Ramadan Gjeloshi

Stantërg | Date: 25 maj, 2021 | Duration: 136 minuta

U organizum me hi në grevën e dytë, ‘Ja m’i liru, ja gjallë nuk dalim. Gjallë nuk dalim!’ Me 27.10. ‘89-tën, po ‘89-tën, 27.10. ‘89-tën fillon greva e dytë. […] E të shkojmë t’i thejmë ato ormanat, i thomë, ‘Hajde shkojmë poshtë t’i thejmë ormanat’ janë konë do shkallë kështu anena, mos po gjojmë diçka. Kur jom shku kom gjetë ni killë, ni tegëll, tegëll p’e din kësi të xhamit, kryp edhe ni tegëll sheqer edhe u gëzum kur i gjetëm ata. Erdhëm përpjetë thom, ‘Djem gjetëm, qishtu qishtu’. Po pasha Zotin shpesh më bjen në mend, rrënqethna, trupi më rrënqethët si fëmija i vogël, ‘Qitma mu ma shumë, qitma mu ma shumë krypën’ {hap pëllëmbën e dorës}. Po qata na ka majt, krypa na ka majt neve aty, se u ligën gjinja, pa hongër pa pi, terr, ujë jo, ujë të maqinës me pi, të tokës a din. Edhe me qata kryp e kena majtë shpirtin tri ditë e tri netë deri…

E sa kena nejt na tash, në të dytën ditë na i bllokun telefonat, na i bllokun, kur dojshin me fol ata me neve, qeky Qazim Shala që vike me fol me neve, e çeli telefonin tha, ‘Unë e di sa vetë jeni, unë e di’ tha, ‘sa punëtorë jeni poshtë me emra, me mbiemra ja u kom gjetë dokumentacionin, jeni të përjashtum prej pune’. Islam Xhafa i tha, ‘O drejtor…’ se ai dajtë në Vidishiq, ky i Vidishiqit, ‘O dajë’ thotë, ‘lëshona ni thes bukë s’po lypim sen veç thatë’. ‘Për terrorista’ tha, ‘bukë s’ka’. 

[…] Osht’ ni shakt domethonë ni lift tjetër, gjermani që e ka maru ktyneherë, te Mazhiqi atje naltë osht’ {tregon me gisht majtas}. E thojshum mos po na lëshohen qaty, po dikush, ‘Jo u kalbë, jo i vjetër, u prishë’ a prej qatyhi policia na ka nxjerrë, prej qati shakti. Na mendojshim që i moçëm shumë, gjermani kur e ka maru ktyneherë.


ANITA SUSURI (INTERVISTUESJA), KORAB KRASNIQI (INTERVISTUESI), Besarta Breznica (KAMERA)

Ramadan Gjeloshi u lind më 1960, në Mitrovicë. Në vitin 1978, z. Gjeloshi ndërpreu shkollimin e mesëm dhe punësohet në minierën e thëngjillit në Sokobanjë, Serbi. Në vitin 1981, filloi të punoj në “Trepçë”. Në vitin 1989 arrestohet për shkak të hyrjes në grevën e dytë të minatorëve dhe pushohet nga puna. Gjatë viteve të ‘90-ta, së bashku më familjen largohet për në Gjermani. Në Kosovë kthehet në qershor të vitit 1999. Pas luftës ai e ka vazhduar punën në “Trepçë” ku është i angazhuar edhe sot. Sot, z. Gjeloshi së bashku me familjen e tij jeton në Mitrovicë.

Ramadan Gjeloshi

Pjesa e Parë

Anita Susuri: Nëse mundeni me u prezantu, me na tregu vitin e lindjes, diçka për familjen e juj, prejardhjen e juj?

Ramadan Gjeloshi: Unë jam Ramadan Gjeloshi, i lindun me 10. 3-tin, ‘60-tësh, kam lind në Mitrovicë. E prejardhjen e kem prej Çubrelit, nëse… Komunës, prej Drenice. Kështu që, na kemi lind të gjithë këtu, po plaku jem në atë kohë ka punu këtu në “Trepçë”, në “Trepçë” në atë kohë edhe na jemi rritë, jemi shkollu tre vllazni, tri motra.

Anita Susuri: Qysh ka ndodhë qajo ardhja prej Drenicës në Mitrovicë, për shkak të punës, a pse?

Ramadan Gjeloshi: Babgjyshi im, domethonë baba jem vet i dyti u konë, vllazni, babgjyshi në atë kohë i ka qitë në Mitrovicë, osht’ dalë, babgjyshi osht’ dalë në Mitrovicë në atë kohë në atë fshatin që jonë ardhë, aty i kanë ndërtu shpijat. E plaku jem u konë 18 vjeç në atë kohë, kur janë dalë, e mixha dymdhetë vjeç. Qysh ma ka, prej babgjyshit a din, qysh më ka tregu qysh jena dalë. Tani kur i ka bo baba jem 20 vjet u punësu si polic, në milici qysh me thonë, në atë kohë. 

E kanë çu prej Mitrovicë në Prishtinë, e ka kry nifarë trajnimi e prej aty e kishin çu në Prizeren, baba jem si i ri. Edhe ka punu dhetë vjet, mas dhetë vjete martohet atje me nonën teme. Edhe kështu që vijnë në Mitrovicë edhe kur vijnë në Birovë në atë kohë, tha, “Rroga e minatorit ka qenë shumë e madhe, sa tri rrogat e policisë” në atë kohë, në atë kohë. Edhe tha, “E vendosëm me ni shok me lëshu punën edhe u punësum në minierën e ‘Trepçës’” këtu në Staritërg.

Anita Susuri: Çka ka punu ai këtu?

Ramadan Gjeloshi: Ai ka punu xehëtar me kualifikim të naltë. Korridoret ne minierë i kanë çelë, këto korridoret, domethonë me kualifikim, u konë xehëtar i fortë. Edhe kështu që, ai ka punu deri në vitin ‘81-shin. Po, mas demostratav, une në atë periudhë, në atë kohë, shkova si i ri në Sokobanjë edhe i bonja nja dy vjet e gjysë punë, tani lypshin këtu punëtor me përvoj pune, 80 punëtorë në atë kohë. Edhe kështu që une kisha përvojë, i plotësova kushtet edhe baba më tha, “Me ardhë këtu në vend të meje me u punësu”. Kështu që, une këtu ‘81-shën në Staritërg jom punësu.

Anita Susuri: Kom dëgju që shpesh ka ndodh qekjo, e ka lonë punën gjyshi ose ndonji familjarë edhe e ka vazhdu dikush tjetër, a ka qenë gjithmonë kështu?

Ramadan Gjeloshi: Po, këtu në “Trepçë” ka qenë në kohën e ish-Jugosllavisë, besoj që atëherë kanë pasë qëllim Partia Komuniste, veç për në Staritërg ka qenë traditë baba u dalë, djali osht’ punësu. Kështu që, unë thashë në fund të ‘81-shës jom punësu në vend të babës. M’i ka dorëzu çelësat, ormonin [dollapin] krejt ato, u ngjit naltë ku jonë konë zyret u lajmëru edhe u dalë në pension. Kur u dalë baba në pension ja kanë dhonë tri rrogat e fundit, ni orë dore të shtrejtë bukur mirë. Nji dhuratë të arit kështu {tregon me duar madhësinë} kogja e madhe. Edhe tri rroga, po, tri rrogat e fundit ja kanë jep plakut tem në atë kohë.

Anita Susuri: Deshta m’u kthy pak kur jeni konë ma i ri, në fëmiri, baba juj njëherë ka punu si polic, pastaj në minierë, qysh ju ka dukë juve kur ka tregu ai për punën këtu, çka keni mendu për atë tregimin e tij, çka ka kallxu ai?

Ramadan Gjeloshi: Po ai ka thonë që, “Për shkak se unë isha prej Mitrovice me udhëtu në Prizren, domethonë larg, e dyta rroga, sa tri rrogat e policisë në atë kohë” tha, “jonë konë, domethonë ni rrogë e ‘Trepçës’”. Se nuk dojshin fort, i kanë ikë minierës në atë kohë, ka qenë fshtirë e sene. “Mu më konvenojke se edhe me ardhë te familja, te të shpisë, rrogat ma të mira domethonë” në atë kohë. Ai masi u dale në penzi dhetë vjet ka rrnu, ma shumë… 

Anita Susuri: E juve qysh po ju kujtohet, kur u kthy prej pune për shembull, a u konë ashtu zi, a janë pastru këtu a qysh? Qysh e kujtoni ju?

Ramadan Gjeloshi: Shpesh u la, u pastru në shpi a dinë, shpesh në shpi u pastru. Se s’u konë larg e sene. A, “Puna” tha, “u konë e fshtirë në atë kohë, mjetet jonë konë ma të dobëta, s’ka pasë tekninë”. Tregojke bile vena-vena me kolica qysh kanë bajt xehe, qaq jonë konë korridoret e ulta, nuk jonë konë qysh duhet edhe ka qenë fshtirë, tha, “Punë e rondë”. Po kadal-dalë tu u avansu e sene, tu pru makineri të reja ka vazhdu.

Anita Susuri: Sa horizonte kanë qenë atëherë? 

Ramadan Gjeloshi: Atëherë kanë qenë tetë horizonte, tetë. I nonti, i dheti edhe nimdhetë jonë çelë ma vonë, ma vonë.

Anita Susuri: Ju sigurisht fëmijërinë e keni kalu në Mitrovicë, qysh ju kujtohet qyteti i Mitrovicës, qysh ka qenë?

Ramadan Gjeloshi: Qyteti i Mitrovicës u konë vend industrial në atë kohë, ka qenë me ato të vjetrat. Domethonë, ka qenë xhamia matanë urës, tash nuk ekziston. Kjo xhamia ku u maru e re, aty ka qenë reka [srb.: lumi], qysh me thonë, lushta, i kemi thonë. U konë nifarë hijeshie, e pajshe ujët tu hecë e sene, e tash ka ndrru fort prej asaj kohe, nuk osht’ ajo domethonë. Ku o Ibri, aty ka qenë ni mulli e maj në menë si fëmi, që blujshin miell e sene aty, bash te ura aty ka qenë, ato si sot e mbaj në mend.

Anita Susuri: Çka ka pasë tjetër? Qyteti i Mitrovicës ka dallu pak ma shumë prej qyteteve tjera të Kosovës, u konë si ma i zhvillum. 

Ramadan Gjeloshi: U konë ma i zhvillum për shkak “Trepçës”, në Mitrovicë jonë konë fabrika e akumulatorave, u konë fabrika e plehrav. Une e maj në menë që ka niqin vagona të trenit i mushin akumulatora edhe shkrujke aty, “Po shkojnë për Rusi” thojshin. Domethonë, shitje qaq e madhe, 13 mijë e diçka punëtorë i ka pasë kombinati, 13 mijë e diçka punëtorë.   

Anita Susuri: A ju kujtohet diçka tjetër si fëmijë? Qysh e keni kalu kohën? 

Ramadan Gjeloshi: Unë e kom kry shkollën fillore në Mitrovicë, në shkollën “Avdulla Shabani”, nja pesë vjet. Prej aty tani dolëm në Shipol, se kur u çelë ky tunelli qaty e kom pasë shpinë në atë anë të tunellit bash ku osht’ ura qaty e kemë pasë shpinë, qaty kemi lindë, jemi rritë. Shkollën “Avdulla Shabani” pesë vjet e kom kry e prej aty dulëm në Shipol tani edhe vazhdova aty prej Shipolit erdhëm në teknikë vitin e parë. Gati e kom pasë me përfundu, ni shokë anena u punësu në Sokobanjë në Sërbi, isha i ri edhe më erdh mundësia vendosa e lashë shkollën shkova atje edhe u punësova.

Anita Susuri: Domethonë, ju vitin e dytë jeni largu… 

Ramadan Gjeloshi: Të parin, vitin e parë, në vitin e parë.

Anita Susuri: Qysh, qysh… a ka qenë për juve e fshtirë me marrë qet vendim?

Ramadan Gjeloshi: Po, si i ri… 

Anita Susuri: Qysh ka ardhë deri te qekjo?

Ramadan Gjeloshi: Ni shok, nejse edhe kojshi e kom pasë, ai shkoi u punësu atje. Erdh në pushim, thotë, “Po lypin punëtorë,” thotë, “edhe jonë kushtet e mira”. Tani po më spjegon edhe si i ri më lakmun do sene anena. Kushtet ishin ma ndryshe për neve të rive në Mitrovicë, kështu që vendosa me shku anena, e lëshova shkollën. As s’e ka ditë prindi, as kërkush në atë kohë, deri që kom lajmëru që jam në punë anej, qishtu.   

Anita Susuri: Ju s’ju keni lajmëru hiç kur keni shku?

Ramadan Gjeloshi: Jo, jo, jo, jo, se e lëshojsha shkollën e lëshova shkollën. Edhe i falenderona rahmetlisë, ktyneherë janë konë dhetë banka të kuqe të letrës, m’i lejke gjithmonë te kryt, thojke, “Për ni burek, për ni paqet duhan” se menojke që e pi duhanin, e m’i lejke, çdo mëngjes m’i lajke veç me kry shkollën. Ka pasë marak ai, po qe.

Anita Susuri: E qysh u konë qajo ditë që keni vendos me shku?

Ramadan Gjeloshi: Erdh në pushim, dulëm në Mitrovicë, ktyneherë jonë konë ndryshe jonë konë do soka [srb.: lëng] “Orangjada” ju thojshin, të vogla jonë konë. Edhe u ulëm nifarë veni p’e pijmë ka ni qasi soku. “Dan” thotë, “unë kom me shku edhe tri ditë, nxjerre letërnjoftimin edhe në dash me ardhë” thotë, “unë të garantoj për punë e për banim e për krejt ato edhe ja nisë punës meniherë”. Minierë e thëngjillit ka qenë, edhe ecëm.

Kështu që, jena konë gjashtë shiptarë atje, kena jetu mirë, jena konë në ni ve, e kena rujt njoni-tjetrin deri në ‘81-shin. Kur u bonën demonstratat ‘81-shin në Kosovë e vazhdum m’u ofru shansa knena me përvojë pune që u pranum edhe erdhëm këtu. Bedri Peci i Boletinit, une Ramadan Gjeloshi, u punësu Azem Azemi i Kqiqit, tash i ndjeri ka vdekë, erdhëm tre vetë edhe u punësum këtu, u kthym prej atje.

Anita Susuri: Ju i përmendët qato daljet me shoktë e juj e që keni pi langje, qysh u konë për të rinjtë jeta qatëherë, për juve? Qysh e keni kalu kohën? 

Ramadan Gjeloshi: U konë, nuk ka pasë kështu, s’di qysh me thonë, u konë ma kënaqësi, a din, se tash, se në atë kohë na as s’kena menu politikë, as anena kësi gjanash që janë bo, rrallë, s’ka pasë, s’kemi dëgju as s’kena pasë telefona me ni si tash çka po bohet në Ferizaj, çka po bohet në Prishtinë, pa informim. 

Anita Susuri: Qysh p’i bjen viti në shkollë të mesme kur keni qenë, vitet ‘70… e… 

Ramadan Gjeloshi: ‘78… 

Anita Susuri: Domethonë, ka qenë situata pak ma e mirë?

Ramadan Gjeloshi: Ma, ma… po, atëherë s’ka pasë, s’ka pasë kësi…   

Anita Susuri: E a keni pasë atëherë për shembull ndonjë aktivitet kulturor ose prej shkollës ose vet që keni shku?

Ramadan Gjeloshi: Po, po, atëherë ka pasë, ktyneherë u majshin nëpër shkolla koncerte, programe, shkojshim nëpër shkolla në Zveçan, në shkollë të Shipolit, u majshin do programe si fëmijë që i kqyrshim e sene. 

Anita Susuri: Si të ri a keni dalë dikun, me çka jeni marrë? 

Ramadan Gjeloshi: Nejse në atë kohën, në atë kohë unë pak kom ushtru edhe boksin e kom pasë kështu a din të mirë. Në atë kohë u konë Lah Nimani, Sefedin Braha edhe kështu që jom mirë pak me ato senet, kalum anena u punësum edhe i lamë ato sene. Në atë kohë si i ri. 

Anita Susuri: Kur jeni nisë me shku për në Sërbi a ka qenë qajo hera e parë që keni udhëtu jashtë Kosovës?

Ramadan Gjeloshi: E para herë.

Anita Susuri: Qysh ju ka dok ai udhëtim? Me tren jeni shku?

Ramadan Gjeloshi: Jo, me autobus. Mitrovicë-Prishtinë, prej Prishtinë u konë autobusi për Nishë, prej Nishe e kapërcejshim Aleksinacin, Sokobanja.

Anita Susuri: Qysh tu ka dok krejt qajo rrugë?

Ramadan Gjeloshi: S’dishe ka po shkon, ai shoku e dike e sene, a une s’disha, i ri. E shkum aty, kur shkum ish konë banesa e mirë, flejtum te ata. Nesrit në mëngjes që pushum atë natë, më lajmrun te ai drejtori, ai drejtori ka qenë slloven aty ka qenë. E kështu që, na ka mbrojt neve shiptarëve fort, u dike aty, kush ka menu që vjen kjo koha kështu, ai qysh atëherë na majke ngat fort diqysh. 

Anita Susuri: Ju a keni konkuru a veç keni shku?

Ramadan Gjeloshi: Une shkova në bazë tina se tha, “Po marrin punëtorë”. Ai më ka lajmëru te drejtori, “Ka ardhë ni punëtor i ri, qeshtu anej-knej”. Edhe shkum bashkë aty, “Ama letërnjoftimin, duhesh me u bo banor i ktyhit”, se edhe banor i atyhit u dasht me bo edhe me fillu punën. Kështu që, mrena dy ditëve-tri sa kom pushu, meniherë ja kom nisë punës.  

Anita Susuri: Qysh u konë puna?

Ramadan Gjeloshi: Puna u konë e fshtirë atje, puna e fshtirë, thëngjill, pluhën, na të ri s’kena mendu ma larg, kemi punu anej deri që më erdh mu thirrja për ushtri në atë kohë, se si banor i atjehit. Më erdh thirrja me shku ushtar edhe prej atjehit jom shku për Pirot, Pirot, masi që e kreva ushtrinë u ktheva, kom punu edhe gjashtë-shtatë mujë, s’di. Tani plaku këtu dilke në pension më thirri edhe vendosëm.  

Anita Susuri: Sa keni jetu atje në Sërbi, a keni vërejt naj dallim edhe qysh ju kanë trajtu? 

