Shukrije Gashi

Pristina | Date: 14 shkurt dhe 21 mars, 2015 | Duration: 388 min.

M’kujtohet nji rast kur erdhi një burrë që të kërkonte ndihmën e saj për t’shkuar jashtë shtëpisë diku tjetër me qëllim që t’ndërmjetësonte ndonjë situatë, domethanë, ndonji ngatërresë, dhe unë kërkova që t’shkoj me të. ‘Nuk di’ tha, ‘Pse nuk je si moshatarët e tu tjerë? Pse s’interesohesh për lojnat e msimet, po insiston gjithmonë vjen futesh mrapa shpinës?’ Ashtu veproja {tregon me dorë pas shpinës}. Thash, ‘Po gjyshe s’e kom ndërmen kurgjo me bo, veç po rri qaty, as s’kom me çelë gojën, s’kom me folë hiç, veç m’le t’shoh çka po thojnë këta burrat. Pse po vijnë këta burra dhe po dojnë me folë me ty, po kanë dëshirë me folë me ty’. ‘Po nuk osht’ për fmi! Pse s’e kupton që nuk osht’ kjo punë për fmi’. Thash, ‘E di që s’sosht’ për fmi, por po m’bon përshtypje se… unë kom nejtë me shoqe tjera, me gjyshe t’shoqeve, unë s’i kom pa që burrat… ato kurrë s’përmenin që burrat vijnë edhe e pyesin një gru – Qysh duhet me ia ba kësaj pune?’. ‘Eh toka t’lshoftë, hajt!’ (buzëqeshë).


Jeta Rexha (Intervistuesja), Kaltrina Krasniqi (intervistuesja/ Kamerë)

Shukrije Gashi u lind me 22 maj 1960 në Prishtinë. Ish e burgosur politik, për mbi 20 vite punon në projekte në ndërtimin e paqes, dhe ka marrë pjesë në afër 400 raste të ndërmjetësimit. Studimet në degën e juridikut i kreu në Universitetin e Prishtinës dhe sot drejton Qendrën për Menaxhimin e Konflikteve – Partners Kosova.

Shukrije Gashi

Fëmijëria

 Shukrije Gashi: Unë quhem Shukrije Gashi, kam lindur me 22 maj 1960 në qytetin e Prishtinës në lagjen atëherë të qujtun Lagja e Bihagjit, Rruga e Bihagjit, tash mesa m’kujtohet osht’ emëruar Maliq Pashë Gjinolli. Jam rritur në nji familje relativisht të madhe, kemi qenë dhe jemi ende tetë fëmijë – pesë vajza dhe tre djem. Prindërit kanë vdekur. Pothuajse të gjithë jemi të martuar, me përjashtim të një vëllau i cili jeton në Holandë. Shkollimin fillor e të mesëm dhe të lartë i kam mbaruar në Prishtinë. Jam juriste me profesion dhe aktualisht punoj në Qendrën për Menaxhimin e Konflikteve Partners Kosova, jam drejtoreshë ekzekutive.

Në Kosovë ka qenë vështirë me pasë jetë normale, me ba nji jetë t’rahatshme siç e kanë pasur pjesa dërrmuese e qytetarëve të ish-Federatës Jugosllave. Ndoshta jo t’gjithë, po në disa republika ka pasë jetë më të mirë për qytetarët, si për shembull në… janë shquar dukshëm Republika e Slloveniskë, Koracisë, po edhe Republika e Serbisë. Kurse, Kosova, Maqedonia dhe pjesët e tjera nuk kanë pasë barazi as ekonomike, as sociale e mos t’flasim në veçanti për barazinë nacionale në Kosovë.

Kaltrina Krasniqi: Përpara se t’hyjmë aty Shuki, çfarë fëmije keni qenë?

Shukrije Gashi: Kam qenë një fëmijë kurreshtar mund t’them se sa rebele, më vonë kam fillu t’rebelohem. Jam rritë në nji famijle e cila ka qenë e njohur për të bëmat kombëtare edhe arsimore. Nji familje që ka qenë me nji gjendje mesatare ekonomike. Me babën i cili me mund t’madh ka arritë me siguru’ bukën, shkollimin dhe të gjitha nevojat tjera me i plotësu’ në familje. E kem pasë zdrukthtarinë tonë. Ai njëherit ka qenë edhe dru gdhendës, domethanë ka bërë, ka prodhu’ mobiliet të cilat ma shumë i ka gdhendë n’dorë, kanë qenë punim dore. Nëna ka qenë shtëpiake, kjo ka ndodhë edhe për faktin se familja nuk ka dashtë që t’bëhet pjesë e sistemit të ish-Jugosllavisë sepse qysh në fillimet e herëshme kanë qenë të përndjekun pothuajse të gjithë.

Babgjyshi ka qenë i njoftur poashtu për përfshirjet në lëvizjet nacionale të viteve të hershme, t’themi që nga vitet 1920 e tutje, bile ka pasë edhe miq në mbledhjen e Bujanit. Ka qenë edhe mik e shok i mirë me priftin françeskan Shtjefën Gjeçovi, i cili babgjyshit i cili osht’ qujtë Hysen Gashi, i’a ka dhanë edhe abetaren e parë në Gjuhën Shqipte n’atë kohë. Dhe, në këtë frymë natyrisht që kom pasë mundësinë që edhe unë të ushqehem të brymosem me ndjenja të pastra nacionale dhe arsimore.

Gjyshja poashtu osht’ e njohur në pjesën e Anamoravës për veprimtarinë e saj si ndërmjetësuese tradicionale. Domethanë, ka pasë nji konsideratë të madhe dhe respekt në mesin e burrave të cilët kanë qenë pajtimtarë n’atë kohë, të gjaqeve. Dhe ndonëse s’ka qenë e shkolluar, ka qenë shumë e formuar, edhe n’aspektin nacional edhe n’aspektin e infromacionit shkollor. A përcjellë edhe n’gjuhën shqipe, edhe n’gjuhën serbe të gjitha ngjarjet përmes radios, televizionit, domethënë mediat që kanë qenë atëherë në dispozicion.

Si fëmijë shpesh herë më ka rastisë ta ndëgjoj duke kënduar, bile m’kujtohet nji herë, derisa une po vizotja diçka se e kom nji talent për nji… të trashëguar nga familja, n’art. Derisa po vizatoja diçka në nji letër të bardhë, isha e vogël gjashtë vjeçare, ndëgjova se këndonte në ballkonin e axhës që kemi qenë shumë afër, domethënë na ndante vetëm nji mur, nji këngë për Mic Sokolin. Edhe mu natyrisht më bëri përshtypje, dola n’dritare edhe u përpoqa që mos ta pengoj. Në nji moment, ajo e hetoi që isha aty, domethanë e ndjeu praninë teme edhe e ndërpreu këngën edhe m’pa me habi. “Hajt,” tha “vazhdo çka ke qenë t’u ba, pse… çka dole n’dritare?”. Thash “Po, m’bani përshtypje,” thash “kush osht’ ky Mic Sokoli?”. Edhe e lash une ashtu siç kam qenë, domethanë duke vizatuar, e lash letrën edhe lapsin edhe me vrap kalova përmes deriçkës ato dera… dyertë e vogla, derë e vogël n’anën tjetër. I ngjita shkallët me vrap edhe u ula e pyta. “Pse po ngarkohesh me kte, çka t’duhet?”, thash “Se pata ndërmend me t’pytë, po vet fillove me këndu’ edhe m’bani pështypje”. Filloi me m’tregu’ që ishte një hero kmbëtar që i kishte dhanë gjoksin topit, për të mbrojtë shqiptarët nga armiku atëhere otoman, turq.

E kështu me rradhë domethënë, jo vetëm gjyshën po edhe nënën e kom, m’ka rastisë edhe ta shof ndonjëherë duke qarë, edhe atëhere nuk e kam ditur pse po qan. M’kujtohet me nji tast, tash vonë m’u ka kujtu’, bash vonë tek po shkurtonte dru, prente dru, ne i thomë shkurtonte me gjuhë popullore, n’oborr… dy herë kështu me rradhë e ngriti dorën {bën sikur po fshin ballin} edhe i fshiu djersët e lotët me shpindë të dorës. Mendova ta pys a mos ta pys pse po qante, edhe vendosa mos ta pys. Më vonë mandej kam kuptuar që ajo kishte pasur një jetë shumë të vështirë si fëmijë, sepse poashtu vinte nga nji familje e cila ishte, kishte qenë e përfshirë në aktivitete për çlirim kombëtar dhe njerëzor. Më tregoi që… vonë masi që e kom ba nji moshë madhore, që kur ishte dy vjeçe e gjysë, gati tri ashtu t’themi xhandarmëria serbe në praninë e saj i’a kishin vra babain. E më vonë në mënyrë mizore me nji lloj thike t’madhe, atëherë i kanë qujtë kacatura, nuk e di bajoneta sigurisht mund t’ketë qenë. I kishin pre si kafshët. Dhe kjo ishte rritë jetime thotë “Unë përpiqesha që t’ofrohesha për ta parë më afër babën derisa po jipte shpirt, me ni moment e ktheu kokën nga unë e më pa dhe i tha nanës “Hanife, t’lutem largoje atë çikë mos t’msheh”. Edhe mandej” thotë, “gjithë jetën m’ka përcjellë kjo pamje e shëmtuar”.

Domethënë, Kosova nuk osht’ që e përjetoi luftën e fundit në vitin 1999, po Kosova kish qenë në një robni të gjatë gjatë gjithë ekzistencës, dhe populli shqiptar vazhdimisht ishte përplasë dhe kishte heqë të zijtë e ullirit deri në luftën e fundit. Domethanë kjo ndodhi gjeneratë pas gjenerate. Dhe regjimi serb nuk pushoi në përndjekjen e familjeve të cilat ishin të shënjuara për pushtetin si familje të rrezikshme ngase ato ishin të vetëdijshme se çfarë po ndodhte n’Kosovë, pse shkileshin të drejtat e shumicës shqiptare dhe çfarë kishte ndodhur gjatë gjithë historisë. Domethënë të njejtat familje gjatë gjithë historisë vazhdimisht janë përndjekur, ju osht’ pamundësuar që të kenë çasje në shkollim të barabartë, çasje në punësim të barabartë dhe liri e beneficione të tjera të cilat i gëzonin pjesa tjetër e qytetarëve madje edhe shqiptarëve në qoftë kishin rastisur që t’ishin të afërt me regjimin.

Në këto rrethana edhe pse muj me thanë familja ishte në përcjellje të vazhdushme, në mbikqyrje të vazhdushme të pushtetit. Kam qenë e rrethuar me ngrohtësi dhe dashuri t’madhe familjare. Edhe nga babai edhe nëna dhe me gjyshen me t’cilën kam qenë shumë e lidhur. M’kujtohet herë pas herë kur burrat n’moshë mesatare dhe të shtyer me mustaqe të mëdha me qeleshe, vinin për t’u këshilluar me te se si t’mund t’i zgjidhnin rastet e ndryshme, ngatërresat, rreth mexhave, çështjeve të ndryshme.

M’kujtohet me sa entuziazëm ju fliste ajo që këto raste duhet bërë çmos për t’i zgjidhur dhe pajtuar n’mënyrë që shqiptarët t’jenë më unikë dhe t’lidhen më shumë mes vetit sepse thonte më shumë sesa problemet që i kem mes veti, duhet të përqendrohemi në armikun e përbashkët, regjimin serb sepse vetëm kështu shpresojmë që një ditë do t’mund t’ia dalim t’çlirohemi dhe t’jetojmë të barabartë me popujt e tjerë.

Osht’ interesant se gjithmonë, gjithmonë e ka bërë një ndarje të qartë n’mes të regjimit dhe popullit qytetarëve, ate gjithmonë e ka theksu’, sepse thonte që nuk ka popuj të bardhë dhe të zijë. Ka regjime të zeza dhe të mira. Dhe kjo pastaj mu m’është ngulitur tërë kohën që ajo ka pasur të drejtë sepse gjërat do t’shihen kështu. Fatkeqësisht, edhe për fatkeqësinë e pjesës shqiptare, domethënë popullatës shqiptare, po edhe asaj serbe, rezhimet serbe prej ekzistencës së tyre në këto troje vazhdimisht kanë qenë rezhime fashiste dhe që kanë shkaktuar dhe provokuar luftëra në Ballkan dhe kjo mandej për aq kohë sa është mbjellë kërkon edhe kohë që të çrrënjoset, të shmbjellet, dhe me siguri edhe ka krijuar që t’them një mur psikologjik tejet i cilit, është vështirë ende që popullata serbe t’i shof qartë se çfarë ka ndodhë në histori me popujt tjerë, dhe me ndryshimet e përvetësimet e ngjarjeve historike në Ballkan.

Kjo që e thash për gjyshen m’ka ndihmuar shumë që mandej në rrugën time jetësore si Shukrije individualisht por edhe si intelektuale t’jem e qartë në çasjen karshi shumicës e pakicës. Domethënë që mos ta ngatërroj popullatën me regjime. M’kujtohet nji rast kur erdhi një burrë që të kërkonte ndihmën e saj për t’shkuar jashtë shtëpisë diku tjetër me qëllim që t’ndërmjetësonte ndonjë situatë, domethanë ndonji ngatërresë, dhe unë kërkova që t’shkoj me të. “Nuk di” tha, “pse nuk je si moshatarët e tu tjerë?

Pse s’interesohesh për lojnat e msimet, po insiston gjithmonë vjen futesh mrapa shpinës”, ashtu veproja {tregon me dorë pas shpinës}. Thash, “Po gjyshe s’e kom ndërmen kurgjo me bo, veç po rri qaty, as s’kom me çelë gojën, s’kom me folë hiç, veç m’le t’shoh çka po thojnë këta burrat. Pse po vijnë këta burra dhe po dojnë me folë me ty, po kanë dëshirë me folë me ty”. “Po nuk osht’ për fmi! Pse s’e kupton që nuk osht’ kjo punë për fmi”. Thash, “E di që s’sosht’ për fmi, por po m’bon përshtypje se… unë kom nejtë me shoqe tjera, me gjyshe t’shoqeve, unë s’i kom pa që burrat… ato kurrë s’përmenin që burrat vijnë edhe e pyesin një gru ‘Qysh duhet me ia ba kësaj pune?’”. “Eh toka t’lshoftë, hajt!” (buzëqeshë).

Edhe, e fillumë bisedën mandej, burri që kishta hallin i tha që nuk di se si do t’ia bajmë, unë nuk po ngurroj me thanë që “Eja!”, po nuk kom mundësi mandej me t’kthy. Gjyshja i tha, “Ndëgjo, e mira s’mirës është që nji herë unë ta marr informatën ngjarjen prej teje se për çka osht’ fjala. Edhe pastaj, pasi që ta kryej me ty, ta informoj përmes dikujt tjetër,” se ashtu ndodhte atëhere që i dërgonin burrat me shku nga nji katun në tjetrin, ose fshat me bisedu me palët veç e veç, sepse kanë pasë frikë ndërmjetësuesit se po i solle menihere ata përsëri do t’konfrontohen të dy palët. Edhe pasi që ishte fjala një mexhë arash, pasi që dhe kishte ndodhur plagesë domethanë, ashtu quhej, ishin plagu mes veti kështu që s’kishte ndodhë ndonjë gjë më e rëndë që vdisnin njerëzit. Mirëpo kishin kalu vite të tëra dhe pala e cila e kishte shkaktu domethanë plagesën e madhe, mo s’kishte çasje në punën në arë dhe jetonte në izolim të rëndë me gjithë familjen.

Pasi që e ndëgjoi me kujdes, i tha, domethënë iu drejtu edhe i premtoi që do ta dërgonte dikend për ta takuar edhe palën tjetër. Mu m’bëri përshtypje që gjatë gjithë kohës sa bisedonte me burrin, kohë pas kohe gjyshja pushonte dhe i lente hapësirë të mjaftushme për të deklaruar, nuk e ndërprente asnjëherë në bisedë. Asnjëherë nuk e ndërprente dhe natyrisht që më vonë e kam pytë pse ishte kjo kështu. Dhe mu përgjigjë, “Po për t’i kuptuar hallet e tjetrit drejtë, ti duhet të përqendrohesh n’ate çka po thotë pala që e ki përballë, jo çka ti e ki ndërmend me i thanë”. Domethanë detalet t’cilat më vonë kur jam trajnuar në çështjet e ndërmjetësimit themelor dhe atij të avancuar kam kuptuar se ndonëse aktivistët për pajtimin e gjaqeve, ndërmjetësuesit tradicionalë shqiptarë nuk kanë kaluar nëpër trajnim modern bashkëkohor, ecuria e procesit ka qenë pothuajse plotësisht e ngjashme, vetëm se s’ka qenë e emëruar me faza.

Mirëpo, kështu veprohet edhe me ndërmjetësimin modern.

Ka pasë edhe raste të tjera, dhe gjithashtu m’ka ba përshtypje që gjyshja kurrë nuk ka folë për veten e saj, për përvojën e tmerrshme që ka pasë si fëmi por edhe si e rritun, përsëri po e them për shkak të regjimit. Ajo e ka pasë një përvojë të hidhun me një vëlla i cili në moshën 9 vjeçare ka ikur nga shtëpia për shkak të përndjekjes dhe nuk osht’ lajmrua për një kohë t’gjatë. Dhe thotë, gjyshja tregonte që e ëma, nëna e saj diq duke vuajtuar për te tanë jetën. Kohë pas kohe, dikush domethanë nga rrethi u ka treguar që në një ça t’them kodër, vazhdimisht e kanë futë ate në një thes bashkë me një macë xhandarmëria dhe e kanë majtur me një litar nga lartë duke e torturuar ashtu në mënyrë që vujtjet të jenë të mëdha dhe sigurisht ka qenë përfundimi që ai edhe ka vdekur.

Ajo po ashtu më pat treguar që rastësisht ka ndodhë që t’jetë në afërsi të vendit të quajtur Strelishte, apo vendit ku janë pushkatuar një pjesë e madhe e shqiptarëve në taukbahçen e sotme, dhe kur thonte që ditën e nesërme shkonte gjaku si lum nga ajo pjesë. Ajo ka qenë poashtu dëshmitare e ngjarjeve të tjera të mëdha. Arrestimeve të shumta dhe vrasjeve që Aleksandër Rankoviç i ka ndërmarrë duke i shtyer me dhunë që shqiptarët të blejnë një pushkë, dhe ajo pushkë për shkak t’dhunës të shitet me dhjetëra herë dhe në ndërkohë ata të vriten ose persekutohen e rrahen për vdekje.

Një rast të tillë kështu gjyshja e tregon kur dikush nga rrethi qenësor apo familjar ka tregu që familja jonë e ka pasë abetaren e parë të cilën e përmenda më heret. Dhe atëherë ne e kem pasë një han, një bujtinë. Gjyshi ka qenë tregtar, osht’ marrë domethanë me tekstil edhe gjëra ushqimore. Dhe, ndërsa një i tjetri i ka treguar gjyshit i ka thonë që, “Shiqo Hysen, duhesh ta gjesh dikën që sa më shpejt t’shkon deri te shtëpia dhe t’i lajmron se xhandarmëria janë ba gati dhe kanë me ardhë me bastisë edhe hanin edhe shtëpinë”. Edhe gjyshi e ka gjetë, se ka pasë miq shumë, e ka gjetë dikën që shpejt ka mrri me shku me lajrmu gjyshen, dhe gyshja nga hutia edhe stresi se në çdo moment mundem me arritë domethanë xhandarët, iu ka dukë që rruga ma e shkurtë është zjarri edhe e ka hedhë në zjarr, n’oxhak domethanë. Ashtu ka përfundu, osht’ djegë ajo abetare për t’cilën ka folë tanë jetën. Sa herë që ka folë për atë abetare, gjithmonë ka qajtë.

Ndërsa, m’ka treguar që thash edhe më heret e ka pasë me priftin Shtefjan Gjeçovi, i cili ka vepruar në rrethin e Prizrenit në Has dhe në Zym. Ka shërbyer edhe në vende të tjera dhe ka qenë një ndër intelektualët dhe patriotët e mëdhenj të kombit shqiptar. Nuk ka qenë vetëm një prift i thjeshtë. Fëmijëria ime ka qenë e mbushur me plot ngjarje të tilla të cilat mund t’them lirisht ma kanë pasunu jetën time sepse përveç mundësisë që t’dal dhe t’loz me moshatarët e mi edhe në oborrin e shtëpisë tonë i cili ka qenë i madh, dhe kem pasë kopshtin bahçen me pemë të ndryshme. Për mu ka qenë atraktive sepse gjithmonë aty ka qenë i lidhur ndonjë kal ose kafshë tjetër të cilët kanë ardhë aty për shkak të fshatarëve nga largësitë e ndryshme që ndinin siguri edhe liri për t’i lënë aty edhe për t’u shërbyer me ujë edhe ushqim e gjëra të tjera që kanë pasë nevojë. E kjo ndodhte sidomos ditëve të pazarit që ka qenë ditë e martë. Edhe për faktin që rruga ku kem jetuar ka qenë afër tregut kryesor, tregut të gjelbërt. Dhe kështu kam parë ngjarje të ndryshme, episode të ndryshme.

Bile, më ka rastisë si fëmijë të jem e pranishme edhe kur ka ndodhë një vrasje që ka qenë një përvojë shumë e randë, kom qenë shumë e trishtuar. Derisa po qëndroja para dyerve të hyrjes, shof një djalë i ri i cili sigurisht mund t’ketë qenë dikun afërsisht po e them 23-24 vjeç me flokë kaqurrela ashtu. Vraponte n’drejtim të tregut por nuk e dija pse. Edhe krejt ashtu i lemeritur i trishtuar, dhe derisa ai po vraponte e pash një burrë të shtyer në moshë i cili kishte një problem me këmbën por mbante armën në dorë, revolen dhe në ndërkohu shtiu disa herë dhe e vrau. Meqë ishte rruga e tregut aty, u grumbulluan shumë veta edhe axha im po ashtu punonte në puntorinë tonë që e kem pasë zdrukthtarinë, doli dhe i luti njerëzit që të largoheshin. Ai kërkonte ndihmë, kërkonte ujë, ai u fut në oborr, morri një gotë me ujë n’çesme dhe ia dha ujin, dhe vdiq. Ishtë përvoja, ballafaqimi i parë me një rast të tillë, kurse ai burri që e kry këtë akt mizor kërkoi që t’futej brenda tek ne. Axha i tha, “Si të duash, por është më mirë t’lajmrohesh se s’ke ku shkon”. Edhe mandej mësova më vonë që ishte lajmruar. Domethënë ishte një udhëkryq ku mundësitë për t’pa detaje të tilla edhe t’mira edhe t’kqija përvoja ishin të mëdha.

Në të njëjtën rrugicë, po ashtu m’kujtohen ngjarjet e vitit 1968, demonstratat e këtij viti ku kam parë shumë t’rijë duke vrapuar madje edhe t’plagosur. Dhe, një nga të plagosurit ishte edhe djali i axhës t’madh dhe një djalë i hallës të cilët pas përfundimit të demonstratës në mbrëmje erdhën që t’strehoheshin te ne. Një ditë para se t’ndodhte demonstrata, në fakt edhe ditë tjera dëgjoja kështu copa t’bisedave që zhvilloheshin n’mes gjyshës, axhallarëve dhe djemëve t’axhallarve e motrave që pritej të ndodhte diçka e tillë, domethënë që do t’zhvillhej një demonstratë e madhe në Prishtinë dhe Kosovë. Madje e pash edhe babain i cili përgatiste shtizat e flamujve dhe ndonëse isha fëmi tetë vjeçare, kisha interesim t’madh që edhe vet t’merrja pjesë në këtë ngjarje. Edhe pse ende nuk e kisha t’qartë çka ishte puna aty, çka do t’thotë të demonstrosh, çka jonë demonstratat.

Edhe ashtu siç e thash, siç kam qenë kurreshtare, lirinë e kam ndje gjihthmonë që ta pyes gjyshën. Thash, “Nuk e di gjyshe çka është puna e ktyne burrave që po vijnë këtu mëngjes e mbramje. Edhe nuk di, i kam pa babën e do shokë t’tij që kanë gdhendë do shkopinjë”, unë s’e dijsha që i thojshin ashtu shtiza, po shkopinjë. “A t’kam thanë se nuk t’le Zoti rahat me punët e tua, e vogël je ti, duhet t’kujdesesh për msime e t’dilsh me moshatarët e tu t’knaqesh ta gëzosh jetën. S’jonë këto punë për ty”. Thash, “Po, p’e di pse atëherë, po du me ditë pse po ndodhin”. “Pse po ndodhin, kur t’rritesh e merr vesh”. Edhe një natë para se t’ndodhte domethanë demonstrata, ata përsëri u mblodhën të gjithë aty, katër axhallarët bashkë me babën, djemtë e axahllarëve edhe motrat, edhe gratë e vajzat që ishin n’moshë më të rritur që t’bisedonin rreth organizimit që t’ishin në gjendje gatishmërie edhe për të ndihmuar të tjerët. Dhe përsëri nuk kam shku me ra n’gjumë po u futa mrapa krevatit, kauqit për ta përcjellë bisedën (qeshë). Edhe aty m’ka zanë gjumi sepse më interesonte të di se çka po ndodhë. Sigurisht ma vonë ata kur janë shpërnda m’ka marrë motra e cila ishte më e madhe nga unë, e dyta dhe kur m’doli gjumi pyta ku janë tjerët, e tha “Ku je ti? Pse s’ke shku me ra si t’thanë tjerët me shku n’gjum”. “S’shkova se m’interesonte me ditë pse jonë mbledhë këta burra e gra, çka po ndodhë”. “S’asht’ punë për ty, hajt se mirë bahet. Shif punët e tua, mso, me rëndsi osht’ që ti t’msosh, me rëndsi osht’ shkolla, duhet me kry shkollën. Lej këto gjana, s’janë për ty”.

Edhe nga dëshira për me ditë çka po ndodhë, nuk m’ka zanë gjumi, s’e kom vazhdu gjumin. Të nesërmen n’ora gjashtë domethanë ka ra zilja, kom dalë shkallëve para gjyshes (qeshë) për me pa se kush osht’. Edhe e pash që erdhën shumë burra edhe i bartnin flamujtë bashkë me shtizat. Më vonë kanë fillu thirrjet edhe kom dëgju vrapet për t’iu bashkangjitur demonstratës. Ashtu siç e thash kohë pas kohe dëgjoheshin edhe të shtënat, edhe kem pa, jo veç unë po edhe motrat e mia. Edhe ato nuk ishin kushedi sa më të vjetra se une, me përjashtim të motrës së madhe dhe të dytë. Ne kem bërë përpjekje që ndonëse ishim të vogla që t’i bashkangjiteshim por nana dhe gjyshja nuk na lejuan. Shiqonin nga dritarja para dyerve të shtëpisë. Kanë pa sesi dikush edhe nga dy vetë ndihmonin të tretin që kishte mundime ose kanë qenë të plagosur që ishin larguar nga demonstrata. Si dhe dëgjoheshin thirrjet.

Dihet se demonstrata e ’68-tës ka qenë ma shumë e dedikume për të drejtën për ta mbajtur flamurin kombëtar, për ta përdorur atë. Domethënë dikur në orët e mbrëmjes siç e thash edhe ma heret, djemtë dhe të rriturit e tjerë që ishin kthy nga demonstrata filluan me ardhë një nga një. Dhe në një moment t’caktum pash se motra e ime e dyta me rradhë përpiqej ta ndihmonte një nga djemtë e axhës, i cili mbante në krah, me dorë rreth qafe, djalin e hallës së madhe i cili ishte plagosur dhe me një faculetë ia fshinte gjakun i cili i shkonte, i rridhte nga koka përgjatë fytyrës. Dhe, në ndërkohë kuptova që kjo puna e demonstratës nuk ishte ndonjë aktivitet për moshën time atëhere as i kuptushëm e as i mirë sepse vetë me veti ashtu e mendoja, po kushtoka me gjak dhe torturë. Dhe më vonë u përoqa që t’marr vesh për çka ishte fjala meqenëse edhe të gjithë familja, e gjithë familja ishte e shqetësuar. Të gjithë këmbenin biseda rreth kësaj çështje, kuptova se shqiptarët po demonstronin për liri dhe të drejta më të mëdha duke përfshirë në veçanti përdorimin e flamurit kombëtar në festa, raste të ndryshme shtetënore e kështu me rradhë.

Me këtë përvojë jo të mirë, për popullin shqiptar mandej u rrita edhe me t’thanë të drejtën meqenëse isha kurreshtare shumë, fillova edhe t’lexoj shumë duke përfshirë edhe libra të cilët ishin të ndaluar në atë kohë të cilët dilnin në Kosovë nga jashtë, dorë pas dore. Dhe, të cilët ne duhej që t’i lexonim shpejt e shpejt. Shpesh herë ka pasë kërkesa që duhet ta lexosh deri ditën e nesërme. Ta përfundosh gjatë natës dhe pastaj që i njejti libër të shkon dikujt tjetër në mënyrë që njerëzit të vetëdijesoheshin që çfarë po ndodhte në Kosovë, pse shqiptarët duhet të ishin më vigjilentë, më unikë; pse shqiptarët duhet të shkolloheshin më shumë; pse ekzistonte pabarazia nacionale dhe njerëzore në Kosovë; pabarazi ekonomike dhe gjëra të tjera, domethonë, kështu kam filluar nuk dua ta teproj, nga mosha nëntë vjeçare domethanë në mënyrë intensive që t’interesohem për çdo ngjarje. Ndërsa, shokët e shoqet moshatarë që i kisha loznin në oborrin e shkollës, une ose kam lexuar ose kam përcjellë me vëmendje Kukësin, emisionet për shqiptarët jashtë atdheut, Tiranën, lajmet në gjuhën shqipe dhe serbe.

E kam mësuar atëhere, qysh atëhere gjuhën serbe sepse gjyshja edhe babai edhe nëna i pëcillnin me t’madhe për t’qenë n’rrjedhë, n’dijeni për t’parë se çka po i përgatitej Kosovës si ça t’them ndërmarrje e rradhës për t’i shtypë shqiptarët. Dhe kështu, përqendrohesha të bëhem ma historike në ngjarjet deri tek interesimi që shtrihej edhe me kontaktet me njerëz të tjerë të cilët ishin edhe jashtë Prishtinës edhe nëpër fshatëra. Edhe kur kam shku në fshat tek dajët, une edhe me dajët kom bisedu gjithmonë se çfarë ka ndodhë atje pse osht’ vra babgjyshi, pse osht’ vra për shembull daja tjetër, dy dajallarët tjerë, pse një dajë i osht’ bashkangjitë Ballit Kombëtar, dhe gjëra të tilla të cilat u kanë ba shumë përshtypje. “Pse kjo çikë kështu?” i kanë thanë gjithmonë nanës, “Pse osht’ Shuki kështu, pse i interesojnë këto gjana? Nuk osht’ si fëmitë e tjerë që del me lozë me të tjerët”. Noshta po them ka qenë edhe nuk e di edhe si përvojë sepse isha shumë e afërt edhe ajo këto biseda i ka pasë n’rradhë t’parë, gjithmonë osht marrë me këto çështje. Mandej kam pasur edhe si fëmi një afinitiet që t’merrem me poezi edhe me shkrime…

 

Rinia

Shukrije Gashi: Kam filluar edhe në moshë t’re t’merrem edhe me gazetari. N’ato rrethana për shkak të… se familja siç thashë ishte në shenjestër të regjimit, e konsideruar si familje nacionaliste, për ne edhe mundësia e punësimit ka qenë shumë e vogël. Duke e ditur këtë, ndonjiherë edhe as s’kam menduar se duhet t’aplikoj sepse e kam ditë paraprakisht që nuk do t’punësohem. Megjithatë jam marrë me shkrime dhe kam botuar në, domethanë, gazetat javore, dyjavore të ndryshme, siç ka qenë edhe “Zëri“, “Bota e Re”, “Kosovarja”, e të tjera që janë shumë. Shpesh herë me pseudonim sepse nuk botoheshin.

Më vonë, si studente iu jam bashkangjitur demonstratave. Pastaj edhe me ndihmën e një shoqeje e cila tash jeton në Zvicër, një veprimtare e njohur e çështjes kombëtare, Saime Isufi. Është motra e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufit. Meqenëse ajo ka qenë edhe shoqe e motrës sime, Nafijes, ka ardhë shpesh në familjen tonë, ka qëndruar me netë të tëra. Shpesh herë kemi bërë edhe biseda rreth nevojës që të rinjtë e Kosovës, edhe gratë, vajzat edhe burrat, të gjithë duhet që t’organizohemi dhe t’bëjmë përpjekje të mëdha për t‘dalë nga zgjedha e robnisë, sepse Kosova në fakt ishte e robëruar.

Nëse kushtetuta e vitit ’74-të ka bërë ndryshime dhe ka pasë përparësitë e veta, megjithatë Kosova edhe më tutje nuk është trajtuar si element, atëherë që është qujt konstituiv i Federatës. Dhe, përndjekja nga regjimi ndaj shqiptarëve ka vazhduar edhe më tutje. Fatkeqësisht, edhe me këtë kushtetutë, edhe me mundësitë që u krijuan që të bëhej, të zhvillohej një bashkëpunim me shtetin amë, me Shqipërinë, një pjesë e zyrtarëve shqiptarë, atëherë që bashkëpunonin dhe i shërbenin qeverisë së Serbisë, po të njejtit, familjet të cilat ishin në shënjestër nuk i harruan asnjëherë. Përkundrazi, represioni herë – herë mbi sipërfaqe, e herë – herë jo, ka qenë vazhdimisht i pranishëm.

Si studente, tash për shkak edhe të vetëdijësimit më të madh, sepse tash ma fatmirësisht gjuhën angleze e kam njohtë qysh herët. Jo pse më është dhënë mundësia që t’dal jashtë ta mësoj dikund tjetër, mirëpo kam pasë interesim vetë. Dhe duke iu falenderuar edhe babait i cili ka bërë shumë që ne t’përgatitemi me shkollim. Natyrisht edhe ka punuar dhe siç e thashë standardin jetësor nuk e  kemi pasë edhe aq të keq, sepse zdrukthtaria ka ofruar mundësi të mëdha. Ai ka qenë edhe i punësuar një kohë të shkurtër në fabrikën atëherë që quhej “Kosovo Drvo” e cila merrej me prodhimin e mobilieve. Mirëpo për shkak të qëndrimit të tij karshi politikës atëhere jugosllave e serbe, është dashur që t’largohet nga puna. Edhe më vonë e kam mësuar që domethënë kjo ishte arsyeja që ndonëse ai merrte pagë të mirë, ka vendosur që t’mos e vazhdoj punën sepse kushtëzohej pastaj edhe me shërbime të tjera.

