Rikuptimësimi i Post-pesimistëve

Nga Labinot Hoxha


Në këtë tregim Labinot Hoxha, sot pjesë e konvojit diplomatik në ambasadën e Kosovës në Bruksel, i kujton “Post-pesimistët”. Labinoti ka qenë gjenerata e tretë e “Post-pesimistëve”, ai u bë pjesë e saj pas luftës, në një moment të ri për këtë organizatë kulturore për të rinj.

Për “Post-pesimistët” më së pari kam dëgju përmes shoqeve e shokëve në shkollën e mesme “Xhevedet Doda”, ku edhe ka qenë anëtarësia më e madhe e organizatës. Në atë kohë kur aktivitetet kryesore jashtëshkollore kanë pasë të bëjnë me sport, eventualisht muzikë ose diçka që ka pasë të bëjë me “kompjutera”, e në të cilat nuk kam pasë ndonjë interesim shumë të madh, kur kam ndëgju për këtë organizatë kaq të jozakonshme më ka ngjallë menjëherë kurreshtje.

Jo shumë kohë më vonë një nga miqtë e mi të mirë, Atdhe Mulla, që ka qenë atëherë anëtar i “Post-pesimistëve” më ka ftu për me i ndihmu me një projekt të vogël, i cili ka qenë një mural me një porosi të promovimit të të drejtave të fëmijëve në pallatin e rinisë dhe sportit në Prishtinë.  Prej aty kam njoftu anëtarë tjerë dhe më kujtohet se kam fillu me marrë pjesë fillimisht në aktivitete dhe eventualisht kam fillu njëfarë kandidature të anëtarësimit gjatë të cilës është dashtë me i bindë antarët për një votë për anëtarësim.

Pritjet kanë qenë me e dëshmu gjatë një periudhe disamujore që mundesh me konceptu dhe me shkru projekte, me bë ngritje të fondeve, dhe me kontribu në mbarëvajtje të organizatës. Kjo e fundit ka përfshi prej pjesëmarrjes në takime e diskutime të ndryshëm që i kemi pasë në agjendë deri të detyrat e ndryshme të mirëmbajtjes së zyrës, paisjeve etj.

Të jem i sinqertë, jo gjithçka që kemi synu është realizu, por janë bë punë të mira. Disa prej aktiviteteve që m’kujtohen ka qenë  publikimi i revistës, organizimi i fushatave të ndryshme, ekspozita, diskutime, radio program “Pospes on Air”, një film “Ndoshta vetëm një keqkuptim” që ka qenë projekt i përbashkët me Agon Maliqin, etj. Gjithashtu më duhet me thënë se jo gjithçka që kemi bë aty ka qenë punë. Kemi qenë një grup shumë i ngushtë dhe së bashku kemi kriju një shoqëri shumë të ngushtë, që vazhdon me qenë e fuqishme deri sot. Disa prej shokëve dhe shoqeve më të ngushta i kemi bë aty.

Për gjeneratën time, pra që jemi bashkangjitë rreth vitit 1999, dhe që kemi vazhdu deri diku në 2002, “Post-pesimistat” definitivisht nuk kanë qenë një organizatë që ne e kemi kriju, por një organizatë që iu jemi bashku dhe ngadalë e kemi bë tonën në kuptimin e drejtimit të angazhimit.

Secili anëtar ka sjellë diçka të re në organizatë dhe ashtu e ka ndryshuar pak, por gjenerata jonë kemi qenë në një kontekst të ri të pasluftës dhe të lirisë.  Edhe pse struktura, ndarja në vija të trasha në klube të gazetarisë, artit, dhe angazhimit social, pastaj edhe metodat e punës e angazhimit e kanë ndjekë një model paraprak, konteksti, bota në të cilën kemi operu dhe me të edhe problemet dhe çështjet të cilat i kemi pa si të randësishme e më të cilat jemi marrë ka qenë shumë e ndryshme prej asaj që kanë bë gjeneratat e mëparshme.

Deri sa theksi i punës së organizatës më herët duket të ketë qenë në krijimin e urave dhe tejkalimin e kufijve mes të rinjëve në një konteskt të luftave të viteve ‘90, në kohën tonë  nuk mundem me thënë se ky ka qenë angazhimi kryesor. E kam përshtypjen se ne jemi përqëndru më shumë çështjet tona të rinisë në Kosovë, dhe aty ku jemi angazhu për lidhje të urave dhe tejkalimit të kufijve në mendje e kemi pasë  të gjithë botën, dhe jo vetëm rajonin.

Gjithashtu, anëtarë nga gjeneratat e mëhershme shpesh e kanë theksu që “Post-pesimistat” kanë qenë organizata e vetme joqeveritare e rinisë në vend, dhe e dyta vetëm pas “Nënës Terezë”. Kurse ne kemi qenë pjesë e këtij sektori ku për një kohë të shkurtër janë krijuar me mijëra OJQ prej më të llojllojshmeve. Diçka tjetër që ka ndiku ne vetë organizatën, dhe në sektorin e OJQ-ve, gjithashtu ka qenë edhe fakti që në Kosovën e pasluftës  e kemi pasë një valë të donatorëve. Pra kjo ka bë që në një mënyrë të mos ndjejmë ndonjë përgjegjësi të jashtëzakonshme si organizata e vetme, por edhe nuk jemi varë nga një donator i vetëm për të realizu idetë e ndryshme që i kemi pasë.

Nuk jam krejtësisht i sigurt pse nuk ka vazhduar më tej, por besoj se ka të bëjë me këtë ndryshim të kontekstit në të cilin organizata ka ekzistu.