Safete Rogova

Prishtinë | Date: 3 qershor, 2012 | Duration: 79 minuta

Në Gjakovë, nëse  e dini ka shumë teqe, edhe meqë shkollën e kisha afër, mbasdite fëmijët e lagjës, kur kishte ceremoni në teqe. Shkonim bashkarisht, edhe aty përjetonim… meqë nuk kishte të ardhura në atë kohë në Gjakovë, përjetonim një lloj shfaqeje, atëherë, shelirtë ishin veshur me ato gjylet e gjata shumë interesante, dhe bënin atë ceremoninë e teqeve. Te ne ishte shumë atraktive si fëmijë, ishte shumë atraktive edhe meqë nuk e dinim se çka është teatri, mendonim se aty po ndodhë një teatër, po ndodhë një shfaqje. Kështu që më vonë, shpesh e kujtoj, edhe në rini por edhe në moshën kur jam punësuar në teatër se fillet e para, apo atraksionin që unë të përcaktohem për teatër. Ka qenë pikërisht ajo teqja në lagjën tonë, që shpesh e kemi vizituar dhe jemi knaqë me gjithë ato ceremoni  që ndodhnin aty.


Mimoza Paçuku (Intervistuesja), Kaltrina Krasniqi (Kamera)

Safete Rogova u lind në Gjakovë me 1 mars 1946. Fëmijërinë e kaloi në Gjakovë, para se të jetonte në Prishtinë. Ka diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi dhe për Dramë. Ajo është ndër aktoret e para gra në Kosovë dhe aktiviste për të drejtat e grave. Në 2013, ajo u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave për karrierën e saj në teatër, dhe fushatën kundër analfabetizmit dhe për fuqizimin e grave përmes Shoqatës Motrat Qiriazi, të cilën e bashkëthemeloi me motrën e saj Igballe Rogova dhe bashkëshortin e ndjerë, kostumografin dhe skenografin, Nuredin Loxha. Ajo ka dy vajza, Ilirianën dhe Albën, të cilat janë gjithashtu artiste. Ajo doli në pension në vitin 2011.

Safete Rogova

Mimoza Paçuku: A mund të na tregoni diçka për fëmijërinë tuaj, si e përkujtoni ju fëmijërinë tuaj?

Safete Rogova: Ne, që e kemi një moshë, e kujtojmë me kënaqësi atë kohë të bukur të fëmijërisë. Jam e lindur në Gjakovë, në një qytet të bukur të Kosovës, në një familje që kishte shumë fëmijë, ne ishim shumë fëmijë në familje. Babai im edhe nëna ime punonin zanat, kështu që nuk e kishim vështirë me egzistu meqë ishim shumë fëmijë dhe duhej të na vishnin, ushqenin, shkollonin. E për fatin e mirë edhe lagjia ime ka qenë përplot më fëmijë, prandaj unë kam shumë kujtime të bukura nga fëmijëria   ime.

Në lagjën time kishte një shkollë, një xhami, por ishte edhe një teqe.[1] Në Gjakovë, nëse  e dini ka shumë teqe, edhe meqë shkollën e kisha afër, mbasdite fëmijët e lagjës, kur kishte ceremoni në teqe. Shkonim bashkarisht, edhe aty përjetonim… meqë nuk kishte të ardhura në atë kohë në Gjakovë, përjetonim një lloj shfaqeje, atëherë, shelirtë ishin veshur me ato gjylet e gjata shumë interesante, dhe bënin atë ceremoninë e teqeve. Te ne ishte shumë atraktive si fëmijë, ishte shumë atraktive edhe meqë nuk e dinim se çka është teatri, mendonim se aty po ndodhë një teatër, po ndodhë një shfaqje. Kështu që më vonë, shpesh e kujtoj, edhe në rini por edhe në moshën kur jam punësuar në teatër se fillet e para, apo atraksionin që unë të përcaktohem për teatër. Ka qenë pikërisht ajo teqja në lagjën tonë, që shpesh e kemi vizituar dhe jemi knaqë me gjithë ato ceremoni  që ndodhnin aty.

Megjithatë, ishte kohë mbas Luftës së Dytë Botërore, Gjakova kishte përjetuar një shkatërrim të madh, domethanë familjet kishin vetëm sa me hangër, nuk kishim kushedi  sa me u veshë bukur, nuk kishte edhe garderobë, nuk kishte konfeksione. Nëna ime,  meqë ishim shumë vajza, shpesh ndodhte që t’i prishte ato dimia, se ajo veshte dimia në atë kohë, i prishte dhe krijonte fustana për vajzat, dhe ne shkonim me i ndihmu me gërëshërë me i pre, për t’u dukur sa më bukur. Shtëpinë e kemi pas një katëshe, me një oborr të madh, me një pemë të madhe në oborr me një mollë. Ndonjëherë kur bojshim ndonjë dreqni se ishim kështu fëmijë, edhe bënim naj dreqni, shkojshim nën gjethet e mollës, u fshehëshim {tregon me duar si janë fshehur}dhe nëna nuk na gjente, një kohë të gjatë nuk e dinte ku jemi fsheh… domethanë kemi shumë, shumë përjetime të bukura në atë kohë.

Në tavanin tonë kemi qenë dy shtëpia një katëshe, me kojshinë, dhe shtëpia jonë na bashkonte në një tavan {formon kulmin me gishtat e duarve}. Kështu që takimet e vajzave, meqë ne ishim të vogla atëherë tetë­nëntë vjeçe, i kishin n’tavan edhe të gjitha lojnat i bënim aty në tavan. Po them, ishte një kohë e vështirë atëherë, fëmijët s’kishin lodra, i krijonim lodrat vetë, merrshim shkopinjë, vendosnim do fytytra aty, do rroba ia bojshim shkopit, kështu që krijonim prej atij shkopi, krijonim një lloj kukulle.Tash që jam gjyshe, edhe kam mbesa, nipa, kanë shumë lodra, ndonjëherë i gjujnë lodrat, nuk dojnë me luajt me lodra, se i kanë të gatshme. Unë mendoj, se ndonjëherë duhet edhe fëmijët me i lënë me e kriju vetë atë lodër, edhe me u knaqë deri sa ta krijojnë atë lodër. E jo me e pas një kukëll të bukur, të shtrenjtë, ku luajnë, luajnë, e sheh, mandej e gjuajnë, domethanë, se bukuria e asaj kohe, e fëmijërisë time është se çdo gjë e ke kriju   vetë.

Kemi pas një lopë në oborr, edhe meqë nuk kishte topa, kemi këputur, kemi nuk na thojshim (qeshë) qimet e lopës pak me ujë, dhe kemi kriju një llojë topi, ai ka qenë topi jonë, se nuk ka pas as top llastiku, as topa të tjerë. Çdo lloj lodre e kemi kriju vet dhe   ajo ka qenë ajo bukuria, se te e krijon te fëmija një fantazi, një imagjinatë, çka don me bë prej asaj loje, se si don me lujtë, e tash fatkeqësisht edhe fatbardhësisht kanë    shumë lodra, por që megjithatë i kanë të gatshme. Gjithëçka asht’ e gatshme. Unë mendoj se megjithatë fëmijën duhet me lënë me kriju vetë, me imagjinu vetë për jetën   e vet.

Mandej fillon shkolla. Shkolla ishte afër, ishte një shkollë e bukur. Unë jam dalluar atëherë prej motrave të mia, sepse secila ka pas një prirje për diçka, e unë po duket e kam pas prirjen për aktrim. Kështu që menjëherë në vitin e –I­rë,e –II­të, kam filluar me recitu bukur, edhe kanë vrejtë që unë kam një fije talenti, që dikur do të bëhem një aktore. Mandej vinin programet e shkollës, meqë po them nuk kishim garderobë, mësuesja jonë na krijonte fustana prej letre, ne i ndihmonim, ose kurorat prapë prej letre i   thurnim {formon me duar kurorat}, edhe unë i kam shumë fotografi nga ajo kohë që i kriojnim kurorat prej letre. Fustanat prej letre, dhe kishim një program shkollor, ose me këndu, ose me recitu, dhe kështu që edhe shkolla të krijonte, të mundësonte, të zhvillojë imagjinatën e fëmijëve. Deri në vitin e –IV­të në atë shkollë ka pas shumë nxënës, kam pas shumë shokë e   shoqe në klasë. Që të gjitha tash janë të një moshë, edhe kur shkoj najherë në Gjakovë,   i  kërkoj ku janë shoqet e mia të para gjashtëdhjetë vjeteve. E kryjmë klasën e   –IV­të.

Meqë ishim shumë fëmijë, na është dashur të vinim në Prishtinë. Babai im kishte dëshirë që fëmijët t’i shkollonte në Prishtinë, pasiqë Prishtina ishte një qendër e madhe, me shkolla e me Gjimnazin, me Normalen,[2] por edhe me shkollën e Lartë, se atëherë akultet nuk ka pas në Prishtinë. Kur erdhëm në Prishtinë e ndjeva një pikëllim nga ndarja  e asaj lagjeje, ndarja e atyre shokëve, shoqeve, mësueses që gjithmonë e kujtoj me mallëngjim, e që nuk është më në jetë. Por që edhe këtu shpejtë u adaptuam. Në rrethin  ku u vendosëm është një lagje afër Gjimnazit “Sami Frashëri”, po them familja ime   shpejtë u adaptua, për fatin e mirë ne fëmijët e patëm shumë afër shkollën. Këtu baba    im me nënën vazhduan me punën e tyre. Ata kanë punuar jorganat, kanë punuar shumë për të na shkolluar që të dalim në rrugë të  drejtë.

Kam kujtime të mira tjera prej Gjakovës, se në Gjakovë zakonisht dimrit bënë shumë ftoftë, binte shumë borë, edhe ajo bora e madhe najherë nuk u hapshin rrugët, se nuk kishte mjete për pastrimin e rrugëve, dhe kur kishim dëshirë me shku te halla, apo te tezja, babi im i ndjerë, domethanë një fëmijë e vënte këtu, një fëmijë e vënte këtu {vë pëllëmbët në shpatulla], edhe unë s’di si na mbante se ishte shumë borë e madhe, aq borë e madhe saqë nuk shihej njeri. Ai duhej për me mujtë ne me marrë frymë, me kalu nëpër gjithë atë borë. Këtu mandej ishte klima tjetër, ishte më e butë, Prishtina kishte  një klimë më të butë, më nuk e kam përjetuar atë borën e madhe të Gjakovës, atë  borën e fëmijërisë.

Këtu u vendosëm në një shtëpi të madhe, për fatin tonë në një oborr të madh, ne    fëmijët tash që ishim rritë, e kishim një moshë dhjetë, dymbëdhjetë, katërmbëdhjetë   vjeç, dhe meqë ishte nevoja, filluam t’i ndihmonim nënës me qepje jorganash, edhe unë   si e vogël, edhe tash qepi aq bukur jorgana, e që tash s’ka nevojë, se jorganët qepen me maqinë. Ne, familja ime kemi qenë mjeshtër të jorganave, por ne të gjitha motrat, gjashtë motrat dhe tre vëllezërit, të gjithë qepim shumë bukur jorgana, domethënë përpos profesionit të shkollës, ne kemi mësuar  edhe një mjeshtri, një zanat, e ajo na ka ndihmu shumë materialisht. Kemi punu, i kemi shitë për me mujtë me u shkollu, me u veshë.

Për fatin e mirë këtu e kam pas një shoqëri fort të mirë, por ne ishim një familje zanatlinjësh, e këtu, në klasën time ishin vajzat e funksionerëve, mos t’i përmendi tash emrat. Unë kur erdha këtu, ato të veshura bukur, atëherë me do zhipona, me do… dhe kthehna në shtëpi gati tu qajtë, më sheh nëna të mërzitur, edhe më thotë “Hë“, unë i them “Kisha vajzën e filanit në klasë, vajzën e fistekut [në klasën time] që visheshin bukur”, shkojshin nëpër qendrat e ndryshme atëherë në ish­Jugosllavi me u veshë, ajo  më thotë “mos kini gajle, edhe juve kam me ju qepë fustana, dhe prapë ajo e shkreta, prish dimia, bën fustana, bën kurora, kështu që mundohej shumë me na i plotësu  dëshirat që ne mos ta ndjenim veten që s’kishim çka me vesh, por unë nuk mundem me qenë e barabartë me bijat e atyre që ishin të pasur, që kishin shumë. Kështu që megjithatë nuk e kemi ndier atë pjesë, domethënë kur nuk kishim apo ishim pak më ngushtë, sepse prindërit tanë mundoheshin shumë për neve,  fëmijët.

