Sylejman Çollaku në shtëpinë e tij.

Sylejman Çollaku në shtëpinë e tij.

Sylejman Çollaku

Bregu i Drinit, Prizren | Date: 7 qershor 2015 | Duration: 62 min.

Në Prishtinë e kemi pasë furrën, e kemi lshue, hini gjermani e u prishëm me zotninë [e furrës]. Shkumë n’Ferizaj me babën, qatje t’u punue. Janë kanë gjermanët aty, edhe gjermanë ka pasë, edhe pse ishin italianët. Erdhën te furra qaty, isha me babën, baba t’u shitë bukë e une t’u punu qaty. Edhe erdh një oficer me shtatë thasë miell i kish pasë, shqipen e gjermanit e ka pasë secili thes. Më tha mu, edhe unë gabova e di, ia bona vetit, tha, ‘Sa kile bukë mi jep për ni killë miell me i gatu për nesër?’, i thash, ’80 kille bukë për 100 kille miell’. Ai e dinte se sa qet millë, i qitke 140 kille miell edhe e ka pasë marrë dorën te alltia {e qet dorën në brez} si sot pe shoh,  e i ka ardhë keq se isha i ri, i ri isha atëhere, e ‘Kapi thasët!’ Nji qind kille jonë konë thasët. Jonë kanë nja dy shkallë për me hy përmi, me hy n’furrë prej sokakut. Kur i morra, shpirti jem e din qysh i kam shti mrena. U çu baba kur m’pa qashtu, u çu baba me m’nihmue, po nuk e la. Menxi zhag, menzi që i shtina mrena atë miellin edhe ato bukë s’mujti me i hangër hiç se iki gjermani, iki atë natë ikën, met mielli qaty. Buka e mielli i bardhë metën qaty, gjermani iki, shkoi, u largue. E qështu u kanë puna e gjermanit.


Jeta Rexha (Intervistuesja), Kaltrina Krasniqi (Intervistuesja/Kamera)

Sylejman Çollaku u lind më 30 Maj 1924 në fshatin Zym, Prizren. Gjatë tërë jetës punoi si furrëtar, zanat i trashëguar në tërë familjen. Për një kohë të shkurtë ishte miniator në minierën e Trepçës, e më pas kreu shërbimin ushtarak në Kroaci. Punoi deri në vitin 1988 në furrën e tij dhe të vëllaut “Iliria” në Prishinë. Ka dy djemë Mehmetin dhe Shefqetin, dhe jeton në fshatin Breg Dri të komunës së Prizrenit.

Sylejman Çollaku

Pjesa e Parë

Sylejman Çollaku: Unë jam i lindun n’Zym me 30 maj 1924, në dokumente shkrunë qashtu. Nanën edhe babën e kom pasë, vllaun dhe tri motra i kom pasë, dy kanë dekë njana ashtë gjallë. Çoban kam shkue, i vogël jom kanë, me lopë kom shkue. Me dhjetë-dymbëdhjetë vjet me lopë kom shkue. Mas 12 vjetëve, me 13 m’çojnë në Prishtinë, e ka pasë furrën baba. Edhe në Prishtine më ka zanë lufta e Jugosllavisë, jam kanë afër 17 vjeç atëherë kur ia nisi lufta.

Tri dërzhava[1] janë ba bashkë – gjermani, Italia edhe Japani. Këta tri e kanë nisë luftën. Lufta o’ nisë n’ Evropë a në ’27-tën… ’37-tën, a ’38-tën, nuk e di, me t’rrejtë. Me ’39-tën ka hi Italia në Shqipni, iki Zogi, pa pushk e pa kurrgja ka hi.

Po kthehemi në Prishtinë. T’u nejtë qaty te dera n‘furrë kur erdhën do zana, bërtitnin kur panë që po vijshin aeroplanat gjermanë. Aty erdhën katër-pesë aeroplana shkunë te Tyrbja e Sulltan Muratit, se atje o’ kanë aerodromi. Ata i kishin pasë gjashtë aeroplana aty, serbët, edhe i dogji edhe mandej shkoi kah Kodra e Trimave, e ka pasë magazinën, krejt ia ka gjujtë, ia ka djegë.

Kur kanë hi gjermanët… kur kanë hi gjermanët, ma s’pari dhjetë vetë jonë konë gjermanë krejt, se luftë s’ka pasë. Luftë nuk kanë ba me gjermanin, s’ka pasë luftë, luftë nuk kanë ba me gjermanin. S’ka pasë luftë, veç ushtria u kanë krejt prej Podujevës e deri në Prishtinë jonë kanë rreshti i ushtrisë.

Ma s’pari erdhën tre gjermanë me ni motoçikletë edhe kishin pasë diçka me hypë n’to anash, kur u ulë njani edhe dy këndej po u banë dhjetë dikur ata. Nëpër Prishtinë vrasje, mytje s’ka pasë kurrgja hiç.

E çka me ba atëherë? Kanë shkue prej Prishtinës n’Janjevë gjermanët se atje janë kanë katolikë. Erdh ni lajm te na aty n’Prishtinë se po vjen Kostë Vojvoda edhe njifar Peçanac, me ba masakra n’Prishtinë. Çka me ba? Atëhere jemi çu na furraxhitë jemi kanë afër tridhjetë vetë jemi kanë edhe kemi shku te nji Sadik aga. E atje ish kanë nji odë katër me katër [4×4], ja katër me pesë [4×5] qashtu. Tridhjetë vetë qashtu jemi kanë tanë natën që kemi nejt çutë mos po bahet diçka, po kurrgja s’u ba hiç. N’sabah jemi çue e kemi shku nëpër furra, atje n’vend tonin e ia kemi nisë punës me punue.

