Drita.

Drita.

Drita.

Drita.

Drita Vukshinaj

Prizren | Date: 27 korrik, 2012 | Duration: 78 minuta

Babai im tha, (ndërron tonin e zërit), ‘Jo, nuk dua që vajza ime të operohet, dhe nuk dua që t’i ndodhë asgjë për shkak të operimit në këmbë.’ Në atë moment (buzëqeshë), unë kërceva në hapsirën boshe afër dritares, dritaret ishin të hapura dhe i thash babait në shqip, ‘Nënshkruaj dokumentet, ose do të kërcej nga dritarja!’ Dhe i thash mjekut në serbisht, ‘Nëse babai nuk i nënshkruan dokumentet, do të vijë koha kur duhet ose të prej këmbën, ose t’a shpëtojë me një ose dy operime.’ Mjeku u shokua, ai e luti babain, unë i’a përsërita babait, ‘Bë një lëvizje, dhe unë do të kërcej nga dritarja dhe të rrëzohem!’ (Buzëqeshë) Pastaj babai nuk pat zgjedhje tjetër përveç se të nënhkruajë, dhe unë ndejta në spital.


Mimoza Paçuku (Intervistuesja), Kaltrina Krasniqi (Kamera)

Drita (Luri) Vukshinaj u lind në Prizren më 10 mars 1954. Diplomoi në shkollën teknike dhe punoi si menaxhere në Progres, një fabrikë e fibrave sintetike në Prizren. Gjatë gjithë jetë së saj, ajo ka qenë aktiviste për të drejtat e grave dhe personave me aftësi të kufizuara. Ajo është e martuar me Akik Vukshinaj, një ish i burgosur politik, i cili është inxhinier, dhe ka tri vajza Fjolla, Filloreta and Sheki. Ajo vdiç me 9 mars 2016.

 

Drita Vukshinaj

Fëmijëria

Mimoza Paçuku: A mund të më tregoni si e përkujtoni fëmijërinë tuaj?

Drita Vukshinaj:  Po. Unë quhem Drita Luri Vukshinaj, kam lind në Prizren më 3 Tetor 1954. Prizreni është një qytet historik,  fëmijëria  ime  në  Prizren, të  themi, kam qenë fëmija e dytë e nënës. Kemi qenë dy vëllezër edhe unë. Kam qenë një fëmijë e shkathët në fëmijërinë time, ashtu që edhe e kam pasur një pasojë që në moshën gjashtë vjeçare  jam rrëzuar nga dudi dhe kam marrë një lëndim të këmbës të cilën sot dhe atë ditë kam pasoja.

Lëndimi në atë kohë ishte shumë i madh,  për arsye se edhe në Kosovë nuk kishte një mjekim adekuat. Një herë në muaj vinte mjeku nga Shkupi. Nënën e kisha në punë në atë kohë, nëna më dergoi te mjeku, dhe këtu mjekët e Kosovës së pari thanë se duhet t’ma amputojnë këmbën, të ma prejnë për shkak se ashti ishte lënduar shumë keq por mjeku i Shkupit e referoi që të shkojë në Shkup, dhe atje të qëndroi. Nëna më çoi në kontroll por mentaliteti i shumë njerëzve njashtu edhe i babës tim, ishte ajo që nuk e la nënën në spital të qëndroi me mua dhe më kthejë në Prizren.

Fillova shkollën. Nëna u kujdeske shumë ndaj meje por isha fëmijë që nuk ju largojsha shoqërisë ndoshta  ajo se edhe shoqëria më pranojke sepse nuk u tërheqësha, por isha në mesin e tyre gjithnjë. Nëna më vdiq, isha dhjetë vjeç e gjysmë, ku për neve u kujdes gjyshja, nëna e nënës, sepse babën e kisha nga rrethi i Tetovës[1]  nuk kishte të afërm këtu, ashtu që mbetëm nën kujdesin e gjyshës. Këto ishin disa momente që nuk i harroj kurrë në fëmijërinë time, këmba vinte tu u dëmtu çdo vit.

Në Prizren, më ndali një grue e cila e kishte edhe ajo vajzën e vet me aftësi të kufizuar, të cilën e kishte shëruar në Beograd. Dhe ajo me ndali, dhe më tha: “Pse nuk shkon të mjekohesh në Beograd?” I thashë:  “Po  nuk di qysh, se nëna më ka vdekë, dhe nuk di  qysh?” Ajo më tregoi se si t’i mbledhi dokumentet. (Psherëtinë) Dhe une isha në klasën e shtatë atëherë. Në pushime vjetore, mbasi e kreva klasën e shtatë atëherë fillova, dhe të gjitha dokumentet i kompletova pa e ditur baba, pa e ditur anëtarët e familjes fare. Vëllezërit i kisha shumë afër ngatë meje, gjithnjë ata më merrshin në qytet[2], në mesin e shoqërisë,  nuk më lejshin mua të jem vetme, pa marrë parasysh sepse kisha një aftësi       të kufizuar. Kur i mbarova të gjitha dokumentet  i  thashë  babës:  “Hajde  të  shkojmë bashkë në spitalin Bajnicë[3].” Më tha (ngrit zërin) “Po qysh, ti ke qenë në Shkup.” “Jo” thashë, “dua atje të shkoj.” Baba më ndëgjoi, dhe shkova.

Gjuhën serbe e dijsha sadopak, sepse axhën e kisha në Kroaci dhe çdo vit ne shkojshim atje se edhe gruja e axhës ishte boshnjake, dhe e dijsha gjuhën të flasë. Shkuam në Beograd, ishte verë dhe kontrollat mjeku  që  më  bëri  ishte  në  katin  e  pestë  të ndërtesës,  kur dritaret ishin hapur, afër dritares ishte një hapësirë baraz me dritaren      dhe mjeku i tha babës “Duhet kjo, me ndejtë në spital një kohë të gjatë dhe të bëhet operacion” dhe baba tha, (ndërron tonin e zërit) “Jo, nuk e lë unë vajzën të më bëhet operacion, dhe s’dua që t’i ndodhë diçka për shkak të një operacioni të këmbës.” Atëherë (buzëqeshë)  unë  kërceva në atë shpraztirën afër dritares, dritaret ishin hapur dhe  babës i thashë në gjuhën shqipe, “A po nënshkruan, apo kërceva prej dritares!“ Mjekut i’a thashë  në gjuhën serbe “Nëse baba nuk e nënshkruan këtë nënshkrim të bëhem operacion se   erdh koha këmbën ose me e pre ose  me  e  shpëtu  me një operacion ose dy.” Mjeku u trondit shumë, e luste babën, babës i thojsha, “Ti e qet një hap, edhe unë një hap nga dritarja, dhe do të bie poshtë” (buzëqeshë). Atëherë baba s’pat çka me ba, dhe e nënshkruajti atë, ku mbeta unë në spital.

Klasën e tetë e kreva në gjuhën serbe, nuk kisha problem se gjuhën e disha. Aty i kreva katër operacione pa ardh fare në shtëpi, sepse kisha frikë mos baba nuk po vjen apet me  e nënshkru për operacione të tjera. Atëherë mbet edhe një operacion, por erdha në   pauzë pak në shtëpi, erdha me gips dhe nuk kisha drohë më se baba a don me e  nënshkru a jo. Kisha me i hjek do shrafa prej këmbës. Kur kam ardhë mbas një viti e gjysmë, afër dy vite në Prizren, mu ka dokt Prizreni nuk e di sikur jam ngjallë për së dyti. Kur shkova në atë lagjen4[4] e Koridhës, edhe ku kam lind. I kërkoja shokët, shoqet me të  cilet u rritëm bashkë. Ndejta dy muaj në Prizren, dhe u ktheva apet në spital, mbas asaj një kohe të shkurtë u ktheva…

Kur  u  ktheva  fillova  shtagat  me  i  hek  por mbet një pasojë e vogël në këmbë, ajo  ishte shumë pak tash që e kam por ato i përballova me vllezërit e mi dhe shoqërinë që kisha. Gjithnjë isha në mesin e shoqërisë, gjithnjë isha me shoqet në qytet, vëllau i madh ishte ai që më ka dhënë kurajo. Në Prizren ishte vetëm një disko në atë kohë, ishin vitet para ’70, të 70­tat dhe vëllau çdo natë më merrte në disko, ku ai gjithënji më thojke “Ti duhesh me qenë me ne, mos u brengos, mos ke dert se këmba nuk është kurgjë ajo nuk të pengon ty, ti i bënë të gjitha punët, të gjitha lëvizjet”. Njashtu edhe në shtëpi kam qenë një fëmijë shumë i shkathët, sepse të gjitha punët pa marrë parasysh se a ka qenë  një punë e mashkullit apo e femrës unë e kam bërë. Është prishë rryma, një siguresë e rrymës ose një shtek i rrymës unë jam mundu me e hekë, me e bë, me me pre dru, të gjitha ato i kam bërë në shtëpi. Gjyshën e kishim tejet plakë, ajo ishte tronditë sepse dy vajza të reja i kishin vdekë, nëna ime dhe tezja. Vëllau mundohej me atë që të na mbikëqyrë por unë isha ajo që vëllezërve të mi u bëra motër, nënë, të gjitha, duke u kujdesur për të gjitha punët e shtëpisë. Gjyshja nuk hante bukë të blerë dhe u dashke me gatu.

