Kur Krushqit e Pajtimit shkuan në New York: Historia e Dytë

Një nënë spjegon domethënien e burrnisë

Kanë qenë mjaft të vështira sidomos edhe në Detroit. Rasti i Detroitit ka qenë edhe më i vështirë sepse ka qenë babë dhe djalë që po faleshin. Edhe atje, unë nuk kam qenë në Detroit. Ka qenë Tahir Nikçi veprimtar i shoqatës “Shpresa”, i cili ka udhëhequr grupin në Detroit, por siç na tregonte ai nga ajo familje që ka arrit atje pajtimin.

Vëllai i viktimës nuk pranon, në realitet ka qenë vëllai dhe djali ka pasë me i falë. Vëllai i viktimës nuk pranon të falë në asnjë mënyrë, edhe pse u kishte bërë një pritje madhështore, i ngrite aq lartë delegacionin, u thoshte se, “Ju jeni koka e kombit, ju jeni njerëzit më të mëdhenj”, edhe pse ishte presioni shumë i madh i Don Anton Kqirës, priftit të kishës katolike në Detroit, i cili kërkonte me çdo kusht që të falet gjaku. Ai më në fund i thotë, “Këtu nuk mundet të bëhet asgjë”.  Dhe nëna e tij pas disa orësh ngritët në këmbë dhe i thotë të birit, “Po, ti mor birë gjithë këta burra, gjithë këta burra i ngrite aq lart, i çove aq lart, e në fund u thua jo.” Thotë, “Burrnia nuk e ka kështu. Unë jam grua, por besa Zotit për djalë tim flas vetë”, dhe i afrohet Anton Çettës dhe ia zgjat dorën dhe i thotë, “Qoftë fal gjaku i djalit”. Por nuk e përmend nipin, sepse nipi ishte djali i djalit të saj, dhe i thotë, “Tash është radha jote, unë e fala djalin tim, ti duhesh me falë djalin tënd”. Edhe aty arritët edhe ai pajtim.


Copëzën nga audio intervista ku Besim Malota tregon historinë që sapo lexuat mund ta dëgjoni këtu.