Sidoqoftë, meqenëse ishim siç thashë tetë fëmijë, nuk ka qenë e lehtë që t’siguroheshin kushte për t’gjithë. Por, ai gjithmonë na thoshte që “Për çështje të arsimimit mos hezitoni asnjiherë me kërku ndihmën time”. Dhe kështu ma ka mundësuar që edhe domethanë t’i kryjë disa kurse të anglishtes, por edhe kam pasur ndoshta literaturë e fjalorë më shumë se që ka pasur dikush tjetër për t’studiuar. Sepse edhe interesimi im ka qenë i madh kështu që m’kujtohet edhe si fëmi që poezitë e mia i kam përkthyer në gjuhën angleze, qysh atëherë. Natyrisht, që nuk ka qenë njësoj sikur që ishte mundësia që t’shkohet jashtë e t’mësohet direkt gjuha. Megjithatë, me angazhim të madh kam arritur që t’jem një njohëse solide e gjuhës angleze.

Shkrimin e poezive dhe të prozës, e besa edhe të artit e kemi një trashëgimi familjare. Kam qenë fituse e vendit të parë për tri herë me radhë, edhe nga Kosova, po në një garë që domethanë ka pasur garuese edhe nga ish-Jugosllavia, me art, me punime t’artit. Këte dhunti e kanë pasë pothuajse të gjithë, vëllezërit e motrat. Edhe sot e kësaj dite, disa e vazhdojnë e disa jo. Njëri nga vëllezërit, ju thashë Bajrami [Lami] i cili jeton në Holandë, ai edhe e ushtron edhe më tutje. Domethanë ka mbaruar artin.

Kurse të tjerët, ne të tjerët e kemi pasur më shumë si hobi. Unë, shpesh herë kam dashtë që thjeshtë t’mos e përzgjedh juridikun, por artin, por ka qenë babai cili m’ka thanë që, “Këtë mund ta kesh si hobi të dytë, domethanë si interesim të dytë, mirëpo nuk t’kisha thanë që artin ta kesh, ta shohësh si një mundësi prej së cilës mund t’jetosh në të ardhmen. Sepse, është një vend ku nuk i kushtohet rëndësi artit. Dhe s’do t’ketë përfitime nga arti. Si dëshirë po, patjetër, por si mundësi për punësim nuk besoj se ka me t’ofru shumë mundësi për t’mbijetuar, sidomos jo n’Kosovë”.

Edhe ashtu e ndëgjova, dhe ashtu doli. Domethënë, studiova juridikun dhe qysh si studente nuk kam lanë rast kur ka pasë ose studenta ose të rinjë si shumicë ku nuk jam angazhuar që t’flas për shkeljen e t’drejtave t’njeriut, rrethanat historike, zhvillimin jo të barabartë social e ekonomik të shqiptarëve, e vazhdimisht me përqendrim në çështjen gjinore. Fokusin e kam pasë ose përqendrimin te  gratë. Gjithmonë e kam ditur që, edhe për shkak të përvojës që kam pasur marrë nga familja, nga gjyshja në veçanti, e cila thoshte gjithmonë, “Gratë, vajzat shqiptare duhet që të shkollohen në mënyrë që t’mund të krijojnë hapësinë për veti, për t’drejtat e tyne. Përndryshe do t’mbeten shtëpiake dhe gjithmonë nën thembrën e burrit”. Dhe kjo më është ngulitur në kokë dhe përmes kornizës t’themi kështu kombëtare t’veprimit, jam përpjekur që të zgjoj vetëdijen tek burrat dhe tek gratë, por tek burrat më shumë, që pa gjysmën tjetër të popullatës, e cila është gruaja, nuk do t’ketë ndryshim përmbajtësor dhe të qëndrushëm të gjendjes në Kosovë.

Dhe, vazhdimisht kam biseduar me gratë dhe vajzat që fillimisht nuk është mirë që thirremi me drejtat e grave sepse do t‘krijojmë një hendek me burrat nga të cilët varet kjo e drejtë e jona. Por n‘emën të nismave, të angazhimit për çështjet kombëtare, t’krijojmë hapësirë edhe për çështjen gjinore. Dhe natyrisht kjo doli që ishte si ide e drejtë, se pak nga pak me angazhimin tonë të shumëfishtë, ne arritëm që t‘krijojmë… ta ndryshojmë mendimin, pikëpamjet tek burrat, se gratë janë të dobishme vetëm në shtëpi, mund t’i kryejnë punët e shtëpisë dhe tek-tuk profesione të cilat nuk janë shumë t’rana. E sidomos jo, domethanë të merren me çështjet e mëdha, siç ishin organizimet politike, demonstratat, pjesëmarrja në nivelet e vendimmarrjes, e situata të tilla.

Domethënë, gradualisht, ata e panë, filluan me u bindë që gratë janë të dedikuara dhe mund të bëjnë, ndonjëherë bile edhe më shumë se sa burrat. Duke e ditur që veprimet e grave, përveç nga pushteti i cili përpiqej në çdo mënyrë që t’i ndante nga veprimtaria për çështjet kombëtare, në të njejtën kohë, ne vështirësitë si gra i kishin edhe nga ana e mentalitetit tradicional t’burrave. Dhe, thënë të drejtën, veprimet, veprimtarinë që e kemi kryer, e kemi bërë me shumë kujdes. Me kujdes të shtuar në mënyrë që mos t‘ndodhë në asnjë rast që ne ta bëjmë ndonjë lëshim, e që pastaj burrat t’kenë shkas t’thonë, “Epo qe, dihet se femrat janë të dobëta dhe s’mund t’merren me këto punë”.

Viti 1974, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës atëherë për Krahinën Autonome Socialiste të Kosovës, filloi  me i dhanë frytet e para të cilat u reflektuan dukshëm në përmirësimin e të drejtave edhe njerëzore por edhe të drejtave gjinore e kombëtare. Sidomos, e randësishme ishte çështja e hapjes së kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë për bashkëpunim. Si rrjedhojë e kësaj, pastaj edhe mundësia që në nivelin e shkollimit të mesëm dhe të lartë që të shkëmbeheshin edhe përvojat por edhe të krijoheshin domethanë përvoja më të mira për Kosovën. Dhe pastaj edhe në nivelin e kulturës e kështu me radhë. Por edhe mundësia që për historinë e Kosovës dhe represionin i cili n’Kosovë ekzistonte që nga ekzistenca e vet regjimit serb në këto troje, ishte domethanë më e  madhe.

Në të njëjtën kohë, vetëdijësimi i shqiptarëve, domethanë edhe i burrave edhe i grave, hapi horizontin për mundësinë që t’fillohet t’mendohet edhe për ndryshime në përmbajtjen e statusit t’Kosovës që pastaj t’kërkohej edhe mundësia për themelimin e Republikës së Kosovës. Megjithate, ende në mesin e qytetarëve ekzistonte hezitimi për shkak të represionit të madh si dhe për shkak të bindjeve. Thashë që atëherë, në ato rrethana kanë ekzistuar edhe dallimet klasore dhe sociale. Dhe këto dallime klasore e sociale kanë bërë që t’ekziston hendeku në mes të këtyre shtresave dhe që t’mos krijohet menjëherë gatishmëria për reagim, për protesta qytetare, për aktivizëm qytetar. Por që kjo ka ndodhë më shumë në grupe të vogla dhe më shumë në mesin e familjeve të cilat janë njohur dhe kanë pasë një besim të themeluar qysh herët.

Mirëpo, ajo pjesë e vetëdijshme e qytetarëve, të rinjtë, sidomos studentët e Kosovës dhe profesorët e morën përsipër barrën që këtë vetëdije e cila ekzistonte e shkapërderdhur në shtresa klasore dhe sociale, ta unifikonin dhe që kjo pastaj të shpërndahej tek të tjerët. Kjo ka ndodhë në forma të ndryshme. Domethanë, përmes shpërndarjes së materialeve të cilat kanë qenë pamflete, komunikata, pastaj revista të ndryshme siç ka qenë, “Zëri i Kosovës”, “Zëri i Lirisë” e gazeta të tjera të cilat… “Lajmëtari i Lirisë” e kështu me radhë, të cilat shtypeshin jashtë Kosovës, në Zvicër dhe vend të tjera, që të silleshin në Kosovë dhe pastaj që këto të shpërndaheshin në popull, në mënyrë që t’fillonte një përgatitje për një reagim eventual, në mënyrë që të bëhej përpjekje që të ndryshohej gjendja në Kosovë, qoftë në aspektin politik, qoftë në rrafshin social e ekonomik.

Përveç shkeljes së të drejtave politike, domethanë ne gjithashtu si rini kemi qenë të interesuar që shumë të mësojmë dhe t’gjejmë informacion rreth pasurive t’Kosovës. Dhe, natyrisht kemi kuptuar që po t’ishte Kosova republikë, me kapacitetet pasurore që i kishte në natyrë do t’mund të mbahej dhe të ishte e barabartë edhe me republikat e tjera, madje bile edhe këto prodhimet e veta t’i shiste edhe jashtë Kosovës, domethanë në rajon dhe në Evropë. Dhe, kjo njohuri pastaj filloi të shndërrohet në shqetësim dhe nga shqetësimi në nevojë për reagim. Dhe kështu, duke i përhapur këto informata, ne filluam që ta krijojmë gradualisht edhe rrethin, të bëjmë zgjerimin atëherë ne thonim të radhëve, që sa ma shumë të rinj dhe të reja të bashkangjitesin përmes grupeve në nji lëvizje kombëtare, Lëvizja për Formimin e Republikës së Kosovës brenda Federatës Jugosllave. Natyrisht kjo ka qenë me pasoja të mëdha. Ka filluar me përmirësimin e kushteve në konviktet e studentëve duke u shndërruar në nji mundësi që pastaj të fillojnë edhe reagimi me demonstrata t’mëdha.

Kaltrina Krasniqi: Këtu po du me ta ba nji pyetje, që e përmendet.

Shukrije Gashi: Po.

Kaltrina Krasniqi: Çfarë, çfarë… ideologjikisht çfarë fryme ka përcjellë?

Shukrije Gashi: Po.

Kaltrina Krasniqi: Edhe, pytja tjetër është qysh është financu kjo lëvizje… për shkak se ajo ka qenë lëvizje ilegale edhe n’çfarë mënyre është financu? Nëse janë shtypë për shembull materialet propaganduese n’Zvicër, atëherë është dashtë me ekzistu nifarë kapitali, edhe qysh ka ndodhë ajo për shkak se e kam bindjen që njerëzit e rinj nuk kanë hiq informacion lidhur me qysh…

Shukrije Gashi: Mirë e ke.

Kaltrina Krasniqi: Qysh ka ndodhë ajo lëvizje, prej kahit është motivu?

Shukrije Gashi: Po siç e thashë, domethanë.. shqiptarët, shqiptarët e Kosovës, t’Maqedonisë dhe popullata shqiptare gjithandej Jugosllavisë, meqenëse ka ekzistu një pabarazi e madhe ekonomike e Kosovës me pjesët e tjera të Jugosllavisë, një pjesë e madhe e shëndetshme aktive e burrave është dashur që ta lëshojnë Kosovën, edhe Maqedoninë, Malin e Zi dhe që të shkojnë në vendet e ndryshme perëndimore, n’Evropë e edhe më larg në mënyrë që t’arrijnë që t’i mbajnë familjet e tyre financiarisht.

Në të njëjtën kohë, këta shqiptarë duke e parë jashtë se jeta ishte ndryshe dhe duke rënë në kontakt me realitetet civilizuese në shtetet ku ata jetonin, ata fillunë në të njëjtën kohë edhe që të arsimoheshin dhe që ankthi i tyre pse Kosova ishte e robëruar dhe çfarë duhet t’bërë që Kosova të barazohej me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë, ata pastaj filluan të interesohen edhe për organizimin e grupeve politike… me një fjalë konsolidimin, kanalizimin e këtyre brengave të tyre, adresimin në një organizim dhe kështu fillunë të lindin edhe celulat e para t’organizimit që në atë kohë quheshin treshet.

M’lejoni që t’sqaroj diçka këtu sepse shpesh herë në popullatë është krijuar përshtypja që treshet dhe lëvizjet e atëhershme politike, kanë pasë karakter ideologjik komunist. Në fakt, këto treshe dhe t’gjitha veprimet e tjera nuk kanë pasë për qëllim përhapjen e ideologjisë marksiste-leniniste, por kanë pasur për qëllim që ta ndihmojnë organizimin e një lëvizjeje të përgjithshme kombëtare, e cila ka për ta ndihmuar domethënë çlirimin e Kosovës dhe pjesëve të tjera, të cilat dikur kanë qenë pjesë të Shqipërisë.

Pse është përzgjedhë, pse është zgjedhë kjo mënyrë e veprimit? Kjo është, për atë pjesë e cila mendon shëndetshëm, ka ndodhë, sepse Jugosllavia ka qenë shtet socialist komunist. Shqipëria ka qenë shtet socialist komunist. Shtetet përreth tyre kanë qenë socialiste dhe aktivistët e lëvizjeve të hershme kombëtare, dhe të grupeve qoftë edhe të këtyre marksiste-leniniste, e kanë ditur që po t’fillojnë ta emërtojnë veten e tyre dhe grupin Lëvizje Demokratike, do të ishte që në fillim, si e tillë e dënuar që të dështonte. Sepse nuk do ta gjente përkrahjen as në Jugosllavi dhe as në shtetin amë.

Gjithmonë kur ne, duke përfshirë edhe vetveten këtu, kemi biseduar me shoqe dhe shokë të grupit dhe t’Lëvizjes, asnjëherë ne as nuk jemi përqendruar bile në çështjet ideologjike. Për ne, themelimi i këtyre grupeve ka qenë vetëm si pretekst për t’i grumbulluar njerëzit, bile edhe si mbrojtje, duke e quajtur marksiste-leniniste ka qenë pretekst që ne të mbroheshim. Sepse shteti ishte socialist, ishte komunist, shteti amë ishte po ashtu socialist e komunist. Kemi thënë që të paktën në këtë aspekt t‘mos gjejnë shkas për t’na akuzuar pse krijuat grupe t’cilat janë edhe kundër sistemit ekzistues në vendin ku jetoni dhe veproni.

Në fakt, arsyeja ka qenë që ne t’arrimë që të bashkohemi dhe t’jemi unik rreth çështjes kombëtare. Kjo s’ka pasur asgjë të bëjë as me Leninin, as me Marksin, as me të tjetët. Krejtësisht çështja dhe synimi ka qenë që shqiptarët t’arrinin që të t’konsolidohen, t’organizohen politikisht. Madje mund t’them lirisht që ka ekzistuar qysh atëherë edhe të menduarit kritik në mesin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të cilët kanë qenë pjesë të lëvizjes. Dhe, kjo ka ndihmuar shumë. Atë që e thashë, krijimin e një platforme kombëtare ku vajzat dhe gratë, përveç mundësisë që të kontribuojnë në rrafshin e çlirimit kombëtar, të krijohet edhe hapësirë për veprimin e tyre gjinor. Edhe besoni ose jo, ata djem dhe burra të asaj kohe kanë pasur shumë qëndrim dashamir e korrekt, bile madje edhe kanë qenë simpatizues të grave dhe vajzave dhe burrave vetë, për mundësinë që t’krijohet barazia në mes dy gjinive. Gjë e cila më vonë ka degraduar, për fat të keq.

Një çështje tjetër e cila e ka ndihmuar këtë unifikim, këtë unitet n’mes dy gjinive ka qenë edhe aspekti fetar, i cili ka qenë shumë i dobët atëherë. Askujt s’i ka interesu çështja fetare dhe atë brengë se kemi pasur asnjëherë. Në mesin e atyre djemve dhe vajzave të cilët janë angazhuar për t’kontribuar në përmirësimin e kushteve politike, ekonomike e sociale t’Kosovës, ka pasur anëtarë të të gjitha konfesioneve. Shqiptarë domethanë me përcaktim, me fe muslimane, ortodokse dhe katolike. Dhe kurrë ne, asnjëherë se kemi parë njëri – tjetrin si ortodoks, katolik apo musliman, po si shqiptarë. Sepse qëllimi që ne ishim aty ishte çështja kombëtare.

Dhe gjithmonë në këtë rrafsh, regjimi serb ka bërë çmos që t’krijohet përçarje. Këtë synim ka arritë që deri diku domethanë ta realizon në Maqedoni, ku dominimi fetar ka qenë më i madh. Sepse ka qenë shoqëri më tradicionale dhe mundësitë për shkollim kanë qenë më të vogla. Më shumë ka pasë xhamia sesa që ka pasë shkolla. Kurse, siç e thashë më herët, fatmirësisht ndonëse Shqipëria ishte socialiste, hapja e kufirit me te bëri që Kosova të avansohej në rrafshin, sidomos në rrafshin e arsimimit. Dhe prurjet nga Shqipëria ndikuan shumë pozitivisht. Edhe në aspektin e përmirësimit të kualitetit ose cilësisë së arsimit, kulturës dhe shkencës, këmbimet në mes të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në të njejtën kohë, kjo shërbeu si frymëzim dhe po ashtu shërbeu që masat të mobilizoheshin karshi tendencave të hapura të regjimit serb që pikërisht vitet e ’80-ta të bëheshin ndryshime të mëdha, sidomos në udhëheqjen e atëhershme të Armatës Jugosllave, duke i hequr nga nivelet e vendimmarrjes të gjithë të tjerët përveç domethanë… serbëve. Kështu që udhëheqja politike e atëhershme, në kuadër të udhëheqjes ushtarake, 70 përqind ka qenë e përbërë nga pjesëtarët serbë. Kjo pastaj filloi të ndihej me të madhe edhe në Kosovë, sidomos vendimtar ka qenë viti 1979-të kur për herë të fundit atëherë stafeta, një simbolikë e cila duhej që të kalonte përmes krejt Jugosllavisë, e që t’i dorëzohej, t’i dërgohej udhëheqësit, kryetarit të Federatës atëherë Jugosllave, domethanë të Jugosllavisë, presidentit Tito. Kur ndodhi që ky organizim do të duhej të kalonte përmes Kosovës u krijuan dilema të mëdha. Sepse, shqiptarët nuk ishin më ata të viteve të hershme kur mund t’u shitej çdo gjë, në emër të barazisë, vëllazërim-bashkimit e parullave të tjera, të cilat përdoreshin për ta ruajtur dominimin serb në Kosovë.

Përplasjet e para në mes të pushtetit dhe qytetarëve shqiptarë, siç e thashë më herët, viti ’81 ka qenë vendimtar. Filloi me… domethanë presionet për shkak të arrestimeve të mëdha në mesin e studentëve. Pakënaqësitë e tyre me kushtet e rënda ekonomike në konvikte, me pamundësinë që shqiptarët të mund të studionin jashtë Kosovës, me pabarazinë n’kuadër të Universitetit, me mungesën e arsimimit cilësor në mungesë të librave të nevojshëm për studim, në mungesë të bursave të cilat u ipeshin, i gëzonin qytetarët e tjerë në ish-Jugosllavi por jo edhe shqiptarët. Ndonëse Kosova kishte pasuri të mëdha, e kishte Trepçën, Kombinatin e Energjisë Elektrike, dhe shumë pasuri të tjera. Me të gjitha këto pasuri, Kosova gjithmonë mbeti e varfër dhe shqiptarët lëngonin në mungesë të punës dhe kushteve të mira sociale ekonomike. T’gjitha këto mandej ndikuan që qytetarët të frustroheshin, që të mobilizoheshin dhe… besa që edhe një ditë të ngriheshin në këmbë kundër regjimit ekzistues.

N’ato rrethana, domethënë demonstratat e 11 marsit të vitit 1981, unë dhe disa shoqe si dhe anëtarë t’familjes morëm përsipër që pas asaj çfarë ndodhi në konvikte, që të organizoheshim, mobilizoheshim sepse organizimi veç ekzistonte. Unë isha e lidhun me Ahmet Isufin, Saime Isufin, me Nuhi Berishën i cili më vonë është vra bashkë me Rexhep Malën. Ne filluam që të mendojmë seriozisht për organizimin e një lëvizjeje kombëtare. Dhe filluam me hartimin ose shkrimin e komunikatave, pamfleteve të cilat brenda një nate, me dorë kemi arritur që t’i shkruajmë mbi 2000 copë. Mbi 2000 copë, me laps, me dorë, me dorëshkrim. Në mënyrë që këto të shpërndaheshin për datën 26 prill, nëse m’kujtohet saktësisht. Edhe arritëm që t’i shpërndanim ato.

Përveç shpërndarjes së këtyre pamfleteve, pjesëmarrjes në demonstrata, ne zhvillonim edhe takime me qytetarë në mënyrë që të ngjesheshin, të krijoheshin, të shtoheshin radhët tona dhe që populli të vetëdijësohej, të zhdukej hendeku, zbrasëtia që ekzistonte në mes shtresave klasore sociale. Sepse siç e thashë edhe më herët, ende klasa, kasta politike e atëhershme rrinte larg nevojave të popullit dhe i shifte me një sy tjetër. Ata dhe ne, ne dhe ata. Kështu flitej atëherë. Domethënë ne që zhvillonim aktivitet për t’i mobilizuar radhët për organizim kundër regjimit të atëhershëm, nga shqiptarët të cilët ishin në pushtet, në pushtetin e atëhershëm, konsideroheshim si armiq të shtetit dhe pushtetit.

Dhe, natyrisht unë dhe disa anëtarë të familjes dhe shoqërisë që kemi lindë dhe jemi rritë në qytetin e Prishtinës, dhe që njifeshim mirë, i njifshim mirë të gjitha shtresat, ne kemi bërë përpjekje që gradualisht, me takt të futeshim edhe te këto familje, për të ngritur vetëdijen kombëtare. Dhe mund t’them që ia kemi arritur me sukses ta bënim atë. Varësisht nga familja, kemi përdorur edhe taktikën. Domethanë është dashtë që t’taktivizohet. Dhe, është për t’u befasuar ndoshta se si një pjesë e qytetarëve me traditë, me traditë po e them qytetare, me gjenerata të tëra, që kanë jetuar në qytetin e Prishtinës, nuk kanë shfaqë, ose kanë hezitu shumë që t’shfaqin gatishmëri për t’u përfshirë në lëvizje të tilla. Shpeshherë e kam menduar pse ka ndodhur kështu. Domethënë ka qenë regjimi ai i cili është kujdesur që këtë shtresë edhe ta pasuron, edhe ta mbanë afër vetit në mënyrë që përmes shkombtarizimit t’arrinë që ta instrumentalizon për të shkaktuar përçarje n’mes shtresave të qytetarëve. Dhe këtë herë herë ia ka arritur.

Mirëpo, përkundër pasojave dhe rreziqeve, ne e kemi ditë cili është synimi ynë dhe në secilin takim që e kemi pasur vazhdimisht e kemi theksuar që, “Synim i yni nuk është vazhdimi i shtresimit ose ngjeshjes së radhëve duke u thirrur dhe aspak duke e konsideruar si esenciale aspektin ideologjik të lëvizjes, por aspektin kombëtar”. Dhe duke dhënë vazhdimisht sqarime se, “Po e përdorim këtë, çka t’i themi pretekst, ose këtë formë të emërtimit sepse nuk do të jemi të pranueshëm me ndonjë emërtim tjetër, siç thashë, Grupe Demokratike, as nga shteti i Jugosllavisë dhe as nga shteti i Shqipërisë”. Ma vonë se çfarë është përfolë, ato janë çështje të pikëpamjeve të njerëzve, të cilët kanë qenë të afërt me regjimin jugosllav, në mënyrë që të shkaktojnë përçarje në popull dhe në të njejtën kohë që të mbrohen për shkak të veprimeve të cilat ata i kanë ndërmarrë kundër popullit sa kanë qenë në pushtet.

Kaltrina Krasniqi: Ni pyetje. N’çfarë mënyre u organizojshit? E kishim sqaru qeta, tani e kishim bo ni pauzë. Keni fol ni orë, ma shumë. E kishim bo ni pauzë, masnej kishim hy n’demonstratën e ’81-shit edhe burgosjen e juj edhe vitet e ’80-ta.

Shukrije Gashi: Po e thashë…

Kaltrina Krasniqi: Qysh e dishit kujna mundemi me ju afru? Atëherë ka qenë shumë rrezik…

Shukrije Gashi: Po ka qenë.

Kaltrina Krasniqi: Njerëzit kanë shku n’burg për… pse e kanë pasë ni libër n’çantë i cili ndoshta nuk ka qenë… nuk është pajtu ideologjikisht me mentalitetin jugosllav.

Shukrije Gashi: Po numri i… domethanë, familjeve t’cilat kanë qenë të përndjekura për shkak të aktivitetit të tyre, bëmave të tyre kombëtare kundër regjimit sërb, nuk ka qenë edhe i vogël. Ato familje e kanë vazhduar aktivitetin e tyre sepse kanë qenë të betuara që do t‘veprojnë gjithë jetën, deri sa t’realizohen synimet e patriotëve dhe dëshmorëve në periudha të ndryshme historike të shqiptarëve.

Për shembull në rastin e familjes sime, unë, motrat e mia, vëllezërit, të gjithë ne i kemi pasur shokët dhe shoqet me të cilët kemi qenë domethënë më të lirë që t’i ndajmë, këmbejmë pikëpamjet tona rreth zhvillimeve të atëhershme politike e kombëtare n’Kosovë, bëmat e këqija të regjimit sërb. Kush kanë qenë për shembull në lagjen tonë t’cilët kanë bashkëpunu me pushtetin? Ne e kemi ditë atë, e kemi pasë informatën dhe pastaj jemi përpjekur që një nga një edhe prej atyre familjeve, t’marrim pjesëtarë t’familjes, t’shoqërohemi me ta, t’i sjellim nepër familje. Pastaj t’i angazhojmë edhe në grup. Gradualisht t’i shpalosim qëllimet tona, idetë tona edhe kështu domethënë kemi arritë që ta vetëdijësojmë masën qoftë edhe individualisht. Se s’kishte rrugë tjetër. Dhe që këta pjesëtarë t’familjes, mandej të kthehen tek familjet e tyre, ta shpalosin në të njejtën mënyrë domethanë informacionin, idetë, qëllimin e organizimit. Kështu është organizu ’81-shi, demonstratat e ’81-shit. Dhe nga një organizim i studentëve, i vajzave dhe djemëve e profesorëve, të të rinjëve, është shndërruar në një lëvizje popullore, në një demonstratë të madhe popullore, me përmasa të mëdha, e cila pastaj ka përfunduar edhe me burgosje masive të shqiptarëve.

Organizimi i këtyre demonstratave ka ardhë, ose ka rrjedhë si pasojë e zgjimit të vetëdijes kombëtare, n’veçanti për shkak të mundësisë që iu krijua, bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në rrafshe të ndryshme, në rrafshin domethanë e arsimit, pastaj t’kulturës, pastaj festivalet që organizoheshin të këngës në Kosovë, grupet e ndryshme që vinin nga Shqipëria dhe organizonin koncerte në Kosovë. Filloi me të madhe edhe ndryshimi i vetëdijes edhe në ato shtresa shoqnore n’Kosovë të cilat ishin të afërta ose punonin direkt me regjimin e atëhershëm në Kosovë i cili ishte i mbikqyrur në masë të madhe nga Serbia. Edhe ata pastaj e panë nga afër se çka do të thotë që t’bashkëpunosh dhe të ndashë me pjesën tjetër të kombit tënd të cilën e ndante vetëm një kufi nga Kosova.

Ky ndikim frymëzoi masa të mëdha edhe në mesin e studentëve sidomos për shkak të përmbajtjes që kishin kangët të cilat këndoheshin nga ansamblet shqiptare, kohë pas kohe që organizonin koncerte në Kosovë. Duke u ndikuar nga këngëtarët e Shqipërisë, edhe këngëtarët e Kosovës filluan që të prodhojnë këngë me përmbajtje të ngjajshme duke iu kushtuar domethanë këngë edhe heronjëve, edhe aktivistëve të hershëm të viteve, të ’68-tës dhe më vonë të cilët ranë për çështjen e Kosovës dhe për ndryshimin e statusit të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Të gjitha këto ndikuan që gradualisht të zgjohet interesimi, të shtohet interesimi i shqiptarëve që t’fillonin ndryshimin në shoqëri.

Në anën tjetër, derisa ndodhte një lulëzim i kulturës shqiptare, i arsimit shqiptar, përmirësimit cilësor të arsimimit, në ndërkohë, në anën tjetër sërbët këtë e përjetuan si një degradim ose përshkallëzim të situatës n’Kosovë dhe shkeljes së të drejtave të serbëve në Kosovë, meqenëse deri atëherë në masë të madhe përfaqësues nëpër nivelet qendrore ishin… të organizimit politik, ishin pjesëtarët serbë. Disa nga ta, për shkak të mos durimit karshi ngjarjeve në Kosovë, jo pse kishin presion nga shqiptarët, po thjeshtë për shkak të faktit se shqiptarët filluan të bashkoheshin më shumë përmes këmbimit të eksperiencave me Shqipërinë në arsim dhe kulturë, ata këtë e përjetonin si një lloj mundësie që Kosova t’u ikte nga dora. Dhe pa patur presion direkt filluan që ta lëshonin, disa nga ta Kosovën.

Në ndërkohë, regjimi sërb, sidomos kasta e cila udhëheqte armatën e Jugosllavisë, filloni me t’madhe që ta shton represionin e presionin mbi pjesëtarët shqiptarë të cilët shërbenin në armatën Jugosllave. Bile bile, filluan edhe vrasjet e konstruktuara, si dhe konstruksionet politike, arrestimet brenda, domethënë armatës Jugosllave. Arrestimi i shqiptarëve në armatën Jugosllave, vrasja e tyre me komplote politike ndikoi në masë të madhe që shqiptarët të irritohen nga veprimet e pushtetit dhe njëherit edhe më shumë të mobilizohen, për t’u mbrojtur nga e keqja e madhe që u përgatitej Kosovës dhe shqiptarëve.

Kjo qasje e dhunshme karshi ushtarëve shqiptarë filloi pastaj që të zgjerohet edhe në nivelin e fabrikave, kompanive të mëdha përmes establishmentit të atëhershëm politik, i cili ishte siç thashë edhe më herët, i afët me regjimin, që shqiptarët të zëvendësoheshin, domethanë struktura udhëheqëse nëpër kompanitë e mëdha, të zëvendësohej qoftë me serbë ose me shqiptarë të cilët ishin lojalë ndaj veprimeve të tilla të regjimit.

Ndonëse disa nga shqiptarët lojalë i pranuan këto pozita, me kohë filluan me hetu që regjimi serb nuk do t’përfundonte me veprime të tilla vetëm deri aty, por që dhuna do të vazhdonte dhe gradualisht ata filluan edhe që të largoheshin, por në të njejtën kohë edhe që të ngritnin zërin, sepse po ndodhte një zgjim kombëtar n’Kosovë. Dhe ky zgjim kombëtar filloi me të madhe që t’i prekte të gjitha shtresat. Sidomos arrestimi edhe i atyreve njerëzve ose kuadrove të cilët me t’madhe dikur i kishin shërbyer pushtetit serb, ndikoni që njëherë e përgjithmonë të ngritej vetëdija ndër shqiptarët se për regjimin serb nuk kishte shqiptarë të mirë. Dhe kjo bëri që shqiptarët të bashkoheshin dhe të ndodhte një bashkim kombëtar.

Në këto vite pastaj filloi edhe një aktivitet tjetër, ndonëse jo në përmasa të mëdha. Zgjimi i vetëdijes kombëtare ndodhi edhe për shkak numrit të madh të të arrestuarve. Pothuajse gati gjysma e popullatës shqiptare ishte nepër burgje. Dhe kjo e ngriti revoltën, në të njejtën kohë ndikoi në unitetin e popullit. Tani ma shqiptarët ishin të vetëdijshëm se nuk kishte rrugë tjetër, për ta përveç që të organizoheshin, ta merrinin fatin e tyre në duar e veta dhe që të mendonin për një çlirim kombëtar.

Fillimisht është themeluar Lëvizja për Republikën Shqiptare n’Jugosllavi, domethanë u bë shkririja e grupeve, tresheve. Mua m’kujtohet bisedat që unë i kam pasur atëherë me Nuhi Berishën, me Ahmet Isufin, me Saimen dhe shokë të tjerë… Gafurr Elshanin dhe të tjerë që tash nuk po m’kujtohen momentalisht. Me shoqet e mia, Suzana Zakutin, me vajzën e axhës Emine Gashi, Shemsijen… me vajzën tjetër t’axhës Hedijen, me motrën Hilmijen, me motrat Nafijen, Bahrijen e të gjithë të tjerat, me vajzat e motrës, si Timen, etj., ndonëse ato kanë qenë shumë më të reja, me vëllezërit e mi, djemtë e axhallarëve dhe me të gjithë moshatarët e moshataret e mia n’familje, që ne vërtetë do t’duhej t’bënim çmos që t’i zgjeronim radhët e tona dhe që t’kërkonim ndryshimin e statusit t’Kosovës, nga ai i krahinës në Republikë.

Ne gjithashtu kemi pasur edhe lidhje me… sot tani domethanë dëshmorët e kombit, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, dhe të tjerët, të cilët aso kohe ndodheshin në Zvicër. Shoqja ime dhe e motrës sime [Nafijes], Saime Isufi, një veprimtare e përkushtuar, e devotshme kombëtare u desht që ta lëshonte Kosovën, për shkak të përfshirjes së saj në aktivitete dhe në kohën kur ajo ndodhej në Zvicër, domethanë ishe viti 1982, ndodhi edhe vrasja e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit. Dhe, n’atë kohë ishte biseduar që të ndodhte shndërrimi i grupeve, shkrirja e tyre nga grupet në një lëvizje kombëtare, siç e thashë për themelimin e Republikës së Kosovës.

Dhe, ndërsa kjo ndodhi atje, ne në ndërkohë vazhduam aktivitetet tona që ta shpërndanim këtë ide e cila konsiderohej si domosdoshmëri edhe për një arsye tjetër, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të hiqej bindja që ekzistonte, në një masë të caktuar, ndër njerëz, se grupet ishin të organizuara në baza ideologjike dhe që qytetarët, pa ngurrim për këtë rezervë, t’i bashkangjiteshin lëvizjes për çlirim kombëtar. Domethanë, që përmes themelimit t’Republikës t’Kosovës, natyrisht ne gjithmonë sinonim e kemi pasë bashkimin me Shqipërinë, por fillimisht si stad i parë, hap i parë ka qenë krijimi i Republikës së Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave.