Ramadan Gjeloshi: Atje, atje si të ri sen s’ka pasë, sikur në Mitrovicë qitu, kush me na kqyrë… vishin prej sindikatit tonë atëherë, “Trepça” bike punëtorë aty, se janë ato banjat për frymë, për astme, për tona llojet njeriu që… eshnat, ka pasë aty edhe vishin prej ktyhit, jom zatet me shumë punëtorë të ktyhit. Masi që jom punësu më kanë njoft, a din. E vishin atje, s’ka pasë sen në atë kohë. Domethonë jemi shku nëpër muzika në mramje të tyne, jemi dalë, jemi shëtitë, kush s’na ka ofendu, kush a din, bile s’di qysh me të thonë, me ni fjalë a din jena konë, na dojshin, a din në atë aspektin të ritë  edhe në punë atje ku jena konë.

Anita Susuri: Qato deshta me ju vet, ju thatë që nuk keni dalë shumë mramje, ndoshta atje ka pasë ma jetë të natës, ma gjallni…  

Ramadan Gjeloshi: Atje po, atje po, çdo aksham që ishum, të lirë që e kishum u tubojshim ton’, ka dy dalshim anena.

Anita Susuri: Komunikimi me familjen qysh ka qenë?

Ramadan Gjeloshi: Kurqysh, veç kur vishim, s’kemi pasë as telefon as kurgjo anena, vetëm kur vishum kështu në pushim. Ka bo vaki i kena hypë  kerrit, i kena hypë  kerrit të shtunën, e kena pasë shtune, dille pushim, si jena dalë prej të parës jena ardhë për ni ditë dy e jena kthy.

[Këtu ndërprehet intervista]

Anita Susuri: Kur jeni ardhë këtu tash, a ka pasë naj ndryshim në jetën se qysh e keni vazhdu? A e vrejshit naj dallim?

Ramadan Gjeloshi: Jo, jo, se këtu erdha në shpi, që thojnë në familje teme. Erdhëm edhe me ata tre shokë që kishum nejt bashkë atje. E kështu që unë fortë s’i njofsha tjerët, me këta tre që erdhëm prej atjehit kështu me ata vazhdum shoqninë. Edhe punojshim këtu edhe dalshum në mramje, kështu që me ni fjalë u gëzum që erdhëm te familjet, ngat familjes.  

Anita Susuri: Sa shpesh vishit?

Ramadan Gjeloshi: Valla, çdo mujë vishum, premte si dalshum prej të parit ndrrim, shtune, dille pushim, mramje u kthejshum dillën. Për ni natë ka bo vaki me ardhë. Në kohën kur kanë qenë demostratat unë atje jom konë.

Anita Susuri: Në vitin ‘81?

Ramadan Gjeloshi: ‘81, po ‘81-shin. Edhe ishum në parin ndrrim me nifarë Azem Azemi, ai prej Kqiqi, bile ka vdekë qe nja pesë-gjashtë mujë. Edhe kur vijmë ku banojshum na, katër milicë vishin dej atu edhe u kthejshin, na u nalëm prej s’largti edhe p’i kqyrim, thojsha atyne shokëve na shiptarë që jena konë, “Diçka koka bo”, se s’dishim na, a din që jonë demonstratat, në mëngjes që kishin fillu, na atje në punë në parin ndrrim. 

Kur po vijmë ishin tubu krejt këta tonët çka ishin shiptarë me ni dhomë, e kishin marrë  televizorin e kishin lëshu. Kurrë s’e harroj, Fadil Hoxha ish konë t’u folë, thojke, “Bira e minit, treqind qese”. Si sot më kujtohet. E ish konë qaty e kena nxonë , “Çka ka të re?” “Po thojnë demostrata në Kosovë”. Tani e ditëm çka osht’ tu u bo këtu.

Anita Susuri: A u vërejt naj dallim atje për shembull… 

Ramadan Gjeloshi: Policia e rujke tani ndërtesën, domethonë përjashtë. Neve me na folë jo, as kurgjo, veç e rujke. E kanë pasë si patrullim atë ndërtesë e rujke edhe na atë natë s’dulëm hiç, veç lajme t’u kqyrë  ça u bo Podujevë, Mitrovicë, tani jepshin lajmet anena. E unë atje kom qëllu mas tri dite, dy dite kena lypë me shku te drejtori. Thashë, “Dojna me shku në shpi me kqyrë ça ka”, tha, “Thirrmi krejt”. Jena shku shiptartë tha, “Kqyre asnjo s’bon me shku pa e ditë unë edhe niherë nuk o situata me shku ju anena”. S’na ka leju. 

Po une, qeky Azem Azemi edhe Mujë Istrefi i Bajgorës u bonëm bashkë na tre e kena ble ni kerr, se ai e kish lejen, u bonëm bashkë edhe me regjistrim Zajeçarit, në atë kohë regjistrimi. Edhe i kena hypë  kerrit domethonë na tre edhe jemi ardhë. Kur jena ardhë në Podujevë, plot tuba milici. Banane nëpër tokë, e kena çelë vet derën edhe kena marrë  tubën me banane prej toke. S’dishum, s’ishum konë këtu me ditë çka o. Regjistrimi Zajeçar i Sërbisë në atë kohë kanë menu që jem a din, mendja tyne edhe dulëm prej qytetit Podujevës e vazhdum në Prishtinë.

Anita Susuri: E bananet çka?

Ramadan Gjeloshi: Që i kishun gju demostrusët, a din hala kish pasë në tokë banane, a din kështu sene, tu shku tollovi në demostrata. Edhe jemi shku naltë ku u konë ushtria për Mitrovicë drejtimin, aty na kanë nalë. Edhe na… “Qitni durët përpjetë!” Na kanë kontrollu, “Dokumentat”, jo i tha Mujës, “Çele gepekun”, po ai sërbi që e ka ble kerrin e kish pasë ni sanak, kësi qysh me ta spjegu me mina, ai sanaku, ç’a po di unë, amo aty shrafcigera, kësi dana, a din halete të kerrit, të punës, ai e kish lonë. E kur e kanë pa atë sanakun neve na shtren për toke, na s’dishum sen, s’dishum as mu tut se dishum. Kur e çelin e kqyrin sanakun halete e sene. “Ku jeni konë?” “Në Sokobanjë na punojmë”. “Ka po shkoni?” “Po shkojmë në shpi”. I murën, i verifikun dokumentat ato, na lëshun. Nesrit në aksham u kthym.

Anita Susuri: E kur jeni kthy tani ma vonë… 

Ramadan Gjeloshi: Mramje, jo kush s’na ka nalë, ku me ditë në sy tabelat, a ku me ditë. Ato s’e harroj kurrë. Më pa baba, rahmet i paste shpirti, më panë vllaznia, “A je tranu, qysh me ardhë në këtë gjendje?” Se u konë si orë policore më doket. S’dalshin, si ma rrallë, e mramje mo hiç.

Korab Krasniqi: Juve ju ka interesu çka ka ndodh këtu?

Ramadan Gjeloshi: Po neve na interesoj se edhe familjen e sene ça po bohet, se s’dishum na, pa informatë sen.

Korab Krasniqi: Të familjes juj a kishin dalë?

Ramadan Gjeloshi: Po, po, krejt familja. Sidomos Shipoli u konë për këto punë (qeshë) e para.

Anita Susuri: Çka kallxojshin ata, çka kanë pa?

Ramadan Gjeloshi: “Jemi dalë anena”, qishtu. S’më ka ra shumë a din, qat’ natë, nesrit mramje na u kthym, u kthym veç na interesojke situata në atë kohë. 

Anita Susuri: Tani a ndryshoj qasja se u acaru pak gjendja edhe mardhanjet mes serbëve dhe shiptarëve, e ndaj juve atje a ka ndryshu diçka?

Ramadan Gjeloshi: Jo, jo.

Anita Susuri: Qysh u sillshin?

Ramadan Gjeloshi: Jo atje, anena, po policia gjithmonë u konë në vëzhgim ku banojshim na shiptartë, gjithë u konë në vëzhgim, e kështu që s’kena pasë, a din, sikur tash që jena krejt punëtorët, s’folshim aty, as anena. E kështu që vazhdova punën gjashtë-shtatë mujë sa i ra s’po di, ‘81-shën, atje qëllova domethonë këtu u punësum as dy mujë, as tre mujë si ra, erdha këtu në Kosovë. 

Anita Susuri: Kur pi bjen, cili mujë? 

Ramadan Gjeloshi: Jo valla, më doket dhetin mujë a nimdhetin, para vitit të ri u konë, po para vitit të ri. Nimdhetin mujë, a dhetin e di që jena punësu. “Trepça” i merrke 80 punëtorë edhe me përvojë pune.

Anita Susuri: E qysh u bo që e more qat’ vendim, a t’u dok që mo s’ka m’u bo me punu atje, a që është ma afër?

Ramadan Gjeloshi: Jo, na u gëzum në nji aspekt se ish ngat familja, me ardhë këtu, larg e sene. Kështu që, u gëzum në atë aspektin. Edhe baba dilke në pension, në vend tina hisha. E disha që këtu ishin të ardhunat, rrogat ma të mira e sene, ma ndryshe.  

Anita Susuri: A të ka ardhë mërzi me punu, se tu e ditë edhe baba çfarë pune e ka pasë, që të pret qajo?

Ramadan Gjeloshi: Jo, jo, se isha mësu une atje, atje u konë puna ma e rondë, kur kom ardhë këtu u konë ma e lehtë. Se atje nuk u përdorë duhani në minierë hiç, ka pasë gazna atje, do sene jonë konë ma ndryshe. A këtu m’u ka dokë si përjashtë që punon njeri. Kur jom punësu në Staritërg në atë kohë m’u ka dokë sikur me punu jashtë. E sot e shohin për shembull, jam t’u fol këta të rijtë që janë punësue, “A rrezik, e kështu e…” une andërr e shoh se jom mësu poshtë, ma kom qef me punu poshtë se përjashtë, diçka s’di. 

Anita Susuri: Deshta me ju pyt për diçka ma personale, për kohën kur jeni martu, a ka ndodhë  masi jeni kthy këtu a qysh?

Ramadan Gjeloshi: Këtu. Une ‘81-shën jom feju kur jom konë, domethonë sa i ka ra katër-pesë mujë, tani erdha këtu në punë kështu që me 10. 10, me 10. 10 ‘82-tën jom martu (buzëqesh).

Anita Susuri: A ka qenë kështu njoftim… 

Ramadan Gjeloshi: Familjarë, familjarë. Se vllai e ka pasë ato… si baxhanak dy vlla, dy motra e kështu.

Anita Susuri: E tash puna juj këtu në “Trepçë” qysh ka vazhdu, a e keni vazhdu të ngjashme punën? Thatë që atje ka qenë ma fshtirë, po këtu si ka vazhdu pastaj?

Ramadan Gjeloshi: Këtu erdha si punëtor anena, më lajmrun, mbikëqyrësi ma dha me shku në maqinë me shpumje {përshkruan me duar} me nifarë Fejza Halilin prej Bistrice, ai sot osht’ në Suedi, mas demostratave ka ikë, jeton atje me familje. E me to, ai ka qenë i moçëm në atë kohë, nejse ma i vjetër se unë amo i ri. Me to ja kom nisë në maqinë me punu, masanej kom punu nja ni javë ditë me to, me ni tjetër minator apet.

[Këtu ndërprehet intervista]

Anita Susuri: Ket t’u folë për punën e juj këtu qysh ka vazhdu.

Ramadan Gjeloshi: Edhe më pëlqejke kur hypshëm që e rrëxojshum na xehen, u dufke me hypë  nalt mi xehe me shpu tavanin, e ai që punojke në atë lloderin {shpjegon me duar} u dufke me hypë  në to edhe e ngarkon, shkon e zhbraz, më pëlqejke ai, a din me punu me to. M’u doke interesant edhe ma kollajshëm. Kështu që, vendosa me shku në qat’ profesion edhe e mora vendimin për atë lloderin. Kështu që, unë prej fillimit e deri që na kanë qit pi pune, domethonë une kom punu në lloder. Ngarkues mekanik kam qenë në çdo punishtë, në vende ma të rrezikume ku janë majtë, unë aty jom konë edhe drejtorat. Se s’kom pritu m’i ikë punës, s’kom pritu në atë formë.

Anita Susuri: Qysh o ndjenja kur e merr xehen, kur e gjen, e sheh xehen që ka dalë?

Ramadan Gjeloshi: Mirë osht’, ajo osht’ hjeshi se… une po të thom që ondërr e shoh, se tash prej mas lufte jam përjashtë, une ondërr e shoh në minierë poshtë me punu, s’di. Dikush a din i ka ikë, a une jo.

Anita Susuri: E qysh e vëren që xehja po del?

Ramadan Gjeloshi: Shpimin e bojna {përshkruan me duar} këtu, edhe tash shkojna domethonë katër metra naltësi, shkojna tu shpu, tu shpu, ajo xehja, në fund ai ngarkuesi mekanik e merr qata xehën e gjun në pintë si bunar që i thojmë, e ai vjen me llokomotivë, me vagoneta, e çelë atë derën edhe e merr e mbush. E çon në pintën kryesore të minierës e të krejt horizontit bijnë në nji vend, e prej atyhit tani skipi që osht’ del përjashtë. Katër tona e gjysë i ka ni skip, kur del përjashtë prej atyhit shkon në fllotacion, me qat’ skip del përjashtë krejt xehja që u grumbullu prej krejt horizontit edhe shkon në fllotacion. 

Korab Krasniqi: E në fllotacion çka ndodh?

Ramadan Gjeloshi: Në fllotacion aty kur shkon, aty osht’ bluarja edhe bjen koncentrati, plumbi ndahet edhe për shkak që se kem shkritoren që na ka met anena tjerat metale s’mujna m’i nxjerrë. Qajo ma së keqti.  

Anita Susuri: Tash qysh e di une edhe i dymdheti horizont osht’ i mbusht me xehe, a osht’ qashtu?

Ramadan Gjeloshi: Jo, i nimdheti, kur u çelë i nimdheti horizont janë shku… eh, ato s’e kanë punu shiptartë po i kanë pagu çekët e Çekisë edhe e kanë bo shpimin drejt  teposhtë me çelë shaktin lifti që lëshohet {bën sikur lëshon diçka prej dore}, domethonë ma së pari.

Anita Susuri: Në cilin vit u bo qekjo?

Ramadan Gjeloshi: Kjo u konë pa hi në punë unë, plaku më ka kallxu, pa hi në pune. Edhe tash jonë shku në nivel me deti, a po kupton. Domethonë, i nimdheti horizont, u bo shpumja teposhtë, që duhet me shku 60 metra trashësia s’kanë guxu me shku se janë shku në nivel me detin, po. E tash vetëm i nimdheti horizont punohet, dheti, nonti {ngrit dorën gradualisht} e përpjetë, niherë ato janë nalë . 

Anita Susuri: A ju ka ndodhë  juve ndonji aksident?

Ramadan Gjeloshi: Jo, kurrë, as babës qashtu, babës niherë ni gisht ju ka vra, kurrë s’ka ndodhë.

Anita Susuri: E ju, a e keni pa dikon?

Ramadan Gjeloshi: Po, po, tre vetë me durë  të mia i kam nxjerrë  të vdekun.

Anita Susuri: Qysh ka ndodhë  qajo, edhe qysh ka ndiku te ju qajo?

Ramadan Gjeloshi: Dhimbje normal, shokë. Bile njo i Kqiqit veç sa e patën martu as tre mujë, nifarë Gëzimi. Djalë i mirë, i hjeshëm, i ri, i urtë, punëtor. Punishtja qysh osht’ {përshkruan me duar} si kjo diku, si dhoma, ky zidi [srb.: muri] për shembull mu rrëzu e ka nxonë, e ka nxonë  Gëzimin prej Kqiqi, Qamilin prej Vllahije, dy këta. Edhe e kena minu atë bllokun për me i nxjerrë ata dy. Domethonë në atë kohë u konë drejtor Shyqyri Kelmendi që u zgedh në bord. 

E ka nxonë edhe lloderin krejt edhe ai, dytë, i ka bo {vendos njërën dorë mbi tjetrën} pak si rondë. Edhe kena minu jo kështu me të madhe poshtë municion, po ka ni vrimë të vogël u dashtë do munici me shti me hekë ato pjesë-pjesë që me shku dej te ata, a din, që mos m’i dëmtu edhe ata. A din, kanë vdekë, po mos me dëmtu trupin e tyne edhe i kemi nxjerrë.

Të tretin, u konë Veli Bajgora ai ka punu në filling [nga eng.: mbush] i thojshin, do mbushje të horizontit, të punishtav, ato e kom nxjerrë me durë të mia edhe ato e kom nxjerrë. E ai u konë t’u punu më skiper tu e ngreh dheun {shpjegon me duar}, se lëshojshin dhe prej naltshit për me mushë tash punishten, kur mushet qekjo punishte kryhet, shkon deri në ni metër në tavan, tash prej atyhit vazhdohet përpjetë me hjekë xehen, a po kupton? 

E tash, ai tu punu me atë skiperin, skiper i kanë thonë se osht’ me sajlla ajo luga që i ngrehë e ka hetu që po don me ra, e kish pasë komën e djathtë përpara {përshkruan pozitën}, të majtën, edhe dorën që i ka dhonë zor m’u çu me ikë, veç e kish palu. Interesant me çekiq me qet Shyqyri Sadikun që osht’, se ky u hi vonë në punë, parën ditë kur u hi në minierë punëtor i jemi u konë qeky Shyqyri Sadiku. 

Edhe jom konë me ni minator Izet Cërnushën prej Zaselle, ma ka bo, “Dan, merre çekiqin e madh”. Se tjetër punishte u konë e ka nxonë Shyqën t’u kajt, se i ri ishte atëherë. E kom marrë çekiqin, thash çka pi vynë edhe unë s’disha. Kur shkum domethonë qekaq rrasë e trash {hap duart për të treguar madhësinë}, a din muri që thojnë rrasë, po edhe dy herë qekaq sa qekjo dhoma dhe ai aty. Tash ai ndihmësi i tij që ish konë aty kish pshtu, nifarë Zeka i Kovaqicës edhe kajke. “Ku jeni konë Zeqë ulun?” “Jo qetu, jo qetu”. Mi atë bllokun, s’dike, kish hupë njeri.

