Rexhep Bunjaku

Prishtinë | Date: 11 tetor, 2015 | Duration: 90 min.

Që t’kthehet te unë, t’bëhet kthesa 180 gradësh, që konfrontohem me Jugosllavinë ka qenë rrëfimi i qeti Jovo Bajatit se si kanë mbytur shqiptarë. Se deri më 9 Maj, kur kapitulloi Gjermania kanë vra e kanë masakruar pa gjyq. […] Nji natë po m’tregon, tha, ‘E shtrinim viktimën n’shpinë {i hap krahët dhe imiton shtrirjen}, e mbërthenim me gozhda si Krishtin edhe me hu i mëshonim krahrorit, spirra e gjakut stërpikte tavanin, ne ekzaltoheshim, hinim n’trans nga kënaqësia duke vra shqiptarë.’ […] E mbuloja kokën me batanije, qaja si fëmijë. E aty u pata betuar me zot e me djall se do t’punoj kundër Jugosllavisë. […] U ktheva n’Ferizaj. Prej Ferizajt bëra ç’bëra, dola prej OZNA-ës si i sëmurë. E luajsha rolin se jam i sëmurë nga turbekulozi. Ani se s’kam pasë kurgja. M’transferuan. […] Edhe u ktheva n’Kaçanik. Aty u bana shef i përgjithshëm i Seksionit t’Punëve t’Brendshme, n’Kaçanik. Edhe do shokë pa e ditur ishin kenë t’lidhun me Komitetin Qendror t’Shkupit, NDSH, t’Lëvizjes. Edhe ni ditë erdhi Hajrush Orllani. Rexhep…’ tha, ‘Sot do t’mbledhemi ta formojmë Komitetin e NDSH-së n’Kaçanik.’ Unë mezi që pritja. Edhe u mblodhëm, shtatë vetë. Diskutumë, e banëm programin, e formumë Komitetin e Rrethit t‘Kaçanikut NDSH.

 


Lura Limani (Intervistuesja), Rina Krasniqi (Kamera)

Rexhep Bunjaku lindi në Shkup më 10 qershor 1928. Pas inkuadrimit në Rininë Komuniste të Jugosllavisë dhe më pas në Partinë Komuniste, u caktua sekretar i OZNA-s në Kaçanik. Më vonë ai ishte një ndër themeluesit e komitetit të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) në Kaçanik. U burgos për 15 vjet dhe u lirua me 1961. Pasi u lirua, punoi si montator në Shkup dhe më vonë në Prishtinë. Jeton në Prishtinë me familje.

Rexhep Bunjaku

Pjesa e Parë

Rexhep Bunjaku: Prejardhjen e kam nga fshati Bicaj, rrethit t’Kaçanikut. Babai im i pari u shpërngul 1926-tën, n’Shkup. Pasi e ka siguruar ni dhomë aty, i ka tërheqë edhe vëllazërit edhe prindërit. Unë jam i lindur n’Shkup, 1928-tën me 10 qershor. Babai im me vëllazërit bashkë ka qenë, derisa u martuan, e vonë janë nda si vëllazër. Fëmijërinë unë, deri ’41-shën, kam qenë n’Shkup edhe shkollën fillore aty… atëherë ka qenë katër klasë shkolla fillore, e kam kryer n’Shkup. Gjimnazin, jam regjistruar n’Velik[1] n’ Medresenë e Madhe është quajtur. Ka qenë Medresja ma shumë fetare se qytetare, mirëpo me atë shkollë kemi pasur mundësi të regjistrojmë  çdo fakultet në Jugosllavi, se i kemi pasur katër pesë landë ma tepër se gjimnazi real, shtetëror.

Në ’41-shën, n’klasën e dytë ngela, lufta u shpall, Lufta e Dytë Botërore, erdhën bullgarët. Bullgarët e mbyllën shkollën, nuk mund t’vazhdoja se për shqiptarë ishte shkolla e ndaluar, te bullgarët. As puna, as shkolla normale. Deri ’44-tën kur u bombardua Shkupi, u shpërngulëm ne nga bombardimet, nga frika se ka qenë bombardim shumë i vështirë, shumë (i pakupt), me 20 Janar, kurrë se harroj erdhëm n’Kaçanik. Aty, na mbërrini liria e ashtuquajtur, erdhën partizanët. Se edhe Kaçaniku ka qenë nën bullgarë. Bile na talleshim, “Shkupi ynë, Kaçaniku i bullgarit”, se si fëmijë kemi dalur, po e presim ushtrinë shqiptare, n’41-shën.

Ee, n’44-tën u inkuadrova n’aradhat partizane, nacional-çlirimtare jugosllave. Se, për moment ishte çlirim, n’krahasim me periudhën e Bullgarisë ku s’kemi pasur absolutisht asnji t’drejtë, jo kombëtare po as qytetare, ishte për mu kënaqësi, unë e kam këndu hymnin shqiptar, n’binë n’Kaçanik. Administrata filloi n’gjuhën shqipe. Lirisht bisedonim shqip. Shkolla e parë u fillua, u hap n’Kaçanik, fillorja. Bile, m’doket ju tregova fotografinë me mësuesit e parë, Avni Hasanin, Isak Dobranjën. E mandej aty filloi periudha ime e inkuadrimit, e ma vonë e burgimit.

Kjo shkurtimisht, babën e kam pasur si tregtar nji kohë. Mandej, dështoi si tregtar e ba si nënpunës, komuna e Shkupit. Vëllazërit, njani ka kenë zyrtar, dy tjertë kanë qenë punëndihmës në ni pijetore, shpërndanin pije nëpër Shkup, Ahmeti edhe Idrizi. Kështu shkurtimisht familja e ime.

Lura Limani: E përmendët që ju keni qenë edhe n’Shkup, keni qenë…keni shku n’shkollë fillore. A mundeni me na tregu pak ma shumë për kohën pak para luftës, pra para se mu shpallë lufta edhe çka ka ndryshu saktësisht kur kanë ardhë bullgarët, n’41-tën?

Rexhep Bunjaku: Thashë se shkollën fillore, atëherë ka qenë katër klasëshe e kreva n’Shkup edhe normal serbisht, jo shqip. Atëherë ka qenë e ndaluar. E kur u regjistrova n’Medresenë e Madhe, asht‘ quajtur “Kral Aleksandër”, “Mbreti Aleksandër”, ashtu ështu quajtur ajo medrese, aty kemi pasur katër gjuhë, vetëm shqip jo. Kemi pasur serbo-kroatishten, frengjishten, arabishten, turqishten. Edhe latinishten, faktikisht pesë gjuhë. A shqip jo. Deri ’41-shën, kur erdhën bullgarët e ndërprenë edhe atë shkollë, e unë fillova t’punoj si ndihmës tregtari te do shokët e babës, deri ’44-tën kur erdhëm n’Kaçanik, aty ma filloi periudha e dytë kur u burgosa dhe fillova jetën nëpër burgjet e Jugosllavisë.

Lura Limani: E përmendët që…

Rexhep Bunjaku: Ju thashë që megjithatë ishte periudha… n’krahasim me periudhën e Bullgarisë, kur erdhën partizanët ka qenë nifarë lirie. Për neve që ishin nër bullgarë. A ata që kanë qenë n’Shqipëri, është quajtur n’Shqipërinë e madhe, n’thonjëza, ka qenë normal ma ndryshe. A për ne që ishim nër bullgarë ka qenë liria e njerëzve ablosute. Për ate u inkuadruam me shumicë n’lëvizjen çlirimtare.

Lura Limani: A mundeni me na tregu ndonji kujtim prej… gjatë Luftës së Dytë Botënore, sidomos gjatë kohës kur keni qenë hala n’Shkup?

Rexhep Bunjaku: Lura, ne n’Shkup luftën e kemi pasur për ekzistencë. Babai im çka s’ka punuar për t’na ushqyer. Se thashë bullgarët na ndaluan absolutisht edhe punën edhe shkollimin. Babai im na ka ushqyer duke punuar si kontrabandist që thonë. Duke bartë mall prej Bullgarisë n’Shqipëri, e prej Shqipërie n’Bullgari. Ka tregtua me lëkura t’dhelprave, me sheqer, me basma, me si di çka edhe atë n’kambë prej Shkupit n’Ferizaj, pi Ferizajt n’Shkup. Krejt nëpër male, nëpër pyje, duke e kaluar tinëz kufirin. Se ndryshe s’ka pasur jetesë. E vetmja mënyrë ka qenën me kontrabanda. Kështu që baba ka pasë vuajtur shumë derisa na qiti n’dritë, t’themi. Ne kemi qenën n’Shkup, familja e ngushtë. Baba, nana, unë me dy vëllazër edhe dy motra. Pesë fëmijë. Dy vëllazër m’kanë vdekur si fëmijë. Bile është interesant se ata vëllazërit e mij i ka mbytë ni mjek. E është kapun n’44-tën, i kishte… me 58 fëmijë i ka helmosur, i ka mbytur n’Shkup, ni sërb, mjek. E bullgarët e kanë kapur. Tashti jeta jonë ka qenë me t’vërtetë tmerr. Si gjithë shqiptarëve, jo vetëm neve (qeshë). Që jemi mësuar t’vuajmë, jo t’kënaqemi.

Lura Limani: Po, po pa dyshim. Kur dolët n’Kaçanik a kanë qenë… kush ka qenë n’fillim n’Kaçanik? A ka qenë Kaçaniku i pushtumë prej gjermanëve apo italianëve? A ka qenë veç i çlirumë prej komunistave?

Rexhep Bunjaku: Kaçaniku?

Lura Limani: Po, n’44-tën.

Rexhep Bunjaku: Po unë thashë se… e n‘Kaçanik prejardhjen e kemi nga fshati Bicaj, rrethit t’Kaçanikut. E n’44-tën erdhëm nga bombardimet anglo-amerikane, e patën bombardu shumë keq Shkupin edhe nga frika u shpërngulëm n’Kaçanik te do farefis i babës. Kjo ka ngjarë n’janar, aty ngelëm deri n’nëntor kur u futën, u fut’ ushtria bullgare, e pas ushtrisë bullgare edhe partizanët. Është interesant se Kaçaniku nuk ka pësuar ndonji dam të madh prej partizanëve. Atë fatkeqësi e patën fshati Bllacë, n’Elez Han t’Kaçanikut. Se aty ka qenë shtabi i vullnetarëve shqiptarë që kanë luftuar kundër partizanëve. E kur u kthyen partizanët, i kanë masakruar 128 n’fshatin e Bllacës. A na n’Kaçanik nuk kemi dhanë asni fli, interesant, asni viktimë nuk ka ra n’Kaçanik. Se kanë kenë do burra si Shukri Dogani, Fuad Spahiu, që kanë dalë i kanë pritë partizanët edhe i kanë garantuar se nuk do t’kenë kurrëfarë dami. Ashtu n’Kaçanik nuk ka ndodhë asni vrasje, asni pushkatim. E n’Bllacë po.

Bile është interesant ni rast, duke kenun unë në Idrizovë, kazamati i Idrizovës ka qenë ni serb i fshatrave  t’Karadakut t’Shkupit. E m’tregonte ni rast, ka shkuar ni nanë shqiptare, ja kishin marrun tre djemë. Djali ma i vogël 15 vjeçar. E shkon te komandanti i aradhës partizane, thotë, “Ju lutem, ani këta dy bani çka doni. Këtë ma voglin, a po ma falni?” Vera Aceva, ishte komisare e brigadës. Thotë, “Çka po thotë kjo?” N’atë aradhë ka qenë nifarë Qefsere Shukriu, vajza e Hasan Shukriut, shkupjane. N’kafet e babës t’saj edhe është organizu demonstrata e ’41-shit kundër bullgarëve. Po kjo është interesant. E pyet, thotë, “Çka po thotë kjo grua?” atë Kefseren. Thotë, “Po kërkon t’ia falish fëmijën ma t’vogël.” Thotë, “Po, kush është ai? Le t’vjen këtu.” Ja binë djalin. Para nanës e nxjerr revolen edhe e vret djalin. Me dorën e vet, Vera Aceva. Kjo ishte një episod i shkurtër e asaj periudhe.

