Shaqir Gashi

Bloomfield, New Jersey | Date: 7 shkurt, 2015 | Duration: 127 minuta

 

Çka me bo, tek me bo? Nji ditë, une edhe Ramadan Xhema, thotë, ‘Dojna me bo diçka!’, ‘Çka me bo?’. Thotë, ‘Dojna me bo, me njoftë Kongresin Amerikan në Senatin se çka po ndodhë në demonstratat e ’81-shit në Kosovë’. Çka me ba tash, si me marrë? Ajo ishte ajo rinia kosovare n’mërgim, Taher Kërnanja n’atë kohë punojke n’do gjana n’tcilën kom pas respekt e kom pas nji bashkëpunim me to shumë t’madh. Na e murrëm disa kopje t’tijna edhe n’emën t’asajna, n’emën t’rinisë kosovare n’mërgim, shkum edhe i çum 500 telegrama – atëhere s’ka pas faks – 500 telegrama, 500 kongresmenave edhe 100 senatorave se t’u i’a shpjegu se po ndodhë nji gja e keqe në Kosovë. Jonë kah i torturojnë studentat, jonë kah i burgosin studentat e kshtu me rradhë. Edhe tash shkum te nji post office dikun kah Pesë Avenuja, unë edhe Ramadan Xhema, edhe shkum tash aty edhe ai ishte Irish n’atë postën atje. N’aso kohe irlandezët i bojshin demonstratat t’vetat, edhe ai gati na kuptojke se çka po ndodhë me neve, a din (buzëqeshë). Kshtu qi, tash me t’kallxue shuma sa na kushtun, noshta nuk osht’ mirë, po dikun kah 3500 a 4000 dollarë i pagum ata telegrama që i çum drejtpërdrejti kur kanë ardhë kongresmenat e senatorët, i kanë pas nëpër tavolina se çka po ndodhë n’Kosovë. Edhe une jom i bindun se prej asaj kohe që i kanë marrë ata telegrama, kanë fillu’ diçka ndryshe me menu për neve.


Anna Di Lellio (Intervistuesja), Sylejman Gashi (Intervistuesi), Qazim Doda (Kamera)

Shaqir Gashi lindi në shtator, 1936 në fshatin Vojnikë. Punonte si infermier para se të migronte në SHBA në vitin 1969 ku pat sukses si pronar restorantesh. U angazhua në organizimin e komunitetit shqiptar në SHBA me qëllim të lobimit për pavarësinë e Kosovës.

Shaqir Gashi

Fëmijëria

Unë e kom emnin Shaqir Gashi, kom lindë në fshatin Vojnikë. Fshati Vojnikë i takon Drenicës, e cila rrethekohet me fshatërat tjerë si për shembull, Brojën, Kopiliqin, Turiçevcin, Kllodarnicën dhe Izvicën. Kom lindë në 1936-tën, nana m’thojke se kom lindë, kom lindë atëhere kur e kena shkru’ nji arë t’madhe, ka kenë nji arë e madhe atje n’atë oborrin tonë edhe thotë që sigurisht kjo do t’jenë kah fundi i shtatorit 1936-tën.

Sulejman Gashi: Çka mban n’mend më shumë nga fëmijëria?

Shaqir Gashi: Nga fëmijëria shumë do gjana, n’qoftë se nuk i kom harrue, a din. Osht’ për shembull, une jom një gjeneratë e mas Luftës së Dytë Botnore, i maj ndërmend luftërat e Drenicës. I maj ndërmend… jo krejt, po i maj ndërmend që ata burrat e asaj kohe thoshin se po bahet nji luftë e madhe n’Drenicë, “Lufton Shaban Polluzha”, “Lufton Shaban Kotorri,” e tanë ishin t’angazhumë në Luftën e Drenicës. I maj n’mend n’ato fshatërat atje përtej katunit të Vojnikut, për shembull Tisa, ishte nji borë e madhe, m’kujtohen sikur sot ato fotografia t’atëhershit që kanë luftu, luftojshin ata luftarët e Shaban Polluzhës.

Sulejman Gashi: Familja juaj domethanë, si ishte n’fshat? A ishte familje e madhe me shumë tokë? Për babain tënd…

Shaqir Gashi: Familja ime ishte koxha shumë ishte e njoftun. E kishim nji odë aty që vijshin burrat e krejt… muj me thonë edhe Drenicës krejt, edhe ma larg se Drenicës. E kishim nji pasuni t’atëhershit që ishte koxha i njoftun babai im, po baba im ishte… n’atë kohë kishte marrë pjesë n’Luftën e Parë Botnore. Ka qenë ushtar atje n’Luftën e Dytë Botnore përplot 13 a 14 vjet qysh tregojke me ato vujtjet e asaj luftës t’atjehit. E tani kur ka ardhë anena kena fillue gjallninë qysh m’tregojke baba atje me to. Kena pas nja dhjetë hektar tokë, jena marrë me bujqësi ma s’shumti, edhe kena pas blegtari, kena pas dhenë e dhi e lopë e kualë. Për shembull, nji kual e ka pas axha im që e msojke me pi edhe duhan me to (qeshë).

