Në pranverën e vitit 2025, Anna Di Lellio ligjëroi për Historinë Gojore në Institutin e Teknologjisë të Rochesterit në Kosovë. Studentët e regjistruar në këtë lëndë shpejt zbuluan mundësitë që ofron historia gojore. Ata mësuan se si rrëfimet e jetës mund të ilustrojnë mënyrën se si ndërthuren tregimet individuale me ngjarjet më të gjera historike dhe se si identiteti kulturor i pranishëm në këto rrëfime ndërton një narrativë kolektive të komunitetit.

Intervistat që këta hulumtues të rinj kanë mbledhur e bëjnë historinë e fundit të Kosovës të gjallë përmes zërave të shumtë të luftës dhe pasojave të saj: luftëtarët, komandantët, fëmijët e luftës, viktimat dhe udhëheqësit civilë, ndërmjetësuesit, ndërkombëtarët dhe humanitarët.

Avni Mustafa


Një mëngjes, krejt papritur, i pamë katër a pesë shqiptarë në oborrin tonë… ishin miq edhe me babin tim, por ajo shoqëri u zhduk, sepse ata hynë në oborr me thika e me gjëra të tilla, duke kërkuar sendet e tyre… Nuk po them që s’kanë humbur gjëra gjatë luftës, por… edhe pse babi e mami po u thoshin, ‘Nuk kemi marrë asgjë prej jush, ju lutem, jemi miq’… ata panë një arkë me rroba dasme dhe… e kuptuan që ato rroba s’u takonin atyre, por mamit tim. Dhe e mbaj mend momentin kur ata po i nxirrnin të gjitha jashtë, i hidhnin në tokë, nuk u interesonte fare, dhe e lanë ashtu… Kurrë, kurrë nuk do ta harroj atë skenë pasi u larguan. E pashë mamanë time ulur aty, duke u munduar t’i kthente të gjitha në vend, ta rregullonte gjithçka siç ishte më parë, ishte një makth.

Nexhat Çoçaj

Antropolog

Në atë kohë unë kisha zyrën e informacionit në ambientet e xhamisë së Krumës, në kuadër të shtabit të UÇK-së…[Atje]  vinin edhe paraqiteshin të gjithë ata persona të cilët ose kishin përjetuar përdhunime nga ushtarët dhe nga policia serbe, ose ata familjarët të cilët dëshironin të bashkoheshin me familjet e tyre, dhe ne si pjesëmarrës të UÇK-së i ndihmonim popullatës për t’u bashkuar.  Një interesim në këtë drejtim mund të them, një rast kur Sadije Morina nga Raushiqi i Pejës i kishte vdekur fëmija i vet, por nuk dëshironte fëmijën t’ia linte edhe të vdekur policisë. Në anën tjetër ajo nuk dëshironte që ta merrte vesh edhe familja e vet se i ka vdekur fëmija, dhe e ka mbajtur 24 orë të vdekur fëmijën, para Durrësit, duke ia dhënë biberonin, dhe biberoni iu ka ngrirë në gojë, sepse kur vdes njeriu mbetet, dhe biberoni iu ka ngrirë…ka kaluar kufirin, biberoni i ka mbetur me qumësht dhe goja e mbyllur e fëmijës së vdekur, dhe aty afrohet një grua tjetër në Qafën e Prushit, ku ishin pastaj forcat ushtarake të Shqipërisë, të cilët ndihmonin ata që kalonin nëpër mal, dhe i thotë, “A ka mundësi me ma dhënë qat qumësht me ja dhënë bebës time?” [Sadije] thotë, “Jo, nuk ka mundësi se më ka vdekë fëmija dhe nuk mund t’ia nxjerr biberonin.” Nga kjo intervistë të cilën e kam bërë, e kam shkru një vepër që është “Qumështi i Vdekjes.”

Agron Limani

Inxhinier elektrik

Mendoja që popullata civile duhet tërheqej nga fshati, respektivisht në radhë parë mendoj që të rinjët, të cilët do të mund të ishin cak i sulmit të forcave serbe, ata do duhej të largoheshin…Kam ardhur te popullata në atë luginë ku ishte e përqëndruar rreth 700 persona…Kam apeluar që të rinjët të vijnë me mua, të largohen; disa prej atyre që kanë qenë prezent, për fat të keq tani nuk janë në mesin e të gjallëve, thonë, ‘Po ne civil, ne jemi të paarmatosur, ne jemi me gra, me fëmijë, me gra shtatëzëna, me nuse, me foshnje, pse duhet të jemi ne cak i sulmit të forcave serbe, kur ne nuk paraqesim asnjë lloj rreziku për askë?’U kam kundërpërgjigj, ‘Për faktin që ju duhet ta kuptoni një fakt që serbët tradicionalisht kanë sulmuar popullatën civile, serbët tradicionalisht kanë sulmuar njerëzit e paarmatoshur dhe të pambrojtur, prandaj unë mendoj që është mirë largohemi.’..mbas nja dy tre javëve, dëgjuam lajmet e para…përmes një radiotranzitor… dhe thoshte se mbi 100 shqiptarë ishin vrarë në Krushë të Vogël.

Jeta Xharra

Gazetare

Mexhid Syla

Avokat