Po thom, n’Kaçanik kur erdhën partizanët ishte një ndryshim i madh n’krahasim me kohën e bullgarëve ashtu që u inkuadrumë me t’madhe n’aradhat partizane. Ka qenë edhe n’mars, prill, brigadat jo sulmuese qi e patëm ni shpresë t’madhe… deri n’maj ka qenë. N’maj u shpërngulëm, shkuam me urdhër. Bile unë me komandant komisarin haptas kam pasë biseduar se isha oficer i OZNËS. Se mua partia komuniste m’caktoi si sekretar i OZNËS. A OZNA ka qenë ni institucion gjakpirës. Mirëpo po thom’, ka qenë s’ka ndodhë asni vrasje, fati.

Edhe po thom’, “Pse bre s’po insistoni t’bashkohemi me Shqipëri?” Ata, “Bunjak, amam, amam mos!” Se kishin frikë prej oficerit t’sigurimit, SHIK-ut. Ishte atëhere ni ortodoks shqiptar, “Aman Bunjak mos…” Normal, unë i ri, pa përvojë, entuziast, idealist, po kërkoj bashkimin me Shqipëri, n’atë kohë (qeshë). Ata shkunë mandej, ne ngelëm deri sa e formuam Komitetin Nacional Demokrat Shqiptar, n’prill n’46-tën. E mandej periudha pse u inkuadrova n’atë lëvizje.

Lura Limani: Para se me vazhdu kisha pasë qejf, se shumë mirë që e përmendët se ju iu keni bashkangjitë partizanëve sapo kanë hy n’Kaçanik. A jeni regjistru në parti, a keni qenë anëtar i partisë, a si jeni bo’  për shembull sekretar i OZNËS? Si ka shku rekrutimi du t’them?

Rexhep Bunjaku: Jo, unë me partinë komuniste kam qenë i njohur si nxënës i Medresesë t’Madhe n’Shkup. Kemi pasë disa shokë që kanë kenë t’inkuadruar n’partinë komuniste. Mirëpo unë s’kam qenë. Se kam qenë i ri n’atë kohë. 13 vjeçar ’41-shën kam pasur kur erdhën bullgarët, n’moshën 13 vjeçare. Mirëpo kur erdha pra n’Kaçanik, atëhere na organizuan, na… me një fjalë na mobilizuan. Ja Komandën e Vendit, se çdo qytet kur hynë partizanët, menjiherë e formonin Komandën e Vendit. Edhe ne u inkuadrumë qaty.

E unë si i ri, me perspektivë, edhe rrallë kishte intelektualë, a edhe n’moshë (i pakuptim.) me tetë vjeçare. Edhe ne tre vetë qe e kemi formu Këshillin e Rrethit n’Kaçanik, kemi qenë ma t’shkolluar n’atë kohë. Llogaritni! Bile është interesant ni periudhë, ka kenë kryetar i Komunës t’Kaçanikut Ilaz Hoxha. Dhe unë po ia çoj ni shkresë, se unë isha n’Këshillin e Rrethit me Halim Misinin, Halim Sopa. Thashë, “Baci Ilaz qe këtë…” “Bunjak…” tha, “Po m’merr n’qafë.” Llogaritni ai kryetar i Komunës e ka ditë vetëm shkronjën “i” edhe ata çirilicë {e imiton shkrimin e shkronjës me dorë}. A e kupton ku a’ puna? Ja bënte, “Jaz mulla Ilaz, tetë mulla Vesel, prite ku po del.” (qeshë) Ai ka qenë kryetar i Komunës. Llogariteni se n’çfarë periudhe kemi jetuar e n’çfarë kushte kemi jetuar. Se s’kemi pasur njerëz, jo me fakultet, rrallë kanë qenë me fakultet, rrallë. Kaçaniku s’ka pasë.

Kështu qi unë aty u inkuadrova e ma vonë kur u formua OZNA, serbisht Odjeljenje za zaštitu naroda ose Seksioni Protus Popullit. E une e mora këtë tekstualisht që Protus Popullit. S’ke… nuk patën sekretar, e unë ndërkohë u pata pranuar n’rininë komuniste, SKOJ është quajtur, Savez komunističke Jugoslavije, Savez komunističke omladine Jugoslavije, SKOJ… Rinia Komuniste e Jugosllavisë. E pas saj, m’pranuan edhe n’parti. E Komiteti i Rrethit t’Partisë Komuniste Jugosllave, me vota m’caktunë mu sekretar i OZNËS. Edhe unë nuk dija çfarë institucioni është. Mandej, e deri n’korrik m’doket apo gusht, me këta dy mësusë, Avni Hasanin edhe Isak Dobranin, ne përditë kontaktonim dhe ndonjiherë e çonim edhe nga një gotë. A Avni Hasani luante n’harmonikë bukur.

Edhe atë natë që do t’burgosen, deri n’dymbëdhjetë ishim bashkë. Shokë t’ngushtë, ditë e natë me te. Kthehemi, n’ora n’njimbëdhjetë e gjysmë n’natës cingërron telefoni. Unë çohem, normal sekretar, shefi flente. E thotë, “Prano telegramin.” Telegrami ka qenë me shifra, jo me shkronja. Unë i dija përmendësh atë…ato shifra. Edhe po thotë, pe përkthej shqip, “Të burgosen me nji rende udhëheqësit e Ballit Kombëtar, Avni Hasani, Isak Dobranja dhe t’përcjellen për n’Ferizaj”. Unë u tmerrova, shokë t’ngushtë! Si t’i burgosi? Po jam duke menduar, i hutuar, ai n’telefon, “A e kuptove?” tha. “Po”. “Shpjegoma prapë!” Unë tash prapë me shifra por, i dija. Ata edhe u habitën si po dija edhe përmendësh. Këto u banën shkaktarë që m’transferuan mua n’Ferizaj. Edhe unë tash mendoja çka t’baj. A mos është kjo grackë? Nuk jam i bindur çka, pse? Pse po burgoseshin, thosha ballista?! I njifja te dytë. Edhe e çova atë shefin, thashë, “E kemi një telegram.” Ja përktheva “Da se uhapse Ballisti (i pakump.)”. Ai e lexoi. Unë rashë me shpresë që nuk do t’më zgjon mua po do t’shkoj vetë t’i burgoste. Le ta then qafën.

Sa m’kishte kotë gjumi, po m’çon, “Çohu!” Me automat n’krah, i veshur, i mathun. Unë thashë, “Pse bre?” “Po t’i burgosim more ata.” Thashë, “Lere be pashë… çfarë ballista. A je n’veti? Po deri para ni ore a pimë bashkë?” “Çohu more!” tha, “A je çmend a çka? A je normal ti?” U çova, ushtar, si ushtar u vesha. Revolen e kam lanë, s’pe marrë me veti. Tha, “Revolen…” Thashë, “Jo, nuk m’vynë mu revolja.”

Kur po dalim jashtë, ni togë ushtarë i kishte organizuar. Thashë, “Çka bëjnë këta ushtarë?” Po tha, “A je ti n’veti o? A po shkojmë t’i burgosim?” (I pakup.) Ata djemë janë tregtarë” thashë, “Çka po… a je n’veti o?” “Hajt…” tha, “Mos fol shumë.” Kemi shku. E kam lanë mitralozin n’oborr t’shkollës, te dera e hyrjes. Nji me automat nër dritare, se ishin n’katin e dytë. E kanë pasë ni dhomë n’shkollë be … Tash n’atë vend është ni shumëkatëshe n’Kaçanik, e kanë shemb atë shkollë. Edhe te hyrja, nji me automat. Edhe e kanë rrethu krejt shkollën me ushtarë. Aty e kam pa se dinë ta vleresojnë lirinë e vet, t’ashtuquajturën n’thonjëza për neve liri.

Na shkumë, apet ky e ka nxjerrë revolen. Thashë, “Fute bre atë fotrollë çka… mos u banë axhami.” Tha, “Hajt bre ec!” Kemi shku n’derë, tak tak po trokis, e hap Avniu. “Kush është?” Thashë, “Unë be Avni.” Tha, “Çka deshte, na para ni ore u ndamë.” Thashë, “Do ta shohish.” Unë vetë i pesë qindti u bëra. E ka çelë derën, ky e pa edhe e futi {imiton futjen e revoles në këllëf}. “Shokë…”tha, “N’emër t’popullit jeni t’burgosur.” Avniu filloi t’dridhet. Isaku pak ma trim ishte. U veshën, u mathën, çelësin e dhomës ma dhanë mua.

Edhe kemi dalun Isaku, unë, Avniu, Rajko Vidaçiqi, shefi im. A xhaxhai i tij ishte sekretar i Komitetit t’Rrethit t’Partisë Komuniste Jugosllave n’Kaçanik. Ja kam harru emrin edhe ai Vidaçiq. M’doket Vida se nuk e di, nuk jom i sigurt. Thashë, “Isak, pashë zotin…” Ja Isaku po thotë, “A s’po ta bajnë ni brigadë be Rexhep a? Vetëm ni togë?” Thashë, “Mos ja nxjerr’ fundin, jam vetë i pesë qindti, hesht pashë zotin Isak.” Kemi shku i kemi burgosë në ni dhomë me kashtë. Edhe unë po mendoj, “Çka t’baj?” Shkova i mora nja dy batanije, n’dhomën e tyre, erdha ua dhashë. Se Rexhep Bunjaku pas një vjete do t’jetë 15 vjet jo n’kashtë po n’beton, pa shtrojë e pa mbulojë, se kam menduar. (qeshë)

E t’nesërmit erdhën i morën. E mora ni bukë, ni gjysmë kilogram djathë, e futa mrenda ua dhashë. E kur u takuam n’Nishë, i gjeta atje n’Nishë, thanë “E kemi ditë që do t’vishë, po jo kaq randë.” (qeshë) Tha, “Na ka shpëtu jetën ajo buka Rexhep.” E mandej vazhdojmë periudhën e formimit t’Komitetit NDSH-së edhe burgosjen.

Lura Limani: Po, po. Kjo ka qenë domethanë n’45-tën?

Rexhep Bunjaku: A këto i tregova se shkaku për t’më transferuar n’Ferizaj ka qenë telegrami se si mund unë t’i dija ato shifra përmendësh, 30 shkronja. Se çdo shkronjë ka qenë nga dy shifra. Po unë mirë jam, për mu ato s’ishin problem. Kështu.

Lura Limani: Domethanë kur jeni transferu n’Ferizaj ju kanë ndërru edhe postin, keni qenë automatikisht…

Rexhep Bunjaku: E n’gusht ’45-tën pas këtij rasti m’transferunë n’Ferizaj.

Lura Limani: E n’Ferizaj çfarë detyre keni pasë?

Rexhep Bunjaku: N’Ferizaj t’njejtën detyrë, sekretar. Edhe unë isha i Qarkut jo Rrethit, sekretar i Qarkut t’Ferizajt. Aty shef e kisha Vujsa Sekulluviq, ishte student dhe një kriminel që zëvendësi i tij Jovo Bajat…

Lura Limani: Jovo?

Rexhep Bunjaku: Jovo Bajat. Naçallnik[2] e kem pa… e kam pasë Ali Shukriun. Naçallnik i OZNËS së Qarkut. Ali Shukriu, kasapi i shqiptarëve. U bo mandej prokuror publik për Kosovë. Edhe i ka dënua me qindra njerëz për pushkatim.

Ditë për ditë, një ditë po m’trokitë Jovo Bajati… Që t’kthehet te unë, t’bëhet kthesa 180 gradësh, që konfrontohem me Jugosllavinë ka qenë rrëfimi i qeti Jovo Bajatit se si kanë mbytur shqiptarë. Se deri më 9 Maj, kur kapitulloi Gjermania kanë vra e kanë masakruar pa gjyq. E atëhere pasi kapitulloi Gjermania erdhi urdhëri, “S’ka pushkatim ma, s’ka likuidime pa gjyq.” Nji natë po m’tregon, tha, “E shtrinim viktimën n’shpinë {i hap krahët dhe imiton shtrirjen}, e mbërthenim me gozhda si Krishtin edhe me hu i mëshonim krahrorit, spirra e gjakut stërpikte tavanin, ne ekzaltoheshim, hinim n’trans nga kënaqësia duke vra shqiptarë.” Unë, “O Zot…” po mendoj, “A është ky njeri normal a çfarë bishe asht’?” Mirëpo si t’reagojsha, limeren e tyre. U futa, n’limeren e bishave. E mbuloja kokën me batanije, qaja si fëmijë. E aty u pata betuar me zot e me djall se do t’punoj kundër Jugosllavisë.

