Xhejrane Lokaj

Pejë | Date: 5 shtator, 2013 | Duration: 154 min.

Dhe një natë, kur kanë ra të gjithë me fjetë familjarët e mi […] edhe drejt e në stacion të policisë në Deçan. Jo shumë lehtë, ishte fshati jonë pesë ose gjashtë kilometër nga atje. Dhe kisha vetëm një kërkesë, unë dua të shkollohem dhe familja s’më lejon m’u shkollua. Por këtë çka e bëra unë, e kishin bë edhe disa vajza tjera ma parë, nja tri-katër vajza, një e Podujevës, një e Prishtinës, shkruante gazeta për to.[…] Mandej reagimet e familjes kanë qenë të tmerrshme, por u vendosa te një kushëri i imi.

U regjistrova, u sistemova mandej në konvikt, një bursë, mirëpo dënimi që unë u dashtë detyrimisht me pagu, kontakti me familje i ndërprerë komplet.[… ] Vinte dikush tjetër ta jepke një lajm, thoshte, ‘Ata sot janë ardhë në Prizren’, se atëherë Prizreni prej Pobergji ishte më larg, jo shumë afër, nuk kishte makinë çdo familje (buzëqeshë), domethënë me autobus. Kishin edhe ata vështirësi me ardhë qaq lehtë, veç me ardhë për një punë të madhe, e punë të madhe unë e llogaritsha se kanë ardhë ata me marrë hakun për turpin që unë bëra.


Dafina Beqiri (intervistuesja), Donjeta Berisha (Kamerë)

Xhejrane Lokaj u lind me 26 tetor 1955 në fshatin Pobergj të Deçanit. Punoi si mami në Dragash prej 1978. Është aktiviste për të drejtat e grave që i përkushtoi jetën shëndetit të gruas.

Xhejrane Lokaj

Dafina Beqiri: A do të kishit pasur mundësi të më tregonit më shumë rreth fëmijërisë tuaj ?

Xhejrane Lokaj: Po, unë jam Xhejrane Lokaj, e lindur me 26.10.1955 në fshatin Pobergj-Kuvendi Komunal i Deçanit. E lindur nga prindërit Smajl Lokaj dhe Hate Morina. Nana ime osht’ nga një fshat i Gjakovës, edhe ajo osht’ e lindur me prindërit e saj nga gjyshja ime, nga ana e nanës Zoja dhe gjyshi Ademi. Kurse, babai im osht’ i lindur në fshatin Pobergj nga prindërit Ryva dhe Sadiku. Unë jam fëmija i dytë me rend në familjen tonë, para meje një motër, kom lindë në një familje numerikisht shumë të madhe. Atëherë traditat tona ishin që familja jetonte në bashkësi edhe kushërijtë bashkë, jo vetëm vëllezërit e dy prindërve.

Kështu që unë kom pasë fatin të lindi në vjeshtë atëherë kur ka qenë vlugu [vala e një pune a e një veprimtarie] ma i madh i punëve me cilat merreshin të gjitha familjet tona pothuajse me bujqësi. Dhe në atë kohë, siç tregon nana ime, ka qenë një dimër shumë i egër me borë dhe acar shumë të madh, kurse numri i antarëve të familjes kur kom lindë unë ka qenë 87. Që më bën të ndihem mirë për një historik të tillë, se edhe pse ka pasë punë të bujqësisë dhe janë marrë me blegtori, e kursesi veprimtari tjera, mërgim apo shkollim as edhe i mashkujve. Ka qenë një harmoni e madhe, ka qenë një shkollë e madhe, sepse nuk ka qenë vetëm një klasë, po ka qenë pothuajse i bashkon dy klasë dhe të gjitha gjeneratat bashkë. Dhe aty ka qenë mundësia shumë e madhe të edukohesh në formën dhe në rrugën tradicionale të vendit të cilit i takon, në fakt Dukagjinit, çfare jom unë dhe ku kom lindë unë.

Në anën tjetër, të mësosh shumë nga gjitha këto aktivitete në bashkësi që janë zhvillu, gjithmonë flas për të gjitha gjeneratat. Kurse ka qenë edhe një mundësi tjetër që t’i duash të gjithë ata njerëz dhe shpirti yt të jetë plot dashuri, kjo ndoshta gjeneratën time e veçon nga ju (buzëqeshë) {dëfton nga të pranishmet} dhe gjeneratat e tjera që ne e kemi pas një fat të tillë. Por, gjithsesi që edhe këto bashkësi familjare kanë pasë rregullat e veta dhe gjithkush i ka ditë detyrat e veta. Unë si fëmijë atëherë, sa kom qenë ndoshta në moshën katër, pesë, gjashtë vjeçare nuk ka qenë aq shumë fëmijëria ime e ngarkume me gjana t’tjera, përveçse lodrat që i kemi pasë gurin, bullushtren[1] dhe ato lojnat tjera i thoshim me krupnaj[2] ose diçka tjetër.

Përderisa kur kom fillue shkollën fillore, atëherë veç janë rritë angazhimet tona. Por, them të gjeneratës sime nuk ka shumë veçanti Xhejranja në këtë rast, se ne atëherë përkujdeseshim për lopët, për dhentë, për pulat, shumë herët jemi kyçë edhe në punët e amvisnisë, u ndihmonim nanave. Nuk ka pasë atëherë televizion, nuk ka pasë kompjuter, nuk ka qenë mundësia të lëvizësh ti jashtë familjes me shku te shoqet sikur tani, se ne të gjitha shoqet i kishim në shtëpi. Ishte familja shumë e madhe dhe kishim shumë fëmijë, nuk ndihej ajo nevojë. Por drejtën me ju thënë, edhe raste shumë të rralla ishin, sepse ndoshta familja jonë ka qenë familje ma e madhe në fshat por kishte edhe familje tjera. Dhe ne në mëngjes i rujshim lopët, qysh thoshim ashtu dhe merrshim bukën, një ushqim që ka qenë shumë larg prej mënyrës së përgatitjes dhe prej produkteve që i kemi sot në tryezat tona, por ishin ato nga bagëtitë tona që gatuheshin në shtëpi dhe me bukë në çantë ne shkojshim në shkollë. Osht’ edhe diçka interesant çka duhet ta ceku, se atëherë nuk ishin çantat as të mëdhaja (buzëqeshë) të bukura çfare jonë sot, por nuk ishin edhe me peshë aq të rënda për neve. Ne kishim një libër, dy fletore, një laps dhe ato i huazonim nga shoqet, nga shokët e klasës, kjo osht’ ndoshta diçka çka gjeneratës sime i mbetet në kujtesë. Por do të jem modeste, mirëpo këtu mund të jetë edhe lavdë se ne kemi mësu ma tepër. Po njashtu sa ktheheshim prej shkollës, ne prapë angazhoheshim në punët e shtëpisë.

Unë qysh e vogël kom gatu bukën e misrit, kom qenë pak ma ambicioze, ma kurreshtare, por edhe ndihej nevoja që t’i ndihmojsha nanes ma tepër, se pas meje vinin edhe shtatëzanitë dhe lindjet e fëmijëve tjerë, që detyrimisht duhej përkujdesej dikush në veçanti. Ndoshta e kom ndi veten më të përgjegjshme në atë drejtim. Dhe verën e kemi kry na në bjeshkë, për shembull në bjeshkë i thoshim pllaqicë [bjeshka e Prilepit], njëra osht’ afër Gjeravicës, ajo pllaqica dhe qysh e vogël, të them e vogël ndoshta mosha dhjetë vjeçare mund të jetë e tepërt, kur unë e kom marrë një pjesë shumë të madhe të përgjegjësisë familjare dhe përkujdesjes për motrat e mija. Dhe atëherë ne mblidhnim fruta malesh, boronica dhe shumë bimë tjera mjekuese për të cilat nuk dinim në atë kohë, por dinim vetëm mundësinë se përmes tyre mund të përfitosh. Dhe prapë po e them, isha e vogël por me një peshë ma të madhe dhe ma të veçantë nga moshataret e mia.

Po njashtu sa vinim ne prej bjeshke, fundi i gushtit- fillimi i shtatorit, ishte edhe një mundësi tjetër e një përfitimi ekonomik që jo rastësisht e përmend këtë, se kjo mungon tani, kjo përgjegjësi e gjeneratave tjera, gjeneratave më të reja ndoshta edhe me një moshë edhe ma të shtyme, e jo unë kur flas tani për moshën time dhjetë vjeçare. Edhe gështenjat, që fshati Pobergj osht’ një fshat ku ka shumë gështenja. Shumë afër fshatit tim, fshatit Pobergj, osht’ podi i gështenjave[3]. Dhe podin e gështenjave do ta përmendi për faktin se aty ka gështenja që ne i mblidhnim, që karakterizohet dhe veçantohet vendi im. Mirëpo, podi i gështenjave edhe osht’ vendi ku ka qenë caku i ushtrisë serbo-sllave, që prej podit të gështenjave ku ata janë vendosë aty kanë granatu Dukagjinin, prej podit të gështenjave. Dhe ai osht’ tmerri të cilin ne asnjëherë nuk e harrojmë, se prej aty osht’ granatu fshtati Pobergj, Vokshi, Sllupi, Prilepi dhe deri te Gramaqeli ndoshta. E pikërisht gështenjat i’a kanë dhënë emrin podi i gështenjave.

E unë si e vogël aty kom mbledhë shumë gështenja, ato të mira materiale që i përfitonim blinim garderobë, se atëherë na më shumë jemi rritë me teshat e njëra-tjetrës kur kanë qenë motra, të njëri-tjetrit kur kanë qenë vëllezër. Kuptohet, nuk ka pasë atëherë as shitore, nuk ka pasë .. unë deri në moshën madhore, ndoshta madhore kur them, kur i kom bë pesëmbëdhjetë vjet, kom ditë me dallua një dinar prej tjetrit, se ne s’kemi pasë kontakt as me të holla në atë kohë; nuk kanë pasë kontakt as familjet tjera. I zoti i shtëpisë ishte ashtu ai rregull familjar, rregull i pashkrum… por që ka funksionu me vjet të tana edhe e ka kompletu traditën në atë vend ku jemi rritë secili prej nesh.

Në shkollë kom mësu shumë, kom qenë gjithmonë nxanëse e shkëlqyeshme, kom qenë shumë e urtë, shumë e sjellshme, shumë e dëgjueshme, por shumë inatqore me veten time (qeshë) çka këtë e preferoj ndoshta se gjithmonë kom pasë kërkesa më të mëdha para vetvetes sime. Gjithmonë i kom parashtru vetvetes sime kërkesa ma të mëdha, domethënë shumë pak jam kënaqë unë me atë që kom pasë. Ndoshta kjo osht’ një veti e mirë, osht’ karakteristikë që gjithë njerëzit nuk e kanë, por kjo pak të ndihmon me arritë cakun tënd, domethënë e ndëgjushme, e urtë mirëpo kom qenë shumë ambicioze, kom punu shumë, gjithmonë kom mësu shumë, kom ndëgju shumë.

Kjo në pika të shkurtëra osht’ fëmijëria ime… që jam rritë bashkë me motrat e mia, nana ime dhe baba im ndjesë pastë, i cili ka vdekë para gjashtë viteve. Nuk kanë pasë fatin të kenë djalë të rritun si fëmijë të tyre, ata vëllezër që kanë qenë kanë vdekë, njëri në moshën shtatë mujore, tjetri në moshën një vjeçare. Kështu që, edhe përkundër asaj që unë kom pasë vullnet, ka qenë edhe nevojë që unë t’a marr përgjegjësinë për një pjesë të obligimeve familjare më tepër. Edhe kur po them kom punu shumë, osht’ dashtë të punohet shumë, osht’ dashtë të organizohet jeta, osht’ dashtë të ushqehesh, osht’ dashtë të jetosh si gjithë njerëzit tjerë. Kur jam rritë pak ma tepër…kom shkru shumë, shkruj edhe sot e kësaj dite. Më kujtohen shumë mirë ato vjersha (buzëqeshë) që e kanë pasë formën e vet, kuptohet në atë shkollë ke shkru për zogun, diellin. Për lirinë kemi shkru shumë, kemi shkru mandej për një plak, për ato gjëra që i kemi pa afër vetes, aty jemi frymëzu dhe ato kemi shprehë.

Mirëpo, mu më bën krenare edhe ajo, por ajo çka e veçon ndoshta Xhejranen prej shumë të tjerave, jo prej gjeneratës sime, osht’ që unë gjithmonë e kom pa femnën si diçka e cila ka nevojë gjithmonë të përkrahet. Disi e kom vërejtë se osht’ jeta e saj… ndoshta edhe ato rregulla që osht’ organizu  jeta familjare farefisnore, dhe që jonë ndërlidhë shumë afër me traditat në të cilat kemi jetu, por edhe në situatën e cila ka qenë. Se femra, nuk po du me thanë unë që ka qenë e shtypun, por ka qenë ajo që e ka pasë të drejtën e kërkesave paksa më të kufizume gjithmonë. Femra ka qenë ajo që osht’ dashtë të punon në shtëpi dhe të kënaqet me atë që i’u osht’ servu dhe i’u osht’ ofrue. Femra ka qenë ajo e cila osht’ dashtë të bënë amin me një formë, nuk osht’ pytë shumë shpirti i saj, nuk janë pytë shumë kërkesat e saj, i ka pasë detyrat e caktume, plotësoj detyrat, mos fol, mos bë zhurmë, je lodhë apo nuk je lodhë, nuk ka shumë rëndësi ajo, se ti duhet të punosh, ti duhet të lodhesh. Dhe ajo ka qenë gjithmonë ndoshta diçka çka mu më ka bë të ndihem paksa ma ndryshe. E kom vrejtë një shkelje në atë drejtim dhe ajo ndoshta ka qenë arsyeja që unë i kom dhonë jetës shumë, i kom dhonë të tjerëve shumë, i kom dhonë gjinisë time shumë. Që në atë moshë unë e kom vrejtë se femra duhet të mësojë, që në atë moshë unë kom vrejtë se femra duhet të shkollohet, që në atë moshë unë e kom vrejtë se femra duhet ta ndryshon vetveten e vet edhe rrugëtimin e vet, dhe t’i përdorë të gjitha mjetet me arritë në cakun e vet. Kjo më bën me dije se nuk kom qenë e knaqun me atë mënyrën se si kanë jetu femrat, drejtën me i’u thënë, dhe që atëherë unë jam kyç në atë drejtim.

Dafina Beqiri: Si ka qenë vera apo vjeshta në Pobergj, a ka ndonjë histori interesante që ka ndodhë në fshat?

Xhejrane Lokaj: Vera e fshatrave të komunës së Deçanit osht’ pothuajse në bjeshkë. Dhe ne në bjeshkë ishim të ndamë prej prindërve tonë. Me axhën, ndjesë pastë dhe gruan e axhës, çdo verë ne shkonim në bjeshkë. Jeta në bjeshkë… ndarja nga prindërit dhe ti t’a kalon një tre mujor larg familjes ka pasë mallin e vet, te unë ka pasë edhe brengën tjetër si motër e pa vëlla; sepse unë kom qenë shumë, shumë e lidhur me familjen time emocionalisht dhe jetën time fizike. Mirëpo në anën tjetër, motrat të cilat ishin më të reja se unë, dhe ajo ka qenë në rregull te na, bagëti shumë, dhenë shumë, lopë, ato patjetër që duhet të ushqeheshin në bjeshkë. Mirëpo, neve si fëmijë na përgatitnin, na thoshin të kuqen faqet (buzëqeshë) domethonë ajri i pastër gjelbërimi dhe vërtetë ishte e shëndetshme ajo. Kështu që, verën pothuajse… përpara nuk organizoheshin dasmat në verë dhe këto ahengjet familjare, nuk ka pas si tani mërgimtarë, kohë të caktume. Domethonë martesat baheshin edhe dimrit edhe pranverës edhe vjeshtës edhe verës.

Dhe verën ne e kemi kalu në bjeshkë ma tepër, në bjeshkë atje duhet të përkujdeseshe për bagëti. Unë… m’u dhimbeshin motrat që ishin më të reja se unë drejtën me i’u thënë, gjithmonë kom dalë në ballë tyne, dhe ne i mjelshim delet; lopët jo, gruaja e axhës dhe axha përkujdeseshin për to, kurse delet bagëti më e imët ne i mjelshim delet. Merreshim me përpunimin e qumështit, merreshim me higjienën dhe mirëmbajtjen e ambientit ku jetonim dhe garderobës. Ishte paksa e lodhshme, po edhe në bjeshkë ne i kishim ato stane ju thoshim, do të thotë në atë vend ku jetonim në formën e organizume afër njëri tjetrit. Kuptohet pa rrymë, kuptohet forma e ushqimit, lajme nga familja merrshe nji herë në muaj, edhe ato andrra ishin t’lidhuna me familjen disi.

Dhe vera kalonte po në këtë formë domethonë ne merreshim me punët e amvisnisë, me higjienën, me mirëmbajtjen, por gëzimi më i madh ishte koha kur ne djergeshim [zbritja posht’ë për në shtëpi] prej bjeshke. Unë në këtë rast e falemnderoj edhe gruan e axhës, e cila osht’ përkujdesë po sikur nanë e jona, gjithmonë na ka përgatitë ushqimin, osht’ përkujdesë për higjienën tonë. Ajo osht’ një grua të cilës unë i ndiej shumë borxh para saj. Nuk e ka përdorë tonin e egër asnjëherë, edhe kur kemi qajtë neve për mallin e familjes për shembull, ajo gjithmonë na ka ngushëllu, gjithmonë na ka përkëdhelë, gjithmonë osht’ kujdesë. Por ka qenë tjetër se ajo ka pasë djem, kurse nana ime ka pasë vajza më tepër. Dhe unë gjithmonë kom mendu a thua çka po bëjnë, a thua si po ja arrinë baba im, një burrë plak pa djalë, me misrin, me livadhin, me barin, me këto punë tjera të cilat ishin punë që fshatarët nga ato jetonin dhe ashtu organizohej jeta në fshat.

Vinte shtatori mandej, e veçanta tjetër osht’ ndoshta se neve qysh në shkollë fillore sa rriteshim pak, ishte traditë ajo, e për më tepër ndonjëra që ishte pak më e bukur, veç fillonin msit me e lypë. Ajo çka ka mbetë në kujtesen time, domethënë si rritej vajza pak ma tepër dhe interesoheshin për te. Vinte dikush pa e ditë se ajo osht’ e mitur, pa e ditë se ajo fare në kokën e saj nuk duhet të mendon për martesën në atë kohë, se i ndërprehen… edhe i ndërprehet fëmijëria me të gjitha lojnat, me të gjitha mësimet, shkolla dhe krejt ëndërrat e saj veç orientoheshin në drejtim tjetër. Dhe ashtu përgatitej ajo psiqikisht, sepse imponohej nga tradita dhe familja. E në atë rast, unë gjithmonë reagoj shumë gjithmonë, gjithmonë kom reagu, gjithmonë… nuk e di ndoshta njeriu e ka të caktume jetën para se me jetu dhe të ngreh rruga jetës në atë drejtim. Gjithmonë ka qenë ajo që unë vetë me vete kom thënë, “Oh Zot sa të rritesh duhet menjëherë të martohesh? A kurgjo tjetër nuk duhet me bo në jetë?” Domethonë ka qenë kjo që mu nuk më ka lonë të qetë, gjithmonë osht’ trazu diçka në shpirtin tim, sa për veti sa për tjerat. Dhe ne gjithmonë në shkollë bisedonim që në moshën ma të vogël, ndoshta dy- trembëdhjetë vjeçare, atëherë kur fillonte puberteti, se gjeneratës sime i ka fillu puberteti  ma vonë se tjerave. Nuk ishim ne as të ushqyeshme sa duhet, as edhe të zhvillume aq sa duhet. Kemi qenë do vajza  ma të vogla, ma të imëta. Por, ajo çka ka qenë te unë gjithmonë ka qenë brenga çka do të bohet me motrat e mija pa vëlla, sa do të ndikon tradita, sa do të mundet baba im me rezistu në këtë gjendje, çka do të bëhet me nanën time.

