Hava Shala

Prishtinë | Date: 13 gusht dhe 14 tetor 2016 | Duration: 170 minuta

Fillimi i Fushatë së Pajtimit të Gjaqeve.

Në lajme doli zëdhënësi i qeverisë së Millosheviqit n’atë kohë […] Dhe tha, ‘Nuk u vranë nga ushtria dhe policia jonë’, e tyre, ‘por u vranë shqiptarët primitivë për shkak të gjakmarrjes.’ […] Ishte shumë irrituse, ishte shumë e papranushme për mua, ishte shumë diskriminuse, ishte shumë e pavërtetë, ishte shumë jo-njerëzore.

Dhe, të nesërmen kam dalë në Pejë. Personi i parë që kam dashtë me taku e që jam nisë për ta takuar, ka qenë Myrvetja […] E kam takuar në Pejë edhe, edhe kemi fillue me bisedu, mu nuk m’kujtohet nëse ajo i ka dëgjuar lajmet apo jo. Me Myrveten jemi kuptu gjithmonë shumë mirë, kemi qenë shoqe ma përpara, para burgut, gjatë burgut, pas burgut. Dhe jemi kuptu, nuk osht’ dashtë shumë me shpjegu, nuk osht’ dashtë me ia mbushë mendjen… ajo e ka konsideruar [pajtimin e gjaqeve] shumë të rëndësishme dhe ka thanë që, ‘Do t’shofim se çka mund të bëjmë’. […]

Edhe Brahimi, Luli, Myrvetja dhe unë kemi shkuar tek Ademi atë ditë në shtëpinë e tij, dhe kemi biseduar dhe padyshim jemi dakorduar. Domethanë, nuk është dashtë shumë me diskutu, nuk është dashtë shumë me filozofu. […]

Dhe, më pastaj kemi menduar që një person, një ftyrë e nderuar e çmuar, e vlerësuar që ka edhe kompetencën e hyrjes në oda, bisedës në odë, ishte profesor Zekeria Cana dhe profesor Anton Çetta, respektivisht s’pari Zekeria Cana. Ishte i nderuar, të paktën dhe tek ne, por jo veç tek ne po ne e njifshim angazhimet e tij, literaturën e tij”.


Erëmirë Krasniqi (Intervistuesja), Noar Sahiti (Kamera)

Hava Shala u lind në vitin 1966, në Lugun e Baranit, komuna e Pejës. Për shkak të aktivitetit të saj politik, në vitin 1984 është arrestuar bashkë me gjashtë vajza dhe dy djem. Ky rast njihet si, “Grupi i vajzave të Pejës”. Pas lirimit në dhjetor të vitit 1988, është angazhuar si aktiviste në Fushatën e Pajtimit të Gjaqeve. Shala diplomoi në drejtimin e Komunikimit Ndërkulturor, dhe sot punon si pedagoge sociale në Zvicërr.

Hava Shala

Pjesa e Parë

[Intervistuesja kërkon nga folësja të tregoj për vetën e saj dhe kujtimet e saj më të hershme. Pyetja është prerë nga video-intervista]

Hava Shala: Unë jam e lindur në një fshat në Lugun e Baranit, Komuna e Pejës, në një familje t’madhe tipike për Rrafshin e Dukagjinit (buzëqeshë), thuajse për pjesën ma t’madhe të Kosovës. Jam fëmiu i parë, i parë i familjes time, respektivisht i pari që iu ka mbijetu… prindërve t’mi iu kanë vdekë pesë fëmi para dhe pas meje. Dhe, ani se kam qenë vajzë, ka gjasa për shkak se kam mbijetu n’mesin e t’gjithë atyre fëmive të vdekur, pastaj kam qenë fëmi që prindërit e mi kanë pasë ni status të veçantë. Në relacion me prindërit e mi nuk jam ndi e trajtuar si vajzë, që njihet pak a shumë statusi i vajzës në familjen e madhe shqiptare, dhe ndoshta kjo ka qenë nji lloj privilegji për mua. Mirëpo, në familjen e madhe nuk kanë qenë veç prindërit ata që kanë vendosë për statusin tënd, po ka qenë zakonisht patriarki apo zonja e shpisë në rrafshin e femrave, grave.