Edhe u sëmura ndërkohë e shkova n’Shkup, familjen e kisha n’Shkup. U takova me Kemajl Skenderin. Vëllau i tij ka qenë shoku im i ngushtë. Nga fëmijërija, se në nji mallahë kemi qenë. Shkova që t’interesohem për shokun, vëllaun e tij, Alushin e ka pasë emrin.  Ai ka qenë n’Bosnje ushtar. Ndërkohë, si u hap fjala, edhe ai lirisht po… duke m’njoftë se kush jam, megjithëse unë sekretar i OZNËS, një institucioni gjakpirës, lirisht foli se n’Shkup është formua nji Lëvizje për Bashkimin e Kosovës me Shqipëri. Jo t’Kosovës, po t’trojeve shqiptare në Jugosllavi me Shqipëri. Po duke u bazuar n’atë dokumentin e Kombeve të Bashkuara për t’drejtën e vetëvendosjes. Aty, mbështeteshim ne.

Edhe ni ditë a dy, pastaj shkova prapë n’vizitë te ai, e gjeta Hamdi Berishën aty. Unë nuk e njifja. Hamdi Berisha, e luante rolin e koordinatorit mes Komitetit Qendror t’Lëvizjes Nacional-Demokrate Shqiptare dhe Komiteteve n’Kosovë. A babën e tij edhe vëllaun e tij ja kanë pushkatuar n’44-tën pas luftës që u zhvillua n’Gjilan. Vullnetarët shqiptarë me Mulla Idrizin, sulmunë Gjilanin e nuk patën sukses, u zbrapsën, e kur hynën partizanët kanë ba nji kërdi t’madhe. Afër tetë mijë shqiptarë u masakruan n’atë kohë n’44-tën. E n’mesin e tyre edhe baba edhe vëllau i këtij Hamdi Berishës. Bile është interesant, vëllaun e Hamdi Berishës, Esat Berishën, intelektual i rrallë, jurist i diplomuar mirëpo anëtar i Lidhjes së Dytë t’Prizrenit, ju e dini Lidhjen e Dytë t’Prizrenit që u formua n’Prizren, ja kanë ça me bajonetë barkun. Ja kanë mbushë me prush t’hangarit. Ashtu e kanë mbytë. E ky Hamdi Berisha ma vonë e revidoi qëndrimin, u ba komunist n’burg edhe doli n’shkallë publikisht tha, “Babën e vllaun i kam pasë reaksionarë, prandaj janë pushkatuar.” Ky Hamdi Berisha.

E u ktheva unë Kaçanik, pasi që u shërova pak. U ktheva n’Ferizaj. Prej Ferizajt bëra ç’bëra, dola prej OZNËS si i sëmurë. E luajsha rolin se jam i sëmurë nga turbekulozi. Ani se s’kam pasë kurgja. M’transferuan. E sekretari i rrethit, me një shkresë m’kërkoi mua prej OZNËS t’Maqedonisë. Se mu m’tansferunë prej OZNËS së Ferizajt n’OZNËN e Maqedonisë. Ate, ja dorëzova ate, e ai naçallniku, kryeshefi, tha, “A do t’kthehesh n’Kaçanik?” “Po do t’kthehesha” thashë, “Se ajri më i pastër, jam i sëmurë.” Tha, “Mirë.” Edhe u ktheva n’Kaçanik. Aty u bana shef i përgjithshëm i Seksionit t’Punëve t’Brendshme, n’Kaçanik. Edhe do shokë pa e ditur ishin kenë t’lidhun me Komitetin Qendror t’Shkupit, NDSH, t’Lëvizjes. Edhe ni ditë erdhi Hajrush Orllani, “Rexhep…” tha, “Sot do t’mbledhemi ta formojmë Komitetin e NDSH-së n’Kaçanik.” Unë mezi që pritja. Edhe u mblodhëm, shtatë vetë. Diskutumë, e banëm programin, e formumë Komitetin e Rrethit t‘Kaçanikut NDSH.

Edhe pas nja tre katër muajve Hamdi Berisha erdhi n’Kaçanik. Edhe unë s’po e di që është n’ilegalitet. T’më kishte thanë “O mor’…” isha ruajtur. Ai dy tri netë buajti tek unë n’Kaçanik. Edhe po luajmë ne futboll, lirisht me te. Ditën e tretë po e përcjelli n’tren edhe n’tren e kishin përgatitë, e ka burgosë. Unë s’po di kurgja. Po kthehem, po di se Hamdi Berisha ka shkua n’Ferizaj, ka shkua n’Gjilan edhe n’Prishtinë. Pas nja dy javë dite, pata bo fjalët t’mi gjejë disa plumba sepse e kisha revolen, po pa plumba. Vetëm dy plumba i kisha n’revole. Tha, “Unë t’i jap te Lazër Josipi,” vëllau i Katarina Josipit, artistes. Me te kam pasë kontakte. Edhe unë vij. Kuku kur m’ka pa Lazëri, “Hajvan, çka po ban?” Thashë, “Çka t’gjetë more, çka kije?” Tha, “E kanë burgosë Hamdi Berishën!” Auuuu {e hedhë shikimin te poshtë}! Tha, “Shpejtë ik!”

Unë nuk prita dy here t’më thotë. N’tren, n’Kaçanik, u vesha, u mbatha edhe n’Shkup shkova me qëllim që t’iki n’Greqi. Mirëpo, lidhjen që e kisha unë… ka kenë ni shok i babës tim, Mehmed Ali Gashi, i Gjilanit, ndërkohë ndodhej n’Beograd. Unë i humba lidhjet. E takohem me Azem Moranën. Azem Morana ka qenë sekretar i Komitetit Qendror i Lidhjes Nacional-Demokrate Shqiptare, Lëvizjes Nacional-Demokrate Shqiptare. Te… rreth Vardarit. Edhe pe përshëndesi, e pashë se është si i humbur. “Azem…” thashë, “Çka kije?” “Rexhep,” tha, “E kanë zanë Hamdi Berishën e ai duke i ditë torturat e UDB-së do t’tregon krejt.” Thashë, “Po çka t’bajmë? A t’ikim?” “Jo!” tha, “Unë nuk iki Rexhep.” Tha, “Do ta lidhi fatin tim me popullin tim.” Tha, “Por ne filluam, e kemi ba gati terrenin, e nji kohë do t’del n’shesh puna e jonë. A tash për tash, e humbëm luftën.” E mendova unë, kur Azem Morana nuk ik, pse unë t’iki? Kthehem. N’atë n’atë m’burgosin. A mezi s’kishin pritë. M’kishin ndjekë gjithkah po s’më kishin gjetë.

Edhe unë qëllova… ka qenë muaji gusht, 15 gusht. Jo, 16 gusht kur m’kanë burgosur. Ditë e premte. Ka qenë Ramazan. Unë me pantollona t’verës, me nji këmishë me mangë t’shkurtëra. Muaji gusht! Duke shëtitur erdhi njani, tha, “Bunjak, diçka t’pyes.” Ajo pyetja zgjati 15 vjet e 25 ditë. M’kapën, m’burgosën.

Pesë muaj unë kam qenën pa këpucë, pa çorapa, pa shtrojë, pa mbulojë. Me qat’ këmishë me mangë t’shkurta edhe dimrin e kam kaluar, deri sa u bëra 20 kilogram. Si dhe kam pasur fat…  e kam humbë veten. Fati im erdhi nifarë Esat Lubishta, e ate e pata njohur n’45-tën. E gjykonin nifarë Shaban Smirën, ai ka qenë kontra-çetnik i thoshin. Bullgarët i patën formuar do aradha t’armatosura kundër partizanëve. I quajshin  kontraçetnik. Kontra çetnikëve serbë. Edhe, e mbaj mend, unë isha prezent aty duke e gjykuar Shaban Smirën. Ishin mbledhë serbët si e kanë zakon. Piskatnin, “Smrt! Smrt! Smrt!” U çu ky Shaban Smira… ky Esat Lubishta. E ka pasë ni mantil, ngjyrë vjollce. Kurrë se harroj! “Šta se…?” Trim, unë s’ka pa me t’vërtetë ma t’madh. Tha, “Çka ju ka ba ky njeri be? S’po ju vjen turp! Smrt, smrt! Po vetëm t’mira keni nxjerrë prej tij be.”

E atë njeri ma prunën n’dhomën time. Unë i alivanosur. Edhe m’thanë mu, “Ti gjallë dalë prej burgut, jo!” Dhe me t’vërtetë kisha vdekë. T’mos ishte Esat Lubishta edhe n’Zot që e prunën Esat Lubishtën, unë isha vdekur. Ai po e ndijë, m’kishte marrë n’prehën edhe po qanë.  A nuk më njifte. A unë po. “O, djali im! O, sokoli i  babës çka t’paskan bo! O, djali im!” Edhe lotët e tij n’faqe {i prekë faqet me duar}. Jam zgjua, po e shikoj. E ai me ushqimin e vetë, dalëngadalë, m’ka ushqye, m’ka marrë nër sjetull, m’mëson të eci. Për dy javë ditë unë u qova n’kambët e mia. Pas një muaj dite e liruan Esat Lubishtën, po unë u shërova. Me bukën e tij, kafshatën e tij!

Është interesant, atë ditë që do t’lirojnë at’, atë natë po e shoh n’andërr. Po vjen gardiani, pe çelë derën edhe po e pyet, “Si quhesh?” Thotë, “Esat Lubishta.” Thotë, “Merri teshat edhe dil jashtë.” Pa e krye unë andrrën time, vjen gardiani, e pyet edhe e qet’ jashtë {qeshë}. Interesant! Atij edhe zotit që unë sot jam gjallë. I bëra 87 vjet, falë qatij Esat Lubishtës. Zoti e bekoftë, atë dhe familjen e tij! Po e shfrytëzoj rastin.

Kjo… kjo periudhë e… mandej mund të vazhdojmë edhe kur erdha n’Prishtinë.


[1] I intervistuari don të thotë velika, në serbo-kroatisht e madhe.

[2] Nga fjala serbe načelnik, shef , udhëheqës

Pjesa e Dytë

Lura Limani: Po para se me vazhdu që ju kanë çu n’Prishtinë, n’burg, deshta me ju pytë a ju kanë torturu kur ju kanë bur… kur ju kanë arrestu n’fakt, n’Kaçanik?

Rexhep Bunjaku: Paj… Lura, turturë e tyre ka qenën ftohti dhe uria. Ne kemi pasë 150 gramë bukë edhe ni here ujë valë. Jo gjellë, po ujë valë. Me qatë ujë… ka qenë ujë edhe për ta larë fytyrën edhe pë t’u la krejt. Trupi im s’ka pa ujë shtatë mujë ditë. Unë kam qenë krejtë dregëza, trupi im. Pa shtrojë, pa mbulojë. Llogariteni tash, njeriu thotë, “Hajt çka, punë e madhe!” Le t’provoj njeriu verës, jo dimrit. Le t’flejë n’dyshek, jo n’dërrasa e n’beton, pa shtrojë e mbulojë a duron a jo. E unë 15 vjet kështu kam durua. Mirëpo, derisa ma gati kapitullova. Normal! Edhe trupi, organizmi ka kufijtë e vetë. Mirëpo isha i ri! 18 vjeçar! Edhe i përballova disi. Po falë po thamë prapë, Esat Lubishtës edhe zotit që e pruni Esatin n’dhomën time. Se unë kisha për t’vdekur.

E pasi i kryen formalitetet, edhe na bashkunë. Ndërkohë, ditën e parë që na bashkunë erdhi shefi i UDB-së për Kosovë. Kur m’ka pa mua… se m’njifte. Tha, “Çka don ti n’mesin e këtyre njerëzve të ndershëm, be ti armik i përbetuar i Jugosllavisë? Marsh, n’vetmi!” N’qeli normale, m’ndanë mua. Edhe, shokët m’i quan n’Gjilan, n’gjyqin e Qarkut, a mua n’gjyqin Ushtarak n’Prishtinë. Pas shtatë dite, me nji frorë, shkurt, m’kanë çua me 7 shkurt m’kanë qitë n’gjyq. Edhe mrenda dite, m’gjykuan për vdekje. M’i prinë prangat n’kambë. Por që nji detaj! Gjyqi ka qenën… gjykimi im ka qenë tinëz. Sekret. Pa publik. Mirëpo baba m’kishte pa. Kishte ardhë t’më bien ushqim, m’kishte pa duke m’dërgua edhe prapa… Unë pa e ditun e kishin lirua babën mrenda.

