Bahrie Besimi Kastrati

Prishtinë | Date: 22 mars, 2024 | Duration: 113 minuta

Janë kanë disa zhetona ju thojshin të hekrit për me shku me hangër ushqim. Po ni zheton ke mujtë me marrë ni pjatë. Na për shkak të kushteve edhe situatës qysh e kemi pasë në familje, me ni zheton kemi hangër ni pjatë edhe unë edhe motra. Pritshim në radhë me orë. Radha… se ka pasë 30 e kusur mijë studenta janë kanë në Universitet të Prishtinës. 

 

[…] Kur jemi afru me marrë ushqimin, unë po i dëgjoj disa zana mas meje mashkuj, në mesin e tyre ka qenë edhe Bajram Kosumi, Kadri Kryeziu, Jonuz Jonuzi, ky i Drenasit, Ramadan Dobra atëherë u qujke tash Gashi është, ish kryetari. Po thojnë, ‘Sot duhet me fillu protestën’. Po i dëgjoj unë çka po folin edhe u çudita pse e thanë këtë fjalë. Në sekond si jom ofru me marrë pjatën e ushqimit ia kom hudh, ka qenë ni serbe edhe ni shqiptare që na kanë ofru ushqimin. Nuk e di veç kom dalë prej rendit, ata veç kishin pritë, qata grupi i tyne i Bajram Kosumit e Jonuzit e Kadriut. Kemi fillu m’i rrzu të gjitha tavolinat në mensë që janë. 

 

Kadriu e di, m’kujtohet Bajrami që m’ka thanë, ‘Ik shko në konvikt’. Krejt vajzat janë frikësu edhe kanë shku t’u ngajtë, t’u dalë prej dere teposhtë se u kanë në katin e dytë u ushqejshim. E vetmja unë deri tavolinën e fundit që ka qenë për me rrotullu i kemi rrotullu. Janë çudit edhe mashkujt po edhe femnat qysh po guxon, pse. Nifar’ forme është shumë e çuditshme që as s’kom ndje frikë. Literatura ka ndiku shumë që unë me ndiku në atë formë edhe atë mënyrë edhe këshillat normal të prindit tem po edhe të babës të Xhevës [Krasniqi-Lladrovci].


Anita Susuri (Intervistuesja), Ana Morina (Kamera)

Bahrie Kastrati Besimi është lindur në vitin 1960 në fshatin Turjakë të Komunës së Malishevës. Zonja Kastrati Besimi ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1986 është punësuar si referente në Fondin e Sigurimit Penzional Invalidor në Prizren deri në vitin 1999. Pas luftës është zgjedhur udhëheqëse e administratës pensionale në kuadër të Ministrisë së Punëve dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë për pensionet e botës të jashtme. Kurse, në vitin 2006 e ka hapur avokaturën ku punon edhe sot si avokate. Jeton me familjen në Prizren.

Bahrie Kastrati Besimi

Pjesa e Parë

Anita Susuri: Zoja Bahrie, nëse mundeni me u prezantu, me tregu diçka për prejardhjen, familjen e juj?

Bahrie Kastrati Besimi: Faleminderit, unë jam Bahrie Kastrati Besimi. Jam e lindur me 05 mars 1960 në fshatin Turjakë, Komuna e Malishevës. Tani e dalun prej Turjakës në Prizren në vitet e ‘60-ta. Lidhur me familjen tem mund të them se baba im Rexhep Demir Kastrati ka lindë me 1917-ten. Nëna ime, Zymryte Kastrati Paqarizi ka lindë në vitin 1934. Jemi ni familje që si çdo familje tjetër, prindët e mi kanë qenë analfabet, të pa shkolluar. Me dhjetë fëmijë, nana, edhe, do të thotë jemi dhjetë fëmijë. Gjashtë vllazën e katër motra. Vëllau i parë, do të thotë, Kadriu na ka vdekë, kurse nantë jemi gjallë. Unë jom fëmiu i tretë me radhë.

Vëllau ka qenë, Fatimja, Bahria, Shkurta, Elmiu, Haxhia, Bakiu, Kadriu ia kena përtri emrin tjetrit, Hysa në fund edhe Naimi. Do të thotë të gjithë jemi që jetojmë në Prizren. Jemi të gjithë të shkollum intelektual duke iu falënderu babës, normalisht edhe nanës. Të cilët kanë sakrifiku tej mase…

Anita Susuri: Zonja Bahrie m’tregut për babën e juj, për historinë e tij nëse mundeni me na tregu pak ma në detaje?

Bahrie Kastrati Besimi: Po, baba im siç thashë, ka lindë në vitin 1917 i vetmi fëmi pa vllazën, pa motra. I lindun prej ni nane e cila ka qenë e martune paraprakisht tri herë edhe i kanë vdekë burrat. E ky lindja e katërt do të thotë… martesën e katërt i ka lindë baba. Ma ajo s’u martu, e ka rritë me shumë sakrificë, me shumë vujtje, me shumë varfëri. Mirëpo pasi u rrit e u martu, e kanë pa se ka qenë shumë inteligjent i kanë dhanë ni nuse nga fshati Dragobil. Agallar janë qujtë në atë kohë. Ka qenë tepër thojnë e bukur, edhe babën e kom pasë të bukur.

Po mas ni viti, mas martesës së babës, nusja do të thotë, motra e nanës tem Zadja, i vdes. Baba jet’ shumë keq. Varfëria e tejskajshme. Vllazën jo, motra jo, rreth familjar jo. I ka pasë dajtë e vet do të thotë në fshatin Karavansari. E çon ni dajë edhe thotë, “Du bre edhe ni nuse me ma dhanë. Shko te Qazim Paqarizi”. Shkon ai. Thotë, “Nuk kemi nuse, nuk kemi vajzë”. Ka thanë, “E keni edhe njo”, “Po fëmi osht’ katër vjet”, “Po mirë, unë pres”. E diskutojnë edhe mendojnë. Llogaritni baba jem e ka pritë dhjetë vjet nanën. Masi i ka bo 14 vjet e ka martu. Do të thotë janë martu.

Nanën e kom ni burrneshë të ni, ni, ni… gruneshë me thanë, jo burrneshë po gruneshë tej mase. E urtë me ni qetësi të jashtëzakonshme edhe me një urtësi. Thotë… edhe sot ende osht’ gjallë nana, me 07 korrik i bon 90 vjet. Thotë, “Unë kurrë s’ja kom prishë babës t’juj, gjithmonë qysh ka thanë ai se e kom pa që osht’, jo veç unë që e kom vrejtë që kom ditë me analizu po edhe kush e ka njoftë…”, edhe familja kah nana edhe kah baba do të thotë janë kanë suhmë të knaqun me intelektin që ka pasë edhe zgjuarsinë që ka pasë.

Tregova që jemi katër motra e nantë vëllazën. Gjallë të gjithë. Jemi shkollu t’u iu falënderu babës edhe nanës edhe këmbngulësisë të babës tonë. I cili në kohën në të cilën ne jemi shkollu ka qenë shumë e vështirë. Ka qenë shumë e randë sepse gjithë rrethi qoftë në fshat por edhe në qytet kur kemi dalë e kanë kritiku edhe ajo çka osht’ ma e keqja e kanë përjashtu, e kanë leçit. Fjala popullore kah na thuhet. E kanë linçua tash në gjuhën moderne. Pse po i çon çikat në shkollë. Ka qenë shumë e randë për ata mirëpo ai ka qenë shumë i vendosur për m’u shkollu qoftë çikat qoftë djali.

Kur m’ka pa ndonjëherë t’u qëndru ose punë dore përpara që kemi punu ka thanë, me ato gjilpanat, “Sikur me m’i ngulë në sy. Merre ni gazetë lexoje”. Gjithmonë ka pasë dëshirë vetëm me lexu, vetëm me t’pa me libër t’dorë ose me lexu diçka e jo me punu punë dore që thojke, “Këto nuk kanë vlerë”. T’u pasë parasysh që roli i babës i kanë shumë i veçantë edhe shumë vizionar që sot unë kur mendoj fjalët e tij edhe gjithmonë i marrë shembull, çuditna. Thom, qysh ka mujtë me mendu që në të ardhmen çka ka me ndodhë, në të ardhmen se si na ka para pregadit se si duhet me jetu jetën edhe si jeta të ballafaqon me lloj-lloj sfide.

Nga baba, familja, të parët e babës tonë kanë qenë rroktar, ose shërbëtor të ish sistemeve që kanë qenë. Po du me ju tregu veç ni detal që e kemi, thirrja që quhet e pjesës të familjes tonë Kastrati Delibash. Delibash do të thotë krye budallë në gjuhën turke. Pse i kanë thanë kështu? Në kohën kur ka qenë në shërbim anëtari i familjes t’babës tem, gjaku i tij, paska ndodhë ni vrasje me ni fshat n’rrethinë të Turjakës edhe shkojnë. E paskan vendosë në atë kohë përfaqësuesit e mbretërisë me e var. Përpara janë ba dënimet me u var.

Shkon e lusin qit’ shërbëtorin që ka qenë me vite, 30 vite që ka funksionu në atë pashallëk, thojnë, “A ka mundësi me shku me ia falë? Ani burg po me ia falë jetën, mos me e var”. Shkon ky edhe e lut, qiky i pari i babës, i pari i familjes të babës tem. Thotë, “A bon me ia pështu jetën?” Thotë, “A je ti në rregull? A je ti normal? S’ka shansë”. Thotë, “Po mirë bre, unë qe 30 vjet shërbeva qitu ty edhe kurrë kërkush s’ka guxu me folë ni fjalë të keqe për ty. Unë po të lus me ia falë jetën. A ka mundësi? Pra s’po bojka, a bon mu me më var, jo ata mu me m’var”. Thotë, “Qysh?” Çuditet ai. Thotë, “Jo”. Unë po thom, “Mu me më var”.

Disa herë e lut qashtu edhe ky kategorik jo. Thotë, “Jo”. Përpara i kanë pasë të veshura, ju kanë thanë shallvare. Do të thotë nifar’ forme që lehtë dishen, si dimija, si kule. Çka bon ai? Para ftyrës së atij i deshë ato i hjekë edhe më falni, dishet do të thotë cullak. Ai kur e sheh ashtu i thotë, “He delibash”. Qikjo osht’ fjala që i ka thanë do të thotë krye budall edhe ia ka falë jetën. I thojnë, “Shkoni merrni ni parë shallvare tjera”, tash me kategori ma të naltë, ma të mira. Ia japin dhe ia falë jetën.

Derisa ka vdekë ky i pari i babës tem çdo vit, përpara u kanë shumë me randsi se nuk kanë pasë makineri, teknologjia s’u kanë i kanë lavru tokat me kije në bujqësi, çdo vit ia kanë çu kah ni parë kije ku janë ma të mirë. Kjo ka ngelë. Kurse ka ana e nanës janë kanë Agallar. Gjithmonë kanë pasë pasuri, kanë pasë do të thotë gjitha të mirat. Po ja që lidhen familjet për shkak të intelektit, për shkak të zgjuarsisë të babës edhe ia kanë dhanë do të thotë jo nji po dy nuse. Baba ka prit e kështu. Do të thotë kanë fillu pastaj lindjet, jemi lindë me radhë. Sakrificat nuk kanë pushu asniherë.

Filozofia e babës tem ka rezultu do të thotë me i shkollu edhe vajzat edhe djemt për shkak t’ni situate që në kohën mas Luftës së Dytë Botërore ka ndodhë, ju ka shku ni thirrje në gjuhën serbe Poziv za streljanje që do t’përkthehet Thirrje për pushkatim. Prindi im n’atë kohë e sheh pse na ka thirrë do të thotë. Shkon te ni hoxhë me lexu. Kur e lexojnë, “Aiii”, thotë, “kujna i ka ardhë?” “I ka ardhë Hasanit, Hysenit”, rend kojshive. “A t’ka ardhë bre ty?” “Po”. “A t’ka ardhë ty?” “Po”. T’gjithë. Shkon edhe e lexon te ni hoxhë në fshat tjetër. Hoxha kur e lexon ju tregon, “E keni thirrjen me u pushkatu”.

Çka me ba baba? Deri në gjysë natës i ka lajmëru krejt fshatin, “Hajde ikim se ka me ndodhë”. Gjysa e fshatit janë shku, janë mshefë me ni shpellë të Zatriqit edhe kanë shpëtu, gjysa janë pushkatu. Prej atij momenti, baba jem ka thanë, “Nëse kom fat me pasë qoftë çikë qoftë djalë unë kom me i shkollu të gjithë edhe s’ka me hezitu”. Vërtetë e ka mbajtë fjalën dhe na ka shkollu dhe jam falënderuese tej mase. Saherë që çohna n’mëngjes e falënderoj dhe thjeshtë e kom ni idol derisa jom gjallë. Sepse shumë ka vujtë, shumë ka sakrifiku për t’gjithë neve edhe na ka shkollu, faleminderit, t’gjithëve.

Shkollën fillore siç thashë e kom kry tri klasë në fshatin Lubizhdë, komuna tani e Malishevës. Mandej vitet e ‘70-ta kemi dalë në Prizren. Në Prizren në shkollën “17 Nëntori” filloren e kom kry ku kom qenë nifar’ forme e anashkaluar nga nxanësat e qytetit. Sepse është shumë interesant në Prizren, ndoshta edhe sot, ndodhin, ka raste që ndodhë, normalisht tej mase varfëria ka qenë. Nuk kom pasë kpucë, kom pasë opinga. Nuk kom pasë pantollona, kom pasë ni lloj kule ju kanë thanë, si lloj dimija. S’kom pasë veshje qysh kanë pasë qytetit.

