Pjesa e Pestë
Muharrem Musliu: Demostratat e vitit ‘68 kanë qenë autoktone, tonat kanë qenë, na i kemi organizue vet tont. Pa ndihmën e asni sigurimi, as Shqipërisë, asni sigurimi tjetër. 1981-shin ka pshtjellime t’mdha. Kanë qenë 40-50 sigurime t’jashtme. Bullgar e gjerman, e rus e serb e gjithkah kanë qenë. Ajo ka qenë… qato t’mira që na pat’ pru 1968-tsha na pruni Kushtetutën e ‘74-tes, që ka qenë ni fitore shumë e madhe. ‘81-shin gati i humbëm krejt.
Anita Susuri: Ju ‘86 po i bjen keni dalë prej ktuhit?
Muharrem Musliu: ‘85-ten.
Anita Susuri: ‘85-ten. Qysh ka vazhdu pastaj, a keni mujtë me ju kthy punës?
Muharrem Musliu: Po, po se u shpalla… Gjygji Suprem më shpalli të pafajshëm. Çka osht’ interesant ish që ky Musa Tropoja zëvendës drejtori se drejtori serb ishte në spital. Ruzhdi Mjekiqi ishte këshilltar i pavarur, gjallë osht’. Nuk dojshim me m’pranue. ‘Po na indektrionin t’ritë’. Osht’ e vërtetë që krejt çka janë pranu t’ritë te unë kanë ardhë, me vajza, me djem e krejt se isha ma i vjetri. Besojshin krejt te unë, osht’ e vërtetë. Sidomos Shkollës Ekonomike që vishin në praktikë, vishin te unë m’i msu me ua shkru ditarin me ju shpjegu edhe m’i ia nënshkrue ato fletoret e krejt.
Unë shkoj në qendër tonë. Ka qenë ni Leonid Nikoliqi, zëvendës drejtori ai ka qenë vllah cincar, me cilin kom lujtë futboll. Ai tha, “Shko filloja punës”. Unë vi prap në zyre ktu ata s’më pranojnë, prap unë shkoj atje. Dul ai drejtori i përgjithshëm ni Sfeto Vukoviqi. M’falni. Tha, “Muharrem”, tha, “ti s’je punëtor i jonë, ti shko në filja”, tha, “hin n’zyre edhe puno. Ti je shpallë i pafajshëm ti hin n’zyre edhe puno”. Jom çu jom ardhë drejt kom hy n’zyre. Ia kom nisë punës.
Tash kta dy janë çu janë shku në qendër tonë atje me pytë nifar’ Marseniçin, ka qenë jurist. Ai Marseniçi thotë, “A jeni normal? A ka thanë drejtori gjeneral shko n’punë, çka po doni ju?” Shqiptarë ishin ata. Sot osht’ Ruzhdi Mjekiçi gjallë. Qiky Ruzhdi Mjekiçi mas luftës del n’penzion se ni shok i jon shkon zëvendës kryetar ktu në Obiliq, Hajriz Bekteshi. A din çka i kish pasë thanë Ruzhdiut, “Muharremin na shqiptartë e kemi pasë jorgan, na ka mbulu t’gjithëve”. Po ai ka shku n’komitet kundër meje, në komitet ka shku kundër meje që po indektrioj të ritë shqiptarë. Pse? Se e kom folë veç për çashtje kombëtare.
Qata që na kanë… kanë pasë kta gjithkah bashkëpunëtor. Në çdo, çdo pore kanë pasë bashkëpunëtor. Mirëpo unë i kom pasë zbulu do te na edhe po ju tregoj haptas. Portirat shqiptar, e disha që portirat janë gjithkah, kanë bashkëpunue, në përgjithësi po foli. Kur fola prej burgut shkova në zyre në katin e tretë, i kqyra do dokumenta do diçka.
E mora ni letër të bardhë edhe e coptova dhe e shtina në xhep. Shkova po ia shti në xhep atij portirit, “Qite”, thashë, “n’kat t’parë lshoje në novojtore lshoja ujin se po m’përcjellin”. U çu meniherë n’vend se me thanë Muharrem pse ti s’e ke lshu atje. Po ju betohna e kemi përcjellë, e ka përcjellë qiky Hajrizi, ka shku drejt në SUP, në milici atje e ka dorëzu. S’ka pasë asni shkronjë, totalisht letër e bardhë ka qenë (qeshë). Se ata kanë lujtë me neve edhe ne jemi mundu me lujtë me ta.
Anita Susuri: Po du pak me folë edhe për, folët për aktivitetin politik po përmendet filmat. E dijmë që ktu në Prishtinë ka qenë Kino Rinia, ka qenë…
Muharrem Musliu: Kino Vllaznimi.
