Angazhimi në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve: Pjesa e Parë

Nga Shukrie Rexha

Kjo është pjesa e parë e historisë jetësore dy-pjesëshe e Shukrie Rexhës, e treguar nga vetë ajo. Znj. Rexha ka lindur në Prishtinë më 1966, iu bashkua Fushatës së Pajtimit të Gjaqeve në fillimet e saja më 1990, shërbeu si udhëheqëse e Këshillit të Pajtimit në Prishtinë, dhe përgjatë të ‘90-tave ishte aktive në Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), si dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ajo jeton në Lyon të Francës, dhe kohë pas kohe organizon panel-diskutime me tema mbi Kosovën dhe Ballkanin.

Tubim i Pjatimit të Gjaqeve, 5 maj, 1990, te Bunari i Hajratit i cili u riemërua Fusha e Pajtimit në Prishtinë. Në fotografi: Milazim Sfishta, i cili fali fali gjakun e dy vllezërve të tij, Prof. Zekeria Cana, Shukrie Rexha dhe Ahmet Osmani, raportues nga Radio Prishtina.

 

Unë kam qenë studente e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, në atë kohë, pranverë e vitit 1990, dhe kam qenë anëtare e redaksisë së fletushkës “Refleksi” dhe anëtare e grupit letrar të këtij fakulteti. Po bëj përpjekje të rikthehem në kohë… më 9 mars, 1990 jemi ftuar që të takohemi në Institutin Albanologjik, për të marrë pjesë në një pajtim gjaku në fshatin Shtrubullovë të Drenasit. Kolona e veturave me studentë, ish të burgosur politikë dhe profesorë e intelektualë shqiptarë të prirë nga Profesor Anton Çetta, Akademik Mark Krasniqi e Dr. Zekerja Cana, është ndalur në oborrin e xhaxhi Beqirit, Beqir Sahitit.

Atë pasdite në odë dëgjova urtësinë, arsyeshmërinë e mbi të gjitha patriotizmin e atdhedashurinë e profesor Antonit dhe burrërinë e xhaxhi Sahitit i cili fali gjakun e djalit, Besimit, 23 vjeçar. “Qofsh faqebardhë, se i nderuari nderon” janë fjalët e Profesor Antonit që i dëgjoj si jehonë edhe sot. Ndjemë emocione të përziera me dhimbje, krenari, lotë, djersitje grushtash… që për mua, pasuan me netë pa gjumë, dhe me një betim për angazhim që kjo egjër e gjakmarrjes të zhduket nga vatrat tona.

Pas kësaj, jam ftuar nga profesor Jakup Krasniqi, që kishte grumbulluar disa të dhëna të familjeve që ishin në hasmëri, që të formojmë në Prishtinë një Këshill të Pajtimit. Mbrenda disa ditëve, të dhënat për familjet e hasmëruara u rritën dhe ne krijuam tre nënkëshilla të pajtimit për të vepruar në mënyrë më efikase. Së shpejti nënkëshillat u shkrinë në një këshill të vetëm me anëtarë, Bedri Veseli, Fatmir Brajshori, Jakup Krasniqi, Ramë Miftari, Rrahman Dini, Behram Krasniqi, Feim Salihu,  Shemsi Bajrami etj, etj. Unë jam propozuar dhe jam zgjedhur kryetare e këtij këshilli. Sa herë përmendim emra, sigurisht mund t’i hyjmë në hak ndonjërit dhe unë paraprakisht kërkoj ndjesë për këtë.

Kemi qenë të befasuar me numrin e madh të familjeve të hasmuara që jetonin me dhimbje të mëdha, familje që ishin detyruar të ndërronin vendbanim dhe nga fshatrat e Gallapit ishin vendosur në lagjet periferike të qytetit. Ne, veprimtarët e Pajtimit të Gjaqeve, plagëve e ngatërresave, me shumë  përkushtim e kemi trajtuar secilin rast, ngase secila familje dhe secila dhimbje e kishte veçantinë e vet. Shumë orë vajtje ardhje nëpër familje, shumë durim, dhe shumë kënaqësi kur familjarët që falnin gjak, n’a luteshin që t’i bashkangjiten Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve. Ne ndiheshim aq të afërt me familjarët sa arrinim të diskutonim për të gjitha vështirësitë e kohës me një dlirësi të madhe.