“Çone teposhtë”. Ai Izeti punëtor i moçëm, “Dan”, tha, “na duhet vetëm me çekiq këtë rrasë”. Nafaka e hollë, e tu i mshu, ka ni copë tu e thy e deri te gjojmë. Kur jena shku e kena gjetë, s’kom mujt mo me i ra me çekiq se ata fillingu dheu i butë me kaci, lopatë apo shati u duftë me ia liru trupin me bllok, tu e nxjerrë me ja liru krytë e me nxjerrë. Asni kund të vramë, as ni pikë gjak s’e ka pasë, se ai dheu i butë, veç e ka palu, interesant edhe tonë çuditën. 

Anita Susuri: Ja ka zonë frymën.

Ramadan Gjeloshi: Po, po, veç {bën sikur hedh diçka me dy duar}. Kjo ka ndodhë edhe… 

Anita Susuri: E qysh ndikon te ju tani qekjo, a ju hupke vullneti për punë a… ? 

Ramadan Gjeloshi: Une jom konë, une jom konë në të parin ndrrim, e kemi lidhë me ato skele, osht’ ajo që lshohet. E kemi lidhë xhenazën, nejse të tina, e kemi lidhë me konop e kemi lëshu nëpër, ku hypëm na në shkallë, s’ke mujtë ndryshe edhe tu e lëshu e kemi lëshu në drejtim të llokomotivës. Ky shakti u konë i prisht në atë kohë, osht’ tjetri shakt e kemi qit’ atje edhe e kemi qit’ përjashtë.

Korab Krasniqi: Qysh osht atmosfera ndërmjet juve kolegëve kur ndodhin aksidente të tilla? A munësh me përshkru për shembull qat’ ditë kur ka ndodhë nji aksident i llojit të tillë qysh u konë disponimi, çka jonë konë muhabetet?

Ramadan Gjeloshi: Dhimbje, qetësi…

Korab Krasniqi: Në shpi?

Ramadan Gjeloshi: Unë s’pata shku në shpi deri në 9:00 të natës, ishin bo marak familja, ko kish lajmëru televizioni që u myt ni minator. Tani njonit i thashë , “Ti shko në shpi unë s’vi pa e nxjerrë krejt. Tregoju që mirë jom, tu u munu me nxjerrë atë njerin”.

Korab Krasniqi: Qeto raste kur jonë qishtu, qysh ndihet familja juj?

Ramadan Gjeloshi: Shumë ronë, familja po, a na jena mësu, interesant. 

Korab Krasniqi: Kur ndodhin kësi raste me siguri shoqja juj e fëmitë brengosen.

Ramadan Gjeloshi: Shumë, shumë. Familja po, familja po, dhimbje kanë ata që s’punojnë, se na jena mësu aty. Shohim ditë për ditë e vret dikush dorën, dikush komën, dikush thymje, a din ndodhin këto sene.

Korab Krasniqi: E a ka naj protokoll për kujdes qysh me bo, qysh me bo kujdes minatorët kur hijnë aty, cilat janë qato?

Ramadan Gjeloshi: Po, po, osht’ aty minatori me kualifikim të naltë, ai e ka ato kur bohet, e dhezin poshtë tash, treti ndrrim që u dalë, na jena ardhë të parin sot, e ka bo minimin. Po minatori duhet me hypë naltë, me hekë xehen e ka shtangun, ndihmësin, duhet me i rrëxu ato copa, ato ka janë metë  kacavjerrët që thojnë edhe me pastru. I mshon {përshkruan me duar} qet’ xhixhë domethonë tavani, xhixhë osht’ domethonë plumb i fortë, kur bon, a din, gumon kështu kup-kup-kup {onomatope}, duhet me ja gjetë venin, vrimën për me hekë qat pjesë. Po ato sene…

Korab Krasniqi: Se ka lluft.

Ramadan Gjeloshi: Po lluft, e qashtu, qashtu. Kështu që… {ngrit duart} 

Anita Susuri: E deshta me ju pytë, a ka njerëz të caktum që veprojnë, që janë të zgjedhun për kësi raste? 

Ramadan Gjeloshi: Po osht’ çeta e shpëtimit këtu, janë të trajnum, janë punëtor edhe i kanë me mjete, me tona edhe qishtu. Zoti na rujtë naj kallje minierës a najçka ata duhet me nga meniherë.

Pjesa e Dytë

Anita Susuri: Në “Trepçë” domethonë keni ardhë në vitin ‘81 kur situata ka qenë ma e vështirësume sa i përket politikës po du me thonë, po qysh u konë këtu atmosfera në “Trepçë” se kanë qenë atëherë ato parollat “Trepça punon, Beogradi ndërton” A e ndishit ju këtë send edhe çka ka qenë mendimi juj për atë punë?  

Ramadan Gjeloshi: Ajo u konë thuja mas marshimit a dinë, Aziz Abrashi ka qenë këtu drejtor menaxher i krejt kombinatit, Burhan Kavaja ka qenë drejtor këtu edhe na s’kena ditë përpara. Na e kena marr qishtu u konë ni fletë {ngrit fletën e bardhë}, e vizatume, kutlaç a qysh i thojnë, me nifarë luge e kuqe, bajagi si, që kena punu te Zveçani ato. Edhe unë e kom pasë këtu në fund të ardhunat e mia domethonë, pe lo 300 euro sot, me dinar anena kom harru, 300 euro, tjetër s’kena pasë të dhanë sa punojmë, sa marrum. 

Po kur ka ardhë Aziz Abrashi ai ka qenë kryetar i Këshillit Ekzekutiv në atë kohë edhe u ardhë këtu si menaxher edhe e ka pa situatën çfarë pune po bohet këtu. Edhe ka thonë, “Jo duhet me ja u qit listën se po folët”, që e thatë atë fjalën, “Trepça punon, Beogradi ndërton”. Thotë, “Me i kqyrë gjithkush sa fiton”, ato neto, “me ditë ku po nalet rroga juve”. Edhe na i qiti do lista qekaq {tregon me duar madhësinë}. Shkrujke aty naltë, “Për Jugosllavi ‘Trepça’ që e jep kontributin, për ushtri të Jugosllavisë, kontributin…” shkrujke tani për erënat këto klimatike, qekaq ndalesa. 

Une e kisha sikur me thonë dy mijë euro rrogën, këtu tash ma qitke dy mijë, a merr vesh e që thashë kom ardhë në 300, që si kom ditë ato tjerat ka jonë shku. Edhe shkojke vijë për Sërbi, jonë konë ato tjerat për Sërbi, sigurime ça po di une, për urë, për anena, vijë, kur visha në fund rroga jeme 300, sikur me thonë 300 euro a 320 a, a din me dinar tash s’po muj me ja qëllu, se kom harru. Edhe kur e pamë që unë çka punoj, ku më shkojnë paret, a une i marr veç 300 euro, kjo veç hini mes punëtorëve, hini ajo, “Ça me bo, qysh me nalë punën?” Ata ja nisën tjera sene politikë. Edhe kështu që, erdh deri te marshimi i parë që shkum për Prishtinë, që kështu s’bon mo. Edhe plus ata gjetën gjintë e vet në atë kohë, Hysamedin Azemin, e gjetën Rrahman Morinën, e gjetën… 

Anita Susuri: Ali Shukrinë.

Ramadan Gjeloshi: Ali Shukrinë, se i kom harru, më fal. Kështu që, në atë kohë dolën këta tre gjinë e dhanë që thojnë atë kulmin, “Trepça punon, Beogradi ndërtohet”. Edhe kështu që u bo boll edhe poplli veç nisi, “Çka do të bahet, jo ni nen po hekët, po na hekin, po jesum me Sërbi”. Këto tjerat republika veç anej, folshin mu da, folshin a din ça nijshëm në bazë lajmeve. Edhe këtu e nisëm ni organizim, këtu me shokë u bonëm bashkë me çdo ndrrim, a din, jo bashkë krejt tonë m’u tubu po gjithkush me ndrrimin e vet, se jena konë na, këtu jonë konë katër ndrrime. 

I pesti u konë gjithë pushim, dy ditë në të parën, dy ditë të dytën, dy ditë në të tretën, e domethonë ni ndrrim u konë gjithmonë në pushim dy ditë. U konë shoqni e madhe, nji mijë e kusur punëtorë edhe vendosëm me shku për Prishtinë. U organizum i morëm flamujt në atë kohë, nejse të “Trepçës” e ish në atë kohë të Jugosllavisë, flamuri i punëtorëve, syretin e Titos, ka ekzistu në atë kohë Tita, s’ke pasë.

E sot ça menoj e s’më heket prej menëve jonë konë, ka pasë sërbë këtu e u konë njo që s’ka ditë hiç shqip, thojke, “Çka o puna? Çka po bohet këtu?” I kanë thonë, “Po bohet, po shkojna për Prishtinë se s’po na i rritin rrogat”. Mustafë Baraliu i Koprivës, ka vdekë edhe ai person edhe ai i pari, “Daj mi…” [srb.: Ma jep] nejse s’po foli sërbisht, thotë, “Ama fotografinë e Titës përpara”. Tani ja nisëm teposhtë për Prishtinë.

Kur jena shku te fabrika e akumullatorav, domethonë kho, na kanë pa punëtorët e fabrikës, domethonë menxi kanë prit me dalë prej kapije [srb.: porta], e për tela, për gardhi që jonë aty e për hekra tu kcy, tu u bashkangjitë. Edhe na piskit udhës nuk kena piskat, a din qetë jemi shku. Janë dalë drejtori Burhan Kavaja, Aziz Abrashi, drejtor i “Kosovatrans” u konë Zeqir Nebihi, i Prekazit edhe tha, “Hypni në autobus mos të shkojna në komë”. S’kena pranu, autobusat vishin mas neve. Kur jemi shku te tyrbja, jo knej tyrbës, na ka dalë njësia speciale thojshin, e Jugosllavisë. Kur jemi shku aty u konë kordoni anena, jemi nalë.

Korab Krasniqi: Aty në Gazimestan a?

Ramadan Gjeloshi: Po, s’po ja di emrin. Na ka dalë qaty ai kordoni i policisë edhe thotë, “Nuk bon me shku për Prishtinë”. Nja dy milicë kurrë s’i harroj, ata thjeshtë të veshun sigurisht kanë qenë tonët nashta, kështu na ka bo me kry {lëviz kokën djathtas} që a din, “Mos e nalni punën, hecni vazhdoni”. Atëherë i kemi shty anash, aty në rend të parë jom konë, u konë Isufi ky i Bajgorës, Sefedin Istrefi, Ramadan Nimanaj i Vaganicës me fotografi të Titës. 

Une jom konë knena me flamur, aty në rendin e parë jena konë, e kom pasë ni jakne të kuqe, ni ditë e ka qit nëpër web, e po ja boj djemve, “Qe ku jom me jakne të kuqe”. Me ni jakne domethonë u dallojsha une, prej asaj, prej atyhit në rendin e parë. Edhe kena vazhdu, kur jena shku te, që po shesin, që jonë sërbë aty, speca tash, autostrada si pijac [srb.: treg] e kanë bo për anash, pa shku në Stanovc, qysh po thirrët ai vendi bre, pa shku në Stanovc, rrethi ku osht’ me ardhë prej Prishtinës, me hi në Stanovc, shesin speca, në qat’ venin e di që më kujtohet. Nejse s’po të lodhi. 

Na ka dalë Remzi Kolgeci në atë kohë, midis udhe me kerr. “Ku jeni nisë? Ça po lypni në Prishtinë?” Kurrë si sot s’e harroj me nji mantill të bardhë të veshun Remzi Kolgeci. Ai u konë diçka atëherë në atë kohën në Kosovë i zgedhun. “Jena nisë me rujt shkambin tond e me ju rujt juve. E lëshona rrugën!” I kanë piskat do minatorë. “Zoti të vraftë ik, se për juve jena nisë, nuk jena nisë për veti najsen anej. Ec, lëshona udhën!” E ka kapë kryt me dorë {vendos duart mbi kokë} edhe kena vazhdu. 

Kur jena shku në Prishtinë në atë teposhtëzën në anën e majtë që u konë, te ushtria që hijshum atëherë e kena nisë na parollën tonë mo a din që kushtetutën s’e jepum, ai shkau u metë ja ka lëshu atij Ramadanit fotografinë e Titës në dorë edhe u ikë (qeshë). Dej atje e ka bajtë atë fotografi. Edhe jemi shku drejt teposhtë, u dalë poplli, studentë na kanë pritë, jemi hi në sallë, kur jena rahatu në sallë u ardhë Kaqusha Jashari.

Aty e kena majtë ni fjalim tani edhe tonët, punëtorët, nja tre vetë dolën, Avdi Uka e këta kanë folë aty. Kështu që, bajagi u kry qajo protestë edhe duhet sa ma shpejtë me u kthy për Mitrovicë, na i prunë autobusat aty te halla e sporteve, anena. Poplli veç nisi me përkrahje, nisën fabrika prej Gjakove, fabrika prej kahit, fabrika prej atjehit. Ma së shumti në krejt Kosovën “Ballkani” i Suharekës na ka përkrahë në atë kohë në çdo pikëpamje, ni orë nëse jena nalë, e kanë nalë edhe ata punën.

Anita Susuri: E këta, Kaqusha e punëtorët tjerë, çka kanë folë a po të kujtohet?

Ramadan Gjeloshi: Paj ishte puna e Kushtetutës, për ndrrimin, na e lypëm tani dorëheqjen e këtyne treve edhe mo u koçit puna qaty. Pa dhonë dorëheqje, na nuk punojmë mo anena, ata s’jepshin dorëheqje. Jo dikush ka folë mirë, dikush knej, sërbët anena, situata u prish, u prish krejt, poplli tani, tri ditë, pesë ditë sa zgjatën ato mitingjet su nalën mo kurrë në Prishtinë demostratat. Këtu puna met në gjysë. Veç roje e këtu u dufke me nejt, se mo ni punëtor këtu s’kena punu, e nëpër mitingje qishtu.

Anita Susuri: E nëpër qytet kur keni ecë nëpër Prishtinë, a i keni vërejtë njerëzit qysh ju kanë reagu kur ju kanë pa?

Ramadan Gjeloshi: Njerëzit në tona anët me ujë, me bukë, me krejt, t’u dalë, tu na u afru, “Kush osht’ unët, kush osht’ anena?” Edhe njo qe e harrova, po harroj, pa shku te tyrbja, në atë kohë u konë kryetar i sindikates Smajl Nimani, sekretare u konë Juljana Gashiq, sërbe u konë. Edhe t’u shku knena na ka dalë… jo qysh ke puna me autobusat, s’deshtëm me hypë e u afru njoni kishe si gazetar, ai ish konë i UDB-ës të Sërbisë, të Jugosllavisë në atë kohë. Sigurimit shtetëror prej UDB-ës të Jugosllavisë. 

Edhe na që ishim të parët po thotë intervju me marrë edhe ai Smajli thotë, “Kush o ky Dan?” Thashë, “S’di”. Njo i veshun, librin e kish pasë, kasetofonin e vogël përfundi, ni libër edhe fletën kishe po shkruj, a din. Edhe fol kjo Juljana Gashiqi sërbisht, i thotë, “Kush je ti?” Ai i thotë, “Ti si naša [srb.: Ti je e jona], ti tek je e jona”, kur folë kjo sërbisht edhe ja ngjet për dore Juljana Gashiqit për dore, dëshmitar janë shoqnia, janë krejt. 

“Çka bre? Te koka sërb!” Si ju kom afru ngat t’i kom mshu boks e kom gju atje poshtë në rrugë. Ka nga Zeqir Prekazi, drejtori i “Kosovatransit” ma ka ngjitë {bashkon duart} edhe Burhani, “Mo se ja ke hi udbashit”. Selim Çitaku edhe ai në sigurim shtetnor ka punu me ta, t’u më përcjellë prej Mitrovicës deri në Prishtinë. Edhe i ka thonë atij Sefedin Istrefit prej Kovaçice, se ky shoku që bojshin do, policia i merrshin ka ni muj ditë, dy në atë kohë, i marrshin rezervista. A din, që u bonën qeto, kur u bojshin demonstratat në Prishtinë, i kanë pasë marrë edhe do punëtorë të “Trepçës” këtu. 

E i thotë, “Sefë”, i thotë, “merre atë shokun tond”, s’ma dike emrin, “Dan Gjeloshin”, se Dan më kanë thonë. “Merre” thotë, “e shtinë në kallabllak se munën me kapë, me skaju”. Edhe t’u shku ma bon qeky Azem, Azemi thotë, “Dan ama jaknën. Ndrroje po ta jap temën”. I kena ndrru jaknat, i kemi ndrru jaknet a din, e kështu deri sa jena shku në sallë. Mo une s’kom guxu me shku për Prishtinë edhe s’kom guxu me ardhë në punë nja tri ditë, a din, le të harrohet. Une veç qat’ ditë në Prishtinë jom shku edhe jom kthy me autobus mo s’kom guxu.

Anita Susuri: E ku ke nejt?

Ramadan Gjeloshi: Në shpi, në shpi, në shpi kom nejt. Se ai i kish pasë thonë, qai i sigurimit shtetror të Sërbisë, “Ruju se kanë me marrë Danin, që ja ka hi këtij, se ai nuk o gazetar”. Ai ka kallxu a din, ktina, kishe mos me pre në besë, po ata bashkë jonë konë, “Që i ka ra udbashit të Jugosllavisë” a ça u konë ku ka punu. Sigurimi shtetnor i Jugosllavisë, a s’di qysh i thojshin.

Anita Susuri: Edhe mo s’të ka kërku policia? 

Ramadan Gjeloshi: Jo mas katër-pesë dite jom çu, jom ardhë në punë, kom nejt qitu, e kom pa që s’ka kurgjo.

Korab Krasniqi: Ky emri i Ljuljanës?

Ramadan Gjeloshi: Juljana Gashiq.

Korab Krasniqi: Po, a na kallxon pak kush u konë kjo Juljana?

Ramadan Gjeloshi: Smajl Nimani ka qenë kryetar i sindikatit, sikur Ganin që e kem qetash, sekretare më doket u konë ajo Juljana Gashiq, sekretare. Atëherë ka pasë kryetar e sekretar. Me neve u konë non-stop, në gjithë marshin.

Korab Krasniqi: A ka qenë serbe?

Ramadan Gjeloshi: Po, po, serbe, serbe.

Anita Susuri: A ju ka përkrahë për shkak se nuk e ka ditë qëllimin?

Ramadan Gjeloshi: Nashta, nashta, e mo anej s’u ardhë. Ka pasë shumë, të kallxova, ka pasë sërbë me neve e ka majtë syretin, kur ja kanë bo, “Ça po lypë?” U ikë.

Anita Susuri: Ju jeni kthy në punë mas marshit, kur ka fillu policia m’i marrë në pytje njerëzit? 