Anita Susuri: Po. A mundeni pak për qit’ jetën kulturore pak me folë?
Muharrem Musliu: Jeta kulturore ktu filmat kanë qenë në përgjithësi në përgjithësi, se Kinema Rinia ka pasë edhe sallën jashtë edhe mrena edhe Vllaznimi ma vonë. Mirëpo unë ia kom fillu Kino Teka. Kino Teka ka qenë nifar’ cubi, ni rom punojke ka qenë dikund pak ma poshtë se që osht’ busti i Skënderbeut atëherë. ‘48-ten aty ka qenë. Si fmi ia kom pasë fillu me shku nëpër kinema. E kur u bo Kinema Rinia ka qenë… dy herë n’dite shkojsha.
Se s’ka pasë… ose me shku në qato ballot që thojshin igranka kta. Aty ku shkojshe në përgjithësi serb edhe femna serbe. Femrat tona s’kanë shku asnjë as viteve ‘50-ta, ‘60-ta, ‘70-ta s’kanë shkue. Shkojshin serbët edhe ndonji shqiptar rrallë ndonjë shqiptar ka shku. Na kishim ose orë letrare, normalja sidomos kur majke ose në gjimnaz ose në kinema. Rregullisht unë kom qenë i parapaguen n’film deri vitet e ‘80-ta, ‘50-ta, ‘60-ta, ‘70-ta deri viteve ‘80-ta.
Se shkojshim filmat, për shembull, kur shkojshim me qit’ Hilmi Rakovicën kur ishin amerikan edhe indian. Krejt rrehshin dorë kur fitojshin amerikanët që i mujshin indianët unë e Hilmiu për indian se e dishim që ata kanë qenë vendas. Në mënyrë ma të sinqertë po ju thom. E dishim që ata janë vendas. E na e krahasojshim kta. Jusuf Gërvalla ka qenë kritik i filmave edhe shkova niherë n’zyre në dyqan të Sabri Novosellës, p’e shoh edhe Jusufin aty.
Tash po bisedojmë tash Jusuf Gërvalla… se Sabriu po i thotë, “Muharremi shkon rregullisht n’filma”. Tash po m’pytë Jusuf Gërvalla tha, “Muharrem”, se patën ardhë ‘71-shin do filma prej Shqipërie patën ardhë, ‘Komisari i Dritës’, ‘I tetë në bronz’, ‘Pajtimi i një hakmarrje’, do filma. Unë i pata nxjerrë nja 18 bileta i mora mes Shërbimit të Kontabilitetit. Me Metush, me Hyrije, me Ahmet, me Xhafer, unë e krejt. Krejt na rreshtin e kishim ish t’burgosurit politik aty (qeshë).
Tash po m’thotë me bo ni krahasim Jusuf Gërvalla. Thashë, “Jusuf, filmat amerikan janë të inxhizun jashtëzakonisht mirë, teknika ka shku shumë larg dhe i shtjellojnë jashtëzakonisht mirë. Ndërsa filmat tonë e shtjellon ni rast mirëpo ndërpritet e del n’tjetrin menihere. Mirëpo kur osht’ n’pytje çashtja”, po i tregoj, “në ata filma s’më kanë dalë lot, në filmat tonë po m’dalin lot”.
E mora si shembull, ‘Komisari i Dritës’, kur e lshon shkollën ai plaku, s’e di nëse e keni pa, msusi shkollën, shtëpinë e vet edhe të gjyshit t’vet e bon shkollë. Tash a s’kishin ku m’u ulë po do shkom. Shkon osht’, e dini, me tri kamë edhe do uleshin poshtë në tokë. Qashtu e kishin bo. E tash nuk po gjejnë zile (qan). Tash ky plaku, gjyshi, po shkon po ia hjekë kumonën dhisë edhe po merr po i thrret nxanësit. S’ka pasë që s’kemi qajtë. Tash po m’dalin lot, m’falni (qan).
Anita Susuri: Pini pak ujë nëse doni.
Muharrem Musliu: Jo, jo, jo. Po janë momente që… edhe po i tregoj Jusufit qishtu. Masanej, ‘I tetë në bronz’, se e dojshin njerëzit Enver Hoxhën. Pa e njoftë na kha hiç e dojshin. Në Kinema Vllaznimi po lun ‘I teti në bronz’, kur ai rolin kryesor që kish n’fund p’e merr bustin e Enverit edhe po ecë, a din. Kta krejt shuplakë rrehshin. Ose filmin ‘Skënderbeu’ kur e kemi pa në Vllaznim, herën e parë me pa flamurin kombëtar, haptas.
