Nita Salihu Hoxha

Prishtinë | Date: 8 shkurt, 2018 | Duration: 16 minuta

Nita Salihu Hoxha (1984), dizajnere grafike, Prishtinë


Aurela Kadriu (Intervistuesja), Donjetë Berisha (Kamera)

Nita Salihu Hoxha

Nita Salihu Hoxha: Nita Salihu, e lindun më 1984, dizajnere grafike.

Aurela Kadriu: A e mban në mend kur ke ni për herë të parë ose kur e ke kuptu për herë të parë që Kosova ka me e shpallë pavarësinë?

Nita Salihu Hoxha: Pak a shumë na çdo vit, se prej 2005-tës, 2005-tës, po, në fakt prej 2004 deri 2009 kom qenë pjesë e “Karrotës” edhe pak a shumë e kena pasë çdo vit me dalë, “Hajde çka po bojmë diçka interesant për veti, a din me çfarë promo po i bojmë veti?” Se kur je agjension kreativ, nuk është që duhesh me bo nji megalight një billboard a din me qitë veten on your face në mënyrë komerciale, po duhesh përmes formave tjera, me shtypë nji laps, me ua çu njerëzve. Me tregu, “E kom bo qet’ punë”, me bo naj punë të mirë për naj galeri, a din, diçka artistike që na me u fry. Edhe ajo pjesë e mirë është kur e ki ti me bo nji punë kreative për nji klient, po ish puna që, “Hajde edhe diçka promo vetit”.

Edhe çka patëm bo na qat’ vit? Dulëm, jemi çu, janar ka qenë, mesi i janarit, a nashta fundi i janarit se diqysh gjithmonë janari o konë, menxi u kfillshim edhe qato për me na e çelë trunin bojshim brainstorming, “Hajde po mbledhëm edhe po dalim me nji koncept”. Në qat’ kohë zyrën e kena pasë te “Sami Frashëri” ajo rruga me kalldrëm teposhtë, edhe në anën e djathtë meniherë ka qenë zyrja jonë, që nëse vazhdon ma poshtë është kjo “Stacioni” galeria, edhe Muzeu Etnologjik, e në anën tjetër është pazari.

Edhe na zakonisht krejt takimet i kena majtë në kuzhinë. A din, kuzhina u kanë në katin e dytë, zyrën e kena pasë krejt të hapun. Edhe në qat’ kuzhinën e vogël na u mledhshim krejt, u shtrijshim pak, u stabilizojshim, kështu me mendu diçka interesant. Edhe Shkenca, lead e kena pasë, udhëheqëse në ekipin kreativ. Edhe ajo ia nisi me shkrujtë: Marsi, 8 marsi. Edhe tha, “Hej more”, tha, “m’doket në shkurt ka me u shpallë pavarësia”. Hala s’u dike data saktë, veç e dishim që shkurt. Tha, “M’ka thanë baba”, a dikush i kish tregu. Edhe e shkrujti: Shkurti. Po s’e dishim datën, “Uuu, hajde…” i rrëzum krejt këto idetë tjera, “Hajde po menojmë për shkurt për pavarësi, qysh ksi”, krejt u emocionum, “Ooo pavarësia”. A din, thu ti i bonëm 18 vjet e po na thojnë prindët, “Dilni në banesë t’jujën se jeni rritë, boll mo!”

Edhe ia nisëm na tash shumë të emocionum e sene, çka po menojmë e sene. Edhe ia nisëm me menu, “Hajde emër, çka, a t’ia lojmë nji emër me pasë forcë a din pak a shumë”. Edhe Jetoni, Jeton Morina ka qenë nji djalë, ai si art director në atë kohë, pat ardhë prej Zelandës në qat’, m’doket nji vit ma herët pat’ ardhë prej Zelandës edhe interesant, edhe ai dul me emrin Newborn, i sapolindun, New Life, a p’e din, nji jetë e re, hajde si Newborn. Nashta mbas disa emrave, s’po më kujtohet bash saktë sa ka qenë ai procesi me mendu emrin, po e maj në mend që në qat’ kuzhinën, njo të vogël, qaty me kauqa, fotele qysh e kena pasë. Qaty kështu, “U Newborn, Newborn”.

