Jelena Bjelica (1978), gazetare, Beograd
Valerie Hopkins: Kur e ke marrë vesh për herë të parë se Kosova do të shpallte pavarësinë?
Jelena Bjelica: Të them të drejtën, nuk më kujtohet data e saktë apo madje as muaji. Por jam e sigurt se ishte pak muaj, disa muaj para se të ndodhte. Më kujtohet që kam dhënë një intervistë për Al Jazeera-n në fund të vitit 2007, në fillim të vitit 2008, kur edhe pata thënë se është e qartë se Kosova do të shpallet e pavarur, më tepër herët se vonë. Por kur ishte saktësisht nuk mund të të them, veçse ishte sigurisht dy, tre, katër muaj përpara.
Valerie Hopkins: Ku ishe në ditën e pavarësisë?
Jelena Bjelica: Isha në banesën time në Prishtinë. Punoja… atëherë u zhvendosa në Prishtinë në fund të vitit 2005, dhe e hapën një gazetë të quajtur Građanski Glasnik [Lajmëtari Qytetar], Civic Herald në anglisht, Shkëlzen Maliqi, Petrit Selimi dhe unë, dhe unë isha kryeredaktore, pra në fakt atëherë jetoja në Prishtinë. Dhe, qartazi, si kryeredaktore dhe gazetare i ndiqja konferencat, emisionet televizive, dhe gjatë asaj kohe 2006, 2007, flitej shumë për zgjidhjen politike për Kosovën, jo vetëm mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës, por edhe në qarqet e komunitetit ndërkombëtar. Pra ishte, si të them, një rutinë ditore, ishte pjesë e punës, dhe një gazetare dhe kryedredaktore dëshiron t’i ketë parasysh të gjitha.
Pra, më 17 shkurt isha në Prishtinë në banesën time, dhe e këndshmja e kësaj ishte se erdhi shoqja ime e ngushtë nga Beogradi, dhe unë e kisha ftuar atë dy vite me rradhë të vijë në Prishtinë, dhe më pas shumë rastësisht e kishte zgjedhur atë fundjavë, ishte fundjavë, me sa kujtoj 17 shkurti ishte fundjavë. Dhe pa e ditur fare se do të ndodhte po atë fundjavë. Pra patëm… patëm një festë të madhe dhe erdhën shumë njerëz, shumë miq që nuk vepronin në Prishtinë atëkohë, erdhën të gjithë, ishte festë e madhe në rrugë dhe shoqja ime e nga Beogradi u kënaq fort, thoshte “Oh Zot! Nuk e kisha ditur se Kosova është aq cool!” dhe thosha, “Po, por nuk është kështu çdo ditë”. Dhe kishim një shaka me shokë, me shokët e mi shqiptarë rrugëve. Shkoja dhe u thosha se kjo është shoqja ime nga Beogradi, dhe ata thoshin, “Bye, bye Serbia” [Tung, tung Serbi] e shoqja ime përgjigjej “See you in EU” [Shihemi në BE], pra ishte kjo rimë, kjo shaka.
Ishte… jetoja përballë Hotelit Grand, te sheshi Zahir Pajaziti, dhe… sepse secili vendoste flamurë, dhe thoshim në rregull s’mund të vendosim flamur të Serbisë, do të ishte e çuditshme. Pra thamë në rregull do ta vëmë një flamur të BE-së! Dhe patëm një flamur të BE-së… në dritaren time. Por ishte një atmosferë e mrekullueshme, ishte… unë jam në Kosovë prej 2002-shit… në të vërtetë prej vitit 2000, kam raportuar nga Kosova, dhe jam zhvendosur në Kosovë dhe isha e vendosur në Prishtinë prej vitit 2005, dhe në periudhën 2000-2005 udhëtoja, kaloja dy muaj, dy javë në Kosovë, dy javë në Beograd, dhe mandej dy javë në Kosovë. Pra në vitin 2008, ishte një shkarkesë… një barrë e rëndë ishte shkarkuar, dhe njerëzit ishin… ata ishin me të vërtetë të gëzuar, dhe ajo më bëri edhe mua të gëzuar. Dikur ishte vërtet vështirë, sidomos në muajt dhe vitet para pavarësisë, njerëzit ishin si të ngecur, mendërisht të ngecur diku, dhe papandehur pas pavarësisë, ata u hapën, barra u zhduk. Isha fort e lumtur që isha aty, shumë me fat që isha aty për ta parë. Dhe… kishte shumë pije nëpër rrugë, gjithkush pinte verë, raki rrushi, dhe shkonim te “Martini”, te rruga e vogël ku është “Martini”, kishte muzikë, dhe njerëzit këndonin. Më kujtohet… ngado që të shkosh në Ballkan, sepse gjithë këto këngë janë të njëjta, dhe u ndjeva keq sepse atëherë nuk dija shqip dhe s’munda t’i këndoja këngët, por mund t’i këndoja nën zë, e kështu, ishte shumë bukur.
Valerie Hopkins: Ku ishe në orën 3:50 kur është shpallur pavarësia? Prit, në të vërtetë, desha të të pyesja: Këta njerëz që festonin, sepse unë nuk e di, a ishin, sa kohë përpara kishin ditur, a e kishin marrë vesh natën përpara, a e kishin marrë vesh po atë ditë? A të kujtohet?
Jelena Bjelica: Nuk më kujtohet saktësisht, por mendoj se ishte një natë më herët. Ishin disa lloj storjesh, dhe e vinin këtë temë lajmi, minuta e fundit, 24 orët e fundit, dhe merreshin me kërkesat mediatike. Por prapë se prapë nuk mendoj se ishte tepër e papritur sepse kishte shumë gazetarë të huaj vërdallë, kishte dijeni do të thosha, ndoshta 48 apo diçka, 48 a 24 orë, dhe kishte dijeni sepse shumë njerëz erdhën… ishin aty me të 17-in. Isha duke bërë… po e përgatisja storjen, sepse… edhe pse e kisha gazetën time, isha korrespondente në periudhën 2000-2005 për gazeta serbe, dhe nuk kishin, mendoj, korrespondent, edhe pse e kisha gazetën time, e përgatita storjen sepse… çfarë tjetër të bëj? Mendoj se nuk isha pikërisht në rrugë, por isha në banesën time dhe… ndiqja konferencat për shtyp në televizion, bëja telefonata dhe gjëra të zakonshme për gazetarët, ishte më praktike të rrija në shtëpi dhe… sepse ishte konferencë për shtyp e transmetuar drejtpërdrejtë dhe pastaj interneti e kompjuterët e kështu me rradhë, gjithçka ishte në shtëpi.
Në të vërtetë unë… dhe kujtoj se ishte tepër ftohtë, ishte -5 ose diçka e tillë, tmerrësisht ftohtë. Por pastaj kujtova se dolëm, ndoshta pasdite, 6, 7 dhe pastaj erdhi Anna papritmas nga Nju Jorku, pra kisha diku tre vetë që rrinin në banesën time, dhe bëje mend, kisha banesën më të vogël, 40 metra katrorë apo diçka, gjithë ata njerëz. Ishte disi kaotike, por çiltërsisht kaotike, atmosferë e mirë dhe festë kudo, ishte kënaqësi. Por e dija një natë përpara, jam e sigurt se e dija sepse më kujtohet se shkova ta merrja një shoqe nga Beogradi atë natë kur mbërriti, dhe i thashë, “Do të ndodh shpallja e pavarësisë nesër, shpresoj që je në rregull, sepse nëse s’je më mirë të shkosh”.