Snezhana Milliq

Uglare | Date: 29 nëntor, 2019 | Duration: 37 minuta

Kemi dalur në Prishtinë, korzoja ka qenë atëherë. Domethënë ashtu, të gjithë të rinjtë, në mbrëmje për shembull pas perëndimit të diellit, që themi ne, shkonim në kinema. Kanë qenë atëherë filmat, kinemaja… atëherë mjaft janë shfaqur, si tani që i shikojmë serialet turke, filmat turk. Kështu që, një film më ka mbetur në kujtim “Nusja”, ashtu është quajtur filmi. Atë e kam shikuar tri herë. Tri herë kam marrë mungesë të paarsyeshme në shkollë dhe njësh, sepse kam ikur nga ora (qesh). Por mendoj, kjo më ka mbetur sepse ka qenë me të vërtetë i mirë, film i mirë ka qenë. Dhe, dhe dilnim në Prishtinë ashtu. Dhe po them, kemi pasur, kemi pasur… ata që shkonin me neve në shkollë edhe shqiptarët edhe serbët, ne nuk kemi shikuar se kush është shqiptar e kush serb. Nuk ka qenë fare me rëndësi. Dilnim, shëtisnim bashkë, ecnim për shembull deri tre-katër kilometra për të arritur në fshatin Obiliq, fshati im nuk është afër, tre kilometra. Dhe pastaj ne aty këndonim këngë në mbrëmje, shoqëroheshim dhe kështu.


Anita Susuri (Intervistesja), Besarta Breznica (Kamera)

Snezhana Milliq u lind më 1957 në fshatin Caravodë, në komunën e Kastriotit. Znj. Milliq përfundoi shkollën e mesme ekonomike dhe teknike në vitin 1976. Kjo e fundit, përgaditi atë për punën si elektriciste në “Korporatën Energjetike të Kosovës”, ku punoi për katër vite. Në fillim të viteve 1990, ajo kaloi me punë në ndërmarrjen “Kosovo Shped” ku qëndroi për disa vite. Mirëpo u rikthye në “Korporatën Energjetike të Kosovës” ku punoi deri në vitin 1999. Snezhana Milliq është nënë e dy djemve dhe jeton me familjen e saj në fshatin Ugljar të komunës së Fushë Kosovës.

Snezhana Milliq

Anita Susuri: A mund të, vetëm shikoni kah unë…

Snezhana Milliq: (qesh) Po.

Anita Susuri: Të prezantoheni…

Snezhana Milliq: Unë…

Anita Susuri: Diçka për paraardhësit tuaj, familjen…

Snezhana Milliq: Po, kësi. Unë jam, quhem Snezhana Milliq. E lindur më 23 të shtatin [muaj] në vitin ‘57. Jam e lindur në një fshat afër Kastriotit, Caravodica. Atje jam rritur. Deri në moshën 19 vjeçare kam jetuar në shtëpinë e familjes, ashtu, nuk ka qenë diçka e pasur të them, më shumë e varfër sepse kemi qenë tetë fëmijë në shtëpi, e vetëm babai ka punuar. Jemi shkolluar. Të gjitha motrat dhe vëllezërit e kemi përfunduar, domethënë, shkollën e mesme. Pas moshës 19 vjeçare jam martuar domethënë në fshatin Uglarë, këtu në Fushë Kosovë domethënë. Kam jetuar dhjetë vite me bashkëshortin tim. Pastaj ai vdiq, e humbi jetën. Unë kam mbetur me dy fëmijë, dy djem, vjehrri dhe vjehrra në shtëpi këtu, domethënë e cila [shtëpia] nuk ka qenë e përfunduar. Pas kësaj unë kam bërë çfarë ka qenë e mundur. Fëmijët i kam shkolluar, shkoja, obligimet e mia normalisht të cilat i kam pasur i përfundoja.

Zakonet tona në atë kohë, mund të them, kanë qenë shumë të vështira. Domethënë, është dashur që, si të them, është bërë kujdes që dikush të mos lëndohet, të qëndrosh aty, të punosh dhe të heshtësh. Domethënë, nuk është si sot. E sa i përket daljeve, më herët ka qenë shumë më bukur. Atëherë ne kësi, dilnim për shembull nëpër ballo, argëtime, nuk ka qenë si tani, kafene, telefona mobil dhe ku ta di unë. Ka qenë një jetë me më shumë merak për fëmijët mund të them. Tani është gjithçka ndryshe.

Anita Susuri: Desha t’ju pyes pak më shumë për kujtimet tuaja të para, si fëmijë, çka ju kujtohet?

Snezhana Milliq: Eh, si fëmijë, më kujtohet, a e din si, ne me dhjetë, dymbëdhjetë vjet i bënim të gjitha punët në shtëpi, sepse ndryshe nuk bënte. Domethënë, shkonim në fushë për të punuar, kur është dashur të korrim, për shembull, të mbjellim dhe kështu, nuk ka pasur makina. Atëherë i kemi ndihmuar nënës no… normalisht të laj, të gatuaj… çdo gjë që është dashur të bëhet sikur t’i kishim, t’i kishim 20 vjet. Me dhjetë, dymbëdhjetë vjet domethënë kjo është dashur të bëhej, sepse ndryshe nuk ka qenë e mundur. Babai e merrte, ishte i vetmi që punonte, e merrte një rrogë punëtori, domethënë kjo nuk na mjaftonte. Shkonim madje edhe tjerëve ju ndihmonim me punët, në mënyrë që të fitonim, normalisht, për t’u ushqyer. E pastaj më vonë ka qenë ndryshe. Pastaj familja nënës ndihmonte, motra e saj, vëllezërit dhe kështu, na ndihmonin dhe kështu. Pastaj…

Anita Susuri: Çfarë ka punuar babai juaj, me çka është marrur?