Ramadan Gjeloshi: Mas marshit kanë marrë, po i marrshin këta të mëdhejtë i merrshin ma së shumti. Punëtorët si ngucshin se për shkak të prodhimit, m’u bo mungesë anej. Se ktyneherë u konë, në atë sistemin e Jugosllavisë po foli, niherë m’u nalë korpa veç ni orë, ose skipi qeky i xehjes, vike krejt UDB-ja, “Pse u nalë, qe ni orë pse s’ka punu?” E tash nalët niqin herë s’vjen kush me t’kqyrë, jo tybe. Domethonë, “Pse s’po del xehja, prodhimi?” Atyne ju ka interesu. E s’na kanë ngucë fort anena, po na me organizimet tona, sa p’i bjen, sa p’i bjen tetor, na në shkurt, veç me 20 shkurt, 28, tetë ditë domethonë grevën. Edhe vendosëm me u nguju në minierë. 

Anita Susuri: E qasaj çka i ka parapri?

Ramadan Gjeloshi: Asaj i ka parapri tash na, varianta ka qenë e jona që me u bo qekjo grevë për dorëheqjen e ktyne treve edhe tjera këresa që i qitëm tani me ndihmën e punëtorëve.

Anita Susuri: Para se me hi me folë për grevë, a ka pasë naj, a keni ni prej dikujt diçka?

Ramadan Gjeloshi: Po, po. Kemi folë ndrrimet, nejse s’kena shku na kurrë tubë veç çdo ndrrim edhe ju kena kallxu që, “Qe na folëm qishtu”. Se na dalshum prej të parës e dyta vijke, u zatetshim në restoran. Ai vike për mu veshë me shku në ndrrimin e dytë, “Na qishtu kena fol, folni ju ça dojna me bo?” Edhe jonë infromu katër ndrrimet. Masi janë informu katër ndrrimet, domethonën ndrrimi, unë jom konë në ndrrimin A, kurrë se kom ndrru, ndrrimi D, a s’di, u nalë. I pari ndërrim osht’ nalë, parin a tretin, më fal se tash s’po di, prej tretës na jena ardhë në të parin, po e treta u nalë. 

Edhe kur nejtëm menxi s’pritëm mu veshë, u gutshëm me ju bashkangjitë shokëve, shkum poshtë u tubum, gjithkush në horizontin e vet. Nontë horizonte kanë punu. Edhe erdhën prej Prishtine, “Dilni mos boni kështu”. Na lutën nja dy ditë po s’ka, e shkojshin u nalshin në parin horizont, dytin, nuk vishin atje poshtë ku ish qendra që thojnë i teti, i nonti. Më thirrë, Avdi Uka thotë, “Dan”, thotë, mas njove të natës, më thirrë thotë, “duhet me hi në lidhje”. Veç para se me hi po të tregoj kështu këtë lidhjen. Edhe e murëm na dytën ditë krejt nën kontroll, punëtorët e morëm Staritërgun, nën kontrollën tonë. 

Mu më caktun në tetin horizont signalist, në korpë [srb.: shportë], në korpë ku lëshohet në tetin që vje’ dikush une me telefon mi thirrë këta që ishin grevistë atje ulun. “Erdh”, për shembull, “nji televizion, tre vetë tek jonë, a pi pranoni, a s’pi pranoni?” ose “Janë do studenta a pi pranoni?” “Jo”. Ju thojsha, “Mos dilni prej dere”. I mshojsha signali, osht’ edhe “Dilni përjashtë”., Dilshin përjashtë. Këtu përjashtë u konë, dy Jahirat janë konë, Jahir Neziri, punëtorë janë konë ose mbikëqyrësa. Erdhe Jahir Neziri i Rashanit edhe Jahir Sejdiu i Kutllovcit, tash osht në FSK, në ushtri në Prishtinë, jonë konë këtu naltë.

Une jom konë në tetin horizont i caktum si aty, edhe unë e kom pasë lidhjen me këta. “Dan i lëshova ni korpë”. Une i thirrsha telefonin e kom pasë aty, kështu a din që i kena me tel {lëviz gishtin në rreth}. Edhe e thirrsha Avdinë, “Avdi kallxoji shoqnisë janë prej Prishtinë, po thojnë studentë”. I kom kthy nja pesë-gjashtë korpa une se ka pasë edhe udbasha që i kena ngjoft, si kena lonë me dalë hiç, e i kthejshum përpjetë.

Anita Susuri: E ata udbasha për shembull për çka kanë ardhë?

Ramadan Gjeloshi: Po vishin me ditë informata, me kqyrë kush, çka po bohet, menxi s’ka pritë. E vetmja gazetare sa kena nejt tetë ditë e tetë netë Nadira e Azem Vllasit, ajo ka nejt aty. Kurrë s’e harroj bile, e pashë inçizoi, inçizoi e ka pasë edhe ni femër tjetër e ishin konë, i kish pasë do kaseta të vogla, ja dhojke asaj tinxa kur i mushke, ajo i qitke që mos me hetu policia që shkepke lajmet anena. Ish konë njo si ti [i drejtohet intervistueses] e zezë me flokë dredha, asaj ni mantill si unë qishtu të verdhë e veshke kur hijke në minierë shlemin ajo i marke edhe i qitke. A Nadirja non-stop ka nejt, shumë, pesë-gjashtë ditë. Gati ka nejt krejt aty non-stop me neve.

Anita Susuri: Shkojke-vike, a…

Ramadan Gjeloshi: Jo, jo rrike, rrike ditën edhe dalke a din, dalke shkojke domethonë në sabah vike apet. Na vazhdojshim natën e ajo e vetmja që ka nejt aty. 

Anita Susuri: Kush ka ardhë tjetër, ti je konë domethonë qaty…

Ramadan Gjeloshi: Në horizontin e tetë, po. E tash për me ardhë qaty në dytën ditë vjen Avdi Uka thotë, “Dan hajde ngjitum” thotë, “të bojna llaf se po vijnë delegacionet pa hi në horizont, s’po guxojnë me u lëshu në kallabllak ku osht’ kryesori”. E mas njove të natës jemi shku, une jam marrë vesh me ato që e vozit liftin, e me shku naltë u konë njeri Veli Osmani mbikëqyrës thotë, “Ça ka të re?” Thashë, “Kapi punëtorët, ec në të tetin. Mos i le mo këtu”. 

Kemi zbrit dytin horizont, “Kapi punëtorët shkoni në të nontin”. Domethonë, veç këto dy horizonte i bonëm. Kapi tani të gjashtit, shtatit ren teposhtë edhe u tubum në dy vene, se i mashtrojshin gjinjën. Kish pleq kish anena, në atë kohë, a dinë, “Po bohet mirë, qe nënshkrimet”, tylifarë rrene bishin. Edhe shkum u vendosëm në dy horizonte, tetin edhe nontin, aty kemi nejt edhe e morëm nën kontrollë kejt, mo s’mujke me hi kush dojke, se a din e morën punëtorët në dorë, me kapi [srb.: porta] e me kejt e murrëm. 

Edhe e kena vazhdu grevën, organizimi ka qenë fort i mirë që s’ka mujtë kërkush me na rrejt, dej që dulë nënshkrimi apet na rrejtën me ato nënshkrime. Tetë ditë, nejtëm shtatë ditë, na prunën nënshkrimin e tash pe shtymë edhe ni ditë. Minierat kejt në Evropë mi shtatë ditë s’kanë majt grevë. Thanë, “Jo dojna me hi në atë librin e Ginisit edhe ni ditë po e vazhdojmë”. Edhe kemi nejt tetë ditë e tetë netë, në grevën e parë.

Anita Susuri: E a jeni konë aty kur jonë përpilu kërkesat?  

Ramadan Gjeloshi: Kërkesat i ka shkru me laps që thojnë me dorë të vet Halit Istrefi mbikëqyrës. Tash letra u konë në tetin horizont, letra qishtu e thatë {kap një letër të bardhë} edhe lapsi, une e kom shkru {bën sikur shkruan}, “Pika e parë”, une e shkruj shembull, shembull e lashë edhe ni punëtor u afru ka thonë, “Dorëheqjen e ktyne që e kena lypë tonë”. Tjetri u ardhë Jetish Bajrami, “E dojna edhe qet’ kërkesën e dytë”, i treti u ardhë, “E dojna edhe qet’ kërkesë”. A din, hijshin që mos me thonë e ka organizu njoni po me marrë me i përfshi të gjithë minatorët, s’di a po më kupton?

Anita Susuri: Po.

Ramadan Gjeloshi: Domethonë me thonë, “Valla veç Dani e ka shkru. Ky i ka bo kërkesat, ky organizator anena”. Edhe jemi shku në qat metodë edhe jena nalë qaty edhe u kry muhabeti. Mas katër dite në 1:15 minuta u ardhë Azem Vllasi me gjithë Bahri Oruqin, në 1:15 të natës. Syreti i Titës ka qenë i madh aty {tregon në drejtim të murit}, rrike në horizont, ish sistemi tjetër në atë kohë. E une bile kesh bash te zyrja, zyrja si këtu osht’ atje poshtë në tetin, ja lëshova vendin, u ul. Edhe na kqyri, na kqyri s’foli Azemi hiç. 

E kqyri syretin atje tha, “Kqyre” tha, “djem, nuk jom ardhë me ju lutë dilni, nuk jom ardhë, po prej dhimte, qaq dhimbje të madhe kom ndaj juve se edhe gruja po më kallxon, që osht’ gazetare këtu. Sa të jeni në rrugën e qati”, {drejton lapsin kimik kah muri} tha, kishe të Titos, “s’ka kush ça ju bon. A po ju garantoj që keni me hjekë shumë, ju me gjithë mu që jom ardhë unë sonte këtu, se jom nën përcjellje të madhe”. Qishtu i ka thonë qeto fjalë, kurrë se harroj.

Anita Susuri: E pse e ka zgedhë, a e din pse ka zgedhë…

Ramadan Gjeloshi: “Bajagi jom ardhë…”

Anita Susuri: Po…

Ramadan Gjeloshi: “Jom ardhë bajagi për shkak të dhimbjes, jeni nguju”, për qeta. Në 1:15 të natës u konë në tetin horizont. 

Anita Susuri: Pse aq vonë ka ardhë?

Ramadan Gjeloshi: {ngreh supet} Eh, domethonë qekjo u konë. Po kallxoj çka u konë, në 1:15 të natës u ardhë. 

Anita Susuri: Ju keni kërku edhe Millosheviqi me ardhë aty.

Ramadan Gjeloshi: Po, masi u ardhë ni delegacion, erdhën prej Prishtinës, s’po muj e di kush ken këta, komitet a s’di qysh i thojshin në atë kohë, të krahinës jonë konë, veç me emra i di do. Edhe erdh tha, “Me dalë anena se po dojnë me bo orë policore, po dojnë ashtu”, na thamë, “Le të vjen pra Millosheviqi këtu, ja kallxojmë kërkesat edhe mirremi vesh na me to, le të vjen”. A në atë kohë ka qenë edhe Dizdaroviqi kryetar i Jugosllavisë, në atë kohë. Po çfarti, edhe ai m’doket ish konë ardhë këtu në Kosovë, veç shkel e shko s’di ça ka fol, na jena konë mrena. Edhe s’ka dashtë. 

Tani osht’ lajmëru Stipe Shuvari me gjithë atë të Sërbisë edhe erdhën në atë kohë shtatë-tetë vetë, e qaty s’kemi mujt m’i nalë në korpë [srb.: shportë] a din që m’i zgidh. “Po vjen Stipe me këto të Sërbisë”. Ishin konë krejt të UDB-ës e të Jugosllavisë e me ta mas tyne, tu i rujtë. Jena konë ni grup kena dashtë niherë me kidnapu ato, me nalë. Po fati njoni, “Moni se boll e kena bo qeto, poplli osht’ në përkrahje, çkado që bojmë mujnë me na dhonë naj tjetër emër”. Edhe e kemi lonë këtë punë. Edhe u përplasëm me ta, u konë ai Mursel Haziri, u konë fort i shkollum në atë kohë, jonë dalë përjashtë edhe ai gjuhën sërbishtën që thojnë ma mirë se ata. 

Kur ja ka bo pytjet Stipe Shuvarit në atë kohë, ai ka thonë, “S’osht’ e mujtne ky m’u konë minator këtu, ky u ardhë naj politikan shiptarë, i Kosovës osht’ po ky u maskirat”, a din ai mjekrën e bajke. “S’është e mujtne”. Domethonë, qaq s’ka besu a dinë.

Anita Susuri: E ai çka i ka thonë?

Ramadan Gjeloshi: Vallahi ja përsëritke pytjen, a din?

Anita Susuri: E Murseli çka ka folë?

Ramadan Gjeloshi: Murseli ka folë sërbisht, unë në atë kohë s’e disha, shumica po edhe të lodhtë, u lodhëm. Une tetë ditë s’jom dalë, tetën ditë jom dalë. Avdia u dalë shtatën ditë më doket edhe tetën, u konë spitali i improvizum në sallën, këtu {tregon me gisht djathtas}. Mjekët jonë konë krejt edhe kur jom dalë une tri ditë s’kom pa hiç, hiç s’kom mujtë me pa. Na qitën do ujë e sene, na mbështjellën sytë. 

Anita Susuri: E aty mrena sa rrishe qysh je konë, çka ke mendu, qysh je konë, a je konë i lodhun fizikisht? 

Ramadan Gjeloshi: Na që jena konë ma të ri kena mujt me nejt, të moçmit, nuk janë dalë shumica, a din s’e qitshëm s’mujshin me nejt. E na ça ishëm të fortë kemi nejt. Ma së shumti, ma së shumti, kur u ardhë, kur u ardhë Stipe Shuvari ni minator i moçëm, nifarë Milazim Istrefit i ka pasë ra të fikët, në lloq u konë ujët aty u ra, t’u kqyr aty në komë. Të untë, të lodhun, të rraskapitun. E falenderoj popllin kanë çu ndihma të mdhaja shumë. 

Kurrë s’e harroj “Kosovatransit” shoferat edhe kondukterat që na kanë ardhë s’kishim duhan, dy paketa duhan na i kanë pru, tonë kena kajtë, s’e kena menu a din. Na jena hi veç ashtu, s’e kena pritë. “Qe”, tha, “e keni prej shoferave, kondukterave të ‘Kosovatransit’ të Mitrovicës, dy paketa duhon”. Na i çkepën ka dy paqeta. A din, qajo për mu u konë diçka a din, kur s’msohesh me të dhonë dikush a din, diçka interesant u konë.

Anita Susuri: Ju komunikim me familjen s’keni pasë hiç.

Ramadan Gjeloshi: Ja-a.

Anita Susuri: A jeni shqetësu mos po ju prekin familjen, mos… 

Ramadan Gjeloshi: Jo, grevën e parë jo deri që jom dalë, kur jom dalë unë atëherë jom tutë, se e kena ditë çka po na pret. E kena ditë.

Anita Susuri: Kur jeni dalë qat ditë… 

Ramadan Gjeloshi: Në spital këtu, në spital.

Anita Susuri: Paraprakisht ju ka ardhë lajmi që kanë dhonë dorëheqje, që ka qenë rrenë. 

Ramadan Gjeloshi: Po, kur jonë shku poshtë unë s’jom konë, domethonë tetën ditë, s’di a u konë Avdia, u smu, u ligë edhe ai, që e majke renin. Edhe, “I kanë pru” tha, “me nënshkrime delegacioni”. Shumë studentë ka pasë, kena lypë gjinë të shkollum, studentë prej të rive, “Kqyrne a janë fallc, a çka janë”, se na s… e dikush, “Janë”, dikush, “S’janë”. E kena shty edhe ni ditë që thashë me hi në qat ditën e Ginisit. Po ma shumë e kena shty për qeto nënshkrime, a janë të sigurta. Lypshim gjinë prej fakulltetev, m’i gjetë jurista e asi, me ardhë a osht’ e saktë a s’osht’. E kështu që… 

Anita Susuri: E kur ke dalë ti i ke pasë fashat në sy edhe je konë në spital?

Ramadan Gjeloshi: Në spital qitu {tregon dhe shikon lartë}. Kur u bo tri ditë, mas tri dite kom bo ma mirë edhe këtu jena konë, ratë jom konë, erdh vëllau jem i treti me m’pa. Thotë, “Çu”, thotë, “vëllau jem i marum do marka edhe po hecum për shpije”. “Pse?” Thotë, “Avdia osht’ në spital”. Ka qenë në Mitrovicë e çunë, i çunë nja shtatë, qat Azemin që ka dekë ai shoku jem, prej atje që kena punu, edhe ai. Veç jonë konë nja dymdhetë-tremdhetë, a s’di sa jonë konë, a na këtu shumica jena konë. Edhe thotë se, “Po flitet për arrestime”. Që ka ni lajme anena thotë, “Po flitet për arrestime”. Edhe kadale në kerr edhe për shpije jom shku në Shipol. 

Nesrit e kena ni tha, “U arrestu Aziz Abrashi”. Masnesrit e nishe Burhan Kavaja. Edhe i kom thonë këti vëllaut të vogël, “Çu shko te Avdija në spital”, te Avdi Uka, “Vete a osht’ në spital edhe çka ka nevojë”. Se ai i fshatit Tërstenë ko, ka pasë kallabllak fëmi, punët ngusht i ka pasë, kështu ekonomikisht, “Vete çka ka nevojë”. Kur u shku vëllai jem ma i vogël, i treti, ai u ka pasë plagos në demostrata në atë kohë. E shkon thotë, “Jam vllavi Ramadanit qishtu, qishtu më ka çu, a ki nevojë?” Thotë, “Po, kom nevojë”. Thotë, “Bimi ni parë këpucë {numëron në gishta}, ni parë pantoll edhe ni xhamper. Se kofsha gjallë sonte du me shku me i pa fëmitë atje në katun e m’u kthy”. 

Ai si shkon në shpi, këta, nise kallxon edhe ai që u konë edhe shiptarë ai që i kanë shku te shpia, te dera e kanë marrë e kanë burgos edhe ato. Domethonë, me tesha të mia e kanë burgos. Veç u burgosën këta ditë për ditë, na këtu metëm, punë jo kurgjo, u largum, situata u kompliku. Qitshin propaganda, “Jo e kanë rreh Azizin në burg, ka vdekë”. Vishin qasi tylifarë lajmesh, mo dulë s’dishim ç’a po bohet. E ja nisëm tani na me majt mledhje nëpër bashkësi lokale ku ka minatorë, Shipol për shembull, ça ishim minatorë të Shipolit m’u tubu, a din, nifarë lidhje me majtë mes veti.

