Boban Petroviq

Graçanicë | Date: 25 shkurt, 2020 | Duration: 52 minuta

Ajo që është e rëndësishme është se e dijmë që prej 1880-tës jemi në Graçanicë dhe familja ime e ka pasur shtëpinë e parë menjëherë afër Manastirit. Mirëpo, për shkak të vërshimit të madh, i cili sipas tregimit të gjyshit ka qenë ndoshta 1947-tën në Graçanicë, derisa ende nuk ka ekzistuar diga dhe liqeni i Graçanicës, përkatësisht liqeni i Badovcit, shtëpia dhe gjithçka rreth Manastirit ka qenë e përmbytur. Mundësitë që motra më e vogël e gjyshit të përmbytej kanë qenë të mëdha, për pak është përmbytur në atë vërshim. Pastaj stërgjyshi Vasillije ka marrë vendim që shtëpinë prej vendit ku ishte afër Manastirit vetëm dhjetë metra larg kambanores ta zhvendos pak më lart në kodër, përkatësisht tani jemi në rrethin e shkollës dhe aty është niveli pak më i lartë {ngreh dorën} nëse shikojmë prej larg, më larg prej lumit edhe shumë më lartë prej nivelit të ujit. Mirëpo, me ndërtimin e digës dhe liqenit akumulues ato problemet rreth vërshimeve janë zgjidhur.


Anita Susuri (Intervistuesja), Renea Begolli (Kamera)

Boban Petroviq u lind më 29 janar, 1985 në Graçanicë. Filloi të punoj si ciceron turistik në manastirin e Graçanicës në vitin 2010. Një vit më vonë, në 2011 përfundoi fakultetin e telekomunikacionit nga Universiteti i Nishit. Pas diplomimit, ai e themeloi edhe Organizatën Turistike të Graçanicës. Ndërsa në vitin 2015 e themeloi Shoqatën e mjeshtërive dhe artizanateve mesjetare, e cila çdo vit organizon panairin mesjetar në Graçanicë. Aktualisht, Bobani së bashku me familjen e tij, jeton dhe punon në Graçanicë.

Boban Petroviq

Pjesa e Parë

Anita Susuri: Nëse mund të prezantoheni, data e lindjes, diçka rreth familjes tuaj, paraardhësve?

Boban Petroviq: Unë jam Boban Petroviq, për momentin jemi në organizatën turistike në Graçanicë, ku edhe jam drejtor i kësaj organizate joqeveritare. Përndryshe, me prejardhje jam këtu nga Graçanica, jam lindur më 29 janar të vitit 1985. Shkollën fillore e kam përfunduar këtu, shkollën e mesme në Sushicë {me gisht tregon mbrapa} jo larg prej Graçanicës dhe fakultetin në Nish. Përndryshe me profesion jam inxhinier i diplomuar i telekomunikacionit. Pyetja tjetër (qesh), më fal [i drejtohet intervistuesës] unë ndoshta kështu, por pastaj ju e preni këtë apo nuk do ta preni apo do të shkoj direkt e tëra?

Anita Susuri: Nuk është fare problem. Unë tani do t’ju pyes për familjen tuaj a keni qenë shumë?

Boban Petroviq: Okej.

Anita Susuri: A keni jetuar në bashkësi? Si ka qenë?

Boban Petroviq: Po prej, bukvalisht prej që kam lindur unë, ne kemi jetuar në bashkësi, babai e ka… e ka pasur vëllaun dhe dy motra. Motrat i kanë jetuar njëra në Prishtinë, tjetra në Bor, por gjatë verës e gjithë familja mblidhej {bashkon duart} dhe të gjithë kemi qenë bashkë. Përndryshe, unë i kam edhe dy motra dhe vëllaun, të gjithë jetojnë këtu në Kosovë, në Graçanicë. Sikur të gjitha familjet përpara kemi jetuar së bashku në të njejtën shtëpi, të gjithë kemi qëndruar bashkë, kemi drekuar, shoqëruar, biseduar dhe aty kemi mësuar mjaft, kryesisht prej më të moshuarve, babai dhe nëna kryesisht kanë punuar.

Ndikim të madh te fëmijët, jo vetëm tek ne, por në përgjithësi, konkretisht te unë kanë lënë gjyshja dhe gjyshi. Por, kryesisht gjyshi sepse gjyshi kishte dëshirë me fëmijët meshkuj të punoj dhe të gjitha ato obligimet që i ka pasur rreth shtëpisë që kanë qenë atëherë. Po mendoj para ‘99-ës, gjyshi pastaj edhe pas ‘99-tës sa ka qenë gjallë ka mbajtur edhe lopë, ka pasur edhe derra dhe mjaft pula, ka qenë një oborr mjaft i madh, sikurse tek të gjithë të zotët e shtëpive këtu. Sot nuk është kështu në Graçanicë, sepse sa i përket bujqësisë njerëzit edhe më tutje merren me bujqësi por është numri më i vogël i stoqeve të bagëtisë, po them ashtu, njerëzit mbajnë lopë, më pak derra, më pak mbajnë pula dhe kafshë të tjera shtëpiake në përgjithësi.

Anita Susuri: Çfarë ka qenë familja atëherë? Edhe me çka për shembull është marrë babai juaj, gjyshi juaj?

Boban Petroviq: Babai punonte në industrinë elektrike, përkatësisht në termocentralin “Kosova B” dhe prej ‘99-tës është në shtëpi, nuk punon, nëna diçka pak para bombardimeve ka filluar të punoj në çerdhe dhe edhe sot e kësaj dite punon në çerdhe. Gjyshi është pensionist ka punuar në Hajvali, përkatësisht në {tregon kahjen djathtas} minierën e Kishnicës sikurse shumica e njerëzve prej këtu të cilët në atë kohë kanë jetuar këtu. Një numër i madh i njerëzve ka punuar në miniera. Gjyshja ka qenë amvise, sa i përket neve ne të gjithë këtu kemi shkuar në shkollë, përveç meje që kam shkuar më vonë në Nish, edhe motra edhe vëllau kanë studiuar këtu në Mitrovicë. Të lutem (buzëqesh) duhet prapë të ma parashtrosh ndonjë pyetje në mënyrë që të vazhdoj [i drejtohet intervistuesës].

Anita Susuri: Unë do të doja që më shumë të na flisni për paraardhësit tuaj dhe…

Boban Petroviq: Aha, okej. Atë që e kam marrë vesh prej gjyshit dhe që më vonë kam lexuar, ka qenë aty… pasi që familja jonë është mjaft e madhe, familja ime në Graçanicë është vendosur në vitin 1880 para kësaj familja ime ka jetuar në Sushicë, që është fshat jo larg prej këtu. E para kësaj në malin e Sharrit {tregon me gisht pas vetes} në fshatin Sushiq. Para kësaj saktë nuk dihet, supozohet se në rrethin e Shkodrës, Andrijevica. Në mesjetë përndryshe ato emigrimet e njerëzve janë bërë për shkak të dyndjeve të turqve, për shkak të gjërave tjera, për shkak të gjakmarrjes. Kanë qenë shumë dhe njerëzit janë shpërngulur nëpër Ballkan.