Se na shumica që kemi qenë, që kemi pasë familje NDSH e kemi ditë, kemi thanë, “Kuq e zi edhe me shqiponjë n’mes”. Kuq e zi, kuq e zi. Shumica s’e kanë ditë. Herën e parë qitu në Prishtinë kur ka lujt filmi ‘Skënderbeu’… filmin ‘Skënderbeu’ Rusia e ka inxhizue, jo Shqipëria. Kur ka dalë ai me flamurin e Skenderbeut, krejt salla n’kamë (qan). Kto janë momente që janë regjistrue te na, kanë mbetë në kujtesën tonë si momente të paharrueshme.
Mirëpo gati ma shumë individuale, familjare deri në ‘99-ten. ‘99-sha ka qenë tmerr, ka qenë tmerr ‘99-sha. Kush ka, kush osht’ i fortë që ka qenë ktu në Kosovë ose që ka qenë n’luftë ose që ka qenë jashtë, kto përjetime nuk osht’ lehtë m’i shpjegue. Isha qaty në Ulpianë, i hyni, unë isha në katin e dytë në katin e katërt i hyjnë në banesë qita para militarët po i thojnë, se ata kanë qenë njësi speciale. Vajza e tij edhe reja e tij ikin diqysh e vijnë te na. Po na tregojnë thanë, “Kanë hy”, qata paramilitarët, m’i mytë. Me kërku pare, ishte maj.
Na u veshëm krejt se e kisha edhe vllaun. Vllau kishte pesë vajza, unë e kisha djalin, vajzën edhe ren. Dy djemtë i kisha jashtë. Atë natë gjithë natën na veshun, kanë me hy edhe neve me na mytë. Bedri Keqës, doktorit, edhe nesër kah 06:00 t’mëngjesit ato vajza e Bedriut dhe reja, ato veç t’u qajtë t’u mendu që ia kanë mbytë krejt familjen. Çohen shoqja ime, kur shkon i gjon qut. Ata ditë hiç ku e ka Bedriu vajzën edhe ren. Kur ju thojnë që janë te na, na për shembull… ka qenë tmerr ktu në Prishtinë.
Nuk guxojshim shumë me dalë nëpër qytet. Kur takojshim sidomos… mu po më thrrasin në maj se kom pasë ni vend t’punës në Shërbim të Kontabilitetit që s’ka ditë kërkush me krye pos une (qeshë). Drejtori Marko Privica m’thrret me telefon. “Muharrem”, tha, “a po vjen?” Ish maji i ‘99-tes. Tha, “Se ka mbetë puna jote llugë”, thashë, “Po vi”. Haptas i kom thanë po vi se neve na lshun krejtve, na dhanë kah, me 30 prill na dhanë kah dy muj ditë na dhanë pushim vjetor. “Shkoni nëpër shtëpija”. Thashë, “Po vi”. Mirëpo ni punëtor i imi shkon i thotë drejtorit, “Nëse vjen Muharremi”, thotë, “ka me t’vra edhe ty edhe Muharremin”, serb. Se unë shkova. Thashë, po shkoj. Nuk m’lanë se deshti me m’vra ai.
Anita Susuri: E ju krejt vitet e ‘90-ta keni punu? S’e keni nalë?
Muharrem Musliu: Jo te na asnjo s’e kanë largue. Ka qenë ni drejtor i Lapllasellës ni Stanimir Steviq masanej erdh Marko Privica. Marko Privica as malazez, asnji s’e ka largue. Në filalë tonë asnjo s’e ka largue hiç. Pse? Malazezët edhe serbët ia kishin inati. Mirëpo ky malazez. Rregullisht u konsultu me mue, rregullisht. Ky edhe Vojadin Kopervica ka qenë kshilltar, e nifar’ Deniç Bane ka qenë kryesor në kontroll. Ata tre kanë qenë kryesor viteve të ‘90-ta.
Ata u konsultojshim me mu se kom qenë fer, korrekt, e kom njoftë punën. Por e kanë ditë që s’ka mujtë kurrë kërkush n’jetë me më korruptue, ata e kanë ditë. S’ka ekzistu. M’kanë besu. Pamarrë parasysh që e kanë ditë që jom nacionalist numër ni, po m’kanë besue. U konsultojshin. Se kur u bo ajo që shkum në greva me 02, me 03 shtator m’duket unë kom qenë pushim mirëpo t’nesërmen shkova.