Gjithmonë m’kanë thanë qyli1 edhe nuk m’kanë leju me lujtë bashkë nxansat. Po gjithmonë m’kanë anashkalu. Çdo ditë kom shku n’shpi t’u kajtë. “Çka ki?” “S’po m’lojnë”, qishtu po m’thojnë. Thjeshtë t’u folë. Isha në gjum. Baba i thojke nanës, “E bre Bahria po m’dhimet sa osht’ e gjallë qysh po vjen t’u kajtë e s’po reagon”, nifar’ forme e kuptova që unë s’kom reagu se e vetme, veç unë, nji. T’nesërmen çka po ndodhë, prapë qashtu në pushim, si fëmi po m’thojnë, “Qyli”. “Edhe unë po du me lujtë”, “Jo ik”.

Drejt me të thanë kjo osht’ gjest i fëminisë. Ia nisa m’u përla, i kapa për flokë. Ia nisën ato me qajtë, ia nisa unë me qajtë ma shumë se ato. Kur hina te mësusja, “Çka keni?” Unë e para, “Unë i kom rrehë”. “Pse i ke rrehë?” “Se s’po m’lojnë me lujtë edhe po m’thojnë ‘qyli’ edhe unë s’kom këpuca”. Ia nisa me kajtë, si fëmi vërtetë shumë e randë në atë kohë. Tha, “Hajde m’u përfaqë të gjitha dhe tani e tutje kurrë nuk du me ju pa juve që keni mosmarrëveshje që përlaheni”.

Kurrë s’e harroj shoqet ma të mira m’u kanë bo ato. Sot janë gjallë disa prej tyne dhe i vlerësoj. Ato m’kanë ba mue me e fuqizu vetën ndoshta edhe m’u mundu me mësu, me qenë në mësime… gjithmonë kur janë pytë ose si fëmi, “A bon me m’kallxu se sot ka m’u pytë?” Do të thotë u kanë interesant jeta e asaj kohe. Kryhet shkolla fillore me sukses shembullor. Fillojmë shkollën e mesme. Në shkollë t’mesme jom konë e regjistrune në… u pat’ hapë ka qenë fillimisht Shkolla Normale po u bo akademia pedagogjike “Dimitrije Tucoviq” në Prizren. Dy klasë janë kanë të qytetit e tjerët krejt fshatar.

Zakonisht fshatarët kanë shku për edukim, për mësusa. Aty kom qenë një ndër nxanëset edhe aktivistet ma të mira. Kom marrë pjesë në recital, kom marrë pjesë në korin e shkollën, kom marrë pjesë në garat e qitjes. Ku tri herë kom fitu… dy herë vendin e dytë herën e tretë vendin e tretë me qitje. Në recital gjithashtu jom kanë shumë, shumë emocionale dhe tepër vjersha i kom recitu jashtë ma se mirë. M’kujtohet e pata lut babën, “A vjen në shtëpi të kulturës”, sot osht’ “Xhemajl Berisha” atëherë e ka pasë ni emër të serbëve. Tha, “Po me babën, du me ardhë”. Me shtagë, se i vjetër.

Kur e kom recitu vjershën, ‘Liria’ u kanë emri, kurrë s’e harroj tanë kohën kish kajt. Kur dolëm tha, “Edhe me vdekë qitash nuk më jet’ merak”. U gëzu shumë, ju duk shumë e çuditshme ajo. Mandej, në korin e shkollës është interesant. Ka qenë ni dirigjent që na ka dirigju edhe kangtë. Gjitha shkollat e mesme në nivel të Jugosllavisë kanë marrë pjesë për me fitu çmimet. Gjithmonë janë majtë garat në Novi Pazar në Republikën e Serbisë. Po para se me shku gjithmonë i kemi pasë kangtë serbe që i kemi knu. Për ni moment, t’u pasë parasysh atë vullnetin tem, gjithmonë fjaltë e babës tem që gjithmonë na ka eduku që duhet me dashtë vendin tond, gjuhen tane e krejt.

Thashë, “E pse nuk p’e knojmë naj kangë shqip?” Atina se e dijke shqipen ai shumë mirë. Tha, “Pse” tha, “çka?” Thashë, “Po ma mirë naj kangë shqip me pasë, na jemi shqiptarë”. Po m’duket prej atëherë që kom folë e ka diskutu mandej me drejtorin edhe me të gjithë personelin. E kanë shti edhe ni kangë shqip që… tash titulli i kangës, nuk po m’kujtohet. Veç e kemi knu edhe shqip dhe kemi fitu vendin e dytë në nivel të garave federative. Do të thotë në nivel të Republikës Federative të Jugosllavisë. Shkolla jonë do të thotë, shkolla “Dimitrije Tucoviq” që u kanë shumë ni vend i mirë. E di kur jemi kthy na ka falenderu personeli i shkollës, do të thotë drejtori edhe kujdestari i klasës n’atë kohë.

Anita Susuri: Po du me ju pytë pak diçka për shkollën, sa keni qenë në shkollë të mesme…

Bahrie Kastrati Besimi: Po.

Anita Susuri: Edhe për jetën kulturore. A ka qenë veç në kuadër të shkollës apo keni vizitu për shembull kinematë që kanë qenë atëherë ose ndonjë shfaqje?

Bahrie Kastrati Besimi: Po, qysh jo. Është shumë interesant përveç aktiviteteve që i kom bo n’shkollë gjithmonë në Prizren janë shfaqë filma do të thotë që në kinema ka pasë filma mirëpo për shkak të kushteve ekonomike dhe varfërisë së skajshme unë nuk kom mujtë me shku me pa film. Thjeshtë kom pa film viti i tretë u kanë për herë të parë që kom pa film. Do të thotë një film indian, Bidaai, me muzikë ma shumë. Qatëherë më kujtohet si sot, babën e luta, a bon me mi dhanë për biletë, tash nuk e di sa denar. Tha, “Po bre, ku po don me shku?” Thashë, “Po dojna me shku krejt klasa me pa ni film”. Prej orës 03:00 ka lujtë, ditën. Po.

M’ka pasë tejmase idol, m’ka pasë prej krejt fëmive… nantë fëmi kemi qenë po diqysh ma ndryshe m’ka trajtu mu. Sepse edhe unë jom mundu me ato aftësitë e mia sa i kom pasë kom vepru, kom reagu, e kom ndëgju çdo herë. Se mos t’flasim për këto pazaret e shtëpisë që i kom bo gjithmonë. Nana nuk ka dalë në qytet me ble as elementare, krypën me thanë e jo tjerat. E kështu që u kry edhe shkolla e mesme. Po osht’ interesant kur e kemi kry shkollën e mesme ka qenë ekskurzioni për m’i çu nxansat normalisht me pagesë personale.

Në atë kohë na ishim tejmase t’varfun. Librat llogarite, nantë fëmi, nantë libra, nantë lapsa. Jemi kanë shumë. Baba ka punu veç sezonale këto puntë sezonale që janë kanë n’atë kohë. Përndryshe veprimtari s’ka pasë, s’ka pasë t’ardhura tjera, osht’ detyru nana në atë kohë po jo vetëm nana edhe na, fillum me i bo pëlhurat për dasma, për vajzat e reja që u martonin. Me i bo ato pëlhurat me mëndafsh edhe me ni fije të hollë si floku përyngjyk quhej materiali. Nana u msu m’i bo ato.

Mandej t’u pasë parasysh se nana kur u mësu, baba tha, “Ju hapni sytë edhe ju jeni të reja edhe ju duheni me tregu aftësinë edhe ju me u mësu”. Po qysh… na fillum me njo. T’u analizu, t’u punu tre veka i kemi pasë në tri qoshet e dhomës veç te dera jo. Tri motrat herë nana herë na kemi punu pa ndërpre mandej s’e kemi pasë problemin m’u shkollu sepse kemi punu tanë verën kemi shku n’shtator në studime. Normalisht e kemi fillu standardin me e pasë prej punës tonë edhe prej angazhimit tonë që po du me lidhë këta me ekskurzion.

Filloj nana me punu, unë i thashë babës, “Krejt po shkojnë veç unë nuk po muj”, “Pse ti s’po mun?” “Po s’kemi pare, s’kom pare m’i pagu”, “E sa duhet?” Sikur me thanë tash 100-200 euro. Thashë, “A bon bre babë diqysh m’i gjetë ti dikund ose m’i thanë unë kujdestarit e mandej kur të kthehna unë verës e punoj ni vek edhe paguj”, “Po more”, tha, “qysh jo. Nëse jo baba t’i gjan”. Domethanë veçantë fëmive tjerë, mu m’i ka plotësu dëshirat. Tepër. Kurrë nuk e harroj m’përcjelli deri te autobusi. Kemi shku tetë ditë nëpër krejt Jugosllavinë.

Do të thotë kah dy ditë edhe në Herceg Novi edhe në Sarajevë edhe në.. rend të gjitha. Në Shkup, në Vojvodinë, në Novi Sad. Në të gjitha antë kemi shëtitë me autobus krejt nxansat, kurrë ni… përshkrim i jashtëzakonshëm, ni knaqësi e veçantë si fëmi. Kështu që, po, kur kushtet nuk janë edhe kur e ki atë ndjenjën që familja osht’ jo mirë, në atë kuptimin materialisht, e ndjejsha ni lloj boshllëku në shpirt që unë kom ardhë po për shembull motra para meje nuk e ka leju se, “S’kemi bre babë”, edhe nuk ka shku. Edhe ata kanë shku në ekskurzion dy vite para meje, motra e madhe, nuk ka mujtë me shku.

E vetmja unë kom shku prej krejt fëmive në ekskurzione. Ndoshta t’u pasë parasysh edhe baba t’u pa atë energjinë time edhe atë aftësinë, mos me thanë, guximin. Ky guximi është i jashtëzakonshëm. Ndoshta edhe gjenetikisht m’ka ardhë mu me pasë guxim. Asniherë nuk kom ditë m’u frikësu, asniherë kurrë për kurgjo. Shpesh herë kur kemi folë me babën se vllaznit e vegjël na motrat e mëdhaja, rrethi kur filloj me na çu n’shkollë të mesme sidomos fillum m’u zhvillu.

Kojshitë thojshin, “Nuk bon m’i çu çikat n’shkollë”. Saherë ka ardhë ni kusheri i babës në shpi thjeshtë me m’folë me za t’lartë edhe me… ndoshta edhe me ngrit dorë ndaj meje se pse po shkon në shkollë, duhesh ti me nejt në shpi edhe m’i kry puntë e shpijes. Mirëpo asniherë nuk e kom dëgju. Motra e madhe ni javë s’ka shku n’shkollë tri ditë ka shku. Se e ka dëgju. “S’bon me shku n’shkollë” edhe u nalë. Po thotë Baca Metë, Ahmet e ka pasë emrin.

Nuk muj m’i harru momentet kur baba jem ka ni, u ni shumë i fuqishëm kur unë kom reagu dhe kur unë ia kom kthy në mënyrë rafall fjaltë se, “Unë e kam babë Rexhepin, nuk t’kom ty babë edhe unë do të shkoj në shkollë. Nuk kom me të dëgju ty po unë du m’u shkollu sepse ost’ vullneti jem, i babës tem dhe i nanës tem”. U kry shkolla e mesme. Në studime kur erdh puna me shku në studime, baba tha, “Qysh me ia bo bre babë, unë kom vendosë me ju shkollu po kom vendosë edhe m’u leju ju me i marrë burrat vet, m’i zgjedhë burrat vet. Hajde tregom Bahri me babën, a e ki dikond, naj djalë”, filozofia e tij në shkollë të mesme, “që menojsh për me jetu me atë”.

Unë, “Jo, i kom shokë”. Në atë kohë ideologjia me kry shkollën edhe me hy në punë. Tha, “Po qysh me t’çu bre babë, larg në Prishtinë”. Fakultetet në Prishtinë, fakultet s’ka pasë në Prizren. Për ni kohë para se me u regjistru erdh ni dajë, djali i dajës tem, tash jeton në Zvicër Agim Paqarizi. Po bisedojmë po i thom, “Daja Agim bre, baba po thotë”, qishtu, qishtu, “pa e gjetë dikond nuk munësh me shku në shkollë se unë plak nuk muj me ardhë me ju përcjellë ku jeni, as nuk di me ju gjetë banesë, as nuk di ku rrini, ku shkoni”.

T’u pa vullnetin tem se unë ju kom thanë që, “Ka me i shkollu”. Po me qit’ shkollë të mesme nuk është mjaftushëm, du me kry fakultetin. Daja tha, “Unë ka me marrë përsipër edhe ka me u interesu me ju ndihmu”. Motra e madhe u regjistru se ish e fejune dhe s’e kish problem baba. Le të interesohet i fejuni me kqyrë. Daja po thotë… kur edhe ni kusheri i joni ekonomist ka qenë drejtor në Mensën e Studentëve për konvikte. U kanë Qendra e Studentëve. Sadri Kastrati ekonomist. Edhe atij shkova i thashë, “Baci Sadri bre baba po thotë qishtu çka me ba?” Tha, “Unë vi foli me bacën Rexhë”. Rexhep e baca Rexhë i kanë thanë.

Erdh baci Sadri edhe po folë, “Kqyre baca Rexhë, unë ka me ia siguru konviktin kjo e ka detyrë veç me mësu”, “E ti më pështove bre Sadri. S’i t’i bohet vendi se ku duhet me flejt është me rëndësi e këto tjerat unë i besoj çikës tem. Po kurdo që vjen momenti me babën unë nuk ju gjoj burrat”. Ai u lidhke qaty. “Sa ma shpejt”, thojke. “O s’du unë me gjetë kërkond deri te kryj shkollën. E kryj shkollën, hi në punë, ka vakt ajo punë”. Çka do të thotë filozofia e tij që s’na ka ndalu kurrë. Sot, sikur narkotikët që po i përdorin që po mendojnë që është e vlefshme se ata që ta ndalon dikush mundohesh me provu. Baba jonë na ka provu të gjitha mundësitë edhe na, unë po flas për veti, jom tërhekë edhe kom pasë sukses, kom diplomu për katër vite.