Por të jem shumë e sinqertë, edhe shoqet e mija, për ma tepër ato që mësojshin shumë, disi kom qenë e vogël e imtë por gjithmonë i kom vërejtë këto gjana që duhet të ndryshohen, duhet t’bohet diçka. Dhe në fakt, kur e kreva klasën e tetë me të gjitha pesë-she, kom mësu shumë, kisha shumë përkrahës edhe arsimtarët, kujdestarin e klasës, për më tepër disa mësuese që ne atëherë i kem pasë idol, se nuk ka pas secili fshat mësuese. Dhe ti si e shihshe mësuesen t’u shku në punë, disi frymëzoheshe ma tepër, e kishe motiv, e kishe model, dhe gjithçka e lakmojshe. Ishte diçka e lakmueshme për ty. Dhe unë mendoja natën, ditën aq sa për veti edhe për motrat e mija, asnjëherë nuk e ndaj jetën time prej tyre, ishin më të reja, motra pa vëlla.

Ajo kohë edhe këtë duhet t’a them, kjo osht’ ndoshta ta them ma tepër për nanat e reja edhe për shoqërinë të cilën po ndërtojmë tash, e që mu më gëzon fakti se përpara nëntë fëmijë, dhjetë fëmijë, edhe njëmbëdhjetë fëmijë me i lindë nana, duhet të lindeshin ata fëmijë derisa t’a ka një trashëgimtar ose një djalë familja. Vërehej ajo edhe në familje, ishe ma e shkelur si t’thojnë, u dashke me dhanë shumëfishin nga vetëvetja për me qenë e barabartë me të tjerët. Vërehej ajo për fat të keq në familjet kosovare, vërehej edhe vërehej me të madhe! Edhe kjo ka qenë diçka çka mu më ka pengu shumë, dhe gjithmonë kom thënë, “Po pse mos të shkollohet femra? Pse mos të del femra?” Diqysh e shihsha si dënim imponimin e rregullimit të jetës nga të tjerët për vetë vajzat. Në anën tjetër e shihsha vajzën si shumë të dhimbshme me ata msit, vijke nja me lypë, vinte tjetri me lypë. Dhe ne femrat, gjinia femërore veç nijshim se ka ardhë një njeri, ani mas dy-tri dite ti merrshe vesh se ai erdh me lypë këtë ose këtë. Domethonë shkonte fejesa dhe martesa e vajzave në këtë formë, që më shumë i ka ngja diçkaje si me qenë ilegale, pa e ditë as nana e vajzës, pa e ditë as femrat, pa u publiku ajo.

Dhe gjithmonë këtë e kom marrë për atë moshë, po flas se sot s’osht’ interesant me thanë këtë, për atë moshë unë si e re gjithmonë kom thënë, “O Zot o Zot, njeri si të gjithë, por e dënume, njeri si të gjithë po pa të drejta”. Dhe këtu besomëni, këtu ka fillu me dalë në sipërfaqe guximi i Xhejranes që duhet të bëhet diçka. Atëherë nuk kom ditë luftë, se luftën e kom pa si diçka shumë të madhe qysh e kanë tregu gjyshërit tonë Luftën e Dytë Botnore, por e kom pa njëfarë përpjekje, nevojën për një përpjekje, nevojën për një angazhim, e kom pa nevojën që duhet të ndryshohet diçka.

Përballë meje mësuesja ose një infermiere e fshatit si shumë e lakmueshme për mu, një idol i imi; në anën tjetër ato përkëdheljet dhurata në fund të vitit shkollor dhe motivimi që na bënin neve mësuesit se ti je nxënëse e mirë. Gjithkush i pëlqen fjalët e mira, komplimentet janë të mira, aty mos të mashtrohemi me thanë, njeriu osht’ njeri, osht’ qenie, nuk osht’ e ngurtë deri në atë masë. Edhe edhe mësuesit na imponojshin neve, dhe e shihshe ti veten diçka çka ma je e veçantë se tjerat, dhe që atëherë shpirti im ka qenë i trazum. Mirëpo, unë i kom taku asaj familje, edhe pse kjo familje u coptu më vonë. Nuk ishim të gjithë ata anëtarë bashkë me kushëri që jemi sot bashkë, por ishin axhallarët, baba im më i madhi por pa të drejtë të kërkimit unë që të shkollohem.


[1] Një lloj bime barishtore e gjelbër, me fletë të buta, të cilat i përdornin për lojra të ndryshme.

[2] Litar me të cilin organizonin lojëra.

[3] Lagje afër fshatit Pobergj, ku ishin të vendosura forca të mëdha serbe.

Dafina Beqiri: Si osht’ marrë vendimi në atë kohë për shkollimin tuaj, a osht’ dashtë baba juaj me i pytë edhe vëllezërit?

Xhejrane Lokaj: Patjetër, patjetër, bile bile osht’ hera e parë që unë publikisht do ta ndaj me juve këtë. Do ta ndaj për hir të respektit, të respektit njerëzor që duhet të jetë, edhe për hir që vajzat të reja, për hir të asaj të një mesazhi për të kalumen i cili vlen edhe tani, domethënë me kënaqësi, pa e ndi veten keq. Unë kom kry klasën e tetë pa asnjë katërshe. Thash kom shkru, kom recitu në ditën e shkollës. Nuk kom vallëzu se kom qenë motër e pa vëlla dhe nuk e kom pasë atë vrullin e brendshëm me qenë shumë e hareshme, por shumë punëtore dhe shumë e guximshme. Dhe kur ka ardhë koha me u shkollu, m’u regjistru në shkollën e mesme, edhe pse neve na pyste kujdestarja e klasës ose një mësuese, unë gjithmonë kom mendu se gjuha shqipe domethënë dhe letërsia më kanë flejtë shumë në shpirt. Por besomëni se unë nuk e kom pas guximin ta pys babën tim, a do të më lejoni m’u shkollue, mundeni me marrë me mend se nëpër çka kemi kalu. Por, e lutshim kujdestarin e klasës, një mësues i fshatit ka qenë, angazhoheshin ata njerëz për mundësitë që duhet t’i kishim ne nga familjet tona. Dhe gjithmonë pritshim atë reagimin e tyre, se me të thënë prindi ti do të regjistrohesh në shkollë ajo ishte e pamundur, se ka qenë ajo ngurtësia, ka qenë rritja e jonë ndoshta edhe me turp, edhe me respekt, edhe me frikë, se nuk ke pasë ti shumë të drejtë, as liri me kërkua në atë familje.

Ti ke hy në atë rrugën si jetojnë të tjerët, dhe gjithmonë unë pritsha a po reagohet ma ndryshe. Vinte dikush me të lypë për shembull në atë kohë, dhe ti s’dishe fare se kush osht’ ai, por një fjalë t’u gjujke nga antarët e familjes. Dhe unë shumë frikësohesha mos po vjen deri te ndonjë fejesë që unë nuk do të mund ta pranoja, jo pse nuk e kom njoftë atë person, ose duhet ta njihsha, se ta njisha s’kom pasë fare të drejtë. Mirëpo, për faktin se nuk mund t’i pranojsha gjanat e servume aq lehtë në jetë edhe e shihja veten në një formë si person që duhet të angazhohem ma tepër, e vrejsha në shpirtin tim, jo ndoshta si nevojë shumë e madhe për të arriturat e mija, por nuk pajtohesha thjeshtë aq lehtë.

Dhe unë tri vjet kom pritë një lëvizje sado të vogël të prindërve të mi, që te ata ekziston disponimi që unë duhet të kryjë shkollë të mesme. Besomëni tri vjet, dhe për tri vjet unë nuk kom vrejtë diçka të tillë. Gjithmonë kom qenë në pritje dhe në vëzhgim, siç thomë ne po bëhet ndonjë lëvizje, gjithmonë shtatorin e kom pritë ndoshta ka ndryshu diçka, mirëpo asnjëherë nuk jam pajtue me pozitën time. Përveç që nuk jam pajtua me pozitën time, unë kom ditë që pas meje janë edhe gjashtë motra tjera të lindura, dhe kom thënë vetëmevete, “Po nëse unë nuk luftoj për këto, çka do të bëhet me fatin e ktyne?” Gjithmonë unë e kom vrejtë se familja ime e kërkon një viktimë, ajo ka qenë dhe më ka dalë ashtu, domethënë unë kom parashikua se familja ime e kërkon një viktimë, mu kanë dhimbë motrat t’i lë të bëhen viktimë, jo që se kom pasë besën te guximi i tyre se unë do t’i përkrahja këto, mirëpo unë nuk e kom ditë nëpër çka do të kalojnë, se ato rregulla kanë qenë shumë të rrepta.

Familja ime… para se me dalë te rregullat, një natë ka qenë fundi shtatorit-tetori dhe te unë ka shpërthye me ndjenja të pakontrollume se unë duhet të shkollohem. Atë kohë nanes sime që i kom shumë, shumë borxh dhe i kom kriju shumë, shumë shqetësime, nuk e ka pasë kjo atëherë fuqinë e mbrojtjes aq tepër; për ma tepër si nanë e pa djalë, që e ka pasë vleftën më të ultë se tjerat në pozitën e saj, edhe para gjinisë të cilës i takojmë ne, edhe para meshkujve domethënë komplet në familje. Mirëpo unë gjithmonë kësaj i kom thënë, “O mos gaboni me m’feju se unë nuk shkoj!” Por pas kësaj fjale unë e kom ndi veten shumë keq, se e kom ditë që po i sjelli probleme, por më osht’ dashtë me dhanë sinjal mos me sjellë familjen unë në një pozitë tjetër, se e kom ditë që jam kokëfortë unë në atë drejtim, edhe mund të vjen te diçka edhe ma tragjike. Dhe në atë kohë, në mbrëmje unë marr vendim, në fakt përkrahëse të vullnetit tim gjithmonë e kom pasë një kushërirë timen, ajo osht’ Hateme Lokaj Kastrati. Në atë kohë ka qenë kryetare e rinisë në Deçan, që fshehurazi i’a jepja ndonjë letër përmes motrave të vogla, ato që nuk dinin sherr, ose kur e takoja aty ka fshati dhe i thojsha, “Nuk pajtohem unë me këtë, unë s’pajtohem me këtë pozitë, unë duhet të bëjë diçka me vetveten”. Dhe kaq unë kisha mundësi me i thënë asaj, kurgjo më tepër, sepse përcilleshin lëvizjet e mija, nuk u dashke ti me u pa në rrugë, nuk u dashke… unë po flas gjithmonë për vitet e 70-ta, për shembull atëherë kur pozita e femrës ka qenë krejt tjetër.

Dhe një natë, kur kanë ra të gjithë me fjetë familjarët e mi, që atë e bën njeriu në moshën e rinisë, se sot unë do ta bëja, po si Xhejrane do ta bëja, jo secila femër. Dhe unë kur kom ra me fjetë, jam zgjua pa të holla kuptohet, se na s’kishim atëherë të holla në dorë, dëftesën e di që e kom marrë me vete, edhe drejt e në stacion të policisë në Deçan. Jo shumë lehtë ishte fshati jonë pesë ose gjashtë kilometër nga atje. Dhe kisha vetëm një kërkesë, unë dua të shkollohem dhe familja s’më lejon m’u shkollua. Por këtë çka e bëra unë, e kishin bë edhe disa vajza tjera ma parë, nja tri-katër vajza, një e Podujevës, një e Prishtinës, shkruante gazeta për to. Dhe unë e pashë si zgjidhje atë, në fakt edhe e bona atë. Nejse, mandej reagimet e familjes kanë qenë të tmerrshme, por u vendosa te një kushëri i imi, ai osht’ Halil Haxhaj. Kishte banesë në Deçan dhe aty qëndrova disa ditë. U morrën institucionet mandej me mu, edhe policia e pengoi ofrimin e familjarëve të mi për hir të sigurisë time deri te une. Unë nuk i shifsha, edhe pse këta në vazhdimësi kërkonin që të takoheshin me mua, ishte ai një turp që unë e bëra për atë kohë, që prindi im e ndjeu veten shumë keq, që ai e ndjeu veten shumë edhe i rrezikum nga antarët edhe traditat tjera të familjes.

Të tjerët u trimnun shumë me këtë çka e bëra unë, se unë bëra diçka, unë u llogarita si vajzë kokëfortë, unë e padëgjueshme, unë diçka çka e bona si turp në familje, dhe dënimi ishte shumë i rreptë, të drejtën me i’u thonë. Ajo krijoi mandej shqetësim edhe për familjarët tjerë te unë. Qe jo situatë shumë e lehtë, por sot them po të isha me m’u kthye ajo kohë mbrapa, unë prapë do të vendosësha ashtu drejtën me i’u thonë, ndoshta pak më kokëfortë, por do të veproja ashtu. Dhe u hulumtuan mundësitë, se ishin kry veç procedura e regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme. Shumë pak vajza atëherë shkolloheshin, vajza e drejtorit, vajza e mësuesit, vajza e kryetarit, unë vajza e një fshatari për shembull, ajo ishte një çudi e madhe. Por shkuam në shkollën e mesme me strukturat politike atëherë, kjo kushërira jem Hatemja, Hateme Lokaj Kastrati, thash që i kom borxh edhe kurrë s’muj me i’a kthye borxhin asaj, në shkollë të mesme të mjekësisë në Prizren. Hasëm në mirëkuptim aty që gjithmonë unë e kom dashtë gjuhën dhe letërsinë shqipe, por nuk pata mundësi të zgjedhë profesionin tim, dhe në atë rast kishte vend të lirë mami. Në fakt se kisha idenë çka më pret, besomëni se kisha idenë çka më pret, por diçka çka e dija gjithmonë se unë jam shumë këmbëngulëse në kërkesat e mija dhe në cakun tim, dhe këtë i’u preferoj të gjithave, këmbëngulësi në punë, këmbëngulësi në punë, derisa ta arrish qëllimin tënd. U regjistrova, u sistemova mandej në konvikt, një bursë, mirëpo dënimi që unë u dashtë detyrimisht me pagu, kontakti me familje i ndërprerë komplet. S’dija asgjë, s’dija çka po ngjanë, këtu vinte dikush thosht’e “O ka bëhet luftë atje”, vinte tjetri thosht’e “Kanë marrë vendim me të vra”, vinte tjetri thosht’e “E kanë izolu babën tond komplet”. Jetojsha unë me këto gjana, vinte dikush tjetër ta jepke një lajm, thosht’e “Ata sot janë ardhë në Prizren”, se atëherë Prizreni prej Pobergji ishte më larg, jo shumë afër, nuk kishte makinë çdo familje(buzëqeshë), domethënë me autobus. Kishin edhe ata vështirësi me ardhë qaq lehtë, veç me ardhë për një punë të madhe, e punë të madhe unë e llogaritsha se kanë ardhë ata me marrë hakun për turpin që unë bëra.

Dhe nuk ka qenë situate e lehtë, domethënë nuk ka qenë situatë e lehtë edhe për mu, por megjithatë unë edhe pse u regjistrova me vonesë, domethënë me një muaj vonesë, e dita pse shkova në shkollë te mesme, pa libra, pa fletore, pa garderobë, pa dije qysh ke ikë prej shpije natën edhe ke shku ti ajo… Kom msu shumë në shkollë të mesme, në start e kom kap shumë lehtë hapin, e vendosun në konvikt, kom bashkëpunu me shoqet tjera, disa prej tyre e kanë ditë, por edukatoret në konvikt e kanë ditë se kjo çështja ime kaloi në çështje institucionale, u morën institucionet ma me mu, jo familja. Ishin ato pengesa rreth pagimit të ushqimit, atyre gjanave të cilat nuk du t’i kujtoj se ato kanë kalu, por janë pjesë e jetës sime. Dhe unë shkollën e mesme të mjekësisë kom mësu shumë, ashtu siç kom mësu në shkollën fillore kuptohet, një pesëshe, dy pesëshe, dhjetë pesëshe. U vërejt aty një guxim i imi, një miqësi shumë e mirë e imja me vajzat tjera. Dhe filloi… edhe aty s’më lejke rehat, hala ma tepër që unë përjetova diçka të tillë, edhe thojsha, “O zot sa vajza në Kosovë kemi që kanë nevojë ta bëjnë këtë hap timin edhe ato se kanë guximin. Por unë s’guxoja me ngritë zanin atëherë, se unë isha e robnune për veti, s’i kisha të drejtat e mija mu publiku deri në atë formë, mirëpo e shfrytëzova rastin përmes punës sime dhe angazhimit tim, që kjo u vërejt edhe te arsimtarët, edhe te drejtoria e shkollës. Drejtën me ju thënë, ju jam falënderuese edhe atyre, se edhe ata e vërejtën që kanë të bëjnë me një Xhejrane ma të guximshme.

Dhe fillova mandej angazhimi im kryetare e klasës, kryetare e rinisë në shkollë, anëtare e kryesisë së lidhjes ferijalistëve [klub i të rinjëve], anëtare e kryesisë së Kryqit të Kuq, anëtare e kryesisë së lidhjes së rinisë së komunës së Prizrenit. Mandej kryetare e rinisë në konvikt, edhe të gjitha këto aktivitete të mia… mu besojke edhe njëfar posti ish aty, se kom të kjartë edhe sot e kësaj dite çka ka pas në atë post, por kërkohej një person i besueshëm. Mandej në takime që i mbante drejtori, gjithmonë unë isha prezente. Domethënë fillova unë t’i përjetoj edhe disa privilegje që t’i ofronte ajo moshë, ajo situatë në të cilën isha, ai realitet, edhe që ishin shumë në favor timin, sepse fuqizohej pozita ime karshi veprës që unë bëra, me një formë e arsyetova unë veten time. Edhe e kom kry shkollën e mesme të mjekësisë, drejtimi- mami.

Mas nji viti u relaksu pak situata në familje se unë e arsyetova, domethënë nuk e turpnova prindin dhe familjen time, por në një formë dhashë mesazhin e duhun që unë kom shku për shkollë, mësova. Dhe filloi mandej kontakti me familjen që ishte i ftoftë, ishte i zbehtë, ishte ma shumë zyrtar se sa ai që duhej të ishte, por unë e zgjedha këtë dhe u pajtova me këtë. Kaloi kështu viti i parë, viti i dytë deri diku, viti i tretë, katërt, u normalizuan ma ato raporte. Edhe unë kom diplomu në vitin ‘76-‘77 të shkollës së mesme. Kuptohet me të gjitha pesëshe, nuk ju kom nënshtru as atyne procedurave të përgatitjes së temës diplomës, e ato… Më dojshin shumë arsimtarët, diqysh e plotësova unë jetën time, edhe pse kisha një zbrazëti shumë të madhe në anën tjetër. E re je kur të thotë dikush po bën mirë diqysh gëzohet njeriu, krenohet, gjon motiv prapë për diçka tjetër. Dhe ato katër vjet të shkollimit të mesëm kanë kalu në ketë formë. Dhe kur erdh viti i tretë, veç motrat tjera u rritën me shku në shkollën e mesme, dhe mu më pritke tash ballafaqimi me vendimet që do të merreshin në familje.