Prapë këtu më ndoqi ajo dëshira ime për me këndu, me recitu. Kam kënduar bukur, kam luajt balet. Atëherë nuk ka pas shkollë të baletit, por kemi krijuar prapë do pika, do  këngë, që i kemi ditë përmendësh, edhe i kemi luajt ne vajzat e shkollës fillore. Ka qenë me të vërtetë një kohë shumë e bukur dhe e këndshme. Për shembull, kemi bërë gara    se cila shkollë ka me fitu, për shembull në balet, apo këndim, apo   recitim.

Për fatin e mirë në atë kohë, atëherë ka qenë shkolla Vuk Karagjiq[3] e tani quhet Elena Gjika[4]  dhe në të gjitha garat ishim të parët. Keni pa se prej asaj shkolle kanë dalë aktorë, këngëtarë, doktora të njohur, tash janë dy­tre doktora në Amerikë, inzhiniera të njohur, domethënë thua ti, se ajo shkollë ka prodhu talenta, ka edukuar fëmijë që më vonë kanë mbërri shumë.

Në oborrin tonë përpos fëmijëve e vajzave, gjithmonë janë mbledhur vajzat e lagjës, dhe atëherë në atë oborrin tonë kemi krijuar skena. Meqë babi im ishte jorganxhi, domethënë punonte jorgana, zakonisht me mallin që vinte prej ish­Jugosllavisë, ishin disa sandeka të mëdhenjë{tregon me duar madhësinë}, ku futej pambuku ose pëlhura me të cilën  punonte baba. Mandej kur zbrazeshin sandekat, unë gjithmonë e lidhi prej nga më erdh  ajo ideja, që unë do të bëhem dikur aktore, dhe prej atyre sandëkave unë krijojsha lloj skene në oborr, me dy­ tre sandëka {hap duart sa sëndëku}. Në oborr kishim pemë, drunjë, dhe me do çarçafë krijonim perdet dhe lujshim një llojë teatri që unë nën vetëdije se kam ditë që po krijoj diçka, se unë kam talent edhe për teatrin, edhe se do të bëhem  një ditë aktore. Po them këta janë hapat e parë që po lidhen me fatin që unë u bëra aktore.

Nëna ime lindi këtu edhe dy fëmijë. Ne shtatë ishim në Gjakovë dhe këta të dy, nëntë. Ishte nëna shtatëzënë, ne nuk e dinim, se meqë ajo vishej me dimia nuk e kuptojshim që ajo ishte shtatëzënë. Deri vonë, deri para lindjes, ne e merrshim shumë normal në dimia, shlirë, kur deri në një moment po thonë “Nëna është para lindjes”, “Ku, çfarë lindje, ku është barku?!” nuk dallohej. Lindë motra ime e vogla, Igballja­Igo, dhe “Igball” do të  thotë: ”Fat mirë”, dhe nëna na solli “Fat të  mirë.”

Është interesant se zakonisht në familjet shqiptare, gjithmonë kanë kërsitë pushkë kur  ka lindë djali, e në familjen tonë nuk ka kërsitë pushkë, mirëpo megjithatë atë ditë ka qenë ditë gëzimi kur ka lind vajza, prandaj ne të gjitha motrat kemi luftu për të drejtat e grave, dhe pikërisht pse në familje jemi edukuar asi soji, sepse baba nuk na ka bo dallime është vajzë apo djalë, pikërisht baba jonë i ka dashtë më shumë vajzat. Po them kur ka lindë kjo e vogla, që ja lanë edhe emrin “Fat i mirë” (buzëqeshë) ishte gëzu shumë,   u gëzumë edhe ne, se u bëmë shumë motra. Edhe atëherë nuk kishim nevojë për shoqe shumë, se kishim motra sa të duash, dhe mund ta ndihmonim njëra­ tjetrën, edhe për shkollë, edhe për punët e shtëpisë. Atëherë nuk i kishim këto mjete, dhoma ka qenë shumë e madhe, shumë e pastër, pa naj kauç, uleshim rend kështu, bile më duket që qështu qysh janë ulë këto {dëfton} zonjushat tash këtu.  (Buzëqeshë).

Ne nuk kemi pas kauça (qeshë), jemi ulë kështu të gjitha motrat, ose kur kemi ngrënë, kemi pas një sofër të madhe, jemi ulë të gjitha kështu. Edhe pse ka qenë ndoshta pak primitive, shyqyr Zotit na kanë ardhë ditë që i kemi të gjitha mobilimet nëpër shtëpia, të gjitha, por ajo pjesë primitive ndonjëherë ka qenë shumë e bukur, se jemi afruar mes vete, domethënë kur kemi qenë bashkë, kur kemi ngrënë bashkë, kemi pa ftyrën e njëri­tjetrit, kemi qenë të gëzueshme. Ndonjëherë unë bëj krahasim të asaj kohe me këtë kohë. Vajzat e mia, që të dyjat kanë mbërri, edhe të dyjat janë emra (psherëtinë) dhe artiste por megjithatë e shoh tek këto një nervozë, një lodhje, ne atëherë nuk e kemi pas këtë nervozë, nuk e di, ndoshta kemi qenë më pak të informuara, nuk ka pas televizione, gazeta, politika. Nuk kemi ditë kush është kryetar shteti, kush është   depuetet, kush po bën korrupsione (qeshë), domethënë krejt bukuria e jetës, e familjes,  ka qenë aty brenda sofrës, jemi knaqë me njëra tjetrën, me të arriturat e njëra tjetrës  nëse kemi dalë mirë me shkollë, apo kur e kemi pa babën që ka pas shumë punë i kemi ndihmu, edhe kemi fitu më shumë, për me egzistu.  Në një mënyrë nuk e kemi lodhë  kokën me gjëra të tjera, domethënë, preokupimi jonë ka qenë se si me u rritë, me u eduku, me mësu. Prandaj po them, kjo ana jonë e ushqimit, edhe kjo mënyra e ngrënjes nëpër sofra mendoj që ka pas bukurinë e vet, shumë herë kemi tregu ndonjë ndodhi aty, ndonjë ngjarje aty, kemi qeshë me njëra tjetrën, kjo e ka pas atë bukurinë e  vet.

Në shkollë të mesme, meqë e kemi pas fatin si në Gjakovë, si në Prishtinë që t’i kemi shkollat shumë afër, domethënë e kemi pas shkollën fillore mbrapa murit, Gjimnazin por që unë mandej vazhdova në Gjimnaz me motrën, vëllezërit, në shkollat e tjera. Më kujtohet tash, interesohemi shumë për suksesin e fëmijëve në orë, se si shkojnë, si sillen. Më kujtohet nëna ime, kur ka mbaru viti shkollor më ka pyet “A kalove, a s’kalove?”, tjetër s’ka ditë, se çfarë provimesh, a kam pas me mësu, a kam pas hartime,  a kam pas naj obligim; jo, jo veq “A kalove?” dhe unë i tregoja “Po kam kaluar shkëlqyeshëm,” ajo më thoshte “Shumë mirë, bravo të  qoftë.”

Tash ka shumë ngarkesë, ne nuk kemi qenë shumë të ngarkuar. Mendoj, pse pikërisht ajo na ka ndihmu që të rritemi më të shëndoshë, jo të ngarkuar politikisht. Unë për shembull, ndoshta nuk është e rrugës me e përmend, kam pas shumë shoqe, edhe katolike, edhe myslimane, se te ne s’ka qenë me rëndësi çfarë feje je, tash për shembull   i kësaj feje, i asaj feje, është problem. Unë nuk e di, atëherë nuk i kemi pas këto  ngarkesa të feve, të nacionaliteteve, kemi lujtë si fëmijë, edhe kemi qenë veç fëmijë, jo  të ngarkar, jo të rënduar me këto probleme që tash i kanë. Më dhimbsen rinia, edhe fëmijët janë të ngarkuar me politikën, dhe me ngarkesa nacionale që nuk më vjen mirë. Duhet ta ketë një pavarësi, një liri të veten, edhe fëmija, edhe e   reja.

Ndoshta në këtë moshën rinore fillova me u pjekë pak, i bëra do vite, filluam pak me shiku veten, me u rregullu në Gjimnaz. Prapë po them kemi pas fatin me qenë një gjeneratë shumë e mirë e vajzave, edhe e djemëve me një kuadër shumë të mirë arsimor, por unë gjithnjë kur flas e lidhi pak me fatin e profesionit tim, se po them përpos lëndeve që i kam dashtë me matematikën, pikturën, dhe lëndët tjera fizikë, filozofi, megjithatë unë kisha dëshirë që edhe në Gjimnaz… të tregoj se unë di me recitu, me lujtë. Filluam me i bë do shfaqje të vogla atëherë.

U themelu një teatër i fëmijëve në Prishtinë në atë kohë, domethënë janë vitet  ‘60­’61­’62 atëhere u kriju, edhe pse ka qenë edhe Teatri Kombëtar, po ne nuk e kemi përcjellë. E kemi ndjekë tek më vonë, deri në maturë unë nuk kam shku me pa shfaqje (psherëtinë), se atëherë fillum në shkollë me përgaditë shfaqje,

edhe aty fillova me pa veten, se aty me të vërtetë mundem me pa ardhmërinë time, dëshirën time, ëndrrën time. Zakonisht vajzat ëndërrojnë. Kemi ëndërra shumë, ndoshta më shumë se   djemtë, kur jemi në një moshë të pubertetit, ëndërrojmë ose me u bo balerinë, këngëtare, aktore e domethënë kemi dëshirë me notu në  ëndërra.

Mimoza Paçuku: A mund të na tregoni një rast të veçantë që ju e përkujtoni, që definon fëmijërinë tuaj?

Safete Rogova: E thashë që ka shumë kujtime, që ka shumë raste, shumë kujtime të bukura, ta përmendi edhe këtë, se ne nuk kemi pas makinë për larjen e rrobave, meqë ka qenë një lumë aty afër ku banonim ne, lumi Erenik,[5] nëna e mbledhte një kosh të madh   me tesha dhe ne mbrapa nënës, si nëpër filma me shku e me la rroba në Erenik, domethënë me njëfarë perajke të madhe. Ne ishim të vogla, ne motrat, por nëna I lante, i fërkonte mirë me sapun, e na mrapa saj, mirëpo ne nuk e dinim lumi kishte shumë ujë në atë kohë. Interesant tash prej nxehjes së madhe janë shterrë lumenjtë. Atëherë lumi ishte shumë i thellë, dhe në një moment derisa ne motrat lanim bashkë me nënën, e kishim një vëlla të vogël tre vjeç, dhe në një moment ai është rrotullu, edhe e  ka marrë uji. Edhe na u trishtuam, se asnjëra nuk dinim not, as nana, as ne motrat që ishim pak më të mëdha, e më kujtohet një fshatar prej kodre, ku ishte lumi poshtë prej një lartësie shumë të madhe kërcen në ujë {lëviz duart} mbërrin fatbardhësisht me e shpëtu vëllain e vogël, domethënë shpëtoi prej mbytjes. Atë ditë ka qenë një festë e madhe në familjen tonë, një gëzim i madh, u rilind edhe një herë ai djalë, që tash është   në Amerikë, është bashkë me familje. Edhe herë tjera kur nëna donte me shku me la tesha ne i thonim “Jo s’po shkojmë te ai vend, pe ndërrojmë vendin” (qeshë), se jemi tmerruar prej atij rasti kur na ndodhi.

Më kujtohet edhe një moment, ne kemi gatu bukën në shtëpi, por bukën e kemi pjekë në furrë, se nuk kemi pas shporet, edhe buka është pjekë në furrë, apo gjella nëse e ke bë një gjellë, nëna është dashtë me një tavë me e qu në furrë. Edhe në një moment unë shkoj me e marrë tavën, edhe tava të më kthehet, e jam djegë shumë keq, domethënë ne, gjithë fëmijët kemi pas do përjetime kështu shumë të vështira (qeshë) që mandej   kemi kalu mirë, duke i’u falenderu Zotit, po edhe unë kam mujtë me u djegë edhe me pas shenja, mirëpo shpëtova edhe unë. Secili fëmijë kemi pas ka një përjetim kështu të vogël, sa kemi qenë fëmijë në Gjakovë.

