Zenun Çelaj ishte gazetar i së përditshmës “Rilindja”, kur u kontaktua nga Gazmend Zajmi t’i ndihmonte ta shtypte në makinë deklaratën kushtetuese të 2 korrikut, 1990. Këtë përvojë ai e ndau me ne, në intervistën e historisë gojore të realizuar në 1 shkurt dhe 1 dhe 7 mars të vitit 2019.
Me 2 korrik të vitit 1990, m’thirrën me ni deklaratë kushtetuese të cilën e ka shkru Gazmend Zajmi, tash i ndjerë, atëherë ishte akademik. Une shoqnohesha me ta edhe kisha kriju ni emën si gazetar, Zenun, edhe kisha shoqni, jarani me atë, me Fehmi Aganin, me profesorë të tjerë.
Edhe derisa po shëtitnim në ato mbramje që ishin shumë të zymta, shumë të ngarkume, Gazmendi m’thotë, ‘Zenun ti i dike, si gazetar ti i dike, i njeh këta delegatët’ deputetët pra, se ashtu quheshin, deputetët të asaj kohe. Thotë, ‘Osht’ mirë të nxjerrin ni deklaratë kushtetuese, si organ legjitim që osht’’. Në atë kohë kishte ndodhë që deklaratë kushtetuese kishte nxjerrë Parlamenti i Sllovenisë që po ndahej prej Jugosllavisë. E kishin nxjerrë disa parlamente të vendeve Ballkanike që ishin në kuadër të Bashkimit Sovjetik, Lituania, Estonia. Domethanë, këtu kishte marrë ndoshta idenë Gazmendi.
Tha, ‘Osht’ mirë edhe këta tantë te bojnë. A ke me kond me bisedu?’ Kisha. E kisha baxhanakun edhe çiken e kunatës. Baxhanaku Sabri Hashani ishte delegat, kurse ajo ka qenë nji Leonora Binishi prej Gjakove, e tash është mjeke në Zvicër, edhe atëherë ka qenë mjeke. Thashë, ‘Po, kom’ tha, ‘Mirë, nesër po shihemi!’ U pamë me to. Erdhi te unë me veturë në shtëpinë në Velani ku e kom. E kishte të shkrume me dorë atë deklaratën. Ajo përmbajtje që është publikue tash ma është e njoftun. Edhe m’diktoi me maqinë e shtypa. E detyrova se ai s’donte, po ndoshta me pasë ditë me rujtë, po atëherë shikojshim me rujtë njani-tjetrin.
Unë pritsha se do t’më arrestojnë e mos t’ma gjejnë si thonë corpus delicti e shkeva ata, atë dorëshkrimin e tij. E gjeta këta, këtë djalin, këtë baxhanakun. Atëherë veç i kishin largue prej kuvendit, delegatët, këta deputet shqiptarë. Kish marrë kontrollin Beogradi, Sërbia. Ia dhashë atij tekstin por këta delegatët u organizun edhe ata mbajshin mbledhje. Edhe atëherë ka pasë komisione sikur edhe tash komisioni parlamentar. Nëpër ndërtesa kështu edhe dikund te Kurrizi atje në ni shtëpi t’ni delegati nga Prizreni. N’banesë të atij ishin mbledhë e m’thirrën.
‘Jemi tu e shqyrtu këtë deklaratën kushtetuese, a po vjen? Kemi vetëm një kërkesë’. Ata kërkun me heq ni pikë të… ishte me gjashtë pika, mos harrofsha. Ajo pika e gjashtë me të vërtetë dukej e tepërt, s’kishte nevojë se thotë, masi të ndodhë kjo, kjo, me informu këta, këta. Kjo s’kishte nevojë. E m’thojnë, ‘A po fol me Gazmendin?’ Se iu tregova kush e ka shkru, ‘që, a pajtohet ai ta heq’. Edhe e takova Gazmendin, e hoqëm atë pikë. Domethanë… kurse me 2 korrik ajo… këta u mblodhën s’e lanë me hi brenda, u mblodhën para parlamentit, hyrjes edhe aty e lexunë tekstin e deklaratës. Votuen me gishta, populli ishte, në të gjitha anët po i vështronte çka po ndodhë. Në anën knej kah komuna kishin pru tenka ushtria, milicë në të gjitha antë, po këta e deklarunë ata edhe duartrokitën.