Punën tonë kemi arritur që ta zhvillojmë, domethanë edhe njëherë përmes leximit të materialeve të cilat… fletushkave, revistave të ndryshme, librave. Në të njejtën kohë, kemi punuar edhe në rrafshin e ngritjes së vetëdijes kombëtare për nevojën që të krijohet hapësirë edhe për barazi gjinore, duke theksuar vazhdimisht që një grua e cila nuk do të jetë e barabartë n’aspektin arsimor me një burrë, nuk do t’jetë e dobishme për t’dhënë kontribut kualitativ për shoqërinë. Dhe, është shumë interesant që kjo është pranuar me shumë dashamirësi nga pjesa tjetër, domethanë nga gjinia mashkullore, nga burrat dhe është vlerësuar shumë. Dhe, po ashtu është përkrahur me të madhe. Bile edhe është propaguar me të madhe nga ana e tyre. Dhe kjo ka bërë pastaj që më lehtë ne t’i zgjerojmë radhët.

Gjithashtu, përfshirja e gruas në lëvizje, ka ndihmuar që shumë veprime t’kryhen më lehtë, sepse regjimit të atëhershëm nuk i ka shkuar shumë ndërmend se gratë do t’përzihen në çështje të tilla. Sepse, siç e dimë gjithë ne, për kohën e atëhershme këto veprime kanë qenë të rezervuara vetëm për meshkuj. Dhe, shpërndarja e fletushkave, materialeve të tjera ka qenë shumë e lehtë që t’bëhej nga gratë, sepse nuk përcilleshin shumë, në masë sa përcilleshin meshkujt nga ana e përgjuesve, e spiunëve, e agjentëve të UDB-së jugosllave. Dhe kështu, arritëm domethanë që t’i përsërisim aktivitetet dhe t’vazhdohet me demonstratat e vitit 1982, si dhe krijimin e rrjetit, të njerëzve, të anëtarëve të lëvizjes, për ta shtrirë atë në krejt Kosovën dhe jashtë saj.

Mua m’kujtohet kur ka qenë përvjetori i demonstratave të vitit 1982, përvjetori i 11 Marsit. Gjyshja ime e ndjerë [Zahidja], me rastin e festës së nënave, 8 Marsin, një natë më parë na thirri ato sa ishim më familje, domethanë vajza dhe gra dhe tha, “E kam një ide, që 8 Marsin mos ta festojmë si qurat kështu, e t’vizitohemi mes vete e t’blejmë stoli e dhurata, por më mirë të mbledhemi dhe t’shkojmë para burgjeve e t’i kërkojmë vajzat dhe djemtë tanë që janë nëpër burgje”. Dhe kështu ndodhi. Domethënë, me 8 Mars, me 11 mars, u përsërit domethënë përvjetori i demontratave të ‘81-t, me kërkesat që ishin lirimi i të burgosurve të ndërgjegjes, atëherë quhej kështu, dhe po ashtu kërkohej Kosova Republikë.

Kaltrina Krasniqi: Çka, çka do me thanë të ndërgjegjes?

Shukrije Gashi: Ëë, të ndërgjegjes…

Kaltrina Krasniqi: Të burgosurit e ndërgjegjes…

Shukrije Gashi: E ndërgjegjes politike (qeshje), domethënë…

Kaltrina Krasniqi: A din me e sqaru këtë koncept?

Shukrije Gashi: Po, di ta zbërthej… sipas kuptimit tonë, ndërgjegje politike ishte vetëdije politike. Që njerëzit politikisht të ndërgjegjësohen, të vetëdijësohen për situatën në të cilën ndodhej Kosova, dhe çfarë duhej të ndërmirrej në mënyrë që Kosova të çlirohej nga robëria dhe që të përmirësoheshin kushtet ekonomike sociale, t’shndërrohej Kosova nga një krahinë në Republikë. Këta ishin veprimtarët e ndërgjegjes politike.

Kaltrina Krasniqi: A ka qenë kjo një term t’cilin ju e keni përdorë n’mes veti?

Shukrije Gashi: Ëë…

Kaltrina Krasniqi: A është ni term i cili është zhvillu ma vonë?

Shukrije Gashi: Jo, ky ka qenë një term i cili ka qenë në përdorim për arsyet t’cilat i theksova më herët. Sepse, në qoftë se do të përdorej ndonjë fjalor tjetër, me të cilin nuk do t’ishin familjarë, ose nuk do t’ishin të njohur qytetarët, pjesëtarët që shfaqnin interesim për t’u bashkangjitur, do t’ishte vështirë që përnjëherë të krijohej një fjalor tjetër. Gradualisht, ne pastaj kemi filluar që t’i braktisim format e tilla të shprehjeve dhe të krijojmë shprehje të tjera, të cilat kanë qenë të thjeshtësuara dhe më të lehta për t’u përdorur, për të krijuar ose zgjuar vetëdijen kombëtare ndër shqiptarët.

Përfshirja në këto aktivitete, ka qenë një mënyrë shumë e dobishme që te gratë të krijohet besimi për t’u angazhuar dhe që gratë ta grabisin, ta pushtojnë hapësirën e veprimit dhe që t’ndihen t’barabarta në të gjitha veprimtaritë politike. Bile e them me konsideratë t’madhe që t’gjitha ato vajza dhe gra t’cilat janë arrestuar, kanë pasë një qëndrim shumë stoik karshi regjimit dhe që janë raste shumë të rralla kur ato i kanë nxjerrë në shesh kush kanë qenë shokët e tyre. Ka qenë ky një betim mes grave, që ne duhet të qëndrojmë shumëfish n’kahasim me burrat, për ta bindur pjesën tjetër [burrat], që ne jemi të zonjat që t’ja dalim dhe që ne i meritojmë të drejtat, për t’cilat po luftojmë.

Këte e kanë pohuar edhe vetë burrat dhe nëse iu bjen rasti të flisni me burra, keni për ta kuptuar që shumë rrallë ka ndodhë që vajzat e reja dhe gratë, që të ligësohen gjatë dhunës që është ushtruar ndaj tyre në burgje. Pothuajse gati asnjëherë. Ato kanë qenë të gatshme që t’vdesin por që t’mos nxjerrin fjalë nga goja për shokët dhe shoqet e tyre. Ka qenë një betim politik për të krijuar një bazament të fortë e të qëndrueshëm për hapin tjetër, që pastaj me dedikim dhe me kapital t’luftohet për barazinë gjinore. Kjo ka qenë domethanë strategjia e grave për përvetësim të hapësirës. Dhe këto gra të kësaj periudhe, vazhdimisht kanë qenë dhe kanë mbetë të tilla. Mua më vjen keq shumë që për shkak të ndryshimeve, anashkalimeve që kanë ndodhë n’shoqninë tonë ndaj tyre disa nga to janë detyruar që ta lëshojnë vendin dhe kanë mbetë në… kanë ngelë në  margjina.

Jeta Profesionale 

Shukrije Gashi: Sa i përket çështjes së Kosovës të pas luftës, mund t’them lirisht që fillimet kanë qenë shumë t’randa. Nuk ka pasë ndonjë ndryshim shumë me ate të periudhës së luftës. Unë, për shkak t’rrethanave të luftës, në veçanti edhe për shkak të angazhimit tim si aktiviste për t’drejta t’njeriut, siç e kam theksu edhe ma herët, më është dashur që një ditë ta lë Kosovën dhe t’ja mësyj Maqedonisë, e më vonë t’vendosem në Shqipëri.

Atje, në Shqipëri, pjesën më t’madhe të kohës kam punuar me refugjatët, pothuajse në krejt Shqipërinë. Me të përfunduar të luftës në Kosovë, kam insistuar me çdo kusht që munsisht të kthehem sepse kam llogaritur se n’veçanti n’ato rrethana njerzit kanë nevojë për përkrahje, qoftë humanitare, qoftë n’aspektin e të drejtave t’njeriut, qoftë rehabilitim… Sepse, gjatë periudhës sa kam qëndru në Shqipëri, kam kryer punë, kam qenë e angazhuar në programin për rehabilitim, programin psiko-social edhe kam menduar se do t’jem e nevojshme. Megjithate, me insistimin e organizatës “Vizioni Ndërkombëtar Botënor”, mbeta edhe për pak kohë, por përsëri u ktheva në Kosovë. Dëshira ime ishte që bile t’kthehem me përfaqësusit e NATO-s, ka ekzistuar atëherë një munsi me ni helikopter, por siç e thashë, për arsyna t’sigurisë nuk më është lejuar.

Udhëtimi nga Shqipëria deri në Prishtinë, ka zgjatë diku 20 orë, me ni kamion t’vjetër. Rruga ka qenë shumë e dëmtuar dhe mund t’them që kur kam arritë te Hoteli Grand, kam zbritë nga kamioni, ende pa e prekë mire tokën, dikush nga prapa m’ka prekë në krah dhe m’thirri n’emër. M’bani përshtypje, shqip. U ktheva dhe e pashë sekretarin e… si quhej… Unioni i Punëtorve t’Kosovës. M’bani përshtypje t’madhe dhe i thashë, “Si ka munsi?” “Shumë mirë”, tha, “Që t’gjeta. T’pashë…” tha, “Duke zbritë edhe erdha, sepse profesor Hajrullah Gorani është mrenda në Grand me një përfaqësues të huaji…” Atëherë ishte sigurisht emisari i parë i “Organizatës së Kombeve t’Bashkura” për Kosovë… “Për t’na ndihmu me përkthy për te”. Thashë, “Kadale more burrë se i kam 20 orë, mbi 20 orë i kam udhëtim. Jam shumë e lodhun. Ndoshta edhe s’kem me mujtë me u koncentru”. “Mirë, duhet me gjetë koncentrim qysh ke gjetë gjithmonë. Duhet t’na ndihmosh! Patjetër”. Edhe me krejt lodhjen u desht që t’shkoj. Edhe aty sigurisht kam kaluar mbi tri orë duke i ndihmuar profesor Goranit që ta dërgonte mesazhin tek pala tjetër, n’lidhje me ngjarjet në Kosovë, situatën, pse atëherë janë detyrue që ta lëshojnë punën mbi 120 mijë shqiptarë, e çështje të tjera të rënda t’cilat ishin si pasojë e ardhjes së Millosheviqit në fuqi.

Në ni gjendje të tillë… edhe kur kom dalë nga… domethanë takimi, kom shiku përreth edhe në ato rrethana, syri m’i ka pikasur dy individë që dikur kanë qenë lloj rojesh t’themi kështu të Arkanit, dhe jam trishtu shumë. Kam mendu me veti, “Çka paska ndodhë kështu, domethanë s’qenkan tërheqë njerëzit e Arkanit…” Dhe dola me… nga Grandi shumë e shqetësuar. Dola në rrugë domethanë kryesore, pashë përreth. Ende ishte… Prishtina ishte në ni gjendje t’randë, e katandisun, shumë pak njerëz nëpër rrugë, lëvizje t’vogla, edhe u ndiva shumë e shqetsume. Gjatë gjithë kohës, ia kam ba një pytje vetit, si ka munsi që na kanë thënë se është çliru Kosova, kur ende njerëz të tillë guxojnë, madje qëndrojë edhe nëpër vende publike…sepse t‘gjithë ne e dime se Grandi për kohë të gjatë u ka shërbyer shumë edhe mediave atëherë, për konferenca për shtyp, e të tjera… Dhe mandej, po me t’njejtin kamion, kam arritë deri te shtëpia. Gjatë gjithë rrugës kam shikuar anash, ka pasë edhe shumë dëmtime t’shtëpive, por shumë pak njerëz n’rrugë.

Tek shtëpia, natyrisht ata nuk kanë pasë thjesht informacion se ka me arritë, sepse munsitë e komunikimit kanë qenë të limituara… Dhe, i rashë ziles. Unë nuk e kam ditë që motra e vogël ndodhej në Prishtinë sepse n’atë kohë nuk kem pasë informacion se ku gjendet. Edhe ajo e nxori kokën nga dritarja në katin e dytë. Mbeti si e tmerruar se s’e ka pritë që kam me arritë. Mandej zbritën bashkë me babën edhe për mu ka qenë ni… thjeshtë, ni tronditje e madhe sepse kam mendu që përveç babës s’kam me gjetë kërkend aty. Domethanë, kjo ishte trauma e parë: kontakti me familjen.

Trauma e dytë ka qenë kur jam taku me motrën e dytë. Ajo ka qenë tanë kohën n’Kosovë edhe e pashë që lëvizjet, ecjen e kishte si ni lloj roboti për shkak të traumave sepse dy djemtë i ka pasë të përfshirë në luftë dhe policia bashkë me paramilitarët kishin hyrë shpesh herë në banesën e tyre për t’hulumtuar se ku gjenden ata. Dhe nga sjellja e tyne e vrazhdë, nga… sidomos e paramilitarëve, ajo e kishte fituar një traumë t’madhe. Edhe asaj, kjo lloj lëvizje i ka zgjatë për muj’ të tërë… Kjo ishte trauma e dytë.

Pastaj, edhe mungesa e informacionit se ku ndodhen anëtarët e tjerë të familjes si dhe informatat për vrasjet e t’afërmve, miqëve, njerëzve që i kam njohur edhe atyre që s’i kam njoftë shumë afër. Me gjithë, domethanë lëndimin e madh shpirtror që e pësova nga një realitet i hidhur ende më mbante shpresa që do t’bëhej mirë n’Kosovë dhe për këtë arsye shpejtova që t’gjej punë. Jo aq shumë për aspektin financiar, po më shumë që t’futem në rrjedha të cilat kanë me m’ofru munsi që ta vëj kontaktin me njerëzit. Edhe u punësova. Ka qenë ni periudhë e shkurtë, dy javë ditë, nuk jam shumë e sigurtë, me ni organizatë që atëhere mirrej me zbulimin e krimeve të luftës. Me t’thanë të drejtën nuk më pëlqeu shumë dhe atë punë e lashë, n’fillim.

Mandej jam punësuar me organizatën tjetër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ni agjenci për vendbanimet njerëzore, “UN Habitat” dhe më pastaj aty kam filluar që seriozisht t’merrem para së gjithash me rihartimin e ligjeve… fillimisht me gjetjen e ligjeve ekzistuese për shumë çështje në Kosovë, për çështjet e pronave, tokave, pastaj banesave, shtëpive, e kështu. Fillimisht që t’shifet se sa ka ligje të tilla, sa janë funksionale, sa mund t’jenë të adaptushme, e mandej edhe me fillu me marrjen e… konkretisht rasteve t’banesave t’cilat ose janë shitë, ose janë uzurpu, ose ka pasë tendenca që t’stërshiten, e gjëra të tilla. Une një interesim më t’madh e kam pasë rreth regjistrit të kadastrave sepse kadasti është një dëshmi e cila ia jep vulën pronës për titullarin e parë.

Mandej, gjatë hulumtimit kam parë që ato shënimet e kadastrit, ose librat kadastrale, ato ishin dërguar në Serbi, si dhe shënime të tjera domethanë, edhe n’fusha të tjera. Duke e ditur se këto janë çështje shumë të rënsishme dhe njëkohsisht shumë të ndjeshme sepse prona nuk mund të tjetërsohet dhe është e shejtë, kam punuar me kujdes t’madh në këtë punë, për dy vite e sa. Në këtë organizatë kanë qenë disa programe përveç atij për çështje banesore pronësore, ku kam qenë e thirrun edhe si eksperte dhe koordinatore, po ashtu për çështjen e trajnimeve, pastaj dhe informim të qytetarve. Në të dy rastet… por duke qenë edhe me përvojë t’madhe si gazetare, unë gjatë gjithë kohës jam përpjekë karshi punës, krahas punës që e kam bërë në organizatat t‘cilat i përmenda, që njiherit t’interesohem dhe t’gjej informacion se çka po ndodhte me njerëzit e kthyer në terren. A kanë ata ku vendosen, a kanë strehim, si i kanë kushtet ekonomike, a ka kush t’kujdeset për ta?

U m’kujtohet ni rast, po e them sa për ilustim sepse të tilla kishte shumë. Në kohën sa isha duke punuar në Agjencinë për Çështjet Banesore Pronësore, erdhi ni grua që kishte dy parë jetima. Domethanë, ishin jetima nga lufta. Dhe ajo grua nuk kishte strehim. Para se t’vinte tek zyrja ime, kishte biseduar paraprakisht me një zonjë e cila atëherë ishte eksperte ligjore n’organizatë, rreth munsisë që t’i ipej në shfrytëzim për strehim një nga banesat t’cilat atëhere i mbante “Habitati” në mbikëqyrje, “Habitati“ i cili ishte domethanë agjencia e Kombeve t’Bashkuara. Dhe, e njejta eksperte kishe hezituar që t’ia japin në shfrytëzim me arsyetimin se ata fëmi kanë qenë të njerëzve, ose baballarëve të cilët janë vra në anën e UÇK-së. Që për mu, ishte një qasje absurde sepse askush prej ne nuk ka të drejtë që t’ja kufizoj të drejtën një fëmiju, apo kujdo qoftë, apo edhe bashkëshortes së dikujt për strehim, për faktin se i ka takuar një pale t’caktuar gjatë një lufte të pabarabartë. Dhe m’erdhi keq shumë kur e kuptova se qasja kishte qenë e tillë.

E thirra ate zonjën, thashë, “Unë nuk e kuptoj dikend si ju që punon në ni organizatë të Kombeve… në ni Agjenci të Kombeve t’Bashkuara dhe që ka një qasje të tillë, të skajshme, të njëanshme. Çfarë rënsie ka… familja, fëmitë i takojnë ni burri i cili është vra në anën e… supozojmë palës mbrojtëse apo asaj që ka kryer krime. Këta kanë nevojë për strehim. Nuk kanë kurrfarë përkrahje. Ju shumë mirë e dini që aktualisht ende nuk ka n’fuqi ligje t’cilat janë të aplikushme. Dhe ne, në baza vullnetare, njerëzore, të bashkëndijimit t’paktën njerëzor duhet që njerëzit t’i trajtojmë në mënyrë të barabartë. Sidomos ne t’cilët pretendojmë që merremi me të drejtat e njeriut.” Dhe kështu domethanë, pas një insistimi të gjatë, m’u dha munsia që ta ndihmoj. Megjithate, ajo zonja eksperte nuk e ka përmend atë rast asnjëherë…

E gjëra të tilla, raste të tilla që për fat t’keq kanë qenë të trajtuara në mënyrë të njëanshme. Menjëherë, posa kuptohej që pala ishte shqiptare, hulumtimi ishte dhetëfish më i madh rreth rastit. Po t’ishte palë tjetër, domethanë që i takon ndonjë nacionaliteti tjetër, reagimi ishte menjëherë pozitiv dhe menjëhere iu ofrohej strehimi. Gjë të cilën e kam vërejtur jo vetëm gjatë punës që e kam zhvilluar në këtë organizatë, por edhe në organizatat e tjera. Madje, për fat të keq, gjatë gjithë kohës deri sot. Kjo qasje diskriminuse ka qenë një shtytje më shumë që unë si vendore, si pjestare e komunitetit t’Kosovës, si kosovare, si shqiptare e Kosovës, që t’interesohem më shumë dhe t’bëj çmos që qasjet e tilla diskriminuse, të njëanshme, të mos përsëriten, munsisht të… edhe të eleminohen.

Dhe mandej, e kam fillu, domethanë e kam vazhdu këtë angazhimin tim me hartimin e ligjeve, me punë konkrete në Këshillin e Përbashkt’ atëherë që quhej, t’Administratës së Kombeve të Bashkuara ku ka pasë edhe shumë juristë të njohur vendorë. Edhe ndonëse s’ka qenë shumë me qejf, puna jeme përveç si eksperte edhe si përkthyse, unë e kam bërë me qëllimin që puna e vendorëve të del t’jetë sa ma e qëndrushme, profesionalisht e pranuar. Sepse dihet që n’rrethana të atilla të pasluftës, ka qenë shumë vështirë që t’gjesh ni përkthys’ i cili njëkohësisht do ta njifte zejen e përkthimit, mjeshtrinë, por që ta kishte edhe bagazhin e juristit. Unë i kam pasur fatmirësisht që të dyjat. Bile kam bashkëpunuar shumë edhe me profesor Kabashin, i cili është përkthys dhe ligje të tëra, tash nuk m’kujtohen t’gjitha se ka shumë, kam punuar në përkthimin e tyre.

Mandej kam qenë edhe bashkëhartuse e Rregullores së Drejtorisë për Çështjet Banesore Pronësore, 1999/60 ose 2000/60, nuk m’kujtohet se është bajegi periudhë e largët, në mënyrë që çështjet të trajtohen me ni qasje të baraspeshuar. Edhe atëherë kam insistuar shumë që metodologjia e ndërmjetësimit, domethanë e zgjidhjeve alternative, të përfshihej edhe në këtë agjenci, mirëpo nuk gjeta mirëkuptim nga ana… atëhere shefave. Dhe mbeti që agjencia ta kishte vetëm rregulloren e vet dhe që puna të bëhej me atë rregullore.

Sa herë që m’është dhanë momenti domethanë rasti, unë gjithmonë kam insistuar që qytetarët, pavarësisht prej përkatësisë etnike, fetare apo raciale… të jetë qasje e barabartë, të jetë qasje e baraspeshuar, t’mos ketë diskriminim. Megjithate, vazhdimisht kam hetuar që të drejtat e shumicës shqiptare janë shkelur gjithmonë. Për mu ka qenë absurd i papranushëm insistimi i të së njejtës zonjë që shqiptarët formularin për regjistrimin e të vdekurve t’i pranojnë në gjuhën sërbe, madje edhe ate me alfabetin çirilik. Dhe une, e mohova. Natyrisht që e mohova ate. Pastaj edhe më vonë, insistimin që t’vazhdohet me formularë të cilët janë në gjuhën sërbe me këtë alfabet, si dhe insistimi që Kosova të quhej Kosova i Metohija.

Ate nuk e kam pranuar asnjiherë dhe nuk mendoj që kurrë kam për ta pranuar. Domethanë, kam vërejtur që… megjithate, ndonëse me t’madhe Organizata e Kombeve t’Bashkuara thirret në respektimin e të drejtave t’njeriut, insistimi varësisht prej interesave politike dominuse ndërkombëtare bënë që gjithmonë një palë të diskriminohet. Unë aq larg kam shku për shembull, në atë paanshmërinë time, ose principin e paanshmërisë, saqë të gjitha palët, për të gjitha palët kam qenë e gatshme, përveç punës që e kam ba drejtë për së drejti me ta, në çështjen e hartimit të ligjeve, rregulloreve për funksionalizimin e punës së Drejtorisë për Çështjet Banesore Pronësore, kam marrë përsipër edhe korrigjimin e përkthimeve, qoftë në gjuhën shqipe, ate serbe edhe angleze, e kështu me radhë. Me një hapje domethanë, me një qasje t’hapur ndaj gjithëve, që janë të mirëseardhun të gjithë, në mënyrë të barabartë, të shfaqin pikëpamjet, mendimet, pse mendojnë se duhet me qenë kështu, ose nuk duhet me qenë… Që njerëzit të ndihen se vërtetë kanë pronësi në proces. Janë pjesë e barabartë e Kosovës, kanë të drejta të barabarta.

Dhe, në krejt këtë mozaik me shumë probleme, më së shumti që më ka lënduar gjatë gjithë kohës, ka qenë pozita e gruas shqiptare dhe të gjitha grave të tjera, por n’veçanti sepse kur është shumicë vërehet ndikimi më shumë. Vullneti nga ana e grave që të aktivizohen në politikë, që t‘jenë pjesëmarrëse të barabarta, që t’japin kontribut të barabartë ka qenë i madh. Megjithatë, hapësira ka qenë e limituar. Ndoshta jo në dukje të parë si veprim, por në veprimet pastaj. Në çështjet e vendimmarrjes asht‘ parë menjëherë që nuk ka ndikim, nuk ka hapësirë për t’qenë pjesëmarrëse në vendimmarrje. Aq sa kam mund t’bëj, kam bërë unë, kudo qoftë që jam ndodhur në rrethana t’caktuara, qoftë në ni organizim ku kanë qenë edhe përfaqësust‘ e t’gjitha partive politike, apo edhe zyrtarë të nivelit qendror apo lokal, unë asnjëherë nuk kam ngurruar që haptas ta shpreh kundërshtimin tim, “Përse nuk ka hapësirë të barabartë për gratë?”

Nuk jam e vetmja, ka shumë gra të zonjat që asnjëherë s’kanë hezituar që ta bëjnë këtë, mirëpo megjithatë, ende gruja shqiptare nuk e ka hapësirën e mjaftushme për t’u ndier se është pjesëmarrëse e barabartë e proceseve. Shpesh herë, qasja ndaj saj, edhe sot e kësaj dite, në emër të së drejtave të barabarta, vehet në një pozitë të caktuar për hir të dekorit. Dhe jo për hir të angazhimit ose të mendësisë se gruja mund t’kontribojë njësoj, po aq sa kontribojnë burrat. Për më keq, edhe në kohën kur kam punuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndonëse puna që e kam bërë ka qenë shumëfish më e rëndë dhe shpesh herë më ka ndodhë t’mbetem edhe deri në orët e hershme të mengjesit në zyre, kolegu im i cili ka bërë punë të ngjajshme dhe shumë më pak për nga kohëzgjatja, ka pasë rrogë shumë më të madhe sesa që kam pasur unë.

Që domethanë, sado qoftë që konsiderohet që bota ka ecë, t’drejtat e njeriut janë pajisur edhe me konventa, përveç Deklaratës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Njeriut edhe me konventa shtesë, duke përfshirë edhe Rezolutën 1325 e rezoluta te tjera, CEDAW, ende në botë çështja e drejtësisë së barabartë, e qasjes së barabartë të grave, edhe në buxhet, edhe në pagesa, edhe në trajtim meritor, nuk ekziston. Në praktikë nuk ekziston. Dhe kjo vret shumë sidomos n’Kosovë për faktin se Kosova ka qenë një munsi e mirë, sepse kanë qenë përfaqësust nga pothuajse gati e gjithë bashkësia ndërkombëtare, të cilët kanë mund ta bëjnë një provë, një eksperiment të mirë dhe që çështjet ta marrin të mbarën, që çështjet t’i vejn n’binarë që nga fillimi dhe që gratë ta marrin pjesën që iu takon, në të gjitha proceset e vendim – marrjes, si dhe në trajtim të barabartë në burimet njerëzore e çështje të tjera.

Por kjo nuk ka ndodhë. Pse nuk ka ndodhë, është pytje që kërkon përgjigje nga një aspekt shumë dimensional. Para së gjithash, edhe ata që kanë ardhë si ekspertë nga bashkësia ndërkombëtare, për fat të keq nuk kanë hulumtuar shumë se kush janë ata individë me të cilët duhet t’vepruar brenda përbrenda Kosovës, por për më keq, më shumë kanë hulumtuar që t’gjejnë bashkëpunus‘ ku do t’gjejnë edhe përfitime të ndërsjella, materiale. Dhe kjo ka bërë që procesi t’mos e ndjekë… procesi i ndërtimit, as procesi i fazës emergjente dhe as procesi mëndej më vonë i tranzicionit dhe ky i kalimit në demokraci, t’mos ecin në shtigjet, në rrugën e duhur, por që të anashkalohet dhe të vijmë në një situatë e cila ka degraduar.

Dhe sot, edhe kem një qeveri e cila nuk është e baraspeshuar, nuk ka gra të cilat janë përfaqësuse të denja, jo t’gjitha, por as nuk ka baraspeshim në përfaqësim. Për më keq, tani për tani është më keq se sa në qeverinë paraprake, para kësaj të fundit. E gjithë kjo është fajësi e ndarë, edhe e bashkësisë ndërkombëtare, por edhe e qeveritarve, e politikanëve vendor. Megjithate, m’duhet t’them që fajësia e politikanve vendor, ndonëse është e para, peshën nuk e ka të njëjtë, sepse se ka munsinë e vendimmarrjes. Arsynat janë të shumta, n’rradhë t‘parë është korrupsioni. Pastaj edhe e drejta për t’mos vepruar për hir të reflektimit të politikave n’rajon. Të gjitha këto, kanë bërë që përsëri gruja të mbetet në margjina.

Prej periudhës së pasluftës e deri n’ditët e sotme është bërë shumë pak, gati hiç në veçanti për çështjen e grave viktima të luftës, grave të dhunuara, të cilat sot kanë ngelur pa emën e pa mbiemër, pa të drejtë për ta thënë fjalën e tyre, për t‘i ndarë shqetsimet e tyre. Trajtimi i tyre është bërë në mënyrë të shkapërderdhur. Me ni proces jo të strukturuar, jo shumë dimensional, jo në ni proces të bashkëndijimit ku do t’i ipet trajtim i merituar psiqik, psikologjik, shëndetsor dhe punësim. Domethanë, nuk ka ekzistuar një fazë në vazhdimësi e cila do t’ia mundësonte që hap pas hapi të ndodhte shërimi, para së gjithash psikologjik dhe mandej që t’i ipej mundësi që ajo të trajtohet dhe të ndihet se është pjesë e barabartë dhe e dobishme e kësaj shoqnie.

E pastaj edhe me mbështetjen e kornizës ligjore, me një ligj që çalon edhe sot e kësaj dite, sepse edhe ashtu siç është nuk implementohet dhe pak janë ato gra t’cilat e gëzojnë të drejtën për përkrahje sociale. Për më keq, as sot e kësaj dite, as qeveria ekzistuse nuk ka hapa konkret, edhe me gjithë vullnetin e madh të shoqërisë civile që t’hapet kjo çështje, që çështja e ligjit të elaborohet, që ato gra t‘paguhen në mënyrë meritore. Në fakt ekziston e kundërta. Ato ende janë të margjinalizuara, të lënë anash pa respekt, pa pronësi në proces. Domethanë, kjo çështje çalon që nga periudha e pasluftës.

Fatkeqësisht, gjërat ndodhën kështu sepse dhe atëhere nuk kishte koncenzus ose pajtim n’mes të shqiptarëve që pushteti të ndahej n’mënyrë të barabartë. Se po t’ekzistonte ai pëlqim që atëherë, jam shumë e sigurt që Kosova nuk do t’kishte nevojë as për Pakon e Ahtisarit, e cila ndonëse për pikëpamjen, mendësinë e dikujt dhe për rrethana të tjera do t’ishte një qasje e mrekullueshme, se absolutisht jam idhtare se duhet t’pasur qasje pozitive ndaj komuniteteve që janë pakicë. Asnihere nuk dëshiroj ate që e ka përjetuar komuniteti shumicë në Kosovë, asniherë që ta përjetojnë komunitetet pakicë.

Por, po ashtu jam kundër trajtimit n’mënyrë selektive. Të trajtohen vetëm ni pakicë dhe pakicat e tjera tërësisht të margjinalizohet, ose të lihen anash. Kosova është e vogël, me ni popullatë të vogël. Me ni numër relativisht të vogël të pakicave. Unë jam shumë e sigurt që edhe bashkësia ndërkombëtare e cila insiston që n’Kosovë të përdoren standarde të tjera, e din që në plot raste të tjera në botë edhe në rajon, ka minoritete që përqindjen e kanë më të madhe se sa që e kanë komuniteti shumicë n’Kosovë, serb. Dhe nuk kërkohen standarde… aplikim i standardeve të njëjta siç ndodh në Kosovë.

Jam për parimin e diskriminimit pozitiv, kur ky parim do të aplikohej në mënyrë të barabartë ndaj të gjitha pakicave dhe ndaj pakicës shqiptare në ato rajone, në ato vende ku shumicë janë pjesëtarët e tjerë, etnitë e tjera. E në këtë rast, ni qasje e tillë diskriminuese mund t’them që ushtrohet ndaj krejt pakicës grua. Sepse, me vet faktin që gruaja nuk është pjesëmarrëse në proceset vendimmarrëse, ajo trajtohet si pakicë. Domethanë, mungesa e dijes, lufta për… çka t’them, për liderizëm dhe ambicie të tjera negative, ka bërë që Kosova t’shëndrrohet në një laborator të eksperimenteve, të apetiteve dhe dëshirave të shumëkujt. Është shëndrruar në një listë t’fontanës së dëshirave. Dhe, në fakt, në praktikë, pothuajse propozimet nuk kanë… propozimet politike, bazamenti dhe as propozimet e tjera për ndërtim të një demokracie të mirëfilltë, nuk kanë funksionuar.

Ta marrin tash çështjen e drejtësisë tranzicionale. Ka shumë elemente, ne duhet që t’bajmë përpjekje dhe jemi duke bërë si grup ndërministror, domethanë shoqëria civile dhe ministritë, përfaqësust‘ e ministrive dhe kryeministrisë, që t’bëjmë diçka për ta modeluar procesin tonë. Në këtë proces, pikërisht për shkak të konsideratave, për shkak të rezervave politike ende mungon pjesëmarrja e minoriteteve pakicë n’Kosovë, komuniteteve pakicë. Jam shumë e sigurtë që me këtë qasje çfare ka sot bashkësia ndërkombëtare, që t’i bëhet presion njërës anë, e t’mos i bëhet presion anës tjetër, kurrë nuk do t’kemi një proces demokratik, integrus‘ të Kosovës, të baraspeshuar. Nuk besoj që do t’ketë.

Ne jemi dëshmitarë të kësaj kohe, që Kosova me Sërbinë nuk do t’mund t’arrinë pajtim që do t’jetë i qëndrushëm. Nuk mund t’ndodhë pajtimi n’qofse s’i kanë parapri hapa t’tjerë, të cilët hapin rrugë për pajtim të qëndrushëm. Po t’ndodhte kërkim falja që është shumë normale, asht’ njerëzore, për gjithë ato viktima që janë shkaktuar në Kosovë, e pastaj hapat e tjerë me përfaqësusë të mirëfilltë politik në të gjitha anët.  Nuk di në ka dikund tjetër në botë që dy palë kundërshtare, që kur njëra palë fare nuk e pranon shtetin e ri që është krijuar dhe pikërisht nga kjo palë të zgjidhet për ministër, ose ministra të zgjidhen, individë t’cilët janë të një establishmenti të kaluar, siç ka qenë i Millosheviqit për Kosovën, ata të zgjidhen për ministra të Kosovës. Dhe të njëjtit, të përdorin gjuhë fyese dhe të lëndojnë moralisht gratë, n’këtë rast nanat shqiptare dhe përsëri t‘ketë tëndenca që t’vazhdohet me po të njëjtët ministra. Nuk di çfarë lloj… për çfarë lloj morali politik e publik mund të flitet dhe ku do t’shpien proceset e tilla.