Edhe tash qaty ia nisëm me menu rreth emrit. Edhe tash dikush thojke, “U me dalë”, e maj në men, tylifar koncepti, banale pak a p’e din ashtu, “Jo me cuclla, me shkepë cuclla”. Po në anën tjetër ish, “Qysh cuclla?” A din kështu nënçmim, nji burrë me plis e me nji cucëll në gojë. “Jo, me maica. Jo, bojmë postera”, a din ka pasë tash, në brainstorming s’bon me ia bo bajat kërkujt. Po në anën tjetër unë kisha nji asi prapavije se do vjet ma herët kom qenë pjesë e Missing Identity, nji projekti tjetër.  Edhe unë gjithmonë kom kqyrë sene me bo skulptura të mëdhaja, a p’e din ashtu me bo diçka me beton, a din më pëlqen qajo kohë, me bo diçka ma brutale. A din ashtu me kapë, me bo diçka ma të madhe.

Në qat’ kohë gjithmonë na ka ardhë inati qysh na përshkrujnë mediat, në qat’ kohë qysh na kanë përshkru, gjithmonë u kanë pamja te pazari domethanë në anën e majtë të zyrës tonë, pazari, do burra me plisa, do gra me shamia, si të varfën, si gjynaha, krejt do pleq. T’u u kanë që na si shtet me rininë ma të madhe a p’e din, me numrin ma të madh të rinisë, na krejt view, krejt na shihshin, “A po, Kosova, pazari, do molla, dardha, qaty, a din, qaty jena edhe na”. Edhe unë thojsha vetmeveti thojsha, “Është mirë me menu diçka që me dalë në televizor”. A din, on your face edhe diçka moderne e sene.

Edhe në qat’ kohë një prej ideve të mia që e pata thonë, “Me bo diçka të madhe, nashta me bo Newborn prej betonit”. Po tash a din, “Ooo po, me dalë në televizor, në BBC”. Edhe mandej ia nisën, “Uaa, super”. Tash me strukturu qat’ koncept, a p’e din. Tha Fisi [Fisnik Ismaili] tha, “U po fontin”, Shkenca u kanë qajo si lead, e patëm bo si identitet tonin, body type e përdorshim Din-in, fontin Din. Tha, “U me përdorë qato”, e sene. Pse ishim, e patëm marrë emrin e Ogilvy, Karrota, David Ogilvy Advertising ma e madhja në botë në atë kohë, edhe pse e përdorshim qat’ emrin, na ngjyrën e kuqe e kena pasë në krejt senet. Edhe zyren krejt kuq e kemi pasë. A din, krejt branding, kuq, kuq, me quotes [citate] të David Ogilvy e sene, pak a shumë pat’ metë veç simboli i karrotës, lepuroshi që na majke pak ajo para, para se m’u bo t’hujë. Edhe qaty pak a shumë ia nisëm, e tash me materializu konceptin. Fisi tha, “P’e bojmë nashta metal”. Domethonë mandej ia nisën idetë qysh me materializu, se beton ish problem, qysh me bo? Dikah statike mbetet, qysh m’u bajtë? Qysh m’u maru? E ku veni? A din, shumë sene. Edhe hajde tash ta zhvillojmë…

Edhe harrova me thanë ma herët na kur jena mledhë brainstorming, s’ka pasë me thanë, “Ti je accountant, ti s’vjen. Veç na jena kreativa kush është dizajner”. Aty ka qenë edhe ndihmësja e zyrës që ka pastru, aty ka qenë accountant, financieri, krejt zyrja. S’ka pasë aty me thanë, “Jo, ti. Mshele derën!”  A p’e din, kush ka kalu u kanë edhe ma mirë, se prej perspektivave tjera. Plus ish puna që je t’u bo diçka për pavarësi që ishim shumë hyped. Në fakt as nuk e dishim datën, as s’e dishim çka domethonë fort, a din. Pak a shumë u kanë njifarë sekreti a din, “Pse p’e majnë sekret datën?” A mos m’u qaraveshë populli, a mos me bo t’madhe, diqysh, “Hajt ta shtijmë qaty le t’bohet e mos ta mer vesh kërkush”, a din, u bo njifarë asi që shumë dojshim me bërtitë qajo. Edhe mandej domethonë Fisi tha, “U e di, njoh kësi edhe na p’e bojmë domethonë të metalit. Po shkojmë me metal. Veç ta gjejmë tash kompaninë, kush bon e a bon, sa e qysh?”

