Pjesa e Tretë
Anita Susuri: Zoti Ilaz ishit tʼu tregu ma herët për daljen prej burgut edhe si e vazhdut jetën në ʻ79-ten, ʻ80-ten domethonë. Jeni punësu?
Ilaz Pireva: ʻ81-ten jom punësu në Fakultet të Mjekësisë. Kam udhëtue për çdo ditë prej Prishtine deri këtu, domethonë, në Lupç. Kam pasë, kam pasë ni çasje të veçantë me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, tʼu u nisë prej Shqiptarit [Demaçi]. Kom nejtë pak ma larg me disa aktivist që kanë qenë. Kom pasë ni bashkëpunim me ta. Kanë ditë pak kush jom edhe i kom orientu nga pak ata kryetarët e studentëve të cilët kanë pasë ni konsideratë. Deri në vitet e ʻ90-ta kur na kanë largue. Pastaj, prap kur oshtʼ hapë fakulteti kom punu tani me administratë të studentëve edhe aty atëherë kom qenë edhe kryetar i LDK-së në Podujevë…
Anita Susuri: Pas luftës?
Ilaz Pireva: Jo, jo në vitin ʻ93, vitin ʻ93. Po vazhdimisht kom punu në Fakultetin e Mjekësisë në administratë. Aty oshtʼ punue për me kriju ni ambient sa ma tʼmirë për studentët, për studimet. Se në qoftëse fakulteti mund edhe në ato rrethana të kryhet, mjekësia nuk don improvizime. Se tʼkryesh ti mjekësi pa, pa laboratore, pa institucione, pa krejt ato çka i duhet ni studenti të mjekësisë mund tʼjetë vetëm ni mashtrim. Po falë vullnetit shumë të madh që e kanë pasë kanë ba që të tregojnë që kur kanë shkue pastaj në vende të tjera në specializim kanë tregu sukses. Oshtʼ ni e vërtetë që sʼduhet të harrohet.
Fakulteti i Mjekësisë gjithherë e ka pasë pak ma lehtë me fëmitë e vet. Sepse janë kanë fëmi të përzgjedhun në krejt Kosovën dhe jo vetëm në krejt Kosovën. Se ishte ni ambicie, të bohesh doktor atëherë i vetmi doktor ka qenë që ka mujtë me jetu pak nʼatë nivelin çfare duhet edhe tʼrrisë fëmijë edhe tʼjetoj pak. Po oshtʼ ni përgjegjësi tʼjesh mjek në anën tjetër, shumë e madhe. Mirëpo i ka marrë fëmitë ma tʼmirë i ka zgjedhë. Konkurencën e ke pasë deri 1000 vetë janë pranu 150. Ka ra gati i shtati, i teti me ra krejt nxanës të shkëlqyeshëm.
Kështu që edhe atë periudhë relativisht mirë e ka përballu Fakulteti i Mjekësisë falë edhe kuadrit mësimor, angazhimit të tyre po edhe studentëve. Kështu që me kthimin tani aty ku e ka vendin studenti në amfiteatër, në laborator, te shtrati i të sëmurit tek atëherë mund tʼarrihet ajo çka synohet. Po fatkeqësisht të gjithë kemi pritë që do tʼngjallemi pak ma shpejt dhe ma marë. Prap ka pasë do halle, prap… mos harroni, kriter shumë i ashpër ka qenë për mʼu regjistru në Fakultetin e Mjekësisë. U rujt edhe në qato kushte të shtëpive shkolla. Dikur pak ka ra ai nivel.
Kështu që tani kom qenë dy mandate deputet i Kuvendit të Kosovës. Sʼpo e përmendi atë mandatin e ʻ92-shes deri ʻ98-ten që sʼka mund të konstitohet Kuvendi i Kosovës. 2007-shin kom shkue edhe jom zgjedhë kryetar i Komunës së Podujevës. Ka qenë mandati i parë që kryetari zgjedhet me votën e drejtpërdrejt të qytetarit. Deri atëherë kryetarët i kanë zgjedhë ato Asambletë Komunale. Kam ba përpjekje duke pasë parasysh gjendjen shumë të randë mbas luftës, një, u kom premtu qytetarëve që hile nuk do tʼkeni, mundësitë i dini që janë tʼvogla edhe për ni kryetar. Për aq sa mundet do tʼbahet.
Kom thanë, unë prej fëmive tʼmi dhe tʼrrethit tim mos më ngushtoni me do sene, le të mbrrijë dora jem aty ku ka ma së shumti nevojë. Kom pasë mirëkuptimin tʼfamiljes, tʼrrethit dhe ta them tʼdrejtën besoj që nuk kom ra në naj grackë të lakmisë, as të anëtarëve tʼfamiljes as të rrethit. Tash shpesh ma thonë qytetarët, “Mʼke ndihmu këtu”, megjithëse ti sʼke mundësi fort të ndihmosh. Kështu që konsideroj jom nda i knaqun, po thom, edhe sot ma thojnë që nuk i njoh, nuk e di kush janë.