Atë kohë, masi e bona unë këtë akt të turpshëm për familjarët e mi, në thojza e them {bën thonjëzat me duar} të turpshëm, erdhi edhe deri te ndamja e bashkësisë familjare. Axhët u ndanë prej babës, po nuk ishte e lehtë ta përballonim një diçka të tillë. Çka u shtu për mu një brengë ma e madhe, baba nuk punonte bujk, e na ishim tetë motra. T’i ushqesh ti tetë vajza në fshat në ato rrethana, një situatë jo shumë e lehtë kuptohet, e për ma tepër që unë aty e ndija edhe peshën e fajit mandej, se unë u bëra sebep[1] për diçka të tillë. A kanë, a s’kanë, a qysh do të gjinden a, të gjitha këto gjana. Mandej u dashtë unë të ballafaqohem prapë me prindin tim për shkollimin e motrave të tjera. Një motër mas meje ajo e pagoi çmimin tim, s’guxum as me përmend se ishte ajo koha kur unë nuk i kom normalizu raportet me familje, dhe s’pat kush m’i dalë zot asaj, ajo s’guxoi as me kërku mu shkollue. Kurse, tjetra me radhë mandej, unë u ballafaqova me babën dhe i thom, “Familja jonë nuk pranon mo analfabet”.

Bre, bre, bre…unë nuk pajtohem kurqysh, unë e marr komplet përgjegjësinë para tyne edhe përgjegjësinë e menaxhimit të shkollimit të tyne, edhe përgjegjësitë e tjera, dhe thom “S’ka, {hap duart} nuk bon edhe pikë. Nuk bon, nuk bon ma m’u mbyllë vajzat në shpi!” E jo lehtë edhe ajo, jo lehtë edhe ajo… Domethënë se unë isha fajtore, nuk isha unë ajo e plotfuqishmja, domethënë fajtori kërkonte të drejta për tjetrin, mund ta merrni me mend, por unë isha këmbëngulëse edhe në atë drejtim, isha garancë, isha mbështetëse. U morr vendimi që tjerat të shkollohen, domethënë t’tjerat mandej vazhdun pa vështirësi këtë.

Dafina Beqiri: Për vetë faktin se janë shkollu edhe motrat e juaja, dhe prindërit e juaj nuk kanë punu, si keni mbërri ju me i furnizua me libra me rroba?

Xhejrane Lokaj: Po, po një vështirësi nëpër të cilën unë kom kalu për atë kohë, në këtë distancë kohore. Ndoshta për dikën ka mund të jetë e paarritshme. Fillimisht unë i përmenda frutat e malit atë kohë sa ishim në bjeshkë, dhe shtatorin me gështenjat. Kurse ma vonë, treva e Dukagjinit, për ma tepër regjioni Pejë, Deçan dhe Istog. Ndoshta nuk e di në detaje me sqaru, se unë atëherë kom qenë e re dhe nuk më ka interesu aq tepër, mirëpo e di që dëgjohej shumë shpesh, “kanë ardhë tugjartë [tregtarët] me ble qylyma”, domethënë atë fjalë e di. Dhe ata qylyma ishin punë veku, po para se me fillu me qylyma duhej ti ta ke leshin e deleve që blehej në qytet, në Pejë zakonisht. Dhe ai lesh ishte shllungë e leshit, unë përveç që kom mësu në shkollë, domethënë përveç që thashë kom qenë ma kurreshtare, ma ambicioze, edhe punë dore kom punu shumë. Detyrimisht ndoshta thom tashti se i kom dashtë ato punë, kom ditë me i bo, po na osht’ dashtë të thurim çorapë, na osht’ dashtë të thurim xhempera, na osht’ dashtë të thurim… se kështu ka qenë veshja për të gjithë qytetarët e asaj kohe, e për ma tepër për neve femrave. Dhe unë qysh e vogël, shumë e vogël, i kom marrë ato kërrabëzat [mjete pune, punë dore] kom punu çorapë, kom punu veshjen tonë qysh e veshnim përpara, dhe nuk ka qenë kurfarë çudie që unë atëhere kom fillu me tjerrë lesh me pare.

Njëherë ishte furka, nejse shtiza, ato paisje primitive ashtu t’i quaj, pak ma vonë u paraqiten edhe do makina të drunit, të cilat e mundësojshin këtë procedurë të tjerrjes. Tjerrja osht’ përpunimi prej leshit edhe me e bo pe, me do makina të drurit. Dhe në fillim na fillum me pare, dhe ishim shumë të lumtuna kur gjetshim ne mundësi me tjerrë me pare. Por prej atij leshi që kalonte në faza tjera të përpunimit, mandej pastrimi, ngjyrosja, dhe t’u epke mundësia me punu edhe me vek. Veku osht’ një pajisje e drurit që për juve të rejave [i drejtohet të pranishmeve] mundet me qenë imagjinatë, po për neve ka qenë diçka shumë, shumë e mirëpritun, që unë paralelisht atëherë vitin e tretë dhe katërt që i normalizova raportet me familjen, çdo verë, vjeshtë apo vikend e kom pasë vekun të vendosur me një dhomë. Afër vekut e kom pasë këtë makinën që e bëjsha përpunimin e leshit deri në pe, ose tjerrjen e tij, dhe mund t’ju them se me padurim e pritsha me i kry disa. Atë e kom ba bashkë me ketë motrën që osht’ këtu, me Shkurten. Ne kemi punu shumë të dyjat, edhe në punë të shtëpisë, edhe i kemi ndihmu shumë babës me punët e fushës, t’u kositë e t’u prashitë i thoshim na misrin, tu shku në mal me marrë dru, se na u dashke me qenë edhe vajza edhe djem, për me funskionu familja si duhet. Dhe na punojshim, i kemi pasë domethënë dy veka afër njëra tjetrës, dhe i matshim me pe cila po punojmë ma shumë, në mënyrë që të prodhojmë ma shumë. Të shtuneve pazar në Pejë, të shtunën u shitshin ato. Blejshim miellin, blejshim garderobën, blejshim të gjithë artikujt ushqimorë, dhe të gjitha gjanat që ishin të nevojshme për familje. Por njashtu, një pjesë e këtyre të mirave materiale t’u ju bashkangjitë edhe fitimin nga këto gështenja e boronica e diçka tjetër, e planifikojshim për tan vitin, dhe ato mjete na i shpenzojshim nga pak, nga pak derisa mujshe me arritë që me e përmbyllë një vit, se na kemi qenë shumë, shumë kërkesa, shumë nevoja.

Mirëpo, kur e kreva unë shkollën e mesme, domethënë për dikend kjo ka mujt me qenë hobi, për mu nuk ka qenë hobi, ka qenë puna paralele që e kom bo, paralele obligative, por e kom bo me dëshirë sepse e ka pasë profitin e vet. Mandej erdh fejesa dhe martesa e motrave, që u dashke m’u përgatitë edhe ajo pajë e nusërisë, e pjesë e pajës së nusërisë atëherë ishte komplet punë dore, me të gjitha ato procedura, me qylyma e me çka ju thojnë, do jastëk e do gjana që unë isha e përgatitun. Mirëpo, atëhere unë u kyça tu punu me pare edhe për vajzat tjera që u martojshin. Edhe në këtë formë, domethënënë këtë formë, pa pare të mdhaja nëper dorë, t’u i menaxhu me shumë kujdes, mirëpo edhe tu mos ra në situatë që m’u mungu këtyre diçka madhore, ose edhe mos me kërku borxh prej dikujt tjetër. Kërkohej një menaxhim i mirëfilltë, kërkohej një përkujdesje e detajizuar, kërkohej një përcjellje. Por me i’u thanë diçka, se këtu ma tepër se nji qind përqind unë si Xhejrane e kom ndërgjegjen shumë të pastër, sepse kom dhanë çdo gjë nga vetvetja. Ndoshta shumë herë vetes i kom shkurtu shumëçka, çka ka qenë elementare, por gjithmonë mendojsha këto janë vajza, ktyne mos t’ju mungon diçka, mos të shërbejmë na si shembull, mos të bijmë në sy tepër mos ta ndijnë këto veten shumë të lëndume. Shumë e kujdesshme që edhe prindërit mos ta ndijnë veten që bon diçka, çka bon edhe duhet të ndihen shumë keq, krejt kjo me obligoi me barrën që e mora unë. Që të thashë që i dhashë vetit të drejtë me i thy do copa të akullit, me i thy do rregulla, me i thy do tradita, me i hi një rruge që nuk ishte e lehtë.

Në vitin ‘78, me 10 shtator, domethënë shumë afër jemi afru na asaj date, kur kom fillu unë me punu në Dragash, në fillim të shtatorit, se pauzova unë ‘76-‘77 e kreva shkollën e mesme. Do jep një element të një informate që unë mbajë gjithmonë në shpirt, nji borxh që ka komuna ime para meje, flas për komunën e Deçanit, se unë e ceka edhe ma parë që u shkollova me vajzat e drejtorëve, me vajzat e kryetarëve dhe nuk ishte e lehtë të depërtoi deri te një vend pune. Për fat, unë isha nxënëse e shkëlqyeshme, dhe e përdorën një metodë eliminuese, t’u më thënë sa herë kërkojsha punë unë, më thosht’e drejtori, më thosht’e i gjithë ai personel që unë kontaktoja si punëkërkuese për nevojë të familjes, më thojshin, “Po ti duhet të kthehesh mjeke. Po na kemi nevojë që ti të kryesh fakultet”. Domethënë më eliminojshnin në këtë formë, që unë e dija që nuk kom kushte për fakultet. Unë kërkojsha me punu për një copë bukë, përderisa pala tjetër, ndoshta ata se kanë pasë qëllimin… ata e kanë pasë qëllimin shumë të mirë, me më avancu mu në shkollim, por diçka e pamundun. Dhe e pashë unë që nuk osht’ lehtë të depërtoj, sepse ato shoqet e mija punësoheshin kohë pas kohe, dhe e regjistrova fakultetin e biologjisë me korospodencë, veç t’a plotësoj atë zbrazëtinë.

Ndërkohë, erdhi edhe oferta nga një shoqe e imja e cila ishte nga Prizreni, por e njihte atë trevë atje dhe thotë, “Xhejrane kërkohet një mami në Dragash”. Unë se kom pasë idenë se ku osht’ Dragashi, absolutisht hiq, as s’kom ditë që ka Dragash. Në Prizren e kom kry unë shkollën e mesme, por s’kemi pasë na kontakt në atë pjesë, dhe unë detyrohem patjetër që me punu diku. Me 10 shtator kom fillu, 10 shtator 1978 kom fillu të punoj si mami atje. Kur kom shku ditën e parë më kujtohet si sot, kom dhanë anatominë dhe morfologjinë e bimëve te profesor Beqir Hundozi, kom marrë nantë-she atë ditë, dhe prej Prishtinës në stacion të autobusëve, në Prizren. Pyes në stacion të autobusëve, “Po Dragashi? Po për Dragash?” Pa pas idenë ku po shkoj. Kom shku në Dragash, kuptohet kom kalu nëpër vështirësi të natyrës reale çfare kanë qenë. Se një vajzë e re në atë moshë të re, të shkon me një trevë ku nuk shkolloheshin vajzat e asaj treve me punu në vendlindjen e vet, e unë po shkoj prej një treve me një trevë tjetër. Më kujtohet si sot kur kemi mbërri në Zhur, unë jam qu me zbritë prej autobusit se kom mendu që qaty osht’ Dragashi. Një qytetar afër meje më thotë, “Ku po shkon?” “Në Dragash!” “Po këtu s’o Dragashi”. S’disha a m’i besu, a mos m’i besu, se ai e ka vërejtë që unë vajzë e re, domethënë s’e njifsha personin. U ula, thashë nashta e ka qëllimin e mirë. Prapë në stacionin tjetër, kështu ka qenë ajo në Dragash, kuptohet ato vështirësitë tjera.

Por, çka vlen të përmendet edhe diçka tjetër, se unë mora nantë-she në anatomi dhe morfologji të bimëve, dhe asnjë provim tjetër nuk kom mujtë me dhanë. Gjeta atje nevojën shumë të madhe për mami, për ma tepër për ndërrimin e natës, atje gjeta edhe një fenomen tjetër që në komunën tonë nuk ishte aq i theksum, ose ndoshta ka qenë e unë nuk e kom njohtë, por së paku nga familjarët tonë, që nuk përmendeshin shumë emrat e mamive të komunitetit jo shqiptar, për shembull Veric e Zoric e këso. Atje gjeta një kuadër që e ka gjetë vetveten tu punu, edhe prej Maqedonie edhe prej Serbie. Kontakti i parë me nanat tona, me gjeneratën e të moshumeve domethënë që i binin nuset në lindje, edhe t’u më thënë mu, “A din shqip bre bijë?” Dhe ajo m’u dhimbke shumë. “A din shqip bre bijë?” Dhe unë ju thosha po, sepse ato ishin mësu me Vera, Gollupa, diçka çka s’kom qef me ju përmen emrat e tyre bash deri në atë masë. Edhe ato s’kanë ditë shqip.

Mandej filloi të zgjohet edhe kjo ndenja te unë që unë shqip, dhe ju thosha,”Po shqiptare jam unë, po di shqip”. Edhe besomëni, atëherë diqysh ndër dijen time ja dhashë vetit një detyrë, që më falni pashë Zotin që them, (buzëqeshë){bashkon pëllëmbët} komë e shkinës qitu s’ka me shkelë ma si e punësume. Se komunikimi në profesionin tonë si mami kishte domethanje shumë të madhe, se nuk je ti infermiere me ja dhanë, me ja aplikua terapinë edhe me shku te shpija, por ti me gruan në lindje mund të jesh 12 orë afër gruas. Të jesh 12 orë me grua që ka nevojë për ty, për ndihmën tënde edhe mos ta.. Sot unë i akuzoj pse nuk osht’ komunikimi i mirëfilltë, e mos të flas, mos të komunikosh në gjuhën e saj. Unë e kom pa si diçka shumë, shumë të tmerrshme.

E edhe kjo më ka fuqizu domethënë linda në familje me shumë vajza, ku mungojke e drejta dhe liria e femrës, po si mos të merresh me aktivitete. E u shkollova qysh u shkollova, sa e pagova unë çmimin e hapit tim të guximshëm; shkova me një vend ku prapë unë e pashë se femra osht’ ajo që po e paguan çmimin e mungesës së lirisë së saj, t’drejtës së saj. Fati ka qenë që une atëherë edhe pse s’ka pasë gjinekologë, kishte mjekë të praktikës së përgjithshme, që kërkohej një menaxhim i një profesional i nivelit ma të lartë. Mirëpo, unë teorinë e dijsha shumë mirë, fati që nuk jam mësu me më dhuru dikush në jetë, se ato çka e kom arritë në jetë, e kom arritë me punën time. Edhe shumë shpejt i kapa gjërat profesionale në praktikë. E dyta, shkuarja në Dragash më mundësoi mu zbutjen ekonomike të familjes sime, edhe pse ndoshta ka zgjatë kjo pothuajse një vit, që çdo të premte kur kom ardhë unë te familja për vikend kur jom nisë prej Dragashit kom thënë s’shkoj ma, s’po muj ma me përballu, s’po muj mo larg familjes. Nuk kish telefon, shumë vajza, kur kthehesha këtu gjejsha që ndoshta nana ishte shumë e lodhun, kishte vështirësi familja.

Por sa herë kom ardhë në familje, unë kom vërejtë që po i mungon diçka familjes time, dhe atëherë e kom pa të nevojshme që unë prapë duhet të punoj për këtë familje, shkollimi i motrave, shkollimi i mesëm. Shkollën e mesme thosha e kom kry unë, këto duhet ta kryjnë së paku shkollë të lartë ose fakultet.

Gjithmonë rriteshin nevojat, shtohej nevoja që unë të angazhohem ma tepër, e ma tepër. E pozitën në të cilën e gjeta femrën në komunën e Dragashit nuk më kënaqke mu, ajo ishte po femër sikur të gjitha femrat tona, por ndoshta mundësi ma të vogla të shkollimit, ma larg, vend ma i izolum, për mu shkollu një vajzë nga komuna e Dragashit. Atë kohë shkolla e mesme në Dragash kuptohet, e lartë në Prizren, fakulteti në Prishtinë, kilometrazhë bajagi e gjatë për ekonominë familjare dhe për mentalitetin e familjarëve tyre. Edhe ajo i’u shtu këtyre brengave për femrën që kisha unë, dhe gjithmonë kom qenë e interesume që unë të jom afër tyre, t’i kuptoj ato ma mirë, të jem afër familjarëve me të cilët ato jetojnë. Edhe me një formë të ndërtojmë na miqësi të reja, të shërbejmë na modele të reja, të japim na… t’i plotësojmë ato zbraztina për të cilat nuk osht’ fajtore as një gjeneratë, as ajo gjeneratë që ka jetu ma parë, por as gjenerata që vinte pas tyre, sepse edhe Dragashi kishte atë kohë veçantitë e veta.

Njerëzit jetonin nga kurbeti, domethënë kryefamiljari ishte në perëndim, komplet barra e familjes ishte te nana, nana ishte e varun prej antarëve tjerë të familjes. Edhe proceset e vendimmarrjes janë shumë, shumë të rëndësishme për jetë, e për ma tepër për gjininë femërore. Plus, natyra e punës ishte e tillë, mami, je afër gruas në momentet kur ajo prej një shtatëzanieje, brenda pak orëve ose minutave sjell në jetë një krijesë të re, osht’ nanë. Drejtën me ju thanë, e kom thënë këta disa herë, do ta them këta edhe këtu, kur më thoshin këta në Deçan, drejtori i shtëpisë së shëndetit atëherë, kryetari i komunës dhe kush kanë qenë ato struktura na duhesh mjeke, shpeshherë kom thënë vet me vete, o sa mirë të jem mjeke.

Por puna ime në Dragash si mami, mu më ka plotësu aq tepër, sa për asnjë moment nuk thom une do të ishte ma mirë që unë si Xhejrane të jem gjinekologe në klinikë, apo ma mirë unë si Xhejrane te jem mami ne Dragash. E shoh veten ma mirë të jem mami në Dragash, sepse prezenca jonë, e mamive shqiptare në Dragash, ka plotësu një zbrazëtinë që nuk ka qenë lehtë të plotësohej. Domethënë mamitë prej Prishtine, mjeket prej Prishtine nuk vinin me punu atje, dhe unë secilën herë jam mishru ma tepër, e ma tepër me to, e kom ndërtu raportin që mendoj se osht’ raporti ma i mirë. Mike e tyne, shoqe e tyne, pjesë e brengave t’tyne, pjesë e kërkesave t’tyne, pjesë e problemeve t’tyne në një masë shumë të madhe, dhe pjesë e procesit të zgjedhjeve ose t’zbutjeve së atyne kërkesave t’tyne. Më bën të ndihem mirë kjo definitivisht, e kom gjetë veten mirë, osht’ larg prej vendlindjes time, por ndoshta i ka edhe disa gjana ma të përbashkëta. Se, edhe Deçani ku jam rritë unë ka bjeshkë, osht’ vend malor, edhe Dragashi i ngjanë, përveçse janë dimnat ma të egër dhe të krijojnë vosht’rsi tjera, vosht’rsia e banimi e të gjitha ato gjana. Por megjithatë, unë e kom kapë hapin e adaptimit shumë ma lehtë, edhe më ka ba të ndihem mirë. Edhe mund të them se jam krenare edhe jam borxhli para Dragashit, definitivisht jam borxhli para Dragashit. Me përfitimin qe e kom marrë në Dragash, unë kom ushqy familjen time, kom organizu jetën e familjes sime.

