Gazmend Zajmi, Shaqir Hoti në Prizren, oborri i shkollës, 1959.

Klasa e shkollës së mesme të muzikës në Prizren, 1957-58.

Nazmije Hoxha dhe Shaqir Hoti, Shqipëri, 1978.

Orkestra popullore e RTP-së, Festivali Ndërkombëtar, Berlin, 1969. Majtas lartë Kolë Bala, Nexhmije Pagarusha, Zef Tupeci, Shaqir Hoti. Poshtë majtas Velko Vojnovic, Jasko Makic, Isak Muqolli.

Rogovë.

Shaqir Hoti

Prishtinë | Date: 22 prill, 2015 | Duration: 122 min.

N’vitin 1969 erdhi puna, fitumë gjithkah knena venin e parë nëpër… atëherë “Federatë” osht’ thirrë. Edhe tash ne përfaqësonim Jugosllavinë me nji festival ndërkombëtar në Berlinin Perëndimor. […] Nji vozitës gjerman, ai na tregon, na gjuhën nuk e dijshum por e kuptojshum, thojke, ‘Përreth bum, bum, mina. Përreth ka mina’ edhe i shihshum telat me gjemba edhe bukur t’lartë. E tash i’u afrumë kufinit, zbritëm prej aty, i murrëm instrumentet. Kalumë nëpër mur, murin e Berlinit, ka qenë nji lloj labirinthi… jo me ecë drejtë po ka qenë zig-zag, tani me dalë n’atë Berlinin Perëndimor. Bile ai far korridori zig-zag nuk ka qenë shumë i gjanë, e zinte ni njeri me dy valixhe, ma tepër… E tash kur dulëm atje, aq shumë ndryshim i madh ishte i ndërtesave, i parqeve, saqë gati s’mund t’a përshkrun. Atje thjeshtë ishte xhehnet. Kah [Berlini Lindor] shifeshin ato shpija t’zymta, shifej ai fukarallëku, çdo gja – terr edhe dritë aty, nuk po di qysh me shprehë atë ndryshim aq t’madh (buzëqeshë). 


Jeta Rexha (Intervistuesja), Kaltrina Krasniqi (Intervistuesja/Kamera)

Shaqir Hoti u lind me 14 qershor, 1936 në Rogovë të Hasit. Muzicient që tërë jetë i dedikoi punimit e studimit të instrumenteve burimore, e në veçanti okarinës ilire. Krijoi ansamble, dhe ishte pjesë e orkestrës së Radio Prishtinës për shumë vite. Hoti ndërroi jetë më 10 prill, 2021.

Shaqir Hoti

Fëmijëria

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarin  për fëmijërinë e tij.]

Shaqir Hoti: Normal prej atyhit ku kom majtë n’mend, po jonë edhe diçka që m’kanë tregu’ kështu ndërkohë prindërit e vëllezërit ma t’mëdhej. Pra, une vij nga fshati Rogovë e Hasit, aty jam i lindur, dihet buzë Drinit t’Bardhë. Kemi nji fëmini që nuk mund t’krahasohet me fëmininë e sodit. Ishte krejt tjetër kohë, tjetër… po mendoj tjetër standard e tjera. Pra, fëminia jonë mund t’përmblidhet kështu, mund t’thom lirisht thjeshtë n’atë terrin informativ. Nuk kishum n’atë kohë na kurrëfar radio apo naj tranzistor a naj televizor, thjeshtë kemi qenë me mjete shumë primitive. Kështu tregon vëllai i madh për mu, (qeshë) tash po ju tregoj këtë për herë t’parë juve kështu. Vëllau i madh tash osht’ 95 vjeç n’Prizren jeton. Thotë se kur isha i vogël ende pa folë hala, baba im gjithmonë ka lujtë nëpër këto instrumentetet e traditës: kavall e fyll e tjera. Me t’ndëgju’ që osht’ duke i ra baba, ti vrap ke ardhë edhe je bubërru’ aty, thjeshtë ke nejtë si bubë para kavallit derisa i kry ai meloditë. Domethanë, si duket kështu ato tinguj qysh n’fëmininë e hershme m’lanë njifarë, thjeshtë njifarë, u regjistrun në trunin tem edhe kurrë m’duket s’kanë dalë.

Kësisoj, kom pasë fat n’këtë drejtim edhe me fëmi tjerë. Edhendër fëmi tjerë t’kojshive, se isha edhe fëmi sugar na i thojmë, ma i riu i shpisë domethanë, apo normal që ata ma t’rijtë edhe ledhatohen kësisoj. Fat kom pasë n’këtë drejtim se vëllau im Gani, ndjesë pastë, ai ka qenë mjeshtër shumë i madh, edhe une si fëmi i vogël ai për herë t’parë e punoi nji pipëz nga kashta e theknes. Edhe ai fillon diçka t’lujë, une me vrap ia kom marrë prej gojës edhe e kom fillu’ pak t’u hulumtu’ edhe menjihere e kom nxerrë melodinë edhe ata krejt t’shpisë jonë befasu’. Nji fmi hala mirë s’po din me folë, e po din me lujtë. Pra, aty kom pasë fat gjithmonë. Çkado që osht’ përmen a që osht’ maru’ n’atë kohë, vëllau m’i ka maru’ gjithmonë. Pra sa i përket instrumenteve kurrë s’kom pasë problem. Krejt çka kom pasë ndërmend, edhe çka kom kërku’, ai m’i ka punu’ këto.

Pra si fëmi dihet n’atë kohë, standardi i jetës ka qenë shumë i ulët, niveli i arsimit lirisht mund t’them n’këtë drejtim zero sepse ishte analfabetizmi n’atë kulmin e vet. Pra, lojën e kemi pasë na t’vetmin argëtim. N’fillim sa ishim shumë t’rijë, shumë t’vogjël si me thanë, kemi lujtë me fmitë e kojshive, jemi tubu’ aty. Lojnat kanë qenë nga ma të ndryshmet, kemi pasë lojna edhe si thojnë t’oborrit, edhe t’fushës. Po ato drejtë me thonë, secila ka qenë me karakter garus. Kush i pari po ngan ma shumë deri te shamija atje. Ato e qujshim edhe flamuri jonë kush po kcen n’kërcim s’largu’ me nji hap, me tre hapa, me gjujtja e shtizës. Shtizë nuk kishim na, po ishte shkopi. Pra kësisoj, ksi lojna ka pasë mjaft, po tjera lojna s’kemi pasë na si sot që ka. Ulesh rrin n’karrikë edhe e çelë internetin edhe ka lojna t’ndryshme, ato nuk kanë qenë atëhere.

Kjo, do t’thotë deri kah viti ’43, 1943, vëllai im pak ma i madh se une, ai shkonte n’shkollë. Une veç përgatitesha për klasën e parë dhe pata fat nga ai t’i msoj të gjitha germat dhe katër veprimet matematikore. Edhe tash isha, drejtë me thonë, isha shumë kurreshtar kur do t’hapet ajo ditë, kur do t’regjistrohna n’shkollë sepse na në ni shkollë ishum me djalin e axhës, edhe kemi qenë t’pandashëm n’mejtep. Mirëpo aty nuk gjenim noj kënaqësi na, sepse ato ishin krejt n’atë mënyrën verbale, domethonë na msonte lutjet, na msonte edhe alfabetin arab që kurrë s’kuptonim gja,[thotë alfabetin arab]te, enete, be, ene, be… çka  po thojnë, çka ashtu? Paj ishin shumë, ni verbalizëm i çuditshëm.

Edhe pritnim, n’vitin 1943 duhet t’hapesh shkolla për neve se ishte për ata tjerët. Dhe taman, n’vjeshtë që erdhën 1943-shit, u ni era e Luftës t’Dytë Botnore. Edhe kështu ngelëm na pa fillu’ klasën e parë deri n’vitin 1946, domethanë deri mas Luftës. E lufta si luftë, gja t’mirë nuk bjen. Domethanë gjithmonë ki sene t’kqija, ki dame në njerëz, dame në material, dame në… kështu që, ato ditët e luftës te na lanë kështu, drejt me thanë, lanë ni… me pasoja ishum. Gjithmonë ato trauma manifestohen deri vonë sepse e përjetum ranë atë luftë.

E duke ikur prej shpive nëpër male, herë-herë nëpër fshatëra tjera, pak rrinim. Kur qetësohej në anën tonë, tani ato fshatërat tjera vinin kah na, edhe kësisoj deri u kry lufta. Po aq ma keq kur për neve n’mahallën tonë, lagjen tonë, ishte kulla e bacës Din, Din Godeni. Ai ka qenë mjeshtër ni ortoped laik, shumë i njohur n’atë anë. E n’kullën e tij u organizu’ nji si t’thush nji mbrojtje – Balli Kombëtar, Ballistat. Udhëhequr nga nji Qazim Bajraktari m’duket quhej, i anës së Malishevës, anej diku.

Afër gjashtë javë zgjatë ajo pritë si me thanë. Edhe kur nuk munen me depërtu’ ma n’fund depërtunë. Po si duket dikush prej… ata ishin m’duket se kanë thanë Brigada e Pestë partizanë. Ata m’duket se janë damtu’ diçka gjatë atij luftimit edhe tani për hakmarrje zgjodhën nji nga… mahalla jonë, nji nga ma t’mirin, ishte nji djalë I zhvillumë rreth 30-40 vjeç. Thashë ma i mirë se edhe i pasun, po edhe i aftë.

Kulla e bacit Din, veç e kalon në ni si t’thush në ni kala, në ni fortesë ku nuk mund t’depërtonin partizanët. Thuhet se afër gjashtë javë ka zgjatë ajo kohë, e organizimi u ba prej Ballit Kombëtar, e udhëhequn ka qenë nga Qazim Bajraktari. E maj n’men që Qazim emnin, m’doket edhe mbiemnin e ka Bajraktar, i rrethit t’Malishevës. E tani masi u kry lufta, partizanët e zgjodhën nji ndër, nji ndër mashkllin ma t’mirë t’lagjes tonë Zenun e paska emnin, ka qenë edhe i pashëm i zhvillum kështu, nji tip sportiv me thanë, po edhe i aftë ka qenë. Edhe ajo ishte shejë hakmarrjeje edhe zonën e kanë urë lidhëse edhe në shkollën, tash osht’ shkolla e vjetër, atëherë ishte e vetmja shkollë ajo.

Në shkollën e vjetër e kanë thirrë mahallën, gjithë mahallën kush osht’ me ardhë. Patjetër t’detyrumë kanë qenë me dalë t’gjithë. Edhe une me ni djalë t’axhës fshehurazi kemi shku’ ju kemi afru ngatë edhe jemi fshehë në ni barishte rritet shumë e lartë, edhe shihnim edhe ndigjonim krejt çka flitej. Edhe ato e qitën para tubimit aty të mahallës tonë edhe po thonë se ky ka qenë tradhëtar i kombit, ka bashkëpunu’ edhe ka luftu’ kundër nesh me Ballista edhe denimi osht’ me vdekje edhe nuk e di tash kur u rreshtun ata që gjuanin. Nuk u rreshtunë front ka ishum na, po si… nuk di sa kanë qenë, po rreth dhetë vetë, gjujtën në te edhe normal e pushkatun.

E n’fund po pytë, “Kush osht’ i afërm i tij? Kush osht’ baba i tij?”T’gjithë shujtën, baba jem shkoi afër. “Une”, tha “jom, biri jem o’”. Edhe ia shnoshi krytë, edhe tash tha, “Si e keni zakonin, ju mund ta vorrosni”. E maj n’mend mirë kur iu drejtu’ baba, tha, “Po vrani ni vlla tuaj, e heret a vonë do ta merrni vesh se e keni gabim shumë”.Sepse disa herë gjatë fjalimit ai eprori thonte se tashmë jemi vëllaznim-bashkim. Edhe ky (qeshë), “Vlla me shkaun nuk mund t’bahem kurrë!”E kësisoj ishte. Mirëpo, te na si fëmi ajo me t’vërtetë la trauma shumë t’mëdhaja, gjithmonë e përkujtonim atë skenë kështu, skena e trishtushme. E këto ishin ato… lufta gjithmonë, kurrë s’bjen gja t’mirë, veç kemi dame, edhe derisa kemi ardhë si t’thojmë pak n’atë rendin e jetës e punës, kanë kalu’ prapë disa kohë. Thom e kemi ni fëmini, po fëmini jo qysh duhet me qenë, për shembull nji rini e rahatshme, po gjithë nëpër lufta, nëpër asi.