Në krejt këtë mozaik të shkapërderdhur politik, ekonomik e social, e me mungesë të madhe të drejtësisë për shkak të një sistemi gjyqësor të korruptuar, ndoshta jo për fajin e të gjithë njerëzve se jam shumë e sigurt që ka edhe gjyqtarë, edhe avokatë, edhe administratë, njerëz të ndershëm që punojnë n’mënyrë të drejtë, mirëpo sigurisht për shkak të zinxhirit të ndërlidhur politik, me sistemin gjyqësor, me përfaqësusit vendor dhe në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, me misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe me EULEX-in, po ashtu. Të gjithë këta, kanë bërë që sot Kosova të jetë këtu ku ndodhet sot. Të gjithë këta do t’bënin punë t’mirë, përveç në rrafshin e përgjithshëm, domethanë për popullatën në tërësi, në veçanti, për përmirësimin e pozitës së gruas, angazhimin e saj, qasjen e barabartë në drejtësi, n’qofse do t’krijohej hapësirë, n’qofse bazamenti, bazat mbi t’cilat asht ndërtuar kjo Kosovë, platforma të ishte që me kohë e vënë, e krijuar siç duhet dhe të ishte pjesëmarrëse direkte gruja.

Gruja, gjatë gjithë këtyre viteve ma shumë është trajtuar si një domosdoshmëri n’letër, për t’qenë pjesë e proceseve në emër të kuotës gjinore. Unë jam për kuotën gjinore sepse askun, edhe dikund tjetër në botë nuk ka trajtim meritor ndaj të drejtave të gruas, n’veçanti jo n’Kosovë. Mirëpo edhe n’këtë kuotë gjinore, sidomos n’qofse kjo është e shtytur, e nxitur nga ana e grave që t’jetë e grave t’cilat kanë dije, njohuri, kanë përvojë dhe që janë luftëtare të denja të përkrahjes së proceseve të barazisë gjinore. Kjo s’ka ndodhë n’Kosovë. Domethanë, periudhën e pasluftës është vështirë ta shohim si të ndarë për faktin se proceset siç e thashë janë zhvilluar në mënyrë të shkapërderdhur, dhe jo në mënyrë të organizuar.

Dhe jo që bashkësia ndërkombëtare shumë ka qenë e interesuar që qasja t’jetë e strukturuar. Ka qenë një qasje e çuditshme edhe mund t’them thjesht jo e duhur sepse gjatë gjithë kohës, për këto 15 vjet sa është zhvillu krejt procesi, janë ba eksperimente të ndryshme. Lloj-lloj eksperimentesh. Asnihere nuk na është dhanë mundësia që si popullatë, si Kosovë, që projektet tona t’jenë vendore. T’vijnë si iniciativa vendore dhe pastaj që të elaborohen me bashkësinë ndërkombëtare dhe t’aplikohen ato ide dhe projekte t’cilat do t’ishin tërësish në interesim të një Kosove stabile, të zgjidhjeve t’qëndrushme. Por, gjithmonë kanë ardhë me projekte të gatshme, lexoni për afat t’shkurtë, pa debat, edhe këto duhet të implementohen.

Prandaj e kem një Kosovë sot që nuk është stabile. Sa vite kanë kaluar dhe paria politike e Kosovës nuk ka qenë n’gjendje, dhe as sot e kësaj dite nuk janë në gjendje që ta shtrijnë sundimin në Mitrovicë, në veri, bile bile kanë frikë që as në pjesët e tjera të Kosovës të populluara me popullatë sërbe shumicë. Kjo po ndodhë thjesht edhe për neglizhencën e vendorëve. Nuk e di domethanë, n’qofse këta politikanë vendorë ndihen se nuk kanë fuqi për t’ndikuar, as profesionale, as morale, e as politike, do t’ishte shumë herë më e ndershme që të deklarohen politikisht se nuk mund ta bëjmë këtë. T’i tregojnë arsyet dhe t’ia lirojnë vendin dikujt tjetër.

Në të njejtën kohë, standardet e dyfishta t’moralit aplikohen edhe n’shoqërinë civile, edhe për fajin e shoqërisë civile. Domethanë, prej periudhës së pasluftës, e deri sot, proceset kanë anashkaluar për faktin se pjesëtarë të shoqërisë civile shpeshherë, Kosovën e kanë shikuar përmes, t’themi, syzeve të interesit personal, përfitimit personal dhe jo si proces që i takon ni shoqërie. Dhe pastaj, lëvizjeve të tyre të shpeshta nga shoqëria civile në partitë politike, nga partitë politike sërish n‘shoqërinë civile. Kjo ka bërë që Kosova të shëndrrohet në ni vend ku mund të dojë… kush të doj¨ të hyjë dhe të del kur të doj’, të sjellë çfarë të doj’ dhe të bën veprime t’cilat nuk do t’ishin të lejuara në asni moment dikun tjetër.

Po ashtu, për ni shembull, domethanë një ilustrim t’thjeshtë. Si nuk ndodhi asnihere që paria politike e vendit, t’paktën një notë proteste ta dërgonte në Beograd dhe qendrat e tjera jashtë Beogradit të vendim – marrjes kundër veprimeve abuzive të politikanëve sërb, të përfaqësusve t’qeverisë sërbe të cilët hyjnë kur të duan n’Kosovë, pa marrë leje fare. Për më keq, të fyjnë edhe si popullatë dhe si gjini, siç ka ndodhur. Dhe paria politike hesht. Une nuk e kuptoj pse paria politike hesht. Me heshtjen e tyre po ashtu hesht edhe popullata. Është dashur me ba shumëçka për me lëvizë tërë popullin, për faktin se kjo popullatë është lodhur nga protestimi, lëvizjet, veprimet në rrugë…

Dhe konsideroj që pjesa e cila, t’themi është më koshiente e Kosovës… ndoshta është momenti i fundit që duhet t’lëvizë, t’zgjohet nga gjumi i harresës kombtare. Burra dhe gra, t’dy partë [palët]. Dhe që çështjen ta marrin në duart e veta, që t’shkundin elefantin e durimit n’Kosovë, që nga vitet e 90-ta e tutje, dhe që Kosova t’bën përpjekje të del nga mjegulla ekzistuese dhe të bëhet ni pjesë e zhvillimeve demokratike, siç janë diku tjetër në Evropë, duke e marrur të drejtën e vendosjes vetë. Dhe, duke shfrytëzuar praninë e bashkësisë ndërkombëtare, ekpsertëve të cilët janë të pakorruptuar, për ta përmirësuar fotografinë aktuale, pamjen ose mozaikun e Kosovës. Dhe të tregojnë se Kosova është shtet dhe jo që Kosova të përfaqësohet me fusnota.

Sipas pështypjes time dhe përvojës t’gjatë domethanë që e kam si veprimtare për t‘drejta t’njeriut dhe si gazetare konsideroj që kjo lloj ndjenje që… ose kjo lloj tendence në rritje në Kosovë asht‘ shfaqë herë pas herë në periudha të ndryshme të historisë për faktin se Kosova sipas… t‘themi edhe regjistrimit të viteve të ‘70-ta… para kësaj periudhe, asniherë s’ka përjetuar në mënyrë zyrtare ndonjë ndryshim në ekonomi.

Tek në të ’70-tat, ka fillu ndryshimi. Dhe pikërisht për shkak të mungesës së t’mirave materiale, zhvillimit ekonomik, social, trajtimit të barabartë me ish-Republikat e Jugosllavisë, popullata nga frika se gjithmonë ka me qenë e keqtrajtume ka lypë rrugë tjera. E n’situatën e sotme domethanë n’Kosovë, në kohën kur po flasim, munsia ka qenë që në këtë terren ku shteti nuk funksionon në të gjitha hallkat e zinxhirit, në mënyrë të baraspeshuar, atëhere futja ose ardhja e organizatave t’huja me influencë qoftë politike, qoftë ekonomike, qoftë edhe religjioze pse jo, të gjitha këto kanë bërë që Kosova t’jetë ni terren i përshtatshëm. Sidomos për shkak të shkallës së varfërisë për t’cilën  konsideroj se nuk është 45 përqind siç tentohet të paraqitet ose prezantohet, por dikun 60 me siguri. Dhe, në këtë gjendje kaq të rëndë ekonomike për Kosovën nuk asht‘ vështirë për t’gjetur qytetarë, njerëz të cilët janë në nevojë dhe në frikë të madhe, që t’manipulohen dhe t’rreshtohen aty ku e dëmtojë edhe vetveten edhe Kosovën.

Sa i përket aspektit të tendencës në rritje të lëvizjeve politike radikale, siç e thashë edhe më herët, kjo është ni lloj trashëgimie e të së kaluarës. Dhe, këto lëvizje zakonisht kanë karakter socialist që nuk do t’paraqiste shumë dëm t’madh n’qofse nuk do ta kishte aspektin e radikalizmit përbrenda. Çështja e politikave t’majta n’Kosovë, me një elaborim i cili sigurisht për ni pjesë t’caktuar ka ndodhur, por jo për t’gjithë, se jo të gjithë njerëzit i kuptojë njësoj çështjet, po t’trajohej në mënyrë të dobishme pa ngarkesën e aspektit politik, besoj se nuk do t’ishte e dëmshme. Por, tendencat çfarë janë shfaqur n’Kosovë, mënyra se si i zhvillon veprimtari… i zhvillojnë veprimtaritë këto lëvizje kanë dalë që mos të jenë gjithmonë të dobishme.

Radikalizmi, në një kohë kur jo shumëçka e gati asgjë s’varet nga vet Kosova, konsideroj që më shumë e damton procesin e ndërtimit të stabilitetit n’Kosovë se sa që do ta ndihmonte që Kosova t’ecte me hapa stabil. Politikat rajonale, ndërkombëtare janë projekte të cilat nuk i vendosë vetëm ni shtet. Në këtë rast, jo Kosova. E dimë që, për fat të keq Kosova asht‘ ndërtu me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Dhe, kur dikush të ndihmon në ni ndërmarrje që është kaq e madhe, siç është ndërtimi i shtetit dhe kur bazamentin, platformën politike t’ndërtimit t’shtetit, t’konstruksionit ta ka vu dikush tjetër, atëhere munsitë për t’vepruar jashtë këtyre kornizave pa pajtim të ndërsjellë, janë të vogla.

Aspekti tjetër i lëvizjeve të tilla të majta, që bëjnë që procesi të degradon janë sigurimi i financave. Ka shumë rënsi se kush e financon ni lëvizje të tillë. N’qofse do t’lejohet çarje brenda përbrenda lëvizjeve të tilla, që këto lëvizje të financohen nga grupe radikale nga jashtë, qoftë ato me ngjyrim n’veçanti religjioz… sepse Kosova s’ka qenë ni popullatë religjioze asniherë… Dhe që këto pastaj ta shfrytëzojnë munsinë që të futen në Kosovë përmes frymës religjioze, qoftë edhe për të tillë, janë të dëmshme sepse, shkaktojnë përçarje në mes vet popullatës dhe e mbyllin munsinë e komunikimit në mes partive të majta dhe atyre të djathta. Dhe, e gjithë kjo bënë që një popullatë kaq e vogël sa është popullata e Kosovës, që mos të ketë zhvillim të shëndetshëm dhe të qëndrushëm. Në këtë mjegull, në këtë rrëmujë siç thuhet në popull, qytetarët e Kosovës janë para ni udhëkryqi, ku nuk dinë se ku t’rreshtohen, as kujt t’i drejtohen. Nga të gjitha palët janë të përndjekur.

Ne jemi dëshmitarë të gjallë, domethanë të faktit të ikjes, procesit të ikjes të qytetarëve, lëshimit të Kosovës. Ekzistojnë pikëpamje të ndryshme që po shkon ajo pjesë e qytetarëve t’cilët kanë punuar në organizata t’huaja, për shkak të pagesave të mëdha dhe ato kanë pushuar nga misioni. Pastaj, se disa të tjerë për shkak të kushteve të vështira, për shkak të biznesit. Mua personalisht, nuk ma merr mendja që janë arsyet këto. M’ka rastisë me bisedu edhe me njerëz t’cilët i  njof drejtpërsëdrejti, që një familje 13 anëtarëshe t’mos e ketë asnjë të punësuar. Nga të 13-të anëtarët, asnjë të punësuar. Dhe, çfarë kanë ata para shpirti? Një shtëpi dhe asgjë tjetër. Natyrisht, që të tillëve po t’jesh njeri nuk do t’mund t’u thuash se rri këtu, nese nuk je në gjendje që t’i ofrosh asni munsi për punësim. Kjo është shumë e qartë. Mund t’jetë edhe tjetra, që nuk e di domethanë… edhe politikat ndërkombëtare, interesat e tyre. Që t’jetë edhe ni proces i… ku di unë, i konstruktuar. Megjithate, nuk jam e prirur që t’besoj në situata të tilla.

Por, në kohën kur Sërbisë, e cila ka ushtruar gjenocid, e them me plotë të drejtë dhe jam e bindur në këte që e them, në Kosovë dhe Bosnje, dhe n’vendet e tjera n’ish-Jugosllavi bëhen përpjekje sizifiane që t’i krijojnë munsi që ajo të hyjë në Bashkësinë Evropiane, qoftë edhe me përfaqësusë politik që kanë qenë pjesëmarrës direkt të veprimeve diskriminuse e gjenocidiale të Millosheviqit, që me ta të flitet, bisedohet edhe në emër të krijimit të një marrëveshje paqësore, ndërsa në të njejtën kohë, Kosovës i mohohet e drejta për liberalizim të vizave, atëherë nuk di për çfarë drejtësie ne mund të flasim sot. Cila është drejtësia, cili është morali i organizatave ndërkombëtare, madje edhe i Kombeve të Bashkuara, që n’Kosovë t’flitet për t‘drejta të barabarta dhe ni proces paqësor, ju lutem.

Në këtë vend, në këtë laborator më mirë t’them të eksperimenteve të atyre që kanë fuqi dhe para, më s’shumti kanë për të pësuar qytetarët e varfër. Sepse ata, duke mos pasur munsi për jetesë, duke mos gjetur përkrahje për jetesë esenciale, themelore, ata do t’rreshtohen. Ose në këto lëvizjet e majta radikale, sepse nuk ka asgjë të keqe nga e majta sociale. Por e majta radikale për ni popullatë që tendencat janë që t’zvogëlohet numri edhe në ni milion e tetë qind që sigurisht shqiptarët janë deri n’gjashtë milion, duke përfshirë edhe ata jashtë. Megjithatë, në këtë situatë ata do t’detyrohen për shkak t’jetesës t’iu bashkangjiten qoftë grupeve religjioze radikale, qoftë atyre politike. Mandej edhe bizneseve t’korrupcionit të cilat janë hallkë e zinxhirit t’politikanëve. Të cilët politikanë, deri dje, ndoshta edhe sot me siguri, përmes kanaleve të nëntokës, biznesin e tyre politik, për përfitime materiale e kanë zhvilluar edhe me Sërbinë, edhe me Malin e Zi, edhe me krejt rajonin, edhe më tutje bile.

Dhe, natyrisht në këtë situatë rrëmujë, qytetarët nuk kanë munsira të tjera. Nuk iu është lënë. Po t’ishte e ndërgjegjshme bashkësia ndërkombtare, Evropa, ashtu siç trumbeton me të madhe, përse nuk e bëri të kundërtën? N’qofse për Kosovën siç thuhet, është investuar shumë, përse nuk është analizuar mirë, që ky investim t‘mos del t’jetë bërë kot… Apo ndoshta ka ndodhë diçka tjetër. Ndoshta ato t’holla kanë ardhë, dhe përsëri janë kthyer në xhepat prej nga kanë ardhë. Nga shtetet nga t’cilat kanë ardhë.

Të gjitha këto çështje nuk do t’mbeteshin të hapuara, po ashtu po t’ishim syçelë ne qytetarët e Kosovës, në veçanti paria politike. Sepse paria politike është ajo e cila vendosë. Qytetarët janë aty për t’qenë aktiv, mirëpo n’rrethanat n’çfarë është ndërtuar shteti i Kosovës, ku nuk është ditur asniherë se kush është zoti n’këtë vend, kush është zot i kësaj shtëpie, munsitë për ta pasur një proces të strukturuar, të mbikqyrun nuk kanë ekzistuar.

Gjyshet tona, gati stërgjyshet kanë bërë përpjekje mbinjerëzore që terrin e shamisë ta flakin dhe që t‘shndërrohen ose t‘shifen si pjesë e barabartë e qytetërimit evropian e botëror. Në ato vite, bile madje edhe duke qenë, duke iu bashkangjitur lëvizjeve për çlirim kombëtar, sepse gjithmonë lëvizjet për çlirim kombëtar janë konsideruar një kornizë kombëtare ku gratë kanë mund ta shtrijnë ndikimin e vet për përfitime gjinore, barazi gjinore, duke qenë pjesë e lëvizjeve kombëtare. Kështu ka ndodhur edhe atëherë me… domethanë me luftën e Shote Galicës. Pastaj, më vonë edhe me Luftën e Dytë Botërore ku kem’ shumë gra t’cilat edhe kanë rënë si heroina, edhe kanë qenë pjesëmarrëse, edhe çështja thjesht ka qenë që ato t’krijojnë hapësirë për gratë në proceset politike. Edhe në lëvizjet e mëvonshme, n’vitet e ’60- ta, ’80-ta, ’90-ta e kështu me radhë.

Fatkeqësisht, në vend se në Kosovën e pasluftës të ndodhte e kundërta dhe që më shumë gra të ishin në nivelin e vetdijësimit për lëvizjet që lulëzuan nëpër botë, lëvizjet demokratike për gratë, për barazi përmbajtsore, stabile, për pjesëmarrjen e tyre në proceset politike, ndodhi një shkarje. Dhe, një pjesë e tyre, sigurisht për shkak të varfërisë ekonomike zgjodhi rrugën më të keqe. Domethënë, atë të territ të shamisë dhe të territ psikologjik e intelektual e social dhe të zhvillimi të demokracisë nën ndikimin e burrave t’familjes, por edhe nën ndikimin natyrisht të shoqërisë. Sepse, ato sërish mbetën pa hapësirë për të vepruar dhe për t’u rreshtuar. Mu m’kujtohet fenomeni i mbulesës, ka qenë i pranishëm… Fillet i ka në t’vërtetë në vitet e ’90-ta. Këte që po e shofim sot, si realitet të hidhur fillin e ka në vitet e ’90-ta.

Atëherë kam qenë udhëheqëse e zyrës rajonale t’Prishtinës në “Këshillin për Mbrojtjen e t’Drejtave dhe Lirive t’Njeriut” dhe zyrën e kemi pasur me një objekt të përbashkët me Bashkësinë Islame t’Kosovës. Dhe një ditë, m’rastisi të shofë tri veta të mbuluara, që për mua ishte diçka shumë e pazakonshme. Vajza t’reja! Nga njëra nga ato, mësova që po përgatiteshin, 15-16 veta që do t’dërgoheshin në Arabi për mësim, për t’marrë arsimim religjioz. Më vonë disa herë jam interesuar se çka ka ndodhë. Me vite të tëra, nuk kam marrë informatë se çfarë ka ndodhë me ato vajza. Dhe, filluan më vonë pastaj, tek – tuk, si kërpudhat pas shiut që ato të shumoheshin. Në vend se atyre shteti t’u krijonte hapësirë për mësim qoftë alternativ, sepse ne e dimë që t’gjitha nuk kanë munsinë në mungesë të përkrahjes financiare për arsim të mirëfilltë e n’proces, por t’paktën për ate alternative t’bënte përpjekje shteti. Këtë hapësirë të pambuluar, ose këtë hendek e shfrytëzuan hoxhallarët të cilët u instrumentalizuan nga grupe radikale fetare, kryesisht nga vendet arabe e aziatike, dhe u instaluan në Kosovë. Duke u instaluar, u instaluan edhe politikat e tyre t’organizimit të kurseve.

Mu m’kujtohet shumë mirë disa sish. Kur i kam pyetur vajzat e reja, “Pse mbulohesh, ku shkon, cili ka qenë motivi?“ “Po motivi ka qenë, unë s’kam pasë kushte me u shkollu, kështu po shkoj po e ndjeku atë kurs, ligjërata te filan hoxha dhe po mësoj rreth fesë. Ma mirë është t’merrem me këtë se me asgjë. Pastaj kem’ t’organizum’ edhe kurs t’anglishtes, kurs të kompjuterit…“ Çka kërkon për shembull aspekti religjioz t’merret me çështjet e gjuhës e kështu, e gjëra të tjera kur ka munsi që shteti është dashtë ka bënte këtë në mënyrë të organizuar, zyrtare duke hapur munsi që këto vajza të interesuara të marrin arsimim, edukatë përmes profesorëve vendorë, se ka mjaft të tillë. Por, mosinteresimi, lënia anash e… nga ana e shtetit e kësaj pjese shumë të rëndësishme të shoqërisë, të të rinjëve, atëhere këta të rinjë e “morën fatin“. kushtimisht po e them n’thonjëza, në duart e tyre dhe u futën aty ku më s’pakti u ka takuar. Dhe, ku nuk do ta gjejnë parajsën për të cilën ata mendojnë se ekziston, por shpejt do ta shofin se ishte një zhgënjim dhe nuk do t‘përfitojë asgjë tjetër përveç territ.

Zakonisht, kështu domethanë e quaj terrin e shamisë sepse të gjitha ato vajza dhe gra më dhimbsen që një ditë do ta kuptojnë që krejt ate çfarë kanë, ato konsiderojnë që kanë investuar si kohë dhe si mund e ligjërata, ka qenë vetëm një mashtrim dhe asgjë tjetër. Natyrisht, që ka informata që ato pagesat për këto vajzat të cilat i kanë ndjekur kurse të tilla, kanë marrur nga 200 deri në 500 euro dhe sigurisht që kjo edhe mund t‘jetë reale sepse ato janë pa përkrahje materiale. Vende të punës për to nuk ka. Ne e shofim për shembull, n’qofse shkalla e papunësisë n’Kosovë mund t’jetë dikun 60 përqind, nga to mund t‘jetë eventualisht, se tash nuk m’kujtohen me shifra, 20 përqin punësimi i vajzave dhe grave.

Në këto rrethana ku s’ka stabilitet, ku s’ka organizim, ku s’ka interesim të shoqërisë, s’ka interesim të qeverisë, të parisë politike, për organizim të mirëfilltë të jetës, për punësim të të rinjëve, për krijim të fabrikave, për ndërtim të fabrikave përveç pompave të benzinës e të naftës, ndërtimit të hoteleve e të restoraneve, ne s’mund të presim ndonjë mrekulli. S’mund të presim që këta të rinjë do t’rrinë kot dhe nuk do t’rreshtohen në rrugë dhe lëvizje të cilat do t’jenë të damshme për Kosovën dhe për ta.

Bashkangjitja në numër t’madh të të rinjëve shqiptarë, grupeve radikale në Siri dhe dikun tjetër, është shembulli dhe përvoja më e keqe se çka mund t’i ndodhë Kosovës në një afat të shkurtë, duke e ditur po ashtu që Kosova ende nuk e ka një ushtri stabile, t’organizuar.

Edhe po ta kishte, tash për shkak të proceseve rajonale e ndëkombëtare, dihet se ato do të jenë me përqindje të prezantuara dhe aktive krahas popullatës. Domethanë, sa do t’jetë numri i popullatës aq do t’jenë… do t’jetë pjesëmarrja e ushtrive në kuadër të veprimeve të NATO – s, që kjo është gjë e mirë po t’ishe e baraspeshuar. Mirëpo, n’rrethanat e kosovës ku asgjë nuk funksionon siç duhet, munsia për veprime të dëmshme, për manipulim të të rinjëve dhe të të rejave është e madhe. Këto gra dhe vajza nuk janë të vetëdijshme se çfarë i pret në afat të shkurtë ose të gjatë. Mund të ndodhë siç ka ndodhë edhe me shumë të tjera diku në botë, që ato mandej të shëndrrohen edhe në robnesha të përfaqësuesve radikal, të ISIS-it, e organizatave të tjera radikale.

Veprimet teorike, deklaratat në shtyp të përfaqësuesve politikë t’Kosovës nuk flasin për asgjë përmbajtësore, as stabile si veprim kundër rasteve të tilla. Në praktikë, nuk di se sa ju ka rastisë juve, por m’kujtohet mua që arrestohen individët e tillë, hoxhallarë të cilët i kanë frymëzuar dhe edukuar me frymë radikale të të rinjët dhe mbahen një ose dy muaj, pastaj lirohen. Për çfarë drejtësie meritore e ndëshkuse mund t’flitet në këto situata? Të njëjtit, posa t’lirohen do ta vazhdojnë veprimtarinë e tyre. Dhe kjo… ky fenomen i keq dhe dëmtues në Kosovë nuk pritet që do t’ndalet as në vitet e ardhme. Mua më vjen keq për të gjithë domethanë, edhe për djemtë e ri edhe për vajzat, por natyrisht më shumë për vajzat dhe gratë sepse është pjesa e popullatës e cila gjithmonë ka qenë më e atakuar dhe e dëmtuar shumëfish. Dhe n’vend se të ndodhte zgjimi kombtar, nacional e njerëzor dhe arsimusë i tyre, në veçanti arsimusë, sot po ndodhë e  kundërta.

Dhe kjo, përveç me fajin e parisë politike, shumë edhe me fajin e shoqërisë civile. Epo, shpesh herë ka ndodhë me thanë që pjesëtarë t’shoqërisë cilive, “Kam, dëshirë me u marr me këtë çështje dhe t’i trajtojmë këto fenomene por kem’ frikë se do t’ballafaqohemi me dhunë nga ana e pjesëtarëve të këtyre grupeve radikale”. Pikërisht pse dëshirojmë t’jemi intelektualë duhet t’jemi të vetëdijshëm edhe për pasojat.

Gjithkund klasa intelektuale e cila është aktive, ka edhe pasoja. Dhe këto pasoja, n’qoftse besojmë n’misionin tonë, duhet që t’i marrim edhe pasojat si të domosdoshme. Në veçanti në vendin ku nuk funsionon rendi dhe ligji. Dhe t’flasim për moral e t’sillemi në mënyrë të pamoralshme, sepse amorale dhe sjellje jomorale thënë mës mirë për të gjithë, konsiderohet edhe mosveprimi. Shoqëria civile, me krejt veprimet e mira që i ka, i ka edhe të metat, sepse pikërisht n‘situata kur më së shumti ka nevojë për zërin e tyre të konsoliduar, t’flasin me një zë, ato nuk janë aktive. Dhe siç e thashë më herët ka kcime për shkak të interesave materiale, individuale nga shoqëria civile, në partitë politike dhe anasjelltas. Dhe shumë pak tash me këtë mënyrë të sjelljes na ka ngelur që si shoqëri civile t’i akuzojmë paritë politike, politikanët dhe qeveritë.

Aktivizmi

Shukrije Gashi: Nuk di sa vende t’punës kanë qenë që kam apliku dhe nuk jam pranu. Shpjegim s’ka pasë asniherë.

Kaltrina Krasniqi: Kur jeni punësu për herë t’parë?

Shukrije Gashi: Për herë t’parë jam punësu në vitin 1994, kurse në ndërkohë, si bashkëpunëtore e jashtme, domethanë si gazetare e lirë kam vepru që nga viti ’79. Nuk e kam pytë askend. Dhe kam dërgu domethanë edhe shkrime t’mijat, kam botu por krejt ma shumë kanë qenë me pseudonim. Pastaj edhe “Fjala”, që ishte një revistë për kulturë dhe arsim, “Shkëndija” e të tjera, botonin artikuj t’mijtë dhe punime, herë me emër e herë pa emër. Milazim Krasniqi n’atë kohë m’ka ndihmu shumë që t’i botoj edhe poezitë e mija. Ndonjiherë m’jepte edhe punë, për shembull që t’i ndaja si mas’ renditjes në vazhdime, libra të ndryshëm si t’Kadaresë e të tjerëve, të cilat botoheshin në revistën “Fjala”.

Kështu ka ndodhë edhe me revistat e tjera dhe gazetat, shtypin ditor, ashtu siç e thashë deri n’vitin 1994. Megjithate, unë kam gjetë edhe rrugë tjera, sepse bashkëpunoja n’atë kohë edhe me shtypin që ishte jashtë vendit. Fatmirësisht, kam pasur njohuri solide për gjuhën angleze dhe kjo m’ka ndihmu shumë. Dhe ate, e kam bërë me mund t’madh dhe përkushtim t’madh. Nuk do t’kisha mund ta bëjë asniherë, po mos t’ishte ndihma e babait.

Kaltrina Krasniqi: Mandej vjen viti 1989…

Shukrije Gashi: Më vonë vjen viti 1989–të. Unë për shkak të dëshirës time, gatishmërisë time që vazhdimish t’jem në rrjedhë me kohën, edhe pse s’kam qenë n’punë, gjithmonë i kam vizitu studentët, kam qenë n’mesin e studentëve. Gjithmonë kam shfrytëzu situatat ku ka pasë të ri, i njoha apo si njoha, t’flas për nevojën për organizim, për nevojën për ndryshim në Kosovë, për Republikën e Kosovës. Qoftë edhe publikisht, nuk jam lodhë për atë çështje. Edhe pse vazhdimisht kam qenë në përcjellje të regjimit. Siç e thashë domethanë, s’kam pasë sukses që ta marr pasaportën…

Mandej erdhi viti ’90. Në vitin ’90, ishte fillimi domethanë kur në vizitë tek unë erdhën Adem Demaçi me disa shokë të tjerë, me Salih Sefën, Nuhi Ahmetin dhe dikush tjetër që nuk m’kujtohen, dhe kërkunë nga unë që të antarësohesha në “Këshillin për Mbrojtjen e t’Drejtave dhe Lirive të Njeriut.” Domethanë ishte vetëm fillimi i themelimit të kësaj organizate dhe kam qenë bashkëthemeluse me Adem Demaçin atëherë. Kam bërë një punë falas, vullnetare për shtatë vjet. Fillonte puna n’ora shtatë n’mëngjes dhe shpesh herë mbetesha deri n’ora nji pas mesnate, ose dy. Dhe ate me kushte shumë të vështira sepse s’kem pasë as telefona, as…

Pastaj e bënëm ni telefon, ni faks dhe një kompjuter. Kompjuterin mandej na mësoi një gazetar që ishte nga Britania e Madhe. Atëherë edhe raportet i përcillnim edhe me shkrim, domethanë përmes faksit. Më vonë edhe përmes internetit dhe kështu kam vazhdu për vite të tëra, deri n’fillim të vitit 1989… ’98, m’falni. Kur edhe për shkak të angazhimeve të mëdha që kisha, jo vetëm në të përditshmen “Rilindja”, por dhe bashkëpunimi që bëja me agjenci t’ndryshme t’huajat, gazetarë t’huj’, vendosa që duhet ta lija punën në “Këshillin për Mbrojtjen e t’Drejtave dhe Lirive t’Njeriut” sepse tashmë edhe ishte konsolidu, kishte dhe punëtorë të tjerë. Ndonëse shpirtnisht, nuk jam nda asnjëherë dhe në vazhdimësi kam dërgu informata edhe kur kam dalë nga Këshilli. Informata nga terreni, për dhunën që vazhdoi me t’madhe dhe ishte në rritje në krejt Kosovën, nga ana e regjimit.

Gjatë kohës sa kam qëndru në Këshill, kam kriju rrjet të ri të njerëzve. Aty njoha edhe shumë aktivistë, aktiviste tjera, siç ishte për shembull atëhere Sevdije Ahmeti, Vjosa Dobruna, Lirije Osmani, Nekibe Kelmendi, Naxhije Buçinca, Xheraldina Vuçinca – Vula, Zahrije Podrimqaku, Shahadije Neziri. Ndërsa shoqet e burgut, shumica prej tyne ndodheshin jashtë.

Këto gratë e shoqnisë civile që ende janë aktive, domethanë pjesën dërrmuse të tyre e kam njohur qysh atëherë. Mandej edhe Luljeta Pula, me te edhe… edhe e kam shoqe edhe jam shoqëru gjatë. Mund t’them lirisht që ka qenë ndër gratë e pakta që ka pasë një qasje dinjitoze, karakteristike, e pazakontë për kohën. Sepse edhe ku ishte shumë vështirë, ajo u dha leksion n’Beograd qysh duhet me mbajtë qëndrim karshi çështjeve kombëtare. Unë kam një respekt të veçantë për të dhe m’vjen keq që sot, prej paslufte e n’vazhdimësi që nuk ka qenë aktive n’politikë. Aty, kam njohur edhe gra të tjera të cilat kanë dhanë ni kontribut t’madh edhe gjatë luftës… E në veçanti do ta theksoja kontributin e Zahrije Podrimqakut, e cila atëherë ishte anëtare e “Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive t’Njeriut”, bashkë me Shaban Shalën e shumë të tjerë, të cilët e ndihmuan shumë luftën çlirimtare t’Kosovës.

Gjatë atyre viteve, flasim për vitet ’93, ’91, ’97, ’98, unë kam qenë e pranishme shumë n’terren. Kam pasë kontakte shumë t’shpeshta me lëvizjet që kanë ndodhë n’terren, me aktiviitetet e UÇK – së, dhe aty kam hasë vajza dhe gra të cilat e kanë ndihmu luftën dhe kanë qenë aktive në luftë. Për mu rast i veçantë ka qenë momenti kur kam hy në një shtëpi në Prekaz, e kam pa… sigurisht kanë qenë mbi 30 veta, t’veshun me uniformën e UÇK – së. Dhe, nga ngazëllimi kam mbetë në mes të dhomës. Nuk kam ditë me u ulë ma. Ishte ëndrra e fëminisë e atij ushtarit që unë e pata vizatu kufirin Kosovë – Shqipni dhe në atë kufi, n’atë pjesë, një ushtar që i ruante të dy kufijtë, n’mes dy kufijve. Dhe vet me veti, thashë, “Epo, kjo qenka liria!” Dikur njëri nga ata ushtarë që ishte më në moshë më të madhe, më shkundi kështu nga krahu, më tha, “Ulu, ulu moj motër.” Dhe më ulën në krye t’vendit.

