ÇFARË ZBULUAN MISIONARËT JEZUITË RRETH GJAKMARRJES DHE PAJTIMIT: PJESA E KATËRT

Në fotografi: Marrja e nusës nga ana e fshatarëve katolik. Fotografija nga Alexandre de Grande 1980. Burim: http://www.albanianphotography.net/

Ndër studimet klasike të ligjit zakonor [kanunit] në shoqërinë e gegëve të Shqipërisë veriore, hulumtimi i kryer nga klerikët katolikë është në veçanti i pasur për kombinimin e analizave ligjore ashtu edhe politike, si dhe detajet etnografike. Megjithatë, ndërkohë që puna e Françeskanit Shtjefën Gjeçov [“Kanuni i Lekë Dukagjinit”, për herë të parë i botuar pjesë-pjesë në revistën “Hylli i Dritës” në vitin 1913, pastaj pas vdekjes së tij i botuar si libër në vitin 1933], është i njohur gjerësisht falë përkthimeve në gjuhë të ndryshme, materiale të çmuara të publikuara origjinalisht në gjuhën italiane apo shqipe nuk e ka pasur fatin e të njëjtës përhapje.

Ne kemi gjetur një thesar të tregimeve që trajtojnë gjakmarrjen dhe kanunin në raportet që misionarët Jezuitë në Shqipërinë veriore dhe Kosovë morrën me vete tek autoritetet e tyre krahinore në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Këta etër italianë nuk e kishin zjarrin e njëjtë nacioanlist sikur Gjeçovi, i cili e kodifikoi ligjin e pashkruar tradicional duke u fokusuar në veçantinë e tij, por nuk mbeti krejtësisht vëzhgues i shkëputur.  Të vendosur brenda fushës, ata nuk mund t’i injoronin torësisht nocionet lokale të moralitetit, apo thjesht t’i gjykonin kontraditat e tyre me parime religjioze, siç kanë bërë autoritetet më të larta të kishës. Qasja e tyre ishte në fakt edhe analitike edhe praktike. Ata studiuan dhe kuptuan zakonet tradicionale të fiseve malësore shqiptare, dhe edhe kur ishin të shokuar nga ajo që ata konsideronin të padrejtë dhe të patolerueshme, ata arritën të bëjnë një ndarje pragmatike në mes të asaj që duhej të braktisej dhe asaj që duhej ruajur në mënyrë që burrat e kanunit të bëhen katolikë të virtytshëm.

Sa i përket etërve, ekzistonin dy abuzime skandaloze të ligjit zakonor: praktika e bashkëjetesës jashtëmartesore dhe gjakmarrja. Ata u morrën me këto duke përdorur të gjitha mjetet që kishin në dispozicion, duke përfshirë forma të dënimeve apo ndërmjetësimin që ishte i huaj për idenë e tyre mbi drejtësinë: për shembull, djegien e shtëpisë së personit që jetonte me një grua e cila nuk ishte bashkëshortja e tij, apo drejtimi nga garantuesit të cilët mund të dënojnë cenuesit e besës me vrasje, duke nxitur hakmarrje të mëtutjeshme.

Për fatin tonë të mirë, Jesuitët udhëtuan përmes dioqezës së kryepeshkopit të Shkupit dhe Shkodrës, duke ndjekur një model të vjetër organizativ i praktikuar në regjione të largëta si Lindja e Largët dhe Aerika, duke lëvizur nga famullia në famulli në grupe prej dy vetësh, i ashtuquajturi missione volante [bukvalisht, misioni fluturues, në kuptimin e misionit vizitues]. Në të njëjtën traditë misionarë që prodhoi volume të observimeve dhe analizave të botës jo-Evropiane përgjatë shekullit të tetëmbëdhjetë, ata dërguan lettere edificanti [raporte], në  Krahinën Veneta të Compagnia di Gesù, për t’i informuar eprorët e ture dhe publikun rreth misionit të vet në Shqipëri. Autorët e lettere janë At Domenico Pasi, nga Verona, At Francesco Genovizzi, nga Bergamo dhe At Angelo Sereggi, një shqiptar nga Shkodra.

