Agron Limani

Prizren | Date: 24 mars dhe 29 prill, 2025 | Duration: 49 minuta

Mendoja që popullata civile duhet tërheqej nga fshati, respektivisht në radhë parë mendoj që të rinjët, të cilët do të mund të ishin cak i sulmit të forcave serbe, ata do duhej të largoheshin…Kam ardhur te popullata në atë luginë ku ishte e përqëndruar rreth 700 persona…Kam apeluar që të rinjët të vijnë me mua, të largohen; disa prej atyre që kanë qenë prezent, për fat të keq tani nuk janë në mesin e të gjallëve, thonë, ‘Po ne civil, ne jemi të paarmatosur, ne jemi me gra, me fëmijë, me gra shtatëzëna, me nuse, me foshnje, pse duhet të jemi ne cak i sulmit të forcave serbe, kur ne nuk paraqesim asnjë lloj rreziku për askë?’U kam kundërpërgjigj, ‘Për faktin që ju duhet ta kuptoni një fakt që serbët tradicionalisht kanë sulmuar popullatën civile, serbët tradicionalisht kanë sulmuar njerëzit e paarmatoshur dhe të pambrojtur, prandaj unë mendoj që është mirë largohemi.’..mbas nja dy tre javëve, dëgjuam lajmet e para…përmes një radiotranzitor… dhe thoshte se mbi 100 shqiptarë ishin vrarë në Krushë të Vogël.


Luan Limani (Intervistues dhe kamera)

Agron Limani u lind më 15 dhjetor, 1966 në Krushën e Vogël. Ai ka diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Prishtinë dhe është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është autor i “Fshati i Vrarë”, një monografi për masakrën e vitit 1999 në Krushën e Vogël.

Agron Limani

Pjesa e parë

Luan Limani: Përshëndetje zotri Limani, ke mundësi të na përshkruash biografinë tënde në pak fjalë?

Agron Limani: Po, unë jam Agron Limani, lindur me 15 dhjetor të vitin 1966 në Krushë të Vogël, jam njëri nga pesë fëmijët e Nebih dhe Kimete Limanit, ne kemi qenë katër vëllezër dhe një motër, shkollën fillore tetë vjeçare e kam kryer në Krushë të Madhe, dy vitet e para të shkollës së mesme në Piranë, kurse vitin e tretë dhe katër e kam kryer në gjimnazin matematikor në Prizren, pastaj kam vazhduar në fakultetin elektroteknik në Prishtinë.

Luan Limani: Cila ishte jeta juaj gjatë viteve 90-ta?

Agron Limani: Po jeta jonë sikurse jeta e shumicës së shqiptarëve ishte jetë relativisht e vështirë, ne patëm themi fatin apo fatkeqësinë të përballemi me disa kufizime, respektivisht disa përpjekje të mohimit të drejtave shqiptare. Kryesisht nga fundi i viteve të 80-ta ne ishim dëshmitarë kur në mars të vitit 1989 Serbia imponoi dhunshëm subprimimin e autonomisë së Kosovës, me ç’rast edhe ajo pak autonomi që gëzonte në atë kohë Kosova, u suprimua me tangse, u suprimua me dhunë përkundër rezistencës së madhe të popullit shqiptar, përkundër protestës dhe përkushtimit të madh të popullit shqiptar të Kosovës, megjithatë kjo nuk dha ndonjë fryt në atë kohë.

Luan Limani: Mund të na flasësh për pjesëmarrjen tuaj në UÇK?

Agron Limani: Po, pjesëmarrja ime në Ushtrinë çlirimtare të Kosovës i paraprijnë disa ngjarje, që kanë ndodhur në fshat dhe më gjerë. Siç e ceka më herët, në 23 mars të vitit 1989, Kosovë… ju suprimua apo ju anulua autonomia e Kosovës, atë rast, në fshatin tonë ndodhën, të themi disa ndryshime radikale. Sa për informim, fshati Krushë e Vogël është përbërë prej rreth 850 banorëve shqiptarë, rreth 150 banorëve serb dhe rreth 15 banorëve Rom, dhe raportet në vitet 80-ta mes shumicës shqiptare dhe pakicës serbe kanë qenë relativisht normale.

Mirëpo pas suprimimit të autonomisë së Kosovës në mars të vitit 1989, gjithçka ndryshoi, ndryshoi sjellja e serbëve lokalë në raport me shumicën shqiptare. Serbët u furnizuan me lloje të ndryshme të armëve, serbët lokalë, pra serbët e këtij fshati vazhdonin ushtrime të ndryshme ushtarake, përgatiteshin serbët e këtij fshatit, pastaj në vitet e 90-ta morën pjesë në luftat në ish-Jugosllavi në Bosnjë dhe në Kroaci dhe përgatiteshin dhe provokonin çdo ditë ish-fqinjët e tyre shqiptarë. Ishte pamundur në Krushë të Vogël të mos përjetoje, të mos provoje provokacione të ndryshme nga ana e pakicës serbe, pothuajse çdo ditë e çdo natë ata shtenin me lloje të ndryshme të armëve që ishin që ishin… ishin furnizuar pa masë nga policia dhe ushtëria serbe. Ishte bërë ferr për familjet shqiptare, sidomos për gratë dhe fëmijët e vegjël, ku mesazhi i tyre ishte se këtu nuk ka vend për të dy kombët, për të dy nacionalitetet.