Ajo çka ndoshta osht’ ma e dhimbshme, që nuk po them që jam patriote e madhe por jam shqiptare, domethënë nuk them se jam patriote por shqiptare jam. E lëvizjet Dragash-Deçan-Pejë, kanë qenë ma të vështirësume jo lëvizjet kilometrazh. Ka qenë edhe Deçani, Kosova në përgjithësi, mos ta ndaj Deçanin. Po e përmendi Deçanin se osht’ vendlindje imja dhe Peja, organizimet e të rinjëve për t’ju kundërvu pushtetit i cili të robënoi deri në atë masë… Dhuna dhe terrori serb në trevat tjera ishte i nivelit ma të lartë, sa atje ku unë veproja, pa qenë i privilegjum por nuk ishte interesant Dragashi, ndoshta edhe për pushtetin aq tepër. E unë prej largësie që i përjetojsha, i vërejsha dhe i dëgjojsha ato gjana, gjithmonë e ma tepër e ndrydhnin shpirtin tim, gjithmonë e ma tepër isha ma e shqetësume, nuk kishte telefona mobil sikur tani, familja ishte…

 Pas një kohë, në pamundësi me përballu jetën e fshatit pa fuqi punëtore mashkulli, e shitëm shtëpinë në fshat dhe e morëm një shtëpi në Pejë, kështu që familja ime u transferu në Pejë. Vazhduan mandej motrat shkollimin në Pejë nëpër shtëpia. Një kohë që ka qenë ndoshta e vështirë edhe për mu, ishte se unë prej tetë motrave sa ishim gjallë, tri i kom pasë të helmume në atë helmimin e nxanësve dhe punëtorëve. Njëra prej tyre ishte punëtore e Napredak-ut[2] të atëhershëm, tash osht’ Jatex ajo fabrikë që osht’ e mbyllun, dhe dy tjera nxënëse. Dhe atëherë nuk ka qenë lehtë unë veç me një pagë timen, me ato lëvizje kaq të largëta, me një shpi pa mashkull edhe mundesh gjithë ato gjëra t’i përmbyllësh pa pasoja të mëdhaja.

Më kujtohet shumë mirë që disa herë unë visha prej atjehit… E manifestimi i helmimit për ata që nuk kanë pas anëtarë të familjes të helmum, osht’ me rëndësi të ceket se ka qenë me ato konvulsione i quajmë na në mjekësi, konvulsionet janë sikur gërrqet dhe besomëni aq të tmerrshme kanë qenë ato faza, sa që krejt familja trishtohej. Dhe atëherë nuk guxonte edhe taksisti si taksist nuk pajtohej pa e pagu shumë, ose pa shfrytëzu shumë rrugë periferike me shku dhe me kërku ndihmë te mjeku. Me kërku ndihmë te mjeku, ti u dashke me qenë mjek i përzgjedhun ose ndonjë neuropsikiatër, ose një mjek që preferohej si mjek pak ma i guximshëm; jo ma patriot, se unë patriotizmin nuk e ndaj në shkallë, dikush din me manifestu, dikush e run në heshtje, dikush-dikush ka shumë forma me të cilat e manifeston njeri atë. Dikush ka qef me lavdu, dikush e mban në heshtje, dhe unë nuk merrem me atë pjesë, por unë e di nëpër vështirësi në të cilat kom kalu unë me motrat e mija që ka qenë një tmerr, dhe shpeshherë u dashke me lanë situatën të tillë në familje dhe me shku me punu prapë. Psiqikisht isha e qthurur, psiqikisht isha e dërrmume, psiqikisht isha shumë e lodhur. Por patjetër u dashke me punu, patjetër u dashke me qenë gjakftohtë e këto janë momente shumë të vështira nëpër të cilat kom kalu.

Faza tjetër mandej vetëm familja jonë kishte telefon mobil, dihet mërgimi, dihet shqetësimi, i gjithë farefisi jonë koncentrohej në familjen tonë. Familje pa mashkull, pa shumë të ardhura materiale, se unë u punësova në 78-tën, po në 1981/1982 menjëherë filloi inflacioni që edhe ajo e dëmtoi shumë ekonominë familjare. Vijnë mandej vështirësitë tjera, ishte ajo koha kur strehoheshin të rinjtë në familjen tonë, kur boheshin ato marrëveshje. Një periudhë tjetër që atëherë ishte vetëm Lidhja Demokratike, nuk ka qenë sistemi shumë partiak në Kosovë si me pasë zgjedhje ti, por të gjithë mendonin se osht’ Lidhja Demokratike zgjidhja e vetme e cila mund të jetë dhe t’i shtyj proceset përpara me format e veta, që unë nuk i mohoj as nuk paragjykoj për ato se nuk merrem me politikë. Dhe të gjitha këto secilën herë ma tepër e ma tepër, mu më futeshin në thellësinë e borxhit që ndija ndaj tjerëve, e për ma tepër ndaj gjinisë të cilës i takoj. Kaniherë kur më pysin kur ke fillu me aktivitete, po prej kur kom lindë, unë kom lindë në kohën e nevojës për aktivitete, se jam rritë në ato rrethana, jam rritë në atë rreth.

Ka qenë edhe kjo një periudhë shumë e vështirë, ka qenë periudha shumë e vështirë se filloi familja jonë të vëzhgohej, filloi motra e cila jeton bashkë me nanen në familjen tonë, të merrej peng disa herë, ishte motra tjetër në Kapeshnicë[3], që prej Kapeshnice fillonin demostratat, fëmijët e rritur, motrat e mija pjesëmarrëse në demonstrata, fëmija e motrave pjesëmarrës në demostrata. Motrat edhe pse ishin të helmume, pjesë e këtyre udhëtimeve që shkonin në këmbë deri në Prishtinë nëpër fshatra, domethënë komplet familja ime ishte e kyçun në këto procese, përderisa unë e bëjsha një vëzhgim prej largësie, që ka qenë shumë një situatë e vështirë, po ju them komplet e qthurur, komplet. Veç që nuk shpërthejshe, por çdo shpërthim i kishte pasojat tjera në veti.

Më kujtohet disa herë me radhë unë kom ardhë prej Peje, vikendeve shkojshim në Kapeshnicë aty ku fillonin demostratat. I qitshim do qepë para dere, do tesha të motrës, që nuk kishte shumë tesha besomëni, se s’ka pasë atëherë si kur tash pasuni, veç ta mbyllin hundën edhe gojën djemtë, demostrantët, dhe ato qeptë thoshin se po e neutralizojnë atë gazin, edhe ato plagë që ishin të lehta. Mos t’i lojmë me ra në duar të policisë paraprakisht, ose në spital te naj mjek i cili e bojke raportimin e tyne. Kur thashë nuk e quaj veten patriote të madhe, por e lidhi me këto aktivitete, kështu që shpirtin gjithmonë e ke pasë plotë, angazhimin nuk ke mujtë ndoshta me dhanë t’nivelit sa duhet, por brenga për familje ka qenë shumë e madhe.

Më kujtohet një rast tjetër mandej kur unë e jepi një propozim, them unë kom shumë motra, na kemi pajë të nusërisë të përgatitun, kur u afru veç e pamë se pa luftë nuk bëhet kurgjo. Dhe i’u them “Mirë bre po na po organizojmë çdo javë kanagjegj në shpi temën”, unë kom shumë motra, sot u martu, sot një javë u nda, u martu diku tjetër. Të fillojmë e t’i mbledhim edhe vajzat pak, t’i ushtrojmë me lidhjen e plagëve, t’i ushtrojmë me këto gjana se edhe nëse nuk duhen ato për njerëz tjerë, së paku për familjen tanë të duhen. Domethanë ishin gjithmonë këto mendime që ti jetojshe me to, që ishin pjesë e jetës tane.

Koha tjetër domethanë kur fillun me marrë armë, djem tonë, kushëri, nipa, farefisi yt. Kaniherë vijshin mblidheshin në familjen tonë, bëheshin ato plane, ishte e nevojshme shumë me qenë e vëmendshme, mos me dalë ato plane jashtë atyne njerëzve të cilët i bojshin. U nis’shin për Shqipni, unë u dashke me shku atje me punu, s’mujsha me marrë informatën se telefonatat përgjoheshin. Ka qenë edhe ajo një kohë shumë e vështirë, e cila të linte ty borxh secilën herë ma tepër, e ma tepër, ta merrke kohën, ta merrke ndoshta edhe gjendjen tonde psiqike, ose atë komoditetin psikik tondin për me mujt me vepru.

Harrova që kom qenë studente e biologjisë atë herë s’merreshim me atë, u përkushtova komplet, mirëpo gjithmonë, secilën herë të mundohesh t’i jepish jetës, t’u jepish njerëzve që kanë nevojë që janë rreth teje, të bojsh diçka. Ishte marrja peng për shembull e familjarëve femra, që e merrke një fëmijë për dore, ose helmimi ose… të gjitha këto procedura e kanë pasë peshën e vet të vështirësive. E të gjitha këto i kom menaxhu prej largësie, e unë kom qenë pjesë e tyne prej largësie. Kaniherë e ndija veten edhe si fajtore, por megjithatë ka qenë e nevojshme me punu, patjetër që u dashke me punu, me funksionu familja. Dhe osht’ kjo periudhë që e kishte një dallim Dragash edhe vendlindje e imja, që unë isha diku në mes tyre, as komplet këtu, as e shkëputur prej këtu, dhe mund të ju them lirisht se ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mu, që osht’ dashtë të aktroje ndoshta shumë herë, të reagoje me gjakftohtësi.

Mandej përcillesha vikendeve, nuk t’i epke gjithkush këto informata, të thosht’e dikush venja mendjen se po përcillesh që çdo javë po shkon për Pejë, po përcillet situata në Pejë, vishe ne pozitë a me udhëtua, a jo, s’guxojshe me folë. Ishte mandej situatë..ka ka shumë çka, për shembull visha këtu, na përpara kem dhanë shumë penicilin, këta e lidhi me profesionin, ose edhe në vend të punës ishe e përcjellur me ato hije edhe pse s’tu bëjshin me dije, profesioni shumë i ndishëm. Erdhi një kohë shumë e keqe mandej, shumë njerëz u influencuan aty, dikush u bënte shumë ma patriot se që duhet, tjetri mbetke mbrapa, s’mujshe me bë garë në atë fushë, edhe diqysh gjithmonë e vërejshe ti se duhet me dhanë hala ma shumë, hala ma shumë, se gratë s’kanë faj, populli ska faj, na jepshim penicilin, i tretshim dy-tri kutia, sot se jepin, s’epet se shoku, reaksioni i penicilinave…Unë gjejsha në ren t’u pritë për shembull, edhe këtu kur visha ose gratë që s’mujshin me shku në spital, i kishin burrat në luftë, ushtarët e parë kur filluan, edhe u dashke me menaxhu atë. Krejt u bënte kjo nëpër shpija, u bëjshin këto aktivitete, dhe prapë ti e lejshe ketë pjesën këtu, shkojshe në Dragash thuajse kurgjo ska ngja. U dashke me qenë krejt dikush tjetër, jo momente shumë të lehta, por jam e vetëdijshme se ndoshta nuk kom dhanë aq sa kom dashtë, por sa kom mujtë po, besomëni, osht’ një borxh që njeriu e ndien ndaj tjerëve, e ndien ndaj gjinisë tjetër.

Dafina Beqiri: Sa gjatë keni punu në Dragash si mami?

Xhejrane Lokaj: Edhe sot e kësaj dite jam, domethënë prej vitit 1978. Në Dragash nuk ka pasë masa të dhunshme, kur i largun policinë edhe kur i largun arsimin për shembull, kur filloi sistemi nëpër shtëpia, erdhi një vendim. Po punëtorët e postës, e panë me siguri elita politike e asaj kohe që nuk po bën mo me lëshu na komplet frontin. Dhe u morr një vendim tjetër që jo ma mu largu punëtorët në mënyrë masovike. Nëse i larguan tak tuk ndonjërin, mirëpo na me qëndru, që ka qenë një vendim i drejtë, nëse e shohim na edhe nga këndvështrimi në atë kohë edhe sot, mirëpo jo shumë i lehtë edhe na ku kom punu unë …


[1]Turq.: shkaktare, arsye.

[2] Ish fabrikë e konfeksionit në Gjakovë.

[3] Lagje e njohur në Pejë, prej ku fillonin demostratat.

Dafina Beqiri: A mund ta përshkruani një ditë tuaj kur osht’ vështirësua liria e lëvizjes, si je nisë apo si ke punu?

Xhejrane Lokaj: Unë e kom kry luftën në Kosovë, në Prizren. Deçani, Peja edhe Gjakova kanë luftu edhe në vitin 1998. Familja ime osht’ zhvendosë prej një lagje në lagjen tjetër. Muj me veçu një ditë, atë ditë kur familja ime kanë qenë të detyrum m’u zhvendosë, kur baba im ka këmbëngulë, “Nuk i’a lëshoj tokën shkjaut se osht’ shpi e jemja” me kokëfortsinë e tij, të moshës së tij. Dhe, kur janë rreziku edhe anëtarët e tjerë të familjes që kem pasë edhe familjarë të tjerë në shtëpinë tonë, halla, djemë të hallave, kusheri, djemë të axhëve, plot shpija. (Qan) Dhe, kur unë për një ditë kom thirrë 35 herë në telefon, “a dult?”, sepse e vetmja mundësi që familja ime me farefis që kanë qenë të strehum në familjen tonë ka qenë…

Ndoshta kjo osht’ diçka çka unë edhe me vdekë dhjetë herë, edhe m’u ngjallë dhjetë herë, atë ditë kurrë në jetën time s’e harroj. Atë ditë osht’ i vetmi rast, dhe shyqyr që familja ime nuk e ninë këtë fjalë, unë kom thënë “Oh Zot shyqyr që më ka vdekë Hyrija”, motra ime në moshën 20 vjeçare, dhe nuk osht’ edhe kjo pjesë e kësaj çka po ngjan. Ishim vajza, vdekja osht’ faqja e bardhë kanë thënë të moçmit. Nuk dëshiroj këte çka po them unë ta ndëgjojnë femrat e dhunume, përveç që kom respekt për forcën e tyne, dhimbje shumë të madhe për përjetimet e tyre, borxh shumë të madh për situatën e tyre, e përjetoj me veçanti edhe pse nuk jam e dhunume. Mirëpo, kom pasë frikën ma të madhe të dhunimit të femrave para familjarëve, dhe babai im plak, i pa djalë thosha, do të thotë t’a kisha pasë një djalë, ish vu në mbrojtjen e vajzave të mija. Dhe ajo ditë kur unë 35 herë kom thirrë, ndoshta për katër orë të plota, “A dulët?” Kur cingrojke telefoni e s’u lajmrojke kërkush, ishte shenjë që ata kanë bo përpjekje për me dalë, edhe thosha, “Oh zot dulën se s’po më lajmërohet kërkush në shpi”, po hajt të provoj edhe njëherë. Kur thirrsha herën tjetër, “Oh jemi këtu po s’ka mundësi me dalë, jemi të rrethuar në gjitha anët, s’ka mundësi me dalë”. Domethënë kjo osht’ një ditë kur besomëni për herë të parë unë kom thënë “Oh Zot shyqyr që më ka vdekë Hyrija prej egjelit”, se kom boll t’tjera. (Qan) Ishin rejat e axhëve, ishin rejat e hallave, të gjitha të reja. Ishin djali i hallës dëshmor, familjarë tjerë, plotë të vramë në familje, disa herë motrat të marrne peng, disa herë motrat t’u kalu nëpër ato procedura, unë t’u i përcjell prej së largëtit.

Këtë ditë e veçoj, që pasojnë plot e plot ditë tjera të vështira. Mundeni me marrë me mend kur familja ime, baba në moshën 80 vjeçare ka dalë prej ktuhit nëpër këto bjeshkët e Qakorrit që thoshim na, bora deri këtu {prek gjoksin, tregon sasinë e borës}, ditën e Bajramit në komë tu e ulë me një najllon, në thes të najollnit [thes apo qese nga materiali i tejdukshëm] të lidhun edhe t’u e ngrehë nëpër borë. Se ka shumëçka, unë prej largësie, motra tjetër në Gjakovë e cila mbet me djalin në spital, tjerët të angazhum kuptohet. Vjehrra e saj e sëmurë, afër Qabratit një lagje aty, edhe ajo ishte tmerr në formën e vet. Motra në Mitrovicë e cila u nda, jo u nda divorc, po rrethanat e luftës e ndan bashkëshortin e saj, ajo me dy fëmijë, dihet në Mitrovicë ato kolonat qysh shkojshin, qysh i kthejshin, qysh i zhvendosëshin, t’u ra shi. Domethënë për mu tmerri i kësaj jete ka qenë vetë lufta. Nijsha borxh shumë, lufta në Kosovë… t’gjitha informatat të gjithë shqiptarët kanë qenë nji, nuk ka pas numër. Çkado që ke ni keq, ti e ke përjetu atë në shpirtin tond, se osht’ ka e përjeton populli yt. Nuk ka pasë dhimbje ma të madhe a ma të vogël.

Në të ’98-tën unë punojsha, mirëpo ka qenë në Hereqe[1] knej e mbyllne rruga, të shkëputun komplet, as telefona as kurrgjo, knej zhvilloheshin luftime të mëdha. Radio Tirana i jepke lajmet në ora dhjetë, i jepke edhe me emra edhe me mbiemra të vramë. (Qan) Më kujtohet si sot edhe kjo periudhë kur ditët e para, unë i njisha u vra ky, se i jepke me emra të rrethit tim, të farefisit tim, edhe kajsha, nuk flejsha atë natë tanë natën. Mirëpo mas tri dite unë qaq u adaptova sa që thosha, “Uh e paskan vra edhe këta”, domethonë u bona dru, nuk disha mo me reague. Veç kur thojshin… me pasë thanë nanen tem e vranë, çka gjatë luftës unë mora informatën se e kanë vra edhe babën, edhe burrin e motrës, se qysh m’i lanë xhenazet në oborr, domethënë ishin të gjitha këto vështirësi të tmerrshme. Por atëherë, betohem në të madhin Zot që na ka kriju krejtve, për Xhejrane Lokaj të gjithë shqiptarët kanë qenë një. Ka qenë shqiptar, ska pas as emër, as mbiemër. Fëmija ma të dhimbshëm, pleqtë e djegun në shpija ma të dhimbshëm, femnat e dhunume ma të dhimbshme, këto tri kategori, forma e trajtimit gjatë lufte ka qenë, përndryshe vdekja si vdekje ka qenë për mu nji vdekje.

E në fillim kajsha e u mërzitsha dikur thosha, “Uh e paskan vra edhe këta”. Kujtojsha se krejt duhet m’u vra qashtu njo nga njo, krejtve na vjen reni njo nga njo, për atë kohë unë jam kanë e bëme dru, nuk kom ditë. Por në këtë fazë tash e shoh se ajo ka qenë një vdekje shpirtnore, që njeriu vdes shpirtnisht edhe ma ti si robot sillesh. Nuk din kurgjo çka o ka bëhet me ty, çka o ka bëhet rreth teje, se psiqikisht, shpirtnisht ti ma nuk ekziston, ti je i vdekur. Besoj se shumë njerëz do t’i përsëritin këto fjalë, besoj se shumë njerëz, se këto janë përjetime, nuk osht’ aktrim.

Për ato, edhe kur kujtona sot, sot 14 vjet pas luftës, ndoshta edhe pse jam femër, ndoshta edhe pse unë e kom përjetu jetën në këtë formë jo lehtë, ka jeta tragjedi, ka dhimbje, ka suksese, ka humbje, ka ramje, ka ngritje, po nuk di pse femrat i lë borxh shumë. Ndoshta pse e kom ndi vet borxhin ndaj jetës edhe ndaj të tjerëve, nuk di s’muj me kuptu këte. Ndoshta pse gjithmonë jam mundu të kyçem në zbutjen e gjërave, të gjejmë zgjedhje ma të lehtë, të jesh transparente, edhe pse vet jam e guximshme ka situata kur them se duhet me duru. Domethënë nuk them unë gjithmonë s’duhet me duru, e di unë jam ajo Xhejranja që di me thënë, “Leja kohës do gjana, por ngadalë ta bëjmë edhe një analizë për veten tonë”. Na u vjedh neve ndonjë lëshim, ndonjë reagim ma i vrullshëm, ndoshta më ka mundësua e gjithë kjo që e fola, profesioni im, një profesion hyjnor për mu. Mos koftë Xhejrane Lokaj në lëkuren e të korruptumëve, se t’korruptumë janë ata që nuk e përjetojnë lindjen si lindje. Se të shohësh ti secilën nanë që pa dhimbje nuk lindet, që në ato momente dëgjon gjithçka, se të rrëfehet gruaja në ato momente, edhe ti të menosh do ta bëj një shtëpi të madhe t’u ju marrë pare aty; unë mos kofsha në lëkurën e tyre.

