Qyteti qëndronte i ngrirë në kohë

Nga Doruntina Kastrati

Kur filloi periudha e mbylljës nuk ka qenë diçka shumë e randë për mu, për shkak të rutinës së përditshme që ma shumë është e mbyllun, sesa e ekspozume jashtë. Mirëpo, puna nuk është ndalë dhe kjo më ka mbajtë aktive brenda, dhe nuk e kom ndi shumë këtë presionin e karantinimit, përveç situatës së përgjithshme. Në fillim këtë periudhë nuk e kom marrë shumë seriozisht. Si qenie njerëzore kemi tendencë të mos i kuptojmë gjërat seriozisht derisa nuk infektohemi ose nuk prekemi direkt.

Meqenëse ishte në Kinë, një dimension hapësinor që dukej shumë i largët, ishte njëfarë tallje që nuk arrinë me kuptu seriozisht, sepse nuk e din peshën që mundet me përcjellë. Në fillim e kam injoru në tanësi, “Është vetëm një virus, le të ecim përpara”. Në momentin kur filloi me qenë ma prezent, ishte kur u përhapë edhe brenda vendit. Dy prej familjarëve të mi kanë qenë ndoshta ndër të parët të infektum, në atë periudhë ata kishin ardhë prej Gjermanisë, dhe fillova me marrë pak ma seriozisht. Gjendja e tyne nuk ka qenë shumë e mirë, mirëpo ka qenë për mu konfrontimi i parë me virusin edhe momenti kur kom fillu pak me ndrru qëndrim.

Kur u karantinua qyteti, unë e kisha një leje të punës që ma mundësonte me qenë jashtë gjatë gjithë kohës. Përveç pesë orëve që punojsha për zyrën sa isha në shtëpi, unë paralelisht punojsha në ekspozitën “Public heroes and secrets” [Heronj publik dhe fshehtësi]. Kemi filmu. Mu më pëlqejke që brenda videos të cilën e kom realizu vërehet një atmosferë e periudhës së COVID—19. Janë peisazhe të qytetit. Kam xhiru hapësira të caktume të Prishtinës edhe të Kosovës. Kanë qenë këto muajt kur mu më konvenojke që nuk ka prezencë të njerëzve edhe nuk ka prezencë të veturave.

Ndoshta vetura ka pasë, por prezenca e njerëzve nuk ka qenë askund e shfaqun. Shumë, shumë e çuditshme. Qyteti ka qenë shumë i thatë. Më duket që kom nevojë për kohë me procesu këtë gjendje, për shkak se është shumë e pakjartë çka kom pa edhe në çka jemi t’u kalu. Situatë shumë e re për mu personalisht, por përgjithësisht është situatë e re në çka po kalojmë.

Kur kom dalë me filmu, ky boshllëk i qytetit pa njerëzit, ka qenë njëfarë prezence e tij shumë dominuese, por në të njejtën kohë shumë, shumë i thatë, ku nuk ka mbetur asnjigjë, njëfarë bote post—apokaliptike. Gjithçka është aty, nuk është e shkatrrume, gjithçka është duke qëndruar e ngrirë në kohë. Është shumë e çuditshme. Periudhën ma të gjatë të jetesës e bëj në Prishtinë, tu e ditë kaosin urban të cilin e jetojmë, pak është e pakonceptushme Prishtina pa njerëz, pa vetura. Nëse mundohna me e mendu si ka qenë para tre muajsh, dhe me krahasu me sot, si dy realitete komplet të ndryshme. Idea e kthimit në një realitet, pak jom skeptike, nuk mendoj që najherë ka qenë shumë normal që me u kthy.

Kur kom fillu me i xhiru punishtet, në këtë periudhë punëtorët s’kanë qenë prezent për shkak se është pezullu puna. Të vetmit që kanë qenë prezent ishin punëtorët te Xhamia e Llapit edhe te bulevardi Bill Clinton. Aty janë punëtorët e krahut që presin nëse i merr dikush gjatë ditës. Përndryshe, punishtet kanë qenë komplet të pezullume. Puna nuk ka vazhdu. Sikur çdo gjë tjetër, puna ishte lënë përgjysmë, nuk dihej nëse diçka ka dështu, apo nëse është t’u vazhdu? Gjithçka në kollaps. Është vështirë me spjegu, shumë vështirë me përshkru. Për mu si situatë ka qenë shumë e pakjartë, çka po ndodhë, çka do të ndodhë ditën e nesërme, muajin tjetër? Tash është pothuajse gjysëm viti prej momentit që është shpallë gjendje pandemie, dhe thjeshtë nuk e di se çfarë do të ndodhë.

Viti 2020 ka qenë një vit që kur e kom mendu, kom thanë, “Në rregull, ky është definitivisht viti im. Ekspozitat duke ndodhur, puna po ecën mbarë, kom investu për këtë moment dhe përfundimisht e shoh. Mund ta preki, po ndodhë”. Edhe thjeshtë nuk po ndodhë, nuk jemi aty. Tre—katër ekspozita jashtëzakonisht të rëndësishme për mu kanë pasë me ndodhë muj pas muji, projekte që kom investu shumë për to në këto tre—katër vjet. Edhe unë dojsha me u rritë me to. Njëfarë ndryshimi që edhe unë vet e ndjejsha, një pjekuri që ndodhte në punën time në përgjithësi.

