Nedime Bytyçi

Prizren | Date: 12 shtator, 2023 | Duration: 45 minuta

Kur kam lindë babën nuk e kom pasë këtu, ushtar ka pasë qenë baba. Mandej, ka qenë në Suboticë ushtar. Prej ushtrisë atëherë qysh ka qenë situata e kanë çu në Gjermani. Si esir që thojshin. Atje ka qenë katër vjet. Mas katër-pesë viteve osht’ kthy. Bile e mbaj mend si sot, na kemi dalë me pritë atje në Bazhdarane, prej Bazhdaranës qysh vishin rresht. Se s’ka qenë vetëm baba jem, krejt ushtarët i kanë marrë atje. Atje kanë hjekë keq me ushqime e krejt gjithqysh… 

[…] Më kujtohet t’u ardhë e kam pa për herë të parë, rresht ushtarët. Atëherë ‘45-shit [1945] kanë ardhë. Unë kam qenë katër vjeçare. Si e kam pa kam thanë, ‘Qiky osht baba jem’. Se pat’ çu edhe do fotografi edhe ato i kam pa fotografitë. Sipas fotografive e kam njoftë edhe babën.


Anita Susuri (Intervistuesja), Ana Morina (Kamera)

Nedime Bytyçi u lind në vitin 1941 në Prizren. Ajo e ka kryer shkollën e lartë Pedagogjike. Në vitin 1963 ka filluar të punoj si mësimdhënëse në shkollën “Mustafa Bakija” në Prizren. Ndërsa është pensionuar në vitin 1997 në shkollën “17 Nëntori”. Ajo jeton me familjen në Prizren.

Nedime Bytyçi

Pjesa e Parë

Anita Susuri: Zonja Nedime, nëse mundeni me u prezantu, me na tregu diçka për kujtimet e juja t’para?

Nedime Bytyçi: Jom e lindun në Prizren ‘41-shit. Unë kom lindë, kur kam lindë babën nuk e kom pasë këtu, ushtar ka pasë qenë baba. Mandej, ka qenë në Suboticë ushtar. Prej ushtrisë atëherë qysh ka qenë situata e kanë çu në Gjermani. Si esir1 që thojshin. Atje ka qenë katër vjet. Mas katër-pesë viteve osht’ kthy. Bile e mbaj mend si sot, na kemi dalë me pritë atje në Bazhdarane, prej Bazhdaranës qysh vishin rresht. Se s’ka qenë vetëm baba jem, krejt ushtarët i kanë marrë atje. Atje kanë hjekë keq me ushqime e krejt gjithqysh…

Anita Susuri: Kanë qenë si kamp i përqendrimit…

Nedime Bytyçi: Si kamp, po.

Anita Susuri: A ju kujtohet diçka baba juj që kallxon prej atij kampit, që ju ka kallxu për shembull?

Nedime Bytyçi: Ka kallxu besa, kah kanë hjekë me mjaft vështirësi. Veç në fund janë kthy shnosh e rahat. Shnosh kanë qenë.

Anita Susuri: Ju domethonë keni qenë shumë e vogël kur babën e juj e keni pa për herë të parë…

Nedime Bytyçi: Si?

Anita Susuri: A ju kujtohet babën kur e keni pa për herë të parë?

Nedime Bytyçi: Po, po më kujtohet t’u ardhë e kam pa për herë të parë, rresht ushtarët. Atëherë ‘45-shit kanë ardhë. Unë kam qenë katër vjeçare. Si e kam pa kam thanë, “Qiky osht’ baba jem”. Se pat’ çu edhe do fotografi edhe ato i kam pa fotografitë. Sipas fotografive e kam njoftë edhe babën. Po ai mandej osht’ punësu me ni barnatore, ka qenë nifar’ Avramoviq ai ka qenë a i Greqisë a s’di prej kahit ka qenë, aty [baba] ka punu ni kohë të gjatë. Mandej ka punu në spital, në barnatoren e spitalit. Unë jom regjistru klasën e parë, qajo më kujtohet në shkollën…

Anita Susuri: Emrush Aga?

Nedime Bytyçi: Emrush Aga. Aty kam kry klasën e parë dhe klasën e dytë. Kur kam ardhë klasën e tretë, qajo më kujtohet, ajo ka qenë situata që vishin me kthy paralele turke. Erdhën do komisione e caktun edhe mu edhe disa të tjerë, “Ju keni me shku në paralele turke tash jo në paralele shqipe”, unë thashë, “Jo”, thashë, “nuk shkoj”, ata fillun, “Ti nuk shkon veç na babën ta qesim prej pune”. E thirrën babën. Mandej baba jem tha, “Jo”, tha, “në paralele turke nuk lejoj unë çikën. Nëse doni unë gjermanishtën e di, në gjermanisht të çoj në paralele turke nuk të çoj”, se ka qenë shumë patriot ai.

Qashtu mbetë, nuk më kthyn mu. E shumica e të tjerëve që ishin krejt u frikësun që po i qesin prej pune, u kthyn në paralele turke. Atëherë ka qenë viti domethonë klasën e tretë kah viti i ‘50-të, s’po më kujtohet tamam viti. Unë nuk u ktheva. I kemi pasë mësus Don Laçin se edhe kemi dashtë, kam dashtë shumë msusin tem edhe mbeta në atë klasë unë. E kreva filloren mandej mas fillores në gjimnaz u regjistrova…

Anita Susuri: Dashta me ju pytë, baba juj a ka pasë ndonjë shkollim ai? A osht’ shkollu baba?

