Ollga Guciq

Janjevë | Date: 19 qershor, 2019 | Duration: 37 minuta

Shumë jemi shoqëruar, ka qenë me të vërtetë, kanë pasur edhe dasma edhe pagëzime dhe e gjithë kjo ka qenë një gëzim i veçantë. Përgaditesh nga një festë në tjetrën. Gjithmonë, rrugët kanë qenë gjithmonë të pastërta, çdo të shtunë, çdo njëri ka pastruar para shtëpisë së vet. Kanë kënduar, nuk e di. Çdo të dielë ka qenë korzoja e cila ka qenë kodra mbi Janjevë – Gllama. Pasdite aty kanë qenë vetëm të rinjtë. E kemi pasur atë Shëngjergjin poashtu edhe aty kanë qenë përgaditjet e veçanta për Shënjgjergj. Tek ne nata e Shëngjergjit, ka qenë rifana që zakonisht e ka përgaditur vajza që ka qenë e fejuar dhe i ka ftuar shoqet e veta dhe gjithë këtë, familjen e saj.


Anita Susuri (Intervistuesja), Besarta Breznica (Kamera)

Ollga Guciq u lind më 15 shtator, 1958 në Janjevë. Në vitet e ‘80-ta, ajo është bartur me punë në Prishtinë, ku ajo punoi si nënpunëse në bankë. Pas diplomimit në Fakultetin Pedagogjik, Znj. Guciq filloi punën si zëvendës-drejtoreshë e shkollës fillore Shtjefën Gjeçovi në Janjevë. Sot, ajo jeton me vëllaun dhe motrën në Janjevë.

Ollga Guciq

Anita Susuri: Çka ju kujtohet prej fëmijërisë tuaj?

Ollga Guciq: Fëmijëria ime ka qenë përplot me ndodhi. Janjeva atëherë ka numëruar diku katër mijë banorë, e 1700 nxënës kanë qenë. Është punuar me tri ndërrime. Shpeshherë mendoj sa fëmijë, komplet një klasë ka qenë vetëm gjenerata ime në rrugën time. Kështu që, kemi pasur jetë modeste, jemi shoqëruar, prindërve ju kemi ndihmuar. Secila shtëpi në Janjevë, në atë kohë ka qenë një puntori e vogël, sepse atëherë është prodhuar shumë në Janjevë, piruni, luga dhe të gjitha të mos i numëroj më tutje. Ajo që ka qenë nëpër ish Jugosllavi, ato këtu [janë prodhuar], ato lodrat për fëmijë, janë prodhuar këtu në Janjevë.

Kështu që ne edhe si të vegjël me shtatë-tetë vjet ne kemi qenë të kyçur në atë, i kemi ndihmuar prindërit tonë dhe kemi fituar vet për vete. Është jetuar nga puna, çdo gjë është punuar me nder, kështu kemi pasur kohë edhe të ndihmojmë, kemi pasur kohë edhe për shkollën edhe për lojën. Shpeshherë më kujtohet tani si ka qenë në mbrëmje, mblidheshim, plot fëmijë, lojëra të ndryshme, dëgjohen zëra nga të gjitha anët, kanë kënduar dhe kanë luajtur, çfarë të ju them.

Anita Susuri: Na tregoni pak më shumë për jetën tuaj familjare.

Ollga Guciq: Unë kam lindur në një familje shumë anëtarëshe, jam fëmija i dhjetë, e kam edhe vëllaun më të ri se unë, njëmbëdhjetë jemi. Shtatë motra dhe katër vëllezër, dy vëllezër më kanë vdekur, njëri i ka pasur nëntë vjet, e tjetri dy, kur ka vdekur. Tregim i prindërve të mi, atëherë vështirë ka qenë për shëndetësi dhe të gjitha ato, i siguruar, por mirë, janë gjetur për njërin vëlla. Edhe në atë kohë, vitet e ‘50-ta, kanë ardhur ilaçet madje edhe injeksionet nga Amerika. Kështu që edhe atëherë njerëzit e kanë ndihmuar njëri-tjetrin dhe të gjitha këto. Fëmijëria ime, nuk kam pasur shumë, por kam qenë e lumtur dhe e kënaqur. Nëna jonë ka ditur të përgatis, tash ku ta di unë, ta kemi një pite përpara, ne të jemi të lumtur, të…

Nuk ka qenë tavolina, por ka qenë sofra[1]. Të ulemi të gjithë në dysheme, dhe rreth asaj sofre të mblidhemi, çkado, të gjithëve i ndahej, për të ngrënë dhe kështu. Ëmbëlsira nuk ka pasur, këto pemët jugore nuk kanë qenë, e në Janjevë ka pasur shumë pemë. Një ditë i kam numëruar diku rreth, vetëm dardha rreth 15-16 lloje ka pasur. Dardha… E tash shkon, e blen një në atë market, dhe nuk e di… Nuk mund ta krahasosh me atë që ka qenë para 30-40 vitesh, këtu në Janjevë. E jo vetëm në Janjevë mendoj që gjithkund ka qenë kështu.