1 Në zhargon: fshatare. Rrjedh nga fjala turke kӧylü.

Pjesa e Dytë

Bahrie Kastrati Besimi: Tash po du me fillu si studente. U regjistrova. Vitin e parë i kreva provimet mrena vitit. Tepër e lumtun, tepër e gëzueshme. Çdo herë… na s’kemi pasë telefon n’shpi kena pasë te kojshitë. Kur e kryjsha provimin i thirrsha i thojsha, “A bon me shku m’i lajmëru te baba se e kom kalu provimin”. Knaqësi e veçantë u kanë. Gëzim për krejt familjen. Vitin e dytë t’studimeve kom qenë kemi lexu literaturë mos t’flasim, vazhdimisht kom lexu libra, romane, mësime mos t’flas për mësime vazhdimisht edhe gazetat t’cilat na vinin nga jashtë.

Zakonisht përmes dajës, qitij Agim Paqarizit, Avdyl Krasniqit babës së Xhevë Lladrovcit edhe tjerve aktivistëve që gjithmonë na kanë furnizu po në mënyrën ma sekrete t’mundshme. Do të thotë në mënyrë të msheft kemi lexu, i kemi shpërnda dhe kemi vepru. Motra e madhe që ka qenë edhe jo n’fakultet bashkë me mu na shihke t’u lexu libra. Thojke, “Mësimet lexoj, lej këto”. Se i shihke gazetat që shkrujshin për të ardhmen qysh duhet me funksionu, qysh duhet me përparu Kosova. Siç kanë qenë Zëri i Popullit, Gazeta Liria e këto librat Titistët, Gjarpërinjtë e Gjakut.

Ka pasë romane që unë s’mujsha mos me hy me i lexu sepse kurreshtja edhe thjeshtë këshillat e babës tem që duhesh me lexu, me lexu shumë me lexu. Ai që lexon ai përparon e ka pasë këtë filozofinë që sa ma tepër që lexon aq ma mirë është dhe e vërtetë është ajo. E saktë. Unë e kom pasë rastin me, si studente, me jetu edhe me Xheve Lladrovcin, Xheve Krasniqi realisht, Lladrovci e ka t’burrit. Kemi vepru, kemi jetu bashkë me ni dhomë, kemi flejtë me ni dhomë.

Unë kom qenë shumë impulsive, shumë e gjallë, shumë, s’po di, ni fjalë si me thanë. Ajo ka qenë shumë e qetë, e qetë, e urtë, e sjellshme, e meçme. Nuk kom shprehje me, me, definu personalitetin e asaj. Gjatë kohës në vitin, para vitit ‘81, para marsit ‘81-shes unë jom konë t’u e lexu ni libër “Do të jetojmë ndryshe”, Dhimitër Gjovani. Libër fund e kry ka qenë se si organizohen protestat, si organizohen demostratat, kush e fillon, qysh e fillon, qysh duhet me brohorit, çka duhet me ba, si duhet m’i shkru pamfletët. U kanë shumë interesant.

Gjithashtu edhe ni muj para protestave, para se me u bo protestat ‘Të drejtën kushtetuese’ e kemi lexu shumë drejta. Bile, bile kom fletorën e asaj kohe sepse libra e kemi pasë vështirë me ble. Fletorën ja {tregon fletorën} e asaj kohe që kom shënu vazhdimisht liritë politike që çka domethanë liria politike, çka domethanë liria e shtypit, çka domethanë liria e vetëvendosjes, liria e tubimeve publike, liria e shprehjes për kombin, liria e besimit, liria personale e shumë e shumë.

Me datën 09 shkurt ‘81 unë i kom mësu faktikisht këto në ‘Të drejtën kushtetuese’. Plus këtë librën e Dhimitër Gjovanit ‘Do të jetojmë ndryshe’. Që isha e stëngarkune thjeshtë me njohuri edhe me gjana që mujnë me na ndihmu. Te… po kthehna në atë kohë normalisht që shumë kom pasë njohuri prej babës edhe prej pushtetit që ka qenë pushteti duhet çfare ka qenë për krejt popullatën shqiptare.

Gjithmonë baba thoshte, “Nëse mësoni edhe nëse boheni t’zojat e vetës, e kryni fakultetin s’kemi nevojë me rezistu kundër serbëve. Serbët vet kanë me shku, qysh kanë ardhë në Kosovë kanë me shku. Po ju mësoni edhe ju zini venin atyne. Bohuni t’pavarura. Sa t’muni me msu. Si ta kryni fakultetin, si ta zini ni vend të punës e largoni ni serb”. E vërtetë fjala e tij.

Po kohën, po flas para se m’u bo demostratat e 11 marsit, shumë kemi lexu, shumë kemi pasë takime, shumë kemi pasë shumë, qysh me thanë, ide, pse për shembull studentët e republikave tjera edhe dy krahina, Krahina Socialiste Autonome e Kosovës dhe Krahina Socialiste e Vojvodinës nuk i kemi t’drejtat e barabarta siç i ka Sllovenia, Kroacia, Serbia, Maqedonia. Nifar’ forme u kanë shumë e çuditshme. Kur erdh momenti me 11 mars ka qenë e parapame m’u mbajtë ni lojë futbolli edhe mramje zakonisht shkojshim në Mensën e Studentave m’u ushqy. M’kujtohet si sot shkojshim bashkë unë edhe motra.

Janë kanë disa zhetona ju thojshin të hekrit për me shku me hangër ushqim. Po ni zheton ke mujtë me marrë ni pjatë. Na për shkak të kushteve edhe situatës qysh e kemi pasë në familje, me ni zheton kemi hangër ni pjatë edhe unë edhe motra. Pritshim në radhë me orë. Radha… se ka pasë 30 e kusur mijë studenta janë kanë në Universitet të Prishtinës. Pritshim në radhë me marrë ushqimin. Motra në atë kohë nuk u kanë, ‘81-shin nuk e ka zanë kushtin për studime ka qenë në Prizren, punojke vekë. Unë jom kanë aty dhe atë në atë tollovi tej mase t’u prit n’radhë.

Kur jemi afru me marrë ushqimin, unë po i dëgjoj disa zana mas meje mashkuj, në mesin e tyre ka qenë edhe Bajram Kosumi, Kadri Kryeziu, Jonuz Jonuzi, ky i Drenasit, Ramadan Dobra atëherë u qujke tash Gashi është, ish kryetari. Po thojnë, “Sot duhet me fillu protestën”. Po i dëgjoj unë çka po folin edhe u çudita pse e thanë këtë fjalë. Në sekond si jom ofru me marrë pjatën e ushqimit ia kom hudh, ka qenë ni serbe edhe ni shqiptare që na kanë ofru ushqimin. Nuk e di veç kom dalë prej rendit, ata veç kishin pritë, qata grupi i tyne i Bajram Kosumit e Jonuzit e Kadriut, kemi fillu m’i rrzu të gjitha tavolinat në mensë që janë.

Kadriu e di, m’kujtohet Bajrami që m’ka thanë, “Ik shko në konvikt”. Krejt vajzat janë frikësu edhe kanë shku t’u ngajtë, t’u dalë prej dere te poshtë se u kanë në katin e dytë u ushqejshim. E vetmja unë deri tavolinën e fundit që ka qenë për me rrotullu i kemi rrotullu. Janë çudit edhe mashkujt po edhe femnat qysh po guxon, pse. Nifar’ forme është shumë e çuditshme që as s’kom ndje frikë. Literatura ka ndiku shumë që unë me ndiku n’atë formë edhe atë mënyrë edhe këshillat normal të prindit tem po edhe të babës të Xhevës [Krasniqi-Lladrovci].

Avdyl Krasniqi u kanë njëri ndër akterët kryesor që na ka, gjithmonë na ka këshillu, na ka udhëzu që nuk shkon qishtu. Rinia, studentët mujnë me i bo revolucionet e mdhaja. Gjithmonë m’u kanë kujtu fjalët e tij siç edhe t’babës tem. Po ai gjithmonë me këtë filozofinë që duhet me u shkollu edhe me shkollim gjithçka arrihet me shkollim, jo me fuqi, jo me dhunë. Kur kom shku me 11 mars fillum… masi u kry tollovia në mensë, kemi shku deri te komiteti poshtë, krahinor u kanë. N’fillim na thojshim dojmë kushte ma t’mira, jo me prit kah dy orë, kah tri orë me marrë ni pjatë ushqim.

Kur kemi shku te komiteti na kanë rrethu policia. Nuk na kanë pranu as nuk ka dalë asni përfaqësues i institucioneve me bisedu. Na kanë largu, jemi kthy në konvikt. Në oborrin e konvikteve kemi kallë një zjarr të madh me goma, me… ka qenë t’u maru konvikti numër pesë e na kemi qenë vajzat e konviktit numër katër. E kemi nejtë deri në mëngjes në oborr të konvikteve. Mandej jom shku në Prizren me autobus. Jemi kthy në konvikt fillimisht se po harroj edhe jemi mbledhë në dhomë, kemi thanë, “Çka do t’bajmë ma tutje?”.

E vendosën me 26 mars prapë m’u tubu edhe prapë me ba demostratë tjetër. Qat’ natë unë shkova për me marrë rroba ma të trasha në Prizren edhe i thashë babës, i kallxova babë qishtu qishtu, “Kemi fillu, unë ia kom nisë e para”, “Aiii”, tha, “bre babë a t’kom thanë duhet me mësim bre babë se nuk e dini kush osht’ Serbia. Ngo bre babë çka po të thom se unë nuk po du me të kritiku çka ke ba edhe nëse ia ke nisë veç Serbia nuk hiqet prej Kosovës kanë me kalu edhe 30 vjet”. Unë, “Jo, studentat krejt janë çu”. Rinia, entuziazëm, të enzuziazmun. Tha, “Ishalla baba ju del qysh po menoni po nuk është e mundur me dalë qashtu qysh po menoni”, thashë, “Me 26 na prap kemi m’u tubu edhe me lypë çka na takon, s’po lypim kurgjo ma tepër”.

Me 26 në mëngjes herët me mijëra studenta, krejt oborri i konvikteve ka qenë me studentë. Aty tani kanë ardhë përfaqësuesit e tonë, do të thotë, edhe profesor edhe kanë ardhë të këshillit krahinor, strukturave politike të gjithë. Janë mundu me na bind mos me vazhdu, m’u shpërnda. Po s’ka pasë shansë me nalë do të thotë atë entuziazmin tonë. Bile m’kujtohet si sot Ali Lajçi, kryetar që u kanë i Pejës, ka pasë mjekërr ka qenë shumë i dobët. E patën hyp në nifar’ s’di çka ka qenë kështu si binë. Aq bukur foli, aq mirë që na dha fuqi, na dha nifar’ forme forcë. Nuk e di bre, apsolutisht asnjëni nuk ka pasë frikë. Prapë kemi fillu me dalë në qytet me protestu.

Polici kemi pasë rreth e përqark në të gjitha antë. As vet nuk e di çfarë ndjenje dhe çfarë situate u kanë që ato brohoritjet e pllakatat që kemi shkru, pamfletët që i kemi gjujtë nëpër rrugë, është e çuditshme qysh kemi mujtë prej datës 11 deri me 26 me qindra që kemi pregadit dhe i kemi shpërnda. Daja Agim, tash p’e lidhi këtu, me 11 mars e kom informu që qishtu, qishtu ka ndodhë. Ka qenë, ai pat’ kry, historian është, e pat’ kry Fakultetin e Historisë, ka qenë në punë në Rahovec në gjimnaz. Ka qenë profesor i historisë në Gjimnazin e Rahovecit.

Thashë, “Me 26 kemi m’u mbledhë”, tha, “Me 26 edhe unë do t’jem aty”. Ai ka ardhë. Kemi qëndru tanë ditën të rrethum. Mandej kah mramja fillun me tym me na… shumë është i ranë tymi, gazsjellësi edhe na kanë shpërnda. Mandej, prej 26 marsit e deri me 1 e 2 prill që janë bo protestat, llogaritni krejt Prishtinën dhe krejt Prizrenin une e Xheva e kemi shpërnda pamfletët terr kur u boke, mas 12:00-ve e deri në ora 03:00-04:00 të mëngjesit. Po unë gjithmonë jom veshë me kapelë t’babës t’bardhin, me teshat e babës edhe ata tinza ia kom marrë. Edhe Xheva ka qenë në Prizren. Po flas për Prizren se për Prishtinë nuk u kanë problem, kemi qenë në konvikt.

Apsolutisht nuk kemi pasë frikë që thojnë, as prej shtazëve, as prej qenve, as prej njerëzve. Hiç, hiç, hiç, apsolutisht. Sikur me qenë mashkuj t’rritun që nuk frikësohet. Shpesh baba m’thojke, “Duhet me u frikësu”, “Jo”, i thojsha, “s’tutna. Pse m’u tutë?” “Pse m’u tutë?” Thojke, “se je femën. Nuk ki fuqi, nuk ki mundësi ti me dalë përballë dikujt nëse del dikush përballë”. Ai menojke për gjininë mashkullore. Çka ndodhi mas… e me 1 e 2 prill mandej fillun krejt Kosova në të gjitha antë. Se ju jeni t’reja nuk e dini nuk muni as me imagju çka ka ndodhë [I drejtohet bashkëbisedueseve].

Pse fillojnë njerëzit nga t’gjitha qytetet me mrri në Prishtinë edhe me ardhë me protestu edhe me dalë para tenkave edhe me dalë para njerëzve që ishin t’armatosur deri n’dham me ato shlemat, me mburoja edhe pse nuk dijnë m’u frikësu apsolutisht kjo ka ndodhë veç te shqiptartë. Vërtetë demostratat e vitit ‘81 janë kanë kthesë, jo vetëm për neve në Kosovë që prej atëherë edhe ‘68-tes u kanë edhe historikisht që kanë vujtë njerëzit edhe kanë vepru edhe kanë dhanë ma të shtrejtën. Po thjeshtë ju hap rruga edhe republikave të tjera të ish Jugosllavisë m’u shpërnda, m’u, thjeshtë m’u ba shtete në veti dhe me funksionalizu dhe me vepru. Çka mas protestave…

Anita Susuri: Veç po du edhe diçka me ju pytë…

Bahrie Kastrati Besimi: Hajde se nashta po i harroj. Urdhnoni pytëmni shlirë.