M’bëri përshtypje sepse gjithmonë Serbia, regjimi sërb, politika sërbe, kanë ba përpjekje që shqiptarët t’i prezentojnë si popull tradicional, si popull që ushtron dhunë gjinore, si popull që nuk ka respekt ndaj gruas. Në fakt, e kam cekur shumë herë, po e cekë edhe tash. Gjithmonë, sa herë kam shkuar në odat shqiptare, gjithmonë venin e kam pasë në krye të odës. Çka po du me thanë me këte është se respekti gjinor nuk asht’ se e kanë zbulu të tjerët sepse për ata që e kanë lexu “Kanunin e Lekë Dukagjinit” e kanë të qartë. Në kaptinën ku bëhet fjalë për ndërmjetësimin, ndër të tjera thuhet, “Qoftë burrë a grua, qoftë djalë a vajzë, që të gjithë kanë të drejtë të barabartë që ta ushtrojnë rolin e ndërmjetësuesit, që të ndërmjetësojnë”. Unë këte e parafrazova se s’po mund ta them saktësisht, ju mund edhe ta lexoni. Domethanë vajzën e barazon me djalin, me burrin, me priftin. Që flet për ni barazi shoqnore, për ni barazi të gjinive… E t’cilin dokument gjithmonë e përdorë dhe i referohem që ta kupton bota se shqiptarët e kishin një kushtetutë e cila u kujdes për aspektin e barazisë gjinore në nji dokument që daton para dokumentit t’Kombeve të Bashkuara “Magna Carta Libertatum,” 200 vjet para këtij dokumenti.

Dhe që m’vjen keq që ni përmbjedhe e tillë ekziston dhe është e kodifikuar në letër, kurse sot nuk përfillet, nuk zbatohet në praktikë. Shqiptarët, kanë pasë dhe kanë shumë vlera për t’cilat nuk kanë njohuri, një pjesë e tyre. Ndërsa unë këtë e kam bartë gjatë gjithë rinisë time, edhe sot kur mbaj ligjërata, jo vetëm në trajnimet që mbaj këtu, edhe jashtë vendit, në shumë vende t’Evropës e t’botës, por edhe në ligjëratat t’cilat i mbaj në AUK me studentët e huaj, që ata t’kuptojnë se shqiptarët sa i përket kulturës, arsimimit, çështjeve të caktuara, sidomos respektimit të të drejtave t’njeriut nuk është se s’kanë njohuri. Bile, janë para popujve të tjerë në botë.

Kështu domethënë, angazhimi im në shumë rrafshe m’ka dhanë hapsinë që edhe ma tutje, domethanë edhe pas viteve të ’90-ta, të jem aktive deri kur ndodhi lufta dhe pas luftës, edhe sot. Në periudhën e fillimeve t’para, siç e thashë kam ndier një obligim moral, kombëtar e njerëzor që t’kujdesem për shënimin e shkeljeve të t’drejtave t’njeriut, po njëherit që t’kujdesem dhe të gjej informacion se çka ndodhte në terren, në veçanti me gratë dhe vajzat. Dhe këtë e kam bërë edhe duke e përkrahur punën e organizatave të cilat merreshin me këtë çështje, siç ka qenë “Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve”, “Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut” dhe shoqata, atëherë “Motrat Qiriazi” dhe të tjera. Pastaj ka qenë “Grupi i Krijuesve dhe Veteranëve të Arsimit” dhe disa të tjera që tash nuk më kujtohen se janë shumë, që frymën e aspektit kombëtar, aq sa kam mund ta përhapë nëpër gjenerata t’reja, por edhe më të moshuara, në mënyrë që të unifikoheshim. Të ishim unik rreth çështjes kombëtare.

Pastaj kam qenë edhe aktive shumë në fushatën për Pajtimin e Gjaqeve. Me shumë studentë dhe profesorë, ku qëllim kryesor nuk ka qenë veç pajtimi në mes të shqiptarëve dhe falja e gjaqeve, por njëherit qëllimi ka qenë që shqiptarët të bashkohen dhe të përqendrohen në një armik të përbashkët, i cili ishte regjimi sërb. Aty pastaj janë zhvillu edhe aktivitete të tjera që të ndihmohet edhe UÇK–ja n’terren dhe pastaj kam pasë rastin dhe nderin që shpesh herë të takohem edhe me Adem Jasharin, edhe më Hamëz Jasharin. Ata kanë qenë shokë të Nuhi Berishës… Madje edhe për herë t’parë kur jam taku me ta, m’ka ba përshtypje t’madhe, sepse atëherë nuk e kam ditë që e kanë njoftë Nuhiun ata.

Dhe kur doli në skenë mësuesi Halit Geci, atëherë nëse ka mundësi ndonjëherë me e shiku filmimin e asaj ngjarje, kam qenë e vetmja që ka qenë n’binë me diktafon që e kam inçizu rastin. Edhe pse ka pasë thirrje që nuk duhet t’bëhet asnjë inçizim, por unë e bëra me qëllim që ta kem atë ngjarje. Dhe ne nuk e kem’ ditë që ka për t’dalë n’skenë atë ditë UÇK–ja, ndonëse për mu nuk ishte risi sepse i kisha taku sa herë ata njerëz. Dhe, në ni moment erdhën tre veta dhe unë isha mbrapa tyre. Inçizova fjalimin të tërë dhe pas asaj ngjarjeje, ish-kolegët e mij të Rilindjes, m’u lutën që t’i çoja te Adem Jashari, te familja Jashari në Prekaz dhe shkova bashkë me ta.

Dëshira e ni koleges time ishte që ne të qëndronim një natë atje, mirëpo i zoti i shpisë, baca Shaban, Shaban Jashari, na tha, “Kërkoj falje, m’vjen shumë keq, shumë kam dëshirë t’ju mbaj sonte këtu si mysafirë por nuk do t’sygjeroja sepse kam frikë se mos po koritem. Mundet në çdo moment me ardhë policia dhe ushtria me ma sulmu familjen edhe mandej me ju ndodhë diçka edhe juve. Ju kisha lutë që ma mirë të shkoni.” Bile ajo kolegia ime Evliana Berani tha që, “Po pse, baca Shaban, na mujmë me veshë kulet e me… “Jo”, tha, “Nuk është punë kulesh kjo. Po është punë sigurie. Une nuk muj t’ju siguroj se s’ka për t’ju ndodhë kurgja dhe për mue është kori e madhe n’qofse ndodhë diçka n’familjen teme.”

Edhe kështu dolëm. Në dalje, Hamëz Jashari, “Shukrije, t’u kisha lute që …” filan gazetari, që s’po ia tham’ emrin tash, po flas me gjuhë popullore, ashtu siç m’ka thanë ai, T’i tregosh që ai nuk banë ma me shkelë n’këto anë, kama e tij, sepse na e ka futë n’shtab ni spiune t’Beogradit duke e qujtur si gazetare të “Reuters–it, me emrin Viktoria. Dhe vërtetë unë e përcolla mesazhin e tij kur u ktheva nga terreni.

Veprimtaria s’përfundon këtu domethanë, raste të tilla e përvoja n’terren kam pasur shumë. Gjithmonë si synim e kam pasë përfshirjen e gruas, pjesëmarrjen e saj aktive, qoftë në aktivitetet politike, qoftë të luftës, qoftë ato humanitare. Me qëllim që t’themelohet një traditë, një përvojë në këtë drejtim dhe që gruja t’merr pranim, t’ketë pronësi n’procese, t’i njifet pronësia n’proceset n’Kosovë.

Burgu

Shukrije Gashi: Unë jam arrestu në vitin 1983… Në ndërkohë ndodhën arrestime n’Gjilan, n’qytetin e Gjilanit. N’atë kohë, Nuhi Berisha, i cili atëherë përveç që ishte anëtar i Lëvizjes dhe ishte bashkëveprimtar i imi, ishte edhe i dashuri im, më njoftoi që në Gjilan kanë fillu arrestimet dhe që ekziston mundësia… do t’ekzistonte mundësia që edhe ne të arrestoheshim. Dhe, unë e luta me t’madhe… meqenëse Nuhiu ka qenë edhe njëri nga themeluesit e Ushtrisë   Çlirimtare t’Kosovës dhe që ai, domethanë qëllim kryesor e kishte edhe themelimin e Ushtrisë, e luta, dhe biseduam që ai duhej ta lëshonte Kosovën, sepse në këtë drejtim ishte shumë më i përgatitur sesa të tjerët. Dhe pastaj u vendos që ai të largohej.

Një mëngjes herët, mëngjes prilli, unë shkova në shtëpinë ku ai banonte për t’biseduar me te, se çfarë duhej unë më pastaj t’bëja si anëtare e Lëvizjes. Para se të nisesha, ra zilja e telefonit n’shtëpinë time dhe bisedova me babain e Ahmet Isufit, dhe ai më tregoi që Ahmeti ishte arrestuar. Natyrisht, atëherë jemi thirrë me pseudonime, sepse përgjimet e telefonave kanë qenë domethanë n’funksion me t’madhe. Herët e mora informatën, shkova që ta ndajë këtë informatë me Nuhiun, sepse e dija që tashma ky ishte shumë i rrezikuar. Biseduam me te, se cilat material do t’duhej të asgjësoheshin krejt, dhe cilat mundësisht të ruheshin, dhe kujt t’i dërgoheshin? Unë e kam pasë rrethin e gjanë të shoqeve… edhe me ato që kanë qenë në studime. Disa nga materialet vendosa që t’i ndaj me nji shoqen timen, që ajo t’gjente mundësi për t’i strehuar, për t’i fshehur diku ato, meqenëse pushteti më shumë dyshonte në familjen time sesa t’sajën. Dhe ashtu u vendos që t’bëhej.

Pasi që bisedaum për detyrat, e dija që largimi i Nuhiut mund t’ishte edhe hera e fundit që do t’shiheshim. Sepse nuk i dihej fatit tim, as t’atij. Isha shumë e sigurt që policia dhe UDB‐ja na përcillte hap pas hapi. Dhe kjo do t’ndodhte! Që sigurisht unë do t’arrestohesha! Dhe pasi që i mora ato materiale që duhej per t’i shpërndarë… duhej për t’i strehuar, dola në rrugë. U përshëndetëm me Nuhiun, dhe derisa vazhdova t’eci, u ndala për pak, e ktheva kokën pas edhe një herë. Dhe ajo ka qenë hera e fundit që e kam pa, domethanë në prill të vitit 1983. Në krye të lagjes, n’fund të lagjes në t’vërtetë, pashë dy agjentë që po prisnin. Dhe atëhere mu deshtë që ta shmangë rrugën. Të hy në një rrugicë tjetër, që përmes deriçkave, nga shtëpia në shtëpi, të dal në rrugën ku banoja unë, në mënyrë që t’i shmangesha   rrezikut.

Mbeta me brengë të madhe, sepse tash nuk isha e sigurt se a kanë arritë të njejtit agjentë që t’i binin në gjurmë që Nuhiu ende ishte aty, apo jo? Kur mbrriva tek ura e lumit Prishtevka, që tash nuk është më, sepse është mbuluar, po ashtu aty pashë një agjent tjetër i cili shikonte, dhe priste dikend. E sigurisht m’ka pritë mua, se s’ka pasë kend tjetër ta pret! Dhe, në vend se ta ktheja   rrugën për t’shkuar në shtëpi, u futa në treg. Pa pasur nevojë. Vetëm që t’i shmangesha mundësisë që të mund të arrestohesha ose të shihesha nga ai. Dhe nga larg, e vështroja. Pritsha aty, prita një kohë të gjatë derisa filloi me ra muzgu, nuk shkova në shtëpi. Kur mbrriva në shtëpi, bisedova me vajzën e axhës, e cila po ashtu ka qenë aktive, Emine Gashi, tash Rexha, e cila është e martuar në Dibër. Kemi qenë të së njejtës gjeneratë. Dhe i tregova, i thashë, “Duhet…mu m’duhet t’bëj diçka patjetër, sepse UDB‐ja na ka ra në gjurmë. Unë i kam parë agjentat sot, Ahmeti është arrestuar, domethanë t’gjitha shenjat janë që rreziku do t’na përfshinë edhe neve, kështu që m’duhet t’baj diçka që… ose largohem për nji kohë, ose t’ik krejt nga vendi, t’mos bie n’duart e policisë”.

Ditën tjetër, herët në mëngjes, ne kem’ dalë me ble këpuca. Kam shiku që t’jenë këpuca t’rehatshme, që më lehtë me mujtë me vrapu (qeshë), me ju shmangë rreziqeve. Derisa… atëhere quhej domethanë Boro Ramiz, sot Qendra Sportive, atëherë quhej Boro Ramizi… derisa unë po futesha nëpër shitore të ndryshme që t’gjeja këpuca të përshtatshme, vajza e axhës e kishte hetuar, pikasur një agjent i cili na përcillte. Bile, jo vetëm vajza e axhës, por edhe shitësi në shitore e kishte vërejtur këtë lëvizje dhe mu lut që t’futesha aty ku provoheshin… brenda ku… në nji pjesë t’lokalit, dhe aty të rrija derisa t’largohej agjenti.

Mu m’bëri përshtypje shumë positive, dhe në të njejtën kohë ishte befasuese, se nga e dinte ky shitësi që kend po e përgjonte ai spiun?! Por ai shitësi e kishte ditur që ishte një nga agjentët e njohur domethanë të UDB‐së, dhe doli edhe vetë para shitores, për t’u siguruar se kur do t’largohej. Momentin që e pa se ishte larguar më thirri dhe më tha, “T’lutem shpejt, dil nga pjesa e epërme e ndërtesës!” Nga hyrja e epërme dhe ashtu vepruam. Nga aty pastaj, i kemi dhanë me vrap me ecë dhe përsëri nga larg, vajza e axhës i ka pa disa agjenta tjerë të cilët janë vu në lëvizje. Dhe kështu që domethanë në rrugët anësore kemi arritur që t’mbërrimë në shtëpi. Aty u morëm vesh, që tashma rreziku ishte i qartë dhe duhej t’bërë diçka që t’i shmangesha arrestimit. (Ofshanë).

Ndërsa ne po bisedonim mes vete dhe të shqetësuara, nëna ime kishte hetuar që diçka nuk ishte në rregull. Dhe na pyeti se, “Çka keni kështu? Pse jeni të shqetësuara?” Mu m’u drejtu, “Pse aq herët thirri dikush n’telefon? Ku ishe? Çka po ndodhë kështu? Pse mbani fshehtë diçka nga ne? Çka po ndodhë?” Unë thashë, “Asgja! Këto janë normale, është kohë e keqe, arrestimet po ndodhin gjithandej…” I tregova edhe për Ahmetin që ishte arrestuar, dhe pastaj tha, “Kjo s’qenka punë e mirë hiç! Domethënë, së shpejti radhën e ke ti!” “Po…” thashë, “s’është e papritun, mundet me më ndodhë që… Mos t’ju bjen befasi kjo punë, më mirë ta dini”.

Natyrisht, në shtëpi kishte materiale të shumta, domethanë të cilat i kishim hartuar për t’i shpërndarë, por në të njejtën kohë edhe ndikimi, frymëzimi nga këto materiale kishte shkuar aq larg sa që edhe vëllezërit të cilët ishin shumë më të rinj nga unë, edhe në fletoret e tyre t’shkollave, kishin shkruar domethanë… gjeje shkrime të tilla si “Kosova Republikë”, “Kosova…” “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë”, e të tjera. “Kosova është e jona” e kështu, “Trepça është e jona,” parulla domethanë të cilat ishin thirrur e përfolur edhe gjatë demonstratave të ’81‐shit. Mandej edhe vizatime me përmbajtje kombëtare. Vizatime edhe përqeshje të pushtetarëve të atëhershëm edhe shqiptarë, me skica të cilat ata i prezantonin me karakteret e tyre ashtu çfarë ishin, duke i karakterizuar me kafshë të ndryshme, e kështu. Dhe për këto të tjerat domethanë, për këto që… përqeshjet për pushtetarët, nuk kisha shumë dijeni, sepse s’ma ka marrë mendja që edhe ata po merren me këtë çështje (qeshë).

Dhe, megjithate, vendosa që t’shkoj te axha, te babai i Emines dhe djalit axhës. Po e theksoj me qëllim, Njazi Gashi, sepse edhe ai në vitin ’81 është dënuar me nëntë vjet burg. Shkova në familjen   e tyre, që domethanë t’largohem nga shtëpia. Atë natë, nuk m’kujtohet saktësisht, po dikush fejohej. A te ky axha ku kam qenë, a te axha tjetër që ishte në shtëpinë ngjitur me shtëpinë e   babait të Emines, nuk e di, por e di që një ngjarje e tillë zhvillohej. Derisa aty këndohej, për shkak    të fejesës domethanë, policia veç kishte rrethuar shtëpinë time dhe ishin fut brenda. Edhe n’shtëpinë time, edhe t’axhës tjetër, ku jetonte gjyshja. Atëherë, nuk e di pse, domethanë ndoshta intuita, mu duk’ sikur dëgjova nga jashtë sirenën e kerreve të policisë edhe përnjiherë brofa n’kambë, kështu {brofë nga vendi}, e shqetësume. Thashë, “Uh, Zot! Sigurisht policia!” Vajzës t’axhës i thashë, “Une…” thashë, “Duhet t’largohem nga këtu”.

Dhe doli që të ishte ashtu. Pastaj fillunë ato të rrahurat e randa në dyert e shtëpisë, goditjet nga  ana e policisë dhe agjentëve t’UDB‐së. Unë me vrap u futa në tavan, kulmin e shtëpisë, nga aty   dola, kërceva murin, dhe dola tek fqinjët e axhës. Policia ia behën. Aty e kanë arrestu vajzën e  axhës, këtë që ishte moshatare e imja, Eminen. Në të njejtën kohë, e kishin arrestuar edhe motrën time t’vogël, Hilmijen [Higin]. Dhe babai ishte po ashtu i arrestuar, nji djalë i axhës t’madh… Që të gjithë këta ishin marrë në polici dhe po mbaheshin atje. Vajza… gruaja e axhës, që ishte po ashtu edhe tezja ime, ishte mjaft e shqetësuar dhe në mëngjes herët domethanë, u ktheva, e lashë shtëpinë e fqiut, dhe u ktheva tek axha, dhe vendosëm që ta lenim Prishtinën.

Dhe ia mësyem fshatit të tezes, domethanë të shkonim tek dajët e mi. Bëmë rrugë tetë orë në këmbë. Gruja e axhës më këshilloi që unë ta veshja një mantil, domethanë mantil grash, edhe një palë… atëherë i quanim dimija, kule, që ma t’vogla se sa dimijat ishin kulet. Tha, “Se ndoshta kështu maskohesh edhe nuk bjen shumë në sy”. Edhe pse s’ndihesha rehat hiç, në rradhë të pare sidomos jo, sepse ishte në kundërshtim me natyrën time dhe nuk dëshiroja që të identifikohem me veshje të tillë. Megjithate, pranova. Kur arritëm në fshat, dhe që duhej t’ecur domethanë kodrave dhe ishte shumë e vështirë, u desht’ që t’i hiqja kulet, sepse s’kishte mundësi ma (qeshë). Duke shikuar lart në qiell, pashë se policia ia kishte behur me helikopter. {Tund kokën}. Dhe atëherë bashkë me axhën Fehmi, morëm drejtimin e pyllit, jo më kodrinave, po pyllit, në mënyrë që t’i shmangeshim ndjekjes. Dhe u futëm thellë në pyje të dendura. Atje domethanë, nejtëm derisa u err dhe nuk shihnim asgjë.

Kur u errësua, ne arritëm tek dajët dhe për shkak të… domethanë presionit t’madh, dhe për faktin që edhe ata ishin të… thjesht shenjuar nga pushteti, biseduam për mundësinë e qëndrimit, ose të joqëndrimit. Unë gjithmonë… edhe axha edhe unë, gjithmonë kemi insistuar që nëqoftëse nuk ndihen rehat me praninë time aty, që unë t’mos të qëndroja. Sepse isha e vetëdijëshme që kudo që t’shkoja, secila familje do t’rrezikohej me praninë time. Disa nga ta, ishin të mendimit që duhet   të rrija, natyrish jo t’gjithë, sepse jo t’gjithë njerëzit ndajnë të njejtin mendim, dhe për këtë, unë kisha mirëkuptim. Vendosa që bashkë me dy dajtë e mi, me dajën Fazli dhe dajën Dalip, të cilët   kanë qenë edhe pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare t’Kosovës, e daja Dalip edhe është vra gjatë luftës së fundit në Kosovë… i cili ka qenë edhe pjesëmarrës i të gjitha demonstratave që janë zhvilluar në Kosovë, vendosëm që përsëri ta marrim malin. Domethanë të isha… të qëndroja atje, por duhej që të rrija në pyll. Në një pjesë ku ishin varrezat e vjetra, sepse mendonim që në varreza sigurisht nuk do t’vinte policia.

M’kujtohet një rast… domethanë në çdo rrethanë ekzistojnë momente kur edhe zhvillohet humor. Dhe nuk e dija, meqenëse ishte terr, dhe në dritë të hënës nuk arrita që ta vërej që ato ishin varreza. Nuk e dija ku ndodheshim dhe jam ulë me ni vorr, pa ditur se ku isha (qeshë). Dhe duke shikuar përreth {e hedh shikimin anash}, në dritë t’hanës pashë disa shkëndija që shpërndaheshin. Ata që të dytë e kanë ditë, po kanë mendu që në qoftëse më tregojnë ka me u frigu. Edhe po pysë une, “Pse more, çka po ndodhë? S’po kuptoj! Çka janë këto kandila, shkëndija që po shpërndahen n’ajër?!” Ata u panë mes vete, edhe fillunë me qeshë. Dhe më thanë, “Ëë, shumë mirë! Ti që po ban përpjekje t’luftosh për t’drejtat e njeriut, po i shkel t’drejtat e dikujt që tash momentalisht është nën ty.” Edhe unë pashë përreth, përsëri nuk arrita me kap qëllimin e kësaj thanie. Edhe fillunë t’qeshin. Thashë, “More burra, tregoni për çka e keni fjalën se s’jam kah kuptoj çka po ndodhë këtu, me këto kandila.” Thashë, “Se s’lodhem unë! Kushdo qoftë, folni! Çka është kjo punë?!” Atëherë, daja Dalip tha, “Shiqo…” tha, “Këtu jemi në vorreza”. Tha, “Se ma sigurt sesa këtu s’je askund” (Qeshë). Atëherë e mora vesh që isha ulë mbi një vorr (qeshë). Dhe kështu! {Tund kokën}.

Mirëpo mandej e dinim që policia, agjentët… morëm informata që vazhdimisht interesoheshin, i merrnin në pyetje edhe babain, edhe motrën, edhe të tjerët, dhe vendosëm që unë të largohesha diku më larg sesa tek dajët. U zhvillu organizimi. Arrita që me ndihmën e dajës Dalip, axhës tim, të ndjerë tani që të dy, Fehmiut, dhe një mik të vëllaut të gruas s’axhës me pietet emrin, Rama. Ka qenë një burrë nga Majanci. Majanci, fshati Majanc që ndodhet në Llap. Kur ai ka marrë vesh se për çfarë arsye unë dua që t’kaloj në ilegalitet, t’largohem, ka marrë domethanë kamionin e tij, dhe me kamion t’tij, bashkë me mikun e tij Jahirin, i cili ishte vëllau i gruas t’axhës dhe dajën tim Dalipin, të më dërgojnë deri në Ferizaj, për strehim në një familje tjetër.

Në atë familje kam ndenjur një javë. Ka qenë familja Lekiqi, dhe aty gruaja e zotit t’shpisë kishte qenë kushërirë e imja por që nuk e kemi ditur njëra për tjetrën. Nga aty, vendosëm që unë të shpërngulesha, domethanë ta ndërroja vendqëndrimin, t’kaloja në Prizren, në nji familje tjetër, në mënyrë që t’i shmangeshim mundësisë për t’u zbuluar nga ana e policisë. Pastaj në Prizren, kam ndenjur tri javë, ose më pak. Nuk jam shumë e sigurtë për kohën! Dhe për t’iu shmangur rrezikut, netët i kaloja poashtu në varrezat e vjetra të qytetit. Domethanë, pothuajse çdo mbramje e kam kaluar aty, deri në orët e hershme të mëngjesit. I zoti i shtëpisë, ka qenë një burrë trim, i cili e  kishte humbur njërin sy në luftë, duke qenë anëtar i Ballit Kombëtar. Një patriot i flaktë, i cili më thoshte, “Ndihu rehat! Veç ti që po insiston me shku n’varreza, sesa për mu edhe familjen, ti lirish mundesh me nejt këtu. Po e sheh këtë pushkë vjerrun? Deri n’plumin e fundit ka me t’mbrojtë!” Mirëpo, me gjithë përkushtimin e tij, unë nuk kam dashur që ta rrezikoj familjen, dhe vendosa kështu, domethanë që mbrëmjeve të shkoja tek varrezat e vjetra të qytetit të Prizrenit.

Pas disa kohësh mora informatën që do duhej t’takoheshim me disa shokë t’Nuhiut, dhe nga aty pastaj që t’kaloja bashkë me djalin e axhës, i cili po ashtu përndiqej në të njejtën kohë, Muhameti… nga policia, që ne të kalonim përmes Sllovenisë, dhe pastaj të vazhdonim për në Zvicër, për t’u takuar me Nuhiun dhe të tjerët. Fatkeqësisht, grupit të cilit… i cili ishte paraparë që t’takohej me ne, për ta organizuar udhëtimin tonë për në Slloveni, i kishte rënë në gjurmë policia. Dhe, kur djali i axhës ka mbërri në vendin ku do t’duhej të takoheshin, nuk e ka pa askend. Më vonë është njoftuar që, dikush nga ata ishte arrestuar dhe kjo kishte qenë arsyeja pse nuk ka mund të zhvillohet takimi.

Atëherë, vëllau i madh i djalit t’axhës, edhe axha, edhe t’gjithë ne vendosëm… u vendos, ndonëse pa vullnetin tim, ju them thjeshtë, që ne duhet… ne duhej të ktheheshim në shtëpi, dhe për mu ishte shumë e rëndë që të dorëzohem. Dhe kur u ktheva në shtëpi, gjithmonë kam mendu se duhet t’gjetur një zgjidhje tjetër, jo të dorëzohem. Bisedumë edhe me djalë t’axhës, edhe një mik i tyre iu kishte thënë që, “Ikja nga një padi e tillë, nga një akuzë e tillë do t’jetë shumë më e rëndë, pasi që të informohen organet që keni ikur, dhe që pasi që t’ju kapin, nëse do t’ju kapin, dënimi do të jetë i shumëfishtë. Kurse derisa s’ka ndodhë ikja më lehtë do ta kenë.” Dhe u vendos kështu. U ktheva pas gjithë asaj kohe në ilegalitet, në shtëpi. Gjatë gjithë kohës më është dashur që t’rrija në tavanin e shtëpisë t’axhës. Një shtëpi e vjetër.

Babai, siç e thashë edhe më herët, ka qenë një njeri shumë i hapur, shumë liberal, me mendime shumë… me pikëpamje liberale, dhe e dinte që isha në lidhje me Nuhiun. Një ditë erdhi tek unë në tavan ku rrija dhe më tha, “Shuki, ti je vajza ime, t’lutem t’flasim hapur! Ndihu e lirë të më tregosh se a ke fjetur me Nuhiun? Sepse unë jam prind, dhe ti e din shumë mirë që mund të ndodhë të arrestohesh. Dhe eventualisht ndonjë… po të ndodhë shtatzania, do t’jetë shumë vështirë për ty në burg.” Unë i tregova që t’rrinte pa merak, t’mos bezdisej sepse kjo s’kishte ndodhur. Dhe ai më pyeti disa herë, “T’lutem, ndihu e lirë! Ti e din shumë mirë që për t’gjitha gjanat kemi besedu edhe ma herët. T’kujtohet që në moshën 18 vjeçare… edhe kur e ke pasë menstruacionin e parë domethanë që n’moshën para të 13‐ave, ne kemi biseduar. Ke qenë ti dhe unë që e kemi biseduar! Këto janë çështje normale. Të gjitha këto ndihu e lirë që t’i bisedosh me mu!”

Unë e sigurova që s’kishte ndodhë dhe s’ka për t’ndodhur shtatzania, dhe pastaj u ndie rehat në këtë çështje. “Unë…” tha, “bija jem, asniherë nuk të jam përzier në jetën tane. Bënja si ti mendon që është më së miri për ty. Le t’jetë vendim i yti! A dështiron ti me mbetë, ose me u largu. Dhe, a dëshiron ti me e vazhdu, apo jo rrugën tane. Asht’ e vështirë, po nëqoftëse mendon me ra në dorë të policisë, mendoje mirë çështjen që t’mos i marrësh në qafë të tjerët.” Atëhere iu betova që qoftë edhe me vdekje nëse më kushton, une s’do të nxjerrë asnjë zë nga goja. Do t’flas për vetveten, por jo për të tjerët.

Dhe, një ditë, normal herët në mëngjes, u dëgjuan goditje të forta në derë. Unë isha…jo në gjumë, por rrija në shtrat kot, sepse gjumi nuk më mirrte. Kur e di që në çdo moment t’pret që t’ndodhë një veprim siç ishte arrestimi, ti as s’mund të flesh. Kish’ ditë që e kisha lanë domethanë strehën time, që e kisha në tavan tek axha, sepse vendimi ishte marrë që duhej të dorëzohesha. Dhe, kur ranë… u dëgjuan të goditurat në derë dhe zilja, nana erdhi tek dera dhe më tha, “Shuki, dil…”   tha, “se ata kanë ardhë!” Se i vinte rëndë që t’thonte, policia, UBD‐ja, e kështu tha, “Dil se ata kanë ardhë!” Edhe derisa unë po përgatitesha me dalë, ata veç ja behën shkallëve të ngjiteshin lartë. Dhe erdhën! Ishin tre veta. Lutfi Ajazi ka qenë kryesori. Pastaj ka qenë Zorani, një serb, dhe një tjetër që s’po m’kujtohet emni momentalisht. Berisha ishte. Është nga qyteti i Pejës. Tash është edhe… aktualisht i punësuar. Të gjithë këta erdhën, u përshëndetën me mu dhe me nanën. Nana i luti për kafe. U ulën që t’pinin kafe edhe mu m’thanë, “Bëhu gati! Se, duhet t’vish me ne!” Unë shkova drejt në banjo për t’u fresku dhe njëri nga ta më tha që, “Mos u vono shumë! Se s’kemi kohë!” Thashë, “Pa i pastru sytë dhe dhëmbët, nuk vij!”

Kur u bëra gati, mora me dalë… nuk e mora me veti jaknjen. Njëri nga ta i tha nanës, “Merre…” tha, “sjellja edhe jaknjen, se nuk i dihet.” Nana iu kthy edhe i tha, “Vajza jeme…” tha, “nuk ka ba kurgja të keqe!” Tha, “Unë po t’them loke, ma mirë, fol pak me za ma t’butë, se sa qysh po sillesh kështu.” Tha, “Se tash po t’thom, qika jote e ka krytë n’gërshanë.” “Qika jem…” tha, “s’ka arsye me u mërzitë. Çkado qi ka ba, i ka lypë drejtat qe i takojnë.” Edhe hiç… nana ka qenë shumë burrnore. “Mbaju! Mos ta ndinë hiç! Mbaju e fortë! S’kanë çka na bajnë këta.” “S’ke…” tha, “pse me pasë ti krytë n’gërshanë. Kurrfarë krimi s’ke ba! Me i lypë të drejtat e tua nuk asht’ krim.” “Hajt…” tha, “pasha nanën se s’kanë çka t’bojnë”. Edhe me t’thanë t’drejtën e mora ni lloj motivi edhe energjie, e fitova ni siguri me përkrahjen e nanës. Edhe deshta me u kthy me përqafë, “Hajt…” tha, “se shkurt është kjo! Phiii! Hiç, ti n’mramje këtu ki me ardhë!” {Rrah tavolinën me dorë}. “Hajt…” tha “se… e mozamakeq për shqiptarët! Edhe shqiptarë i thoni ju vetit!” Nana! Iu drejtu atyne.

Mora me i zbritë shkallët… natyrisht motra edhe vëllezërit, ata disa ishin, disa s’ishin se ish’ punë e shkollës. Edhe tek shkallët u ktheva edhe një herë. Ajo nuk zbriti. Sepse nuk ka dashtë me m’ligësu mu. Po nga lart, e çova kokën dhe e pashë. {E ngritë kokën lart.} M’përcillte edhe buzëqeshte me… ishte një buzëqeshje e idhët. “T’thashë…” tha, “njiherë. Maju! Se kurrgja   s’ke ba! S’ke arsye hiç me u mërzitë, për kurrgja!” Dhe dola. Kur dola jashtë, domethanë para dyerve të hyrjes ishin mbledhë fqinjët, në të dy anët e veturës. M’vinte trishtim, jo për faktin që kishte ardhë policia, por për faktin që në mesin e fqinjëve kishte edhe të atillë që bashkëpunonin me policinë.

Kështu ndodhi arrestimi, dhe nga aty u dërgova në Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Prishtinë. Dhe aty, për orë të tëra u maltretova nga po të njejtit inspektorë. Madje edhe një inspektore… dhe gardiane ishte. Zyra, Zyra, Zyra… qe s’më kujtohet mbiemri. Ishte nga ana e Deçanit. Nga ato anë dikah, Zyraja. Ishte Bashkim Kursani. Ka qenë nji nga inspektorët kryesorë në rastin tim dhe të anëtarëve të tjerë. Pastaj ka qenë Lutfi Ajazi, që e përmenda. Edhe ky inspektori që ishte nga Peja, Berisha. Dhe inspektorë të tjerë që hynin e dilnin, të cilët silleshin në mënyrë të çuditshme, të ndryshme. Domethanë ishte një sjellje e koordinuar. Ndërsa njëni vepronte kinse sillej në mënyrë të njerëzishme, posa hynte tjetri, e ndërronte sjelljen. Sillej në mënyrë të vrazhdë. Në mënyrë shumë të vrazhdë.

Derisa unë po merresha në pyetje nga Bashkim Kursani, inspektorja Zyraja, e bëri një veprim dhe gjest që ishte shumë i pazakonshëm. Bile edhe përçmues! Jo për mua, po për te. E ngriti fustanin përpjetë. Fundin që e kishte veshur. Dhe u ulë në prehërin e Bashkim Kursanit. Dhe i hodhi krahun përreth qafe. Dhe më tha, “Ti moj budallicë!” Kështu. “Çka po t’duket vetja?! Në vend se ta shijosh jetën, ti vendose që t’dergjesh e t’përfundosh nëpër burgje”. Ajo nuk e dinte se, më shumë sesa burgosja dhe ndoshta edhe përfundimi im në burg, n’ato momente, mu më preku dhe më dhimbte shumë sjellja e saj, përçmuese. Sepse kam dashtë me besu që tanë ato vite… edhe pse isha e re mjaft, isha vetëm 21 vjeçare, të angazhimit dhe të bindjes, se gratë, megjithatë t’shkolluara sepse  ajo ishte e punësuar, do t’kishin një sjellje tjetër. Unë pashë se ajo fare nuk ishte në ngjarje dhe as  që bënte pjesë në kategori të tilla. Përkundrazi, do t’krijonte përshtypje tek të tjerët se vajzat dhe gratë nuk dinë ma shumë sesa aq sa bënte ajo. Dhe vetëm e shikoja me dhimbje! Më vinte keq! Nuk i thashë asgjë më shumë sesa që, “Më vjen keq që je e tillë!” (Hesht).