Anita Susuri: Më flisni pak më shumë për shtëpinë tuaj, si është dukur…

Ollga Guciq: Paj unë, ku ta di, vëllau im është gjenerata e gjashtë, djali i vëllaut që jeton në shtëpinë time. Do të thotë gjashtë gjenerata janë në atë shtëpi. Shtëpia ka pamje turke, ka çardak, ato shkallët, ato shtyllat, siç thonë, shkallët dhe të gjitha këto. Nëse doni, ashtu në [gjuhën] janjevase të vjetër si është folur, prandaj edhe po i përdori ato fjalë sepse ne e kemi të folurën janjevase, të cilën kur jemi bashkë, e folim, llafosim. Kjo është ajo fjala, turke – llaf, bisedë. Bisedojmë, kështu që… Shtëpia është, nuk e di, për mua, diçka e shenjtë.

Anita Susuri: Si ka qenë të jetosh në Janjevë gjatë asaj periudhe?

Ollga Guciq: Janjeva… Edhe tani shumë herë kur udhëtoj, i takoj njerëzit dhe ju them menjëherë që jam nga Janjeva, që jam kroate. Unë vetëm dëgjoj nga të tjerët, edhe nga shqiptarët edhe serbët edhe turqit, si e kujtojnë ata Janjevën. E unë vet, ato janë emocione të mëdha, e që, që nuk mund ta shpreh çfarë ndjej për shtëpinë time, për Janjevën, për çdo rrugë, për çdo sokak në Janjevë, e veçanërisht për kishën. Kisha na ka mbajtur për aq shumë vite këtu, dhe kështu që, që jemi të lidhur.

Anita Susuri: A ju kujtohet si fëmijë kur keni shkuar në kishë, si ka qenë?

Ollga Guciq: Atëherë kanë qenë pesë mesha në javë, pesë. Ka qenë në mëngjes për të moshuarit mesha, pastaj ka qenë mesha për fëmijë, kisha ka qenë plot. Fëmijët kanë shkuar nga klasa e parë deri të tetën. Do të thotë atëherë kanë qenë vetëm fëmijët. Dhe nuk e di, më duket se këtë me fjalë nuk mund ta shpjegoj, tani kur më kujtohet ajo fëmijëria ime, gjithçka që ka pasur këtu, të gjitha ato bukuritë që kanë mbetur prapa, nga ato rrënojat, nuk janë prapa neve por… Janjevasit ende jetojnë por nuk janë në Janjevë, ata janë në Kroaci, dhe gjithkund nëpër botë, por janjevasi është vetëm në Janjevë.

Anita Susuri: E me çka është marrë babai juaj dhe si ka qenë atëherë, do të thotë për burrat? A kanë dal në çarshi, me çka janë marr dhe me çka janë marr gratë?

Ollga Guciq: Babai im ka punuar në Metallac, në shkritore. Kështu që, nëna në shtëpi ka qenë amvise por edhe ka punuar punë dore. E kishte atë tezgjahun dhe ne e kemi atë veshjen tonë, kështu që ajo ato boshqet[2] që janë nevojitur dhe ashtu, më herët i kanë… Kam parë edhe në muzej kur kam qenë në Prishtinë që nuk kanë qenë vetëm në Janjevë, që ka pasur edhe në vende të tjera në Kosovë. Për të ndjerët gjithashtu veçanërisht kanë përgaditur, ato i ka endur nëna, kanë pasur qarshafë dhe jastekë, dhe ato që janë përdorur, që nga lindja do të thotë prej se ka lindur fëmija, i kanë përgaditur ato fashat, i kanë endur ato shtrojat që tani do të duhej, sikur tani batanijet. Që është për fëmijën të mbulohet, ato i kam edhe në shtëpi që ka mbetur. Dhe që thonë deri në vdekje, gjithmonë kanë punuar punë dorë që, që ta kenë, si të them, e kanë pajisur veten.

E kemi pasur edhe veshjen tonë, dimijat[3] dhe të gjitha këto janë bërë këtu. Kanë punuar edhe bashkë, edhe gratë tona, kroatet, ka pasur edhe turke që kanë ndihmuar, që kanë bërë pjesë të veshjes edhe ato. Kështu që gratë paguanin, që ato të punojnë, kështu që…

Anita Susuri: A e kujtoni ju dikë që e ka bartur atë veshje?

Ollga Guciq: Po, deri vonë, madje edhe unë e kam për vete, secili, edhe të rinjtë edhe të moshuarit e kanë pasur veshjen e tyre në shtëpi.

Anita Susuri: Deri kur, do të thotë kur kanë filluar të hiqen ato veshjet, që të mos… Deri në cilin vit?

Ollga Guciq: Paj… Paj para 30 viteve, atëherë kur ka filluar lufta në Kroaci, kur kanë udhëtuar tonët për Kroaci, atëherë gjithçka është… Lufta ndërmjet serbëve dhe Kroacisë, çdo gjë ka ndryshuar.

Anita Susuri: Ju keni shkuar në shkollë këtu te kisha… A ka qenë aty shkolla?

Ollga Guciq: Jo, jo, ajo është shkollë e vjetër, kjo që është djegur, aty para kësaj më të re, aty kam shkuar.

Anita Susuri: Sa vite keni shkuar aty?

Ollga Guciq: Tetë vite, nga e para deri të tetën.

Anita Susuri: Dhe si ka qenë të rritesh në Janjevë?