Në Prishtinë, pas mbajtjes së tubimit të Pajtimit të Gjaqeve më 4 maj, 1990, tek Bunari i Hajratit përafërsisht kanë qenë 200 000 të pranishëm, u vendos që ajo fushë të quhej “Fusha e Pajtimit”, ndërsa të gjithë fëmijët që do të lindin në atë javë, të emërohen Pajtim e Pajtime. Sot, kudo i takojmë fëmijët e atij viti ndjejmë një emocion të veçant. Në këtë tubim, më të madhin pas Verrave të Llukës, edhe defektologu, Nazmi Krasniqi ka falur gjakun e dy vëllezërve dhe në foltore ka thënë se gjakun e vëllezërve ia fali rinisë dhe popullit shqiptar, por kurrë Branko Mamullës, Kadijeviqit e Lubiçiqit.

Pas këtij tubimi, ku diskutimet ishin shumë përmbajtësore dhe goditëse për pushtuesin, regjimi serbosllav, ndaloi tubimet publike, për çka u detyruam të kërkonim forma tjera të tubimeve për pajtimim,  me sa më shumë pjesëmarrës. Kopshti i familjes Bajgora, afër shkollës fillore “Zenel Hajdini”, në Prishtinë, pas mbajtjes së tubimit të pajtimit, ku ishte i pranishëm edhe Profesori i nderuar Anton Çetta u riemërua “Kopshti i Pajtimit”.

Gjatë qëndrimit nëpër familje, gjatë komunikimit të çiltër, ne, veprimtarët e Pajtimit të Gjaqeve, jemi bindur se qytetarët nuk ishin të kënaqur me emrin “Vranjevc” që e kishte vënë regjimi pushtues serbosllav i kohës. “Kodër”, “Kodër e shehrit”, thoshin qytetarët, por duke pasur parasysh se lagjja jonë ishte strehë e sigurtë e ilegalëve të të gjitha gjeneratave, duke pasur parasysh se familjarët e lagjes sonë prisnin zemërhapur studentët dhe të tjerët pas përfundimit të protestave e demonstratave të përgjakshme, duke pasur parasysh se të rinjët e lagjes sonë ishin simbol i një rezistence në kontinuitet, duke pasur parasysh se në lagjen tonë u vranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha, u vra Bajram Bahtiri, u vra Ismet Krasniqi, u maltretuan e u arrestuan shumë veprimtarë.

Në tubimin e Pajtimit të Gjaqeve, të mbajtur në lagjen tonë, në fjalën përfundimtare në emër të Këshillit të Pajtimit kam propozuar që kjo lagje të riemërohet, lagjja “Kodra e Trimave”, çka u pranua me shumë kënaqësi nga të gjithë, dhe prej atëherë kjo lagje e mbanë dinjitetshëm këtë emër. Normalisht, veprimtarët e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve kanë qenë të përndjekur, janë ndaluar dhe janë kërcënuar, andaj gjithnjë është dashur që të jemi vigjilentë dhe të mos mbajmë shënime me vete, por përkundër të gjithave, aksioni nuk është ndalë dhe kjo ishte më e rëndësishmja.

Çdo rast e kishte veçantinë e vet por unë do të veçoj familjen Sfishta, dhe Nënë Sabilen e cila u burrërua dhe fali gjakun e dy djemve, njëri student i Fakultetit të Mjekësisë. Më tepër se 14 vite ka jetuar në ankth e në dhimbje. I ka pasë edhe dy djem të tjerë, që me vështirësi janë bindë që duhet me falë. Shumë orë dhe biseda të gjata janë bërë në këtë familje, qenësisht vepronim të gjithë bashkë për të arritë deri te falja.

Në fund e kam përqafuar nënë Sabilen dhe e kam pyetur, “Si po ndihesh?” “Ah”, tha,  “bija ime, po më vjen vështirë, si me e përbi bjeshkën, por për ju të rinjtë, për gjithë popullin shqiptarë po e fali gjakun e dy djemëve”. E përqafova me shumë respekt e dashuri. Më vonë i kemi takuar dy djemtë dhe nënë Sabilen dhe kemi kuptuar që po ndihen më të lehtësuar, në radhë të parë që e kanë bërë faljen e pastaj, duke mos e ruajtur më armën për njëri tjetrin janë bërë pjesë e Lëvizjes së madhe.