Në vitet ’55,’56, daja im me familje u shpërngulën në Prishtinë, e ne e kishim të vetmin dajë, edhe gjyshin e gjyshen, se gjyshërit prej babës kishin vdekë shumë herët. Baba im nuk i kishte parë fare, edhe as ne nuk i kemi parë gjyshen e gjyshin tonë, kështu që të vetmin gëzim e kishim kur shkonim te daja në Gjakovë, o te gjyshja te gjyshi, edhe e përjetuam atë shpërnguljen e tyre shumë rëndë, edhe ne e lusnim babën me shku në Prishtinë, se s’mundeshim me jetu pa gjyshën e gjyshin. Ndoshta, edhe ajo ka ndikuar që baba vendosi që të vijmë edhe ne në Prishtinë. Ndoshta fati jonë edhe të na shkollojë, por ardhja në Prishtinë ka qenë shumë interesant, se atëherë s’ka pas autobus, s’ka pas makina, edhe është dashtë me shku në mëngjes në Pejë, me e pritë trenin tre  deri katër orë në stacion, me hypë në tren, edhe gjithë ditën në atë tren “rranga,rranga”{imiton trenin} sa kemi mbërri në Prishtinë. Domethënë jemi nisë në mëngjes prej Gjakovës, e në darkë kemi mbërri në Prishtinë. Po ai udhëtim ka qenë  shumë i veçantë, unë më vonë kam udhëtu në Gjermani, në Francë,Turqi, Amerikë, dhe nuk më është dukur aq interesant sa ai udhëtimi me tren (qeshë). Ndalej nëpër  fshatëra, merrte udhëtarë, vazhdonte, ndalej, më pas zbritnim. Njeriu ka mujtë me ecë lirisht sa treni, aq ngadalë, unë se di pse, ndoshta nuk ka pas far force motorrike, nuk e   di pse, por shumë ngadalë shkonte. Gëzimi jonë i madh ishte që në Prishtinë kishte dalë daja me na pritë në stacionin e trenit me një pajton. Atëherë s’ka pas taksi, ai pajtoni   prej këtu te stacioni i trenit {tregon me duar largësinë} e deri te shtëpija është dashtë   nja dy orë. Domethënë ai komunikimi ka qenë shumë i ngadalshëm, udhëtimet shumë të ngadalshme, mandej u zhvilluan shpejtë u rregulluan rrugët, u asfaltuan rruga Gjakovë­Pejë, Gjakovë–Prishtinë. Mirëpo, megjithatë ajo bukuria e udhëtimit ngeli në atë moshë rinore. (Buzëqeshë)

E thashë ardhja në Prishtinë ishte një gëzim i madh për ne, jo pse erdhëm afër gjyshit, gjyshës,dajës, por që edhe patëm fatin me u regjistru në shkolla të mira, si motrat  ashtu edhe vëllëzërit, dhe i kryem këto shkolla.Të gjithë kemi kryer shkolla, të   nëntë fëmijët, mandej u shpërndamë, u shpërngulëm gjithandej, vajzat u martuan nëpër qytete të ndryshme, e filloi me u ngushtu familja, mbetëm pak në familje… Gjithmonë dua t’i kujtoj momentet e profesionit tim, pse unë u veçova prej tjerëve, pse të tjerët  nëse kanë studiuar letërsinë, nëse kanë studiuar filozofinë, vëllau i madh është marrë me zanat, të gjitha profilet e ndryshme, por pse unë, ajo veçanti e imja, e prirjes sime me u marrë me aktrim, nganjëherë e kam pyet veten “pse unë u desht me aktrim, çka më shtyri, pse e dashta aq shumë atë  profesion?”

E thashë që edhe në shkollë, në të gjitha programet jam vlerësuar si recituese e mirë, kam përgatitur ndonjë monolog të mirë, por edhe në shtëpi gjithmonë kam krijuar një lloj teatri, kam kriju edhe kur kemi ngrënë, kur kemi qeshë, apo kur jemi mbledhë. Për fatin e mirë, të gjitha motrat kemi ditë me këndu bukur, vëllau i madh i ka ra violinës. Në   shtëpinë tonë ka qenë një orkestër e vogël, dy motrat e mia nuk kanë shkuar në kitarë, por defit i kanë ra, edhe ai defi jonë kumbonte në gjithë lagjen. (Buzëqeshë)

E kështu po them ndoshta jam një lloj iniciatore, apo organizatore, që unë të krijoj diçka, të krijoj ndonjë shfaqje të vogël në shtëpi, në shkollë. Prandaj po them herë pas herë du me u kujtu pse unë u përcaktova për aktrimin që kom mujtë me shku në mjekësi për shembull, e kam dashtë mjekësinë, edhe lëmitë e tjera. Në gjimnaz pastaj, kanë qenë vërtetë ditë të bukura, ditë rinore. Prishtina në atë kohë nuk ka pas kafiteri, i vetmi vend argëtimi ka qenë një Korzo {një rrugë e gjatë, e gjerë}, që ekziston edhe sot shëtitja në  atë Korzo. Ne si të reja, vajza të Gjimnazit visheshim pak më bukur, për me dalë në Korzo, për me pa naj djalë, me pëlqy dikënd, naj simpati. Mirëpo e kemi pas një disiplinë të madhe në familje, edhe unë, edhe shoqet e mia, kështu që baba na ka thënë dilni deri në ora 18:30 ose 19:00, e në 20:00 duhet me qenë këtu, sepse mbyllet dera. Ndodhë ndonjëherë jemi habitë deri pesë minuta në tetë, i kemi hjekë këpucat, dhe zbathur me mbërri shpejtë e shpejtë në shtëpi sa nuk është bërë ora 20:00,se në ora 20:00 mbyllej dera. Ndoshta ka qenë shumë disiplinë e rreptë, ndonjëherë kam thënë pse… ndoshta    nuk është dashtë ashtu, ndoshta se atëherë zakonisht familjet kanë qenë me shumë  fëmijë, ndoshta është dashtë ajo disiplinë, se familja me shtatë, tetë, nëntë fëmijë, të cilët kanë pasur një liri të daljes, sepse nëse ke shetitë më vonë, atëherë nuk ka mundur prindi me mbikqyrë, me i kontrollu fëmijët e vet. Kështu që n’a ka ndihmu ajo disiplinë me qenë më të rregullt, edhe me qenë nën kontrollin e  prindërve.

Në vitin e ­IV­t, erdhi një aktore, edhe një regjisore, Krist Berisha edhe tha  “po më   duhet një vajzë e re me luajtë në rolin e Nitës dhe të gjithë sytë kah unë, “kjo është  Nita.” Mirëpo të them të drejtën prindërit e mi nuk kishin dëshirë që unë të luaja tash në shfaqje, isha rritë, isha vajzë e madhe, edhe gjithmonë më kanë sygjeru se “na duhet një mjeke në shtëpi, ti je e zgjuar, mundesh me studiu mjekësinë, dhe ta kemi një mjeke në shtëpi.” Edhe unë gati u premtova që do të shkoj me studiu mjekësinë, edhe do të kthehem si mjeke. Në maturë e luajtëm Nitën, dhe doli një shfaqje e mrekullueshme. U frikësova me i thirrë prindërit e mi e me ju tregu që unë luajta në këtë shfaqje,  mirëpo ju premtova që do të shkoj.

Atëherë nuk kishte fakultet në Prishtinë, duhej të shkonim në Beograd me studju mjekësinë, do të shkoj patjetër në Beograd me një shoqe timen me konkuru për me u regjistru në mjekësi. Rrugës i thashë shoqës “unë po vij, por as mendjen se kam te mjekësia, unë kam me u kthy, unë po vij veç me ia plotësu qefin prindërve.” Në të njëjtin vit, ishte viti ’66­ ’67, hapej në Prishtinë shkolla e parë për aktrim, s’ka pas Akademi, por Shkolla e Lartë për aktrim, tash unë kam me u përgatitë, dhe kam me u kthy me konkuru në Shkollën e Lartë. Shoqja ime e cila është një mjeke specialiste e madhe në Amerikë, Zana Dobroshi, më tha  “shumë kam dëshirë me qenë me ty bashkë në studime, por nëse ke deshirë me u kthy” tha “hiq mos rri… rri një natë, edhe kthehu në   Prishtinë”.

Ishim lodhë, e prapë shkuam me tren në Beograd. Me shoqen time Zanën kemi qenë adhuruese të muzikës. Ishte në një sallë të operës, dikun ipej një shfaqje opere edhe siç e kishte pas ajo një lidhje tha “mundemi me siguru bileta me shku”, por i thash “ne nuk jemi të veshura me shku”, tha “hajde me shku, jemi para­studente dhe po shkojmë”,   dhe si jemi ulë na ka zënë gjumi (buzëqeshë), se ishim lodhë prej udhëtimit. Torbat I kishim lënë dikund, dhe veç aplauzi i madh kur ka kërsitë ne jemi zgjuar, “çka po ndodhë?,” (qeshë) domethënë janë përjetime të moshës rinore të cilat ti ke qef me përjetu shumë gjëra, por megjithatë të  habisin.

U ktheva në Prishtinë. Prindërit më pyetën “Çka ke bërë në provim pranues?”, ju thash “ishte shumë vështirë”, edhe me të vërtet ishte shumë vështirë, ishte në gjuhën serbo­kroate me hy, e ne pak kishim mësu në shkollë po duhej një përgatitje e madhe,  thash “nuk jam e përgatitur,” “po çka don me studio?” O nuk mundesha me i’u tregu në fillim, nuk mundesha, një kohë të gjatë kam konkuru[në shkollën e aktrimit], kam shkuar   në audicione, jam pranuar. Ka qenë një kohë në vitet ‘66 dy, tre vajza s’kanë konkuru për aktrim, domethënë nuk i kanë leju atëherë vajzat me shku në tetatër, edhe u pranova,   por nuk guxojsha me ju tregu prindërve që unë nuk po du as mjekësi as biologji, por du   me u bë aktore.

Mbas një kohe domethënë kur ishim pranu, dhe për fatin e mirë atëherë na siguronin bursa sepse ka pas pak studentë, ne ishim dhjetë studentë. Morëm me i plotësu dokumentet, ngadalë po i tregoj nënës, unë megjithatë du me shku për aktrim, ajo e shkreta jo që nuk donte por ia kishte frikën babës tim, se megjithatë me vendosë    shumë gjëra, vendoste baba, si për profesionin, si për veshjen, si për edukimin,  shkollimin, edhe nëna jeme e kishte vështirë me ia komuniku babës tem “se vajza jonë,” unë isha e treta “don me shku në aktrim.” Ndoshta e kishte vështirë prej paragjykimeve  se në atë kohë në vitet ‘66 ‘67, nuk kishte mendime të mira për teatrin, për ata aktorë   që punonin i konsideronin  të dorës së dytë, sidomos femrat. Kështu që nuk donin që  edhe unë t’i kem ato përjetime, por megjithatë është aftësi e prindit, në këtë rast  e nënës time, se si ka mundur me bindë babën, “se ne nuk mundemi me i’a ndalë dëshirën që e ka për me shku në teatër e që don me u bë  aktore.”

Një kohë e kam ndier një ftohje të raporteve me babën tim, ndoshta nuk kam ditë me u sjellë, ndoshta është dashtë unë me qenë më afër tij, e me i tregu shumë gjëra,    ndoshta si zanatli që ka qenë nuk ka ditë me e kuptu se çka domethënë ky profesion, ai profesion, e prandaj u krijua një zbraztësi disa muajsh, domethënë unë e kreva Shkollën  e Lartë, por që unë t’ua plotësojë prindërve dëshirën, po ashtu vazhdova edhe fakultetin Filologjik–Gjuhë dhe letërsi, që me iu tregu që unë mundem edhe një fakultet tjetër me   e kry. Fatbardhësisht i kreva të dyjat, por megjithatë nuk kishte shumë vajza në teatër, unë u pranova menjëherë.

Kemi qenë vetëm dy vajza, ishte trupa e teatrit por tash të shkolluara ishin veç dy vajza. Një kohë të gjatë se kam pas të lehtë, ditët e para, edhe pse rolet i kam pas shumë të bukura në fillim, por nuk e kam pas lehtë me rrethin, me paragjykimet, bile, bile në atë kohë kam pas një ftohje, edhe prej shoqeve të mia të Gjimnazit, se ato shkuan juridikun, ekonomikun, mjekësinë, e sikur e morën këtë profesionin tim, si jo të dobishëm, domethënë edhe ato të shkolluarat kanë pas paragjykimet për profesionin e  aktores.

Një kohë të gjatë kam jetuar me veten time, me rolet e mia, me partnerët, me    kolektivin ku u vendosa, nuk e kam pas lehtë hiç, edhe në familje u krijua ajo mundësia, pse ata dajallarët, e të rrethit pse shkoi vajza në aktrim, por nuk zgjati shumë. Mëgjithatë me kohë ndërruan gjërat. Kur më panë në shfaqje, kur më panë që isha shumë e mirë, atëherë filluan me u mësu, me marrë normal këtë punën time si  aktore.