E pas 1946, shtatori kur erdh u hap shkolla, leximi jonë, se t’drejtë me thanë ishum tepër t’untë për dije n’atë kohë. T’vetmen dije e merrnim prej kullës e prej odës, ishin do… edhe llaftarë t’mirë kanë qenë, domethonë oratorë shumë t’mirë kanë qenë, edhe njerëz t’ditun kështu. Mirë ajo ishte nji vend ku e plotësonte pak arsimin tonë, mirëpo shkrim-lexim nuk dinim. E tash kur u hap aty shkolla, gëzimi jonë, shkumë me shumë qef aty. Ni mësus – katër klasë, nuk kishte mësusë. Edhe tash ditën e parë e maj n’mend, na rreshtoi dy klasë, klasa e parë dhe e dyta me nji klasë; e treta dhe e katërta n’atë tjetrën klasë. Se kishte shkolla vetëm dy klasa. Edhe kështu e boni atë renditjen, ata e treta dhe e katërta dolën masdite kurse e para dhe e dyta paradite. Domethonë, ne ishum në ni klasë, e dyta n’klasën tjetër, e masdite tani e treta dhe e katërta.

Po, mësusi osht’ thirrë Salih Prizreni, ai shumë shpejt e kuptoi se une po i di germat. Edhe nji ditë tha, “Hajde te une, hajde n’zyre”. Çfarë zyre (buzëqeshë), për herë t’parë e shishna ato objekte (qeshë), atëhere m’u dukshin ku me ditë çfare. Edhe po m’pytë, “Po ti i din t’gjitha germat?”“Po,” thashë, “une di edhe me lexu’”. Se pata lexu’ n’atë kohë pak prej… Oso Kukën prej Fishtës e pata lexu’ edhe e patëm msu’ përmensh. Kshtu që, kur e pa se edhe di t’lexoj, thashë, “I di edhe katër veprimet e matematikës”. “Deri ku?”“Deri në nji mijë me siguri”. Ai u habit, thjeshtë u habit edhe disa ditë deri sa na ka ardhë msusja, nji msuse tjetër, unë kom qenë si t’thush msusi ma i ri n’krejt historiatin. Ai ma linte klasën e parë, dhe shkonte në t’dytën. Ose, ndodhte e kundërta unë shkojsha n’klasë t’dytë, ai n’klasë t’parë. E kësisoji aty e kemi kalu’ shkëlqyshëm, erdh dikur msusja Viktore Sopi, ajo tani normal që ia lehtësoi punën msusit tonë. Tani, normal ata punojshin në dy ndrrime, domethonë punën e ka pasë t’dyfishume, edhe para dite edhe mas dite, që të dytë.

Edhe kështu, erdhëm deri te klasa e katërt. N’atë kohë deri te klasa e katërt asnji notë tjetër s’kom pasë pos pesësheve. Atëherë vlerësohej normal prej dyshit deri n’pesë, nish nuk kemi pasë n’atë kohë. Shkon djali i axhës me i ndëgju’ notat, suksesin, shkon edhe për mu. Msusi Salih flet shumë mirë për mu, edhe ku me ditë edhe çfarë lavdata ka thurrë krejt, mirëpo ma n’fund thotë “Ky kalon shkëlqyshëm”. E tash ai vjen n’shpi, i tregon babës tem, thotë, “Mirë ka folë, nuk ka mungu’, krejt n’rregull, mirëpo nuk ka kalu’ mirë se ata tjerët mirë e shumë mirë, e ky shkrryshëm” (qeshë). Nuk e ka kuptu’ çka osht’ shkëlqyshëm, po shkrryshëm.

Edhe une tash po shkoj pak me gëzim, edhe isha pak si sugar, kur me ta e kom pase gjithmonë raporte shumë ma t’afërta. Dhe hi n’odë aty, p’i shoh pak mazun, baba me nji mashë, te oxhaku. “Qe,” tha “ky! Kurrë s’e angazhojmë me kurgjo. Krejt hallku kanë kalu’ mirë e shumë mirë, ky shkrryshëm.” Tha, “Pse kshtu me na bo ky?”Nejse filloi ai qortimi i prindërve, unë u mundohsha t’ju tregoj që jom diçka ma i mirë se ata, po ata nuk m’linin as me folë. “Jo se mirë e shumë mirë ata, ti i shkrryshëm. S’o mirë!” Deri sa erdhën vllau prej arës e po i tregoj. “Jo bre,” tha, “ky koka ma i mirë se ata”. E tani e kuptunë ata (qeshë), ka qenë njifar humori i mirë. Tani fillunë msusët tu u shtu’, edhe klasët u shtunë, e erdhëm deri te klasa e tetë që n’atë kohë u qujke semi-maturë. E kryva semi-maturën.

Rinia

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarin për rininë e tij.]

Isha prapë krejt me pesëshe. Tashi dikush prej tyne m’thonte, “Patjetër duhesh t’shkojsh n’Normale”. Tjetri msus… ai i Normales kambëngulte, Qamil Deda ka qenë, nji ndër arsimtarët, shumë i mirë në Normale. Masar Luzha edhe kujdestar klase e kom pasë, ai, “Patjetër,” thojke “gjimnazin, se n’matematikë osht’ i shkëlqyshëm”. Leoran Stublla, nji tjetër tash ai thojke, “Jo ky ka vesh për muzikë, ky duhet patjetër n’muzikë”. E tash une meta si t’thush n’dilemë, kah t’ia maj. Po njoni e preferon e kta tjerët… dikur vendosa vet. Thashë, “Une p’e marr çertifikatën e lindjes”, se kuptova që duhet çertifikatë e lindjes edhe dëftesa e shkollës,“edhe do t’shkoj n’Prizren edhe do t’shëtiti. Cilën shkollë do t’a gjoj t’parën që shkrun “Shkolla e Mesme” qaty po regjistrohna”.

Për herë t’parë n’Prizren, kuptohet n’kamë kemi shku’. Ka pasë 25 kilometra po normal që jemi çu’ kah gjysa e natës për me mrri atje n’kohë. Edhe tash, kuptohet n’atë kohë çfrë veshmbathje kemi pasë, shumë kemi qenë t’dobët edhe kah veshmbathja. Edhe tani shkumë aty, po eci, po eci, vendosa mos m’e pytë kërkon. Shëtiti deri sa a do t’muj vet me gjetë, pa e pytë kërkon. Edhe shkova, t’u ecë nji urë e shoh edhe nji tjetër, Lumbardhi a Bistrica si i thonë tash, a mund t’bohet që ato gugullima sikur m’tërhiqnin. Edhe po i njeki qito gugullima, njihere t’knaqna me qit ujë, tani kom vakt, dita osht’ e gatë.

T’u shku hajt, hajt, hajt përpjetë e shoh nji shpi pa karakteristika e dalun mi rrugë kësisoji. U nala p’e kqyri, isha nalë buzë asaj Bistrice edhe p’e kqyri atë shpi. Edhe kalon nji… thashë, “A osht’ shpi private?” “Jo,” tha, “kjo osht’ si muze,” m’tregoi tha, “ktu osht’ mbajtë Lidhja e Prizrenit”. Uh e kisha ni për te por për herë t’parë e shihshna. Edhe tash, pak ma tutje s’kish me thanë, njo njizet metra ma tutje e shoh nji objekt i bukur, i ri edhe shkrun serbisht “Srednja Muzička Škola” e une asnji fjalë serbisht nuk e dijsha vetëm e pashë qi muzikë diçka, edhe shkolla. Thash a ta pyti, hina aty n’korridor kadale, nuk shoh, dul nji njeri i gjatë pak, osht’ thirrë Frank Koci, tani ia msova emrin, vllai i Akilit në t’vërtetë, Akil Kocit. Edhe m’u afru’ afër tha, “Çka po don mor djalë?”Thashë, “Jom ardhë m’u regjistru’,Çfarë shkolle o’ kjo?”“Po, shkolla e mesme e muzikës osht’ kjo”. Ha, kto e lypa (buzëqeshë). “A je ardhë m’u regjistru’?”“Po,” thashë. “Duhet me pasë semi-maturën t’kryme, tani me ardhë ktu. Nuk osht’ ktu…”. Thashë, “E kom t’kryme”. “Ah, mirë. Prit qitu, tash vjen drejtori”. E po mirë, priti deri t’vjen drejtori. Prit, prit, drejtori s’po vjen.

E nij nji instrument për herë t’parë n’jeten time. Aq bukur, aq e kapke nji pasazhe tingujtë t’shpejtë edhe tash po e pyti qat Franin thashë, “T’u kisha lutë, çfarë instrumenti osht’ ky?” Tha, “Thirret truba, profesori po e ushtron vet”, tha. “N’ushtrimoren e vet, osht’ t’u ushtru’ vet”.  A unë po menoj tanë kohën, se nëse regjistrohna si instrument individual do ta marr trubën, se qenka instrument i mirë. Prita sa prita nuk po vjen drejtori. Dikur erdh Frani edhe tha, “Ngjitu shkallëve përpjetë, në t’majtë shkrun Direktor, osht’ zavendësi, munet me t’bahet edhe ai t’kryn punë”. Mirë, shkova naltë, trokita, diçka nijta po… hapa derën edhe ai po m’pytë, ai kishte qenë serb e po m’pytë serbisht. Unë p’e kqyri, asnji fjalë s’e kuptojsha çka po m’thotë. Edhe meta shtangun, çka t’boj, dikur m’paska pasë pytë, “Si thirresh?” “Kako se zoveš?”. Tani msova mo serbishten, po “Kako se zoveš?” I kom thonë “Truba!” sepse une menova që po m’pytë çfarë instrumenti do t’merr.

Edhe tash ai fillon t’qeshë anena, une ktu u skuqa edhe meta shumë n’pozitë t’keqe. T’u dalë prej dere, ballë për ballë me drejtorin. Erdh drejtori, me syza për herë t’parë e shifsha. Tha, “Çka je ardhë bre djalë?” Shqip, m’u drejtu’. E u gzova shumë, thashë mirë u bo, thashë, “Jom ardhë m’u regjistru’ ktu n’shkollë”. Ata tash fillun pak t’bisedonin serbisht edhe fillun pak t’dytë t’qeshnin gagaga {imiton të qeshurën}. Mund t’bahet shkaku i asaj trubës (buzëqeshë). “Mirë”, tha “po a ke semi-maturën t’kryme?” Thashë, “Po e kom”. Tha, “Po çertifikatë t’lindjes?”“Po, dyjat i kom”. I nxorra dikun n’gji, se atëhere as xhepa s’kishum po nën kmishë aty. Kur e shiqon, “Uh po ti qenke i shkëlqyshëm. Hajde do ta provojmë veshin”. Shkumë shkallëve teposhtë edhe thashë çka do t’bajnë kta me veshin tem, çka kanë punë? Nuk dijsha si shkojnë ato punë.

E hapi derën, për atë kohë m’u dukë nji sallë, nuk ishte edhe aq e madhe, po për mu m’u dukë ma e madhe se ajo oda e kullës tonë ashtu. Edhe e shoh nji… për herë t’parë e shoh nji instrument aq të madh saqë nuk e nxen as qerrja kështu (qeshë). N’tri kamë, e hapi aty, e pash ato tastierën, domethonë piano ishte. Jo pianino, po piano. “Shif, unë do t’i bij ksajna, do t’i bij, ti ndëgjoje mirë, e ti thuje me la”. Po mirë, edhe i mshoj ai dum {imiton zhurmën e tastierës}. Une p’e goditi tingullin shkëlqyshëm. I preki disa tastiera tang, tang, tang {imiton zhurmën e tastierës} edhe dul shkëlqyshëm. “Auu,” tha, “e tash ndëgjo, cili tingull ta ndëgjosh apet thuje me la. Tash fillojmë t’i mshojmë shumë tingujve menjihere, njihkohësisht”. Domethënë këto ishin akordet.

Edhe ato po i goditi shkëlqyshëm, u çu, “Eh bre djalë, ti koke me vesh absolut”. Ishte Lorenc Antoni. “Ti je i pranum n’këtë shkollë edhe drejtpërdrejtë nxënës i jemi. Jo truba që i ke thanë atij, po je n’violonçel te une. Edhe bursën ka me ta dhonë vet shkolla jonë ty, domethonë bursist i shkollës”. Edhe tash u gzova, shkova n’shpi menxi pritsha kur po na vjen shtatori, me fillu’ shkolla. Shkova n’shkollë, erdh shtatori, shkova atje. M’thirri prapë n’zyre ma dha ni letër tha, “Shko n’internat, lype filanin,” Kadri e ka pasë emrin, “ai ta gjon venin, atje do t’ushqehesh, do t’flesh, internati”.

