Valdete Idrizi

Mitrovicë | Date: 28 maj, 2017 | Duration: 4 minuta

Valdete Idrizi (1973), aktiviste e shoqërisë civile, Mitrovicë


Erëmirë Krasniqi (Intervisuesja), Donjetë Berisha (Kamera)

Valdete Idrizi

Valdete Idrizi: A din qysh, qat’ ditë, për shembull nëse dikush munet me përjetu tona ndjenjat e mundshme n’qatë ditë të Pavarësisë, krejt, krejt t’mundshme. T’u u nisë prej, prej gëzimit ma s’pari, u bo Kosova shtet. T’u u nisë, t’u nisë prej frikës që u bo shtet pa Veriun edhe e ki hup qat’ pjesë. T’u u nisë prej frikës qa kanë me ndodhë se e dishëm që qajo pjesa e Veriut qaq rahat nuk e pranon edhe hala ka shqiptar atje edhe kanë me pësu, ose ka me i, edhe njiherë kanë me i dëbu. T’u u nisë domethonë prej asaj që, diqysh u nijsha n’faj që s’mujshëm m’u gëzu plotësisht. A din çfarë ndjenje e keqe që s’mujshe m’u gëzu ti plotësisht për Pavarësinë?

Njejtën kohë ish nji andërr e krejtve që kishim qef me shpalljen e Kosovës, n’tjetrën anë nuk ish e plotë, nuk mujshe m’u gëzu. Për shembull, qat’ ditë gjithë ditën jom sill me kerr, sikur, une me shoqen teme edhe kolegen teme, gjithë ditën n’atë turmën e njerzve t’u pa flamura, t’u bërtit e kështu. Edhe, edhe u gzojshe, edhe u tutshe, edhe kështu… edhe tonë kohën n’telefon me ata në Veri. Domethonë, jo veç me kolegë serbë, po edhe shqiptartë që ishin aty, se s’guxojshin m’u gëzu tanësisht. Knena thojshim a osht’ normal na mos m’u gëzu bash qikaq shumë qysh po gëzohen ato qytetet tjera.

Shkum në Prishtinë. Atje, a din, krejt tjetër atmosferë. Se këtu domethonë dej te ura s’guxojshe as me ardhë. As me gju qaq shumë me u gëzu. Si, si për çdo ditë çlirimi. Na s’kena as ditë çlirimi këtu me, domethonë me festu. E atje kur shkum, ti diqysh, edhe nijshim njifarë lloj xhelozije diqysh. Knena u gëzojshe, se normal njerzit duhet m’u gëzu, knena n’faj që s’po munesh  plotësisht. E kom kajt si fmija. Edhe qata po e them nuk muj me përshkru ndryshe se krejt, krejt ndjenjat e mundshme atë ditë jonë konë.

Edhe, s’po di. Kthehesh n’shpi edhe n’realitet. A ka ndrru diçka te na? Jo, s’ka ndrru. Prapë edhe t’nesrit mas, mas shpalljes të Pavarsisë prapë s’mujshe m’u kthy n’shpi. Prapë incidente kish. Prapë shpresa ekzistojke. Domethonë, nëse kthehem prapë, domethonë gjithçka çka bojshim, bojshim për njerzit edhe me njerzit. Megjithatë, jeta s’u përmirësu dhe Pavarësija nuk i pruni këto, nuk i përmirësoj as cilësinë e jetës, as…. Kështu që, megjithatë vazhdojke edhe ajo euforia e krejt, e pritjet e krejt, krejt gëzimet që ishin, te na nuk pat’ ndryshim. Hiç. Domethonë nuk….

E qikjo osht’ ajo friga që patëm qat’ ditë t’shpalljes e krejt, që… ka me u bo nashta pa qat’ pjesë. Edhe sot, për shembull ani pse shumë është përmirësu raportet ndër-njerëzore, shumë ma pak ka incidente, shumë ma shumë ka qarkullim t’njerëzve që ecin anej, domethonë edhe serb që vijnë knej në Jug, por megjithatë osht’ tjetër realitet. Nuk osht’, nuk osht’ si gjithandej në Kosovë. Megjithate osht’ ajo frika si t’dilsh anej mos diçka munet me ndodhë. S’di, ende domethonë osht’ ajo, thjeshtë pamundësija jote për m’u kthy n’shpi tone. Aty që ke dashtë gjithë për me u kthy. S’po di. Po, t’njejtën kohë na s’kena lluks m’u dorëzu edhe me konë pesimista.

Download PDF