Unë megjithatë, atëherë në teatër krijova një shtëpi timen të dytë, një familje timen të dytë, dhe aty lindën ëndërrat me u bë dikushi, me u bë emër, me mbërri diçka, me lujtë shfaqje të mëdhaja. Fatbardhësisht edhe regjisorët ishin prej Sllovenisë, ish­Jugosllavisë, Kroacisë, Novi Sadit, regjisorë të mirë, se nuk kishim regjisorë shqiptarë, ishte vetëm Muharrem Qena,[6] edhe në fakt ne mësuam shumë prej tyre, ne mësuam një shkollë   të re prej këtyre regjisorëve, por edhe bëmë shfaqje të mëdha. Ndonjëherë kur flas me  këta të rinjët që janë në teatër, kanë bërë shfaqje, edhe bëjnë hala, por e them shfaqje që i kemi punuar ne nuk mundemi me i ndërru, sa të mëdha, sa të mira kanë qenë. Me ato shfaqje kemi shetitë ish­ Jugosllavinë, në festivale të ndryshme, gjithmonë jemi kthyer me shpërblime, gjithmonë jemi kthyer me çmime të mëdha, e pikërisht pse  atëherë e kemi dashtë profesionin edhe kemi sakrifiku. Për mua {dëfton nga vetja} ka qenë sakrificë me lënë mjekësinë, edhe me marrë aktrimin. Sakrifica jonë ka qenë më e madhe sesa profesionet tjera, si ekonomiku, juridiku, ose profesione të tjera, prandaj ka qenë krejt përqendrimi, energjia, dashuria në  aktrimin.

Mbas një kohe unë u bëra edhe me fëmijë, më erdhi në jetë Iliriana që e kam rritë në teatër. Në atë kohë për shembull, nuk kemi pas pushim, ndoshta kam luajtë gjatë shtatëzanisë, kam luajtë shfaqje, kam qenë shtatëzënë, kam luajtë “Dasmën e përgjakur” të Lorkës. Kam luajtë pikërisht personazhin që ishte shtatëzënë, kështu që edhe kur ke qenë shtatzënë, edhe pasi që kemi lindë, fëmijët i kemi pas aty afër në teatër, prandaj vajzat e mia e kanë në damarë, se babën skenograf, e kostumograf, edhe nënën aktore, kanë shumë, shumë damarë të artit. Iliriana është bërë skenografe, piktore e njohur, kostumografe, edhe punon në Top Channel.[7] Kurse Alba që e don shumë dramaturgjinë, ajo merret tash edhe me një profesion tjetër, kështu që ndoshta   po them, kjo ëndërra ime… qysh si fëmijë që kam ëndërru me kriju atë teatrin tim besoj që është realizuar, është realizuar, kam qindra role edhe në teatër, edhe në radio e televizion që kam luajtur, edhe kam shumë, shumë kujtime. Edhe tash kam me shkarravitë diçka. Unë e kam bë njëfarë monografie të vogël për jetën time në   teatër.

Por, që kam shumë, shumë me thënë për teatrin edhe jetën, se megjithatë është një profesion magjik, nuk e ka çdo profesion këtë magji. Mundesh me qenë mjeke e mirë, juriste e mirë, por magjinë që e ka profesioni i aktorit nuk e ka asnjë lloj   profesioni. Duhet me çmu, edhe me nderu, se kanë ndërru edhe kohërat, domethënë tash me të madhe ka studentë që paraqiten në Akademi për aktrim, por që janë thy   edhe paragjykimet që kanë qenë në kohën time para pesëdhjetë dhe pesëdhjetë e pesë  vjetëve. E bukuria e gjithë kësaj është se, po them megjithatë, unë jam e arrirë në profesionin tim, edhe jo rastësisht brenda tre muajve i kam tri dekorata, edhe medalje, këtë të fundit presidentja këto ditë ma dhuroi, domethënë kanë një vlerë të madhe këto dekorata dhe medalje. Nuk e kanë vlerën materiale, por kanë vlerën shpirtërore, se ti ke kontribu diçka, ke dhënë diçka për këtë art. Prandaj edhe vlerësohesh, edhe çmohesh në këtë kuptim.

“Personazhin e prostitutës, fshatarin edhe këtë nënën, e disa personazhe,” thashë që “mundem me i lujtë por, valla prostitutën zor,” se nuk e kisha natyrën, aktorja duhet me lujtë gjithçka, por unë nuk e kisha natyrën, edhe mendova që nuk mundem me e realizu. Milqini[8] tha “që ti ki me e lujtë ,” thashë “valla po e provoj, por zor që kam me lujtë.” Ka qenë ndër shfaqjet më t’mira që është lujtë në Teatrin Kombëtar, “Bregu i   Pikëllimit,” me një tekst, me një dramë të mrekullueshme e Teki Dervishit.[9] Edhe këto pamjet e  para, këto rolet e nënave, fshatarëve, i lujta për mrekulli. Kur erdhi roli i fundi, te prostituta e kisha partner Faruk Begollin, thash “O Zoti jem, qysh kom me lujtë,” aty kishim domethënë edhe pije në pamjen e asaj bordeje… atij bordeli, por ky rekviciteri kishte sjellë verë të vërtetë. Unë nuk e pi shumë verën, nuk e konsumoj as rakinë, pak  sa me qu për gëzuar edhe aty për me dalë më mirë, thashë “hajt more te qoj një  gotë”… po t’u mos e ditë reaksionin e asaj një gotë verë, po gota shumë e madhe e verës, e qoj eks a…dhe jo që e lujta prostitutën, por u bona “fyle fyle” [Përshkruan sa shumë është dehë] (Qeshë). Faruku. ..ooo i ndjeri po aktor i madh ka qenë, Faruku u shkri, tha “kurrë në jetë s’tkom pa më mirë, kurrë s’ke lujtë më mirë.“ (Buzëqeshë) E lujta vërtetë, e lujta bukur, harrova çka jam, harrova gjithçka, lej që edhe m’u merrshin mendët, pak u trullosa, por luajta edhe i kemi pas kostumet e bukura, ka qenë pak e zhveshur kjo, por një kostum shumë i bukur që e ka punu Violeta Xhaferi, ishte kostumografe e madhe. Flokët i kam pas shumë të gjata, nejse edhe mosha   rinore, dukesha bukur, nejse e mbaj mend atë pamje, edhe e mbaj mend Farukun që u shkri, u shkri me mu, tha “o bre, pse nuk lunë ti role të tilla.” Mirë doli shfaqja. Shfaqja ishte shumë e madhe, ishte shumë e  bukur.

Kemi fillu me Istref Begollin[10] “Makbethin” me e punu, mua më vjen keq që të gjithë gjenerata që kanë qenë legjenda e teatrit kanë vdekë, kanë ndërru jetë në një moshë jo shumë të shtyme. Istrefi “Makbethin” njësoj, në një moment thotë “ti ki me m’dalë përpara,” në një moment unë harrova me i dalë përpara, edhe ai u sjellë, edhe po më kërkon. Nejse, ka ksi gafe që i kemi bo, edhe në shfaqje, edhe në jetë ndodhin   këto.

Ndoshta ndër rolet që i kam dashtë shumë, shumë i kam dashtë, është shfaqja e parë    që kam lujtë, ka qenë “Trimi i mirë me shokë shumë”, ajo ka qenë për heroin legjendar Skënderbeun, e unë e lujsha Mirushen. Mirushja për një moment pasi që s’don me ra në duart e otomanëve e vranë vetën, dhe në një moment unë aq shumë e kam përjetu atë vrasjen, sa që gati më ra të fikët kur u rrëzova, s’disha a kam me mujtë me u qu, a jo.   Me atë shfaqje kemi shëtitë në shumë qytete, edhe na kanë pritë shumë bukur nëpër Kroaci, Mal të Zi, në Dibër, ti s’ke qenë e lindur kur kemi luajtë ne {dëfton nga personat prezent}. Mandej pak më vonë erdhën rolet e nënave, krejt më vonë, mandej edhe gjyshet. Më kujtohet një herë, një rol të nënës e luajsha, edhe për një moment i kisha qikat e vogla, Ilirjanen dhe Alben, për një moment ka qenë kjo ”Fumikos” një tekst japonez, ku hyn hajni, don me e rrëmby këtë gruan, dhe mandej vjen shpëtimtari, dhe Iliriana ishte e vogël, kërcen hajni prej dritarës në skenë dhe Iliriana e vogël thotë “nënë ruaju se hajni”, dhe gjithë salla qeshin.  (Buzëqeshë)

Ka pas kësi momente shumë të bukura, por kam pas edhe role fort të bukura. Role tragjike, unë edhe jam një natyrë shumë dramatike, kam dëshirë edhe i përjetoj shumë  të gjitha rolet që më ofrohen.Tash së fundi e kisha “Varrin e Qyqes” në Pejë dhe “Natën  e Helverit” në Prishtinë, dyjat role shumë dramatike, shumë të fuqishme. Shumë njerëz kur kanë dalë prej sallës kanë dalë tu qajtë, por ju kam thënë atyre kur jemi taku se kam qajtë edhe unë, nëse keni qajtë ju. Domethënë e përjetoj shumë personazhin që e luaj, ndoshta se mbas luftës jemi bërë më të ndjeshëm, jo veç aktorët, por të gjithë njerëzit janë më të ndjeshëm se e përjetojnë fatin e dikujt shumë   vështirë.

Mbas ndërrimit të jetës të Nënës Terezë unë çdo vit i kam thënë poemat edhe uratat e Nënës Terezë edhe në shumë vende kanë mendu që unë vërtetë jam Nëna Terezë. Kur kam dalë me atë petkun e veshjes, edhe kanë mendu, a paska ardhë Nëna Terezë. Kjo m’ka ndodhë në Gjermani, kemi qenë afër München në një qytezë, ishte përvjetori i  Nënës Terezë kur atje kishte plotë shqiptarë edhe unë kam dalë me uratat e Nënës  Terezë edhe tu u lutë. Kur u kry, plotë vajza të reja kanë ardhë, duart po mi shtërngojnë kështu, thashë­ unë s’jam Nëna Terezë e vërtetë, unë jam aktorja. Kështu që    ndonjëherë aq shumë e përjeton personazhin, sa që të duket vetja që shndërrohesh vërtetë në atë personazh që e  luan.

Njerëzit të besojnë, edhe kanë dëshirë me të besu. Në teatër njeriu shkon me pa diçka, edhe me marrë diçka që edhe ai vetë e ka përjetu, edhe nëse e knaq shfaqja, del shumë   i ngazëllym prej shfaqjes, se ka përjetu diçka të bukur, diçka që edhe vetë në jetë e ka përjetu, prandaj ka këtë magji profesioni jonë, edhe vërtetë mendoj se është ndër artet më të bukura.

Mimoza Paçuku: Pak më parë e përmende se bashkëshorti juaj ka qenë skenograf, a mund të na tregoni si jeni  njoftuar?

Safete Rogova: Është interesant, ne vajzat e reja që kemi ardhë në teatër, po filloj me Melihate Ajetin, rolin e parë që e ka luajtë, u njoftu me Muharrem Qenën dhe është martuar brenda vitit. (Buzëqeshë) Leze Qena kur ka ardhë prej Prizrenit u njoftu me Xhevati dhe u martuan menjëherë me Xhevatin, do të thotë një kohë të gjatë ata kanë jetu. Mandej njësoj Naxhie Deva, të fejuarin e ka pas aktor, mirëpo ai detyrohet me  e lënë Kosovën, dhe kjo u nda mandej. Po du me i përmend disa çifte që kanë ardhë në teatër, kanë bashkëjetu dhe janë  martu.

Edhe unë erdha në teatër, por domethënë në atë anën tjetër, simpati kisha në fakultet, edhe s’mendojsha që mund të ndodhë që pikërisht në teatër do ta gjeja shokun e jetës. Dhe në një shfaqje, ku ai punoi kostumet e shfaqjes “Ruje fshehtësinë time”, ka qenë   një dramë shumë e bukur, dhe m’i punoi aq bukur kostumet dhe unë 100 herë ju falenderova, ju falenderova për kostumet dhe skenografinë që e kishte punu, por po duket ato falenderimet e mia kanë qenë aq të shumta dhe të shpeshta (qeshë) sa që ka thënë “që kjo qika nuk është në rregull.” Nejse (qeshë) kanë qenë ato simpatitë e dyanshme.