Epo mirë, shkova n’internat, ma gjetën venin, krejt ato mirë, mirëpo fillunë tash problemet tjera. Fillunë tash me m’bo telash me nji pozitë tepër, tepër t’palakumshume, shumë t’keqe. Atje isha msu’ gjithmonë me pas pesëshe, ktu tash fillun në landët e muzikës prapë i kisha t’gjitha pesëshe, po landët e përgjithshme isha i dobët sepse nuk kuptojsha fare gjuhën. Asnji prej arsimtarëve nuk e kishum shqiptar, pos Gani Lubotenin që na jipte gjuhën shqipe, tjerët ishin krejt serbë. Domethanë kurgjo s’kuptojsha unë çka po thotë ai n’histori, metodika, ato landët e përgjithshme.

Edhe tash filloi me t’vërtetë u gjinda me nji pozitë shumë t’keqe. Isha msu’ gjithmonë me qenë me pesëshe, tash prej pesëshëve t’kaloj n’dysha, n’tresha. Erdh gjysëvjetori, shkova te drejtori thashë,“Shok”, atëhere, “Shok drejtor, n’gjysëvjetorin e dytë nuk jom une mo ktu”. “Jo, pse? Jo, jo! Ti n’violinçel a din ku ki mrri? E ki kry klasën e dytë gati”. Se m’jipke nji ushtrim, unë ia kryjsha tri a katër, m’shkojshin për dore. “Jo,” tha “mos u mërzit, kadal kadale çdo gja bjen n’vendin e vet”. Thashë, “Nuk muj me duru’, notë dysh n’jetën tem kurrë s’kom pasë”.Edhe me t’vërtetë nuk shkova ma.

E tash po vjen, po vjen vjeshta tjetër, shtatori tjetër. Komunën mo e kishum aty, shkoj te kryetari i komunës, Din Hoti osht’ thirrë. Thashë, “Nji lutje e kom përgatitë, e dorëzova atje, prapë nji bursë se për gjashtë mujë kom msu’ pak serbisht, prapë do t’shkoj n’shkollë t’muzikës”. “Bursë jo, po msus ki me shku’!”“Çfarë msusi more une? Fmi jom”. “Msus,” tha “osht’ urdhnesë e Komitetit Qendror, kush ka shkrim e lexim, msus, m’e zhdukë analfabetizmin. N’Damian kemi nevojë tepër t’madhe, ti do t’shkojsh msus këtë vit n’Damian. Vitin tjetër do ta marrsh bursën prej kësaj komune”. Unë bursë, ai msus, edhe me t’vërtetë m’çunë msus n’Damian.

Edhe tash merrni me mend, une isha fmi, fmija me msu’ fminë, edhe pa kurrëfar përvoje, pa asi. Po megjithatë, drejtori i shkollës n’atë kohë ishte njifar Demlush Malaj, ai bani hulumtimin e gjithë msusëve, nja pesë-gjashtë msusë u bonëm n’atë kohë. “Ti,” tha “me këtë sjellje tande, me këtë qëndrim tandin do ta marrsh klasën e parë”. Thashë, “Shoku drejtor, kom ni prej tjerëve që klasa e parë don nji msus me përvojë, jo nji fillestar si une që ditarin kurrë s’e kom pa me sy kështu. E kom pa prej msusve tjerë, po….”Tha, “Klasa e parë do ta marrsh”. Edhe me t’vërtetë disi ia dola me qenë msus shumë i mirë, kalova shkëlqyshëm me ata, saqë shumë kohë kanë kalu’ m’u kujtojshin ata fëmi.

Ish kënaqësi e madhe t’punojsh me fëmi, shumë kënaqësi e madhe. E kështu kalun tani, vit mas viti. Shkova tani prapë u regjistrova prej fillimit tash n’klasën e dytë. Normal që tanë kohën sa nejta msus n’Damian ushtrova serbishten. Gjeta pak fjalor, gjejsha do njerëz që e dijshin mirë serbishten edhe qëllimisht u munojsha t’flas me ta, t’komunikoj me ta n’gjuhën serbë n’mënyrë që ta përvetësoj sado pak kështu. Edhe tani shkova prapë n’shkollë t’muzikës, po normal tash isha pak ma i përgatitun.

Po tani fillunë ka pak, edhe msustë me na ardhë. Erdh Rexha, Rexho Mulliqi edhe pse ai nuk fliste shqipen, po kuptonte. Ma vonë, ma vonë gëzimi jonë, n’klasën e tretë kemi qenë, viti i tretë kur na erdhën tre profesorë shqiptarë. Jo vetëm une, po t’gjithë na çka ishum shqiptarë u gzumë se ndrysh kur gjuha jote pak ma ndrysh, edhe i kuptojshim gjanat. Edhe Engjëll Berisha, Kris Leka dhe Sevime Xhenali.

N’vitin e dytë n’violinçel thash edhe ma heret kesh i shkëlqyshëm, po ni shok e quj shok klase, nuk ishte shok i jem, shok klase, ushtronte flautë te ni profesor. Serb ka qenë ai, Baroshiç osht’ thirrë. Edhe tash une isha n’kopshtin e shkollës, ai ishte n’paradhomë para se me hi te profesori, duke ushtru’ flautën. Edhe po e nij atë tingull, dhe shumë po m’i ngjason kavallit. Edhe t’drejtë me thonë, fort nuk u hamenda, hina poshtë thashë, “T’u kisha lutë, qat instrument a ma jep pak bre ta provoj, flautën?”“Posi jo, merre” tha. E pashë si po e ven n’gojë, ku po e nxjerr atë tingullin. E morra e hulumtova {merr pozitën e mbajtjes së flautës} tingullin, e nxorra menihere, dul tingulli shumë i mirë. I rendita gishtat dhe po luj nji melodi baritore shumë t’vjetër t’kavallit. Ma murr menja që dul mirë, ai profesori e kishte ndëgju’. Ai mrena atje edhe dul me syza, serbisht, “Cili lujti n’flautë?”Une flautën n’dorë, s’kisha çare pa i tregu’ mirëpo, t’i tregoj pasonte menihere përjashtimi nga shkolla se s’guxojshum me lujtë jashtë notave, jashtë partiturave, s’guxonim e kishim t’ndalume na. “Ti lujte n’flautë?”“Po”. “Hajde me mu!”. Hah, thashë belaja (qeshë).

Edhe tash ngjitun shkallëve përpjetë te drejtori, Lorenci. Po i thotë serbisht, tash p’e kuptoj tha “Ky duhet patjetër t’kalojë n’flautë. E ndëgjova t’u i ra flautës ni valle jashtëzakonisht t’bukur, i organizum, duhet t’kalojë n’flautë”. Lorenci po i thotë, “Te une osht’ i shëlqyeshëm n’violinçel. Pse t’kalojë atje?”“Po,” tha, “ish i shkëlqyshëm n’flautë”, edhe m’murrë, “Shko merre flautën atje”. Shkova une poshtë, e mora, “Hajde n’zyre”. Lorenci tha, “Hajt luj, çka ke lujtë atje poshtë”, edhe une fillova t’luj, po kqyr Lorenci {ngrit tonin e zërit} “Po ti pse s’ki kallxue? Pse s’ki kallxu’ që ke flautë n’shpi? Ku ki ushtru’ ti?”“Jo, bre” thashë, “për herë t’parë e pashë ktu, po koka shumë e ngjashme me kavall”. Thashë, “Une kavallit i kom ra qysh si fmi. Kur kom qenë shumë i vogël i kom ra, për ato thash… dhe masi e ndigjoi edhe ai vet, tha, “A din çka? Boll po m’dhimesh, nji ndër nxanësit ma t’mirë t’kom,” ajo ishte kështu për instrumentet individuale, tha, “po patjetër po u duhka me kalu’ n’flautë”. Edhe une tani kalova n’flautë atje.

Për ato dy vite domethonë, për vitin e tretë edhe t’katërt pata mrri me kry Platonovin – nji shkollë bukur voluminoze, osht’ bukur e madhe, e kreva për flautë. Po ndërkohë, kah viti i dytë, tamon sa kalova n’flautë, vet Lorenci e takon Anton Pashkun. Edhe thotë, “Shko n’filan vend se ai djalë osht’ instrumentist i shkëlqyshëm i instrumenteve frymore”. Shkon, e gjen nji vikend kshtu t’shtuneve edhe vjen te une n’Rugovë atje n’shpi. E pritëm si osht’ zakoni, edhe tha, “Kom ni kshtu…” m’tregoi drejtë tha, “Lorenci m’ka çu, instrumentet po i zotërojshe mirë”. Thashë, “Po, ato çka jonë t’traditës, ma jom rritë me to. Po edhe flautën bukur mirë e kom përvetësu”. “T’u kisha lutë s’pari këto t’traditës kavallin”.

Lujta n’kavall e n’fyll e kto gjana, e flautën e kisha me vete. Edhe flautën kur e ndëgjoi, e pat shkru’ nji reportazh t’shkëlqyshëm n’Rilindje, m’duket që osht’ viti 1957 qashtu, po mjerisht nuk i kam ato. I kom pasë rujtë t’gjitha, po kjo lufta e fundit m’i morri shumë. Ikën! tash ato noshta n’arkivë gjinden, po masi s’po di datën, s’po di mujin, vitin po di, m’met marak ajo e pat shkru shumë bukur. Qat kohë sa ishna nxanës hala, e ’57-ta Lorenci kaloi në Radio Prishtinë, producent, në funksionin e producentit.

Edhe, erdhi nji t’shtune te une në Rugovë me kerr, për herë t’parë me pa kerr me sy ashtu n’oborr aty. “Hajde,” tha, “merre kavallin, e hajde hyp n’kerr”..“Çka u bo?”“Eh drejtë n’Prishtinë”. E m’pruni n’Prishtinë ktu n’studio, ku i pata inçizu’ do valle burimore ashtu me kavall, ato valle deri te lufta, domethanë deri tash krejt vonë kanë qenë shpicë e Radio Prishtinës. Gjithmonë n’mënngjes janë hapë me ato valle, shumë t’mira.

Aty kom pasë fat atë ditë, kur hynëm n’studio, n’regji aty ku inçizohet, se n’sallë t’inçizimit kish qenë nji Ymer Riza me grupin e vet. Edhe e krynë ata, dulën, tash po i ndigjojnë kangët, une gjithmonë po e shiqoj sharkinë e tij. E vërejsha, i numrojsha telat edhe dilsha, e merrsha pozitën aty ku shkëlqenin telat, edhe i numrojsha telat, m’dilshin tetë. Tani, për m’u bindë n’tjetrën anë fillova t’i numroj çevitë, aty ku shtrëngohen telat, prapë po i numroj tetë. Hajt, hajt, hajt dikur vonë me Qamil e vogël, kom bashkëpunu’, kemi bashkëpunu’ kështu. Thashë, “Qamil, a t’kujtohet kur kemi qenë n’studio?”“Po.” “Kur dulët prej studio, Ymer Riza a e la sharkinë?”“Po,” thashë, “I kom numru’, tetë tela jo dymdhetë tela. ‘Moj sharki me dymdhetë tela’ nuk osht’!”“Eh,” tha “edhe n’Dibër nuk janë vra bash dymdhetë mijë vetë”. Domethanë këto ishin ato batutat tona (qeshë). Këto ishin interesant.

Ymer Riza, me t’vërtetë aty ku m’ndigjoi tu i ra kavallit, edhe isha shumë i ri, ai thjeshtë u befasu’ për t’mirë edhe m’përqafoi. “He bre djalë, kurrë s’pasna pa njeri kaq i ri, kaq mirë me i ra kavallit. Ku ke msu?”Tani i tregova, thashë kështu, kështu, “Kom msu’ prej babës tim, po mentaliteti jonë,” i asaj kohe po menoj, “nuk lente babë e bir me hi n’oda, se menihere fillonte ajo alegoria tallëse prej tjerëve”.

Une tani e kom lujtë me kushërinin tonë, pa e përmen ato, Din osht’ thirrë, Din Hot… Din Godeni. Ka qenë edhe mjeshtër i shkëlqyshëm i… si ortoped laik. Me te kemi lujtë nëpër dasma, nëpër neja, nëpër gjithçka. Por, shumë interesant ka qenë, t’haneve sidomos, jo t’gjitha por disa prej tyne, shkon n’Gjakovë. Mjeshtri që i punonte kavallat n’atë kohë, gjithmonë dilte te ni urë, urë e cila i lidhte dy çarshitë – çarshinë e madhe me t’voglën, ai ishte aty n’urë. Dhe na tash shkonim te ai, i merrnim dy kavalla, ai baca Din, burrë gati plak, unë isha shumë i ri gati… fmi. Edhe tani i merrnim dytë, aq shumë u tubonin njerëzit n’atë urë, saqë u mbyllte ura. Problem ish tash me kalu’ urën, shumë interesant ka qenë (qeshë). Kemi lujtë me bacën Din nëpër oda, me babën jo. Me babën thuja se tinëz n’shpi po, a n’odë jo. Se thash mentaliteti ishte asisoj n’atë kohë.