Por ajo që e di është se mbiemri ynë ka ndryshuar mjaft, atëherë janë mbajtur ato mbledhjet fisnore, e di që familja rrjedh prej një katragjyshi të quajtur Marko, prandaj të gjithë ne, familja jonë {hap duart} janë të Markoviqit, si pasardhës të katragjyshit Marko. Gjithashtu e di që kanë qenë tre vëllezër Petar, Petko dhe Jovani, dhe që familja ime tani e ka mbiemrin Petroviq sepse njëri prej këtyre të Markut ka qenë Petar, prandaj ne jemi Petroviq. Në Graçanicë janë edhe prej katragjyshit Petko, Petkoviqët dhe janë Jovanoviqët prej katragjyshit Jovan. Kështu që, ne të gjithë jemi kushërinjë në përgjithësi, njëfarë gjenerate e kushërinjve. Atë që ende e dijmë është se në malet e Sharrit e kemi pasur mbiemrin Illiq, Illkoviq apo Naqkoviq.

Mirëpo, për hulumtime më të detajshme duhet t’i shikojmë librat kishtare të cilat lidhur me këtë janë kujdesur mjaft, nëse ekzistojnë normalisht. Nuk i di arsyet e sakta pse jemi shpërngulur, me siguri, siç thashë kjo ka qenë kryesisht periudha osmane dhe ka pasur aty mjaft gjakmarrje dhe ikje dhe gjithçka. Por ajo që është e rëndësishme është se e dijmë që prej 1880-ës jemi në Graçanicë dhe familja ime e ka pasur shtëpinë e parë menjëherë afër Manastirit, mirëpo për shkak të vërshimit të madh i cili sipas tregimit të gjyshit ka qenë ndoshta 1947-tën në Graçanicë derisa ende nuk ka ekzistuar diga dhe liqeni i Graçanicës, përkatësisht liqeni i Badovcit.

Shtëpia dhe gjithçka rreth Manastirit ka qenë e përmbytur, mundësitë që motra më e vogël e gjyshit të përmbytet kanë qenë të mëdha, përpak është përmbytur në atë vërshim. Pastaj stërgjyshi Vasilije ka marrë vendim që shtëpinë prej vendit ku ishte afër Manastirit vetëm dhjetë metra larg kambanores ta zhvendos pak më lart në kodër. Përkatësisht tani jemi në rrethin e shkollës dhe aty është niveli pak më i lartë {ngreh dorën} nëse shikojmë prej larg, më larg prej lumit edhe shumë më lartë prej nivelit të ujit. Mirëpo, me ndërtimin e digës dhe liqenit akumulues ato problemet rreth vërshimeve janë zgjidhur.

Por ja shtëpia ka mbetur aty, ekzistojnë disa fotografi të vjetra që ka pasur shtëpia aty në atë pjesë të kodrës {tregon me dorë para vetes} që aty kanë qenë shtëpitë e para në atë pjesë. Shumë pak shtëpi ka pasur, por prej ‘99-tës numri më i madh i njerëzve që kanë jetuar në vendet në afërsi dhe në përgjithësi nëpër Kosovë e që nuk kanë dashur të shpërngulen në Serbi kanë gravituar kah Graçanica, ku sot numëron diku 20 mijë banorë. Ku rreth 85 përqind janë serbë, rreth dhjetë përqind rom dhe rreth pesë përqind shqiptarë, të cilët jetojnë shpresoj në harmoni. Nuk ka pasur probleme të mëdha dhjetë vitet e fundit.

Anita Susuri: Cilat janë kujtimet tuaja të para si fëmijë dhe si ka qenë Graçanica atëherë?

Boban Petroviq: Po atëherë Graçanica ka qenë shumë më e vogël, shumë më e vogël. Kujtimet e mia të para janë kryesisht kujtime prej shtëpisë familjare me prindërit e mi, me vëllaun, motrat, djalin e tezës me të cilin jam shoqëruar kur kemi qenë fëmijë, kemi qenë të pandashëm. Ai ka jetuar në Prishtinë, pastaj është shpërngulur, dhe pastaj vetëm gjatë fakultetit jemi shoqëruar. Por gjithashtu kujtimet e mia nga fëmijëria lidhen me oborrin e shkollës dhe për rrugën tonë, ku kryesisht ka pasur shumë fëmijë dhe ku të gjithë jemi shoqëruar dhe kemi luajtur lojëra që nuk janë si lojërat e sotme me kompjuter dhe telefona, por janë lojëra me top, me shkop, ndërtonim kolibe.

Aty në oborrin e shkollës ka pasur mjaft drunj, pastaj në oborrin e shkollës kryesisht kemi luajtur dhe karshi asaj që nuk ka pasur shumë vetura dhe rruga ka qenë mjaft e lirë. Ne kemi luajtur në rrugë por shkolla ka qenë mund të them vendtakimi për të gjithë fëmijët që kanë jetuar aty, në këtë pjesë rreth shkollës. Kemi pasur vendin për lojëra edhe për futboll edhe me të vërtetë shumë argëtime. Ka qenë, ka qenë një lloj tjetër i lojës, nuk ka pasur përmbajtje multimediale sikur sot dhe telefona që ajo të jetë interesante, por spontanisht jemi gjetur në rrugë, spontanisht e fillonim lojën, shoqëroheshim, luanim fshehurazi.

E sot, sot nuk kam parë fëmijë që luajnë fshehurazi, nuk kam parë fëmijë që luajnë fshehurazi (qesh) ndoshta qe disa vite. Kështu që, ndryshe, me të vërtetë ka qenë ndryshe, nuk ka qenë aq periudhë moderne të themi që, që… siç është sot që të gjitha informacionet të jenë afër dorës, që çdo gjë të jetë aq e përballueshme që të jetë ajo… edhe fëmijët ndryshe, ndryshe po rriten, mjedisi është i ndryshëm, tjetër qasje e jetës dhe tjetër qasje ndaj të gjitha pajisjeve elektronike dhe mediave dhe të gjitha ato që i bartë jeta moderne.

Anita Susuri: Ju gjithashtu mendoj që i festoni Krishtlindjet? Si…

Boban Petroviq: I festojmë Krishtlindjet, familja ime gjithashtu si çdo familje serbe e feston edhe festën. Ne e festojmë Shën Nikollën. Sikur të gjithë kushërinjtë tonë, ata që i kam numëruar Petkoviqët, Petroviqët, Jovanoviqët. Ajo që është njëra prej gjërave që i bashkon familjet është festa. Dhe festa festohet, tek ne ekziston festa kryesore dhe preslava1, por kryesisht të gjithë e festojmë Shën Nikollën në maj, dhe në dhjetor. Festa është te populli serb, tek ortodoksët, serbët e besimit ortodoks sepse pak dallojnë ortodoksët e tjerë, ata nuk e festojnë festën klasike dhe kjo siç kam arritur të kuptoj prej asaj që kam lexuar, kjo është ruajtur që prej kohëve të hershme, të sllovenëve.

Ku sllovenët kanë festuar për zotërat e tyre, pastaj serbët e kanë pranuar pak më rëndë që diçka të festojnë dhe kanë filluar të festojnë për të shenjtët e tyre dhe mendoj që, nuk mendoj por e di që Shën Nikolla është njëra prej festave më të mëdha, më së shumti serbë e festojnë Shën Nikollën. Festa festohet tek ne këtu në Kosovë dhe në Graçanicë dhe në përgjithësi në familjen time, dy eventualisht tri ditë. Festohet nata e festës kjo është një ditë para festës kryesore, dita e festës dhe pastaj ndodhë që dikush ta festoj edhe ditën e tretë nëse ka shumë mysafirë, nëse ka familje që nuk mund të vijnë natën dhe ditën edhe pse është festa e madhe, dikush e feston ditën e tretë.

