Myzejen Hoxha

Prizren | Date: 25 korrik, 2018 | Duration: 31 minuta

Fëmijë nuk kam pasë. Edhe burri më vdiq, më ka dekë në 82-shin, në fund të dhjetorit, Reshat Isa. Edhe, prej asaj kohe, unë vetëm lexoj, noj herë e marr naj punëdore, punoj, goblena kemi punu edhe punoj prapë kaniherë. […] Shumë, shumë më merr malli. Ani që kam hy në moshë, më merr malli për kolektivin e përparshëm, kemi qenë një kolektiv shumë i mirë… Prapë më merr malli, vij e marr libra, lexoj libra, vij i shoh niherë këta ‘si jeni, a jeni, ku jeni’, edhe më thërrasin, drejtoresha, kur bëhen festa të bibliotekës, gjithmonë.


Drenushë Morina (Intervistuesja), Elmedina Arapi (Kamerë)

Myzejen Hoxha u lind në vitin 1939, në Kukës, Shqipëri. Prindërit e saj ishin nga Gjakova dhe punonin si tregtarë në Shqipëri. Familja e saj pesë anëtarëshe u vendos në Prizren në vitin 1942. Mësimet në Shkollën e Lartë Profesionale i ndoqi në drejtimin për bibliotekiste, gjithashtu ndoqi kurse për bibliotekiste në Prishtinë dhe Beograd. Myzejen Hoxha, konsiderohet një ndër bibliotekistet e para shqiptare. Më 1 maj të vitit 1956, ajo hapi bibliotekën e parë për fëmijë në Prizren. Ajo punoi në këtë bibliotekë deri në vitin 1992, kur edhe dha dorëheqje, sepse nuk donte ta pranonte sistemin serb.

Myzejen Hoxha

Drenushë Morina: Atëherë, nëse mundeni fillimisht me u prezentu, emrin, mbiemrin, datën e lindjes, vendin?

Myzejen Hoxha: Po, une kom lindë në vitin 1939, po më ka ardhë nji tjetër ‘37, kështu që jam e saktë ‘39, po ‘37 ka ardhë letra prej Shipnisë se unë kam lindë në Kukës.

Drenushë Morina: Si jeni zhvendos në Prizren?

Myzejen Hoxha: E në Prizren, prindët e mi kanë qenë gjakovarë, po kanë qenë tregtarë në Shqipni edhe kështu që ne kemi lindë, motra, unë edhe vëllau, Florent Hoxha, Florije Hoxha edhe unë. E kemi ardhë këtu në ‘42-shin, kur ka kërsitë lufta italianët në Shqipni, prindët tonë na kanë tërhjek e na kanë pru në Prizren. Këtu kemi, këtu kemi jetu, këtu kemi lindë, kemi marrë ashtu kishe kemi lindë, këtu s’kemi lindë, por ishte koha asisoj që neve lindëm në Shipni, erdhëm në Prizren edhe e çumë jetën deri në këtë kohë. Domethanë, une e kam nji moshë që tash ndoshta shoqet e mija, thashë çka po më… {prek mikrofonin}, asi nji moshë që tashti nashta edhe harroj najsen, vetëm osht’ puna që prindët e mi, baba im ka punu, këtu ka pasë dyqanin, dyqani shtetëror, atëherë s’ka pasë dyqan privat edhe kështu ka qenë jeta ime.