Nedime Bytyçi: Ai ka qenë me do kurse me do sene qatëherë se qatëhere s’kanë pasë shkolla. Veç shkrim lexim ka ditë. Mandej në Gjermani sa ka qenë tre-katër vjet ka mësu gjermanishtën. Veç ka qenë shumë patriot. Kursesi nuk donte të kthehem… unë vazhdova mandej kërkush nuk më ka prekë.

Anita Susuri: Ju thatë që keni pasë shpinë dikund në qendër të Prizrenit…

Nedime Bytyçi: Po.

Anita Susuri: E çfarë familje keni qenë kështu si vajzë? Mbiemri?

Nedime Bytyçi: Mbiemrin Shalqini e kemi pasë. Shalqini. Familje mesatare, s’kemi qenë as shumë të varfër as shumë të pasur.

Anita Susuri: E qysh ka qenë jeta në familjen e juj? Sa fëmi keni qenë?

Nedime Bytyçi: Jeta në familjen tonë ka qenë shumë e mirë. Kemi pasë katër axhallarë të gjithë jetojshim me ni oborr, me ni shtëpi. Gjithkush ka pasë kah dy dhoma. Shumë marrëdhanie të mira kemi pasë. Prej katër axhallarëve kemi qenë 18 fëmi. Se na familja tonë katër kemi qenë, një axhë katër tjetër, axha tjetër pesë fëmi kanë qenë. Gjithsej 18 fëmi kemi qenë. Aq mirë kemi kalu fëmitë kurrë s’jemi përla.

Anita Susuri: A e kujtoni atë oborrin qysh ka qenë?

Nedime Bytyçi: Po, më kujtohet si sot.

Anita Susuri: A ka qenë i shtrum? A ka qenë me lula, me bari a ka qenë i shtrum a?

Nedime Bytyçi: Po ka pasë edhe lule edhe bari edhe pemë ka pasë. Bile më kujtohet kemi pasë ni dud edhe ni kumbull. Me çikën e axhës ni moshë kemi qenë na hypshin në dud aty edhe do degët qysh bashkoheshin ashtu, s’janë me randësi këto veç, hypshim atje me hangër. Çikën e axhës e kam pasë… gruja e Fahri Axhi Beqirit, Myrveten. Në Prishtinë e martune osht’.

Anita Susuri: E për shembull qysh kanë qenë festat në familjen e juj? Qysh janë festu për shembull Bajrami? Ramazani?

Nedime Bytyçi: Kur kanë qenë festat gjithmonë bashkë kemi festu.

Anita Susuri: A keni pasë naj traditë qysh m’i bo? Pregatitje diçka?

Nedime Bytyçi: Po kemi pasë.

Anita Susuri: E përmendet ni shkollë të Emrush Agës që thatë…

Nedime Bytyçi: Emrush Agës, po.

Anita Susuri: Kush ka qenë ky person? A e ka dhanë shpinë e vet për shkollë apo si?

Nedime Bytyçi: S’po di, ai shpinë e vet e ka dhanë për shkollë.

Anita Susuri: Ka qenë e vjetër kështu?

Nedime Bytyçi: Po e vjetër ka qenë, dy katëshe. Ka pasë vend aty… se na kemi qenë në Shkollën “Sllobodan Sulçeviq” ma afër shtëpisë ka qenë. Aty zahere nxanës nuk ka pasë vend për krejt nxanësit, e kanë lëshu edhe qat’ shtëpi.

Anita Susuri: A e keni pasë larg atë shkollë?

Nedime Bytyçi: Jo larg s’kemi pasë, afër. Se shtëpinë e kemi në qendër e kemi pasë në rrugën kryesore.

Anita Susuri: E kjo shkolla ku ka qenë? A osht’ tash…

Nedime Bytyçi: Jo tash nuk osht’ shkollë. Pak në rrugicë tjetër ka qenë.

Anita Susuri: Më thatë edhe që pastaj keni vazhdu shkollimin në gjimnaz, keni qenë gjeneratat e reja, pak vajza, qysh ka qenë krejt kjo?

Nedime Bytyçi: Po mirë ka qenë. Niherë kur jom regjistru në gjimnaz ka qenë ni klasë veç femrat, gjimnazi femror i thojshin që vetëm femrat me ni klasë. Sigurisht e kanë organizu që të shkollohen femrat vetëm. Mirëpo shpejt u mbyll ajo klasë mandej u përzim me mashkuj.

Anita Susuri: Keni qenë, thatë veç dy vajza po…

Nedime Bytyçi: Jo në gjimnaz kemi qenë ma shumë vajza.

Anita Susuri: Aha, në shkollën e lartë?

Nedime Bytyçi: E në shkollën e lartë në fillim vetëm dy vajza kemi qenë.

Anita Susuri: E që më thatë për gjimnaz edhe krejt qajo periudhë e kohës, qysh ka qenë për juve, për shembull? A keni pasë shoqni a qysh ka qenë për juve?

Nedime Bytyçi: Po mirë ka qenë, shoqni kemi pasë. Jemi shoqnu edhe me vajza edhe me djem qatëherë në gjimnaz.

Anita Susuri: Mirë. Po më intereson tashti pak ma shumë për shembull me ma përshkru Prizrenin në atë kohë qysh ka qenë? Si e kujtoni ju?

Nedime Bytyçi: Prizreni krejt tjetër ka qenë në atë kohë, tash krejt gjanat e vjetra kanë hupë.