Jemi njoftu në teatër, zaten në të gjitha shfaqjet ku kam luajtë unë, Nuredini ka punu kostumet edhe skenografinë. Kështu që vetë profesioni na lidhi, mandej për fatin e mirë menjëherë erdhi edhe Iliriana, në vitin ‘72 kam lindë, në atë kohë kemi qenë t’u punu “Gjenerali i ushtrisë së vdekur,” edhe i kisha dy role me i luajtë në “Gjeneralin” mirëpo, atëhere nuk dukej barku dhe isha dy­ tre muajsh, nuk dukej barku. Menjëherë mbas kësaj shfaqjes, erdhi “Dasma e përgjakur,” që e përmena edhe unë barkun {tregon me duar madhësinë e barkut} edhe ishte personazhi që ishte shtatëzënë. Po interesant në atë shfaqje kemi qenë tri aktore shtatëzëna, ka qenë Shirine Morina shtatëzënë, Zana  Tafashiku edhe tri aktore shtatëzëna, ka qenë e bukur shumë. (Buzëqeshë) Zana lindi  djalin, Shirina vajzën edhe unë vajzën… Fëmija mandej ta zbukuron jetën, unë ju them këtyre aktoreve të reja “mos u martoni, boni një fëmijë së paku” edhe po më duket janë   tu më ndëgju, se dy­tri qetash janë veç shtatëzëna. Mendoj se është pak më e vështirë   kur je me fëmijë, edhe duhet me luajtë. Atëherë kemi bo shumë turne, tash nuk shkojnë, atëherë ke shku një javë nëpër ish­Jugosllavi, nëpër Kosovë. Është dashtë me   lënë Ilirjanen të vogël, por e kam pas nënën shumë të fortë, edhe motrat e mia, mas nji kohe mandej erdhi edhe Alba. I kam dy vajza që janë të mrekullueshme, edhe unë mendoj se ma kanë zbukurua jetën. Nëse për shembull ke probleme në jetë, ndodhë edhe në shfaqje nuk të shkon mirë, zhgënjehesh me kolektivin, ka raste të ndryshme kur nuk shkon mirë, kur kthehesh në shtëpi i sheh vajzat e tua, është bukuria e   jetës.

Mendoj se jam shumë e lumtur, tash jam edhe gjyshe, se kam edhe nipa, edhe mbesa, por mendoj se bukuria e jetës begatohet me ardhjen e fëmijëve, nipave dhe mbesave. Nuredini për fat të keq, ne kemi qenë me aktivitet të Motrave Qiriazi[11] në Prizren në vitin ’92, në Ditën e Mësuesit në Prizren, kemi shku me shënu 100 vjetorin e Shkollës Shqipe, edhe në atë rast ai ka pas një infarkt shumë të fortë, edhe ka vdekë në skenë. Ka qenë një ndarje shumë e dhimbshme, jo si bashkëshort, por edhe si aktivist, ne bashkë kemi punu në shoqatën Motrat Qiriazi, por edhe mënyra e shpejtë që shkoi menjëherë, nuk   priti as orë, as… në moment ka  vdekë.

Mandej më kanë thënë shumë njerëz “sa vdekje e bukur n’skenë,” unë e kam marrë atë shumë si një pikëllim të madh timin. Më vonë, duke kaluar vitet kam thënë “me të  vërtetë vdekje e bukur,” artisti me vdekë në skenë është vdekje shumë e bukur. Kam lexuar dikun, që edhe Molièri ka vdekë në skenë, edhe një artist i madh ka vdekë në skenë. Kështu në vete ndonjëhere mendoj, “o dhashtë Zoti, edhe unë të ndërroj jetë në skenë”, është bukuri, tash si e kemi të shkruar, por megjithatë, edhe pse e kisha   vështirë në atë kohë kur u ndamë, ne shkuam për një aktivitet, edhe ai aty ndërroi jetë. Por megjithatë, ai la gjurmë edhe në teatër, edhe në aktivitet, sepse ka qenë shumë  aktiv edhe në pajtimin e gjaqeve, edhe në aktivitetin e shoqatës Motrat Qiriazi se kishte dy vjet aktivitet, por ne vazhduam mandej me motrën time Igballen edhe aktivistet e tjera, por që ai vërtetë la gjurmë të mëdha në art.


[1] Teqe në shqip­ tekke në turqisht­ shtëpizë e rendit të Sufi­t, në këtë rast Bektashinjëve. Banohet nga një Cheikh ose Baba dhe nga dervishët.

[2] Shkolla Normale u hap në Gjakovë në vitin 1948 për të trajnuar mësuesë të nevojshëm për shkollat e reja të hapura.

[3] Linguist dhe akademik i folklorit, mbështetës i identitetit kombëtar serb të bazuar në gjuhë.

[4] Ishte aristokrate rumune me origjinë nga Shqipëria, e njohur edhe si Dora D’Istria. Feministe dhe shkrimtare që përkrahu çështjen kombëtare shqiptare.

[5] Tribut për lumin Drini i Bardhë, shkon nga Gjakova.

[6] Dramaturgu, regjisori e këngëtari i ndjerë e i mirënjohur nga   Prishtina.

[7] Stacion Televiziv në Tiranë,  Shqipëri.

[8] Vladimir Milqini është regjisor maqedonas. Ishte Dekan në Fakultetin e Arteve Dramatike në Shkup me 1983.

[9] Teki Dervishi i lindur me 1943 në Gjakovë ishte shkrimtar, publicist dhe dramaturg. Ishte drejtor i gazetës Bota Sot.

[10] Istref Begolli ishte aktor i njohur kosovar që vinte nga familje artistësh, që përfshinte Faruk Begollin. Vdiq në vitin 2003.

[11]  OJQ e krijuar nga Safete dhe Igballe Rogova në vitet e 90­ta për të promovuar edukimin e grave dhe vajzave. Ishte emëruar sipas motrave Qiriazi, të cilat hapë shkollën e parë për vajza në Korçë (Shqipëri) në vitin 1982.

Gratë e Hasit[1] ishin të nënshtrume, ndoshta jo nga familjet e tyre, por nga  paragjykimet. Kryesisht burrat e tyre punonin nëpër furra në Kroaci, Slloveni, diasporë, kështu që ato ishin gra pa burra, gra që rritshin fëmijë, edhe s’kanë guxua për shembull nëse janë smu’ ose e kanë pas fëmijën sëmurë, s’kanë guxu në Prizren me shku e me qu fëmijën te doktori. Kështu që ne kemi punu edhe në atë aspekt, me i pavarësu, me i  mësu gratë me shku vetë me e marrë fëmijën edhe me e qu te doktori në Prizren. S’ka  pas ambulanta nëpër Has, një ambulantë e vogël,  por fatmirësisht mandej Nëna Terezë[2] i ka hapë dy­tre ambulanta nëpër Has. Fati i atyre grave, po ato gratë e morën edhe veten domethënë tu folë ne vazhdimisht, tu qenë me to, ishte bukuria.  (Buzëqeshë)

Një herë ka qenë këtu Qendra e Gruas[3] e Sevdije Ahmetit, edhe aty kemi pas gjinekologen, pediatren, të gjitha mjeket specialiste, edhe ju them grave “nëse keni probleme me gjinekologji, hajdeni në Prishtinë te Sevdije, aty në Qendrën e Sevdijes është gjinekologja. “Po qysh të vijmë ne vet,” “po mësohuni, bleni biletën, hypni në autobus, hajdeni në Prishtinë” (buzëqeshë) por, gratë e Hasit i kanë ato veshjet[4] e bukura specifike, “po qysh të vijmë ne në Prishtinë me këto veshje,” “po s’ka gjë, është veshja juaj, është atraktive.” Një ditë, e bukura e krejt asaj ka qenë, një ditë kur kemi shku te Sevdije, po i shohim po vijnë tre­katër gra të veshura Hasjane, po vijnë prej autobusit trak­ trak {përshkruan ecjen jo të zakonshme} domethënë aty e kemi pa se e morën guximin, edhe menduan për vetën e vet, menduan “pse ne duhet me qenë të varura prej dikujt, me marrë diken, me e lut diken me më qu te doktori, ne mundemi edhe vetë me shku.” Edhe kështu filluan gratë me u pavarësu, domethënë jo me vajzat, por një herë me gratë kemi punu shumë. Me i marrë fëmijët, me i qu te doktori në Prizren, me shku me ble gjëra në Prizren. Nuk kemi qenë ne kundër veshjeve që i kanë shumë të rënda se janë disa palësh, por ju kemi thënë “pse nuk veshni edhe fustana në shtëpi, mos i hupni këto rroba se janë shumë të bukura, por megjithatë mundohuni me veshë fustana.” Edhe fillluan ato me ble fustana edhe … veshjen e kanë të bukur se  është tradita e veshjes por, “ruajeni atë veshje për ndonjë dasëm, ndejë, vizitë, por për me pas punë ma praktike veshni fustana.” Filluan gratë me ble fustana (qeshë) në Pizren, herë mbas herë domethënë filloi me ndërru ai  mentalitet.

Meqë burrat i kishin nëpër furra, gratë nuk mundeshin vetë me vendosë, me que qikën në shkollë, sepse është dashtë me e pyet burrin, edhe shpesh thojshin “jo nuk guxojmë prej burrit.” Fillum ne me punu me gratë, se “duhet ju me vendosë, ju jeni nëna, ju duhet me vendosë për fatin e tyre” dhe fillluan dalëngadalë me u bindë se ato vendosin për fëmijët   e vetë. Filluan me u mbushë shkollat me vajza. Shkolla nuk ka pas shumë, por duke ju falenderuar projekteve të Flaka Surroit, ajo ka ndihmu në dy­tri ndërtime të shkollave domethënë ka gjet donatorë. Leje që u hapën shkolla, ne aty tetë biblioteka i kemi hapë   në Has, në shkolla të Hasit. Filloi Hasi me ndryshu, filluan ato vajzat me e marrë vetën,   me u shkollu. Nuk ka pas shkollë të mesme, dhe prapë me iniciativën tonë të Motrave Qiriazi u hapën dy shkollla të  mesme.

Edhe gëzimi i atyre vajzave, i atyre grave, ishte festë ajo ditë kur u hapë shkolla e  mesme Ramë Manaj[5] shkolla e mjekësisë, edhe vitin e parë u pranuan ato njëzet vajza. Sot ato njëzet vajza janë “mami”, disa kanë vazhduar edhe shkollën e mjekësisë, domethënë nuk është periudhë e gjatë, por megjithatë gjatë kësaj periudhe sidomos vajzat, edhe gratë e morën vetën, fillun me mendu për veten e vet, për fatin e   vet.

Fatkeqësisht deri në vitet ‘60 ndoshta ‘70 i kanë shitë vajzat në Has[6], i kanë shitë me   pare, kanë dhënë kaq pare njëzetë mijë euro, tridhjetë mijë euro ki me e ble nëse kanë qenë vajzat më të bukura. I bindëm kadalë kadalë familjet që vajzat nuk vyen me u shitë, vajzat nuk janë shtazë, nuk janë lopë, ato e zgjedhin vetë fatin e vetë, kadalë kadalë ai mentatlitet filloi me u zhdukë. Filluan me u bindë ata burra që ishin vërtetë në gyrbete kur u kthyen kemi punu edhe me burra shumë, sidomos Igo ka punu shumë me   burra.

Për shembull dasmat janë bërë burrat veç, gratë veç, edhe në çdo dasëm na kanë thirrë edhe mua edhe Igon dhe krejt aktivistet. Në një dasëm Igo ka shku dhe e ka marrë   gruan e njërit aty, dhe për dore ka shkuar dhe e ka fillu vallen {lëviz dorën sikur po fillon vallen}, kur e ka fillu vallen, u que ai burri i vet domethënë burri i kësaj nuses edhe ka vazhdu vallen, edhe kur ja kanë filluar gratë një nga një me dalë me hy në valle. (Buzëqeshë) Filluan tash dasmat me u bë burra dhe gra, sepse zakonisht dasmat janë bë burrat veç, gratë veç domethënë duhet iniciativa të aktivisteve dhe grave që punojshim nëpër aktivitete me ndërmarrë diçka. Atyre është dashtë me ju pri dikush për diçka, për t’mirë. Filluam me shkollimin, me takimin me gratë, me i qitë gratë me dalë vetë në   qytet, me shku vetë te doktori, me shku vetë dhe me u  interesu.