Mandej jam martu, mandej fëmijë nuk kam pasë, nuk kam pasë fëmijë. Kom dështu, kështu që fëmijë nuk kam pasë edhe burri më vdiq. Më ka vdek në ‘82-shin, në fund të dhjetorit, Reshat Isa. Edhe prej asaj kohe, unë vetëm lexoj, najherë, najherë e marrë nji punë të dorës, punoj. Goblena kemi punu edhe punoj prapë kaniherë, po pakëz si duhesh, duhet me shku te mjeku me operu këtë synin se ka formu perde. Kështu ka qenë kjo jeta ime, jam marr me shoqni, kemi pasë shoqni, këtu kemi pasë nji shoqni, shumë të mirë, në Shpi të Kulturës. Gjithë kemi qenë afër njeni-tjetrit, pa marrë parasysh kombin ose kombësinë, të gjithë s’bashku kemi qenë. Kështu që, nuk kemi ndi mungesë, gjithmonë jemi konë të afërt njani me tjetrin, kur kanë qenë ditë e grave, 8 marset i kemi festu bashkë, na janë rritë rrogat për dhjetë përqind, prapë jemi mbledh, jemi tubu bashkë. Kështu që, ka qenë nji, nji kolektiv shumë i pastër, i pastër edhe i mirë.

Drenushë Morina: Po, rreth shkollimit të juj, shkollën fillore të mesme, pastaj studimet?

Myzejen Hoxha: Të mesme, jo ma tutje, jo. E kam të mesmen, bibliotekiste, nuk osht ajo bibliotekiste, ajo asht’ libërdhanës, bibliotekiste duhet me qenë me fakulltet.

Drenushë Morina: Më fal që po ju ndërprej, veç nëse keni mundësi me na tregu fillimisht shkollën fillore ku e keni kry e tani me na tregu për të mesmen.

Myzejen Hoxha: Po, na atëherë shkolla ime fillore ka qenë, i thojshin shkolla “Bajram Curri”, këtu te kisha e katolikëve. Aty, aty e kam pasë mësuese Drande Mitën, hala e kam gjallë mësuesen. Mandej prej atyhit, atëhere gjimnazi ka qenë tetë-vjeçar, kemi kry shkollën fillore, jemi regjistru në gjimnaz. Gjimnazin kemi kry, domethanë shkollën e ultë tash thuhet, nuk thuhet shkollë e mesme ajo, tetë vjet si tashti që është tetë vjet, atëherë i thojshin shkolla e mesme. Edhe mandej kur dojke me shku vitin e pestë, e gjashtë, e shtatë, e tetë, ishte matura, kështu ka qenë gjimnazi. Mandej e kom kry shkollën për bibliotekë, katër vjeçare. Kështu që, deri aty kam shku, ma tutje jo.

Drenushë Morina: Shkollën për bibliotekë e keni kry në Prizren domethanë?

Myzejen Hoxha: Po, në Prizren. Kurse, kurset ato që kemi pasë si bibliotekista, kam qenë në Beograd, kam dhanë provimin shtetëror. Aty u duke me e dhanë, me i ditë tana gjanat e bibliotekës. Edhe niherë më ndodhi aty kam nejt nja 15 ditë, ndodhi që më pyti ai profesori, ata ishin njerëz të shkollum edhe na pakëz edhe si prej frigës që s’po dina mirë sërbisht. I thom unë librat, ai më pyt, “Ku janë librat?” Thashë, “Nëpër kaca”, thashë, “nëpër kaca të posaçme” se kanë qenë të shkrume me diamanta me sene, librat e parë botënorë.

E tash ai thotë, “E tjetër kund?” “Kuku bre”, thojshna, “edhe ni emër e ka kjo po s’po më kujtohet”. Ai tha, serbisht tha, “Otvori prozor” [Serbisht – hape dritarën], “Trezor” [Serbisht – kasafortë], unë kom bërtitë kështu. Ai tha, “U bre”, tha, “sa më tute”. Thashë, “Po atëherë”, thashë “kur thatë ju prozor, mu m’u kujtu trezor”. Kështu që, unë e dhashë provimin aty, disa provime kanë qenë aty, se duhshe, ajo shtetnore. Kur e jepshe, s’ishte vetëm për shtetin me ditë, vetëm u dujshe me ditë punët që punohen në bibliotekë, si është kjo, si është ai libër, çka janë këto, kujt janë, kush ka shkru, tregime, ç’tregime, vjersha, romane, krejt këto.