Snezhana Milliq: Babai im ka punuar me gjeodezi. Ka punuar në… “Korporatën Energjetike”, “Korporatën Energjetike” ndërmarrja që ka qenë. Shkonte, punonte, shkonte në teren, domethënë pak ka qenë në shtëpi, kështu që ne është dashur të punonim më shumë, nuk ka pasur kush, dhe kështu.

Anita Susuri: Më thoni…

Snezhana Milliq: Nëna, nëna ka qenë më shumë me shëndet të ligë, dhe ajo nuk ka mundur. Kështu që, që gjithçka ka mbetur që thonë neve. Nëse e bëjmë, do të kemi, nëse nuk e bëjmë, nuk kemi.

Anita Susuri: A keni pasur motra, vëllezër?

Snezhana Milliq: Po. I kam pasur gjashtë motra dhe dy vëllezër. Një vëlla më ka vdekur në vitin ‘83 në moshën 22 vjeçare. Pastaj edhe një motër më ka vdekur, ajo në moshën 59 vjeçare. E tash së fundi më ka vdekur edhe një vëlla, prapë në moshën 64 vjeçare. Kështu që jeta nuk më ka ledhatuar. Shumë vështirë kam kaluar në jetë. Kam pasur shumë strese, shumë shqetësime dhe gjithë kjo ka qenë ashtu {tund kokën}. Pastaj bashkëshorti, e gjithë kjo ka qenë njëra pas tjetrës, por prapë themi, jeta vazhdon. Fëmijët janë këtu. Një djalë është martuar, i ka dy fëmijë. Njëri ende nuk është martuar, dhe kështu. Një djalë punon, njëri nuk punon, dhe kështu. Këtu jemi, domethënë, tani për tani…

Anita Susuri: Në familjen tuaj, pra, tek babai juaj, a keni pasur ekonomi të madhe familjare?

Snezhana Milliq: Paj jo, jo, jo, jo. Ne po ju them, kësi, nuk ka qenë ekonomi të madhe familjare pasi që, nuk ka pasur babai shumë tokë e cila do të lavrohej. Sepse ata, a din, kur janë ndarë. Atëherë motra ka marr diçka, diçka vëllau tjetër, diçka kështu, domethënë, ne kemi qenë ashtu shumë modest, disi modest. Dhe kështu, po të them, tani atje ka mbetur shtëpia. Nëna më ka vdekur, babai ka vdekur, domethënë askush nuk jeton atje, dhe kështu. Kam dëshirë të shkoj atje normalisht edhe pse gjithçka po rrënohet, po bjen, por aty jam e lindur dhe nganjëherë shkoj, shkoj ashtu sepse, por rrallë, bash rrallë. Sepse vështirë ta shohësh se si po rrënohet ajo [shtëpia], po bjen, pastaj kthehesh në kohë, në fëmijëri ku kam jetuar dhe kështu, por çfarë të bëjmë.

Anita Susuri: Si ka mundësi që familja juaj ka qenë aq e madhe, domethënë…

Snezhana Milliq: Po, po.

Anita Susuri: Ndoshta dy apo tre fëmijë janë në familjet serbe, e di që ka qenë ashtu, por si ka mundësi që familja juaj është aq e madhe?

Snezhana Milliq: Po, po. Po a e din si, në atë kohë, kësi, zakonisht ka qenë ajo situata, nëse nuk ke fëmijë mashkull, pastaj kinse llogaritet, “Kot i ke lindur të tjerat”. E pastaj nëna ime ka kërkuar për atë, që thua ka pasur dëshirë dhe pastaj i ka lindur pesë vajza, pastaj e ka lindur një djalë, e tani thonë që vëllau të ketë vëlla, pastaj prapë dhe në mes ka qenë edhe një motër, pastaj u lind ky vëllau më i vogël i cili ka vdekur.

Anita Susuri: Si ka qenë të rritesh në një familje me plot fëmijë?

Snezhana Milliq: Mirëkuptimi. Domethënë, kemi pasur frikë, dmethënë së pari që thonë frikë, respekt. Domethënë, është dashur ta bënim, kur na shikonte nëna ne e dinim se çfarë duhej të bënim. Kurrë nuk ke guxuar të thuash, “Nuk mundem”, e as “Nuk dua”. Mos dhashtë Zoti, sikur tani, tani është gjithçka ndryshe (qesh). Por, çfarë të them, ashtu, ka qenë bukur, bukur. Kur ka mirëkuptim në shtëpi, atëherë mund të themi që është bukur. Kemi sot për të ngrënë, kemi, nuk kemi, nuk kemi. Babai ashtu shkonte, punonte, fitonte, shkonte për të kositur, gëlqëroste, punonte për të na sjell për shembull, ata që kanë qenë të pasur, që kaë pasur, domethënë, më shumë se ne, atëherë babai shkonte te ata të punonte si shërbëtor, ashtu të themi, për të kositur, të ndërtoj, të atë-këtë.

Pastaj ata atij i jepnin ushqim, ai e sjellte, dhe kështu, po them, ka qenë vështirë, por të gjithë kemi qenë ashtu që thonë të shëndetshëm, kurrë te mjeku nuk kemi shkuar. Kështu që nëna nuk ka pasur problem sa i përket, edhe baba njejtë. E, pak kur filloi shkolla, atëherë kanë pasur më shumë obligime. Aty është dashur të blejnë libra, veshje dhe të gjitha këto. Atëherë aty kanë filluar të na ndihmojnë edhe familjarët e saj, të nënës, të cilët kanë jetuar atëherë në Serbi, dhe atëherë ata kanë pasur më shumë se ajo. Dhe atëherë kështu, dërgonin veshje, dërgonin ushqim dhe kështu. Kështu, po them…

Anita Susuri: E nëna juaj a ka qenë nga ndonjë fshat në rrethinë…

Snezhana Milliq: Jo.

Anita Susuri: Apo si?