Hini gjermani me ushtri, i mlidhke kah mos, edhe i çojke në Fushë Kosovë me vagona me i çue në Gjermani jesir [rob lufte]. Atëherë gjermani prej Vuçitërrnës [Vushtrrisë] e teknena Shqipni e bani. E anej Mitrovicën e la n’Serbi, se punojshin me pare të Serbisë. U kanë atje nji Nediçi, nji demokrat qe s’ka fitu asnjëherë po kur hinën gjermanë ai fitoi.

Knena u çelë udha me Shqipninë hijshin e dilshnin pa letra pa kurrgja hiç. E qashtu ka shkue puna qysh e di unë e që e kom përjetue. Ktu te na n’Kosove ushtri u kanë Italia, jemi kanë nër Itali. O’ kanë ni brigadë, jo njo po shumë ka pasë brigada t’qujtuna Balli Kombëtar, ka pasë shumë. Nejse, edhe e formunë ni ushtri në Skenderaj më 1943, i çunë n’Prishtinë, e formunë n’Skenderaj. Shkojshin gjinja, merrshin ushtarë, unë s’jom kanë. Morën shume ushtarë prej Shqipnisë po italianët janë kanë kryesorë. Dikur nisi me ardhë aeroplanat e Italia pasi qe u tradhtue, i lëshoi me kalu aeroplanat e Amerikës e anglezit me kalue anej pari edhe me marrë benzinë.

Vijshin nji qind, a pesë qind a, dy qind a… s’di sa me thanë, shkojshin n’Gjermani bombardojshin ose n’Rusi se gjermani i ka pasë marrë shumë shtete. Mandej s’ka pasë ma kurrgja derisa hynën partizanët, para se me hy partizanët i ndiqte gjermani komunistat, i vritke ose i shtike n’burg. Në Prizren ku asht’ tash posta e moçme, dhjetë vetë i ka vjerrë shqiptarë edhe dy shkije jonë kanë e shqiptarë, ata komunista ishin kanë. Po vrasje s’ka pasë, luftë këtu s’ka pasë.

Kur u çu atëhere, po… Shaban Palluzha i thojshin. Ai i ka pasë dy qind vetë me veti edhe u kanë me partizanë, edhe me partizanë jonë kanë. Po ky pat kujtu që Kosova me metë me Shqipninë, se e kanë rrehë. Edhe hini knena, shkoi Shaban Polluzha n’Podujevë e i kallxunë këta, “Hajde me shku n’Sremne me luftu çetnikun atje”, ai nuk shkoi. Tha, ”Jo une s’kom çka lypi atje. Rri te vëllaznit e mi”. Dul’ n’mal në Drenicë edhe aty prej malit u bonë dy qind ose tre qind vetë ia nisën luftën këta me to, partizanët këta me to deri kur i vranë e i shkatërrunë, kanë vra shumë. E do çka ishin ballista jonë ikë, shumë herë jonë ikë, kanë dalë për Itali. N’Shipni s’mujshin me dalë se qasi… e n’Greqi dojshin me shku ose këndej pari. E qështu puna…

Në Prishtinë e kemi pasë furrën, e kemi lshue, hini gjermani e u prishëm me zotninë [e furrës]. Shkumë n’Ferizaj me babën, qatje t’u punue. Janë kanë gjermanët aty, edhe gjermanë ka pasë, edhe pse ishin italianët. Erdhën te furra qaty, isha me babën, baba t’u shitë bukë e une t’u punu qaty. Edhe erdh një oficer me shtatë thasë miell i kish pasë, shqipen e gjermanit e ka pasë secili thes. Më tha mu, edhe unë gabova e di, ia bona vetit, tha, “Sa kile bukë mi jep për ni killë miell me i gatu për nesër?” I thashë, “80 kille bukë për 100 kille miell”. Ai e dinte se sa qet millë, i qitke 140 kille miell edhe e ka pasë marrë dorën te alltia {e qet dorën në brez} si sot pe shoh, e i ka ardhë keq se isha i ri, i ri isha atëhere, e, “Kapi thasët!” Nji qind kille jonë konë thasët.

Jonë kanë nja dy shkallë për me hy përmi, me hy n’furrë prej sokakut. Kur i morra, shpirti jem e din qysh i kam shti mrena. U çu baba kur m’pa qashtu, u çu baba me m’nihmue, po nuk e la. Menxi zhag, menxi që i shtina mrena atë miellin edhe ato bukë s’mujti me i hangër hiç se iki gjermani, iki atë natë ikën, met mielli qaty. Buka e mielli i bardhë metën qaty, gjermani iki, shkoi, u largue. E qështu u kanë puna e gjermanit.

Në Ferizaj drithë kemi ble, e kemi shoshitë, e kemi çu me babën e me mixhën e kemi blujtë. Nuk ka pasë… e kemi çu me babën e me nanën… veç une e baba, e kem pasë mixhën, mixha me veti, bashkë jemi kanë e u ndrrojshim me to. Shitja e blerja e njëjtë u kanë si n’Shqipni si t’shtune. Shkojshin prej Shqipnisë e vishin ktu pa letërnjoftima. Ashtu kemi jetu kemi ble bukë, edhe tokën e kemi pasë e mirë kemi jetu, mirë e kemi kalu.