Të tetën [klasën] që e kryva atje, atëherë këtu në Prizren më detyruan vetëm dy­tre provime, dhe më dhanë dëftesën e klasës së tetë. Atëherë baba dhe vëllezërit më lutën se gjenerata ime që ishin ata shkuan në shkollat e mesme në Prizren ­ baba më luti, në Prizren nuk kishte dagtilografe, dhe më tha që ”Kishte me qenë mirë ti me kry dagtilografinë pasi që nuk ka kuadra në Prizren, dhe do të gjen një punë ulur.” Por, unë kisha dëshirë shkollën teknike, edhe atë degën e makinerisë. E ndëgjova babën, më regjistroi në Prishtinë, fillova atje, në një banesë private por mendjen e kisha në shkollën teknike.

Çdo të shtunë vija dhe aty bash në rrugë e kam pas një shok të klasës ku ai fillonte mësimin në shkollë Teknike[5] dhe e pyetësha se si janë ato mësime, i kqyrsha librat. Kur kaluan një muaj, unë i mora dokumentet nga Prishtina dhe (buzëqeshë) erdha u regjistrova në shkollën Teknike dhe drejtori më tha “A do të i’a arrish sepse një muaj  ka kaluar?” Unë i thashë “Po, do të i arrijë të gjitha ato çka këta kanë mësuar pa kurfarë problemi.” U regjistrova, dhe fillova të shkojë në shkollë këtu. Baba nuk e dinte, dhe një ditë më pyeti, tha “Nuk shkon në shkollë ti në Prishtinë?” I thashë, “Jo, sepse po shkoj   në terapi, fizioterapi më ka dhënë mjeku e atje në Prishtinë larg shumë, nuk po muj unë të udhëtojë e këtu po e kam afër dhe jam në pushim mjekësor.” Atëherë zgjati një    kohë, para se me u bë një muaj që unë këtu isha dhe i tregova babës, “Kështu, kështu është puna, shko vetëm teshat merrmi, pak tesha çka më kishin mbet në banesë, merri ato tesha bjeri këtu sepse unë kam filluar në shkollë të mesme Teknike, që e kam pas dëshirë e ëndërroja për të”. (Buzëqeshë) Baba mbet pa fjalë, pa tekst, shkoi i mori   teshat dhe erdh. Por mësova ashtu që vitin e parë kalova me katër sepse ishte dëshira   që unë e doja atë degë, edhe isha e vetmja vajzë në atë klasë (buzëqeshë) sepse  shumë pak vajza shkonin në atë drejtim që e kisha zgjedhë  unë.

Nga fëmijëria ime kisha me cekë diçka që para se të shkoja në spital, ishte viti 1965 një tronditje të madhe që e patëm ne në familje ishte kur na vdiq nëna. Nëna na vdiq jo që ishte e sëmurë ajo ishte duke punuar, ne ishim tre fëmijë, dhe në atë kohë ajo duke i ndëgjuar fjalët e grave se për me abortu fëmijën që kishte që mos ta lindë ajo kishte pirë do barna të një lulës “Zekum çiçek” i thonin në Prizren, mu për 1 maj. Neve na dërgoi  te tezja e vet mua, vëllezërit, gjyshën, dhe babën. “Shkoni ju se unë kam me pastru diçka në shtëpi, dhe do të vijë”. Ne ndejtëm, ndejtëm, pritëm, ajo nuk erdhi. Kur u kthyem, ato momente nuk mund t’i harrojmë ende… e gjetëm të shtrirë në dhomë (qanë), mua edhe ajo lule sot më rrin parasysh afër dritarës ishte ku ujin i’a kishte pirë… dhe shpejt baba shkoi në ambulancë në spital. Por ajo lule ishte aq e helmueshme sa që të gjitha organet e brendshme i’a kishte copëtuar kështu që as mjekët nuk mundeshin   me marrë asnjë përgjegjje nga ajo sepse ajo nuk mundej më me folë sepse gjuha ju kishte trashë. Si sot më kujtohet mjekët tu folë, dhe nuk ju ndëgjojshin fjalët se çka ka bërë. Në Prizren u bë apel që gjak të dhurohet, ushtria, fabrika ku punojke, shkollat, dhanë gjak por nuk kishte efekt, dhe ajo më 12 Maj në mbrëmje vdiq.

Me 13 maj u varrosë në moshën e saj tridhjetë vjeçare. Ne mbetëm në mëshirë, dhe kujdesin e gjyshës. Por ato vitet e asaj, unë nuk mundem t’i harroj, sepse mosha e saj ishte shumë e re kur vdiq. Dhe gjithnjë në mahallë duke i ndëgjuar fëmijët “Nëna, nëna” mua gjithnjë më dukej një trishtim në trup, sepse nuk e kisha më nënën, nuk kisha kënd ta thërras nënë. Por, gjyshen e kishim atë përkrahësen të cilën ne e thirrshim gjyshe dhe u mbështetshim tek ajo.

Por baba edhe baba ishte shumë i afërt me ne, aq sa nuk u martua për shkaqe se   gjithnjë thojke “jo”, mbasi nëna e nënës, ishin dy shtëpiat afër, baba që i kishte blerë   afër gjyshës dhe oborrin e kishin prishë dhe jetonin në një oborr. Thoshte “Unë   s’mundem të martohem, derisa është gjyshja juaj gjallë, nuk dua edhe një barrë të i’a bi, një siklet të martohem, e kjo do të mërzitet më shumë.” Ashtu që baba nuk u martua, ai mbeti, na rriti. Kishim një jetë mesatare, sepse merrshim pensionin e nënës, baba ishte në pension sepse në ushtri kur ka qenë, kali e kishte vrarë, kishte tre­katër brirë të thyera dhe e merrke një pension, ishte pensioni i mirë i ushtrisë. Por ishte i fortë edhe punonte fizikisht verës, ashtu që kishim një jetë mesatare shumë. Ai kishte dëshirë që të shkollohemi të gjithë ne, vëllezërit edhe unë dhe të tre ne shkuam në shkollë të mesme të Teknikës (buzëqeshë). Vëllau i vogël po njësoj makinerinë sikur unë, por i madhi e mori arkitekturën. Kështu që… ishim një familje shumë e vogël, ku edhe   nuk kishim shumë të afërm, ku të afërm i kishim shokët dhe shoqet, fqinjët me të cilët në një lagje jetonim.

Janë edhe do momente të cilat i kam kaluar edhe në spital. Meqenëse kam qenë një   kohë të gjatë atje, por fati im ishte që unë gjuhën e dija dhe fillova klasën e tetë atje. Ishin të gjitha lëndët, mësuesit ishin. Ishte një repart ku i merrshim mësimet e të gjitha klasave, ishte një spital ku pacientët qëndronin me vite atje e sidomos nëse bënin operacion nga kurrizi i shpinës, aty ishte tre deri katër vjeçar. Kështu që i’a mundësonin të gjithë fëmijëve të kryenin një mësim, që mos të mbeteshin analfabeta. Në fillim ishte pak problem, sepse gjuha i kishte ato rregullat e veta, dhe u adaptova shumë shpejtë unë kështu që nuk kisha mandej problem. Kishin problem edhe shumë të tjerë, kanë qenë nga Gjilani nga Vushtrria, do vajza të reja të cilat nuk e dinin gjuhën shqipe dhe fillonin t’i malltretonin aty motrat. E fati… dhomat ishin të ndara, të ngjitura me dritare të qelqit dhe i shihshim, shihsha unë që po e malltretonin ndonjë vajzë shqiptare, sepse nuk na linin në një dhomë por na ndanin ndamas. Atëherë vrapoja, shkoja dhe ballafaqohesha me motrën apo mjekun, apo cili do ishte aty, u ballafaqojsha. “Pse?” (ndërron tonin e zërit) “Po qe, e ka përly çarçafin, ose këtë.” Ju thojsha “Po ndodhë, njeri i sëmurë e përlyen” edhe të gjitha këto, ju dilsha krah edhe aty, dhe isha e shkathët t’i mbrojë edhe të tjerët. Notat që na i qitshin, edhe aty na bojshin shumë dallime nga të tjerët sepse   kishte nga gjithë Serbia, Jugosllavia. Aty neve gjithnjë na kqyrshin me një sy ma të keq, edhe arsimtarët, sepse na dijshim tash dhe në gjuhën e tyre dhe ajo tash atyre pak ju brengoske. (Buzëqeshë) E kreva edhe të tetën klasë  aty.

