për bartjen e armatimit, sepse në regjionin e Hasit, falë njerëzve, falë bujarisë së njerëzve, nuk ka rënë asnjë ushtar në pritë.
Pavarësisht që në dhjetor të vitit 1998 u bë një përballje me ushtrinë jugosllave në majë të Pashtrikut, atje ku ranë disa dëshmorë të UÇK-së, por nuk ka ndodhur që në malet e Pashtrikut të ketë ndonjë tradhti nga ana e veprimtarëve, nga ana e popullsisë apo nga dikush. Dhe ajo makinë e cila na përcillte na la përshtypje dhe u dashtë që ne ta vëzhgojmë dhe mua më ngarkoi shtabi 1000-shi që ta përcjell atë makinë se kush është. Çfarë kam bërë ose si e kam zbuluar se kush është ajo makinë?
Unë qëllimisht e kam shpërthy gomën e makinës para asaj makine që e kam parë dhe kam kërku ndihmë nga ajo makinë me më ndihmu me rregullu gomën e makinës, deri ku e kam marrë vesh se e kujt është ajo makinë e cila na ka përcjellë dhe në këtë mënyrë pastaj e kemi kuptu se kush është dhe kemi marrë masat e duhura që ai person të mos veprojë si ka vepruar në mënyrë të dyshimtë.
Me kalimin e kohës, gjatë armatimit, gjatë bartjes së armatimit, furnizimit, neve na kanë rënë edhe ushtarë. Më 8 qershor të vitit 1998 na ra dëshmori Haxhi Hoti, për të cilin edhe e kam bërë një libër. Në atë kohë është shumë interesante që është kali i parë i cili është vrarë në luftë me plumb, sikurse ushtari që është vrarë, Haxhi Hoti, ose tash komandant Haxhi Hoti që është vrarë, edhe kali, sepse kali kishte ndaluar dhe nuk lëvizte nga vendi, kishte hetu rrezikun.
Çështje të tjera që kanë të bëjnë gjithashtu me malin, është me rëndësi një grua e Gjakovës e cila ka kaluar përmes Qafës së Prushit ose përmes malit, që ka kaluar kufirin. Është se ajo kishte lindur gjatë rrugës dhe, nga frika se do t’ia marrin ushtria fëmijën, ajo ka vazhduar dhe ka lindur fëmijën, dhe kërthizën ia kanë prerë me gurë në rrugë dhe e ka futë fëmijën në strajcë derisa ka kaluar kufirin.
Këtë e di për faktin se unë kam bërë një intervistë me këtë grua, sepse në atë kohë unë kisha zyrën e informacionit në ambientet e xhamisë së Krumës, në kuadër të shtabit të UÇK-së. Një intervistë tjetër që më ka lënë përshtypje, sepse në zyrën e informacionit vinin edhe paraqiteshin të gjithë ata persona të cilët ose kishin përjetuar përdhunime nga ushtarët dhe nga policia serbe, ose ata familjarët të cilët dëshironin të bashkoheshin me familjet e tyre, dhe ne si pjesëmarrës të UÇK-së i ndihmonim popullatës për t’u bashkuar.
Një interesim në këtë drejtim mund të them, një rast kur Sadije Morina nga Raushiqi i Pejës i kishte vdekur fëmija i vet, por nuk dëshironte fëmijën t’ia linte edhe të vdekur policisë. Në anën tjetër ajo nuk dëshironte që ta merrte vesh edhe familja e vet se i ka vdekur fëmija, dhe e ka mbajtur 24 orë të vdekur fëmijën, para Durrësit, duke ia dhënë biberonin, dhe biberoni iu ka ngrirë në gojë, sepse kur vdes njeriu mbetet, dhe biberoni iu ka ngrirë. Çka është interesante pastaj është se kur ka kaluar kufirin, biberoni i ka mbetur me qumësht dhe goja e mbyllur e fëmijës së vdekur, dhe aty afrohet një grua tjetër në Qafën e Prushit, ku ishin pastaj forcat ushtarake të Shqipërisë, të cilët ndihmonin ata që kalonin nëpër mal, dhe i thotë, “A ka mundësi me ma dhënë qat qumësht me ja dhënë bebës time?” – thotë: “Jo, nuk ka mundësi se më ka vdekë fëmija dhe nuk mund t’ia nxjerr biberonin.”