Domethanë, 15 ditë aty kam nejt, masanej prapë kam shku në Prishtinë. Prapë edhe aty kam nejt dy javë. Kështu që, isha e re une, ishin edhe këto ma të vjetrat Lili Berisha, Dobrilla Shotakoviq, Ninofka Guzina, këto kanë qenë të ardhuna aty. Zorica Toshiq, ka qenë bibliotekistja e parë, ajo ‘44-sh, atëherë unë kam qenë pesë vjeçe, a sa kam qenë, s’e kam ditë as çka osht’ biblioteka në atë kohë. M’u dha rasti unë ‘56-shin unë u punësova me 1 maj në bibliotekë. E hapa bibliotekën e fëmijëve, ashtu mandej kemi pasë aty, kemi bo edhe njifarë si panairi, si s’di çka mi thonë. Gani Luboteni, ka qenë profesor i njoftun, me mu, disa libra i kam aty edhe fotografinë me Gani Lubotenin. Kështu që, kjo ka qenë qësi pune që ke pasë punë vetëm me fëmijë. Urdhno!

Drenushë Morina: A më tregoni pak rreth punës, sa ju ka pëlqy puna me fëmijë? Një ditë pune në bibliotekë, a ju kujtohet?

Myzejen Hoxha: Mu më ka pëlqy me fëmijë. Tani për atë punë edhe kam hi në atë vend të punës edhe kam punu me fëmijtë. Gjithnjë i kam dashtë fëmijtë edhe gjithmonë librat që ju shkyshin, unë i ngjitsha se s’kemi tjetër. Mandej çdo të premte, çdo të premte i kemi shkund librat prej pluhnit. Mandej kemi pasë nji kurir, i cili shkojke premteve nëpër shpia me i lyp librat. Ka qenë shumë interesante ajo edhe ja jepshim nji torbë, që në qoftë se nuk vjen me e kthy, ta jep ty në derë aty, vetëm regjistroje. Na e kishim dhanë emrat kush nuk i ka kthy librat.

Tash e atë kohë prapë librat nuk kthehen. Prapë nuk janë, nuk janë njerëzit të vetëdijshëm që ai libër e ka vendin këtu, nuk e ka në shpi. Në shpi mundesh ti me e pasë bibliotekën tonde personale, por librat mbahen në bibliotekë e lanë atë nxansin tjetër pa e lexu për shembull lektyrën. Ai ka pasë me lexu, ti e ke nalë nuk e ki kthy, për atë arsye ka mbetë ai libër edhe sigurisht asht gjujt, a çka kanë bo me ato libra, ku di unë. Ai shkojke, i mbledhke, për shembull, sot kish me shku Tabahone edhe ai hike me adresë, se i kishim adresat nëpër kartona, i kanë edhe sot në kartona. Aty numri i shpisë, derës edhe shkojke, trokitte, lypke librin me e kthy. Naj fëmijë ja jepke, naj fëmijë vike e kthejke. Këto kanë qenë punët tona.

Drenushë Morina: A ka pasë aktivitete përpos vallëzimit edhe leximit të librave, aktivitete tjera me fëmijë?

Myzejen Hoxha: Po ju tregova që vike qaj Botanoviqi, profesori, majke orë letrare dy herë në javë, e tjera s’ka pasë, tjera aty ku kom punu në fillim, mandej këtu, edhe këtu andej-këndej, po tash ka libra, mu më knaqet syni që i shoh këto libra. Unë i kam pasë vetëm katër tituj shqip, këto tjerat kanë qenë sërbisht. Mandej kur kemi kalu këtu, janë ble libra, ‘74-shin ka fillu puna, janë ble libra, kanë ardhë librat edhe prej Tyrqisë, shqip. Ma s’pari kemi pasë policat [Serbisht – raftet], serbisht u duhke ma s’pari ato me qenë të parat, mandej vishin shqip, masnej tyrqisht këtu. Kështu ka qenë kjo jetë e bibliotekës.

