Xhamia Llokaçit

Xhamia e Llokaçit u ndërtua gjatë periudhës 1455-1551, dhe pasiqë gjendej në një pjesë të qytetit që ishte plot me baltë dhe pluhur, qytetarët përdornin një shprehje, “Lokaç, tükür de kaç”, që në përkthim ka kuptimin, “Llokaç, pështyj dhe ik”. Të gjeturat supozojnë se Jusuf Efendi Kaliogllu e ka ndërtuar këtë xhami. Në oborrin e saj ishte vendosur edhe kroi i mëhallës Llokaç, që shërbente për marrjen e abdesit para faljes së namazit. Në kuadër të kësaj xhamie ishte gjithashtu mejtepi, i cili  kishte mbi njëqind nxënës. Xhamia një kohë të gjatë funksionoi me një gjysmë minare, më pas me iniciativën e Shyqyri Begut dhe Bashkësisë Islame, minarja u ndërtua në tërësi. Kjo xhami u rrënua në vitin 1954 gjatë zbatimit të planit urbanistik për t’i liruar vendin ndërtimit të Hotelit “Kosovski Bozhur”. Gjurmë nga çezmja e Xhamisë së Llokaqit u rishfaq në vitin 2012, dhe qëndron si i vetmi përkujtues i asaj kohe në këtë pjesë të qytetit.