E tash po shkoj te drejtori po i thom, “Dëgjo, ju na largoni prej pune”, a keni shqiptar ktu shumë interesant, kur te largojnë dikond prej pune shkojnë njerëzit me pa. “Tash p’e za vijnë 30 vet te unë, 30 vetve duhet me ju thanë Stanimir Steviçi m’ka qit’ prej pune”, thashë, “e qata 30 vet ju tregojnë edhe 30 vetve e krejtve”. Tha, “Muharrem ty po të tregoj, çka janë me shkollë t’mesme ktu kom me i dënu veç 5%. Kta me shkollë t’lartë 10% po mos i trego kërkujt”. Edhe s’i kom tregu kërkujt.
Kur po shkoj tash që me marrë n’pytje ai juristi e dijke që unë e di. Kemi folë për sport, për futboll. E disha që kanë me na dënue. Marko Privica asni nuk e ka largu hiç, hiç, asni s’e ka largue prej pune. Shkova rastësisht, po dal prej teme n’temë, po shkova rastësisht, jo rastësisht po m’çun në Pejë në Shërbim të Kontabilitetit me ju ndihmue. Atje ishte ni Dragani drejtor. Djalin e Draganit e kanë vra në atë rastin Panda. Djalin e Draganit. Ata gjashtë që u vran.
Anita Susuri: Po, po.
Muharrem Musliu: E tash po m’thotë ai Dragani, po nuk bisedojshim për djalë t’tij. Po m’thotë, “Muharrem shqiptarët asni s’i kom largue. Thuju le ta formojnë ata sindiaktën e vet po t’mos largohen prej sindikatës tonë se m’u largu prej sindikatës tonë duhet me i largue. Po ata le t’japin pare çka dojnë e le ta formojnë sindikatën e vet, nuk ju pengoj. Mirëpo mos t’hiqen prej sindiaktit tonë”, shumë fer, shumë korrekt. Asni s’e ka largue.
E ka qenë ni Shosheviq Sllobodanka në Ferizaj, ni, m’falni n’shprehje ni magjupe me t’cilën unë prej ‘75-tes me to s’kom pasë folë (qeshë). Sa ka qenë drejtor atje e kom pasë… Ajo i largojke. I largun në Gjilan, i largun në Mitrovicë. Mirëpo do nuk kanë largue. Te ne asni nuk kanë largue, asni hiç s’e kanë largue. Mu m’ranë 40 e sa vite punova në Shërbim të Kontabilitetit. E disha që osht’ shpija ime e dytë, jom interesue shumë. Për çdo ditë ‘99-ten jom shku m’u interesu, kom kalu asajde.
Me 14 qershor, me 12 hyni NATO-ja. Me 14 qershor jom shku te drejtori, Marko Privicës, i kom thanë, “M’i jep çelsat e ndërtesës prej sotit ndërtesën, bankën unë e menaxhoj”, tha, “Qe çelsat Muharrem”, se ata natën s’guxojshin me nejt. Tash i mora çelsat edhe atë natë shkova me rujtë me djaltë e mi jom shku me rujtë. Qendra ku osht’ Banka Qendrore me djalë timin kom shku e kom rujtë atë natë.
T’nesrit i thirra do çka ishin në Prishtinë, çka kishin mbetë. Ka qenë Qefsere Hatashi, ka qenë Sherafedin Kulinxha, Afërdita Spahiu. Ka qenë kjo Fahrije Dragusha. I thirrsha me ardhë ditën me ardhë me rujtë, natën rujsha une. Kjo ishte me 14.06. Me 16.06 e thrras ka qenë shefe kjo, shumë interesant, shefe e arkës së trezorit ni Popoviç. E thrras unë, tha, “Jom në Nish”, thashë, “Ku janë çelsat e trezorit?” Trezori p’e dini çka osht’ (qeshë). Tha, “Janë te Vishnja në Graçanicë”. Unë ni taksi e drejte në Graçanicë, me 16.06.
Shkoj te Vishnja, thashë, “Vishnja, kanë ardhë paret prej Bankës Popullore të Beogradit”, kjo osht’ as andërr njeri me pa jo. Po e qita qata. S’e si t’i thom prej Bankës Popullore të Beogradit… thashë, “Kanë ardhë paret prej Bankës Popullore të Beogradit merri çelsat e hajde me çelë trezorin”. Ajo mendojti që osht’ e vërtetë. Ku me ardhë me 16 ishte, ishte… vjen. I marr çelsat e çelim arkën e trezorit edhe bojmë regjistrimin e arkës së trezorit.
