Nga a la Turka në a la Franga

Deri në pjesën e parë të shekullit XX-të, Prishtina ishte një qytet shumë më i vogël, jashtëzakonisht i gjelbëruar me drunjë të plepit përgjatë dy lumenjëve të saj; me bahçe që rrethonin qytetin dhe shtëpi me dritare oriel, oborre me kapixhikë përskaj që ushqenin raportet dhe komunikimin në mëhallë. Në këtë ambient pastoral u ngritën ndërtesat e mëdha perandorake të osmanlinjëve. Shumë prej tyre u ndërtuan në stilin oriental. Përpjekjet modernizuese të perandorisë në rënie në shekullin XIX-të, rezultuan me një arkitekturë të influencuar nga stilet e Evropës Perëndimore. Me luftërat botërore u ridefinua tutje shtofi social dhe arkitekturor i qytetit, shumë nga zanatet dhe çarshitë e vjetra u shkatërruan, me to u tret edhe komuniteti hebre. Ky rrugëtim ju fton të ecni nëpër mbetjet e asaj kohe.