Anita Susuri: Me 26 mars ka qenë edhe ka ardhë shtafeta…

Bahrie Kastrati Besimi: Po, shumë mirë që po ma kujton.

Anita Susuri: Po më intereson kur keni qenë n’dhomë të konviktit kush ka qenë aty me juve edhe ma saktësisht çka keni diskutu edhe qysh keni vendosë që bash me 26 mars?

Bahrie Kastrati Besimi: Na me datën 11 mars kemi vendosë natën qaty rreth zjermit që kemi me bo protestën me 26 mars. Me 26 mars kemi thanë nëse nuk çohet edhe populli e kemi kot, po ne nuk do të ndalemi. Tashti strategjinë me bo secili në qytet. Me organizu secili në qytet me pasë protesta. Unë me Xhevën kom shku niherë m’i shpërnda pamfletët. Thashë, “Unë e marrë Prizrenin”. Xheva ka ardhë me mu në Prizren. Me autobus kemi shku. Se e kom pasë lehtë me dalë prej shpijes se baba nifar’ forme s’më ka përcjellë se s’e ka ditë që unë do të dalë natën me shpërnda letra.

Me 26 ka pasë me ardhë shtafeta. Me qëllim e kemi ba që me pasë ma shumë, turma me kanë. Sepse studentat, jo vetëm studentat, po janë dalë në rrugë edhe të shkollave t’mesme edhe t’fillores. Krejt u kanë nifar’ simbolike që me prit shtafetën n’atë kohë edhe me pasë njerëz sa ma tepër. Kështu që qajo u kanë shumë interesant ardhja e shtafetës në Prishtinë. Ka qenë kjo, tash po i harroj emrat, ni femën u kanë që ka ardhë shtafetën thuhet që e ka përcjellë, e ka pru. Sanije, Sanije emrin. Mbiemri s’po m’kujtohet. Sanije. Kështu fizionominë m’duket po ia shoh, do të thotë e di cila u kanë.

Për qata kur ka ardhë shtafeta vërtetë ka pasë tollovi. Mandej ka pasë edhe keqtrajtim. Se në konvikte kur kemi hy na masi jemi kthy kanë qit’ edhe në konvikt lotsjellës edhe secili… që tash po e lidhi sepse shumë mirë që ma kujtove. Kur na kanë fillu, prej gazit na s’kemi mujtë me kcy prej katit të tretë e të katërt. Kur kemi fillu me dalë për dere, policia janë kanë edhe sa kanë mujtë kanë me dhunë kanë sjellë në trupat tonë deri kemi dalë prej konviktit. Bile bile unë kaniherë… unë i kom lind katër fëmijë se nuk fola për fëmitë e mi.

Anita Susuri: Vjen koha.

Bahrie Kastrati Besimi: Eh vjen koha. Më kanë rrehë edhe vija-vija e kom pasë shpinën. Me ato pendrekat janë kur ta mshon niherë ajo zgjatët edhe thjeshtë osht’ si lloj gome e cila është shumë e randë. Është me rëndësi ideologjia. Kur ki ideologji të pastërt edhe sidomos pas leximit, pas këshillave, pas gjitha atyne që kemi pasë paraprakisht nuk e ndjen dhimbjen, nuk t’dhem si t’them. Je qaq e fortë që edhe kumeditë çka me ndodhë nuk munësh me thanë që po m’dhem. Hiç. Ideali është ma i fortë se dhimbja. Ideali është shumë, shumë… ideologjia do të thotë e ngulitun në kokë është ma e fuqishme se dhimbja shpirtërore e dhimbja fizike në trup. Kështu që…

Anita Susuri: Këto fletushka që i keni shpërnda, ku i keni shkru? Qysh i keni shkru?

Bahrie Kastrati Besimi: M’i kanë pru të shkrune. Kjo do të thotë… e këta unë e di që iniciatori kryesor që ka pasë lidhje me jashtë, janë shkru në Zvicërr, janë shkru në Gjermani, do të thotë janë bartë ato dorë mas dore. Po të gjitha m’i ka pru daja, daja Agim me shoktë e tij që tash emrat s’po më kujtohen. Avdyl Krasniqi baba i Xhevës edhe Kadriu. Ka ndodhë edhe Kadriu që m’i ka pru edhe ia kemi kthy.

Na veç i kemi lexu. Për shembull ka thanë, “Lexoni”. Se revistat kanë qenë disa faqe jo të mdhaja. “Liria” për shembull, “Zëri i Popullit”, “Kushtrimi”. Ato nuk kanë pasë shumë fletë. Ka thanë, “I keni 24 orë ose 48 orë m’i lexu se duhet m’i kthy”. Na pa i lexu deri në fund kemi nejtë ka ndodhë deri në mëngjes. Deri në mëngjes që i kemi afru në shtrat dhe i kemi lexu.

Osht’ interesant, se ma herët nuk thashë, Xheva u kanë, unë motra ni kohë po mandej motra nuk e fitoj kushtin edhe ni shoqe e jemja, s’o me rëndësi emri. Njerëzit që kanë pasë benefite prej pushtetit dhe që kanë pasë kushtet e mira e kanë dëgju gjuhën, kangtë serbe. Gjithmonë m’ka pengu mu edhe Xhevës. Ka ndodhë shpesh herë kur ka dalë jashtë shoqja jonë, se bashkë jemi kanë, Xheva e ka ndrru programin e ka qit’ radio Tiranën. Normal që kemi pasë nganjëherë fërkime. Po thjeshtë jeta që thuhet osht’ interes n’atë kuptimin në thojza logjik.

Qikjo shoqja jem gjithmonë… unë shumë jom kanë e lidhun për babën. Me kalu ni muj, dy muj mos me pa, mos me shku çmendesha. S’kishim të holla shumë. I planifikojshim për ushqim, për naj libër, për gjana elementare. Ajo ka ndodhë ma ka pagu biletën shpesh herë prej Prizrenit, prej Prishtinës deri në Prizren. Jom falënderuese që ma ka pagu biletën se i ka pasë kushtet. Babën e ka pasë drejtor, i ka pasë kushtet shumë ma të mira me ish sistemin. Asaj nuk i bënte përshtypje edhe asniherë nuk kom guxu me ia dhanë literaturën me lexu.

Në mënyrë ideologjike nuk jemi kanë të njejtës vijë. Unë jom kanë me ideologji me Xhevën krejt tjetër, ajo ka qenë ideologji… se i ka pasë të gjitha. Ideologjia është shumë e çuditshme edhe ndoshta ndikojnë edhe t’mirat materiale edhe gjendja ekonomike t’shtyn edhe mendjen me mendu ndryshe. Thjeshtë ata që janë kanë t’punësun në kohën e ish pushtetit normalisht që s’ju ka pengu edhe kanë jetu. Mirëpo na, unë për shembull, as baba as nana në punë analfabet, fëmi shumë, varfëri shumë na kemi pasë ideologji gjithqysh me mujtë me përfitu diçka me ba në të gjitha format e mundshme.

Vërtetë ia kemi arritë se po t’mos kish pasë njerëz që janë me ideologji ndryshimet nuk bahen, revolucionet nuk bahen. Pa sakrificë nuk vijnë t’mirat. Duhet me sakrifiku për me prish diçka, me rregullu. Kështu që edhe unë nuk jom apsolutisht nuk pendohem krejt ato çka kom ba. Veç që thjeshtë m’dhimet prindi jem që ndoshta i kom shkaktu thjeshtë lëndim në atë shpirtëror se ai nashta, jo nashta, po u frikësu që, “A bre babë nuk do ta krysh fakultetin. Do të ndodhin gjana të këqija tash”. Vërtetë mas protestave fillun sanksionet, fillun gjanat e këqija ndaj meje.

Në korrik, me 11 korrik 1981 erdhën e rrethun shpijen edhe policia erdh me më arrestu. Na ishim, unë e motra ishim, ora u kanë 07:00 e mëngjesit, mos ma herët. Në përfundim jemi kanë. Në 06:00 ia kemi nisë po në 07:00 kur kanë ardhë ata herët. T’u e fillu atë pëlhurën thuhet me marrë nëpër liqe e nëpër shpate ato fijet. Njana andej, njana këndej. Bam, bam{onomotope} n’derë po troket. Erdh ni kojshi hyni i pari, baba e çeli derën. “O Baca Rexhë, kanë ardhë policia”, “Ani bre babë mirë se vijnë. Çka ka të re?” “Ku i ki studentët?” Tha, “Qe ku janë studentët t’u punu”.

Kanë ardhë deri n’ballkon. Vera ishte, në korrik, dritarja çelë. Baba si sot m’kujtohet, “Oj Bahrie, hajde bre me babën se po t’thirrin policia”, “Po babë”. Unë u çova prej atyhit. Isha me ni blluzë me krah të shkurtë edhe me pantolla, farmerka si sot m’kujtohet. Tha nana, “O’ pashë zotin vishe ni xhemper”. E kish kapë ni xhemper në dorë ma ofron. Pika e verës xhemper me vesh të dimrit. “Për çka moj nanë me veshë?” “Veshe moj nanë”. Ajo qëllimi i asaj m’u mbrojtë. Nëse m’rrehin me m’dhimtë ma pak. Po m’thotë, “Veshi ni parë pixhame nër farmerka”, “Jo moj nanë se s’muj m’i veshë se nxehtë”. E ngova. Ma prejti mendja i vesha ato. Ata më morën.

T’u dalë… m’i lidhën durtë. T’u dalë te dera e oborrit ish kanë edhe ni shqiptar në mesin e serbëve. “O mixhë”, baba me shtagë po ecë, s’po folë kurgjo, e dhezi ni cigare. “O mixhë veç kemi me pytë diçka”, a din, nuk kemi, nuk osht’ kumeditë çka. “O djal i mirë”, baba i tha, “ngo knej. A p’e sheh Sfilenin?” Sfileni osht’ maja ma e lartë, bjeshka mbi Prizren. “Ishalla çika jem ka bo sa Sfileni diçka t’madhe për shtetin e vet, për venin e vet. Nuk osht’ problem o djalë i mirë. Hajt me babën”. Unë tash po hy. Ato xhipat janë kanë t’zi, n’kerr.

Unë po i thom, “Babë mos u mërzit, liri popullit vdekje fashizmit”. E kemi pasë atë shprehjen që jemi, qashtu jemi përshëndet. Ai ma uli dorën polici. Unë qishtu dy durtë e lidhta {tregon duart e lidhura të ngritura lartë}. Tha, “Ulu”. Foli serbisht, “Mos lëviz”. Më morën dhe me çun me ni dhomë t’vogël, shumë t’vogël. Ni tavolinë e vogël, ni laps, ni letër. “Merre”, tha, “shkruj çka ke ba me 11 mars”. Unë e shtyjta lapsin edhe letrën thashë, “Kurgjo s’kom bo. Çka kom bo?” “Çka ke bo me 11 mars edhe me kond je kanë edhe kush i ka organizu protestat?” Demostrata atëherë, protesta s’ju kanë thanë, demostrata.

Thashë, “Unë jom studente”, “Shkruj”. “Jo, jo”, thashë, “s’kom çka me shkru. Unë jam studente dhe unë normal që jom ushqy n’atë mensë ku janë ushqy krejt studentat. Unë kom qëllu…” se tash u dufke… neve na këshillojshin Avdyli, baba, “Duhet me ditë babo m’u mbrojtë edhe kur je n’situata t’palakmueshme nuk duhet me thanë që po valla kom bo qishtu, qishtu, qishtu”. Se na kemi ditë edhe unë edhe Kadriu edhe krejt jemi taku, kemi bisedu që mos t’ndodhë me qit’ njani tjetrin. Sadoqoftë tortura ose çka do qoftë që ndodhë mos me thanë që po u kanë ky, e ky, e ky. Vërtetë asnjë pikë në fletore në qat’ fletë s’e kom ba, asni fjalë s’e kom shkru.

Më kanë lidh për radiatori. “Kena me t’mytë ma mirë kape shkruje çka ke ba edhe kush u kanë aty”, “Ju mundeni me më mytë, mundeni me m’ba çka t’doni po me më frikësu s’muni. Po jom kanë në mensë, qat’ ditë kom qëllu”, “Shkruje”, “Qe po ju kallxoj me gojë”. Jom kanë shumë e vendosun edhe vërtetë nuk kom shkru kurgjo. Vërtetë nuk kom dashtë asni fjalë… “Po thotë Kadriu, po thotë Bajrami”, po thotë ky, “që ti ia ke nisë”, “Jo s’osht’ e vërtetë”. Se u dashke me thanë në qat’ formë për mos me ra do të thotë me fillu gjanat tjera. M’kanë majtë qashtu 48 orë t’u folë.

T’njejtën ditë i kishin arrestu krejt. Mu në mëngjes Kadrijen në 11:00 të ditës. A din, i kanë rretheku t’gjitha edhe këta tjertë vendet e tyne ku janë kanë se ishin pushimet. Zakonisht në pushime s’ka as ligjerata në fakultet, provimet në qershor, në korrik. Gjatë kohës kur kom qenë paraburgim ka punu ni kusheri i largët i babës ka qenë edhe ai i shkollun me shkollë t’lartë Azem Kastrati. Paskan studiu bashkë me ish komandantin e policisë të Rajonit të Prizrenit nifar’ Krasniqi. Qysh e pat’ emrin, nuk po m’kujtohet emri.