Ishte diçka interesante edhe në spital kur jam bërë operacion gipsin nuk ma lanë por si  një shin në këmbë 90 shkallëshe{lëvizë duart në 90 shkallë}, dy ditë në shok­sobë më  lanë dhe kur me prun këtu, e kisha një drenë. Ai dreni, nuk më dhimbte por isha një fëmijë që ishte mësuar të qohet mos të rrijë në një vend (buzëqeshë) dy ditë, dy ditë mbeta edhe në shok­sobë atje thosha “Mua qaty po më dhemb,” vijke mjeku dhe    thoshte “Ajo nuk të dhemb,” unë thojsha “Ajo po më dhemb dhe duheni me ma hjek.” Ai thoshte “Po ajo është që ta pastron varrën,” Mua qajo, “Po më dhemb, se kërkun tjetër s’po më dhemb” atëherë nuk patën qare, ma hekën atë drenin, se nuk mujsha me e pa.

Ishte një vajzë e Gjilanit [Lule], ku dhoma e saj ishte shumë e largët dhe dojsha atë ta shohë (buzëqeshë), por prej dhomës s’mujsha ta shohë, s’mujsha të kontaktoj me të, derisa atje e mësova edhe gjuhën e shenjave që me germa qysh shkruhet {demonstron shkronjat në gjuhën me shenja} ashtu që folshim, në mes dritarja dhe ne   folshim. Atëherë erdhi mjeku dhe ma heku atë drenin (buzëqeshë), dhe mjeku shkoi. Afër meje një vajzë ishte që ajo u qojke me karrocë, por ajo ishte [një karrocë] shumë e vogël, dhe  e shiqoj, e shiqoj disa herë atë karrocë dhe çka të bëjë u ula në atë karrocë, dhe këmbën si me e lënë. Këmba ishte 90 shkallë përmbi këtë këmbën tjetër {tregon me  duar} dhe t’i jap karrocës drejtë korridorit dhe të shkoi deri te ajo, dhe mjeku kur ka dalë në korridor veç ka bë (ngrit zërin) “Luli” veç e ka kap kryt, “çka ke bë, sepse operacionin e vështirë e ke.” Unë hiç, veq e kam ndëgjuar se çka po folë, dhe jam nisë te ajo e Gjilanit. Kur më ka pa edhe ajo {mledhë supet} kënaqësi e saj ka qenë dhe më tha, “Hej shyqyr je bo operacion dhe koke qu kaq shpejtë,” thashë “U qova, vendimin i’a dhashë vetëvetës, sepse mjeku nuk më la, dhe deshta të shohë dhe erdha deri këtu.” (Buzëqeshë) Dhe atë moment nuk e kam harruar se si kam rrezikuar. Operacioni ka qenë shumë i vështirë, por rrezikova dhe shkova ta shohë atë.

Spitali të themi ka qenë një spital shumë që u ka ndihmuar, jo vetëm mua por edhe Kosovës. Kanë kryer do operacione që nuk kemi pas nevojë të paguajmë kurrfarë shërbimi kanë qenë mjekët jashtëzakonisht specialistë dhe të mirë. Dhashtë Zoti, edhe në Kosovë tash e mbas të kemi asi mjekë, që mos të kanë nevojë fëmijët të dalin  jashtë Kosovës të bëhen operacion, dhe me çmime shumë të larta.

Është  një  moment  që  nuk  e  harroj, në fëmijërinë time para se të shkoj në spital ishte   viti ’68, kur flamuri shqiptar valoi në Shadërvanin[6] e Prizrenit, vëllai im Simoni ishte ai që e valoi në Prizren dhe policia ndërhyri ishin shumë njerëz nëpër Shadërvan, donin flamurin ta marrin. Por vëllai i madh ishte aq i shkathët, ishte dy vite ma i vjetër se unë, i’a mori   flamurin  dhe  iku.  Ata  vrapuan  pas  me  e  zënë por nuk arritën, ashtu që unë e dija që  ai shëtitë nëpër Marash[7]  aty pari, dhe prej mëngjesit rrijsha aty pari, shëtisja, kur vëllau ishte fshehur mbrapa një shkëmbi te Marashi dhe fishkëllonte. E ktheva kryet e pashë, i’u afrova dhe tha “Unë jam në atë shpellën e kalasë[8] afër asaj 42 shkallë që është aty unë qëndroj, mos i trego kërkujt, flamurin e kam por, duhesh me m’pru bukë.” Ashtu që unë  nuk i tregova babës, baba e kërkojke, policia kuptuan se kush e ka marrë flamurin dhe vinin te shtëpia, shpesh kontrollonin por unë nuk fola. U detyrova, për çdo ditë bukën e përgatitsha dhe vëllait i’a qojsha në kala në atë shpellë, e lamë mandej orarin e saktë për  çdo ditë. Vëllai një muaj e më tepër mbeti në kala, vetëm e vetëm të mos i’a dërzojë flamurin. (Buzëqeshë) Mbas një muaji atëherë u’a dorëzojë apet atyre që e valuan në Shadërvan flamurin, sepse  ata  i  burgosën  por mbas dy jave i lëshuan por flamuri nuk ra  në duart e okupatorit serb.

Të them diçka edhe për kalanë, e kishim afër atë lagjën  ku  edhe  kisha  lindë.  Ne  si fëmijë… fëmijët shkonin në kala për çdo ditë, meqenëse unë isha prej këmbës pak, por nuk u ndava prej atyre fare, edhe unë vrapoja me  ta. Jo nga rruga kryesore ata nuk  shkonin por ishte një rrugë prej Marashit ishte një rrugicë  shumë  e  vogël,  shumë  e ngushtë, por nëpër atë rrugë edhe unë u ngjithsha. I shihsha  ata,  dhe  thojsha:  “Po mundem  edhe  unë” (buzëqeshë) dhe u ngjitsha deri nalt, u shetitshim. Por kanë qenë edhe disa raste që nalt në kala kishte gjarpërinjë, ku i zishim ne dhe mbi kokë i mbajshmi në  duar dhe frikësoheshim me i lëshu, “çka të bëjmë?” Poshtë në Marash në një shtëpi  kishin pula dhe ne  me  i’a hekë atë xehrin ­ çka me ba? ­ ju afrojshim pulave me gjarpër  dhe gjarpëri i kafshojke pulat dhe pulat cofshin, ne ikshim. (Buzëqeshë) Ashtu shkojshim në lagje atje dhe i lëshojshim gjarpërinjët, fëmijët u tutshin, nuk e dijshin që ato nuk janë  më të helmueshëm ne e dijshim dhe keshim. Ato ishin do gjeste të fëmijëve që nuk i harroj sot, dhe atë ditë.

Bile mbrëmë e takova një vajzë të kojshisë të cilën nuk e kam pa qysh nga vitet e  ’90­ta se ajo është në Suedi, dhe ne biseduam tre­katër orë, duke i përkujtuar disa momente  që ishim rritë bashkë. Ato momente nuk  i  harrojmë,  por  janë  edhe  momentet  me  shoqet e klasës të shkollës fillore. Kam qenë një nxënëse shembullore e klasës, dhe shumë e afërt me shoqet me të gjitha, me shokët dhe shoqet, nuk kam bërë dallim aty… e afërt. Njashtu edhe mësuesen qe e kam pasë Isane Alon, ajo ka qenë një mësuese e afërt me ne, deri në katër vjeçarën e parë. Në klasën e katërt isha kur më vdiq nana,  por mësueses i kishte vdekë më herët se mua ndoshta një vit. Dhe në atë kohë u mbajshin shamijat e zeza edhe unë mbasi  vdiq nana,  tri katër ditë shkova në  shkollë me shami te zezë dhe mësuesja më ndali dhe më tha “Jo, ti nuk duhet me qit shami te zezë.” I thashë “Po ti pse e ke qe sa kohë edhe ty nana të ka vdekë, edhe ti e  mban,  mban  zi  për  të edhe unë do ta mbaj nana më ka vdekë nuk do ta hekë.” Ajo për  një kohë të gjatë u mundua që të më hjekë atë shaminë e zezë se isha fëmijë, dhe një      ditë e ndëgjova dhe në shkollë shkova pa shami dhe ajo me përmbledhi me përqafi me    puthi (buzëqeshë)  tha  “Shumë  mirë  paske  bë, se ti je fëmijë dhe nanës tënde do të i vijë  shumë  më  rëndë  me  atë shami,” dhe kështu që e hjeka atë shami, falë mësueses që e kisha.