E kështu që, në këtë rrafsh e kam ditë pastaj statusin dytësor ose… të qenurit jo aq i rëndësishëm… ose aq i barabartë me të tjerët, siç kanë qenë djemtë, e në familjen tonë kanë qenë shumë të paktë. Mixha im kishte pesë vajza dhe një djalë. Prindërit e mi ma vonë kanë pasë dy vajza dhe dy djem. Kështu që kjo e ka karakterizu pak a shumë jetën time si fëmi, si vajzë me… në etapa të ndryshme të moshës time. Mosha e pubertetit e kujtoj ndoshta me pak specifika të moshës tipike të pubertetit, po me një rebelacion, me një rebelim që ka dashtë me tregu që jo vetëm djemtë kanë të drejtë. Kryesisht, qysh atë kohë jam marrë pak me… në mënyrë krejt spontane me temat sociale, vajza, djali, burri, gruja, pse është kjo, pse është ajo… (buzëqeshë). Jo rrallë nëna ime m’thoshte, “E mjera unë, bëhem marak për ty se nuk di cili…. nuk di cili burrë të mban!” (qeshë). Mirëpo, ajo ka qenë jeta ime.

Unë kam bërë tetë vite shkollë, në shkollën e Tushecit dhe kam pasë fatin e mirë që baba im në atë kohë ka qenë si… duke qenë si migrant në Gjermani dhe në Zvicër, gjithësej tri vite sikur ka sjellë pak nji frymë të re, nji pikëpamje të re për gruan… për vajzat, n’këtë rast për mua. Ka qenë ajo shumë e randësishme dhe une e kam shfrytëzu se osht’ përputhë koha, ajo kohë kur e kam kry shkollën fillore me kohën kur baba im ka qenë jashtë si gurbeqar, si migrant. Dhe e kam pasë fatin e mirë edhe me angazhimin e kujdestarit të klasës të ipet e drejta për t’vazhduar shkollën e mesme në Pejë.

Shkollën e mesme e kam vazhduar ndonjiherë ma shumë si djalë, jam veshë si djalë, i kam pre flokët. Insinktivisht ndoshta ka qenë një lloj mënyre e veshëmbathjes për t’u mbrojtë pak a shumë nga mendja që i ka paragjyku vajzat, nëse janë veshë tipik si vajzat. Po flas kryesisht për mendjen, mentalitetin në fshat, ka qenë kohë e vështirë për faktin se na osht’ dashtë të udhëtojmë dymdhetë-tremdhetë kilometra në të dy drejtimet, apo tremdhetë, plus tremdhetë kilometra në të ftohtë. Ajo ka qenë noshta ni lloj sfide e natyrës që e ka ndiku ndoshta ni lloj përforcimi t’karakterit të vajzave të Lugut të Baranit.

E pastaj, ishin edhe rrethanat politike që… vitet e ‘80-ta janë të njohura për të gjithë, kam pasë fatin që t’jem ni person që i ka taku asaj gjenerate ose atyne gjeneratave. Edhe ka qenë… ka qenë nji kohë ku domosdoshmërisht osht’ dashur të vendosësh cila osht’ rruga ime jetësore, a mund t’i mbyll sytë para nji realiteti që dhemb, ose a mund t’i hap sytë dhe t’konfrontohem me te? Për cilat arsye ndoshta duhet shumë kohë për t’i shpjegu ato, por po e thomë shumë shkurt që ndoshta nga ajo natyra pak a shumë luftarake që ka qenë, që osht’ dashtë me qenë nëse ki jetu në nji familje t’madhe e t’ka bë pak ma t’guximshme, ke qenë pak ma e vendosur, ke qenë pak ma… ndoshta ma e gatshme me i hy rrezikut, ndoshta edhe për këtë arsye kam vendosë kryesisht të konfrontohem me realitetin e asaj kohe.

Erëmirë Krasniqi: Ku e keni kry shkollën e mesme?