Snezhana Milliq: Jo, jo. Nëna është me prejardhje, ajo ka qenë, kësi, malazeze me kombësi, domethënë. Familja e saj ka jetuar në Vojvodinë, dhe pastaj po them kësi… por edhe atëherë kur është njoftuar me babain tim ata kanë qenë refugjatë. Edhe ata atëherë janë shpërngulur në një fshat afër Drenicës. Dhe kësi, ashtu janë njoftuar dhe e kanë filluar jetën.

Anita Susuri: E si janë, a e dini atë tregimin si janë njoftuar?

Snezhana Milliq: Po babai si na ka treguar neve, ka thënë që, kësi, ka qenë një burim ku ata merrnin ujë. Për shembull, si qeshme. Dhe atëherë ajo vinte aty. Dhe ashtu babai kur e ka parë, menjëherë ajo i ka pëlqyer. Por pasi që ne jemi kosovarë, thonë kosovarë, e ata malazezë. Atëherë ka qenë pak ashtu, mund ta martosh vetëm kosovaren, kursesi malazezen apo ndonjë kombësi tjetër. Por, ajo ka ikur, edhe pse familjarët e saj nuk e kanë lejuar, kanë qenë kundër. Ajo ka ikur domethënë, u martua për babain tim, domethënë nuk i ka pyetur prindërit fare. Dhe kështu kanë filluar jetën e tyre. Kanë pasur martesë të lumtur mund të them, domethënë shumë bukur kanë jetuar. Pastaj atyre ju ka pëlqyer, normalisht.

Babai e ka pasur nënën e tij. Pra, ajo ka qenë vjehrra e nënës sime. Në fillim nuk ka qenë njësoj, por kur e ka parë për shembull që, që njeriu është njeri, nuk është me rëndësi çfarë [kombësie] je përderisa je njeri dhe kështu. Nëna ka qenë me të vërtetë punëtore, ka punuar, shumë ka punuar. Prej asaj pune edhe është sëmurë. Pastaj më vonë edhe, vëllaut i ka ndodhur ajo fatkeqësia, kështu që ajo gjithnjë e më shumë ka qenë e sëmurë dhe, dhe ka jetuar por sikur nuk ka jetuar. Domethënë, shumë vështirë e ka pasur pas fatkeqësisë së vëllaut. Domethënë, shumë e vështirë ka qenë jeta pas fatkeqësisë së vëllaut, për të gjithë ne, shumë vështirë. Shumë jetë e vështirë. Sepse thonë edhe kur ke për të ngrënë ke, nëse nuk ke, nuk ke, por kur të ndodh diçka e tillë në jetë, atëherë ajo dhembja, është shumë e vështirë të…

Anita Susuri: E si ka ndodhur ajo fatkeqësi?

Snezhana Milliq: Po vëllau ka qenë me veturë, me veturë ka pësuar në udhëkryqin e Lipjanit. Kësi, kështu që… ka ndodhur që thonë, fati. Fati, fati…

Anita Susuri: Kur keni filluar ju në shkollë çfarë mjedisi ka qenë atëherë, shkolla a ka qenë afër?

Snezhana Milliq: Po, shkolla nuk ka qenë larg, shkollën e kam ndjekur në Obiliq. Për shembull, atëherë edhe shqiptarët edhe serbët shkonim bashkë. Kam pasur shumë shokë të mirë sa i përket shqiptarëve të cilët kanë udhëtuar me neve nëpër terr, kur ne mbeteshim për punë praktike, ajo, praktika ka qenë pasdite dhe kështu. Domethënë, kurrë nuk ka pasur probleme. Domethënë, ne kemi qenë si vëlla e motër, a më kupton. Domethënë, ata na kanë përcjellur deri te shtëpia, ne ashtu, sepse unë kam qenë, vajzat e xhaxhait, shoqet, domethënë të gjitha femra, e ata na përcjellnin sepse errësirë ishte, si. “Hajt a e din, do t’ju frikësojë ndonjë qen apo ajo-kjo”. Kështu që, edhe sot e kësaj dite kur i takoj ata njerëz, nuk ka rëndësi që ata janë shqiptarë, domethënë me rëndësi që janë njerëz, që kanë mbetur, domethënë njerëz.

Sepse babai im, domethënë, babai im, shumë është shoqëruar me ata. Ai madje ka ditur shumë bukur të flas shqip dhe të këndoj ndonjë këngë edhe kur ka qenë Bajrami, babai shkonte te ata, ata neve na dërgonin bakllava në tepsi, të betohem (qesh). Dhe kështu, dhe babai neve na e sjellte atë dhe kështu që atë e kanë dashur shumë. Babai ka qenë disi, ai është munduar gjithnjë t’i ndihmoj dikujt. Domethënë, nuk ka nxitur kurrfarë urrejtje ndërmjet, “Jo, ai është serb, unë….” Jo. Domethënë, ai është njeri dhe neve ashtu na ka mësuar. Domethënë, kush është njeri, njeri është. Ne edhe sot kemi shqiptarë që na vijnë, jemi miq të shtëpisë, domethënë neve fare nuk na intereson politika. Jetojmë këtu, kush është i mirë, i mirë është. Nuk ka rëndësi. Unë i kam edhe të mitë, që them serb është por nuk është i mirë. Domethënë, me rëndësi të jetë njeri dhe të kuptohemi. Dëshiron të më ndihmoj, i ndihmoj edhe unë atij.

Po ashtu kam punuar në Prishtinë me shqiptarë në “Kosovo Shped”. Njejtë edhe sot e kësaj dite takohem me ata, ndonjëherë vjnë këtu. Kush jeton, jeton në Prishtinë për shembull një kolege. Kur ka bërë darsmë, unë kam qenë në atë dasrmë. Të enjten kur përgaditet ajo nusja. Kështu që, shumë bukur kemi kaluar. Kjo ka qenë moti, diku në vitin ‘76. Kështu që, kjo më ka mbetur në kujtim. Dhe kështu… e tani kunati i saj, i cili jeton në një fshat, Plemetin, ai vjen tek ne dhe takohemi, kemi punuar bashkë. Pastaj, shumë prej atyre kolegëve që kanë punuar me mua vijnë. Shqiptarë janë, por ka mbetur ajo shoqëria domethënë, nuk ka, nuk ka rëndësi fare kush është çka, vetëm le të jetë njeri. Kjo është e rëndësishme.

