Kthehen tek Dërguesi: Njëqind Vjet Kartolina nga Kosova

Këto kartolina nga Lufta e Dytë Botërore janë pjesë e koleksionit, Kthehen tek Dërguesi: Njëqind Vjet Kartolina nga Kosova. Poseduesi i këtij koleksioni, Keneth Andresen, profesor i Komunikimit në Universitetin e Agderit, Norvegji, me mirësi i ka bërë këto kartolina të qasshme për Iniciativën e Historisë Gojore me rastin e ekspozitës: Nën Radar: Kujtesa e Luftës së Dytë Botërore në Kosovë (Prishtinë, 9 maj, 2015), për ta shënjuar shtatëdhjetë vjetorin e përfundimit të luftës.

Pjesa e përparme e kartolinave pasqyron imazhe të një Kosove të mëparshme, ku ndërtesat dhe njerëzit janë të rralla; dhe imazhe të momenteve të rëndësishme, siç është momenti i hapjes ceremoniale të shkollës së parë në gjuhën shqipe nën okupimin gjerman, apo tubimi i njerëzve pas çlirimit nga i njejti okupim. Pjesa e pasme e kartolinave është shpesh e zbrazët, mirëpo kur ka diçka të shkruar ato janë në gjuhën serbe; ato na japin një fragment nga bisedat, të cilat me t’u vendosur në kontekst, shpërfaqin lëngimin për më të dashurit dhe vrazhdësinë e kohës së luftës. Ne shtuam portretet e partizanëve malazez përplot mburrje dhe skenën akcion me partizanin shqiptar në qendër.

Këtu e prezentojmë një verzion të redaktuar nga prezantimi origjinal.