Me lexue jom msue, ushtar kur jom konë nuk kom ditë hiç sen. Me lexue veç n’Prishtinë te Savit Koviqi i thojshin me punue si punëtor. E ma bleu ni bukfa [libër] qasi serbisht, ma bleu, shqip jo, serbisht. M’i kallxojke numrat qeto A, B, C, qashtu me shkru e sene. Unë ia nisi kadal-kadal vet, serbisht nihere, dikur dulë edhe shqipja. Edhe n’shqip qashtu. Për me shkrue, shkrimin e mirë s’e kom pasë, veç kom mujtë me shkru pak diçka, me shkru kom mujtë diçka.

E vet jom msue, shkollë s’kom pasë hiç. Mixha na hoq prej shkolle, na thirri n’shkollë n’Zym n’kohë t’Serbisë. Une e ni kushëri i jemi atje në “Hasan Prishtinë” rrinte atje me robë, na thirrën me shku n’shkollë. Ai mixha u kanë i zoti i shpisë, u çu e shkoi n’komunë e çka foli me ta, e çka bani me ta, s’e di hiç (qeshë). Ma s’na lanë me shkue e ma s’na thirrën, metëm qashtu. Unë një, Sahiti dy, Rexha tre e Zymberi i Ademit katër [kushërinjtë].

Jom shku ushtar me 1949 edhe jam vanue se kam nejtë n’Trepçë, kom punue, jom konë punëtor në furrë të Trepçës. Edhe vonë na gjetën neve, e thirra na erdh, nji mujë ma përmas. Erdha u lajmërova n’komunë edhe ma dhanë letrën me veti edhe dokumentet diçka. U nisëm na prej ktuhit me njanin prej Gjonajve, dy vetë shkumë në Prizren, na pritën dy ushtarë me na pritë qaty. Na morrën neve edhe shkumë, mu m’qitën n’Banatë m’çunë. Edhe ato e çunë n’Banatë [pjesë e Vojvodinës], në Kovinë [qytet në Banat].

Të dytë na shkumë n’Kovinë, po unë s’e disha e p’i ves, “Jo ti je gjeti[u] [tjetër vend]”. M’kanë ardhë mu letrat, kom shkue atje n’Banatë. Kom punue ushtar… ka pasë t’shkrume jo fort me asi… detyrë n’magazinë e qësi sene. Atëherë e kemi ba bukën, kemi nejtë qaty. Edhe u çu batalioni shkoi nëpër shpija, në vitin 1950 edhe na morën me çelë rova [kanale] se dojke m’u ba luftë se u prish me… qysh me thonë, u prishë Tita me këtë t’madhin… me Rusinë.

Atëhere kujtojshin se mos po vijnë e na e bëmë shporë [rrjetë] tokën e Banatës. Na bijke bukën e sene, e për me flejtë gjejshim naj shtallë diku, me kashtë e me sene e flejshim, po nji mujë e gjysë. Na çunë neve me njifarë katuni ish kanë n’atë… po se po ia harroj emrin atyne, atij katuni, krejt batalioni. Kur na çunë edhe atje për me punu, mu m’lanë ushtria me zi gjella,  atëhere shkova, nejse m’murën. Buka na vike bajat prej Pançeve, nji komandant, ni ushtar na përcjellke, shajke, “Stalna, ta bajat hleba [Gjithmonë qajo bukë bajat]”. Tha, “A ka kund furraxhi n’Banatë?” E unë e çova gishtin, “Furraxhi,” thashë, “jom une”, “Oh?”, “Po!”. E m’kanë marrë, ku me punu? N’ katund! Se u konë veçmas kasana [baraka] mrena n’katun. Kur shkova atje, erdh nji oficer me ne, une aty n’komunë të atij veni që me gjetë furrën me na dhanë neve për Gjermani, atëhere për me qitë bukë.

Mirë, na dhanë neve. M’çunë me njifar veni, e gjetëm furrën ish kanë e mire, njifarë dore. Ma dhanë edhe ni ndihmëtar, furraxhi s’ish kanë ai, po ish kanë prej, ish kon hrvat [kroat]. Ma pruni miellin, ma pruni asi… Nji motmot kom nejtë qaty, kom gatu për ta. Edhe bukën e mirë e qitsha e sene. Bile, kur kom shkue… tana t’mirat e Zotit, e kur dola une, ai oficeri m’tha n’Pançevë m’u ba shef i furrës, n’Pançevë. Atëhere, nuk kisha dipllomë, hala pa diplomue. Po shkoj n’shpi njiherë. Erdha n’shpi une, nejta ni jave masnej u ktheva n’Pançevë. Kur mrrina n’Pançevë, hina atje m’u regjistru, e furrat ishin kanë privat edhe atje, e i prishi ato privat ushtria, gjithqysh punojshim. Me ta s’u ba kurrqysh, hiç, ngojshin e nuk ngojshin si ata. Atëhere e lashë punën, pesë mujë nejta. E kisha rrogën si oficeri si une, pesë mujë edhe n’banesë jo, flejsha me ushtrinë n’kasanë.

E lashë atë kasanë, erdha aty n’shpi. Erdha n’shpi, nejta nji ditë pak, shkova n’Prishtinë. Hina n’punë, tri vjet e gjysë kom punue. Vjen edhe m’murrë daja jem, m’muri, e ka furrën n’Priepolje. “Hajde se ata e kanë…”  M’rrejti, atyne. Atje e kisha rrogën… t’mirë e kisha n’Prishtinë. M’murrë e m’rrejti, ata s’ëm lshojshin. N’Prishtinë jom kanë punëtor i fortë, jo qe po livdona po i mirë jom kanë. Ai drejtori shkoi i asaj furre e m’thojke, “Rri, çka po shkon? Shko ti në bajë nji mujë, dy mujë verës pa kurrfarë problemi, veç mos e lësho punën”.  Une s’i ngova, ika e shkova nejta një motmot e gjysë te daja. Nji rrogë, tamam rrogë ai s’ëm jipte. Jo me m’ba ortak, me kqyrë çka ka e tek ka e sene.