Ollga Guciq: Klasat kanë qenë të mëdha, nga 40 nxënës në klasë, na tre kemi qenë në një bankë. Është punuar me tri ndërrime, por nuk e di, më duket se çdo gjë ka qenë ndryshe… Në Janjevë nuk është dashur as parashkollor, as kopsht, asgjë, çdo familje ka qenë ashtu për vete. E kam pasur motrën më të madhe. Ajo më merrte afër vetes derisa i bënte detyrat e shtëpisë. Unë pranë saj kam mësuar dhe jam përgaditur për shkollë. Shkollën e mesme e kam përfunduar në Lipjan…

Anita Susuri: A ju kujtohet, a ka pasur ndonjë aktivitet këtu në Janjevë, biblioteka apo diçka?

Ollga Guciq: Biblioteka ka qenë, biblioteka e madhe ka qenë, e kemi pasur edhe klubin tonë, futboll, basketboll dhe të gjitha këto, bash kanë qenë aktiv të rinjtë, dhe kështu.

Anita Susuri: E ku ka qenë ajo biblioteka?

Ollga Guciq: Biblioteka ka qenë në kuadër të shkollës, pastaj ka qenë te posta, dhe aty kanë shkuar fëmijët. Në tri ndërrime është punuar atëherë.

Anita Susuri: Në bibliotekë?

Ollga Guciq: Jo në bibliotekë, shkolla ka punuar me tri ndërrime pasi që shkolla nuk ka mundur t’i pranoj të gjithë fëmijët, dhe klasat kanë qenë të vendosura te posta, ku është tani posta. Aty ka qenë edhe një ndërtesë ndihmëse, e mbi postë ka qenë një bibliotekë e madhe.

Anita Susuri: A ekziston ende ajo ndërtesë?

Ollga Guciq: Jo, ndërtesa e postës ekziston, por ajo ndërtesa ku kemi shkuar në shkollë, shtëpia e kulturës dhe afër shtëpisë së kulturës ka qenë edhe një ndërtesë ndihmëse e ajo më nuk ekziston, ajo është rrënuar.

Anita Susuri: A keni shkuar ndonjëherë në atë, në shtëpinë e kulturës a ka pasur ndonjë, kam dëgjuar që ka pasur filma dhe…

Ollga Guciq: Po ka pasur, kinemaja ka qenë. Kanë ardhur edhe këngëtarët aty kanë ardhur nga Serbia, Kroacia, në përgjithësi nga e gjithë ish-Jugosllavia. Çdo të djel ka qenë balloja, kështu që kanë ardhur edhe nga anët tjera jo vetëm janjevasit…

Anita Susuri: A keni shkuar edhe ju, si, si keni…

Ollga Guciq: Kam shkuar por nuk kam qenë ashtu e kyçur (qesh) në mënyrë aktive, ashtu, Krishtlindjet, Pashkët…

Anita Susuri: Më keni thënë që do të thotë, keni shkuar në Lipjan?

Ollga Guciq: Po, po.

Anita Susuri: Si ka qenë kjo, do të thotë të udhëtosh nga Janjeva?

Ollga Guciq: E kemi pasur autobusin e nxënësve i cili na voziste, kështu që… Gjenerata ime, dymbëdhjetë prej neve e kemi përfunduar shkollën e mesme aty në Lipjan, e kemi qenë diku rreth dyqind dhe…

Anita Susuri: Më tregoni pak më shumë rreth kësaj, rreth rinisë tuaj, si ka qenë atëherë?

Ollga Guciq: Si ka qenë… Nuk mund ta përshkruash me fjalë, nuk ka pasur internet, asgjë nuk ka pasur por ke pasur gjithçka. Rinia është shoqëruar, kush ka pasur gramofon, aty janë lëshuar ato pllakat dhe të gjitha ato, janë dëgjuar. Shumë familje janë mbledhur në një shtëpi, televizor kush ka pasur, janë përcjellur disa seriale dhe gjithë kjo, kështu që… Jeta ka qenë shumë shumë më e varfër por më e lumtur. Shumë jemi shoqëruar, me të vërtetë ka qenë, ka pasur dasma dhe pagëzime e të gjitha këto, e gjithë kjo ka qenë një lumturi e veçantë. Përgaditesh nga njëra festë në tjetrën, gjithmonë, rrugët kanë qenë gjithmonë të pastërta. Çdo të shtunë, secili para shtëpisë së vet ka pastruar. Kanë kënduar dhe nuk e di… Çdo të djelë ka qenë korzoja, kodra mbi Janjevë, Gllama, pasdite aty kanë qenë vetëm të rinjtë.

