Urban Memoryscapes është projekt ndërdisiplinar i realizuar në bashkëpunim mes Fondacionit Lumbardhi dhe Iniciativës për Histori Gojore. Projekti përfshin hulutmimin, arkivimin dhe ekspozimin me fokus në historinë shoqërore, kulturore dhe ekonomike të Prizrenit në pjesën e dytë të shekullit XX.

Përmes këtij projekti, dhjetë pjesëmarrës do të fitojnë aftësi për ta dokumentuar të kaluarën dhe të ndërveprojnë me të dhënat e mbledhura për ta formuar një arkiv digjital, një ekspozitë online dhe offline, një publikim dhe mbi të gjitha njohuri për komunitetet e tyre, duke qenë të përfshirë në një proces të të mësuarit rreth një periudhe kritike që ka qenë formative për identitetin kulturor dhe urban të qytetit të Prizrenit dhe banorëve të tij.

Ky projekt është mundësuar me mbështetjen e Fondit Kulturor Franko-Gjerman dhe ambasadës Franceze dhe Gjermane.

Hadije Gështenja

Përkthyese

Ka fillu me shfaqjen e filmave nëpër Kosovë, pastaj mas një kohe para luftës ka shku edhe në Shqipni atëherë se Italianët kanë qenë, kanë pasë kinematë atherë në Tiranë. […] Qaq kanë kqyrë filma të rinjtë, qaq. Jo vetëm të rinjtë po edhe të vjetrit. Tregonte baba për një shok të tij, hynte në ora 4, dilke, prap hyjke në ora 6, prap dilke hyjke në ora 8. I kqyrke tre filma në ditë. […] Tani kur u rrita, kanë qenë ato fletushkat, përmbajtjet e filmave, mi jepke baba, edhe i kqyrsha ato, lexojsha edhe propozojsha cilat me i zgjedhë. Kam dijtë shumë për filmat, edhe për artistat, edhe për regjisorët, edhe për tematikat.

Rexhep Hasani

Jurist

Në Prizren vendosa me nejtë se m’pëlqei ma s’shumti, fëmija u adaptun ma së shumti në Prizren këtu. Se prej ‘66-tës që kom ardhë këtu, tanë këtu nxunë shoqni, shokë e shoqe, u adaptun. Po edhe unë u adaptova. […]. Në Gilan, unë thashë, në Gilan kom kalu shumë mirë edhe këtu pata shokët e mi, me shku në Prishtinë tash, tan’ Kosova është aty, aty është Podujeva, Drenasi, Peja e Gjakova, tanë jonë, krejt Kosova është aty në Prishtinë, po këtu më pëlqei ma s’shumëti, nxuna shoqni ma të afërt edhe atëherë, edhe tash i kom […]

Me thanë të drejtën, jeta në Prizren nuk ka ndryshu shumë, me përjashtim si jeta tash është pak ma e gjallë, jeta e natës po menoj o’ ma e gjallë, se s’ka far ndryshimi. […] Na e kem pasë, Prizreni u kanë vetëm nji korzë, lokale s’ka pasë sikur tash, u kanë korza në shadërvan, po tanaj dul në këtë pjesën kah Marashi […] e prej urës së gurit, urës së hekrit […] atje u kanë korza, prej urës së gurit deri aty. U formu dikur, se nuk u kanë, u kanë në shadërvan. Po shumë mirë u kanë, jeta u kanë e gjallë […] S’ka pasë natë që nuk delshim, veç nëse jena kanë në detyrë a diçka […] nëpër kafe jo shumë, po pak korzë, ecshim.

Xheladin Kastrati

Violinist

Nuk e kam ditë që hymni i Kroacisë është në shqip. Këtë libër {tregon kah libri}… kangë e ka bo Kol Pjetër Shiroka e ka përkthy prej kroatishtës në shqip, ai libër ekziston edhe sot e asaj dite. Une e kam marrë atë kangë se është katër zanëshe. Une e kam ekzekutu nuk e kom ditë, kur e pash populli u çu në komë, nuk e morra vesh pse u çun në komë dikush ka ardh te une edhe m’ka prek për pantolltë t’u më thonë, ‘Edhe njëherë ju lutem’. T’u kajt, publiku t’u kajt, ‘Edhe njëherë aman edhe njëherë!’ E mora vesh se është hymni i Kroacisë, ‘O Atdhe i im i dashtun’ e ka emnin kanga.