Anita Susuri: Për shembull qysh?

Nedime Bytyçi: S’po di qysh me thanë. Ka pasë rregull, ma së pari jemi detyru para shtëpisë me fshi niherë e mandej brenda puntë m’i kry. Se nuk lejojshin. Ose kur u bojke ndonjë festë m’i ly muret e shtëpisë jashtë. Ka qenë qyteti i pastërt.

Anita Susuri: Keni pasë për detyrë me fshi para shpisë?

Nedime Bytyçi: Para shpisë niherë, po.

Anita Susuri: A ju kujtohet a ka pasë atëherë korzo? A kanë dalë atëherë?

Nedime Bytyçi: Si?

Anita Susuri: A ka pasë korzo?

Nedime Bytyçi: Ka qenë. Korzoja ka qenë në shadërvan. Dilshim në shadërvan prej urës deri në Papaz qarshi atje delshim u kthejshim. Veç qaty se tjetër s’kemi pasë sikur tash nëpër kafiqa, nëpër sende.

Anita Susuri: A ka funksionu atëherë për shembull, po mendoj për juve, a keni shku ju nëpër kinema atëherë?

Nedime Bytyçi: Po kemi shku veç rrallë, rrallë kemi shku. Se mu baba m’çonte mirëpo shoqet e tjera nuk i lshonin e unë vet s’mujsha me shku.

Anita Susuri: E si u bo që shkut pastaj edhe në shkollën e lartë? Thatë që u hap qat’ vit në Prizren.

Nedime Bytyçi: Qat’ vit u hap shkolla e lartë mirëpo edhe në gjimnaz sa kam qenë mësimet s’kanë qenë vetëm në gjuhën shqipe. Shumica e landëve kanë qenë në serbo-kroate në gjimnaz. U hap shkolla e lartë u regjistrova atje. Mirëpo edhe atje mësimet kanë qenë, gjysma e landëve kanë qenë në gjuhën serbo-kroate gjysma shqipe.

Prej profesorëve krejt s’po më kujtohen, ka qenë ni Cucorreviq ai ka dhanë, s’di cilën landë ka dhanë, Cucorreviq ka qenë, mbiemrin kom harru. Ajo ka dhanë pedagogjinë. E serbisht m’ka dhanë ni Kosta Kostiq. E landë tjera prej Prishtinës vishin profesorët. Ka qenë, veç emrin kam harru, vllau i Aganit. E ka pasë Hilmi Agani a tash s’po më kujtohet emri se shumë profesora kam ndrru. Ai ka dhanë letërsi popullore.

Mandej gjuhën shqipe ka qenë Fuad Ostrozubi, gjuhën shqipe, morfologjinë e sintaksën. Kanë qenë profesorët shumë të aftë. E mandej historinë e letërsinë ka dhanë Yll Zajmi. I shkreti sivjet ai ndrroj jetë…

Anita Susuri: Cilat vite kanë qenë kto? Vitet e ‘60-ta a para të ‘60-tave?

Nedime Bytyçi: Mas ‘60-tave ka qenë. Se ‘60-’61 u çelë shkolla e lartë qatëherë ka qenë.

Anita Susuri: Qatëherë, po. Si kanë qenë vitet e ‘60-tat për shembull në Prizren? Ka qenë kjo koha e Rankoviqit po tregut edhe për tezën e juj që ka shku…

Nedime Bytyçi: Në Turqi.

Anita Susuri: Në Turqi. Si ka qenë?

Nedime Bytyçi: Qatëherë shumica kanë shku në Turqi. Edhe gjimnazi shumica e nxanësve që kanë qenë kanë shku në Turqi. Se situata e vështirë ka qenë.

Anita Susuri: Tregut edhe për tezën e juj prej Novi Pazarit…

Nedime Bytyçi: Prej Novi Pazarit ajo mandej erdh këtu m’u taku edhe shkun niherë në Shkup m’i marrë do letra se nuk jepshin…

Anita Susuri: Leje.

Nedime Bytyçi: Leje. Nejtën nja ni vjet në Shkup. Masi morën ato visik a qysh thojshin mandej shkun në Turqi. Shkun në Turqi. Gjashtë djem ka pasë edhe ni çikë. E si shkun në Turqi ai burri i vet u mshel me ni dhomë atje në Turqi. Se kanë pasë pasuni të madhe këtu, e ka marrë krejt Serbia. Punojshin ata me mulli. Mullinjtë i kanë pasë me miell. Pasuninë e kanë marrë edhe ai s’mujke me duru. Plus e ka ndrru mbiemrin e ka marrë mbiemrin Kurtullmush. Nuk pranojke kërkënd. Veç mas ni kohe mandej kur ka qenë ‘78-ten kur shkum na, interesant, masi u martova unë me burrin tim, me burrin tim bisedonte. Se nuk folke ai me kërkënd hiq. Se ra si në depresion. Veç fmitë u rritën, punun kah pak dolën në selamet.

Anita Susuri: E që thatë e keni vrejtë edhe në shkollë që janë largu, a ka pasë pastaj ma pak nxansa apo si ka qenë?

Nedime Bytyçi: Po prej klasës tonë jo veç prej klasave tjera janë largu ma shumë.

Anita Susuri: A ka pasë për shembull prej familjeve aty te kojshitë që keni njoftë që ka shku dikush?

Nedime Bytyçi: Jo, veç do vajza kam njoftë që kanë shku.