Ajo që është gjithsesi interesante është se, sa ka qenë gjyshi gjallë ai është marrë me gjithë këtë traditë. Pastaj e ka marrë babai, më vonë do ta marrim unë dhe vëllau me siguri që festa do të shpërndahet në dy shtëpia duke pasur parasysh që është normale që secili ta ketë familjen e vet dhe shtëpinë ku do të shpërndahet festa. Një traditë nëpër shtëpia është se kur e merr dikush festën e merr edhe ëmbëlsirën, ëmbëlsirën e festës e cila, e cila prehet në manastir. Ditën e festës, për festën kryesore që festohet në dhjetor shkohet në manastir atje prehet ëmbëlsira, vijnë mysafirët gjatë gjithë ditës. Shërbehet dreka, darka, gjellërat tradicionale kosovare.

Njëra prej gjërave më të rëndësishme dhe më kryesore që shërbehet është pogaçja kosovare. Aty në çdo festë është vera, gruri i zier, aty është qiriu patjetër. Ekziston ajo ëmbëlsira e madhe dhe më e vogël {tregon me dorë madhësinë} përkatësisht krstnik2, kryq i vogël prej buke që prehet, ngrehet dollia. Po mendoj tani varet prej shtëpisë, prej ekonomisë shtëpiake bekohet, mbahet fjalimi, e gjithë kjo varet si është trashëguar prej paraardhësve. Por ajo që gjithsesi është interesante që shumë prej gjërave të vogla kanë ndryshuar gjatë modernizimit dhe me kalimin e kohës, kështu që mjaft ka ndryshuar edhe festa.

Kemi… ne rastësisht në vitin 2015 me USAID-in e kemi punuar këtë broshurën {e kap broshurën} trashëgimia kulturore jo materiale ku përshkruhet edhe Krishtlindja, edhe festa edhe dasma dhe të gjitha ato që janë trashëgimi kulturore jo materiale. Jo vetëm për serbët por aty ka edhe për romët edhe për shqiptarët, e kemi bërë, kemi bërë disa krahasime. Ne këtu në libër, në këtë broshurë e kemi futur festën e cila është festuar gjatë 1812 dhe 1912 sipas librit që e kemi gjetur dhe ka mjaft dallime.

Ndryshe, sot thuhet që nuk thirret në festë askush. Dihet kur është festa, dhe te ai që ke shkuar, ai edhe duhet të të vijë në festë. Megjithatë, ka qenë në atë libër që e kemi përdorur për broshurë, kemi gjetur që është dërguar pogaçja, pjesë e bukës për t’i ftuar në festë. Sepse siç e dini, siç e përmenda ato zakonet ndryshojnë, por ajo që është më kryesorja dhe, dhe, dhe qëllimi përse njerëzit mblidhen në festë është i njejti. Kjo është se duhet të festohet mbrojtësi i familjes po them dhe Ati i Shenjtë.

Anita Susuri: Më keni fol për festën tuaj dhe Krishtlindjet por kur keni qenë ju më i ri, po mendoj fëmijë a ka pasur edhe ngjarje të tjera kulturore, për shembull në Graçanicë, apo a keni shkuar diku tjetër?

Boban Petroviq: Në Graçanicë kanë qenë kryesisht panairet, panairet fshatare kanë qenë jashtëzakonisht interesante për të gjithë fëmijët, sidomos pasi që më herët është përdorur oborri i Manastirit {tregon me gisht pas vetes} që ka qenë i tejet i madh. Nga, nga ana jugore, ku ka qenë i tërë lunaparku dhe aty ka pasur karusela të ndryshëm, balerina dhe… me të vërtetë shumë, shumë përmbajtje të ndryshme që për fëmijët ka qenë interesante të shkojnë atje. Sot kjo është në masë shumë më të vogël, kryesisht më shumë është fokusuar në ngjarje kulturore, të cilët nuk po them që nuk ka pasur më herët.

Prej ‘89-tës në Graçanicë e kanë festuar Vidovdanin si 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, e kanë bërë si një prej manifestimeve më të mëdha dhe me të vërtetë mjaft njerëz janë mbledhur. Dhe mjaft, shumë, shumë ngjarje kulturore janë prej fillimit të qershorit deri në fund të qershorit. Ndër të cilët është edhe e famshmja zgjedhje për “Vashën e Kosovës”, {numëron në gishta} aty janë “Vigjilja e poetit” përkatësisht “Kungimi poetik”, që mbahet për çdo vit që prej ‘99-tës. Gjithashtu liturgjia, përkatësisht përkujtimi i viktimave të Betejës së Kosovës, që bëhet çdo 28 qershor dhe shkuarja në Gazimestan dhe plot tradita të tjera të lidhura me Vidovdan.

Por dita kryesore e festës së vet kishës, pasi që Manastiri i Graçanicës i është dedikuar ngritjes së Nënës së Shenjtë të Zotit, Dita e Zonjës së Madhe që është më 28 gusht. Kështu që, edhe më 28 gusht e kemi pasur një periudhë të pushimit ku i kemi pasur dy panaire, njërin në fund të vitit shkollor, një në fillim para fillimit të tjetrit. Shumë ka pasur domethënie për fëmijët, kanë ekzistuar aty edhe manifestime të tjera të ndryshme me të cilat njerëzit janë disponuar, kanë ekzistuar “Netët e Graçanicës”, ku kam qenë edhe unë njëri prej pjesëmarrësve. I kam shkruar disa lajme fshatare që kanë qenë pak me karakter humoristik.

Gjithashtu kam marrë pjesë sikur shumica e moshatarëve të mi, në klubin e aktrimit të Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë, i kemi pasur disa shfaqje. Jo vetëm këtu në Graçanicë kemi marrë pjesë, por edhe në Prizren, në Therandë, në Mushtisht kemi dhënë shfaqje atëherë. Ajo ka qenë jashtëzakonisht interesante, mendoj se shumica e publikut në Therandë kanë qenë shqiptarë dhe ne megjithatë e kemi mbajtur atë shfaqje, ajo ka qenë shfaqja “Biberče3 [Biberi]. Nuk e di sa jeni të njohur me këtë tregim, gjithashtu kam luajtur në folklor si shumica e moshatarëve të mi. Po mendoj kjo është ajo, gjithkush e ka përcjellur njëri-tjetrin, shoqëria ashtu, ashtu është fokusuar në gjëra të caktuara. Folklor kam luajtur pothuajse dhjetë vite. Me folklor e kemi përshkuar pothuajse gjithë Serbinë e atëhershme, kemi marrë pjesë në të ndryshme, në gara të ndryshme…

Anita Susuri: Si është quajtur ai ansambël?

Boban Petroviq: Shoqata kulturore-artistike “Simonida”.

Anita Susuri: “Simonida”.

Boban Petroviq: “Simonida”. Kjo me të vërtetë ka qenë interesante, ka pasur çkado që dikush dëshironte të merrej, sepse kam pasur shokë që janë marrë edhe me futboll. Më shumë e kanë dashur futbollin, sesa folklorin, por secili e ka gjetur veten në tregimin e vet. Për mua, ajo ka qenë interesante, kam pasur qejf të shoqërohem (qesh) sikur sot që kam qejf të shoqërohem. Kam pasur dëshirë të lëviz, të njoftoj vende të reja. Njejtë edhe sot përmes organizatës turistike dhe të gjitha aktiviteteve të mia që i kam.

Anita Susuri: A mund të na flisni pak më shumë rreth atyre ansambleve në të cilat keni qenë, çfarë organizime keni pasur aty dhe kush ka qenë koreografi juaj, çfarë valle kanë qenë?