Do t’filloj prapë nga e para atje, n’fshat mbaj n’mend nji familje e vogël ishum. Shtatë veta, motra ma e madhe u martu’ edhe na metëm gjashtë veta. Pra ishum nji familje shumë e vogël. Ka pasë n’fshatëra atëhere edhe familje shumë t’mëdhaja. Po dikur t’u u rritë, t’u u martu’ i madhi, i dyti, i treti, dikur edhe une ma i vogli u bonëm familje e madhe. Ma une kalova ktu n’Prishtinë, dihet fmija osht’ si thojnë nji i shejtë osht’ për atë familje. Edhe fillunë edhe fmija… kom katër djem edhe nji vjazë, t’gjithë t’martumë. Nipa, mesa, plot… duke llogaritë edhe t’vajzës 16 nipa e mesa i kom. Po plot e përplot, secili prej tyne e ka punën e vet, punojnë kështu. Nji e kom n’diasporë, n’Norvegji, vjen, isha edhe une pak kohë atje. Edhe pse i pata tre mujë, ma dhanë kështu vizën norvegjezët, m’u deshtë me nejtë vetëm dy mujë. Kishna obligime në teatër, u dashtë m’u kthy prapë. Pra i kom katër djem e nji vajzë.

Kaltrina Krasniqi: E shoqja?

Shaqir Hoti: Ahh shoqja iku, heret iku. Interesant, ka qenë bjeshkëtare si thojnë, po e bjeshkës edhe e shnoshë pa kurrëfar probleme. Kur momentalisht smujë akute kanceri e kapi, leukemia edhe pse intervenum bukur shumë, edhe mirëpo ato nuk e fali. Thojnë që ka dikush-dikush, po heret ajo, vdiq edhe shkoi. Kshtu që vetëm me reja, me djem e me nipa.

Jeta Profesionale

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarin për jetën profesionale të tij.]

Shaqir Hoti: Reth viteve t’60-ta sikur pak ka ndryshu’ me atë kohën e… me atë kohën ma përpara t’rinisë, pak si ishum pak ma përpara, po jo edhe aq shumë. E krymë shkollën e mesme edhe tash t’drejtën me thanë, une e kisha për obligim moral t’kthehem n’fshatin tim, aty sado kudo t’jap noj kontribut. Jo pse e kisha marrë bursën, po kisha qef t’punoj pak atje, sidomos jetën kulturore do t’munohna pak ta ngjalli dhe t’punoj me fmi se drejtë me t’thanë, ajo klasa e parë e atij fshatit ku isha n’Damian, ajo gjithmonë m’meti n’kujtesë timen edhe tash filloj punën.

Pra u ktheva n’fshatin tim n’Rugovë, aty tani normal si profesion e kisha muzikën, landët muzikore. E morra landën e muzikës, po n’mungesë t’orëve nuk kishte shumë edhe klasa. Noj here e plotësojsha me noj landë shkathtësie ose punë dore apo naj tjetër kësisoj. Mirëpo, n’mungesë t’arsimtarëve gjithmonë mbetke nji klasë, e unë gjithmonë e preferojsha klasën e dytë. Se n’atë kohë nuk ish mo ai sistemi me marrë ni msus prej klasës t’parë deri në t’katërtën. Po, thjeshtë me thanë, si thonë një fjalë qysh qëllojke, ku qëllojke (qeshë), cilën klasë ta jepshin ato e merrshe.

Edhe une gjithmonë e merrsha klasën e dytë fillore. E pata studiu mirë programin, edhe u orientova që me qata fmi do t’kem sukses, edhe me t’vërtetë mirë shkonte puna aty. Me muzikë thjeshtë, sa i përket landës t’muzikës aty isha shumë, shumë dobët me ata fmi sepse nuk kishum kurrëfar instrumenti t’fabrikum. Domethonë nji instrument që temperon, shembull t’kisha nji piano, pianino, diçka… po thjeshtë absolut kurgjo, pos asaj flautës time që e kisha profesionale. Mirëpo, flauta si flautë tingullin e ka, dëgjohet. Por kur veprojnë dy shqisat, domethanë e nijnë tingullin edhe e sheh sa e godet atë tastin, tasterin aty, pak ma e kapshme osht’. Kshtuqë me muzikë nuk isha unë i knaqur, edhe pse mrrina bukur mirë t’i lexoj notat. Domethonë n’solfexho isha bukur mirë.

Manena shkolla gradualisht filloi të furnizohet, t’i blejë ka pak instrumentet. Instrumentin e parë e di mirë, erdhi mandolina, ishte nji gëzim i veçantë për atë instrument. Gradualisht edhe nji, edhe nji, u banë tri-katër mandolina, ma vonë nji violinë, primë, bas primë. Pak ma vonë edhe harmonika, ajo ishte kulmi kur na erdh harmonika sepse tash isha shumë ma i përgatitun për zhvillimin e landës. Po me ato instrumente çfare i kisha aty, i hulumtojsha pak prej msusëve, pak dikon tjetër edhe formum nji grup kështu t’vogël.

N’atë kohë jepeshin shfaqje, paraqitje para publikut. Përgatitsha nxanësat, herë kangë individuale, herë pak koreale, por kore t’vogla kështu, jo t’mdhaja. Edhe drejtë me thanë jeta kulturore bukur mirë u ngjall aty. Jipshum shpesh qasi far shfaqje n’fshat aty, po edhe përreth fshatit. Kështu që, instrumentet që m’bijshin n’shkollë, kurrë pa i pa, kurrë pa i prekë, vetëm pak kohë mu nevojitej t’i hulumtoja ata tinguj edhe shumë shpejt i përvetësojsha secilën nga ato me mandolinë, me primë, bas primë, violinë. Kuptohet violinë fort bukur, e lujsha por amo jo violinist. Se violinisti duhet… i ka disa pozicione, unë kuptohet vetëm atë pozicionin e parë vetëm e kom lujtë aty, po m’i përcjellsha qat’ melosin tonë.

Pra, jeta tash filloi, drejtë me thanë, apo thjeshtë jeta shumë e veçantë n’krejt jetën. Pra, ishte nji jetë rinore ndër periudhat e jetës, ma e mira. Se organizojsha, organizojshim neja t’ndryshme, shëtitje t’ndryshme nëpër qytete, nëpër fshatëra, nëpër asi. Ishum ma shkurt, shumë t’lirë, shumë… Ajo periudhë m’ka zgjatë diku shtatë vite n’fshat. Gjithmonë ka mbetë nji ndër periudhat ma të lumtura të jetës teme. Ishum me t’vërtetë shokë shumë t’mirë edhe organizonim ksi far neja, ksi far koncerte. Kjo ishte ajo jeta e jonë në fshat.

Po, ma vonë dikur viti ’63-’64… jo ’61 paska qenë, vjen Lorenc Antoni me gjithë nji… m’duket se ka qenë etnograf apo etnomuzikolog Nikola Hercigonja prej Zagrebit. Ai ish hulumtus kështu, edhe erdh te une n’Rugovë atje n’fshat. Domethënë viti i parë isha n’arsim. Edhe m’thotë, “Merre instrumentet çfare i ki edhe do t’lujsh pak dhe do t’ndigjojë ky Nikola Hercigonja”. “Mirë”. E morra lujta n’ato t’gjitha. Ai thjeshtë u mahnitë me këto instrumente, me atë lujtje dhe drejtë iu drejtu’ Lorencit tha, “Kështu, ktu keni pak ma tepër se ari. Duhet patjetër t’shfytëzohet thjeshtë të ndrydhet ky, të nxjerrë maksimumin. Patjetetër duhet t’shfrytëzohet ky talent”. Manena e kishte për detyrë, i kish përcaktu’ vetit atë detyrë të një hulumtim edhe me këngëtarët n’Gjakovë e n’Pejë… edhe m’u lutë ta shoqërojë tonë atë kohë. “Edhe patjetër ta marrish ni instrument me veti”.“Pse, cilin?”“Veç kavalli m’intereson!”Edhe tash a marr ato, shkon e rrijshim me kangëtarët t’ndryshëm, Mazllum Mizini e ata çka jonë gjakovarë e n’Pejë atje. Edhe u kthejshum, fjetjen e bojshum n’Hotel Pashtrik n’Gjakovë.

E tash aty, aty n’dhomë t’fjetjes, “Hajde,” thojke, “merre pak kavallin edhe luj disa melodi”. Ai thjeshtë thojke, “Une ktu po e nij nji tingull shumë fisnik. Po e nij nji tingull që e ka mrapa, mrapa e ka tamon atë shpirtin e instrumentit. Për ato, t’lutem me marrë”. Pra aty pata lanë me t’vërtetë mbresa t’mira.

Edhe kështu ma vonë, Lorenci vjen disa herë në Rugovë dhe thotë, “Ti patjetër duhesh t’kalosh n’Prishtinë sepse na nuk kemi flautist në orkestrën popullore”. Nji herë dy-tri, thashë, “Sikur unë e nij flautën n’orkestrën e juj.”Tha, “Po, osht’ flauta, po ajo flautë e din vetëm partiturën”. Edhe m’tregoi tha, “Flautisti edhe nuk osht’ i kombit tonë, aty mungon shpirti. Aty instrumenti osht’, po instrument pa shpirt. Prandaj ti e njeh kangën popullore, burimore e patjetër duhet t’kalosh n’Prishtinë”. Po isha n’dilemë shumë t’madhe. T’vij n’Prishtinë, t’i la, ta la vendlindjen, t’i la fmitë që me t’vërtetë me ta u lidha shumë, shtatë vite nuk jonë edhe pak. Kisha shumë dilemë t’madhe.

Ma vonë vinte gati shpesh Esat Muçolli që e ka drejtu’ orkestrën shumë kohë. Edhe ai shok klase ishum, edhe shokë t’mirë kemi qenë gjithmonë e m’thotë, “Patjetër duhet me ardhë. Patjetër na vyn ti si ngjyrë orkestre, po na mungon”. Edhe e gjetëm nji komponist tha kështu, “Hajde ti për nja dy-tri vjet. Mos t’pëlqeftë, kthehu apet.” Edhe une drejtë me thonë, “Mirë” thashë. U pajtova, e dhashë fjalën. “N’shtator na fillojmë me punë” se edhe ata e kishin verën, gjatë verës gushtin pushim. “N’shtator fillojmë punën, duhet t’startojmë bashkarisht”. “Mirë”.

Erdha n’Prishtinë, u kry ajo formalitetet e lutjes, pranimeve. U pranova dhe vendim t’përhershëm, vendim i përhershëm quhej n’atë kohë, e kishum si tash kontrata nji vjeçare, po t’përhershëm. Edhe tash fillumë punën n’orkestër. Gjithmonë mrenda m’rrinte atje te fmitë e shokët e asi. Mirëpo, koha kalonte gradualisht sikur u adaptova ambientit këtu, gjetë shokë t’mirë edhe këtu, edhe t’shkollës atje po edhe do t’rijë i krijova këtu.

Gradualisht meta, apo si thotë nji… osht’ nji tregim popullor që n’këtë drejtim me t’vërtetë lun rol ai – nji fshatar nji kali me dru e bjen n’Prizren, me shitë… furrëtar ka qenë, furrëtarët i kanë ble ato dru. Edhe kali kur e sheh çeshmen e shatërvanit t’u rrjedhë, vrapon me pi ujë, ky fshatari s’e len. Përreth kanë qenë zakonisht do argjendtarë edhe i luten, “Leje kalin le t’pin ujë”. “Jo,” thotë, “se po e pin këtë ujë, mo s’ëm vjen atje n’fshat” (qeshë). Edhe une erdha këtu n’Prishtinë, nejta sa nejta, u ambientova, erdha për nji vjet, dy, tri maksimumin por nejta tanë kohën sepse n’orkestër me t’vërtetë e gjeta taman venin… shumë i përshtatshëm për punë.

Isha me nji obligim shumë t’vogël n’krahasim me çka punojsha atje sepse atje n’fshat kom punu’ obligimet ma si msus n’shkollë. Isha gjithmonë zavendës drejtori. Sa kom nejtë n’Rugovë kom qenë zavendës drejtor për shtatë vite. Atje me sa akte normative t’shkollës çka kemi pasë punë, veç na e dijmë, edhe natën duhej t’punonim. Ishum t’ngarkumë e t’obligumë t’punojmë me Lidhjen e Rinisë, me Lidhjen e Partisë, me Lidhjen Socialiste. Atje kurrë pushim s’kemi pasë, pos qajo natë kur organizojshim ahengje kështu.