Anita Susuri: Më tregut pak për shkollën e lartë, thatë që baba juj ka insistu me shku…

Nedime Bytyçi: Po, ai insistoj tha, “Patjetër ti ki me kry shkollën se je femër, se femnat çdo gja s’munden me punu. E mashkujt edhe mos me shku në shkollë ata punojnë punë fizike nxjerrin bukën se prindët gjithmonë s’ki me pasë prind”.

Anita Susuri: Ka qenë nana juj pak e smutë prandaj ju keni dashtë mos me vazhdu?

Nedime Bytyçi: Po. Jo pak po bajagi ka qenë. E paralizune ka qenë ni anë. Veç mandej u rritën edhe vllaznit edhe motrat, a dinë, e kqyrshin edhe ata.

Anita Susuri: Ju keni qenë ma e madhja?

Nedime Bytyçi: Unë ma e madhja kam qenë.

Anita Susuri: A mundeni pak ma shumë me na tregu, për shembull, për qat’ jetën si vajzë e re në Prizren? Qysh ka qenë në Prizren me jetu n’atë kohë?

Nedime Bytyçi: Si vajzë e re…

Anita Susuri: Për shembull çfarë veshje keni pasë atëherë?

Nedime Bytyçi: Veshje s’kemi pasë, veshje si qato që janë jo, veç me mangë të shkurta se krejt të çelne unë për veten time nuk kam veshë. Se unë jetën fëmijërore, rininë nuk kam përjetu. T’u pasë nanën smutë gjithmonë jam marrë me nanën. S’kam mujtë as me dalë m’u argëtu, as me lujtë me shoqe.

Anita Susuri: Mirë. Ju përmendet edhe bashkëshortin e juj, a ka qenë kjo koha kur jeni njoftu apo si jeni njoftu me bashkëshortin?

Nedime Bytyçi: Me bashkëshortin jemi njoftu në shkollë të lartë. Aty jemi njoftu. Mandej masi kam kry shkollën mandej jemi feju dhe jemi martu.

Anita Susuri: A ka qenë edhe ai t’u u shkollu, t’u punu?

Nedime Bytyçi: Po, veç ai ka qenë me korrespodencë.

Anita Susuri: Të njejtën domethonë drejtim?

Nedime Bytyçi: Po.

Anita Susuri: E si ka ndodhë për shembull tradita e dasmës atëherë?

Nedime Bytyçi: Tradita e dasmës atëherë… shokun e kam pasë i vetmi ka qenë. Se kur ka lind ky, nana mas 17 viteve ka vdekë e vjehrri e ka kqyrë. Që në atë kohë mashkulli tanë kohën ka jetu pa gru. E shpesh herë unë thojsha, “Pse babë nuk je martu?” Nuk tregonte, nuk tregonte. Dikur vonë mandej tregoj tha, “Jo bre çika jeme m’u martu qitash mas kohës djalin me bo hisedar”. Domethonë nëse jeton djali, nuk martohna, nëse vdes atëherë s’kam qare.

Se s’ka pasë as fëmi tjetër, veç djalin. “E për shkak të djalit”, tha, “po jetoj”. Mirëpo ata kanë dalë në të ‘50-ten kanë dalë në Prizren. Shkollimi i tij ka qenë shumë ma i vështirë. Ka pasë dëshirë me shku në shkollë veç me kohë nuk osht’ regjistru, nuk kanë pasë shkollë se ka qenë i rrethinës së Suharekës.

Anita Susuri: Më thatë që keni fillu ‘63-ten me punue…

Nedime Bytyçi: Po.

Anita Susuri: Domethonë gjashtë vjet në “Mustafë Bakija” pastaj keni ndrru…

Nedime Bytyçi: Po.

Anita Susuri: A mundeni me më tregu edhe krejt kjo rrethanë domethonë thatë që nuk keni konkuru po meniherë ju kanë thirrë. Si ka qenë ky sistem?

Nedime Bytyçi: Sistemi ka qenë, kuvendi ata qysh kanë dashtë qashtu kanë ba. Mu m’kanë dërgu në “Mustafa Baki”, atë shoqen time “17 Nëntor”.

Anita Susuri: Si ishte ajo shoqja? Dashtët me tregue dhe për atë shoqen?

Nedime Bytyçi: Isane Sokoli, qe fotografia. Ajo erdh “17 Nëntor” unë “Mustafa Baki”. Mirëpo mandej ma dikur ajo e ndrroj punën, shkoj në “Emin Durak”. Mandej unë shkova në “17 Nëntor”.

Anita Susuri: Për shkak që ma afër e keni pasë.

Nedime Bytyçi: Po.

Anita Susuri: Si ka qenë me punu atëherë? Çfarë tekste kanë qenë për shembull shkollore? Si kanë qenë organizimi i punës?

Nedime Bytyçi: Organizimi i punës ka qenë mjaft mirë. Nuk guxojshim me shku pa përgatitje, kemi pasë drejtora të mirë kanë kqyrë përgatitjet. Kemi pasë ni drejtor që ka qenë ni arsimtare vike në shkollë me farmerka. Ai e përjashtoj prej shkollës, tha, “Këtu osht’ shkollë s’bon me farmerka me ardhë me dhanë mësim. Ju duhet të jeni shembull për nxanësit e tjerë”.

Anita Susuri: Ka pasë kod të veshjes?

Nedime Bytyçi: Po. Mandej kemi pasë mantilat e punës secili ka pasë mantilin e vet. Vishim mantilat.