Boban Petroviq: Po. Kryesisht i kemi vallëzuar vallet nga pjesa qëndrore e Kosovës, valle nga Pomoravla, Çaçaku4 është luajtur shpesh, vallen e hajdukëve. Ka pasur aty me të vërtetë shumë koreografi (qesh) më as nuk më kujtohen se si quhen, duke pasur parasysh se tashmë 20 vite kanë kaluar prej asaj. E deri në moshën 15 – 16 vjeçare kam luajtur folklor, po aq kam aktruar në seksione dhe i kemi kaluar, kemi marr pjesë… një prej garave më interesante për folklor ka qenë në Ratinë, afër Kralevës, kemi qenë në Loznicë, kemi qenë në Beograd, prapë po e përsëris në Prizren me folklorin poashtu.

Këtu në Graçanicë, në Prishtinë ka qenë pjesëmarrja dhe garimi për aktrim dhe folklor. Kanë qenë aty disa emisione të ndryshme televizive në tv “Prishtina” më herët, ku gjithashtu kemi marr pjesë. Mendoj që madje kemi pasur një garë në qendrën e atëhershme sportive “Boro dhe Ramizi” që ka qenë jashtëzakonisht interesante sepse publiku ka qenë multietnik, askujt nuk i’a ka ndjerë kush është çfarë kombësie apo çfarë feje sepse të gjithë kanë jetuar bashkë dhe ka qenë, ka qenë okej atëherë.

Dhe mendoj që nuk e kemi fituar ndonjë vend aq domethënës por për mua ka qenë një përvoj shumë e bukur, në përgjithësi të merrem me folklor dhe të mësoj për traditën e paraardhësve, për vallen tradicionale, për veshjen popullore. Gjithsesi, për qëndisjen kosovare që është jastëzakonisht interesant me ato lulet që, që janë shumë karakteristike, karakteristike madje që nga mesjeta ku edhe zonjat që kanë qenë kontesha, përkatësisht prej familjeve fisnike janë marr në përgjithësi me qëndisje, sepse ajo ka qenë një pjesë e traditës dhe…

Për mesjetën mund të flasim sa do që dëshironi sepse me këtë kemi filluar të merremi unë dhe miqtë e mi dhe vëllau, kemi filluar të merremi me ringjalljen e mjeshtrive dhe artizanateve mesjetare. Gjithashtu në bashkëpunim me agjensinë donatore zvicerane “Swiss contact” e kam filluar projektin tim të parë privat dhe po e ndërtojmë parkun e parë tematik, parku tematik mesjetar do të bëhet në Graçanicë.

Ajo është në fakt një kështjellë e vogël e drurit ku do të prezantohen edhe artizanatet e vjetra edhe mjeshtritë e vjetra edhe kuzhina tradicionale e mesjetës dhe me të vërtetë shumë gjëra tjera por ky është projekt që do të vijë pas gjashtë muaj. E ajo që është gjithsesi e rëndësishme, më së shumti do të punojmë në ringjalljen e trashëgimisë kulturore jo materiale. Duke pasur parasysh që ajo çka është materiale është tashmë aty dhe, dhe po mendoj për Komunën e Graçanicës janë ruajtur mjaft mirë dhe e jona është të vazhdojmë ta ruajmë atë edhe më tutje.

Anita Susuri: Ku keni dal më shumë dhe si ka qenë, sa keni qenë më i ri?

Boban Petroviq: Po deri, deri ‘99-tën unë kam qenë relativisht i ri në klasën e tetë, deri në klasën e tetë kryesisht nuk kemi dal. Me dalje kemi filluar diku 2001 – 2002, kur kam filluar në shkollë të mesme është i pari, i dyti vit, ka qenë kryesisht festimi i atyre ditëlindjeve, që i kemi pasur disa lokale më të vogla këtu të cilat i kemi marr me qera dhe pastaj me shokë i kemi festuar ditëlindjet. Kemi qenë atëherë në atë mahallën tonë rreth, rreth, rreth shkollës diku 40 fëmijë. Dhe pastaj të gjithë së bashku shkonim çdo kund, së bashku sigurisht dhe ka qenë shoqëri e madhe.

Kanë qenë disa kafiteri që kanë punuar. Sidomos është i njohur ai klubi në të cilin të gjithë shkonim dhe pothuajse dhjetë vite ka qenë atraktiv për të gjithë ne. Aty ka pasur muzikë të gjallë, shoqëri të madhe, të gjithë kanë pasur dëshirë të shoqërohen, të flasin. Ta pijnë ndonjë, tashmë kishim filluar të hyjmë në atë, në atë periudhë të jetës ku njeriu… përkatësisht, ne nuk kemi qenë më fëmijë atëherë (qesh). Do të fillojmë edhe të takohemi me, me birra, me verë dhe me pije të tjera alkoholike, dhe pastaj nuk është aq e popullarizuar që të jesh dikush që e përdor alkoholin dhe nuk i’a rekomandoj këtë fëmijëve…

Anita Susuri: (qesh).

Boban Petroviq: Por ja kjo është ajo që ka ndodhur dhe është fakt prej të cilit nuk mund të ikësh. Prej kafiterive aty kanë qenë me të vërtetë shumë, shumë prej tyre duke filluar prej “Mileniumit”, prej… tashmë kam harruar edhe si quhen (buzëqesh). Por kanë qenë aty në qendër të Graçanicës dhe aty kemi dal, aty kemi lëvizur. E deri 2007-tën, 2004-tën në fakt derisa nuk kam shkuar në fakultet e gjithë shoqëria ka qenë aty, dhe të gjithë pastaj janë shpërndarë rrugëve të veta, kanë shkuar për shkak të fakultetit, disa kanë qëndruar të punojnë. Por kur janë kthyer, pas fakultetit gjithçka është kthyer njejtë dhe, dhe këtu jemi prapë ende shoqërohemi, ende jemi të lidhur.

Anita Susuri: Gjatë viteve të ‘90-ta a është ndjerë edhe te ju njëlloj pakënaqësie… A jeni ndjerë edhe ju…

Boban Petroviq: Po unë si fëmijë nuk kam ndjerë pakënaqësi sepse nuk kam lëvizur. Rrethi im ka qenë rruga dhe shkolla, ku kryesisht nuk kam pasur takime me shqiptarë, nuk kam lëvizur diçka rreth Prishtinës që ta ndjeja parehatinë. Por sipas fjalëve të rpindërve tashmë ndjehej një tension i caktuar. Ndodhnin kidnapime të ndryshme nga të gjitha anët dhe pastaj njerëzit nuk kanë ditur si të sillen, as cilin transport guxojnë ta përdorin, si guxojnë të lëvizin, ku guxojnë të lëvizin. Babai im ka punuar më parë në termocentral në Drenicë e kanë dërguar ujësjellësin, në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, ka punuar në Ferizaj, babai kurrë probleme nuk ka pasur edhe pse ka qenë mbikëqyrës i punimeve, kurrë probleme nuk ka pasur. Por mendoj, me siguri ka pasur ndonjë problem të vogël jo aq të rëndësishëm, por ajo më shumë lidhur me punën.

Anita Susuri: Ju pastaj shkollën e mesme…

Boban Petroviq: Në Sushicë. Unë e kam filluar, shkollën e mesme… unë pikërisht ‘99-tën e kam përfunduar klasën e nëntë dhe është dashur ta regjistroj shkollën e mesme. Atëherë ka qenë më kritike, në qershor regjistroheshin shkollat, ka përfunduar bombardimi, ushtria serbe u tërhoq, shqiptarët filluan të vijnë, të kthehen nëpër banesat e tyre, shtëpitë dhe pastaj ka qenë pak kritike. Mjaft kidnapime në Prishtinë dhe unë bashkë me xhaxhain kemi shkuar të, të, të regjistrohem unë në shkollë të mesme, e na kanë shëtitur, pasi që koha atëherë në Prishtinë ka qenë mjaft turbulente.