Këta nesër e përgaditshin gjykimin me i qit’ këta me i gjyku. Neve na e qitën ni regjistër këtu në kapi kush ka me punu. Kush ka me punu, domethonë veç ata që jonë kryesorë minatorët, ndihmësat edhe ngarkues mekanikë. Domethonë, lloderistat sikur unë që jom konë. Ishin konë 80 vetë, 80 vetë emrat, erdhën tash punëtorët, “Ja po hijmë tonë, ja asnjo!”. Vërc {onomatope} anej. Del Xhafer Nuli, kryetar i sindikatës, edhe më skajon thotë, “Dan”, thotë, “unë e di krejt punën po duhet me hi në punë. Ti duhesh me ardhë gjithqysh”. “Po, a? Përhajr koftë”. 

Gjysa e dishin, do s’e dishin dej i informum që duhet me u kthy, që mos me ja lonë tjetërkujt në dorë këto. Kur u kthym e kishin pasë rrokë krejt tjerë gjin. Nejse në bashkëpunim me do gjinë tonë edhe ata sërbët. Nisëm na me bo sabotazh, domethonë lloderi osht’ i ka katër rrotë me hypë mi to e ngarkon, shpërthen ni gumë, shpërthen ni gumë, mos me qit’ prodhim, se atyne ju vike prodhimi. Edhe ja nisëm me bo defekte, me prishë anena. 

Na bon qeky Xhafer Nuli, “Me shku, shko në punishtë po sabotazh sa të mun”. Edhe ja nisëm tani me marrë edhe tjetrën grupë edhe u bonëm goxha do punëtorë edhe vendosëm… për dy ditë – tri vazhdon gjykimi i ktyne të burgsunve, këta që janë Aziz Abrashi, Buran Kavaja, shokëve tonë. Vendosëm na me hi në grevën e dytë. U organizum me hi në grevën e dytë, “Ja mi liru, ja gjallë nuk dalim. Gjallë nuk dalim”. Me 27. 10-tit ‘89-tën, po ‘89-tën, 27. 10 ‘89-tën fillon greva e dytë.

Pjesa e Tretë

Ramadan Gjeloshi: Me 27-tin 10-tit muj, ‘89-tës, ajo ditë, nejse po shkoj dy ditë përpara asaj date u organizum, “Kur po nalum, cilin ndrrim?” Vërc {onomatope} anej. Une bona men me marrë duhan shumë, se a din me shokë e për veti, i musha xhepat {prekë veten nëpër trup}, këtu këmishën. “Jo s’po nalum sot se rroga, jo nesër, jo…”, kur vi unë në dytin ndrrim isha atë ditë, ishin nalë ajo grupa, ky tjetri ndrrim, i pari ndrrim ish nalë. Kur vijmë në krug [srb.: rreth] këtu, krug i thojmë këti veni këtu me kapi, krug i thojmë, kur hina këtu në krug ni shok thotë, “Dan, gutu kallxoju tuve”, thotë, “se u nalë Sabri Smajli edhe Neziri, janë nalë me ni grup poshtë edhe nuk jonë shumë”. “Aha” thotë, “Po”.

E çoj ato i thom, “Mule blema ni boks duhan”, s’kishum pare, a din çka qëllun, u tubum pesë-gjashtë vetë. Duhan, bukën me veti, a din që e marrim atë obrokun [srb.: shujtën] që e kem me bon, e ka dy, tre asi bona kishe s’po dimë na. Edhe dej u veshëm na policia mrrijti këtu në hymje të zgafellës përjasht që osht’ ajo dera s’di a jeni konë, eh bash qaty. Dy vetë, ata dytë jonë konë shiptarë, dytë. Edhe une i pari aty, po vijnë Azem Kqiqi, Islam Xhafa që ishin okolla meje, që ishim ma kështu, ma të koçit pak, që thojnë. Edhe u tubum edhe po kthena përmas plotë. “Ça po pritni?” Thashë, “Jena ardhë me hi në dytën”. “Shtyni”. 

Ata dy policë, aty u bojke ujë gjithë, i rrxova dytë, e tash kur shkova te shakti, a din lifti që osht’, kur shkova te shakti tre vetë ishin konë me automata, me maska qishtu, greva e dytë, me maska. E menja tyne që po hi une drejt në korpa, se kjo korpa jonë, lifti doemthonë osht’ dy kat, a po merr vesh? Janë shkallët teposhtë me hi poshtë tash edhe osht’ kapaku ku lëshohet lifti domethonë kjo, osht’ kapaku, e çelë kapakun naltë edhe janë okolla liftit krejt shkallët janë dej nontin horizont, dej dhetin, nimdhetin me shku në komë, trashësia 60 metra-80 me hecë. 

E çeli unë ata e fërt {onomatope} njo, fërt njo, fërt njo, ma së mromti më ka ra mbikëqyrës u konë njo, fortë i moçëm Behram Istrefi i Kovaçicës, ma i mrami. “Bajram, a ka mo?” tha, “Jo”. Atëherë jom hi edhe une e kom mshelë kapakun trrak {onomatope}. Ata [policia] rrishin kujtojshin që na po hijmë në lift aty, a din, këta rrishin qashtu. Hinëm na aty poshtë u lëshum kallabllak i madh, shkon ni, asi si në banesa pushimore, pushon pak, hajde lëshohu teposhtë, rrezik se me të rrëshqitë koma mytësh. E u lëshum në tetin horizont, kur jom shku unë e gjuj bundën, e kom pasë bundën e minierës se ftohtë, promajë u konë, gjuj setren, gjuj këmishën, kur shkova shokë e tenaltë zhveshun krejt edhe më panë krejt, “Hë, Dan, a ka mo?” Thashë, “Jo, s’ka”. 

Ky Jahiri edhe Sabri Smajli që e kishin koçit punën atje poshtë, u ulëm, po kqyrëm, mirë, jena konë, na hinëm veç të funit jena konë, 62. Edhe u nalëm, kur u bo dy orë, kur u bo dy orë Qazim Shala u konë drejtor i dhunshëm, Qazim Shala, u konë drejtor i dhunshëm që dojke mu bo tash deputet. Eh ai u konë drejtor i dhunshëm në atë kohë. Edhe erdh Qazim Shala, me dy inzhinjer, me ni mjek, erdhën poshtë, “Kqyre djem”, tha, “une jom ardhë sot këtu te ju, po ju luti deri në këtë moment”, ish pesë sahati në aksham, gjashtë thotë, “Po ju garantoj kush del me mu qetash”, thotë, “ni kime e flokëve s’ka me ju falit [srb.: mungu], ai masanej që rrin e s’delë me mu keni m’u shpallë tjetër emër”. Tani dikush tha, “A terrorista neve po don me na shpallë a, ti je drejtor i joni?” E anej-knej e shajtën edhe u çunë do, dolën me to, metëm 64, jo 62 vetë, 62 minatorë metëm, të koçitë.

Anita Susuri: E qaty në cilin horizont jeni konë?

Ramadan Gjeloshi: Në tetin. Edhe metëm 62, u çumë, po i ngjehum 62, tonë janë. “Djem kush osht’ pishmanli, osht’ diçka pa qef dilni, nisnu me ata”. “Jo une s’dal, ai s’dal, ai s’dal”. E çova ni punëtor thashë, “A dulën ata?” Tha, “Po”. Ju thom, “Çunu krejt shkojmë te shakti, te korpat”. Aty osht’ ajo papuçja që e bllokon liftin dryni osht’ poshtë edhe e kena thy drynin une e Islam Xhafa, drynin. Edhe hajde për me shty papuçn ajo osht’, qishtu e hekurt {përshkruan me duar}, kur e shtyjsh ajo e bllokon liftin, që mos…  

Anita Susuri: Mos me ardhë najkush.  

Ramadan Gjeloshi: Eh, edhe tash më shkoj mendja se njeri, u provova me këto, me marshimet e me gjithçka nijsha. Ju kom thonë, “Hajdeni tonë qitni durët këtu”. “Jo s’na nxen atje” {vendos njërën dorë mbi tjetrën} “Jo, jo hajde”, që mos me thonë ma vonë filani, a din naj njeri me m’akuzu. Edhe i gjujtëm durët, e shtymë papuçen. E ato shkallë që zhdrypëm, ni shkallë osht’ dymdhetë metra, të hekrit jonë {vendos duart sikur hyp shkallëve}. Baskiat naltë, hypa naltë, i hekëm ato baskia, e murëm edhe e shtinëm tjetrën anë, se aty janë dytë liftat a din, në atë anë e këtë anë i çelëm durët edhe e shtyjtëm atë shkallën që mos me mujt mo, me u siguru që mos me na ardhë kërkush mo, e bllokum, nejtëm gjithë ditën u bo aksham. 

Ata që jonë konë të parën na u dhimshin se janë ardhë para neve, pa hongër, unt, pa pi. I thom Islam Xhafës… ishte edhe Azem Azemi prej Kqiqi që u dekë, Islam Xhafa, edhe ai u dekë. Prej kësaj grevës dytë jemi gjallë vetëm une edhe ky Sabri Smajli. Edhe jonë pumpat, pumpat janë kur mushen horizontet ujë që e qesin ujët përjasht, e ata shkojnë ni orë hijnë për atë ane edhe gjithë e kanë, ato punojnë nonë orë. Edhe shkumë aty në pumpa janë do ormana [srb.: dollapa] që i kanë marru qishtu të drunit, e marrshin dikush bukë, dikush kajherë kafe a dinë, tinxa, në atë kohë tinxa me qit’ ni kafe. 

E të shkojmë ti thejmë ato ormanat, i thomë, “Hajde shkojmë poshtë t’i thejmë ormanat” janë konë do shkallë kështu anena, mos po gjojmë diçka, kur jom shku kom gjetë, ni killë, ni tegëll, tegëll p’e din kësi të xhamit, kryp edhe ni tegëll sheqer edhe u gëzum kur i gjetëm ata. Erdhëm përjetë thom, “Djem gjetëm, qishtu qishtu”. Po pasha Zotin shpesh më bjen në mend, rrënqethna, trupi më rrënqethët si fëmija i vogël, “Qitma mu ma shumë, qitma mu ma shumë krypën” {hap pëllëmbën e dorës}. Po qata na ka majtë, krypa na ka majt neve aty, se u ligën gjinja, pa hongër, pa pi, terr, ujë jo, ujë të maqinës me pi, të tokës a din. Edhe me qata kryp e kena majtë shpirtin tri ditë e tri netë deri…

E sa kena nejt na tash dytën ditë, na i bllokun telefonat, na i bllokun, kur dojshin me folë ata me neve, qeky Qazim Shala që vike me folë me neve, e çeli telefonin tha, “Unë e di sa vetë jeni, unë e di” tha, “sa punëtorë jeni poshtë me emra, me mbiemra ja u kom gjetë dokumentacionin, jeni të përjashtum prej pune”. Islam Xhafa i tha, “O drejtor…” se ai dajtë në Vidishiq. Ky i Vidishiqit, “O dajë”, thotë, “lëshona ni thes bukë s’po lypim sen veç thatë”. “Për terrorista” tha, “bukë s’ka”. Ky mos me thonë para teje ja shajti nonën e, “Çfarë njeri je ti?” E anena, e nali telefonin u ndërpre. 

Osht’ nifarë Mehmeti i Bajgorës i moçëm u konë, pumpar, që i vëzhgon pumpat, ndrrohen pumparët për mos m’u blloku uji, m’u mush edhe shkon në shpi i thotë grusë vet, “Qitma ni bukë të madhe” thotë. “Pse?” “Qitma”, thotë, “ni bukë”. E na e lypëm, “Prej njonit pumparë në dhetin horizont lëshoje se ka fillu m’u mush uji në nimdhetin horizont”. S’dishum informacione, s’dishum përjashtë ça po bohet, tani e ditëm na kanë me na rrethaku. Kur vjen te shakti qaj bukën e kish shti në shpinë {prekë shpinën}, ai i moçëm, bukën në shpinë, ni kontë me ujë edhe e hallakatin milicia, kur ja gjojnë bukën e rrehin, thanë, “Llom e kanë bo, llom e kanë bo”. Mehmetin prej Bajgore, i moçëm. 

Edhe e lëshojnë Qazë Bistricën edhe ai pumpar, i thojnë, “Shko kqyri pumpat” edhe vjen, vjen në tetin. Tani osht’ tjetra korpë njo e vogël osht’ i thojmë slipokne dej nimdhetin shkon, e u lëshum me qat’ korpë ai Qaza, thashë, “Rrini djem qitu, unë po shkoj te Qaza me vet çka ka përjashtë, qysh o situata.” Kur vjen i thojmë, “Jo Qazë, s’ka problem po të kena thirrë me ditë çka po bohet përjashtë”, e tha, “Ajt po shko nimdhetin”, kur u lëshova une, u lëshu Islam Xhafa, Azem Azemi, nifarë Shyqa i Vllahisë mbikëqyrës, i ri u konë, tash në Finlandë osht’ ai, u lëshu Nebih Dedia. 

Veç nja dhetë vetë shkun me marrë informata prej tina. Edhe ai tha, “Dan” tha, “e kanë rrethaku policia rreth e rreth, njeri të gjallë… janë mundu sa herë shoqnia me ardhë me ju përkrahë s’kanë mujt, e kanë rrethaku shtirë, Zoti ju nimoftë” tha, “tjetër s’di ça keni vendosë” “Përhajr koftë!” Dulë ai e vendosëm na, se na i kishum tetë tona municion në horizont, e vendosëm me shku me thy magacinën e me qit’ rreth e rreth municionin, e vendosëm, nja katër vetë, jo krejt meniherë, katër vetë. Edhe me bo me na hi, se osht’ ni shakt, domethonë ni lift tjetër gjermani që e ka maru ktyneherë, te Mazhiqi atje nalt osht’ {tregon me gisht majtas}. 

E thojshum mos po na lëshohen qaty, po dikush, “Jo u kalbë, jo i vjetër, u prishë” a prej qatyhi policia na ka nxjerrë, prej qati shakti. Na mendojshim që i moçëm shumë, gjermani kur e ka maru ktyneherë. Edhe e morëm lokomotivën, hypëm e shkum atje te magacini, osht’ larg atje me shku, nashta jeni konë në minierë, shkum te magacini e nalum. Kur e nalëm une, Azem Azemi i Kqiqit, Islam Xhafa, Sabri Smajli a s’di kush, Sabri Smajli, edhe tash p’i shohum dy te llokomotiva. U konë ni punëtor i moçëm Muharrem Misini i Prekazit, i kish hypë llokomotivës, na ka hetu që pëshpëritëm diçka tinxa, e ai kish qef me ditë. I moçëm edhe ma i pjekun po s’dojshim me angazhu për shkak të moshës, ‘53-sh u konë në atë kohë ai, e kanë mytë në luftë në Prekaz.

Edhe na u kish flugë, thamë, “Hë kush po vjen me llokomotivë?” Erdh me llampë. “O djema ça jeni ardhë këtu a bon me ditë?” “Vallahin Muharrem qishtu kena vendosë po t’ja kajmë nonën po te miniratim po te anena… ma mirë me dekë”. “Ja” tha, “gabim e keni. Po kqyrim sonte, po hijmë tretën natë”. Nesrit në mëngjes e katërta u bojke. Edhe tha, “T’ja u qes kaj cigare”. S’kishim as cigare, ai i kish mledhë këta filterat që i kanë gju a din, gjysa cigarës, i kish mledhë, i moçëm. I kish mledhë, i kish mush ni xhep {prekë xhepin}, thotë, “Të ja u qes ka ni cigare edhe menojmë ça dojna me bo”. “O ku ki duhan?” E nxjerrë aty mi llokomotivë ajo drrasa, e qiti ni gazetë e kish pasë në xhep, e maroj prej aty tonëve ka ni cigare, ka dy tima. Po valla qishtu u konë, qe shoqnia jonë që tregojnë. Edhe i pinëm dy tima tha, “A po më ngoni? Lene mos e the drynin” tha, “U bo”, thashë, “Po të ngojmë Muharrem”, u kthym. Treta natë, domethonë nesër mëngjes e katërta.

[Këtu ndërprehet intervista]

Ramadan Gjeloshi: Na maroi Muharrem Misini, na maroi qat’ cigare {bën sikur mbështjell diçka me gishta}, e pinëm të pestit ka dy tima, e krytëm. “Ngoni” tha, “po presim” tha, “edhe sonte se une m’u dorëzu gjallë, nuk dorzona kurrë”. Se ai u konë i ndjekun ma herët për armë që u bojshin organizimet në Prekaz, e kishin pasë hetu, e kishin kontrollu dy-tri herë edhe në restoran kur janë nalë niherë, këtu që i ka nxjerrë policia me forcë u konë në regjistër. Edhe tash u bo e treta herë tha, “Une gjallë” tha, “nuk dorëzona”, ai, ai i moçmi, tha, “s’e kom njetin”. Edhe shkum atje. Tani po ju kallxoj, “Vllazën qishtu, qishtu Muharremi”, dikush thojke, “Po”, dikush, “Kaja nonën”, dikush anej, dikush knej, a din gjithkush mendimin e vet.

Po apet e kthym, na çka bojmë e mysëm vetën, shpallet organizata jonë, e “Trepçës” terroriste, vërc {onomatope} anej edhe qet muhabet e kena zhvillu. Kur në sabah, në sabah, pa u bo herët sabahi, shkojmë une e Islami që thashë, Nebihi, shkojmë te Qaza, ai poshtë kish me dalë. Edhe kur shkoj une hongra krypë shumë, e tensionin ma kish rritë edhe qysh jom konë t’u ngu jom metë une ratë {mbështetet ngadalë për karrige}. Qashtu mpshtetun, kur më ka kqyrë Azemi ka thonë, “Pasha Zotin Dani diq”, “Jo, po, Dani diq”. Më thirrin, më qesin ujë edhe une aty isha konë nxi a din, prej shtypjes, tensioni i madh edhe e kapin i thirrin slipoknin në tetin horizont thotë, “Dani osht’ smutë, duhet me qit’ nalt në tetin”. Kur i kanë thirrë i lajmërohet sërbi polici, “Ku jeni?” “Qishtu-qishtu”. “Pritni pak”.