Drenushë Morina: Na trego pak për lokacionin e parë ku është hapë biblioteka edhe si ka ardhë puna që jeni vendosë në këtë objekt ku jeni tash?

Myzejen Hoxha: Po na aty ku kemi qenë, ku kom qenë unë personalisht aty, aty ka qenë pronë private, prona private, u duhke me lëshu edhe neve na u dha mundësia. U bo me anën e, me anën e kryetarit të kuvendit Ali Dauti. [Ai] Ka qenë atëherë kryetar edhe ai neve na boni të mundshëm me ardhë këtu, në këtë bibliotekë. Këtu u vendosëm, u rahatum, kishim nxemje qendrore. S’ishte mirë atje, jemi sëmu edhe, jemi sëmu nëpër ato bibliotekat ku kemi punu, sidomos une aty. Kam qenë disa herë sëmutë në atë vend, po kalojke se e dojshe, vishin fëmijtë e lypshin librin.

Kështu mandej kur erdha këtu, mas nji kohe prapë kam punu vetëm. Mas nji kohe na prunën Zade Zenelaj, ka qenë mësuse nëpër fshatra ajo, e tash punojshim edhe paradite edhe mbasdite. Mandej erdhi Isa, Isën që ke pakparëz, Isën e çumë në Velezhë në katund, se kemi pasë biblioteka në Velezhë, Lubishtë, në Sreskë, në Zhur. Kapllani ka punu, Elezkurtaj ka punu në Zhur edhe kemi pasë në Dragash. Këto kanë qenë domethanë rrojtë e bibliotekave. Këto për të rritun, përzine edhe për fëmijë edhe për të rritun, këto kanë qenë bibliotekat.

Aktivitetet tona, shkojshim i kqyrshim ato librat, ia rrenditshim simas që i kishim, për shembull, vjershat, tregimet, romanet, ku dushim na. Gjithë biblioteka shkojshim nëpër fshatra, i rregullojshim, i lejshim të rregullune, u kthejshim. Këto ka qenë, këto kanë qenë punët tona. Tash janë ndryshe, tash për shembull, bibliotekat, s’di a shkoni ju, Farije, në biblioteka? Biblioteka ka shkolla tash kanë edhe atëherë fillunë bibliotekat e shkollave, punojshin po s’kanë pasë gjitha librat. Atëherë ka qenë aktiviteti shumë i madh ndaj librit edhe lexuesit. Kështu ishte kjo puna jonë.

Drenushë Morina: E përmendët që literatura bibliotekës i ka pasë vetëm katër libra shqip.

Myzejen Hoxha: Gjuhës shqipe.

Drenushë Morina: Po, vetëm nëse kishit mujt me na tregu pak ma në detaje, nëse ju kujtohet, cilat kanë qenë ato libra dhe sa ka qenë e vështirë me i menaxhu lexuesit shiptar me vetëm katër libra shqip?

Myzejen Hoxha: Po ju tregova unë, thashë “Lulet e Shëngjergjit”, “Kur pranvera vonohet” që s’ishte për fëmijë ajo, “Për ty”…

Drenushë Morina: Më fal, më fal që po ju ndërprej po ato pjesët që na keni, ato pjesët që na keni tregu nuk jena konë t’u inçizu edhe tash neve na duhet me i marr për së dyti.

Myzejen Hoxha: A, po, po, po, në rregull.

Drenushë Morina: Faleminderit.

Myzejen Hoxha: Në rregull, në rregull, a ma jep mu atë torbën aty, qat torbën, se i kam, qe përmas aty. Ju më thatë fotografitë, unë i morra fotografitë me veti. Këto janë konë fotografitë e bibliotekës. T’i pata edhe syzat se na nuk shohim edhe pa syza. Këtu i kam që don ti merri, këto doni me i qitë mandej, kanë qenë këtu antaret e bibliotekës krejt. Qe ku i ki. Tash “Lulet e Shën Gjergjit”…

Drenushë Morina: A na tregon, nëse mundesh për shembull, “I kemi pasë veç katër libra shqip”, me ja nisë qështu edhe me tregu cilat janë.