Pra, ishte pamundur në emër të atyre organizimeve, gjoja shoqërore që i bënin, të mos shtinin vazhdimisht me lloje të ndryshme të armëve, të mos kërcënonin e kështu me radhë, në emër të sigurisë të atyre 150 serbëve lokal. Ata kishin ftuar një grup policësh të Mupit të Serbisë, të cilët ishin përqëndruar në mes të fshatit, kishin, kishin bërë, të themi, kishin improvizuar një lloj punkti të policisë serbe dhe ishte pamundur të mos malltretoheshim, të mos fyheshin, të mos nënçmoheshim, të mos të keqtrajtoheshin banorët shqiptarë të Krushës së Vogël.

Pra, jeta ishte bërë e tmerrshme, padurueshme e banorëve shqiptarë të Krushës së Vogël, si pasojë e sjelljes agresive të serbëve lokalë dhe atyre që kishin ardhur t’ju ndihmojnë. Kjo jetë ishte bërë e padurueshme për faktin se nuk zgjidhninë mjete, nuk ndaleshim në këtë lloj veprimtarie antishqiptare. Unë dua të cekja edhe një fakt tjetër. Për shkak të gjendjes së rënd ekonomike, për shkak të përjashtimit të numrit të madh të punëtorëve, largimit të numrit të madh të punëtorëve nga vendet e tyre të punës, për shkak të varfërisë që na kaploi neve si familje dhe varfëri e cila i kaploi shumicën shqiptare si pasojë largimit dhe kufizimeve të tjera të familjeve shqiptare, unë pata provuar të emigroj në shtetet perëndimore.

Por është interesant fakti që pothuajse disa ditë para se të niseshim për Gjermani takohem me profesor Ukshin Hotin. Profesor Ukshin Hoti ka qenë shok shkolle me babain tim me Nebihun dhe më thotë që nesër do të shkoj në Prishtinë për të vizituar grevistët të cilët protestonin kundër mbylljes së mediave shqipe në pallatin e Shtypit, ashtu quhej në atë kohë pallati i Shtypit. Lindia e cila greve prej baces Adem, pra Adem Demaçit, dhe unë me kënaqësi pranova ofertën e profesor Ushin Hotit dhe të nesërmen shkuam. Ka qenë maji i vitit 1993 shkuam e vizituam, i vizituam në fakt grevistët, e vizituam Bacen Adem dhe në kthim e sipër profesor Ukshin Hoti propozoi të shkonte deri në Çikatovë të Re, një fshat i Drenasit dhe ta vizitonte një ish shok të tij të burgut, Halil Kuliçi, të cilin serbët e kishin rrahë për vdekje.

Në emër të preteksteve që ata gjenin, në shkruarje e sipër na ndalën në stacionin e policisë në Drenas, na futën në stacion policor pa asnjë shkasë. Pastaj në stacion, së pari më torturuan mua pa asnjë arsye, e vetmja arsye ishte që isha shqiptar, ndërsa pasi na liruan nga stacioni policor, neve na shoqëronte një autoblinë serbe. Disa qindar metra dhe pastaj na ndalën te një punkt i policisë, ishte rreth orës 8:19 mbramjes, dhe aty na rrahen për vdekje mua dhe profesorin. Na rrahen, ta themi ndoshta në mënyrë shtazarake është shprehje e butë karshi torturave që bën një grup i policëve serb ndaj profesorit dhe ndaj meje, na thyen brindjet, mua më kanë dëmtuar boshtin korrizor.

Dhe pastaj pasi na lëshuan, me kujtohet një thënie e profesorit të nderuar, profesorit të ndjerë për fat të keq, i cili tha, “Kështu, Agron, serbia do të humb, kurrë nuk do të lejojmë që fashizmi serb të pengojë aspiratat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.” Dhe në kthim e sipër prej Drenasit, në Rahovec na ndalem pastaj po ashtu policia serbe, na dërguan në stacionin policor në Rahovec dhe aty u kërcënuan profesorit të ndjerë përsëri duke e fyer, duke e sharë, duke i thënë se ti je armik i Serbisë, dhe nëse të fusim edhe njëherë në dorë, nuk do të lënë gjallë, pra, nuk do shpëton i gjallë. Pra kjo ishte, një lloj të themi para kushtit të krijimit të kushteve për tu inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe pse kisha nxjerur biletën për të shkuar për Gjermani brenda dy tre ditëve, e kam grisur biletën dhe u pata besatu të themi kështu që cilido që lufton kundër Serbisë unë do të jem krah atyre, pra edhe pse pas tre ditësh kisha për t’u nisur për Gjermani e anulova atë takim dhe në… maj, më falni, në nëntor të vitit 1997, së bashku me disa shokë të LPK-së. Mirëpo Serbia nuk e kuptonte gjuhën e paqes, Serbia nuk i kuptonte mjetet politike përmes të cilës do të zgjidhej problem i Kosovës. Unë desha të cekja dhe këtë, në fakt në vazhdim e sipër kur filloi lufta, së pari kam qenë në brigadën 124, në fakt prej fillimit deri në fund brigadë 124 e cila selinë ka pasur në Drenovc të Rahovecit, pastaj në Reti të Rahovecit po ashtu.