Shkollën e kishim shumë afër nuk e kishim shumë larg. Por gjithnjë ajo më brengoste se isha një fëmijë me aftësi të kufizuara, isha e gjallë, por këmba duke e parë këmbën  gjithnjë vike duke u ligështu kjo këmbë e sëmurë dhe ajo më brengoste por dha fati që e pështova nuk e preva… Në momentet kur fëmija vraponin, unë nuk mundesha sa ata dhe aty disa raste u nervozojsha pse spo mundem me nga si ata, dhe ju bërtitsha në disa   raste mos ngani me shpejtësi të madhe edhe unë po du baraz me juve, por ishim nje   grup shumë te kuptueshëm që gjithnjë vraponin me atë masë sa edhe unë mundesha me vrapu, (buzëqeshë) nuk m’tejkalojshin. Njashtu edhe në lëndën e fiskullturës kur në sallë  të fiskullturës kishim kalin e ato, ato i bëjsha të gjitha ndoshta nga vetë ai vullneti im apo nuk e di nuk dojsha të ndahem nga gjithë shoqëria, vetëm vrapimi më ka pengu pak se tjerat jo. I kam arritë të gjitha por me anë të familjes, vëllait më së shumti vëllau i madh, se i vogli kaniherë ma bojke “Mos dil në qytet rri në shtëpi për natë del ti në qytet” por jo, vëllau i madh nuk më linte (buzëqeshë) dhe më merrte afër vetit. E kishim një fëmijëri, u rritëm [të them] {kollitet} pa nënë por ishim aq të sjellshëm aq të ndëgjushëm, ku edhe gjithë rruga na kishin lakmi. Ishim ndër nxënësit më të mirë, aty në rrugicën tonë ishte një rrugicë jo kaluse dhe gjithë rrethi aty na thojke ju lumtë ju jeni nxënësit më të mirë në shkollë se ndoshta prej çdo shtëpije i kishim në klasë jo unë, jo vëllai tjetër ose tjetri, kështu që ata dijshin për ne se ne ishim nxënës të shkëlqyeshëm për të tretë.

Sa i përket se fillova të zijë se nana kur vdiq gjyshja e vjetër, gatujsha, bojsha… “Por si të arrij qysh ta boj atë me zijë?”  Shetitsha nëpër kojshi, e dijsha kohën kur e kanë ato  të zijnë gjellën dhe rrija shiqoja. Ata çka bojshin sot, unë e bëja nesër. Kështu gati çdo lagje, ishte një rrugicë që ndoshta 32-­33 familje dhe te çdo familje shkojsha me pa se çka po zijnë si po zijnë, si po bëhet ajo gjellë, dhe unë veprojsha në shtëpi atë gjellë. Kurrë nuk do ta them atë sot se nuk ka çka di te zijë (buzëqeshë) ose nuk ka se çka nuk di të punojë punë dore… se vet kam qenë e interesuar t’i shiqojë të tjerët dhe të bejë unë. Nuk ka qenë një xhelozi jo, fare nuk jam, nuk e kam atë se pse dikush punon unë jo, i’a kam lakmi por të mundohna kur dikush mundet, pse nuk mundem edhe unë. (Buzëqeshë) Edhe pse si fëmijë kam qenë asi soji, dhe gjithnjë e kam bërë atë ose me zijë ose punë dore. Kanë punuar gratë përpara shumë punëdore, edhe unë i’a kom nisë  qysh në moshën e re, të punoj tentene xhempera… çdo sen, çka kanë punuar gratë nëpër lagje edhe ne kemi punuar.

Vinte edhe koha e dimrit edhe këtë nuk e harroj, ishte rruga që dilshim edhe i qitshim ujë rrugës që të ngrihet që të nesërmen na me rrëshqitë. Para se me i qitë ujë gratë e asaj lagjes tonë na lutshin, “Kur të doni me i qitë ujë vini me na thirrë, i leni sajat jashtë dhe të dalim edhe ne të rrëshqasim me saja, (qeshë) se ditën nuk po mundemi po kalojnë gjinja edhe po na shohin.” Ne i thirrshim por ajo ishte një kënaqesi kur i shihshim gratë të moshuara, nënat e të gjithë fëmijëve aty, hypshin nëpër saja dhe rrëshqitshin deri te   rruga poshtë ishte rruga gati 50 m, ose edhe më shumë. Ajo ishte kënaqësi edhe për ne, se kohërat e dimrit në atë kohë kanë qenë shumë më të ashpra. Kishte borë u ngrijke rruga, dhe ishte një kënaqësi tërë dimrit që të rrëshqitet në atë rrugicën e vogël që e kishim në atë kohë, ishte me gurzi por bora e mbulojke dhe rrëshqitshim. Shoqet e klasës qe i kam pas, mund të i përmendi qe jam në kontakt edhe sot e atë ditë me ata. E është Bukuria, Neharja, Sadeti, Selvetja shumë prej tyre që sot e atë ditë ne takohemi dhe bisedojmë për ditët e shkollës që i kemi kalu, por kanë qenë disa prej tyre që shkollat e mesme ose të lartën nuk e kan viju, por edhe ato i takoj ndërkohë dhe  bisedoj. Kam qenë e afërt me shoqet. (Buzëqeshë)


[1] Tetova është një zonë në Maqedoninë Veri­Perëndimore, së pari e banuar nga   shqiptarët.

[2] Qyteti në kontekst mund të kuptohet si qendra e Prizrenit, si regjion më i gjerë gjeografik.

[3] Bajnicë ishte emri i spitalit në  Beograd.

[4] Lagje në këtë kontekst do të thotë vetëm lagje(mahallë), por specifikisht në organizimin tradicional të fiseve në pjesën veriore e rurale të Shqipërisë, i referohet një grupi të familjes që ndajnë paraardhësin e njejtë.

[5]Shkolla teknike ndodhej në  Prizren.

[6]Fontana që buron ujë të freskët në sheshin kryesor të Prizrenit. Shadërvan ( Sadirvan në Arabisht) saktësisht do të thotë fontanë, e ndërtuar për të dhënë ujë për më shumë se një person në të njëjtën kohë, zakonisht për rituale pastrimi me ujë (avdes), dhe është element tipik i arkitekturës osmane.

[7]Marashi është parku mbi lumin nga qendra, në fund të kodrës mbi qytetin. Hapësira e vogël përbëhet nga disa ndërtesa tradicionale banimi, Xhamia e Maksut Pashës e vitit 1833, mauzole e urdhërit Saadi, dhe mullinidhenje [tash Kafe Mullini]. Afër lumit, një dru rrapi 400 vjeçar, i vetmi i llojit të vetë në Ballkan i vendosur pranë një burimi natyror.

[8]Kështjella përbëhet nga rrënojat e një kalaje mesjetare e ndërtuar nga Bizantinët, e zgjeruar nga dinastia serbe Njemanjiç dhe në fund nga Osmanët.

 

Rinia

Mimoza Paçuku: Si mund ta përkujtoni rininë tuaj?

Drita Vukshinaj: Pra, rinia ime njashtu ka qenë, një rini e frytshme, shkollën e mesme [Gani Qavdarbasha] e kam kryer në vitin 1974 ­gjenerata ime të gjithë shkuan në Sarajevë te studiojnë por baba dhe vëllezerit m’u lutën, “Ti shko në Prishtinë për shkaqe se… gjyshja ishte e vjetër, bile një herë në javë të vij në shtëpi dhe te kujdesem per ta.” Por në Prishtinë nuk deshta unë, e regjistrova shkollën e lartë komerciale në  Pejë.

Rininë e kam kaluar në Prizren por kur vijke koha e pushimeve me vëllaun e madh ne gati tre muaj tërë pushimin e kemi  kaluar në bregdetin Adriatik duke  fillu prej Ulqinit e Hercegnovi e n’Igallo e në Bar, Dubrovnik deri në Rirjekë[1]   kemi shëtitë (buzëqeshë).

Njashtu edhe shkonim në Osjek[2], ku e kishim axhën edhe atje rrishim pak te ai, ato ishin ditë kënaqësie të rinisë time që rrija me një ambient shumë më i mobilizuar me një vend  ose send dhe vija në Prizren ku mentaliteti ishte shume më i ulët se atje. E gjithnjë shoqeve te mija dhe  shokëve  ju thoja se duhet te veprojmë kështu, duhet të bëjmë  kështu  e  që  ta  hjekim  atë  prapambeturinë çka  ose  nga  prindërit  tanë e kemi  marrë. Ishte  këtu  Nasheci[3]  ku  shkonim  të  lahemi  por shumë  vajza  nuk  vinin,  për  shkaqe se familjarët nuk i lejonin. Ndoshta isha e vetme por dy tri prej tyre vishin disa dhe ditëve e vikendeve  të  verës  njashtu shkojshin, por unë e falemnderoj gjithnjë si ju thashë disa  herë vëllaun e madh se ai me ka bë për me  qenë.