Kurse këtu, e gjeta diçka krejt… nji punë që nuk krahasohet me ato. Isha i obligum vetëm me instrumentin tim. As s’kishte Lidhje t’Rinisië, as Socialiste, as kurgjo. Drejtë me thanë, këtu fillova t’punoj n’orkestër si flautist, mirë depërtova qysh n’fillim. Mjerisht e ankoj shumë atë kohë që nuk naj instrument t’mirë. E gjetë këtu ni orkestër shumë t’amortizume. Lujsha, por lujsha me vështirësi. Instrumenti i mirë nuk ka nevojë t’shtrëngohen mirë ato tastat, po preken pak, a unë isha i obligum t’i shtypja t’nxerri za (qeshë). Kështu që gjithmonë m’dhimet kanga e “Bareshës” kur e kemi inçizu’. E kisha nji flautë shumë t’amortizume, edhe isha i detyrum me vështirësi t’nxerri za. Edhe sot e kësaj dite kur e nij Nexhmijën t’u e knu’ “Bareshën” e ankoj flautën, pse s’e pata nji flautë t’mirë n’atë kohë!

Do t’thotë, viti i parë kaloi shkëlqyshëm, fillunë festivalet “Akordet e Kosovës”, merrsha pjesë n’to edhe si.. ma i obligum n’orkestër, po merrsha pjesë edhe me komponime. Kom konkorru n’ato me Adem Ejupin, me Shahindere Bërlajollin, nji ansambël këtu që e pata kriju’ “Azem Bejta”. Bile me atë ansambël para marrë venin e parë në vitin 1972 n’tekstin e… n’tekstin e poetit tonë t’njoftun Rexhep Hoxhës, “Ah Hyrije”, nji tekst shumë i bukur ishte. Edhe këta t’ansamblit e knunë, me t’vërtetë interpretimi i patën t’shkëlqyshëm, e pata zanë venin e parë. Pra, “Okarina e Artë” m’ka taku’ vetëm në vitin 1972.

Ku kesh te Nexhmija dhe “Baresha”, do t’dalë këtu prapë. N’vitin 1969 erdhi puna, fitumë gjithkah knena venin e parë nëpër… atëherë Federatë osht’ thirrë. Edhe tash ne përfaqësonim Jugosllavinë me nji festival ndërkombëtar në Berlinin Perëndimor. Edhe thjeshtë për herë t’parë me hypë n’aeroplan, e aeroplani ateroi në Berlinin Lindor, aty me tri qerre si taksi ashtu na kanë çu tash te muri, muri i famshëm ku e kanë nda Berlinin. Nji vozitës gjerman, ai na tregon, na gjuhën nuk e dijshum por e kuptojshum, thojke, “Përreth bum, bum, mina. Përreth ka mina” edhe i shihshum telat me gjemba edhe bukur t’lartë. E tash iu afrumë kufinit, zbritëm prej aty, i murrëm instrumentet. Kalumë nëpër mur, murin e Berlinit, ka qenë nji lloj labirinthi… jo me ecë drejtë po ka qenë zig-zag, tani me dalë n’atë Berlinin Perëndimor. Bile ai far korridori zig-zag nuk ka qenë shumë i gjanë, e zinte ni njeri me dy valixhe, ma tepër… E tash kur dulëm atje, aq shumë ndryshim i madh ishte i ndërtesave, i parqeve, saqë gati s’mund t’a përshkrun. Atje thjeshtë ishte xhehnet. Kah [Berlini Lindor] shifeshin ato shpija t’zymta, shifej ai fukarallëku, çdo gja – terr edhe dritë aty, nuk po di qysh me shprehë atë ndryshim aq t’madh (buzëqeshë).

Nejse, shkumë atje, mas nja dy dite pushim, provat gjenerale. Kur shkumë aty provat gjenerale me t’vërtetë kem dalë shumë t’zhgënjym prej provave sepse ato orkestrat tjera t’shteteve tjera ishin orkestra shumë t’mëdhaja, orkestra simfonike, kori 50-60 vetë, domethonë kor taman i plotësum kështu, orkestra viole e tjera. Na ishum vetëm gjashtë orkestranta, vetëm gjashtë vetë, Nexhmija e shtata. Domethënë skenën na me shtatë vetë e plotësonim, kurse ata me nji qind e kusur. E tash aty u zhgënjymë çka do t’bojmë, çka duhet t’dalim tash, qysh do t’konkurrojmë. Ishte me t’vërtetë e pakapshme ajo, po erdh koha.

Nji spikere, nji bukuroshe që kurrë s’kishum pa kërkun… ajo vinte herë-herë te na sepse e gabonte emrin e Nexhmijës. Thojke {imiton prezentuesen} “Nexh… Nexhm… Nemxhija, ah Nemxhija Pagaçusha!”“Jo bre Nemxhije, po Nexhmije”, disa here ashtu e msumë. Ma n’fund arritëm ta msojmë “Nexhmije”. Kur dul n’skenë prapë e habiti “Nemxhije shkoi”. Nejse ma dulëm na, kangën e parë Bin tup… tri kangë i ka knu’ Nexhmija n’festival, kangën e parë “Bijnë tupanat n’katër anët” e kom përcjellë me çifteli. Çiftelia zgjoi interesim shumë t’madh. Kangën e dytë, “Sytë për ty i kam të njomë” që të dyjat i pat punu’ Isak Muçolli. “Sytë për ty i kam të njomë”, ato prapë e kom përcjellë me çifteli, aty bukur mirë e pamë që durtë po nxehen, diçka kemi. Po prapë se prapë kur i kujtojshim ato orkestrat e mëdhaja… Edhe e fundit ishte “Baresha”.

“Baresha” thjeshtë e nijtëm nji apllauz, nji duartrokitje që kurrë s’e kishum ni n’jetë aq t’gjatë, kaloi edhe n’frenetike kështu. Mirëpo, dolëm prej skenës, Nexhmija u detyru’ prapë t’i përshëndesë edhe shkumë n’hotel. Nuk po dijmë çka u ba. E dijtëm që diçka korrëm sukses, po jo edhe, kështu zyrtarisht kërkush s’na tha gja. T’nesrit vijnë konsullata jugosllave gjermane. Ata vijnë na urojnë, në përgëzojnë, eh tash… Domethonë aty morrëm venin e parë, korrëm sukses t’shkëlqyshëm.

Kemi shku’ me aeroplan, po kthehem me tren, drejtë me thanë po vijmë pak si serbez na, pak si krenarë, do t’vijmë n’Prishtinë, do t’na pysin për atë sukses, do t’shkrujnë gazetat. Gazeta “Rilindja” ishte n’atë kohë, tjetër gazetë… Erdhëm, kaloi nji javë, e dy javë, e nji mujë e dhetë mujë e 50 vjet e sa po bohen tash, ’69-ta ishte kurrë kush asnji germë nuk e ka shkru’ për atë rast. E këtu osht’ ajo ma e keqja e jonja, që vlerësimet osht’ dashtë me i qitë pak n’pah kështu. Ajo ishte nji sukses me t’vërtetë i joni sesa i Jugosllavisë sepse na shkumë n’veshje kombëtare, edhe Nexhmija ishte n’veshje kombëtare, edhe kangët ishin krejt shqipe. Domethanë kjo shumë keq na ndodhi, për fat t’mirë Nexhmija e kish hala gazetën gjermane, ku shkrun n’to, m’duket që osht’ n’dy faqe a tri faqe, ajo e katërta kom harru’ edhe osht’ bukur e dalne n’fotografi. Këto jonë ato momentet.

Tani e kemi ba obligimet, përveç obligimeve në studio t’Radios që ishim t’obligum vetëm në studio, na ishum t’obligum vetëm me kangëtarë popullorë. Kangëtarët ishin edhe t’vjetër t’pranumë n’radio, domethanë atëhere ka pasë kritere. Kurse kangëtarët e rijë, patjetër duhet t’kalojshin nëpërmjet audicionit. Audicionet organizoheshin nji here n’javë, vinin kangëtarët e rijë, këndonin. Mlidhej komisioni e hulumtojke mirë, e ndëgjojke predispozitat e atij kangëtari, çfarë intonimi, çfarë diksioni, çfarë ngjyre ka vokalet, si e ka frymëmarrjen, krejt këto janë elementet e nji kangëtari. Këtu pra hulumtoheshin edhe n’rast se veç i plotëson kushtet e nji kangëtari atëhere ai kangëtar vinte herë pas here edhe inçizonte.

Përveç obligimit tonë që kishum dy here n’javë inçizimin ka dy kangë që do t’thotë katër kangë, ishum t’obligum edhe me koncerte mrena Kosovës edhe jashtë Kosovës edhe nëpër republika tjera, po edhe nëpër shtete tjera. Sidomos e kemi pasë nji kohë bukur t’gjatë shtetet e perëndimit, e zakonisht n’ato shtete ku kishte ma shumë shqiptarë se fillunë mas viteve t’70-ta, fillunë t’shkojnë shqiptarët në punë kështu. Tani n’ato vene… dy here n’vit, herë nji here n’vit zakonisht festat e nantorit edhe t’majit.

Normal, kemi shku’ edhe nëpër, edhe jashtë Europës. Kemi shku’ edhe n’Amerikë dy herë kemi qenë krejt. Kështu ato ishin krejt, ato koncerte, ato thjeshtë ato marshuta po i qujë, krejt ishin t’organizume. Pak na mungojke, jo pak, po na mungojke shumë ajo liria jonë. Na shkonim si orkestër si kangëtarë, mirëpo gjithmonë e kishum reportarin t’shkrumë, t’vulosun me tri vula edhe prej atyre kangëve s’guxonim t’dilnim. Nëse kish kërkesa, se njerëzt atje t’untë për vendlindjen, ishin do edhe shumë t’ikun prej ktuhit, kërkojshin shumë ma tepër program, shumë ma tepër kangë. Po na, n’vend se me knu’ nji kangë tjetër dilshum e përsëritshum nji strofë, dy apo kaq mujshum se nuk u lejohke ma tepër.

Edhe tjetra çka na e nijshum atë mungesën shumë tonën, t’gjitha kangët knoheshin lale-lule si thojmë na. Apo t’gjitha kangët ishin ma shumë kangë dashnije, e jo kangë poetike kështu se ka karakter kombëtar, nji kangë trimnije… jo, jo kangë dashnije. Herë, herë lejohej naj kangë trimnije po që u ba kundra turqëve. Ajo lejohej, kurse këto tjerat nuk lejoheshin. Këtu ishte ajo mangësia e jonë, këtu ishte ajo… shkojshim na, po jo me qef. Këto janë ato far punë tona profesionale që i kem pasë fillue n’radio.

Kaltrina Krasniqi: Kur fillutë me shku’ n’Shipni? Çfare ish marrëdhania me Shqipninë?

Shaqir Hoti: Po, po.

Kaltrina Krasniqi: Kur keni fillu’ me shku’ me bashkëpunu’?

Shaqir Hoti: Po n’kuadër t’qasaj pune tonë krejt, na kemi fillu’ edhe kemi punu’ deri n’masat e dhunshme. Aty patëm, viti ’71 si pahiri ka ra ajo punë kur ni darsëm, e organizoi nji person shqiptar ishte, na thirri n’Beograd. Darsmën e kishte, e martonte vajzën, darsmën e kish n’Hotelin Beograd. Edhe na shkumë, tonë natën bamë muzikë, aheng i bukur. T’nesrit, domethonë pa gjum ishum total, hajde po hamë ni trohë mëngjes edhe po ikim për Prishtinë. Aty mrapa meje i nij njo tre persona flasin shqipen aq bukur, aq rrjedhshum saqë moti s’kisha ni ashtu aq bukur. Edhe po ju thom shokëve, “Oh vallai, qita po flasin shqip, do t’i thom nji mirëmëngjes” .“Jo,jo se nuk dijmë…” “Kenë kush kenë, s’po m’durohet”.Edhe u ktheva thashë, “Mirëmëngjes o burra”. “Oh mirëmëngjes! Po hajde t’bashkohem, t’rrijmë”. Po na s’po dijmë tash edhe kush na erdh ngatë. Erdhën ata, u ulën aty, po prezentohet i pari tha, “Une jom ambasadori… sekretar n’ambasadën e Shqipërisë Hajrullah Kuploja” edhe emrin ma dha, uh po. Edhe tjetri e tjetri jonë n’ambasadë t’u punu’.

