POSTPESIMISTËT

nga Leonora Shiroka Gashi

Leonora Shiroka Gashi iu bashkua Post-pesimistëve në moshë të re. Në këtë rrëfim, ajo e kujton këtë organizatë rinore si oazë shprese për rininë e Prishtinës në kohëra të izolimit. Aktualisht, zonja Shiroka Gashi punon si këshilltare e psikologjisë organizative dhe jeton me familjen në New York.

Në kohën kur si popullatë kalonim nëpër një kllapi ekzistenciale, e sidomos si të rinjë me shumë pak hapësirë për ta hulumtu veten e potencialet tona, “Post-pesimistet” krijoi një botë të posaçme për të gjetë veten e për të tejkaluar çfarëdo vështirësie përkitazi me situatën e rëndë në vend.

Iu bashkangjita organizatës në moshën 14 vjeçare, me 16 vjet u zgjodha kryetare e saj, që nënkuptonte personin i cili merrej me strukturimin e takimeve dhe projekteve. Si fëmijë pjesëmarrës në atë organizatë, kemi pasë jetën sadopak të strukturuar me vetë faktin që çdo javë kishim takime ku vendosej për projekte e vazhdimësi të aktiviteteve. Shpesh kishim edhe udhëtime nëpër konferenca e workshops [punëtori] me tema të ndryshme nëpër vende të ndryshme rajonale. E tani mund ta paramendoni se çfarë ndjesie ka qenë për ne, mundësia për ta zgjeruar mendjen e për ta ngritur ndjenjën e përkatësisë në diçka më të madhe se vetja. Për këtë e shumëçka tjetër, do doja t’i falenderohesha koordinatores së organizatës në atë kohë, Znj. Violeta Selimi, e cila në vazhdimësi na ka përkrahur e na ka nxitur për të besuar në veten dhe në aftësitë tona.

Fakti që ne ishim një prej pikave që vizitohej më së shumti prej organeve qeveritare e joqeveritare ndërkombëtare, mediave e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, na bënte të ndihemi pjesë gati si e domosdoshme e shoqërisë sonë në atë kohë. Këtu po i referohem kryesisht vitit 1998. Takimet me përfaqesues ndërkombëtar gjthmonë kanë përfundu me magjepsje nga ana e tyre për guximin, dëshirën e përkushtimin. I kam pak sa të ngulitura në kokë ato shprehjet e fytyrës së njerëzve që dëgjonin me shumë kujdes e kishin një lloj adhurimi për energjinë tonë e mënyrën se si e menaxhonim atë energji, duke e marrë paraysh gjendjen politike.  Qoftë gazeta që botohej çdo muaj, edhepse për një kohë ka pasë edhe ndërprerje, qoftë ekspozitat, koncertet, fushatat e ndryshme vetëdijësuese, gjithçka dukej inspiruese për ta. Në një mënyrë ishim të them si “atraksion turistik” për këdo që vinte nga jashtë me qëllim informimi.

Me “Post-Pesimistët” jo vetëm që jeta ime personalisht ka qenë ma e strukturume e me qëllim të kjartë, por edhe takimet te cilat janë zhvillu si në zyret tona apo në vendet të ndryshme të rajonit të kanë ba me qenë ma empatik e ma i hapun rreth përjetimeve të tjerëve pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

Më kujtohet në verën e ‘98-tës, në kohën kur Drenica veç digjej, disa nga ne ishim pjesë e një punëtorie për të drejtat e fëmijëve, ku kishte pjesëtarë prej disa vendeve të rajonit. Aty për herë të parë u vetëdijësova për frikën që e ndjenin edhe përfaqësuesit serb të Kosovës. Në të njëjtën kohë nuk e humbnim asnjë shansë për ta paraqitur situatën politike si ngulfatëse e shumë të rrezikshme për jetën dhe mirëqenien tonë.

Për shumë nga ne ka qenë përvojë pasuruese pjesëmarrja në nji organizatë të tille, sepse gjithçka që ishin “Post-Pesimistët” e kishim ndërtuar vetë ne, me sinqeritetin e të rinjëve, me entuziazëm e dashni. Pjesëtarët e organizatës vinin nga prapavija të ndryshme të shoqërisë, ndoshta edhe jo aq laramane, për faktin se aty kyçeshin në bazë të referencave e kjo bënte që të kuptoheshin më mirë pozicionet dhe nevojat e secilit prej nesh.

Organizata ka qenë e përkrahur financiarisht nga një OJQ norvegjeze. Me të eskaluarit e situatës politike në Kosovë edhe kërkesat e tyre ndryshuan. Në mënyrë që të përkraheshim më tutje prej tyre, kushti ishte që të hapim dyert për grupin e posaçëm të të rinjve serbë, edhepse përfaqësuesit serbë u patën tërhequr nga organizata ca vite më parë pa asnjë shpjegim. Kjo do të thotë se qysh në moshë të re e kemi kuptu që për të bërë diçka produktive e pozitive, na duhej të ishim fleksibil e diplomatik edhepse emocionalisht nuk ishim në atë pozitë.

Ajo zyrë simpatike e plot shpirt adoleshentësh, për shumë prej nesh ka përfaqësu edhe maskimin e realitetit shkatërrues, me faktin që aty arrinim të krijonim nëpërmes projekteve e të njoftoheshim me ndryshimet botërore nëpërmes internetit, që për shumë nga ne në atë kohë ka qenë luks.

Projekti ynë i fundit para bombardimeve të vitit 1999, u shpërblye nga Kombet e Bashkuara për “Social Activism”, projekt i realizuar në hapësirat e zyrës sonë me fëmijët e zhvendosur nga zonat e luftës, më saktësisht nga Drenica, me fokus në përpunimin e traumave, ngritjes së vetëbesimit të tyre e zhvillimit të aftësive të ndryshme.

Projekti i parë pas luftës në verën e vitit 1999 u organizua me qëllim të kyçjes së fëmijëve e të rinjëve dhe vetëdijësimit të tyre mbi kujdesin ndaj vendit, ku në mënyrë simbolike organizuam pastrimin, dekorimin e ngjyrosjen e hapësirës së ish kompleksit “Boro e Ramizi”, tash Pallati i Rinisë “Adem Jashari”. Ka pasur edhe disa projekte të vogla në atë kohë, mirëpo pasiqë nuk kishim vazhdimisht përkrahje financiare, energjia e grupit ra e me të edhe unë u tërhoqa nga veprimet në organizatë.

Kur të rinjëve iu ipet mundësia të shohin që kanë diçka në dorë e iu pranohet besimi në aftësitë e veprimet e tyre gjithmonë me ndihmë nga të rriturit gjëra domethënëse mund të ndodhin.

“Post-pesimistët” kanë vazhduar edhe më tutje për disa vite por nuk kam informata në lidhje me aktivitetet përgjatë asaj kohe.