E regjistrova komercialen në Pejë por ndërkohë në fund të vitit ‘75 gjeta një punë në  fabrikën e fijeve sintetike për progres në Prizren, isha si kryepunëtore e një repartit që makinat të fiken dhe të lëshohen dhe fillova aty të  punojë  dhe  me  korrespodencë  vazhdova komercialen në Pejë. Punën e kisha gjithnjë ndërrimin e parë por… ai repart punojke me tri ndërrime, atëherë kërkova që  të  kaloj  me  ndërrime  për  shkaqe  të  kujdesit të shtëpisë të familjes  se  ju  nevojitej  të  zijnë  ndonjë  send.  Kështu  që,  kisha shumë  më shumë pushim, se aty nuk punonin me javë por dy ditë me një ndërrim; dy ditë, tre ditë, atëherë tre ditë pushonin. Kështu që më konventonte ajo dhe nuk kisha problem për gjum, pak pushojsha, se nuk e kisha një punë të  rëndë.  Atje makinat ndodhnin natën, ose ndërrim një herë, dy… u nalshin ndonjë makinë kështu që punën e  kisha të mirë, edhe shoqëria ishte aty. Por  kryeshefi  ishte  serb,  ashtu  që  kishim  pak problem edhe atëherë me atë. Në momente kur ne donim diçka të bënim se më shumë ishim ne shqiptarë aty që punonin, kishte mjaft edhe serbë, dhe gjithnjë atë kryeshefin e kishim  që na pengonte në ato çastet të duhura kur na donim me marrë ndonjë vendim. Në vitet ‘90 na suspenduan prej punës kështu që mbetem pa punë.

Po prej vitit ‘75… në vitin  ‘77  tash  bashkëshortin që e kam, ai nuk është person me  aftësi te kufizuara nuk ka kurrfarë… dhe ne u njoftuam, me të. Por unë u njoftova si shok nuk doja të martohem, por ai këmbënguli që të martohemi ,nuk doja me atë. Se gjithnjë mendoja që unë jam femër me një aftësi të kufizuar dhe nuk dua… se ai mund të gjejë femër si është ai vetë, por jo, fati ynë qe ne u bashkuam dhe ne vitin 1977, ne u martuam. Shoku atë vit kishte dal nga burgu, ku e kanë dënuar katër vite, atë vit kishte   dal nga burgu. Ishte nga një fshat afër Prizrenit por familje nuk kishte, një motër por   motra  ishte  e  martuar.  Unë e lusja që të shkojmë në fshat por ai nuk deshti, se katër   vite nuk kishte jetu në atë shtëpi dhe  ishte  dëmtu pak shtëpia, atëherë vendosëm në Prizren në një banesë e mobiluam pak, dhe filluam  jetën.

Por edhe familja e shokut, edhe ai ka kaluar një fëmijëri jashtëzakonisht… ku prindërit edhe baba edhe nana kanë qenë të burgosur politik, ku baba i vet 13 vite ka kaluar në  burgun Goli Otok[4]; por edhe ai qe katër vite, kur dul u martuam. Por ai e kishte edhe një dënim që unë nuk e kam ditë… i kishte 1 vit e dy muaj që e kishin dënu, por ishte ne burg dhe e kanë liru. Kështu që në vitin ‘78 kur u mbajt takimi i parë i Lidhjes së Prizrenit13[5], (buzëqeshë) dhe ky me disa shokë dul me bo fotografi të Lidhjes së Prizrenit atëherë e zunë  e  burgosën  dhe  unë mbeta vetë. Menjëherë në polici shkova, isha një femër shumë e gjallë nuk dojsha që të kryej punë dikush për mua, gjithnjë tentoja që ti kryej vetë ato punë. Shkova në polici dhe u thashë “Pse e burgosën pse tek…?” sene, tha “Po ka qenë    në mbrojtje dhe i ka pas edhe nji vjet e dy muaj dhe nëse bën edhe një gjest, atëherë duhet me burgos mbrojtje në liri.” “Atëherë” thanë “na e kemi nxënë në fakte, dhe ne e burgosëm.”

“Atë burg duhet me mbajt në [Srems] Mitrovicë” thanë, ”a sonte me autobus, u niske në mbramje nga Prizreni e bartin në Beograd mandej.” Dola në mramje në stacion të autobusave, do cigare do sene i’a dhashë me veti, po të nesërmen unë udhëtova menjëherë në Srems në Mitrovicë. Në Beograd, në Srems me tren shkova se ishte bileta kthyese më lirë. Kur mbërrina në Srems në Mitrovicë ata më thojnë “Jo ne se kemi pru këtu, por në Mitrovicën e Kosovës” ajo ishte një gënjeshtër nga ata vetëm një malltretim. U ktheva unë në Prizren, të nesermën shkova në  Mitrovicë aty kur më thanë ai qëndron në Srems, në Mitrovicë të Beogradit. Atëherë unë kërkova avokatin e tij që ka qenë më herët, se unë nuk e kam ditë se avokati kush  ka qenë, ai avokat kishte qenë në Beogradin e Ri. Shkova mas pari në Beogradin e Ri, unë e gjeta avokatin, meqenëse tash janë lidhjet telefonat dhe gjithçka mundet njeri me gjet më lehtë.

Ajo  kohë ishte shumë më e vështirë me adresë edhe telefon fiks e gjeta avokatin i cili më tha që “Ai është në Srems në Mitorvicë” është kështu kështu, “Ka me mbajtë dënimin që nuk i’u është përmbajtë rregullave… 14 muaj, pra nji vjet, pra 16 muaj po i bjen.” “Po” thashë, “unë kam qenë por ata më kanë kthy” thash, “të kanë kthy?” thash “po,” thash “duhesh ti me  ardh  me  mu në Srems në Mitrovicë dhe ta shohë a është ai aty, a ku  është?” “Nuk është” thashë, “nuk ju besoj fjalëve.” Mbasi më kanë kthy, ai ka ardhë me mu  në Srems në Mitrovicë, e kam pa në burg që është shoku, kam bisedu dhe jam kthy     në Prizren. Por ajo kohë ishte e shkurtër që ne ende nuk kishim  kurorë,  nuk  kishim kurorëzim dhe nuk mundim diçka me bo, që të bëhej një kërkesë pak me i’a lehtësu. Në Kuvend Komunal, tu e pyet çdo avokat dhe çdo send, që  unë  jetoj  me  të,  janë dëshmitarët me dëshmu, dhe ashtu dy dëshmitarë dëshmuan që unë jetoj me të; kështu     që e bëmë një  ankesë  dhe  i’a  hoqën gjashtë muaj kështu që mbeti 10 muaj dhe u lirua  dhe erdhi në Prizren. Ishin ato çështjet politike ku ende policia e përcjellshin, kudo që konkurrojke për punë ndikojshin, gjithnjë nuk i jepshin një vend pune që të punojë. Unë     isha në punë, por unë i thojsha që “puna nuk ka mbarim, duhet të punosh derisa ta gjesh    një punë.” Atëherë ai filloi të punojë si punëmarrës, hapjen e bazenave, telefon kabllave, sendeve me postë  ashtu  që  filloi  punë  me  punëtorë  të  vetë…  kështu  që  arritëm  një familje  t’a  kemi.  Kemi  tri  vajza dhe shumë përkrahje të madhe kam nga shoku, ku edhe sot e atë ditë, ai gjithnjë nuk me konsideron si femër me aftësi të  kufizuar.  Unë  gjithmonë mundohem ato punët vetë t’i kryj, vetë t’i boj, vetë gjithnjë.

Rinia ime them që kam kalu edhe rininë mirë, normal që gjithnjë njeriu në jetë ka ato problemet që ballafaqohemi,  se  kemi  qenë  një  familje  që  gjithnjë  në  sy  të  okupatorit serb si vëllezërit, si shoku, si unë si të gjithë. Kështu që edhe vëllezërit janë detyru se prej vitit ‘77, lëvizja kur ka qenë ne kemi qenë të gjithë me atë grupin, edhe shoku është bashkangjitë kur ka dalë prej  burgut  dhe  okupatori  serb gjithnjë ka qenë në mbikqyrje  tonë se çfarë bëjmë tek bëjmë, ku lëvizim. Vëllezërit filluan me fakultet, vëllau i madh u transferua në Gjakovë u martua, atje filloi të punojë në fabrikën Dukagjini si arkitet. Por  policia ishte ajo që i detyroi t’a lënë Kosovën qysh në vitin 1984.

Ishin… do momente që vajza e madhe kur më lindi në vitin ‘80, vëllau ishte i martuar para meje dhe une ndiva një zbrazëtirë në vete shumë, se ai nuk kishte fëmijë. Unë veç e kisha vajzën por isha veç me shokun e në punë, nuk dojsha ta shfrytëzoj djepin por kur e pashë  vëllaun në një mëngjes, ishte e mërkure ditë tregu në Prizren, e kishte blerë një djep dhe ma pruni. (Buzëqeshë) I thashë “Jo, unë jam vetë djepi,” tha “Ti je rritë në djep,  ne jemi rritë në djep, e edhe mbesa ime ka me u rritë në djep.” Nuk i’a prisha atë dëshirë   të atij dhe e vendosëm në djep,  por gjithnjë kisha një zbrazëtirë nuk mujsha vajzën ta marrë me një kënaqësi ta dua para vëllaut, se ata nuk kishin. Ata e donin shumë.