Jom kthye pastaj kam shku, kam qenë këshilltar i presidentit nja disa muj. Në rastin kur ka dhanë dorëheqje presidenti Fatmir Sejdiu atëherë u bo edhe mosha për pension. Kom dalë në pension me 75 euro. Më vonë falë atij ligji që oshtʼ miratu në kuvend që stazhi u burgut me tʼu njeh edhe stazh kështu i punës kam mbrri që ta kam tash pensionin nja 260-270 euro do të thotë. Me pare të burgut e kom bo këtë shtëpi edhe me ndihmën e familjes. E kom ni vajzë atje në Londër. Ajo ka qenë iniciatore tʼia nisi tani…
Anita Susuri: Deshta pak për familjen me ju pytë, për ata se si jeni njoftë me gruan? Si jeni martu edhe a i ka ra me ju pritë prej burgut?
Ilaz Pireva: Ta them të drejtën pak martesa, martesa jeme tash me 16 korrik i bon 62 vjet. Domethonë mʼkanë martu nana edhe baba me ato renet qysh kanë qenë ktynehere. Nʼatë aspekt unë, po thom, si familja tradicionale që kemi qenë, bile kur kom qenë unë në Burg të Mitrovicës së Sremit, jom taku
edhe me të burgosur të tjerë serb dhe malazez dhe rus. Kemi bisedue. Kanë ditë që jom për herë tʼdytë në burg, kanë ditë që jom i martun.
Mʼkanë pytë, “Si po mundësh ti me përballu jetën nʼkëtë mënyrë?” Atëherë i kisha tri vajzat në ʻ75-shin. Njanën ma e pata lanë ni vjet e diçka. Thashë, “Nuk e kom hall, jetoj në bashkëshi familjare me babën”, e kisha edhe axhën, “me vllazën, me djem tʼaxhës. Unë as sʼmund tʼmendoj a kanë bukë fëmija, sa kanë edhe ata i kanë edhe ata. I kanë të gjitha kushtet. Bile janë ma tʼprivilegjun se fëmitë e tjerë”, “E”, tha, “për ty koka kollaj me mbajtë burg”.
Mʼkanë pytë edhe nji, se edhe ata ishin për herë të dytë, nji çështje që është me rëndësi tʼpërmendet. “Po na intereson si tʼkanë pritë rrethi”, tha, “kur je kthy prej burgut tʼparë?” Thashë, “Ni muj ditë ka qenë dera e odës çelë”, thashë, “që kanë ardhë me më vizitue dhe me mʼthanë mirë se ke ardhë dhe të tjera fjalë që i thuhen njo që kthehet prej burgu”, “E”, tha, “po ju po dishi pse po mani burg. Neve”, se kishin majtë burg edhe përpara, “jo që na ka vizitu dikush po sʼna kanë folë edhe më të afërmit. Na ka injorue”. Prej tyne që të gjithë kanë qenë të ndarë prej grave, domethonë familje të shkatërrune.
Anita Susuri: A kanë qenë ata të burgosur politikë a?
Ilaz Pireva: Po, po politikë.Ishte fjala për politikë. Se ishin do që kishin ra në ʻ48-tshin me hi në nifarʼ byro kishin ra në burg tani për herë të dytë në vite të ʻ70-ta kishin ra dhe tash ata kur ju thojsha që kështu, kështu në familje. “Ju po dishi pse me majtë burg, e na jemi shkatërrue dhe rrethi sʼna ka pranu kur jena kthy prej burgut”. Po them, të gjithë kishin qenë të ndam prej grave.
Vetëm nji, po them, ai kishte pasë gruan tʼpërkushtune. Bile kishte pasë ni profesion tjetër. Ka shku e ka kry për infermiere, se ky ka qenë i sëmurë, për mʼi ndihmu burrit. Vetëm ky, ni Moraça ka qenë, ajo ka qenë familje e njohur në Luftën e Dytë Botërore edhe ka pasë plot gjeneral. E gruja e tij, ky i Vojvodinës atje, ajo oshtʼ rikualifiku për infermiere për mʼi ndihmu burrit. Bile burri tani i ka vdekë në burg.