Kur m’kanë gjyku për vdekje, edhe po m’pytë ai kryetari i gjyqit, “A je i kënaqur?” Për vdekje po m’gjykojnë edhe a jam i kënaqur! Edhe unë po shikoj mbrapa { e kthen kokën mbrapa}. Kur  e pashë, babën. Uuu, normal u preva. M’erdhi keq, prind. Thashë, “Unë jam i kënaqur. Tash jeni në pyetje a jeni ju t’kënaqur?!” Edhe thashë, “Ju lutem, a ban vetëm ta shoh babën tim?” “Po” tha, “Përqafime jo!” “Ani,” thashë, “E di.” U afrova, baba po qanë. Prind, normal. Thashë, “Mos qaj be burrë!” thashë, “Se nuk t’kanë hije lotët. I ki edhe dy luaj.” Edhe dy vëllezërit. “Ah, more bir!” tha, “T’isha n’vendin tand edhe unë i kisha fol këto fjalë. Po jam prind!” Kurrë s’i harroj këto fjalë. Unë nuk isha prind. Eh!

E, kur m’kthynë prej gjyqit, me nji rendi magjupi po m’pret n’pranga. Prangat prej otomane. Njimbëdhjetë kilogramë t’randa (hesht). M’i mbërtheu me thumba. Si n’farkatore. Besomni, magjupi po m’i mbërthen edhe po qanë. Edhe unë erdha, kur hyra n’dhomë, m’panë ata me pranga, e ditën se jam për pushkatim. Erdhi ni burrë, tha, “O Bunjak be, e mbafsh’ me nder!” Thashë, “Sa t’mundem be burrë, do t’i mbajë me nder.” Kohë pas kohe… Gjyqi Suprem Ushtarak, ma vërtetoi prapë për vdekje. Edhe erdhi ai prokurori, tha, “Çka po mendon?” Thashë, “Çka kam t’mendoj!” Thashë, “Çka, ju edhe ate!” “Po” tha, “Për vdekje, prapë!”

E, erdhi ma koha t’më pushkatojnë, normal. Ishim pesë vetë për vdekje aty. Ishte Mulla Ramadan Govori, nji hoxhë. N’moshën dyzet e sa vjeçare. Ishte Isuf Visoka, nipi i atij Visokës t’njohur n’historinë tonë. Abdurrahman Gërguri, Sabit Qazim Llashtica edhe unë. Pesë ishim.

Po kur u afruan ditët e mija për pushkatim… ma priteshte çdo ditë, erdhi ni plak. “O Bunjak!” tha, “Moti nuk je larë. A ban t’lahesh?” Edhe unë po mendoj që e kanë qëllimin të… të m’humbin kohë. T’mos angazhohem, t’mos preokupohem n’atë moment t’pushkatimit. Tha, “More burrë! Ky s’paska pa shtatë muaj ditë ujë.” “Po si t’lahem me pranga n’kambë?!” Tha, “Oo, mos u mërzit për ate.”

Lura, të m’kishin thanë, “Shko n’shtëpi, zhvishu,” s’kisha ditë, pasha zotin! Mirëpo ky popull n’pranga ka jetuar gjithë jetën, i kam zgjatë kambët, për 15 minuta kam qenë lakuriq. Vetëm me pranga n’kambë. Tash e d, zhveshem! M’kanë marrë me nji batanije n’supe, m’kanë çu domethanë n’nevojtore, se banjo s’kemi pasur. M’kanë la me ujë t’ftoftë. Prapë m’kanë veshur… Atëherë m’u kujtua pse insistuan të m’lajnë. Si musliman, t’mos shkoj n’pushkatim pa i larë. Edhe unë si i ri e shpreha këte. Kanë qajtur burra 70 vjet, me dënesë vajtojnë aty, aj, aj. 18 vjeçar isha! “O burra!” thashë, “Moni be” thashë, “Se për inati (qeshë), t’gardianëve.” Kështu qi, Prezidiumi për ni vote ma ka falë jetën.

Lura Limani: Kush?

Rexhep Bunjaku: Prezidiumi i Jugosllavisë. Ai ka qenë Kryesia. Ashtu quhet, Prezidium. Edhe Shqipëria e ka pasë atë institucion. Kjo ka kenën instanca e tretë, a instanca e fundit ka qenën Marshallati. Titoja. Aty ke pa… Në qoftëse e vërteton Prezidiumi dënimin prapë, atëherë ke pasë t’drejtë edhe ni lutje te Titoja. N’qoftëse ta pranonte. Mirëpo mua Prezidiumi… Se i ri, sigurisht. Mirëpo dhe ndërkohë, jo vetëm rinia ime që i ka… qe thotë Sylejman Aliu, thotë, “Kanë qenë regjimi human. Ta kanë falë jetën!” Jo, humanizmi i tyre, po ndërkohë kapet Gjon Serreçi, Ajet Gërgurri, Ukë Sadiku, Osman Bunjaku. Këta kanë qenën burrat që i kanë prirë Lëvizjes, me direktivat e Komitetit Qendror t’Shkupit. Normal! Mirëpo këtu n’Prishtinë, n’Kosovë kanë qenë ata që i kanë pri Lëvizjes. Ata i pushkatunë, neve na e falën jetën. Egjeli, qysh kanë thanë pleqtë, i tyre, e jeta e jonë.

N’prill, n’47-tën, m’kanë transferuar n’Nishë. Aty i kam mbajtur dymbëdhjetë vjet n’Nishë. Mandej me lutjen e prindërve t’mij, se n’Shkup ishin prindërit e mij, ishte 200 e sa kilometra Nishi, këtu ma afër i kisha. Nuk më lejonin t’vija n’Shkup. Ai shefi i UDB-së, thoshte, “Po, t’lirojmë! Shko ti prishi edhe ata shqiptarët e Maqedonisë. Jo, këtu, këtu do t’i lësh eshtrat!” Mirëpo, m’lirunë pas 12 vjetëve, erdha n’Idrizovë. N’59-tën. Aty i gjeta do shokët e mij mandej. E këto mund… n’periudhë tjetën. N’Nishë, çka t’them!  Dymbëdhjetë vjet! N’ato dymbëdhjetë vjet, tre vjet kam qenë n’izolim. Fiks tre vjet. Prill ’52-tën, prill ’55-tën. Pse i rrezikshëm edhe n’burg, m’kanë izoluar n’vetmi.

Pas tre vjetëve, vjen ni njeri, hynë aty në… Unë u çova n’kambë. Raportoj se e kemi pasë urdhër, “Unë, i dënuari Rexhep Bunjaku, ju paraqes se jam Filan Filani, numri amëzor.” Tha, “Lere atë! A e ke vendimin, që jeni izolu?” Thashë… s’kisha dijeni, çfarë vendimi! Thashë, “Jo.” Po ia kthen gardianëve, me gardianë ishte, “Si…” tha, “Nuk ka vendim?!” “Si s’ke?” “Falni,” thashë, “Me kend kam punë?” “Jam drejtori i ri.”

Kishte ardhur prej Mitrovicës së Sremit [Sremska Mitrovica], ku ka qenë zëvendësdrejtor e aty kanë kenë kushte shumë ma t’volitshme. N’Mitrovicën e Sremit. Se aty kanë qenë edhe nënshtetas të huaj t’dënuar. Ka pasë gjermanë e, hungarezë e… Tha, “Merri plaçkat, dil jashtë!” Unë s’kisha kurrgja. Plaçka, kurrgja! (qeshë) Si m’kapën n’qeli, ashtu m’çuan, tri vjet. Vetëm aty e kemi pasur shtratin. Krevetin e kemi pasur, me kashtë edhe nji batanije. Kemi pasë aty. Unë dola atë ditë. E kur doli, ai po i shikon nja katër vetë, ma tutje, tha, “Çka janë këta?” po i pyet gardianët. Thotë, “Këta janë aktivista.” “Ç’aktivista?!” Thotë, “Për revidim qëndrimi.” Thotë, “N’marsh, n’punë! Çfarë revidim qëndrimi, çfarë aktivista!” Ata ishin me t’vërtetë aktivista.

T’ju tregoj, këtë sistem na pruni nifarë Daut Feka nga Goli Otoku i Jugosllavisë.  Ka qenë Goli Otoku ku kanë kenë komunista atje. Ka qenë një ishull i shkretër. Prandaj i thonë Goli Otok. Atje kanë kenë krejt kuministat, krejt oficerat t’lartë që kanë qenë. A ne nacionalistat ishim n’burg nëpër Nishë, Pozharevc edhe, n’Mitrovicë t’Stremit. Ishin aktivista, të detyronin ta revidosh qëndrimin e t’bëhesh lojal i Jugosllavisë. Edhe nëqoftëse ki diçka që mangut, që nuk e ke pranua gjatë gjykimit, tash tregohu se je i sinqertë. E ata ishin aktivista. Ishte, për mjerim, djali i Isa Boletinit, Kapllan Boletini. Nji prej aktivisëve! Hamdi Berisha, që ia kishin vrarë babën edhe vëllain. Nifarë Millosh Çallasan, çetnik serb që kishte pre me sharrë njerëz. Edhe nji që e ka vra babën e vet, Boshko Shllukiq. Këta katër kanë qenë aktivista. E ai, si erdhi ky drejtori, i ç’organizoi ata (qeshë).

Isha unë çdo dy mujë ditë izolim, m’dënonte ai kryetari… ai drejtori… zavendësdrejtori i burgut, shefi i UDB-së n’fakt, shef UDB-je ishte. Millorad Obrenoviq. Kurrë s’ia harroj emrin. Idioti. Nji ditë erdhi, unë izolim, tha, “ Çka pe humbë jetën për nji milion njerëz t’mjerë, për shiptarët?” Edhe unë për taksirat timin e pata lexu një libër para se t’hy izolim t’Dollores… kësi t’Tomas Masarikut[1], formus dhe krijuesi i  Çekosllovakisë moderne. Ai emrin e kishta marrë… mbiemrin e grusë së vetë. Gruan e ka pasë amerikane. Tomas Garik. Titulli i librit ka qenë “Zapise Tomasa Garrika“ [Shkrimet e Tomas Garrikut]. Po thotë, “Madhështia e një njeriut, sikur se edhe madhështia e një kombi nuk matet me miliona, po me sasinë e virtyteve që i posedon ose i pronëson ai komb.” Ai tha, “Kjo është qëndrimi marksist.” Tash, unë edhe i pacipë, thashë, “Marksizmi s’ka kurrfarë lidhje me këte. Këte  e ka thanë Tomas Masariku, n’librin e tij ‘Zapise Tomasa Garrika’”. “Bando jedna!” [He mor bandit!] e mbylli derën.

Pas nja pesë minuta erdhi gardiani, m’thirri. M’ka rrafë Lura kështu… këtu {e prekë qafën në të dy anët me dorë}. Aty e durova disi, po kur ma ka kapë kokën e ma ka… për muri {e imiton përplasjen e kokës për muri}, atëhere m’u trullu krejt. Ja kam kapë te dy durtë. Thashë, “Edhe nji here m’mshon, t’ngulfata kështu, be idiot!” E kam shty. Rrezikova ma. Shkova se shkova, bile po shkoj si trim (qeshë). Ai u hutua, m’ka lanë. U ktheva unë. Kam ba grevë, tetë ditë nuk kam hangër bukë duke menduar se do t’kenë mëshirë e do t’më thërrasin pse po baj grevë.

Fati im erdhi nji oficer i Armatës Jugosllave. Kishte tentu t’ikte n’Bullgari, e kanë kapë n’kufi, e kanë dënua 20 vjet, e prunën n’dhomën time, n’izolim. Ai po m’shikon, po m’shikon, ditën e nantë, tha, “Bunjak, kam mendu se je njeri i mençur.” Tha, “Po m’habitë me budallakina!” “Pse be?” thashë. “Tha, po do t’vdesish, kush do ta vërteton se pse ke vdekur? Ti a je n’veti? Ruaje shnetën, dil e shkruaj çka ke përjetuar me këta idiota.”