I thotë, “Kusherina jote osht’ t’u folë”, po bon, “Jo bre ajo osht’ e dy prindërve fukara, i ka çu menzi në shkollë s’munet me thanë diçka”. Ky i thotë dëgjo, “Unë po ju thom lëshone”, Sadriu i thotë atij, “se s’ka kurgjo prej atyne, s’kanë lidhje”. Ai u mundu për hir se baba vërtetë ka qenë i zoti edhe e ka kuptu edhe ai i shkollun si mashkull. Çka bon? Mas 48 orëve… edhe Kadriu nuk foli edhe Bajrami edhe t’gjithë asnjani nuk ma përmendin emrin mu për me thanë që ka qenë, ka ba kështu, jo. “Aty ka pasë me mijëra studenta nuk e dijmë që ka qenë femër ajo që e ka hudh pjatën”. Thjeshtë duke ju falënderu të gjithë grupit që kanë qenë mas meje që i kom dëgju që do t’fillojmë demostratën sonte.

Unë kom pasë fatin… po flas mos mos t’kisha lexu librin ‘Do të jetojmë ndryshe’ që ka qenë krejt fund e kry me demostrata qysh duhet me fillu, qysh duhet me brohorit, çka duhet me ba. Unë ndoshta nuk kisha ditë me vepru qato veprime që i kom ndërmarrë atë ditë me 11 mars. Faktikisht mu mas 48 ore m’lirojnë. Më përcjellin normalisht me kond po kontaktoj çka po boj se qashtu i ka pasë taktikat ish pushteti. Kadriun e dënojnë dhjetë vjet, Bajramin, Jonuzin, Ramadanin t’gjithë do të thotë. Ali Lajçi gjithashtu ai edhe ma shumë. T’gjithë dënohen unë pshtoj me qata duke iu falënderu kusherinit t’largët të babës edhe thjeshtë gadishmërisë të atij komandantit që ai ka dhanë urdhër me liru ose me vazhdu.

Lirohna po edhe masi t’lirohna fillojnë mandej… kom qenë bursiste e ni organizate e fijeve sintetike në Prizren për hir t’kushteve… në të njejtën kohë unë i kom regjistru dy fakulteta, se tash po m’kujtohet, juridikun edhe pedagogjinë. Me qëllim për me marrë… atëherë studentave ju kanë dhanë pa dallim kredi, bursa gjithë studentave. Interesant u kanë. Shkollimi do të thotë shumë i favorshëm. Jo shumë po ke mujtë minimalisht. Se na dyjat ishim, edhe na edhe motrat t’njejtën kohë. Fillon akuza n’fakultet.

Ma dërgojnë ni letër në shpi për m’u përgjigj disa pyetje. Qikjo organizata që e kisha fitu bursën thojnë që duhet m’u përgjegjë. Shumë pytje. Pytje jo t’mira, logjike po pytje provokuese në atë aspektin se çka je, qysh je. Tash s’më kujtohet saktësisht. Çka boj une? E marrë edhe e shkruj qe bile ktu shihet propozim akuza, Fakulteti Juridik. E kom rujtë, krejt rastësi është që osht’ rujtë prej luftës. Gjyqi disiplinor për student në bazë të nenit 45 alinia dy pika tre, a muj me lexu?

Anita Susuri: Po, po.

Bahrie Kastrati Besimi: Dhe {lexon} sipas nenit 431. të ligjit të procedurës penale lidhur me nenin 112. të statusit të Fakultetit Juridik në Prishtinë parashtroj këtë propozim akuzë kundër Bahrie Kastrati e lindur me 05.03.1960 fshatin Turjakë komuna e Rahovecit me vendbanim të përhershëm në Prizren rruga Brahim Rexha numër gjashtë. Studente e vitit të tretë të Fakultetit Juridik për shkak se… në shkresën, qit’ shkresën e progresit, indsutrisë së filamenteve sintetike në Prizren numër 21/81 të datës 27 prill 1981 prej nga edhe nga marrë bursë e me të cilën shkresë kjo ndërmarrje pas shpërthimit të demostratave të marsit dhe prillit të vitit 1981 ka kërkuar disa shënime nga e akuzuara. Është eksponuar në pikëpamje nacionaliste duke u përgjegjur në shkresë kështu si vijon. Unë tash qysh jam përgjegjë.

S’është me rëndësi se ku kam banu. Se aty m’kanë thanë ku ke banu gjatë… unë ju kom përgjegjë s’është me rëndësi ku kam banu as që dua t’jem anëtare e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë pikëçuditëse. Deklarata ime për përkatësinë kombëtare gjatë regjimistrimit është dhe do të mbetet gjithmonë shqiptare, tri pikëçuditëse. Qysh i kom shkru unë me dorëshkrim e këta e kanë shkru njejtë. Sa i përket bursës nuk keni të drejtë për t’ma ndalur edhe nëse nuk i dërgojmë shënimet që i keni kërku. Domethanë tash edhe po përgjigjna, s’keni të drejtë me ma ndalë bursen.

Me çka ka kry deliktin disiplinor nga neni 101 alinea nji pika tre të statutit të Fakultetit Juridik në Prishtinë. Për këtë propozoj që pranë këtij gjyqi të caktohet seanca e shqyrtimit kryesor të cilën të ftohet prokurori disiplinor për student, e akuzuara Bahrie Kastrati ndërsa të ushtrohet shiqimi në shkresën… qat’ shkresën çka kom shkru unë me përmbajtje sipas atyne nacionaliste, me 17.04.’81. Të cilën kjo ndërmarrje ia ka dërguar të akuzuares. Të ushtrohet shiqimi i shkresës numër katër, 218 e organit të vetëqeverisjes së ndërmarrjes në fjalë në të cilën është marrë vendim mbi ndërprerjen e bursës.

Domethanë ma kanë ndërpre bursen. Ndaj të akuzuarës si dhe të ushtrohet shiqimi në shkresën e komisionit për MPB-në, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe vetëqeverisjes shoqërore të kësaj ndërmarrje të datës 27 prill 1981 dhe në shkresën përkatësisht në foto. Pas përfundimit të shqyrtimit kryesor dhe nxjerrjes së provave e propozuara si dhe provat e tjera të nevojshme e pandehura të shpallet fajtore dhe t’i shqiptohet masa e paraparë sipas nenit 98. alinea dy pika ni dhe dy e statutit të këtij fakulteti. Prokurori disiplinor për student të Fakultetit Juridik Rexhep Murati, asistent u kanë ky profesori. Ky e ka ba akuzën.

Gjyqi disciplinor me aktgjykim në bazë të dispozitave të statutit thotë, e akuzuara Bahrie Kastrati, se s’po lexohet, e lindur me 5 mars 1960 në fshatin Turjakë, Komuna e Rahovecit me vendbanim të përhershëm në Prizren rrugën Brahim Rexha është fajtore sepse në shkresën e progresit, qito që i lexova domethanë çka kom thanë nuk du m’u bo anëtare e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Mos me lexu, mos me ju hupë kohë edhe për juve. M’largojnë mos me regjistru semestrin tri vite, mos me pasë të drejtë. Unë këto muj me ju dhanë si forma nëse ju nevojiten.

Tash kur më largojnë, gjatë qitij procesi disiplinor në fakultet si anëtarë të komisionit ka qenë edhe i ndjeri tash Bardhyl Çaushi, profesori i të drejtës romake në Gjakovë. Unë folsha hala ma ashpër sesa që kom shkru në letrën sepse isha në fakultet. Ai po m’kqyrë se ishin edhe ata që ishin me pushtetin të lidhur. Nuk kish mundësi. Po m’i hapë sytë, po m’kqyrë. Nifar’ forme me kuptu që s’bon kështu. Unë hiç nuk kom pasë kurfar’ ndrojte po gjithmonë me atë guximin tem qysh e kom pasë si fëmi edhe e rritun si studente. Realisht kanë vendosë me m’largu mos me pasë të drejtë me hy në provime.

Kur u kry e ka çu ni student, masi u kryn, tha, “Dil jashtë po të thirrë profesori Bardhyl”, ka thanë, “hajde në katin e gjashtë”. Si sot m’kujtohet në fakultet në kabinet. Thashë pse po m’thirrë. Kur shkova tha, “Dëgjo”, tha, “Bahrie. Çka t’punojnë prindët?” “S’punojnë kurgja, analfabetë janë”, “Sa fëmi jeni?” “Nantë gjallë ni vëlla na ka vdekë”, “A p’e din çfarë randësie ka shkollimi yt?” “Po e di”, thashë, “baba na ka leju që asni femën nuk është e mahallës as e fshatit tonë në shkollë përveç neve dy motrave”. Tha, “Ti”, tha, “edhe pse t’kom shiku disa herë po me hi në secilin provim. Me mësu ma shumë sesa që ke mësu deri tash. Nëse eventualisht ndodhë të thotë ndonjë profesor s’ki t’drejtë me hy dil jashtë mos reago edhe hajde tregom”.

Thjeshtë që ka dashtë me mbrojtë interesin tem. Se tri vjet nëse nuk isha shku në fakultet çka kish ndodhë, isha martu najkund edhe isha stopu. Secilin provim krejt i kom dhanë. Sociologji kemi pasë, provimi i sociologjisë na ka dhanë ni profesor plak. E mur’ atë regjistrin po e kqyrë me syza edhe tha, “Ti”, tha… para studentave salla ishte plot. Përpara hishim në sallë i merrshim pytjet, tri pytje, e merrshe tiketën i kishe pytjet jo me t’pytë pytje përgjigje. Çka bon ky i sociologjisë e sheh emrin tem aty. Tha, “Ti s’ke pasë të drejtë”, tha, “me hi me paraqit provimin”.

Unë s’po boj za, e dita tash thashë kumeditë çka ndodhë me mu se e re, të isha kanë sot kisha ditë qysh me reagu po atëherë… veç kah 100 parë lot po më pikin. Më tha, “Dil përjashta po prit niherë. Ju kthy studentave”, tha, “dëgjoni knej. Kjo”, tha, “e vjedhë shtetin, kjo e prishë shtetin, kjo e shkatërron shtetin”, tha, “s’ka pasë t’drejtë me hi në provim e ka paraqit provimin. Kjo”, tha, “osht’ ajo që ka dashtë me prishë Jugosllavinë”. Mu edhe ma shumë. Kur m’tha, “Dil”, unë po dridhna. Dola jashtë drejt te profesori Bardhyli. Nuk ish kanë aty po pres te dera, erdh.

Thashë, “Profesori i sociologjisë ma murr indeksin m’tha ty duhet me t’përjashtu krejt, jo mos me hi po krejt duhet me të hjekë prej fakultetit. Qishtu m’ka thanë”, “Dëgjo”, tha, “a ka afat me të pytë?” “Po”, thashë, “edhe tri-katër ditë shumë studenta jemi”. Tha, “Nesër jo, masnesër në mëngjes para se me ardhë profesori ti presësh te dera. Kur hin ai thuj, ‘Mirëmëngjes kërkoj falje profesor’, qikaq thuj”. Qysh m’i thanë tash përpara s’kemi pasë atë afërsinë profesor student.

Po m’tha qishtu, shkova. Tha, “As mos ia lyp indeksin as kurgjo mos reago. Hyn rri aty nëse duhesh me dëgju. Herën tjetër qit’ landë pytësh vullnetarisht po kur pytë asistenti jo ky”. Asistenti u kanë tjetër. Asistentja e tina. Rektor bile u kanë. Qysh e pat’ emrin asistenti? Tash s’po m’kujtohet. Tash nuk po m’kujtohet…

Anita Susuri: Ibrahimi?

Bahrie Kastrati Besimi: Jo, jo. Ky Sadiku, Sadiku mbiemrin ka qenë edhe rektor në juridik.

Anita Susuri: Aha në juridik.

Bahrie Kastrati Besimi: Në juridik, në juridik. Herën tjetër unë, afatin tjetër tha, “Unë e marrë indeksin”. E kish marrë indeksin mas ni studenti ma ka pru në ligjeratë. Se shkojshim në ligjerata të vitit të tretë e të katërt kur ke edhe ma ka dhanë. Unë jom pytë mandej vullnetarisht te asistenti edhe e kom marrë notën shtatë. U gëzova tepër. Po i kallxova babës që qishtu, se s’mujsha mos m’i tregu. “A t’kom thanë”, tha, “që nuk o mirë bre babë”, “A”, thojsha, “babë ti ke thanë unë po pajtohna me ty po unë nuk muj m’u nda prej krejtve. Tanë jemi ni fjalë”, “Po bre babë po nuk e dini kush osht’ Serbia”. Shumë shpesh e ka përmend fjalën që se dini kush osht’ Serbia.

E roli edhe i Bacit Sadri që ka qenë… më përjashtun tani edhe prej konviktit, se harrova. Më përjashtojnë prej konviktit, më përjashtun prej fakultetit ngela as anej as anej. Daja Agim edhe Baca Sadri ma gjetën ni banesë afër fakultetit edhe bile bile tha, “Ka ndiku…” se s’kishim. Dy studente, anej fëmitë, baba pa punë. Qysh me ia ba? Bursën ma nalën, s’kisha kah. Ata ma kanë pagu qiranë për ni kohë. Mandej mas ksaj krejt çka ndodhi i kreva provimet n’afat, e kreva edhe atë provim.

Tjertë profesorë nuk më kanë evidentu me thanë ti s’ke t’drejtë me hy sepse edhe profesorët tanë janë kanë në hall. Normal që i kanë pasë procedurat kush e respekton ish regjimin e kush jo. Ka pasë profesor që kanë punu edhe masi janë ba protestat. Ni pjesë vitet e ‘90-ta mandej vonë që i kanë largu, ni pjesë ka qëndru ka punu. Ni pjesë ka punu në shkolla shpija, shpijat shkollë.