Dua të cekim një fakt që më tre shkurt të vitin 1999 më lind djali im parë Ermali dhe unë në atë kohë isha në me shërbim pranë brigadës 124 Gani Paçarizi në [rrethin] e tij të Rahovecit. Dhe me 23 mars të vitin 1994, 1999, më falni, vij fshehtas në mbrëmje në shtëpinë time në Krushë të Vogël. Duhej fshehtas për faktin se kishte serbë të cilët ishin të armatosur, të cilët kishin sjellur forca policore në fshat, prandaj Ermali im kishte në atë kohë gjashtë javësh, erdha ta vizitoja fshehtas, me synim që të kthehen pastaj fshehtas përsëri.

Të nesërmen, natën, por më 24 mars të vitin 1999 fillojnë sulmet ajrore të NATO-s mbi caçet ushtarake dhe policore serbe. Ishte një moment gëzimi, por ishte në të njëjtën kohë një moment frike për faktin se serbët kishin paralajmëruar nëse NATO-ja sulmon, Serbinë, ata do të hakmerreshin ndaj civilëve shqiptarë, ndaj shqiptarëve, kur thuhej ndaj shqiptarëve, në fakt ata alodonin ndaj njerëzve të pambrojtur dhe të paarmatosur.

Në mëngjesin e 25 marsit të vitit 1995, rreth orës 5:00 të mëngjesit, forca të shumta policore përqëndrohen në magjistralen Prizren, Gjakovë, respektivisht përballë fshatit tonë Krushë e Vogël. Kishin ardhur forca të ndryshme me makineri të ndryshme dhe duke e parë një gjendje të tillë, popullata shqiptare e Krushës së Vogël fillon t’i lëshon, fillon t’i braktis shtëpitë e tyre. Në fakt mbas themi gjysmë ore dëgjohen disa të shtëna nga familjet serbe, të cilat, të cilat shtëna ishin sinjal për forcat policore të marshojnë në drejtim të fshatit, edhe edhe ky marshim bëri që me të madhe familjet shqiptare t’i braktisin shtëpitë e tyre, çka ndodh.

Komplet popullata shqiptare zhvendoset të themi rreth 500metra në periferi të fshatit. Të thënë të drejtën, në atë kohë kjo popullatë mendonte që forcat policore serbe kanë hyrë për të plakqitur dhe pasi ta kryenin plaçken e tyre, ata do të largoheshin dhe familjet do të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por nuk ndodhi ashtu. Kisha një parandjenjë që banorëve të fshatit tim do t’i ndodhë një keqe jashtëzakonisht e madhe, ishte një parandjenjë e cila i referohej disa ngjarjeve tragjike të cilat kishin ndodhur muaj më parë në Kosovë, ishte rasti Reçakut i cili kishte ndodhur më 15 janar të atij viti, ishte rasti në Rogovë të Hasit dhe kishte shumë raste të tjera të freskëta ku kishin ku serbët kishin shkaktuar fatkeqësira e tragjedira mbi popullatën civile shqiptare.

Mendoja që popullata civile duhet tërheqej nga fshati, respektivisht në radhë parë mendoj që të rinjët, të cilët do të mund të ishin cak i sulmit të forcave serbe, ata do duhej të largoheshin. Për këtë qëllim nga periferia e fshatit, një luginë që ishte në periferi të fshatit Krushë e Vogël, para se të bëjë thirrje për tërheqjen e të rinjëve nga fshati, kam shkuar rreth një km apo dy në pozicionet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra pozicionet tek shokët e mi edhe për të siguruar një, një shteg tërheqje, sepse ideja ishte kur t’i thërras për t’i tërhequr, mos po bin në prit.

Në fakt po synoj për t’i shpëtuar, por në fakt po ndodh kundërta, po sjell dhe fatkeqësinë, pasi e kam siguruar një shteg tërheqje, themi në rrethana të tilla, çfarë mund të sigurojë. Kam ardhur te popullata në atë luginë ku ishte e përqëndruar rreth 700 persona edhe i kam thënë kështu, “Të nderuar banorë, ju e dini që unë jam pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rastësisht kam qëlluar shtëpi, për dy arsye unë dua të kthehem në njësitë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së pari është obligimi imi moral kombëtar të jem atje në vije të frontit, por edhe prezença ime mund të jetë pretekst që juve ju të shëndërroheni cak i sulmit të forcave serbe, por unë e kam një propozim, mendoj që të rinjët e fshatit tonë duhet të largohen nga kjo trup, duhet ta largohen për faktin se sikur të kishim, sikur të ishim të sigurtë, ne do të qëndronim nëpër shtëpitë tona, fakti që s’kemi qenë të sigurtë.”