Edhe mandej mbërrimë te qajo pjesa ku thamë, “P’e bojmë të kuqe, edhe po ia nisëm me bo projektin”. A din, me shkrujtë sene. Edhe ia nisi Fisi me shkrujtë, ai shkrun shumë mirë, ia nisi me shkrujtë projektin e sene me dorëzu në kryeministri e me kqyrë a din, për fonde. Edhe nejse e gjetëm kompaninë, qat’ si me thonë që meren veç me hekër, e ka pasë emrin nëse s’gaboj, diçka është mbiemri, mbiemri i qatij personit që u marrë me hekër. Domethonë ata familjarisht u mershin, diçka “Asllani” e ka pasë emrin, “Asllani”, nëse s’gaboj. Edhe mandej ai pak a shumë u marrë me pjesën a din e, se ata i kanë pasë asi maqineri që e kanë pasë me milimetra a din qysh me realizu, pak a shumë ka qenë krejt llaser, a din s’ia ka hupë formën shkronjës, si me thanë, “Ah, po se do shkronja”, po taman e ka bo perfekt. Edhe ata fillun domethanë jo buxhete sene, me bo buxhetin, projektin me shkrujtë edhe e dorëzojnë. Edhe veç na vjen ajo konfirmimi që ata po dojnë me na ndihmu me bo, po është puna që ngjyrën jo të kuqe po të verdhë ose të kaltër, a din, puna m’u përshtatë.

Në atë kohë na s’e dishim prapavijën a din, çka, pse? Edhe mandej dulëm me qato që Newborn-in me bo të verdhë edhe pak a shumë pritshim në çdo moment me ia fillu procesin edhe meniherë domethanë kur na thanë ata. Edhepse në qat’ kohë Fisi qaq u fry ashtu, “Ha po bojmë, po bojmë”. Pak a shumë, ai ia nisi me u marrë pak ma i përkushtum. Na tjerët vyjshim me majtë edhe zyrën, se ekipi u kanë shumë i madh. Kaniherë unë prekna kur e shoh që edhe Fisi ia ka hupë pak vlerën, “Po shumë shpejt kena dalë me ide, e kena shkrujtë Newborn, e kena bo fontin DIN, edhe e kena çu në realizim”. A din, jo, nuk është bash lehtë, se ty po të vynë njifarë prapavije n’kry a din me dalë. S’është që ksi… po, po ia hekë vlerën qasaj që qysh kena dalë, çka kena menu e qysh jena konë ton’ për me bo diçka a din, nuk është ashtu me thanë. Po pjesa ma e mirë është që ai tha, “Na po e realizojmë, edhe nëse s’na jepin ata pare kërkush me na ndihmu, unë p’e shes kerrin tem” që e pat ble qat’ vit, “Passat” e ka pasë diçka nji kerr ma të madh që në atë kohë ka mujtë me shitë edhe përnime e kishim bo.