Kështu që te na të gjithëve, unë e përmenda rastin tim po kështu ka qenë me të gjithë, do të thotë. Unë e kisha grunë smutë, e kom pasë, u bo operacion e sʼka besu kush që po pështon. Tani vishin do shoqe tʼsajna kështu me asi, unë i bojsha hyzmet. Sikur juve që ua dhashë kah ni gotë ujë. Ma bojshin, “Lumja ti sa sevapin”, thojsha, “Oʼ gruja po mʼthotë kurfarʼ sevapi sʼki veç ishalla i lan borxhet”. Ajo sʼmë ka thanë kurrë po unë ia thojsha atyne po thotë, “Veç ishalla i lan borxhet”. Realitet, shiku drejt, ashtu oshtʼ. Domethonë nʼqoftëse mundemi mʼi la borxhet.
Anita Susuri: Po mʼintereson edhe nëse keni naj kujtim prej burgut në Mitrovicë të Sremit, po me mʼfolë pak edhe për vizitat edhe sa ka qenë e vështirë për familjen e juj me ardhë deri atje me ju vizitu?
Ilaz Pireva: Në Burg të Nishit, kur kom qenë në Burg të Nishit ka lind qikjo vajza, Afërdita. Do të thotë fëmija nuk asi… në Mitrovicë mʼkanë ardhë… këtu nuk mʼi kanë lanë fëminë mʼi pa fare. Domethonë ni vjet kom qenë në Mitrovicë nuk i kanë lanë fare fëminë me ardhë. Këtu ma gjashtë muj. Atje po. Unë e kom pasë ni fotografi timen aty në dhomë. Kur janë ardhë me mʼpa të tri vajzat, ato janë ardhë me atë pamjen që e kanë pa fotografinë, me atë imazhin.
Kur janë ardhë e kanë pa ni njeri tjetër, me ato veshjet e të burgosurit. Kanë thanë, “Ky sʼoshtʼ baba ynë”. Domethonë nuk ishte lehtë, e din, që fëmija tʼthotë, “Ky sʼoshtʼ baba jem”, se ai babën e ka pasë nʼsyret këtu në dhomë. Nuk oshtʼ përjetim i lehtë. Mirëpo një duhet tʼkuptohet që me kohë kemi ditë që ma sʼpari vehtën pastaj kur vehtën ti munësh edhe tjetrin, domethonë edhe gruan, edhe nanën edhe babën edhe fëmitë në ni mënyrë mʼi sakrifikue. Sa oshtʼ e drejtë ajo çashtje tjetër po ti me vetëdije e bon atë.
Unë, sidomos, kom pasë përkrahjen e madhe të familjes. Për atë aspekt nuk kom… as çka ndodhi as pse mbetëm kështu se nuk ka qenë jeta fortë e lehtë. Ato tani pasojat… se vëllaun tani ma kanë largu ni vjet, ni vjet jo po dhjetë vjet ka qenë i papunë shkaku im do të thotë. E mos tʼflasim për pasojat e tjera. Mirëpo një ua them nga shpirti, krejt këto çka kanë ndodhë me neve kryet e kanë pasë në Beograd edhe oshtʼ ma lehtë e përballueshme. Çka mʼi bo kur ta kryet nʼvendin tonë. Ajo nuk, nuk përbihet. Se kur e ka te hasmi yt atje shekullor nuk kemi çka tʼflasim.
Kështu që, bile atë ditë, e pashë intervistën e Shqiptarit tha, “Mu sʼmë kanë pengu gjatë shkollimit”, tha, “Serbija oshtʼ e meçme, ajo merret me punë tʼmdhaja nuk merret me këto”. Do të thotë sʼia kanë ndërpre, sʼi kanë thanë Demaçit, këti Shqiptarit mʼi thanë, sʼmunësh ti, e hupë të drejtën e shkollimit, ani, ani shko ti po na tjetër kah punojmë ne për… prandaj, Serbia ka politikë tʼmençur, tʼfortë, tʼulët krejt. Prandaj, mundemi me thanë që familja oshtʼ rujtë. Familja oshtʼ rujtë.
Anita Susuri: Sa shpesh keni pasë vizita?
Ilaz Pireva: Nʼmujt. Niherë nʼmujtë i kena pasë vizitat. 15 minuta. Përkthyesja e ke pasë te kryt domethonë, ka qenë që çështje familjare ke mund tʼbisedosh diçka tjetër jo. Letrat qashtu, nga ni muaj mʼi çu edhe atë mirë jom, qofshi mirë. Domethonë diçka tjetër nuk mundësh me… Mitrovicë të Sremit oshtʼ hera e parë… mu bile kur mʼkanë çu, mʼkanë çu me ni, me ni serb dhe ni malazez. Bile ai serbi ka qenë prishtinas, babën e kishte pasë drejtor të teatrit në Prishtinë edhe ai politikisht. Ata e kanë kërku partitë të re komuniste, jo ata që paska qenë. Ni djalë i kthjellt. Bile ju ka thanë ai komandanti i policisë aty tʼburgut, i gardianëve, “Ka me ua pru ni bashkëvendas tʼjujin që sʼkeni me mujtë me ta me ba”.