I kemi lëshuar shtëpitë, prandaj distanca prej 500 nga shtëpitë tona nuk është ndonjë siguri e lakmueshme, i kam thënë edhe njëherë, tri herë, dhe kur përseri kam bërë thirrje, kam apeluar që të rinjët të vijnë me mua, të largohen, disa prej atyre që kanë qenë prezent, për fat të keq tani nuk janë në mesin e të gjallëve, thonë, “Po ne civil, ne jemi të paarmatosur, ne jemi me gra, me fëmijë, me gra shtatëzëna, me nuse, me foshnje, pse duhet të jemi ne cak i sulmit të forcave serbe, kur ne nuk paraqesim asnjë lloj rreziku për askë?” U kam kundërpërgjigj, “Për faktin që ju duhet ta kuptoni një fakt që serbët tradicionalisht kanë sulmuar popullatën civile, serbët tradicionalisht kanë sulmuar njerëzit e paarmatoshur dhe të pambrojtur, prandaj unë mendoj që është mirë largohemi.”

Në fakt së paku të rinjët të largohen dhe më shoqërojnë mua, ishte kotë për faktin që vërtetë nuk kishin faj, sepse ishin me gra, me fëmijë, me gra shtatëzëna, me pleq, me plaka, dhe prej asaj turme vetëm gjashtë persona erdhën me mua, të cilët deri në përfundim të luftës i mbijetuan luftës, është interesant që kur jam larguar rreth themi 200-300 metra, 500, prej asaj turme, banorëve në fakt, serbët kishin filluar, serbët lokal, ndihmuar nga policia serbe, kishin filluar t’i plaçkitnin shtëpitë e shqiptareve dhe kishin filluar t’i digjnin ato.

Ne pastaj u risistemuam natyrisht në njësitë tona të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por themi mbas nja dy tre javëve, dëgjuam lajmet e para sa i përket fatit, respektivisht fatkeqësisë së Krushës së Vogël. Kujtohet kemi qenë në… në fshatin Kravasari dhe përmes një radiotranzitor tranzistori te vogël ishim disa ushtarë nga fshati Krushë e Vogël kur dëgjuam për herë të parë një rrëfim nga një i mbijetuar i një masakre që kishte ndodhur, ai quhej Mehmet Krasniqi, i cili kishte arritur të dilte nga ajo pëlloj gjaku, ajo masakër që kishte ndodhur dhe thoshte se mbi 100 shqiptarë ishin vrarë në Krushë të Vogël, nuk besonim atë që dëgjonim. Dhe kur u përsërit disa herë përsëritëm disa radiostacione, në atë kohë sikurse Zëri i Amerikës, ishte një trishtim i paparë për ne ushtarët që vinim nga fshati Krushë e Vogël, domethënë mbi 100 civilë shqiptarë ishin vrarë.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdoi deri, themi në komunën e Prizrenit, deri më 12 qershor të vitit 1999, pastaj me 13 qershor në fakt u çlirua Prizreni komplet dhe kurrë nuk i harroj ato momente kur komplet popullata thjeshtë në një farë mënyre e bunkerizuar, popullata e cila ishte fshehur nëpër bodrume të Prizrenit, dilnin, qanin nga gëzimi, nuk ju besonin syve të tyre, se vërtetë janë të lirë, se vërtetë janë të pacenueshëm nga forcat serbe, qeshnin, vallëzonin, këndonin.

Por ne, disa ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rreth15, që vinim nga fshati Krushë e Vogël, kishim mbet si të mjerë për faktin, nuk dinim a të gëzoheshim, të qeshnim apo të qanim, kishim frikë të vinim në fshatin tonë të lindjes, në fshatin ku kishim kaluar dekada të tëra, sepse informacioni që kishim marrë prej radiostacioneve të ndryshme e që përshkruante një masakër të tillë na frenonte, na dekurajonte të vinim në fshat dhe nëse nuk gaboj me 14 qershor, të nesërmen morëm guximin dhe u kthyem në fshat dhe çtë shohësh në fshat? një tmerr, një gjendje e mjerueshme, një shkretëtirë, të gjitha shtëpitë shqiptare ishin plaçkitur së pari dhe pastaj ishin djegur, nga 125 shtëpi shqiptare, vetëm tetë shtëpi ishin kursyer dhe nuk ishin djegur, kurse të gjitha tjerat ishin shkatërruar e djegur.

