Abdyl Gashi

Prishtinë | Date: 24 janar, 2018 | Duration: 6 minuta

Abdyl Gashi (1944), edukator, Prishtinë


Aurela Kadriu (Intervistuesja), Donjetë Berisha (Kamera)

Abdyl Gashi

Abdyl Gashi: Abdyl Gashi.

Aurela Kadriu: Aktivitetin e juj, domethanë çka keni punu përpara?

Abdyl Gashi: Unë kom punu thuaj tërë kohën në arsim, tërë shekullin tim të punës. Me përjashtim gjashtë vitet e fundit kom punu në Ministrinë e Arsimit.

Aurela Kadriu: A mundeni me na tregu a e kujtoni verën e vitit 2007. Qat’ verën para shpalljes së pavarësisë, qat’ vitin…

Abdyl Gashi: Verën e kuptoj… e kujtoj në aspektin e asaj që ishte nji lloj ankthi se çfarë do të ndodhë me Kosovën. Sepse mbas bisedimeve të Vjenës, diskutimeve që zhvilloheshin atje. Kjo është veç përshtypje personale. Delegacioni i Kosovës lëshoi pe si thuhet deri te gardhi ose deri te muri. Për mua ishte e frikshme se bani nuk u realizua idea e Ahtisaarit që Këshilli i Sigurimit ta pranojë pakon e tij, atëherë në bisedime do të ishte i pabarabartë delegacioni kosovar ngase nuk do të kishte ma hapësinë me lëshu pe. Delegacioni serb nuk kishte vendosë vijën limituese deri ku, çka? Edhe në të vërtetë ajo u manifestue kur filluan diskutimet, edhe nëse iu kujtohet u formulu ajo fjalia Ahtisaari plus. Edhe të gjitha bisedimet që jonë zhvillu ma vonë edhe në Bruksel e… jonë faktikisht Ahtisaari plus. Prandaj ajo ka qenë dëshira, vullneti, gëzimi që ta realizojmë pavarësinë, po në të njëjtën kohë edhe nji lloj droje se a thu çfarë do të dalë nga ajo?

Aurela Kadriu: A iu kujtohet kur e keni kuptu ose kur keni dëgju për herë të parë se Kosova ka me e shpallë pavarësinë?

Abdyl Gashi: Ajo nuk është thanë kështu në kuptimin publik të prerë, por me vetë pakon që e paraqiti Ahtisaari dhe u shtynë bisedimet e u formu, u plotësu, ndërmjetësuesin u… e zgjati edhe nji vit, ajo veç ishte nji shpresë dhe nji bindje se do të realizohet, do të realizohet. Por si dhe sa, ishte prapë pikëpyetje. E kështuqë ajo, kulminacioni i asaj ishte dita e shpalljes së pavarësisë që poashtu ishte nji lloj gjendje e tendosun se nuk dihej a do të bëhej atë ditë a jo se ajo u zgjat tërë ditën deri pas dreke. Qyteti vlonte, temperatura ishte diku me të ngri. Mandej ishte, më duket ishte edhe një varrim më duket pat’ vdekë ai Musa Sopi, edhe atë ditë më duket ka qenë varrimi e u mërdhimë te varrezat. Pra nji gjendje edhe emocionale e gëzueshme, po edhe e akullt.

Aurela Kadriu: Ku keni qenë në ditën e shpalljes së pavarësisë?

Abdyl Gashi: Në Prishtinë, në Prishtinë, në Prishtinë. Në rrugët e Prishtinës.

Aurela Kadriu: A na tregoni çka keni bo atë ditë, qysh keni festu. Komplet qat’ ditë?

Abdyl Gashi: Jemi gëzu t’u bredhë poshtë e lartë e t’u hy herë pas here nëpër kafene me u nxe se ishte ftohtë. T’u u taku e t’u u përshëndetë e t’u u përqafu me miq e me shokë e me njerëz. Besa t’u e shiqu popullin që manifestonte, lunte, vallëzonte e madhënon atë atmosferë, atë ambient.

Aurela Kadriu: A na tregon në orën 15:50 të asaj dite, domethanë kjo është ora kur është shpallë pavarësia, ku keni qenë?

Abdyl Gashi: Në shesh, në shesh.

Aurela Kadriu: Domethanë… e keni pa live, drejtpërdrejt?

Abdyl Gashi: Jo, jo. Përcillej ajo nëpërmjet ekraneve, por ajo ishte jo të nalemi para ekranit ose diku ta shiqojmë po gjatë manifestimit, gjatë gëzimit, gjatë haresë që bahej në shesh.

Aurela Kadriu: Domethanë a e keni pa ju seancën gjatë momentit që ka qenë t’u u shpallë?

Abdyl Gashi: Po, po, po. Kur është lexu. Edhe para leximit ato ecejaket e Hashim Thaçit e të Fatmir Sejdiut e të tjerëve.

Aurela Kadriu: E qysh na e kishit përshkru ndoshta si totalitet, komplet ndjenjën, komplet qat’ ditë. Përjetimet edhe të popullit, po kryesisht t’jujat personale, çfarë kujtimesh keni pasë, çka keni mendu atë ditë, për kon?

Abdyl Gashi: Kom mendue se ku ishim edhe ku mbërritëm. Edhe normal njifarë retrospektive e shkurtë e rrugëtimit që e kem ba, që të duket se është 2500 vjet e jo nji jetë njeriu. Por, nashta natyra edhe jeta na ka kriju nji, ne gjeneratën tonë që gjithmonë pak i shiqojmë gjanat edhe me nji dozë kritike, të kriticizmit edhe disa ecejake e me i qujtë në thojëza improvizime na bojshin përshtypje jo të mirë. Duhet me u respektue hierarkia, duhet me u respektu rendi e jo me u imponu vetja e parë. Për mu është gjëja më e shëmtuar e jona që gjithnji gjanat përpiqemi me i shpjegu t’u qenë vetë bosht i tyre, e jo pjesë e procesit edhe pjesëmarrës i procesit e jo strumbullar. Mirëpo udhëpërshkruesit sa e kom lexu edhe të shekujve të mëparshme e përshkrujnë se karakteristikë e shqiptarit është egoizmi i teprum.

Aurela Kadriu: A keni diçka me thanë. Po e përmbyllim këtu, pak pyetje kemi pasë. A keni diçka me thanë me e përmbyllë?

Abdyl Gashi: Po kom me thanë që njerëzit mjaft janë të zhgënjyer edhe të deprimuar, po jo për shkak, mendoj jo për shkak të asaj që nuk është nji e mbërrime tepër e madhe po për shkak se pritshmëria ka qenë shumë ma e madhe nga ne për ne, që të punojmë ma me përkushtim, ma me sinqeritet, ma me ndërgjegje, dhe mbi të gjitha në bazë  të rregullave dhe ligjeve e jo në bazë të egove edhe tekeve personale.

Aurela Kadriu: Falemnderit shumë zotni Abdyl.

Abdyl Gashi: T’lutem.

Download PDF