Po shoh unë, ata ni kujdes tʼjashtëzakonshëm ndaj meje. Se thotë, oshtʼ pak {shpjegon me duar, me gjasë me probleme}. Shumë mʼrrijnë gati për çdo sen. Mas ni muji… se ai malazezi ma, a ky ma, i pregatitun. “Ilaz”, tha, “duhet me të tregu”, qishtu qishtu, “na ka kërcënu ky komandanti i gardianëve që ka me ua pru ni bashkëvendas”, se kishin refuzu tʼpunojnë. Tha, “Ti krejt sjellje korrekte, normale
çdo gja”. Masanej kena hy nʼbiseda. Ia kom shpjegu edhe çashtjen e ʻ68-tes se ata e kishin interpretu krejt ndryshe. Qysh e interpretojnë te na. Kemi hy… kanë ardhë tani edhe të tjerë kanë ardhë nʼdhoma të tjera kanë qenë edhe ata tʼburgosun.
Kena bo ni polemikë, për herë tʼparë boj unë me serb ni bisedë dhe polemika të ashpra. Aq pa arsyeshëm kanë qenë saqë ʻ81-shin ke mendue ata paskan ardhë prej burgut dhe ata paskan marrë pushtetin. Se tani unë fillojsha tʼi lexoj ato gazetat e Beogradit çka po shkrujnë, a din, për krejt ato me politika, me intervista, me “Danas-a”, me dreq e tʼmallkun. Mendoj se ato biseda që kisha bo unë me ta, tash i kishe nëpër gazeta dhe i kishe nëpër televizione. Domethonë e njejta logjikë. Bile kur thojnë kanihere, “Çetnikët, çetnikët”, sʼka çetnik e partizan, një janë. Diçka ma të veçantë aty në atë burg kemi qenë të izoluem…
Anita Susuri: A keni pasë shëtitje?
Ilaz Pireva: Shëtitje po, shëtitjen e kena pasë. Ka qenë burg që e kanë vujtë edhe këta të huajt aty, ndërkombëtarët domethonë aty. Trajtimin duhesh mʼu pregatitë domethonë, mos me tʼlanë me tʼfut në do gracka. Se tʼi bojnë do pregatitje që… kështu që duhet… na kena bisedu edhe ma herët, duhet prej burgjeve me dalë ma me pak pasoja. Se në burg sʼmunësh me bo kurgjo tek e fundit. Kështu që u kapërcy edhe ajo. Po të vetëdijshëm që… bile kur i kom pasë thanë atëherë ʻ75-shin ni hetuesit të sigurimit, thashë, “Unë kom mendu që e kom kry burgun atëherë”, për ʻ68-ten, “dhe jom ba si tanë qytetarët tjerë”, “Jo bre, ti sʼbohesh kurrë si qytetarët e tjerë”, tha, “50 vjet masi që tʼvdesësh atëherë i mshohet vi emrit tond dhe të tjerëve”. Të vërtetën realiteti ishte i tillë.
Siç e thashë atëherë ka qenë në ʻ74-ten ni përmbysje në Kil, Alendën e patën përmbyll. Ni Pinoçeti4 bile e kanë pasë zanë tani nʼfund të 2000-shit a ʻ90-tshit, e patën marrë ata gjeneralët. Ai ni sistem socialist i atij Alendës. E patën mush ato stadiumet me njerëz të arrestun, se sʼkishin vende. Patën bo terror e vrasje. Pata thanë, a din, “Ju jeni tʼu veprue sikur në Kil atje”, thanë, “Mbaje mend njo”, ma tha tani, ai i sigurimit, “polici si këtu si në Kil atje si në Kinë si në Amerikë si në qatʼ Shqipni që pʼe doni polici oshtʼ polic”, edhe del që polici oshtʼ polic (qeshë).
Anita Susuri: Po mʼintereson tash edhe ʻ89-ta që e përmendet që ju kanë marrë edhe që keni qenë në ato tortura. Sa ka qenë… thatë diku 200 njerëz kanë qenë.
Ilaz Pireva: Më shumë se 200 po mbi 200, se oshtʼ edhe libri për ata po oshtʼ “Izolantët” oshtʼ ni libër. Po ata që na kanë çu në Serbi do të thotë, në Vrajë na kishin pa çue, në Leskovc, në Valevë, në Prokuple tani Zajeçar, Beograd. I kanë mushë… po oshtʼ interesant me theksue që ʻ89-shi pjesa dërmuese e të burgosurve ka qenë, jo ish të burgosur politikë po kanë qenë kuadra udhëheqëse nëpër ndërmarrje. Se
4 Augusto Jose Ramon Pinocet Uagrte (lindi me 25 nëntor 1915 në Valparasio të Kilit dhe vdiq me 10 dhjetor të vitit 2006 në Santiago) ishte gjeneral i ushtrisë kiliane dhe president më konkretisht diktator i Kilit i cili me anë të këshillit ushtarak dhe grusht shtetit sherbeu si gjeneral suprem dhe president i Kilit gjatë viteve 1973-1990.
edhe atëherë siç ju thashë në ʻ68-tshin u bo ni debat për avancimin e statusit të krahinës edhe ʻ89-ten u patʼ bo ni debat për do ndërrime kushtetuese.