Ishin… nji festival shumë i mirë ka qenë n’Shqipni “Dekada e Majit” quhej, ish si afër se gjithmonë na ishum t’untë atëhere me pëcjellë. Edhe po i thomë atij sekretarit,“Festivali po afrohet, shumë kishim pasë dëshirë… a ka mundësi diqysh me depërtu’ n’atë festival?” “Po si jo more, osht’ shumë, shumë e mundshme. Kështu njani prej jush merrni pasaportat, bjerni jo t’gjitha, veç nji, une ju jap vizën, ju tani shkoni”. Edhe na ni shok tonin e çumë n’Beograd… Zef Topeci. Tash osht’ i ndjerë i shkreti, shkoi i kish marrë vizat, u kthymë. U kthy ai, po na jep ato, pa pytë na kërkon. Edhe tash çka t’bojmë halli, vizat i kemi, po lejet nuk i kemi. Edhe shkojmë te drejtori gjeneral Kemal Deva, hyjmë n’zyre, bile kur na pa pak u befasu’, “Ha, çka u ba? Krejt orkestri çka m’erdh këtu?” Po i thojmë kështu, kështu, kështu na gati që rastësisht e fillumë kto, por doli përnime, “Vizat i kemi, leje s’kemi, çka t’bajmë?” Ma s’pari n’radio duhet t’marrim vendin e punës, “Ju,” tha “patjetër me shku’! Lejen e keni prej radios, lejen do t’munohna krejt ku duhet, une do t’vrapoj mas tyne e ju duhet t’shkoni”.

Edhe me t’vërtetë na lejunë, shkumë atje, po na morrëm leje për nji javë festivali, kohëzgjatja ishte dy javë. Kur u ba java, na i përgatitëm valixhet edhe m’u nisë teknena, nji organizatore aty e festivali Lirije Çeli thirrej. “Ku shkoni ore?” “Po shkojmë e kemi kaq lejen”. N’moment telefoni me drejtorin tonë gjeneral këtu. “Lejen e keni edhe për javën tjetër. Pa u kry festivali ju s’do t’lëvizni”.

Nji pritje ka qenë, ka qenë e papërshkrushme, pritje shumë, shumë e ngrohtë n’atë kohë. Mirëpo kuptohet koha ishte qasisoji, pa nji shoqërus gati kërkun nuk mund t’shkoje. Edhe kjo ishte, na binte n’sy, po shihshum edhe mirë, edhe keq. Mirë na u doke që nuk kish pasë n’atë kohë, asnji njeri pa punë, po na u doke keq kur dilnim nëpër shitore. Shihej, nuk kishte mall, nuk kishte… manena njerëzt t’veshun shumë dobët me tesha. Dhe, me t’vërtetë edhe teni i ftyrës pak ma i zbehtë na u doke n’krahasim me neve. Edhe tani kur erdhëm ktu na pytshin njerëzia, kështu t’afërt, po t’ju tregonim drejtë, na ra diqysh n’dilemë t’ju tregonim drejtë çka shihshim atje mirë edhe atë t’keqen. Ata do t’na qujshin pak si shpijuna (qeshë). Kështu që shumë keq këtu u gjindëm. Kujtimet e jetës kanihere edhe dalin (qeshë).

Kaltrina Krasniqi: Deri n’cilën periudhë keni punu’ në radio?

Shaqir Hoti: N’radio kom fillu’ këtu kur jom ardhë. Kom ardhë, thashë në vitin 1967 deri n’masat e dhunshme domethanë ai ’89-ta, dihet ai moment, e ka pa edhe krejt bota në çfarë mënyre jonë hi te na. Prej asaj dite mo jemi dalë nga radio edhe mo kush s’ka pytë për neve. Ma vonë, mas luftës erdh u kriju’ Radio Kosova, po shumë prej nesh metën jashtë atij objekti. Gati që krejt valla kemi mbetë jashtë. Dhe thjeshtë kush si ka mujtë m’u gjetë, do janë.. thjeshtë kanë metë n’shpi.

Aktivitetet tona, domethanë kanë qenë t’lidhuna gjithmonë me punën tonë, domethonë aktivitete tjera them jo, me orkestër. Por viti ’72 e knena, sikur diçka ma tepër u lirumë. Sikur kah reportari i kangëve diçka na ndryshoi, diçka ma mirë qëndrojshum. Edhe pse dilnim jashtë me organizimet e atyne koncerteve, turneve në t’vërtetë, ishum pak ma mirë. Po, deri në vitin 1981, aty tani filloi gjithë nji si thojnë t’u depërtu’ jo cenzura, po thjeshtë ma e ronë se cenzura. Për nji fjalë t’vetme nuk lejohej kangë të inçizohej. Në vitet e ’80-ta sidomos viti ’81 e teknena filloi tani cenzura, për nji fjalë t’vetme nuk pranohej kanga. Gjithmonë metëm, metëm gjithmonë dobët e ma dobët si radio-orkestër na për m’i plotësu’ ato nevojat e tona. Dhe, drejtë me thonë edhe normën që e kishum t’punës, sepse për nji fjalë t’vetme, ose nuk pranohej fare, ose nëse pahiri osht’ pranu’ nji here mund t’bahet që osht’ shkru’ n’letër, po herën e dytë ajo mo… ajo ikë. E kemi pasë njifar ormani t’metalit, u futke n’atë orman që u thirrke “Embargo”.

Mu m’ka ndodhë vet, kur e bona nji kangë edhe shkoi vetëm nihere në të tërë “Malësores” t’cilën e knoi Adem Ejupi. “Oj vashë malësore, oj shqipe, nga mali shëndritë si yll i zjarrtë”, këto ishin fjalët e para. Edhe tash heket në “Embargo” edhe m’thërrasin n’përgjithësi, “Kujt i ke knu’ ti? Çka do t’thotë ajo vashë malsore, shqipe trime nga…? Diçka ki dashtë me mshefë!” “Oh jo bre, teksti nuk osht’ i imi fare. E kom bo vetëm melodinë”, po thjeshtë për ato m’dul bukur problem. Domethonë këtu filloi ajo ma e keqja. Ditën n’ditë e çdo demonstratë që vinte keqësohej jo vetëm te na, po gjithkun gjendja. Gjithmonë shkonim keq e ma keq deri n’masa ma t’dhunshme, n’masat e dhunshme.

Orkestri jonë ndodhej n’pushim, pushimin vjetor. Bile shumë here e kemi pasë, gati çdo vit e kemi pasë pushimin vjetor dy mujë. Nji mujë na takonte i rregullt se ishum gjithë me stazh t’madh. Kurse, nji mujë tjetër e fitonim me punën e tepërt që e bonim, me festivale, me koncerte, me ato. Ato tash nuk u pagujshin po e merrnin pushim. Edhe na ndodhëm n’pushim kur u futën masat e dhunshme, pasi që i ka pa krejt bota, me atë dhunë me atë… Edhe prej atyhit e anejna na t’gjithë edhe t’orkestrës, edhe tjerët, kush s’i mundi me u gjetë, dikush ka dalë jashtë, dikush ka metë n’shpi, dikush jo… Drejtë me thanë, une jom marrë me aktivitet tjetër që e kom pasë gjithmonë n’shpirt, gjithmonë kurrë s’jom ndalë krahas t’gjitha obligimeve që i kom pasë. Edhe n’arsim, edhe këtu në radio, instrumentin burimor kurrë s’ju kom nda.

Ma përpara, instrumenti burimor që m’binte n’dorë kom punu’ ka pak, noshta kom intervenu’ n’to rreth temperimit, ni tingull s’e kom bash t’mirë, ose m’duhej ta mbyll ose ta hap n’mënyrë që ta fitoj atë tingull çfarë m’duhet. Kështu me punu’, kom punu’ vet disa t’thjeshta, disa pipëza, disa ndrrojësa që mu kanë dashtë për momentin, a kështu me u marrë me to… Por gjithmonë e kisha nërmend që kur t’dal n’pension do t’merrem pak me studimin e këtyre instrumenteve. Por gjithnji e kom pas nërmend këtë instrument ta çoj përpara, ta ruj n’tri drejtime – t’interpretoj n’to sa ma mirë që t’jetë e mundshme, në mënyrë që t’jetë e kapshme për secilin vesh; t’i punoj vet dhe gjatë punës t’hulumtoj çfarë druni osht’ ma i mirë, çfarë metali, çfarë plasitke, domethonë tash i kemi mundësitë shumë ma t’mëdhaja për zhivillimet; edhe e treta, e treta osht’ jom munu’ që t’shkruj për secilin instrument veç e veç.

Kom shkru’ për secilin instrument, sidomos për instrumentet burimore,mundësitë e punimit t’tijna, domethonë teknologjia e punimit t’tijna. Teknologjia e lujtjes në to osht’ me t’vërtetë, ktu duhet me pasë kujdes sidomos në lujtje se tjerat instrument që e kanë tingullin e vet, shembull po e marr fyllin që ai ka emërtime t’llojllojshme, fyll, filikaq, bylbyl e tjera, ka fancik, ka shumë emërtime n’treva. Ai e ka tingullin e vet, e mundet gjithkush t’i bije, e qet n’gojë edhe fryn. Kurse te intstrumenti i jonë që me t’vërtetë duhet t’jetë shumë i hershëm, megjithëse zanafilla e tij e hupë dikun atë terrin e lashtësisë, nuk mund ta dijmë,  po besohet se simas krejt muzikologëve besohet që osht’ shumë i hershëm, fylli i shokës. Ai nuk ka za, ai duhet t’formohet me anë t’buzëve. Pra, aty duhet me pasë kujdes, t’lexohet mirë. Si t’lexohet ajo, besoj që çdo kush që ta kapë n’dorë, shumë shpejtë arrin t’ketë ambazhur n’te. Fyll i shokës osht’ edhe karakteristik sepse gjatë atij tingulli që e jep ai, dëgjohet edhe njifar fryme. Ajo frymë i jep me t’vërtetë me kuptu’ që ai instrument, ai instrument osht’ shumë fisnik. Mrapa atij instrumenti me t’vërtetë arrin ni person, ni njeri, pra osht’ i vetmi instrument.

Dhe, kom fillu’ pikë s’pari t’interpretoj në çdo zhanër. Kurrë s’kom kursy asnjanin as me nda ja qitu s’po du me shku’, po çfarëdo zhanri që ka pasë kërkesë jom shku’ aty, vetëm le t’nihet instrumenti i traditës. Bile, kur fillunë ma vonë, domethonë mas luftës, kur fillunë edhe repi, rroku, erdh edhe te na kështu bukur me t’madhe, sikur dashta pak prej atij zhanri t’tërhiqem dhe po rri me profesorin tem që me t’vërtetë shumë t’afërt kemi qenë me Engjëll Berishën. Dhe thashë, “N’qit zhanër mos m’u lshu’, çka po m’thu?”“Jo, përkundrazi unë po t’detyroj edhe si profesor i yti, edhe si shokë tash që jemi bo. Duhesh t’shkosh gjithkund. Ai tingull le t’bje n’veshin e dikujt, herëdo kurdo ai që e nin noshta i pëlqen, noshta veç i afrohet atij instrumenti”. Dhe kështu nuk kom kursy çdo zhanër t’kangëve. Kom shku’ edhe nëpër filma, domethonë te filmi “Kukumi”, “Rojet e Mjegullës” e tjerë. N’teatër, n’teatër kom marrë pjesë në muzikën serioze, domethonë n’çdo zhanër si interpretues kom dalë me t’vërtetë i mirë i pëlqyer. Deri tash, nuk ka vërejtje prej asaj, edhe une vet jom i knaqun.

Manena kom fillu’ edhe t’i punoj vet secilin instrument. Gjatë punës boj edhe hulumtime, si thashë edhe ma heret rreth timbrit, rreth asaj edhe rreth zhvillimit t’atij instrumenti, sepse shumë prej tyre, shembull ta marr bishnica apo gajde që osht’ ma e njoftne n’krejt botën, sot bishnica ka shumë termine. Secila trevë e emërton me emrin e vet, bishnicë, mishnicë, meshnicë, tërquk, ka kacek e tjera. Do t’thotë gajde njihet ma shumë n’krejt botën. Ajo osht’ shumë e pëlqyer, e ka nji za me t’vërtetë hundor, po shumë i lezetshëm. Mirëpo, si shkallë muzikore na del shumë e gjymtë sepse i ka vetëm pesë tinguj… gjashtë tinguj. Pesë vrima nxerrin gjashtë tinguj. Instrumenti muzikor sa vrima i ka, gjithmonë e ka nji tingull ma tepër.

Pas luftës kështu, jom marrë me nji ansambël që e kisha. Ato e kom pasë formu’ qysh jom ardhë n’Prishtinë “Azem Bejta”. N’atë kohë me ta kom nxerrë shumë disqe t’asaj kohe, pllaka t’gramofonit. Kom bo shumë inçizime në Radio Prishtinë që hala foneteka e radios tash Radio Kosova, i kanë, i kanë n’fonetekën e saj. I morra tash, i kom riaktivizu’ edhe pas luftës dalum herë-herë, ushtrojmë, përgatitëm. Kemi nxjerrë nji album, tjetrin e kom t’gatshum. Noshta mujmë edhe ato me regjistru’ dikun, po havaja pak si e keqe {fërkon gishtat} (qeshë). Prapë po duhet… po duhet t’paguhet studio, po do t’gjojmë noj donator kështu. E kom si afër edhe albumin e dytë me atë ansambël. Edhe pse t’vjetër, bukur mirë ju kanë kthy kangës, se dihet çdo gja shkon me… rinia ka tjetër elan, tjetër forcë… nrysh’ janë. Po në ushtrime po mujke deri diku, bilëm me ia dhanë… se t’thujsh “Mirë, mirë”, po pak sa don me ia dhanë hakun qasaj kange, mirë, mirë jonë, i kanë ushtru’ do kangë.