Pjesa e Tretë

Bahrie Kastrati Besimi: Masi e kom kry fakultetin disa muj, gjashtë-shtatë muj pa e kry fakultetin jom njoftu me burrin që e kom, Naim Besimin. Osht’ interesant, nëse nuk kalon shumë kohë qysh jom njoftu. Krejt ka qenë rastësi, krejt ka qenë ad hoc. Krejt ka qenë, qysh me thanë, njohja në shiqim t’parë m’u dashuru qashtu edhe me pasë sukses që deri sot jemi bashkë. Se me ndiku te unë për me vendos m’u martu edhe me njoftë dikë me gjetë krejt u kanë baba.

Çdo natë thojke baba, “Si t’hish në punë ma nuk ki me gjetë kërkond m’u martu. T’lutna, tash e ki kohën”. Unë thojsha, “Pa hi në punë, pa t’nimu ty”, se motra hala motra e ka kry fakultetin mas meje. I hini burri në burg ajo normalisht që stagnoj me provime. Shko vizito në burg, kish shumë telashe tjera. Unë do të thotë e kisha atë vullnetin, e kreva në afat fakultetin dhe u njoftova me Naimin krejt rastësisht. Jemi kanë t’u ia çu paret n’burg Kadri Kryeziut. Në postë ka ardhë më ka prekë qishtu, “A muj m’i folë dy-tri fjalë”. Si e kom pa thjeshtë nifar’ si rryme kur t’kap. Thashë, “Jo”. T’u menu që po m’pytë diçka m’i kallxu.

Tha, “Unë jom i interesum me t’pasë grue”, si sot m’kujtohet. U dridha si rryma me t’kap edhe s’bana za. U kthym me motrën në shpi. Llogarit kur erdha në shpi po i thom nanës, “Nanë, ni djalë m’ka nalë”, isha unë me motrën, i çum t’hollat n’postë. Përpara n’postë u çoshin. Thashë, “Nëse e ka përnime ja e marr qata ja s’martohna kurrë. Nëse m’rren pa e vra s’ka me lanë kudo që osht’”, “Mjera nana”. U bo dhe nana. “Pse po thu kështu? Deri tash ke thanë, ‘Jo, jo, jo’”, thashë, “Se për ditë baba m’lodhi t’u m’thanë gjoje dikond e gjaje se si t’hish në punë s’martohesh, ‘Tani zgedh’, thojke, ‘zgedh lyp ata’”.

Baba jem kur erdh n’akshom prej punës, punojke nëpër arat e progresit, privat. Nana po i kallxon, “More ti njeri”, qishtu, se n’emra s’i kanë thirrë përpara. “M’tha Bahria”, “Po i kahit ish?” “I Sërbicës të Poshtme”, afër Piramës ni fshat. E merr baba shtagën e shkon në stacion të autobusave me autobus e në fshat. I pyt tre njerëz në fillim të fshatit në mes edhe në fund. “A e njifni familjen Besimi? Familjen e Ramadan Besimit”. Baba i Naimit Ramadan. Ata i thojnë te tretë, “Po i njohim janë të shkollun, janë doktora, janë njerëz të mirë kanë hoxhallar t’parët e tyre po tash janë krejt me fakultet”.

Baba gëzohet shumë. Thotë, “Kom kujtu që nëse thojnë dy keq po m’dhimet Bahria me qëllu aty me thanë dy mirë nja keq naj njani ka thanë për inati”. Tret fjaltë njejtë e t’ish gëzu. Kur vjen në shpi nanës, “Oj gru”, “He”, “A bre po shumë mirë kish vendosë Bahria. Ishalla nuk rren ai”. Ai po m’thotë tash, “A bon m’u taku t’njejtin vend jo nesër po masnesër?” Naimi, burri sot që e kom po m’thotë, “A bon m’u taku masnesër?” Shkova që thashë i tregova nanës po i thashë, “M’ka thanë, a bon m’u taku masnesër, nuk m’tha nesër po masnesër”, nana, “Qysh? Kuku nanë çka t’paska ba. Ti deri tash ke thanë jo, jo”, “E tash baba po thotë duhet me gjetë dikond e unë e kom gjetë”.

Të masnesërmen me babën. Kjo është e çuditshme për juve t’rejave. Babën me veti, unë po dalim n’takim qatje te posta midis Prizrenit. Te Theranda është, e dini nëse jeni kanë në Prizren. Po m’thotë, “Qyre me babën”, tash ai po frikësohet prej meje se edhe m’ka dashtë fortë edhe po ma din guximin edhe po ma din intelektin. Tha, “Qyre, nëse osht’ rrenc ti e sheh se unë s’e ngjo kush o. Nëse o rrenc ik nuk vjen m’u taku me mu. Nëse e ka përnime vjen me babën edhe maje mend çka po t’thom, nëse p ak ma ki hatrin ti duhesh me vendosë çka të thotë ai derisa je gjallë me ngu se babo ma mirë t’bjen”, qito fjalë.

Na po shkojmë drejt. P’e shoh unë disa metra thashë, “Ai atje drejtë babë është”, “E mirë”, tha, “mos e kqyrë na po hecim edhe nëse…” Ai drejt te na. “Mirëdita mixhë”, “Mirëdita”, foli me babën Naimi. Baba i tha… qysh je e pyti ai këta e ky ata Naimi babën. “Hajde po hijmë po pijmë diçka”, Naimi po i thotë, ka pasë ëmbëltore aty. “Jo”, tha, “me hi”, tha, “s’po hijmë kërkund”, tha, “m’ka kallxu çika jem që je interesun për qit’ çikë temën. Qy çka po të thom, ne paç përnime qorr e sakat me u bo çika jem ka me të ngre për dore, ka me t’shërby derisa je gjallë. Pra nëse s’e ki përnime ti rrugës tane kjo t’vetës, mos ia nisni telasheve”.

Ai po kesh Naimi tha, “Unë e kom përnime. Fakultetin e kom kry jom t’u punu”. Punojke si ekspert. “Po fakultetin”, tha, “e kom kry në Beograd”. T’u m’hini mue sikleti, “Në Beograd?” Edhe ni dridhje aty thashë kuku studenti i Beogradit kumeditë çfarë… se na me Beograd i kishim mos vet raportet. Tha, “Baba”, tha, “mirë”, tha, “përhajër t’koftë prej këtij momenti. E jotja osht’ ndaq ruje ndaq merre qitash meniherë ndaq kur doni veç hajdeni kallxomni e mos boni gjeste”. Dojke me thanë që mos boni naj sen para se m’u martu. Menaliteti atëherë u kanë krejt tjetër. “Ditën e mirë”, baba po ia zgjatë. Unë po du me shku me babën. “Jo babë jo mos hajde me mu”, tha, “qe”, tha, “dilni ju shëtini shkoni”. Atij normal i erdh mirë edhe mu m’erdh mirë.

Po kemi nejtë gjashtë muj. Meniherë fejesën e bonëm po gjashtë muj unë kurrë ni lang nuk kom mujtë me pi deri n’fund qaq që m’ka ardhë marre. Jom kanë nime e stërdashunune në Naimin. Ndërkohë po marrë informacione po pys çfarë familje janë. Normal ata që t’shkollun e krejt po që e ka kry në Beograd. Kur po dëgjoj prej ni kojshijes edhe ky kish qenë kryetar i shoqërisë Përpjekje në atë kohë të studentave. Ky masanej motra e tij po m’tregon, veç ish t’u u ballafaqu n’qat’ kohë me situatat e ish protestave në punë. Për ni fjalë goje… “Po herdo kur ka m’u bo Republikë Kosova. Nuk osht’ që sot hala po flitet gjithë ato peripeti e gjithë ato gjana që u bonën prej studentave”. Ata e dënojnë dy muj me burg.

[Këtu ndërprehet intervista për shkaqe teknike]

Anita Susuri: Aty e lam kur e dënun me dy muj burg.

Bahrie Kastrati Besimi: Po. Me dy muj e dënun burrin. Thjeshtë shumë ke stres i madh ma së pari për babën tem. “A”, tha, “tash shteti Serbia, shkijet, serbët nuk kanë me lanë rahat edhe s’kanë me lanë në punë edhe kanë me damtu. Po leje këta po as ti bre babë s’ki me hi n’punë”, “Unë pse? Qysh?” “A more babë pse, pse se osht’ problem osht’. Nuk e dini kush osht’ Serbia”. Gjithmonë thonte, “S’e dini ju çka janë serbët”. Po t’u falënderu vllazniv të burrit tem Naimit që kanë qenë t’u ia nisë vëllau i madh pediatër, vëllau tjetër sociolog, dy kusherinj kardiolog, tjetri veterinar. A din krejt familja Besimi me mjekësi.

Ky si pediatër ju ka kqyrë fëmitë krejt atyne ish funksionarëve të pushtetit. Ka ndiku normalisht edhe ata po normalisht edhe vendi, aty në vend të punës ku u kanë në Qendër për Punë Sociale ka punu si ekspert për gjykata për të mitur, alkooliçar edhe prostitucion në atë kohë. Thjeshtë me ankesë mandej edhe në Prishtinë në Gjykatë të Apelit thjeshtë nuk ka shku. E kanë ba me gjobë dhe e kanë shndërru ndryshe dhe ka pështu. Fati i atij. Po fati edhe i jemi. Unë fillimisht kom qenë… e kreva fakultetin, konkurova me ni organizatë Univerzal u kanë ndërtimore në Prizren në atë kohë. Më pranun si praktikante ni vit.

Mas atyhit u shpall ni konkurs në Fondin e Sigurimit Penzional Invalidor në Prizren për me qenë referente për të gjitha llojet e penzioneve. Ka pasë serbë po shqiptarë s’ka pasë referenta vetëm nji. E shumica e popullatës shqiptarë. Pranohna aty me vendim si juriste. Rroga tejmase të mdhaja sa kryetari tash i komunës qaq e ka pasë ni referent i sigurimit penzional invalidor. Dhjetë ditë para se me u martu unë m’kanë thirrë në qit’ punën e re me hi n’punë. Jom martu me 28 qershor 1986. Kur e kom marrë osht’ me randësi me tregu rrogën e parë.

T’u pasë parasysh vullnetin tem, sakrificën mos të flas të prindërve edhe timin personal edhe të gjithë atyne peripetive çka kemi kalu si çdo femër, edhe unë qysh tash me ia ba se t’u pasë parasysh edhe këshillat e babës. Përpara rrogat i jepshin në zarfë në zyre. Udhëheqësi ta bijke rrogën në mujt. E kreva mujin unë edhe ma pruni rrogën. Erdh Naimi me më marrë se ai ka pasë kerr në atë kohë. Hyna në kerr edhe po shkojmë.

E mora prej çantës rrogën edhe po i thom, “Qe Naim rrogën ma kanë dhanë”, “Jo”, tha, “pse po ma jep?” Thashë, “Po ti je kryesori qe rrogën”, “Jo”, tha, “shtine në çantë rrogën shkojmë ia çojmë babës tond”. Kurrë nuk e harroj atë knaqësi, kurrë nuk e harroj atë gëzim. Atë moment që shpesh herë thom t’i kisha mendt e sotit me kap me përqafë me i thanë faleminderit po veç u dridha edhe u gëzova shumë. Thashë, “Faleminderit”, me gojë i thashë po s’disha qysh. Kemi shku, vera ish. Baba jashtë. Gjithmonë rrinte, kur s’kish punë te ni mollë në oborr. Hynëm mrena edhe e mora unë s’prita qysh je me folë.

Thashë, “Babë e kom marrë rrogën”, rrogën e parë që m’ka shkollu. “Jo”, tha, “kapi qiti n’çantë. Ti”, tha, “je martu, rrogën duhesh me ia dhanë burrit. Unë nuk t’kom këshillu kështu, nuk t’kom eduku”. Ka menu që unë s’ja kom dhanë a din. Thashë, “Vallahi Naimi m’tha. Qysh po menon ti që s’ja kom dhanë Naimit”, “Po”, tha, “qashtu menova”. Thashë, “Jo Naimit ia dhashë Naimi më tha, ‘Jepja babës tond unë s’të kom marrë për rrogë’”. U gëzova shumë u gëzova. Ai, “Jo, jo”, tha, “merri paret ju e keni jetën përpara. Nesër vijnë fëmitë. Unë qe po rri te djemtë kadal dale nuk e du rrogën me babën. Ti m’ke shpërbly që e ke kry fakultetin ajo është për mu shpërblimi dhe ajo është knaqësia jem jo paret. Jo me babën paret, paret burrit. Çka t’kom thanë? Çka thotë burri amin”.

S’e harrova. Kur u pat’ nisë Naimi i ka thanë, “Qyre Naim çka po ta la ni amanet për së gjalli dhe për së dekni. Nëse çika jem qikjo Bahria që shumë e du edhe që e kom edhe çikë edhe djalë”, tha, “nuk të ngon, nuk t’shkon për qefi meniherë”, tha, “merre edhe ni tjetër”, Naimit po i thotë. Unë tash po nalna. “Po, po”, tha, “edhe për së gjalli ka me ju lanë amanet edhe për së dekti merre edhe ni tjetër”. Ai ia nisi me kesh se i erdh për së shtati. “Po”, thashë, “s’ka me pasë”, thashë, “shansë me marrë tjetrën”, thashë, “se unë kom me ngu çka të thotë. Qysh ke thanë ti babë qitja lapsin edhe unë ka me ia qit lapsin çka të thotë ka me dëgju gjithmonë”. Ai po kesh.

Rrogën nuk dojke me marrë baba hiç kurqysh. Tha, “Unë jo sot po derisa t’ka qef çika juj rrogën ka me pru këtu”, tash Naimi po i thotë. Ai baba s’po e merr kurqysh. “Jepja nanës”, po m’thotë Naimi mu. Nana, “Jo koftë larg jo, jo, jo nuk guxoj unë me marrë edhe nuk du me marrë”. Ma shkurt u kry kjo. I lam paret në oborr shkum n’shpi. Hala pa ardhë muji i dytë motra e Naimit, bile qitu i kom fotot e motrës së Naimit. Nanën e Naimit edhe dy motrat {tregon një fotografi}. Kjo e madhja ka vdekë e kjo osht’ e fundit, po mendoj e dyta. Tha, “A din çka?” Se na t’varfun s’kemi pasë as fotele, as kauç, as s’kemi pasë mobile. Me ato ju kemi thanë na shilte s’di a ju thoni ju ato sungjerat rreth e përçark odën?