Asnjë shtëpi serbe rreth atyre sa familje kanë qenë rreth 25 apo 30, asnjë shtëpi serbe nuk ishte dëmtuar apo demoluar, të gjitha ato kishin qenë të mbushura me gjësende që ishin plaçkitur nga shtëpitë shqiptare, që më pastaj ishin djegur. Ishte rrënoj, ishte dhe një pamje që mendja e njeriut normal nuk mund ta përshkruajë dhe fshati ishte mbushur me kafshë të ngordhura të cilat serbët i kishin vrarë, fshati dukej sikurse ajo pamja e Hiroshimës dhe Nagasakit kur janë hudhë bombat atomike, domethënë gjithçka ishte pluhur dhe hijë falë veprimeve të ishfqinjëve tanë serb.

Pastaj filluan të ktheheshin edhe familjet e para të fshatit nga Shqipëria pasi që komplet ata ishin larguar ajo pjesë e popullatës ishin larguar, në fakt gra dhe fëmijë ishin larguar për Shqipëri. Ne, disa ish ushtarë që kemi qenë në Kosovë, pastaj morëm informacione për familjet tona ku janë të përqëndruara, ku janë të vendosa në fakt në Shqipëri, së bashku me djalin axhës Sokolin shkuam në Elbasan, atje takuam familjet tona. Ishte një moment jashtëzakonisht prekës, pikëllues për faktin se ata pritnin se do t’i ofrojmë ndonjë informacion për katër anëtarët e familjes tone që kishim lënë fatkeqsisht, për babën, për vëllaun, për axhën dhe djalin haxhës.

Aç sa ish momente gëzimi kur u takuam, ishin momente hidhërimi, pikëllimi për faktin që nuk ju sollëm ndonjë informacion, shpresëdhënës se të katërtit ishin në mesin e të gjallëve. Pas sa kohësh u kthyen, edhe ata të cilët kishte dashur fati dhe kishin shpëtuar nga masakra në fakt çka kishte ndodhur pasi unë… unë së bashku me gjashtë të tjerët që pranuan të vijnë me mua..çfarë kishte ndodhur?

Në mbrëmjen e 25 marsit, për shkak të kohës së ftohtë, për shkak se në popullatë kishte mjaft fëmijë të vegjël, kishte foshnja, kishte gra shtatëzane, kishte plaka e popullata e fshatit, ishte vendosur në disa shtëpi periferike, respektivisht ishte vendosur tek shtëpitë e Sedi Batushës. Më 26 mars të nesërmen rreth mesdites, ato shtëpi rrethohen prej serbëve të Krushës së Vogël dhe policëve që kishin ardhur në ndihmë këtyre, dhe urdhërojnë të ndahen meshkujt nga femrat, i urdhërojn te ndahen fëmijët 12-13 vjeçar deri në moshën më të shtyer nga nënat e tyre, nga motrat e tyre, nga të afërmet e tyre, dhe pasi i kërcënojnë dhe i urdhërojnë gratë dhe fëmijët e moshës, nën 12 vjeç dhe nisen për Shqipëri.

Pjesën tjetër mbi 100 persona, së pari detyrojnë të zbrazin gjithçka çfarë kishin në gjepat e tyre, ju marrin pra të hollat, ju marrin dokumentat, çelësat e automjeteve e kështu me radhë, pastaj atë tur mbi 100 persona, respektivisht 109 persona i marrin dhe i dërgojn rreth 100 metra më tutje në një shtëpi përdhese e cila përbëhen nga dy dhoma dhe një korridor. I fusin aty, i mbajnë të rrethuar disa kohë me qëllim që mos të ikin dhe pas një kohe mbi ata shkrepin, shkrepin armë të ndryshme, duke filluar prej automatik, mitrolez ..e kështu me radhë.

Dëshmitarët të cilët kanë arritur të shpëtojnë nga kjo masakër, pra gjashtë prej tyre tregojnë që shumica prej tyre kanë qenë të plagosur dhe një pakicë kanë qenë të themi në fazën parë të vrarë dhe ashtu të plagosur, tha hynin serbët e Krushes se Vogël dhe të cilët emrat e tyre serbëve janë të evidentuar në këtë libër, pra libri Fshati i Vrarë, është monografi, e cila përshkruan masakrën më të madhe në Kosovë, masakrën e Krushes së Vogël, dhe emrat e atyre që kanë bërë krim, që kanë kryer masakrën, janë të evidentuar në këtë libër, libri është në version shif dhe në versionin anglisht. dhe dua të ceki që ky libër është regjistruar në British Library në Londër, në të dy gjuhët dhe thonë.

Pasi gjuajtën me armë të ndryshme dhe shumica prej atyre ishin të plagosur, pastaj kanë hedhur një lloj materie e cila është shndërruar në flakë dhe aty, një numër i konsiderueshëm i të ndjerëve kanë dhënë shpirt, kanë vdekur prej flakëve, prej zjarrit në fakt, po them në libër janë në detaje të përshkruara, ai tmerr që kanë përjetuar ajo turmë e madhe njerëzish, nga 109 persona që janë futur aty, gjashtë kanë arritur te largohen fati ka dashur që ata gjashtë janë informatorë të atij krimi monstroz që kanë kryer serbët lokal dhe për fat të tillë të gjashtit pastaj kanë arritur të dalin në Shqipëri dhe faktikisht të mbijetojnë, pra nga 109 persona, 103 persona janë vrarë aty.