Nga kjo intervistë të cilën e kam bërë, e kam shkru një vepër që është “Qumështi i Vdekjes,” një novelë që tregon për ngjarje, për lëvizjet e këtyre të shpërngulurve. Gjithashtu një kontribut të madh ne si shtab dhe pastaj Brigada 126 kemi treguar edhe për të strehuarit, sepse kishin nevojë për komunikim me familjarët e tyre, kishin nevojë për informacione më të tjera. Ajo çka më ka lënë përshtypje mu si zv/d.s. që jepja lajme në atë kohë përmes Radio Deutsche Welle (DW), Zërit të Amerikës, Radio Kukësit, Radio Tiranës dhe BBC, dhe informacione të tjera, ishte se asnjëherë… asnjëherë nuk e kam dhënë qoftë edhe një lajm të vetëm që u vra një ushtar i UÇK-së. Komandanti “Xheladin Gashi” me pseudonimin “Plaku” më tha që duhet të jesh shumë i matur kur jep informacionet, sepse nuk duhet që popullata të dëgjojë që ushtarët tanë po vriten në vijat e frontit, po vriten në Pashtrik.
Ka ndodhur një rast, që Safet Peci nga Boletini kur ka vdekur, unë kam dhënë informacionin për Radio DW, e kam dhënë që mori plagë të lehta dhe pasi iu dha ndihma e parë ai u kthye në operacion. Ndërkaq në anën tjetër, ne sapo e kishim përfunduar varrimin e tij. Familja ka dëgjuar lajmet në Radio DW për informacionin se i biri i tyre ka marrë një plagë dhe u kthye, dhe pas 10 minutave kanë marrë informacionin apo raportin nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së se ka rënë në luftë. Kur kanë ardhë më kanë takuar në Krumë, më kanë falënderuar për mënyrën e komunikimit, se nuk kam dashur të thyhet morali.
Përkundrazi, gjatë informacioneve që shpeshherë kam dhënë në emisionet e radiove, kam thënë që ushtarët tanë kanë depërtuar në thellësi të territorit të Kosovës gjatë operacionit “Shigjeta” kur kam dhënë informacionet, i vetëdijshëm se ushtarët ende nuk kishin… Dhe kurrë nuk e kam treguar që ushtarët janë në një pikë të caktuar, nuk e kam thënë atë pikë, përkundrazi disa kilometra në drejtim të Kosovës, sepse në atë kohë, si ne që kishim mundësi të futemi në radiovalët e radiolidhjeve të ushtrisë dhe policisë serbe, ashtu edhe ata kishin mundësi të hynin në valët tona dhe nuk kemi dhënë asnjë informacion për betejat, për luftërat saktë ku janë ushtarët.
Kemi pasë si obligim që pos fjalëve të përzgjedhura të zgjedhim edhe mënyrën e informacionit, se si të dimë ta japim një informacion, meqë unë isha një gazetar. Gjithashtu momentet që janë të shumta gjatë operacioneve të ndryshme, gjatë bartjes së armatimit, gjatë furnizimit me armatim, janë të rëndësishme – kontributi i malit në luftën që është bërë dhe popullata që ka bërë me malin. Mbaj mend, që pas përfundimit të luftës, kur i kemi nxjerrë kufomat, ne si shtab i Brigadës 126, Brigada Hasi, patëm dhënë një deklaratë te popullsia që të mos i varrosnin të afërmit e tyre të cilët i gjejnë të vdekur nëpër shtëpi apo kudoqoftë tjetër, pa e njoftuar Shtabin e Përgjithshëm, përkatësisht Brigadën 126, në mënyrë që ne t’i fotografonim.
Unë si gazetar kam bërë rreth 800 fotografi të masakrave që janë bërë gjatë kohës së luftës, dhe nxjerrjen e kufomave, sepse kam pasë rastin në Lubishte të Hasit ku kanë qenë të varrosur vetëm mbi gurë. Kanë gjuajtur vetëm gurë mbi kufomë, këmba ka qenë jashtë, një pjesë e kanë hangër kafshët, etj., etj., dhe jemi detyru që t’i nxjerrim ato kufoma duke përdorë duhan në hundë që të mos vijë era. Kjo ka qenë një mundësi e vetme sepse nuk kishim minirenë pas luftës; ditët e para pas çlirimit ishte vështirë që të gjendeshin, të mblidheshin kufomat dhe të varroseshin ashtu siç e meritojnë. Kemi mbledhur kufoma nëpër shpella, kemi mbledhur nëpër lugina, nëpër vende ku kanë pushuar.