Anita Susuri: A ka qenë numri i madh i fëmive?

Nedime Bytyçi: Shumë. Ka qenë… Ilirianën [vajzën] kam pasë nxanëse, klasa e tyne ka qenë 44 nxanës. Për ni minut nuk ke pasë kohë për ni nxanës.

Anita Susuri: Edhe m’thatë…

Nedime Bytyçi: Shumë numri i madh ka qenë i nxanësve. Tash u zvogëlu numri i nxanësve mjaft.

Anita Susuri: Qysh ka qenë situata në Prizren n’atë kohë? U kanë ni periudhë pak ma e mirë se u hapën edhe shkolla, domethonë kjo osht’ pas ramjes së Rankoviqit. U hapën pastaj edhe degët e universitetit nëpër në Prishtinë e… si e keni pa ju këtë kohë? Domethonë vitet e ‘70-ta?

Nedime Bytyçi: Kanë qenë vite mjaft t’vështira.

Anita Susuri: T’vështira?

Nedime Bytyçi: Mjaft t’vështira për besë. Atëherë mandej kur dolën jo, ‘Kosova Republikë’, nxanësit si fëmi me shkrujtë ni “K” ni “R” policia vinte meniherë. Fmitë s’kuptojshin. Meniherë policia merrshin masa e sende.

Anita Susuri: Ky ka qenë viti ‘81, po mendoj, demostrata?

Nedime Bytyçi: Jo para demostratave niherë.

Anita Susuri: Aha ‘68-ten.

Nedime Bytyçi: ‘68-ten ka qenë.

Anita Susuri: A ju ka ndodhë bash rasti që keni pa që ka ardhë policia?

Nedime Bytyçi: Po, qysh jo.

Anita Susuri: Qysh ka qenë, a kanë qenë shumë nxansa?

Nedime Bytyçi: Po fëmija si fëmi me pa policinë mjafton. Ata veshjen e kanë çka thojnë…

Anita Susuri: E këtu edhe në Prizren po m’duket në ‘68-ten ka pasë u ngrit flamuri…

Nedime Bytyçi: Po.

Anita Susuri: A ju kujtohet diçka prej asaj kohe? Qysh ka qenë ajo demostratë?

Nedime Bytyçi: Jo nuk m’kujtohet veç osht’ ngritë flamuri atje ka qenë kuvendi i vjetër. Qaty në kuvendin e vjetër osht’ ngritë flamuri edhe ka qenë problem mandej.

Anita Susuri: Po m’intereson thatë që kanë qenë vite të vështira ‘68-ta e këto. Po pastaj domethonë ma tutje si e keni pa ju ndryshimin, a keni pa ndonjë ndryshim pas ktyne demostratave për shembull?

Nedime Bytyçi: Ndryshim për kah e keqja. Se ndryshim t’mirë s’kemi pasë. Qatëherë burri im punonte në gjimnaz mandej situata çfare ka qenë shumë ma e vështirë, shumë nxanës kanë qenë. E detyrun burrin tem me shku…

Anita Susuri: Me punu atje…

Nedime Bytyçi: Me punu atje. Edhe e kishin mbajtë konkurs, i kishin thanë, kanë hapë konkursin për drejtor se ata kanë përjashtu disa profesor prej pune edhe disa nxanës në Suharekë. E si sot m’kujtohet e kanë pasë ‘80-tshin me 1 maj apo me 11 maj kanë pasë protestë. Protestë krejt nxanësit kanë dalë në protestë. Kanë tërheqje e kamve. Kanë ecë, kanë tërhjekë kamtë. Në Suharekë. Burri im qatëherë ka qenë, sa e kanë marrë në UDB-e e kanë marrë në pytje.

Anita Susuri: E për tërheqjen e kamve nuk e kuptova, si po mendon?

Nedime Bytyçi: Nxanësit, për inati të policisë i kanë tërheqë kamtë. Nuk kanë ecë si duhet veç krejt me tërheqje, vet kanë m’u dallu.

Anita Susuri: E burri juj pastaj a ka tregu çka e kanë pytë në kto biseda informative? Ndoshta për nxanësa apo diçka?

Nedime Bytyçi: Burri im ka qenë si thojnë, s’po di qysh m’u shpreh, si halë në sy ktyne UDB-ashave. Se krejt njerëzit tanë kanë lajmëru se ai ka qenë shumë patriot. Qitash bash para vdekjes kishte shkru biografinë e vet. Se ai qysh në fshat kish fillu m’u shkollu. U shku klasën e parë nuk kanë lëshu prindërit me shku në shkollë. Ky prej shokve ka marrë librat, fletoret ka mësu. Klasën e parë ka mësu shkronjat, ka mësu shkrim e lexim.

Mandej mas ni kohe qe bash qaty isha t’u lexu, mas ni kohe, asht’ klasën e dytë kur kanë shku nxanësit ky edhe prej atyne ka marrë librat e fletoret ka mësu edhe mësimet e klasës t’dytë. E ma vonë kur ka shku m’u regjistru veç mosha e dha t’vetën, nuk e kanë marrë n’shkollë. Kur kish ardhë ni msus tjetër, si e kishte emrin… kur e ka pa që po din ti i kish thanë, “Jo ti ani që ke kalu moshë nuk je veç ty të marrim në shkollë”. E kanë marrë n’klasën e parë.