Ai ishte informbyroist[2], se din a e din çka ishte Informbyroja? Partia Komuniste e pati izoluar Jugosllavinë si reaksionare. M’bindi edhe fillova t’ha. Pas tre vjetëve, po tham m’liruan nga izolimi, mirëpo para izolimit kam qenën… e patën formuar nji batalion diciplinor, gjashtë mujë ditë. Kemi punu nga 16 orë n’ditë. Si dënim, si t’dënuar. I vetmi shqiptar natë batalion kam qenë unë. Unë (i pakup.) n’çdo çorbë (qeshë). Aty përjetova, se bile aty e patën ba… ndërkohë i prunën… kjo ka kenë ’49-tën… i prunën do shqiptarë nga Shqipëria që kishin ikë prej Shqipërisë, e i prunën aty n’burg. E ranë n’kontakt me mua. Kishin marrë vesh se kush jam, e patëm bo t’ikim nga burgu. Mirëpo falë njënit që ka qenë n’lidhje me UDB-në e burgut, ata na kishin… i kishin informuar, ata na kositën me mitraloza. Edhe u ndërpre ajo, nuk e banëm atë punë. E ndalëm, nuk ikëm. Mandej erdha Idrizovë. E n’këto periudhat e Nishit është edhe… çdo ditë ka pasë normal detajet e veta, rëndësitë e veta. Dymbëdhjetë vjet! Mirëpo këto, disa detaje ma mbresëlanëse.

Ishte njifarë Svetko Steliq, i Zagrebit. Këto i thirrshin subotari, që t’shtundeve nuk punonin këta. Adventista… Tash po ju thojnë Dëshmitarët e Jehovait. Se di a keni dëgjua? Dëshmitarët e Jehovait. Ata nuk marrin armë, nuk dojnë luftë, janë për paqe vetëm. Edhe e mora nji ditë, po bindi se nuk është koha ende, se tërë bota po armatoset edhe s’kemi qare pa u armatosë edhe ne, e t’luftojmë. Se koha juaj ende nuk ka ardhur. Njeriu nuk është vetëdijësuar deri n’atë gradë, sa ta dijë se është krim t’vrasësh njeri. Nja ni orë unë, besomni mu tha goja duke biseduar unë me te. Po tham’, “Sfetko, çka po mendon?” Ai folte ngadalë, “Bunjak, krejt çka m’ke thanun, e m’ke folur, këtu m’ka hy, e këtu m’ka dalë {i tregon veshët me dorë}.” Unë. “Ka, ka, ka!” “Çka o be?” Thashë, “Një orë ma thau gojën ky hajvani… Qesha.” (qeshë) Kemi pasë raste, i ka pasë thanë drejtori, “Vetëm nji ditë, nji t’shtune puno, po t’liroj!” Mazalla, nuk punonte. Jo.

Edhe kur m’çunë mua nji ditë, një here qilar, poshtë, ka qenën nër shkallë. Ai ka qenë zero e quajshin atë qilar. S’ka pasë as dritare, vetëm ni derë. E, hyjshe, po s’mujshe t’lëvizësh. Se shkallët t’pengonin. Unë si kam hy, kam shkelë dikend. Thashë, “Kush është be, kush je?” “Ja sam, Svetko.” Kur shka u bo. E bo derës, “Bam, bam, bam!” Qe erdhi gardiani, “Çka, banditu!” Thashë, “Çka be çka?” Ai ishte duke punuar jashtë, dielli, a m’besoni lëkura i binte. Lagështi poshtë, s’kishte ku ai, ishte lagështi. Thashë, “Shiko be,” thashë, “Po këta as gjermanët nuk e kanë ba.” Thashë, “Ju lutem, drejtorin ose…” thashë, “Prapë do t’baj grevë une. Do t’baj diçka.” E thirrën drejtorin, erdh drejtori. Thashë, “Shikoni…” Ka qenë nifarë Misho Vosiljevic… Ka qenë partizan, e kishte humbë dorën këtu {e prek kyçin e dorës së majtë}. I ’41-shës, partizan. Po ka qenë shumë i drejtë. Edhe na liroi, edhe mua edhe ate. Na çoi n’qeli tjetër. Tha, “Se kam ditë o Bunjak,” tha, “M’fal!” Mua m’kërkonte fajle drejtori! Unë isha i njohur ma. Këto janë disa detaje… tjetër…

Lura Limani: Veç me m’tregu edhe nji here. Se i përmendët këta aktivistat… çfarë sistemi ka qenë qaj sistemi i aktivistave, që drejtori e paska hekë? Qysh ka mujtë?

Rexhep Bunjaku: Lura, ata aktivista kanë qenë për të detyrua t’burgosurin të revidon qëndrimin, t’jetë lojal me Jugosllavinë. Ose, në qoftëse ka fshehur diçka n’kohë t’hetimeve, ta tregon tash. Edhe kanë pasë sukses. Se rrafshin t’burgosurit, rrafshin t’burgosurit. A m’besoni qi piskama e t’burgosurve, n’kupë qiellit digjoheshte nëpër dhomat e burgut?! Duke rrafë këta idiota njerëz, t’burgosun.

Lura Limani: Domethanë këta vetë…

Rexhep Bunjaku: T’burgosurit t’burgosurit i kanë rrafë. A kanë pasë privilegje, e kanë pasë ni dhomë plot me ushqime qi ua merrnin t’burgosurve tjerë… cigare, bukë, lardhë, reçel… Ni dhomë plot e kanë pasë n’dispozicion. Edhe parulla ka qenë, “Mbyte armikun, ma s’shumë 14 qilarë.” Jo dënoi gjyqi. Por n’qilar 14 ditë.

Nji ditë… është edhe ky detaj interesant. Nja dy vjet na kanë ushqy, ’52-tën edhe ’53-tën me mbeturinat e fabrikës Juhor, t’Kralevës. Me mbeturinat e derrave (hesht). Dy vjet, ’52-tën edhe ’53-tën. Edhe unë isha izolim. Pa paketë. Normal, asht e lëkurë, i dobët. E mu çdo mujë ditë, dy mujë ditë m’dënonin nga 14 ditë n’podrum, n’beton. Normal pa shtrojë, pa mbulojë. Mirëpo e kisha ma lehtë sepse nji këpucë e vnoja te kambët, n’njinën këpucë ulesha. A n’Ferizaj jo, s’kisha ku. Këtu, ja dilsha… nuk mërzitesha shumë n’Nishë. Ama këtu n’Ferizaj ka kenë shumë trishtim.

Edhe n’dhomën time, qilarin tim e binë nji drenicak, posa kishte ardhë n’burg. Ai normal, s’di ende çka është uria. Nuk i merr ato mbeturia. Besomni Lura, e ka… thundrrën e derrit me baltë. Për besë! Lëkurën e derrit, që e kanë hekë lardhin, staninën qi thojnë, krejt me baltë. Turirin e derrit me unazë, turi. Qato… me qato na kanë ushqyer. Mbeturinat e derrit! Mirëpo unë ja kam pa hajrin. Pse?! Ai s’pe merr ushqimin. Se rrallë kush i mirrte prej tanëve. Vetëm ata që kanë kenë t’uritur. E unë po i tham’, “O vëlla bre…” thashë, “A pe sheh çka jam ba. Asht e lëkurë! A ban t’marr?” Tha, “M’fal be, pashë zotin!” Edhe ai… unë nga dy pjata mish derri.

E merrsha atë likurë me dhamë, kështu {e afron dorën tek goja}, e breja, lardhin pak çka ka ngelë. Ditën e 15-të, i mbusha unë 14 ditë qilar, hypi shkallëve përpjetë. Përballë vjen ai që m’ka dënuar. Shefi i UDB-së. Millan Obradoviqi. Po m’pytë, “Kush je ti?” Unë kishe po tallet, për besë. Thashë, “Çka po talleni me mua?!” “Kush je ti, bandua?” Edhe m’shau, si e kanë serbët zakon. “Bunjaku.” Kur ka ba {e kap kokën me të dy duart}. “Komandiri! Komandiri!” Po i thirrë gardianët. Ata vrap. “Po mire, bre idiota. Ku ka qenë ky? A ka qenë sanatorium, a qilar be?! Idiota!” Unë s’po e shoh veten se isha përmirësuar, me mish derri (qeshë). Bona rezerva nja gjashtë muaj n’izolim, vazhdova mandej, duke iu falenderu mishit t’derrit (qeshë).

(Heshtje). Qato janë disa detaje interesante. Kam… kam vujtë shumë. Shqiptarët sidomos se gjendja ekonomike e dobët edhe dalloheshte šiptarski paket, pakoja e shqiptarit dhe pakoja e serbit. Shqiptari merrte bukë edhe nji gjysë kilogrami sheqer, a e merrte a jo. A serbët merrshin lardhë, mish derri, çokollada ose diçka. Ka qenë trishtim! Varfëria e ka ba t’vetën. Uria. Ka pasë njeri që s’ka pasë kush t’i  dërgon pako t’ushqimit. Unë po tham, tre vjet s’kom marrë. Vetëm nji pako e kam marrë. Se çdo dy mujë ditë m’dënonte ai shefi i UDB-së t’mos marr paketë. Dënimi ka qenë 14 ditë qilar, bodrum, poshtë, pa shtrojë pa mbulojë. Dy muaj pa paketa. Dy muaj pa drejtë t’shkruajtjes letër n’shtëpi dhe pa kantinë. E kemi pasur kantinën n’burg, kishim t’drejtë t’blejmë cigare. Ose ndonjëherë na binin ndonji mollë a diçka. Jo tjetër ushqim. Bukë jo, normal. Se edhe këto, çdo dy muaj mu n’dënonin. 36 muaj ditë, vetëm nji pako e kam marrë, ushqim. U pata ba asht e lëkurë, normal mandej. Derisa erdh’ ai drejtori e na liroi. Fati! U ndryshua ai drejtori.

Lura Limani: N’cilin vit jeni liru edhe çka keni bo pastaj?

Rexhep Bunjaku: Grevën?

Lura Limani: Jo, kur jeni liru? Kur keni dalë nga burgu?

Rexhep Bunjaku: Jo unë erdha mandej Idrizovë, Lura.

Lura Limani: Ku?

Rexhep Bunjaku: Idrizovë erdha. ’59-tën me lutjen e prindërve të mij, m’transferunë Idrizovë. Aty… se kam pasë edhe nji… harrova nji detaj. Lufta ime n’Nishë ka qenën t’flas shqip me prindërit. Mirëpo ka qenë urdhëri vetëm serbisht, dhe unë nuk flisja serbisht. Nuk mujsha me nanën time t’flas serbisht, Lura. Edhe nana qante e shkreta. “Aman, vetëm t’shoh Rexhko!” Se Rexhko m’quante nana. “Nana, m’fal, ma ban hallall po s’mund t’flas me sy serbisht!” Edhe normal, si m’kthenin mi nji rende m’dënonin 14 ditë qilar, dy, dy dy. Nja katër pesë here qashtu e kam ba derisa i detyrova t’vjen shqiptari polic edhe t’folim shqip.

Kur erdha Idrizovë, n’vizitën e parë… Edhe s’pari herë unë jam ulë si njeri n’karrigë, tavolina n’mes, përballë prindërit n‘karrigë. Bisedoja ulur. Dymbëdhjetë n’Nishë, ka qenë si ahër e shtazëve, Lura. Nji dru, si ahër për t’lidhë kafshët. Këndej, nji andej. Mezi qe dorë për dore kapeshim. Zhurma! Nuk ndigjojshe kurgja. E këtu s’pari u ula si njeri edhe mezi u habita, Idrizovë. Edhe fola unë fill shqip, normal. Gardiani, prapa meje, “Zboruvaj makedonski!” Unë maqedonisht nuk dija. Se n’Kosovë, mandej n’burg krejt serbisht. Vetëm e kam shiku. Nana, “Rexhko, aman mos fillo edhe këtu!” Lutej a di si. “Nana,” thashë, “Fol ti!” Tash ky u hutua, s’kishte pa rast të tillë. Unë fola çka fola, drejt e te drejtori. Ai drejtori, “Çka po mendon ti? Nuk është Nishi.” “Për mua,” thashë, “Është Jugosllavi.” Thashë, “Unë, s’po dua kurgja. T’drejtën time t’flas gjuhën time amtare. Kur kushtetuta ma lejon, ju lutem mos m’bani problem edhe këtu!” “E, bandi, mos se nuk është ma n’Nishë…” ose diçka. Mirëpo nuk më dënunë. Hovin e dytë, kishin prua do shqiptarë të Rekës, t’Gostivarit, qi jonë sllavizuar ama dinë ende shqip edhe kemi folë n’shqip. Edhe aty e the va akullin. Edhe Idrizovë.