Ndoshta unë gjithmonë kom qenë shumë, shumë e përkushtume për qetësinë shpirtërore, për jetën shpirtnore, ta kom shpirtin të lirum prej borxhit, t’i jep jetës, tu jep njerëzve, muj me thanë se nuk osht’ jeta qaq e lehtë. S’ka përgatitë veç buqetë lulesh, edhe atë buqetë në qoftë se e marrim na në formë të detajizume, po ta shohim ka therra aty, ka gjemba, ka edhe lot aty, ka edhe dhimbje, edhe vuajtje, ka edhe “pse” pa përgjigje, ka edhe andrra të ndërpreme. Domethënënë qoftë se e bëjmë një analizë pak ma të gjanë, nuk osht’ jeta qashtu qysh e shohim na, ose qysh e andrrojnë gjeneratat e reja. Edhe unë kom pas andrra të mija, edhe unë e kom andërru një jetë krejt tjetër, mirëpo andrrat janë andrra në kokë. Jeta jetohet t’u udhëtue, dhe prezenca jote në tokë, e jo në kokë. Ani pse koka, truri veç jep komandën për veprimet që i bon njeriu, por nuk osht’ jeta bash qashtu qysh e marrim na njerëzit, e për ma tepër qysh e marrim na femrat kanihere…

Dafina Beqiri: Për me hapë organizatën Iniciativa e Gruas, a ju ka dukë se osht’ edhe një hap ku ju mundeni me qenë edhe më afër grave?

Xhejrane Lokaj: Po po, shumë mirë një pyetje shumë me vend, që ndoshta mu të gjitha gjanat s’po më kujtohen kaniher, po e vëreni se edhe emocionet po mbizotërojnë në këtë rrëfim timin. Gjatë luftës t’u pritë në ren na për bukë, se dilshim në ora dy të natës, dhe atë motrën e Gjakovës arrita unë me gjetë gjallë nëpër shpija, nëpër ato tmerre. Tmerre që akoma nuk e kom forcën me rrëfye, besomëni akoma duhet kohë me mbledhë unë vetveten dhe me rrëfy atë tmerr të luftës. Dhe e takoj një mjeke aty pritshim në ren, qytetarë të barabartë, qytetarë që kemi mbetë të ngujum në Kosovë dhe skemi mundësi me dalë. Dhe kur bisedoj unë me të, thotë, “Unë jam mjeke”, them “Oh shumë mirë, unë jam mami. Dhe këta qytetarët që i kem në lagjen tonë të koordinohemi unë e ti diqysh, dhe së paku në aspektin shëndetësor t’i përpunojmë na këto raste në shpi”. Dhe aty besomëni u ndjeva shumë mirë se e ndava përgjegjësinë, barrën profesionale me dikon tjetër, se na kishim plot gra shtatzëne që kishin afatin e lindjes, kishim gra që kishin sërkllazh, sërkllazha osht’ një trajtim i veçantë i shtatëzanisë që ishte termini i lindjes ato ditë.

Dhe po them atë ditë na të gjithë kemi qenë nji, nuk ka pasë njeri që ka mendu ma tepër për veti. Nji copë bukë u nda, nji grusht kryp u nda familje për familje, nji pikë ujë u nda familje për familje, aq shumë kemi qenë ata njerëz që kemi mbetë këtu, se na ata njerëz që kemi mbetë këtu, na kemi mbetë rob, të robnun. Dhe na kemi pritë në çdo moment se i kemi pasë ato informata me ato procedurat e regjistrimit sa qytetarë jon këtu, që një ditë na do të zhdukemi brenda nate. Po na kemi qenë në pamundësi me dalë. Hapja dhe mbyllja e kufinit kohë pas kohe, ajo ka qenë rrezik në veti, kush nuk ka pasë makinë, kush ka pasë t’smutë, sikur unë djalin e motrës me infuzione. Në ora dy të natës unë i’a epsha atij terapionin [terapi shëruese], që edhe në qoftë se qanë natën, mos të nihet, të jon fjetë ata bashkëqytetarë që kishin mbetë aty. Dhe të gjitha këto gjana kanë qenë të vështira; ose me dalë me marrë një infuzion kur u hargjun barnatoret dhe të gjitha ato. Dhe aty e kom nda përgjegjësinë me dikon tjetër, ndoshta hera e parë në jetën time që unë e gjeta dikon ma të fortë se unë, femër edhe që muj. Dhe aty kom thanë, “Zot o Zot, po unë duhet të jem bashkë me dikon, na duhet të ofrohemi, femra duhet…”

Dhe faza e masluftës dihet me ato ndryshimet që i solli, shpeshherë me ato pakënaqësitë e veta që i përjetojshin si individ, unë kom qenë asnjëherë ajo që jam publiku se po zhvilloj aktivitete. Se edhe sot që po e flas, këta që po bëjmë na këtë dokumentar, po flas ma tepër që të mëson dikush, të fuqizohet dikush, edhe të shërben kjo për të mirën e tjerëve. Jo që unë të përfitoj poena çfarëdo qoftë, por ndoshta dikush gjen diçka të mirë këtu edhe thotë, “Uh sa mirë, kjo formë ka kalu unë do bëjë në këtë formën diçka tjetër”. Kjo osht’ edhe qëllimi i gjithë kësaj. Dhe atëherë kur fillun gjanat m’u sistemu në venin e vet, kur kaloi ajo furtuna e pasluftës me ato eufori, me kënaqësi, me dhimbje, me tmerre, me vuajtje, me gjithë këto çrregullime dhe tragjedi që nana jeme kaniher thosht’e, “I’u prish…


[1] Fshat në komunën e Gjakovës.

Dhe ne filluam mandej në Dragash për herë të parë ndoshta na femrat me thonë, “Hej more!”. Po tash ajo pjesa që ishte përpara që gjithmonë e kemi pas pritë, na s’dishim kur po shkojnë as organizimet që po bohen a, ato shkojshin do në Zllatibor[1], shkojshin u organizojshin, na s’dishim sen, na e kishim brengën tjetër. Dhe fillum na t’u u ulë njona me tjetrën, t’u bisedu e shifshim veten tu mos pasë as një mjeke në Dragash, se kemi edhe sot e kësaj dite të punsume. Me kuadro të mangëta në shumë profesione, pa psikologe, pa avokate, pa… edhe diqysh metum na ato që i’a lamë një borxh vetes tonë. Duhet të bojmë diçka, duhet të ndryshohet diçka. E shifshim se shkollimi dhe punësimi i femrës i tmerrshëm, vetëdija e qytetarëve dhe e femrave- jo në nivelin e kënaqshëm. Do ta them një fjalë, komuna e Dragashit i ka femrat {numëron në gishta} shumë inteligjente, shumë punëtore, shumë të edukume, shumë të sjellshme, nana shumë të mira, motra shumë të mira. Mirëpo, nuk më kënaq kjo mu, sepse pjesë e vendimmarrjes nuk e di përqindjen e tyre sa osht’, jo përqindjen numerike, por përqindjen sa i takon asaj në shumë situata. Ndoshta brenda për brenda familjes shumë mirë e organizume, por jashtë familjes me përcjellës, me përcjellës me shpenzime shtesë me… Gjithmonë edhe me të lutë edhe tu qenë shumë….

Dhe t’u e vërejtë se mungesë mjekesh, mungesë psikologe, mungesë avokate, mungesë mungesë… plot kuadro që komunat tjera, e vendet tjera për ma tepër vendlindja ime dhe vendi ku jetonte familja ime, nuk i përjetonin mungesën e këtyre kuadrove. Bashkë me koleget tona, na gjithmonë bisedonim se na jemi ato që duhet të bëjmë diçka, osht’ koha jonë që ne të dalim në sipërfaqe, jo mo të veprojmë në heshtje që kemi vepru përpara; jo për lavd, po duhet të i’a nisim na edhe të bojmë diçka. Nuk bon kështu, ne jemi borxh, sot e kemi lirinë, sot ne duhet të japim edhe ma tepër.

Dhe unë kom pasë fatin që edhe kolege edhe motër kryesore, domethënë menaxhere e punës sime osht’ zonja Nexhipe Berisha, gruaja e një dëshmorit, e Ruzhdi Berishës së ndjerit. Dhe me atë gjithmonë i shoshitshim[2] ma tepër, sepse ajo ka pasë fatin që të martohet prej qytetit me një fshat, ku ka kontribu në formën e vet, domethënë nëpër shtëpia në fshat. E unë në qendër të mjekësisë familjare aty, por edhe aty ku banojsha në atë vend. Dhe një ditë mbahet një takim në komunë, Nexhipja më thotë, “Do të shkojmë në atë takim se kemi ftesë na me shku. Edhe s’ka problem, do të shkojmë në atë takim”. Aty ku unë kom shpërthye ma tepër, dhe në atë takim na flasim për pozitën e femrës në komunën tonë, që drejtën me i’u thonë unë se shifsha kërkun pozitën e femrës në komunën tonë. Ndoshta plot e mushne, e mushne, atë takim e kishte organizua OSBE-ja në bashkëpunim me zyrtarën për barazi gjinore.

Flasim për vitin 2008 kur ka qenë shpërthimi publik i imi, zonja Lindita Kozmaqi Piraj, zyrtare për barazi gjinore, akoma edhe sot e kësaj dite e zhvillon aktivitetin. Dhe pa i njoftë une, i kom njoftë ndoshta si figura kur kemi fillu na të diskutojmë për pozitën e femrës, dhe unë kom shpërthy ma tepër se ato tjerat. Them femrës tonë i mungon kjo, kjo, {numëron në gishta} domethënë e bëj publike unë pozitën reale të femrës në komunën e Dragashit, që kem dy komunitete, komunitetin shqiptar dhe komunitetin goran, ose Gorë dhe Opojë. Por, për mu janë të barabarta se unë jam mami, edhe njërën edhe tjetrën komunitet i kisha shumë afër vetes sime, dhe e njihsha shumë mirë situatën e tyre dhe shumë mirë i njifsha edhe nevojat e tyre. Ndoshta jo ato kërkesat e organizume shumë mirë tyre, por e dijsha se ato kanë kërkesa. Dhe që në atë takim në përfundim të takimit, marrin një vendim, thotë, “Po mirë do ta zgjedhim një grup femra që do të organizojnë aktivitete, dhe do të fillojmë pak me avokim, me aktivitete”.

Që fare unë se kisha idenë se a do të jem në atë grup a jo, po më pëlqej si ide, edhe e përshëndes unë shumë mirë atë. Vjen deri te propozimet dhe po thotë, “Po, të propozohem unë”. Diqysh edhe pse kisha shumë obligime tjera shumë ngarkesa tjera, nuk guxova t’ia jap të drejtën vetvetes, jo pse nuk dike dikush ma mirë me bë, po prej marres mos po tërhiqem unë prej borxhit që e nisha unë atë borxh. Dhe them, “Po, bashkërisht na, unë duhet ta pranoj këte”. Dhe erdh puna që e zgjodhëm na atë bord, iniciues që OSBE-ja, ide e OSBE-së ka qenë, dhe në krye atë bord e udhëheq unë. Dhe prapë unë prej marres besomëni prej borxhit, prej përgjegjësie, them “Po mirë bre”, por pa vetëdije. E keni pa kur bohet nji hallakomë, një shpërthim, e ndin ti një lehtësim shpirtëror, së paku e thashë atë çka ndjeva, dhe unë hiq spo merrem me këtë pjesën tjetër. Dhe e marrë unë atë ditë publikisht përgjegjësinë, “S’ka problem” them, “në qoftë se na punojmë bashkërisht, osht’ nevoja me bo diçka”. Edhe e njifsha unë shumë mirë shpirtin tim shumë human, e njifsha shpirtin tim shumë sakrifikues, e njifsha shumë mirë unë shpirtin tim shumë kontributdhanëse, shumë e pa pritesë. Edhe e njifsha shumë mirë unë Xhejranen që besoj me guximin tim, edhe nëse s’muj me bo diçka, s’paku unë do ta ndryshoj mendimin e dikujt tjetër, edhe me atë në fazën fillestare unë u kënaqa.

Dhe filluam m’i mbajtë na takimet e rregullta, që çdo herë e ma tepër na u organizum ma mirë, u konsolidum shumë mirë si bord, dhe dolëm na zonjat me kërkesa edhe para kryetarit të komunës. Edhe shumë mirë në ato takimet tona, fillun ato me dhanë një rezultat së paku të jemi na bashkë me ta, të mësohet edhe pala tjetër që edhe femra të ishte prezente. Por ishim të vogla na, pa fakultet, pa njerëz të fuqishëm afër vetiy, por me zanin tonë, me forcat tona. Ndërkohë zyrtarja për barazi gjinore fillon shtazaninë e dytë, dhe vjen koha e lindjes. Si bord iniciues i grave i fillum na do aktivitete, e bomë na një plan strategjik tonin, fillum na ato m’i prezantu para palës tjetër. Edhe respekt t’u fillu prej kryetarit të komunës, dhe njerëzve tjerë që ishin afër nesh, edhe kishin durim me na dëgju, por edhe gjithmonë e ofroshin një zgjidhje. Ajo na jepke neve edhe forcë edhe vullnet që edhe atë vetëbesimin tonë, se jemi ka bëjmë na diçka të mirë. Por rezultatet nuk shiheshin aq tepër, se ishin këto kërkesat fillestare, ato mungesat ma të mëdhaja që i kishim ne.

Kur shkoi zyrtarja për barazi gjinore në pushim të lindjes, për mos me ardhë deri te shkëputja e këtyre aktiviteteve, edhe pse unë isha kryetare e bordit iniciues të gruas në komunën e Dragashit, por na u dashke një person kontaktues, për shembull me i aranzhu takimet me kryetarin, takimet me njerëz- atë procedurë administrative. Edhe një ditë vendosim, gjithmonë në mënyrë vullnetare, por vullnetarizmi osht’ gjaja ma e vogël që unë po muj me bo, s’diskutohej fare, edhe pse unë paguajsha transportin prej Prizrenit me shku në Dragash prej pagës teme mujore, kohë, e të gjitha ato, na fare ato as që i diskutojshim, veç të bohet diçka. Edhe e zhvillojmë na nji bisedë, se qysh do të i’a bëjmë tashti këtë kohë. Prapë vjen nji propozim, nji ide që osht’ mirë Xhejranja me bo plotësimin e vakumit sa nuk osht’ zyrtarja këtu për aq sa mundemi ne. E unë prej natyre, ajo çka varet personalisht prej Xhejranes, nuk thom lehtë jo, domethënë nuk thom lehtë jo. S’ka problem prapë po them, por jo për emër, jo për lavd, prej vullnetit që na të bojmë diçka. Edhe e plotësum na atë zbrazëti, atë mujore aq sa ishte. Vinte kaniher zyrtarja e lente bebën e vogël, në takime më të rëndësishme. Por unë aty u fuqizova hala ma tepër, pa pagesë, gjithmonë flasim pa shpenzime as të telefonit, as të transportit, pa kurgjo hiq, krejt në mënyrë vullnetare na veç fillum në teren me dalë.

Kur e bomë planin e parë qysh do t’i qasemi na terrenit, them “Shumë mirë unë e kom një ide. Përderisa unë vetë jam e trajtume me kancer të gjirit, kom kalu nëpër këto procedura, dhe kur jam pytë unë në klinikë: Xhejrane ka do të shkosh ti? Mandej unë e para fjalë që e kom thënë që e falënderoj edhe Doktor Elvis Ahmetin, shef i klinikës torakale atëherë, Doktor Shqiptar Demaçin, dhe stafin tjetër dhe stafin e mesëm, u jom shumë, shumë mirënjohëse, kanë bo të pamundurën për ruajtjen e gjakftohtësisë sime në raport me përballjen me sëmundjen time, që jam përpjekë shumë edhe familjen time t’i kursej në atë drejtim. Ka qenë një situatë e jo e lehtë për mu, edhe unë atëherë i’u kom thënë do të shkoj në Dragash. “Pse” thotë, “ti do të shkosh në Dragash meniherë?” “Unë kom zgjedh me shku në Dragash meniherë, në mënyrë që mos shqetësohet familja ime shumë, mos të thonë që kjo e sëmurë”, se një kohë e kom mbajtë msheftë prej tyre. Osht’ edhe kjo një temë në veti për shembull, ai përjetim edhe për vetë mu edhe për vetë familjen time që dej vonë këta s’kanë ditë çka o ka bohet me mu hiq. Po e them publikisht i kom rrejt, e i kom sakatue, i’a u kom pshtejllë hesapin disa herë në mënyrë që mos të preken shumë, mos të shqetësohen shumë, shumë shpenzime ekonomike e të gjitha ato gjana. Edhe u them që unë do të shkoj në Dragash, thotë “Meniherë?” Thom “Meniherë!” “Pse?” “Se” them, “doktor osht’ një vend ku nuk pranohet shumë lehtë sëmundja e veçantë, bile, bile edhe në familje brenda për brenda”, edhe them “unë dua të i’u shërbej grave të mija atje si motiv, që edhe me kancer jetohet aq sa jetohet”. Dhe besomëni unë jam kyç në punë, shumë pak kom pushu. Po du me thanë jam ajo që nuk kom kërkesa të veçanta në jetë. Ndoshta ato veçantitë e mija janë m’i dhanë jetës, edhe me i’u dhanë tjerëve, e jo unë me marrë.

Dhe u them atyre, bordit, daljen tonë në teren do ta bëjmë na me një fushatë vetëdijesuese për kancerin e gjirit se të gjitha gratë e dinë, të rralla janë ato gra. Se aty osht’ një vend me 36 fshatra, po edhe unë e njoh çdo familje dhe unë e njoh çdo grua dhe çdo qytetar të komunës së Dragashit; edhe ata më njohin mu, dhe unë se kom fsheh sëmundjen time. Dhe i’u thom osht’ rasti ma i mirë që unë të shërbej si model që nuk duhet m’u fsheh kanceri i gjirit, edhe të ju tregoj se si zbulohet ma herët. Pat sukses domethënë dalja jonë  e parë në terren, dha efektin e vet. Viti 2008 ka qenë dalja ime në terren, viti 2007 ka qenë intervenimi  kirurgjik i fundit që osht’ ba te unë, i katërti me radhë, domethënë katër operacione. Dhe në 2008 meniherë na dalim në terren me këtë fushatë. Dhe aty unë e mora vesh se unë osht’ dashtë të dal ma herët të i’u them të drejtën. E kur vishin gratë, ato gra në mënyrë të pavetëdijshme thojshin, “Uh sa mirë që të pamë, uh sa mirë që erdhe”, “Valla erdha veq me të pa ty, uh sa mirë”. Edhe ma shumë i ngjante një takimi miqësor, dhe aty prapë kur e krym na takimin, edhe ka u kthym po i  themi njëra tjetrës, “O bre sa mirë, na duhet të jemi në terren. Na çka po presim në shpi, çka po presim në zyre?” Po gjithmonë ka qenë problem te une ma tepër, se unë me vendbanim në Prizren, kurse aktivitetet në Dragash. Ngarkohej buxheti im familjar me shpenzime të transportit, me ato vështirësi të transportit, me kohën e lirë. Mirëpo gjithmonë unë thojsha, mu mos më llogaritni si problem fare, unë do të jem gjithherë aty ku ka nevojë, do të jem jo bashkë me juve, po pjesë e juja. Ska e para, e dyta, e treta…

Dhe filluam na atëherë daljen në terren tonën, kuvendi komunal, transportin prej Dragashit nëpër fshatra gjithmonë na siguronte. OSBE-ja na përkrahte me një koktej, ishte afër nesh n’do gjana, dhe që aty fillum na në vazhdimësi, atëherë çka na bike në mend. Fillum me kancerin e gjirit, ja nisëm me shkollimin e vajzave nëpër shkolla fillore, takime me vajzat e klasave shtata, teta, nënta; mandej kaluam në edukimin shëndetësor, pjesën tjetër. Filluam kontaktet me prind, filluam takimet brenda për brenda, edhe e bëmë na një strategji tamon shumë, shumë të përshtatshme.