Shtatëzaninë ato deri në lindje e kanë bërë me mami ose kanë thirrë kojshinë me lindë, ka pas edhe rrezik aty me lindë, se për shembull kanë mujtë me pas komplikime, nuk ka mjekë edhe ka mujtë me vdekë gruaja. Mandej besa kanë shku edhe shumë mami të Nënës Terezë të ambulantave, i kanë kontrollu gratë shtatëzëna, dhe i kanë asistuar në lindje. Filloi dalëngadalë Hasi me e marrë një pamje të re. U ndërtuan ato shkolla të bukura, u ndërtua Shtëpia e Shëndetit e re, u ndërtua Shtëpia e Kulturës, plot biblioteka edhe filluan edhe rrugët me i ndërtu, se rrugët kanë qenë kalldërm me e thy qafën në   to.

Një herë me Igon kemi shkuar, ajo e kishte një Reno… 5 më duket i kuq ka qenë, edhe   t’u ecë nëpër gurë danga dun, danga dun {imiton zhurmën e makinsë}, na mbeti makina, dhe jemi lidhë me një konop me një traktor dhe prej katunit në katun traktori përpara (qeshë), ne me atë Reno 5. Rrugët ishin të kqija, dhe fillum tash me mendu edhe për rrugët, por edhe rrugët me aksione i kemi bërë. Kemi bërë disa aksione, kemi ardhë këtu te Kaqusha Jashari[7] drejtoreshë ka qenë. Sipërmarrja për ndërtimin e rrugëve me Kaqushën edhe me plot inxhinjerë të tjerë dhe me donatorë, shumë donatorë hasianë që punojshin jashtë, kanë punu shumë. Nëse kemi shkuar prej katunit në katun për një orë, tash prej katunit në katun shkon për 10 minuta, se u asfaltuan rrugët. I gjithë Hasi tash është asfalt. Kënaqësia jonë është se kur të shkojmë naj herë, kështu që na thirrin në ndonjë manifestim, e shëtit Hasin për dy orë, atëherë dy orë kemi bërë (qeshë) me kalu prej katunit në katun.

Aktiviteti i Motrave Qiriazi ka qenë i përqëndruar në Has. Meqë atje kishte probleme më    të mëdha për shkollim, dhe gratë me u aftësu, me u pavarësu, rrugë nuk kishte, shkolla nuk kishte. Kështu që, unë mendoj se për pak vite Hasi mori një pamje të re, unë s’po them se ka pas në të gjitha regjionet e tjera probleme me shkollimin, ne kemi shkuar   edhe në regjionin e Kamenicës, në Shalen e Bajgorës, gjithkah, mirëpo megjithatë i gjithë aktiviteti i Motrave Qiriazi ka qenë në Has. Prandaj, tash kur u ndërtua shkolla e re, na kanë qitë një pllakatë {tregon me duar} “Igballe, Safete Rugova” aty në shkollë. Ishte e bukur shumë, ishte shumë prekëse se megjithatë kemi bërë shumë për Hasin. Ishte një dëshmi se këtë kthesë, apo të gjitha këto punë dhe aktivitete që i kemi bërë, e kanë   marrë një të mbarë dhe një të mirë.

Mundem me thënë se kemi shpërnda shumë bursa me donatorë. Shumë gra që s’kanë ditë fare zanatin janë bërë frizere, rrobaqepëse domethënë tash ato vetë fitojnë, kanë   një makinë qepëse. Shumë gra kanë qelë dyqane për rregullimin e flokëve domethënë edhe gratë janë pavarësu, se mund të punojë dhe t’i shkollojë fëmijët e vet. Bukuria më   e madhe për mu, e gjithë kësaj, kur shkoj në fakultet i pyes “e kahit je?,” “e Hasit,” “e kahit je?,” “e Hasit.” Ou, pu, ou, hasiane, plot studenta hasianë, shumë e bukur shumë. (Buzëqeshë) Kam shkuar një ditë me ble një bukë në një furrë afër Dodonë­s, edhe u gëzova shumë se zakonisht furrat janë hasiane dhe po i them asaj qikës “ti te daja po punon,?” tha “unë punoj edhe te daja, edhe jam studente,” thash “sa po ma bën qejfin,” tha “po unë po ta bëj qejfin, por unë jam këtu falë juve, kam ardhë studente këtu falë juve.” Edhe unë “o,o,e mora atë bukë, e përqafa bukën (qeshë) dhe thashë o Zoti jem a është e mundur që prej punës tonë shohim kaq shumë   rezultate.”

Domethënë shohim që ato vajza që s’kanë shkuar në shkollë, kanë vazhdu shkollën e mesme, kanë mbërri me ardhë studente. Edhe plot ka që e kanë kryer mjekësinë, ekonominë, plot lëmi të ndryshme. Unë mendoj që kemi bërë por jo vetëm ne, por të  gjitha aktivistet si përmenda kot Marten, Dilen, Meritën, Gjeven plot, plot hasiane që   kanë punuar ditë e natë bashkë me ne, sepse ne vetëm s’kishim mujtë me punu pa ato.

Një ndihmesë të madhe Motrat Qiriazi i kanë dhënë edhe Krushës së Vogël[8]  gjatë luftës.  Jo Safeta edhe Igo, po Marta me Dilen. Kur ka filluar lufta në Krushën e Vogël, paramilitarët i kanë vra njëqind e katërdhjetë burra, dhe gratë kanë mbetë me fëmijë. E Dila, Marta dhe Merita kanë shkuar, edhe vëllau i Martës kanë shkuar me kamiona, e kanë kapërcyer Drinin edhe i kanë qitë për Shqipëri, edhe i kanë shpëtuar gratë dhe   fëmijët.

Kur mbaroi lufta ne kemi krijuar një qendër në Krushë të Vogël Motrat Qiriazi dhe kemi punuar me ato gra që kishin trauma të luftës, që i kishin humbë burrat dhe djemtë. Kemi punuar shumë me ato gra, domethënë ne edhe pse ne nuk ishim eksperte, nuk ishim psikologe, por megjithatë, me atë përvojën tonë ju kemi ndihmuar. Ne kemi qenë jo psikologe, por doktore, çka të duash, ne kemi qenë afër atyre grave. Grave ju ka dashtë me qenë afër, jo me shku për shembull te mjeku, apo çka po di, atyre ju ka nevoitë me qenë afër. Ne kemi qenë shumë me ato gra, shumë kemi nejt në prehërin e tyre, aty    jemi ulur me to, kemi qajtë me to, kemi qeshë me to, derisa e kanë marrë pak vetën    dhe derisa u mësun sepse e kanë pas vështirë. Ka pas familje që ka humb burrin, djalin, nipin, dy­tre anëtarë të familjes, pesë­gjashtë anëtarë, nuk e kanë pas lehtë, por janë Motrat Qiriazi ato aktiviste që kanë ndejtë vazhdimisht me ato gra. Kur kanë ardhë me protestu në Prishtinë, trembëdhjetë ditë kemi flejtë në shkallë të teatrit edhe Igo, edhe unë, edhe plot aktiviste, dhe Sevdije edhe gratë e qendrës, kemi ndejtë, kemi pi ujë, kemi pi kafe bashkë, kemi flejtë me ato gra. Mendoj se ju kemi ndihmu me u rehabilitu, sepse atyre ju nevoitej njeriu, jo ilaqet, jo barnat por njeriu.

Mendoj se kemi bërë shumë edhe për gratë e Kurshës së Vogël si Motrat Qiriazi…    Motrat Qiriazi oh sa emër i madh. Kur ka shku Igo me e taku nipin e Qiriazëve në Tiranë Skender Dakon, tash ai ka vdekë, ka qenë nëntëdhjetë e diçka vjeç, i ka thënë “ju ja keni vnu shoqatës emrin Motrat Qiriazi, por keni me e nderu këtë emër shumë,” edhe sot kur  e kujtoj atë njeri aq të madh, mendoj se i kemi dalë hakut të emrit, më fal… Ne kemi punuar shumë me emocion, e thashë edhe në art, nëse ti nuk e don atë profesion,  nëse nuk punon në aktivitet me dashuri, mendoj se ndër shoqata që ma s‘shumti ka punuar me dashuri janë Motrat Qiriazi, kurrë s’kemi fituar materialisht. Nëse e kemi marrë nje   honorar, e kemi shpërnda me gratë apo me qikat, ose ia kemi dhënë një studentje që s’ka pas, apo ja kemi ble një dhuratë dikujt që e ka pas ditëlindjen. E vetmja konsideroj që s’ka pas përfitime materiale është shoqata Motrat Qiriazi dhe mburrem me këtë, mburrem me aktivitetin që i kemi bërë, që i kemi nderuar emrin e atyre mësueseve të para, dhe emrin e nipit të Qiriazëve, Skender Dakos që na ka lënë amanet[9] “nderoni emrin e Motrave Qiriazi,” (buzëqeshë) mendoj që e kemi nderu.

Mimoza Paçuku: A mund të na tregoni pak për aktivitetin e organizates së juaj Motrat Qiriazi gjatë luftës?

Safete Rogova: Lufta na ndryshoi programin. Derisa kishim punuar për arsimimin e vajzave, për hapjen e shkollave, bibliotekave, tash ishte një periudhë tjetër se si të ju ndihmohet njerëzve, sidomos grave dhe fëmijëve. Meqë lufta filloi në Drenicë, shumica e grave dhe fëmijëve u vendosën në Shipol të Mitrovicës, dhe ne meqë e kishim degën e Motrave Qiriazi edhe në Mitrovicë aty ishte aktive Sanije Voca. Ne shkuam, u takuam me ato gra që ishin vendosur në Shipol, dhe vendosëm me qenë me ato gra derisa të zhvendosemi prej aty. Mirëpo, ajo zgjati aty gati gjashtë muaj edhe ne gjashtë muaj qëndrum aty me gratë dhe fëmijët e Drenicës në  Shipol.

Duke e parë që po vazhdon kjo periudha e luftës dhe fëmijët e kishin lënë shkollimin, ne filluam me i marrë lapsat dhe fletoret që mos me e harru fëmijët shkrim­leximin, sidomos këta të klasës së –I­rë, ne u bëmë edhe mësuese,edhe doktoresha,   edhe aktore, edhe çka nuk u bënë aty në Shipol. Igo punonte me gratë dhe Sanija, ndërsa unë kam punuar shumë me fëmijët, ndoshta se i doja shumë fëmijët dhe kisha dëshirë me punua me ta. Ata ishin do fëmijë shumë të lezetshëm dhe simpatikë, edhe ne fillum me   bë programe se “hajde kush po reciton më bukur”, m’u kujtua mua ajo koha ime e fëmijërisë në shkollë se “kush po reciton më bukur, kush po shkruan më bukur.” Ju kemi ble libra, fletore dhe fillova me ju bë programe të ndryshme. Igo punonte me Sanijen me gratë, sepse gratë kishin një peshë të madhe, një barrë të madhe, ose ju kishin vdekë burrat, ose i kishin lënë burrat në luftë, pra ishin gra të vetme, ato që kishin mendjen te burrat që i kishin lënë ose që si kishin. I vendosëm nëpër shtëpia, fatmirësisht në atë   kohë çdo familje shqiptare i ka hapë dyert për Drenicën dhe për zonat e luftës, kështu që njerëzit i hapnin shtëpitë e reja, me mobilie të reja dhe i kanë vendosë gratë.

Një kohë ju kemi siguruar edhe ushqim edhe gjëra higjienike, domethënë me donatorë. Sanija i ka gjetë disa donatorë në Mitrovicë që ju siguronte edhe ushqim edhe gjëra të tjera. Gjashtë muaj kemi qenë më shumë në Mitrovicë sesa në Prishtinë, dhe tu qenë afër këtyre grave dhe fëmijëve, mirëpo dita ditës zhvillohej lufta. U shpërnda lufta në gjithë Kosovën dhe filluan me të madhe me dalë, me lëshu Kosovën e me shku në Maqedoni, Shqipëri, ashtu kush kah mundet (kollitet). Ne, si familje u nisëm për Maqedoni me fëmijë dhe gra, familja jonë.

Mirëpo në zonën kufitare Igo ngeli në kufi me ju ndihmu grave dhe fëmijëve, unë isha pak më e lodhur, kisha pa shumë gjëra, isha vërtetë e dërmuar. Dola anej në Shkup, mbas tre ditëve Igo i kishte paralajmëruar të gjitha mediat, mediat e huaja ndërkombëtare,  ”që këtu po ndodhë një luftë e madhe, njerëzit janë izoluar në Bllacë[10] dhe nuk i lirojnë me kalu kufirin Maqedonë, njerëzit janë të rraskapitur pa  bukë.”Shumica nuk kishin as bukë dhe filluan ngadalë me gjithë atë aktivitet të aktivistëve të Maqedonisë, filluan mandej me marr bukën.