E n’dhomë ku m’çunë aty, i gjeta grupin e NDSH-istave nag Shkupi, Tetova e Gostivari. Të gjithë ishin intelektualë. Raif Malaziu ishte, Fakultet Filozofik. Adnan Agai ishte arsimtar. Sherafedin Agai, kushëriri i tij, student i arkitekturës. Naxhip Purta, profesor i frengjishtes. Abaz Dukagjini, student i anglishtes. Eshref Hoxha, mësues. E ma vonë e prunë edhe këtë Hamzë Shalën. E kjo është ni periudhë interesant me Hamzë Shalën. E ishte nji ambient me t’vërtetë… i kishim nja dy shpiuna aty po ata nuk i përfillnim shumë. Edhe çdo dhomë ka pasur të ndarë toaletin dhe, m’falni vecenë [WC]. Me dyer kështu. E ndarë. Një ditë prej ditësh, Abaz Dukagjini erdhi, tha, “Rexhep, kemi dëgjuar kush je, kemi dëshirë t’shoqërohesh me neve.” Thashë, “Abaz, me gjithë dëshirë! Po a e din kush jam unë? Do t’ma shifni sherrin!” Tha, “E dimë, për atë kemi dëshirë t’jesh shoqërinë tonë.” Edhe fillova t’shoqërohem me te.

Pas nja tre, katër muajve, e prunë Hamzë Shalën. Hamziu tha, “Kapllan Resuli është n’dhomën kaluese.” Se kur vien n’kazamat, nja dy javë ditë kaloni n’dhomën kaluese, të mësohesh me rendin e shtëpisë, t’burgut. Ta lexonin rendin e shtëpisë edhe të ambientohesh. Mirëpo tha, “Po thotë se nuk është shqiptar.” Kapllan Resuli. A unë, për disfatin tim, e pata e pata lexuar ni tregim tij n’Nishë, “Pogaça.” E m’pëlqeu imagjinata e atij idioti. Taman idiot tash, doli idiot. E tëra shkurtimisht, partizanët po shkojnë e po hyjnë në ni fshat. Njëri hyri n’dhomë, e gjenë oxhakun t’ngrohtë. Edhe e merr ni pogaçe t’ngohtë. E fut n’strajcë. Se shpejt ka ikë populli, nga frika edhe vjen urdhëri, vazhdojnë rrugën. Edhe rrugë e sipër, pushim, e thërret shokun e vet i thotë, “Eja se e kam marrë ni pogaçe. E gjeta ku hinem n’atë dhomën.” Tento ta thejnë, s’munden. Tenton ajo.. ai çerepi, pogaqë çerepi. Çerep i vjetër (qeshë).

Edhe për bela, erdhën Kapllanin e prunën tona. Ku isha unë n’atë dhomë. N‘dhomën numër 21. Unë s’po e njof. Eshref Hoxha, vëllau i tij Mehmedali Hoxhës, ka qenë nji poet, n’Shkup, e kish’ pasë njohur Kapllanin. E ku hyri, po m’thërret, “Rexhep, eja!” Po e shoh nji picirruk i vogël, edhe “Urdhno Eshref?” Thotë, “T’njoftoj me Kapllan Resulin.” Po e shikoj, thashë, “Ti je Kapllani a?” “Pse,” tha, “A s’po ta mbushi synin a?” Thashë, “Jo, vallahi.” Thashë… e kam shti, besomëni minjirende n’atë kthinën ku ishte lavamania, n’dhomë, e e mshelë derën. Thashë, “Kapllan, kur ke ardhë s’ke pasë t’zgjedhish. E ke pasë ni rrugë. Për të dalë i ke dy rruga: e ke rrugën e nderit dhe rrugën e turpit. E zgjedhë rrugën e nderit, do t’vuash…” Kishte edhe nji vjet, i kishte ngelë. Se një vjet e gjysëm ishte i dënuar. Thashë, “Do t’punosh punë t’randa, do t’ndjekin, ndoshta do t‘dënojnë sikur neve që na kanë dënuar, na kanë ndjekur. Punojmë punë t’randa.” A thashë, “Nëse e zgjedhë rrugën e turpit, atëhere i ke dy shokë n’dhomën tonë.” “Jo,” tha, “Unë jam me juve.” Thashë, “Mendo mirë!” Dhe jo, me t’vërtetë nuk është nda prej neve Lura. Nji vjet sa ka zgjatë nuk është nda. Mirëpo ai kurrë pako s’ka marrë, me ushqim. N’Idrizovë. Ne e kemi ushqye, e kemi nda kafshatën. Se Adnan Agai, Eshref Hoxha, unë…

Këto që ishim, që merrnim aty afër pako, ne kemi ushqya. Bile, u pat ba si foka, unë e quaja tulan, u majmë, u ba… Edhe doli përjashta, mirë ka qenë te unë, dy javë ditë ka bujtë te unë n’shtëpi, kur ka dalë nga burgu. A unë s’e kam ditë gjendjen time sa mjerimi ka qenë, ndonëse po lexojmë gazetat na, Lura, e po mendojmë që qumsht e mjaltë po derdhet nëpër rrugët e Jugosllavisë. Kur kom dalë, nji dhomë – prindërit, vëllai, motra edhe unë, një dhomë e kemi pasë krejt, u çmenda.

Lura Limani: N’cilin vit keni dalë ju prej burgut?

Rexhep Bunjaku: Urdhno?

Lura Limani: N’cilin vit keni dalë?

Rexhep Bunjaku: Në ’61-shin kam dalë nga burgu. Bile, interesant, të dillën erdhën prindët edhe po thotë baba, “Rexhep nuk e matëm pakon e ushqimit”, thomë, “Pako, ju ka tekë,  baballar [babë]”. Edhe t’nesërit, unë n’punë, po m’thërrasin, po thërrasin në drejtori. Une u pata përla me ni gardian, e thash edhe aty e hangra izolimin, dreqi e hangër (qeshë) edhe u bona gati. Kur shkova një gardian po thotë, “Shko merri teshat edhe eja këtu”. Teshat, prapë thashë, n’izolim. “Jo,” tha, “dorëzoj teshat”. Thashë, “Çka osht’ puna bre?”, tha, “Jeni liruar”, “Çka?”, “Jeni liruar”. S’po m’besohet, të nesërit. Edhe shkova, ia u lashë pakon me ushqim shokëve. E morra, e kam pasë nji fletore do shënime të elektro-teknikës, atë fletore e kam marrë me veti, kam dalë. Nji maqedonas, si kemi dalë prej derës përjashta, ia ka bo “O sloboda” [Oh liria], e osht’ alivanosur. Unë p’e shoh, thashë, “Sa ka qenë bre ky n’burg?”, “Gjashtë mujë”, thashë “Çka? Gjashtë mujë, unë 15 vjet prej burgut s’kom dalë!” (qeshë). Valla… interesant, ai u alivanos, unë jom shtri, misri ishte sapo i pjekur, shtator, me 1 shtator jom liruar. N’kokërr t’shpinës , po shikoj qiellin, ende s’po besoj se jam liruar.

Kur erdh autobusi, hypa n’autobus, i kishim do pare pak që kishim punuar. Edhe s’po di… n’shtëpinë time erdha n’ditë me pazar, osht’ ajo ura aty, s’di a keni qenë n’Shkup që del prej Shkupit. Aty ka qenë tezja ime, e aty pari kalonte lumi Serava u quante, nji lum i vogël. Kur e pashë ate, u drejtova, me atë drejtim erdha n’shtëpi. E kam çelë derën, ajo dera ka ba ngërc, nana, baba, motra edhe një kushëri e imja po thejnë arra, me pare, për jetë. Ato lëvoret i mbanin për ta ndezur zjarrin, a arrat i kthenin, thelbat, me pare. S’di sa kilogrami, nuk e mbaj n’mend. Baba po thotë, “Kush o’ n’derë bre?”, nana po thotë, “Fëmitë obo, sigurisht”. Unë qesha edhe hyra, pa pandehur. Kur m’ka pa nana… unë thashë do t’çmendet, pasha Zotin, po. “Nana,” thashë, “a po heshtë, a u ktheva?” “O,” tha, “djalë, boll s’je kanë 15 vjet”, u qafa.

E tash, problemi i ekzistencës, kur e pashë çfarë jete kishin t’mitë, se s’po m’japin punë, s’japin letërnjoftim. Për Zotin Lura, kam shku te shefi i UDB-ës t’Shkupit. Thashë, “Shikoni, ose m’gjeni punë, m’punësoni, ose pasha besën shqiptare do ta baj nji cigë, ta mbani n’mend sa t’jeni gjallë”.

Lura Limani: Nji çka?

Rexhep Bunjaku: Ta mbani n’mend derisa t’jeni gjallë. Mendova aty, t’ia hedhë ndonji bombë, të… gjendja ka qenë katastrofale. Po thomë, në nji dhomë, unë, prindërit, motra edhe vëllai, nji dhomë. Se vëllaznit e babës ndërkohë jonë shpërngulë n’Turqi. E pjesa e babës që kanë qenë me nji ndërtesë ka qenë vetëm nji dhomë edhe nji korridor e ka pasë t’ngushtë aty, qaty ka qenë. Ai m’tha, “Shiko, e di kush je”, shefi i UDB-ës, e ka marrë telefonin, ka telefonu n’Komunë, “Do t’vjen filan filani, jepjani librezën e punës, pa letërnjoftim”. Do t’isha i pari që e ka marrë librezën e punës pa letërnjoftim. Edhe e morra librezën e punës, shkova n’byro t’punës, ma gjetën një punë si montator, aty fillova, dalë-ngadalë fillova punën. Ma dhanë nji barakë, se termeti m’zuri mua në ’43-tën[3], termeti i Shkupit. Atë ditë termeti, unë kam pasë shku ushtar, m’murrën ushtar, (qeshë) 33 vjeçar unë dola nga burgu.

Sipas ligjit jugosllav, ai që ke n’burg edhe n’spital, deri n’40 vjeçar duhet ta kryn ushtrinë, edhe ushtrinë e kryva. E u rregullova dalë-ngadalë, u martova, i kam dy vajza. Lirjeta punon në Akademi t’Shkencave si ekonomiste e diplomuar, financat i ka. Kjo e vogla, nuk punon kurrgjo, me këtë nipin.


[1] Tomáš Garrigue Masaryk (1850-1937) politikan, sociolog dhe filozof çek, i cili ishte themeluesi dhe presidenti i parë i Çekosllovakisë.

[2] Komunista që ishin me Bashkimin Sovjetik kundër Jugosllavisë.

[3]1963.

Pjesa e Tretë

E tash osht’ periudha me Kapllan Resulin. T’ju tregoj?

Lura Limani: Ëhë.

Rexhep Bunjaku: Kur doli nga burgu, ka ardhë te unë ka jetu edhe dy javë, edhe te Eshref Hoxhanjo dy-tri netë, e mandej osht’ kthy n’Ulqin e ka ikë n’Shqipëri. Unë e kam bindë t’ikte n’Shqipëri. Këmbëngula, mendova sado, kjo osht’ atdheu, aty e ka biblotekën, ka mëmëdheun e vet, edhe mund të afirmohet ma mirë si shkrimtar se në Jugosllavi. Se e patën dënu në Jugosllavi, për çka as vet nuk e di, ai thotë se për propagandë, por jo, plus s’është me randësi.

E në ’93-tën… në ’90-tën doli nga burgu. Milaim Zeka e pat shkru nji apel pse po mbahet Kapllan Resuli n’burg ende n’Shqipëri edhe unë e lexova. E m’u kujtunë ato kohëra që kam qenë bashkë në Idrizovë. E kam këtu apelin. “Të lirohet Kapllan Resuli!”, mirëpo ma përmisoi diçka ai historiani Muhamet Piraku. Edhe une nuk bona za, e botuan edhe atë artikull. Në ’93-tën Adem Demaçi m’thërret, thotë “Rexhep abej[1]” a pse Rexhep Abi unë nuk e di, thotë, “melaqet e kanë pru një njeri, te unë osht’”. Thashë, “Kush osht’ bre ai njeri?”, tha, “Kapllan Resuli”, thashë, “Nime osht’ melaqe”. A na ende s’pe dijmë se ai e ka deklaru veten se nuk osht’ shqiptar. Edhe une e gjeta shtëpinë e Ademit, atje e gjeta Shaip Beqirin, Shaipi ishte kryeredaktor i revistës “Forumi”, me Adem Demaçin e botonin atë bashkë. U përqafuam,  “Gëzohem që dole”, nejtëm sa nejtëm, Adem Demaçi, unë, Shaip Beqiri, Kapllan Resuli edhe Ibrahim Krajkova- Leci, komediografin tonë Lecin. Edhe ai, bile ai na bante me veturë andej këndej.