Ato debate u patën zhvillu edhe nëpër kolektive punuese. Tani aty kush oshtʼ ekspozu pak ma shumë prej drejtorëve, shefave… tana ndërmarrjet kryesore të Kosovës kanë qenë, domethanë, njerëz udhëheqës të krejt atyne ndërmarrjeve shoqërore që kanë qenë atëherë edhe disa figura të tjera siç thashë. Unë kam qenë ulun me, ata e kom pasë profesor, Rexhep Ismajlin, edhe ni tʼish burgosun politikë. Tash kond e ka rrok fati nuk e di, a din, po mue, gjithhere kom qenë aty…
Anita Susuri: A ka ndodhë edhe si arrestim a po?
Ilaz Pireva: Jo ata nuk tregojnë ata veç të kërcënojnë që ti je prej atyne andej këndej. Po ta lëshojnë ni vendim veç ndrrimi i vendqëndrimit, do të thotë kurgjo ma tepër. Po tani disave ua kanë vazhdu edhe masanej tani nʼbazë tʼhetimeve që janë zhvillu dikond edhe e kanë dënue domethonë. Po pjesën dërrmuese mas pesë-gjashtë muje i kanë liru. Neve na kanë liru mas dy muj ditëve. Kur na kanë malltretu aq rond, dikush, ni za ka mrri deri në Beograd dhe janë ardhë prej Beogradit dhe na kanë pa në çfarë gjendje jem.
Tani na kanë marrë, janë mundu me do barna, me do yndyrna me na ly trupit krejt me varrë. Tani na kanë shpërnda nʼvende tjera, a din. Bile tani e ka pasë hapë gjoja ni proces kundra atij drejtorit të Burgut të Leskovcit. Bile na kena pasë çu ftesa me shku nʼatë proces. Kom thanë, “Jo more nuk shkoj”. E tash a din çka ka qenë ajo përgjigja e tij kur e kanë pyet, “Pse i ke malltretu këtë shkallë?” Ka thanë, “Në këtë gjendje na kanë pru prej Prishtinës”. Do të thotë ajo ka qenë, ajo arsyetimi i tij. “Jo na sʼi kena prekë me dorë, runa zot, po kështu na kanë pru prej Prishtinës”.
Anita Susuri: A oshtʼ dënu diçka ai [drejtori]?
Ilaz Pireva: A?
Anita Susuri: A oshtʼ dënu ai diçka?
Ilaz Pireva: Tre muj me kusht, a nuk e di. Veç, a din, formalitete se kanë ardhë prej, domethanë, se atëherë ka qenë Vrhoveci ni kroat ka qenë i punëve tʼjashtme. Ni Drnovçek ka qenë kryetar i Jugosllavisë atëherë që janë kanë me atë rrotacionin.
Anita Susuri: E a kanë ndërhy ndoshta këto organizatat që kanë qenë Amnesty International e këto?
Ilaz Pireva: Ato kryesorja tash prej asaj qendres se vet fakti që kanë ardhë prej Beogradit e kanë pa gjendjen, tash po supozojmë nashta ka qenë iniciativë e kujt nuk mund ta dijmë. Po ma tepër, do të thotë, tʼu marrë parasysh që ka marrë pak ka dalë jashtë ajo çka ka ndodhë në Leskoc aty. Tani, po prej
kujt… po çka ka qenë, po thom, në këtë rast e mira, njeri ynë ka thanë, “I kena lanë nʼgjendjen ma tʼrandë ata që i kena çu në Leskoc”. Tani ka shtu naj fjalë naj kund. Tash qysh ka rrjedhë ajo nuk mund tʼflas.
Anita Susuri: A mundeni tash me na përshkru rrugën edhe çka keni mendu ju që ka me ndodhë me juve? Ose se keni ditë ku po shkoni?
Ilaz Pireva: Sʼke çka mendon në ato raste kurgjo hiç. Hiç ta thom tʼdrejtën. Se tani për mue prap këto krejt mʼduken sene të vogla ajo çka tʼka ndodhë në ʻ99-shin në Dubravë. Kështu që sikur edhe shumë të tjera… bile niherë mʼvetën, “Sʼna ke bo naj fotografi naj inxhizim të shtëpisë tʼdjegun”. Leni bre ato sene. Ku përmendet shtëpia ose ku përmenden shumë sene të tjera.