Anita Susuri: Po.

Bahrie Kastrati Besimi: E tha, “Oj Bahri”, tha, “ti ki t’drejtë se e ki rrogën e madhe, me hi n’kredi te këto shitoret që shesin mobile edhe me ju marrë ni dhomë komplet me mobile. Ni vitrinë, ni televizor”. Atëherë patën dalë me ngjyra. Thashë, “Po nashta s’kom t’drejtë”, “Jo”, tha, “ki të drejtë. Unë shkoj te ni shef”, e kemi pasë serb ni Zoran Ogareviqi tha, “foli i marrë ato letrat i plotësojmë edhe i çoj”, “Ani”, unë, “po vete Naimin”, “Jo”, tha, “Naimi s’thotë kurgja”. “T’lutna vete Naimin”. E ka thirrë vëllaun e vet i ka thanë. “Po more shlirë”.

E kemi marrë i kemi plotësu dhe ka shku. Thashë, “Po unë”, kisha qef po s’mujsha me insistu se e disha edhe baba që thotë ti tash je martu duhesh me menu veç për burrë edhe për familjar atje ku ke shku. Shkon kjo edhe i merr komplet ni dhomë edhe i ngarkon me ni kamion edhe i çon te shpija. Shpijat i kemi pasë afër me motrën e Naimit. Ajo m’ka pa t’u u rritë a unë nuk e kom ditë që menon vëllau i saj për mu. Kur i çojnë i mshojnë derës baba del i thojnë, “Qito mobile m’i…” “Jo”, ka thanë, “gabim jeni”. Se s’i kanë kallxu babës, as une. Ai, “Gabim”, këta, “Jo”, na ka thanë filanja, “Sabria kojshi që e keni. Çika jote a punon te penzionet?” “Po”, “Ajo me kredi i ka marrë”. “Haj mazamakeq që po dojka me ba namin”. Ju ka dokë vështirë.

Nuk i ka lanë m’i shkarku mrena në oborr në sokak i ka nalë. Kur vijmë na në ora 03:00 prej punës baba po i thotë, “O Naim, pse more Naim p’e ngon çka thotë Bahria?” “Jo more s’pe ngoj”, “Ja, ja, ja”. Ka thanë, “A din çka Bahria i ka vlerat e tjera që ma respekton nanën, familjen, mu. Këto janë kurgjo. Rroga e saj i mbulon. Kjo me kredi ka m’i pagu 18 muj që as nuk dallohet diçka që kemi ble, hiç”. Tani i ngarkojnë i hjekin i shtijnë mrena.

Shumë, shumë, shumë u kanë interesant koha e angazhimit të Naimit ndaj familjes tem që nuk ia harroj apsolutisht. Po kthehna te kjo situata e Naimit që sa jom frikësu që ka studiu në Beograd aq mandej kur e kom kuptu aktivitetin e atij dhe angazhimin e atij jom kanë e stërlumtur. Vërtetë jom shumë e lumtur që kom jetu me ta.

Pjesa e Katërt

Bahrie Kastrati Besimi: Kom punu domethanë deri… prej kur kom hy në punë mas kryrjes së fakultetit e deri kur ka fillu lufta si referente për sigurim pensional invalidor. Mas luftës m’kanë zgjedhë udhëheqëse e administratës pensionale. Faktikisht drejtoreshë shkrujke po fondet i pat’ vjedhë, marrë Serbia. Pensione s’kanë qytetarët tanë. Kom punu deri në vitin 2003. Vitin 2003 m’kanë avansu në ministri në kuadër të Ministrisë së Punëve dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë për pensionet e botës t’jashtme.

I kom kry puntë me shumë sukses edhe me shumë vullnet për me, për me i realizu t’drejtat e tyne qytetarët tonë që kanë jetu jashtë e janë kthy. Po në vitin 2005 ka fundi i vitit 2005 kontratat e punëtorëve, dhjetë punëtorë i kom menaxhu. I kom pasë disa prova t’cilët m’kanë informu që referentat që i kanë kry puntë ju kanë lypë, sikur avokati që e ka përqindjen që kërkon dhjetë përqind t’shumës sa i marrin penzionet, i kanë marrë kontributet me mijëra marka në atë kohë. Ju kanë marrë.

Thjeshtë, unë i mbledha provat, i mora në fund t’vitit nuk ju vazhdova dy punëtorëve që kishin bo qisi lloj forma, nuk ju vazhdova kontratën. Kur shof i kanë kthy. Nuk ju kanë ndërpre kontratën. Kur don me ndodhë diçka çdo gja ndodhë për ni arsye. Kur ju shoh kontratat që nuk i kanë ndërpre por prap të njejtit punëtor, të njejtin divizion e marr… as nuk kom shkru në kompjuter. E kom marrë ni letër të bardhë edhe dorëheqjen prej postit kryesueses së divizionit për pensionet e botës të jashtme.

I thom postierit, “Çoje në ministri. Çoja sekretarit të përhershëm edhe ministrit dhe prej nesrit nuk do t’jem staf i këtij vendi të punës”. Mrena gjysë ore m’thirr ministri ka qenë Ahmet Isufi. Thotë, “Hajde në takim me urgjencë”. Shkoj. Tha, “Çka po ndodhë? Pse ke vepru në këtë formë”, tha… i mora unë me veti. Thashë, “I keni edhe ju. Qe kontratat arsyen pse e kom ba këtë shkrim, këtë dorëheqje të parevokueshme është kjo”, “Po ne do t’mundohemi, i qesim tjetër departament”, “Jo, jo”, thashë, “t’njejtin objekt janë, apet kanë m’i kry t’njejtat punë”, thashë, “deri sot nuk muj…” edhe s’i kom ra pishmon në jetë kurrë as sot nuk i bi pishmon.

Thashë, “Urdhëroni zgjidhne kond të doni po qytetarët tonë që kanë punu punën ma të vështira në perëndim me ardhë m’i marrë referenti që osht’ në punë edhe e merr ni pagë…” avokati ka t’drejtë me u marrë vesh edhe me ia marrë sa t’don sipas marrëveshjes. Po referenti i cili osht’ i obligun me ia kry ni vendim, thashë, “Unë nuk muj me pranu. Faleminderit për gatishmërinë e juj po nuk e keni kqyrë me seriozitet edhe me përpikmëri letra edhe vlersimet të cilat ua kom ba”. Ish kanë thjeshtë kismet qysh thotë populli.

Prej asaj dite nuk kom qenë ma kryesuese. Kur shkova në shpi drejt me thanë pak u mërzita, thashë, nesër s’ka me shku në punë. Çdo kush kur ta kryn ni veprim pendohet ose… po nuk jom pendu. Erdh burri i thashë, “Qyre, pak jom mërzit se vet e bana”, thashë, “po s’ma murr menja qashtu”. Tha, “Ti mirë ke ba”, tha, “e ki provimin e avokaturës”, tha, “ta çeli ni zyre, t’i blej mobiljet lexo gazeta, kqyr televizor”. Ma hjeki diqysh se pak u mërzita. “E faleminderit”.

Vërtetë e kish gjetë me qira ni zyre. E hapa avokaturën prej 2006-tes unë punoj si avokate edhe jom shumë e stërlumtun. E tash qe edhe këta e ka ble vajza objektin po do ta kem në dispozicion edhe këtu edhe atje. Thjeshtë… po te fëmitë mas martesës se dola gati në fund te puna e krejt. Po për rolin e burrin dhe fëmitë që m’kanë lindë kjo është interesant me tregu për sakrificat edhe gjanat e këqija që m’u kanë ba edhe mas lindjes djalit të parë.

Unë i kam lind katër fëmi. Djalë, vajzë, djalë, vajzë. Djali i parë Durim e ka pasë sepse nime kemi duru shumë për shkak të ideologjisë dhe ia vendosa emrin Durim. E kom lind me operacion Nada Todoroviqi ni serbe e cila ka pasë edhe burrin në kirurgji Dushko Todoroviq, ku djali i cili m’lindi katër kilogram dhjetë ditë jetoj. Deri të nantën ditë se çka ndodhi me atë djalë, që unë kom informacione prej motrave t’cilat kanë punu n’boks, e ka helmu edhe djali m’vdiq, i pari. Kurrë nuk e harroj kur kom dalë unë me dur n’gji si thojnë pa beben.

Sepse qëllimi u kanë unë… se ata armiku, uji flen po armiku s’flen. Qëllimi i tyne u kanë thjeshtë me ndiku te unë edhe mos me pasë t’ardhme t’lumtur as t’mirë, as mos me mujtë unë me prodhu fëmi. Sipas mendimit të tyne nacionalistat mos me lind. Kurrë nuk e harroj, gjinekologia Nada, gjatë kohës sa nejta, dhjetë ditë kom nejt në spital. Çdo mëngjes thojke, “Hajde me të kontrollu”, edhe disa sonda t’holla si gjilpana m’i vendoske në varrë, më shpojke n’varrë. Më pëlcitke si gjak, si ujë.

U bana, fitova ni apces në mjekësi thuhet, shumë keq edhe shumë randë. Saqë prej Prizrenit diq djali në Prishtinë edhe ni muj në spital. Mas Prishtinës disa kilogram u dobësova. Më çoj Naimi në Lublanë, qatëherë u kanë e drejta me lëvizë me aeroplan. Në Lublanë e panë që shumë infeksion i madh që po mos t’isha shku në Lublanë m’u shëru, unë kurrë ma mos me lind asni fëmi. Prej atij momenti mandej jom kontrollu edhe mas i kom lind edhe tre fëmi tjerë Altinën, Getoarin djalin që e kom edhe Linda, vajza e fundit.

Nuk kisha mujtë me lind po kisha ngelë thjeshtë pa fëmi edhe vërtetë ia kishin arritë qëllimit çka kanë mendu edhe çka kanë dashtë në mënyrë indirekte. Edhe në mënyrë direkte po kjo indirekte me persona që kanë funksionu edhe kanë vepru nëpër institucione. Fëmitë tjerë mandej Altinën, Getoarin çdo herë kom shku në kontrolla në Lublanë, i kom lind edhe jom shumë e lumtun se janë pjesa ma e përmbushun e shpirtit tem. Përveç faktit që kam dhënë sa kom mujtë gjatë tërë jetës me arritjen e tyre si nxansa, si studenta edhe si profesionista tash që janë profesionist shumë të mirë edhe të shquar po edhe si familjar të mirë. Se te dytë i kom t’martun edhe Altinën edhe Getoarin, djalin.

Unë thjeshtë e kom arritë atë përmbylljen edhe atë amanetin e babës tem që duhet me i eduku fëmitë mirë, duhet m’i trajtu mirë edhe duhet me ju dhanë ma t’mirën t’mundshme. Këta ma kanë shpërbly me sukses edhe me punë edhe me të gjitha. Çka muj me thanë tjetër që tash në këtë punë që e boj në avokati jom shumë e knaqun edhe e lumtur sepse avokatia ishte oqean, as deti jo.

Ka lloje ma t’ndryshme t’mundshme që na vijnë edhe që me ni qetësi, me ni përkushtim edhe me ni dashni për me kry punën unë për çdo ditë po ia arrij, po arrij suksesin edhe me kanë t’knaqun edhe klientat e mi edhe unë vet personalisht. Kështu që jom e stërlumtun deri tani. Pytëmni sepse mundem me harru edhe nuk muj me ju përgjigjë. Ndoshta kom lanë edhe shumë e shumë gjana tjera që…

Anita Susuri: Deshta me ju pytë edhe ni pikë shumë të rëndësishme që ka qenë lufta e fundit në Kosovë. Qysh e keni përjetu?

Bahrie Kastrati Besimi: A sa mirë, shumë mirë. Qyre, kjo osht’ shumë e rëndësishme, shumë pytje e mirë edhe shumë me rëndësi m’u shpreh. Gjatë kohës si studente kur kemi flejtë bashkë me Xhevën thojke, “Bahri, na duhet m’u martu, si çdo femër që martohet. Po mos harro nëse nuk shlirohemi prej pushtuesit na nuk mundemi me ba fëmi edhe me na masakru edhe me na mytë”. Ajo para se me u ba lufta Xheva i ka thanë këto fjalë. “Nuk mujmë edhe nuk duhet. Nuk duhet sepse duhet me mendu niherë m’u shliru”.

Në kohën kur filloj lufta në Drenicë, që kom pasë lidhjet me Xhevën përmes njerëzve t’caktun. Unë jom kanë shumë e… çdo ditë e mllefosun se i kisha, u martova dhe i kisha dy fëmi, dytë i kishna do të thotë edhe çikën edhe djalin. Në shkollë fillore u kanë Altina në klasën e dytë, djali klasën e parë. Faktikisht t’vegjël. Dojsha me shku në Drenicë. Fola me burrin thashë, “I ki dy vllazën, i ki dy nuse t’vllazniv zine që kom vdekë unë. I kqyrin. Vdesin nanat në lindje, ndodhin gjithçka edhe nuk o kijamet. Këta dijnë me lypë ujë, dijnë me lypë ujë”.

M’tha, “Shiqo…” unë s’e kom ditë që burri jem është i kyçun në UÇK në operativë. Që ka punu do të thotë jo në front po në operativë që ka punu për ushqim, për veshmbathje, për gjitha gjanat çka nevojiten për luftë. Unë kom qenë e angazhune, kemi bo ato emblemat e teshave. Gjithçka kom punu derisa filloj. Po kur filloj unë s’mujsha m’u rahatu, Xheva po lufton e unë me nejt në shpi me fëmi e t’u kujtu fjaltë e saj çka ka thanë gjithmonë, “S’bon me bo fëmi e me na masakru”, e aq më tepër kur filloj bombardimi.