Anita Susuri: Domethënë, ju shkollën e mesme e keni përfunduar në Prishtinë?

Snezhana Milliq: Jo, në Obiliq.

Anita Susuri: Në Obiliq.

Snezhana Milliq: Po, po.

Anita Susuri: Si ka qenë atëherë?

Snezhana Milliq: Paj… ka qenë, si të them, ashtu a e dini, jo si tani, babai dhe nëna nuk kanë pasur aq për të na dhënë. Dhe të blenë libra si tani, por kemi marrur libra prej njëri tjetrit, kështu i kemi ndërruar, ajo-kjo, kemi përfunduar disi. Por të gjithë kemi qenë nxënës të mirë. Sa më shumë që mundohesh gjatë jetës, atëherë disi e kupton që duhesh, sepse nuk ka asgjë pa shkollë, dhe e përfundon një shkollë të mesme sa për të thënë. Mirë, kam punuar pastaj, jam punësuar në Bardhosh, në “Korporatën Energjetike” dhe kam punuar atje domethënë katër vite…

Anita Susuri: Pas shkollës së mesme?

Snezhana Milliq: Pas shkollës së mesme. Kështu që, ne e kemi pasur punën e siguruar në “Korporatën Energjetike”, pasi që, pasi që shkolla ime ka qenë në kuadër të atij kombinati domethënë, dhe ata e kanë pasur atë obligim, kur të diplomojmë të na punësojnë. E pastaj kam bërë pauzë, nuk kam punuar. Atëherë kur ka vdekur bashkëshorti im më kanë punësuar në ndërmarrjen e tij “Kosovo Shped”, shpedicion domethënë. Aty kam zier kafe 13 vite. Pastaj jam kthyer prapë në “Korporatën Energjetike”, kam punuar pak para luftës. Dhe pastaj kësi, tani e kam pensionin familjar dhe po pres t’i mbush vitet e pleqërisë për ta marr pensionin tim. Dhe do të shohim çka do të ndodh më tutje. (buzëqesh).

Anita Susuri: Kur keni qenë ju e re, si, a ka pasur ndonjë organizim, aktivitete për të rinj?

Snezhana Milliq: Po atëherë dobët, dobët ka qenë, askush, nuk ka qenë siç është tani. Që thonë, një jetë e thjeshtë ka qenë, ashtu si e di unë, dhe a e di si ka qenë, ka qenë një kohë, “Jo nëpër terr, auu, si [të dalim] nëpër terr”. Unë, për shembull, kur kam dashur të shkoj diku, por nëse vjen vëllau me mua, pastaj nëna thotë, “Bën”. Por kështu, kësi, kemi qenë kështu po mendoj, dilnim diku, por domethënë pa u bërë terr. Kur binte nata, të gjithë ishim në shtëpi. Domethënë, domethënë nuk ka pasur organizime apo diçka të tillë. Jo, jo, jo në atë kohë, po të them, prej shkollës në shtëpi, prej shtëpisë në shkollë. Nganjëherë nëpër ato argëtimet, ballot që atëherë, vetëm kjo ka qenë. Kafene as që ka pasur. Dhe kështu…

Anita Susuri: E si ka qenë nëpër ato ballot?

Snezhana Milliq: Bukur, bukur, ishte një përjetim. Aty ishte shoqërimi i vërtetë. Kësi, nuk ka pasur atëherë edhe kaq alkohol, as drogë, domethënë, gjithçka pastër. Shkonim atje, vallëzonim bukur, argëtoheshim dhe pastaj secili në shtëpi të vet. E kemi pasur atë transportin, treni atëherë më shumë ka punuar, për shembull dhe atëherë me tren kemi shkuar në atë fshatin Plemetin, Priluzhje, domethënë këto fshatrat ku jetoj unë, Uglare, Graçanica, dhe kështu. Domethënë, atëherë vetura ka pasur më pak se tani. I vetmi transport ka qenë autobusi dhe treni. Rrallë kush ka pasur veturë në atë kohë dhe kështu.

Por, në përgjithësi mund të them shumë bukur, mund të them që po tani është jeta më bashkëkohore, por ajo mbetet kujtim. Ka qenë disi, e pastër, diçka e pastër, po mendoj ashtu, pa urrejtje, pa ndonjë, shoqëria ka qenë ndryshe, po mendoj, nuk e di, nuk e di. Shumë ka qenë bukur, bash bukur. Ajo jeta, është ajo e vërteta, që thonë. Tani disi populli u bë lakmitar dhe ke gjithmonë e më pak miq, më pak miq. Nëse ka interes, atëherë ai do të jetë afër teje, nëse nuk ka interes atëherë… e vështirë me të vërtetë. Dhe gjithnjë e më pak, ashtu, shoqërim. Tani ata telefonat, ata kompjuterat, ato ajo-kjo, ulet aty dhe harron se ku është, por më herët jo. Mezi kemi pritur kur po vjen e shtunja apo e diela të dalim normalisht, të shëtitemi dhe kështu.

Anita Susuri: Si jeni njoftuar me bashkëshortin tuaj?

Snezhana Milliq: Me bashkëshortin tim jam njoftuar në një darsëm, këtu, pikërisht në këtë fshat. Kësi, unë vija këtu dhe kështu, kur vallzonim, andej-këndej, ajo-kjo thonë që ai më ka shikuar, unë as që kam ditur, është afruar dhe kështu ka filluar. Jemi argëtuar gjashtë muaj dhe pastaj menjëherë jemi martuar. Kështu, si duket ai është frikësuar mos po shkoj me dikë tjetër (qesh)…

Anita Susuri: Si ka qenë darsma juaj?

Snezhana Milliq: (psherëtinë) Paj darsma…

Anita Susuri: Darsma, tradita, si ka shkuar e gjithë kjo?