Jipshin buke n’rrugën Priboj – Beograd, jepshin bukë 500-600 kile, s’ma murrë menja e dola. Kur dola erdha te shpija, këtu nejta tani… apet, po besa e maj n’men, kur dola n’Prishtinë e mora edhe dipllomën n’Prishtinë. Shkrujke, “Majstorska Pisma,” [Letër Mjeshtrie] domethonë osht’ dipllomë shkrujke. Ajo diplloma kur jemi konë n’Gusi, kom nejtë une katër vjet n’Gusi. Rrogën e kom pasë une 1200 denar… 12 mijë. Qaq i bjen, qaq i bjen hesapi. Domethanë, si ai doktori e kish dhetë mijë, e ai qe e kqyrke gjendjen [kontabilisti], qysh m’i thanë, ai kish pasë dipllomë. Ai m’jepke mue 12 mijë hiç pa vetë. Nejta sa nejta, u smuva pak. Shkova te doktori, e po ma m’kallxon që si e nxanne {prekë gjoksin}. Po, aty gabova, e lëshova aty, se jo me shku m’u shnoshë e me ecë rroga a din, po jo thashë, “Po dal!” Edhe dola prej atyhit, erdha n’shpi. Tani kam punue kahmos valla, kom punu kahmos n’Prishtinë, e n’Ferizaj e… kahmos kom punu.


[1]Serbisht država do të thotë shteti.

Pjesa e Dytë

Kom punu në shumë vende. Kom punu n’Mitrovicë. Dy vjet n’furrë t’Deçanit… Zveçanit, n’Zveçan n’Mitrovicë kom punue. Jom dalë, e gjeta apet, e kur hina aty, m’thirrën prej atyhit e m’çunë n’Trepçë, “A po don me ardhë te na?” Thashë, “Po, po vij”. E jam shku atje edhe kam punue, si po them une. Jo nji javë, unë kam nejtë dy mujë ditë me ata, se rroga ish kanë e mire edhe nuk ish kanë… vagonat i mushna me… prej shutit[1] , e i çojsha vet. Fort rruga u kanë… udha, dy vagona njani përpara, tjetri përmas. I hypsha, u kanë si teposhte pak. Shkojsha shutit të pestë, e lëshojsha n’shutin e gjashtë. I gjashti shkon në t’shtatin, i shtati n’tetin e mandej teposhtë, e nuk më bijke larg.

Po kur dola ish njifarë… qysh me thonë, njifarë veni, shumë vene i kishin pasë, po njifar veni ku i kishin lanë dërrasat. Unë s’e dijsha e m’kapi njifar si… toka, shifsha prej tokës qysh me thanë, e m’hini n’tru e m’rrëzoj. Kur  e kam pa veten në ambullantë une, edhe m’kish pasë la njani, u kanë kupatilla[2] kur del poshtë. Nejta pak, nuk nejta shumë. Edhe u çova, s’pata gjo, tani hina n’furrë apet. I mirrsha une, 22 qese, qese i thojshin atëhere. Dy mijë e dy qind denar rroga u kanë në furrë. E kur hina atje për dy mujë m’ranë mu, gjashtë mijë e s’di sa. A prej atyhit shkova ushtar, dy vjet ushtar. Në ’49-tën jom shkue, në ’51-shin jam lëshue, e qashtu.

Martesa jeme u kanë kështu, as s’mka pa, as s’e kam pa atëhere që me thanë që me pa shoqi – shoqin. Po nana e vet o’ prej Gjonajve[3], e kanë njifarë livadhi pak te Laskaveci[4] i thojnë, nër Laskavec u kanë i tyne. Janë kanë shpi e madhe kjo, Qazimfejzt [emri i familjes]. Gjyshja jeme… nana e nuses, atëhere ish kanë dy vjeçe ose tri, t’rrej tash. E doli me marrë atëhere ujë në Laskavec ni gjygym e kish. Kur shkova tha, “Hajt mushma ujë bre bir” edhe m’tha, “I kujna je?”, unë thashë, “I Gjylës”, se nana e ka pas emrin Gjylë. “A i Gjyles je a?”, thashë “Po”. “Ani mushe qaty, se po tutna prej gjarpënit,” ish ni gjarpën “e po tutna me hypë përpjetë”. E morra gjygymin, e musha, e çova se ata kallabllak shkojke si për rrasë të nxehtë[5].

E t’u pi aty, e kom pasë nji kungull t’ujit une me veti kur isha çoban. Edhe kungullin e ujit ia mushna, e ia jipsha. Ma s’mrami, fundi i fundit, m’tha, “Hajt more bir, rrnofsh! Pa ta dhanë nji çikë se la”, qajo vet nana e plakës. Unë edhe hiç te shpija, t’u shku p’i thomë nanës, “Qështu do gra të Gjonajve, ia dhashë do ujë, e m’tha po ta jap ni çikë, kam me ta dhanë ni çikë”. Atëherë i shkoi n’vesh, pa da i shkoi n’vesh e n’emën temin i kallxojshin. Shkumë atje e lypëm, e na dhanë dorën e nuses edhe e prita deri në ’52-shin, e në ’52-shin, jemi martue.