Kështu që prap kur e mendon atë çka ka ndodhë edhe me plot të tjerë thu jo, mos, edhe kjo mʼvjen me thanë mos kanihere pak mos pʼe teprojmë, a din. Se një tʼtua them tʼdrejtën, ke plot luftëtarë, ke plot veprimtarë kanë kry punë ti kurrë zanin sʼua ke nie. Do po i bojnë pak ma me zhurmë, pak ma anej e këndej. Prandaj, kujdes duhet me pasë këtu. Kujdes duhet me pasë këtu.
Anita Susuri: Ju pastaj thatë pas dy muajsh jeni kthy nʼshpi…
Ilaz Pireva: Po.
Anita Susuri: Edhe kanë pasu vitet e ʻ90-ta. E përmendet Pajtimin e Gjaqeve, a keni marrë pjesë edhe ju?
Ilaz Pireva: Po kom marrë pjesë nʼkëtë pjesën këndej. Kom marrë po nuk kom qenë pjesë zyrtare e atij ma tepër si veprimtar, si emër që kom pasë nʼatë kohë, a din, nʼatë aspekt. Po kështu i kam ndjekë, kam qenë edhe në Bubavec kur oshtʼ mbajtë ni tubim i madh edhe te Verat e Llukës, ai gjysë milioni i njerëzve që përmendet. Edhe nʼkëtë pjesën edhe jo vetëm atëherë po edhe masandej nʼshumë familje kam kontribue nʼafrimin e tyne.
Kështu që po them jam përpjekë me mundësitë se ka gjithhere vend dhe ka hapësirë për tʼpunu mbarë edhe mirë. Bile kur kom qenë deputet aty në Kuvendin e Kosovës ma bojshin do që deri dje ishim bashkë po ishin tash tʼradhitun nʼatë anën tjetër. Ma bojshin, “Knej bre e ki vendin, hajde qiknej se atje”, “Oʼ a janë këta tʼkqi, po i boj tʼmirë edhe këta”. Kështu që nuk, nuk kam qenë i ngarkun me këtë a oshtʼ…
Bile e kom qujtë ka qenë Partia Parlamentare bile Zahiri ka qenë në Partinë Parlamentare atëherë në Orllan edhe po vjen dikush po mʼthotë, ni veprimtar që unë nuk e njifsha veç thoshte që oshtʼ i LDK-së, “Na kanë hi nʼhise do tʼpartisë tjetër po i marrin, po i mbledhin atë 3%-shin”. Neve ni veprimtar na u ka mbytë në tre tortura për 3%-shin. Unë ku me gjetë njerëz që hyjnë atej, a oshtʼ i paramentarës a është i
LDK-së… se tjera ka qenë ni fshatar a social demokrati a krejt ato… për mu ishte shumë e kapshme që tanë me veprue nʼato rrethana çfare jemi.
Kështu që thashë, “E çka po don ti me thanë? Leni more ato, ku me gjetë njerëz se ta thom tʼdrejtën nuk ishte kollaj mʼi angazhu njerëzit. Siç për mue nuk ka qenë nʼfillim na kanë vlejt do letra që i kena pasë për ata që torturoheshin me ua dhanë që i hyshin në punë në perëndim. Në fillim kom hezitu, kom thanë mos po bohem unë sebep po i ndaj prej familjes. Po dikur jom bind, ai që oshtʼ i mirë, kudo që tʼjetë ka me mbrri dora e tij. Po tʼkeqin sʼe ke as atje as ktu as kërkund.
Kështu që edhe nʼatë aspekt duhet tʼpasë parasysh solidariteti që ka ekzistue jo vetëm te pajtimi po edhe te kujdesi për me pasë ni kafshatë buke. Ka qenë edhe ni, “Familja ndihmon familjen”, edhe ajo ka dhanë ni kontribut tʼmadh. Kanë mbajtë familje plot familje për çdo muj iu kanë çue sa kanë pasë mrena atij standardi çfare ka qenë nevojë po them. Kështu që ishte ni fushë ku mujshe me vepru, me punue.
Bile ni torturë mu mʼkanë marrë disa herë edhe këtu të ashtuquajtura biseda informative, policia e Serbisë. Janë ardhë qitu dy-tre herë ma kanë bastisë shtëpinë. Kena pasë fillu ni shkollë këtu në Majac me ndërtue unë e kom pasë projektin e saj dhe krejt ato, filloj me të madhe tʼpunohet erdhën na ndërpren. Janë ardhë ma kanë marrë projektin mʼkanë thirrë mʼkanë kërcënu. “E din që ky oshtʼ sekret ushtarak projekti i shkollës”. Ata e paskan pasë qashtu. Se nʼkohë lufte shkollën e bojnë objekt për nevoja të veta. Tashti na e ke marrë sekretin gjoja. Siç na kanë torturu niherë, na kanë shtri për toke kur oshtʼ vra nji i sigurimit të tyne. Shqiptar ka qenë ai, u vra.