Snezhana Milliq: Po, po, po. Po kanë qenë ato, prapë mund të them zakonet tona. Domethënë unë nuk, ata nuk kanë ardhur për ta marrur nusen, pasi që unë kam ikur, njejtë sikur nëna ime (qesh). Domethënë, kam ardhur në këtë shtëpi dhe pastaj atëherë nuk ka pasur që të bëhen dasma nëpër restorante, por është ngritur tenda dhe pastaj nën tendë. Vinin për shembull mysafirtë, muzika, ajo-kjo, por dasma ka zgjatur nga tri-katër ditë, e jo si kjo tani. Një ditë a di dhe kaq. Edhe atëherë shkonim në manastir normalisht martoheshim në komunë. Dhe kështu, po mendoj…

Sa i përket kësi bashkëshortit, domethënë, jeta me të, e kam pasur shumë jetën e mirë me të. Por të shkurtër. Kemi jetuar të martuar vetëm dhjetë vite. Dhe kësi, ai domethënë ka punuar në atë ndërmarrje, ku edhe e ka humbur jetën. E ka ngasur kamionin. Kështu që… është djegur në një pompë benzine. Dhe unë domethënë kam vazhduar të jetoj këtu. I kam pasur 29 vjet si vejushë. Njëri djal i ka pasur pesë vjet, tjetri shtatë. Vjehrri dhe vjehrra natyrisht. Dhe ka qenë vështirë, natyrisht. Por, i kam thënë vetës që duhet të vazhdoj tutje, sepse fëmijët kanë qenë aty domethënë, kanë kërkuar. Është dashur të shkollohen, normalisht. Të, të ushqehen. Të vishen, të… e gjithë kjo domethënë. Dhe këtu jam, edhe sot e kësaj dite jam këtu.

Anita Susuri: Domethënë, në atë periudhë kur keni filluar ju të punoni në fabrikë. Si kanë qenë kushtet?

Snezhana Milliq: Po, të vështira kanë qenë. Vështirë ka qenë. Në këmbë është dashur të punosh gjithë ditën, kësi, ka pasur mjaft punë. Domethënë, bash, bash, e kam pasur punën e vështirë, bash punë të vështirë. Kam punuar 13 vite aty. Edhe pse i kam përfunduar dy shkolla, nuk kam mundur ta fitoj një vend tjetër pune sepse ndoshta dikujt kjo nuk ju ka përshtatur, ajo-kjo, por ja. Tani po e marr pensionin familjar, prej bashkëshortit domethënë. Pensionin e kam kësi, si të… mirë nuk ka rëndësi nuk është as në euro, 16.000 dinarë. Vështirë ia del me këtë, por falë Zotit fëmijët po punojnë ashtu nga pak dhe… po gjindemi (buzëqesh).

Anita Susuri: Deri në cilin vit keni punuar aty?

Snezhana Milliq: Po kam punuar, tani do t’ju them, kësi… deri 2004 diku mendoj që ka qenë. Ja tani nuk më kujtohet saktë. Apo 2008. Vetëm të gënjej. E di që ka qenë ashtu diçka. Dhe pastaj, normalisht, kam mbetur me atë pensionin familjar, t’i plotësoj vitet e pleqërisë, pastaj…

Anita Susuri: Gjatë viteve të ‘90-ta domethënë në fabrikë shqiptarët më nuk kanë punuar. Si jeni ndjerë ju atëherë?

Snezhana Milliq: A jo. Jo, jo. Kur, kur shqiptarët nuk kanë punuar, as ne nuk kemi punuar. Njejtë. Kur kanë qenë bombardimet, atëherë të gjithë domethënë, secili për veten e tij. Domethënë, nga çdo anë kanë qenë krismat, domethënë ndërmarrja pak ka punuar ashtu… shqiptarët kanë mbetur pak pas neve, por ka qenë një numër i vogël. Unë pas kësaj kam shkuar në ndërmarrje dhe aty ka qenë një drejtor i cili, kësi, Musa Binakaj, i cili ka qenë drejtori im. Kështu që, unë dhe kjo shoqja që është pikërisht këtu, ajo flet shqip super domethënë atë-këtë. Dhe ajo situatë ka qenë që nuk ke mundur të lëvizësh aq lirshëm, sepse që thonë, bombat binin dhe ku ta di unë. Por ne kemi shkuar deri në ndërmarrje kështu që na kanë ofruar kafe, normalisht, dhe pikërisht kjo më ka mbetur në kujtim. Domethënë, nuk është me rëndësi çfarë ka ndodhur. Ne edhe më tutje kemi mbetur njerëz.

Kam dëgjuar që djali i tij ka vdekur në Gjermani. Më ka ardhur shumë keq kur kam dëgjuar, sepse ai ka qenë njeri shumë i mirë, shumë njeri i mirë. Kësi, shumë më ka ardhur keq, me të vërtetë. Djali i ka vdekur në Gjermani. Kështu kam dëgjuar prej kolegëve të tjerë shqiptarë. Përndryshe edhe tani dëgjohemi. Po dëgjohem me një shqiptare nga Prishtina, e cila ka punuar me mua. Kësi, Naza quhet. Dua të them është mike e mirë. Grua, njeri, nuk e di si ta shpjegoj (buzëqesh). Edhe tani kur shkojmë në Prishtinë me këtë miken, shkojmë. Ajo ka një butik, dhe shkojmë te ajo natyrisht. Dhe e ftoj të vie, kam dëshirë të shoqërohemi, pse jo. Ka mbetur një miqësi e mirë mes nesh. S’ka ne mund të flasim, por kësi, bukur kemi jetuar. Bashkë, bukur kemi jetuar, punuar. Unë me të vërtetë, po them kam pasur respekt të madh.