Vait Krasniqi

Mësimdhënës

Për shembull, në vitin…n’qoftëse kthehemi ma mbrapa, në vitin ‘81, kanë qenë pikërisht në familjen time, për arsye se në atë periudhe kam qenë student, e përmenda që të gjithë kemi qenë pjesëmarrës të demonstratave, të shkrimit të parrollave, e kështu me rradhë, edhe.. u shkrujshin në atë kohë disa parrolla, ata i thojshin kundër-revolucionare, që u shkrujke parrolla ‘Kosova Republikë’, edhe kështu që kanë ardhë në fshat aty, kanë kontrollu disa shtëpi, të cilat i kanë pasë djemtë apo vajzat e tyre në shkollë, pavaresisht a kanë qenë studente apo të shkollës së mesme, kanë qenë në shtëpinë time, kanë ba bastistje, edhe.. une s’kam qenë në atë periudhë, kam qenë në Prishtinë, në fakultet, për shkak që s’kam qenë une, e kanë marrë vllaun tim, pa kurrfarë faji, dhe e kane burgosë dy muj ditë burg. E kështu që një periudhë të gjatë une nuk kom ardhë prej Prishtinës, kur kom ardhë prej Prishtines, domethanë pas tre mujve kështu, atëhere me siguri dikush i ka paralajmëruar, nuk e di tani, mandej edhe mu më kanë marrë dhe unë dy muj kom qëndru në burg, domethënë, per shkak se… vetëm pse ke qenë student… a ke qenë pjesëmarrës në demonstrata, a ke shkru parrolla, çka po kërkoni, tek po kërkoni, t’gjitha ato mundime, domethanë malltretime.

Shefqet Rexhepi

Ish nëpunës në fabrikën Printeks

Ne si punëtor e kemi çu mirë jashtëzakonisht, ka pasë kombësi të ndryshme, shqiptarë, ka pasë turq, ka pasë serbë, por jemi konë si familje, nuk kemi pasë dyshime aty çka me bo […] Shëndetësia ka qenë në nivel, kemi pasë dentistin aty, do të thotë jemi konë komplet. Si me thonë, jemi konë shtet, qysh i takon shtetit qashtu jemi konë edhe na, i kemi pasë krejt në ‘Printeks’.

Marrëdhëniet me administratë i kem pasë mirë, aty ligji ka qenë, ligji ka qenë. Prej punëtorit ma të thjeshtë deri te instancat ma të larta ka qenë një ligj për të gjithë. Ish sindikata e Jugosllavisë e ka pasë që punëtori mos me u anku për kurgjo. Edhe çka kanë lyp puntorët u bo, çka kanë pasë nevojë.

Indira Çipa

Pianiste

Ndërsa këtë aktivitetin në ‘Agimi’ unë e trajtoj sikur… sikur një dhuratë për kombin diçka që është shpirtërore dhe që është ndoshta kashta e fundit për të cilën unë jam kapë, jo vetëm unë por edhe të tjerët. Është një dhuratë edhe për kombin, një dhuratë për qytetin, por është një përfitim shumë i madh se unë kam marrë shumë dashuri prej atij aktiviteti, unë kam marrë shumë lavde prej atyne aktiviteteve. Unë jam shumë e sigurtë që njerëzit janë të vetëdijshëm që unë, unë e kam dhanë shpirtin për një ngjarje të tillë dhe jo vetëm unë. Unë kam qenë aty pse të gjithë të tjerët kanë qenë aty. Ne të gjithë e kemi deshtë atë punë, ne të gjithë e kemi deshtë atë aktivitet. Nuk muj me thanë që njëra ka ndiku në tjetrën, por muj me thanë që asnjëra pa tjetrën s’ka mund të bëjë. ‘Agimi’ është Indira njeri, piano është Indira profesion edhe pse… si brenda njërës si brenda tjetrës… nuk ka art pa ia dhanë zemrën.

Zijadin (Ziko) Vardar

Projeksionist

Kur fillova me punu në 1954, ata kqyrshin filma të kaubojëve. Ato kanë qenë të popullarizume, filmat e kaubojëve, e ndërkohë filluan filmat indian [amerikanët aborigjin], në vitet e ‘60-ta filluan filmat Indian. E mandej filloi populli me ardhë në kinema. Mandej ka pasë filma serik që kanë ardhë, kaubojë italianë. Kanë zgjatë 45 minuta, po u mbushke salla, 11 serija në 45 minuta. Ka pasë përfitim prej tyne, edhe prej filmave të kaubojëve. Ma së shumti kur lujke John Wayne, Tony Curtis edhe njo tjetër i famshëm, kur lujshin ata u mbushke salla, shumë u bojke tollovi. Mandej fillun filmat romantik, e aty vijshin ma të shkollumit. E kto filmat me kauboja gjithë i kqyrshin të rinjtë, eh ‘bam bum, bam bum’ mandej fitojshin gangsterët edhe kta apllaudojshin.