E aty pastaj, me provokime normal të ndryshme, “Pse ke filluar aktivitetin? Kush janë anëtarët e tjerë me t’cilët ke kontakt? Kush janë organizatorët kryesorë? Ku ke qëndruar? Pse e keni  ndërmarrë këtë aktivitet? Pse nuk ke dashtë me u anëtarësu në Lidhjen e Rinisë Jugosllave?” organizatat atëheretë rinisë që ekzistonin. “Çka t’duhet Shqipnia? Pse duhet me qenë Kosova Republikë kur Kosova Republikë është? Republikë është kjo! Çka don ti ma shumë, e ke Republikën tande, Serbinë?! Ti veç me trup je n’Kosovë me krye je n’Shqipni! Ne kemi me t’dërgu n’kufi mes Kosovës e Shqipnisë, krytë me ta pre e me ta lanë anej, e kokën knej…” E kërcnime të tilla për t’më cytur, për t’më shtytur që të flas. Dhe pata vendosur që t’mos flas   fare.

Kaltrina Krasniqi: A kanë qenë torturat vetëm verbale, a kanë qenë edhe tortura fizike?

Shukrije Gashi: Ka pasë edhe rrahje, normal ato fizike janë pjesë e lojës së tyre. {E ulë kokën  poshtë}. Unë asnjëherë sa i kam pasë prindërit gjallë s’i kam përmendë. S’kam dashtë me i lëndu ata. (Ofshanë). Atëherë ka hy Zorani. Me sa kam dëgju, nuk e di sa është e vërtetë ajo, ai është vra gjatë luftës. Ka qenë duke e thithur një cigare dhe meqenëse s’kam folë, e ka marrë cigaren edhe e ka fikë {e prekë ballin me dorë}… ma ka fikë n’vetull, n’ballë. Për me m’shty që t’flas. Dhe atëherë m’ka ra t’fiktë prej dhimbtës. Po siç thashë, vendosa mos me fol, sepse e kishim një betim si gra, që duhet me vdekë, por mos me fol. Sepse ishte ana tjetër, e cila duhej që ta kuptonte që ne ishim të forta po aq sa ishin mashkujt. Dhe pastaj, pas alivanosjes kur m’doli, fillunë me… përsëri me pyetje. Për fat të mire, unë e kam tensionin e ulët, dhe kjo m’ndihmonte që me u ligështu ma shpejtë për mos me mujtë… mos me pasë shancë me vazhdu. Ata, për me nxjerrë fjalë nga unë për organizimin, për shokët, për ata ta cilët ishin pjesëtarë, qëllimet e aktiviteteve, rrjetin e njerëzve, e t’gjitha, përdorën edhe një injeksion stimulus.

Dhe më vonë kam biseduar, kam hulumtuar me njerëz që ky injeksion stimulus kishte efekt dobësues tek njerëzit që e kanë tensionin e ulët. Dhe unë posa e kam marrë injeksionin, kam ra krejt. Për qata s’kam pasë mundësi me e zhvillu matutje bisedën. Nga aty, jam dërgu në burgun e Mitrovicës. Nuk kam pasë ide për veti, sepse kam qenë e alivanosur. Nuk kam ditë çka ka ndodhë, derisa kam hy… m’kanë futë në nji dhomë t’madhe, e cila quhej dhoma numër tre. E kam pa, e kam kuptuar atëherë që jam në burg, në bazë të… domethanë pamjes, shtretërit dhe batanijeve, kuptova që isha në burg. Për shkak të dobësimit, domethanë ligësisë, sepse isha edhe pa ushqim, edhe e maltretuar, nuk munda që t’rri n’kambë. Jam shtri përtoke.

Atëherë kanë ardhë do gra që janë ndodhur aty atë moment, janë gjetur. Nuk dija kush janë, edhe m’kanë hedhë ujë fytyrës. Pas pak u kthjella dhe m’pytën, “A e di ku je?” Thashë, “Jo, se di. Nuk e    di a është burg, a spital!” Tha, “Jo, spital jo!” njëra tha, “Është burg!” “Mirë.” “Çka ke…” tha “kështu? Pse?” Thashë, “Nuk di çka po ndodhë, po vazhdimisht po m’sulmojnë kafshë.” Sepse ishte efekti i injeksionit. Jo tigër, jo luan, këto kafshët e egra. Ashtu e kisha përshtypjen. Halucinacione krijonin edhe isha në nji gjendje shumë t’randë. Edhe ato morën, m’vendosën në… me nji shtat në katin e parë, siç i quanin, sepse ato ishin kështu dykatëshe, shtretërit. Mirëpo fuqia nuk m’kthehej. Përsëri rashë në të njejtin ndikim që isha dhe, dikur fillova me pa edhe pamje të tjera që, kanë qenë shumë trishtuese. Edhe filloi një… thjeshtë ç’rregullim në të menduar. Sepse ato… ai ndikimi i injeksionit ka qenë shumë i randë (ofshanë).

Kaltrina Kransinqi: Çfarë çrregullime?

Shukrije Gashi: Gjarpërinj… që thashë. Sulm nga gjarpërinj… nga kafshë. Mandej edhe këto… çka t’them, personazhe nga horrori, të tilla. Edhe e thirrën mjekun. Nuk di çfarë qetësuesi m’kanë dhanë, veç e di që m’asht’ rëndu shumë koka, edhe m’ka zanë gjumi. Sigurisht ka qenë… simbas fjalëve të atyne grave… dikun kah ora katër e mëngjesit kam fjetë.

Kaltrina Krasniqi: Sa vetë keni qenë në nji dhomë?

Shukrije Gashi: Atëherë kanë qenë… pesë, bashkë me mu.

Kaltrina Krasniqi: A kanë qenë edhe ato aktiviste   politike?

Shukrije Gashi: Fillimisht jo. Kanë qenë për vrasje. Ka pasë për maniak dhe forma të tjera por… më vonë mandej edhe politikisht. Jo besa, ka qenë politikisht njëra! Tash… t’ni fshatit të Suharekës.

Edhe të nesërmen, kam pasë probleme tjera gjatë ditës. Fillunë ngërçet nëpër duar and kambë. Aq shumë kam pasë dhimbtë nga reaksioni, saqë po mos t’më ndihmonte dikush {i prekë bërrylat dhe krahët me duar} kam qenë n’gjendje me i thy gishtat, duart. Ishte shumë i randë reaksioni i injeksionit. Nji gardiane që nuk ishte shqiptare, nuk e di çka ka qenë me përkatësi, sepse e fliste edhe gjuhën shqipe edhe tjetrën, pashë që iu mbushën sytë me lot. Edhe m’pyti, tha, “Pse?” tha.   “A e ke sëmundje, a?” Thashë, “Jo, kjo nuk është sëmundje e imja!” Thashë, “Këte e fitova!”   Mandej e kanë thirrë mjekun. Kanë fillu me terapi. Nuk di unë, sigurisht kanë bisedu me ata   hetustë. Por atë gjendje e kam pasë një kohë t’gjatë.

Edhe kështu mandej, fillunë ato torturat. Jeta e tmerrshme n’burgun e Mitrovicës, ku çdo ditë, përveç tensionit, frikës e represionit nga pritja për t’u marrë në pyetje, që ndodhte çdo t’dytën ditë ose t’tretën, dita ishte e vështirë edhe për faktin që meshkujt rreheshin me t’madhe. Rriheshin tmerrshëm, tmerrësisht! Britmat e tyre dëgjoheshin gjatë gjithë ditës, në mënyrë të tmerrëshme. Edhe, ditë mas ditësh, na vendosëm që t’protestojmë. Pavijoni i… domethanë kati i grave, vajzave. Nji ditë ka qenë e tmerrshme! E tmerrshme! {Tund kokën}. Ishte sipas rendit shtëpiak, çdo mëngjes me t’nxjerrë nga pesë minuta krejt dhomën në nji shëtitore që përngjante me një pus, bunar. Me mure t’larta. Zoti e ditë, sigurisht… përafërsisht po përpiqem ta them sa ishte. Sigurisht do t’ishte nja katër pesë metra i lartë, muri. Dhe në krye, domethanë në përfundim t’murit, ishte një barakë, si kotec, ku rrinte një polic, një roje e cila e mbikëqyrte shëtitoren.

Derisa ne po shëtisnim në shëtitore, e pashë një dritë në burg lart, nga një dritare shumë e vogël, që ma mori mendja se s’ishte ma shumë sesa një fije shkrepëse, kështu, ajo dritë. Dhe, isha e veshur me t’kuqe. Jo qëllimisht! Sepse asnjihere nuk e kam pasë domethanë atë dëshirë që… edhe se kam as sot e kësaj dite, që t’prezantohem me këto ngjyrat kombëtare, po për mu, kombëtarja është e brendshmja, veprimi, se jo ngjyrnat e imixhi, e kështu. Ai e nxorri… dikush e nxorri dorën nga ajo dritare e vogël edhe bërtiti me t’madhe. “Oo, rrnofsh e kuqe!” Edhe ky gardiani, që ishte domethanë ai roja, e ktheu kokën nga vinte zani edhe shau diçka nëpër dhambë, nuk e di. Ndërsa ne po shëtisnim, atje veç filloi intervenimi, dhe ne fillumë t’i dëgjonim britmat që lëshonte ai nga dhuna që ushtrohej mbi të.

Dhe në nji moment, dikush e hodhi… nuk di një copë letër, në shëtitore. Unë bëra kinse po e lidhë lidhësen e patikave dhe e mora letrën. E futa në patika. Për fat t’mirë, kalova pa pasoja se nuk m’vërejti domethanë ai. Edhe erdhi gardiania, edhe pse rrija n’presion se aty domethanë, asnjiherë nuk ke qenë e sigurt se nuk ka me ndodhë diçka tjetër, një  e papritur. Kanë mujtë me t’kontrollu. Dhe m’pyti, “Çka ke kështu? Pse je kaq e zverdhun?” Thashë, “Asgjë! Jam lodhur. Mëngjesi s’ka qenë i mirë. Kjo është arsyeja. S’kam…”, “Pse…” tha, “s’po kujdesesh për veten? A e sheh si ke ra n’peshë?” Thashë, “Çka me bo! S’ka dert!” thashë, “Mirë është.”

Nuk m’pritej që t’hyja n’dhomë edhe t’shihsha se për çka ishte fjala. Kur u futëm në dhomë, aty e kem pasë një plakë e cila ishte në shërbim të UDB‐së, dhe rrinte aty kinse për një vepër të kryer, por qëllimi ishte që t’na përgjonte ne. Dhe dikur e lexova letrën. Pashë se aty thonte që… thuhej, “Që me datën kaq, do t’ekzekutohet Filani, me emër, dhe ta keni me dije që ekzekutimi do    t’ndodhë në shëtitoren e burgut”. Ishte fjala për ni shqiptar Tafil, mbiemri s’po m’kujtohet sepse është kohë e gjatë. Dhe shenja që do t’ekzekutohet është kur do të lëshohet sirena, zilja, e cila na zgjonte nga gjumi. Po ishte e shkurtë ajo. Kurse atë ditë kur ndodhi ekzekutimi, zgjati gjatë. Dhe ndodhi dikund në orët e vonshme të mbrëmjes. Ra bukur gjatë. Neve na u tha se ka pasë prishje, dhe aty ishte ekzekutuar Tafili.

Kaltrina Krasniqi:  A kanë qenë ligj n’atë kohë n’Jugosllavi me dënu me   vdekje?

Shukrije Gashi: Jo, jo.

Kaltrina Krasniqi: Qysh janë arsyetu rastet kur njerëzit janë vra?

Shukrije Gashi: Po gjithmonë e kanë konstruktu si aksident. Eh! Nuk na nxorën në shëtitje atë ditë. Pas… shumë interesant! Edhe pas, domethanë dy ditësh, në mur kishin mbetë gjurmët e gjakut. Edhe të tjerët e kishin hetuar. Derisa unë po prisja në rend mbrapa grilave që t’takohesha me familjen time, ndodhi dorëzimi i rrobave t’Tafilit. E për mu, kjo ishte një tronditje shumë e madhe, sepse familjes sigurisht ashtu siç iu është komuniku, iu tha edhe një herë, që kishte vdekë nga sëmundja, dhe që nuk duhej t’hapej arkivoli sepse sëmundja është ngjitëse.

Vizitat kanë qenë mujore dhe ato kanë zgjatë vetëm pesë minuta. Vizitat kanë qenë mbrapa   grilave. S’ke pasë mundësi me kontaktu me familje as… bile as me i prekë durtë, e leje ma diçka tjetër. Kanë ndodhë vizitat në nji mbikëqyrje të rreptë të policisë, që ishin domethanë dy gardianë dhe një hetues. Në mënyrë që t’mos kishte mundësi qoftë edhe me gjuhë t’trupit, me gjeste, të këmbenim mesazhe që do t’ishin të dobishme për ne.

Natyrisht, në peshë pata ra bukur shumë. Atëhere kam pasë vetëm 44 kilogramë, kështu. Edhe flokët mu patën rritë shumë, sepse papastërtia ishte e madhe. Ka pasë n’dhoma shumë morra edhe buba, nuk di atëhere i thonin stenica. Sigurisht kanë qenë diçka t’murit, sepse ma merrke mendja që stena, stenica, prej gjuhës serbe. Dhe ne, pothuajse gjithë nata na kalonte me qirinjë në dorë, duke i ndjekur këto stenicat, bubat.

Pastaj ushqimi ka qenë shumë i dobët. Shpesh herë, mishi me gjellë që na i kanë sjellë, ka qenë me krimba. Edhe natyrisht që ate nuk e kemi përdorë, dhe kur nuk hanë edhe dobësohesh. Ushqimet mujore që i kanë sjellë kanë qenë të kufizume. Për ni mujë ke pasë vetëm katër kilogramë. Katër kilogramë… disa prej nesh që kem pasë kushtet pak ma t’mira gjithmonë i kemi nda me të tjerët. Të gjithë ato që kanë qenë brenda, heqi anash ato që pushteti i kishte vendosë për t’na përgjuar neve, i kanë pasë kushtet shumë të vështira ekonomike. Kështu që krejt ushqimet që i kemi pasë, i kemi nda me to, me njëra‐tjetrën.

Përveç kushteve ekonomike domethanë, kushteve t’fjetjes, e t’qëndrimit që kanë qenë shumë t’randa, për neve ma e randë ka qenë prania e personave të tillë që punonin për shërbimin e UDB‐së. Sepse, gjatë gjithë kohës ke qenë në presion. Gjatë gjithë kohës është dashtë me mendu mirë për secilën fjalë që e ke folë. A me thanë, a mos me thanë? Dhe çka duhet me thanë? Megjithate, për hir të idealit… sigurisht ka qenë ideali që na ka mbajtë dhe motivi pse ne kemi qenë aty. Ne, edhe në burg, e kem vazhdu rezistencën. Një ditë, kur i kanë rrahë djemtë shumë dhe vendosëm me protestu, kem’ fillu t’iu biem, domethanë t’i godasim dyert me t’madhe në të gjitha dhomat. Dyert e burgjeve, në mënyrë që ata ta ndërpritnin veprimin, akcionin e tyre ndaj mashkujve. Dhe ajo ndodhi. E ndërprenë. Natyrisht ato britmat për shkak të dhimbjeve t’mëdha, që kanë mund t’i kenë, vazhdunë thirrjet e tyne.

Dhe, kur u futë… u futën gardianët në katin ku ishim ne… Domethanë ashtu siç fillova, ishte një nga ditët e randa për gratë dhe vajzat që ishin në atë pavijon, sepse edhe atë ditë, gardianët që nga mëngjesi kishin ndërmarrë aksionion e rrahjes së meshkujve. Nuk e dinim arsyen pse. Dhe po çmendeshim! Gjatë gjithë kohës ato vazhduan pa ndërprerje. Ne vendosëm që t’protestojmë. Dhe e bëmë ate. Protestuam. Filluam me goditje të dyerve. Dyert e tona ishin të hekurit. Dhe goditjet tingëllonin lartë, dëgjoheshin… bëhej zhurmë e madhe. Qëllimi ishte ky, që t’bëhej zhurmë e madhe në mënyrë që t’u tërhiqej vëmendja gardianëve dhe që të pushonin së rrahuri djemtë dhe burrat. Ata erdhën me furi në katin ku ishin të vendosura gratë dhe vajzat, dhe ç’të shihje?! Ishte një pamje e tmerrshme! Gjithandej fytyrës dhe duarve të… me mangë të përvjelura… krejt të përgjakura. Për shkak të dhunës që ia kishin ushtruar burrave dhe grave shqiptarë. Për habinë tonë t’madhe, shumica e tyre ishte shqiptarë.

Kaltrina Krasniqi: Ata që torturojshin?

Shukrije Gashi: Ata që torturojshin. Atëhere nuk isha domethanë në dhomën numër tre që ishte dhoma e parë kur u pata burgosë, por ishte dhoma në fillim t’korridorit. Dhe, me sa m’kujtohet ka qenë katërshi. Se qëllimisht renditja ka qenë e ndryshme. E hapën derën duke përdorur shprehje e sharje shumë t’pazakonshme ndaj nesh. Duke na quajtur, “Kudra e kurva, çka keni ju që bëni zhurmë? Kush jeni ju?” E kështu… “Dilni jashtë, kurva!” Edhe atëherë, vendosa që unë dhe një   tjetër vajzë, që ishim politikisht, që t’mos dilnim nga dhoma. Sepse sipas rregullores, gardianët nuk kishin të drejtë që t’futeshin në dhomë dhe të rrinin aty, po n’qoftëse kanë pasë fuqi me t’nxjerrë jashtë, atëherë në koridor kanë mund që t’i bëjnë t’gjitha. Ndonëse isha mjaft e dobësuar, nga shëndeti e ligë, për shkak të kushteve që… t’këqija që i kishim në burg, u kapa me forcë për shtrati i cili ishte i hekurt, dhe me gjithë përpjekjet e mëdha të dy gardianëve që t’më nxirrnin, nuk ia arritën. (Buzëqeshë.) Arrita me rezistu! Një tjetër, ate e nxorën edhe e rrahën. Mu edhe Shyqerije Bytyqin nuk ia arritën që t’na nxjerrin nga dhoma.

Filluan me rend që t’i hapnin dyert dhe kështu që t’i maltretonin, t’i rrihnin ato që arrinin që t’i nxirrnin nga dhoma. Domethanë ishte kjo dita më e keqe që e kisha përjetuar që prej se isha në burg. Më shumë sesa dhuna që ushtrohej ndaj grave edhe burrave, mua më dhimbte fakti që ata ishin shqiptarë. Dhe që ende nuk ishin vetëdijësuar se kujt i shërbenin. Edhe ne natyrisht, nuk i kursyem. I quajtëm me emra të ndryshëm, ashtu siç merituan. Kriminel e, satrap e, UDB‐ash e, gjithqysh. Pa fije frike. Tashmë, e kishim vendosur që po t’ishte nevoja, ne do t’vdisnim, sepse po    t’i vrisnin ata djem pse mos t’na vrisnin edhe neve? Ne kishim hyrë aty për t’njejtën kauzë, për njejtën çështje. Dhe flijimi do t’duhej t’ishte i barabartë. Edhe për nji arsye tjetër që e thashë disa herë: për betimin që e kishim dhënë sepse… ne duhet t’qëndrojmë sepse duhet të bindet pala   tjetër që ne jemi të zonjat për t’gjitha veprimet, ndonëse jemi gra. Dhe ky motiv, dhe solidariteti  për hir të çështjes vazhdoi, gjatë gjithë ditës. Dikur, gardianët pushunë, sepse e panë që nuk mund t’ia dalin në krye me gratë që ishin aq të vendosura që t’rezistonin deri n’vdekje. Heqën dorë dhe dolën.

Më vonë erdhi një gardiane, shqiptare, që ka qenë një grua e zonja, e sjellshme dhe patriote, Emine Osaj. Ishte shumë e shqetësuar. Bile mund t’them që edhe i qahej, sepse sytë i kishte t’mbushur me lot. Dhe posa e hapi derën e dhomës dhe na pa, e shprehu ate. Nuk mundi t’përmbahej. “Eh!” kështu ia bëri, tha, “Si kështu me ndodhë, me na ardhë puna e me u rrahë shqiptarët mes veti?” Deshi t’vazhdonte, po siç thashë ma herët, frika ishte nga njerëzit që ishin në dhomë. Ata që i shërbenin UDB‐së. Dhe mandej e ndërroi bisedën, “Si po kaloni, si i keni hallet? Kujdesuni për veten! E dini çka thotë rendi shtëpiak. Dhe, si ka qenë ushqimi sot? T’keni kujdes!” e kështu. Nuk e di, sigurisht ajo ka reaguar edhe ndaj djemve, sepse në ndërkohë ka ardhë një mbikëqyrës edhe është sjellë shumë keq me ta. Që, na ka dhanë neve me kuptu shumë, që ajo sigurisht ka reaguar gjatë kohës sa janë rrahur mashkuj me t’madhe.

Madje ka marrë edhe kërcënim, dhe pas pak ditësh edhe e ka lëshu punën krejt. Sa… po aq sa u ndjeva keq që iku, sepse ishte një përkrahje morale për ne që ishim të burgosura, në të njejtën kohë, u ndiva edhe mirë   edhe krenare për qëndrimin e saj dinjitoz, sidomos duke qenë grua. Dhe në një moment të    caktuar, mu kujtua ajo, qëndrimi i saj dinjitoz, dhe i Zyrasë, inspektores. Çfarë dallimi n’mes të dy grave! Megjiithatë, thashë që shpresa ka arsye që t’shtohet, sepse qoftë edhe nëpër institucione    të tilla siç janë burgjet, paska njerëz, paska gra sidomos që dinë ta vlerësojnë të vërtetën, që dinë t’jenë dinjitoze dhe t’i mbrojnë të drejtat e njeriut.

Nuk ishte e lehtë, absolutisht. Ishe në një burg bashkë me kriminelë. Bashkë me kriminelë, bashkë me prostituta. Dhe qëllimisht ishte bërë një përzierje e tillë, në mënyrë që vajzat edhe gratë të burgosura politikisht, t’mos mund t’komunikonin lirisht. Mu m’kujtohet që një grua e cila ishte për vepër penale, vrasje n’dhomë me ne, nga fshati Kranidell i Kamenicës, gjatë gjithë kohës ajo na pyeste arsyet… pse, për çfarë arsye ne ishim në burg, për çfarë veprash. Dhe shpesh herë vinin    dhe e vizitonin inspektorë të ndryshëm. Ajo bënte jetë për mrekulli. Edhe ushqimi i saj dallonte    nga ushqimi i ynë. Dhe, në ndërkohë, ditë pas ditësh, meqenëse e diktova që ishte e tillë, unë për veti vendosa t’mos flas asnjiherë, për veprat… për veprën për t’cilën isha në burg. Ajo insistonte me t’madhe. Më thërriste me pseudonimin që e kisha në burg, Beteja.

Edhe dikur e pyta, “Për çfarë vepre je ti këtu? Pse ke ardhë n’burg?” Tha, “Kam ardhë pa faj. Sepse reja jem ma ka mveshë nji vepër që nuk e kam kry.” Në fakt ajo e kishte… ajo bashkë me djalin e kishin vrarë nusen. E kishin vrarë sepse ajo nuk kishte pranu që policia serbe edhe agjentët e  UDB‐së të shkilnin mbi një shqiponje të cilën e kishte qëndisë ajo vetë. A burri edhe vjehrra, që të  dy ishin në shërbim të UDB‐së. Në familjen e saj, në shtëpinë e saj, UDB‐ja organizonte ndeja. Dhe, ajo vinte nga një familje e varfër, e pakrah, por ajo kurrë nuk kishte pranuar që t’i nënshtrohej një regjimi të tillë familjar. Dhe prandaj u vra dhe u var. Ishte varë. Pasi që e kanë vrarë edhe e kanë varë. Dyjat.

Pa fije turpi tregonte se si e lidhte për flokësh me litar, burri, dhe e mbante varur, thoshte, “Sepse ishte kryefortë”, thonte plaka. Nuk e tregonte arsyen për çka. Po thonte, “Ishte kryefortë”. Dhe gjoja se një ditë, meqenëse kishin shumë qingja, dele, burri duke dashur që ta hiqte Mamzerën nga krahu, pahiri, e ka prekë… si i thonë, pjesën ku shtihet, edhe e ka vra gruan. Kurse vajzat e tjera që ishin t’asaj ane, tregunë se ajo ishte vrarë në mënyrë të tmerrshme, domethanë shumë t’veçantë, torturuese. Pasi që e kanë torturu mirë, e kanë lidhë për flokësh, dhe litarin e kanë lidhë n’tra. Mandej derisa ka vdekë ashtu… e kanë shti në te, dhe derisa ka vdekë ashtu varun ka qenë. Dhe muni me marrë me mend, me një kriminele të tillë t’jesh në një dhomë!

Një tjetër që ishte po ashtu, për një vepër nuk e di se çfare, ajo ishte edhe e sëmurë psiqikisht. Një tjetër që quhej Lutfije dhe që ishte… me sa më kujtohet ose nga Bujanovci apo Presheva, nga kjo pjesë e Kosovës, përveç që nuk e di veprën se për çfarë ishte… ajo ishte e sëmurë edhe psiqikisht. Megjithate UDB‐ja, e përdorte edhe ate. Domethanë, po e thamë qëllimisht, që njerëzit ta kuptojnë se çfarë shkelje tjera të rënda bënte regjimi jugosllav, duke i përdorur edhe njerëzit e smutë psiqikisht, për të nxjerrë ose zbuluar informata të… siç i quanin të rrezikshme për rendin shoqënor. Veprimet që i bënte Lutfija të lënin me kuptu menjëherë që kishe të bëje me një njeri me çrregullime psiqike. Asaj, kur e kishte periudhën e menstruacionit… ajo përdorte shtypin, gazetat, për nevoja të menstruacioneve, dhe pastaj ato copa të gazetave i hidhte nëpër dhomë. I shpërndante dhomës. Ose fare pa to e pa brekë, gjaku pastaj shpërndahej nëpër dhomë. Dhe thonte që është politikisht që burg.

Fliste në mënyrë të shkapërderdhun. Mirëpo edhe nxirrej prej dhomës kohë pas kohe edhe torturohej. Në një moment, m’kujtohet, është torturuar në mënyrë aq të tmerrshme, është rrahur saqë e kishin përgjakur. Sepse rezistonte të mos e pastronte korridorin. Ankohej që kishte dhembje koke, dhe me gjithë insistimin tonë, domethënë timin edhe të një vajze tjetër, që ne ta pastrojmë korridorin, gardianet nuk pranuan. E nxorën me dhunë dhe e rrahën për vdekje. Pastaj na thirrën ne, dhe ne edhe pse ishim shumë të liga nga shëndeti, arritëm që ta fusnim brenda dhe ashtu e kem shëruar me qepë. Për mujë të tanë.

Ajo dhe të tjerat që rriheshin për vepra të ndryshme, përdoreshin edhe për… keqpërdoreshin edhe për qëllime të tjera. Kjo flet shumë se sa nuk kishte qëllim socializues e edukativ, siç propagohej sistemi shoqënor i themeluar për burgjet në Jugosllavi, e në veçanti n’Kosovë. Domethanë, nuk mund t’ishte një sistem rehabilitues, kur njerëzit e sëmurë edhe psiqikisht, përdoreshin për qëllime spiunimi e shërbime të tjera. E lere ma për t’burgosunit politik, siç quheshin të ndërgjegjes, që mbi ta ushtrohej dhunë   pandërpre.

Shtypi, vinte shtypi ditor. Ka qenë me pagesë. Dhe ate ka qenë i seleksionuar. Torturat kanë    vazhdu çdo ditë. M’kujtohet edhe një rast tjetër. Derisa unë u mora që t’shkoja për t’vazhduar procedurën e hetimeve, domethanë fazën e hetuesisë, përgjatë rrugës në korridor, pashë shumë pika t’gjakut, n’tokë. Dhe, kur e ngrita kokën lart, pashë një njeri, një djalë i ri, i cili ishte i përgjakur dhe qëndronte mbrapa grilave në dhomën e tij. Edhe thërriste… nuk di…Kishte disa thënie të paartikuluara. Dhe gardianja që ishte me mua ma tërhoqi vërejtjen, “Kqyr punën tane, edhe kqyre veç tokën kah po ecë! Jo me kqyr anash!” Edhe natyrisht durtë i… ishte rregull që t’i mbaje të  lidhura kështu, mbrapa. {I vendosë duar mbara shpinës}.

Nuk di sa ka zgjatë… domethanë ka zgjatë shumë rrugëtimi ynë derisa kemi mbërri te një zyre ku do t’mbahej seanca e hetuesisë. Por duke shkuar rrugës, kam takuar edhe dy raste të tjera (ofshanë). Kam pa burra të torturuar që     mezi qëndronin në këmbë, të cilët mbaheshin prej gardianëve. Me siguri ishin ata të cilët kishin  kryer seancat e hetuesisë, të ashtuquajturat biseda informative. Aq shumë ishte torturuar njeni    nga ta, saqë mu duk’ që i kishte lëvizë syni nga vendi, i kishte ra poshtë. Dhe krejt trupin e kishte të gjakosur. Dhe derisa po bahesha gati me hy… me kalu pragun, me hy brenda, ngjitë me atë     dhome, në dhomën tjetër, një tjetër burrë lëshonte britma të tmerrshme, për shkak të dhunës.

Dhe u futa une brenda. Normal, natyrisht… është njerëzore të jesh e shqetësuar, me shqetësim t’madh. Nuk mund të koncentrohesha n’asgjë ma. Një inspektor dhe shef atëherë i UDB‐së, Mehmet Lumi, tha, “E po mirë Shukrije, çka ke menduar ti? Ke menduar se burgu është sikur të shkosh në dasëm? Ti po t’jesh e mençur, mund t’i ndihmosh vetit dhe neve. A nuk është gjynah   për ty që në vend se t’vazhdosh studimet… sepse unë kam një vajzë moshatare tanden… të dergjesh në burgjet e errëta dhe të tronditesh nga bëmat e të tjerëve?” Se ai natyrisht që nuk tregonte se çfarë kishte ndodhur me burrin aty, që rrihej n’anën tjetër. Dhe unë i thashë kështu, “Unë jam shumë e vetëdijëshme që nuk kam ba asgjë kundër askujt. S’kam kryer asnjë vepër penale. S’kam bërë asnjë krim. Krejt çka kam bërë është që kam kërku që Kosova t’jetë e   barabartë me Republikat e tjera”.

Tha, “A po ta merr mendja që ne nuk e kemi kërku para teje këtë?” “Nuk e di i thashë, “mund të jetë!” “Unë po t’thamë që t’heqësh dorë nga heshtja jote dhe t’fillosh t’bashkëpunosh me ne. Dhe, t’na tregosh se kush të ka futë në një rrugë pa krye. T’jesh bashkëpunuese, sepse dëshirojmë që ta kuptosh që keni rënë në grackë, dhe krejt kjo është organizuar nga Serbia. Krejt çka do t’bisedosh me ne, do t’mbetet këtu dhe s’ka për ta marrë vesh kurrë askush”. Dhe aq mu dukë e ulët dhe nënçmuese kjo përpjekje e tij që t’më thyente mua,  saqë reagova ashtu siç e meritonte. Thashë, “Hajt more zotni! Ban çka e ke ndërmend me ba, se  nuk e kam ndërmen me thanë kurgja! Se s’kam çka tham’!” (Heshtje).

Mandej filloi përsëri përpjekja e tij në një formë tjetër që, “Se kam ndërmend me t’ba gja tjetër, përveç se me t’bindë që e ke gabim. Ne jemi nji shtet me masa edukative, rehabilituese. Kërkush nuk guxon me t’prekë me dorë! Ne nuk bëjmë veprime siç ndodhin dikund tjetër, që shkopin ua fusin në vaginë…” domethanë sjellje të tilla, “grave edhe vajzave, sepse edhe vet kam vajza. Qëllimi im është që ti t’pendohesh. T‘i kthehesh shkollës, mësimit. Je e re! Nuk kanë çka t’duhen. Vetëm kaq nevojitet, dhe që t’na tregosh se kush t’futi në këtë rrugë, në këtë qorrsokak? Trego se kush janë ata njerëz, me kend bashkëpunon? Ta jap fjalën se s’ka për t’iu ndodhur asgjë, as atyre!”

Unë ma, e kisha vendosë tash që s’do t’flas. Çfarëdo që t’thonte, vazhdova t’hesht. “A e di…” tha, “çfarë të pret? Meqenëse s’dëshiron me bashkëpunu!” “Jo …” thashë, “nuk e di! Nuk di, se s’kam ba kurrgja! Edhe kjo që po e thoni, është kërcënim. Nuk është bashkëpunim. Unë di t’flas për veti dhe për askend tjetër.” “Pse…” tha, “je me Nuhi Berishën? Pse ke bashkëpunu me të?” “Nuhi Berishën?!” Thashë, “Gjithkush ka të drejtë me pasë… secila vajzë nji djalë, ni t’dashtun. Pse, thashë ‐ qenka krim me dashtë dike?” Tha, “Mos m’i anashkalo pyetjet! Përgjigju n’ate çka t’pyeta!” “E dhashë përgjegjen une.” “Ti e ke ndihmu Nuhi Brishën! Si e ke ndihmu?” Thashë, “Si e kam ndihmu?! Ushqim, kam përgatitë për te. Çka kam pasë me ba diçka tjetër?” Tha, “Jo , ke ba edhe diçka tjetër!” “Kurrgja s’kam ba  tjetër!”

