“Me vendlindjen n’prapavi”

Bisedë me Lirika Demirin

Lirika Demiri ka përfunduar studimet Bachelor në Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Ajo është e interesuar në çështjet e kujtesës, gjinisë si dhe në teorinë kritike të feminizmit. Historia gojore e tërheq për faktin se ka potencial ti shfaqë pikëpamjet e ndryshme rreth tregimit të historisë dhe t’ju jap zë atyre.


“Me vendlindjen n’prapavi”

“ME VENDLINDJEN NË PRAPAVI”

“Me Vendlindjen në Prapavi” është një libër fotografik i cili u kurua nga regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe artisti vizuel Alban Muja gjatë vitit 2011/2012. Duke dashur të lirohen nga portretimi ekzotik i Kosovës që normalisht bëhej nga gazetaria e shpejtë dhe turistët entuziastë, kuratorët vendosën që të shpërndajnë 100 aparate fotografike për një përdorim në gjithë Kosovën. Këto aparate iu dhanë të rinjëve prej moshës 15-24 vjeç. Të rinjtë kishin vetëm 30 shkrepje në dispozicion për të rrëfyer mbi preokupimet e tyre, andaj meditimi mbi vetën dhe tjerët rezultoi të jetë shumë i pasur dhe i mbushur me përmbajtje që tregonte gjithçka, përveç reprezentimit të zakonshëm që lidhet ngushtë me religjionin, traditën, luftën dhe varfërinë. Në fotografitë e këtyre të rinjëve shihej jeta e një Kosove tjetër që gradualisht po regjenorohej dhe po kërkonte veten në këtë kontekst të ri politik e shoqëror.

Duke shikuar me kurreshtje fotografitë e përzgjedhura në këtë libër, vendosëm që të kthehemi dy vjet prapa dhe të bisedojmë me një nga pjesëmarrëset në këtë libër – Lirika Demiri – vajzë nga Ferizaj, studente e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës e cila e hapë bisedën duke thënë se sociologjia e ka tërhequr “me mënyrën se si e gërsheton privaten me publiken, shoqëroren me individualen”. Me tu kyçur në kuadër të këtij institucioni studimet e saj u koncentruan në kulturë dhe studime gjinore por fotografija vazhdoi të mbetet një mjet me të cilin obzervon dhe rrëfehet.

OHI: Si u angazhove në librin fotografik “Me Vendlindjen në Prapavi”?

Lirika Demiri: Ishte krejt e rastësishme; një OJQ po kërkonte aktivistë të rinjë ferizajas që përmes një aparati fotografik për një përdorim do të rrëfenin tregimin e tyre për vendin ku jetojnë. Qëlloi që një prej tyre të isha unë.

OHI: Si e gjetët temën të cilën do të trajtonit?

Lirika Demiri: Kjo pyetje më ka shtyer të kërkoj në grumbullin e fletoreve që i kam ruajtur nga shkolla e mesme. E në faqet e fundit të njërës prej tyre, në mesin e disa shkarravinave matematikore, i gjeta të shënuara temat që në atë kohë më patën proekupuar dhe doja t’i fotografoja: Tika/qenushja e lagjes, treni/hekurudha, puna e fëmijëve, fshati Dubravë/jeta e komunitetit RAE, biblioteka… Kështu, gjetja e temës, ka qenë pjesë e një procesi të brendshëm kërkimor, një kurreshtjeje artistike përmes së cilës fillova ta shikoj qytetin tim nga perspektiva e një fotografeje të re.

Tash që e mendoj, përcaktimi për fshatin e Dubravës dhe mënyrën e jetesës së komunitetit RAE ishte diçka intuitive, në kuptimin që nuk e dija saktësisht se çfarë do të mund të gjeja atje. Por e dija se çka nuk doja të fotografoja, e ky ishte Ferizaj që e njihnin të gjithë: me muralin e kamarierit, me kishën e xhaminë në të njëjtin oborr e me bifurkacionin që shumicën e kohës qëndron pa ujë. Drejt Dubravës, më shtyu nevoja që të përballesha me varfërinë, mosarsimimin, me shtëpitë e improvizuara, me buzëqeshjet përkundër dhëmbëve të prishur e këmbëve të zbathura. Përmes fotografisë doja t’i përballja të gjithë me ngjyrat brenda margjinave shoqërore.