Në mesin e atyre personave të vrarë kanë qenë edhe babai im, ka qenë vëllau im 22 vjeçar, djali i axhës tim, i hendikepuar apo invalid dhe axha im 70 vjeçar, dhe çka është më e keqja kanë hedhur në lumin Drini i Bardhë, i cili është rreth 1 km nga fshati dhe aty kanë bërë dy gropa të mëdha për tu krijuar përshtypja se kjo është si rezultat i sulmeve ajrore të NATO-s.

Një ditë më parë me 25 mars, serbët kanë vrarë edhe nëntë të tjerë, pra me 26 vrasin 103, ndërsa me 25 mars vrasin dhe 9 te tjere të cilët nuk i kishin leshuar shtëpitë per nga fakti që ishin civil dhe nuk i kishin bërë askujt ndonjë te keqe. Pra per dy dyt vriten 112 persona. Kur përfundon lufta respektivisht ata qe e kishin kryer kete krim ishin larguar për Serbi por para se të largoheshin kishin vendosur mjete shpërthyese dhe për fat të keq tri fëmijë hasin ne ato mina dhe dy prej tyre vdesin ndersa njerit i është këputur këmba. Ne mesin e tyre është një fëmijë 12 vjeqar nga Krusha e Vogel dhe 2 fëmijët e tjerë nga Pirana i cili njeri vdes ndersa tjetrit i ampotohet kemba, dhe numri i viktimave civile shkon ne 113, pra tragjedia apo fatkeqsia e Krushes së Vogel shkon ne 113 të vrarë.

Serbët përvecse i privuan nga e drejta për të jetuar ata nderrmoren edhe nje veprim më monstrusioz, komplet këto kufoma I hudhen ne lumit Drini i Bardhe, dmth I privuan edhe nga e drejta që të kenë një varrë. Që nga marsi I vitit 99 dej tani kur e jap këtë intervista nga 113 persona vetëm 52 persona janë gjetur, identifikuar dhe rivarrosur ndërsa ende 61 persona figurojn si persona të zhdukur ne mesin e tyre edhe 3 antarë të mi të familjes. Ky perafesisht eshte bilanci i nje dhurate nga ish fqinjët tane serbët të cilët kane ikur ne serbi dhe atje shfaqen si refugjat e gjëra të tilla.

Pjesa e dytë

Luan Limani: Përshëndetje zotëri Limani. Në çfarë moshe ishit në vitin njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një dhe kur filluan demonstratat studentore?

Agron Limani: Përshëndetje! Në vitin njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një kam qenë pesëmbëdhjetë vjeçar në klasën e tetë të shkollës fillore më kujtohet si i ri, kur patën filluar demonstratat studentore, të cilat karakterizoheshin me përkesën Kosova Republikë natyrisht, studentët i filmuan ato demonstrata, mirëpo të tilla demonstrata kishin mbështetje, kishin përkrahje nga e gjithë populli shqiptar për faktin se edhe shqiptarët donin ta kishin një tretman të njerëzishëm, një status të njëjtë një pozitë të njëjtë sikurse popujt të tjerët në ish-Jogusllavi.

Luan Limani: Kur shkuat në Prishtinë dhe çka studiuat?

Agron Limani: Po, pasi kam përfunduar shkollën e mesme të matematikës në gjimnazin Gjon Buzuku Prizren, kam studiuar në vitin 19– në fakt në vitin 1985 kam regjistruar Fakultetin Elektroteknik Drejtimi Elektronik dhe për mua në atë kohë ishte një përvojë e re, ishte një jetë e re, në atë rast unë kam qëndruar pesë vite si student, pra si student i Fakultetit të Elektronikë.

Luan Limani: A keni qenë pjesë e protestave gjatë viteve të nëntëdhjeta?

Agron Limani: Po, në fakt, protestat filluan në mars të vitit një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e nëntë saktësisht, me rastin e sublimimit të autonomisë së Kosovës, me njëzet e tre mars të vitit një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e nëntë e cila autonomi u anulua nga ana e Serbisë dhe kam qenë pjesë e protestive madje kam qenë edhe pjesë e organizimit të protestave në Fakultetin Teknik në atë kohë, së bashku me disa kolegë sepse çdo pjesë e popullit tonë, duke përfshirë edhe studentët, ishin të angazhuar të kundërshtojnë Suprimimi në të Drejtat Njerëzore dhe Kombëtare për Shqiptarët.

Luan Limani:Pas fakultetit, a qëndruat në Prishtinë, apo u kthyeat në Krushë të Vogël?

Agron Limani: Pas fakultetit unë u ktheva në Krushë të Vogël, në fshatin tim të lindjes, për faktin se mundësitë tona ekonomike nuk na lejonin të qëndronim në Prishtinë dhe pavarësisht përfundimit nga fakulteti ne nuk kishim mundësi reale të punësoheshim në ndonjë ndërmarrje shoqërore në atë kohë, për faktin se edhe ata shqiptarë që ishin punësuar tashmë, kishte filluar largimi masiv i shqiptarëve nga vendet e tyre të punës, nga ana e regjimit të Millosheviqit.