Unë nganjëherë flas me Nenën [shoqe] time. Sa shumë më respektojnë ata kolegët shqiptarë. Edhe kur është dashur të marr hua diku, unë kam pasur ashtu që thonë njëfarë besimi. Pastaj marr hua para. Do t’i kthej. Kur kam, unë i kthej ato. Domethënë kur nuk ka qenë ajo, “Nuk kam”, a din, ajo-kjo. Sepse të është nevojitur për diçka, që thonë dhe…. Ashtu të them, kur mendoj, pa kurrfarë urrejtje, dometënë, kemi mbetur me të vërtetë miq. Dhe nuk ka, nuk ka pse të më vjen turp as mua as atij, sepse nuk kemi bërë asgjë të keqe për të na ardhur turp, a më kupton? Të them, “Ai, po iki të mos takohem apo ik…”. Jo, jo, domethënë në çdo kohë, kam thënë, kur kalojnë këndej, “Lirisht ejani, kurdo që keni dëshirë, unë domethënë…” Madje edhe fëmijët e kanë pranuar këtë. Dhe e kuptojnë kush është njeri, kush nuk është njeri. S’ka, edhe nje koleg është munduar të ma punësoj njërin djal edhe pse është shqiptar ai, për shembull ka punuar në Elez Han si doganier. Është munduar, por mirë, nuk ka mundur, me rëndësi është që ka provuar {tund kokën}. Kështu, domethënë. Do të shohim çfarë do të ndodh më tutje, tani për tani është kështu (qesh).

Anita Susuri: Deshta edhe pak t’ju pyes për, kur keni qenë e re kështu. A keni dalur në Prishtinë apo në qytete më të mëdha? Si ka qenë atëherë?

Snezhana Milliq: Paj, në Prishtinë po. Kemi dalur në Prishtinë, korzoja ka qenë atëherë. Domethënë ashtu, të gjithë të rinjtë, në mbrëmje për shembull pas perëndimit të diellit, që themi ne, shkonim në kinema. Kanë qenë atëherë filmat, kinemaja… atëherë mjaft janë shfaqur, si tani që i shikojmë serialet turke, filmat turk. Kështu që, një film më ka mbetur në kujtim “Nusja”, ashtu është quajtur filmi. Atë e kam shikuar tri herë. Tri herë kam marr mungesë të paarsyeshme në shkollë dhe njësh sepse kam ikur nga ora (qesh). Por mendoj, kjo më ka mbetur sepse ka qenë me të vërtetë i mirë, film i mirë ka qenë. Dhe, dhe dilnim në Prishtinë ashtu. Dhe po them, kemi pasur, kemi pasur… ata që shkonin me neve në shkollë edhe shqiptarët edhe serbët, ne nuk kemi shikuar se kush është shqiptar e kush serb. Nuk ka qenë fare me rëndësi. Dilnim, shëtisnim bashkë, ecnim për shembull deri tri-katër kilometra për të mbërritur në fshatin Obiliq, fshati im nuk është afër, tri kilometra. Dhe pastaj ne aty këndonim këngë në mbrëmje, kësi, shoqëroheshim dhe kështu.

Ashtu, ashtu, ashtu dhe pikërisht dua t’ju them edhe këtë, kur vëllau im, më i vogli domethënë, e ka humbur jetën {frymëmarrje e thellë}. Pra ai fshati ku unë jam e lindur, afër fshatit tim është edhe një fshat, mos të them gjysma e popullsisë, por ka pasur edhe shqiptarë në varrim. Edhe romë edhe shqiptarë, dhe të gjitha kombësitë e mundshme. Domethënë, ne nuk kemi bërë fare dallim kush është, çka është, ashtu, me rëndësi që përbrenda është njeri i mirë dhe kjo ka qenë për neve… po them edhe sot kur kaloj nga ai fshat, dhe kur i takoj ata njerëz, ata lajmërohen. Kështu që, madje vëllau dhe babai im janë të varrosur në ato varre. E askush nuk i ka prekur. Domethënë, përmendorja si ka qenë, ashtu ka mbetur edhe sot e kësaj dite. Madje, kur është dashur ta bëjmë atë për babain, dua të them për vëllaun përmendoren, ata neve na kanë ndihmuar, na kanë dhënë rrymën ta ndezim në mënyrë që ta ndërtonim atë, ujin, normalisht, dhe kështu, nuk ka rëndësi që ata janë shqiptarë.

Por po them, babai shumë është shoqëruar me ata. Bash, bash ashtu. Edhe në Prishtinë madje e ka pasur një mik të mirë i cili ka punuar në SPB1, babai është shoqëruar me të, kanë qenë si vëllezër, siç thonë. Po shkonim edhe ne tek ata, ata vinin këtu tek ne. Përgadisnin turrshitë dimërore, kur është nevojitur speci, ajvari, ajo-kjo, nga Prishtina vinin me bashkëshorten. Kështu, e kanë jetuar afër motrës. Motrën e kam pasur në Prishtinë e cila ka jetuar deri në kohën e luftës, kështu që edhe ata kanë qenë miq të shtëpisë. Ai pastaj ka qenë edhe kumbara i tyre, i’a ka prerë flokët djalit, nuk e di a më kupton. Si kumbar, po, ata e kanë marr atë për kumbar.

Dhe ja po të them… po them, kësi, jeta ka qenë shumë e mirë. Por ka qenë i vështirë sa i përket kështu që thonë financave dhe të gjitha këto, por për jetën kështu, po mendoj, për miqësinë, shoqërinë. Nuk është shikuar kush je dhe çka je. Kjo më nuk do të jetë kurrë. Unë mendoj. Dhashtë Zoti që të jetë, dhashtë Zoti, ndonjë gjeneratë dhe do të doja që kjo të kthehet sepse kjo është diçka më e bukura. Tani kur, ti me fqinjtë je i mirë dhe, dhe nuk ka kjo është diçka më e mira. Sepse tek ne thonë, nëse vëllau jeton larg, motra, nëse fqinji nuk është aty të të ndihmoj, derisa vjen motra apo vëllau, është vonë. Kështu është kjo…

Anita Susuri: E kur keni qenë ju vajzë, e keni pasur një festë?