Vajza më lindi në 1980… ku baba me  vdiç  në vitin 1981 dhe gjyshja mbeti vetem, me  vëllaun e vogël por ai ishte ne  studime  se vëllau i madh ishte në Gjakovë. Atëherë u  detyrova se  isha  unë  me  qera  në  shtëpi,  por  kalova  në  shtëpi  të  babës dhe u kujdesa unë për gjyshen dhe e falenderoj shokun që ra dakort që të shkoj në shtëpi aty dhe të kujdesemi  për  gjyshën.  Ajo  ishte shumë e vjetër, ku ajo vdiq 102 vjeçare por gjithmonë   me atë mërzinë e saj duke i thanë  vetë  vetes  “Pse  nuk  vdiqa  unë,  por  me  vdiqën vajzat?”  por  ajo  ishte  punë  e  Zotit.  Në  1984  më  vdiq edhe gjyshja, pra gjithnjë kur më vdiq baba, gjithnjë thojsha se me vdiq baba e baba t’u pritë të martohet që një ditë kur       të vdes gjyshja; por jo kjo ndodhi kontra, ku baba me vdiq afër katër vite para gjyshes, kështu që nuk u martua ai fare, se nuk donte që gjyshës të i’a bëjë atë.(Buzëqeshë)

Masi më vdiq gjyshja, policia ishin ata që edhe vëllezërit shumë i kërkonin, edhe të madhin edhe të voglin, se në vitet ’80­‘81 ishin protestat e pllakatat e shkrume e ata ishin aktivistë të mëdhenjë. Kështu që mbas shtatë dite vëllau i vogël erdh prej Prishtinës, mbasi vdiq gjyshja shkoi edhe u kthy dhe tha “unë e dua Kosovën patjetër ta lëshoj, ose të bij në duart e okupatorit. Më kanë marrë në pyetje por pshtova.” Kështu që gjyshja më vdiq  në 1 qershor 1984. Vëllau i vogël me 14 qershor ‘84 dulë nga Kosova dhe prej atëherë më nuk e pashë, edhe vëllau i madh edhe ai mbas dy muje edhe ai shkoi. Mbas një kohe dëgjova vëllau i vogël ishte vendosë në Suedi, por për një kohë të shkurtë kalon në Francë, në Paris, dhe aty punësohet si përkthyes se i ka ditë disa gjuhë; ndëgjoheshim në telefon fiks përpara por edhe atë rrallë.  Mbeta  vetem unë në Prizren, i kisha ata dy vëllezër edhe ata më shkuan e mbeta me shokun dhe vajzën. Mbas lindjes së vajzës,  fillova punën apet mbas pushimit të lehonisë, vajzen nuk kishte kush me ma kqyrë, ashtu që ishin çerdhet ato të cilat ishin në Prizren dy dhe e qojsha vazjën në çerdhe, vijsha nga puna ashtu që jetonim.

Vëllau i madh… që u largua gjithnjë nga policia, por edhe për të voglin dhe më thonin “ne me Interpol do t’i bijmë.” I thojsha “ku është ai fat edhe unë do t’i shoh por nuk e di ku janë,” meqenëse e dijsha ku janë por thojsha, “edhe unë do t’i shoh nëse ju i bini ata në Prizren, do ti kem më afër se kam mbetë vetë.” Nuk i prunën, derisa në vitin 2010 vëllau i vogël vdiq unë nuk e pash… por e prunën e varrosën në Prizren, vëllau i madh është ende atje për pushim vjen këtu rrin,  shkon…


[1]Këto janë qytetet në bregdetin adriatik të Maqedonisë.

[2]Qyteti i katërt më i madh në  Kroaci.

[3]Vendbanim i vogël afër Prizrenit, pranë Drinit të  Bardhë.

[4]Ishull në veri të bregdetit të Adriatikut, i cili nga 1949 deri 1956 ishte bërë koloni penale me siguri të lartë për të burgosurit politik jugosllavë, duke mikëpritë njerëz të akuzuar si simpatizues të Bashkimit Sovjetik, si dhe disidentë të ndryshëm, duke i përfshi shumë shqiptarë. Që nga atëherë njihet si gulag i vërtetë.

[5] Kjo është Aleanca Shqiptare e vitit 1878 që luftonte kundër ndërrimit të kufinjëve të vendosura në Kongresin e Berlinit nga Fuqitë e Mëdha. Liga kërkonte atonominë nga Perandroia Osmane. Ndërtesa ku liderët shqiptarë lidhën besën(bashkim i përbetuar) është mbi lumin që rrjedhë përmbi nga qendra e qytetit. Tash është muze. Ndërtesa e tanishme është në rikonstrukt nga origjinalja, të cilën e dogjën trupat serbe me 1999.

Aktivizmi

[Pjesë e prerë nga video-intervista: Intervistuesja e pyet të intervistuarën për periudhën e aktivizmit]

Drita Vukshinaj: Filluam edhe aktivitetet të cilat merresha me femrat, kur në gazetën ditore Rilindja më duket në vitin 1994, pash që u hap një zyrë për persona me aftësi te kufizuar e Handikos­it në Prizren… dhe mas asaj gazete e gjeta ku ishte ajo zyrë dhe shkova vetë.  Kur aty i takova do që i njihja një femër që punonte, nuk ishin me aftësi të kufizuara, dhe thash që “unë e pashë në gazetë, kjo shoqata është për persona me aftësi te kufizuara   dhe erdha.” “Po” tha “shoqata ka ekzistuar prej viti 1983 por në Prishtinë,” por i thash “a jeni kyçur ju edhe të Prizrenit atje,” po e njifsha atë femrën unë dhe i thash “pse nuk më  ke tregu se ka qene një shoqatë e tillë?” Në atë kohë anëtarë ishin 200 persona me aftësi te kufizuar, prej tyre shumë pak femra, më shumë të gjinisë mashkullore. Deri në kohën mbas luftës mbas vitit 1999, ne kishim disa akitivtete ju ndihmojshim femrave, skamnorëve, sidomos femrave nëpër fshatra. Sidomos me i identifiku ku janë kjo kategori.

Në vitin 1999 u hap zyrja u riaktivizu, sepse ishte e hapur kështu që filluan edhe ndihmat humanitare me ardhë mbas luftës më shumë. Atëherë ajo ishte një befasi e madhe se…  ku dolën këto persona me aftësi të kufizuar, une isha një ndër ta që çdo natë, çdo ditë  isha në qytet. Isha jashtë qytetit, gjithkund, por nuk i shijhja këta persona por për shkak  të ndihmave humanitare filluan njerëzit me i lajmëru. Kontaktet me ta individuale që i bënim, ma shumë kisha deshirë me gjininë femërore të jem. Biseda me ta ndoshta ishin   të moshave të ndryshme 30, 40 ose 50 vjeçare që të qytetit kanë qenë, dhe nuk i kam parë nuk i kam ditë, dhe ata thonin se familjarët e tyre nuk i kanë lejuar që të dalin   jashtë shtëpisë, të jenë në mesin e shoqërisë. Kjo më shtyri mua edhe ma shumë që të bëjë për këtë kategori edhe më shumë. Filluam regjistrimin e tyre në gjithë komunën e Prizrenit kanë qenë gjithsej 78 fshatra. Ndoshta ka ndodhë qe kemi hasë me një shtëpi  dhe ngjit me atë shtëpi ka pas një femër me aftësi te kufizuar dhe nuk e kanë ditë ajo familje, që ka derisa na kanë tregu derisa na kanë pranu familja, ajo ka qenë një  vështirësi shumë e madhe. Ndoshta disa herë ka ndodhë, kemi shku, jemi kthy derisa i kemi bindë familjarët që ajo duhet të jetë në mesin e shoqërisë, duhet të integrohet  duhet të aftësohet me diçka.

Shumë donatorë që kanë ardh në Handikos, ndoshta e shihnin se me çfarë vullneti doja  të ju nidhmoja unë kësaj kategorie. Më thonin “pse?” por ju thosha që “të them të vërtetën, dua që ata të jenë në mesin e shoqërisë, sikurse unë që jam, kjo më shtyn se kanë qenë te izoluar ata, dua t’i tërhjeku se ka mënyra të shumta, ka ideja të shumta t’i tërhjeku, që të jenë në mesin e shoqerisë.” Flilova me projekte të shumta ishte kundër analfabetizmit, ku ata nuk dinin as shkrim as lexim, dhe shumica prej tyre mësuan kurse të rrobaqepësisë, punë dore. Material i jepnim që familjarët kishin një interes aty, që  nëse e merr materialin, ajo vajza e tyre e qon në shtëpi , atëherë shumë më lehtë do ta lëshojnë me ardhë në mesin tonë… Ato ndodhën që me projekte të shumta dhe të gjitha ato projekte të themi qe deri më sot këtë vit, 12­-13 vite unë rrogë për  veti vetëm dy vjet e gjysmë kam marrë. Të gjitha projektet kanë qenë në mënyrë vullnetare qe i kam realizu, vetëm e vetëm që të kemi më shumë mjete për aktivitetet e tyre. Bile më kujtohet nga CDF, Vjollca Cavolli më ka thënë një herë “Po Drita, bile një rrogë të vogël 100 marka [ose ishte marka atëherë në fillim].” ”Jo” i thojsha “se po më mungon materiali të cilin dua ta marr, t’i shtyj ato femra të punojnë diçka, ato të merren me diçka. Nuk dua rrogë për vete, por dua vetëm e vetëm për material, për aktivitete. Ma shumë…” i thashë, “më nevojiten mjetet për karburant se ata nuk munden të lëvizin në këmbë, e mos të jetë rroga ime po të jetë karburanti. Që me ato mjete t’i bartim ne t’i sjellim në qendër, që ato të relaksohen.”