Myzejen Hoxha: Eh po, ne tash kishim edhe pak lexues se s’kish lexuesi çka me lexu, vetëm këto katër tituj e disa. Për shembull, njëzetë ekzemplarë i bishin kishe me u dokë ato shumë, që shumë ka. Nji dritare ka qenë e vogël këtu, qaty kanë qenë librat shqip. E tregova edhe këto librat ishin këto, “Për ty” nuk ishte për fëmijë ajo, manej “Kur pranvera vonohet” e Fadil Hoxhës s’ka qenë për fëmijë po na kishin pru edhe ajo rrike aty. E merrshin besa kaniherë fëmijtë e lexojshin, me pa partizantë, çka kanë bo partizantë në atë kohë. “Lulet e verëve”, “Lulet e Shën Gjergjit”, “Për ty” këto kanë qenë katra, vetëm katra.

Mandej kur erdhëm këtu, neve kryetari na i dha dy milionë dinarë, atëherë paret e mëdhaja dy milionë. Me ata dy milionë na blemë libra edhe biblioteka për të rritun edhe na për fëmijë. Kështu që fillum, fillunë shkrimtarët tonë ‘74-shin me shkru libra, me dhanë për biblioteka, krejt këto. U dha nji liri e shkrimtarit shiptarë, se deri në atë kohë s’kishte liri, vetëm sërbtë [e kishin]. Shiptarët… ka qenë cenzurë e randë për me shkru. Ti u duhshe shumë me pasë, me pasë shumë, me i përfshi për shembull krejt këto çështjen, mos me kalu në nacionalizëm, po vetëm domethanë të Jugosllavisë e kurgjo tjetër, këto ishin këto. A i shkruve këto katër libra?

Drenushë Morina: Na trego pak qysh kanë shku edhe procedura e marrjes të librave, a ka pasë afat të kthimit edhe nëse nuk i kanë kthy në kohë çfarë keni ndërmarrë?

Myzejen Hoxha: Po, kishim na, po ndërmurrëm që e thashë, i jipshim atë kuririn me shku, se na thojke ai drejtori, “Ka nji dinar me ja marr në qoftë se e ka vonu librin”. Thojshim, “Po na ngelim pa lexus na, në qoftë se marrim pare prej lexuesit, na po ngelim pa lexues”. Ai thojke qeshtu që vike i kontrollojke ato kartonat, i lypke, “Qeky s’e paska kthy me kohë, nji dinar!” “Si me ja marrë nji dinar?” Thojsha, “Ndoshta nesër e kthen”. M’u dhimbshin edhe fëmija tash me dhonë pare për ato. Mandej që ai kuriri, para se me ardhë ky shkau1, ai kuriri shkojke nëpër shtëpia, lypke librat për me i kthy. Kush i kthejke, i kthejke, kush s’e kthejke, s’e kthejke. Edhe kështu që biblioteka vike tu u, tu ra prej fondit të vet.

Atëherë thashë kryetari kur na dha dy milionë, atëherë fillum këtu kur kalum, e fillum pak u bo përparimi i librave, shkrimtarëve. Mandej prapë qashtu merrshim se ishim, lektyrat u duhshim m’i marrë ka njëzetë ekzemplarë. Vishin fëmijtë prej shkollave, njëherë s’ka pasë, shkollat s’kanë pasë bibliotekë, mandej u kriju mundësia edhe shkollat banën bibliotekat e veta. Po tash na u duhshim si temel me pasë shumë libra. Për krejt nxansët, shtatë shkolla tetë-vjeçare. Kur kom punu une, kanë qenë këtu kur kemi ardhë shtatë shkolla tetë-vjeçare.