Okarina

[Pjesë e prerë nga video-intervista: i intervistuari flet specifikisht për okarinën.]

Shaqir Hoti: Ajo që gjithmonë e kom pasë me t’vërtetë kështu si shumë, shumë enigmë për mu për nji kohë bukur e gjatë – okarina origjinale ilire. Ajo diku u gjetë n’fillimet e viteve ’70, diku m’doket kah ’67-’68 aty pari në fshatin Orenik, afër Skenderajit osht’. Arkeologët tanë e gjetën edhe me t’ndëgjume tentova ta kom n’dorë. Çfarë instrumenti? Instrument muzikor osht’ gjetë, unë nuk dijsha çfarë instrumenti. Kur u gjetë ai instrument isha shumë kurreshtar, instrument muzikor ilir, domethanë me to, une vet krijojsha nji bindje që ai instrumet, duhet t’jemi krenar me te sepse ai osht’… po i dihet zanafilla, po i dihet vendi ku u gjetë.

Tentova n’fillim ta kem n’dorë, po n’fillim thanë se osht’ në pastrim e tutje edhe na ndodhi neve…[e pakuptim.]edhe taman kërkova kështu, erdha n’muze, po kërkoj instrumentin. M’thotë drejtori i asaj kohe, m’thotë, “Po instrumentin mund ta merrni vetëm me kërkesë zyrtare, vetëm prej institutit, përndryshe ajo tash osht’ e mshelne hermetekisht n’silikon dhe nuk hapet për kërkesë individuale, por kërkesë…”. Iu luta n’atë kohë etnomuzikologëve, “A mund ta hapni?”, “Po, po do ta hapim…”

Pra, kurreshtja ishte gjithherë, sa ma shumë ikte koha, mu kurreshtja m’u shtonte aq ma shumë, e sidomos prej vitit 1972 e teknena kur e morra mo shpërblimin e parë “Okarinën e Artë”. Edhe, kështu kërkesë zyrtare kurrë s’mujtëm me organizu’, me marrë atë instrument ta hulumtojmë, çfarë tinguj po na jep, çka ka. Dhe, erdhi lufta si luftë. Dihet mo lufta kurrë nuk bjen gja t’mirë, po t’keqe. Këtu kom pasë shumë instrumente përpara, dhe jo që i kom punu’ vet, po që m’kanë ardhë prej kahmimos, dhe që vet i kom… kam shëtitë nëpër botë, kom ble kah nji, dy, tre. Mirëpo kur erdhëm, nuk gjeta këtu asgja, bile do t’ju thom edhe kte që as partiturat e kangëve t’mija që i kom ba përpara nuk i kom gjetë. Osht’ dashtë une… përsëri t’i ndëgjoj ato dhe t’boj transkriptimin e kangëve t’mija.

Dhe, kështu mas lufte isha shumë i bindun se tash me njerëz tanë do ta hapum atë instrument dhe do ta hulumtoj pak atë. Erdha e instrumenti nuk osht’, bashkë me shumë objekte tjera, ai ka ikë diku, nuk dihet fati i atij. Ndodhë që ka ra edhe n’durë t’kqija, n’muze nuk ish n’Beograd. Ato u vërtetova, ai nuk osht’ n’Beograd. Edhe, kurreshtja ma tash nuk m’linte rahat kurrë. Çfarë do t’bëj? Qysh do ta nij atë tingull? Çfarë instrumenti osht’?

Ndihmë t’madhe kom marrë prej Edi Shukriut edhe Rexhep Munishit etnomuzikologut, se që të dytë e kanë pasë n’dorë. Edhe ju luta Edit thashë, “Masat m’i ke dhonë, n’liber i di masat, po t’u kisha lutë formën e saj a osht’ krejt cilindrike, krejt e rrumbullakët a mos osht’ pahiri najkun e shtypne?” Se, jonë gjetë përpara instrumente kësisoj po janë gjetë pak t’shtypne. Dhe format i kanë pasë pak, sidomos lindja ka pasë formë tjetër, ka pasë pak t’shtypne edhe ka qenë me katër vrima. Kurse, Amerika Latina i ka pasë n’formë shtaze, n’formë shpezi, n’formë… a kjo okarina jonë ilire e ka nji formë shumë t’veçantë n’gjithë botën. Osht’ krejt cilindrike fillon gati po e marrë prej poshtë {tregon me duar}, gati prej zeros, zgjerohet deri n’gjashtë… ajo fi që i thojmë, deri n’gjashtë centimetra, dhe vjen prapë atje n’zero {improvizon me duar pjesën e epërme të instrumentit}. Ka një formë shumë t’veçantë n’krejt botën. I ka krejt dy vrima për t’luajtur edhe e ka vrimën pak ma t’madhe mu n’mes aty ku krijoet zani që quhet buzorja, sepse aty i vemë na buzët edhe nxerrim za.

Edhe fillimin e saj, e punova me dru, taman me masa çfarë ma përshkrujti Edi, çfarë ma përshkrujti Rexhep Munishi, e punova. Druni si dru, dul zani i shkëlqyshëm nji za i mirë, mirëpo druni si dru menojsha vetë me veti, osht’ tjetër materie. Fillova ta punoj prej baltës, ka qenë shumë qesharake ai fillimi jem se kurrë n’jetë s’kisha pa qysh punohet me baltë (buzëqeshë). Edhe, as për afër nuk mund ta formojsha, me i dhanë formë kurrësesi atij instrumenti. Derisa kontaktova me këta skulptorët edhe i pyta “Si bahet? Si…?”Edhe ata m’udhëzunë. Edhe gradualisht ia morra dorën edhe e punova prej baltës, edhe kisha pasë t’drejtë se zërin e ka tjetër, druri osht’ si dru tjetër materie. Dheu osht’ shumë ma i ngjeshur dhe del tjetër za.

Tash shumë interesant, fillimisht e kom marrë e qita n’buzë e gjeta zanin, nji za me t’vërtetë del kështu… na n’muzikë e qujmë za i rrumbullakët, za i plotë. Hapa nji vrimë, hapa edhe nji tjetër, po tash intervalet. Intervali kuart, edhe tercë e vogël që m’i bashku’ këta tre tinguj përniherë m’japin nji sekst akord na e thirrum, sekst akord osht’ ai. Apo thjeshtë me solimizu mi, la, do që i thojmë na.

Edhe tash menojsha vetëmeveti, çka ju ka shërby ky, a ka qenë noj instrument ritual, apo ka qenë noj lodër fmijësh, apo…? Mirëpo, kështu kur t’vrehet, pak me vërejtë pak ma gjatë, sheh pak si kokë njeriu, si kokë hyjneshe me atë mjekrrën, pak si ufo doket kësisoj. Edhe gradualisht t’u hulumtu’ ditë pas dite, e pash që ai nuk ka vetëm tre tinguj, po ka gjashtë tinguj t’shkëlqyshëm i jep. Edhe ato i jep minorin natyral edhe minorin harmonik, shkëlqyshëm. Normal që duhet me pasë ambazhurë, duhet me majtë pak ma shumë n’dorë, me ushtru’ pak ma shumë, në mënyrë që t’nxerrum tingullin e pastër. Pra, osht’ nji kohë kur para pesë mijë vjete osht’ punu ai instrument edhe me anë t’dy vrimave t’nxjerrë melodi t’shkëlqyshme, patjetër këtë instrument duhet me marrë edhe me studiu’ se osht’…. Gjithë bota thashë që jonë gjetë gjithkah, por jonë gjetë me tinguj të caktum. Ky duhet tingujt, duhet me i caktu’ vet tash (buzëqeshë) me anë t’shartimit t’tyne. Thjeshtë në mënyrë gjysë anej, gjysë knej dhe fitohet tingulli i shkëlqyshëm.

Për këtu, n’okarinë kom arritë ta punoj taman prej dheut me përmasa çfare m’i kanë dhanë arkeologët, sidomos Edi Shukriu. Kom problem me pjekjen e tyne, se duhet t’pjeket ajo në nantë qind gradë celcius. Edhe atë furrë nuk e kemi na ktu, kom hulumtu’ nëpër t’gjitha furrat e këtyne bukëpjekësve, nuk e arrijnë atë gradiacion. Kështu që për fat t’mirë e kom nji mik në tjegulltoren e Landovicës, atje… Naser quhet, e falemnderoj shumë bile. M’pret mirë, disa herë m’i pat kry ato pjekje, megjithëse po m’vjen keq shumë herë po e luti, po ai me kënaqësi po m’i pjekë. Pra me pjekje vetëm kom problem, ia kom marrë dorën, i punoj. Tretman t’mirë m’ka dhanë ministri i kalum, tash po thom ish-ministri (buzëqeshë) Memli [Krasniqi], me t’vërtetë e murrë edhe njerëzve meritorë kështu ju jipke dhuratë, njerëzve që me t’vërtetë ia dijnë vlerën kështu. Kurse ky tjetri nji here hala… hala s’ma ka cokatë, si thojnë, derën (qeshë).

{Ka instrumentin në duar dhe e përshkruan} Gjatësia e okarinës ilire osht’ tetë centimetra e gjatë, kurse këtu n’këtë pjesën ku osht’ ma e gjerë i ka gjashtë centimetra. I ka dy vrima, une e kom bo matjen tash shumë precize, e kom ba nji pikë këtu te buzorja, kjo thirret buzorja se këtu duhet t’i fryjmë.. buzët tona na takojnë. Deri te vrima… këta po e qujë vrima e parë {prek vrimën}, ka 4.4 domethonë 44 milimetra. Kurse kjo tjetra {prek vrimën tjetër} osht’ 42 milimetra, osht’ pakëz ma naltë. Kurse distanca n’mes t’dy vrimave osht’ 38 milimetra.

Kjo i ka dy vrima që do t’na jep tre tinguj. Këta janë tingujt origjinalë të okarinës ilire. {Luan në okarinë} Këta janë origjinalë, domethonë me këta tre tinguj noshta ritmikisht me marrë diçka bahet, n’bazë t’ritmit. Mirëpo melodi nuk mund t’zhvillojmë, vetëm po t’hapen. Po me shartimin e tyne, dalin melodi t’mira, sidomos t’melosit tonë burimor. Do t’provoj pak edhe këta. {Luan në okarinë} Ose nji melodi shumë e njoftun e melosit tonë burimor {vazhdon të luajë} Pra, këta janë këta tinguj që mund t’shartohen edhe mund t’nxjerren. Edhe mund t’i përcjellë shumë nga kangët e tona, sidomos ato burimore, sepse kanga popullore që osht’ në orkestër t’fabrikume, ajo osht’ shumë ma e zhvillume, ajo shumë here e kapë përtej oktavës. E kjo, e ka diku n’kuadër t’sekstit, n’kuadër t’gjashtë tingujve mund t’përthakon shumë, shumë kangë tona burimore. Nji instrument shumë i thjeshtë, po një tingull me t’vërtetë t’mirë, ka një tingull t’butë, nuk osht’ tingull i ashpër kështu… tingull i butë.

Pra, kjo osht’ ajo okarina që i dihet zanafilla. Bjen dikun në neolitin e mesëm pikërisht bjen në periudhën e Starçevit edhe simas arkeologës Edi Shukriut, vjen mu n’kohën kur edhe jonë punu’ hyjneshat qiellore. Bile n’fillim hyjneshat qiellore kishin qenë me format shumë t’vogël, më vonë kishin ardhë duke u rritur kështu për kah forma. Kurse ky instrument metet (qeshë)… po i vetmi instrument osht’ gjetë n’Orenik, edhe atë origjinalin mjerisht nuk e kemi. Po jom munu’ kështu me i dhanë sipas masave që m’i kanë dhonë edhe e kom punu’ t’dheut. Kjo osht’ ajo okarina.

Lufta

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarin për periudhën e luftës, si ai e kaloi atë.]