Ishin ato takimet javore ndodhshin edhe më të shpeshta se kërkonin ato se menxi nuk pritshin me ardhë ajo ditë me u taku se ato donin te takoheshin. Nuk ishin vetëm këto aktivitet e lira që merresha me zyren aty, por kudo që ndëgjojsha që kishte shoqata të grave kyqesha. Në Kuvend Komunal, në secilën drejtori në secilin akt ligjor, që ishte më interesonte që ta lexoj edhe pse nuk ishte në profesionin tim, ishte një profesion se shkollën e kisha kry krejt tjetër, por më interesonte çdo ligj, çdo rregullore e Kuvendit Komunal që të bazoheshin në kërkesat e tyre. Para luftës ishte rregullorja 2004/45, mandej tash pas luftës u bë 2007/40[1]. Kështu që çdo takime që organizoheshin nga shoqëria cilve ose institucionet në Prizren, Prishtinë, kudo që ishin unë isha pjesë e atyre takimeve që të kuptoj se çka ofrojnë institucionet, çka ofrojnë shoqatat për femrat, që  të marr diçka nga to dhe të zbatoj te kjo kategori dhe pa kurrfarë pritese, pa kurrfarë kompenzimi.

Unë kam qenë aktive në të gjitha takimet, njashtu kur kam dëgju për Rrjetin e Grave në vitin 2001­2002, menjëherë jam kyç dhe kam marrë pjesë në çdo takim të Rrjetit të  Grave pa marrë parasysh a është paguar rruga apo jo, edhe pse në shumicën e rasteve janë paguar rrugët, por kam qenë aktive dhe aty e kam dhënë atë mendimin tim. Edhe kam folë kam cekë që egzistojnë edhe femrat me aftësi të kufizuar, të cilat janë dyfish të diskriminuara nga gjinia mashkullore. Që kanë dhunë në familje nga familjaret nëse nuk kanë pasë dhunë fizike kanë pas dhunë psiqike. Ku duhet t’i trajtojmë ato dhe gjithnjë ndoshta ka ndodhë orar pas orari, të shtunën, të diellën aq jam bërë e afërt me femrat se nëse ka ndodhë një problem i tyre në shtëpi më kanë ftuar dhe të bisedojmë ta zgjedhim atë problem. Se si mund të i ndihmoj dhe gjithnjë kam qenë ajo qe i’u kam dalë në ndihmë kësaj kategorie, e cila sot nuk është aq sa para luftës, por ende ka diskriminim tek kjo kategori. Punësimi nuk është në nivel të duhur, meqenëse punësimi   në gjithë popullatën po egziston diçka që nuk  janë.

Më kujtohet viti 2000, kam bërë një eskurzion në gjithë Kosovën. Edhe në Prekaz[2] kemi shku, ka qenë një femër që ajo ishte më në moshë atëherë ishte 50 vjeçare, dhe kur mbrrimë në Prizren… shkuam në Prishtinë, në Prekaz, në Pejë, në Istog kemi ngrënë bukë. Në Pejë, u ndalëm në Deçan, Gjakovë pra ishin disa qytete të Kosovës, dhe kur mbërrijtëm në Prizren ajo më tha “Edhe nëse vdes tash, kurrgjo nuk du se unë përveç lagjes time kurrë nuk e kam pa. Pesëdhjetë vjet i bëra e as qytetin e Prizrenit nuk e kam mujt t’a shoh aq.” “Por” tha, “unë të falenderojë shumë që unë dola dhe e pash edhe Prishtinën edhe Pejën edhe Deçanin,” i permendi të gjitha qytetet në atë moment unë u ndiva diçka, shumë u preka nga ato fjalët e saj por nuk u ndala. Ajo më dha edhe më shumë kruajo që çdo vit, jo nj herë, por nga dy herë në vit unë i merrja femrat dhe i shëtisja nëpër Kosovë, por me dëshiren e tyre se ku duan ato të shkojnë. Unë isha ajo   qe i kisha parë të gjitha qytetet dhe jo Gjilanin, jo kishin deshirë Pejën jo Rugoven jo  ato… dhe i qitsha dhe i shetitsha që ta ndjejnë edhe ato një kënaqësi, të jenë në mesin   e shoqerisë. Pa marrë parasysh se kanë aftësi fizike dikush më të rëndë, dikush më të lehtë, por e kanë një talent që ata dojnë ta shprehin dikund (buzëqeshë).

E kam bërë një projekt që t’i aftësojë për patent shofer, ishte për 20 femra por nuk i morra të gjitha të Prizrenit, unë i mora në regjion. Ishin do vajza të reja të Rahovecit, fshatit Xërxë, fshatit Zhur të Suharekës, rrethit të Suharekes, të Prizrenit të fshatrave    që t’i aftësojë, veten e lash ma së fundmi, nuk doja. Meqenëse mu më nevojitet…edhe   si vajzë e re, nuk doja e largova veten. Meqenëse shumë vite më heret vëllau më ka lut, por ai kompleksi shpirtëror ne themi që nuk kemi kompleks… por jo (buzëqeshë) kompleksi ekziston sot. Dita e sotit… ende ekziston ajo edhe shoku më ka lut disa herë “merre patent shoferin.” Thojsha “jo se thonë hallku, qe kryjti shkollën, u punësu, krijoi familje tash edhe automjetit po i grah.” Kjo ishte pra, ndikimi i fjalëve të tjerëve që nuk   e morra, por edhe aty nuk e morra. U lëshova tjerëve që ta marrin patent shoferin dhe shumë femra sot ju grahin automjetin, bile janë edhe përdorues të karrocave por edhe automjetit i grahin. Ato doja që shumë më shumë të përpiqen nga shtëpia. (Buzëqeshë) Arsyeja… automjeti, dhe kishin një përparësi se nëse ishin në pension, se ka shumë  raste prej tyre që janë në pension dhe kanë lirim nga dogana të bijnë automjetin pa akcizë dhe doganë. Ka shumë raste që kanë disa familjarë që i kanë jashtë, ndoshta nuk munden t’iu ndihmojnë në mënyra te ndryshme, por ju kanë pru nga një automjet atyre pa doganë, pa kurgjo, dhe e kanë regjistru dhe sot janë përdorues të automjeteve që i ngasin vetë. (Buzëqeshë) Dhe kështu me aftësimin e patentit të shoferit shumë femra kanë përfituar por edhe familjarët kanë përfituar se nuk e kanë barrë  femrat.

Nuk jam aktive vetëm me femrat me aftësi te kufizuar fizik por jam aktive edhe në shoqatat e tjera të grave që funksionojnë në Prizren. Kam pas bashkëpunim edhe më herët, por edhe tani… Marta, Nexhmija, Dilja, Vjollca dhe të gjitha këto me aktivitetet tona i kemi bashku bashkë dhe i kemi kry ato aktivitete. Por aktivitetet nuk mungojnë edhe në kategori të tjera si janë në Prizren, Shoqata e të Verbërve dhe e Shurdhërve, që edhe te ata e kam gjetë një ngrohtësi ku më thërrasin të i’u dal në ndihmë në çfarëdo lloj kërkese, apo të i ndihmojë në mënyra të  ndryshme

Jam e gatshme pa kurrfarë përtese të shkoj dhe të afrohem me ta. Njashtu kam bashkëpunim të mirë edhe me zyrtaren e barazisë gjinore, ku ajo gjithnjë kur ka një  pengesë në punën e vet me kërkon me pyet “Drita çka është kjo? Ku është kjo?” Don të regjistrohet  një  shoqatë…  ku  duhet çfarë  dokumenti, dhe gjithmonë kam qenë e afërt  që statutin aktin themelues i’a kam plotësu, i’a kam bë  që  të  regjistrohen.  Kudo  që ndëgjoj, dhe sot e atë ditë ndëgjoj që është  regjistruar  një shoqatë e grave  shkoj bisedojë me ta. Ju them “hajde regjistrohu në Rrjetin e Grupeve të Grave, aty ke me e gjetë veten  kurgjo  kurgjo,  mos  mujsh… ata të japin një listë të donatorëve.” Qe, të  hënën do të shkoj në Mamush[3], ishte regjistru para një muaji një shoqatë e femrave turke dhe shqiptare, dhe do të i’u dërgoj aplikacionin t’i regjistroj në Rrjetin e Grupeve të Grave.