Po mandej ana tjetër e mirë ke që na përkrahën edhe me bo, po prapë s’dishim as datë, nuk dishim as orë as kurgjo. Po domethonë jonë kanë njimbëdhjetë ditë intensive për me u realizu krejt, çka jena t’u folë? Jena t’u folë mrenda njimbëdhjetë ditëve me u realizu jo plus mandej materiali që jonë kanë, se kjo Newborn-i 24 metra i gjatë, edhe nji shkronjë nji ton, edhepse thuhet që W-ja u kanë tre ton. U konë puna që edhe kjo kompania që e ka realizu pak a shumë, realizimin që e kanë bo të shkronjave të metalit kanë pasë stres, “Çka nëse hypin njerëz?” U dashtë me testu. E kanë testu shtatëdhjetë veta me hypë në shkronjë, me ngrehë që a rrëzohet, a s’rrëzohet? Edhe na në fakt nuk e dishim a ka me pasë punë qashtu, s’e dishim a veç kena me qitë edhe njerëzit kanë me kalu edhe kanë me thanë, “Uh, çka jonë qito shkronja?” Se deri vonë njerëzit i kanë thanë, “Te shkronjat”, kërkush s’e ka lexu Newborn, “Te shkronjat”. “Ku po takohem?” “Te shkronjat”. Edhe, mandej ajo u kry pjesa e qisaj. Pak a shumë ish, “Çka me frymëzu krejt, me i jepë jetë Newborn-it? A din, qysh m’e realizu, qysh m’e shku me u zhvillu ngjarja qat’ ditë?” E pak a shumë, natën, si me thanë ora dy i natës, këta kompania, datën 17 shkurt shkojnë me vendosë Newborn-in te Boro Ramizi.

Njiherë u kanë lokacioni, nuk dishim ku me çu lokacionin, lypshim rrafsh, veç rrafsh me kanë. Qaj’ i vetmi rrafsh që u kanë pak ma i gjonë, a din që me pa njerëzit majtas-djathtas, pak ma shesh. Se te na sheshi shumë i ngushtë. Edhe krejt senet çka ndodhin, te qajo rrugë. Pak a shumë te Newborn-i ku është sot, te Boro Ramizi, u përshtatke ma s’shumti. Edhe domethonë u vendosë Newborn-i atje, menxi, çka kanë hjekë, ka nji shkronjë-ka nji shkronjë me i qitë natën. Unë qat’ natë s’kom shku, domethanë në mëngjes herët, ndoshta pesë-gjashtë kur e kemi lonë me shku. Se vendosëm që ato me mlu krejt me nji çarçaf të kaltër, edhe m’i shti ballonat mrena që me i thirrë njerëzit që kena me ardhë. Edhe pak a shumë qajo që Fisi e thotë, qajo qershia e konceptit është kur unë kom thanë, “Hej masi ka me u nënshkru deklarata e pavarësisë, a t’i nënshkrujmë me marker, fllamaster?” Edhe ata, “Uaa, po”. Edhe qajo nashta i ka shty njerëzit, pak a shumë na blemë shumë fllamastera, mandej u përgatitëm ashtu që krejt njerëzit me pasë, edhepse s’e dishim, prapë u kanë pikëpyetje a ka me kalu dikush ka na.

Edhe na qat’ ditë domethanë prej mëngjesit u kanë tepër ftohtë, shumë, shumë ftohtë saqë krejt njerëzit jena mledhë. Hishim në atë kafiqin, u kanë në qosh, te fontana s’di qysh e ka pasë emrin. Qaty edhe në korridor i kena pasë krejt senet, edhe aty u kanë ai tipi me ballon, që i ka fry me helium, e ngaj na ton’ ditën kena shti saqë kah ora dymbëdhjetë a njo, e maj në men që krejt jemi ngri. E tash shko futi kështu me grushta, me ballona përfuni e ta çojnë ballonat krejt çarshafin, pak a shumë krejt puna e nashta pesë-gjashtë orëve na shkoi huq. Mandej hajde shpejt, hajde me shtangu çarshafin, e jo me i pru barrikada me i qitë anash e sigurimi e… a din u mershin tash secili, jemi konë nji grup muj me thanë nashta tridhjetë veta edhe kush kish të njofshëm, për shembull unë e pata marrë Viganin, a din secili e ka thirrë frajerin, shokun, shoqen, që veç m’u bo nji grup që me kry. Se s’kishe ti vullnetarë me thanë, “Hej kërkohen vullnetarë”, se hala s’e dishim çka o ka bohet. E pak a shumë shpejt-e-shpejt edhe njiherë i mushëm hajde me ballona prej fillimit edhe prapë nxeju qaty, kqyr televizor. Ia nisi kuvendi, p’e qesin ato me u nënshkru, na krejt u rrënqethshim, “O Zot, a po vijnë a s’po vijnë?” Edhe thanë, “Tash ka me vazhdu me shku me nënshkru..”.