S’kemi pasë atëherë, ma pak tesha e sene, jemi kanë ma dobët. Aq tokë kemi pasë, mirë jemi kanë, po s’qitke sen. Herë n’furrë, e herë qështu. E ma dha çikën. Kur shkumë me lypë,  m’tha mue, “Ruju se i thu kujt?”, thashë, “Jo, jo s’i thomë kërkuj”. Tani ma dha çikën, e prita. Kur u ba ’51-shi, e kreva ushtrinë e në ’52-shin jom martue. Jom martue, kom nejtë nja nji mujë a dy, e jo, shku n’punë kahmos, n’Prishtinë, po n’Prishtinë. E sa jom kanë n’Prishtine vijshim n’dy a tre mujë, vijshim kanihere. A kur isha përjashtë kah nji motmot s’vijshim hiç, nuk vijsha, se n’punë isha. Ma s’shumti plaka ka nejtë vetëm sa që unë. E qashtu puna… dej tash kur i erdh hesapi.

Shkumë m’u lajmrue me plakën n’biro, qaty që po lajmrohen për pleq, për rrogat. Me gjithë plakën, shkojshim deri… me tren shkojshim m’u lajmrue. E merrshim ni taksi, dy euro na merrke deri atje n’ven. E shkumë atje, kur shkumë, u kthymë prapë e kryjtëm punën. Une hina m’u kqyrë në ambullantë, e m’u duhke ni udhëzim për te internisti… s’di a internist a çka u kanë. Unë t’u u kqyrë, ajo plaka e ngratë i thojke, “Shko merre….”, i nihmojshin, “shko merre udhëzimin n’filan vend”. E sa e merrke atje, e mushke atje e e jipte… “Pa udhëzim e kanë shkru”. E lypke tjetrin tani, “N’rengen ki me shku,” tha “n’aparat ki me dalë, me qit’ udhëzim duhet”. Mule tjetra, e ish bo mo… i kreu ato punë. E doktori qaty m’kqyri mu e dulë, se kish kry punë. Une tu u veshë, edhe plaka po vjen “Ha, ku o’ doktori?”, “Shkoi” thashë.

T’ish kanë ai aty, e t’i kisha thanë me kqyrë plakën se ftyra e kuqe iu doke, e kish kapë zjermia [temperatura]. Atëherë shkoi doktori na u çumë, prej atyhit, e u ba sahati njo. Erdhëm qaty te stacioni e hymë me nji qebaptore se na kish marrë uja,  hangrem bukë e jemi nisë teknej. Jemi ardhë aty n’tre e gjysë… jo n’dy e gjysë jemi ardhë këtu. N’dy e gjysë, une shkova me pushu qatje pak, e ajo ish dalë qitu ka ahri. Janë kanë të preme do dru, e p’i mledhë e kish kapë atje ajo smuja, infarkti. E pashë që po don m’u rrëzue, e u kapa qështue. Atëhere, ra, flejta po rri qaty.

Ajo ban za, bon za, po kërrkush na s’e se dijshum, hiç. Deri e kish pasë ni Sadiki, nji kushëri, ish kanë n’kafe t’u bo llaba-llaba. “Oh Sadik, oh Sadik, paja se jom rrëzue”, a na qitu t’u konë, hiç me ni. Edhe ai vet i treti ish kanë ardhë, e merr plakën se sun ecke, e bijnë qatje. E ka pasë dramën [veturën] ai djali, baba i vet ish kanë n’kafe, tha “Merre grunë, hajde ta çojmë nusen e bacës Sylë se ish smutë shumë. Ta çojmë për…”. Erdh kerri, t’u hypë n’kerr atëhere e morëm vesh na, se pa ditë hiç, hiç pa ditë që me i nihmue. E çumë atje n’spital e nejti dhjetë ditë. Dhetë ditë nejti, mas dhjetë dite iu kish lëshu pak dora e kama [prej paralizës] e ish kish thanë doktori, “Mos po don me shku te shpija?”, po m’kallxon ajo.  Thojke, “Po n’koftë me shku, shkoj”, tha, “po kom ardhë m’u shnoshë”. “Mirë je, tash provo çoje dorën te goja. Mirë je, çoje te goja, edhe shko n’shpi”.

Erdh n’shpi, nejti nji javë dhjetë ditë. E kur i boni 21 ditë prej atjehit,  e n’sabah e kapi. Po, po… A une jam kanë dhjetë vjet e kusur para asaj, ajo e ka me t’35-tën, a unë me ’24-tën; 17 vjeçe nuse ka ardhë, 60 vjetë me to kemi rrnue, n’krye të 60 vjetëve u ndamë. Qështu valla…

Na jemi kanë me djemtë, unë jam martue me ’52-shin, Mehmeti ka lindë me ’54-tën, Shefqeti me ’58-tën, çika s’kemi pasë hiç. E kom pasë nji vëlla, po Mehmetin e kom pasë vëlla, edhe nji vëlla m’ka pasë dekë i ri moti. Tashti edhe Mehmeti u martue me ’76-tën, i ka tre djemë e dy çika. Njanën e ka dhanë tjetrën gati e ka me dhanë, e ka fejue. Djemtë janë n’punë t’u punue, t’martumë janë. Te tretë t’martumë janë, nuset i kanë këtu, vet janë n’Hungari t’u punu, herë vijnë e herë s’vijnë.

Për n’furrë, kajsha prej lodhjeje, m’murrë baba e m’çoi n’Prishtinë. Jam kanë 13 vjeç, a 14, me t’rrejtë. M’çoi n’Prishtinë, e ata e kishin me mixhën kah gjashtë mujë me nejtë. Bashkë ishin n’shpi, edhe atje bashkë. E mixha u ndrrojshin, gjashtë mujë ai, e gjashtë mujë ky, e unë nuk vijsha, rrijsha atje. Kom punue, prej atëherëshit kam punue deri me ’88-tën. A ke qashtu, ’88-ta?