Kur jepshim atëherë kemi kritiku edhe profesorat e mësusat, “Pse”, thojsha, “po jepni ju me nji kohë?” Edhe shkolla “Emin Duraku” edhe shkolla “Mustafa Bakija” edhe shkolla “Mladen Ugarević”, “17 Nantori”, “Motrat Qiriazi”, ishin këto shkollat që jepshin menjiherë nji lektyrë. “Po kaloni bre”, thojsha, “boni diqysh që ajo shkollë t’i jep njëzetë ditë përpara ose njëzetë ditë përmas”, me marrëveshje. Ata i jepshin gjithë përnjiheri, na s’mujshim fëmijëve m’i ju dhonë, pritshim me i kthy librat, deri sa i kthejshin, ktyne ju hupke lektyra fëmijëve. Kështu ka qenë ajo jeta jonë përpara.

Tash kanë libra, veç si duket ka nxanës ma pak. Unë kam pasë për shembull në ditë ka njëqind e kusur nxanës që vishin me marrë libra. Ka pasë nxanëse, për shembull vishin dej te dera, “Kuku, tezja Zene koka”, se kërrkush nuk më thirr Myzejen mu, “Tezja Zene, koka…” ikshin e tash mas mas nji kohe kur takohem me ta, thojnë, “Kuku sa jemi frigu që na pytshe me spjegu e nuk e kishim lexu librin”, po thojsha, “Une ju thojsha edhe dhjetë ditë ju jap tjera vetëm lexoje”.

Ka qenë një rast kur u bo, trazinat kur u bonën edhe motra ime ka qenë te unë me gjithë dhandërr e me dy fëmijë. Vjen policia e i merr ata, qata paramilitarë, a çka me ju thonë. Edhe une tash zhdrypi poshtë te doktori, ka qenë dentisti aty, vjen ai zavendësi i policisë, “Ooo”, thotë, “tezja Zene, ti je këtu në këtë banesë?” “Po”, thashë, “këtu jam, po ma kanë marrë”, thashë, “motrën edhe dhandrrin. Kanë ikë prej Gjakovës, kanë ardhë këtu, se u bo atje masakër në Gjakovë” edhe kështu tha, “Unë shumë t’u kom tutë ty”. “Pse?” Tha, “Kur më pytshe a ki lexu librin, unë thojsha ja po ja jo, më thosjshe me spjegu”. “Kom hi”, tha, “në shkollë normale, jam regjistru, shumë, shumë, shumë t’u kom faleminderu se m’u ka kërku letërsia e fëmijëve e unë i kom ditë do gjana edhe kom kalu shumë mirë”. Këto ishin këto ngjarjet që kanë ndodh gjatë luftës e para luftës e ishin ngjarjet e ndryshme t’jetës.

Drenushë Morina: Deri kur keni punu në këtë bibliotekë?

Myzejen Hoxha: Unë kam punu deri ‘92-shin, 92-shin kur ndigjova se po vinë, më dhanë nënshkrime a jeni për Serbinë a jo, unë i thashë drejtorit, ka qenë nji, ky Karaleiq edhe ai tha, “Pse”, tha, “po don me dal ti në penzion kur s’e ki moshën?” Thashë, “Jo”, une thashë, “nuk mundem”. Unë kur jam punësu në bibliotekë kërkush mu nuk më ka pyt për kond je, e pse tash dul kjo që a je për Serbinë, në qoftë se nuk je për Sërbinë del prej punës. E unë thashë, “Dola vet pa më qit ti mu”. “Kush të ka tregu?” “Jo”, thashë, “s’osht’ punë me më tregu, po osht’ puna që neve kemi punu”. Për shembull, unë kena punu 36 vjet në bibliotekë e gjashtë muj’, “E tash vjen koha”, thashë, “ti kur më thu për konë je ti?”