Hava Shala: Shkollën e mesme e kam kryer në shkollën “Shaban Spahia” dhe dy vitet e fundit në gjimnaz. Respektivisht nji vit e gjysmë, sepse në dhjetor të vitit 1984 jam arrestu bashkë me gjashtë vajza të tjera, gjithësej shtatë vajza dhe dy djem. I quajtur atëherë, “Grupi i vajzave në Pejë”. Dhe prandaj… ajo arsye thjeshtë politike. Ne ishim angazhuar për t’thanë mendimin e lirë, për t’protestuar kundër gjërave që n’atë kohë ndodhnin ditë përditë, në shkollë, në rrugë. Nuk osht’ dashtë t’jesh intelektual, nuk osht’ dashtë t’jesh i rritur patjetër, nuk osht’ dashtë t’jesh shumë i mençur. Osht’ dashtë t’jesh i sinqertë përballë vetëvetes tande, osht’ dashtë t’jesh i vetëdijshëm se e donë nji jetë të dinjitetshme për të vendosë të bësh diçka kundër atij regjimi, kundër ndalesave… ose ta ndjekësh rrugën e qyqarit dhe t’thushë, “Dua t’shikoj veç për veten time”. Edhe ajo ka qenë e mundur, por për fatin e mirë, ne si shumë të rinj të tjerë në Kosovë, e zgjodhëm këtë rrugën e parë, respektivisht rrugën e konfrontimit të rezistencës, gjë për të cilën nuk jam pendua asnjiherë dhe nuk do t’kisha heqë asnji gjysmë ore nga gjithë ajo kohë.

Erëmirë Krasniqi: Sa vjeçe keni qenë?

Hava Shala: Unë kam qenë 17 vjeç, e kujtoj edhe Roberti ka qenë 17 vjeç, edhe Zyrafetja dhe Myrvetja. Kujtoj që një numër i caktuar prej nesh janë bë brenda burgut 18 vjeç. Më e reja ka qenë një vajzë e quajtur Emine, ka qenë 16 vjeç, hala s’ka qenë 16 vjeç. Domethanë kemi qenë mes moshës 15 edhe 17, 18 eventualisht. Nuk i kam plotësisht në mendje ditëlindjet e të tjerëve. Po ne jemi arrestu në shkollë n’atë kohë me 19 dhjetor ka qenë ditë e enjte mos t’gabohem, orën e dytë të mësimit në klasë. Osht’ nji ditë që nuk e harroj se për faktin se ka qenë një ditë shumë e veçantë, një ditë që ka kthy rrugën e jetës tonë në ndrejtim krejt të pa marrun me mend. Ne e kemi ditë se është ni rrugë e vështirë, por se do t’ketë aq shumë nuanca të errëta… ndoshta për moshën tonë ka qenë e pamundur me pasë ni ide. Unë shpesh herë e thomë, ndoshta për logjikën e shëndoshë osht’ e pamundshme me i parapa ato sfida, ato vështirësi. Po ajo ishte pika kyçe e jetës tonë, ktyne nëntë personave, po gjithësesi e shumë e shumë personave të tjerë që i kemi njoftë e s’i kemi njoftë n’atë kohë në gjithë Kosovën.

Siç e thashë, jemi arrestu atë ditë dhe jemi marrë në pytje. Ndoshta fjala më paradoksale e mundshme që kam taku, e kam thënë, e kam dëgju, e kam taku n’thojëza është fjala marrje në pytje, sepse faktikisht aty nuk je marrë në pytje. Aty bile, nëse ke guxu diçka me thanë, ma shumë je malltretu, je torturu për t’mos thënë… kanë pasë frikë nga guximi yt, nga fjala jote, nga mendimi yt. Ka qenë, gjermanisht i thojne ni höle [vrimë], një shpellë, një varr si t’thushë, ku njeriu që ka hy brenda ose osht’ dashtë të vendosë për t’thanë, “Jam i gatshëm edhe për rrugën tjetër”. E cila mund të ishte pastaj varri i vërtetë, edhe natyrisht shpresa ka qenë për një të ardhme tjetër fare, ndosha shpresa me mbijetu edhe ato gjërat…

Erëmirë Krasniqi: Çfarë familje keni qenë ju që me pasë këtë prapavi kombëtare?