Merrnim informacione nga qytetarët të cilët kishin arritur të shpëtonin. Gjithashtu kam fotografuar në lumin Drini i Bardhë dhe një femër diku rreth 20-vjeçare e cila ka qenë e prerë, e sakatosur me thikë në të gjitha pjesët e trupit, në veçanti në gjoks dhe në organet gjenitale, dhe pastaj e vrarë me plumb në ballë. Kjo fotografi qarkullon edhe sot, është fotografi të cilën e kam bërë unë, që e kam gjetur në lumin Drini i Bardhë, dhe në këtë mënyrë unë kam bërë një ekspozitë të fotografive pas luftës që e kam hapur në Gjilan, në Gjakovë, në Prishtinë, në Prizren, në Tiranë, në Kukës – kam hapur ekspozitën e fotografive. Moment shumë interesant për mua që lidhet me malin dhe është interesant – dita kur nisën të largohen ushtarët e Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë, nga pika kufitare, dhe së bashku me përfaqësuesin e OSBE-së që ishte nga Sllovenia, me të cilin kisha lidhje edhe në Kosovë sa ishte misioni i OSBE-së në Kosovë – se thashë që UÇK-ja, veçanërisht shtabi jonë, ka bashkëpunuar shumë edhe me organizatat ndërkombëtare, përkatësisht me OSBE-në – sepse në atë kohë në Krumë nuk kishim telefon satelitor dhe nuk kishim mundësi që të lidheshim me njerëz.
Ne kemi ndihmuar si pjesëtarë të UÇK-së, kemi ndihmuar edhe popullin, përmes OSBE-së, përmes lidhjeve të ndryshme. Kemi takuar edhe fëmijë që janë ndarë në pikën kufitare, që janë ndarë nga nëna. Ka qenë tre muajsh i ndamë një fëmijë i ndarë nga nëna sepse nëna nuk ka mundur t’i bartë fëmijën rrugës dhe ia ka dhënë dikujt tjetër fëmijën. Tamam ka ardhë radha me dalë nëna me fëmijët e tjerë, fëmija i saj që ka pasë në gji ka dalë me të parët këndej dhe ka mbetur i ndarë. Kjo është Leonita Haziraj, përmes së cilës, përmes OSBE-së, kemi gjetur familjen dhe kemi dorëzu tri javë pasi që kanë dalë. Pra, mali ka qenë streha jonë dhe ka qenë fushëbeteja ku ne kemi bërë aktivitetin tonë gjatë luftës së UÇK-së.
Në këtë mënyrë unë si pjesëtar i UÇK-së, kontributin e kam dhënë si gazetar por edhe si shef i shtabit për informim në kuadër të Brigadës 126. Kam komunikuar dhe kam qenë pjesë e aktiviteteve që janë bërë, lëvizjeve që janë bërë, armatimit, bartjes së armatimit, shkuarjes në front për të vizituar, informacione, për të marrë deklarata, sepse në kohën e fillimit të operacionit “Shigjeta” nuk kanë dhënë informacione, nuk janë leju mjetet e informimit të tjera që të depërtojnë deri atje sipër për shkak të mos nxjerrjes së sekreteve. Duhet të thënë, dhe duhet pranu se në atë kohë kemi pasë edhe njerëz të cilët nga frika ose nga krismat e pushkëve, nga pamja si kanë pa se si kanë vdekë ushtarët, janë frigu dhe janë largu, dhe në këtë mënyrë është ndaluar me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm lëvizja e gazetarëve në zonat e betejave dhe në këtë mënyrë informacionet i merrnin përmes shtabit tonë dhe ne i jepnim përmes informacioneve.
Që thashë, asnjëherë, asnjëherë, nuk e kemi përmend rastin që ndonjë ushtar është vra. Por, përkundrazi kemi bërë ceremonime e varrimit dhe të gjitha varrimet që i kemi bërë, se kam qenë edhe anëtar i këshillit të varrimit të ushtarëve, në shishe të xhamit e kemi futur, e kemi shënu emrin e ushtarit të vrarë, në mënyrë që ta gjejmë herëdokurë, të shpresojmë se kur do kthehemi në Kosovë, ta gjejmë me emër, të dihet se cili ushtar është ku. Sepse nuk e kemi ditë askush prej nesh se do të kthehemi gjallë ose se do të kthehemi. Secili pjesëtar i UÇK-së që ka marrë rrugën për çfarëdoqoftë punë që ka kryer ka qenë i rrezikuar dhe nuk e ka ditë asnjëherë a mund të shpëtojë, dhe çdoherë masat i kemi marrë sikur ne nuk do të shpëtonim dhe t’ia lëmë dikujt tjetër mundësinë që të komunikojë dhe të ketë dokumentacion. Unë thashë, kam bërë edhe fotografi, kam bërë edhe ditarin personal që kam mbajtë, dhe dokumentet që i kam pasë në zyrën e informacionit në kuadër të UÇK-së.