Erdhi koha të çohem, tha “Rexhë, edhe unë po vij me ty”, Ademi po thotë, “Kapllan rri, unë kam vend”, “Jo,” tha, “Rexhepin e kam shok” edhe bujti te na. Bile, erdhi Ademi, Shaipi e nejtëm deri n’ora 12 t’natës. T’nesrit po shkon për Ulqin Kapllani. M’i pat lanë kur ka dalë nga burgu do libra. Unë i pata rujtë. Ia bona gati, “Jo,” tha, “do t’kthehem, kur t’kthehem, i marr librat”. Edhe shkoi, e përcollëm bashkë, Ademi, une, Ibrahimi e… Kur po vjen ky Shaip Beqiri n’telefon, thotë “A e ndigjove Kapllan Resulin?”, “Jo”, “Osht’ deklaru publikisht që nuk osht’ shqiptar”. N’Ulqin me Ali Llunjën në nji konferencë shtypi, Ali Llunja pe udhëheqë atë konferencë, ky deklaron nuk osht’ shqiptar, po osht’ malazez.

E, unë ndërkohë e shkruajta një artikull, “Tradhëtia e tradhëtisë”, romani i tij “Tradhëtia”, s’e di a e keni lexu, ka pasë bo bujë ky Kapllani. Mirëpo, n’fakt nuk ishte romani i tij, mirëpo nuk osht’ kjo tema, tjetër herë ndoshta. Erdhi një natë me motrën e vet, n’derë bap-bap-bap. Unë e dita se kush osht’, mirëpo si shqiptar e pranova, “Urdhno”, hyni, motra e vet po thotë, “Tash jom e sigurtë se je n’durë t’sigurta”, unë po kthehem.  U kthye motra, ai hyri, bujti atë natë, t’nesërit e përcolla në stacion të autobusave edhe librat i bajta, ia dhashë.

E ma vonë u ashpërsua marrëdhaniet, e shkrova edhe nji artikull, “Metamorfoza e Kapllan Resulit”, tash jom duke e bo gati libër kundër tij, se ai interesant si ka dalë që dëshmohet se nuk osht’ autor i romanit “Tradhëtia”, ose si ka dalë nga burgu, asnji roman s’e ka shkru mo. Asnji novelë, jo vetëm roman, vetëm pamflet pa skrilla. kundër shqiptarëve, kundër Ismail Kadaresë, kundër meje, kundër Agim Gjakovës, kundër këtij ulqinakut Ruzhdi Ushakut. Kundër historisë shqiptare, llogarit në njënin vend thotë, “Shqiptarët kanë ardhë në Ballkan, një mijë vjet mas sllavëve” abnormalitet kulminant. Po kjo periudhë e Kapllanit, noshta do t’delë libri im, besoj se do ta kryej, dhaftë Zoti shëndet e ta kryej edhe ate se e meriton ai idiot.

Shkurtimisht, kjo osht’ jeta ime, qetash jom n’Prishtinë. Jom n’penzion, i marr 140 euro n’mujë (qeshë). Po e lajmë kryet disi. Duhanin nuk e pi, e kam lanë. Osht’ interesant edhe ky detaj.

Në ’90, ’91-shin ishte inflacion i madh, dinari ra, marka shumë lartë shkoi. Me marka qiranë e kisha, Agim e kishte emrin djali, djalë i ri student, thotë, “Shpenzoi këto pare”, “O Agim, nuk mund t’i ndaj”, “Pashë Zotin që i shpenzon”. Lura, një mujë, dy, dhjetë mujë s’po ma merr qiranë, e hetoi se jam ngushtë, edhe unë kam marrë njerëz nga puna, a duhanin e pija si kisha thonë si magjupi. Pesëdhjetë cigare n’ditë i pija. E kam ndezë cigaren, Sebahatja n’punë, vajzat n’shkollë. Vetmeveti si i çmendur pasha Zotin, si idiot, i poshtërr i botës, po a t’ka hije që cigaren n’gojë, a burri i botës nuk ta merr qiranë. E kam fikë qe 24 mo nuk e kam shti n’gojë, ia kom pa hajrin…

Lura Limani: Qe 24 vjet?

Rexhep Bunjaku: (Qeshë) Qiradhanësit.

Lura Limani: Çka keni punu ju masnej kur keni dalë prej burgut?

Rexhep Bunjaku: Lura m’fal, s’po ndëgjoj mirë.

Lura Limani: Çka keni punu masi që keni dalë prej burgut?

Rexhep Bunjaku: N’Shkup kom punu nihere n’Maqedoni, se n’burg, duke kenë se nuk kisha dipllomë atëhere insistova që ta marr elektro-teknikën si zeje. Edhe me atë zeje u punësova si montator. E kreva shkollën e mesme e elektro-teknikës. E ma vonë erdha, se kur u martova erdha n’Prishtinë, u punësova në Energoinvestin e Sarajevës.

Lura Limani: Në cilën?

Rexhep Bunjaku: Në Energoinvestin… e Sarajevës, u punësova. E këtu derisa dola n’penzion ngela aty, ajo sipërmarrje ma dha edhe këtë banesë nejse m’ka kushtu pak ma tepër se kur erdhi… dhunshëm, serbi që e mori me dhunë aty.

Një ditë prej ditësh erdhi gardiani edhe thotë, “Kapllan, keni vizitë”, edhe na u gëzuam se s’pari herë që i vie dikush n’vizitë Kapllanit. Po thomë, asnjihere vizita s’ka marrë ai. Edhe doli Kapllani, erdhi pas njo gjysëm ore, ishte bo vet i pesë qindti çka thotë populli, edhe na, “Çka u bo Kapllan, kush ke?”, “Vëllai”, “Po mirë de”. A vëllain e ka pasur major të KOS-it[2]. KOS-i osht’ “Kontra Obaveštajna Služba” – shërbim i kundërzbulosjes të Armatës Jugosllave, Xhevdet Resulbegoviç vëllai i tij. Po m’tregon tha, “Si hyra normal te drejtori, se major, njeri me funksion”. Thashë, “Mirë de Kapllan”, tha, “Hyra mrenda në zyre aty, edhe u përqafumë si vëllau me vëlla, e fjalët e para ‘Pse po shoqërohesh me Rexhep Bunjakun me armikun e përbetumë të Jugosllavisë’”. Normal i ka tregu edhe drejtori vëllait t’Kapllanit. Edhe ky i ka thanë, “A ke ardhë të m’përcaktosh shokët a t’më vizitosh vëllla?”, “Jo, të vizitoj, mirëpo ti nuk guxon të shoqnohesh me Rexhep Bunjakun edhe me shokët e Rexhep Bunjakut”.  Tha, “Pak u llafosëm aty, por u ndamë disi”.

E unë tash po mendoj, e kisha një rast t’njejtë gati n’Nish. Thashë “Shkruji letër vëllait e leqite ai do t’leqisë ty”. “Aiii ti p’e tepron”, thashë “Ndigjomë, ai s’ka qare pa t’leqitë pasi po shoqërohesh me Rexhep Bunjakun. Po shoqërohesh me Rexhep Bunjakun edhe me NDSH-ista, ti ose leqite, ose do t’leqisë”. E shkrujti letrën tha, “Vëlla, me letrën e sodit, mo nuk ty t’kam vëlla”, mirëpo letrat jonë kryqëzue, edhe ai po e leqitë Kapllanin, edhe Kapllani vëllain e vet.

Mirëpo, ku m’ra idea ta leqisë Kapllani vëllain, në Nish e patëm formu një dhomë t’intelekutalëve, i vetmi prej shqiptarëve n’atë dhomë ishte Bunjaku. Aty krejt kanë kenë çetnikë, gati shumica, edhe këto informbyroista, krejt serbë. Ndër ta, edhe nji kroat ka qenë. Urdhno?

Lura Limani: Ibeista?

Rexhep Bunjaku: Informbyroista.

Lura Limani: Ah informbyroista, po.

Rexhep Bunjaku: Informbyroista po, komunista që ishin me Bashkimin Sovjetik kundër Jugosllavisë. Ka qenë njifar Romaldo Manola oficier kroat, major edhe ai, mirëpo i dënuar pesë vjet si bashkëpunëtor i okupatorit. E une s’pe di që ai osht’ vëllai i Seçko Manollës, vice-admiral i marinës jugosllave, njani partizan, tjetri nacionalist. Edhe, u shoqëronte me mua Romaldo Manola edhe Nuri Shahun ndonjiherë. Një ditë Nuri Shahut i erdhi gardiani i thotë, “Romaldo Manola n’vizitë”, a kur thirrinin n’drejori, diçka ka ndodhë, ose ka vdekë dikush n’familje, ose t’ka lonë gruja, ose do t’dënon n’izolim. Vetëm ka thanë, ”Kush më spijunoi?”, e mu m’dogji se vetëm me mu u shoqëronte. Thashë, “O s’ka tregu kërkush. Ka shku… n’gojë t’UDB-ës, n’vesh t’UDB-ës”. Kam dalë për shëtitje unë, ai shkoi, pas njëzet minutave ai erdhi, ishte bo tym. Thashë, “Çka u ba?”, tha, “Pusti me” [Më leni], “Lejemni bre”. Edhe ma shumë m’dogji, me t’vërtetë. Unë vazhdova po shtrihem, mas pesë minutave doli. Tha, “Ishte vëllai”, “Po mirë de vëllai, e kush osht’ vëllai?”, tha, “Seçko”. Atëherë, mua më pununë klikerat, thashë “Seçko Manolla? Vëlla e ke Seçko Manollën?”, tha, “Po”. “Kuku,” thashë, “Bunjak me ken po shoqnohesh”, e filloi t’qeshte (qeshë).

Edhe po m’tregon, tha, “Hyra n’dhomë t’drejtorit”, tha, “po paraqitem ‘Unë i dënuari Manola, Romaldo e drejtori ‘Lene ato hajde, t’ka ardhë vëllai’. ‘Zoti drejtor, m’falni unë nuk kom vëlla’”. Ai vëllai po çohet, Seçko-ja, “’Ramo?’, ‘Zotëri, unë nuk po ju njof’, ‘Ka ardhë Bunjaku ma ka pru nji çokollatë’”. Idioti po m’përmend, a katër vjet nuk u kujtu a jom gjallë a jo. Edhe thotë, “Zotëri drejtor, m’falni, unë nuk kam vëlla, nuk kam vëlla, m’lejoni të largohem”, edhe erdhi. E ky rast, m’dha shembull edhe Kapllanit i thomë, “Liroje, se ai s’ka qare pa t’leqitë ty”, edhe me ate u leqitën njeni me tjetrin. Disa detaje po i harroj, disa po m’kujtohen.

Lura Limani: S’ka dert, nëse ju kujtohen, tregoji.

Rexhep Bunjaku: Edhe me ate doli shumë i loti i madh. Eh, patëm shku, atë vit pat vdekë Esad Mekuli në ’93-tën. Ademi, Adem Demaçi, Kapllani, unë, ky Shaipi edhe Ibrahim Krajkova shkumë te gruja e Esadit, Sadete Mekuli. Na priti ajo gruja, e ngushëllumë nejtëm, sa nejtëm. Adem Demaçi po thotë, “Kam lexua n’burg sa kam qenë, kur ha bukë, nuk duhet t’hash oriz edhe mish. Kur ha mish nuk duhet t’hash bukë ose oriz”. I jipte ato parimet e tij që i paska lexu n’burg, një mjek a s’di kushi. Sadetja po thotë, “Adem, atë mishin hiqe, se edhe ashtu nuk e kemi n’tryezë” (qeshë).

Me t’vërtetë m’ka ra rasti mandej Vesel Uka, kur e martoi djalin e vet, na thirri Ademin, mua edhe disa shokë ma t’ngushtë. E te ne e kemi zakon mish e oriz, erdhi e servoi aty n’tavolinë, Ademi tha, “Valla, megjithatë une nuk ha edhe mish edhe me oriz” (qeshë). U çu ajo, ia pruni ni pjatë me mish e ia vnuni pranë e Ademi afër meje, e hëngri mishin e orizin e la (qeshë). Ademi i kallxon do të thëna edhe do… jo t’hijshme për ate, me t’vërtetë. Po… osht’ tema tjetër, s’osht’ mo interesant Ademi.

Lura Limani: A jeni hala shokë me Ademin, sigurisht?