Snezhana Milliq: Po…

Anita Susuri: Kur martoheni atëherë…

Snezhana Milliq: Atëherë, po…

Anita Susuri: Si shkon kjo?

Snezhana Milliq: Ndonjëherë ndodh, kësi, që të njejtën festë, edhe kur martohesh është e njejta festë. Por tek unë nuk është. Unë e kam pasur festën e cila është festuar për shembull 14 korrik dhe 14 nëntor, e këtu e kemi festën e cila festohet më 8 gusht dhe 27 tetor. Eh, domethënë, festa si festë, që thonë te ju si Bajrami kur është dhe kështu. Ashtu përgaditet, përgaditet ajo gostia, mysafirët priten për shembull, shkojmë ne, ata vijnë. Kur ata e kanë festën, ne shkojmë tek ata. Kur është festa jonë, ashtu, të rinjtë vijnë, më të moshuarit vijnë, kështu. Tani më shumë praktikohet diku që të vijnë të rinjtë, për shembull një ditë në festë, e më të moshuarit vijnë nesër kinse. Ja ky shoqërimi kinse pak më ndryshe sepse ata nuk mund të flasin atë që flasim ne dhe anasljelltas. Por në përgjithësi, festohet, festohet dy ditë, tri ditë, varet, kush si, domethënë sa ka mysafirë dhe kështu, ku ta di unë.

Anita Susuri: Cili shënjtor është ai?

Snezhana Milliq: Unë këtu e festoj Shën Petkën2, e atje ku jam lindur, ku jam rritur, Shënjtorët Vraqe3. Domethënë ajo është, ata janë…

Anita Susuri: Kjo është diçka, familja pra e ka si traditë, apo si?

Snezhana Milliq: Paj po, po. Kjo është diçka brez pas brezi, që do të thoshin.

Anita Susuri: Aha.

Snezhana Milliq: Po, po, po dhe pastaj e trashëgon. Për shembull, e ka trashëguar babai prej babait të tij. Pastaj, vëllau im e ka trashëguar nga babai i im dhe kështu kjo. Po ashtu bashkëshorti im këtu, për shembull, i ndjeri, ai e ka trashëguar, babai i tij prej gjyshit dikujt atje pastaj edhe këtu… dhe kështu shkon kjo. Tani, për shembull djali im do ta trashëgojë prej babait të tij dhe kështu shkon kjo me rend.

Anita Susuri: A mund të na flisni pak më shumë për atë përiudhën që keni punuar në fabrikë, domethënë edhe çfarë ka qenë kolektivi?

Snezhana Milliq: Aha, aha, aha. Po në atë kohë kur unë kam punuar, domethënë mund të them, atëherë ka qenë, nuk ka qenë që thonë, ka qenë ndoshta në një ndërmarrje, të mos gënjej, por tre-katër drejtorë domethënë. Kanë qenë të ndarë në sektore. Domethënë, dikush ka qenë atje, dikush këndej, anej-këndej, por si të them disi, aty ka pasur disi mirëkuptim. Atëherë ka qenë edhe, në ndërmarrje ka qenë njëfarë këshilli i punëtorëve apo bordi i drejtorëve, i cili nuk ka qenë si sot. Tani mendoj që drejtori mund t’i bëj të gjitha vet, domethënë ai… {shikon në kamerë}

Anita Susuri: Traka vetëm u ndryshua.

Snezhana Milliq: Mhm. Kësi, më herët për shembull, nuk është pyetur vetëm drejtori. Domethënë ka qenë aty këshilli i punëtorëve apo bordi i drejtorëve, e tani është ndryshe. Tani drejtori dhe kryetari mundet për shembull të punësojë dhe ta bëj pa përkrahjen e punëtorëve, pa domethënë… po them, ka qenë, ka qenë ndryshe, ndryshe, ndryshe ka qenë. Edhe ndryshe edhe më mirë. Edhe më mirë {tkurr supet}.

Anita Susuri: Kur ka filluar lufta dhe e gjithë ajo situata, si ka qenë për juve, si jeni ndjerë atëherë, a keni qenë këtu?

Snezhana Milliq: {psherëtinë} Po, po, po këtu kemi qenë normalisht. Paj lufta si luftë, si në çdo luftë. Ka pasur aty edhe frikë që thonë, edhe ajo-kjo, ku ta di unë. Nuk kemi pasur probleme, të them kësi, ndonjë sulm prej dikujt, ndonjë presion, ajo-kjo, ajo që, që do të thoshin edhe të tjerët që kanë mbijetuar, kështu, ku ta di. Ka pasur gjithçka dhe çdo gjë, nuk mund të them, por sa i përket presionit nga ana tjetër, përveç asaj që thonë. Bombat që binin nga lartë, që e kemi pasur atë frikë. Domethënë, nuk kemi pasur probleme të tjera, me të vërtetë. As nuk na ka ardhur askush që thonë të na kërcënoj për diçka, apo të na largoj, të thotë, “Lëshone” dhe “Duhet të shkoni”. Jo, kjo nuk ka ndodhur.

Nuk ka ndodhur dhe nuk mund të them që ka ndodhur diçka që nuk ka qenë. {tund kokën} Jo. Po them, ja edhe tani, zakonisht shkojmë në dyqan për shembull, shkojmë në Fushë Kosovë, shkojmë në Prishtinë, ne nuk kemi probleme. Na shërbejnë si çdo popull që thonë. Kush di serbisht, flet serbisht apo anglisht, por prapë kuptohemi. Domethënë, me të vërtetë na shërbejnë neve dhe me të vërtetë nuk mund të them asgjë të keqe. Sepse me të vërtetë nuk mund të thuash asgjë të keqe kur diçka nuk është e keqe. Shkojmë në Fushë Kosovë për shembull, ndodh që të mungojnë, për shembull diçka që kushton, të mungon ndonjë dinar, ata për shembull thonë, “Jo, po nuk ka… Nuk ka lidhje. {ngreh dorën e majtë} ose do ta marrësh ose nuk ka lidhje”. Dhe kurrë nuk kanë thënë, “Po lëre, nuk mund ta marrësh sepse nuk ke aq para”. Domethënë, sa i përket tregtisë, shkojmë edhe në treg dhe të gjitha ato, blejmë normalisht…

Anita Susuri: Edhe pas luftës ka qenë periudhë e vështirë. Ju si e keni, atëherë, si ka qenë për juve?