Gjatë qëndrimit nëpër familje që jetonin në fshat e në qytet, gjatë takimeve të para me familjet e hasmuara, kam kuptuar që presioni mbi familjet që jetonin në fshat ishte më i madh se sa në familjet që jetonin në qytet. Element i rëndësishëm ishte vendbanimi në afërsi të familjarëve. Unë jam angazhuar edhe në fshatra të Preshevës dhe në Strugë.

Ne, pasi informoheshim se familja “N”  dhe familja “N” janë në hasmëri, lajmëronim familjen e viktimës që, “Ne do të vijmë në këtë ditë”. Familja që ishte në gjak, lajmëronte vëllazërinë, miqasinë dhe shokët dhe caktonte orën e pritjes. Kur uleshim në oda, ne tregonim që ishim studentë, që kemi mbyllë librat tona dhe që kemi ardhë sot në familjen tuaj për një çështje që është më madhore se mësimi e se librat për momentin. Regjimi serbosllav është tërbuar andaj është domosdo e kohës që ne të bëhemi bashkë për ta luftuar armikun e përbashkët.

Në shumë raste kemi vërejtur dorën e zgjatur të pushtuesit. Qëllimshëm liheshin armët në disa familje, e gjithashtu gjyqi bëhej jo i drejtë. Gjakmarrja e vëllavrasja i shkonin shumë për shtati regjimit serbosllav të kohës andaj me dinakëri ushqente këtë të keqe të madhe.

Si vajzë jam pritur shumë mirë, ngase duke reflektuar shumë respekt dhe dashuri, kam ndie respektin e të gjithëve. Shpeshherë e kam filluar bisedën e rëndë dhe me shumë emocione për faljen e gjakut, plagëve ose ngatërresave. Sigurisht familjet e ndjenin dhe e kuptonin se kishim trokitur në shtëpitë e tyre për t’i ndihmuar që të lirohen prej asaj brenge. Jam e bindur se vetëm veprimtarët që kanë marrë pjesë në pajtim mund ti kuptojnë ata lotë e ofshama të familjarëve kur e falnin gjakun. Burra, gra e fëmijë të përlotur, e bashkë me ta shpeshherë, edhe ne. E kemi ndje në palcë ankthin e familjes dhe lirimin e familjes nga ky ankth kur është arritë pajtimi.

Në fshatrat e Prishtinës ka ndodhë që kemi qenë bashkë me profesor Anton Çettën, Prof. Muhamet Pirrakun, Prof. Mujë Rugovën, Prof. Mehmet Halimin, Prof. Kajtaz Rrecajn… Profesor Antoni asnjëherë nuk ka hy para nesh në odë. Me shumë respekt na ka dhënë fjalën, me shumë respekt të pranishmit na kanë dëgjuar dhe asnjiherë të vetme, nuk ka pasur mundësi të ndihem jo mirë në atë mes. Përkundrazi më është dukë që jam rritë në oda.

Në këto momente, më vjen në mendje edhe rasti i Familjes Gashi nga Prishtina. Më  4 maj, 1990, Haxhi Sefë Gashi i ka  falë katër gjaqe, gjakun e babait, të nënës, të vëllaut dhe gjakun e foshnjes së palindur, ngase Nëna e tij ishte në ditët e fundit të shtatzanisë, kur ishte qëlluar për vdekje.  Prej vitit 1963, kur kishte ndodhur rasti, Haxhi Gashi kishte mbetur vetëm në shtëpi, ishte shumë i tronditur dhe vështirë bindej se kishte ardhur koha të lirohej nga ajo barrë e rëndë dhe të falte gjakun e më të dashurve të tij.  Profesor Mark Krasniqi thoshte se, “Falja e asnjë gjaku nuk është punë e lehtë, por sot është më së lehti ngase gjaku i falet rinisë dhe popullit shqiptar e jo dorasit dhe atij që e ka bërë krimin”.