Kur kanë marrë klasën e parë ky ka ditë krejt shkrim e lexim edhe mas ni kohe kanë ardhë do inspektora. Kur kanë pa qashtu i kanë thanë, “Jo ti je për klasë të dytë. Ti po din krejt”, edhe klasën e tretë edhe klasën e katërt. Ky për ni vjet ka kry tri klasa. Mandej masi ka kry katër klasa mandej ka shku me nifar’ kursi në Mitrovicë. Qatëherë osht’ hapë nifar’ kursi edhe atë ka kry. Mandej normal nën, ky osht’ taku me Asllan Fazliun rastësisht. Ai kish thanë, “Hajde ti në Suharekë Normale”. Dy vjet ka kry Normalen në Suharekë.

Mirëpo mas dy vjete asht’ mbyllë Normalja aty ky ka mbetë përsëri qashtu. Osht’ mundu me kry në Prizren normalja osht’ çelë veç nuk e kanë marrë. Mandej ka shku i ka tregu përsëri Asllan Fazliut edhe Veli Devës. Se atëherë ka qenë Hasan Akiu drejtor. Ai profesor i matematikës ka qenë, shumë i vështirë. Shumë i aftë ka qenë veç shumë i vështirë ka qenë. Ky Veli Deva ka qëllu atje në Suharekë edhe ky ka hy ka tregu punën si asht’.

Veli Deva ka thanë, “Ani djalë i mirë ti qenke i zoti, ti munësh… shëtitu pak edhe pas dy orësh shko te Hasan Hakiu”. Herën e parë Hasan Hakiu nuk e kish pritë mirë, mandej mas dy ore kur ka shku… se Veli Deva kish marrë me telefon Hasan Hakiun. Kur ka shku herën e dytë ai krejt ndryshe osht’ sjellë. Kish thanë, “Ani djalë i mirë, ti regjistrohu ktu”. Osht’ regjistru ktu edhe ka marrë dy… ka kry atë vit. Mirëpo për fat edhe ktu ish mbyllë normalja mas dy viteve. Mandej ky përsëri ka shku në Suharekë.

Në Suharekë ata kanë bisedu kur mandej Hasan Fazliu kish thanë, “Ani djalë i mirë ti hajde në Prishtinë”, po kish thanë, “Unë s’kam mundësi me ardhë në Prishtinë”. Se e kanë pa që osht’ i aftë. Kanë bisedu dhe kanë marrë në Prishtinë. Bile Hasan Fazliu e kish marrë në shtëpinë e vet edhe e ka kry Normalen atje [në Prishtinë]. Mandej ka hy mësus. Ma së pari mësus ka hy në disa fshatra të Nishorit, se prej Nishorit ka qenë. Qaty unë pashë shumë gjana, nuk m’ka tregu sa ka qenë gjallë.

Anita Susuri: Çfarë gjenerate ka qenë bashkëshorti juj? A keni qenë moshatar?

Nedime Bytyçi: Jo, ai ka qenë ‘33-shit i lindur, ‘33-shit i lindur.

Anita Susuri: Si ishte emri tij, m’fal?

Nedime Bytyçi: Ismail Bytyçi. Mandej ai gjatë demostratave në Suharekë ka qenë. Kur janë ba demostratat në Prishtinë…

Anita Susuri: ‘81-ten apo?

Nedime Bytyçi: ‘81-ten. Ky ka qenë, ka qenë udhëheqësi i pleqsisë krahinore. Ky ka mbajtë, në ni anë demostratat ishin, ky ka mbajtë mbledhje në pleqësinë krahinore. Kur gjuhën shqipe e hjekën krejt prej…

Anita Susuri: Pune.

Nedime Bytyçi: Prej pune krejt. Ky ka mbajtë mbledhje aty veç fati që ka shpëtu.

Anita Susuri: Ai ka vazhdu punën pastaj.

Nedime Bytyçi: Ai ka vazhdu punën e pleqësisë krahinore. Shpesh herë edhe mbledhjen e pleqësisë kanë mbajtë këtu në shtëpinë tonë, kur ka qenë koha që s’mujshin me mbajtë në gjuhën shqipe.

Anita Susuri: E ‘81-ten që e përmendet, a ju kujtohet juve diçka prej asaj kohe, për shembull, te nxansat e juj, te qyteti? Qysh ka ndodhë?

Nedime Bytyçi: Jo, keq e ma keq.

Anita Susuri: Ju m’thatë që keni dalë në penzion në vitin ‘97-të, kanë qenë këto masat e këto. Nëse mundeni me m’tregu edhe për këtë punën? Domethonë si ka hecë puna juj gjatë ktyne viteve kur kanë fillu domethonë situatat?

Nedime Bytyçi: Po puna jeme, jemi rujtë shumë. I kemi rujtë jo vetën veç nxanësit i rujshim. Se për veti nuk menojshim, menojshim për nxanës. Se na mësim mbajshim, policia në oborr të shkollës ishin. Shpesh herë tërheqshim vrejtjen nxanësve që le t’kqyrin msimin.

Anita Susuri: A mundeni edhe diçka n’lidhje me vitet e ‘90-ta, naj përjetim diçka? Ju thatë që shpesh ka qenë policia aty kur u dashtë me punu?