Snezhana Milliq: Po pas luftës pa punë…

Anita Susuri: Keni mbetur këtu…

Snezhana Milliq: Pa punë ka qenë mjaft, kësi, po them, vështirë ka qenë. Vështirë. Sepse mbetesh në shtëpi, nuk punon. Ndërmarrjet po mbyllen, po shiten. Nuk ka qenë e thjeshtë. Por prapë që thonë, disi, që thonë po gjindesh dhe po jeton ashtu si mundesh. Përndryshe, sikur tani, ndërmarrjet shtëtërore nuk ekzistojnë. Dhe tani për punë është e vështirë, jo vetëm në atë periudhë. Edhe tani funksionojnë vetëm disa ndërmarrje dhe atëherë nuk ke edhe po deshe. Janë të tejngarkuara. Shumë ka punëtorë, shumë e vështirë për punë, shumë vështirë për punë, ja kështu. Po them djali im ka punuar si përkthyes 16-18 vite, ja ka mbetur, dy vite është në shtëpi. Nuk mund të punësohet askund. Domethënë, nuk ka ku, sepse ato që kanë qenë nëpër Prishtinë ato ose janë shitur ose kanë shkuar në duar private. Normalisht, sapo shitet për duar të privatëve përfundon. Dhe pastaj ai pronari privat, ai merr sa punëtorë i nevojiten dhe pastaj nuk i nevojitet më shumë. Dhe kështu…

Anita Susuri: Pas luftës më keni treguar për punën, por për, domethënë të shkoni deri në Prishtinë, kur ka qenë, a jeni ndjerë të kërcënuar apo?

Snezhana Milliq: Po a e dini si, në fillim për një kohë nuk ka qenë e lehtë, që thonë, si të gjithë që thonë, lufta është luftë, gjithçka ka ndodhur. Por më vonë, ja edhe tani, domethënë nuk ka probleme. Mund të shkosh ti në secilin dyqan, të shkosh edhe me ta, në autobus, të shkosh me ta në taksi apo si, domethënë, kurrfarë problemi nuk ka. Dhe normalisht që thonë kur është lufta, nuk është mirë për asnjërën palë. Por, tani është gjithçka ndryshe. Gjithçka është ndryshe. Gjithçka është stabilizuar dhe… sepse nuk ka, a e din si, që do të thoshin në fillim nuk dihet as se kush është fajtor, kush nuk është fajtor. Edhe a më ke bërë ti mua diçka apo unë ty, ajo-kjo.

Normalisht, nëse dikush e ka humbur anëtarin e familjes apo dikush e ka humbur shtëpinë atë-këtë, janë ato momentet, nuk mendon ashtu, “O Zot…” por tani me të vërtetë është gjithçka ndryshe. Gjithçka është ndryshe. Ja tani edhe njerëzit tonë punojnë edhe më tutje me ta. Domethënë, gjithçka normale, siç ka qenë dikur. Dhe mendoj që një ditë do të jetë, po mendoj që do të bëhet. Sepse {tund kokën} nuk ka prej përleshjes dhe luftës dhe prej asaj-kësaj, aty nuk ka, nuk ka dobi që thonë. Më së miri është kur merren vesh dhe bashkëpunojnë dhe të gjitha këto. Dhe unë mendoj që do të bëhet mirë, më mirë se tani.

Anita Susuri: Po. Më tregoni tani, me çka merreni, me çka merreni tani?

Snezhana Milliq: Po tani, që thonë ashtu, po e marr atë pensionin, po rri në shtëpi. Kështu diçka, pak kopshti, pak lulet (qesh). Kështu që, po punoj diçka, nuk po punoj sa i përket kësi, në asnjë ndërmarrje nuk po punoj. Po e marr pensionin familjar siç thash dhe kaq domethënë.

Anita Susuri: Pra tani jetoni normalisht dhe…

Snezhana Milliq: Normalisht.

Anita Susuri: Nuk keni ndonjë problem?

Snezhana Milliq: Jo, jo, jo, probleme nuk ka, vetëm shëndet tani të na jep Zoti dhe të jemi të shëndosh (qesh) dhe kështu. Sa i përket, si gjithkush, çdo njëri e ka ndonjë hall, ndonjë problem domethënë, sepse jeta është e tillë. Edhe situata, sa i përket situatës, këtu jemi. Nuk po mendojmë të ikim që këtu, këtu do të jetojmë. Unë po them, po e llogaris që do të ketë punë. Shpresoj që do të ketë.

Anita Susuri: Nëse keni diçka për fund nëse keni harruar dhe dëshironi edhe diçka të shtoni…

Snezhana Milliq: Paj… nuk kam më çfarë të them më shumë. Fola shumë (qesh).

Anita Susuri: Faleminderit atëherë shumë.

Snezhana Milliq: Asgjë, ju faleminderit edhe juve.


1 Sekretariati i Punëve të Brendshme, ndryshe në popull njihet edhe si SUP.

2 Shën Petka është emër sllav për Shën Parashkevën e cila besohet se është shënjtore që i mbron gratë, të sëmurët dhe të varfërit.

3 Shënjtorët Vraqe, Damiani dhe Kozmani, ndryshe të njohur si Sv. Vrače, ishin shënjtorë shërues, mjekë dhe çudibërës. Ata i shëronin njerëzit falas dhe e mësuan mjekësinë duke i studiuar vetitë shëruese të bimëve dhe farërave. Ata vdiqën dhe u varrosën në Feremen e Mesopotamisë.

Download PDF