Kur filloi lufta, kemi qenë me gratë e Drenicës në Shipol gashtë muj’, gratë e Prekazit dhe fëmijët e Prekazit edhe në kampet e Maqedonisë, pra të gjithë kanë shkuar nëpër shtëpia, ne kemi jetuar nëpër kampe me gratë e gjithë Kosovës, jo veç me gratë   e…

Mimoza Paçuku: A po në luftën e Kosovës, apo në konfliktin e   Maqedonisë…?!

Safete Rogova: Jo, jo në Luftën e Kosovës. Me fëmijët e grave të Drenicës në Shipol gjashtë muaj kemi bërë shkollë aty, kemi bërë teatër aty, kemi kënduar, kemi bërë koncerte se kush po reciton më bukur, jeta po të shtyen me u bë gjithçka. Ndoshta na duhej neve një psikologe, ne vetë u bojshim psikologe, vet e nxjerrnim prej fëmijeve atë mllefin, atë pikëllimin që e kishin ata fëmijë. Mandej u kthjellën ata fëmijë në kampet e Maqedonisë bashkë me gratë, mandej kishin qejf gratë me u fotografu, “hajde me u fotografu” po në atë mërzi ju binte në mend.

Me 12 Qershor, Presidenca i ka ndarë tridhjetë dekorata, medalje, tituj për personalitete nga lufta, nga lëmia e artit, kulturës. Ndër ta, isha e nominuar edhe unë, edhe si aktiviste, por edhe që në kulturë katërdhjetë vjet kam luajt në teatër. Unë e kisha pregatitë një fjalë shumë të bukur, se aty ishin të nominuara Sadete Mekuli gjinekologe, Drita Begraca mësuesja e parë shqipe, Nekibe Kelmendi juriste, Melihate Ajeti aktore, dhe unë dojsha ta them: “na ka mësuar shkronjat e para Drita Begraca mësuesja, na ka lindë fëmijët, kemi lindë me doktoreshën Sadete Mekuli, na ka mësuar për ligjet Nekibe Kelmendi, ndersa hapat e para në skenë i kam mësuar prej Melihate Ajetit.” (Buzëqeshë)  E kisha radhitë tekstin kështu bukur si poezi, dhe kur shkuam me i marrë këto medaljet, presidentja “urdhëroni”, {shtrin duart përpara} unë po du me thënë   tekstin,”…urdhëroni”, “ditën e mirë” {shtrin duart përpara} por… tekstin, {afron duart  mbi gji} tekstin, tash tekstin e mbajë këtu me veti. (Qeshë) Ndoshta në ndonjë rast   tjetër me siguri kam me e thënë, por ishte koha shumë e shkurtë, agjenda ishte shumë  e shkurtë e presidentës. Më ngeli peng që nuk i thashë këto fjalë të bukura për të gjitha gratë që kanë bërë shumë për Kosovë. Të gjitha gratë e lëmive të ndryshme, por nuk  mu lejua, agjenda shumë e shkurtë.  (Qeshë)


[1] Regjion rural, malor e tradicional në pjesën veri­lindore të Kosovës, në kufi me Shqipërinë.

[2] Nëna Terezë, organizatë vetë­ndihmëse që gjatë viteve të 90­ta, në kulmin e shtypjes së Millosheviqit, mbështeti shoqërinë paralele shqiptare e cila ishte dëbuar nga institucionet dhe shërbimet shtetërore.

[3] Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, OJQ e krijuar me 1993 nga Sevdije Ahmeti dhe Vjosa Dobruna.

[4] Veshja tradicionale e grave të Hasit përbëhet nga një këmishë e shkurtë e bardhë dhe një fustani të gjatë të linenit. Pantollonat e bardha shërbejnë si ndërresa, pështjellaku ( vjen përpara dhe mrapa) mrapa ka të montuar një dërrasë druri. Jeleku është i pasur me rruaza, zakonisht të kuqe.

[5] Ramë Manaj ishte zëvendës kryeministër në 2007, dhe i takon LDK­së.

[6] Kjo është referencë për “çmimin e nuses” pagesë që i bëhet familjes së nuses nga dhënderi, zakonist pjesë e një martese të aranzhuar. Si zakon tradicional ka filluar të zbehet në kohët moderne, por prapë është prezent në disa komunitete nga Mesdheu në Afrikë, Azia Juglindore dhe Kina rurale.

[7] Politikane lidere në Kosovë prej 1986­1988, me 1988 Kryetari i Partisë Komuniste të Kosovës u shkarkua nga Millosheviçi për jo pranimin e amandamentit kushtetues që ishte imponuar ilegalisht për të anuluar autonominë e Kosovës. Nga 1996 deri 2006, Jashari ishte Kryetare e Partisë Socialdemokrate të Kosovës.

[8] Masakra e Krushës së Vogël me 26 mars 1999 në shumë dokumente është dokumentuar në shumë raporte të lajmeve dhe gjithashtu në raportin e Human Rights Watch, Under Orders (2001). Githë burrat e fshatit ishin vrarë, trupat e të cilëve asnjëherë nuk u gjetën.

[9] Amaneti në të vërtetë do të thotë testamenti i fundit, por mes shqiptarëve ka vlerë të shenjtë.

[10] Bllaca është kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë ku mijëra refugjatë ishin bllokuar për disa ditë në mars të vitit 1999, në fillim të intervenimit të Nato­s, të paaftë as të lëvizin në Maqedoni e as të rihyjnë në Kosovë.

Igo aty ka treguar shumë guximshmëri. Domethënë ne u nisëm në Maqedoni, gra,fëmijë e familjarë, ndërsa Igo ka qëndruar në zonën kufitare. Ajo ka apeluar të gjitha mediat ndërkombëtare se “këtu po ndodhë një  luftë e madhe, një luftë e tmerrshme, njerëzit janë tu vdekë në kufi edhe nuk po na  lejojnë Maqedonët me kalue.” Ajo aty u dëshmu si një heroinë shumë e guximshme,  sepse nuk ju është frikuar as policisë, as kurgjafit, ajo ka dashtë me e njoftu opinionin se këta njerëz duhet me e kalu kufirin për me shpëtu. Fatbardhësisht mbas një jave, se   kanë mujtë edhe më gjatë me na nalë aty, por e liruan kufirin dhe filluan njerëzit me të madhe. Kishin vendosur shumë kampe, por fatbardhësisht na kanë pranuar shumë familje në Maqedoni, familja ime për shembull ishte në Reçicë në  Tetovë.

Mirëpo, ne aktivistet jo vetëm Motrat Qiriazi por, Qendra e Sevdijes, shumë… Aureola, shumë organizata joqeveritare nuk kemi ndejtë nëpër shtëpia, ne kemi shkuar, kemi punuar nëpër kampe tre muaj, në atë të nxehtë, gati 40̊C ka qenë temperatura. Ne kemi qenë me ato gra, ju kemi ndihmuar sa kemi mujtë,në fakt neve na ka ndihmuar shumë Kvinna till Kvinna e Suedisë, saqë vetë aktivistet kanë ardhur, si Kerstin [Grebäck] e Rachel [Wereham] e shumë aktiviste kanë ardhur nga Suedia, për me qenë bashkë me  ne, me na ndihmuar neve për me përballu gjithë atë aktivitet. Kampet kanë qenë të mëdha, kampi i Cegranës ka pas katëdhjetë mijë njerëz, e të gjitha kampet kanë qenë  me shumë refugjatë.

Ato kampe u aktivizuan, jo më me atë pikëllimin që kishin ardhur me lotë, por filluan me qeshë ata njerëz, dhe kadaldal me marrë veten. Fati jonë ka qenë që neve na u bashkangjitën shumë donator. Na kemi qenë me ato gra, me ata fëmijë, me e zbutë atë dhembje, kishin lënë shpiat e kallura, njerëzit e vrarë dhe ishin nëpër kampe. Shumë familje nuk dishin ku i kanë të vetët. Kemi punuar me ato gra shumë, kemi punuar edhe me ato qika dhe me fëmijët kemi punu. Edhe… filluam me i mendu disa metoda se qysh me i’a ba, sepse çdo ditë kishim lajme të kqija, se u vra ky, u vra ai, u kall shtëpia, dhe   me i shti ato gra me qeshë. Kemi marrë një aktor, humorist e e kemi veshur me një kostum, dhe në mesin e kampit e kemi organizue për me ba humor, shumë herë na kanë pa për të madhe, ”ne s’kemi ardhë tash këtu me qeshë, tash është lufta“ por ju kemi  thënë “a duhet me vdekë edhe ne, se boll po vdesin atje, ti bojmë këta njerëz për me qeshë” dhe filluam tash me këndu e me qeshë, disa frizere filluan me ju rregullu grave flokët, me ju pre flokët. U shndërruan ato kampe, u aktivizuan, jo me atë pikëllimin që kishin ardhë me lotë, por filluan edhe me qeshë ata njerëz, filluan ngadalë­ngadalë me e marrë veten.

Fati jonë ka qenë që na u bashkangjitën shumë donatorë, erdhën personalisht vetë, erdhën shumë gra aktiviste nga Evropa, nga Amerika dhe na kanë ndihmuar edhe neve, sepse edhe ne ishim të dërmuara, se edhe ne si aktiviste ishim të lodhura, të   pikëlluara, edhe ne kishim nevojë dikush me na folë, dikush me na shti me qeshë. Ishin këto gratë tjera ndërkomëbtare që na ndihmuan shumë neve si aktiviste. Tre muaj i kemi shëtitë të gjitha kampet e Maqedonisë, çdo ditë kemi qenë me gra, me burra, me fëmijë, nuk kemi pas ndonjë gjë të madhe me ju dhurua, ndoshta dikujt ja kemi dhuruar një laps, një libër, grave që kishin nevoja higjienike ndonjë pambuk, ndonjë gjë kështu, mirëpo ishte me rëndësi me qenë afër tyre, ajo ishte me rëndësi. Gjithmonë në konlifkte është me rëndësi njeriu me qenë afër, ty nuk të duhet buka kur ke telashe, e harron se duhesh me hanger, ty të vynë një fjalë e ngrohtë e njeriut, ajo ka qenë motoja   jonë.

Me qenë me gra, prandaj kemi kaluar prej kampit në kamp{lëviz duart} edhe na i mësuan fytyrat ato gratë, (buzëqeshë) dhe si shkojshim thojshin “erdh Igo, erdh Safetja, erdh Sevdije erdh…” Megjithatë ne u lodhshim, u lodhshim se kur shkojshim në kamp për shembull një familje merrte vesh ju ka vra djali, dhe ata kishin pikëllim aty, dhe duhej me shku te ato,me i ngushëllu “Zoti ju lashtë shëndosh,ishalla i gjeni të tjerët,” mirëpo në brendi e merrshim dhimbjen e atyre grave, në brendi kur u kryente puna dhe që duhej me shku ne me flejtë, ne dojshim me  pëlsitë.

E kishim një xhip të madh dhe në xhip fillojshim me këndu të gjitha aktivistet, këndonim me të madhe, dojshim me u shprazë sepse ishim mbushë me vaj, mërzi, pikëllim, ishim mbushë dhe kishim nevojë me bërtitë, me këndu deri në shtëpi. Shpesh dikush kur na shihte rrugës thojshin “qëto sigurisht kanë lëvizë,” se çka kanë këto. Ajo ishte nevoja   jonë me u shfry sepse edhe ne ishim refugjate, por ne si refugjate duhej me ju ndihmu refugjatëve që ishin nëpër  kampe.

Tre muaj nëpër kampe, mendoj se kemi bërë një punë të madhe të gjitha aktivistet, jo vetëm Motrat Qiriazi, por të gjitha aktivistet. E vetmja detyrë e jona ka qenë me i vizitu ato familje, me qenë me ata njerëz, me qenë me ata fëmijë. Kishte shumë fëmijë që i kishin humbur baballarët, nanat apo edhe krejt familjen dhe ata fëmijë kishin nevojë për njerëz kishin nevojë për me ju folë, kishin nevojë me qenë afër tyre. Unë mendoj që  atë detyrë jemi munduar me e realizu nëpër kampe, me qenë afër tyre dhe tre muaj ndoshta s’kanë qenë shumë, por megjithatë më është dukur se po zgjatë shumë lufta, por fati jonë që u bë marrëveshja dhe u kthyem për  Kosovë.