…
Nexhat Cocaj: Bartja e armatimit është një storie e veçantë, siç e përmenda kalimthi. Duke qenë se unë kam qenë në gjimnaz dhe kam qenë në qendër të rrugës, bartja e armatimit bëhej prej Shqipërisë, në fshatin e parë bëhej me kuaj, pastaj bëhej me traktorë ose bëhej me kamionë. Mbaj mend disa udhëtime që kanë bërë ushtarët, por tash dëshmori i kombit Asllan Berisha, i cili kishte shkuar në Planej, e kanë mbushë traktorin me armë dhe mbi armë kanë vendosur disa dru, gjoja kanë shku për të bartur dru. Në atë kohë kemi dhënë sinjalin, ka qenë aty edhe Nexhmedin Berisha, kemi sinjalin se në pikën ku rrinin policia nuk ka policë dhe ne siguronim përmes nxënësve. I çonim në pikat ku rrinte policia për të verifikuar dhe nuk e bënim asnjë hap sepse nuk dëshironim që ushtarët të cilët bartnin armatim të binin në pritë të policisë. Në këtë mënyrë bëhej çdo herë pothuajse lëvizja.
Një çështje tjetër që duhet të përmendet është edhe çështja e furnizimit me barna. Në atë kohë, unë që isha përgjegjës për informacion, kemi kërkuar nga ambulanca “Nëna Terezë” që të kemi barna. Por, mjekja në atë kohë nuk guxonte, ose frigohej që e shihte dikush, lën hapë derën e ambulancës dhe ne kemi shkuar, kemi marrë pakon me barna dhe e kemi çu në mal dhe e kemi stacionu. Në mal kemi bo disa pika ku kalonin ushtarët, kemi pasë fasho plastike të cilat kanë qenë të hapura. Kemi pasë edhe gjilpëra intervenoze të cilat janë dashtë për intervenime të shpejta. Në këtë mënyrë kemi pasë disa pika mjekësore dhe këtu është kontributi jonë personal dhe i imi që e kam pasë.
Kemi pasë në një kombi në Muader, dhe pastaj pasi u dogj ajo shtëpi jemi detyru që t’i çojmë në mal. Kemi pasë në Kushnik, kemi pasë në Lubishte dhe kemi pasë kudo që kanë kaluar, kemi pasë nga një mini ambulancë në male. Kemi pasë në gurë, në shkrepë, në vende të caktuara që i kanë ditur pjesëtarët e njësive se ku janë. Nëse kanë ardhur ushtarët e plagosur qoftë me plumba, qoftë gjatë rrugës, u është dhënë ndihma e parë përmes këtyre. Për këtë duhet të falënderoj edhe shoqatën “Motrat Qiriazi”, Igballe Rugova ka qenë ajo e cila disa herë na ka sjellë barna prej Prishtinës dhe ne i kemi përdor nëpër Pashtrik. Gjithashtu kemi marrë barna edhe në një barnatore në Prizren dhe i kemi bartur në mal.
Ka qenë kontributi, thashë, i përgjithshëm dhe mali ka qenë, faktikisht, ka qenë edhe ambulancë, ka qenë edhe spital. Gjatë luftës së UÇK-së, përkatësisht gjatë operacionit “Shigjeta”, unë nuk kam qenë pjesë e kësaj që do ta them tash. Kanë qenë spitalet nëpër shpella, kurse spitali kryesor ka qenë në Krumë dhe është shndërru xhamia e Krumës në spital. Mirëpo, ardhja prej vijës së frontit deri te spitali ka qenë diku një orë, një orë e gjysmë, sepse ka qenë vështirë me ardhë. Kështu që kanë qenë nëpër shpella dhe këtu kanë qenë edhe mjekët tanë shqiptarë, por kanë qenë edhe mjekët e luftës që kanë qenë nga vendet e ndryshme të botës dhe kanë kontribuar. Mali ka shërbyer edhe si spital, edhe si ambulancë, edhe si vend i ndihmës së parë dhe secili ka dhënë kontributin e vet aq sa ka mundur dhe si ka mundur…