Te na ka qenë aty llogaria 100, qashtu ka qenë arka e trezorit. I marr ni Filipoviç, Filip serb, Sabedin Shujaku edhe Hysni Rudi. Thashë, “Bomna komplet regjistrimin e arkës së trezorit”. I gjetëm kah 13 milion e 8617 e diçka dinar. Domethonë s’e kishin prekë, s’e kishin prekë, s’kishin marrë kurgjo. Ni veturë na kanë marrë se kurgjo s’i kom leju ma me marrë. Krejt qysh osht’ në Bankë Qendrore aty ShKSh-ja. Masanej me qata 13-14 milion i thirrshim firmat që kishin mjete edhe ua kemi dhanë krejt.
Masanej erdh UNMIK dhe e pruni ni anglez ma së pari drejtor. Unë shkova dy-tre vena se i kisha autorizimet prej qasaj qeverisë së përkohshme, me zgjedhë nja dy drejtor. Ishin mbetë nja 40 serb ishin mbetë aty. Tash ata kërkojshin që unë m’u bo drejtor, isha me shkollë t’mesme, m’u bo unë drejtor. M’thirri edhe drejtori prej Bankës Popullore të Beogradit, se më njofshin. Tha, “Muharrem bonu ti drejtor”, thashë, “Jo unë drejtor s’bohna”.
Ia fillun krejt me kërku ndihmë prej meje që kto serbët edhe serbet, ‘Ndihmona se po na marrin banesat’. Po ju thom, “Po ju s’na keni ndihmu neve asnjë”, “E na nuk jemi fajtor, shteti osht’ fajtor”. Çka osht’ kjo? “Na s’jem fajtor po shteti”. A te na unë t’garantoj për qita edhe pikë. Ata kurrë nuk kanë garantu për kërkë hiç. “Pse bre”, thojsha, “ju s’na ndihmut?” “Nuk jem na fajtor, shteti osht’ fajtor”.
Ju thashë… se i kisha qato autorizime. E zgjodha unë ni drejtor. I thashë ni Muharrem Ukës, “Bonu ti drejtor”. Qitij Hysni Rudit i thashë, “Qe ti çelsat e arkës së trezorit, ti je shef prej sotit”. Atyne serbëve krejt ju thashë, “Prej sotit e keni kah ni muj pushim vjetor me pagesë”, krejtve ju thashë. Ua dham vendimet që kah ni muj ditë pushim vjetor me pagesë. Shkun, asnjo s’u kthyen (qeshë). Se e lujta këtë lojë se jom i lindun për kto gjana, e lujta këtë lojë.
E kom ditë komplet mjetet kah po shkojnë viteve të ‘90-ta. S’osht’ kjo për juve me ju tregu po s’erdh kërkush m’u interesue deri 2007-ten që kom dalë në emision. I kom pasë shiritat, trakat ato të rrumbullakëtat për krejt filialat e Kosovës. Se m’i bishin mu se isha kryesori për mjete për krejt. Kurrë s’ju ka interesue me ardhë m’u interesu kah kanë shku mjetet, sa kanë marrë mjete, sa s’kanë marrë. Kërkush s’i ka ditë ma mirë se unë, kërkush, sot e thom, haptas. E dijnë edhe shoktë.
Kom ditë përafërsisht prej ‘92-shes krejt kontributet çka janë pague. Se rroga dhe kontributet janë 51 me 99. Domethonë nëse ki m’i marrë 100 euro rrogë, 51 i ke marrë a 49 kanë shku kontribute, tatime. 1993 krejt qato tatime që kanë marrë punëtorët tonë që kemi qenë kah 300-350 mijë të inkuadrun në Kosovë, kanë shku në fondin e luftës të Serbisë. Nuk intereson askush me ardhë hajde ta pyesim bre qat’ Muharrem Musliun. Se e dijnë. Se i kom ngjoftë me mjek, me profesora, me… krejt kuadrat i kom ngjoft qitu edhe m’kanë njoftë. S’ju ka interesue. 2007-ten qato, s’i i kom pa qato shirita i kom gjujtë, i kom përplas, i kom qit’ n’kontinjer.
Anita Susuri: Deshta me ju pytë edhe n’vitin ‘90 që ka fillu Pajtimi i Gjaqeve, thatë që keni qenë atje…
Muharrem Musliu: Po, po. Unë kom qenë edhe ma herët se m’ka njoftë kta pjesa e Gollakut që i thojnë. Gollak i bjen prej Orllanit, Batllavën e dini ma mirë, e gati te Presheva knena. I kom njoftë do katune m’kanë njoftë, kom shkue. Mirëpo viteve ‘90-ta isha edhe në federatë edhe u njifsha me kta. Me Profesorin Anton Çetën, me Bajram Hotin, me Musa Limanin, me Profesorin Kajtaz Recaj. E kom pasë edhe profesor dy vjet në gjimnaz. Ishin Mujë Rugova, ishin krejt kta. Masanej disa knej kah Gollaku unë i organizojsha në Mramor e në Marec e Dabishevc e. Se i kisha t’ngjofshëm edhe i njifsha ma mirë.