Unë thashë, “Që ka mundësi, unë dal në penzion, kqyri për penzion. Nënshkrimi jem nuk jipet”. Edhe dola me 25 dhjetor e kom lëshu punën. Të nesërmit, a masnesërmit i ka pru këtu drejtori këtu në bibliotekë emnat e të gjithë punëtorëve, kush nuk osht’ nënshkru ka dalë prej punës. Luljeta Çeku ka dalë prej punës, ky Kapllan, Kapllani që ka punu në Zhur, ka dalë prej punës qe une, ka dalë Flora Stavileci. Kështu që, s’e kemi pranu regjimin, këto kanë qitë, kjo ka punu, s’ka punu në bibliotekë, ka qenë këtu, në BVI2 për Kulturë ka qenë si sekretareshë. Kështu që, atëherë ‘92-shin, në fund të ‘92-shit unë kam dalë prej bibliotekës.

Edhe ma ka shkru aty drejtori me samovoljno [Serbisht – vetëdëshirë], vet e ka lëshu punën edhe unë e lëshova unë punën, se jo… po s’kisha qysh, ku m’u regjistru për Sërbi, për çfarë arsye, kur jam shiptare edhe unë, unë kam rrnu këtu. Tash pse ma bon mu atë pytje, ma jep letrën, në qoftë se nuk e nënshkrunë edhe na dulëm prej punës. Kur vi nji ditë unë këtu edhe vi nji ditë me lyp Hadi Hoda ka punu këtu, ka qenë mjeshtër, i punojke sallat i rregullojke edhe kështu kur kish naj prishje. I shoh këtu tri shkina kanë hi në punë këtu, kanë zavendësu neve, për shembull mu e Florën e, atje në Zhur s’kanë çu se shiptarë krejt, këtu në bibliotekë janë sjellë këta.

Kështu që, e lëshova punën edhe mas luftës Dashnor Xërxa ka punu në teatër “Hajde Zene”, tha, “po kthehemi në punë”. Thashë “Jo valla, Dashnor, unë”, thashë, “tashti s’po ma merr mendja m’u kthy në punë. Kanë hi njerëz…” kur erdhëm këtu i pamë ata njerëz që kanë nejt në punë, e kanë pranu Serbinë prapë kanë ngel në punë aty. Edhe unë dola prej këtuhit, thashë, “Unë propozoj Dashnor Xërxën drejtor për bibliotekë”. Mandej bashkë shkum rrugës, tha, “Po shkojmë te kryetari”, ka qenë ai Ekrem Kryeziu kryetari i parë. Thashë, “Jo”, une thashë, “nuk vi se prej këtuhit mo unë nuk vi në bibliotekë. Nuk po ma merr mendja”, thojsha “unë tash, ne e kemi lëshu punën edhe këta njerëz që s’e kanë lëshu punën barabartë me ne. Sa vjet pa punë, tash këta me punë edhe prapë me punë”. Kështu që, s’ma murr mendja. Kaq kisha me ju thonë unë juve më doket që e krymë me qekaq.

Drenushë Morina: Kemi edhe nja dy pytje.

Myzejen Hoxha: A bre kaq pytjet (qeshë).

Drenushë Morina: Sa ju merr malli për atë kohë?

Myzejen Hoxha: Ato kohën a? Shumë, shumë më merr malli. Ani që kam hi në moshë, më merr malli për kolektivin e përparshëm, kemi qenë një kolektiv shumë i mirë edhe tash e kanë kolektivin e mirë. Këto janë tona të zgjedhne, janë punëtoret e vjetra, kjo, Flora, Isa, që kanë punu. Prapë më merr malli, vi e marr libra une, lexoj libra, marr libra. Vi i shoh niherë këta, si jeni a jeni, ku jeni edhe më thërrasin drejtoresha. Kurrë, kur bohen festat e bibliotekës gjithmonë Sadetja më thërret këtu. A e kryve me këto (qeshë)?

Drenushë Morina: Thatë që kohën e lirë e kaloni t’u lexu zakonisht. A na tregon pak çka lexoni ma shumë naj libër që e keni…?