OHI: A ishte i vështirë akcesi në komunitetin RAE?

Lirika Demiri: Përkundrazi, komuniteti RAE të pret gjithmonë me shumë entuziazëm. Më të gëzuarit ishin fëmijët; në mesin e tyre kishte të atillë që nuk ishin fotografuar asnjëherë më parë. Ishte një ngjarje e madhe për ta, por edhe për mua. Unë ndjeja peshën e dokumentimit të lumturisë së tyre, përkundër gjendjes së rëndë në të cilën jetonin. Ndjeja se nuk do të mund të bëja mjaft për ta. E të moshuarit e lagjes, ata e dinin këtë, ishin mësuar me vizitorë kurreshtarë që shkonin e vinin me xhepa plot premtime.

OHI: Çfarë të ka dhënë kjo eksperiencë?

Lirika Demiri: Kur ke në dorë një foto-aparat me të cilin nuk mund të shkrepësh më shumë se 30 fotografi, deshe s’deshe, të imponohet një lloj parallogaritje mbi momentet dhe subjektet. Prej kohësh nuk e kisha përdorur filmin fotografik, prandaj “Me Vendlindjen në Prapavi” ma riktheu ankthin që përjetohet teksa përcjellë ndërrimin e numrit të fotove në kutizën e vogël, të bardhë. Në ato momente, bëhesh më e prerë e më kërkuese ndaj protagonistit dhe ndaj vetvetes.

Është e çuditshme, në Dubravë, u pata gjendur e rrethuar nga një turmë fëmijësh që donin të fotografoheshin, i shfaqnin veçoritë e tyre më të mira para meje. E unë, si një koprrace, kërkoja më ekspresivin/en, më fotogjenikun/en në mesin e tyre. Kur u publikua libri, pashë se fotot e përzgjedhura ishin ato më spontanet, më të pa aranzhuarat. Mësova se shpesh duhet të fotografosh për hir të gëzimit të protagonistit tënd, edhe nëse kjo do të thotë që të heqësh dorë nga preferencat personale artistike.

OHI: A merresh sot me fotografi, nëse po, çka të intrigon të fotografosh?

Lirika Demiri: Unë nuk kam asnjë nga ata objektivët e mëdhenjë fotografik, e mund të kalojnë ditë e ditë pa bërë asnjë foto. Por fotografinë e shoh gjithkund; e shoh në dyert e autobusit që hapen e mbyllen mërzitshëm, në hapat e një të moshuari/e teksa mundohet të kalojë nëpër to, në monotoninë e një punëtori që rrotullon qebapa mbi zgarën e zbukuruar me perime të vyshkura – tamam si zbukurohen flokët e kuajve, në vendosshmërinë e një frizereje për ta drejtuar një kaqurrel të pabindur, në ballkonet pa lule të ndërtesave të kryeqytetit, në ironinë e dritareve përmes së cilave nuk depërton drita dot, e në entuziazmin e shitësve ambulantë.

E kam vërejtur se përmes fotografisë e kuptoj më mirë sociologjinë, arrij ta vizualizoj atë. Më intrigon ftohtësia e ndërtimeve fantom, të papërfunduara, dhe ajo e vendeve të braktisura; flet shumë për atë që do të mund të ishte, por njëkohësisht është simbolikë e heqjes dorë, e dorëzimit. Shpesh fotografoj thjesht për hir të kompozicionit të ngjyrave e formave, e edhe më shpesh nuk arrij ta “ngrij” fotografinë që shoh. Këto fotot e pashkrepura më ngjajnë me ëndrra të shuara, me iluzione të humbura. E janë pikërisht ato, që më shtyjnë ta dëgjoj përsëri atë “klik”.

Download PDF