Dy librat që  na inspiruan të përkthejmë tregimet që Jezuitët morrën me vete në shtëpi: Giuseppe Valentini (ed.), La Legge delle Montagne Albanesi nelle relazioni della missione volante . 1880-1932, Firencë: Leo. S. Olschki Editore, 1969; dhe At Fulvio Cordignano, L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il P. Domenico Pasi S.I. (1847-1914), Vol. II, Romë: Istituto per l’Europa Orientale, 1934 [Fulvio Kordinjano, Shqiperia. Permes vepres she shkrimeve  te misionarit italian At Domeniko Pazi (1847-1914). Tirana: Plejad]. Valentini [1900-1979], i trajnuar si Jezuit, dhe një ish misionar u bë profesor i studimeve Albanologjike në Universitetin e Palermos përgjatë Luftës së Dytë Botërore, ai është poashtu autor i studimeve të mëtutjeshme mbi ligjin shqiptar zakonor. At Cordignano (1887-1952), i cili punoi në Shqipëri nga viti 1926 deri në vitin 1941 si anëtar i missione volante, u bë studiues i njohur i studimeve Albanologjike.


Një motiv më i lartë për Pajtim në Novosellë

Më 10 shkurt të vitit 1893, etërit jezuitë Domenico Pasi dhe Angelo Sereggi, ky i fundit nga Shkodra, udhëtuan për në veri të Gjakovës, në Novosellën e Epërme, e cila përbëhej nga 32 familje katolike Fandese [nga malet e Fandit]. Ky fshat u bë baza e vizitave ditore nëpër fshatrrat përreth, banorët katolikë të të cilave ishin ose Fandesë ose nga Merturi [Berisha].

Në Novosellë nuk kishte kishë, por Nëkollë Gjetja ia kishte huazuar shtëpinë e tij Misionit dhe At Pasi e zhvendosi altarin tek dera hyrëse, në mënyrë që gratë të mund të ishin brenda shtëpise dhe burrat e të rinjtë jashtë saj. Në ditën e gjashtë të Misionit, Ati pyeti nëse kishte ndonjë që do të falte ndonjë ofendim apo plagë në emër të Jezu Krishtit. Më poshtë, tregimi i At Pasit.

“Nëkollë Gjetja ishte afër meje dhe tha, ‘At, thirrni Gjinin dhe bëjeni që të falë’. Gjini ishte Fandesi nga Palabardhi që kishte qenë shumë i mirëpritur në fshatin e tij […]. Disa ditë më parë, Gjini kishte ardhur tek unë, dhe ndërkohë që rrëfehej, më tha, ‘At, nuk do ta humbisja rrëfimin për asgjë në botë këto ditë, por nuk mund ta bëj para se të të tregoj se në çfarë gjendje jam, sepse e di se nuk mund të vjedh një absolucion. Para disa vjetëve, ndërkohë që në fshatrat përreth po gjuanin në ajër për nder të ardhjes së një nusje, një plumb më ra në oborr dhe plagosi një djalë të vogël nga familja ime i cili kishte një sy të verbër. Nuk ishte e qëllimshme, me të vërtetë ishte aksident, edhepse unë, bazuar në fjalët e botës ky konsiderohet si gjysmë-gjak, që do të thotë, plagë, duke e ditur se kryesi nuk ishte fajtor, do ta falja nëse do të më kërkonte’. Por në të kundërt, gjërat ndodhën në një mënyrë tjetër ashtuqë personi që kishte gjuajtur në ajër ishte krushk, ose një njeri i karvanit të nuses, dhe ai nuk dëshironte që plaga t’i takonte aij, por të zotit të shtëpisë ku nusja po shkonte, sepse ai kishte gjuajtur për të. Por i zoti i shtëpisë dëshironte që plaga t’i atribuohej atij që e kishte shkaktuar atë.

Gjini ynë iu tregoi të dy burrave të përfshirë, ‘Fakti i plagës është i sigurtë, se unë kam të drejtë ta përcaktoj si gjysmë-gjak është e sigurtë, se njëri nga ju më ka borxh këtë gjak është e sigurt, tani më tregoni me kë duhet të kem punë, me atë që gjuajti dhe plagosi apo me atë që u martua, me të dy nga ju, por mos më lini në pritje, mos e bëni gazin e botës; le të arrijmë një marrëveshje dhe mos ta bëjmë një plagosje të rastësishme fillimin e një zinxhiri gjaqesh’. Përkundër kësaj, shumë vjet kanë kaluar pa një vendim rreth asaj se kush duhet të paguajë për atë gjë; dhe kjo ishte pandershmëri për të gjorin Gjini i cili u paraqit para botës si burracak, dhe njerëzitt filluan të bënin shaka me të dhe të bëjnë thashetheme rreth tij, kësthuqë ai e gjeti veten duke qenë i sforcuar për një hakmarrje të cilën nuk e donte, dhe e cila me siguri do të kishte pasoja të këqija për të, sepse asnjëri nga të dy burrat të cilëve u takonte gjakun nuk dëshironin ta njihnin borxhin e tij, kështuqë nëse Gjini do të shtinte në njërin nga ata të dy, ai do të shkaktonte një plagë e cila do të hapte rrugë për një gjak të ri.