ccHava Shala: Ehh… unë e kuptoj që lun rol, lun rol shumë edhe historia familjare, por jo domosdoshmërisht është… forca e vullnetit të lirë është e njohur në psikologji, e ka njerëz që jo patjetër e kanë pasë nji parathënie personale, t’biografisë personale t’veçantë, po megjithatë si karaktere e kanë pasë si predispozicion forcën për t’rezistua. Dhe është shumë normale nëse thuhet që ka njerëz që e kanë vështirë ta akceptojnë… një jetë të padinjitetshme siç ka qenë koha jonë ku je kontrollu, je pshty, je shku tek mjeku 20-30 herë. Mjeku i dhamëve ka thanë, “Bash tek ti nuk kam material për dhamin tand”. Pastaj je pshty në autobus, për shembull unë kam pasë një sekuencë ku kanë hy policia në autobus, e kanë ngritë shoferin e autbusit në kamë. E kanë detyru me na shiku neve, edhe e kanë pshy në ftyrë, i ka ra shuplakë në ftyrë për t’na provoku ne. Edhe e ka zgërdhi, e ka përqeshë, e ka detyru prapë t’ulet e t’vozisë ma tutje. Të them të drejtën për asnji gjë nuk do t’kisha mundë ta bind veten e t’rri e qetë edhe t’i thomë, “Pasi mu nuk m’ka taku, osht’ në rregull”. Duheshe me qenë idiot shumë i madh, ta thomë sinqerisht, për t’thanë n’atë kohë nuk po bohet kurgjo… “Jam e suksesshme, e kam rrugën time, ka qenë jashtë natyrës time për fatin e mirë.

Mirëpo, edhe në rrafshin familjar ka pasë diçka që sigurisht e ka përcaktu pak edhe formimin e karakterit tim. Mbaj n’mend gjyshja ime ka qenë, nana e babës, një gru shumë burrënore edhe ajo tregonte ndonjiherë sekuenca interesante që mu edhe m’kanë interesu, edhe m’kanë preokupu. Ajo tregonte që si fëmi kishte shku një herë, dhe ajo ka mund me qenë… ajo nuk kish mundësi me e lokalizu pakëz kohën, po ka mund me marrë me mend që ka qenë dikund para ose pas Luftës të Parë Botërore ballkanike. Edhe ajo thotë që ka shku me nanën e saj për ta vizitu vëllain e saj t’madh në burgun e Pejës. Edhe kur janë afru afër, ai paska qenë i pari i katundit të Bërliqit, që osht’ nji katund afër nesh. Edhe “E kam pa nji varrëtar që po e hap një varr, edhe nana e saj, nana e gjyshës time i ka thanë, “Kujt po ia çelë këtë varr?” edhe ai i thotë, “T’parit të Bërliqit”.

E thoshte edhe nji shprehje tjetër, po qe m’ka ikë prej menjes edhe ajo e ka marrë vesh që ai osht’ djali i saj, i madhi. Mirëpo, ajo nuk i tregon gjyshes time, respektivisht vajzës t’saj, sepse nuk donë që ajo t’alarmohet dhe të qanë, edhe ajo gjyshja ime ishte e befasuar me forcën e saj shpirtërore. Më pastaj, ajo e ka kuptuar tërë historinë kur janë kthy te shpija, domethënë ka pasë sekuenca ose kam dëgjuar nga burrat, ardhjet e malazezëve, dhunimet që janë bërë, lidhja e burrave me Lugun e Baranit për pemë në dimër, ngrirja e trupit të tyre. E kam njoftë një burrë të Gërvallajve, i vetmi m’duket që e ka mbijetu atë natë të tmerrshme. Kanë qenë sekuenca të cilat pastaj i kanë ngja, pastaj sikur copëzat të një mozaiku. Të tërë mozaikun është dashur ta bëjë vetë pastaj (buzëqeshë), kur jam rritë. Dhe për historinë e malazezëve e kemi pasë nji fshatar i vendosur malazez në fshat, i vetmi. Nënat tona për shembull kanë thanë, “Kur kaloni afër shpisë të Fidakut, mos gaboni me qeshë, mos gaboni me folë t’madhe”. Edhe si fëmi kam thanë, “Për çfarë arsye?”