Domethonë, ishte nji kënaqësi e madhe atëherë. Kali për shembull i thirrshin nëpër darsma, që lujke kali, kur shkojshin me marrë nusen, e t’gjitha ato tjerat m’kujtohen sikur sot.

Sulejman Gashi: Kur ke fillu’ shkollën?

Shaqir Gashi: Shkollën kom fillue, me siguri kom fillu’ shumë vonë se atëhere nuk e dijshin mas Luftës s’Dytë, me siguri i kom pas dhjetë, dy-tremdhetë vjet që nuk e maj n’men. Shkollën fillore e kom fillue në Turiqevc, msuesin e parë e kom pas Ahmet Mehën, Muharrem Shatrin e tani masanena erdhën edhe do msusa tjerë, kshtu qi ishte kënaqësi e madhe. Atëhere kisha nji çantë me libra, me fletore, me lapsa, ishte kënaqësi e madhe. Qaty ma s’pari kom msu’ gjuhën. Atje kom msu’ për shembull gërmen e parë. Ishte kënaqësi e madhe… kurrë nuk e harroj.

Sulejman Gashi: Me siguri ty t’kujtohet para se t’shkoje n’shkollë, ke pas, keni pas kafshë dele, lopë… A ke qenë çoban? A ju kujtohet?

Shaqir Gashi: Ah po po kom qenë nji kohë t’shkurtë, se kena pas afër pesëdhjetë kokrra dhi, dhenë, dele, edhe i çojshim nëpër male me kullotë. Edhe gzimin ma t’madh atëhere si çoban e kishum kur i prujshum dhitë e delet n’mëngjes i thojshum, n’mengjez i thojshum për me i pru’ anena. Ishte kënaqësi e madhe. E kishum tre-katër qenë që na i rujshin bagëtinë, edhe ka kenë shumë interesant ajo.

M’kujtohet sikur sot ishte punë e madhe… me pas, për shembull, pasuninë e madhe. Ata fshatarët tonë atje n’katun, ata ma s’shumti jonë marrë me blegtari, kanë pas dhi, dhenë, lopë, bullicat i kena pasë. E kështu me rradhë, ajo pasunia jonë, qajo ishte ma s’shumti. Edhe me bujqësi sigurisht, edhe me mjelljen e grurit, e t’misrit, e tonë atyne gjanave që u dufshin me….

Baba im edhe ne të gjithë merreshim ma s’shumti me bujqësi, me blegtari si thash edhe ma përpara, me dhi, me dele, me lopë, e me kualë, e me bullica m’kujtohet e tjerë. Shkolla fillore kur kom fillu’ atje si thash edhe ma përpara ishte nji kënaqësi e madhe, megjithëse ishum vanu’ atëhere. Populli nuk ka pas shkollë t’madhe, dikush përpara meje ndëgjojsha se kanë pas pasë nji shkollë atje që e kanë msu’ në gjuhën serbishte, kurse ne fillumë në gjuhën shqipe. Na erdhën do libra nga Shqipëria, kurrë nuk e harroj atë gzimin e madh t’atëhershit edhe kështu me rradhë fillojshum. Kshtu që shkollën fillore e kreva atje n’Turiqevc.

E tani masandena ishin do gjana tjera, ishin mundsitë, nuk ishin t’lehta po për neve ishte nji… nji fukarallak i madh, për arsye se n’aso kohe i lypshin edhe ato tepricat e ashtu qujtuna si višak që i qujshin ata serbët. U duhke me dhanë të tana gjanat, deri te voja, pula që e bon vonë u duhke me ia çue qeverisë t’atëhershme.

Kshtu qi, i maj ndërmend edhe ato vujtjet tona, fukarallakun tonë, se qysh fillum, filloi fukarallaku. Menihere kah ‘48-ta, ’49-ta po simbas kujtimeve t’mija, m’duket se viti ma i vshtirë ka qenë viti 1950, t’cilin asaj kohe e maj nërmend, sikur na fmitë ka dy-tre mujë ditë s’kena pasë bukë me ngranë. Por e maj n’mend që e bojshum bukën me lula t’dillit, vetëm e vetëm për me mujtë me qëndru’, me ekzistu’. Asaj kohe i kishum, e maj nërmen i kishum njo pesëdhetë kokrra dhi, tamël kishum boll. E marrshum kokrrat e kallamoqit, e bojshum tamël për me mujtë… edhe lulat e dillit i përzijshum për me mujtë me nejtë gjallë. Kshtu qi, ishte shumë e vshtirë ajo koha e atëhershit, tani ata na i morrën dhitë tona edhe n’atë kohë kurrë nuk e harroj, e kena pas dhitë shumë t’mdhaja, nji numër shumë t’madh t’dhive. E i çunë atje n’Mitrovicë e bojshin çka bojshin nuk e di, por neve na i murrën të tona dhitë edhe na lanë gati sakat pa pronë pa kurrgjo. U duhke me çu edhe mishin, u duhke me çu edhe vojën, edhe tlynin, e pulën, e… çfarëdo gjaje që e kena pas n’prodhim, t’prodhum n’bujqësi, u duhke me ia dorëzue shtetit t’atëhershëm.