Atë, Shëngjergjin e kemi pasur njejtë edhe për Shëngjergj kanë qenë përgaditjet e veçanta. Ajo tek ne, nata e Shëngjergjit, ka qenë rifana[4] e zakonisht atë e ka përgaditur ajo vajza që ka qenë e fejuar. Dhe i ka ftuar shoqet dhe të gjithë, familjen e saj…

Anita Susuri: Më tregoni për traditat e dasmës. Si është dasma…

Ollga Guciq: Dasma, dasma fillonte në… [hapet dera] Së pari ka qenë…  [pauzë e gjatë] fejesa, marrëveshja që, kjo është një fjalë e vjetër janjevase. Pas kësaj dakordoheshin për dasmë. Dasma fillonte të enjten, pastaj e djela, e hëna. Në shtëpi, në shtëpi ka qenë dasma, të djelën kurorëzimi në kishë. Pas kurorëzimit dhëndri dhe nusja shkojnë secili në shtëpinë e vet, diku pasdite prapë bashkohen dasmorët dhe atëherë shkojnë ta marrin nusen. Muzika nga njëra anë në tjetrën në Janjevë, shkonin për nuse. Sepse pasdite e sillinin nusen në shtëpi dhe kështu me radhë.

Anita Susuri: A ka qenë ndonjë përgaditje speciale për nusen?

Ollga Guciq: Paj po, ka qenë veshja e veçantë e cila është për nuse dhe gjithë ajo. Pastaj edhe prindërit e nuses e kanë përgaditur atë, dhuratat që i ka sjellë…

Antoneta Guciq: Më falni, a dëshironi kafe?

Anita Susuri: Jo, jo falemnderit.

Ollga Guciq: [i drejtohet Antoneta Guciqit] Dhe mos pengo më… Kështu që prindërit e saj i përgaditnin dhuratat që ajo i sjellte, dhe kështu. Ka qenë…

Anita Susuri: Pas shkollës së mesme, a keni filluar të studioni më tutje apo…

Ollga Guciq: Po, e kam përfunduar tani në 2000 këndej në Fakultetin e Pedagogjisë, kështu që kam punuar, kam punuar në Prishtinë në bankë deri në luftë dhe në Lipjan.

Anita Susuri: Kur keni filluar të punoni?

Ollga Guciq: Kam filluar të punoj në vitin ‘87.

Anita Susuri: Në Prishtinë?

Ollga Guciq: Në Prishtinë kam filluar, në bankë, bankë…

Anita Susuri: A keni udhëtuar apo?

Ollga Guciq: Kam udhëtuar, udhëtuar…

Anita Susuri: Si ka qenë kjo atëherë?

Ollga Guciq: Njejtë kam pasur transport, atëherë pesëmbëdhjetë herë në ditë shkonte autobusi për Janjevë. E ka pasur autobus direkt Janjevë-Prishtinë i cili, i cili nuk shkonte për Lipjan dhe shumë më lehtë ka qenë. Kështu, i voziste puntorët që punonin në Prishtinë. Më duket që e vetmja grua nga Janjeva kam qenë që udhëtonte për Prishtinë në atë kohë dhe kështu që…

Anita Susuri: Në Janjevë, në atë kohën tuaj, a janë shkolluar femrat, vajzat?

Ollga Guciq: Jo shumë. Ka pasur por jo shumë.

Anita Susuri: Sa kanë qenë për shembull në gjeneratën tuaj?

Ollga Guciq: Nga gjenerata ime, pesë prej neve jemi të shkolluara. Të gjitha janë shpërngulur, të gjitha jetojnë në Zagreb, i kanë familjet e veta dhe të gjitha…

Anita Susuri: Pse ka qenë kështu?

Ollga Guciq: Nuk e di, ne kemi… Ne e kemi pasur punën tonë, ju tregova në fillim, që secila shtëpi ka qenë një puntori, kështu që tonët kanë punuar nëpër gjithë ish Jugosllavinë, në çdo vend i kanë pasur ato tezgat e veta që i kanë shitur prodhimet e veta dhe kështu. Kështu që as meshkujt as femrat nuk janë shkolluar shumë.

Anita Susuri: Kur keni udhëtuar për herë të parë në Prishtinë, si ju është dukur?

Ollga Guciq: Paj herën e parë kur kam shkuar, pas shtatë vitesh pasi e kam përfunduar shkollën e mesme, vetvetes i kam thënë, “Unë kam harruar të shkruaj e lërë më të punoj diçka, po shkoj të shoh, t’ia qetësoj ndërgjegjen vetes dhe nuk do të punoj”. Por për mua dita më e bukur ka qenë dita e parë në punë. Aq mirë më kanë pranuar, një turke e kam pasur kolege, Nashida Zijabeg, Sllobodan Medenica njejtë shef, ka qenë aty Mirvetja, kanë qenë, aty ka qenë bashkësi. Askënd nuk mund ta ndash, të thuash, “Ky është shqiptar, ky është turk, ky serb” dhe e gjithë kjo, atëherë kemi jetuar, e unë e vetmja kroate në të gjithë ndërtesën. Ne kemi qenë 70 puntorë atëherë.

Anita Susuri: Si ka qenë Prishtina atëherë?

Ollga Guciq: Shumë më e bukur…

Anita Susuri: A mund të na përshkruani pak, si janë…

Ollga Guciq: Vetëm mund t’ua përshkruaj qendrën e Prishtinës. Ndoshta edhe ju e keni përjetuar atë, ajo rruga me drunj qe ka qenë, ata drunjtë dhe të gjitha këto. Më vjen keq që janë prerë.

Anita Susuri: Në qendër?