Pjekës jam kanë gjithmonë, edhe sytë i prisha. Tash njani sy m’ka lanë tjetri ma pak, sen. Kur shkova te doktori, “Çka ke punue?”, e kur p’i kallxoj, tha, “Zjermi t’i ka prishë sytë”. E kom punu kahmos, kahmos kom punue, po s’iu kom nda furrës hiç, çka kom punu, kom punu n’furrë.  Jashta, kam punue njo dy mujë n’Trepçë, e përmendëm parëz. Qato dy mujë… se e di tjerët çka kom dalë jashtë n’punë, n’furrë kom punu.

Une i kam tre nipa prej djalit t’madh, të tretë t’martunë. Njani djalë ka fmi, e prej këtyne nuseve, kto dyja hala jo. Njana asht’ n’shkollë qatje n’Austri, me gjithë gru, djali. E kom punue qështu… Nipa kom, djemtë e Shefqetit… t’Mehmetit. E stërnip e kam tash djalin e djalit t’Mehmetit, domethonë që e prita stërnipin tash.

Furra i ka tre vetë që punojnë mrena, po dy ismenë [smena[6]]- gjashtë vetë bojnë. A tre vetë, shegert [praktikant] i thojnë, e pret brumin edhe e gatunë bashkë me atë kallfën [ndihmësin e zejtarit], kallfa gatunë. Kur ta presin bashkë ai kallfa me gjithë atë shegertin e përgatisin bukën mrena. E matin bukën, e bajnë veke e sene, a unë veç e nxerri prej furrës, e fshij furrën edhe i shti bukët n’furrë. Ata kanë gatue, qata dy, e i treti jom kanë une pjekës. Gjithkush e ka t’vetën. Furra i ka t’vetat, çka ka mrena çka duhet, aletet – me kazan, me miell e me qësi sene.


[1] Vendi i ngarkesës së vagonave me xehe.

[2] Serbisht: banjë.

[3] Fshat në krahinën e Hasit.

[4] Lum në krahinën e Hasit.

[5] Gjuhë bisedore: Ujin e pinin shpejtë.

[6] Smena nga sërbishtja, ndërrim.

Pjesa e Tretë

Sylejman Çollaku: Motmot, Hajrija [motra] kur ka shkue nuse, s’kom ardhë n’shpi hiç. Se kur u shkue nuse Hajria, une s’jam kanë këtu. Nexhmija [motra] kur u shku nuse, une s’jam kanë këtu, isha me Tixhën.

Shefqet Çollaku: Qysh keni punu n’furrë?

Sylejman Çollaku: Ha?

Shefqet Çollaku: Përpara qysh keni punu?

Sylejman Çollaku: Përpara kështu, me kazana jonë konë… nuk ka pasë kazana. Korita e madhe u kanë, e gatë dy-tre metra, katër metra, e madhe u kanë. E qitshim millin aty, punojshim me maje, tjetër maje u kanë. U kanë maje e omël, tash u hupë ajo. Tash majet i ndreqshim, i punojshim krejt ato. Dy vetë hijshin me gatu brumin me dorë, sa nxijke furra u duhke me gatu 120-130 kille. Furra, 120-130.

Eh atëhere, ata e prejshin atje, e qështu e qitshim. Krejt me dorë i kemi punue. Millin me maje, brumin e kanë punue. A ky pjekëxhia… aty s’kom punu une. Jashta, najsen me me qevrisë [gatu], me i nihmu diçka se…  se s’kom pasë punë atje, ata e kanë pasë atë punë, a une veç pjekës. E lëshojsha furrën t’u e nxe, e nxejsha furrën, buka gati e shtijsha, vijke buka,  e shtijsha n’furrë. Po, po…

Atëherë u kanë e kundërta, se s’ka pasë maqina, s’ka pasë sita, u dashke me sitë miellin me dorë. S’ka pasë maqina, s’ka pasë kurgjo, s’ka pasë hiç. Tash dulë materiali, dulën maqinat, dulën kazanet, dulën… kollaj tash me gatu.

E n’Prishtinë që kom punue, krejt qata që kemi punu çdo ditë, krejt me dorë. S’kem pasë maqina aty. Tri vjet e gjysë, une çka kom punue, nuk ka pasë maqina me gatue. Maqinat vonë i kanë bo ata kur e kanë marrë ni furrë tjetër t’re. Krejt me dorë, janë kanë nja 13-14 furra n’Prishtine, shkojshim e u ndrrojshim na, natë e ditë, e bukë qitshim për krejt Prishtinën.

Shefqet Çollaku: Baba Rexhë, a u kanë furraxhi edhe ai?

Sylejman Çollaku: Jo, nuk e di se s’un e kom pritë ato une.

Shefqet Çollaku: Domethonë, baba furraxhi, ti, djali i madh, tash nipat, krejt gjeneratat…?

Sylejman Çollaku: Baba furraxhi, e ka pasë dipllomën në kohë të Jugosllavisë, e ka pasë dipllomën. Si une që e kom pasë, e ma nalt s’ka se ku shkon veç me i dhanë ato. E ka pasë baba, unë e kom pasë, nipat qetash, Mehmeti e ka, e ka pasë, e ti nuk e ki. Shefqeti e Besforti [nipi] nuk e kanë, këta dy tjerët e kanë.

Shefqet Çollaku: Nipat, po shkon kjo gjeneratë, po përcjellet krejt kjo në furra?

Sylejman Çollaku: Po, po, janë edhe qikjo gjeneratë. Tjetër zanat na s’kemi pasë, qito. Tjetër zanat s’kemi pasë.