Fëmitë dijnë kaniherë me shtru pytjen që të mëdhejtë ose frikësohen prej atyne pytjeve. Dhe unë e kam shtru këtë pytje herë pas here, po prindërit tanë nuk kanë dashtë me komentu atë. Edhe ma vonë ti e ki pa se ajo ndalesa, ajo frikë ekziston, edhe kujtoj që edhe ky dimenzion i historisë familjare ka lujtë sigurisht një rol. Edhe pse unë kam pasë shoqe në burg pastaj, që nuk kanë pasë parathënie të tilla të mëdha të ashtuquajtura, por që kanë qenë shumë të guxmishme. Kanë qenë karaktere shumë të forta edhe unë, edhe kjo ka qenë diçka që m’ka pjekë si njeri, sepse jam shkëputë nga mentaliteti se duhesh patjetër me qenë i një familjes s’madhe, patjetër duhesh me qenë nji patriot.

Dhe sikur kam qenë pak a shumë, jo rrallë e irrituar nga kjo pronësi e historisë familjare, e pastaj edhe gjithë Kosovës, e kam… nuk e kam parë si një mundësi t’mirë për t’ardhmen e Kosovës nëse thirremi vetëm në të kaluarën, sepse apriori do të thotë nëse ti s’ke pasë një histori t’ngjashme me mua, ti s’mundesh me qenë kaq i mirë… ta them pakëz… me gjuhën politike të Kosovës, herë pas here të dëgjuar n’Kosovë. Dhe unë kam menduar dhe mendoj vazhdimisht që secili njeri ka diçka që… ka t’bëjë shumë me karakterin e tij ose të saj. Në këtë rast ka qenë vendim i imi, ka qenë vendim i imi. Unë s’e kam pytë askënd (qeshë), kujtoj që ka qenë ashtu qysh ka qenë, ka qenë mirë.

Erëmirë Krasniqi: E çfarë aktiviteti keni ba ju me vajzat tjera?

Hava Shala: Ne kemi qenë vajza dhe djem, por për fatin e mirë ne kemi ra vetëm ata që kemi ra atë ditë. Ka qenë një listë e krijuar, nuk e kam idenë nga kush është krijuar ajo listë. Ka pasë arrestime gjithmonë aty-ktu. Nuk di, ose veç çka di… po nuk du patjetër me thanë se osht’ dhanë ajo listë, po osht’ dhanë sipas mendimit tim edhe për aq sa unë di, osht’ dhanë n’tortura shumë t’mëdha të dikujt të arrestuar më përpara se ne. Mirëpo, është mrekulli, dhe e thomë me shumë kënaqësi që prej nesh, prej grupit tonë nuk kanë ra njerëz të tjerë ani se gjatë gjithë kohës… e dijmë prej dhjetorit deri në maj, prill, respektivisht n’maj kemi dalë n’gjyq… n’prill, në fillim t’majit deri në prill. Vazhdimisht ke pasë lista me emra të ndryshëm të mësimdhënësve, njerëzve që ti ke mujtë me i njoftë ose s’ke mund me i njoftë. Edhe je kërcënu, je tortoru për ta nënshkru atë listë. Por mund ta them me shumë kënaqësi sot që ndjej shumë krenari për shokët dhe shoqet e tjera që asnjeri prej nesh, krejt në mënyrë të pavarun prej njëri-tjetrit, nuk kanë bo nënshkrime të këtilla. Dhe pastaj ka qenë ma lehtë të përballesh vetëm me dënimin për veten tande.