Ollga Guciq: Po, në qendër. Po ka qenë trafiku, nuk është si tani, ai sheshi dhe të gjitha ato. Por disi ka qenë, në nëntë e gjysmë ka qenë pauza për të gjithë më duket, që kanë dal. Edhe nisesh, del prej punës, shkon e blen mëngjesin dhe prapë kthehesh në punë i lumtur dhe gjithë kjo.

Anita Susuri: Sa vite keni punuar ju në Prishtinë?

Ollga Guciq: Në Prishtinë kam qenë katër vite pastaj kam punuar në Lipjan. 15 vite kam stazh pune në bankë.

Anita Susuri: Gjithnjë keni udhëtuar?

Ollga Guciq: Gjithnjë kam udhëtuar, gjithnjë.

Anita Susuri: A mund të na tregoni pak më shumë, diçka interesante që ju ka ndodhur kur ju keni punuar në bankë?

Ollga Guciq: Unë mund të ju them vetëm me dy fjalë, që as pesë minuta problem nuk kam pasur për ato vite, që askush asgjë nuk më ka thënë dhe nuk më ka maltretuar askush, që kam udhëtuar lirshëm. Nëse unë kam pritur autobus, hoxha ndoshta ka kaluar nga Janjeva i cili ka jetuar aty në Janjevë apo dikush tjetër. Ai e ka ndaluar veturën dhe më ka marr mua më ka sjellë deri në Janjevë. Kështu që, njejtë edhe me serbët…

Anita Susuri: E si ka qenë çarshia në atë kohë, këtu në Janjevë?

Ollga Guciq: Eh çarshia ka qenë çarshi e vërtetë. Tani kur kalon, aty nuk e ke askend e atëherë ka qenë plot plot jetë. Sa mishtore kanë qenë aty, çdokush vjen aty të darkoj apo të, ai suxhuku janjevas, qebapat dhe të gjitha këto.

Anita Susuri: A kanë dal vetëm meshkujt apo edhe femrat, vajzat?

Ollga Guciq: Jo, më shumë, më shumë kan dal meshkujt, e gratë mblidheshin në rrugë, kështu që i kan pasur vendet e tyre të caktuara. Gjithkush para shtëpisë së vet, vijnë diku pesë-gjastë, mblidhen dhe kështu.

Anita Susuri: A mund të na tregoni pak më shumë për atë jetën kulturore në Janjevë?

Ollga Guciq: (lëshon frymë) Shumë mund të flitet, e nuk e di, më duket se çdo gjë që të moçmit tonë kanë krijuar, që të gjitha i kemi humbur tani. Kultura ka qenë në rend të parë, askënd nuk ke guxuar ta lëndosh, askënd ta vjedhësh, askënd ta gënjesh. I kanë pasur vreshtat e tyre në të cilat kanë punuar. Të gjitha këto kodrat që kanë qenë, tani që janë të zbrazëta, të punuara. Pjeshka që askund askund, askund nuk kishte, vetëm aty në Janjevë ka qenë. Ne kemi, te ne ka pasur, “praska” por kjo është pjeshkë. Dhe shumë herë kur takohesha me njerëzit që jetojnë në rrethinë, të gjithëve ju kujtohet çfarë pemë kishte në Janjevë. Rakia, rrushi, vera dhe të gjitha këto. Sepse kanë pasur bodrume, aty në Janjevë, të gjithë janë, kjo rrethinë është furnizuar këtu, kanë marr prej janjevasve.

Anita Susuri: A ju kujtohet koha kur në Janjevë (kollitet) ka filluar të ndryshoj mënyra e jetës?

Ollga Guciq: Gradualisht gjithçka vinte në Janjevë, si kudo. Vinte edhe rryma edhe uji edhe televizioni e të gjitha këto, gjithçka vinte gradualisht por familja mbrohej disi, ishte në radhë të parë. Asgjë e ndyrë nuk ka hyr në familje, kështu që, por nga lufta e këndej…

Anita Susuri: Si ka qenë gjatë luftës në Janjevë?

Ollga Guciq: Gjatë luftës? Asnjë plumb nuk është shtënë, aty kemi qenë të gjithë së bashku, askund nuk është folur atëherë shqip, shqip në Janjevë është folur, lirisht kan dal edhe shqiptarët edhe kroatët, ushtria e cila ka ardhur aty, nuk ka pasur probleme. Nëse ka pasur diçka sekrete që unë nuk e di ajo, me të vërtetë por…

Anita Susuri: E kur kanë filluar kroatët të shkojnë prej këtu, si e keni përjetuar këtë ju?

Ollga Guciq: Vështirë ka qenë. Atë duhet ta përjetosh që ta përshkruash, tani me fjalë nuk mundem. Vetëm e di që shumë kam vuajtur dhe që ka qenë shumë e vështirë e sot e pranoj gjithë këtë siç është. E di që janë të gjithë gjallë, që askush nuk ka pësuar, që asnjë grua nuk u dhunua, që askush nuk është vrarë as asgjë prej kësaj, e di ku janë. E ajo prej, ku ta di unë, çdo ditë një familje shkonte, përnjëherë Janjeva po zbrazet…

Anita Susuri: Kur keni filluar të punoni në këtë shkollë?

Ollga Guciq: Në këtë shkollë punoj prej 2000.

Anita Susuri: Do të thotë pas luftës?

Ollga Guciq: Pas luftës.