Dhe si e filluam na fushatën vetëdijesuese për kancerin e gjirit, edhe që e gjetëm në ato gra nevojën të takohemi me to, të shiheshim, të çmallemi me njona- tjetrën dhe fare nuk ekziston ajo vija ndarëse zyrtare, na nivelin e tyre shumë të barabarta. Muj me thënë lirisht, se ishte një kënaqësi e veçantë edhe për mu t’i takoj ato gra që kanë lindë tre fëmijë me mu, katër fëmijë me mu. Më tregojshin se fëmijët e tyre janë në studime, se vajzat e tyre janë martu, por të rralla ishin ato që më thoshin e kom shkollu vajzën. (Qeshë) Domethënëtë njëjtën kohë na e bëjshim edhe një hulumtim të gjendjes në terren. Dhe menjëherë pas fushatës së kancerit të gjirit, menjëherë fillum me bë një lloj hulumtimi, por jo me shkrim, ku jemi na me shkollimin e vajzave, dhe të gjitha shkollat fillore.

Gjithmonë zyrtarja per barazi gjinore, OSBE-ja dhe kuvendi komunal qe mbulonte, na jepte  transportin me automjete prej Dragashit nëpër fshatra. E pamë se edhe aty-këtu jo të gjitha vjazat prej tyre që shprehshin vullnetin “që unë do të shkollohem, por nuk osht’ shumë lehtë, prindi, po kushtet ekonomike”, domethënë e gjetëm na edhe aty një situatë që nuk osht’ ma vajza e Opojës ajo vajzë e cila thotë se unë rri në shpi. Edhe i ndamë na ato, do ta keni përkrahjen tonë, do, do, do, edhe tashti muj me thanë lirisht se në shkollimin e vajzës opojare nuk qëndrojmë shumë keq, akoma ka nevojë të punohet në atë drejtim, mirëpo nuk kemi nevojë me i’a fillu prej fillimit. Kurse, për në Gorë ishte ndoshta se zyrtarja nuk e dinte gjuhën shumë mirë dhe një pjesë e stafit me të cilët na bashkëpunojmë. Por unë gjuhën nuk e kom pasë fare problem, nuk e kom pasë fare problem komunitetin, se i njifsha të gjithë qytetarët, ndoshta edhe profesioni ma ka mundësu, ndoshta edhe qëndrimet e mija, ndoshta edhe ndërtimi i raportit shumë të afërt me to.

Edhe na mandej e mbuluam trevën edhe të Gorës edhe të Opojës, filluam me aktivitete në fusha tjera. Prekëm shkollimin, e zgjenum aktivitetin e edukimit shëndetësor, dhe fillova unë m’u lodh ma tepër, mirëpo edhe ndoshta një borxh që të gjithë e vërejtshim se pa donacione, pa donator osht’ vështirë me vazhdu na ma tepër me zhvillu aktivitete ne këtë fushë.  Domethënë të gjithë e vërejtën, e vërejta ndoshta unë e para. Mirëpo unë prej modestisë asnjëherë nuk e kom thënë këte, asnjëherë unë s’kom thënë jo. Unë paguaj transportin, unë paguaj të gjitha këto vosht’rsi veç le të bëjmë diçka. Dhe një ditë kur u mblodhëm të gjithë së bashku, tu fillu edhe prej strukturave politike, për çka i falënderoj shumë për përkrahjen që na kanë dhanë deri atëherë, zyrtarja edhe aktivistët, thonë, “Shiqoni, e pamundur osht’ pa donacione na me mujt me qenë të suksesshëm..”

Dafina Beqiri: Domethënë krejt kjo periudhë çka e folët ju, keni punuar pa donacione, në mënyrë vullnetare?

Xhejrane Lokaj: Po po, vullnetare, vullnetare. E vetmja përkrahje ka qenë transporti prej Dragashit deri në fshatra dhe OSBE-ja aty këtu ku mujke me na mbulua me koktej për participantë. Përndryshe këto, komplet vullnetare. Dhe ma në fund bashkërisht na erdhëm që nuk ka qenë propozimi im, unë e kom pranue, unë nuk kom dalë e para me propozim se valla unë u lodha, po unë hiq s’u lodha, unë u kënaqa në terren. Unë po shkoj në terren kohën time të lirë komplet në terren, unë po paguaj biletën por kërkujt s’po i kërkoj mjete. Unë po harxhoj telefonin tim mobil për kontakte me gra, por unë fare ato s’po i bëj problem, veç le të bohet diçka, se besomëni nevoja ka qenë shumë e madhe. Nuk ka qenë pse unë jam kanë shumë e mirë dhe kom dashtë unë me bo mirë, por nevoja ka qenë shumë e madhe se ato fshatra shumë larg njëra-tjetrës.

Edhe plus që shoqatat që kanë zhvillu aktivitete ndoshta atje, ato shoqata prej Prishtine, ajo u shku e ka realizu atë projekt ndoshta në formën ma të mirë, nuk dua të paragjykoj, por ka qenë një shkëputje totale. Edhe gratë ndoshta për momentin kanë përfitu diçka aty, nuk ka mbetë diçka prej atij projekti, nuk kom hasë unë diçka në terren që ka mbetë diçka. As në fushën e vetëdijësimit, as në fushën e ngritjes së kapaciteteteve, as në fushën e organizimit të grave, pa i nënçmu. Mirëpo e gjej unë një situatë në teren që dikush i nivelit lokal duhet të i’u ofrohet ma tepër, dhe del propozimi nga tjerët që kuvendi komunal donacione nuk ka, mjete financiare nuk mundet me ofru për aktivitete gjinore, zyrtarët për barazi gjinore nuk kanë vijë buxhetore të veten. Edhe qysh me i’a bë, do të ‘ia bëjmë, na duhet kjo të regjistrohet të konsolidohet si shoqatë në mënyrë që me pasë mundësi me thithë mjete, me thithë donacione. Edhe kur vjen puna te ajo shoqatë, kush, qysh, tek, prapë del propozimi prej tjerëve që Xhejranja duhet ta udhëheqë këtë shoqatë. Ta zgjedhim na bordin, stafin, statutin, të gjitha këto procedura t’i kryjmë, por megjithatë Xhejranja duhet të jetë ajo që duhet ta udhëheqë shoqatën.

Duhet të jem shumë e sinqertë, unë jam e lindun në 1955 domethënë po i afrohna moshës 60 vjeçare, kur unë jam ndërtu, ose kur e kom ndërtua kapacitetin tim profesional edhe intelektual, aq sa kom pasë mundësi, unë s’kom pas kompjuter afër vetes. Paga ime mujore me të gjitha këto obligime edhe të familjes, edhe të kontrollave të mija shëndetësore dhe të gjitha këto vosht’rsi me të cilat ballafaqohet qytetari në jetë. Edhe koha e pasluftës që as një njeri që i takon gjakut tim nuk i ka shpëtu as guri i oborrit pa u djegë, nuk flas vetëm për motrat e mija. E vetmja pasuri që ka shpëtu prej luftës pa djegë osht’ banesa një dhomshe, një garsonierë që unë e kom në Prizren, edhe komplet unë të mitë i kisha nëpër shatorë, komplet i kisha të vendosur e të zhvendosur e të sakatosun. Paga jonë nuk mbulojke aq, po du me thënë nuk e kom pas unë komoditetin qaq të madh sa unë me pas kompjuter edhe mu mësu në kompjuter. Kur kom fillu unë këto gjëra, unë kom fillu ma shumë prej borxhit që unë e kom ndi tu e thirrë nevojën e komunitetit, edhe diqysh edhe prej stafit më ka ardhë keq, edhe kom thënë po. Po them pa ditë kurgjo hiq atëherë, i’a kemi nisë. Kapak, kapak jemi t’u u aftësu, shpeshherë ndoshta e ke vërejtë ti, ndoshta nuk ke pasë mundësi, por unë e ceki se na shoqatat që veprojmë në vende ma të largëta, gjithmonë thirrin nuk ka kapacitet, nuk ka kapacitet. Unë mendoj se bash na duhet të përkrahemi, se unë jam me ata njerëz, unë jam pjesë e atij komuniteti, unë i njoh nevojat e atij komuniteti. Unë nuk e kom komoditetin as m’i rrejt, as me vjedh, as me shku me plane të pa realizume se e njoh frymëmarrjen, e njoh nevojën dhe e njoh kapacitetin sa mundemi me ofru. Unë gjithmonë e them këte dhe nuk nguroj me thanë, përkundrazi do të më vinte keq po ta hiqja, ne duhet të përkrahemi, se ne nuk kemi mundësi me pasë stafin shumë të fortë.

Prishtina ka plot vajza me fakultet që shprehin vullnetin me u punësu edhe me qenë pjesë e këtyre aktiviteteve, qoftë edhe vullnetare. Përderisa na tash atje kemi fillu me i pasë gjeneratat e para vajzat që na kthehen me fakultet, tash e kem atë fat, se deri tash na i ka thithë kuadrot Prishtina, Prizreni. Atje e kanë gjetë perspektivën, kanë ardhë martesat e tyre, kështu që të gjitha këto gjana nuk kanë qenë të lehta na me i përballu edhe me qenë pjesë prezente deri tash aty. S’muj me thënë se kemi mujt me arritë kushedi se çka, por nuk e mohoj, unë kom bo ndoshta mas pakti tu e ndi borxhin se përjetësisht jam borxh femrës, përjetësisht jam borxh Dragashit, përjetësisht jam borxh Hateme Lokajt Kastrati dhe familjes teme. Pa marr parasysh që ka shku kjo procedurë, unë nuk e largoj borxhin e Dragashit me këto borxhet e familjes që po i ndij.

Po na kemi bo diçka atje, i kemi ne disa fshatra grupet e grave i prekim edhe temat ligjore që tema për trashigimi ka qenë temë tabu deri vonë, në fshatra malore atje po i thu dikujt ty të takon hisja me marrë, ne e prekim këtë temë në takimet tona. Dhuna në familje që ekskluzivisht ka qenë pjesë brenda për brenda familjes edhe si temë, edhe si akt, edhe si vepër, sado që të jetë kriminale, çfarëdo lloji që të jetë, ne atë e kemi qit në tavolinën institucionale. Kemi ndërtu shumë mekanizma, janë disa prej mekanizmave që akoma unë i udhëheqi. Nuk e them këte si privilegj, si borxh prapë, derisa të mundemi me i aftësu femrat tjera, derisa të mundemi me hasë vullnetin edhe kohën te një tjetër.

Përndryshe, unë jam shumë e sigurtë se shumë shpejt do ta bëjmë na bartjen e kësaj pjesës udhëheqëse, për shembull kryetare e grupit jo formal të grave, kryetare e grupit për monitorimin e implementimit të planit strategjik, jem pjesë e përpilimit të atij plani strategjik për çashtje gjinore i cili osht’ i aprovuar në kuvendin komunal. Jam pjesë e mekanizmit të dhunës në familje, jam anëtare e kryesisë së asosacacionit të mamive, që më vjen shumë keq se tash nuk po funksionon në formën si duhet, ajo osht’ një ngecje në atë drejtim, mirëpo ta prezantosh Dragashin ti në këta mekanizma nuk osht’ pak. Një mandat kom qenë nënkryetare e federatës sindikale të Qendrës së mjekësisë familjare në Dragash, edhe ajo. Domethënë unë kom pasë fatin që gjithmonë edhe e para t’i filloj këto gjana, e para të jem pjesë e ndërtimit të këtyre mekanizmave, që osht’ mas vështiri. Po unë kom dhanë një kontribut modest aty, nuk kom bo kushedi se çka, mirëpo ndoshta kom qenë ajo që kom dashtë femrave tjera të i’u them ju e keni vendin këtu, edhe ju them dhe tash e kësaj dite. Shiqoni atëherë kur ka qenë ma vështirë të ulesh ti me meshkuj, edhe kur ai i mëshon tavolinës t’i mëshosh edhe ti tavolinës, kur ai thotë “Jo!”, ti të thuash “Po!”, atë e kemi thy na. Ju e keni ma lehtë, e mu më bon krenare që kom qenë pjesë e këtyre thymjeve, që kom qenë pjesë e këtyre ndërtimeve. E edhe sot e kësaj dite më gëzon fakti që unë jam ndoshta ajo që gjithmonë mundem në çdo derë me trokitë, në çdo oborr me hy, në çdo familje me u ulë dhe me bisedu për brengat e tyre, dhe me shpalos kapacitetin tim vullnetar.

Edhe tani, edhe pse ne jemi si shoqatë, na shumë, shumë aktivitete zhvillojmë në mënyrë vullnetare, jo gjithmonë donatorët të përkrahin në idenë tonde, jo gjithmonë donatorët janë të gatshëm me i gjuajt mjetet në Dragash, jo gjithmonë jonë. Ndoshta ndonjëherë kur i’u mesin në fund vit edhe sa me përmbyllë buxhetin e vet, ose me qendisë raportet e veta, jam shumë e sinqertë pa i kritiku, por gjithmonë tu e folë realitetin. Me prit na veç prej donatorëve, shoqata do të shuhej ndoshta, ndoshta osht’ Rrjeti i Grave të Kosovës ku unë e kom gjet veten që së paku edhe më dëgjojnë dhe më thojnë diçka. Se shpesh herë vinë donatorët edhe t’i marrin tri orë t’u bisedu, edhe i shpalosë ti shumë mirë edhe nevojat edhe kapacitetin, edhe të gjitha ato edhe mo nuk e sheh asnjëherë atë donator. Dhe mandej nalesh e thu, “A thu s’dita unë me fol qysh duhet, a thu çka kërkun ata ma tepër?” E në fakt unë e shpalosi nevojën e atij komuniteti ku jetoj, ku veproj, edhe të asaj pjese që osht’.

Mirëpo, nuk osht’ e thëne që spo më përkrahë mu donatori edhe unë si Xhejrane do të pres. Nuk do të pres! Faleminderit prej kuvendit komunal që neve na e mundëson transportin, nuk po du as mëditje, s’po du as me ma pagu telefonin, s’po du as me ma pagu transportin. Po unë po du që asaj pjese të grave, atij komuniteti të ia ofroj atë çka osht’ për të mirën e tyre, edhe sa ma shpejt t’i integroj në realitetin e ri kosovar. Edhe ato të jenë femrat që nuk mujnë me arritë ndoshta çka dëshiroj unë, se unë jam me shkollë të mesme. Shpeshherë unë kur shkoj nëpër shtëpia ose kur avokoj për shkollim ju them, “Oh me mujtë e regjistroj edhe nanen teme në fakultet”. Domethënë shkolla e mesme nuk më kënaq mu, se nuk osht’ koha qe ti duhet të kënaqesh me shkollë të mesme.

Shkolla e mesme më ka kënaq mu’ atëherë në vititn 1976-1977, kur s’ke pas mundësi, kurse sot unë e du një femër punëtore, e du një femër të ndershme, e du një femër të sinqertë, e du një femër origjinale, e du një femër e cila din çka kërkon nga jeta, edhe e din si ta realizon atë. Edhe e du një femër e cila nuk kqyrë me marrë grabujën dhe me marrë për veti, por një femër e cila me njërën dore jep, me dorën tjetrën merr. Edhe e du një femër e cila të jetë shembull i femrës shqiptare çfare ka qenë përpara.

Unë i takoj asaj gjeneratës kur thojshin burrnesha që ish, na femrat s’kemi nevojë me na thonë burrnesha që ish, se jon burrat ata, na jemi femra. Nuk e du unë atë term që me vjet tana osht’ përmen në odat e burrave. Ose unë jom rritë me atë kur ndonjëra ka qenë ma trime, ma.. edhe thojshin, “Pha po burrnesha që ish”. Ajo nuk osht’ burrneshë, ajo osht’ femër! Edhe unë e du atë femër që e tregon vetveten si femër, që e jep kontributin si femër, që e don vetveten, i don qëllimet e veta, e don familjen e vet, e don miken dhe miqtë e sajë, e don shoqëninë e saj, e don vendin e vet, sepse jeta veç me dashuri osht’ e bukur.

Nuk osht’ vetëm dashuria që ia jep njëra gjini-gjinisë tjetër, se na nuk kemi lindë të mdhaja për martesë, me ditë me dashtë një djalë; po na si të vogla e kemi dashtë nanen, motrën, babën, vëllaun, domethënë dashuria lindë me shpirtin e njeriut. E du një femër e cila din me organizu në formën ma të mirë jetën e vet, edhe të drejtën me i’u thënë me të gjitha këto ndryshime që po i sjell jeta, me rritjen e numrit të divorceve pa arsye të mëdha, ose me daljen në sipërfaqe të arsyeve shumë të mëdha, se përpara jon heshtë, po pasojat i paguajnë fëmijët. E du një femër e cila kur ta merr atë vendim, e merr atë vendim me plot vetëdije, e merr atë vendim si të detyruar, po din mandej si me organizu jetën pas atij vendimi, e jo me mbetë pasive edhe me thanë çka do të bëhet me jetën teme, ose çka do të bëhet me fëmijët e mi. E du një femër e cila e din se çka osht’ trafikimi i qenieve njerëzore. Nëse unë si e vjetër nuk jom e rrezikume, osht’ e rrezikume vajza ime, mbesa ime. Edhe e du një femër që osht’ syçelë edhe i sheh të gjitha këto fenomene, e du një femër e cila nuk e han pazarin e korrupsionit aq lehtë, edhe atëherë kur osht’ e detyrume, e gjen një formë me nxjerr atë, me nda bashkë me miket e saj, bashkë me institucionet e saj. Edhe na si femra me dhanë kontributin tonë në evitimin ose zvogëlimin e këtyne fenomeneve, sepse Kosova osht’ e jona, shoqnia osht’ e jona, bota osht’ e jona për aq kohë sa jemi na në këtë botë, për aq kohë sa jemi na në këtë botë osht’ bota e jona. Dhe na nuk lirohemi prej borxhit derisa të na funksionon truni si duhet. Dihet kur lirohet njeriu prej borxhit, kur t’i takon fazës së tretë të pleqërisë, harron, nuk din çka me kërku edhe nuk pret njeriu ma shumë.

Përndryshe 51% sipas statistikave na jemi femra, po të mobilizohemi na 30% sa duhet, 40%, po pse jo edhe 50% sa duhet, na do ta ndërtonim një shoqni, një shoqni të shëndoshë, një shoqni të mirë, një jetë me rregull, një jetë me ligj. Rregulla ka pasë edhe përpara, i përmenda unë ma parë rregullat e pashkrune që e kanë rregullu shumë mirë jetën familjare për atë kohë, po ndryshimet janë të domosdoshme. Sot osht’ kompjuteri, interneti, aeroplani, na thojshim “Ballona, ballona” kur kalojke një aeroplan si fëmijë, edhe dalshim e kqyrshim, s’dishim çka osht’ ajo. Sot shumë qytetarë të Kosovës kanë udhëtu me aeroplan, kanë përjetu edhe kënaqësitë e fluturimit në ajër, dikush tjetër t’u e udhëheqë atë makinë. Domethënë duhet na të ecim me kohën, por si femra na kemi shumë borxh, ndoshta unë jam gabim, ndoshta kërkoj tepër, por e shoh Xhejranen që duhet me dhanë jo vetëm me marrë.