Ne që ishim aktiviste na lutën edhe gratë suedeze “hajdeni në Suedi me pushu pak,” ne ju thamë, “jo se kemi me u kthy në Kosovë, kemi me u kthy me punu tash.” U kthyem, mendoj se është një periudhë sa e dhimbshme, por edhe një periudhë që kemi bërë    diçka, kemi vepruar, edhe kemi qenë shumë humane, kemi dhënë shumë prej vetës, kemi dhënë dashuri, energji. Kemi dhënë gjithçka që ato gratë ta ndjejnë vetën mirë. Normal    që ajo s’ka mujtë krejt me u realizu, por megjithëatë me e zbutë atë dhembjen e madhe   që kishin humbë aq shumë njerëz, apo që ishin djegë me  shtëpia.

Ishte periudha ndoshta pak e shkurtë e kësaj pjese të luftës, e aktivitetit tonë gjatë    luftës, por kemi bërë shumë edhe nëpër qendra të tjera ku ndodhej lufta. Igo ka qenë    më e guximshme, ajo t’u qu barna prej katunit në katun e kanë ndalë policia, ka thënë po shkoj me bë një program atje me fëmijë, me gra.” Gjithmonë i ka fshehë barnat, sepse edhe barnat kanë qenë të ndaluara, edhe unë mendoj se ajo ka qenë më e guximshme    në këto veprime. (Buzëqeshë) Unë kam qenë më e ndjeshme, kam qenë pak më   frikacake, asaj s’ja ka ndi syri hiç, ka shkuar në zonat më të vështira të luftës për me  mujtë me ju ofru sidomos barna, ilaqe. Ajo, më kujtohet me Flaka Surroin e me disa gra kështu trimëresha (buzëqeshë) Sevdije, Flora [Brovina], tash duhet t’i përmendi të gjitha ato aktiviste që kanë bërë shumë gjatë luftës, ka shumë vërtetë që kanë bërë   shumë.

Ajo [vajza e saj, Iliriana] ka shkuar në zona të luftës ku ka qenë e rrezikuar disa herë, gjatë luftës ka shkuar edhe me përkthyer me Newsweek me gazetarë. Disa herë ka qenë shumë në rrezik me u vra, por Zoti i madh e ka shpëtuar, kështu që   ajo ka qenë e guximshme. Unë s’jam shumë e guximshme (buzëqeshë) për luftën jo por ajo edhe Igo, {ngre zërin dhe hap duart} o Zoti jem, po Zoti i madh i ka shpëtu të dyjat. Iliriana po ju tregoi tri herë ka qenë në rrezikë me u vra, se ka shkuar me Newsweek nëpër zona të luftës ku është luftuar. Tri herë njërit, një xhipi të Newsweek­ut ja kanë shpërthyer gomat paramilitarët, dhe këta kanë mbetë kështu {tregon me duar xhipin duke u ulur}, kanë mujtë ata në vend me i lënë, bashkë me gazetarët, Zoti i madh i ka shpëtu. Igo ka qenë në luftë, kuku (psherëtinë) shumë është trimëreshë, ajo nëse e kanë ndalë paramilitarët edhe i kanë thënë “Gde ideš?”[1]  kjo nuk është përgjigjë “Idem”[2] {zbutë zërin} por, “IDEM AMO!”[3] {ngre zërin} edhe më fortë ah! Nuk u tremb ajo me thënë që po shkoj këtu {zbutë zërin}, edhe më shumë ka bërtitë sesa ata, edhe ata kanë thënë “që kjo nuk është mirë.” (Qeshin) Shumë është trimëreshë, shumë…

Ne motra jemi, ajo natyrë tjetër, unë jo me i pa paramilitarët, unë vdeksha në këmbë. Qe Iliriana ka qenë sikur Igo, asaj s’ju ka tremb syri, unë pak më natyrë e… {mbledh supet}. Dashtë Zoti mos të ndodhë kërkun lufta. Lufta është më e tmerrshmja. Jeta   është peripeti {lëvizë duart} ka mirë por ka edhe keq, por lufta është tmerri. Kur i kemi parë ato gratë e Drenicës, njëra po tregon, “ma kanë vrarë djalin para këmbëve, e unë e kam marrë këtë tjetrin me shpëtu,” {bën sikur po e merr dikë} nuk ka ndejtë me atë djalin që i’a kanë vrarë por ka ardhë me këtë tjetrin me e shpëtu. Ajo është një   mrekulli… hej po don me e shpëtu një jetë, atë ia kanë vrarë, dhe kur tregojshin ato kështu, ne mbeteshim pa mend. Sidomos gratë e Drenicës krejt i kanë parë njerëzit e  vetë, i kanë parë të vrarë, kjo ka marrë një fëmijë, {bë sikur po merr djalin} me e  shpëtu një fëmijë, ka hypë në kodër për me dalë anej kodrës për me shpëtu me dalë ku është… Zot mos na provo, lufta shumë e  keqe.


[1] Serb. në tekst: Ku po shkon?

[2] Serb.: Po shkoj.

[3] 24  Serb.: Po shkoj atje.

Mimoza Paçuku: A mund të na tregoni, cilat kanë qenë ëndërrat e juaja, dhe a është realizuar ndonjëra prej tyre?

Safete Rogova: Si e re, çdo e re ka shumë ëndërra, dhe gjithmonë në rini lindin ato ëndërrat qoftë në profesion, qoftë në familje, qoftë për çdo gjë. Unë isha pergatitë si fëmijë, dhe si e re që ëndërr në mendje e kisha me u bë aktore, dhe mendojsha që kam me u bë një aktore e madhe si Meryl Streep (buzëqeshë), ani… unë jam një aktore e  vogël e Kosovës. Unë u përpoqa edhe gjatë rinisë, edhe gjatë shkollimit që ta realizoj    atë ëndërr, ndoshta kisha shumë pengesa, edhe mu deshtë me bë sakrifica të mëdha që ta realizoj. Megjithatë e realizova që të futem në teatër, që të bëhem një aktore, që të  luaj sa vjet.

Mendoj që si grua gjithmonë ke ëndërr edhe fëmijët, edhe se si kanë me u dukë ata fëmijë dhe fatbardhësisht unë i kam dy lule (buzëqeshë), Ilirjanën dhe Alben, edhe ajo ëndërra ime jo vetëm që u realizu që i linda, por ëndërra ime u madhnu kur ato u krijuan dy personalitete, ajo është e bukur fortë, kur e sheh fëmijën. Iliriana është shumë e njoftun në Tiranë, në kryqendrën e Shqipërisë, atje është skenografe,   kostumografe, këngëtare është shumë e realizume, edhe unë kënaqem, tash e kam harruar veten. Tash kënaqem me të arriturat e saj, dhe si femër, se me i mbërri të gjitha këto si femër nuk është e lehtë në Kosovë, mandej aq më tepër një kosovare kur shkon në Shqipëri edhe më vështirë është. Ajo i kapërcei të gjitha pengesat,(buzëqeshë) edhe ma realizoi atë ëndërrën time që fëmijët e mi tejkalojnë, dhe ajo është më e bukur kur  fëmija yt tejkalon dhe e sheh që ka mbërri shumë më  shumë.

Shumë me rëndësi është për mua që të gjithë fëmijët e familjes tonë jemi të gjithë të gjallë. Unë jam e katërta, jemi të gjithë të gjallë, vëllai im është më i vjetër, motra ime edhe më e madhe, motrat, këto motrat më të vogëla të gjithë jemi gjallë, të gjitha jemi të realizuara, të gjitha kanë profesionin e vetë, edhe vëllezërit edhe motrat, edhe kanë familjet e tyre. Edhe ajo ëndërr që çdo familje ka qejf me pa është dëshira e prindit, se prindërit të lindin, të edukojnë, të shkollojnë edhe dojnë me të pa më mirë se    vetën.Tash meqë prindërit na kanë vdekë, qe sa vite kanë ndërruar jetë, unë jam shumë  e gëzuar që atë ëndërrën e prindërve të mi që kanë pas qejf me i shkollu fëmijët, kanë ardhë në Prishtinë për me na shkollu, me u ngritë, është realizuar, edhe ëndërra e prindërve të mi të gjithë jemi gjallë, jemi shëndoshë, jemi mirë, (buzëqeshë) jemi të realizuar po them edhe ëndërrat intime të familjes janë   realizuar.

Edhe ëndrra e profesionit tim që unë të bëhem një aktore, vërtetë Kosova është e vogël, dhe ti je një aktore në një suazë të ngushtë, ajo kishte me qenë mrekulli. Unë s’di  a ka ëndërruar Bekimi[1] ndonjëherë që ka me u bë aktor botëror,edhe ai ka pas do ëndërra, por ka menduar që ka me qenë aktor i Kosovës, dhe ëndërra e tij u realizua edhe ai e mbërrini kulmin, u bë aktor botëror, por aktorë të tjerë si Istref Begolli,  Faruk Begolli, ishin të mëdhenjë në Kosovë. Unë nuk jam e madhe sa ata, por megjithatë jam e realizuar shumë, dhe jam shumë e gëzuar.  (Buzëqeshë)

Vajzat e mia më kanë bërë surprizë në lokalin “Shtojera” s’di a e keni parasysh, lokal ku   ka qenë “Rilindja.” Qikat e mija Iliriana, Alba m’i kanë rritë fotografitë e shfaqjeve, fotot   mi kanë rritë kaq, {hap duart për të treguar madhësinë} dhe e kanë mbushë krejt lokalin me foto, e kanë bërë një dokumentar me humor për mua se qysh jam rritë qysh…   Iliriana i ka bërë në Tiranë. I kanë thirrë krejt shokët e mi, shoqet e klasës, kolegët, të gjithë njerëzit, gazetarë kanë thirrë. Mua m’thojnë atë ditë: “nana veshu ti bukur,” se    unë nuk vishem me peliçe unë i pyes “pse” ato më thojnë “shko të lutem, shko   shminkohu te frizeri.” Hajt shkova, këtu e kemi një frizer i rregullova flokët, u shminokva,  u vesha bukur dhe i pyeta “ku po shkojmë” më thanë “po shkojmë me pi kafe te “Shtrojera” dhe hajt po shkojmë po pijmë kafe te “Shtrojera.” Kur kam hyrë, kur e kam hapë derën krejt janë bërë rend kështu {tregon me duar rendin}, shokët, shoqet dhe   krejt fotografitë e kanë mbushë “Shtrojerën” dhe unë jam surprizu shumë a…(buzëqeshë) çka po ndodhë me mu? Edhe unë e dua shumë Meryl Streep dhe thash unë jam Meryl Streep.” (Qeshin) Kur hyra atje u ula në një fotele ou ou, {lëviz duart} ka qenë vërtetë bukur, ka qenë një ëndërr që se kisha menduar atë ëndërr, ajo më ndodhi atë natë. Unë u ndiva e madhe, u rrita diçka kur shkova atje, u ndijsha shumë krenare, por ka qenë shumë e bukur. Unë s’kam me e harrue atë surprizë. Krejt miqtë, dashamirët, shoqet e shkollës, krejt kanë qenë aty e ma uruan me lule. E megithatë ndonjëherë edhe pse është Kosova e vogël ke surpriza të bukura, ke realizime të bukura, ke gjëra të bukura. Ndoshta ti nuk i mendon, “A në Kosovë ndodhi kjo?,” “Po, moj ndodhi në Kosovë. ” E ka dhënë pak televizioni, por të ishte xhiruar prej hyrjes se qysh ishin rregulluar ata, si me shku në Kan, ishte një ëndërr që se kisha menduar atë ëndërr, por   që mu realizua. Ishte dita e pensionimit, i bëra gjashtëdhjetë e pesë vjet. Ato ma  realizuan, qikat e mija Iliriana dhe Alba. Ka qenë një surprizë shumë, shumë e bukur e  imja. Kështu që, ndonjëherë edhe pse s’kemi mbërri emër jashtë Kosovës e me dalë në Evropë. Aleksandër Moisiu ka qenë një aktor shqiptar shumë i njoftur në Evropë. Ai ka   folë gjermanisht, shumë pak ka ditë shqip, ai ka qenë aktori më i njoftur në atë kohë…  para tetëdhjetë vjetëve… apo Bekimi mos të foli për Bekimin, apo Ivan Mula. Është mrekullia kur njerëzit tanë mbërrijnë në botë me shkëlqy, me u bë yje. Ne, mjerisht po shkëlqejmë këtu, në këtë Kosovën tonë të vogël.  (Qeshë)


[1]Bekim Fehmiu, aktor i filmit dhe teatrit i lindur në Kosovë dhe aktori i parë i Evropës Lindore që punoi në Hollywood gjatë Luftës së Ftohtë. Vdiq në 2010.

Download PDF