Rexhep Bunjaku: Po, Ademi, prej shqiptarëve këtu mo as Zef Pllumbi që ka qenë ma tepër se Ademi. Ai gati 40 vjet ka qenë n’burg, Atë Zef Pllumbi, Ademi 27 vjet ka qenë, unë 15 vjet e disa. E tash na erdhën do pare si t’burgosun (qeshë). Po, mua m’erdhën mirë vallain, drejtë po ju tregoj. Taman erdhën se me 120 euro nuk jetohet Lura. Ademi i morri 170, Nuhi 19 mijë ka marrë për 15 vjet e mu gjinden, i bana do renovime, mobiliet, asi diçka. M’u gjindën mirë, falemnderit edhe shokëve që m’ndihmuan, sidomos Hydajet Hyseni edhe Mazllum Baraliu m’kanë ndihmua shumë, normal edhe qeveria. Të ishte qeveria, nuk e kishte dhanë, t’kishte dashtë, edhe Hashim Thaçi me qeverinë e vet, me shokët e vet. Na erdhën qato pare, pak a shumë na ndihmuan, na ndihmuan.

E kështu Lura, nëse ke edhe diçka tjetër, urdhno.

Lura Limani:  Unë kisha pasë qef edhe me ju pytë, nëse ju kujtohen të ’90-tat, a keni qenë ju…

Rexhep Bunjaku: Lura m’fal s’po ju dëgjoj.

Lura Limani: N’vitet e ’90-ta a keni qenë, a keni punu bashkë me ish të burgosunit e tjerë politik, me pajtim të gjaqeve… çka keni qenë t’u bo? A jeni konë n’Prishinë, ku keni qenë në atë kohë?

Rexhep Bunjaku: Sa ju kuptova, unë thashë që kom punu në Elektro-Maqedoni n’Shkup, m’kanë durua e m’kanë tolerua pse kam punu për dy vetë-tre vetë kam punua, edhe kam qenë punëtor i madh. Këtu erdha në Energoinvestin e Sarajevës, kam punu me djalin e Fadil Hoxhës – Lekën, e kam pasë elektroteknik Lekën. Drejtor e kam pasë Nexhmedin Behlulin. Ka qenë nji sipërmarrje gati me 150 punëtorë, i ka ndihmu Kosovës.

Me ardhjen e detyrimeve serbe, unë në t’90-tën u penzionova, dola. Bile këtë pikturë ma dhanë atëhere si… i pari atëhere jam penzionua n’atë kohë. E shkatërrunë atë sipërmarrje, erdhën serbët, e morën. Tash asht’ ba aty zonë industriale. E këtë banesë e kam prej sipërmarrjes, m’ka kushtu pak ma tepër se inflacioni e bani t’vetën. Kur e shkarkunë “Emin Durakun” sipërmarrjen ndërtimore të Kosovës, atëhere e murën përsipër, ia dhanë një sipërmarrjes së Shkupit, m’doket Mavrovës, a s’e di valla e Shkupit. Atë rillogarinë e banën, na kërkunë nga 50 mijë marka për banesë, a na i kishim paguar, qind për qind i kishim paguar, kjo marrëveshja e kontratës me “Emin Durakun” e Prishitnës. Unë u ngushtova, s’kisha pare, mirëpo i kisha do në Bankën e Lubljanës se kur e shita barakën n’Shkup, i depozitova n’bankën e Lubljanës. Njo 25 mijë marka i kisha aty, mirëpo u bllokuan bankat, s’kisha ku t’marr. U detyrova t’marr borxh e ta blejmë, 40 mijë markë na ka kushtu kjo banesë. Mirëpo, n’atë kohë ishte prapë lirë, n’krahasim me asi…

Kështu që, e kam këtë banesë, vajza Lirjeta ka pasë punua me t’huajt, e ka pasë ble nji banesë një-dhomëshe, ia ka dhanë motrës t’vet. E tash me paret që i mora unë, ia mora vajzës Lirjetës një banesë dy-dhomëshe, rreth 15 mijë eurove. Që mirë, tanë kohën çka kanë thanë pleqt, “Gjynah prej Zotit”. Me shëndet, ende jam n’kamët e mia, nuk jam nevojtar që t’kërkoj një gotë ujë, ende po çohem n’kamët e mia. Po dalë me shokë, se une n’Radio Kosovë, aty po takohemi, po zbrazemi, jo që po bajmë diçka, po zbrazemi qaty (qeshë), t’dëshpëruar. Ambienti i mirë, intelektualë të gjithë aty, p’e kaloj kohë pas kohe.

Lura Limani: Unë e kisha pasë edhe nji pytje, që kjo osht’ pak ndoshta… A keni qenë n’Prishtinë gjatë luftës së fundit në ’99-tën?

Rexhep Bunjaku: Urdhno?

Lura Limani: A keni qenë n’Prishtinë gjatë luftës së fundit në ’99-tën?

Rexhep Bunjaku: Po n’Prishtinë jam gjykua…

Lura Limani: Jo, po flas për luftën e fundit në ’99-tën.

Rexhep Bunjaku: Po n’Prishtinë.

Lura Limani: Po, po a keni qenë gjatë luftës këtu?

Rexhep Bunjaku: Jo, t’gjithë… prej n’prill të ’83-tës jom n’Prishtinë. Qe 32 vjet jom në Prishtinë, po, thomë u vërtetova nga ajo, “Nga je bre burrë?”, “Nga e kom grunë” (qeshë). Grunë e kam prej familjes t’Mumxhive, vëllain e ka pasë zavendës rektor, Muhamet Mumxhiu, matemacient, edhe kjo matematiciente. Isa Mumxhiu, vëllai, ka qenë teknik i ndërtimtarisë, e vëllai më i vogël Sherafedini osht’ inxhinier i makinerisë, edhe tash osht’ në ministri duke punuar. Një motër e ka mësuse, nji s’ka qenë intelektuale, ajo ma e moshuara, ka qenë shtëpiake. Kështu që, këtë kohë kështu po e kaloj. Në Shkup i kam do kushëri, n’Suedi e kam një motër e një vëlla, n’Turqi e kam një motër, m’ka vdekur parvjet.

E unë kur dola nga burgu, baba ishte i ngrohtë qysh kanë thonë, për të shkuar në Turqi. I kisha tre vllazën, i kishte tre vllazën baba atje. Nana i kishte dy motra n’Turqi, edhe te dytë ishin për ate të shpërngulemi. Edhe ma shprehi baba, thashë, “Baba, une nuk ndahem prej juve. E keni nda kafshatën e bukës, 15 vjet e ma keni rujtë shëndetin. Ju falemnderit, për ate jo, vetëm nëqoftëse mua m’pytë, ma shumë kisha dashtë t’jem prapë n’burg n’Jugosllavi, se i lirë n’Turqi”. “Pse bre bir?”, “Se n’Turqi, fëmitë e mi, nuk do t’mësohen shqip, atje nuk ka shkolla shqipe baba. A këtu jom nën okupim t’serbëve, mirëpo ma kanë lejua barëm fëmitë ta mësojnë gjuhën shqipe në shkolla”. Mo s’ma ka përmend. Ashtu që ngelëm, nuk shkumë.

E baba vdiq në ’84-tën, nana m’kallxojke e re, në ’70-tën 59 vjeçare. Posa ishte e lindur Valdetja, pas dy-tre muajve nana m’vdiq nga kanceri. A kurrë cigaren n’gojë nana ime nuk e ka shti. Interesant, a nga kanceri shkoi. A baba im tërë jetën ka pi duhan, edhe shkoi nga zemra, 81 vjeçar (qeshë). E unë 40 vjet e kam pi duhanin, 50 cigare n’ditë, qe 87 i mbusha, bile po ma rritin, po m’thojnë “Sa vjet i ke ba?”, po ju thomë, “102 vjet”. Po m’shikojnë m habi, 87 t’miat edhe 15 t’burgut, bojnë 102 vjet (qeshë). E kështu Lura…

Lura Limani: Po, a ke ndonji pytje?

Rina Krasniqi: Jo.

Lura Limani: Unë tjera pytje nuk kom. Ju kisha falemnderu shumë për bisedën, edhe na mbesim n’kontakt. Edhe falemnderit edhe nihere shumë për kohën. Diçka nëse keni me shtu lirisht.

Rexhep Bunjaku: Lura, nji gja, falë Perëndisë, nuk jam fetar i madh mirëpo i besoj Zotit, që me mendë jam mirë (qeshë). E maj n’mend Din Muhamedi e kishin pasë pytë, keni ndi për Din Muhamedi? Ia kanë masakruar s’di se sa anëtarë çetnikët serbë, në 1811-tën. Edhe shkon n’ngushëllim, “A po mërzitesh?”, tha, “Jo”, “Si?”, “Po t’më kish ra n’mend, ku do t’shkoja për ngushëllim? E kam një nip”, e nga ai nip, u prapë u çu n’kambë ajo familje.

E kështu mar’ e mira n’këtë moshë, hala po shkruaj, po lexoj. M’ka ngelë leximi, edhe n’burg m’ka shpëtu leximi edhe këtu tash. Unë nuk mund t’flej pa lexuar. E kam biblotekën mjaft t’pasur private. Edhe shokët m’kanë ndihmuar, m’kanë dhanë, tash edhe vet po blej se kam mundësi. Kështu që tanë kohën, kisha thonë osht’ mëkat. Do bohet edhe ma mirë.

Unë, edhe nji detaj që osht’ interesasant, edhe tash mu kujtua, në ’47-tën erdhi një kaçanikaz, e ka pasë shok Shefki Hoxhën, nipin e Mehmet Hoxhës. Edhe ai ia kish dërgua tre libra, “Kapitalin”. Lura, llogaritni, “Lahutën e Malcisë” ne e kemi pasë n’burg, Fishtën “Lahutën e Malcisë”. Vjershat e (e pakup.) “Lufta e çetave serbe e shqiptare në Çamëri”. Mu më ra n’dorë, vjershat e bile këto e keni lexuar, në qoftëse e keni lexuar fejtonin.[3] Po e lexoj n’faqen e parë, “Mos besojsha se Shqipëria do të rrnojë përgjithmonë, do të doja që Perëndia krejt botën ta rrënon”.

Unë kam jetua mjaft, e kam lexua mjaft. Nuk kam hasë poet n’botë që i ka folë këto fjalë për mëmëdheun. E unë për fund i frymëzuar, vazhdova, “Në mos besofsha se Kosova do t’bashkohet me Shqipëri, do të doja që Perëndia tërë botën ta bon shkrumb e hi”. E kjo osht’ dëshira ime. Nji ditë t’bashkohemi, ta formojmë atë shtetin etnik shqiptar, i dhuruar nga vet Zoti. E meritojmë ate. A do t’bohet kjo, ndoshta unë nuk e mërrij, ishalla ju e mrrini. Dhashtë Zoti ju e mrrini. Besoj se po. Do t’vetëdijësohet ky popull.

Megjithëse ka dalë Halil Matoshi, thotë “Kombi kosovar”, a ne n’burg, luftën ma t’madhe e kemi pasur ” Vi ste Šiptari, a oni su Albanci” [ Ju jeni Šiptari a ata janë shqiptarë][4]. Na ndanin në dy kombe. Tash Halil Matoshi edhe ky Spahiu dalin thojnë “Kombi kosovar”, Zoti ju vraftë, po pse bre? Ne jemi në shtetin e Kosovës, absolutisht, mirëpo, në mes kombësisë, jemi shqiptarë. Sikurse gjermanët, austriakët nuk thonë me kombësi jom austriak, por gjerman, a nënshtetas-austriak, normal. Na jemi nënshtetas Kosovë, po jemi me kombësi shqiptare. Dhe kjo na banë kosovarë. Mirëpo, nuk ka shanca, jonë njo katër-pesë vetë, jo ma tepër. Lura?

Lura Limani: Po, falemnderit shumë.

Rexhep Bunjaku: Me nder qofshi, ju falemnderit edhe juve që u munduat.


[1]Turq.: vëlla i madh, vëllaçko.

[2]KOS shkurtesa e shërbimit të kundërinteligjencës, një sherbim jugosllav i sigurisë i themeluar në 1946 nga mbetjet e OZNAsë.

[3] I intervistuari flet për fejtonin e tij të botuar në gazetën “Bujku” në vitin 1996.

[4] Ščiptari është fjala serbe për shqiptarët. Është term nënçmues i përdorur për shqiptarët e Kosovës, për t’i dalluar ata nga shqiptarët e Shqipërisë, të cilët në serbisht quhen Albanac/Albanci.

Download PDF