Edhe në Asamblenë Komunale shkoj e monitoroj kështu nga dëshira ime, se jo që paguhem. Në Prizren qysh nga viti 2000 jam aktive, qysh ka fillu seanca jom, dhe   gjithnjë aty i marr ato shënimet që më interesojnë mu, se sa femra flasin në ato seanca. Gjithnjë themi dhe avokojmë se gratë votojnë për gratë, dhe është një përqindje mjaft e madhe gati baraz gati 48% janë gratë, dhe ju japim votën gjithnjë kur vjen fushata dhe dalim e avokojmë. Dalim mbajmë takime me femra nëpër lagje, nëpër fshatra dhe ju themi… “votoni gratë.” Nuk i cekim partitë politike gjithkush e ka një parti të cilën e   voton, por edhe në atë parti ka gra që ato të ngrisin zërin në Asambletë e juaja. Por sa shoh në Suharekë kam qenë në Prizren e…gjatë seancave të Asamblesë Komunale edhe   që i kemi votu gratë dhe kanë votu gratë, ata nuk e ngrisin zërin për një problem të   grave. Gjithnjë këtë e them se ndoshta edhe në shoqëri civile duhet të jemi më afër atyre asambleisteve, nëse dojnë që edhe ato të ngrisin zërin. Ndoshta nuk kanë  probleme, por edhe ato masi janë zgjedh nga vota jonë nuk vijnë me na vizitu, masi kalojnë zgjedhjet nuk vijnë, dhe kështu që mbetet një zbrazëti në mes shoqërisë civile  dhe përfaqësuesve që i kemi zgjedhë. Prapë e them, unë atë se ne duhet të ju afrohemi atyre që t’i ftojmë në takimet tona, t’i ftojmë kur i mbledhim gratë. E vetë gratë të ju themi jo vetëm ne përfaqëusesit, por vetë t’i ndëgjojnë ato problemet e tyre se me çka ballafaqohet gruaja sot, dhe ato probleme t’i ngrisin qofshin në nivelin lokal, qofshin në atë qendor.

Gjithnjë e them që unë do të jem ajo më afër gruas kudo që janë. Kam dëshirë që edhe ato të  jenë aktive më shumë, por ekzistojnë ende edhe ato botëkuptimet familjare që  vetë familja, anëtaret e familjes nuk i lejojnë. Ka femra të martuara dhe të pamartuara që nuk janë të lira sa duhet të  jenë.

Janë disa momente që e kam ndier veten shume të emocionume nga personat me aftësi të kufizuar. Të themi projektet kur janë realizuar gjithnjë e kam pas një kënaqësi, por kënaqësi të veçantë  kam  ndjerë  qysh nga viti 2006-­2007 unë kam fillu me këtë kategori  të  shkojë  në  det.  Kam organizuar  me  donacione  të  tilla  dhe  kemi  shkuar  në grup në Durrës[4], nga shumë momentet mund të veçojë një moment i cili më ka prek shumë, kur një anëtar është mbi 30 vjeç edhe ai ka ardhë me shoqen dhe dy fëmijët e vetë. Por ajo   ishte që fëmija u lajshin e shoqja dhe ai nuk u lajke, dhe ne e shiqonim dhe një ditë, e një ditë duke biseduar me të e bindëm në një mënyrë që edhe ai të hyjë në ujë. Ai kishte amputim dy këmbët, “jo” thojke “si të  hyjë?,” atëherë e kishim  një  përdorues  të  karrocës dhe që i thamë, e atë e qojshim deri te pragu i ujit me karrocë ai zbritke prej karroces  dhe  zhag  u futke në ujë. (Buzëqeshë) Këtë e morëm e afruam te uji, kur e  afrum në momentin në ujë, ai thoshte “jo  s’du me  zbritë” se edhe ai e ndjente një zbrazëti në vete se kurrë në ujë nuk kishte hy, dhe zbriti ne ujë. Fillojë të hyjë në ujë ne i rrishim afër aty dhe e tërhjekëm diku më në thellësi, dhe duke e mbajtë për duar, dhe i ofronim disa goma përreth nesh.

Filloi të notojë duke u mbajt për gome duke u mbajtpër njëri  tjetrin, dhe fëmijët e vetë e ndjenim një kënaqësi jashtëzakonisht të madhe  që e lutnin “babi, babi, babi.” Ai çdo vit me fëmijët e vet ka shku në deti, por këtë aksion nuk    e kishte marrë, dhe falë ndihmës tonë ai hyri në ujë. Mbas një kohe notimi ai na tha neve të gjithëve “Sa kënaqësi e madhe qenka të notosh të lahesh në një ujë si ky. Nuk e kisha ditë se këtë e kisha provu edhe më herët, ju falemnderoj shumë që më bindët që të hyj në ujë.” Fjalët e atij ishin që ai “çdo vit,” tha,  se “Unë kam ardhë në deti për hatër të fëmijëve por ujin nuk e kam shiju sikurse sot, i’u falemnderoj edhe juve shumë.” Në atë moment kur hyri ai në ujë, ne të gjithë duartrokitëm, i kemi dhënë një kurajo atij që të vazhdon  të  mos  jetë  vetëm  aty  te  zalli.  Por të vazhdojë edhe më tutje, vazhdojë dhe tha se “Kënaqësi e madhe qenka të notosh në valët e detit. Unë vetëm e kam shiju ujin  e banjos ku jam larë  në  shtëpi, a kështu as në lumin e Lumbardhit të Prizrenit nuk jam  larë. Kjo  është hera e parë e jetës time që e shijova ujin me një kënaqësi shumë të  madhe,” dhe tha i’u  falemnderoj.”  Dhe  sot  e  atë ditë, tani çdo vit tani me fëmijët e vetë vjen me ne, ose  pa ne, por ka filluar të lahet në ujë (buzëqeshë) ku  e  ka  pas  një  kompleks  jashtëzakonisht  të  madh.  Ka  edhe shumë  momente por ky ka qenë një moment i jashtëzakonshëm për mua që e kam ndjerë  atëherë.


[1]E intervistuara e ngatërron informatën. Para luftës personat me aftësi të kufizuar kanë mundur të bëjnë kërkesë për ndihmë, mirëpo rregullorja ka hy në fuqi vetëm pas luftës si procedura legale të vendosura nga UNMIK­u. Tani, kërkesat kryhen duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale ( 2008/03­ L040).

[2]Prekazi është vendndodhja e kompleksit memorial të Adem Jasharit, park shtetëror për nder të familjes Jashari, e cila është masakruar nga trupat serbe në marst të vitit 1998. Jasharët njihen si bërthama e parë e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe veçanërisht Ademi, si udhëheqës i ushtrisë konsiderohet si simboli më i fuqishëm i rezistencës kombëtare.

[3]Komunë e vogël me shumicë demografike  turke.

[4]Port dhe qytet plazhi në bregdetin e Adriatikut të  Shqipërisë.

 

Ëndrrat

Mimoza Paçuku: Cilat kanë qenë ëndërrat e juaja dhe sa prej tyre janë realizu?

Drita Vukshinaj: Ëndërrat e mia të jetes kanë  qenë që të kem…kam pas dëshirë të kem më shumë fëmijë. Fati që kur e kam lindë vajzën e madhe mandej mas 14 viteve nuk kam  pas,  dhe atëherë jam brengos shumë. Gjithnjë thoja që ëndërrat e jetës time nuk do të realizohen që të  kem  më  shumë  femijë.  Të  kemi  njëra­tjetrën,  se  ne  ishim tre fëmijë  që u rritëm  por  në moshën më të re dy vëllezërit dolën jashtë kështu që… por    falë Zotit që mbas 14 viteve të vajzës së madhe më lindën edhe dy vajza  të  tjera. (Buzëqeshë) Jam e kënaqur që i kam tri vajza se me një vajzë jam mërzitshëm, thojsha   “bile edhe një motër të  kesh” se unë motër nuk kam pasë.  Gjithnjë thuhet se motra është si nënë, unë nuk e kam pas motër, e edhe nana më la në moshë te rë dhe motër nuk kisha… një mbështetje. Kështu që u gëzova shumë kur më lindi vajza e dytë, (buzëqeshë)  që  të  kenë  një  afërsi motra  me motrën por edhe e treta që më lindi nuk  mu prish qefi[1]. U bënë tre vajza kështu që një ndër ëndërrat e mia që kam ëndërru kjo ka  qenë  e  imja.  Dhe  një ndër ëndërrat e mia është që jam në mesin e femrave dhe i’u  dal në ndihmë kohë pas kohe pa marrë parasysh çfarë problemi kanë, mundohem të e  zgjidhi atë problem dhe të jem me to.  (Buzëqeshë)


[1]Në kulturën tradicionale, me i pas tri vajza nuk ka qenë e lakmueshme pasiqë kultura historikisht ka pas tendencë t’i favorizoj djemtë.

 

Download PDF