Pjesa e Katërt

Sylejman Çollaku: Punë e zorrshme po t’thomë drejtë, osht’ kanë atëhere me gatu, t’pikshin djersët si çka me kanë. Ato djersë bijshin t’u gatu n’brumë. S’kisha… zor u kanë.

Kanë ardhë prej Hagës, kanë ardhë ata gjykatësit.

Sylejman Çollaku: N’kohë t’uftës, krisi lufta, na ma s’kemi pasë vrasje e sene, po n’Dri e tanej kanë pasë t’shkumë dam, shumë gjinja jonë shkue. Krisi lufta e ma s’pari jonë bombardu, e marte u konë, me 24. Si i bombarduen s’pari u çunë këta paramilitarët, shkijet i kapën i mblodhën mashqit, po t’kallxoj tash për Krushën e Madhe, Krushën e Vogël për Piranën [fshatra të Prizrenit], për qato po t’kallxoj.

I kapën gra e fmi, i qitën përjashta e burrat i merrshin i çojshin. Djemtë 13 vjeç i kanë marrë, e ato ishin metë qaty, gratë, plaka. E sot m’shkojnë mentë, dy plaka ishin konë, me krejt ato, telat e veta, jonë mbledhë. Çka me bo? I bajshin çikat e veta për krahësh. N’sabah jonë çu m’u nisë me shku n’Shipni, m’u çu prej ktuhit. Jonë çue, jonë ardhë deri n’Breg t’Drinit prej Krushës së Vogël, prej Krushës së Vogël po vijnë. Meshkujt i kanë marrë 114 vetë, 114 vetë që i kanë marrë që i kanë pushkatue, që i kanë boe…

Erdhën deri n’Breg të Drinit, e jemi dalë na do shokë tanë, edhe njo u dalë i Krushës, ni Babërdak. Jo, ata jonë dalë ma heret, kanë pasë ditë diçka. Atëhere me dy traktora i kemi marrë fëmitë, i kemi qitë knej Drinit. Gra, e fëmijë e plaka, e krejt, po jonë kanë nja dy qind e diçka. E i kemi shkepë nëpër këtë katunin që p’e shihni tash. Unë aty s’jom konë, jom kanë përjashtë aty, e ju kam thanë, “Qe ku asht’ shpija, ndashi hini, po unë vet s’po rri n’ta. Iki natën se rruga shumë ngat’”. A nuk kanë hi, ka pasë njerëz që i kanë pasë 50 vetë, Xhelili 50 vetë i ka pasë, Xhelili 50 vetë i ka pasë, te Kaqelët [familje e fshatit]. Dy katolike jonë konë, ato i kanë pasë marrë – Marta me Adilen.

Nejtën sa nejten, kah tri-katër ditë, kah akshami me t’30-tin e senës [motit], 30-tin e mujit, kah akshami, po shkojnë hallkit po ikin, po shkojnë, po neve s’po thotë kush me u çu, e neve s’po na thojnë me ikë, e atyne u kanë thanë, po Romajës, Rugovës e deri n’Gjakovë, krejt kësaj udhe vijshin. Dikur shkumë edhe na, u pregaditem. E kemi pasë ni kerr tonin, ai djali Shefqeti i murrë grunë e vet, me fëmijë e… ni çikë të atij vllait, djalit, e na tjerët kemi ikë me nji traktor të kojshisë.

Me traktor të kojshisë kur shkumë te ura e Landovicës pak sa kalumë na nalën qeta paramilitarët. E panë ni drahmë [veturë] t’mirë e ka pasë Ruzhdia, ky kushërini, kushërija ynë. E qiti përjashta edhe e kapi n’gjyks edhe e qiti mas drahme, “Qitmi dy qind euro se qetash po t’vras”, qe çka mendon. Ai baba i vet i morri, shkoi ia çoi paret edhe dulëm. Tani masi që kanë shkue s’na ka prekë kush, veç na kanë nelë [ndalë], a me na ngucë jo, na kanë nelë. Pak përtej Prizrenit, Shefqetin e kanë nelë me kerr, i lypshin pare. Ky, edhe ato pare që i ka pasë, i mshefke, s’guxojke me i nxerrë. I jipke diçka, e pshtojke. E qësi sene…

Aty n’Shqipni, hymë n’Shqipni, na morën letërnjoftimat. Plaka ish ma andej pak, si sot e dij. Edhe Krenari, nipi jem, e plot traktori, dulë ai, po ia japin letrat, unë ia dhashë letrat e kerrit. Ia heqëm tabllat e ja merrke … se qashtu u kanë puna. Jemi shku aty me njifar, po harroj bre… Jemi shkue mas atyne, jemi shkue, na kanë çu me njifarë, tip pavilioni ish kanë n’skej të ujit. Ftoftë ish, ku me nejtë çka me ba, këta e kishin kerrin, po fëmija [n’kerr], tjerët kërkun hiç. Kah sabahi u çumë, na erdhën drohmat [autobusat] prej Shqipnie. Na erdhën u mushën, kerrin tonë djali e morri, e çoi anej pak ma larg, qashtu kerri i punumë [që punon] me krejt dokumentet e la, çelësat n’to. Shkumë, hypëm n’drom [autobus].

Na çoi n’Berat, e besa, prej Beratit na çoi afër Beratit me ni katund Pobrat. Aty dulën do burra e gra me na marrë. Unë isha vet i 13-ti, familja jeme ishte 13 vetë. Shefqeti e kisha vet, vet i pesti. A Mehmeti nuk u kanë këtu, në Gjermani ai i kish dy çika e tre djemë edhe vet. Unë po me plakën, 13 vetë jemi kanë. Na shkepën neve, plakën, nusen e Shefqetit e mori ni grue, ni vejushë me gjithë fëmijë, edhe nonën plakën teme. Mu m’mori njani me gjithë nipin në tjetër vend, nusen e Mehmetit e mori ni kojshi, kur ishna une, e mori me krejt fëmijët. Djemtë, dy vetë, dy i mori ni kryeplak ish kanë aty, e ia rujke dhentë gjatë sa kemi nejtë. Veç na ka ra aty.