Myzejen Hoxha: Unë ma s’tepërmi kam lexu afërsisht krejt librat që kanë ble biblioteka. Daniel Steel-it, ajo më pëlqen shumë, romanet e saj i lexoj. Najherë boj fjalëkryq me punu ky truni, mos na nalet edhe naj punë të dorës, punët e shpisë si gjethkushi, punët e shpisë tjetër çka penzionet i kemi të mëdhaja 172 euro që kemi punu qaq shumë s’na kanë marrë as vjet e shërbimit hiç, veç sipas shkollës. Qaq shkolla e mesme 170. Ti Farije 170 euro i marrish (qeshë), veç ti ki me dalë ma vonë. Sigurisht kanë mi ju rregullu penzionet. Po tash për tash qëto janë, Serbia na ka ndërpre, nuk na ka dhanë penzionet, kështu që na i marrim penzionet e Kosovës.

Këto janë ndihma nuk janë penzione. Penzioni gjithmonë është marrë edhe vjet e shërbimit, mandej shkolla, sa vjet ki punu, shkollimi edhe ato janë bo nifarë, nifarë penzioni ma i arsyeshëm, kështu që këto janë malli merr, lexoj libra. Kam shku në deti i kam tri libra me veti, Daniellit. S’i kisha lexu ato edhe ato libra më shkunë në Gjakovë, motra, shkova me motrën e me dhandrrin. Vajza e motrës murr aty, ka ble banesë në Qerret edhe shkun librat për Gjakovë, thashë, “Hajt qaty lexoj”, motrës i thashë. Tha, “E lexova dy, dy i lexova”.

Thashë, “Lexoje edhe tretin, derisa vish në Prizren i bjen librat me veti”. Se sigurisht i vynë dikujt, duhet dikush, e unë jam kundra asaj m’i majt librat. “Qe”, thashë, “kaloj koha, 17 ditë edhe aty që kemi ardhë që nji javë ditë prej detit”. Thashë, “Duhet me më denu biblioteka (qeshë)”. E i tregova atij djalit, thashë, “Shkum në bibliotekë, librat e bibliotekës”. Kaq a jeni të kënaqun me mu ju?

Drenushë Morina: Edhe nji pytje të fundit. A të kthehemi pak te themelimi i bibliotekës? Sa ju kujtohet, a keni pasë vështirësi kur e keni themelu këtë sektor edhe si ju ka ardhë ideja?

Myzejen Hoxha: Unë jo që kam pasë vështirësi të mdhaja se s’kishe ti fëmijëve shqiptarë me ju dhanë libra, e para ish pika e parë. Unë tash serbisht u duhsha me ja dhanë, serbëve, ai shiptari i kish qato libra, po i kish lexu. I merrshim edhe gazetën “Pionieri”, ka qenë gazeta “Pionieri” në atë kohë edhe kështu që s’kemi mujt bash, bash, bash, bash, në atë kohë. Mandej kur erdhëm, kur erdhëm na këtu ju thashë kur erdhëm na këtu, fillum me ble libra ndryshe ishin fëmijtë u ulshin këtu, lexojshin gazeta, lexojshin libra që dojshin me kqyr edhe këto me vizatime me. Kështu që, kjo ka qenë shumë ma e mirë se ajo ku jam punësu unë ato. Atëherë u dha mundësia thanë biblioteka e fëmijëve, unë e para, edhe më punësunë. Hina aty, punojsha. Kaq.

Drenushë Morina: Faleminderit.


1 Shka (m.), shkinë (f.), shumës shkijet, term derogativ që shqiptarët e përdorin për serbët.

2 Bashkësia e Kulturës apo BVI-ja për Kulturë, të cilës i referohet folësi ka qenë institucion që është marrë me çështjet kulturore në Krahinën Autonome të Kosovës. BVI – Byroja Vetëqeverisëse e Interesit përbëhej nga agjenci të ndryshme qeveritare, të cilat ishin ekuivalente me ministritë.

Download PDF