Pra, thjesht në atë kohë jam bërë krah pune i familjes time duke u marrë me punë bujqësore apo veprimtari bujqësore.

Luan Limani::Si ishit njoftuar me Ukshin Hotin?

Agron Limani: Po në fakt për emrin, për autoritetin e Ukshin Hotit unë kam dëgju në vitin një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një për faktin se ka qenë në mesin e atyre pak intelektualëve të themi, të cilët hapur kanë dalur dhe kanë përkrahur kërkesat gjithëpopullore, resolutivisht kërkesat studentore, që Kosova ta kishte statusin e Republikës së Kosovës

Pra, emri i Ukshin Hotit për mua ka qenë i njohur që nga mosha pesëmbedhjetë vjeçare, pra që nga viti një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një pastaj emri i tij ka qenë i njohur për faktin se menjëherë pas qëndrimeve të tija parimore qëndrimeve të tija politike ai burgoset nga ana e autoriteteve serbe, respektivisht autoriteteve jugosllave. Por unë kam pasur edhe një të thënë, një përparësi për fatin se babai im ka qenë në shkollë fillore së bashku me Ukshin Hotin pra, kam themi shfrytëzu linjin përmes babës tim, përmes babait tim, njoftohem me intelektualin e madh, me patriotin e madh e atdhetarin e madh.

Luan Limani: A ka pasur raste kur jeni përballur me vdekjen gjatë kohës së luftës?

Agron Limani: Po, në fakt, lufta karakterizohet në vazhdimësi nga vdekja, jeta dhe vdekja në një farë mënyre janë simbioze gjatë rrethanave të luftës mirëpo unë do të përmendja dy raste.s

Kemi qenë në në mars, në prill, në fakt të vitit 1999 në linjën frontale në mes fshatrave Pagarushë dhe Dobërdelanë granatoheshim pandërprerë nga ana e forcave serbe dhe nga dita pesë apo gjashtë ne mbetëm pa ushqim është interesant fakti që ne ishim në një fshat i quajtur Dobërdelan të komunës së Rahovecit. Ishte linja ndërsa kuzhina ishte rreth dy-tri kilometra larg në fshatin Pagarusht pra, ishte e nevojshme dikush të shkonte dhe të merrte ushqim.

Unë së bashku me një shok tjetër vendosëm të shkonim. Është interesant gjatë shkuarjes nga Dobordilani deri në deri në Pagarusht forcat serbe, të cilat kishin zënë pozita të tilla, të cilat mund të na vëzhgonin, mund të na zurbejonin nuk na sulmohen me ç’të thënë, por me t’u kthyer prej Dobërdolanit,më fal, prej Pagarushës në drejtim të Dobërdalortë, më dhe nji shtim nja një kilometër distancë, është interesant, unë kisha një thes me bukë, ndërsa një shok jemi kishte rreth dhjetë kilogram copa mishi i sillnim për tek ushtarët që ishin në vijën e frontit rreth tridhjetë minuta, vazhdimisht jemi përcjellur, jemi shoqëruar nga gjuajtjet e minohestëve.

Ne mësuam taktikat e forcave serbe të cilat gjurmën ata na vëzhgonin ne ishim të dy unë së bashku me një shokun tim dhe derisa ne ngriteshim në këmbë për të vrapuar, ata hedhnin gjashtat predhë minahedhësesh dhe koha nga Mirahesa deri te na ishte rreth gjashtëmbëdhjetë sekonda, ashtu gjatë atyre sekondave ne vraponim, kalonim rreth pesë gjatëdhjetë metra themi, dhe menjëherë shtriheshin ata pastaj shikonin ndryshimin e pozicioneve tona dhe rreth një kilometër vazhdimisht na kanë përcjellur, na kanë përcjellur me gjuetje paksa e pabesueshme se si një kilometër në vazhdimësi i ekspozohesh gjuajtjeve të minahedhësve dhe në fund ke fat dhe shpëton.

Ky ka qenë një moment.

Një moment tjetër ka qenë që jemi përballë me vdekjen ka qenë mes njëzet e pesë maj dhe njëzet e nëntë maj të vitit një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë kur ne ishim rreth dy-treqind ushtarë, por ishim të rrethuar mendoi dhjetëfishin e ushtarëve, thotë rreth dy-tre mijë forca policore dhe ushtarake serb na rrethuan në mes të fshatrave Randobrav, Krushë të Madhe, Retijë, Hoçja e Vogël, Nagavc. Dhe gjatë dy-tri dite luftimeve, në ditën e tretë na futën në një rreth të themi rreth dy-tre hektarë forcën serbe. Kishim rreth njëzet të vrarë dhe kishim mbi njëzet të plagosur në mbrojtje ishte momenti mes jetë… domethënë momentit mes jetës dhe vdekjes.