Kur ka fillu bombardimi edhe kur djali jem si sot m’kujtohet, motra Naimit e madhja thojke, “S’duhet me pa dritë, me mshelë me çebe dritaren”, thojke, “Mshele se vijnë shkijet na vrajnë”, nuk dijke hala me folë djali jem. Folke si me gabime. Thashë, “Unë du me shku”, Naimi tha, “Qysh?” “Du”, thashë, “me shku, nuk rri asni minut”, thashë, “se s’muj. S’po muj m’u rahatu”. Tha, “Ani”, tha, “une po i veshi fustanin po rri me fëmi, ti shko”, tha, “ma shumë kanë nevojë për mu UÇK-ja se për ty. Ti munësh me shku mrena ditës në front edhe m’u vra. A unë jom ma i randësishëm”.

Unë jom nalë, thashë, “E pse s’më ke tregu asniherë?” Tha, “Po këto gjana s’tregohen se ti je grue”, a din t’u keshë. Thashë, “Edhe që jom gru çka? Edhe Shota Galica u kanë gru”, thashë, “hajde shkojmë bashkë”. Tha, “S’muj”, tha, “unë jom në operativë”. Ma shpjegoj. Jom stopu, kom mbetë shumë keq. Mandej çka me ba unë gjith m’u sillke në kry qysh me ba. Ni ditë prej ditësh fëmitë i lash te nana e mora motrën mas meje që osht’. Ajo e ka pasë burrin në luftë në zonën e Pashtrikut. Sahit Morina është burri i motrës tem Shkurtës.

Thom, “A po vjen t’lutna shkojmë deri në shtab?” Bërshanc u kanë. Tha, “Jo motra jem qysh? Çka po lypë?” Thashë, “Hajde t’ju çojmë naj sen naj qorapë a”, unë me mashtru ata. Thojsha këta e çoj në Prizren unë m’u kyç. Se m’i thanë drejtpërdrejt thojsha s’më ngon. E kom pasë ni Jugo, ni kerr t’vogël, t’keq. I mirë u kanë për atëherë po po thom i vogël. Shkum. Atë ditë u kanë e mërkure, pazar. Shkoj i blej 20 parë çorapë të leshta i qes në gepek. I blej dy gajbe molla edhe do cikrrime tjera në gepek edhe ata me veti edhe drejt.

Kur shkum në Reshtan, fshati Reshtan në Suharekë e mandej me shku në Peqan edhe me shku atje në Breshan na nalë policia e serbëve. Na thojnë “Izađi napolje. [srb.: Dil jashtë]” dola unë jashtë. Ata me automata. “Çoj durtë përpjetë”, i çova durtë përpjetë. E çelën gepekin. “Ku po shkoni?” “Po”, thashë, “shpijën e kena…” motra e kish shpijen në Peqan të Vogël shpijen, “shpi”. Për fat temin t’mirë edhe të asaj ata po dojnë thjeshtë me na malltretu.

Ma larg ish ni kerr tjetër i policisë, ni polic që kojshi ku e kom nanën unë edhe po më njeh ai mu. “Stoj, nalnu”, “Pusti ga, lëshoni”. M’thotë veç, m’shajti serbisht edhe “Uđite unutra, idite [srb.: Hyni brenda, shkoni]” a din, me mllef, me nervozë. Jemi nisë. Motra po dridhet. “Pse motra jem? A të thashë mos me ardhë?” Thashë, “M’the po hajt se s’u ba kurgja”. U nisëm na shkum. Bijke shi. Kerri i vogël e kisha mush unë gepekin. Kur shkum atje me kerr, i zbraza. M’pritën. Nifar’ Nehat Basha u kanë komandant i zonës. Më mori aty në dhomë. Sahitin e takum. Ishin kanë në shtab.

Tha, “Çka ke ardhë?” Thashë, “Unë du m’u kyç Sahit, Shkurtën çone diqysh në Prizren. Unë”, thashë, “nuk du me vetë kërkond. S’e kom vet kërkond as për protestat e ‘81-shes as tash. Menzi e kemi pritë qit’ ditë. Hiç s’ka diskutim unë du m’u kyç”. “Ani Bahri, qe p’e pys komandantin, hajde”. “A e ki leternjoftimin me veti?” “Po”. M’i murr shënimet, emër, mbiemër, gatishmërinë tem. Tha, “Po”, tha, “s’kemi bre”, tha, “vend për femra”. A din me fjetë unë. Tha, “Dëgjo, ti duhesh m’u kthy. Ti je juriste”. M’pyti ai krejt në mënyrë kronologjike m’i veti shënimet çka punoj, a din, ku… krejt çdo gja i murr.

Tha, “Po na nevojitet nesër, masnesër na kemi nevojë me pasë gjyqin ushtarak edhe m’i dënu njerëzit të cilët dezertohen, njerëzit tradhëtar, ata, këta”. E diqysh sikur m’bindi edhe tha, “po për çdo eventualitet që paraqiten edhe tjera femra na e bojmë ni grup edhe kemi me t’gjetë mundësi, mënyrë edhe të thirrim përmes lidhjeve të caktune”. U binda. Thashë, “I kom ble do sene”. Se gjithmonë… çka osht’ ma e randësishmja tash me cekë se çdo gja po m’kujtohet. Prej asaj dite që jom hy n’punë e deri sot burri jem, Naim Ramadan Besimi, kurrë rrogën as paret nuk m’ka thanë sa e ki, ku i ki, çka, qysh. Gjithmonë m’i ka lanë m’i menaxhu mu. Asniherë s’ka thanë që ta bajmë këta ose ata me kontribut temin.

Po du me lidhë këta që unë kom ble gjithçka edhe çka kom dashtë e çka kom mujtë. Kujt s’i kom dhanë në atë formë llogari. Normalisht që s’i kom keqpërdorë. Edhe sot unë mundohna çdo gja me ba po normalisht në kuadër t’suazave. U ktheva. E mora motrën i zbrazëm ato i lam, u kthym. Kur u kthym fillun me i bastisë edhe m’i qit’ prej shpijave krejt Arbanën, Lagjën Arbana. Dushanovë përpara tash osht’ Lagja Arbana. Motra jem e vogla, do të thotë e katërta me radhë, burrin n’luftë. Bekimi që sot është dëshmor. Bekim Lutfi Thaçi. I pruni do të thotë motrën Hysën me dy fëmi, ni vajzë e ni djalë, nanën, babën. Na në qytet. Nana jem shpijen ma në qytet prej…

Tha, “Na qitën jashtë”. Djali jem u tutke, fillun bombardimet. Andej Naimi ish non-stop n’lëvizje t’u ju ndihmu UÇK-së. Kish bisedu me ni shok përmes lidhjeve. Bile toki-voki i thojshin. Qysh me ia ba? A mundeni deri në kufi në Maqedoni në Kërçovë… ai i Kërçovës ai shoku, ka punu në Feronikël e familjen në Kërçovë. Vjen Naimi n’mramje thotë, “Nesër kemi m’u nisë me shku në Maqedoni në Kërçovë”. Unë, “Jo, nuk shkoj”, “Jo”, tha, “duhet me shku se luftë osht’. Qe këta i kanë përzanë mujnë edhe neve duhet patjetër fëmitë m’i largu”.

Gjatë do të thotë… edhe disa ditë unë me dy fëmitë, dy kunet, tetë fëmi ata dy kah tre edhe dy t’mit tetë fëmi edhe na tri nuset në Kërçovë shkum tre muj. 20 kilogram për tre muj jom dobësu. Nuk e kom ditë ku i kom vllaznit, ku e kom burrin, ku e kom nanën, ku i kom, do të thotë, familjartë e ngushtë. Kurrë nuk e harroj kur u nënshkru marrëveshja në qershor që u gëzum normalisht dhe që thanë mundeni m’u kthy.

Osht’ ajo ni moment edhe ni, ni rast shumë i lumtur për krejt shqiptarët po edhe për mu edhe për fëmitë e mi. Veç vështirë u kanë shumë, shumë e randë u kanë me nejt ti me ni vend që s’je kanë kurrë edhe t’u e ditë që lufta anë e kand t’u u zhvillu edhe t’u pa… ma televizioni non stop t’u qit’ skena të lloj-llojshme, shumë e tmerrshme. Po njeri që thojnë osht’ ma i fortë se guri edhe vërtetë ma i fortë osht’. Se nuk na hiqet copa po duhet me i përballu krejt edhe me vazhdu jetën, me jetu jetën.

Anita Susuri: Faleminderit shumë! Nëse doni edhe diçka me shtu për fund.

Bahrie Kastrati Besimi: Unë po ju falënderoj juve tejmase që keni marrë iniciativën për me shkru historinë, sidomos të vajzave, grave t’cilat kanë sakrifiku, kanë vepru, janë mundu edhe aq sa kanë mujtë kanë ba. Po ju falënderoj shumë sepse kanë kalu shumë vite prej datës kur jom lind edhe deri sot. 64 vite veç i kom plotësu me 5 mars. Vërtetë sikur me i pasë 640, jo 64. Kështu që ju falënderoj e uroj që vendi jonë po edhe asni vend në botë mos me pasë luftë. Uroj me përfundu lufta në Ukrainë, uroj kurrë ma luftë mos m’u ni edhe mos me u zhvillu. Po me pasë paqë gjithkund në botë edhe te na edhe në krejt globin. Tjetër s’di. Faleminderit shumë!

Anita Susuri: Faleminderit edhe njëherë!

Bahrie Kastrati Besimi: Faleminderit! Osht’ me rëndësi me citu momentet edhe rastet kur kom punu në kohën si referente e sigurimit pensionimit invalidor ku shef e kemi pasë ni serb që osht’ qujtë Zoran Ogareviqi. I cili gjithmonë ka pasë nifar’ urrejtje, normalisht ndaj neve. E vetmja prej krejt punëtorëve çdo ditë kom dalë në protesta. Se kanë ndodhë protestat edhe mas ‘81-tes, vitet e ‘90-ta, e me radhë.

Gjatë daljes në protesta kur u kthejsha thojke, “Nuk shkon kështu edhe nuk ki t’drejtë me dalë”, “Unë e shfrytëzoj të drejtën tem, nuk ka kërkund në botë që mundet me ma mohu t’drejtën me dalë, me përkrahë popullin tem edhe vendin tem. Ju po thoni s’ki t’drejtë unë po dal në kohën kur m’takon me ligj me hangër mëngjesin, n’qat’ kohë”. Për fat t’mirë vërtetë u bojshin protestat n’qat’ kohë. “Po asni punë nuk ngel pa u kry, i punoj. Veç maje mend çka po të thom, ju jeni drejtor, nesër menoj unë ka me ardhë. E ardhmja është e jona”.

Sikur me i mshu ftyrës i vijke keq edhe ka intervenu edhe ka ndiku te burri i ka thanë që, “Le që po del po edhe po flet me fjalë që nuk janë t’mira m’i folë për ni juriste”. Kështu që vërtetë mas luftës arrita unë me ardhë në vend të tij m’u bo drejtoreshë edhe m’i çu t’fala, në atë kuptimin me informu, se ka pasë njerëz që kanë punu… ai ka qenë në Beograd. Që i kanë thanë, “Thuni Zoranit që Bahria ka ardhë drejtoreshë qysh ka thanë atëherë”. Edhe në mbledhje thojsha, “Sot jeni ju po nesër na do të vijmë. Unë do të vij drejtoreshë këtu sepse e meritoj dhe e kam përgaditjen shkollore që muj me menaxhu këtë institucion”.

Jom e lumtur vërtetë që kom kontribu edhe jom mundu. Ia kom fillu kur u kthym që fillum mas luftës me 28 marka për secilin person në mënyrë lineare. Kom punu me vullnetin ma t’madh t’mundshëm. U mbushke plot oborri i objektit ku kom punu me penzionista se u dufke m’i dhanë shënimet se nuk i kishim. Tanë natën edhe Naim Besimi m’ka nimu letërnjoftimet… edhe letërnjoftimet i kom marrë, “Nesër ejani ju lëshoj vërtetimet”. Domethonë me evidentu, m’i regjistru për me ju pagu… krejt në mënyrë lineare dhe ngeli. Ashtu ngeli sot e sa ditë me radhë. A din, vite, jo ditë po me vite.

Pensionistat nuk janë t’u u pagu ashtu qysh ju takon ose në bazë të kontributeve po janë t’u u pagu thjeshtë jo në mënyrë të drejtë edhe të duhur për të gjithë ata që kanë punu edhe para luftës po edhe mas luftës. E kanë bo rregullativë ligjore jo si duhet. Unë kam qenë anëtare e komisionit të sigurimit pensional invalidor për me bo projekt ligjin. Kemi përgaditë projekt ligjin e kemi çu n’kuvend kurrë asniherë s’u miratu. Për çka? Sepse Trusti u themelu për interesa të ni pjese të vogël të personave t’cilët favorizohen edhe paguhen tej mase. A popullata edhe pensionistat tonë paguhen, as lëmoshë nuk osht’.

Vërtetë nuk ia vlen çka ka ndodhë edhe qysh osht’ t’u ndodhë edhe sot e kësaj dite. Osht’ shumë jo e mirë edhe e tmerrshme që pensionit… me qit’ kusht me i pasë 15 vjet para luftës. Kjo osht’ anomali, kjo osht’ jo e mirë. Po megjithatë nuk e di, nuk e di qysh do t’funksionojnë në të ardhmen. Unë kom shumë shpresa te rinia që ka me funksionu mirë edhe ka m‘i qit’ gjanat n’rend edhe n’vend ashtu qysh funksionon secili shtet demokratik dhe secili vend n’botë. Jo ni pjesë e vogël e ni grupi t’njerëzve me dominu sepse mjaft kemi vujtë. Mjaft. Faleminderit edhe niherë shumë!

Download PDF