Nedime Bytyçi: Ka qenë policia vitet e ‘90-ta, ‘95-ten na kanë bastis shtëpinë. Se qatëherë ditar nuk mbajshim n’shkollë. Se drejtori thoshte, “Çdo kujdestar i klasës le t’merr ditarin në shtëpi”. Edhe na krejt ditarët i morëm në shtëpi, çdo kush ditarin e vet. Unë kom pasë marrë ditarin tem e ‘95-ten na kanë bastis shtëpinë. Disa herë na kanë bastis shtëpinë jo vetëm ‘95-tin. Edhe s’po m’kujtohet edhe cili vit kanë bastis edhe për shkak të shokut kqyrshin materiale. Se kanë marrë vesh që… shokun shpesh kanë thirrë në UDB, shumë shpesh.

Anita Susuri: E shoku juj a ka qenë edhe në ndonjë lëvizje kësi ilegale…

Nedime Bytyçi: Jo, jo, jo, jo. Ilegale s’ka qenë veç ky ka qenë patriot. Se ka qenë pjesëtar i faljes së gjaqeve. Me ta ka punu shpesh herë nëpër fshatra shkojshin.

Anita Susuri: Juve a ju ka ra ndonjëherë me shku ju?

Nedime Bytyçi: Jo, vetëm kam shku kur u mbajtë Pajtimi i Gjaqeve kah Peja atëherë që ka qenë, me 02 maj ka qenë, s’di cili vit. Kam harru.

Anita Susuri: Keni shku?

Nedime Bytyçi: Po, krejt familja kemi shku edhe fëmitë i kemi marrë.

Anita Susuri: E çka keni pa atje? Qysh ka qenë?

Nedime Bytyçi: Atje popull sa t’dush, me mijëra ka qenë. S’di në cilin fshat ka qenë, s’po m’kujtohet fshati.

Anita Susuri: Mos kanë qenë kto Verat e Llukës që i thojnë?

Nedime Bytyçi: Po m’duket, po m’duket se qaty me qindra gjaqe janë falë aty.

Anita Susuri: A ka pasë aty edhe policia në mbikqyrje diçka a keni vrejtë?

Nedime Bytyçi: Po qysh jo. Qysh jo.

Anita Susuri: Mirë. Thatë për bastisjet, a kanë gjetë diçka gjatë bastisjeve?

Nedime Bytyçi: Jo, kurgjo s’kanë gjetë. Veç që kanë gjetë ditarët, m’i kanë marrë ditarët. Kemi pasë do zbukurime n’shpi krejt naltë çka kanë qenë gjetë kanë marrë. Kanë kqyrë në podrum edhe frizin e kanë kqyrë mos kemi mshefë naj sen në friz. Kurgjo s’kanë gjetë.

Anita Susuri: E çka kanë mujtë me lypë ata për shembull?

Nedime Bytyçi: Ata naj dokument kanë lypë. Krejt bibliotekën kanë kqyrë.

Anita Susuri: A jeni frikësu ju apo çka keni mendu?

Nedime Bytyçi: Jo valla, s’jam frikësu. Qaq kam qenë…

Anita Susuri: Trime.

Nedime Bytyçi: Trimëreshë që qitash s’kisha mujtë. Se kur po hyjnë policia ni polic në derë të oborrit, një në hymje, tre mbrenda s’është lehtë.

Anita Susuri: A ju ka ndodhë edhe kolegëve, kolegeve t’juja që ju ka shku policia? A keni dëgju?

Nedime Bytyçi: Jo, jo, jo. Në sigurim ka qenë halë në sy [bashkëshorti]. Ai shpesh herë, bash qitash që po lexoj që ka shkrujtë biografinë, shpesh herë i kish shkrujtë edhe letër, s’di cilit që ka qenë në UDB. Se kish thanë, “Unë jam beqar, veç ni babë kam ju s’mundeni kurgjo me m’ba. Unë kurgjo keq s’kam ba”.

Anita Susuri: N’kohën kur ka qenë beqar?

Nedime Bytyçi: Beqar.

Anita Susuri: Domethonë vitet e ‘90-ta thatë kanë qenë shumë vite të vështira, po qysh u vrejt kjo në Prizren për shembull? Te njerëzit?

Nedime Bytyçi: Te njerëzit, krejt njerëzit kanë qenë të… nuk kanë qenë në disponim, të gjithë frikësoheshin. Mandej koha e luftës që ishte krejt shumica shkun ikën, na nuk ikëm. Shoku s’deshti. Na qatëherë e kishim martu edhe djalin. I tham djalit, “Merre ti nusën, dilni, ikni”, nuk deshti, tha, “Jo unë juve me ju lanë, qitu ka me nejt”. Qatëherë kanë ardhë policia kanë marrë burrin prej shtëpisë, kanë marrë…

Anita Susuri: Cili vit ka qenë? N’kohën e luftës a?

Nedime Bytyçi: Në kohën e luftës, ‘99.

Anita Susuri: Po.

Nedime Bytyçi: Me 02 maj [1999] kanë marrë prej shtëpisë. Unë dola para policisë thashë, “Po e merrni, po merrnani edhe neve se ky osht’ i smutë”, “Jo”, tha, “vetëm ai le t’vjen për pesë minuta le të bahet gati”. U ba gati, u vesh dul. Sa kishte lind djali…

Anita Susuri: Nipi?

Nedime Bytyçi: Nipi. Cili vit ka qenë? ‘66-ten ka lind ky. Po ‘66-ten s’kanë marrë…

Anita Susuri: ‘99-ten po mendon.

Nedime Bytyçi: ‘99-ten. ‘98-ten osht’ martu ‘98-ten qatëherë. Qatëherë e morën në kerr edhe kërkujt kurgjo.

Anita Susuri: A u kthy pastaj? Mbas sa dite u kthy?