Duhej shpërthyer, s’duhej… nuk duhej pritur dita e katërt, për faktin se në ditën e katërt shanset që të shpëtojnë ishin shumë të vogla, ishim mbetur pa ujë, ishin mbetur pa ushqim prandaj në mbrëmje rreth orës tetë e gjysmë, unë së bashku me dy të tjerë shoh bile njëri tash është më dëshmor, vendosëm që të jemi pararojë e pjesës tjetër të ushtare dhe kemi pritur derisa është errësuar nata, derisa ka rënë nata dhe në drejtim të pozicioneve serbe, si quhet me atë zhargonin ushtarak, si pararojë e pjesës tjetër të ushtarëve dhe kemi shkuar në drejtim të pozicioneve serbe.

Për fatin tonë, derisa ne ishim duke shkuar, filloi një erë, filloi shi dhe u errësua serbët e kanë pasur, themi, një të mirë që me t’u errësuar, gjithmonë kanë ikur prej pozicioneve të tyre dhe largimi i tyre prej atyre pozicioneve na mundësoi neve ta qajmë rrethimin, pastaj së bashku me rreth njëzet ushtarë të plagosur së bashku me rreth dyqind ushtarë i kemi prerë, kemi shkuar me plagosur në fshatin Rugovë të Hasit, aty i kemi trajtu pastaj na kanë vdekë aty edhe dy ish-shokë tanë, të cilët nuk mund t’i mbijetuan plagëve: njëri nga fshati Krushë e vogël dhe njëri nga Prizreni.

Pastaj, me të plagosur të tjerë, gjatë natë natës tjetër kemi vazhduar nëpër Has, Landovicë dhe të nesërmen kemi mbërri në Malet e Kabashit, ku ishte një lloj ambulante e improvizuar e UÇK-së. pra, kjo tri ditë kemi qenë të rrethuar kemi parë policët, ushtarët serbë majtas, djathtas, edhe para edhe mbrapa do të thotë, përmendo në vija ajrore kanë qenë rreth njëqind-njëqind e pesëdhjetë metra para nesh dhe rreth njëqind e pesëdhjetë metra pas nesh. Këto kanë qenë disa prej momenteve kur jemi ndeshë me vdekjen.

Luan Limani: Cili ka qenë motivi juaj që ju ka shtyrë të inkuadroheni në UÇK?

Agron Limani:Shikoni, Lufta Parimisht të imponohet një populli, nuk besoj që ka ndonjë popull në botë i cili me dëshirë inkuadrohet ne një luftë krijohen rrethana të tilla, të cilat humbin vlerën e jetës, humbin kuptimin e jetës ne ju nënshtruam një represioni të vazhdueshëm, një represioni sistematik të autoriteteve serbe, siç kam cekur edhe më herët për ne jeta filloi ta humbte kuptimin e tij. Nuk kishte ditë, nuk ishte javë që si shqiptarë nuk maltretoheshim, nuk fyeshim, nuk keqtrajtoheshim nga serbët, nga forcat policore serbe dhe forcat ushtare kësaj edhe dhuna, edhe durimi e ka një masë, është unë them sikurse është paksa krahasim alegorik, sikurse ta sulmosh një mace dhe kur e vendos një njëkëmb ajo, pavarësisht pafuqisë së saj, përdor kthetrat për ta mbrojë veten.

Neve si popull shqiptar, Serbia na futi në një kënd, duke na marrë të gjitha të drejtat, duke na maltretuar, duke mos lënë gjë të keqe pa bërë, ndonjë shenjë njeriu vjen në një moment kur më jeta nuk ka kuptim prandaj, në një farë mënyre, më tepër i gëzohet vdekjes se sa jetës edhe një moment kthehëse, siq e kam cekur, ka qenë keqtrajtimi që autoritetet serbe na bënë në vitin njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre pa asnjë shkas, që na torturuan në mënyrë shtazarake, pra çdo ditë t’i ndeshëshe me referencuar.

Se duhet ta ceket ndoshta është një dua ta ceki një rast i cili është ndoshta mund të duket edhe si shembull banal në vitin një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e një regjistrojë autoshkollën, pra regjistrojë kursin për të dhënë patentë shoferin, dhe testin me shkrim e jap me të parë. Kur kaloi në testin në vozitë e si thoni një polic serbisht, e tha, “Ratë”. Edhe unë po i them, “Pse rashë a ka mundësi me dit?” Tha, “Dil prej kërrin, mos fol, shumë, përndryshe, han dajak”. Dhe ti e vëren diskriminin, e vëren keqtrajtimin me fjalë të tjera inkuadrimi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte shpresë për liri, ishte shpresë për jetë të dinjitetshme ishte shpresë për një jetë normale dhe të natyrshme njerëzore, ishte e vetmja mundësi, e vetmja alternative.

Luan Limani: Ju faleminderit!

Agron Limani: Faleminderit edhe prej ju!

Download PDF