Tani, Gjini dëshironte të rrëfehej, por e pa se nuk mund ta bënte para se të merte një mirëkuptim për problemin e tij nga Ati të cilit i rrëfehej. E pyeta nëse donte të falte plagën në këto ditë të shenjta. ‘Po’, u përgjigj ai, ‘sinqerisht do ta falja, pa kërkuar asgjë në këmbim, sepse e di se plagosja nuk ishte e qëllimshme, por do të doja që ata që janë të përgjegjshëm ta dijnë se më kanë borxh dhe të më kërkojnë falje. Nëse nuk e bëjnë këtë gjë që ruan nderin tim, është e pamundur për mua të fal, sepse do të bëhesha gazi i fshatit. Nuk mund të fal nëse personi që më ka dëmtuar nuk kërkon falje, në të kundërt, atyre nuk iu intereson dhe më përqeshin mua’.

I sygjerova ta qartësojë se do të bënte një marrëveshje kur ata që luftonin për t’iu shmangur gjakun t’i kërkonin një gjë të tillë. ‘At’, u përgjigj ai, ‘iu treguam dhe iu lutëm të mos e lënë veten dhe mua në këtë gjendje, por Zoti i verbëroi dhe thanë se nuk iu intereson për mua, ndoshta sepse e dijnë se jam i frikësuar nga derdhja e gjakut dhe lufta, prandaj më sforcojnë në një hakmarrje të cilën nuk e dua’.

I thashë të priste për disa ditë, të vinte në Mision, dhe se unë personalisht do të flisja me borxhlinjtë e tij. Dhe e bëra, por ai nuk kishte asnjë përgjigjje, deri atëherë, pas uratës mbi faljen, kur ne provuam t’i pajtonim gjaqet. Unë tashmë kisha vendosur të filloja me Gjinin i cili ishte mjaft i motivuar për atë gjë, dhe kur Nëkollë Gjeta më tha ta thërras Gjinin, unë e ngrita zërin dhe thashë, ‘Gjini, ku je?’ Dhe ai tha se ishte në një dhomë të afërt, duke e shikurar meshën nga dera, dhe menjëherë hyri në mes të turmës dhe erdhi tek unë, duke pritur atë që do t’i thoja, ‘Gjini,’ i thashë, ‘shumë ndër këta nejrëz këtu kanë urretje për të falur për hir të dashurisë së Jezu Krishtit, dhe ata dëshirojnë të bëjnë një gjë të tillë e të bekohen në këtë ditë; dikush duhet të fillojë, jep shembullin e mirë. Fal personin që ka plagosur djalin dhe eja të puthësh krishtin e të pranosh bekimin për ty dhe familjen tënde’.

Gjini, siç thashë, ishte burrë i mirë dhe me qejf nuk do të hakmerrej ndaj personit që e kishte plagosur djalin, por atij i nevojitej një arsye tjetër për ta falur në mënyrë që të ruajë nderin e tij haptazi. Epo, tani ai kishte një të tillë dhe menjëherë tha, ‘Po, e fal për hir të dashurisë së Jezu Krishtit,’ the e puthi kryqin. Pastaj, ai i thirri njerëzit e familjes e tij për të puthur kryqin, dhe ata e puthën”.

Pas faljes së Gjinit, të tjerët pasuan. Njëri fali vrasjen e një shoku. Një grua fali gjakun e vëllait të saj. Duke qenë se ajo ishte e vetme, një burrë nga një fshat tjetër kishte marrë mbi  vete detyrën për të nxjerrur gjakun e saj; ajo i kërkoi të ndalonte. Misioni konsiderohej si sukses i madh, sepse të gjitha gjaqet u falën pa ndonjë këmbim në para, në fakt kur dikush kërkonte para, të gjithë protestonin duke thënë se falja në emër të Jezu Krishtit duhej të bëhej pa ndonjë interes apo përfitim.

Fulvio Cordignano, L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di un grande Missionario italiano il P. Domenico Pasi S. I. Volume II, Roma: Istituto per l’Europa Orientale, 1934, pp. 157-62.