E thirrin atë Enverin prej Bari, ai vozitke slipoknën, atë shaktin e dytë edhe na kur jena dalë tha, Islami ka kallxu se unë s’kom ditë, thotë, “Ni llama qatje, ni çizme qatje, ni setër, lomsh, lomsh” tha. Që i kishin nxjerrë ata, policia që u hi në mëngjes. Katërtën ditë, në mëngjes. Edhe na drejtë e përpjetë, “Kur dolëm” tha, “saniteti ish konë, këtu përjashtë”, saniteti që bahet në tokë, e tha, “Ty të ka metë dora” tha, “ka ardhë ni sërb ta ka mshu shkelm ta ka gju dorën neve” tha, “na kanë çu në sallë”. Nalt në sallë, e këta që i kanë çu nalt rreth e rreth u konë milicë, njësia speciale e Jugosllavisë. Pa tonët, tonët pak ishin konë krejt, maqedonë e çka jonë konë në atë kohë bashkë kështu, krejt republikat.

E tha, “Ni njeri u konë, ni milic, ni njeri, ni milic, ni njeri, e na i prunën” tha, “ka ni kafshatë bukë, e ka ni tomël që, a din që s’kena hongër”. E këto zyre knenaj jonë konë të inzhinjerav, janë pesë zyre këtu të sigurimit shtetnor tu i marr në pytje ka njo, ka njo në sallë edhe bukë anej. Mu më kanë çu për spital në Mitrovicë, Miran Beqirin e kanë çu për spital në Mitrovicë, ai u konë ma i ligsht edhe Ragip Ukën prej Kqiqi edhe ato në spital, tre na poshtë në spital. Unë jom konë në repart më kishin çu të Bastri Pllanës. Ai shiptar i ndershëm, në atë kohë u ikë, po thojnë me sërbë në Beograd u ikë atje, Pllanali, ai u ikë në Beograd, atje jeton tash, në repart tina.

Ma kish pasë lidhë komën mu për kreveti. Komën në hekër të krevetit, që janë hekrat e spitalit kështu komën {përshkruan me duar}, këtu njonën edhe në hekër. Edhe ajo sërbja që bojke hyzmet, ma kish mpshtjell me ni qebe [srb.: batanije] na i thojmë qihalle, kësi farë qebesh, m’i kish mpshtjell komët edhe dej këtu {prekë gjoksin}, në infuzion. {shtrin dorën sikur merr infuzion} Edhe i kom çelë sytë edhe veç lavelah ku jom tash, pa ditë sen. Ni polic, katër kreveta [srb.: shtrata] janë konë, anej i pesti, prej xhamit, {përshkruan me duar} prej dritarës. E ai polici te dera ungjun, me shlem, me ato pancira me krejt, me automat në prehën edhe pe kqyri. Edhe p’i foli shqip, “O vlla” thashë, “a je shiptar?” Unë p’i thom.

S’foli hiç, i fola sërbisht nja dy fjalë, hiç s’foli, e lashë. Koma më dhimke, s’disha. Apet une, s’e lo rahat ato, e pajsha që po forcona. Ma boni tha, më nder me thonë para juve, “Trus bothën rri qaty se ja u kena pa sherrin na juve minatorëve, i madh e i vogël, po trus bothën e rri qaty”. Më pisket mu shqip ai, eh vet me veti shiptar tek je. A din, edhe pse më tha s’e kisha gajle, e dita që shiptar. Thashë, “O veç po du me të vet diçka, a më kanë nxjerrë veç mu, a janë dalë tontë? Përgjigjmu burrë në qet’ pytje”. Hiç s’foli, hiç s’foli. Ai më kish pasë rujt gjithë ditën, prej nonve mramje u ardhë, ato e kom ngjoft kur e ka hekë atë shlemin, pancir a ato në kry. Mustafë emrin e ka, në Tunell osht’ polic, në Tunell banojke, në Mitrovicë polic, i shnosh njo, me musteqe. Edhe kur u hi më ka pa, më ka njoft. 

Katër ditë-pesë pa hi në grevë kom nejt me to në kafe të Bahri Kutllovcit, në çajtore, ai u konë kontrollor, Bexhet Zeqiri osht’ në Gjermani, u ikë tash, moti osht’ atje. Ato e kanë pasë rrokë në demostrata, për atë policin serb që u vra në stacion të autobusav, ai u konë në burg. Kontrollor u konë në krejt Kosovën, kështu si shef i autobusav në atë kohë. Kur më ka pa tha, “A je ti që kena nejt në kafe?” Thashë, “Po qai”, “Kuku” tha, “qysh koke lodhë, ça të paskan bo ty”. Thashë, “S’di, po kqyr bre se koma po më dhem, s’po muj m’u rrotullu as kërka, marova” thashë, “fortë po më dhem”. Kur e kqyri, tha, “T’i paskan ngjitë prangat”. E nxerri çelësin m’i hjek prangat e u rrotullova a din. Kështu si në krah e kisha atë infuzionin edhe pa hongër, pa pi, ligsht.

Thotë, “Ça me të pru, ça po don?” Thashë, “Kurgjo s’po du, veç nja dy cigare gjomi dikun edhe kallxom a më kanë nxjerrë vetëm mu, a janë metë ata?” “Krejt” thotë, “jeni dalë”, “Pashë Zotin?” “Pasha Zotin” thotë, “krejt jeni dalë”. “E falemnerës”. E dulë, m’i ka pru dy paqeta duhan “Opatija” u pike në atë kohë edhe ni çibrit a din kështu {bën sikur ndezë diçka} me kashla. Edhe mi ka qit’, i kom pi katër-pesë cigare. E u sillë, u sillë në komë, i heku ato i gjujti me automat, me pancir i gjujti, ai din u shliru edhe ai pi hekrav. Edhe thotë, “Kqyre sahati osht 11:30 i natës, ku e ki shpinë kallxom ma së pari?” Thashë, “Une e kom në Shipol”. “Sa fëmijë i ki?” Thashë, “Unë i kom dy djem”. 

Thotë, “Pashë qata dy djem që i ki, une po bi me flejt, të zgidha. Ti” tha, “dil poshtë këtu…” ma kallxojke udhën, qishtu u konë, s’e kom pasë kurgjo ato. Ai i anës Pejës dikun, a Istogut diku qanena, po këtu t’u shërby edhe ish martu këtu. Edhe thotë, “Ik, se e kena bo llaf shumë me do shokë policë dojna me lëshu punën. E pse ty me të munu boll të paskan… qysh koke bo”. Thom, “Ani falemn…” më tha a din kështu, “Ani falemnerës, niherë po mendoj” thashë. I pina nja dy-tri cigare doli ai në korridor, kur hini ai apet, unë tu pi duhan qaty edhe t’u marrë infuzion. Kur hini dy, tri herë lotët qitu ja kom pa {prekë mjekrën}, qat herë i kom besu, se s’i besojsha kërkujt mo.

Lotët i shkun, u ungj në krevet, tha, “Çu, ik, hecë pi shpije”. Thashë, “Qysh e ki emrin?” Tha, “Mustafë”. Thashë, “Pasha Zotin bre Mustafë me ditë që më sharritin me sharrë” thashë, “s’e kom njetin me ikë” thashë. “E kom vendos” thashë, “s’kom ku shkoj, ça kanë me më bo” thashë, “burgu për gjinë osht’, u kry ky muhabet s’kom ka me shku mo”. Tha, “Po më dhimësh”. Thashë, “E di falemnerës pi teje! Po dil futja gjumë dej në sabah e mos ta nin”, qishtu u konë, njeri i gjallë osht’. Edhe i ka hekë ato u ra, e ka qit’ ni karrikë kështu rezës {përshkruan me duar}, karrikë a din e te rezja, që mos me hi dikush. Gjysë në tre u konë e natës, i ka mshu dikush derës shkelëm bam-bam bam {onomatope}. Me të madhe e thej derën, u çu, i veshi ato, “Duhet m’u konë naj kontrollë” tha, “ti msheli sytë”, edhe i mshela une sytë.

Hini njo i gatë, milic, i hollë, pos m’u konë Hitleri në atë kohë, a din që e kena pa në fotografi {prekë fytyrën, kokën}, me atë shapkën, ni shushkavac [srb.: mantel] kësi të hollë, me asi ylla këtu në krah edhe erdh drejt te koma jem aty. M’i kqyri komtë, edhe p’i thotë sërbisht, “Pse e ke zgidhë?” S’po foli në gjuhë tyne. “Pse e ke zgidhë?” I thotë, “Ti ki m’u përgjegjë”, “Une përgjegjna” thotë. E të kapën aty të shahën me to, e dulë ai i mshojti derës. “O Dan bre, a e pa bre? Pashë ni Zot çu ik, bama qefin”. “Ja valla” thashë, “s’e kom njet. Ulu, flej”. Në 6:00 të sabahit janë ardhë dy vetë civilë, më kanë marrë, une me pixhame. Bile edhe uçkur a din pixhamja nuk kish, mu dufke m’i majt, m’i lidhën durët, ni paqetë që e pata e shtina në xhep të asaj pixhamës që m’i kishin veshë.

Teshat m’i kishin gju e i majsha edhe këto edhe durët lidhë. Ata njoni në këtë anë edhe prej spitalit më kanë çu me ni “Jugo” a qysh u thirrke ai kerri vogël. Aty më kanë shti, dytë sërbisht, “A je konë” tha, “najherë në burg?” Thashë, “Jo, kurrë”. “Hala s’pe dishe ça o burgu, sot ki me provu”. Ja nisën me më provoku. “Po” thashë, “edhe burgu për gjinë osht’”, “Aha, kqyre, kqyre kavalerin ky s’po dorëzohet”, vërc {onomatope} anej. Jom shku rrumbullak, burgu osht’ rrumbullak kështu {përshkruan me duar}, sikur shpuzorja, në Mitrovicë. Si shpuzorja osht’ qishtu {përshkruan me duar}, rampa nejse këtu u dalë te dera, Shefedin a qysh, Mehmet Ajeti, jo Mehmet Ajeti u konë kryetar i komitetit në Mitrovicë, vëllau i tina Shefedin, drejtor burgu u konë Shefedin Ajeti, a qysh i thojshin.

Krejt identik si ai, unë thojsha, ça po lypë ky prej komune u ardhë këtu a din, se më ka ardhë niherë i kom pasë njekë. Edhe thom, ça koka ardhë ky njeri këtu, ai thotë, “Vodi… Birne” thotë, “nonën kështu e kështu ja bofsha se atje po din me fol e këtu tash, po paraqitet. Birnani ko!” Heu në nonë më shajti, sërbisht, jo shqip, sërbisht. Hina mrena, u konë shiptar njo i Dobërllukës, u konë shiptar njo i Shipolit, Spahiu mbiemrin, përjashtë janë ata. Edhe nifarë aparati, po më kqyrin a kom najsen, në zyre me ni zyre më shtinën, une tu i majtë ato pixhamet me dorë. “P’i svirat {srb.: zhurmon} diçka, hekja pixhamet”, une e disha që brekët i kom pasë me xehe edhe njersa, kapet ruda [srb.: xehja] a po merr vesh, ajo o si plumb. “Hekja këto!” E anej, sërbisht ai veç t’u më vet, a shiptar.

“Sa vjet i ki punë aty?” Thashë, “Qishtu, qishtu”, “Çka punon?” Ai sërbisht, une shqip, ai sërbisht, une shqip, ai sërbisht, une shqip. “Fol nonën kështu ashtu ta bofsha” ni libër e pat në dorë e më rroki qitu {prekë mjekrën} edhe bi une, i mshoi tavolinës me kry {prekë kokën mbrapa}, i pari njeri ai që më ka sillë. Edhe më morën më çunë ni dhomë në parin kat, 27-sh. Aty ish konë, se më çunë si trullushëm që i rash me kry qashtu zhag më çunë. Aty ishin konë tre vetë, nifarë Sefedini i Mikushnicës, Hajri Zejnullahi i Llaushës edhe ni djalë ka Mitrovica, kish pi me ni shka kur u dalë në aksham, ja kish marrë 300 marka shkaut edhe e kish rrehë. Për qata tani e kishin marrë e kishin pru.

Edhe une u ula në krevet, krevetat njo mi njo si në ushtri. U ula ma boni njoni, “Çu se të piskasin, a të rrehin” thotë, “mos bir”. Une qaq trullushëm edhe u shtreva në krevet, tash bojshin llaf ata, une i ngojsha krejt. “Vallahi koka ikë prej spitali se koka në pixhame, koka smutë” tjetri anena, s’dishin. E prunën bukën, vakti i bukës, pat aty kësi borania [srb.: bizele], si gogla që thojnë, të kthjellta veç ujë që thojnë, dy copa bukë. “Çu me hongër bukë” çfarti anena, hiç as bukë, as hiç meta. Domethonë, katër ditë a sa u bonën pa hongër, pa pi. Kur u bo shtatë në mramje u ardhë darka edhe më ka pa, tha, “Pse s’po han bukë?” “O vallahin s’po muj as dorën me çu”. E më ka hranit [srb.: ushqy] njoni si fëminë e vogël, me lugë edhe u forcova nom pak. 

U bo shtatë në aksham, janë ardhë më kanë marrë, se ata gjithë në aksham të marrshin në pytje gjithë natën, jo ditën me të marrë në pytje, po natën na merrshin në 7:00 mramje. Më kanë çu në katin e tretë, në 47 numër, aty më ka marrë në pytje sefte, ni shiptar edhe ni shka, po ai shkau kallxoi, tha, “Unë jom i Novi Sadit kom ardhë me ndëgju gjykimin e Vllasit këtu edhe pytjet i kini qaty”. E nxjerri alltinë lujke, shtike fishekë vërc {onomatope} anej, unë durët lidhë, në pixhama qashtu tanë natën t’u më marr në pytje. Deri në 7:00 në mëngjes për ato, për këto, “Keni dashtë kështu, keni dashtë ashtu, Azemi ka thonë për ty kështu”, a din me shti përçarje.

“S’di, s’di ça ka thonë ai”, “A s’din, çu”. Nesrit dytën ditë në aksham, dytën ditë në aksham u konë ma interesant, e kish pru telegrafin, po më doket sot me pa atë njeri e ngjof, po s’e kom pa mo kurrë. Kështu me maqinë me dorë, me gishta {bën sikur shkruan në tastierë}. Thotë, “Une Ramadan Gjeloshi, kom organizu, kom bo këto, me Jahirin, me Islam Xhafën kom bo këto…” 15 faqe, e unë po ngoj, po rri mas dere qashtu. Ai shkrujke edhe më kqyrke kajhere që kishe bajagi me kundërshtu unë, une hiç, veç p’e ngoj. Trap e trap e trap e trap {onomatope}, “Ami ato” tha, “zotëri” tha, “nënshkruje” tha, “qitu” {afron një letër}, shiptari. 

Thashë, “Ça me nënshkru a bon me ditë?” Tha, “Qy-qy edhe po më zezat a? E ça fola dej qetash?” Thashë, “S’di ti me kon ke folë, me mu jo” une. Tha, “Merre qet’ laps” tha, “nënshkruje edhe ec edhe pshton lehtë”. Thashë, “Ti e ke shkru, ti nënshkruje, ti anej e jo une”, “O” tha, “nonë e kështu ashtu” u munu me ma hi përpara, unë i afrova komët, e me thembër të këpucës këtë mishiqin [srb.: muskulin] këtu {prekë barkun} frymën ma nali, pesë minuta e di që m’u nalë fryma. Edhe kom nejt qashtu, e pa edhe ai ça boni, “Sa fëmi” tha, “i ki?” “Dy djem” “Heu nonën edhe të fëmijëve se ke bo shkije e s’di çka”. Veç më ka ardhë zor e te kom rrokë shkelëm, prej përpara e në kungull të kresë. 

Në ata u hi Nexhmedin Ajeti, djali i Mehmet Ajetit edhe ky që kena lypë dorëheqje, ata vllazni. Mbiemrin krejt vllazni të lidhun. E u hi djali i Mehmet Ajetit që u konë në Komunë të Mitrovicës edhe ka piskat “Upomoć” [srb.: Ndihmë] i kanë shti tre vetë me maska, tre vetë edhe s’besoj edhe ata jonë konë shiptarë, a din qashtu jom i bindun. Edhe zhag qashtu teposhtë, Ramadan Dedija polic u konë hala s’e kish lëshu punën, tu u ngjitë shkallëve më kish pa, kish ardhë në ndrrimin e tretë. “O Dan Gjeloshi ça u bo?” “Hajt se krejt ju çetnikë jeni, he nonën”, më çunë atje, anena në dhomë ditën. Po më marrin, erdhën apet, vike… rrumbullak që thashë si shpuzore, vike kerri në tjetrën anë këtu u konë dera, pi dere drejt në kerr përmas më shtishin që mos me të pa hallku.

Përmas e në gjykatë as s’më kallxun, dy komandira i shtishin fishekët anej në alltia, për krahësh e aty nalt më çunë në gjykatë. Ma kish pagu mixha, se baba ligsht, e mixha ni advokat Gjurhan Demën edhe kur më shtinën niherë në gjykatë ai s’kallxoj që, “Unë jom mbrojtës” a s’deshti, a varianta e tij s’di qysh u konë. Edhe ka dashtë me më ble çfare jam a qysh a. Edhe ishin konë dy shkije knena, ky Gjurhan Dema ish konë kho ulun, unë jom konë me këta komandira ulun te dera. Edhe ja nisi ai shkau knena-anena, “Keni shkaktu dame në minierë, tri ditë e tri netë, keni bo humbje, prodhimi qekaq, qekaq miliona, qekaq anena”. A din, që na kishin gju damin anena, se për shnetë tonë s’e kish gajle. 

Foli, foli, “E kini prishë vllaznim-bashkimin, e kini prishë qetësinë, e kini prishë këto, jeni kundërrevolucion, jeni kështu” në fund, “Fol” tha ai tjetri. E une sërbisht thashë, “Sve što si pročitao to su laži tvoje” [srb.: Të gjitha që i ke lexuar janë gënjeshtrat e tua], krejt i ki rrena tua. Ai, “Kujt p’i thu a din ku je?” U çu në komë, u çu qatherë Gjurhan Dema ma ka bo, “Ulu, Gjelosh”. E ti kthehet atina gjykatësit, edhe me ni libër, “Në këtë nen, e në këtë nen. Gjelosh” tha, “unë jom avokat i yti se veç dashta me ditë kush je e çka je, e ça po ju thu”. E pa që po koçiti unë, e shajta une, dola prej takti, ma zi s’kom ku shkoj thashë. Njeri i ri s’po dike me u tutë. Edhe thotë, “Ti prej këtij momenti ki mu konë në heshtje, ti me folë” tha, “mo hiç. Ti” tha, “ki m’u mbrojtë në heshtje, unë jom këtu”, “Përhajr koftë po e lomë qashtu”. E më murën më çunë apet në burg.

