Ditari i Luftës

Nga Zekeria Cana

E shtunë, 12 qershor

Ora 6:30. Trupat britanike hyjnë në tokën e Kosovës në ora 4. Naimi me shokun e tij del në qytet me veturë dhe kthehet shpejt. Serbët largohen me kamionë, traktorë dhe vetura. Tashti nuk e pret më i pari të mbramin. Para disa ditësh një rrjet i huaj televiziv bënte të ditur planin e Millosheviqit, për kolonizimin e Kosovës me serbë të Bosnjës.

Ademi vjen si i vrarë. Mbrëmë nga mesnata banda e kriminelëve vrau Nazmi Gojanin, plagosi të shoqen dhe birin e Rifat Ymerit. Të ndjerit i kërkonin të holla. I nxorri të tëra dhe gjithë ç’kishte. Së fundit e vranë. Ia plaçkitën edhe veturën. Kufoma e tij është në morg. Merrem vesh me Ademin t’i çojë  familjes fjalë të mos nxitojnë me marrjen e kufomës dhe varrimin, po të pres nja dy ditë.

Miku im ia ka kryer porosinë nëpërmejt një të njohuri. Tashti nuk don t’ia shoh as fytyrën Demaçit, as t’ia dëgjojë emrin sepse në një deklaratë për mediat e huaja paska kritikuar NATO-n dhe nga ana tjetër përsëri zëdhënës i negociatave me Millosheviqin, duke theksuar se serbët duhet të jenë në Kosovë. Prandaj Demaçi shetit në Prishtinë lirisht – thotë Ademi i revoltuar.

Sania ka marrë vesh se Arkani ishte mbrëmë në Prishtinë dhe kjo vërteton se banda e tij kriminele ishte këtu. Ajo me bandat tjera turret natën nëpër shtëpia, plaçkit dhe vret – sidomos njerëzit e pasur. Por rreziku u kanoset edhe të tjerëve – atyre pak intelektualëve dhe personave të njohur. Këto bisha të egra mund të na zënë edhe në gjumë. Sonte do ta kaloj natën në bodrum. Longari do të rrijë zgjuar si zakonisht. Në rast rreziku do të largohet shpejt e shpejt me t’ëmën nëpër kopshtin tonë e drejt tek ai i Fazli Kajtazit, ku do të strukemi në skajin e shtëpisë së tij dhe të fqinjit serb – në shkurra. Kjo është e vetmja shtegdalje. Rreziku është në prag të shtëpisë gjithnjë deri në hyrjen e trupave të KFOR-it.

Ora 16:00. Trupat e KFOR-it paskan mbërrijtë deri në Veternik. Me këtë lidhen të shtënat para një çerek ore.

16:20. Përsëri krisma shumë afër, dy rrugë më poshtë shtëpisë sime.

17:30. Trupat ndërkombëtare të ndaluara në Veternik do të hyjnë në Prishtinë në çdo moment, kështu që fill pastaj gjenerali Xhekson do të mbajë konferencë shtypi.

Ivanov sqaron se hyrja e ushtarëve rusë në Prishtinë ishte një gabim fatkeq, prandaj ata janë urdhëruar të largoheshin nga qyteti. Në fjalimin që Klintoni mbajti në bazën ajrore Misuri thekson se shqiptarët e dëbuar do të kthehen në vatrat e tyre. Ai zotohet për rindërtimin e shtëpive të rrënuara e të djegura dhe në të njëjtën kohë e quan të nevojshme t’u bëjë shqiptarëve thirrje që të mos marrin hak ndaj serbëve. Sigurisht, presidenti amerikan nuk e ka të ditur se shqiptarët janë hakmarrës vetëm ndaj njëri-tjetrit, kurse nga serbët, që gjithmonë i kanë vrarë e prerë kurrë s’kanë kërkuar gjak.

Forcat amerikane hyjnë nga ana e Kukësit sot ose nesër. Klark nuk i lejon trupat ruse në Kosovë pa qenë nën komandën unike. Lëvizja Serbe e Përtërijtjes deklaron se hyrja e ushtarëve rusë në Prishtinë ishte për popullin serb një shërbim shumë i keq.

Nga mbrëmja e djeshme rritet vala e shpërnguljes së serbo-malazezve të anës së Gjakovës, Pejës dhe Istogut për në Mal të Zi. Gjatë tërheqjes nga Kaçaniku, Ferizaji, Shtimja dhe Lipjani, ushtria dhe policia serbe plaçkitë dhe djegë. Edhe televizioni i Podgoricës njofton për hyrjen e forcave të KFOR-it në Prishtinë.

Sot pasdite Longari pati bisedë telefonike me gazetarin e Kohës Ditore në Shkup, Nebi Qena. U pajtuan t’i vendosim në shtëpi disa gazetarë amerikanë. Ata do të mbërrijnë në orën 20 bashkë me Nebiun. Në dhomën e nënës vë flamurin e vogël amerikan. Mësoj se gazetarët janë të rrjetit televiziv Ejbisi me Ted Kopellin në krye.

 

 


Zekeria Cana, “Ditari i Luftës”, botuar nga Rilindja, Prishtinë, 1999