Nuk e kemi ditur ku është shkolla elektrotehnike, dua të them shkolla elektrotehnike atëherë ka qenë në Gërmi, ne jemi nisur për Gërmi ata kanë thënë jo është zhvendosur, pranimi i dokumenteve është në shkollën “Aca Maroviq” në qendër të Prishtinës, në Ulpianë apo ku. Jemi nisur atje, pastaj na kanë thënë jo shkoni në shkollën e mjeksisë pastaj kemi shkuar atje. Atje kam gjetur diçka që ka qenë interesante për mua profesoreshën e cila në klasën e gjashtë më ka dhënë këtu në shkollë fillore anglisht.

Ajo diku në ndërkohë, diku në klasën e shtatë-tetë, kur kam qenë unë në klasë të shtatë-tetë ajo ka kaluar të punoj në shkollën elektrotehnike dhe atje e kam takuar atë dhe ka qenë një kujtim i bukur. Më duket që e kishte mbiemrin Martinoviq, ashtu e thërrisnim të gjithë. Pas kësaj pasi u kthyem nga Prishtina unë dhe xhaxhai kemi marr vesh që të njejtën ditë i kanë kidnapuar disa serbë në treg dhe që ka ndodhur gjithçka, por ja falë Zotit neve nuk na ka ndodhur asgjë edhe më tutje po jetoj dhe po funksionoj këtu dhe kështu.

Anita Susuri: Për këtë arsye pastaj jeni kthyer në Sushicë?

Boban Petroviq: Paj po, pastaj shkolla prej Prishtinës, në përgjithësi e dini cilat shkolla kanë ekzistuar në Prishtinë dhe shumica prej tyre, në fakt pothuajse të gjitha kanë kaluar këndej në, në territorin e Komunës së Graçanicës. Funksionojnë me sistemin serb dhe unë e kam përfunduar shkollën e mesme elektrotehnike në Sushicë, pastaj e kam regjistruar fakultetin në Nish. Më ka interesuar, kam qenë i interesuar për elektrotehnikë, më shumë më ka interesuar edhe informatika.

Por ka qenë më vështirë të regjistrohesh në informatikë pastaj kam hyrë në telekomunikim që ka qenë njëfarë ndërlidhje, në fakt ajo degë të cilën e kam përfunduar unë komunikimi dhe teknologjia e informacionit është një lloj i ndërlidhjes së informatikës dhe telekomunikimit. Fakulteti ka zgjatur pesë vite, dhjetë semestra, rreth 50 provime dhe, dhe unë kam filluar 2004-tën, e kam përfunduar 2011-tën. Menjëherë pas kësja kam filluar të punoj në Manastir. Prej aty më erdh edhe dashuria për turizëm dhe trashëgimi kulturore. Kam filluar të punoj në Manastir në vitin 2010, domethënë më kanë mbetur diku dhjetë provime para përfundimit të fakultetit. Si ciceron turistik atëherë KFOR-i i cili ka mbikëqyrë para Manastirit ka shkuar dhe atyre ju është nevojitur, ka qenë më shumë kurator dhe dikush që do të punonte më shumë si ciceron turistik se sa sigurim i Manastirit.

Por për mua ka pasur shumë domethënje jam njoftuar shumë me, me historinë e Manastirit me afresket, diçka që deri atëherë nuk kam ditur e kam mësuar. Aty kam filluar edhe të flas anglisht, sepse para asaj gjithçka që kam ditur prej gjuhës angleze ka qenë më shumë me karakter profesional, më shumë lidhur me elektrotehnikën dhe kurrë gjuhën s’e kam shfrytëzua edhe pse e kam ditur. Aty më shumë jam shliruar dhe kam filluar të flas anglisht, nuk është në nivel të dëshiruar por për komunikim është i mjaftueshëm.


1 Festa e dytë që nuk festohet dhe nuk i jepet aq rëndësi sa të parës. Preslava është festa e një familjes tjetër që është shumë e afërt dhe për respekt festohet nga ana e familjeve tjera.

2 Pogaçe në formë të kryqit.

3 Biberče” është një vepër dramatike për fëmijë, me autor Lubisha Gjokiq.

4 Valle popullore serbe nga Çaçaku

Pjesa e Dytë

Anita Susuri: Diçka më interesante që keni mësuar për manastirin, ndonjë karakteristikë?

Boban Petroviq: Po Manastiri e ka me të vërtetë hisorinë e gjatë gati 7… vitin e ardhshëm do të bëhen 700 vite të Manastirit Graçanica. Është ndërtuar në vitin 1321, mbreti Millutin… pastaj kam lexuar shumë për mbretin Millutin, shumë kam lexuar për Manastirin, për afreskat. Manastiri i Graçanicës, në fakt vet kisha e Graçanicës është mjaft karakteristike edhe sipas arkitekturës së vet edhe sipas afreskave. Afresket janë serbo-bizantine sikurse edhe arkitektura.

Kam marrë vesh shumë për mjeshtrit që i kanë punuar pikturat, a janë punuar tre vite, që ka hapësirë të madhe me afreska, janë diku rreth katër mijë afreska. Gjithashtu aty mjaft mësohet edhe prej njerëzve që, në fakt prej murgeshave që kanë jetuar aty dhe që ende jetojnë. Mjaft kam mësuar prej profesorëve të cilët vijnë dhe bëjnë restaurimin dhe, dhe pastrimin e afreskave. Në narteksin që është ndërtuar pak më vonë ka mjaft shkrime në afreska, në mure që janë prej vandalëve, prej priftërinjëve që kanë jetuar aty, sepse në mesjetë mjaft libra [janë djegur], sidomos në Manastirin e Graçanicës i cili është djegur tre herë.

Më herët, para asaj, para se të filloja të punoja në Graçanicë nuk e kam ditur. Dy herë manastirin e kanë djegur osmanët, një herë është djegur nga ana e bullgarëve, që është jashtëzakonisht e çuditshme, gjatë luftërave Ballkanike, edhe pse, edhe pse janë ortodoks, gjë që është një paradoks edhe më i madh. Reliktet e mbretit Millutin, domethënë, trupi i tij ndodhet në Sofje, në Bullgari në kishën e Shën Djelës dhe ata tani nuk lejojnë që reliktet t’u kthehen serbëve edhe më tutje janë atje. Përndryshe, nuk e di sa jeni të njohur me reliktet e mbretit Millutin së pari kanë qenë në Manastirin Banjska i cili është në Zveçan, Manastiri i fortifikuar i Banjskës.

Gjithashtu, një fakt që më herët, para 2010 nuk e kam ditur është se Manastiri i Graçanicës është manastiri i fundit që mbreti Millutin e ka ndërtuar. Me të vërtetë edhe shumë fakte, i gjithë manastiri është interesant, sepse në manastir gjendet oda e fshehtë e mbretëreshës Simonida, në fakt një kishë e vogël brenda, brenda kishës së madhe, e cila ka shërbyer vetëm për mbretëreshën Simonida, e cila ndamas i është lutur Zotit. Dhe ka mundur në sajë të një dritarës së vogël {me duar formon katrorin} e cila ekziston atje, nga hapësira t’i shikoj direkt shërbimet që janë ligjëruar aty.