Si jom shku atje ma kanë pru vendimin tre mujë ditë paraburgim. Na e pruni ni vendim tjetër nenin 141 kundërevolucion, tash dikush thojke prej pesë deri 15 vjet burg. Na vazhdum, dy mujë, ni javë nejta me qata tre, si më denun më çunë mu të vetum, në vetmi, në tretin kat. Prej atyhit në tretin mujë kur hinëm, na e prunën vazhdimin e paraburgimit sot në mëngjes, na e prunën edhe tre mujë ditë vazhdim paraburgimi, e qat’ ditë ma prunën Sabri Beqirin e Dubovcit, pi tjetrës dhomë ma prunën në dhomë tem. Kur hini po ma bon shttt {onomatope} {vendos gishtin afër buzëve}. Si hini në derë, unë u gëzova kur e pashë, vetum dy mujë ditë. “Ça u bo?” “Kanë shti diçka me na ngu”. Thashë, “Hajt morë në rrotë somës, po çka ki?” U tutke ai tjetër sen.

I qita cigare, e llaf kadale s’guxojke me folë, unë dikur ja nisa knojsha, e nijsha poshtë Avdinë shetitke keshin kur dalshin në shëtitje. Aty kom pa katastrofë, e kanë rrehë bre ni femën që shpirti ka dashtë me më kupë. Ajo bistekun dej këtu {prekë shpinën} studente në atë kohë që e kishin nxonë, e kishin pru këtu në Mitrovicë. E a herë dalke e knojke kongën këto, “Oj Shipni ta lumsha synin” a qysh u konë ajo kongë, ajo e knojke kuq e zi veshun. Më doket Havë [Shala] e ka pasë emrin, e Pejës a, e anës anena s’di e kahit u konë, kom ni në Zvicër u shku a dikun edhe gruja e Ferat Shalës u konë qaty me to në burg, qekjo Sala më dokët, atëherë kur jom konë une aty. Edhe sa herë e qitshin, e denojshin pesë ditë, ni javë s’e qitshin, sa herë dilke në shëtitje ajo e knojke atë kongë. E tash ja bojsha Sabrisë, “Ngo kush po knon e ti këtu po mërzitësh”.

[Këtu ndërprehet intervista]

Ramadan Gjeloshi: Ai s’erdh mo në minierë, ka vozitë shofer në komunë, ai Sabria edhe ja u bonë shokëve, “Ky u ra e më ka pshtu se pat me më lëshu shpirti aty. Qaq më vike munim, m’u nxanke fryma” thojke. Po s’di me qeto gjeste të mia, knojsha dikur, e qita në ler që thojnë, mo për kërkon hiç.

Pjesa e Katërt

Ramadan Gjeloshi: I krytëm tre mujë, na erdh vendimi në sabah herët, vazhdim paraburgimi edhe tre mujë ditë, në njejtin ven. Sabrinë ma prunën dy javë me to bashkë u bonën, ai e kish pasë Bajram Kelmendin të ndjerin që u dekë, e kish pasë mbrojtës. Ai atë ditë, Bajram Kelmendi tha, “Çonu” tha, “dytë, ju kanë ardhë mbrojtësit”, u konë ni zyre aty shkumë dytë. Thotë, “Kqyre une erdha prej gjykatës në Prishtinë” thotë, “Ekrem Arifin e lirova”, thotë, “Prej nesrit edhe ju dy jeni në liri”. “More zotëri avokat vendimi osht’, e harrova në dhomë me ta pru, kena me vazhdu edhe tre muj”. 

Thotë, “Kjo ka marrë fund, gjyqi suprem i Jugosllavisë falë Zotit” tha, “u qëllu kroat, gjyqtari atje, ai” tha, “ju liron juve, se këta” tha, “me ju liru kurrë, pa ju dënu. Po falë Zotit ai u qëllu atje edhe ka thirrë për gjykimin këtu, ‘Ç’a u bo me atë grupën e dytë’ thotë, ‘Serbia ja ka… neni 114’”, i kallxon ky qishtu, qishtu. Thotë, “Ata prej nesrit duhet m’u liru. Une p’i liroj” e thotë, “ju prej nesër jeni në liri”. “Hajde përhajer koftë!” U konë nifarë, po harroj, nifarë Zeneli që çelke dyer, komandir i aty burgut, ishalla atë njeri e pshton Zoti kudo që osht’, në Suedi osht’, kom ni, s’e kom pa mo. E vllavi tij ka punu me mu, ai kish punu në burg, unë s’kom ditë. Kur jom metë pa duhon s’di sa herë më ka dhonë duhon tinxa, “A bon me ditë bre vlla kush je?” Veç ma bojke shttt {onomatope} {afron gishtin te buzët} edhe ecke. Natën e vitit ri, kur u konë viti i ri që hinëm, ‘89 në ‘90-tën, a qashtu ‘90-tën tash.

Anita Susuri: Po.

Ramadan Gjeloshi: Edhe na e pruni bukën në aksham edhe po ma bon {tregon me dorë gojën} “Jo” përmas komandirit, serbit. Se vishin ka dy, nata e vitit ri ishte edhe atë natë kena majtë grevë urie, krejt që jena konë rrumullak kështu në rreth, jena konë në grevë urie. Edhe ‘90-tën u konë kjo, viti ri ‘90-tën që jemi hi, jemi konë atë natë grupa e parë, edhe grupa e dytë në grevë urie, s’e kemi hongër bukën. Nesrit, nesrit në aksham na ka ardhë Shera me pesë-gjashtë komandira, me ata pendreka në dorë. “Ti” tha, “je Ramadan Gjeloshi?” “Po” thashë, “vet”.

U dufke m’u çu në komë, m’i hapë komët edhe durët përmas kur vike dikush, reni u konë qashtu. Thotë, “Ti” thotë, “17 vjet burg kysmet”. Thashë, “Përhajr koftë, falemnerës!” “Pse s’e ke hongër bukën?” Thashë, “S’kom dashtë, m’u konë në shpi teme vitin e ri e pres e po ta ha bukën në burg. Hajt bre mos bo hajgare”. Tha, “Të rrehi të boj llom, mos m’thuj ashtu”, thashë, “Bon ça dush”. Ata përmas {vendos gishtin afër buzëve}. Shkoi. Ish konë grevë urie, tani e kishin shpallë këta avokatët që minatorët mrena që janë në burg janë në grevë urie e sene. Tani vjen ky prokurori Ramadani mbiemrin bre, i Suhadollit, tha, “A po të ngucë kush?” Thashë, “Jo”.

Thotë, “Prej nesër keni me dalë në liri Bajram Kelmendi”, “Ani bre zotri advokat neve na vazhdun sot” “Murr fun”. Kur s’flejtëm atë natë me atë Sabrinë, t’u pi duhon, t’u bo llaf, erdh atëherë në 7:00 sahati, se atëherë e dishim kur osht 7:00 sahati, në 12:00 edhe 7:00 aksham, sahat s’kishim kurgjo jo. Ata na e dhezshin dritën, na e shymshin dritën, mshelë s’dishim sen. Nejse s’e murëm bukën, e murëm po s’e hangrum, erdhën në 12:00 hiç, e aty dera osht’ pesë cantin osht’ nalt, te çdo dhomë a din, pesë cantin, edhe erdhën kallabllak u nijshun këpucë te dera jem aty. I thom Sabrisë, “Çu se te na”, u çumë, qai Zeneli që më jepke duhon përmas tyne po ma bon {lëviz dorën} pi shpije, që kishe po ju lëshojnë, a din?

Edhe thotë, “Merrni ça i kini senet” ai sërbi qaq katil, tha, “po ju çojna për Nish” tha, “Ani”, thashë, “alemnderës”. I morëm senet, duhan e peshqir e çka kishim prej shpije që m’i kishin çu a din, anena. I shtina me ni llastik, më kishin pru prej shpije a din kësi bunda të “Trepçës” se ftohtë aty i marshum, se rrishum. E u vesha, përjashtë, e dulëm në korridor i madh aty, prej kësaj dere {tregon djathtas} më qitën mu, prej tjetër dere Azem Azemin {tregon majtas}, prej kësaj dere Sabri Smajlin {tregon përballë}, prej kësaj dere Miran Beqirin. Domethonë, jena konë aty, osht’ interesant aty, osht’ i komplikum si burg, shtirë o me dalë prej aty.

Edhe kur dulëm une Sabria edhe Azemi i treti, qeky Miran Beqiri i katërti. Kur po del po më kqyr, tha, “A je ti Dan Gjeloshi?” Thom, “Vet”. Se ai u konë tjetër ndrrim, na shumë punëtorë emrat s’ja u kom ditë, ato e kanë munu për mu. Ke nejt me Danin, s’po din kush o Ramadan Gjeloshi, ato e kanë munu shkijet, me nxjerrë informata për mu, me kallxu ai diçka. Thotë, “A ti je Dan Gjeloshi?” Thom, “Po, vet”. Ma ngjiti për qafe, ai i moçëm, ja nisi po kanë si fëmija. “Çka ki bre Bajram, mos të shohin shkijet, çoje kryt”. “Vallahin më kanë munu bre shumë”. “Ajt leji ato muhabetet” thashë, “po hecim për shpie, në rrotë somës, leje ato” kajke në zo si fëmijë.

A din, s’më ka ngjoft, s’e ka ditë kush jam, krejt tjetër ndrrim jena konë. Une në ndrrimin A, ai në ndrrimin D. Nashta jena pa në restoran, emrat s’ja u kom ditë, gjysës s’ja kom ditë, të shumtëve s’ja u kom ditë, veç ndrrimit tem. Edhe dolëm e qitën qato Ragipin prej Kqiqi ma së pari, kur dulë, “Ka njo” thotë Shera, “s’bon me dalë”. Demostratat ishin në stacion të autobusave, llugë, kishin kallë guma pi Tunelli, na s’po dimë sen mrena. Dulëm, kur dulëm ja çeli ai milici rampën, ajo rruga u konë e SUP-it këtu, që na marrshin në pytje, nalt me dalë në këtë rrugën kryesore, tjetra rrugë u konë poshtë, dulë ai tipi veç u sillke, s’dike ka me shku.

Edhe mu të dytin më lëshun edhe p’i piskas prej mrena unë, “O Ragip, ça u bo?” “Më ka hupë udha, s’po di ka me shku” thashë, “Prit”. Vallahi po qishtu u konë, “Prit” thom, “hajde” kthehet. Kur t’u dalë unë ni polic osht’ goxha i naltë në Mitrovicë, ai farë polici, me pushkë me shlem të hekrit, ato maskat shkitë që i kanë pasë të ushtrisë, ma boni kadale, “Ej djalë a i keni letërnjoftimat?” “Jo” thashë. Tha, “Kthenu merrni se ka demostrata poshtë e i nxojnë tjerët, mos më kqyr” tha, “veç hec drejt”. Ai t’u kqyr, drejtori burgut që e rujke burgun. Edhe i thom, “Paja kho” a di, “Çka, ka po shkojmë o Dan?” “Hajde knej niherë, pa lëternjoftima s’bon”. Kish dalë Shera, ai drejtori ma bojke, “Ku po don knej m’u kthy? Ec për shpije!” “S’du m’u kthy” thashë, “ama letërnjoftimin”. Ata kqyrshin, “Ça u bo me Danin?” S’dishin pse jom kthy.

“Letërnjoftimin” thashë, “e du”, “Kur të vjen Pera”, serb ai, që i kisha do pare, sahatin, që m’i kish çu familja paret, “I ki” tha, “e merr edhe letërnjoftimin”. “Ja, ja, qetu kena me nejt dej në akshom dej të na bish letërnjoftimet”. E thirrë ai në telefon shkaun, na i dha. Anej ata, “Çka u bo?” Ju kallxova kadale thashë, “Qishtu, qishtu puna” tani tha “Hajde ka dy me dalë”. Kur i morëm letërnjoftimet edhe do aty që i kishin çu familjet edhe dulëm ka dy. Sabri Smajli me njo, une me Azem Kqiqin, sikur çdo 20 metra na lëshun. Kishin dalë plot nëpër banesa, gra e burra, piskatshin, e kishin ni që na… kur u lëshum teposhtëze, ish dalë bash njoni që ish konë dëshmitar, nja 27 faqe kish shkru për Sabri Smajlin, 13 faqe për mu, domethonë keq kish shkru a.

E kish qëllu tha, “A ju lëshun a? Shyqyr”, t’ja bon ky shoku, “A edhe këtu më paske dalë a?” Ai njeri hupi, në Suedi osht’. S’u ardhë kurrë mo. Edhe kur vijmë të stacioni i autobusav me shku për Shipol, ky Sabri Beqiri për Vushtrri, Sabri Smajli iku knej për Rashan, u ardhë për “Trepçe”, demostratat e kishin blloku Tunelin, e kishin blloku për Shipol anena. Gjun dikush me guri në këtë anën e djathtë prej Tavniku e të na flugën ishin konë 20-30 kompanjolla mrena t’u nejt për me dalë. I gjujnë me gurë këta demostrusët, të na flugën. Qysh me nga o vlla, të ngujum, kondicion hiç, kaja nonën. 

E t’u nga ma ka ngjitë qeky Halit Istrefi që e përmena që ka çkru, a din, kërkesat. Ku më ka pa qysh edhe ma ka ngjitë për dore edhe ja nisa unë me ikë prej qytetit. Jo prej Shipolit, prej shpije, po knej, mos me të kapë, se të kapshin. Sabri, Sabri Beqirin e kanë nxonë. Tha, “Po shkoj te ni motër në Tavnik” dy bri ja kanë thy atë ditë edhe e kanë çu apet atje. Ja kanë bo, “Ku ke dashtë me shku?” “Për shpie”, “Pse ti në Tavnik?” “E kom motrën”. Kur e kanë rreh mirë, e kanë kry punën e vet ja u ka kallxu vendimin që u liru, anena, qat’ ditë. 

E më erdh ai e kisha harru udhën, ky tash dilke në Bajr, e para Tunelli, e ajo rruga që shkon për Vaganicë, më qiti në Shipol. Në ni dugoj u nal me ble dy kese bonbona, ato bonbona edhe fëmija mi sot i majnë kujtim veç që e dinë, “Babë kur jena konë të vogël prej burgut na ke pru bonbona”. Qai Haliti m’i ka ble, “Ça po të vyn ato?” “Çoja fëmijëve, dy fëmijëve të vogël”. E m’i blejti dy kese. Shkova në shpi, as s’ka ditë nona, as s’ka ditë kërkush që shkoj atë ditë në shpi, hiç, hiç, hiç. Sot, bile djali në polici punon këtu në Mitrovicë. Thotë, “Babë veç e maj në mend bombonat kur i ke pru” e di që ke dalë prej burgu.

Korab Krasniqi: Kur shkove në shpi kon e takove?

Ramadan Gjeloshi: Nona ish konë fikall vetëm, shoqja ish konë, nejse miqtë atëherë i kom pasë gjallë, ish konë te nona e vet. Se tha shoqja, “Ngojsha dikush thojke, ‘Jo kanë mi dënu ka 20 vjet, jo dikush 30 vjet, jo dikush qishtu, jo s’kanë m’i lëshu, jo kanë m’i prishë qishtu tani’”. Fëmija, këtë Valmirin, djalin e dytë e kom pasë ni vjeç e gjysë, e veç ja kish nisë te dajtë e vet me folë. T’u i thonë ata atje, “Hajde te daja, hajde te daja”. Kur i kom marrë atë ditë në aksham, se nuk shkova niherë as te fëmitë as te shoqja, nejta me nanën aty. Hongra bukë shlirë, tha, “Ça po don?” Thashë, “Veç ni copë bukë, e ni copë djath” thashë, “kurgjo s’po du tjetër”. E hongra mirë m’u dok…

E kur ja nisi m’u terru a din, se kishin demostrata s’kisha qef me më pa a din, me dalë më vike keq besa. E shkova kur u terru në aksham, i mora, nejta, piva ni xhygym çaj te vjehrra, nejse, i mora fminë. Pasha Zotin në Gjermani e kam këtë djalin e dytë, a din si boj zo, shkoj te televizori, e kqyrke, e kqyrke shpinë {shikon përreth}, kqyrke, i vogël dy vjet e gjysë, gati dy a s’di sa i ka pasë. E kur ma ka bo, “Dajë lëshoma televizorin” toka mu ka dridhë, veç ni Zot e din.

Korab Krasniqi: Sa p’i bjen që keni nejt?

Ramadan Gjeloshi: Tre mujë, tre mujë e nanë ditë a qysh na ra, tre mujë e nonë ditë. Tani jena konë na nën hetime shtatë mujë e gjysë.

Korab Krasniqi: Çka ka ndodhë?

Ramadan Gjeloshi: Tani mas shtatë mujë e gjysve… se erdhën në shpi na i morën pasaportat e ato e, po iku dikun a diçka. Gani Rexhën e kena pasë gjykatës, mas shtatë mujë e gjys kena dalë në gjyq, erdh Burhani, erdh Azizi, erdhën për gjykimin tonë se ata u lirunë para neve. Edhe erdhën në gjykim aty te na, e une e kom pasë nifarë Rushiti punojke në “INA” ai e njifke familjarisht atë gjykatësin tonë. 

Edhe i thom, “Kallxom që e ki njetin me na denu t’ju kallxoj shokëve edhe po ja shkelim, po ja therrum dika”, që s’e ki njetin po të vijmë tonë aty. Kish thonë, “Besën e Zotit, shiptarit, une me ju dënu jo përjetë”. Gani Rexha, sot avokat osht’. Edhe ju thom shokëve që, qishtu, qishtu thom, “E kom ni lajm” edhe kish thonë ai, “Edhe kur t’ju lirojnë me ikë se kanë me ju marrë apet. Ikni, ka të doni, ikni m’u mshef, a në dorë tyne mos bini”. Na ka liru e majë në mend si sot, ramë në gjykim anena, erdhën dëshmitarët. 

Korab Krasniqi: Çka u konë akuza e juj?

Ramadan Gjeloshi: Akuza? “Ja gjallë, ja vdekun, gjallë nuk dalim pa u hekë drejtorat me dhunë, njo. E dyta na kanë gju prodhimi që ka hupë tri ditë e tri netë, dy. E treta, e kini prishë qetësinë, e keni prishë partinë” a ça janë konë ato, komitetin serb e keni… rahatinë e zhurmën e kundërrevolucion, neni 141, tash merre ti kqyre në atë kohë çfarë neni u konë.

Korab Krasniqi: I keni pasë edhe dëshmitarët?