Fillimisht, Z. Haxhiu, me vështirësi na e ka hapur derën pastaj kur kemi hy brenda nuk e ka ndezur stufën për të na bërë me dije se nuk ishte koha që ta zgjasnim shumë bisedën. Kemi respektuar gjendjen e tyre emocionale dhe kemi bërë përpjekje që sa më shumë ta bashkëndjejmë dhimbjen e tij. Kur e kemi pa që nuk është në gjendje për të biseduar më gjatë, e kemi caktuar takimin tjetër. Kështu që, takimi tjetër ka qenë pak më i relaksuar, dhe kemi vazhduar vajtje-ardhjet, derisa ka mbledhur forcën për ta bërë faljen.

Në atë kohë ishte shumë e freskët pranvera e përgjakshme e vitit 1989, pastaj jehona e grevës së minatorëve, kthimi i të rinjëve shqiptarë në arkivole nga e ashtuquajtura APJ [Armata Popullore Jugosllave], dhe sidomos dhimbja e madhe që u ndje pas rënies së Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut më 2 nëntor e vitit 1989. Nëpër oda në Prishtinë dhe rrethinë, e kemi përsëritur se edhe Afrimi edhe Fahriu, po edhe Fadil Vata e shumë të tjerë, janë organizuar, kanë vepruar dhe janë flijuar edhe për të ndriçuar rrugën e çlirimit kombëtar, andaj ne jemi të obliguar që të bëhemi bashkë për të vazhduar këtë rrugë njëkahëshe. Kur ta fitojmë lirinë do të bëjmë ligj që do të mirret me këto çështje dhe do të shuhen gjakmarrjet e vëlla-vrasjet mes njëri-tjetrit. Gjakmarrja është një kancer në trupin tonë të cilin është domosdo që ta shërojmë, dhe ju duhet të jeni pjesë e kësaj lufte, bashkë me ne studentët, të rinjtë, intelektualët, patriotët shqiptarë. Ju duhet të na bashkoheshni! E thonim zëshëm duke e shikuar kryefamiljarin në sy ngase në at kohë nuk kishte mbetur alternativë. Këto gadi ishin fjalët e fundit, dhe gadi askush nuk pranonte të mbetej vetëm, i mbyllur brenda pragut të shtëpisë, duke pritur hasmin të lirohej nga burgu për të marrë hak dhe për ta vazhduar të keqen.

Represioni i regjimit serbosllav në atë kohë vazhdonte të ishte i madh, vetëm format ndërronin. Jeta e secilit ishte aq e pasigurtë. Në demostratat e 27 marsit të vitit 1989, në mes të tjerëve ka qenë i vrarë edhe i riu Ismet Krasniqi nga lagjja jonë. Aty afër kam qenë edhe unë bashkë me mijëra protestues të tjerë. Është vrarë mbi hekurudhë, me të dy duart lartë, duke thirrur “Kosova Republikë!”. Zakonisht tërheqja e protestuesve nga qendra e qytetit është bërë në lagjen “Kodra e Trimave” që ishte e banuar vetëm me shqiptarë dhe ku dyert i gjenin hapur për të pushuar e besa edhe për të fjetur nëpër familje, duke përdorur qepë kundër atij lotsjellësi që kishte erë baruti.

Kam marrë pjesë edhe në faljen e gjaqeve në Preshevë dhe rrethinë ku kemi shkuar së bashku me Prof. Musa Limanin, Prof. Mujë Rugovën, Prof. Muhamet Pirrakun, Akile Dedincën, Abdullah Zhegrovën…

Është një familje në fshatin Raincë që më ka mbetur në kujtesë. Në atë familje, kryefamiljari ishte i vrarë ndërsa ne na pritën për të biseduar për faljen e gjakut dy djemë të rinjë dhe nëna e tyre, ndërsa vajza shihej në një kthinë që ndahej nga oda me një pëlhurë të tejdukshme.