Gjithashtu kam mësuar edhe shumë gjëra, jo vetëm për manastirin por edhe që mbretërsha Simonida e ka ndërtuar një manastir diku në kodër afër Kishnicës, manastiri Vojisilovica, i cili u rënua diku rreth XVII, ndërmjet shekullit XVII dhe XVIII. Dhe që murgjit me ardhjen e turqëve këtu, me ardhjen e Perandorisë Osmane të gjithë u shpërngulën prej Manastirit të Graçanicës në atë Manastirin Vojisilovica, prej të cilit tani kanë mbetur vetëm gurë. Dhe ajo që është edhe më impozante është se me themelimin e Manastirit në vitin 1321 kanë qenë diku rreth 150 murgj në manastir dhe e gjithë ajo histori turbulente deri te ardhja e Perandorisë Osmane, ata nuk e kanë rrënuar manastirin, por nga manastiri… në fakt nuk është rrënuar i tëri por u rrënua kambanorja, e cila ka qenë pjesë e manastirit.

Gjithashtu është hequr plumbi nga, nga kupolat prej të cilit janë bërë plumbat e famshëm për, për pushkë dhe topa. Gjithashtu nuk mund të them që vetëm është rrënuar gjatë Perandorisë Osmane, në shekullin e XVI-të, në kohën e Makarije Sokolloviqit1, patriarku Makarije Sokolloviq i cili ka qenë vëllau i pashait të madh Sokolloviqit2, Sokolit sepse kisha ortodokse serbe në gjithë territorin e Kosovës jo vetëm këtu në Graçanicë, jo vetëm Manastiri i Graçanicës e ka përjetuar një restaurim të vogël, ku edhe Patriarkana e Pejës e ka përjetuar një restaurim gjatë, gjatë patriarkut Makarije Sokolloviqit. Dhe ka qenë kohë turbulente që është vështirë të përshkruhet. Sikur sot, në përgjithësi i gjithë Ballkani është i tillë me ato situatat turbulente dhe ndryshime të shpejta dhe kjo edhe më herët ka ndodhur.

Kështu që, ja kjo është interesante, ajo që kam marrë vesh. Ndoshta juve do t’ju duket interesante nuk e di sa e dini ka qenë një fis i Çerkezëve, kanë qenë të vendosur pranë {tregon me dorë majtas} Graçnicës nga ana e osmanëve dhe kanë bërë shumë gjëra të këqija nëpër Graçanicë dhe ka mjaft nëpër libra dhe mund të lexohet po ja edhe sot e kësaj dite ajo fusha ku kanë jetuar ata Çerkezët quhet fusha e Çerkezëve. Dhe ajo gjendet diku ndërmjet {tregon me dorë majtas} Graçanicës dhe Hajvalisë në atë lëvizje Graçanica – Hajvalia – Çagllavica – Llapllasella, bukvalisht në atë {bën formën e rethit me dorë} udhëkryq të them. Diku në mes gjendet ajo fusha që edhe sot e thërrasin Fusha e Çerkezëve ku banonin ata.

Anita Susuri: E desha t’ju pyes kur keni qenë më i ri apo më i vogël ndoshta e keni takuar apo e keni parë Patriarkun Pavlle, apo cili ka qenë atëherë?

Boban Petroviq: Po, e kam parë në manastir…

Anita Susuri: Aha…

Boban Petroviq: E kam pasur atë fat që si fëmijë kemi qenë aty në Manastir dhe e kemi njoftuar Patriarkun Pavlle, gjithashtu ajo që ka qenë e bukur gjatë atyre shërbesave të Vidovdanit, dhe të shërbesave të ditës së Zonjës së Madhe, kemi pasur rast t’i shohim njerëzit më të njohur nga kisha, ipeshkvin, patriarkun…

[Video inçizimi është ndërprerë]

Anita Susuri: Po më flisnit për Patriarkun Pavlle.

Boban Petroviq: Kam qenë mjaft i vogël e nuk kam pasur çka të bisedoj diçka më shumë me të… këtë edhe mund ta hiqni. Ajo që është e rëndësishme është se në manastir kemi mundur t’i njohim shumë, shumë përsonalitete të njohura.

Anita Susuri: Po.

Boban Petroviq: Përveç tjerash kam pasur rastin që në manastir ta njoftoj një shkrimtare shumë të njohur të atëhershme Desanka Maksimoviqin3. Ajo që ka qenë interesante, këtë ma kanë treguar prindërit sepse mua nuk më kujtohet kam qenë shumë i vogël, vetëm e di se i’a kemi puthur dorën, i kemi dhënë lule. Ajo ka luajtur aty me neve edhe krahas asaj që ka qenë tollovi e madhe ka pasur, ka pasur kohë që me secilin prej neve aq të vogël (qesh) të bisedoj, t’i ndërroj, t’i ndërroj disa fjalë.

Anita Susuri: Pas luftës ju keni qenë ashtu i ri, tashmë si të them…

Boban Petroviq: Paj në klasën e tetë, 14 vjet, po.

Anita Susuri: Dhe keni filluar të dilni për atë më keni treguar.

Boban Petroviq: Me 15, 16 vjet ashtu, po.

Anita Susuri: Dhe do të kisha dëshirë të dija se si jeni njoftuar me gruan tuaj, bashkëshorten?

Boban Petroviq: (buzëqesh) E me bashkëshorten më vonë jam, mjaft më vonë jam njoftuar. Unë jam kthyer këtu prej studimeve, bashkëshortja ime është nga Kurshumlia ajo ka studiuar art në Mitrovicë. Jemi njoftuar përmes kushërinjve të mi, motrave të them dhe ja kështu ka lindur dashuria. Pas kësaj ka qenë diku në vitin 2013 dhe tashmë jemi të martuar e pesë vite, po e presim beben tani në prill dhe do të na jep Zoti edhe më shumë fëmijë. Edhe më tutje, prej fillimit të martesës sonë bashkë jemi dakorduar që ta ndërtojmë një shtëpi, e kemi ndërtuar shtëpinë këtu në Graçanicë aty jetojmë bashkë.

Pas pesë vite martesë kam arritur që bashkëshorten e cila ka punuar, përndryshe gruaja ime ka punuar si arsimtare në, në Kurshumli, arsimtare e artit figurativ, kam arritur ta zhvendos këtu dhe më në fund e kemi bashkuar familjen pas pesë viteve të martesës së ndarë. Ajo është martesë që… vetëm ata që kanë lidhje në largësi mund ta kuptojnë dhe ta marrin vesh çfarë mundi është që dikush të udhëtoj gjithmonë dhe të takohet me personin që e do vetëm gjatë fundjavës gjë që është shumë e vështirë dhe vetëm dashuria e fuqishme mund ta tejkaloj këtë.

Anita Susuri: Si ka qenë dasma juaj, a ju kujtohet (qesh)?

Boban Petroviq: Më kujtohet, nuk kam qenë aq i dehur nëse po aludoni në këtë (qesh), po bëj shaka. Paj dasma, të gjitha këto dasmat e reja po shikojmë që ta tejkalojmë pak traditën, nuk duam ne jemi modern, nuk e dojmë traditën dhe në fund normalisht të gjitha traditat na kthehen dhe i bëjmë në dasmë. Kështu që, nuk kemi shkuar ta marrim nusen sepse deri në Kurshumli është pothuajse njëqind kilometra, bashkëshortja ime e tanishme ishte tashmë këtu.

Pastaj jemi nisur me krushqit, është traditë të shkojmë deri në manastir ta përfundojmë martesën në manastir, gjithashtu është traditë të shkohet deri në komunë dhe atje përfundon martesa e komunës. Ajo që është interesante është se ne i kemi dy komuna, e kemi sipas sistemit serb dhe kosovar, e janë aty gati, gati tri martesa, pastaj marrim vendim, zakonisht vendosim të martohemi në sistemin serb, pastaj ato dokumentet nënshkruhen edhe në sistemin kosovar.