Eh tash kujtimet e mija atje n’katun që t’thash përpara, osht’ aty katuni im aty Vojniku i ka pas dikun qysh thojshin atëhere, afër nji qind shpish. Por asht’ shumë interesant edhe asht’, edhe tham kto me bindje, se për shembull kanë kenë tona fiset n’atë katun, kanë kenë Gashi, Krasniqi, a Hoti, Berisha, Thaçi, të gjithë tjerët. Po osht’ shumë interesante që kurrë s’ka pasë ngatërresa n’mes veti. Për shembull kur dalshum n’bujqësi me i punu’ arat tona atje, e kena pa që e kanë pas njëfar zakoni u bojshin t’ashtuqujtun orët. U bojshum ka njizet, tridhetë vetë. Prej tri-katëdhetë vetë shkojshim nji ditë te njani, nji ditë te tjetri, ishte njifar kënaqësie e madhe, njifar lezeti i madh.

Tani për shembull, burrat e asaj kohe bisedojshin, me siguri bisedojshin nga ana e qeverisë, kur s’i kanë besu’ atje shtetit jugosllav. Mas Luftës së Dytë Botnore, pleqtë e asaj kohe ata gjithmonë menojshin se s’kanë me pas nji jetë t’gjatë. Për shembull… ishin do rregulla n’arat tona kur u bojshin, prashitshim kallamoqin t’ashtuqujtun, kishte lezet t’madh. Tani për shembull blegtorinë… kur shkojshim atje me çobanë e kena pas njifar tradite që e bojshim, i thojshim kulaçi. Kulaçi zakonisht u shtrojke diku kah shmitri kur ia u nalshum mëngjezin qi u duhke me çu bagëtinë gjithë ditën me kullotë, e atëhere ishte… e vjelshum atë tamlin e deleve edhe i përgatitshum ma t’omlën për dimën dikur. Ishte kënaqësi e madhe, tani për shembull, kulaçin sot e qitsha une, nesër e qitke Qazimi, nesra e qitke Hasani e kështu me rradhë e kishum një kënaqësi, një lezet t’madh. Për shembull,[i pakuptim.] nga pesë-gjashtë javë që shkojshum secili musafir te njoni-tjetër me pite, me pula, me tona gjellat e tona që i kena pasë, ishte lezet i madh.

Tashti për shembull m’kujtohet edhe ato… për shembull si çoban që m’pytët ma përpara, i kena pas do far lojnash atje, lujshum i thojshim ‘kliçkas’, ‘petas’, edhe i kishim do… Tani ishte ma interesante kjo ishte qi, i kena pas nji gjueti, kur shkojshum edhe ma t’mdhej se na që ishum t’ri, u matshin me atë gjueti, për shembull na e qujshum Sokol. Skyfteri vijke përmi atje nër neve edhe rrijke përmi, e zogu kur dojke me hi dikun nëpër ato therrat, ai hijke aty kshtu qi u tutke. Na shkojshum edhe i thojshum njoni-tjetrit “Lema mu tash,” na e gjujshum me gurë, ishin do zogjë koxha t’mdhaj. Kshtu qi ishte njifar hovi, njifar kënaqësie e madhe, interesant ka kenë.

Tani kur e marrke për shembull ai skyfteri, sokoli që i thojshum na, e marrke nji zog e nxajke ai vetë edhe e çojke n’atë zgordhën e vete, na e çujshum i thojshim, “Amanet, hajde apet!” “Amanet, hajde apet!”. A m’beson që ai sokoli, vijke meniher e fluturojke përmi neve. Ajo ka kenë një kënaqësi e madhe që kurrë s’mund t’a harroj. E kështu me rradhë kam pasë edhe shumë gjana tjera. Si t’them, për shembull nëpër fshatëra tjera, ana jonë që e majnë në mend, atëherë ma s’shumti qitash se përpara jonë marrë me bujqësi. E për shembull ishte ajo koha kur u majke krejt vera, e i bojshin ato darkat e Lamës që i thojshim edhe ajo ishte një kënaqësi e madhe. Tani për shembull vjeshta marrke diçka, po prujke edhe diçka tjetër, e kshtu qi u përgatitshim për dimën.

Për dimën ka qenë marifeti ma i madh që t’i bojsh drutë e dimnit, t’marrsh laknat me shti turshi, speca, edhe ai që e kishte mundësinë m’e pre nji pasthërm. Për shembull pasthërmja kur u prejke, na mujshim me e nda pasthërmen, e thirrshim tanë kojshitë, ishte lezet. Tani, masanena kur e honkdhim darkën lujshim kapuqas. Nis’shum me knu’ njoni-tjetrin. Ka kenë lezet i madh edhe me t’vërtetë kto s’mund t’i harroj kurrë.

Download PDF