Anita Susuri: Dhe çfarë ka ndryshuar, si është tani, si ka qenë në atë periudhë në Janjevë, do të thotë pas luftës, a ka qenë çdo gjë normale apo më ndryshe?

Ollga Guciq: Marëdhënjet tona këtu në Janjevë gjithmonë kanë qenë të mira. Gjithmonë kanë jetuar bashkë turqit, shqiptarët dhe romët. Dhe ne nuk themi, “Ajo është kroate” apo “Ajo është rome” apo “Ajo është shqiptare apo turke”, ajo është janjevase. Kështu që unë, kurr nuk kam pasur probleme. Edhe sot e kësaj dite shoqërohemi dhe kështu që, ja në shkollë jemi tani bashkë, mësimdhënësit të cilët punojnë nga fshatrat serbe të rrethinës vijnë pa problem në shkollë qe dhjetë, dymbëdhjetë vite. Kjo është bash shkollë multietnike.

Anita Susuri: A ka edhe kroatë edhe shqiptarë që vijnë këtu, do të thotë të shkollohen dhe si është i rregulluar ky sistem?

Ollga Guciq: Këtu përfundohet vetëm shkolla fillore…

Anita Susuri: Po…

Ollga Guciq: E për shkollë të mesme shkohet më tutje. Shqiptarët i kanë shkollat e veta në të cilat shkojnë, e fëmijët tonë shkollohen edhe në gjuhën serbe. Graçanica, Gushterica e ka shkollën e mjeksisë, Llapllasella gjimnazin dhe kështu që… Më duket se tani kemi më shumë fëmijë që po shkollohen se sa më herët kur ka qenë ashtu që ju thash, 1700 nxënës. Edhe mjaft romë nga Janjeva po e përfundojnë shkollën e mesme, madje edhe fakultetet.

Anita Susuri: Deri në cilat vite ka punuar kjo shkolla e vjetër?

Ollga Guciq: Deri në 2001.

Anita Susuri: Pastaj menjëherë jeni larguar?

Ollga Guciq: Po. E kjo është shkollë e mëhershme, kjo ndërtesë është e ndërtuar që kur kanë qenë 1700 nxënës. Vetëm një pjesë ka qenë që ka mundur të shfrytëzohet, që është shfrytëzuar, e pas luftës kjo pjesa e dytë…

Anita Susuri: Kroatët që kanë shkuar në Kroaci, a vijnë këtu?

Ollga Guciq: Vijnë, i kemi të caktuara…

Anita Susuri: Kur?

Ollga Guciq: Po, i kemi festat e caktuara kur vijnë. Vijnë më 15 gusht, ajo është Zonja e Madhe, njejtë edhe për Zonjën e Vogël në shtator vijnë, për të gjithë shënjëtorët. E kemi një festë që e feston fshati mbi Janjevë, Peshteri. Ajo festohet më 20 janar, atëherë vijnë shumë, atëherë veçanërisht vijnë të rinjtë.

Anita Susuri: Dhe si është atëherë?

Ollga Guciq: Vështirë është në Janjevë sepse, më duket, çdo janjevas që është në Zagreb, i cili e ka aty shtëpinë, do ta rregullonte, që ta ketë për vete, vetëm një dhomë, banjon dhe kështu, kur vjen, por asgjë nuk guxojnë të bëjnë, shumë po vjedhin. Menjëherë e prishin, të gjithën, prandaj.

Anita Susuri: E ku rrijnë ata kur të vijnë?

Ollga Guciq: Vendosen, nëse kanë familje këtu, nëse jo, ka hotel tani falë Zotit në Kosovë ka mjaft.  Ose kthehen menjëherë. Vijnë në kishë, i vizitojnë varret dhe nëse e kanë dikë prej familjarëve dhe kthehen prapa.

Anita Susuri: Dhe çfarë tradita ka atëherë, kur janë ato…

Ollga Guciq: Festat?

Anita Susuri: Festat, ato ditët e veçanta. Çka bëhet, a ka ndonjë…

Ollga Guciq: Është një meshë e veçantë e cila është në kishë, më 15 gusht kur vijnë. Ajo festë nuk është në Janjevë por në Letnicë. Dhe atëherë, më herët kështu ka qenë, sa kam qenë unë fëmijë, ne shkonim, kemi pasur karrocë me kali, si t’ua shpjegoj, ndoshta nuk e dini por më të moshuarit tuaj e din. Dhe ku ta di (qesh) si nomadët kur shkonin, ato kerret që i kanë pasur, të mbuluara dhe kështu, kështu edhe ne nga Janjeva kemi shkuar atë ditë, për 15 gusht. Pasi që mjete të tjera transportuese nuk kanë pasur, por me kerr deri në Letnicë. Edhe beben brenda, dhe të gjitha, udhëton 13-14 orë atje qëndronim nga tri ditë. Pastaj, edhe më herët kur ka qenë, edhe nga një javë është shkuar. Pushimi vjetor i përbashkët për ne janjevasit ka qenë në Kosovë, Janjeva, Letnica. Nuk e di a keni dëgjuar, edhe aty njejtë vend kroat ka qenë, është një faltore e madhe e Nënës së Zotit dhe kështu që…

Anita Susuri: Çka bëhet atje, na tregoni lidhur me këtë.