Kjo është më shumë pjesa byrokratike, por ajo që është interesante janë traditat pas kishës. Në fakt, pas martesës në kishë shkuarja në shtëpi, disa zakone hidhet sita, ngrihet fëmiu, i ashtuquajtur nakonče4. Gatimi i drekës bashkë me vjehrrën, valle, loja e valles në oborr, dhe një larmi e zakoneve të tjera të vogla që mund të ndryshojnë edhe nga fshati në fshat. Ku ka lyerje me baltë, që është ashtu (qesh) nuk e di pse por ja, mbulim {sikur i mbulon supet me diçka}, kryesisht me baltë lyhen babai dhe nëna e dhëndërrit pastaj ata vallzojnë {sikur i mbulon supet me diçka} të mbuluar me batanije dhe me speca, speca të rreshtuar, qepë e të tjera, e të tjera.

Ka aty me të vërtetë shumë zakone, për shembull një prej zakoneve është kur nusja vjen për herë të parë në shtëpi pas martesës dhe nuk shkel direkt në tokë, por aty vendos ndonjë dru gozhdohet në tokë ku ajo shkelë për herë të parë, pastaj zbret në tokë dhe më vonë ai druri gozhdohet dhe mbet aty në tokë. Dhe me të vërtetë… një prej bestytnive është për shembull kur te nusja [në shtëpi] merret ajo, nëse nusja kthehet {kthehet me trup anash} dhe i shikon familjarët e saj atëherë fëmijët do të duken si ata e jo si familja e dhëndërrit.

Dhe pastaj… ka me të vërtetë, me të vërtetë janë disa zakone të bukura tradicionale, zakone, po mendoj, është një zakon që i thonë blerja e nuses, por ajo nuk është blerje por një negocijim rreth nuses dhe pastaj kunati flet me vëllezërit e, e nuses dhe aty më shumë bëhet hajgare dhe shaka e bukur se sa kjo. Por është zakon i bukur dhe duhet disa zakone të tilla të ruhen gjatë gjithë festave, të gjitha zakonet. Gjithsesi prej perspektivës së turizmit me të cilin merrem sot, është jashtëzakonisht interesante për turistët. Ekzistojnë agjencionet në, në botë të cilat… dhe shumë shpesh në Beograd që e shesin traditën, ju shesin zakone turistëve.

Për shembull, ndodh që në Beograd për turisistët veçanërisht organizohet festa. Dhe kur turistët vijnë për ata… edhe pse nuk është asnjë festë për ta organizohet si duket festa, si shërbehet ushqimi, si pihet dollia, si ngrehet dolli për mysafirë. Kur ndizet qiriu, kur bekohet sofra dhe të gjitha të tjerat. Dhe aty bëhet jashtëzakonisht, ndjenjë jashtëzakonisht e mirë dhe përjetim për të gjithë ata që janë aty, për të gjithë turistët.

Mirëpo, ajo prapë nuk është në pajtim me fenë por ja ekzistojnë disa gjëra. Keq që po them, po nuk shitet vetëm festa si traditë, shiten edhe zakonet e tjera. Ka shumë zakone të ndryshme rreth mbjelljes, korrjes që kanë mbetur akoma nga fetë e vjetra politeiste sllave.

Anita Susuri: Gjithashtu edhe kumbaria është diçka karakteristike për serbët, a keni edhe ju kumbar?

Boban Petroviq: Kumbaria është karakteristike… ne e kemi kumbarën e vjetër. Ajo që është interesante, ne kumbarinë e kemi trashëguar që prej stërgjyshit, unë mendoj dhe kjo është kumbari e vjetër dhe e gjatë. E di që edhe ne jemi kumbarët e një familjes këtu në Graçanicë. Gjithashtu ajo që është interesante, ja një prej zakoneve të lidhura me kumbari, ka ndodhur më herët që, që fëmijët kanë vdekur dhe pastaj njerëzit për këtë arsye i kanë ndërruar kumbarët.

E kumbarët e rinj i kanë fituar ashtu që, fëmijën e tyre të porsalindur {sikur mban diçka në dorë} e vendosnin te dera, dera e hyrjes në oborr dhe njeriu i parë që kalon e merr atë fëmijë me siguri {bën sikur mban një shportë} me atë shportën, shportën e thurur ku është fëmija dhe ai bëhet kumbara i ri. Dhe atëherë kështu janë ndërruar në përgjithësi kumbaritë, ky është tregim që e di prej paraardhësve të mi dhe kjo është ajo që është pak më ndryshe. Por tani në kohëra moderne, shumë shpesh i zgjedhin kumbarë miqtë e tyre më të mirë si kumbarë, ja kjo është diçka e re.

Anita Susuri: Nëse mund të më tregoni për ndonjë tjetër, ndonjë festë tjetër që e keni, për shembull jo vetëm festën por ndonjë festim, si t’ju them nuk po e di?

Boban Petroviq: Po në dallim prej të tjerëve, ndryshimi kalendarik që e kemi prej atyre 14 ditëve na shtohet edhe ajo festa e Krishtlindjeve. Krishtlindjet i festojmë më 7 janar, por e kemi edhe Vitin tonë të Ri, e ajo është… dikush e quan serbe, dikush Viti i Ri ortodoks, ai pritet më 13 në 14 janar. Çdo vit këtu në Graçanicë organizohet koncerti me muzikë popullore dhe pastaj mjaft të rinj mblidhen në Graçanicë, në qendër të Graçanicës para komunës dhe aty pritet Viti i Ri me fishekzjarre, verë të zier, mish të pjekur. Zakonisht aty është kau në hell dhe ende mjaft shumë, shumë, mjaft shumë (buzëqesh)…

Anita Susuri: Shumë.

Boban Petroviq: Këtë në montazh {sikur pren diçka me dorë} siç thotë ai rregulloje. Edhe shumë, shumë aktivitete organizohen rreth festimit të Vitit të Ri serb.

Anita Susuri: Dhe më keni folur rreth Festivalit ndërkombëtar të mjeshtërive mesjetare

Boban Petroviq: Po për artizanatet mesjetare…

Anita Susuri: Si ka ardhur deri te ajo?

Boban Petroviq: Po deri te ajo ka ardhur, ne kemi… ka qenë thirrja prej USAID-it për, për vitin 2015 për brendimin e vendeve turistike. Dhe ne në atë periudhë mjaft, mjaft kemi hulumtuar duke pasur parasysh që Graçanica e ka një manastir mesjetar, kemi dashur diçka mesjetare të brendojmë. Dhe në atë periudhë diku ka filluar të zhvillohet ai sporti mesjetar dhe promovimi i mjeshtërive dhe artizanateve mesjetare. Kur thashë sport, po mendoj për betejat e kalorësve, gjuajtje me hark, në të gjitha serialet që janë shfaqur, siç është “Game of Thrones5, siç është, të tjerat që janë të lidhura për, për mesjetën sepse gjithsesi kanë qenë shumë të popullarizuara. Dhe ajo që neve na është kujtuar është që ta bëjmë një festival kalorësish, festival mesjetar i cili do t’i tregojë mjeshtëritë mesjetare por edhe artizanatet.

Dhe pastaj në bazë të kësaj… tashmë e kam këtu fletushkën [ia tregon fletushkën intervistuesës] për, për vitin e ardhshëm. Ky është viti i pestë që e organizojmë festivalin. Risia është ajo se unë e kam startuar një projekt timin privat e do ta ndërtojmë kështjellën ku do të mbahet festivali, e ambienti do të jetë i plotësuar. Dhe ajo që është e rëndësishme se çdo vit i kemi pjesëmarrësit e ndryshëm, i kemi pjesëmarrësit nga Hungaria, nga Serbia, nga… këtë vit presim disa pjesëmarrës nga Mali i Zi, presim pjesëmarrës nga Franca. Kemi pasur {numëron në gishta} pjesëmarrës nga Kroacia, kemi pasur pjesëmarrës nga Amerika (buzëqesh), i cili, i cili siç duket studion në Beograd e atje e ka parë që ekziston kjo pastaj ka filluar të merret me këtë.