Anita Susuri: Vitet e ʻ90-ta?
Ilaz Pireva: ʻ95-shi dikund atje. Mu si kryetar edhe shtatë anëtarë tjerë të kryesisë, po unë e kom ndi vetën ma lehtë sepse ditë e zotit që sʼjanë marrë veprimtarë mʼu rrah nëpër stacione tʼpolicisë nuk ka ndodhë. Kështu që unë e kom nda fatin edhe nʼkëtë periudhë edhe pse i kisha do vjet edhe pse i kisha pasë do halle asi. Po tash edhe me këta tʼritë unë prap ndajsha ni fat me ta. Kështu që mirë.
[Këtu ndërpritet intervista për shkaqe teknike]
Anita Susuri: A jeni gati?
Ilaz Pireva: Po po unë gati.
Anita Susuri: Po mʼdoket deshtët diçka…
Ilaz Pireva: Domethonë kjo sekretari i degës ishte komandant i mbrojtjes territoriale për zonën operative të Llapit. Erdhi tha, i çova fjalë faktikisht se e njifsha, jo që e kom njoftë këtë po ia kom njoftë
edhe ni tʼafërm të tij. I çova fjalë, ai e kishte dhandërr këtë. “Thuj Muhametit sʼki vend ma ngjitu nalt”. Vjen thotë, sʼdi a i kishte shku porosia. Po vjen ky thotë kështu, kështu, “E kom ndërmend…”, “Ju priftë e mbara, veç ni porosi, afroni njerëzit. ju jeni luftëtar tʼlirisë, nuk oshtʼ ky i këtij ai i atij ju jeni të gjithë një”, “Valla unë nuk pʼe disha këtë”, “Kam dëgju disa fjalë”, thashë, “prandaj veç po tʼporosis edhe ty”.
Masanej kur e kom taku ka thanë, “Kish pasë diçka po i kemi kapërcye”. Domethonë kemi ofrue edhe ato dallime që kanë mund të ndodhin. Kemi sigurue miell prej tregtarëve të Llapit, kanë marrë me shumicë me kamiona prej Serbisë dhe i kemi çu deri te Leposaviçi përmes Shalës së Bajgorës. Bile ka mbërri që edhe hua mʼka besue ai tregtari se sʼi kanë pasë niherë tʼhollat, domethonë jemi kujdes. Edhe për gjendje tjetër unë e kom pasë çikën tʼfejune, kjo oshtʼ si krim, a din, veçsa… pajën e saj, çejzin e saj me batanije me krejt ato, jorgana krejt ato që i ka pregatitë për nusni i kemi çu. Deshta veç si simbolikë, domethonë.
Kem organizu… qytetarët bile kanë shprehë atë meniherë, kom thanë, “Veç mos mʼu gutni, mos më shpenzoni që nʼhapin e parë se kjo nuk e dijmë sa ka me zgjatë. Kështu që edhe nʼatë aspekt oshtʼ punu dhe mbi tʼgjitha për përafrimin, për kujdesin, për… tani unë kom punu edhe në Fakultet të Mjekësisë. Aty ka qenë edhe shtabi për… dekani ai oshtʼ nʼbotën tjetër tash, Hashim Aliu, ku ka qenë… kanë përpilu orarin e krejt mjekëve që kanë me dalë nʼteren domethonë. Mjekët sʼkanë kursye kurgjo. Bile do na kanë mbetë edhe derisa ka përfundu lufta sʼkanë mund të kthehen në Prishtinë. Domethonë oshtʼ nʼtona poret, nʼtona segmentet e jetës domethonë oshtʼ mundue dhe oshtʼ punue. Kështu që për të tjerat nuk mund tʼflas.
Anita Susuri: Ju keni qenë këtu gjatë luftës a po?
Ilaz Pireva: Po. Unë kom qenë në Prishtinë bile pat vdekë këtu ni veprimtar, unë e kom pasë edhe ma afër sesa veprimtar. Ndalem këtu te udhëkryqi oshtʼ policia serbe. E panë se e kisha letërnjoftimin e Lupçit meniherë “Kako ti je UÇK, kako ti je…[srb.: Si e ke UÇK-në, si e ke…]” a din, si e ke si asi… e pashë që ma sʼmë ka mbetë me… edhe kom qenë në Mahallë të Muhaxherëve te ni motër kam ndejtë edhe deri me 4 prill ʻ99-tes. 4 prill kemi dalë në kufi atje te Hani i Elezit në Bllacë. Dy ditë kemi ndejtë po nuk e kena përjetu atë tmerrin që e kanë përjetu ni javë ditë pa u ndalë shirat.