Ollga Guciq: Atje ka qenë, njejtë shoqërimi, veçanërisht jemi shoqëruar atje. E kanë, para kishës janë ato, vetëm është e mbuluar, lartë e keni vetëm kulmin. E brenda kanë qenë hapësirat, çdokush për vete ka marrë, ato të gjitha kanë qenë, ne mernim çdo gjë që na nevojitej nga shtëpia. Edhe çarshafët, edhe enët, dhe gjithçka, gjithçka, gjithçka, edhe ushqimi që nevojitej. E rregullon atë atje, këtë mund ta shihni tani për 15 gusht edhe sot, të shkoni atje, por kjo është diçka që më duket se nuk ka askund në botë. Të gjithë në një vend, një oborr, aty fleni, aty të gjithë qëndrojnë jasht. Asgjë, çka është, vetëm prej lart e ke një kulm që thonë mbi kokë, anash vendosen disa mbulesa dhe kështu që…

Anita Susuri: A ka ndonjë festim të veçantë apo diçka që është përgatitur posaçërisht për atë ditë?

Ollga Guciq: Ku ta di unë, ajo blihet, natën ndezet zjarri, të gjithë janë rreth zjarrit, këndojnë, vjen muzika anash, ka një, vijnë këta muzikantët që bëjnë muzikë dhe kështu. Këngë të veçanta ke që këndohen e diçka e veçantë të përgaditet, jo.

Anita Susuri: Për shembull, ushqimi apo diçka?

Ollga Guciq: Nuk ka asgjë specifike, por kjo është, misri piqet te ai hiri i zjarrit dhe krejt kush çka bën. Por diçka të veçantë jo.

Anita Susuri: E si e përjetoni tani Janjevën?

Ollga Guciq: (qesh) E përjeton vetëm me kujtime, po e shihni edhe vet. Më së shumti që pengon, janë ato mbeturina që janë në Janjevë, çdo shtëpi është deponi. Këto shtëpitë e vjetra të rrënuara. Po themi që ka mjaft të varfër dhe që është e rëndë të jetohet në Kosovë. Nuk është. Kur i sheh gjithë ato kanaçe të hedhura dhe të gjitha ato, nëse ke për të ngrënë, ke edhe për të jetuar. Para secilës shtëpi, edhe këta qentë që janë të lëshuar, këta endacakët, kjo është e tmerrshme, në mëngjes deri në kishë nuk kam mundur të shkoj. Më duket që i mbajnë diku në azil, diku, dhe përnjëherë i lëshojnë, i sjellin aty, dhe kjo është diçka që është… Edhe vjedhjet janë, vjedhjet, ja tani kohëve të fundit janë tri-katër shtëpi kroate të plaçkitura, bash aty. Një kolege dhe koleg, vijnë, marrin, nga njëra kulmin, e kanë shpuar gropën në tavan dhe kanë hyrë në shtëpi.

Anita Susuri: A kanë bërë ndonjë dëm?

Ollga Guciq: Paj ashtu e dini, shtëpia e vjetër, ai pluhuri, gjithçka kanë shkatërruar, shkatërruan…

Anita Susuri: A kanë marr diçka?

Ollga Guciq: Po, ju kanë marr para, nuk e di sa, njejtë edhe te ky kolegu.

Anita Susuri: E kjo vazhdimisht po ndodh?

Ollga Guciq: Vazhdimisht po ndodh. Po them, gjithkund po ndodh, gjithkund ka vjedhje por kur je non stop, nuk mund të dalësh nga shtëpia.

Anita Susuri: Na tregoni pak më shumë për traditat tuaja si kroatë, do të thotë për… na keni treguar për Letnicën dhe atë, por a ka edhe tradita të tjera që janë interesante?

Ollga Guciq: Të gjitha festat më të bukura që janë në kishë, ja nesër është Trupi i Shenjtë, kështu quhet ajo festë, ajo është e veçantë. Para se të shpërnguleshin janjevasit, kjo ka qenë, kanë shkuar në çdo rrugë krejt Janjeva të vizitohet. Dhe tani, kush ka mundur, ka përgaditur diçka, e ka stolisur shtëpinë e vet, e ka rregulluar atë altarin dhe të gjitha ato. Fëmijët kanë qenë të veshur me të bardha, janë mbledhur lulat, ato shportat dhe të gjitha. Secila festë e ka pasur të veten.

Anita Susuri: Ju a keni, a keni, a keni familje që ende jeton këtu?

Ollga Guciq: E kam, motra jeton këtu ka mbetur vet me bashkëshortin, [familja] e saj është në Kroaci, unë jam aty me vëllaun dhe motrën, kështu që… Vështirë është. Unë vet, mendoj që kurr nuk do të largohem nga Janjeva.

Anita Susuri: (kollitet) Më keni treguar për të folurën janjevase. A keni folur kështu gjithnjë me familjen, shoqërinë tuaj? Kur keni biseduar, apo?

Ollga Guciq: Gjithmonë kemi folur, non stop kemi folur, non stop. Vetëm shkolla dhe të gjitha këto por shpeshherë e kupton që një fjalë…

Anita Susuri: Në familjen tuaj do të thotë… Më keni thënë që çdo ditë shkoni në kishë.