Filloi pastaj me lexu Ligjin penal t’Jugosllavisë edhe Ligjin tjetër për vepra penale t’Kosovës, neni 136 e kështu, për me m’frikësu. Tha, “Çka mendon ti juriste e ardhshme? E din ti, ma shumë se sa ti, nuk ish’ dashtë kërkush tjetër me u brengosë në dhomën tande”. “Po shiqo…” thashë, “unë edhe nji here po e përsëris. Çka ta keni ndërmend me ba, bani! Se s’jam tu u lodhë për atë punë. Le t’jetë sa t’jetë dënimi, unë s’kam çka me thanë.” “ Po çka thu ti për këtë dëshmi?“ {E merr një letër në dorë dhe e tregon nga kamera.} “A don me e lexu dëshminë?” Thashë, “Jo!” “Qysh jo?!” “Jo…” thashë, “s’kam nevojë me lexu dëshminë se unë e tregova atë çka kam pasë me tregu për veti. Nuk kam ba kurrgja tjetër, përveç që kam kërku t’drejta t’barabarta.” “Veprime, organizimin jam ka t’pysë. Nuk po t’pysë çka ke kërku, po veprimin”. “S’ka…” thashë, “veprim. Ky është veprimi.” “Kape…” tha, “lexoje këtë!” E mori kinse po e mbulon pjesën e sipërme t’emrit t’deklaratës. Ato kanë qenë provokime, gjithmonë i kanë ba. Thashë, “Jo!” “Atëherë…” tha, “po ta lexoj unë ty, masi ti s’po don”. Edhe filloi me lexu. Nuk di kush ka fol. “Keni qenë n’filan vendin, n’pijetore…” atëhere i thonin, jo kafiqa e kështu, vonë kanë fillu me i thanë kafiteri.

Tha, “Ti ke pi Jupi…” ni pije freskuese që ka qenë, “dikush tjetër kështu…” Qëllimisht ato detalet, për me t’bindë që vërtetë po e ditka rastin. Ndonëse kishte informata, është shumë e vërtetë! Tha, “Qe! Kuku për mendjen tande e për krytë tand që e ke qyski!” Nuk e di sa e dini, është… n’gjuhë popullore përdoret kjo. Tha, “Që nuk flet, e ky tipi, ky Filani ka folë bylbyl.” Tha, “Ti veç me na e pohu qete, që ke bashkëpunu me këtë tipin, e mandej me u ballafaqu, s’ki ti çka, ti shkove te shpija”. E kapa atë deklaratë e grisa dhe e gjujta. {E imiton grisjen e letrës me dorë}. Edhe, normal që atëherë pasoi veprimi  tjetër.

Dhe kështu domethanë… se ajo zgjatet shumë. Kështu ka qenë vazhdimisht, por ne që kem qenë pak ma t’pjekun ashtu… se ka pasë edhe ma t’reja që kanë qenë, me 14 vjet e gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Kur jemi kthy n’dhomë, nuk kemi folë për ate çka kemi përjetu, asnjëhere. Sepse s’kem dashtë me i frikësu të tjerat. Edhe, vendosa që… e lidhun domethanë për qat’ çështjen që Nuhiut i kam dërgu vetëm ushqim. Edhe kjo ishte! S’kishte shpjegim tjetër. Edhe pse kam pasë elemente që… normal… edhe nuk ua shoh për t’madhe që i kanë torturu shumë, kanë folë. Sepse rrahja e  ban t’veten. Edhe n‘qoftëse diçka për shembull kam thanë, kam thanë për veti. Për kërkand tjetër jo! Kam thanë, “Le t’përfundon te une, s’ka ku shkon ma anej”. Qëllimi ka qenë që me këputë zinxhirin. Që mos me mujtë me vazhdu me sjellë mandej njerëz t’tjerë n’burg.

Poshtërimet, mos t’flasim! Gjuha e përdorur… ato ma kanë qenë si buka. Absolutisht, nuk t’kanë kursy prej formave ma t’ulta t’sharjeve. Shpesh herë me ta, jam përplasë aq sa kam pasë fuqi. Sidomos me ba me ma sha nanën. E aty mandej, te nana kanë pasë kujdes nuk… Kam thanë, “Çdo gjë baj, nanën nuk lejoj me ma sha!” Edhe m’quanin me emra të ndryshëm, “Mistrece,” e gjithqysh, “pse po insiston me rezistu”. Me emra përçmues, e   ashtu.

Është insteresant se solidariteti i grave mrenda burgjeve, qoftë edhe atyre që kanë qenë për vepra penale… disa kanë qenë shumë solidare, me t’burgosunat politike. Edhe kujdesin   shëndetësor, edhe ndarjen e ushqimit, madje edhe kur kanë ndodhë grevat. Solidarizim për grevat! Por kjo ka ardhë, po ashtu, edhe si rezultat i sjelljes tonë ndaj tyne. Ne kurrë, asnjëherë, jo veç unë, po edhe vajzat e tjera që kanë qenë të burgosura politikisht, nuk ka ndodhe me i fy ose me i nënçmu gratë që kanë kry vepra të tjera. Sepse gjithmonë kem thanë që “Ne duhet me pasë rezervën. Nuk e dimë t’vërtetën! Po edhe me e ditë t’vërtetën, nuk kemi të drejtë t’i nënçmojmë të tjerët”. Dhe qëllimi ka qenë edhe një herë me hapë mundësinë për me e shtri ndikimin, dhe me i eduku. Që, kauza për t’cilën po rrimë është e drejtë. Dhe nuk ka për qëllim me i urrejtë e me shkaktu urrejtje ndaj të tjerëve, por i vetmi qëllim është që ne t’barazohemi me të tjerët n’Kosovë, e n’Jugosllavi. Edhe besoni që edhe sërbe, gradualisht edhe sërbet kanë nisë me e kuptu. Ato të cilat kanë qenë… çka t’them ma… ma të përgatitura, ma të shkolluara, arsimuara. Ta kuptojnë!

E di në një rast, m’kujtohet… sa kam qenë n’dhomën numër tre. Ka qenë ni Feride Zeneli, që ishte e nji fshati t’Suharekës. Tash s’më kujtohet emri i fshatit. Dhe një Mahije Zeka, e cila ka qenë po ashtu e Istogut. Ndosha e fshatit t’Istogut. S’jam e sigurt! Kanë qenë t’reja shumë! Dhe ato, edhe pse jam përpjekë disa herë që me i bindë që nuk duhet me këndu me za t’naltë, sepse këtu është burg, e ndalon rendi shtëpiak, edhe janë të rrezikuara nga gardianet, përgjimi. Po megjithate, t’reja dhe nuk u përmbajtën. Janë kapë për dritare, kanë hypë nalt mbi derë, edhe kanë fillu me këndu.

Disa herë ua kam tërheqë vërejtjen se m’dukej që hija e gardianes… edhe pse dera ishte… nën derë reflektohej. I kam thanë, “Zbritni poshtë se dikush është te dera!” Dhe dikur… domethanë n’mënyrë të befasishme, me rrapëllimë e ka hap derën gardianja. Dhe ato nga aty ku ishin, kanë k’cy poshtë. Mandej… Paska qenë edhe Florije Hajrullahu, që për pak me harru! Që ka qenë… Florija ka qenë shumë kokëfortë. E rrahën. U rrahën keq. Pyeti se kush e… ne… s’pranoshja as unë, asnja me tregu. S’pranonte askush si ka fillu e pse. Dikur, një ish e burgosun, sërbe që ka qenë aty, për keqpërdorim ekonomik, maniak, humbje, ka tregu. Edhe mandej janë rrehë këto vajza. Shumë keq!

Megjithate, kam qenë unë që kam fillu përsëri me bisedu me te. Edhe ajo ka qajtë se se ka pritë, s’ka mujtë me besu kurrë që ato edhe pse ishin shumë të reja, mujnë me u rrahë aq keq nga gardianet. Dhe mandej m’u ka betu me fëmijë që, “S’kam mujtë me besu kurrë. Kam mendu që veç kanë me ia tërhjekë vërejtjen! Kurrgja tjetër!” Edhe mandej, çdo ditë, gradualisht kem bisedu, e kështu ka fillu me kuptu, bile edhe me m’thanë që, “M’vjen sinqerisht shumëkeq që krejt ndryshe e kom mendu që kanë me qenë vajzat edhe burrat e krejt, që janë t’përfshimë n’këto veprime. Kurrë s’kam pritë që nji vajzë shqiptare… këto vajza me qenë kaq t’edukume, edhe me u kujdesë kaq shumë për mu, edhe me mi la rrobat e krejt e, edhe me u sjellë…” Bile kur ka dalë nga burgu, ka shku i ka taku t’familjes edhe i ka tregu që mirë është, e kështu… Ka thanë që, “Unë do ta kryej nji obligim. A s’ja fali vetit kurrë që e kam ba atë   veprim.”

Çka po du me thanë me këtë është që gratë janë ma solidare. Ndonëse në publik thuhet vezhdimisht e kundërta. Gratë, gjithmonë bajnë përpjekje edhe veprime për t’mirën e përgjithshme. Nuk janë individualiste. Kurse burrat, është e kundërta. Ata ma shumë i bajnë për karrierë e për pushtet. Nuk e kanë shumë këtë ndjeshmërinë për kolektiven, sa e kanë gratë. Ndoshta kanë qenë arsyet sociale, ekonomike, përveç asaj të amësisë, që e kanë shty gruen me ba këto veprime edhe mu ndi kështu. Që t’jetë ma solidare me të   tjerët.

Kaltrina Krasniqi: Kur ju kanë gjyku? Kur ju kanë qitë   n’gjyq?

Shukrije Gashi: N’gjyq na kanë qitë në Prishtinë. Ka qenë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Me thanë, mas ni periudhe bukur t’gjatë t’hetimeve. Nëse m’kujtohet saktësisht, kanë qenë… prill…dhjetor, kështu. Jemi nxjerrë në gjykim. Edhe në gjykim ka qenë një qasje diskriminuese, sepse nuk na kanë leju që t’përshëndetemi me t’familjes hiç. N’gjykim e kam pasë avokat Avni Gjakovën, i cili e ka pasë nji qasje shumë konstruktive ndaj të burgosurve, dhe na ka mbrojtë qysh ka ditë më s’miri. Pikërisht ka qenë domethanë, mbrojtja e tij e argumentueshme, e argumentuar mirë që ka ndiku që shkalla e dytë, në mungesë të fakteve, nga dy vjet sa isha dënuar, t’m’i zbret disa muaj dhe tërësisht i kam mbajtur mbi 16 muaj   burg. Pjesën tjetër mandej, e kam mbajtë në burgun e Lipjanit, ku kushtet kanë qenë shumë më të mira, sepse ka qenë një tretman gjysëm i hapur. Kurse në Mitrovicë ka qenë tretman i mbyllur.

Megjithate, përsëri po e them, të burgosurat politike kanë pasë trajtim tjetër, gjithkund. Sidoqoftë, drejtoresha e burgut në Lipjan, ka qenë shumë përkrahëse ndaj vajzave që kanë qenë të dënuara politikisht, dhe ka pasë kujdes shumë që ato të mos keqtrajtohen. Megjithate, sistemi ka qenë i tillë që ka qenë bukur vështirë me ba qoftë edhe ni veprim të tillë. Kjo drejtoreshë ka qenë Shpresa Kuçi. Për te, unë për veti po flas, kam konsideratë, sepse ka ba përpjekje që shërbimi me u sofistiku, me u përmirësu, me pasë qasje n’biblotekë, me pasë më shumë kohë t’lirë, edhe ke pasë lirinë e komunikimit ndryshe me te. Natyrisht, si n’çdo sistem ku burgjet janë në nji mbikëqyrje të rreptë, ka pasë edhe  limitime.

Ka pasë edhe vështirësi, absolutisht, sepse mu m’kujtohet, për mu ka qenë e tmerrshme edhe absurde që unë t’merrem me qepjen. Sepse nuk është në natyrën time dhe s’kisha t’baj kurrgja    me këtë lloj profesioni. Me qepë n’maqinë. Për më keq, kem pasë t’bëjmë me maqina të dedikuara vetëm për pjesë t’veçanta. Që ka qenë ende… shumë e randë, sepse është dashtë me përdorë makinerinë t’cilën se ke përdorë asnihere n’jetë. Edhe ni kushtëzim që m’është bërë për shembull, ditën e parë kur jam sjellë në punëtori, ka qenë që prej mëngjesit deri n’ora nji, e ke për obligim me i qepë 13 jaka. Jaka të këmishave t’ushtrisë kanë qenë. Edhe për mu ka qenë absurde sepse unë s’e kam ditë qepjen elementare, e lere ma me ato maqina t’komplikume për pjesë t’veçanta. Edhe e pyta atëhere shefin, “Po falni, po nuk di me qepë une!” “Qy, qy”, tha, “ Nuk di   me qepë, mshile gojën! Ulu aty edhe nisja me qepë!” Qysh me ia nisë me qepë kur s’din? Tha ai, “N’qoftëse nuk i krynë 13 jaka deri n’ora nji, ki me shku n’vetmi”.

Fillova me shiku përreth, se se kisha idenë qysh veprohet. Çka me ba me atë maqinë?! Edhe u përpoqa pak me… kështu me përvjedhë, me kqyrë se si përdoren ato maqina. Një grue aty, që ishte kohë t’gjatë, qepte dhe e largonte me qëllim dorën që me pa… që unë me pasë mundësi që ta shoh se si po e qepë. Edhe u përpoqa. ashtu. Fillova me qep po nuk shkonte sepse nuk dija. Edhe erdhi, “A di çka? Unë po t’thom përqendrohu këtu! N’maqinën tande! Sepse nëse nuk i krynë 13 ki me shku n’vetmi”. U përpoqa, u përpoqa, fillova pak me i ra n’fije edhe pse ishte shumë e vështirë. Edhe e therra gishtin keq, sepse ishte pasojë e mungesës t’përvojës. N’vend se t’i vinte keq që u lëndova, ai ma përsëriti qate edhe ni herë, që ke me shku  n’vetmi.

Për fat t’mirë, pa përfundu orari erdh kjo drejtoresha. Hyni, na përshëndeti, kështu. Pyeti, “Si po ju shkojnë punët? Si jeni vajza?” Nuk e di pse u ndiva e lirë, ndoshta ishte përshtypja, edhe i thashë, “Për fat t’keq nuk po e kuptoj hiç, pse duhet mu sjellë keq dikush kështu me ne!” Tha, “Pse…” tha, “çka ka ndodhë?” Edhe ia tregova gishtin që m’kishte depërtu gjylpana. Atëhere, ashtu… si me thanë, e shqetësume, “Pse…” tha, “për çka është dashtë me ndodhë kjo? Çka ka ndodhë këtu?” “Nuk e di!” thashë. “Unë i sqarova disa herë që nuk di me qep. Edhe këto nuk qenkan maqina si e kam te shtëpia për shembull, t’motrës. Edhe ate se kam përdorë, po këta edhe ma hiç” . “Çka ke ba more burrë kështu? Çka është kjo punë e jotja kështu? Pse duhet kjo me u lëndu?” Tha, “Se është kokëfortë, po i shkel urdhënat. Nuk ka dashtë me u ulë me qepë.” Ajo… që ishte një gënjeshtër. “Edhe i thashë që ka me shku 13 ditë n’vetmi!” E mori… nuk e di çka kanë fol mandej. Edhe mas ni kohe, është kthy. E kam pa që ka qenë i… nervoz ka qenë. Nuk m’tha ma gja. Nuk shkova n’vetmi. Shpëtova!  (Qeshë).

Po shpesh herë, kur ndalna edhe mendohna, pse duhet me shku n’vetmi pse s’ke ditë me përdorë një maqinë për t’cilën se ke asnji minutë përvojë? Domethanë, nuk ishte rehabilitues sistemi i burgjeve. Në praktikë jo. Në letra, n’letër, Jugosllavia i ka pasë ndoshta ligjet ma t’mira, n’kuadër t’këtyne shteteve që kanë qenë të Bllokut Socialist, që janë qujtë atëherë. Mirëpo, praktika ka   qenë shumë e vrazhdë. Edhe është keqpërdorë shumë. Sidomos ndaj shqiptarëve. Kështu, domethanë. Ka… ka qenë torturuese. Fillimisht qëndrimi n’karantinë, që ka lanë vragë t’thella, t’përvojës t’keqe me mu. Që s’ka me harru kurrë.

Nji mujë ditë, në nji dhomë t’errët, me nji vajzë tjetër, një serbe. Që dera mbyllej nga jashtë, edhe hapej nga jashtë. Ti s’ke pasë mundësi me hapë derën. As me mbyllë. As dritën me ndezë kur ke dashtë. Sepse ka qenë nga jashtë. Edhe ushqimi është sjellë aty. Nashta edhe nën presion t’rrethanave, me thanë aspekti psikologjik, qasja dhunëse, përqendrimi n’krejt ngjarjen çka u zhvillojke mrenda mureve t’burgjeve, t’burgut tonë n’veçanti, ato seancat e hetuesisë, presioni se mos po m’shpëton diçka që nuk ish’ dashtë me   thanë, e kështu. Edhe nuk e di arsyen reale pse, sepse nuk jam ndonjë njohëse e mirë e mesazheve të ëndrrave.

Një natë e pashë një ëndërr që… shumë t’çuditshme. Ëndërrova që bashkë me vajzën e axhës, me Eminen, ishim duke protestuar n’qytet. Edhe aty ndodhej një masë e madhe e protestanëtve, edhe e demonstruesve që përpiqej me gjetë mundësi, një pjesë që t’i bashkangjitej grupit, një pjesë   tjetër që lypte rrugë me u shmangë, sepse kishte të shtëna me armë, lotsjellës, edhe me këto goma… plumba gome, kështu që gjuante vazhdimisht policia. Derisa ne po përpiqeshim që    t’gjenim mundësi se si me u shmangë, mua m’rrëshqiti këmba edhe rashë për toke. Në atë   moment, mu hapë çanta, dhe nga çanta dolën shumë gjëra që i kishte brenda, duke përfshirë edhe ato… domethanë të kozmetikës, kutinë e kozmetikës. U derdhën në   rrugë.

Për ni moment, derisa po shikoja përreth, e pashë që u shfaq Nuhiu, Nuhi Berisha, i dashuri im dhe anëtar i Lëvizjes për Republikën e Kosovës, njiherit edhe inicues i themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Reagimi i parë i imi ishte me shqetësim, sepse pashë që mbante kukëza dhe këmbët…  që të dykëmbët i shkonin zvarrë. Edhe bërtita, edhe pse isha ashtu… Lëshova një britmë, “O Zot!  Çka paska ndodhë kështu me ty?” Atëherë vajza e axhës, edhe ajo e ktheu kokën dhe e pa që ishte Nuhiu. Ne vrapumë që ta ndihmonim, që ai të ngritej në këmbë, ndërsa ai insistonte që ne të largoheshim. Në nji moment, u ulë përtoke, i pa gjanat të cilat ishin derdhë nga çanta, nga çanta ime.

Nuk di nëse e theksova ma herët, domethanë atmosfera e randë n’burg, kushtet, presionet prej hetuesëve dhe inspektorëve të rastit, mandaj ngarkesa se çka mundet me i ndodhë familjes, çka    po ndodhë me vëllazënit e motrat, me babën, me të tjerët, me Nuhiun, i cili n’atë kohë ishte jashtë, ndodhi që një natë e pashë një andërr shumë t’pazakonshme, e cila për mua e barte nji mesazh shumë të rëndësishëm dhe të qëlluar me veti. Pashë andërr që isha në… ndodhesha në qytet bashkë me vajzën e axhës, Eminen, e cila ishte moshatare e imja dhe ishim domethanë… studionim në të njejtën ndërtesë, ndonëse ajo studionte Ekonomikun ndërsa unë Juridikun.

Po që të dyja e njifnim Nuhiun dhe Eminja ishte bashkëveprimtare, bashkë me mua dhe Nuhiun, dhe Ahmet Isufin. Derisa ne po përpiqeshim që të gjenim rrugëdalje… Dhe ashtu siç isha duke biseduar me vajzën e axhës, me gjetë rrugëdalje, me u largu pak nga masa sepse atje, njerëzit edhe n’atë kohë shtyheshin mes veti për shkak të frikës nga plumbat dhe lotsjellësi që vinte nga policia. Në nji moment, duke ecur më rrëshqiti këmba dhe u rrëzova. Pashë ëndërr që ndërsa u rrëzova, nga çanta dolën krejt çka kisha brenda, duke përfshirë edhe kozmetikën.

Dhe, derisa unë përpiqesha, t’shof se çka me marrë e si me i mbledhë ato, e pashë që erdhi Nuhiu. Ardhja e tij ishte e pazakonshme sepse unë e dija që Nuhiu ishte mirë me shëndet, ndërsa në këtë rast i tërhiqte këmbët zvarrë dhe ecte me kukëza. Edhe thashë, “O Zot, çka paska ndodhë me Nuhiun?” Kjo thirrje e ime ia tërhoqi vëmendjen edhe vajzës t’axhës, edhe ajo e ktheu kokën pak dhe e pa që Nuhiu vërtetë ecte me kukëza. Ne të dyja vrapumë që t’i ndihmonim atij që t’na bashkangjitej, kurse ai nuk mund të rrinte as në kukëza dhe ra përtoke. U ulë n’tokë. Me vështirësi iu aftue gjërave që kishin dalë nga çanta dhe për çudi, së pari e mori një të kuq të buzëve, që i thuhej n’atë kohë. Karmin tash që po i thonë. Dhe atë tha, “Këtë, e merr t’i Emine!”

Ju drejtu Emines. “Merre këtë, se t’i do t’bahesh nuse.” Ndërsa, në mesin e shumë gjërave që ishin derdhë aty, e mori një laps, dhe lapsin ma drejtoi mua. {E merr një laps në dorë.} Tha, “Ti Shukrije, e merr lapsin, sepse ti duhet t’vazhdosh rrugën tande, edhe me laps. T’vazhdosh t’shkruash për krejt çka ka ndodhë! Dhe tash, ikni! Ikni, m’leni mua se kështu është kjo punë. Nuk ka kuptim, t’vjen policia t’ju merr edhe juve. Lemëni se s’ka… s’ka problem! Gjindem unë!” Ne e dinim që kjo… ishte e pamundur, sepse ai nuk mund as t’lëvizte. Edhe unë e mbaja nga dora kështu. {E zgjatë dorën.} Nuk e lëshova! Ndërsa në ndërkohë, policia vazhdimisht vinin dhe shtinin në ajër, me armë. Dhe për nji moment domethanë, më doli gjumi, dhe pashë veten që ndodhesha në burg.

Ishte e vështirë sepse ti n’ato rrethana, nuk kishe as siguri që ta ndaje as këtë informacion me    dike. Me dy shoqet që i kisha në dhomë, sidomos me Shyqerije Bytyçin, e ndava. Thashë, “O zot, ishalla nuk m’del në zhgjëndërr ate që e pashë në andërr”. Dhe ajo pyeti, “Pse?” I tregova andrrën, e ndava me te dhe i thashë që, “Mesazhi i kësaj andrre nuk është i mirë. Sigurisht diçka do t’ketë ndodhë me Nuhiun”. “Jo, moj…” tha, “se e ke krijuar atë përshtypjen se jeton me këto probleme dhe andrra është përsëritje e asaj çka flasim ditën”. Thashë, “Po jo, ne s’kemi bisedu fare për këtë çështje ditën”. Dhe ndërsa ne po bisedonim, dy gardiane erdhën. Ja behën në derë, edhe ashtu si    e kanë pasë shprehi, jo t’thërrisnin me një za, t’themi normal po, {e ngritën zërin} “Gashi, Shukrije, hajde! Poseta [Vizitë]!” Dhe unë dola. Thashë vetë me veti, “Çfarë vizite pasna?!” Tha, “Jo, jo. Nuk është vizitë me familje, po kanë ardhë hetuesitë. Edhe, vishu ma trashë! Merre xhemperin tjetër me veti”.

Kur m’tha ashtu, njëra nga to, munda ta marrë me mend se ishte fjala se sigurisht do t’kishte një seancë t’jashtëzakonshme. E mora nji xhemper ngjyrë të zezë, që ishte vetëm një rastësi, dhe pas një rrugëtimi të gjatë që e bëmë nëpër kthinat e burgut, që zgjati shumë, mbërritëm në nji koridor, dhe në ndërkohë pashë dy veta që kalonin. Të rrahur për vdekje. Po ashtu, teksa po kaloja pragun, përsëri rastisa që të ndëgjoj britma të tmerrshme, në dhomën që ishte ngjitë me dhomën ku do t’zhvillohej seanca. Kjo ndodhte pothuajse në çdo seancë që e kam pasë. Eksperienca të tilla!

Dhe kur u futa brenda, pashë që aty ishin shtatë veta, shtatë inspektorë. “Hëë…” filluan pastaj me ironizu me shprehje të tilla, qasje, “Ëë, sa… pra ti e paska marrë vesh. Ti po e din çka ka ndodhë. Ngushllime!” Dhe disa të tjerë, dikush ashtu, dikush ashtu. Tjetri thonte për shembull, “Na vjen keq, po e vrau veten. E ka vra zoti, se e vrau veten!” E kështu. Edhe une, normal që nuk ndejta pa fol, u thashë, “Ai nuk ka qenë burrë që e vret veten. E sigurisht e paskët vra ju! Ju vraftë zoti!” Atëherë reagimi ishte i ashpër. Njëri nga ta edhe më grushtoi. Më përplasi për muri dhe u   përgjaka, rashë n’tokë. Derisa po qëndroja aty, mendjen e kisha përsëri tek ëndrra. E kuptova që mesazhi nga ëndrra, u bë realitet! Ata vazhdunë me të tyren se, “Sigurisht e ke ditë! Kush t’ka tregu që ka vdekë Nuhiu? Kush t’ka tregu që ka ba vetëvrasje Nuhiu?”

Thashë, “Unë, absolutisht nuk kam idenë çka ka ndodhë, sepse unë jam brenda katër mureve. Dhe asnjë zog s‘ mund t’futet brenda, e lëre më njerëz. Po mos u tallni me mua, tregoni çka ka ndodhë? Çfarëdo që t’ketë ndodhë, unë nuk e kam ndërmend të ligështohem, dhe jam shumë e sigurt që Nuhiu nuk e ka vra veten, po n’qoftëse ka vdekë, e keni vra ju!” Pastaj, ashtu si gjithmonë që taktizonin. Njeni t’sulmonte vrazhdë me gjuhë, tjetri të përkëdhelte, përdorte gjuhë ma t’butë, “Mos e ndëgjo çka po thotë ky, se është hajvan,” e fjalë të tilla. Që, “Çka me bo tash, ka ndodhë. Ka mjaft djemë të tjerë. Ti banu e mençme, kqyr qysh me dalë prej këtu. Por nga këtu nuk do t’mundesh me dalë n’qoftëse nuk bashëpunon me ne!” Dhe thanë të drejtën, çfarëdo që t’ndodhte ma, për mua ishte njësoj. Mendjen e kisha tek Nuhiu. Nuk m’interesonte ma! A do t’më rrihnin, apo çfardo që   t’banin, sepse gjatë gjithë kohës ëndrra më sillej nëpër   kokë.

Aty ishte edhe një nga shefat e UDB‐së atëhere, i cili e kishte një vajzë siç thonte ai, moshatare timen, Mehmet Lumi. Përsëri me fjalët e njejta, si dhe në seancat e tjera. Në fakt, më tha, “M’vjen keq! Ngushëllime! Nuhiu e ka vra veten. Po ti, banu e fortë, përpiqu me u përqendru n’bashkëpunim me ne, n’bashkëpunimin tonë, dhe sa ma shpejtë që t’dalësh prej këtu e t’vazhdosh studimet. Vazhdoje jetën! Jeta është e gjatë. Ti je e re. Pse t’kalosh kot vite të tana n’burg, kur mundesh me e gëzu jetën si tërë moshatarët e tua.” Vendosa t’mos përgjigjem. Edhe ashtu bëra. Nuk u përgjigja në asnjë fjalë. Në asnjë pyetje të tyre. As në ato provokimet kinse për deklarata që ka mund t’i jap dikush nga grupi. As në fyerjet, sepse ishte e kotë. Edhe po t’përgjigjeshe, ose t‘bëje përpjekje që t’komunikosh normal me ta, sjelljet ishin të ashpra shumë, dhe shumë fyese.

U ktheva në dhomë, dhe përpiqesha që t’kuptoj pse qenka kaq e gjatë rruga nga zyra e hetuesisë deri tek dhoma ime. Dhe kjo ndodhte sepse ndërtesa e burgut, nën dhe ishte e lidhur me  ndërtesën e gjykatës. Dhe ajo ishte… ishin të ndara. Mbi sipërfaqe, ato nuk janë lidhë, po mrenda po. U përpoqa t’kuptoj pastaj… pyeta një gardiane, thashë, “Nuk e kuptoj unë çka është kjo punë. Pse aq larg? A aq i madh është ky burg?” Ajo, me shumë kujdes m’tregoi se këto ishin ndërtesa   mbi sipërfaqe t’ndara, por nën tokë, lidheshin. Sipas asaj që kam mësuar dhe dëgjuar, domethanë sa kam qenë në burg, këtë burg, dhe këtë mënyrë, këtë konstruksion e kishte bërë nji austriak.

Kur u ktheva në dhomë, iu tregova shoqeve se çfarë kishte ndodhë. Derisa unë kam qenë në seancë, në seancën hetuese, ato veç e kishin marrë lajmin që Nuhiu ishte vra. Mirëpo kishin vënë kontakt me t’gjitha vajzat që nuk duhet ta marrë informatën si të vërtetë. Mundësia atëhere me komuniku nga dhoma në dhomë, ka qenë përmes gotave të kosit, si kjo. Ma jep, nëse doni t’ua demonstroj, po…  {E merr një gotë dhe imiton vendosjen e saj në mur}. Një gotë e tillë, vehej në mur, hapej vrima këtu, dhe kështu mandej shpërndahej. Dhe ashtu ishin marrë vesh, që mos ta marrë informatën se çka ka ndodhë me Nuhiun. Që Nuhiu dhe Rexhep Mala ishin vra. Nga mënyra se si sillej vajza që… shoqja që e kisha n’dhomë, cimerja e dhomës, ndonëse nuk ma donte zemra, s’e pranonte, e kisha parandjenjën që ajo çfarë kishte ndodhë ishte e vërtetë. Çfarë une kisha pa në andërr, por edhe nga reagimi i inspektorëve, do t’ishte e vërtetë!

Dhe e pyeta, thashë, “Shyqyrije, mos e keni marrë shtypin sot? Mos ke ndëgju ndonjë informatë, ose ke lexu? Tha, “Jo! Interesant, sot nuk e kanë pru gazetën…” ashtu i thonte, “pse?” “Po, s’di!” thashë. “Çudi…” thashë, “n’seancë, edhe m’shprehën ngushëllime, edhe reagimet kanë qenëshumë t’çuditshme, ‘Aaa, kjo veç po e ditka që është vra Nuhiu! E ka vra veten Nuhiu. Është veshë me t’zeza’” Të njejtin reagim e pati edhe ajo, tha, “E vrafshin veten se ne e dimë që Nuhiu nuk është djalë që e vret veten. Po sigurisht, edhe po qe se ndodhë, ata do t’i vrasin djemtë tanë.” Edhe shikoja kështu përreth, mos po gjej ndonji reagim, po marrë nga ato të tjerat, që ishin të dhomës. Por jo, asnjenja! Ose nuk të shihnin kështu drejt n’sy… Thashë, “Ju lutem, nëse keni ndëgju diçka, tregoni! Unë s’kam çfarë t’baj tash. Jam n’burg. Nga këtu edhe s’mund t’dal. Edhe vrasjet e djemve tanë e vajzave, janë të pritshme.” Dhe ra një heshtje. Askush, asgja. E dija që tashma, koha e drekës kishte mbaruar edhe… edhepse se kam pasë shprehi asnjiherë fillova t’i thërras vajzat, me emra. T’kërkoja nëse ato kishin informata. Aq mirë ishin organizu që asnjëna nuk tha, “Jo, jo! Nuk di! Jo moj! Çka flet, andrrat janë andrra, s’janë gja.” Qëllimi ishte që unë të mbrohem nga një stres i tillë, të paktën për kohën sa mund të qëndroja në Mitrovicë, në mënyrë që mos ta pësoja edhe një goditje tjetër t’randë, karrshi këtyre goditjeve që i kisha çdo ditë. Pothuajse gati çdo ditë n’seancat e hetuesisë. Megjithate, tanë kohën e kam pasë atë ndjenjë që ajo ka ndodhë.

Madje edhe kur u takova n’vizitën e parë pas vdekjes së tij me familje, u përpoqa ta kuptoj. Dhe e shikoja n’sy babën, axhën, nanën, t’mësoj diçka. Mirëpo ata sigurisht kanë folë që nuk duhet me tregu. Edhe baba tha… kur e pyta, sepse atëhere bisedonim me pseudonime, thashë “Beqa, si është?” “Po Shuki…” tha, “çka me të thanë? Leje pashë zotin, shikoje ti shëndetin tand! Djem, kur t’dilsh, djem ka sa t’dushë. I ka shiku punët e veta. S’ke çka! Merru ti me vetveten, kqyre ruje shëndetin tand.” Tha, “Shih, je ba kockë e lëkurë. Ti s’ke metë gja. Leje atë punë! Hajt se kur t’dilsh merresh me këto gjana. Njiherë kujdesu për shëndetin.” Edhe nanën e pashë kështu n’sy, përpiqesha t’hetoj, kuptoj gja nga ta, po… kurrgja. Meqenëse si kushtuaë kujdes ata, as   unë… s’pata çka me ba!

Kaltrina Krasniqi: Çka ndodhi n’gjykim mandej?

Shukrije Gashi: Në fakt, më falni, se gjykimi ka qenë para kësaj. (Ofshanë). N’gjykim, siç e thashë ma herët, normal atëhere, na dërgonin në gjykatë me ato kerret e veçanta që kanë qenë për t’burgosun, me pranga. Edhe para se me shku, para se me u majtë gjykimi… edhe këte do ta them… Meqenëse vizitat ndodhnin shumë rrallë, edhe nuk kisha rroba t’reja, domethanë që t’dilja n’gjykim, kërkova nga një gardiane që t’më ndihmonte, që t’paktën t’ia kërkonte me telefon familjes që t’mi sillnin rrobat. Edhe pse ka qenë shumë e rreptë, megjithatë sa i përket disa çështjeve, ka qenë shumë korrekte. “Je…” tha, “shumë e pjekun,” sepse unë jam përpjekë që t’mos baj veprime që kanë qenë shumë fëminore, si dhe t’kota. Ëë, ku di une, t’kapem n’derë e, t’bëjë zhurmë e, ngatërrohem me gardianë pa ndonjë arsye, pa ndonjë shkas t’veçantë. Tha, “Unë po t’premtoj që do t’i telefonoj familjes edhe do t’i sjellin ato, rrobat.” Edhe ashtu ndodhi. Dhe m’i solli rrobat. Dhe nuk kisha dëshirë që prindtë t’më shohin se dukesha keq, sepse kisha ra  në peshë edhe isha shumë shëndetligë. U vesha dhe shkova. I pashë nga largësia, (buzëqeshë) sepse nuk t’ipej mundësia që t’përshëndetesh me ta, familjen.