Domethonë na e lamë nji kanal që me hi njerëzit kadal-kadale m’u nënshkru aty, a p’e din bukur. Erdh kryeministri, erdh presidenti i asaj kohe domethonë Hashim Thaçi edhe Isa Mustafa. Qysh kanë dalë ata kanë vazhdu me sigurim. Unë domethonë qat’ kohë u patëm nda, unë, Shkenca, Etriti, Jetoni, Fisi, ekipin ma s’shumti që jena marrë edhe me kofa kështu me fllamastera edhe për nji moment veç e kom pa vetën në mesin e turmës që njerëzit ngajshin kështu, i kapërcejshin barrikadën. Edhe ata veç u dasht tash sigurimi me hekë barrikadën, s’kish mo  ven me thanë, “Jo tash ti se ki me hi me nënshkru”, aty veç u gjujt masa, të emocionum, thu ti, po, se thu ti krejt varet prej a e ke shkrujtë nji shkronjë qaty edhe u kry! A din, se krejt o procesi te qajo. Njerëzit qysh po doket qaq jemi konë tepër emocionalisht, saqë unë po thom, unë thojsha, “Kanë me m’shkelë!” Edhe kërkush nuk vike me marrë nji fllamaster, se unë thojsha, “Kqyre, nashta e marin secili ka njo, ka njo”, e menojsha nëse i marin, “Ka dy.” Po jo, jo, me grushta.

U bo njifarë s’po di, euforie prej njerëzve, vloi, depërtun, më kapërcyn, veç që s’më hypshin në krahë me më thanë, “Çom pak ma nalt se s’pe mbrri shkronjën”. A din, jom shtrydhë qaty pak. Ama u kanë prapë, krejt njerëzit ja nisën me u përqafë, me u dashtë. U kanë si s’pe di, si nji etapë, a din si para luftës-mas luftës, ke para Newborn-i dhe mas Newborn-i për mu. Qajo fazë unë e di si para edhe mas Newborn-it. Pavarësia, deri vonë thojsha, “A cila datë, 17, 16, 19?” Se mo s’u majke në men shumë data në qat’ kohë. Edhe domethonë mas krejt qasaj, jena konë shumë a din ashtu të mbushun me energji, në të njëjtën kohë të mërzitun. A din është si diçka, kur arrin ti nji diçka që e kalon nji cak t’u ngajtë shumë shpejt, edhe tash shlirohesh e në të njëjtën kohë prej gëzimit a të kahet a të keshet, a din je si në mes të qasaj.

Edhe u kanë tepër emocionuese për krejt ekipin që kena punu, edhe shumë mirë që Fisi e ka shty qato se të vyn gjithmonë nji udhëheqës me pasë kështu, po edhe kurqysh s’bon me harru ekipin. T’u ia nisë prej ma të voglin te ma i madhi, se ma i riu u kanë Etriti Zeneli, mandej u kanë Shkenca Koçi, Jeton Morina, Fisnik Ismaili, ka pasë mandej, Jetona Ceradi açount, Arton Zeneli, Bes Bujupi, pak a shumë qat’ ekip që u konë, a din, u konë si me thonë, Valoni Xhaferi s’po më kujtohet a ka qenë qat’ kohë a jo, edhe Valoni, u kanë financieri, a p’e din ashtu ka pasë qaq shumë veta saqë s’bon me ia hupë vlerën kaniherë me thanë, “Po, kena dalë me nji shkronjë, e kena bo fontin edhe u kry, it’s done!” S’bon me metë qaq histori shkurtë.

Aurela Kadriu: Okej, Nita falemnderit shumë se i përfshive krejt pytjet edhe s’pata nevojë me ndërhy. Falemnderit shumë.

Download PDF