Kom qenë dhetë ditë me ni kamp aty afër. Kanë ardhë mʼkanë thanë me shku dikund, kom thanë, “Jo”. Unë kisha ndërmend të shkoj kah Shqipëria. Ka ardhë nji ushtarak i lartë i NATO-s, ka bisedu për disa gjana, ia kom dhanë edhe ni adresë me kond tʼbisedoj, ia kom thanë edhe do sene që për fat të keq mʼkanë dalë qashtu. Se ai ka qenë epror i lartë ushtarak i NATO-s po francez. Rolin e Francës që e ka pasë, për këtë që oshtʼ sot Serbia.
Prej aty kom shku në Tetovë prej Tetove prapë me do lidhje kom shku në Dibër me qëllim me shku në Shqipëri. Po e kom pa që nuk kom pasë vend, do të thotë. Edhe meniherë mbas asaj jom kthye. Ia kom fillue punës prapë këtu…
Anita Susuri: Në çfarë gjendje e keni gjetë vendin kur jeni kthy? Thatë që ju ka djegë edhe shpija?
Ilaz Pireva: Po, po këtu prej shpisë time që ia ka nisë e kanë djegë edhe nja gjashë-shtatë shtëpi të tjera të lagjes. Qato që thashë kom jetu disa vjet me qira në Prishtinë. Kur jom ardhë tani për kryetar ka fundi jom kthye këtu. Qato që tʼthashë, kom bo tani dikur shtëpinë edhe tash po jetoj në Lupç të Poshtëm jo të poshtër (qeshë).
Anita Susuri: Tash jeni nʼpenzion mʼthatë…
Ilaz Pireva: Në penzion po, po bajagi gjatë. Bajagi gjatë. Po tash ajo, qajo solidariteti i familjes tonë tradicionale hala po funksionon. Unë tash me ju tʼrejave pak edhe me vajza tʼmija… na kemi zgjeru rrethin që edhe nëse tʼkom diçka nʼvijë tʼlargët tash po thojnë ofroje rrethin, ofroje, ofroje rrethin. Tash mʼu kujtu kur e kena miratu ligjin përkufizimi i definicionit çka oshtʼ familja e ngushtë, familja e ngushtë a din çka na del? Partneri, partnerja, gruaja, burri, nana, baba, fmija. Vëllau jo, motra jo mos tʼflasim për axhallarët e të tjerët për të tjerët.
Bile ju pata bo vrejte aty thashë, “Heqne bre qita partneri partnerja”, e kishin qitʼ para gruas, para burrit. Thashë, “Po përkthimi”, siç ishin plot përkthime të mrapshta… kështu që na e kena pasë atë përkufizimin e familjes bajagi gjon. Unë kom jetu me gjashtë halla, jom rritë në prehën tʼtyne. Jo të motrave po të hallave. Kena pasë edhe do plaka të tjera që sʼkanë pasë, ju thojshin, tʼafërmit e tyne ju kanë dalë në Turqi. Na i kena marrë. Se atëherë ka qenë rendi këtu te na dy herë nʼvjet mʼi marrë bijat. I kena marrë edhe ato. Ose për dasma, për kanagjegje diçka. I kena marrë edhe do tjera pos hallave se sʼi kanë pasë… edhe ato vi e largët.
Tash mʼthojnë prej kësaj çikës Afërditës, “Ajo kohë ka kalue”. Tash duhet domethonë mʼu përqëndrue afër, afër, afër. Unë kom thonë, jo bre rritne, rritne, rritne. Nji si përmbyllje se kur po shkruhet jo vetëm aty po edhe ma herët plot njerëz, unë sʼpo pajtohem kur po thojnë, “Jetës time sʼia kisha hjekë ni presje, ni pikë”. Unë i kisha hjekë plot presje, plot pika, plot fjalë, plot fjali, plot periudha, plot faqe me pa mujt ia kisha hjekë. Shyqyr domethonë jo pishmon ato që janë jo ato po do tjera mʼi pa pasë gërshanët nʼdorë tash i kisha hjekë plot. Kështu që sʼpo pajtohem me ta që po thojnë, “Sʼe kisha hjekë ni presje prej jetës time”. Jo valla e kisha hjekë, po sʼhiqen.
Anita Susuri: Mirë zoti Ilaz, faleminderit shumë për intervistën, për kohën!
Ilaz Pireva: Nuk di sa kam qenë, i sinqert dine që po, sa kom mbrri mʼi shkoqit ajo çashtje pak tjetër.
Anita Susuri: Faleminderit shumë!