Shkojshim nëpër qito pajtime. Masanej kemi qenë edhe nëpër Drenicë e gjithkah. Ka qenë, ka qenë lodhje e madhe. E di që na pritshin s’disa vena na pritshin policia edhe na përcillshin. Niherë t’u shku në Mramor e dijmë që n’qat’ shpi që shkojshim nuk ish bash e pastër po tham po shkojmë le t’na çojnë sa dojnë n’burg. Se kishim me pajtu ni familje t’mirë me ni familje t’keqe. Mirëpo familjes t’keqe, familjes vrasëse kurrë s’i kemi shku n’shpi, kurrë kafe s’kemi pi. Kurrë hiç.
Masanej, te na ka qenë ligj qat’ këshillin qendror për Pajtimin e Gjaqeve që na kemi shku m’i pajtu, jo m’i ndreq. Jo me kushte. Jo me lshu katunin, jo me pare, jo me besë, jo me… jo, jo, pa kusht. E kta që ia kanë fillu me kushte, kta, kta ndreqin njerëz, na kemi shku me pajtu. Folshëm në emër të rinisë, në emër të zotit, në emër të luftës, në emër të kombit. Qito. Njerëzit… ka qenë diçka e jashtëzakonshme.
Anita Susuri: A keni pasë ndonjë rast specifik që ju kujtohet?
Muharrem Musliu: Ka qenë ni kah Bellopoja, kah Llapi, tash më kujtohet emri. Ia kishin vra dy djem n’rrugë. Gati pa kurgjo hiç. Edhe s’pajtojshin. Çohemi shkojmë na, ish edhe Musa Tropoja, Musa Limani profesori. Ishte edhe me neve njëni n’autobus. Ai na përcillte çka po flasim. Tash po pytum, “Ku e ka Shaban”, tash m’kujtohet edhe mbiemri, se ni mbiemer e ka karakteristik se kaniherë po harroj, 83-84 vjet. “Shaban Kuleta, ku e ka shtëpinë?” Tha, “Unë ju çoj”, tha, “pritni qitu”. Na po presim para dere. Ka hy tjetrën derë, erdh na çeli derën (qeshë).
Po na shtin mrena. Tash p’e shofim na. Musa ka qenë ma transparenti prej nesh, Profesori Musa Limani. Tha, “Mirë bre djalë”, tha, “ti?” Tha, “Unë jom djali i Shaban Kuletollit”, tha, “Po pse s’na tregove?” “Kisha”, tha, “dëshirë me ditë çka folni ju. Kur jeni veç ju” (qeshë). Hyjmë atë natë aty, dikur ky Musa po i thotë, “O’ Baca Shaban”, tha, “Fol profesor”, tha, “A po m’i falë dy djemtë t’i dalë shkaut n’gardh?”, gardh e din çka osht’?
Anita Susuri: Po.
Muharrem Musliu: N’kufi. Tha, “Po bre profesor”, tha, “Jo qita dy që i ki gjallë po qata dy t’vdekurit”. T’nesrit në Lluga gati 13 ngatërresa, gjaqe u pajtun masi e fali Shaban Kuletolli. Domethonë ky ka qenë rast kur din s’i m’u sjellë. Tha, “A po m’i falë, p’i dalë sante shkaut n’gardh, në kufi?” Tha, “Po, po t’i fali”, “Jo kta dy që i kie po ata dy”. Osht’ dashtë njeriu ka qenë edhe Mulla Idrizi n’atë mënyren fetare, sidomod kah Presheva. Niherë kemi qenë në Miratovc atje te Presheva. Ata fetar t’mdhaj, a din. Mulla Idrizi kishte, me kuran e kto gjana. Kur folke ata habiteshin. Ka pasë edhe momente tjera po janë do momente që, janë t’prekshme, të ndishme.
Anita Susuri: A e dini përfarësisht n’sa familje keni qenë ose keni pajtu?
Muharrem Musliu: Po janë pajtue kah dy-tre mijë vrasje. Veç janë gati, pjatesa janë mbi dhjetë mijë. Ngatërresa, pajtesa e kto kanë qenë. Kanë qenë shumë. Shkum niherë na në Marec ishte edhe profesori. E mora unë edhe ni Sejdi Kryeziu të Roganës, Rogoçicës atje edhe ishte ni Rrahim Kosova. Rrahim Kosova në Francë ai e ka pasë t’ndalune me ardhë në Kosovë. Ka qenë NDSH-ist ka vra ktu. E ka thy burgun në Jugosllavi, ka ikë. Nejse, ka shkru ni libër, ni shkrimtar shqiptar e përmend Rrahim Kosovën, Redenica.
