KTHEHEN TEK DËRGUESI: MEMORIALET E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE DHE QYTETET NË KARTOLINA

Pjesa e dytë

Memoriali i Boro-Ramizit, Landovicë (Prizren)

Memoriali për heronjtë partizanë Boris (Boro) Vukmiroviç dhe Ramiz Sadiku në Landovicë, një vend disa kilometra nga Prizreni, iu dedikua Boros, Sekretarit të Komitetit Rajonal të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në Kosovë, dhe Ramizit, anëtarit të Byrosë të së njëjtit Komitet, të kapur dhe të ekzekutuar në Landovicë nga Fashistët Italianë më 10 prill, 1943, ndërsa ishin rrugës për në Prizren nga Gjakova për të takuar të dërguarin e Beogradit, Svetovar (Tempo) Vukmanoviç.

Memoriali, i zbuluar në vitin 1963, dhe i ndërtuar falë lobimit të qeverisë lokale dhe shoqatave të veteranëve, ishte dizajnuar nga Miograd Peciç dhe Svetomir Arsiç – Basara (1928, Sevc, Ferizaj), ndërkohë që mozaiku, që tregon skenën e ekzekutimit, ishte vepër e Hilmija Çatoviç (Rozhajë, 1933-2017).

Një altar për vazhdimësinë e të qenurit viktimë

Teksa qëndron i vetëm, memoriali sygjeron një kombinim të lehtë të së shenjtës dhe laikës. Memoriali si altar, me skulpturën e tij prej betoni dhjetë metra të gjatë, një figurë dy-kokëshe e stilizuar, sygjeron devotshmëri religjioze, në këtë rast, religjionin civil të “viktimizimit aktiv” të partizanëve, sipas fjalëve të Miranda Jakisha.

Por ai gjithashtu është përdorur për qëllime rekreative, siç tregohet nga burri që është ulur në cep ose fëmijët që luajnë në rrafsh. Dhe skulptura e tij monumentale dhe abstrakte është simbol i modernitetit poaq sa Fiça e famshme në Jugosllavinë e viteve të 1960-ta si simbol i konsumerizmit të ardhur së fundmi.

Në “Kosovo/Kosova” (1974, fq.485), ne lexojmë se monumenti është ndërtuar me qëllim për të simbolizuar krenarinë e dy shokëve, të cilët fashistët, sipas njohurive Jugosllave, provuan t’i ndajnë ata në emër të linjave nacionale, por pa sukses, duke i ofruar Ramizit shqiptar për t’i shpëtuar ekzekutimit.

Në kartolinat përshëndetëse nga Prizreni, memoriali i Landovicës duket të jetë poashtu një pikë orientimi për qytetin poaq sa hapësirat e tjera më urbane apo më të vjetra. Shfaqet në qendër të pamjeve të shumta të qytetit, së bashku me kishën ortodokse serbe të Shenjtorës Bogorodica Ljeviska, e cila është bizantine dhe në mbrojtje të UNESCO-s si dhe me xhaminë e Sinan Pashës nga shekulli XVII, të dyja pika prominente të orientimit. Memoriali poashtu shfaqet edhe me motelet dhe restaurantet e pasluftës, siç janë Vllazrini, Liria dhe Sputnik, ndërtesa moderne por modeste në stil dhe madhësi, në harmoni me ndërtimet e Prizrenit. Në këto kartolina, Prizreni shfaqet si modern ose i vjetër, ose të dyja bashkë, por monumenti mbetet një pikë e përhershme orientimi.

Në një kartolinë bardhë e zi, mesazhi është “Përshëndetje nga Prishtina”. Monumenti ka tejkaluar lokacionin e tij afër Prizrenit për të riafirmuar simbolizmin më të gjerë të vllaznim-bashkimit.

Një kartolinë nga pamjet e Prizrenit përfshin Shtëpinë e Kulturës, me një memorial të Lufttës së Dytë Botërore, një mur me gjashtë buste. Ky memorial është praktikisht i panjohur në Kosovë. I ndërtuar në vitin 1982, në fillim të krizës politike post-Tito, dhe ndërkohë që kërkesat për një Kosovë Republikë po shtypeshin brutalisht, mund të supozojmë se memoriali do të ishte një riafirmim i trashëgimisë komuniste dhe partizane të luftës si baza e një shteti të bashkuar Jugosllav. Ndoshta ka jetën më të shkurtër se të gjitha memorialet e tjera. Shkëlzen Maliqi na ka ndihmuar të njohim disa prej tyre: dy partizanë të rënë nga Prizreni, Xhevdet Doda dhe Jovanka Radivojeviç-Kica dhe ndoshta Ganimete Tërbeshi dhe Emin Duraku, të dy nga Gjakova.

Ditëve të sotme, është e pamundur të shihet memoriali i Landovicës, sepse është shkatërruar në luftën e fundit, dhe është zëvendësuar në atë lokacion nga një varrezë për të rënët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) më 1998-1999. Rëndësia e këtij zëvendësimi nuk iu largua Sllobodan Millosheviçit në ripyetjen e tij në ICTY, të Halil Morinës, një banor i Landovicës, i cili dëshmoi për shkatërrimin e tërësishëm të fshatit të tij dhe vrasjet e shumë civilëve më 26 mars, 1999. Millosheviçi e mohoi se ushtria e tij kishte kryer një luftë kundër civilëve dhe argumentoi se ata më shumë po luftonin kundër UÇK-së në Landovicë. Prova? Monumenti mbi të rënët e UÇK-së, i ndërtuar për të zëvendësuar atë të Boro dhe Ramizit.

Vendimi për të ndërtuar një memorial të UÇK-së saktësisht aty ku kishte qenë dikur monumenti i vjetër, nuk është befasues, si simbolizëm tjetër – në këtë rast, çlirimin e Kosovës nga Serbia – zëvendësoi atë të kaluarin në një lokalitet i cili tashmë ishte “shenjtëruar” me pezencën e një monumenti për heronjtë.

Sa për memorialin e Boro dhe Ramizit, kujtimi për të jeton vetëm në këto kartolina të vjetra.