Dafina Beqiri: Në vitet e 90-ta a keni qenë pjesë e forcave politike si kanë qenë për shembull në Prishtinë, kanë qenë shumë ma shumë të aktivizume femrat me Lidhjen Demokratike të Kosovës atëherë, a keni qenë e kyçur?

Xhejrane Lokaj: Unë nuk kom qenë pjesë e partive politike. Ndoshta atëherë kur kom qenë nxënëse, ose atëherë kur kemi fillua me punu, ishte Lidhja Komuniste që dashtë e pa dashtë, ndoshta pa vullnetin tënd bohej një organizim i tillë. Ma vonë si mami kom mendu se unë i’u takoj grave me profesionin tim, si qytetare ose si anëtare e kësaj familje, unë kom mendu se mjafton me dhanë kontributin tim në këto vija. Unë s’kom dashtë me mbajtë flamurin e para asnjëherë, edhepse kjo ndoshta nuk po përputhet me këte që po them- unë jam pjesë e udhëheqjes së këtij mekanizmi, por e sqarova se ajo osht’ vetëm si nevojë të fillojnë këto gjana. Nuk kom qenë anëtare e partive politike, nuk jam as sot, ndoshta për të vetmen arsye që jemi pak femra atje ku unë punoj. Ndoshta nuk osht’ mundësia aq e madhe që unë ta jep kontributin tim përmes një force politike, po aq sa osht’ si shoqëri civile dhe si mami në vend të punës. Domethënë mund të them se ndoshta osht’ një vendim i gabum i imi, nuk jam e kompletume.

Dafina Beqiri: A keni pas ftesa për me qenë pjesë e partive politike ?

Xhejrane Lokaj: Po po, definitivisht kom pas ftesa. Dhe këte nuk desha ta bëjë publike. Ndoshta ka ndiku edhe ajo se unë kom pas ftesa prej të gjitha partive politike, dhe po të shkëputem dhe të pozicionohem në një parti politike, kom mendu se nuk mund të jem pjesë e të gjithë njerëzve. Dhe asaj partie politike që unë i takoj dhe e kom anashkalu partinë tjetër ndoshta nuk e kom vlerësu sa duhet tjetrën, dhe kom dashtë të jem Xhejranja e të gjithëve. Ndoshta edhe kjo ka qenë një prej arsyeve, se jo rastësisht thash unë i njoh të gjithë qytetarët, dhe të gjithë qytetarët më njohin mu. Unë mendoj se i’u takoj të gjithëve, ndoshta nuk e kom pasë një frikë se unë do t’i takoj dikujt ma tepër dikujt ma pak, mirëpo kom dashtë t’i respektoj të gjithë edhe kontribuoj për të gjithë. Nganjëherë mendoj se në këtë pjesë jam e mangët, nganjëherë mendoj, e për ma tepër që në komunën tonë ka pak femra që merren me politikë, ndoshta…

Dafina Beqiri: Si mendoni që mund të arrihet përfshirja ma e madhe e grave në vendimmarrje,  domethënë këtu hyn edhe politika?

Xhejrane Lokaj: E t’u e plotësu Xhejranja këtë borxh që po them jam e mangët. Këtu e shoh veten të mangët, ndoshta secila prej nesh i kemi borxh edhe kësaj pjese pak- aktivitetit politik. Vota, vendimmarrja, ekskluzivisht shkon përmes partive politike, sepse asambletë komunale, njerëzit, këshilltarët që ulen në asamblenë komunale janë të zgjedhur prej partive politike. Në parlament, parlamentarët i kemi prej partive politike, domethënë aty ku merren vendimet duhet patjetër të jesh pjesë, përveç iniciativa e qytetarëve se si individ që kandidon. Ne femrat kemi nevojë m’u organizu edhe politikisht. Ne kemi mendu që këto ditë, jemi vonu pak, e këte ndoshta osht’ dashtë ta bëjmë ma herët, para se me u përcaktu kandidatët përmes partive politike, domethënë se secila parti politike tash veç i ka caktu kandidatët për asamble. E shoh veten se jemi vonu, nuk e di pse, ndoshta ka qenë angazhimi shumë i madh që mu më ka ikë një diçka e tillë në kohën tamon kur osht’ dashtë. Por gjithsesi na në komunën tonë… e deri tash nuk kemi pasë edhe shumë mundësi. E them edhe këte se asambleistet në kuvendin komunal të Dragashit kom shumë respekt për to, të gjitha i kom mike shumë të mira, por janë me shkollë të mesme, studente, dhe asnjëra prej tyre nuk ka fakultet të kryem, të punsume dikun, që do t’i jepej rasti nesër të jetë edhe drejtoreshë, ose një vend udhëheqës në komunë që e delegon partia politike. Domethënë neve në Dragash na mungon kjo.

Nuk e shoh veten se jam zgjidhje, ose do të isha zgjidhje ma e mirë, nuk e shoh veten se do të shërbeja model për diçka të tillë, por e shoh një zbehje edhe një mungesë te vetvetja ime, jo të guximit. Te unë ma shumë ka qenë respekti edhe ka qenë pikëpytja a po kontribuoj ma shumë ose ma pak, aty ka qenë te unë ajo thymja. Mirëpo e shoh mungesën e femrave me përgatitje,  me nji përgatitje intelektuale të nivelit që do mund të jenë ma të fuqishme, ndoshta jo ma të zëshme, por ma të fuqishme. Se dashtë e pa dashtë në vendet çfarë osht’ Dragashi, vërehet ajo shumë, vërehet ajo shumë. Në Dragash pothuajse na femrat e punsume i kemi numrin ma të madh t’tyne me shkollë të mesme, shumë pak me fakultet. Vetëm një e kemi pasë kryetaren e gjykatës komunale, kurse tjerat asnjë nuk e kemi në vendimmarrje. Deri tash vonë sivjet, unë kom informata se partitë politike e kanë zgjedhë edhe forumin e gruas, deri sivjet ka mungu edhe një organizim i tillë. Domethënë kanë shku me 30%, 30% në vendet e vogla prapë me respekt shumë të madh e thom këte, se ajo osht’ gjendja reale me 32 a 33 vota ti ke mujtë me hy si këshilltare në asamble komunale, sepse ta ka mundësu 30%. Ky nivel nuk më kënaq definitivisht, s’besoj që i kënaq edhe asambleistet që kanë hy me këtë kuotë, se nuk e ka fuqinë me i dridhë gjanat, me i lëvizë gjanat.

Tashti këtë vit në aplikimin për punëtorë të arsimit e kom vërejtë, e kemi vërejtë në fakt, nuk e kom vërejtë veç unë, se kemi një numër të vajzave që e kanë krye fakultetin dhe janë punë kërkuese në komunën tonë. Më gëzon ky fakt shumë, kemi edhe në drejtimin e mamive dhe të infermierisë me fakultet që janë kthy’ ato. Domethënë boftë hajr Prishtina, boftë hajr Prizreni që po na i len pak neve femrat m’u u kthy, jemi të vetëdijshme që të githa ato nuk do të mund t’i punësojmë se kapaciteti i komunës sonë…

Me gjithë respekt për ato, mirëpo në komuna të vogla çfarë osht’ Dragashi, me një buxhet çfarë e ka komuna e Dragashit, me një strukturë çfarë jemi na atje me dy komunitete, me ato parti politike, unë e du një femër, unë e du femrën, jo nji femër që posedon vetveten e vet, një kapacitet ma të fuqishëm, një guxim të shprehjes me përkrahje, me përkrahje jo veç ajo të shprehet edhe mos të bëhet kurgjo dhe një organizimi ma të mirëfilltë. Kemi bo përpjekje vitin e kaluar dhe në vazhdimësi në aktivitete, e në aktivitete tona në vazhdimësi, por ka shumë faktorë t’cilët pamundësojnë përshpejtimin e ktyne procedurave. Ajo çka ndoshta më bën ma të guximshme me u shpreh në këtë formë, mos ta përmendi guximin disa herë si fjali timen, osht’ që sivjet kemi numrin ma të madh të aplikanteve, për ma tepër në fushën e arsimit. Femra që e kanë krye fakultetin, që janë të vullnetshme me u kthy edhe me dhënë kontributin e tyre në komunën tonë. Ndoshta kjo osht’ ajo që shpeshherë na nuk e kemi ditë se Prishtina pamëshirshëm na i merr kuadrot, Prizreni pamëshirshëm na i merr kuadrot. Mungesa e perspektivës në komunën tonë, martesat e djemve tonë, flas gjithmonë për ata që kanë kry fakultet me profesione të ndryshme, janë martu me vajza kosovare të trevave tjera. Nuk jam lokaliste, se s’kom drejtë edhe me qenë lokaliste në atë drejtim, mirëpo osht’ i shprehur lokalizmi në këtë fushë, se ato përveçse nuk na u kanë kthye me jetu te na, ato nuse, edhe djemtë janë shpërngulë edhe e kanë gjetë vetveten në Prishtinë. Dhe na e kemi pasë me të madhe këtë lëvizje të të rinjve, kuadrove të ri, problem gjithmonë në tavolinën tonë.

Sivjet në qoftë se vazhdon kjo kështu, i kemi një grup të vajzave, një grup të nuseve, një grup të rejave, të cilat janë të interesume me u punsu në Dragash. Dhe së shpejti na si grup jo formal i grave, këtu dua ta falënderoj edhe Igon që ka shprehë vullnetin me na ndihmu, se vetëm nuk mundemi na në Dragash me bo diçka të tillë. Kemi në plan me i ftu të gjitha këto të reja që kanë kry fakultet, dhe me iou bë me dije se nuk mjafton këto të jenë me fakultet a të punsume, a të papunsume, por këto në qoftë se dëshirojnë me ndryshu pozitën e femrës për të mirë në komunën tonë, këto duhet të jenë pjesë e partive politike. E do të dalim na me një kërkesë të tillë, do ta japim angazhimin tonë në këtë fushë, do të bëjmë çmos bashkë me të tjerët, që me e ndryshu strukturën e femrës në komunën tonë, në politikë edhe në vendimmarrje. Prapë po them do të isha shumë e lumtur këte çka po them, se do ta bëjmë në javët e ardhshme dhe besoj se shtatori do të jetë koha kur ne do t’i realizojmë këto takime. Ta kishim bo ne këte në qershor për shembull, por atëherë nuk e kemi pas ketë gjendje, tash e kemi vërejtë na se ekziston vullneti i femrave.

Femrën në politikë e shoh si domosdoshmëri, patjetër domosdoshmëri, jo vetëm për me ndryshu pozitën e femrës për të mirë, ose me dhonë kontributin në vendimet që përmirësojnë jetën e femrës, por edhe të shoqnisë në tërsi, ato janë pjesë e politikës të cilat do të debatojnë për çashtjen e qytetarit. Dhe besoj se shumë çashtje, shumë mirë i shkojnë për shtati femrës, shumë mirë i shkojnë. Unë pandërpre them na femrat s’jemi burrnesha, na jemi femra, të jemi feministe, të na quajnë sa dojnë feministe, na jemi femra. Mirëpo, në situatë të caktume dimë me qenë shumë ma të mprehta, shumë ma syçelë, shumë ma vizionare dhe shumë ma të guximshme se meshkujt. Bile, bile kur osht’ korrupsioni në pyetje, një a dy m’i zonë, qaq bëhet bujë e madhe, edhe deri të argumentohet, se ndoshta e ngrata hiq ska qenë pjesë e atij procesi. Përderisa meshkujt më vjen se kalojnë pak si ma lehtë në këto procedura, e në qoftë se na numerikisht edhe me kapacitetin tonë, edhe intelektual edhe borxhli… borxhli, se pa nji borxh ti punë vullnetare s’mundesh me kry, aktivitete vullnetare borxhi të detyron. E në qoftë se na femrat mobilizohemi ma mirë, mësojmë njona  prej tjetrës, mësojmë njona me tjetrën, punojmë njona me tjetrën, na mundemi shumë, shumëçka me ndryshu në shoqninë tonë.

Dafina Beqiri: Si keni menduar që do të jetë Kosova dhe si osht’ tash, sa korrospodon imazhi yt me sot që osht’ Kosova ?

Xhejrane Lokaj: Gjithsesi që përpara ka mungu liria. Kur them liri, ndoshta e ke pasë një sasi të oksigjenit të pastër ti hise tanën me thithë, edhe oksigjenin e ke pasë me mundësi të helmum ose borxh para dikujt. Ta bësh një krahasim atëherë të lirisë, edhe sot të lirisë osht’ temë që veç kush si ka mentë në kry edhe sytë në ballë e me pa ndryshe. E dyta, mundësitë atëherë dhe sot, ju lutem, unë thash ma parë që femra pa qenë edhe e shkollume përveç epiteteve tjera, e ndershme, punëtore, e guximshme, bujare, inteligjente, e shënosh mas pari, që osht’ domosdoshmërisht për me mujtë me i relalizu planet tua dhe për me dhënë kontributin tënd. Duhet edhe mundësitë, mundësitë e shkollimit sot janë ma të mëdha. Ka fakultet Prizreni, kur s’ka pasë fakultet në Prizren, mu më thoshin “Po qysh me shku në Prishtinë?” kur familja jeme s’ka pare me më shkollu edhe mu edhe vllaun. Vëllai shkon se bileta kushton qekaq, banesa kushton qekaq, unë s’e njoh kërkon në Prishtinë, mu më gëlltitë Prishtina, osht’ vend i huaj, unë s’kom qenë asnjëherë në Prishtinë.

Domethënë mundësitë janë sot se edhe qytetet i kanë fakultetet. Nuk i kanë të gjitha drejtimet e zgjedhura, por osht’ mundësia që numri ma i madh i femrave të shkollohen. Ekonomia familjare edhe pse thirremi ne në statistika, varfëri për kokë banori, ajo osht’ e vërtetë unë nuk përzihna në statistika, nuk paragjykoj. Mirëpo në pamje Kosova osht’ ndërtu, shtëpitë nuk janë ato me dhoma me frengji[3] me dhoma të vogla, nuk janë mo ato me ato mobiliet e hershme, por një standard tjetër shifet dhe preket në familjet tona. Mundësia e punësimit ndoshta në raport me numrin e punëkërkuesve osht’ shumë larg, po për punëtorin ka mundësi bukën me nxjerrë, me gazep[4]. Njeriu duhet të punon, të angazhohet; mundësitë janë diçka tjetër, mundësitë e shkollimit ekzistojnë, ka lehtësim në atë fushë, interesimi i femrave rritet çdo ditë e ma tepër.

A osht’ Kosova ajo që unë e kom mendu? ndoshta m’i ndëgju lajmet edhe m’u fokusu te mjetet e informimit çka na servojnë, ose në atë tavolinë ku flasin vetëm për problemet e jo edhe për të arritunat, do të thosha ekziston një terr. Një mjegull që unë nuk du me qenë pjesë e një takimi ose një tryeze pune, ose një medium ose një prezantimi të Kosovës. Nuk osht’ zi, nuk osht’ krejt zi, jemi me njëfarë mesi. T’u u nisë prej asaj se neve çdo gjë na ka mungu në formën e vet, çdo gjë që e kemi fitu e kemi fitu përpara. Na e kemi arritë me angazhim shumë ma të madh, e kemi arritë me frikë shumë ma të madhe, e kemi arritë me mobilizim shumë ma të madh, edhe plus e ka pas çmimin e vet. Çdo vjet Kosova ka pas viktima, çdo familje ka pas frikë, çdo familje ka pas pasiguri.

 Më kujtohet mu si sot, ka qenë një çmim tre mijë euro që u dashke familjarët me pagu, me qitë djalin jashtë Kosove. Nëse ai djalë e ka shtatin ma të madh se mosha që i tregon, pa qenë për shembull 18 vjeçar, 16 vjeçar nëse ka qenë ai, se syri i pushtuesit e ka pa ata si ma të madh. Edhe ai meniher në pamje i’a ka shtu vjet edhe i ka thënë je terrorist, je pjesëmarrës i demonstratave, je kundërshtues i asaj çka unë kërkoj, dhe të gjitha këto gjana. Dhe nëse e shofim na atë aspekt, ajo pasiguri, ajo mungesë lirie, mungesë lirie për jetë, për frymëmarrje, për plane, na kemi mbijetu diqysh, mirëpo çdo gjë e ka pagu çmimin e vet përpara. Kurse tashti lirinë e kemi pa çmim, çmimi i lirisë janë njerëzit që janë vra në luftë, ushtarët, civilët, femrat e dhunume; t’gjitha këto janë pjesë e çmimit t’lirisë. Fëmija, pleqët…

Tashti mundësitë janë tjera. Mundësia e vetë organizimit osht’ tjetër, mundësia e vetë iniciativave osht’ tjetër. Çdo gja domethënë mjafton që me u organizu me u mobilizu me bo diçka nuk arrihet lehtë. Edhepse, na jemi shtet, edhepse ne jemi të pavarun, edhepse neve na kanë njoftë ma tepër se 100 shtete, edhepse ne po synojmë me qenë pjesë e OKB-së e t’gjitha mekanizmave botnore, e kanë kto nji rrugëtim që nuk shkon qaq lehtë. Të jeni të vetëdijshëm për ate. Ndoshta, çka nuk më pëlqen mu për shembull, nuk m’pëlqejnë disa gjana ku anashkalohet nji kategori e shoqërisë. Domethënë dikush ecë shpejt, kurse dikush ngecë. Mundësitë që i’u ofrohen të gjitha kategorive, ajo osht’ diçka çka nuk e kom prit t’drejtën me i’u thonë. Kom prit nji trajtim t’barabartë për t’gjithë.

Nuk mund të them se osht’ nji trajtim i barabartë për t’gjithë n’qoftë se paralamentarët i ngritin pagat shumë të mdhaja, i kanë pagat shumë të mdhaja për veti. Pa e nënçmu angazhimin e tyne, edhe une vetë punoj n’shoqni civile e di sa duhet t’jepësh ti nga vetëvetja për me ndryshu diçka, për me bo diçka. Unë e çmoj edhe trunin e tyne, edhe mungesën prej familjes edhe t’gjitha ato gjana. Por, ata i kanë ato paga aq t’mira sa munet familja e tyne me jetu n’mënyrë komode dhe ai komoditet që ata i’a japin vetëvetes që me u ngritë akoma ma lartë se që jonë. Ose, për shembull pensioni i tyne me pas dallim prej pensionit akademik ose njerëzve që kanë ndërtu temele t’ktij shteti me një formë. E kto gjana nuk i kom pritë, t’drejtën me i’u thonë. Ka shumëçka çka s’kom prit. E m’vjen se edhe femrat t’u u nisë prej atyne që na kemi plot femna që jonë ra gjatë luftës me armë n’dorë. Ato jonë tonat, mos t’koftë motra jeme, o motra jeme. Mos koftë vajza jeme, osht’ vajza jeme se ajo osht’ shqiptare, edhe ajo për Kosovë. Edhe ajo me vullnetin ma t’madh ka shku n’luftë. E aty m’vjen se na, gjinia femërore diqysh nuk trajtohemi. Duhet shumë të kërkojmë, duhet shumë të angazhohemi për me i realizu ate. Ose, për shembull kontributi i nji femne edhe i nji mashkulli edhe nëse janë t’nivelit t’barabartë, gjithmonë mashkujt dalin përpara, jonë ma t’shpejt. Edhepse, na femrat nuk na mungojnë shkathësitë por na jemi ma modeste, na jemi ma t’përgjegjshme para famijes, me ma shumë angazhime ma shumë obligime. Shpesh herë femrat e punsume n’raport me femrat amvise i qujnë viktima se ajo ka ma shumë angazhime shtesë, edhe pikëpytje sa i realizon kërkesat e veta edhe sa mundet me dalë me kërkesat e veta. Kto gjana nuk i kom prit!