E mora edhe unë ata. Ai kishte vlla atë që kishim me falë në Marec po ata t’ardhun prej Hogoshtit. Ai kishte musteqet deri ktu {tek mjekrra}, vllau i ktij Rrahimit. Tash, po çohen ata po thojnë, “Po ju falëm derisa të shlirohet Kosova”. Na kushtet, thashë, s’i kemi pranue. Profesori po çohet n’kamë po thotë, “Jo, kjo s’osht’ pajtesë, nuk mundemi me pranue këtë pajtim. Ose duhet me falë m’u pajtu përgjithmonë ose”…
Tash ky Rrahimi ma i vjetri e ka thirrë vllaun e vet, i thojshin Bubi. I ka thirrë edhe nipat e vet. E ka marrë edhe Sejdi Kryeziun. Se Sejdi Kryeziu kish qenë në burg të Idrizovës në Maqedoni, bashkë kishin qenë. Tha, “Çu vlla”. Shkon i shtin mrena n’dhomë (qeshë), n’dhomë te gratë atje. E ka hjekë revolen, e t’ju mshon kresë vllaut t’vet e nipave t’vet e t’i përgjakë. Thotë, “A din m’ka ardhë krejt Kosova m’kanë ardhë”, thotë, “e kom Profesorin Anton Çetën ktu, ju po doni me m’korit”.
T’i kish pasë rreh. Kur u ardhë, ai Bubi që i thojshin, vllau i Rrahimit, kur u ardhë musteqet krejt t’përgjakta huntë. Erdh tha, “Falë ju kofshin, u pajtum”. Kur dulë po ia bon Antoni, “Çka bone Rrahim?” Tha, “Pata m’i vra po Sejda s’më la”, vllaun e vet e kta. Janë do raste që të pa imagjinueshme mirëpo t’vërteta.
Anita Susuri: Thatë që vitet e ‘90-ta, ju vazhdimisht keni punu kur ka qenë ni situatë shumë e tensionune në Prishtinë…
Muharrem Musliu: Në Prishtinë ka qenë shumë e tensionune po isha unë edhe në Federatë të Futbollit të Kosovës edhe e kisha vendin e punës që… se ShKSh-ja ka qenë ent shtetror. Si i thojsha, “Inspektor u SDK”, ndryshe, krejt ndryshe më shikojshin. Mirëpo nuk na ngucshin se lujshim nëpër livadhe, nëpër ara. Fushat na morën krejt. Veç Fushën e Flamurtarit ktu e lanë. Lujshim nëpër ara, nëpër livadhe edhe nuk na ngucshin.
Situata ka qenë në Prishtinë viteve ‘90-ta deri ‘96, ‘97 lirisht mujshim me dalë. ‘97, ‘98, ‘99 veç, s’po di si me thanë, veç kemi guxu me dalë prej Hotel Grandi ku osht’ deri te ata sermaforat aty kryesor. Qikjo pjesë. Knena s’guxojshim kërkush me dalë. Po çka ndodhi? Lagja e Muhaxherëve, Pozerka që i thojnë Lagja e Pozerka, edhe Kodra e Trimave atje krejt i hapën muret, i bojnë sokaxhik, kapixhika. Kapixhik i bjen turqisht derë e vogël, derëz, kapi derë edhe kapixhik.
Domethonë i çelën me dalë prej shtëpisë tane dilshe n’krejt lagjen atje pa dalë n’rrugë hiç, pa dalë n’rrugë i çelën. Sidomos Lagja e Muhaxherëve dhe anena Kodra e Trimave. I çelën shtëpijat. Domethonë lëvizishin nëpër shtëpija. Prej shtëpije… edhe kush nuk ka thanë pse po m’hyn nëpër oborr ose diçka, pse po ma then murin ose diçka. I patën thye, qashtu ka qenë jeta. Mirëpo janë vra ktu në Prishtinë, për shembull, e kanë vra ni kusheri timin. Tash qatje te bunari i Hajratit del baba i vet i sulmon ata, ‘Pse ma vratë?’ E vrasin ata. Në oborr i kanë vorros.
Ktu ku isha në Ulpianë unë në ndërtesën S12 nën rrugë aty meniherë, në ndërtesë t’parë vdes ni gru edhe shkon shoqja ime e ka la, e ka la, për nder. Ishin pesë vajzat e vllaut edhe vajza ime. Thojshin, “Jo ti duhesh me shku diku në hamam me të tushirat se s’guxon me hi ktu”. Shoqja ime u shku e ka pastru, e ka la dhe e ka pregatit, s’kish kush, s’guxojshin. Veç vishin do magjup me kerre i çojshin nëpër gropa, nëpër qito. Ka qenë kohë pa kohë. S’guxojshin me dalë t’ritë kërkund. Mirëpo kjo organizata ka punue në Prishtinë, e luftës, ka qenë ktu.