Kjo më ka afektu në aspektin psikologjik. E kom bisedu me njerëz që ndaj përvoja pak ma personale, shokë, miq. E kom njëfarë brenge të përgjithshme për shkak të një moskoncentrimi, që ndoshta e kom pasë edhe para kësaj periudhe. Mungesë e koncentimit, një gjumë jo shumë i mirë, njëfarë ankthi ndonjëherë, ndoshta ndrrimi i rutinës, ndrrimi i…. Një gjumë jo shumë i rregullt, një ankth që jom tu e ndi, një nervozizëm ose një ndjeshmëri ma e madhe karshi situatave, që po besoj edhe duhet me qenë prej kësaj periudhe.

Përndryshe, ato ditë kom qenë përnime në ajër, kurgjo nuk mujsha me bo, m’u koncentru edhe m’u ulë, se thjeshtë nuk kisha siguri, nuk ka pasë siguri. Në këtë periudhë me mbetë pa punë është goxha e vështirë, sepse çka ka tjetër, ku ki me apliku për një tjetër punë? Po mendoj, po, aplikon, por definitivisht nuk është periudha ma e mirë për me ndrru punë edhe me gjetë një tjetër.

Komunikimi gjatë kësaj kohe kaloi komplet online. Nuk kom pranu që ekspozita ose diçka me u prezantu online. Kanë qenë dy për të cilat… unë nuk mendoj që puna jem është… ndoshta jam gabim, por nuk mendojsha që punën tem mundesh me perceptu prej një platforme online. Nuk përkthehet online. Me dy galeri që kom komuniku, në të cilat kom pasë me ekspozu punën, prej tyne është pranu që ekspozitën ta shtyjmë për vitin që vjen, sepse nuk mendojsha që një punë që për momentin jom tu e shfaq mundet m’u përcjell përmes platformës online. Gjithçka tjetër është bartë në vitin e ardhshëm.

Për momentin është thjeshtë e pamundur me mendu që muj me realizu diçka që mundet me qëndru virutalisht. Ndoshta kjo është diçka që më duhet më shumë kohë për me e mendu. Por duhet me mbajtë njëfarë rezistence, duke shpresu se kjo do të mbarojë në një moment. Natyrisht, kjo ka me kriju një realitet të ri me të cilin ne kemi m’u përshtat. Sidoqoftë, hapësira fizike vazhdon me qenë shumë e rëndësishme për mu, është vetë puna në njëfarë mënyre, prezenca, komunikimi ndërmjet të gjithë atyre. Nuk ka të bëjë vetëm me punën, por hapësira me punën. Kjo do të ishte një sfidë për mu nëse përpiqem ta përkthej këtë, ta përshtati punën në diçka që nuk shihet ose ruhet nga prania njerëzore. Hapësira fizike është elementi i punës.

Situata tanishme në vend është shqetësuese. Duke e pa prezencën kaq të madhe të njerëzve në vende publike me këto masa që kanë ndrru brenda natës, më duket që janë jashtëzakonisht kontradiktore me njena— tjetrën. Diçka që e kom mendu shpesh, nëse ne si njerëz do të uleshim të reflektonim dhe… ka qenë hera e parë për mu që pas shumë kohe unë e kuptoj këtë marrëdhënien me shtetin, çka është shteti? Dalja nga mbyllja është periudhë e re për krejt ne edhe një menaxhim aq i keq i një gjendje aq të randë shëndetësore, kjo më bëri me të vërtetë të reflektoj.

Ishte hera e parë që u përballa me pytjen çka është shteti. Si mundet me u menaxhu, si mundet një popull komplet me kollapsu për shkak të disa individëve në politikë, të cilët janë absolutisht jokompetent. Thjeshtë, je në durtë e disa njerëzve të cilët… e kuptoj që e gjithë kjo është e re për neve, por mendoj që ka ekspertë edhe ka njerëz të cilët e kishin menaxhu ndryshe këtë periudhë. Me një sistem shëndetësor të kollapsum qysh jemi për momentin, dhe me një numër kaq të madh të infektumve, nuk kom as fakte as kurgjo, por mendoj që të dhanat në këtë kohë janë manipulu shumë.

Gjatë kësaj periudhe po i frikësohem këtij kollapsi që na ka përfshi, dhe nëse deri dje kom mendu që nëse infektohna e kom një vend ku muj me marrë një trajtim, tash e di që s’e kom. Kjo e bën këtë situatë edhe më të keqe, kur je e vetëdijshme që nuk ka zgjidhje dhe duhet të merremi vetë me pasojat. Imazhet që po dalin nëpër media të pacientëve që janë të shtrirë në karrika në mungesë të shtretërve, nuk është imazh që ti mundesh me i kalu pranë, “Ah, okej!” Dhe ta vazhdosh pjesën tjetër të ditës me idenë që vet je mirë. Për mu kjo është shumë e papranushme për me e kalu kështu me lehtësi.


Doruntina Kastrati (1991) është artiste pamore me bazë në Prishtinë. Puna e saj është shfaqur në ekspozita të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare në gjashtë vitet e fundit. Në vitin 2017, ajo realizoi ekspozitën e saj personale “Peisazhi i Kuq” në bashkëpunim me Stacion—Qendrën për Art Bashkëkohor në Prishtinë. Në vitin 2014, Kastrati fitoi çmimin Artistët e së Nesërmes, dhe në vitin 2016, ishte fituese e edicionit të parë të Fondacionit Hajde!. Ajo ishte artiste rezidente në Programin Ndërkombëtar të Studiove dhe Kuratorëve (Brooklyn, New York, Shtetet e Bashkuara, 2015), Art House (Shkodër, Shqipëri, 2018) dhe Iniciator (Athinë, Greqi, 2018). Kastrati u lind në Prizren dhe është diplomuar në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve, Departamentin e Artit Grafik.