E kom prit nji shoqni t’barabartë, e kom prit nji shoqni ma zemërgjanë jo kaq zemërngushtë. E vërej ni zemërngushtësi, për ma tepër kur osht’ interesi n’pytje. E vërej se në fakultet flitet që duhesh me pas intervenime, nji kohë ka qenë kur kanë thonë, “Duhesh me dhanë pare”. Absolut nuk ka qenë e nevojshme këto tema të jonë tema t’familjeve, ose brengë e familjes. Nuk i kom prit kto gjana t’jem shumë e sinqertë. Nuk e kom prit korrupsionin, korrupsioni për mu osht’ hajni, s’di pse i’a kanë ngjitë emnin “korrupsion”, pse e ndrrum na fjalorin kaq tepër. Ti thuj ke vjedhë o vlla, ke vjedhë! Me vjedhë n’shpi tonden osht’ marre ose, me vjedhë publikisht shtetin edhe me qenë kaq gjakftoftë. Individë që i bojnë kto gjana me qenë kaq gjakftoftë, t’zhveshun komplet prej përgjegjësisë e turpit e borxhit. Besa, besa edhe emrin tond para familjarëve të tu se gjithkush ka qef m’u krenu me emrin e një familjari të vet, ajo osht’ shumë normale.

Këto gjana nuk i kom prit, nuk kom prit trafikim me qenie njerëzore, që femrat tona të kapen prej rruge, t’i premtohet punësimi edhe të shkon ajo të mbaron atje në ato kthinat e errëta. Në atë veprimtari që osht’ jo aq e dhimbshme si e dinjitetshme, por aq e dhimbshme si krijesë të përjeton gjana t’tilla. Ku janë ato vlera tona, edhe si shqiptarë edhe si njerëz, ndershmëria {numron në gishta}… S’ka ndershmëri ku ka korrupsion, s’ka ndershmëri ku ka trafikim me qenie njerëzore, po s’ka edhe siguri, nuk ka edhe trajtim të barabartë. Këto fenomene nuk i kom prit. E kom prit një zemërgjanësi ma të madhe të qytetarëve tonë, e kom pritë një borxh ma të madh. Çdo gjë çka osht’ me vota, vota o borxh. Më vjen se një pjesë e njerëzve, nëse osht’ e vërtetë ajo çka dyshohet edhe nëpër ato procedurat që kalojnë, nëse ka të vërteta aty, atëherë ata janë borxhli të shumëfishtë.


[1] Vend turistik malor në ish-Jugosllavi.

[2] Gjuhë e folur. Shoshis: analizoj, hulumtoj.

[3] Dritaret në kulla quheshin frengji.

[4] Turq.: me vështirësi.

Dafina Beqiri: Qka kuptoni me feminizëm zonja Xhejrane?

Xhejrane Lokaj: Çka kuptoj me feminizëm? Pak ma parë unë thash përpara kanë thënë burrneshë, çka unë s’thash që osht’ mirë që na kanë thënë burrneshë, se na jemi femra, mundesh me thënë ishte një femër e zoja. Me fjalën feminizëm, unë kuptoj që na jemi femra, na e kemi botën të gjinisë të cilës i takon. Kemi mundësi të zhvillojmë jetën tonë në gjininë të cilën na takon, edhe kemi borxhin që nuk mund të anashkalohet pjesa tjetër, por ajo që ne e zhvillojmë për gjininë t’cilës na takon, na jemi fermra.

Unë personalisht mund të them se jam feministe dhe mendoj se duhet të jem feministe, dhe mendoj se kërkohet prej neve femrave të jemi feministe, dhe të punojmë që ta ngrisim nivelin që na takon, që kemi mundësi, se çdo gjë nuk arrihet një etapë të jetës ose një periudhë të jetës, të themi një dhjetëvjeçar, një dekadë apo diçka. Mirëpo të punojmë ne, që pozita e femrës të jetë ajo pozitë që e meriton femra, ajo pozitë që ka të drejtë femra, dhe ajo pozitë që i duhet femrës për me zhvillu jetën e vet. Ndoshta çdo sjellje, ndoshta çdo kërkesë, ndoshta çdo angazhim që ka të bëjë me jetën e femrës mund të hyn në grupin e asaj pjese që ne e quajmë feminizëm. Dhe nuk shoh kurrë një rrezik për këte, as për gjininë tjetër, as për shoqninë, as edhe të jetë diçka çka ne duhet të themi, “Po jo valla nuk jam!”

Po pse mos të jem unë kur unë e kom breng pozitën e femrës, kur unë jam femër dhe e kuptoj atë. Kur unë jam femër dhe po du me bë diçka për përmirësimin e saj, kur unë jam femër dhe më dhemb shpirti për diçka çka ajo ka përjetu, dhe unë si femër nuk po mundem me riparu atë, nuk po mundem me përmirësu, nuk po muj m’i ndihmu asaj. Domethënë normal që të gjitha këto, edhe shumëçka tjera hyn në atë terminologjinë feministe, dhe ndoshta mos të jem e tepërt në kërkesë por unë do doja që ne femrat të jemi ma feministe se që jemi, në fakt ta shprehim atë ma tepër se na jemi ato që jemi, por ta shprehim atë.Të punojmë, të punojmë, po në atë drejtim të punojmë për atë çka neve na takon, pse jo.

Do ta marr vetëm një shembull këtu si mami, kjo ka të bëjë edhe me lidhjen time me profesion, por edhe me familjen time. Se, na jemi motra pa vëlla si shumë familje tjera, me dallim që numri jonë osht’ ma i madh, që mu më bon të lumtur, sepse secila osht’ botë në vetvete, por botë e bashkume bashkë me neve. Një harmoni, një kënaqësi, një dashuri ma e madhe. Nuk ka mundësi të rritesh në familje me shumë motra me plot brenga dhe përkujdesje për njona tjetrën, dhe mos ta ki shpirtin plot dashuri. Nji shpirt që nuk ka dashuri, ai osht’ egoist. Një shpirt që nuk ka njerëz rreth vetit që i don e i kupton, edhe ata njerëz kanë nevojë që me ju dhanë ti diçka nga shpirti yt, ai mund të jetë ma egoist, duhet ta pranoj këte. E na si femra jemi 50% mas pakti të shoqnisë, diku flitet 51% diku 52%.

Me t’gjithë këto përjetime, me gjithë këto shkelje të mundësive dhe të drejtave tona, me gjithë këto gjana që i përjetojmë në rrugëtimin tonë, dhuna e lloj llojshme, jo barazia, mungesa e mundësive të fuqizimit tonë, të gjitha këto. Qysh mos të jemi na feministe? Kur, besoj se pala tjetër, gjinia tjetër nuk i ka këto veçanti, jam shumë e sigurt. Gjithmonë kur flasim na për dhunën në familje, tash në kohët e fundit me “modernizimin” {bën thonjëzat me duar} e gjanave, me moskuptimin e drejtë të gjërave, edhe shumëçka çka ka sjellë shumë ndryshime tranzicioni, përmendet se janë viktima aty këtu edhe meshkujt aty këtu. Po numrin ma të madh na e kemi viktimë femrën. Me mundësi ma të mangëta të shkollimit edhe të punësimit e kemi femrën.

Sektori privat në qoftë se e kupton se ajo ka mu martu, dhe menjëherë i’a llogaritë mas martese, kur mundet me mbetë shtatzëne, edhe në start ajo osht’ e diskriminume. O të jeni shumë të sigurta [i drejtohet të pranishmeve], ani pse na si shoqëri civile i pranojmë këto, punojmë në këtë fushë, mirëpo publikisht nuk pranohet ajo akoma, po realiteti osht’ ky. Në qoftë se një familje e vendbanimeve rurale ka djalë dhe vajzë, në qoftë se janë ata edhe bineq, në qoftë se Zoti nuk i ka nda në bark të nonës kanë jetu bashkë, kanë lindë me pak minuta dallim, janë rritë bashkë, jeni shumë të sigurta se përparësi në shkollim ka djali. Në qoftë se s’ka mundësi mu shkollu edhe vajza edhe djali, si mos të jemi feministe na?

Në të gjitha këto situata, në situatat kur me dekada e me dekada i kemi pas martesat në formë pazarllëqeve, pa e njoftë njëri tjetrin. Ose, ka qenë i martum, të ka bo përhajr shpija burrit ti ke shku, çmos që ka përjetu, lloj- lloj tortura si pasojë e rregullave dhe traditave, femra i ka pagu të gjitha ato. Ose në kurbet kanë shku meshkujt, femra i ka qëndru besnike, i ka rritë fëmijët, në rrethana familjare me vjehrri, me kunet, ata fëmijë pa prind. Kurse burri ka mund të jeton edhe një jetë të shfrenume, tu e plotësu në atë formë jo të rregullt jetën e vet, dhe me pak pare i’a u ka mshelë sytë këtyne këtu. Domethënë unë gjithmonë e shoh femrën ajo që e ka pagu çmimin e sakrificës. Por edhe lufta na ka dëshmu, thash gjithmonë kanë thonë vdekja faqe e bardhë, vrasja faqe e bardhë. Të dhunume kanë qenë femrat, ato. Gjithmonë unë e shoh se femra e ka pagu një çmim ma të veçantë në relacionin me mashkull, dhe nëse unë nuk jam aktiviste për çashtje gjinore, unë s’muj me i’a falë vetit. Kjo osht’ mas pakti çka unë kom bo deri tashti, besomëni mas pakti, dhe shumë nij borxh ma tepër. Por edhe nëse s’jam femnisite edhe këta unë muj me thënë që s’osht’ diçka në rregull me mu…

Dafina Beqiri: Domethënë ju e konsideroni veten si feministe?

Xhejrane Lokaj: E konsideroj veten si femnisite. Edhe shumë arsye tjera e vëren këte në çdo hap. Të dalim na me një takim për shembull, me një propozim shumë ma të argumentum, shumë ma të arsyeshëm, ndoshta edhe të formulum në formën ma të mirë paralel me një mashkull, të jeni shumë të sigurta se propozimi i femrës ka me mbetë pak si nën hije, dhe ka me dominu tjetri, të jeni shumë të sigurta. Në çdo hap mund të vërehet kjo, në shoqninë çfarë po jetojmë na, që unë po e llogaris tranzicion. Ishalla don Zoti që me aktivitetin dhe angazhimin tonë edhe si shoqni civile edhe si qytetarë, edhe si individë, edhe si institucione që këto gjana të zbuten, të ndryshojnë. Gjithkush t’a gjen venin e meritum, në venin ku osht’ edhe përballë ligjit, edhe përballë familjes, edhe përballë shoqërisë, edhe në raport me vendbanimin edhe mundësitë e punësimit, edhe të gjitha ato. Dashtë zoti që në atë gjithë të punojmë, në atë drejtim. Dhe të jemi qytetarë të barabartë, dhe mos të jemi na ato që aiii..aiii.

Shumë gjatë e ka përcjellë femrën kjo aiii, ose nëse osht’ kon ma e mençura, “Po çka din more ajo? Po çka din more ajo?”. Këto janë shumë nënvlerësuese për ne, në situatë të caktume mund të jenë shumë irrituse, ka momente kur janë edhe shumë nënçmuese, ka momente kur janë edhe shumë.. të damtojnë ma tepër se që mundesh me mbajtë, që e prekin edhe dinjitetin ndoshta. Ka momente kur edhe ndikojnë në ramjen e vetëbesimit, të gjitha këto i pagun femra. Pse mos të jem feministe? Gjithsesi që po!

Dafina Beqiri: Cilat ishin andrrat e juaja si e re, dhe sa keni arritë me i realizua ?

Xhejrane Lokaj: Oh, pyetje shumë interesante. Jo, andrrat e mija nuk më janë realizua. Si çdo i ri, si çdo e re, në moshën e re njeriu ka një nji bagazh shumë të madh të ëndrrave. Ndoshta vetë mosha osht’ e tillë që truni funksionon që çdo gjë osht’ ma shpejtë, çdo gjë osht’ shumë e lakmueshme. Çdo gja duket se ti je t’u flejtë në Kosovë dhe të njëjtën ditë fluturon në Amerikë, e të njëjtën ditë kthehesh prej Amerike. Që e sheh veten në profesione të ndryshme, e sheh veten në statute të ndryshme familjare. Domethënë nganjëherë janë reale ato ëndrra, nganjëherë nuk mund të jenë reale sepse osht’ vetë mosha e tillë, osht’ situata e tillë.

Por definitivisht unë nuk mund të them se më janë realizu andrrat e mija, jo. Unë Xhejranen në jetë para se të jem kjo që jam sot, në moshën 58 vjeçare, e kom mendu ndrysh, e kom pa ndryshe, edhe e kom dashtë ndryshe. Unë kom mendu se do të jem e para, ose dështimi i parë që ka qenë pas shkollimit tim. Unë kom mendu që të kontribuoj në komunën time. Të jep kontributin tim profesional edhe në fushën ma të gjerë në vendlindje time, të afërmve të mi. Të jem afër familjes, të jem afër njerëzve të mi, të jem afër bashkëfshatarëve të mi. Mendoj se aty osht’ një e padrejtë të cilën unë e kom përjetu, edhe më ka përcjellë tan jetën, dhe më ka kriju vosht’rsi tjera në realizimin e ëndrrave të mija.

Nuk osht’ e lehtë në vitet e ‘78-ta, domethënë në fllim të viteve 80-ta, kur vitet 1980/1981 kanë sjellë shumë ngjarje në Kosovë, dhe mu ato ngjarje më kanë gjetë me një vend shumë larg prej familjes time. Lirisht mund të them nëse kurbet ka qenë për burra në atë kohë me shku në perëndim, ka qenë kurbet edhe për mu një vajzë e re të shkoj prej Pobergje në Dragash. Dhe e shoh se aty çdo gja osht’ thy te unë, çdo gja ka ndryshu te unë. Ajo ka ndiku që unë të jetoj një jetë krejtësisht ma ndryshe se që e kom mendu, edhe krejtësisht ma ndryshe se që do ta jetoja në vendlindjen time. Ajo për mu ka qenë një shkëputje prej rrethit të njerëzve të mi që më kishin ofru mundësi të reja. Unë çdo gja kom fillu prej zeros në Dragash, unë kom shku e re, kom shku me një mes krejt tjetër. Kom shku me një mentalitet krejt tjetër, dhe shumëçka osht’ dashtë unë te zhveshë nga ajo dhe nga vendi ku kam lindë, dhe jam rritë, dhe jam formue, dhe të adaptohem në një vend tjetër.

Kjo osht’ e para, e dyta osht’ situata politike, ndryshimet që i ka sjellë koha me përballjen e guximit të planeve tona, moskënaqësive tona përballë pushtetit. Edhe ajo mu më ka kushtu shumë, se më ka gjujtë me një vend krejtësisht tjetër. Më ka shkëputë prej rrethit, njerëzve, grupit tim, planeve të mija, dhe definitiviisht po të isha e punsume në vend timin, unë do të kisha shumëçka çka sot nuk kom. Flas gjithmonë për gjanat madhore. Edhe sot e kësaj dite unë mendoj se jeta edhe pse unë i kom dhanë jetës, i kom marrë atë çka kom mund me marrë dhe me sistemue te njerëzit tjerë, por ka marrë shumë ma shumë prej meje se që e kom meritu he andrrat e mija nuk janë plotësu, planet e mija nuk janë plotësu.

Edhe po të kisha pa ëndërr atëherë, unë nuk kisha pa andërr Xhejranen me këtë jetë që e jeton sot, se nuk kisha ditë me e pa një andërr të tillë. Unë kom andërrua Xhejranja e shkollume, e punësume, me mundësi të avancimit profesional në rrethin familjar, ku Deçani shumë herët ka fillu me shkollimin e vajzave. Nuk i ke pasë ti ato barrierat që i ke pasë atje, atje ke qenë nji, çdo gja ke bë ti, e veçantë. Përderisa në vendlindjen time ti çdo gja kishe bo në mënyrë grupore me t’tjerat. Dhe një vend i tillë për shembull çfarë ka qenë vendlindja ime dhe vendi ku jeton sot familja ime, të krijon krejt mundësi tjera, të ka kriju në vazhdimësi mundësi tjera. Ai vend për mu ka qenë po sikur të isha e dënume dhe po e paguaj unë një dënim, dhe si e dënume dihet sa mundesh me i realizu ëndrrat dhe planet tua.

Unë e kom pa Xhejranen që edhe punon por me korrospodencë [i referohet studimeve]. Ju thashë kom marrë nantë-she atë ditë kur kom shku në Dragash, studente me korrospodencë nuk ka qenë lehtë. Dhe duhet ta citoj fjalën e profesorit thotë, “Kolege po të ishe ti studente e rregullt, ti e ke dhetë-she të meritume. Dhe ai ka qenë provimi i fundit që unë e kom dhanë. Po të isha e punsume në Deçan, unë kurrë nuk do ta leja fakultetin. Po atje gjithmonë më kanë thanë ne kemi kërku mami nuk kemi kërku biologe, dhe ti s’mundesh me shku. Për me shku unë prej Dragashit në Prishtinë me dhanë nji provim, unë jam shkëputë prej kolegëve atje, po e marr nji shembull.

E dyta krijimi i familjes time, edhe ajo osht’ si pasojë e shkëputjes time prej vendit tim, prej njerëzve të mi. Se unë çdo gja e kom pa, e kom menaxhu dhe çdo gja ka funksionu prej largësie. Dihet sa osht’ e vështirë ajo një femër ta menaxhon familjen me plot femra, në ato rrethana, në ato vosht’rsi prej largësie, sa duhet të angazhohesh, që ndoshta unë e kom harru vetveten, unë nuk kom ekzistu si Xhejrane. Unë kom ekzistu si shërbëtore e kërkesave tjera dhe të gjitha këto janë andrra të parealizume për mu edhe shumë e shumëçka tjetër. Mirëpo i theksova këto që ndoshta pikërisht këto kanë qenë ato thyerjet që mu më kanë pamundësu realizimin e andrrave tjera. Por duhet të pajtohesh s’ki çka bon, osht’ kjo çka osht’.

Jam këtu ku jam, jam kjo që jam, kom bo atë që kom mujtë me bo. E di se borxhi osht’ shumë i madh ne jemi të lindun borxhli, dhe këtë jetë do ta kryejmë si borxhli, unë se paku e kuptoj ashtu. Ndihem borxhli edhe para njerëzve që më kanë përkrahë, më kanë mbështetë, nuk janë të paktë, para kolegeve të mija, para mikeve të mija, para njerëzve që mund ta ndajë edhe të mirën edhe të keqen. Ka domethënie shumë të madhe, nuk guxojmë t’i nënvlerësojmë na ata njerëz. Sepse, në situata të caktume për shembull, siç kanë qenë gjanat që ngjajnë në familje, se familja osht’ qeliza, familja osht’ shpirti i njeriut, për mu kanë qenë shumë domethanëse. Domethënë unë u jam mirënjohëse, por përjetësisht ndihem borxhli, edhe për atë çka kom bo e nuk kom bo sa duhet. Edhe për atë që ndoshta kom mujtë me bo edhe unë nuk kom pas fare qasje me ndryshu diçka për të mirën e të tjerëve. Edhepse sot unë jam një 58 vjeçare, nuk janë vjet pak këto, janë pesë dekada. Si t’i eliminoj ato tetë vite për shembull, se me tetë vjet, dhjetë vjet i kupton do gjana, i sheh do gjana. Mendoj se njeriu ka nevojë t’i jep jetës, t’u jep të tjerëve, të bon për tjerët. Sepse, sa ma shumë që bon për tjerët ajo të kthehet edhe ty, se e plotëson vetveten, je vetvetja, je afër njerëzve, je me njerëz, je pjesë e shoqërisë.

Download PDF