E vran, për shembull, këtë te konviktet atje këtë llapjanin që e vran gjatë kohës së luftës. Para tij djali im, janë betu në Lagje të Muhaxherëve 200 vet. Ka ekzistue sidomos kha naltë kah kisha që shkojmë përpjetë atje, Rruga e Bledit ajo edhe Rasim Kiqina. Atje kanë nejtë gjithmonë kanë nejtë kta të ushtrisë tonë. Mu m’ka ra me çue ndihma dy-tri here. Niherë shkum me këtë Hajriz Bekteshin edhe nifar’ Ferati me çu në Zllashë. Ish, Zllashi është kapun me Mramor edhe me Marec atje. Na nalën nja dy milic na nalën në Slivovë te rruga aty.
Dola aty thashë, “Jom i Marecit, m’ka dekë ni axhë edhe po shkoj n’vorrim”. Po hy, tash po hy ni lokal po blej do sheqer edhe do çaj. Thashë, “Se osht’ rregull me çu sheqer, e çaj”. Na kishim tjetër sen me çu me veturë. Tash ish ardhë milici mrapa meje. Unë po i thom asaj shitëses, ishte ni shitëse, thashë, “Ndëgjo, nesër masneser ka me ardhë me ju kontrollu juve se s’pe dorëzoni pazarin në ShKSh”, në Shërbim të Kontabilitetit. E lujta këtë lojë, se… ai milici tha, serbisht po m’thotë, “Unë marrë vesh kah pak shqip a e din?” Thashë, “Po, po ka me dalë zyrtarisht nesër e masnesër krejt nëpër kto katune”.
Çum atje ndihmë tash kah u kthym anej prap thashë, “Prap po na nalni neve na”, edhe na lshun. Kemi çu atje me Hajrizin dy-tri here. Në Drenicë kom qenë, çojshim ndihma qishtu. Po unë relativisht mirë kom kalue. Pos qatij burgu. Thashë, në federatë qaty i kom organizue t’gjitha ndeshjet. Vitin 2000 e lshova Federatën e Futbollit, i bona 60 vjet. Mbeta n’punë qaty. Vjet m’thirri ky Agim Ademi që osht’ kryetar i Federatës Kosovare të Futbollit ma dha ni orë dore për 60 vjet n’futboll. Ma dha ni mirënjohje, që jom shumë mirënjohës. Për mu është shumë punë e madhe kur dikush ta çmon, ta respekton mundin që kemi dhanë qata.
Anita Susuri: Masi jeni penzionu, a keni vazhdu me futbollin?
Muharrem Musliu: Jo hiç, e kom lanë. E kom lanë ia kom kushtu vetit. Dal në Gërmi shëtis. Dal me shokë rri qaty, jem nja pesë-gjashtë shokë rrijmë rregullisht bashkë. Shëtisim, dalim. Shkoj në Gërmi rregullisht, eci dhjetë, 15… tash zakonisht ni shok që dilsha me të se m’kanë vdekë shoktë, gjenerata ime, m’ka mbetë veç ni Mustafë Breca me t’cilin kom qenë në gjimnaz bashkë edhe kemi punu bashkë e kemi lujtë bashkë futboll.
Po atij… ky 1962-shit ia theu kamën ni Bora Gërkoviçit, vllaut t’ni heroit të Trajko Gërkoviçit që osht’ edhe në fabrikë atij. Ia theu kamën qitu në Prishtinë me qëllim se ai ia pat’ thy ni dhom atje (qeshë). E dënun për jetë. Me të kom dalë në Germi deri para katër-pesë vjete, tash nuk osht’ mirë me shëndet, ai nuk po del. Unë dal rregullisht. Jom i lëvizhshëm ende, jom aktiv n’jetë. Dal me shokë rri edhe që gati 84 vjet i boj në 01 janar.
Mirëpo praktikisht n’shoqni jom gjithmonë i disponuem, gjithmonë jom n’gjendje me pranue, inatin s’ja kom kërkuj, s’e urrej kërkond. S’foli për inati kurrë për kërkond s’foli për inati. Ju thom shokve shpesh, “Unë e di për ty ti thuj çka dush për mu, unë haptas thom, hiç pesë pare s’i japi”. I respektoj shoktë, i thrras. Kjo osht’ jeta e ime.