Kështu që, po ka qenë ajo marrja e ashtuqujtun në pytje, respektivisht koha e torturave prej katër-pesë muajsh ka qenë kohë shumë intensive dhe aty nuk të ka ndihmuar patjetër historia e t’parit ose t’mramit. Aty t’ka ndihmu pikëpamja jote, bindja jote para së gjithash, se ke të drejtë dhe kujtoj vetëm me atë bindje ke mujtë me u përballu pa u çmendë. Jo rrallë, ka ardhë njeriu në skriptë të dhembjes në…. Kujtoj që vetëm njëri që e ka provuar e njef kufirin e skajshëm të dhembjes që është gati e barabartë me mundësinë për t’u çmendë ose vdekja aty është shumë më pak vdekje. Vdekja do të ishte një rrugë, ndoshta ma e keqja është se aty nuk të lanë të vdesësh. Ose vjen deri aty sa të duket vdekja më e lehtë sesa jeta. Po ajo ka qenë nji kohë e veçantë…

Erëmirë Krasniqi: Sa kohë keni qenë e denume edhe për çka?

Hava Shala: Ne jemi… kemi qenë aktiv për faktin se kemi shpërnda pamfletën, kemi shkru vetë nji pamfletë si të rinjë të asaj kohe, dhe e kemi artikulu mendimin tonë për çfarë arsye, se ngushtë është kriju, është shumë ngushtë për neve si të rinjë, është shumë diskriminuese gjendja nëpër të cilën po kalojmë. Kemi folë për mënyrat e diskriminimit, kemi folë për të drejtën tonë si njerëz, për t’qenë të lirë si të gjithë njerëzit e tjerë. Dhe kemi shpërnda, kemi shumu, dhe kemi shpërnda para se gjithash në Pejë, por edhe në Istog, edhe në Klinë, edhe në Deçan, mos gabofsha edhe në Gjakovë, edhe në komunat e… në disa komuna të Rrafshit të Dukagjinit ku ne kemi jetu edhe kemi vepru. Thjeshtë ne kemi vepru në këtë mënyrën që po e thomë, kemi lexu natyrisht, kemi shkru, kemi…. Ka qenë mjet i joni i vetëm i ashtuqujtur, luftë e rezistencës tonë ka qenë fjala, ka qenë lapsi, ka qenë… kaq kanë qenë mundësitë tona. Mirëpo, ajo ka qenë ndoshta qysh unë shpesh herë kam dëgju gjatë hetimeve, ajo na ka bo neve hala ma t’rrezikshëm n’atë kuptim, sepse ne kemi guxue të flasim, kemi guxu të shkruajmë. “Është më shumë se veç të shkruash një parollë”, atë e thonin ata, unë po i citoj ata.

Ose për shembull, kam pasë nji natë, nji natë do ta përshkruej, ishte nata e dytë e hetimeve në Pejë sepse më pastaj na sollën në burgun e Mitrovicës. E në dhomën ku une merresha në pytje, në këtë natë ishin për çudi dy serbë, në përgjithësi kanë qenë shqiptarë ata që na kanë marrë në pytje. Po që në këtë natë ka qenë një rastësi ose si rastësi që kanë qenë dy serbë të cilët… njëri prej të cilëve ka folur gjuhën mjaft mirë shqip, mirëpo dallohet që nuk ishte shqiptar. Edhe ajo lodhja ishte shumë e madhe sepse ishin shumë orë pa bukë, pa gjum, pa ujë, pa… ishim të rrahur, unë për vete kam përjetu tri herë elektroshok në gju, në qafë, në dhomë. Edhe elektroshoku din me shkaktu lodhje të tmerrshme, pastaj kanë qenë rrahjet e ndryshme, kanë qenë ata i thonin, tortura me metoda të shpejta që ishin kryesisht rrahje para-mrapa, gjujtje, përplasje dhe gjithëçka ndodhte me t’vërtetë shumë shpejtë. Mirëpo, kishte edhe metoda të ngadalshme që domethanë ti goditeshe taman në venin ku je lëndu, ku është një plagë, ku është dikun e përgjakur. Qëllimisht edhe një herë, edhe dy herë në venin ku veç ishe e lënduar dhe ajo ishte… ajo queshte, “Metoda e ngadalshme, e butë”, i thonin ata me cinizëm.