Ramadan Gjeloshi: Po dëshmitarët, dolëm në gjykim, u ulëm, erdh Qazim Shala, neve na thanë advokatët, “Në heshtje”. As nuk na kanë marrë pare avokatët, veç herën e parë niqin euro Gjurhan Dema, tani ky Bajram Kelmendi ju kish thonë, u konë Xhafer Maliqi, Avni Gjakova, Gjurhan Dema edhe Bajram Kelmendi që na kanë mbrojtë, kanë thonë, “Pare mo s’guxoni me ju marrë ktyne”. S’na kanë marrë pare, na kanë mbrojtë. Ata janë konë në atë anë {tregon përballë}, na të dhetit tonë, hinëm. I thirri dëshmitarët, e thirri qet’ Qazim Shalën, tha, “Qishtu, qishtu” tha, “po këta kanë bo kështu anena, po s’kom ditë qysh u konë anena hesapi une” a din, niske tani m’i hongër fjalët e veta. Ky Muharrem Misini i Prekazit, ky i moçmi u çu, se neve na thanë, “S’keni drejtë me folë” U çu, “Mos rrej” tha, “ni zog që u hi në ‘Trepçe’ aty ti e ke pa, e ke ditë kush osht’ ai. Pse po rren burri plak?” Piskatën, “Ulu se s’bon me folë”. Hinën në heshtje e na lëshoi mbrojtjen, na liroi në emër të popullit, na lëshoi vendimet. 

Korab Krasniqi: E mas gjykimit mandej çka ka ndodhë? A keni mujtë m’u kthy prapë në punë a?

Ramadan Gjeloshi: Mas gjykimit po tregoj. Mas gjykimit u formu ni Parti e Unitetit Kombëtarë në Shipol, une u zgedha kryetar i Shipolit, 220 anëtarë i kom pasë. Asman Tmava, nashta keni ni që vdiq ai gjykatësi, ai u konë në qat’ grup. Sahit, në prokurori osht’, Sahit, u konë në grup temin, Ahmet Tmava në grup temin, Sahit Tmava, ky Xhevdeti i Kushtovës ai gjykatës tash osht’, krejt. Domethonë, kur kom dalë prej burgu jom konë kryetar i Shipolit, me vula, me tona me krejt, me libreza. Tri herë erdhën policia në mëngjes me më marrë, tri herë ju kom ikë. Edhe i thom… se i lojsha në banjo ni karrigë gjithë, se une edhe pa qef anena {tregon shpinën}, se unë jom konë qiri po prej grevës dytë e anena jom kështu. 

Edhe i lojsha, si i pajsha karshi e kom pasë shpinë, poshtë sakaku u konë, si e pajsha te dera, une karrigen në prozore [srb.: dritare] se e kom pasë të banjos të madhe nafaka, ni kojshi në oborr, e dalsha në tjetër rrugë, dalsha te furra e Shipolit. Tri herë, e pashë që s;o reni, Selman Gashi që osht’ në gjykatë edhe shkoj ja dorëzoj me vulë, e me librezë e me krejt. “Kqyre” thom, “une s’muj mo kështu, vendosa me ikë për Gjermani”. Me 23 maj [1990] jom nisë për Gjermani. Pasoshin ma ka nxjerrë Latif Berisha, i ndjeri edhe edhe edhe Osman Tmava, dytë jonë konë. Thashë, “Osman” e ka pasë zyrën këtu te Kovaçët ju thojnë, ish konë Latif Berisha, “Hë Dan?” Thashë, “Kqyre vendimin që ma ka shkru Gani Rexha, a kom drejtë për pasosh, a guxoj me nxjerrë se ma kanë marrë” thashë.

Tha, “Ama ti qato e kom nifarë Zhubi atje, mujsha përmes tina po ta nxerri”. E marr vendimin, anej m’i kish ndreq krejt, e prunën te komuna qitu, ma ndreqën pasoshin krejt. Me 23 maj, une i kom hypë autobusit për Maqedoni. Kur jom shku në kufi të Maqedonisë me shoqen, e kisha Blerim Shala që e ka shkru “Zërin e Rinisë” pesë-gjashtë faqe për mu, i kisha pesë “Rilindjet”, i kisha pesë “Rilindjet” që kanë çkru, tani lajmet që dalsha në gjykim. Kisha materiale, e kisha kasetën këtu çka kanë inçizu gjermanisht për miniera, ku jom unë t’u folë poshtë. Krejt ato edhe me veti thojsha me marrë, më vyn në Gjermani.  

E shoqja në pojas [srb.: rrip] i shtin me gazeta me kaseta, krejt për okolla, i thom, “Rri ti qatje me fëmi, une po rri qeko përmas në autobus vetum”. Edhe kur shkum në kufi në Maqedoni i thashë shoferit me na nalë, se më tha njoni, “Të pres aty. Të qes” tha, “me komë të mia prej aty autobus”. E në Maqedoni “Grand” i thojnë ku më çoi, te “Grandi”, a din. Sot tybe s’e di ku osht’. Prej qatyhit i pruni letrat i hidisi ai shoferi, me pluhun që kapërceva malit, u bona me grunë me fminë e vogël drejt në Rumani, Bugari, Çeki, dulëm prej Çekije dul njeri më mur më qiti në Gjermani.

U paraqita azil në Karlstrom, prej atyhit më çunë në Ulm, ni java ditë, pi Ulmit më çunë në Balingen ni qytet. Kur u bo gjashtë muj i fitova letrat, pasaportat gjermane, i fitova letrat. Ma gjetën ni punë ata meniherë, unë s’mujsha me thonë jom smutë, jom kështu, t’u dufshin lejet. Hina ni fabrikë qaty, e shtyva nja 16 – 17 muj diqysh edhe u nalë lufta. Tetë vjet nejta, tetë vjet, qysh jom shku ‘93-tën, 2000-tën për vit të ri jom konë në shpi. Domethonë, katër-pesë ditë pa hi në 2000-tën a, jo 2001-shën hijshëm. Erdhëm në Kosovë, erdhëm për ni javë – dy, se i mora letrat, me kerr e me fëmi.

Anita Susuri: E pse vendose m’u kthy?

Ramadan Gjeloshi: (qesh) Erdha në Shipol, kur edha në Shipol hina në sokak, i lëshova dy djemtë. Tash masi po vet, djali i madh i pat 14 vjet a s’di, ky tjetri, 17 muj ndërmjet, e i qita në qysh aty po thom, “Dilni babë edhe ngani” as s’ju kalloxva në shpi që po vi, mas sa u bonën tetë – nontë vjet pa konë. Ju thom, “Gjone shpinë”, se e kisha shpinë une këtu. Vëllau, tjetri vëlla, katër shpija ren. E ngajshin, e ngajshin 50 metra, unë në kerr me grunë, thanë, “A o qekjo, a o qekjo?” 14 vjet djali, “A o qekjo?” Ja nisëm unë me shoqën dytë po kajmë. “Vallahin” thotë, “kurrë s’ka shancë mo m’u kthy për anej. Bukë e kryp qetu kena me hongër”. Edhe vendosëm, s’u kthym kurrë mo.

Korab Krasniqi: E djali ma herët e përmene që osht’ jashtë.

Ramadan Gjeloshi: Ky tash u shku, vonë u shku, qe shtatë-tetë vjet po. Edhe mo nuk shkova.

Anita Susuri: E mas luftës a jeni interesu mo me u kthy në “Trepçe”?

Ramadan Gjeloshi: Po neve na ra tetë-nonë vjet pa ardhë, lufta, shoqës ja mytën, ja masakrun mixhën me dy djemtë. Shpinë atje ja kishin kallë, familjen llom, dy pleq, baba i diq tash vonë, nona ma herët. Mu plaku më kish dekë, veç nona metë. Pa konë kurrë, fëmija mos me ditë shpinë kjo osht’… edhe vendosëm mos m’u kthy mo. Në punë jom konë e me tonat, bile kom pasë pare i tubojsha anena që e kom maru qet’ shpinë. E nifarë Abdyl Muqiqi i Podujevës, ato e falenderoj sa të osht’ gjallë, më ka nimu nëpër mjekë si përkthys atje, se jom konë smutë. 30 inekcione m’i kanë dhonë prej qafës e deri te bishti që thojnë. A din kurrizi qysh osht’, njo knej, njo, knej, njo knej {përshkruan me duar} deri m’i kanë nalë dhimtët se kom pasë dhimtë të mdhaja.

Anita Susuri: Këto e ki krejt prej grevës?

Ramadan Gjeloshi: Po, prej grevës, prej grevës dytë, prej grevës dytë. Më kanë munu fort mu, prej krejt grupit ma së shumti mu. 

Anita Susuri: E qysh u ktheve ti në “Trepçe” me punu?

Ramadan Gjeloshi: U ktheva, erdhëm që thashë, se po harroj. Ni muj a dy para hini KFOR-i, hini KFOR-i, u kthyn prej Shipnie vëllau me gru, nana. Kur u kthyn thashë garant s’kanë as harxh, as kurgjo. E marr ni kerr ni “Gollf 2” e blej e ja heku karrikat e mushi që thojnë, zejtin e si na shiptartë çka pajsha me sy. Ja kom hekë karrigën, kur jom ardhë këtu tona të mirat ishin konë. Erdha fikall vetëm, erdha në shpi nejta veç pesë ditë. I pashë edhe u ktheva, po më hini në kry, aty ku e kom pasë oborrin bari deri këtu {prekë gjoksin}, dritaret e thyme, llom e kishin bo, llom. 

Çka kom pasë sene asnjo, krejt në tokë a që i kishin pasë marrë. Edhe u ktheva mo më hini në kry ka shkojsha. Njo, dy tani ma bojke shoqja, “Ti je konë” thojke, “në shpi, kallaj për ty s’po mërzitësh”. Në aksham t’u pi çaj, hangrëm darkë, t’u pi çaj jena konë, “A shkojmë?” “Shkojmë” “Përhajr koftë!” Teshat në maqinë i ka lonë tu u la, veç qato të rejat i ka qitë në gepek edhe jom ardhë, krejt senet i kom lonë atje. Mo s’jom kthy hiç, hiç, hiç. Edhe të nesrit ish xhuma mrrijta, që the qysh erdhe këtu, p’e lidhi dola në qytet të shtunën në Mitrovicë. Kafe s’kishe ku m’u ungj, mshelë, “Njo” thanë, “qatje osht’”.

Gjinja me mjekrra prej lufte që s’i kishin hjekë. Edhe u pshteta qaty karshi xhamisë, nifarë bandere u mbështeta e veç po kqyri s’e ngjofsha kërkon. Ça u bo kështu krejt me mjekrra, pse? Kur bash qeky shoku jem, perenija e çon qet’ Azem Azemin, të ndjerin që vdiq. Edhe m’u ka afru ngat, tha, “O djalë pse s’po folë?” Thashë, “S’po të ngjo”. Ja ka nisë me kesh, atëherë e kom ngjoft kush osht’ e jena përqafu. Jena shku te ni kafe Sharraxhitë tash aty rrinë, ish konë qajo çelë, jemi ulë qaty jashtë. Thashë, “Ça po don me hongër, ça po don me pi?” Tha, “S’po du me hongër, veç që të pashë ty boll osht’”. E po m’i kallxon vujtjet e veta për luftë, ja nisi. 

T’u nejt u ardhë Shyqyri Kelmendi, tash që e kanë zgedhë qeto në bord, me ni çantë ish konë. Tha, “Edhe une jom ardhë prej Durrësi dje” tha, Shyqyri Kelmendi. “Ku je o Gjelosh” se Gjelosh herë më thirrshin, herë Dan. Thashë, “Qe drejtor qysh je, çka je?” Ka i pije ja çova, thotë, “Kqyre” thotë, “e kena bo prom ni mledhje shpejt e shpejt” thotë, “grupi parë” thotë, “m’u kthy në punë meniherë” thotë, “ti je në regjistër. Ku je konë dej tash?” S’i thashë në Gjermani, thashë në Shipni edhe une, a din. 

Thotë, “Të kom shti në regjistër” “Përhajer koftë, kur duhet me ja nis?” Tha, “Ma së largti mrena dhetë dite duhet me shku me riparu, e duhet anena, duhet kështu. Ti e din qysh u metë”. Thashë, “Përhajr koftë, drejtor!” Shkoj në shpi në aksham i thom grusë, “Kqyre na me shku jo, po unë edhe dhetë ditë po ja nisi punës këtu. Po të luti a po don anena a knej?” “Vallahin anena kurrë” “Përhajr koftë!” Edhe qishtu mas nja 15 dite jom lajmëru këtu poshtë edhe ja kena nisë punës. Nejse pastrime e sene, u tubun Burhani e anena e, qishtu.  

Anita Susuri: E “Trepça” në çfarë gjendje u konë, miniera?

Ramadan Gjeloshi: Pihhh {onomatope}, e kishin pa shfrytëzu ata, ato xehen ku u konë ma së mirti, ma së kallajti a dinë hazër kështu, çka kishin mujt kishin marrë. E kishin pasë shfrytëzu shumë edhe kështu që vazhdova me punu këtu. E ky djali i dytë, se i madhi kryti tetë vjet shkollë atje. Atje osht’ katër vjet si te kryjsh të çojnë dy-tri kat ma nalt. Ai i kryti krejt ma të mirat ato, m’u kanë dhimtë ata ma shumë. M’u ka dhimtë, sot ai i madhi, i dyti tash në polici osht’, ja ka çu garancionin me vizë pune a qysh osht’, qe dy vjet. Me ni fabrikë osht’ t’u punu në Gjermani “Krombach” edhe qishtu, ky në punë osht’, ai atje familjarisht osht’. 

Më thotë, “Babë”, ja nisi me punu në Koshtovë, ky djali e kryti shkollën e mesme, ky i dyti Valmiri edhe tha, “Une këtu nuk martona, po ta jap fjalën” tha, “me ni komë, me ni dorë ko me marrë e qitu në Kosovë s’martona kurrë, hiç” tha. “Gjuhën e di krejt” se i kryjtën shkollat, gjuhë të huj e kanë pasë anglishten. Kur vijshin gjermanët këtu në polici djali përkthys, s’kish nevoj gjermani, as amerikani anglisht se i dinë gjuhët. Fakultetin e ka kry 380 euro i merr, osht’ staf civil, nuk ka ku shkon ma naltë, veç me shku në Prishtinë, po thotë, “Larg”, e qeshtu.

[Këtu ndërprehet intervista]

Korab Krasniqi: Dashta me të pyt për 17 shkurtin 2008-tën, vjen dita e pavarësisë së Kosovës, qysh e ke përjetu qat’ ditë?

Ramadan Gjeloshi: Une gëzim ma të madh në jetë tem s’kom pasë. Qeky djali që o në polici më ka zonë t’u kajt, tha, “Babë çka ki?” Thashë, “Po babë për qeto sa gjaku u derdhë, sa njeri osht’ plagos në ushtri, ushtrinë JNA, sa njerin në sandëk e kanë pru” thashë, “ti s’e dinë i ri je. Sa njeri” thashë, “u burgosë, sa njeri” thashë, “çka s’kanë bo këta, sa gjaku u derdhë” thashë, “për këtë ditë të sodit, për qet’ Kosovën, për pavarësinë tonë”. E s’po di, sikur të lind dielli për së dyti, a s’di qysh me të thonë, kënaqësi ma e madhe. 

E me ardhë puna (qesh), me ardhë puna nërmes veti kështu. Po i lo tash ato po kthena këtu në minierë ku jom, vallahin premten erdh thashë, “Vallahin s’ki qare për tri ditë” tha, “Të premten ko me shku me bisedu me atë ministrin”. Thuj, “Tri ditë, katër ditë i ki afat”. Krejt punëtorët prej vitit 1955 çka janë të lindun, a po merr vesh, deri me domethonë qetash ‘65, janë 280 vetë. Ça i kushton asaj me ma marrë ni djalë në punë, nëse më duhet me folë se shoqnia i kanë ka pesë a gjashtë. Me ja marrë ka ni djalë në punë, si ktyneherë e me thonë, “Hajt bre me 40 për qind shkoni në pension bile edhe ashtu dy vjet, tri shkon në penzi”.  

Çka hup qeveria për minatorë, me i gëzu të shkretit, që kanë hjekë, kjo osht’, s’di o burrë. Veç për qeto e kom vendos s’ko me lëshu, ko me nga bre me ditë që dhetë vjet burg e ha s’ko me lëshu, te dera ko me nejt për qet’ punë. Ligjin e punës s’janë ka na e bojnë qe pesë vjet jem tu e lyp. Une e di ligji punës çka duhet, janë 15-16 pika, aty janë nenet, duhet me pasë buxhet, s’kanë. Po dy sene janë, ja ngjehna dy vjet punë të stazhit që na ka qit’ shkau, ja shtima ni djalë në punë edhe 75 për qind të kësaj rroge ama edhe dy vjet kom me dalë në penzi, tri, edhe dal bile si njeri. Ta gëzoj bre nja dy-tri vjet penzinë, të pushoj. Me 90 euro me të qit’, kjo osht’ Zot bone hajr! 

Në botë s’ka, në Afrikë atje me shku t’i jep… domethonë, nona jem s’ka punu a p’e merr ni penzi të pleqënisë a, a na 40 vjet qitu, më fal që po të thom në përgjithësi kështu po foli. Na 40 vjet me dalë me 90 euro. Une i kom ngjitë tri stenda, jom smu qitu 9800 euro mi ka marrë turku, spitali jonë veç ma ka dhonë ni inekci edhe, “Baju prej ktyhit” më ka thonë. Minator i hjekun, i burgosun, i smutë, “Baju prej ktuhit” më ka çu te turku. Tri ditë kom nejt, tri stenda m’i ka ngjitë, kom pasë infrakt. Kur dola, ai djali shkoi në Gjermani, i ri i ngrati, e sene. 9860 euro i kom fakturat krejt. Ai Fehmi [Ferid] Agani, a kush ke në qat kohë minister? I marke gjinjën prej krevetit i shnoshke me të ngjofshëm. Une qaty pa pasë kërkon të gjallë, njeri të gjallë, qashtu katastrof.

Anita Susuri: Zotri Ramadan, falemnderit shumë për intervistën!

Ramadan Gjeloshi: Falemnderit prej juve!

Anita Susuri: Ju kemi mundu pak.

Ramadan Gjeloshi: Edhe ju mu edhe unë juve (qesh), ça me bo jeta o qesi soji. Hiç s’prishë punë, hiç s’prishë punë.

Korab Krasniqi: Falemnderit!

Ramadan Gjeloshi: Po, po, duhet me folë. Beso, a din. 

Download PDF