I gjithë tregimi lidhet dhe njerëzit e njohin potencialin e asaj dhe pastaj mjaft pjesëmarrës përmes pjesëmarrjes tonë në festivale të tjera lajmërohen dhe dëshirojnë të vijnë tek ne. Momentalisht vetëm në Serbi ekzistojnë më shumë se dhjetë festivale, në Kroaci janë katër – pesë festivale mesjetare. Në Slloveni ekzistojnë disa festivale, në të gjitha këto vendet. Përveç në Maqedoni dhe në Shqipëri, atje madje kemi kërkuar disa pjesëmarrës sepse është distanca më e vogël, harxhimi është më i vogël dhe do të donim që prapë… ata popuj jetojnë këtu dhe do të donim që secili popull të prezantoj diçka të veten dhe të jetë interesante për të gjithë që vijnë ta shohin festivalin.

Anita Susuri: A organizohen vetmë kinse betejat apo i gjithë fshati…

Boban Petroviq: Jo, aty është fshati mesjetar. Domethënë, organizohet bëhet kampi mesjetar ku zakonisht shumica e pjesëmarrësve flen në ato tenda. Bukvalisht ringjallet mesjeta për tri ditë. Ku ju mund ta shihni farkëtarin, i cili farkon {sikur godet me çekan} shpatën, njeriu i cili është aty afër farkëtarisë. Burri apo gruaja që punon me qepjen e atyre çantave të lëkurës me vizatime mesjetare. Pastaj e kemi heraldikën6, kaligrafinë, ku fëmijët vijnë dhe ne e printojmë, i printojmë diku njëqind e njëzet fleta me mburoja dhe pastaj fëmijët i vizatojnë mburojat e tyre me fllomastera, ajo gjithsesi bëhet interesante për fëmijët.

E kemi edhe shkollën e vogël të shpatarisë, ku fëmijët me shpata prej sfungjeri luajnë dhe ka aty një pjesë e programit është disi i fokusuar në, në atë që fëmijët të kalojnë bukur. Pastaj në vitin 2016 apo 2017 kemi pasur ambasadorë që vinin me fëmijët e tyre. Disa njerëz më të njohur kalimthi vijnë me fëmijët e tyre dhe provojnë disa prej atyre zanateve dhe mjeshtërive, sepse gjithçka është e fokusuar në fakt është e orientuar ka ajo që punëtoritë të jenë interaktive, të mos jetë vetëm shfaqje por gjithkush kush vjen mund edhe ta provoj atë ta shoh, ta, ta blej, që ta ketë diçka që do t’i mbetet si suvenir pas festivalit.

Anita Susuri: E ku e keni siguruar veshjen, ku punohet ajo?

Boban Petroviq: Ne gjatë festivalit të parë, kur e themeluam festivalin kemi fituar mjete prej USAID-it për, për t’i blerë unifromat. I kemi diku 20, ne tani ndër vite të ekzistimit i kemi bërë rreth 40 uniforma, e kemi armaturën e Millosh Obiliqit7 të cilën e kemi punuar me dragoin në helmetë, nuk e di a kam këtu ndonjë fotografi por ja [ia tregon fotografinë intervistueses] këtu është. Pastaj kemi, kemi blerë një farkëtari për të farkuar monedha të mbretit Millutin. Kemi blerë mjaft helmeta, shpata. Kemi filluar të punojmë vet.

Si pjesë e një projekti, mësuam gjithashtu se si t’i thurim këmishat me zinxhirë, janë ato këmisha prej zingjirit {me gishta sikur bashkon zingjirin} me unaza të metalit që thuren. Por ne kemi bërë replika të tyre, përndryshe replika e vërtetë e asaj do të ishte që ajo të blehet dhe të ketë pyka me të cilat lidhen, lidhen ato unaza. Kjo është punë jashtëzakonisht e komplikuar dhe jashtëzakonisht punë e shtrenjtë. Por ja për nevojat tona, nevojat e shoqatës është e mjaftueshme që ekzistojnë… prej telit përpunohen ato unaza dhe pastaj kur kemi ndonjë mbledhje ose shoqërohemi ashtu në mënyrë jo zyrtare në atë shoqatën mesjetare që e kemi formuar, pastaj fillojmë nganjëherë dhe i punojmë ato gjëra.

Kryesisht më shumë kemi punuar në ato punëtori, tani disi secili është i fokusuar në diçka tjetër. E kemi seksionin e shigjetarisë në atë shoqatë, e cila merret me shigjetari dhe në njërin prej festivaleve më të mëdha në Serbi dy vite me radhë e kemi fituar vendin e parë në shigjetari edhe pse nuk trajnohemi diçka jashtëzakonisht shumë… por prapë konkurenca është e madhe sepse në festivalin Manasija, në manastirin Manasija te Despotovci marrin pjesë mbi 40 vende aty bëhen rreth, rreth mijëra, një mijë e pesqind pjesëmarrës dhe pastaj konkurenca për shigjetari dhe për çfarëdo turniri është e madhe. Megjithatë është e mirë për promovimin e Graçanicës dhe për shoqatën e mjeshtërive dhe artizanateve mesjetare, mjaft është e rëndësishme që dikush prej, prej organizatës tonë, prej Graçanicës ta fitoj ndonjë vend.

Anita Susuri: Boban nëse keni edhe diçka të shtoni për fund?

Boban Petroviq: (mohon me kokë) Unë mendoj që do t’ju fus në gjumë (qesh). Nuk kam çfarë të shtoj, po mendoj kam folur edhe për… nga anë të ndryshme.

Anita Susuri: Mirë atëherë, ju faleminderit shumë!

Boban Petroviq: Faleminderit edhe juve!


1 Kryepeshkopi i Pejës dhe Patriarku Serb nga 1557 deri në 1571.

2Sokollu Mehmed Pasha ishte burrështetas në Peandorinë Osmane. I lindur në Hercegovinë, në një familje ortodokse serbe, Mehmedi u rrëmbye në moshë të re si pjesë e sistemit osman të rrëmbimit të djemve të krishterë për t’u rritur dhe për të shërbyer si ushtarë.

3 Desanka Maksimoviq (16 maj 1898 – 11 shkurt 1993) ishte një poete, shkrimtare dhe përkthyese serbe. Maksimoviq ishte e para poete femër që fitoi një pranim të gjerë brenda qarqeve letrare jugosllave dhe në mesin e publikut të gjerë.

4 Fëmijë mashkull të cilin nusja e ngrit tri herë dhe e puth para se të hyj në shtëpinë e dhëndërrit.

5 Game of Thrones (shqip: Froni i Shpatave) është një serial televiziv amerikan i zhanrit dramë dhe fantazi, i krijuar për HBO nga David Benioff dhe D. B. Weiss. Është një përshtatje e serisë të romaneve të zhanrit fantazi, “A Song of Ice and Fire”, të shkrimtarit George R. R. Martin.

6 Heraldika është shkencë ndihmëse e historisë, e cila studion krijimin dhe zhvillimin e stemave dhe principet e punimit dhe dekorimit artistik të tyre.

7 Millosh Kopiliqi (1350 – 1389) është personalitet historik nga fshati Kopiliq i Epërm i Drenicës dhe hero i Betejës së Kosovës. Është Nipi i Vukanit dhe stërnipi i Stefan Nemanjës.

Download PDF