Atëherë, akuzohesha me akuzën, dhënie e ndihmës kryesit të veprës penale… pas kryerjes së veprës penale, kështu diçka ka qenë emërtimi. Neni 137, lidhur me nenin 136. Avokat e kam pasë, ish‐profesorin e juridikut, Avni Gjakovën, i cili ka pasë një aftësi të jashtëzakonshme komunikuese dhe profesionale. Dhe e tha, domethanë në… para trupit gjykues që, “Këta fëmijë, kanë bërë aq faj, sa meritojnë vetëm një thupër, dhe t’shkojnë në shtëpi. Se s’kanë bërë gjë!” Por nuk ndodhi ashtu domethanë. Megjithatë, u dënova me dy vjet burg dhe natyrisht e vazhdova edhe për pak kohë burgun në Mitrovicë. Pastaj nga aty, pjesën tjetër në burgun e Lipjanit, që ishte një burg me tretman gjysmë të hapur.

Dhe kur… atë ditë që dola nga burgu i Mitrovicës, e përjetova shumë randë ikjen nga ai burg, sepse mbrapa meje lashë shoqe shumë, të cilat jetonin në kushte shumë t’randa. Në veçanti, për faktin se çdo ditë katet ku jetonin, ku qëndronin meshkujt, maltretoheshin çdo ditë. Dhe ajo ishte si një pllakë gramafoni e prishur, që vendnumëron dhe nuk ka ndonjë këngë të re. Me këtë përshtypje të rëndë, u largova. Madje, për ju mund t’jetë e pabesueshme, po për mu ka qenë kështu, që unë edhe insistova që edhe më tutje, për shkak të shoqeve t’jem në burgun e Mitrovicës. Mirëpo ishte urdhër i prerë dhe ishte   procedurë.

Kaltrina Krasniqi: Kur dolët prej burgut mandej? Kur u lirutë? N’çfarë periudhe, çfarë viti?

Shukrije Gashi: Kur dola prej burgut ka qenë korriku i vitit 1984, ose ’85, kam harru (buzëqeshë). Po, sapo po e përfundonim ndërrimin e punës dhe po ktheheshim në ndërtesë ku jetonim n’atë kohë, si të burgosura, njëra nga gardianet më tha mua që unë duhet të ndalem, t’mos shkoj n’dhomën time, t’bisedoj me te. Edhe une mendova se sigurisht kanë me m’tansferu në Pozharevc, ose në ndonjë vend tjetër, ku zakonisht transferoheshin. Dhe m’tha, “Kam diçka për t’thanë po duhet ta mbashë për veti.” Thashë, “Çka ka me mbajtë për veti? Trego çka është! Nëse m’transferojnë, m’transferojnë. Unë tash, nuk kam çka t’fshehë këtu.” Tha, “Shuki, ti kthehesh n’dhomën tane, i merr plaçkat, po shkon n’shpi!” “Jo…” thashë, “unë n’shpi nuk shkoj!” “Çka po flet moj?” Thashë, “Çka po m’dëgjon! Kurrë…” thashë, “nuk shkoj n’shpi! Qysh po kujton ti? Une po shkoj n’shpi, e po i la shoqet këtu?!” Tha, “Po ti, nuk mundesh me qëndru ma gjatë. Kështu e ka pru vendimin shkalla tjetër, dhe s’ke rrugë tjetër,” tha.

Dhe, në nji distance, t’themi prej kështu dy metrash ndoshta ka qenë… rrinin shoqet. Sepse gjithmonë, ne njëra për tjetrën, shfaqnim edhe bashkëndijim po edhe gatishmëri për ta mbrojtë njëra tjetrën. Dhe ato nga frika se mos kam ndonji kërcënim, nuk shkonin n’dhomat e tyre. Edhe njëra nga to m’tha, prej largësisë, “Shukrije çka po ndodhë me ty, oj motër?” “Asgja…” thashë, “e jashtëzakonshme, po edhe e mirë jo.” Tha, “Pse?” Thashë, “Se po kujtojnë këta që une pranoj me shku n’shpi, e me ju lanë juve këtu.” Ato nga gëzimi filluanë me qa (buzëqeshë) edhe me uru, “U sa mirë! Mirë shumë! Hajde, hej zot, sa mirë!” Kur kanë ba ato kështu… edhe vërtetë, n’vend se të gëzohesha, unë fillova me qa, se m’dukej shumë e randë. Edhe përsëri, gardianja, zoja Nexhmije, ka qenë një grua e mirë, tha, “Shukrje, edhe këtyre të tjerave… mos u mërzit, ju vjen dita dhe lirohen. Këto nuk janë gjana që i vendosim ti dhe unë, por shteti, politika. Unë jam shumë e sigurt që ti këto s’ke me i harru kurrë.”

Pashë përreth nihere, dhe u nala tek vajzat e reja. Kanë qenë… sidomos njena që e kisha n’dhomë, ka qenë shumë e lidhur për mu. I dukesha noshta ma shumë se motër, nanë. Thashë, “Qysh moj gardiane, po ku me lanë Shahadijen?” “Po Shuki…” tha, “Shahadija… Pse po thu ku me lanë Shahadijen? Qe ku janë tjerat. Këto krejt janë t’mira. Vjen dita edhe Shahadija lirohet, edhe shkon n’shpi sikur ti! Mirë është…” tha, “që del, e mandej…” ajo nuk mundte me m’thanë e vazhdon… tha, “e vazhdon shkollimin.” (Ofshanë).

Shkova dhe i mora rrobat… erdhën t’gjitha vajzat n’dhomë. Dhe m’ndihmuan shpejt e shpejt m’i palu, po pothuajse t’gjitha gjërat nuk i mora, i lashë. I shpërndajta nëpër shoqe. Dhe u nisa… ka qenë rregull që lidhëset e këpucave nuk t’i kanë dhanë. Edhe e kisha bukur të vështirë t’vazhdoj t’ecë pa lidhëse… Një gjë tjetër që m’bani përshtypje, ishte që nuk dija se si… nuk informonin se si mundesh me udhëtu prej burgut e deri n’qytet, për shembull. Dhe në dalje, u përshëndeta me vajzat. Nuk e ktheva kokën pas edhe një here t’i shoh, sepse e kisha shumë t’randë. Nuk e di pse e kisha ndjenjën e fajsisë! Se unë po dal, e ato po mbesin. Dola në rrugën kryesore para dyerve të burgut, dhe tash mendoja me veti, “Qysh ka me shku? Kah me ia mbajtë?” Se edhe pse kisha qenë në liri, unë ma parë s’kisha qenë n’atë pjesë t’vendit. Ndoshta kam kalu aty pari, po nuk e kam ditur ku është burgu, e ku… Dhe meta kështu… po shoh anash, përpiqesha me kuptu ku jam. Me nji hamendje, thashë t’vazhdoj kah qendra e qytetit, përafërsisht ashtu, se edhe nuk e dija ate mirë, atë zonë të Lipjanit, sepse nuk ishte n’qytet mbrenda, po ishte n’periferi.

Edhe fillova me ecë ngadalë, tu i ngreh kambtë zvarrë, sepse isha pa lidhëse. Dhe po i shikoja   kerret, veturat që kalonin aty pari… Me thanë mas… nuk jam shumë e sigurt… ndoshta mas dy, tre qind metrash, ni veturë u ndal. Edhe m’tha, “Futu shpejt! Shpejt, shpejt, shpejt!” Unë mendova që janë këta të Sekretariatit, të Sigurimit. Kur u futa brenda, kishte qenë mjeku i burgut. Ka qenë burrë shumë i mirë (buzëqeshë). Edhe kam ba përpjekje edhe atëherë me gjetë, me ditë ku asht’ ku njeri, Abdullah Hoti. U futa në veturë, dhe m’sygjeroi që t’shtrihesha. Sepse, s’kishte të drejtë as këtë shërbim që t’ma bënte. Me veti e kisha fletlëshimin. U shtrina domethanë në ulësen e mbrapme, e pasme dhe ashtu vazhdumë, deri n’Prishtinë. Kisha shumë dëshirë me pa kah kalonim, po duke e ditë rrezikun, vendosa që t’rri ashtu siç më tha.

Kur mbërrijtëm në hyrje t’Prishtinës, te Veterniku, tha, “M’vjen keq, ma mirë është për ty edhe për mu që tash këtu, vazhdo me ecë.” Se kishte frikë, jam shumë e sigurt, që mos ndokush po e përcjellë dhe do t’mund t’kishte pasoja. Ndoshta mund t’iu tingëllon që është pak e pazakonshme, po edhe kur dola nga vetura, kam fillu me qa me za vetë me veti. Mendjen e kisha tek vajzat e burgut. Dhe i mendoja ato, brenda, t’rrethuara me një mur shumë t’lartë dhe torturat që i përjetonin, qoftë edhe psiqike, nga shefi i punëtorisë së rrobaqepësisë, për çdo ditë, çdo mëngjes. Përcjelljet nga ana e gardianeve, sepse ka pasë edhe gardiane që kanë qenë shumë të rrepta. Dhe, punën e rëndë që e bënin çdo ditë. Pastaj, mbrëmjet në atë ndërtesë kanë qenë shumë të rënda, sepse flitej që burgu është i ndërtuar mbi varreza. Përjetime shumë t’randa kam pasë kur kam qenë n’karantinë. Ato, dikush mund t’i ketë parë vetëm n’filmat horror, çfarë kem përjetu ne që kem qëndru nga një muaj ditë në karantinë. Të gjitha këto, më silleshin në mendje, dhe nuk mund t’pajtohesha me faktin pse unë dola e ato nuk dolën.

Dhe kështu vazhdova rrugën. Ndonjëherë, i shihja këpucët e mia. Thojsha, “Kurrë s’ka me mujtë me mbërri m’shpi!” Kur erdha tek Gjykata e Qarkut, nuk di pse ashtu m’erdhi instinktivisht dhe u ndala. Për nji moment, krejt procesi i gjykimit dhe pamjet e policisë që kanë qenë jashta ndërtesës, mu kanë kujtu. Mu duk’, sikur po shkoja për herë të dytë n’gjykim. U nala, pashë përreth, dhe përpiqesha me e gjetë rrugën për te shtëpia. Aty nuk ishte shumë larg, po ja domethanë, ra puna e gjykatës dhe nuk më kujtohej ku e kam shtëpinë. Atëherë, ni burrë që kaloi aty pari, m’shkundi nga krahu, {e prekë supin me dorë} m’tha, “Urdhëno, kend… po m’duket se je ka kërkon diçka, nuk po din me gjetë… çfarë rruge, ku po don me shku? M’u dukë e pazakontë që unë ta pyes për shtëpinë time. T’i tregoja drejt, thashë sigurisht, edhe m’merr kohë, edhe do t’shkaktoj shqetësim tek ky plak. Si thashë asgjë, përveç e pyta se, “Ku është Rruga e Bihaqit?” Tha, “Shumë afër e ke. Ja, kështu!” M’orientoi me dorë.

Vazhdova mandej, hyra në lagje. Nuk e di pse, nuk kisha dëshirë t’shikoja anash, apo ndoshta ishte përvoja e nxitur me dhunë në burg, që nuk na lejohej t’shikonim anash. Dhe, kur u afrova tek shtëpia, nuk kam vërejtë se shumë fqinjë të lagjes janë befasu, “Pse kjo nuk flet me neve?!” Jam futë, i kam ra ziles, e jam futë në koridor. Kur kam hy, e kam pa nji fëmi t’vogël, me sy t’kaltërt, që ai ishte Graniti, nipi im, i cili mbante një gisht në gojë. Dhe m’shihte kështu. Ndosha ka pasë dy, tre vjeç, s’ka qenë ma shumë. M’shihte me befasi, “Kush është kjo?!” E mora, e përqafa. Ka qenë  shumë i vogël kur e kam lanë edhe nuk isha e sigurt nëse ish’ Graniti ai. Atëherë motra e tretë, motra e Granitit, në kthesë të shkallëve… Ajo ka dalë sigurusht për t’birin. I ka ra befasi, qe ka qenë e papritun për te. E ka lëshu një thirrje, kështu tronditëse, “Ooo, ka ardhë Shuki!” edhe i ka ra t’fiktë. Mandej ka dale nana, baba, edhe vajza e hallës, ose… nuk m’kujtohet kush, e të tjerët. Edhe si zakonisht, nana ka qenë shumë e fortë, sepse ishte jeta që e kishte rryer me shumë vuajtje. Dhe, nuk qau, për çudi! I përbinte lotët. “T’kom thanë…” tha, “që ki me ardhë. A po e sheh që erdhe?” Kurse, babai nuk mundi t’i mbante lotët. Ai ka qenë gjithmonë ma i ndjeshëm. Edhe e tregonte ate. “Ee…” tha, “a e sheh pra? Çdo teposhtëze, e ka nga nji përpjetëze!”

Kaltrina Krasniqi: Qysh kanë qenë qato vjet  mas?

Shukrije Gashi: (Ofshanë).

Kaltrina Krasniqi: [e  pakupt.]

Shukrije Gashi: Ka qenë e vështirë shumë për mua që ta vazhdoj jetën, edhe sidomos studimet, sepse mënyra se si ka vepru regjimi serb, ka qenë shumë e veçantë. T’bahen veprime, po mos t’lamë gjurmë. E para që m’duhej të bëja ishte që t’paraqitesha në Sekretariatin e Punëve të Brendshme, për t’i kërkuar indeksin e gjërat e tjera nga ta. Sepse, ishin marrë t’gjitha domethanë. Dhe, shkova. U takova sërish me po t’njejtit inspektorë, që isha ballafaquar shpesh më herët. Dhe, nuk pushuan tendencat e tyre, që përsëri unë t’përfshihesha në bashkëpunim, duke më ofruar  punë edhe lehtësime, kinse lehtësime në kryerjen e studimeve.

Unë njëherë e përgjithmonë, ia  bëra të qartë, që, “Nuk e kam ndërmend, t’bashkëpunoj me ju! Kam ardhë që t’i kërkoj indeksin dhe dokumentet e tjera, fotografitë që i keni marrë. E çdo gjë tjetër. Dhe s’ka asnjë bashkëpunim me ju! Harrone!” Dhe, mora përgjigje me kërcënim, që, “Fakultetin nuk ke me e kry kurrë! Harroje! Dokumentat i merr, po studimet s’ke për t’i mbaruar kurrë.” I mora dhe dola. Edhe doli t’jetë ashtu! Aplikova shumë herë për pasaportë, dhe pasaporta s’mu dha kurrë. Fillova me vazhdimin e studimeve, i ndoqa ligjëratat, sepse kur kam ra në burg, kam qenë absolvente, mirëpo nuk fitova asgjë nga ndjekja e ligjëratave. Ishte një numër profesorësh, të cilët më lejonin që t’hyja deri n’sallën ku mbaheshin provimet, por jo edhe që të përgjigjesha në pyetje.

Dhe, duke e pa një tendencë të tillë, vendosa që t’bisedoj përsëri me avokatin, dhe t’ia spjegoj situatën se si qëndronte. Ai është tregu shumë i kujdesshëm ndaj meje. Ka qenë shumë herë edhe  ka bisedu me profesorë. Është dashur që t’krijohen komisione, që unë t’mund t’i kryej provimet. Mirëpo dy provime m’u zgjatën shumë, jashtëmase. Pothuajse m’i humbën pesë vjet kot, duke mos m’pranuar as që të përgjigjem, siç e thashë, n’provim. E kryeja krejt procedurën, paraqitjen e provimit, por kur vinte koha për t’u përgjigjur, kjo nuk ndodhte. Dhe dikur, kërkova edhe ndihmën e njërit nga profesorëve. Ishte fjala për Fatmir Sejdiun. Ja sqarova situatën, dhe vërtetë, n’atë kohë, Fatmiri, më ndihmoi shumë. Më sygjeroi që mos t’paraqitem në provim tek profesori, por tek asistenti, në mënyrë që t’i shmangem mundësisë për ta humbë edhe një afat, e shumë afate të tjera. Dhe kështu ndodhi. Pas shumë përpjekjesh, me mund t’madh, e kryva fakultetin.

Lufta

Në vitin 1999 kur kanë fillu bombardimet, kom qenë n’Kosovë. Dhe, meqenëse kam qenë gjithmonë  n’sy t’pushtetit, veç kanë fillue menjihere ditën e tretë lëvizjet e inspektorëve, agjentëve. Në një mëngjes, njëri nga fqinjët rreth orës dhjetë ka ardhë edhe i ka ra ziles te shpia dhe ka njoftu babën që kanë qenë dy agjenta e kanë pytë për Shukin. “Axha Ahmet, e ndiva për obligim me t’tregu që kanë  qenë dhe kanë pytë për te”. Atëherë baba m’tha që duhet me u largu, “Shko diku tjetër, gjej qare diku tjetër, n’shpi mos rri sepse ata pritet që kanë me ardhë përsëri”. Ashtu edhe kam vepru, kam lëvizë    nga një vend në tjetrin, asnjëherë s’kam qenë në t’njejtin vend. Derisa, veprimet e policisë murrën  kahje të vrazhdë, fillunë përndjekjet dhe nxerret largimi… me largimin e njerëzve nga shtëpitë.

Kështu që mu deshtë t’lëvizi fare, nga pjesa ku e kam shtëpinë e babës sot, dhe të vendosem në  Dardani. Në Dardani u bona bashkë me një djalë të axhës dhe shkumë në një familje shqiptare të përkatësisë katolike. Aty kem ndejtë disa netë dhe nga dritarja kem pa që grupet paramilitare maltretonin këdo që e gjenin në rrugë. Mandej edhe lëvizjet që i bonte plaka, e zoja e shtëpisë për t’blerë bukë e sende, domethënë veprime të tilla për nevoja elementare, na tregoi që ndër Kurriz ishin grupe t’mëdha paramilitare, madje edhe n’rrugë. Dhe, ndër të tjera në këshilloi që duhet me ikë, me lëshu vendin, me lëvizë sepse edhe ne po t’desh’shim të shkonim me te n’drejtim të Kroacisë, për   shkak të emnave që kishim, kjo nuk do t’mund të ndodhte dhe rrezikonim që edhe të asgjësoheshim,    të zhdukeshim. Dhe kështu vendosëm edhe me   ba.

Morrëm rrugën që shpinte atëherë tek stacioni i trenit. N’atë rrugë e kom përjetu një tmerr të madh, sepse derisa isha e rreshtuar në mesin e… ndoshta kanë qenë 2000 veta që kishin marrë këtë rrugë. Fillonte prej Dardanisë, ku asht’ sot Ora e deri tek stacioni i trenit rreshti. Derisa ne po ecnim, një veturë ngjyrë të gjelbërt t’lehtë, me katër‐pesë veta erdhi. Disa ishin me uniformë, e tjerët me rroba civile. E murrën një burrë t’ri, djalë 36‐37 vjeçar nga rreshti, ishte bashkë me shoqen e tij bashkëshorten edhe dy fëmitë. E dërgunë n’anën tjetër, n’anën e djathë domethanë t’rrugës, e pshtetën për muri dhe e  vranë.

Në atë moment, jam ndjerë si e humbun, ishte diçka e… jo pazakonshme se serbët kishin vra, domethënë regjimi serb policia bëni veprime të tilla. Po, mënyra sesi u morrë ai burrë në heshtje pa asnji shkëmbim fjalësh, qe shumë e veçantë. As gruas nuk i tha asgjë, askujt. Bile na u sygjeru t’mos flasim, t’vazhdojmë rrugën. “Marsh tamo! Nastavi te!”. Edhe djali i axhës e mori njërin nga fëmitë në gryk. Tjetrin e morra unë, ndërsa bashkëshortjs ishte e mpirë nga… dhe nuk dinte as çfarë t’bënte  n’atë moment. Vazhdoi pa e kthy kokën mrapa për t’pa se çka ndodhi n’anën tjetër.

Pastaj vazhdumë rrugën për në tren, aty ishte një turmë e madhe njerëzish të cilët shtyheshin, kush mund sa ma shpejtë që t’futesh në tren. Derisa po i shikoja ato turma, m’u kujtua një thënje e një gjermani që ishte njëri nga kolegët që kisha punua në Vizionin Ndërkombëtar Botëror, i cili më pat thënë, “Nama më e madhe n’jetë është të jesh refugjat”. Në mesin e asaj turme, arrita që t’futesha bashkë me djalin e axhës në tren dhe një profesor të shkollës së mesme. Kur u futëm në tren, diku    mas një rrugëtimi jo shumë të gjatë, grupet paramilitare e ndalën trenin dhe futeshin në tren dhe i nxirrnin me dhunë meshkujt nga treni për t’i ekzekutuar. Për ta shpëtuar djalin e axhës, vendosëm me profesorin që ai të shtrihej në… si i thonë kësaj pjesës… floor, në dysheme dhe ne i hedhëm përsipër  një batanije dhe u ulëm mbi të, sepse nuk kishte zgjidhje  tjetër.

U futën tre paramilitarë dhe shikunë përreth, përveç që ishim ulun mbi te, ne hodhëm valixhet dhe    disa paketa për ta kamofluar atë. Për disa, as vet s’e di për sa kohë ai ka qëndruar ashtu. Pastaj, kur  ikën ata, atëhere, ai u ngrit dhe e vazhdumë rrugën bashkë. Është me rëndësi ta theksoj një detal,   gjatë këtij veprimi të policisë, derisa ata po futeshin grupet paramilitare dhe policia, një nga paramilitarët një fëmiut që e thërrise dikend nga dritarja, sigurisht i kishte mbetë dikush jashtë, prindi ose motra ose ku e di une, ishte një fëmi pesë vjeçar dhe kishte nxerrë dorën jashtë dritares. Paramilitari e ngrehu me forcë dritaren dhe ia zuni dorën, dhe insistonte që t’ia këpuste dorën me dritare, me xham. Ishte një nga policët i cili nuk e lejoi  atë.

Nuk di çfarë ka mund t’ndodhë me gjithë ata burra të cilët u nxorrën me dhunë nga treni dhe e vazhduam rrugën për në Maqedoni. Ndonëse atëherë ne s’e kem pasë idenë se ku do t’na shpiente ky tren. Për gjatë gjithë rrugës sa ka zgjatë udhëtimi, unë kam qenë tanë kohën duke shikuar jashtë dritares. Për gjatë gjithë rrugës kam pa grupe‐grupe shumë paramilitarë me maska që hynin nëpër shtëpia, thenin, shkatërronin. Kam pa duke ngrehë me forcë për flokësh, burra dhe gra. E këto pamje  të tmerrshme zgjatën derisa kem mbërri në   Maqedoni.

Jemi futë në një kamp që më përkujtonte kampet e përqendrimit të nazizmit, të rrethuar nga policia   dhe ushtria maqedone që nuk qëndronin larg, nuk kishin shumë dallim nga ushtarët gjermanë atëherë dhe ushtarët fashistë, sepse të sharat dhe fymjet, nuk ndaleshin nga ana e tyre. Aty kam kuptuar që të gjithë aty ishin të barabartë, nuk kishte privilegje për askend, qoftë pate pare ose s’pate pare. Në    mesin e të tjerëve e pash edhe një grua, e cila kur fillunë dyndjet në Drenicë të familjeve për shkak të dhunës dhe presionit të rezhimit, një ditë derisa në Prishtinë, them kushtimisht ishte një paqe e rrejshme. Pashë një grua me tre fëmijë që i lutej një zonjës që ajo t’i pranonte në shtëpi. Dhe   meqënëse gjithmonë kam qenë kurreshtare të di se çka po ndodhë me popullin tim, me gratë tona, u ndala edhe e pyeta. Sidomos, për faktin që e njifja atë zonjë nga Prishtina, dhe pastaj e kuptova se    gruja me të tre fëmitë po kërkonte ndihmë. Ndërsa, ajo zoja tjetër i thonte që nuk muj me t’pranu. I thash, “Si ka mundësi, si s’mundesh me pranu, për çfarë arsye?”, “S’kom,” tha, “s’kom ku e shti,  s’kom…” ku e di une, atje n’podrum s’ka nxemje, me shti mrena. Edhe, ajo pamje më preku shumë. “Si moj s’ke ku e shtin? Po n’shpi ku t’rrijsh ti aty le t’rrin”. Kështu bëri me krahë dhe nuk i pranoi mrenda.

Meqë ngutesha për ta zënë kohën në punë, asaj grusë i thashë t’më priste për pak kohë se do të kthehesha. Shkova në punë, bisedova atëherë me shefin që kam pasë dhe i tregova se si ishte çështja. Ndonëse nuk ka qenë shumë dashamire ndaj… fatkeqësisht shqiptarëve, megjithatë m’lejoi. U ktheva dhe e vendosa në një shtëpi, dhe përsëri u ktheva n’punë. Në kohën kur u futa në kampin në Bllacë, e takova përsëri zonjën dhe ajo u ngrit në këmbë duke qarë me za. Tha, “Më vjen turp për veprimin që e kam bërë atëherë sepse këtu qenka ferri për t’gjithë. Tash këtu me dy këmbët në baltë, e kam kuptuar që këtu je askush”. Dhe kisha dashtë që ta kisha taku edhe njiherë atë gru me fëmi për t’i kërku falje,    se s’kam besuar kurrë që do t’vje kjo  ditë.

Edhe aty sa kam qenë domethanë në atë kamp, jam përpjekur mundësisht që pjesën dërrmuese të qytetarëve t’kontaktoj me ta, t’i vizitoj, t’shof se si e kanë gjendjen. Duke shku nga familje në familje, në nji moment një ish‐kolege e punës, po e them kështu sepse e kam pasë shefe, po ajo nuk kishte dëshirë që ta quaja shefe zonja Karmit Zysman, e cila ka kalu kohë t’gjatë n’Kosovë, domethanë ka qenë që nga viti 1997 e deri n’kohën kur po flasim, ajo vazhdimisht ka qenë n’terren me popullin dhe ka ndihmu shumë [cingëron  telefoni].

Ajo më pa nga larg dhe kërkoi që ta leja kampin, edhe mandej me ndihmën e disa aktivistëve    shqiptarë, aktivistë për të drejta të njeriut, arrita që të dal nga rrethimi. Megjithatë, nuk isha e knaqur sepse mrena lash gjithë atë masë t’njerëzve duke e përfshirë edhe familjen time, vllaun me grunë, me fëmitë. Dhe një rast të cilin s’kam me harru asnjëherë, kur e ndihmova vajzën tetë vjeçare e cila ishte     e sëmurë për vdekje, villte dhe ishte ligështuar shumë. Ndërsa po kërkoja që ate ta nxirrja nga jashtë kampit për ta dërguar në vizitë mjekësore, u godita shumë herë nga polici maqedonas. Dhe, nga mllefi sepse s’kisha mundësi tjetër se rashë përtoke n’baltë domethanë bashkë me vajzën e vogël derisa po ngritesha në këmbë, kapa kështu një grusht gur dhe fillova ta godas me gurë, t’paktën thashë kështu bile.

Ai përsëri vazhdoi me goditjet dhe ma këputi begjin që e kisha rreth qafe, dhe e hodhi në baltë. Të gjithë ata që ishin aty e panë këtë skenë. Dikur ndërhyri një përfaqësus i Kryqit të Kuq ndërkombëtar, dhe e ndërpreu që t’më godiste, më nxorri bashkë me vajzën. Arritëm që ta dërgojmë në një ambulancë që ishte e improvizuar aty, dhe pasi që u sigurova që ajo vajzë përsëri e morri fuqinë dhe filloi që të mirrte frymë lirshëm, vazhdova rrugën për në Maqedoni. Gjithmonë me brengën se si e çfarë do të ndodhte me ata njerëz, se çfarë duhet të bëja që t’i ndihmoja ata.

Pastaj, n’Maqedoni kom vazhdu me aktivitetin e bashkimit të familjeve duke e hapur një radio kanal  në Dibër përmes të cilit iu bëja ftesë që të paraqiten të lajmrohen ata që nuk dinin se ku i kanë familjarët e tyre. Domethënë asnjëherë nuk kam pushu për ta kryer detyrën e misionit tim të cilin ia kisha vu qëllim vetit gjithë jetën. Domethënë mbrojtjen e qytetarëve nga shkeljet që mund t’i bënte regjimi ndaj tyre, shkeljet e të drejtave t’njeriut pa dallim përkatësie nacionale dhe as tjetër. Edhe    atje, vazhdimisht kam folë shumë rreth nevojës që gratë dhe burrat duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, që shkollimi i gruas është shumë i rëndësishëm për shoqërinë. Se pa pjesëmarrjen e gruas, nuk do të mund të bëhej asnjë ndryshim në Maqedoni sepse popullatën shqiptare në Maqedoni i  priste, ajo çfarë ne përjetuam, kaluam nëpër të nga regjimi serb, aktivitete të tilla.

Pastaj, më vonë kam shku në me ndihmën e organizatës Kvinna Til Kvinna[1] , pastaj më vonë kam shku në… me ndihmën përmes organizatës time përmes zonjës Karmit Zysman, kam ra n’kontakt me organizatën e Vizionit Botëror Nderkombëtar në Shipëri, atje ishin bartë pothuajse gati një numër i  madh i zyres që kishin punua në Prishtinë. E vazhdova punën me kampet e refugjatëve në Shqipëri,    atje kam krijuar një rreth të madh, domethonë shoqëror. Kam folë shumë për eksperiencën në    Kosovë, për dhunën që ka ushtru regjimi serb n’Kosovë, për nevojën që t’flitet për këtë çështje, që    këto të publikohen në shtypin shqiptar, që njerëzit të ndihmohen në mënyrë të ndërsjelltë, që t’lidhen  sa ma shumë, që shkollimi t’jetë cilësor në mënyrë që shqiptarët t’mund t’barazohen me botën tjetër t’civilizume.

Pastaj pas një periudhe jam kthyer në Kosovë, bile kam insistuar që menjëherë, me trupat NATO‐s t’kthehem n’Kosovë. Mirëpo, sygjerimet e një shefit timit i cili kishte miq në mesin e zyrtarëve të NATO‐s, ishte që unë t’mos kthehem sepse ishte rrezik i madh ende. Megjithatë, insistova dhe nuk   kaloj shumë kohë pas hyrjes së NATO‐s, unë u ktheva n’Kosovë. Mandej kam vazhduar punën në fuqizimin e gruas në të gjitha nivelet duke e përfshirë edhe aspektin politik. Ditën e parë që kam mrri, pas 24 orëve që kisha ba udhëtim, me të mbrri te Grandi te Hotel Grandi, isha ende duke zbritur nga kamioni se erdha me nji kamion. Aty më priti në befasi ish‐sekretari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) , Z. Mustafë…mbiemri nuk më kujtohet, Sekretar i Prof. Hajrullah Gorani, Kryetar i BSPK, profesori në Fakultetin Ekonomik dhe mu më bëri përshtypje se ku më gjeti thashë   tash. Tha, “Shuki, nuk e di prej nga po vjen edhe pse ndodhesh këtu, por ne kemi nevojë për një përkthyes dhe fati jonë që të gjetëm ty. Po t’kërkon profesori sepse osht’ një rus i cili flet anglisht dhe ne kemi nevojë për një përkthyes”. “Po ani more burrë, po unë veç sa kom mrri mas 24 orësh   udhëtim, kam nevojë me shku n’shpi”, “S’ka” tha, “shpi. Ne e dijmë që ti e bënë këtë punë edhe për neve”. Edhe m’u deshtë… për tri orë, i kam kalu aty domethënë si përkthyse dhe pas përkthimit  mandej kam vazhdu, kam shku në shtëpi për ta gjetur aty babain dhe motrën e vogël për t’cilën nuk kisha ide, nuk dinte askush në ishte e gjallë apo e   vdekun.


[1]   E intervistuera gabon. Nuk ka punuar drejtpërdrejtë me fondacionin Kvinna Til Kvinna.

Ëndrrat

Më duhet të them për fat të keq, andrrat e mia, ose andrra ime ka mbetë andërr. Jam përpjekë dhe   kam shpresu që përmes angazhimit tim dhe angazhimit edhe të vajzave e grave të tjera do ta krijojmë një Kosovë ndryshe. Një Kosovë ku në rradhë të parë ne gratë, vajzat mes veti do t’gjejmë vullnet dhe kënaqësi sepse po bashkëpunojmë në mënyrë të sinqertë dhe pse po mundë t’arrijnë që t’krijojnë një hapësirë të sigurtë ku me koncencus, me pëlqim të ndërsjellë ne do t’marrim vendime që të përkrahin njëra‐tjetrën në pozitat e vendimmarrjes. Këtë e kam pasë andërr, sepse veç duke qenë të ngjeshura    në radhë, të lidhura mirë mes veti, atëherë mund ta luftojmë tjetrin ose thënë më mirë, të luftojmë burrat dhe t’krijojmë hapësirë të sigurtë për veten tonë për të vepruar si gra.

Për fat të keq, kjo nuk ndodhi. Në sipërfaqe domethënë në dukje, ndoshta ka qenë kësi veprimesh ditore, varësisht nga situata, është dukur se e ka atë pamje, e ka një ngjyrim të tillë. Mirëpo, proceset kanë shkarë pastaj, janë shkapërderdhur për shkak të interesave materiale e personale, sepse para se me qenë përcaktim seksual e gjinor, ne jemi njerëz. Dhe, njerëzit i kanë egot e tyre, janë të prirur t’i përmbushin kërkesat e egos sesa ato për t’cilat jemi të thirrur nga vendveprimet tona që  t’kontribojmë. Kjo ka ndodhë n’Kosovë. S’du me tingëllu si shumë pesimiste, ka përmisime, ka përmisime, po edhe njëherë, këto nuk janë hallka t’zinxhirit të një makine e cila vepron njëtrajtshëm dhe në mënyre të barazpeshuar në të gjitha   hallkat.

Andrra ime përsëri vazhdon të mbetet ëndërr. Uroj që ju si vajza t’reja që jeni, dhe gjenerata të reja, t’mos ju mbesin andrrat e tuaja sërish ëndrra, po që ato t’realizohen n’praktikë, që vajzat edhe gratë e gjeneratës tuaj ta kenë, të grabisin hapësirë. T’sigurojnë hapësirë në qendrat e vendimmarrjes, dhe t’jenë ato të cilat kanë fjalën e tyre në vendimet qeveritare dhe të qendrave të tjera të vendosjes kudo në botë.

Download PDF