Ollga Guciq: Po.

Anita Susuri: A janë të gjithë fetar, këtu njerëzit në Janjevë, apo më shumë kroatët, apo si është sa i përket kësaj çështje?

Ollga Guciq: Po më duket se çdo njëri e respekton fenë e vet, e tek ne çdo ditë është mesha, dhe shumica e njerëzve shkon në meshë. E kur janë festat e mëdha, atëherë është diçka e veçantë…

Anita Susuri: Mirë.

Ollga Guciq: E djelë është për çdo ditë, çdo e djelë është festë. Tek ne nuk punohet asgjë të djelën, patjetër duhet të shkosh në kishë, jo që duhet por, e ke për obligim të shkosh në meshën e shenjtë.

Anita Susuri: Do të doja të ktheheshim në kohën para luftës, më keni thënë që të gjithë kanë pastruar para shtëpive të veta. Si ka qenë në atë kohë? Ma shpjegoni për shembull një ditë të tillë.

Ollga Guciq: (qesh) Shumë shpesh mendoj kur shkoj tani rrugëve të gjitha janë të shtruara dhe gjithë ajo, por nuk është ashtu siç ka qenë. Aty ka qenë dhe, secila para shtëpisë së vet, e merr atë ujin dhe e lag të tërën, e pastron, çdo të shtunë, për çdo festë. E lumi ka qenë gjithmonë i papastër, e gjithë ajo që mblidhej nëpër rrugë, nëpër sokaqe, të gjitha janë hedhur në lum, kështu që… Por ka qenë e veçantë. Dhe shpesh kur më takojnë para shtëpisë, sepse në rrugë nuk ka më kush të jetoj, e pastron pak më shumë që ta kesh pastër para derës. Thotë, “Gjithmonë po kthehesh te ajo e vjetra” por unë nuk mund ta arrij atë që ka qenë më herët.

Anita Susuri: A kanë qenë lagjet e ndara, për shembull, ku kanë jetuar kroatët, ku kanë jetuar shqiptarët, si ka qenë kjo?

Ollga Guciq: Paj ka qenë, në mes ka qenë pastër, kanë qenë vetëm kroatët kurse anash, rruga që quhet Virovce aty kanë jetuar bashkë shqiptarët dhe kroatët. Njejtë këndej e keni Sarajin kur hyni në Janjevë, aty kanë jetuar turqit, edhe sot ajo rrugë është e veçantë, aty jetojnë edhe turqit edhe shqiptarët.

Anita Susuri: Mirë. A keni edhe diçka për të na thënë, nëse keni harruar ndonjë gjë?

Ollga Guciq: Për të harruar, nuk harrova asgjë, ju kam respektuar për të gjitha që ju kam thënë, e shumë shumë ka për tu thënë për Janjevë, rreth Janjevës dhe të gjitha këto. Kështu që, unë ndoshta nuk mundem të gjitha ato emocionet që i ndjej brenda vetes që i kam t’i shpreh, por… Jo vetëm unë, jo vetëm janjevasit, shumë njerëz që kanë punuar këtu, mësimdhënësit që kanë qenë dhe të gjithë, disi ata në veçanti flasin për Janjevën. Thonë, “Kush nuk ka pirë ujë në Janjevë” sepse kemi burime, dy çeshme i kemi pasur. Para kishës ka qenë çeshmja, dhe lartë mbi kishën edhe sot shkon ai uji. Kjo është që nga koha e turqve, dhe vjen nga burimi, i veçantë është ai uji. Kush nuk ka pirë ujë në Janjevë, nuk e di çfarë është. Kush nuk ka ngrënë ëmbëlsirë në Janjevë, kanë qenë ëmbëltoret dhe të gjitha ato veçanërisht janë… Thoshin se më shumë ka pasur vlerë ëmbëltorja në Janjevë se sa në qendër të Prishtinës.

Anita Susuri: E ku kanë qenë ëmbëltoret?

Ollga Guciq: Ato kanë qenë në çarshi, në çarshi.

Anita Susuri: A ju kujtohet juve, sa njerëz ka pasur aty?

Ollga Guciq: Po si jo, po, gjithmonë ka pasur njerëz, është përgaditur gjithnjë ka pasur. Aty kanë qenë goranët, dy familje kanë jetuar aty në Janjevë, tash edhe ata kanë shkuar, ata kanë përgaditur, kështu që… Akullore të freskët gjithnjë ka pasur, ëmbëlsira gjithashtu, ato tullumbat e ëmbëltoreve, të zhytura dhe kështu, gjithçka që ka pasur…

Anita Susuri: Në rregull, falemnderit shumë!

Ollga Guciq: Falemnderit edhe juve, unë kërkoj falje por atë që, atë që kam mundur ta them, e keni dëgjuar prej meje.

Anita Susuri: Ju falemnderit.


[1] Tavolinë e ulët e rrumbullakët për njerëzit që mblidheshin për të darkuar, duke u ulur në dysheme.

[2] Boshqe pëlhurë e qëndisur.

[3] Pantollona të bardha të satenit të cilat janë të ngushta tek nyjet e këmbëve, stili turk. Bëhen me rreth dymbëdhjetë metër material.

[4] Argëtim, ndejë.

Download PDF