Nedime Bytyçi: Jo mandej e kishin çu në Shqipni. Niherë e kanë shëtitë në Prizren. Psiqikisht niherë e kanë pengu mandej kanë çu në Shqipni dhe i kanë thanë “Nikad nećeš da se vratiš!” edhe, “kurrë s’ki m’u kthy”, shoku jem ju kishte thanë, “Ka me u kthy, bile shumë shpejt”. Kanë lanë në Kukës. Dy ditë përpara Iliriana ka qenë e fejune. Iliriana bashkë me të fejunin ikën, shkun në Shqipni.

Shkun në Shqipni. Ata bile krejt boheshim gati mos po na çojnë. Merrsha do shishe zejsha kos në shishe që me shku dikund me pasë diçka barëm. Veç mandej atje në Shqipni prej Kukësit kish shku në Tiranë, ish taku me vajzën. Kanë shku me ni shtëpi. Aty kanë ndejtë. Tani jemi miqasu me ata. Ata vijnë e shkojna.

Anita Susuri: E si osht’ marrë vesh me vajzën e juj? A ka pasë t’holla me veti diçka si ka udhëtu?

Nedime Bytyçi: T’holla s’ka pasë t’holla, veç rastësisht, s’di qysh janë marrë vesh me vajzën. Atëherë ka qenë edhe Radio Kukësi. Radio Kukësi tregonte kush po kalon. E qatëherë jo vetëm shokun tem veç marrë edhe shumë patriota, shumë profesora. Kanë marrë edhe profesorin Masar, s’di mbiemri si ka qenë, profesor i matematikës. Kanë marrë edhe do profesora tjerë. Kanë çu qashtu. Disa i kanë çu, nuk kanë çu në Shqipëri, disa i kanë mbytë, i kanë mbytë.

Anita Susuri: E pastaj ju kur e keni kuptu ku osht’ bashkëshorti juj?

Nedime Bytyçi: Kemi kuptu Televizori i Kukësit lajmërojke. E kur kuptum atëherë u shlirum që gjallë osht’.

Anita Susuri: Qysh kanë qenë për juve qato ditë që s’keni ditë çka po ndodhë?

Nedime Bytyçi: Po qat’ ditë u lajmëru Kukësi. Qat’ ditë u lajmëru Kukësi që osht’ gjallë atëherë u shlirum.

Anita Susuri: A keni shku meniherë edhe ju pastaj në Shqipëri?

Nedime Bytyçi: Jo, jo, jo na vetëm në Prizren.

Anita Susuri: E qysh ka qenë tani koha e luftës këtu? A ka pasë ma tjetër që ju kanë ngucë?

Nedime Bytyçi: Jo krejt perdet e lëshune kemi pasë, dritat nuk i lëshojshim, as drita as kurgja. Bukë blejshim veç shkojshim bukë blejshim veç s’na ngucshin. Polic ka pasë nuk kanë ngucë. Veç ni ditë bukë t’u ble pritshim n’rend policia erdh i murr disa t’ri. E prej atyne t’rive e kisha edhe djalin e axhës. Edhe djalin e axhës e morën aty, unë e pashë para meje. Veç mas ni kohe mandej e kanë lëshu.

Anita Susuri: Veç për presion psiqik.

Nedime Bytyçi: Presion psiqik, qëllimi i tyne ka qenë.

Anita Susuri: A ju kujtohet kur u shliru Prizreni?

Nedime Bytyçi: Po m’kujtohet ajo 12 qershori osht’ festë e madhe. Se tanë kohën mshel rrishim. Kur natën terr s’di sa ka qenë ora ky djali i kojshive po thirrë, “Mentor, Mentor, hajde po dalim se u shliru Prizreni”. E këta krejt kanë qenë serbë. Qat’ ditë kujtum që u shlirum krejt. Çfarë shlirimi. Dolëm, dolëm me pritë…

Anita Susuri: Me prit KFOR-in.

Nedime Bytyçi: Me prit.

Anita Susuri: Qysh ka qenë qyteti? Po m’duket shumë ka pasë njerëz?

Nedime Bytyçi: Shumë njerëz ka pasë.

Anita Susuri: Kanë qit’ lula?

Nedime Bytyçi: Lula tankeve.

Anita Susuri: A ke pastaj shumë shpejt koha kur u takut me bashkëshortin? A erdh shpejt a qysh?

Nedime Bytyçi: Po shpejt erdh mandej. Masi u shlirum, s’di datën, s’po m’kujtohet mandej erdh. Qysh vishin krejt edhe ai erdh.

Anita Susuri: Pastaj ju keni qenë në penzion, a jeni marrë mas luftës me ndonjë aktivitet diçka?

Nedime Bytyçi: Qysh jo. Si?

Anita Susuri: Me ndonjë aktivitet mas luftës a jeni marrë ma?

Nedime Bytyçi: Jo valla çfarë aktiviteti. Veç…

Anita Susuri: Mas luftes po mendoj.

Nedime Bytyçi: Mas luftës mandej punova edhe pak.

Anita Susuri: Mirë. Zonja Nedime, nëse doni edhe diçka me shtu ju…

Nedime Bytyçi: Unë s’po di çka me shtu tjetër.

Anita Susuri: Në rregull, faleminderit shumë për intervistën!

Nedime Bytyçi: Faleminderit edhe prej jush!

Anita Susuri: Ishte knaqësi!


1 Nga turqishtja osmane esir do të thotë “skllav; i burgosur”.

Download PDF