Dhe këtë natën e dytë, unë isha ulur dhe ata… është gati një natë monstruoze, është një natë e ftohtë, e ftohtë për mua. Është më shumë… ftohja është një shenjë e varrit ndoshta, e vdekjes ndoshta… ata bisedonin me njëri-tjetrin edhe tregonin në mënyrë shumë të qetë, shumë të vetëkuptushme se çka do t’bëjnë me mua. Ishte një luftë psikologjike, ata donin të më thenin psikologjikisht e shpirtërisht, dhe ata i thonë njëri-tjetrit se ata do t’kërkojnë prej meje të qëndroj në këmbë edhe nëse nuk qëndroj në këmbë, atëherë do të m’godasin me shkop të gomës në lukth në bark. Dhe nëse nuk rri direkt, nëse nuk rri tamam në këmbë atëherë do të m’godasin me këpucë në gjunjë. Dhe ata e thonë sikur t’flasim për një ëndërr, sikur t’flasim për një ngjarje para shumë kohërash, sikur t’mos ketë t’bëjë me ata… sikur… ishte një çudi, ishte një…. Më është dashtë shumë kohë me përpunu atë gjakftohtësi të tyre, atë mënyrë, ishte diçka e jashtëzakonshme. Ishte diçka shumë e veçantë.

Edhe aty në t’vërtetë pasi e krynë bisedën e tyre, provuan ta realizojnë, dhe në t’vërtetë edhe nëse… natyrisht që nuk kisha forcë fizike me qëndru n’kambë edhe e bonë atë që e kishin thanë, që e thanë ma përpara. Domethonë, ishte goditje në lukth, në bark, në gjunjë, derisa nuk përplasëshe për tokë. Aty i kam dëgjuar duke thënë që ne jemi ma t’rrezikshme, ne vajzat, gratë, sepse nëse burrave u duhen njizet vjet për t’u bërë nacionalistë, gratë i bëjnë që n’barkun e tyre. Kjo… kjo thënje, ky mendim, ky artikulim i tmerrshëm i mendjës së tyre, ishte shumë makabër, ishte shumë…. Dhe të them sinqerisht, para se të arrestohem kam qenë e bindur për shumë arsye se kam të drejtë t’i kundërvihem një çmendurie të këtillë. Në burg kam qenë padiskutushëm, gjithmonë e bindur se kam të drejtë. E ndoshta ajo ka qenë efekti anësor i torturave të tyre, sepse është dashtë me t’vërtetë t’jesh kundër vetes të thuash, “Po tërhiqem nga kjo rrugë, se do t’jem si këta, ose do t’jem bashkë me ata”. Domethanë, kanë qenë gjërat për mu shumë të qarta.

Erëmirë Krasniqi: A ishte kjo vetëm në fazën e hetimeve?

Hava Shala: E unë kam qenëhetimet kanë vazhdu deri me… hetimet e mia kanë vazhdu deri me 11 prill. Me 11 prill, kanë ardhë sërish në… për çudi jo më në ndërtesën e hetimeve, po në zyrën e Sherafedin Ajetit. Ka qenë nji, ka qenë nji drejtor i shkollës, nji i çmendur, një psikopat dhe urrejtës i madh i njerëzores. E kam pasë nji karakteristikë që vetëm kur s’kam mund me folë, se e kam thanë mendimin tim. Edhe kështu që, edhe kur flas për atë kohë kam nji kënaqësi të brendshme që atij asnjihere nuk ia kom lanë fjalën (buzëqeshë) e tij edhe e kam thanë mendimin tim me gjithë pasojat.

Atë ditë me 11 prill, kanë ardhë, kanë ardhë me nji person që e kam njoftë gjatë hetimeve, edhe ka fillu me cinizëm me thanë, “Ti po mendon që je Shote Galica, ti po menon ashtu…” edhe une i thomë, “Jo, nuk po mendoj”. Thotë, “Unë kam qenë në Shqipëri, aty janë listat e zeza”, unë i thashë, “Për mu Shqipëria qoftë dhe rroftë sa të jetë jeta. Unë nuk jam për Shqipërinë, këtu ata nuk e kanë nevojën për ndihmën time. Unë jam këtu për mendimin që e kam thanë dhe ka t’bëjë me jetërat tona, me vendin tonë.” Dhe atë kohë pat vdekë Enver Hoxha.

Download PDF