Prezantimin e bëri dhe bisedën e filloi, Prof. Musa Limani për të vazhduar të tjerët. Argumentonim arsyen që duhet bërë falja por si duket familja kishte etje për të dëgjuar edhe më shumë. Dy herë është ngritur, djali i ri për të falur gjakun dhe është alivanosur në mes të dhomës. Të gjithë bashkëndjenim dhimbjen dhe barrën e përgjegjësisë që kishte cfilitur kurrizin e të rinjëve. Ato pamje, na kanë mbetur përjetësisht në mendje. Por në fund, kur me ndihmën tonë edhe vajza ju bashkua kuvendimit, të gjithë u ndien më të fuqishëm dhe arritën t’a bëjnë faljen e gjakut. Ne ishim të vetdijshëm që nuk ishte e lehtë të kërkonim faljen e gjakut të më të dashurit të tyre, por në atë kohë dhe në ato rrethana, nuk kishte rrugëdalje tjetër. Sigurisht ata tani janë rritë dhe kanë krijuar familjet e tyre por unë ende ndjejë një drithërimë shpirti kur i kujtoj ato pamje.

Dua të përmend këtu se ne jemi pritë mirë kudo  ngase në njëfarë forme, ne ishim bijat dhe bijtë e tyre, studentë që mirreshim me hallet e tyre, me gjithë mendje e zemër. Mund të n’a besonin dhe mund të mbështeteshin në ne.  Njerëzit tanë, kanë qenë të etur për dije dhe në të gjitha bisedat kuptohej se kishin admirim për Universitetin e Prishtinës që kishte vetëm dy dekada jetë. Në kuvende pajtimesh, ishin bërë bashkë për herë të parë, studentë, profesorë, fshatarë, puntorë, priftërinjë e hoxhallarë, gra e burra, të rinjë dhe të reja dhe i çanin hallet bashkë.

Përveçse për faljen e gjakut, sidomos kur kishte shumë të pranishëmn, ne kuvendonim për represionin e vazhdueshëm që po e bënte pushteti serbosllav dhe për aktualitetin politik në përgjithësi.  Analizonim të gjithë së bashku. Bisedonim edhe për domosdonë e ndërtimit të shkollave shqipe nëpër fshatra që nxënësit mos të dërmohen duke udhëtuar kilometra të tëra. Bisedonim për domosdonë që të ndërtohen  rrugët që të ngritet mirëqenia dhe të lehtësohet përditshmëria. Diskutonim për problemet  i preokuponin që ata, dhe kështu përcillej porosia se është koha t’i besojmë njëri tjetrit në mënyrë që të gjithë bashkë të orientojmë  gjithë energjitë tona kundër pushtuesit serbosllav.

Lëvizja Gjithëpopullore e Pajtimit të Gjaqeve që e filloi veprimtarinë më 2 shkurt, 1990, dhe e përfundoi më 17 maj, 1992 ka kulmuar me tubimin te Verrat e Llukës ku ishin të pranishëm rreth gjysëm milioni  njerëz . Tytat e tankeve përreth, dukeshin si lodra fëmijësh përballë asaj skene që vlonte… Ne, si studentë që e kishim të ndaluar që të qëndronim në grupe, dhe që në përditshëri ishim  tejet të kujdesshëm se me kë po komunikonim, u gjendëm në këtë grumbull njerëzish që kishin falur gjakun e më të dashurve të tyre për t’u bërë bashkë kundër pushtuesit.

Aty kanë dalë edhe gra që kanë falë dhe që kanë kuvenduar. Ka qenë kënaqësi me i pa, gratë që ngrinin grushtin, sikur ndiheshin më të lira në rrugëtimin e përbashkët. Skenë e magjishme! Verrat e Llukës mbetet një diçka që nuk është parë me sy asnjëherë më, një tubim masiv, një unitet, një mobilizim, një zgjim i vetëdijes kombëtare, një betim. Unë mendoj që Lëvizja e  Pajtimit të Gjaqeve ka qenë bërthama e krijimit të Ushtrisë Çlirimtare.

Normalisht kur flasë pë Pajtimin, nuk mundem pa i përmendë dy nismëtaret e Lëvizjes, Hava Shala e Myrvete Dreshaj që unë i kam vlerësuar lartë për qasjen e drejtë, angazhimin dhe gjithë veprimtarinë duke mos lënë anash edhe Akile Dedincën dhe të tjerat ish të burgosura dhe veprimtare të Lëvizjes Gjithpopullore të Pajtimit të Gjaqeve.

Të gjithë ata që n’a pritën bujarisht në odat e tyre, qofshin faqebardhë, ndërsa, të gjithë atyre familjarëve që falën gjakun e më të dashurve të tyre, përjetësisht ju jemi mirënjohës.