Haja u kanë mërzi se na hypshin atje me marrë n’Berat. Shkova me marrë, na u bahke nji dreq e gjysë. Po, aty kemi nejtë 25 ditë, jemi shkue n’Berat, e ka gjetë djali Shefqeti ni stan e kemi shku kemi nejtë. Po unë nuk nejta shumë, nja tri-katër netë a s’di sa, e ika te knej. E këta kanë nejtë, po këta kanë nejtë nja dy javë përmas. Po unë erdha ma herët, e patën hi këta gjithkush, patën ardhë edhe para meje, e kanë hallakatë, basitsë, plaqkitë e çkamos. Po…

Unë isha para shpisë e nuk ka pasë që me thonë rruga… kurrgja hiç. Veç Bregu i Drinit ma tanej, e erdh nji kamion u nalë qaty, e unë veç po kqyri nuk po di gja. Erdh ni kamion në Breg t’Drinit e u shym [ u ndalë], po iu shymë. Çka me ba {imiton motorin që nuk ndizet} tash ata sa përgaditën diçka aty, qitën sipër diçka për me djegë, njifar kante, hypën naltë e shprazën kantën për me djegë. Drama [vetura] s’i ecke, shkunë e murën ni bager ma anej u kanë, nji civil u kanë edhe nji milic.

E shkunë e morrën, bageri e shtyni kamionin në Breg t’Drinit. Rrotat e para, motori e krejt i ranë n’Dri mrena, e këto tjerat e gjysa metë knena. E atëherë e kom une pa kur u kthy, e kom pa që plot ish kanë. U dukshin si cunga, si thasë, e krejt ishin kanë t’lidhun nëpër thasë t’lidhun. E  dolën, shkunë. T’u e kqyrë ate, pa e djegë mirë, po, pe kqyrim a po digjet. Kur pe kqyrim po krisë pushka, e unë po rri po kqyri, s’pe di çka po bahet. E plaka tha, “Ik more se po qet n’tye!” S’ma ngjiti, nëpër penxhere e ra plumi rra qikah, e ka gjetë Menduhija [mbesa]. Deri vonë e kam pasë plumin edhe në Shqipni. Eh tjetra krisi anena kah ahri, tri herë ka krisë. Kur hina mrena e po kqyri n’penxhere, ni kombi e patën. Hijnë te tanët n’ta e shkunë pa i therrë në kamë, e dogjën.

Çka u kanë tek u kanë, edhe gjykatës i kam thanë, “Nuk e di!” Dy herë u kanë gjykata këtu te une, borë bile u kanë atëhere, dy here u kanë ni gjyqtar. Njihere, tani për s’dyti here. Ishin ardhë prej Hagës ato dokumente. Kur e pashë, “Sylejman Çollaku a asht’ qështu, a asht’ e vërtetë?” M’kishin pasë thirrë në Krushe, n’Krushe m’kishin pasë thirrë, po po, kishin pasë thanë, “A mun vjen n’Prishtinë, a po vijmë na atje?” Thashë, “Jo, jo sun vij. Këtu muni me ardhë m’u përgjegjë. Ka thonë a muna m’u përgjegjë, muna, veç sun vij atje.

Kanë ardhë tashi ata me kerr tre gykatësit, dy gjykatës ishin konë, nji milic edhe tre gykatësa ishin konë, edhe ai shoferi, edhe ai gjykatësi, prokurori. Dy sahat e gjysë që kom nejtë qaty, e vetke, e kqyrke letrën a po përputhen qekjo me këto fjalë. E kish n’dorë letrën prej Hagës që kish ardhë, “Po,” tha,  “po përputhen, krejt po përputhen”. Dy sahat e gjysë valla, e na pruni këtu. Vet shkunë e ish bo bora shumë, po e kishin pasë ni drahmë që e shkyjke borën. Tani m’çunë n’ Krushë. N’Krushë ishin konë ata, jo këtu me ndejt. Aty n’Krushe m’çunë, hyna atje, po kallxojnë, e prokurori i kësaj po kallxon sikur e fola si tash qysh po thotë Shefqeti ose çika. Përkthyesi i mirë fort, thashë, “Mirë se kanë ardhë, me ymër [jetë] kofshin, me shnetë”, çka me iu thonë. Ai ia përkthei. Kur i kallxoi, ai u çu gjykata, u çu n’kamë. Tashi ja nisëm.

Kur jam ardhë prej Shqipnie, atëherë, bile furrën e kemi pasë n’Prishtinë me gjithë vëllaun. Nuk jena konë  bash n’rregull, me fjalë t’këqija e kisha, e nuk shkova ma atje hiç. Kam nejtë këtu kemi punu e në furrë ma s’jam konë, në furrë ma s’jam shkue. Veç kam punue, kam kositë deri ‘84-‘85 kom kositë. Po para tri vjete më erdh njifar marrje e mendve qysh me thanë, qysh kesh n’komë t’u u veshë, m’ka shku m’ka marrë euu, m’ka kthy në tjetër anë, e m’ka përplasë kah ormani anej. E isha kanë pas vra në unaza e ndishme e sot e atëherë ankohna n’to. Se jo, s’jom konë mo.

Download PDF