Shaqir Hoti: Lufta si luftë thash gjithmonë bjen gjana t’kqija. Kanë goditë njerëz, viktima ma e madhe pa e kompenzu’ osht’ viktima në njerëz, viktima në mall, viktima në trauma, ajo osht’ nji lloj viktime… Pra na, n’atë kohë gjatë luftës, domethonë para se me dalë prej shpijave, siç e dini edhe ju {i drejtohet intervistueseve}, e keni përjetu’ këtë t’fundit. N’këtë kohë… n’atë kohë ma ishum pa kurrëfar informimi se u nalën n’tona anët. Me nji radio aty-ktu mund t’depërtonim diçka diçka me ditë edhe nejse ma kur filloi edhe bombardimi i NATO-s, m’duket dy-tri ditë a katër ditë, s’di sa ka zgjatë, kjo… po menoj për këtë lagjen tonë veç jonë ardhë prej s’naltit disa milicë, nuk kanë policë. Kanë qenë të maskum t’gjithë edhe t’lymë ftyrës me bojë t’zezë ma. Qysh e kanë shpirtin, edhe ngjyrën qasisoj e kishin pasë. Edhe erdhën këtu n’shpi, o’ ardhë këtu njoni bash para derës, tha “Ili živi, ili mrtav, biraj!”,Tha ndaç je i mytun, n’dalsh del gjallë.

Manena u dashtë me dalë ashtu pa prekë kurgjo hiç n’këtë shpi. N’moment t’kishum ditë pak përpara, bile diçka për xhepa me marrë, po kemi dalë kësisoj. Tubimin n’rrugë qaty e kanë bo, nja gjysë ore na kanë nalë, edhe pak sikur shpresunë, dulën do fjalë kështu, “Jo do t’na kthejnë prapë n’shpi”. Pak u gzumë, jo more… na grahën aty e n’stacion t’trenit, atje e bonëm tanë ditën, kërkush nuk dinte, kush… nuk thonte kush sen. Dikur erdh nji tren n’ora tre e diçka t’masdites e u stërmushë, jo u mushë, po sa mujshin njerëzt me hy edhe nëpër derë edhe nëpër dritare. Kush s’un u afrohke aty te treni. Iki ai tren, dikur n’mes t’natës erdh treni tjetër. Tash na që metëm aty hypëm n’atë tren, bile e di fort mirë, i mrami kom ngelë n’qat drejtim që isha, n’qat far vagoni çka me i thonë… nëpër dritare, m’ndihmun do. N’atë far kupe që i thojnë t’trenit me siguri kanë qenë mi 50 vetë. Krejt njoni me tjetrin, gati frymë s’merrshe, apo thjeshtë me t’zanë gjumi lirisht mund t’flejshe se s’lijshin njerzt me u rrzu për toke.

Dhe qasisoj, dalë ngadalë, herë ecë e herë nalu, e ma shumë nalej se ecte, dikun n’ora shtatë kemi mrri n’Bllacë. N’Bllacë n’kufi me Maqedoninë. Aty kemi zbritë prej atij treni, kemi metë tash n’mes t’dy kufijve me nji… buzë aty… atij far lumit t’vogël, aty kemi metë ni javë, mund t’thom lirisht ni shekull. Për neve ishte nji shekull. E vërejshna, e kisha nji orë dore, e vërejshna se sekondari po lunte cak-cak, po ora kurrë nuk shkonte, qaty m’duket se ora s’po lëvizë hiç, aq shumë ishte e randë ajo kohë për neve. Edhe për fat t’keq na goditi edhe nji shi i imët, kurrë s’na u nda, edhe ftoftë.

Dikur mas dy-tre dite fillunë edhe do nihma prej shoqatave humanitare nga Maqedonia vinin, ata ishin shqiptarë që i kishin organizu’ ato nihma. Na binin do qebe, po ato shiu nuk mund ta mbronte, na shkurt, nji javë ditë aty e bonëm. Mas nji jave erdhën do autobusë, kumedit sa njerëz aty… me mijëra e di që jonë, po sa mijëra nuk e di sa kanë qenë. Veç shumë autobusë u mushën, disa kanë shku’ n’qat drejtim n’Shipëri kanë shku’. Ne kur u afrumë n’Strugë atje gati m’u drejtu’ për kufi kanë dalë njo dy djem t’rijë kanë hi atje n’tren… atje n’autobus edhe diçka me ata maqedonët u ngatërrunë bukur mirë me fjalë, këta thanë, “Patjetër venet ju kemi ba, kemi leje”, kumedit ka kanë marrë leje i nijsha ka pak kështu maqedonisht. Edhe tha, “Këta do t’i merr fshati,ata…Veleshta”. Edhe tre autobusa ishin, edhe tretë shkunë n’Veleshtë.

Pra na, atë periudhë e kemi kalu’ n’Veleshtë. Ata veleshtarët na pritën, normal, si me qenë gati vëllazër t’lindur me ta. Pritja ka qenë shumë, shumë, ma tepër se solidarë, shumë e mirë. Po, drejtë me thanë ai boshllaku shpirtnor, gjithmonë nisë temas, kudo që shkojshum, çfarë pritje, çfarë… Mirëpo, për neve ishte diçka unike, ni shprazti shpirtnore, çka do t’bahet me neve, qysh kanë kalu’ ata këtu tash që metën se na e nijtëm që nji pjesë sidomos Kodra e Dillit e ato metën n’Prishtinë. Kishum prej miqëve tanë, shokëve tanë plot atje, a do t’i gjajmë ata e… Pra, kjo ishte, sesa për shpija e dijshum se nuk do t’i gjamë ato shpija, do t’i kallin edhe kështu kalunë edhe ata tre mujë. Atje drejtë me thanë, nashta mund t’llogariten edhe tri vjet, a tridhetë vjet a se … nuk shkonte dita. Gjithmonë n’mendime se ku do t’na përplasë tash kjo far fortune.

Edhe tani u kthymë, drejtë me thanë, jo vetëm shpijën teme, po komplet këtë lagje këtu gati gjysë shpije e kemi gjetë. Kurgjo s’kemi gjetë n’shpi absolut hiç, edhe krejt me mobilje, me dyer, me t’gjitha t’thyme… Këtu ma t’shprazne, krejt i kishin marrë prej ktuhit [flet për puntorinë]. Unë asnji instrumet s’e kom gjetë. Flauta, e kom pasë t’sërmit [argjendit], ka qenë shumë e shtrejtë, nuk m’u ka dhimtë ma tepër se dy kavalla që e kanë pasë historinë e vet. Edhe instrumenti e ka historinë e vet, si thashë për këtë okarinën. Kjo e ka historinë e vet se po dihet, po i dihet zanafilla. Edhe ato e kisha shumë t’shejtë n’këtë laminë teme, e ato nuk e gjeta. Prej krejtve çka kanë marrë n’këtë shpi, ma shumti m’u ka dhimtë ata dy kavajtë. Pra kjo osht ajo, ajo…

Tani kur u kthymë prej aty, menonim që prapë do t’fillonim në radio me orkestër. Disa here u afrumë aty, s’ka gjo, edhe ma orkestra u rasformu’ ajo popullorja. Orkestra turke ka qenë n’kuadër t’radios, edhe ajo u transfromu’. Ka qenë edhe orkestra argëtuse n’atë kohë. Domethonë tri orkestra ka pasë radio, edhe disi u formu’ edhe mo metë qaty me qat orkestër. Ata… disa prej tyne metën n’qat orkestër, na tjerët kush kah ka mujtë (qeshë). Une t’drejtën me thonë jom marrë me qit aktivitet t’interpretimit. Kom interpretu’ te secili kangëtar që ka pasë, sidomos te popullorët. Dhe shihej, se disa prej tyne e dojnë melosin e vet, e dojnë instrumentin e vet.

Shembull pe marr Ilir Shaqirin, nuk ka instrument, lloje t’instrumentit që s’e ka futë në repertuarin e kangëve t’tijna. Edhe ato shumë interesant, duke fillu’ prej pipëzës, domethonë prej ni instrumenti ma t’thjeshtë që ekziston e deri te kavalli. Edhe n’kangët e tijna veçohet ajo, për qato edhe e veçova. N’kangët e tij u mundu’ që t’ju gjon vendin sa ma t’mirë mrena kangës. Jo vetëm n’përcjellje t’kangës, po e ka futë edhe mrena kangës, edhe ato e gjen te veni ma i mirë ku i përshtatet atij instrumenti. Pra, edhe kangëtarët tjerë e kanë përdorë. Jom i knaqun shumë edhe me t’rijtë se çdo ecë me kohën. Po edhe t’rijtë edhe pse nuk jom i atij zhanri, se drejtë me thanë, unë jom rritë me kangën popullore dhe burimore, edhe t’rijtë shumë e kanë marrë e kan futë në kangët e tyre këto instrumente.

Ëndrrat

[Pjesë e prerë nga video-intervista: intervistuesja e pyet të intervistuarin për ëndrrat që ai i kishte pasë si i ri, dhe se sa i ka mbërri ato.]

Shaqir Hoti: Drejtë me thonë, tash si i ri, i riu shumë here shëtitë nëpër ato andrrat e dëshirat e andrrës si me thanë andrrën n’shumë kahje. Po unë gjithmonë si i ri domethonë isha hala pa e kry shkollën e mesme edhe Shkollën e Lartë Profesionale n’Prizren, dhe gjithmonë m’ka shku’ menja të studioj vetëm instrumentin. Isha i përcaktum nuk e di pse, noshta prej fëminisë që thjeshtë i thithi truni jem këto tinguj, gjithmonë u munojsha ta studioj nji instrument. Po, kur erdha në radio këtu me flautë, po bisedoj me Rexhën, Rexho Mulliqin, pasi nji ai njo katër-pesë vite e ka udhëheqë orkestrën tonë. Edhe thashë kështu-kështu kah me ia majtë. Afër nuk kom diku ku muj t’studioj, duhet t’shkoj… Beogradi larg; n’Shkup nuk kish hala; n’Lublanë as mos t’flasum. Ai po m’thotë kështu “Une t’kom pasë nxanës, ke qenë nji ndër… n’harmoni mo ke qenë ma i miri, n’solfexho mo dihet, me nji vesh absolut e krejt. Ti e ki pasë venin për studime vetëm si kompozitor, n’komponim kishe mujtë, përndryshe n’instrument t’kisha thonë jo”. “Pse?” “Je me instrument gjithë ditën n’dorë, për çdo ditë e ki n’dorë. E çka je t’u ba? A nuk osht’ ky studim a? Prandaj sa i përket kësaj, jo. Po t’u kisha lutë…” se nji rast e ndjeu edhe ai mirë me kavall, “t’u kisha lutë instrumentet burimore kurrë mos m’i lanë anash. Ato gjithmonë t’i mbajsh afër veti”.

Ish i interesum ai me bo transkriptimin e valleve t’vjetra burimore. Edhe, tha, “Pe marr inçizimin e njonës, ose dy valleve edhe p’i kqyri n’shpi”. I ka marrë n’shpi, i ka dëgju’, erdh. Kemi punu’ n’Veternik n’atë kohë, n’studio, e kemi pasë n’Veternik naltë atje. Atje tha, “A di çka? Ti duhesh me ba transkriptimin e atyne valleve. Ti je ai”, tha, “që i ke lujtë këto valle, ti i din shumë ma mirë se sa une. Edhe për soflezh na t’kemi pasë model”, nejse ma, tha, “provo” tha, ma dha edhe vallen, tha, “transkripto qito e ta shohum”. Erdha n’shpi, pe transkriptoj, aty ku ish TR, tri lerë, domethonë po i shkruj shejat muzikore. Edhe i’a çova, e murrë pe kqyrë, “Jo! Për qito edhe une i boj”, “E çka me ba?”, “Veç me 32-she duhet me punu’”. Tani e morra atë valle prapë, bukur pak ma vështirë po e punova e çova, “Une”, thashë “s’jom i knaqun”.“Pse?”“Për lexim koka shumë ma i zorrshëm”. “Le ta lexon kush osht i zoti” (qeshë). “Ti,” tha “bone transkriptimin kësisoj”.

Edhe metë qashtu, nji kohë t’gjatë s’e përmenëm atë punë. Tani pas… nuk ka shumë katër-pesë vite m’u ka kujtu’ edhe ajo, i kom hi tash edhe valleve t’vjetra burimore edhe i kom transkriptu’. Kom transkriptu’ vetëm vallet e vjetra që i kom gjetë une. Veç, kurse ato autoriale, ato që jonë t’mijat i kom nda veç për kavall, për fyll shoke edhe për bishnica. Kurse këto tjerat që i thashë ma përpara, fylli i drejtë e fylli sqepor që i ka, nuk jom fort i interesum me ba transkriptimin se ajo o’ shumë e përhapun n’krejt botën, edhe nuk jonë krejt… nuk ka valle t’posaçme n’to. Kurse këto jonë pak si instrumente t’veçuara. Për këto e kom bo transkriptimin, noshta noj here e gjon edhe e shohin edhe ato dritën e vet. Noshta duhet m’i botu’ diku. Kryesorja i kom t’gatshme (buzëqeshë).

Download PDF